• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Masakra në Çamëri- Dëshmi të të mbijetuarve

July 15, 2013 by dgreca

Më 18 shtator 1944 ikëm nga Filati dhe vajtëm në katundin Spatar, atje erdhën ushtarë zervista dhe më morën burrin pas tre ditë bashkë me gra të tjera shkuam në Filat për të parë burrat të cilët ndodheshin në burg . Në këtë kohë na vënë edhe neve burg ku na lanë një natë. Tjetrën ditë na morën dhe na shpunë në ikotrofie dhe burrat na i vranë në fushë të Filatit. Midis të tjerëve ishte edhe burri i jem Barjam Azemi vjet 48 edhe kunati tim Lahe Halil Azem. Në burgun tonë të grave zervistat zgjidhnin gratë që u pëlqenin dhe i ç’nderonin. Për këtë vrasje dhe ç’nderime kaq ç’njerëzore kërkojmë nga ai komision që të shkojë në vend dhe të hetojë përsa sipër.

Delvinë më 26 shkurt 1947

Shabane Azemi

***

Ushtarët zervista hynë në Paramithi më 28 qershor 1944 të Martën dhe të mërkurën, ushtari zervist Kiço Koma nga Paramithia mori burrin tim Velinë, vjeç 68 dhe ma theri me thikë. Të enjten ushtarët zervista erdhën të merrnin vajzën time Shuquranën por e shpëtova se ju dhashë të gjitha paratë që kisha afro tridhjetë miliona dhrahmi një unazë floriri dy gjysma lirash dhe një palë vathë floriri si edhe sende të tjera të çmuara. Zervisti Dhimo Pasko me djalin e tij Sotir Pasko nga Paramithija më morën djalin tim Abedinin vjeç 19 dhe ma vranë brenda në shtëpi. Një tufë lesh bashkë me lëkurën e kokës së tij e mbaj akoma në xhep për kujtim. Ushtarët zervista rrahën për vdekje djalin tim të vogël Prenjën para syve të mi dhe mbasi unë doja ta mbroja më rrahën barbarisht dhe mua. Kërkoj që komisioni të shkojë në vend për të hetuar rreth këtyre ngjarjeve të tmerrshme.

Delvinë më 26 shkurt 1947

Fatime Prenjo

***

Ne çamët e vendosur në Nënprefekturën e Sarandës të persekutuar nga repartet ushtarake të Napolon Zervës në qershor e shtator të vitit 1944 e shkurt mars të vitit 1945 mbasi lamë në Çamërinë tonë eshtrat e 100 vëllezërve motrave, baballarëve, nanave dhe çilimiqëve tanë, mbasi na u grabit e tërë pasuria tonë mbasi motrat dhe vajzat tona pësuan ç’nderimet më ç’njerëzore, emigruam në Shqipëri ku gjetëm përkrahjen më vëllazërore nga populli shqiptar. Vuajtjet tona nuk përshkruhen. Ne nuk e meritonim këtë trajtim, sepse edhe ne u radhitëm krahas popujve përparimtarë antifashist për zhdukjen e murtajës naziste. Ne i dhamë kauzës së përbashkët të kombeve të bashkuara repartet tona partizane dhe dëshmorët tanë. Kërkojmë që komisioni për shqyrtimin e kaq pësimeve tona të shkojë në Çamërinë tonë për të konstatuar së afërmi tragjedinë e popullatës çame. Atje do të diktohen vendet ekzakte të masakrave barbare, atje do të vihet ekzaktësisht gishti ujkut fashist atje do të dalin në dritë kockat e viktimave, atje do të duket begatia e Çamërisë sonë larë me djersën tonë dhe shkatërrimet përfundimtare të vatrave tona nga njerëzit e autorizuar të barbarëve zervista.

Delvinë më 27 shkurt 1947

Komisioni: Ismail Halili, Dine Mani, Ferik Meço, Idriz Bajram, Mehlika Meti

***

Unë Melika Met Sali nga Filati i Çamërisë njoftoj se në shtator të 1944 kur hynë ushtarët e Zervës në Filat, na mblodhën të gjithë neve shqiptarët duke na ndarë gra e çiliminj veç ku përbëheshin prej 500 vetash dhe burrat veç, na burgosën në ikotrofio të Filatit ku nga uria vdiëq mëse 70 gra e çiliminj sepse racioni bukës që na jepesh ishte vetëm 50 gram në ditë. Këtu pashë me sytë e mi të torturoheshin pa mëshirë shumë gra nga zervistat dhe midis të tjerave gruan e Sherfi Sulejmanit 50 vjeçare e cila vdiq nga druri si dhe nanën e Hate Hallunit nga Filati. Mua më rrahën personalisht me kamxhik. E shoqja e Xhelo Rexhos nga Dovani u burgos me 7 fëmijë nën 12 vjeç dhe këtu i vdiqën 6 fëmijë një e quajtur Merushe nga Dovani u burgos me 3 çiliminj dhe doli vetëm. 50 ditë na mbajtën në ikotrofio dhe pastaj na përcollën për në Koske pasi na morën të gjitha plaçkat që kishim me vete. Në Koskë, ushtarë të Zerves ç’nderuan 10 gra, nuse dhe vajza nga konaku ku isha vetë. Nga këto e shoqja e Xhelo Galbaqit së bashku me mbesën dhe të reja të tjera nga Varfanji e Lopësi. Kërkoj që komisioni të shkojë në krahinat e Çamërisë dhe të hetojë rreth sa thash më sipër

Sarandë më 27 shkurt 1947

Melika Met Sali

***

Unë Idriz Bajrami nga Karbunari Çamërisë vërtetoj se në shtator të 1944 trupat e Zervës të komanduara nga kolonel Kamara dhe nënkolonel Kranja hynë në fshatin tonë dhe vranë nanën time Luftie Bajrami vjeç 60 me 5 gra të tjera Mehani Isufi së bashku me nusen e djalit Saja (Gjylsim Vehipin) Kadrije Hamdinë dhe nanën e Simo Dodit nga Paramithia. Me këtë rast ushtarët zervista vranë 39 persona në fshatin tonë gra pleq dhe fëmijë, ndër të cilët Osman Pasha, Neime Rexhepi, Kadrie Metushi me 3 vajzat dhe të vjehrrën Mine Jahja, Zeqir Duli, Hajrije Xhemo dhe të bijën Mate, Fatime Xhaferin me dy të bijat, Dul Mellija, Shaqire Abedini, Sherif Feimi, Ramadan Jasini, Haxhi Aliago, Isa Omer, Hamide Husnija, Hajredin Mane, Haneme Tahire, Hasije Alush, Zubo Shpata e të tjerë të ndjekur nga trupat e Zervës dhe që strehoheshin në Karbunarë. Janë vrarë 6 veta në Kardhiq: Xhafer Lushi së bashku me gruan dhe me djalin Tafil Isai, Hadër Bazi dhe Lako Kasemi. Për këto krime të shëmtuara të kryera ndër fshatare të pafajshëm kërkoj që komisioni të shkojë në vende të Çamërisë për të hetuar të vërtetën mbi barbarizmat e pa mëshirshme të kësaj ushtrie.

Sarandë më 27 shkurt 1947

Idriz Bajrami

(Marre nga libri”Maskrat Came)

Filed Under: Histori Tagged With: Masakrat came

Te ftuar ne Sofren poetike te Dielli

July 15, 2013 by dgreca

Në këtë publikim paraqiten; Luan Çipi, Gjeto Turmalaj, Gani Qarri dhe  Sabahate Byci/

BALADË PËR PETRO MARKON/

Nga Luan Çipi/

I ri i bukur, flokë kaçurrel/

Poet, shkrimtar dhe gazetar,/

O trim i lindur me shpirt rebel,/

Që çave dete si vullnetar./

Sikur të gjitha t’i mënjanoja,/

Poezitë, romanet në njërën anë,/

Jo, kurrë për ty nuk do harroja/

Vitet e luftës, atje në Spanjë.

Mijëra dhunues, mizor frankist

Dhe ti kundruall, me ballin lart.

Ata, me tanke terror fashist,

Ti, Petro Marko, me penë e kartë.

Goditi ashpër, si top kjo penë.

Ide sublime, ëndërr e madhe,

Deshe ta bëje Evropë Atdheun

Pa varfëri, derte e halle.

Aty në beteja shquhej më i miri

Që s’pyet për poste e rehati

“Do hamë të gjithë me lugë floriri

Do rrojmë në paqe e në liri!”

Thirrja e të shtypurve, një utopi

Dhe jeta, o Petro, një tjetër lloj.

Ti, rend ndër shtete dhe përsëri

Valëvit flamurin kryeshgabonjë.

Ngele gjithë jetës krijues dashnor

Për njerëzit, që i deshe me zjarr e mall,

I drejtë, i pastër, shumë njerëzor,

O “Nderi i Kombit”, ”Mjeshtër i Madh”!

Vlorë, më 14.07.2013

 

PSE PO VAJTON AI SHPEND NE ZA TRISHTIMI?

 

Te ndjeres Manjola Leke Mirakaj (Libohova)

“Elegji”

 

NGA GJETO TURMALAJ

 

Pse po vajton a’i shpend ne za trishtimi

me ate gjame e klithma prej mjerimi

me tu pervlua zemra nga temerri

Sa e sa jete tuj gllabrua kanceri …

 

Sote bija e Leke Mirakaj, e nuse Libohoves

Po i Jepet lamtumira e fundit ne kishe te Shen Tomes.

Manjola ne Arkivoli me trupin e pa jete

me Meshe, urata, salikime e lot…

po percjellet me dhimbje nga kjo bote.

 

Ne ate mort te rande pikllimi

Jane mbledhe bashkvujtesit e Interrnimit

Perkulen ne shenje zije e nderim.

jetuan si nje vllazni, ne kampe te perqendrimit.

 

Ato fiset me za qe luftuan ne shterngata

Edhe shtepia e mirnjohur e Mirakajve.

Hej komunizemi e u shofte djale pas djalit

Po si i burgosi edhe shqipet e malit.

 

Ne kenete te Terbufit, ne zemer te Gradishtes

Neper baraka me Eternit Kancer-ndjelles

Atje lindi Manjola 44 vjete me pare

Sot ka mbylle syte me lufte e me travaj.

 

Ne betej per me munde fitua jeten

per 7 vite ne perballje mbi vdekjen

Qe vajzat e shejta Ana e Ema kur te rriten

T i’a mbanin mende Nanes vete fytyren

 

Nuk i besohet familjes, hej medet

Se kanceri u’a ndau Manjolen e shtrejte

Mbeti me pikllim ne shpirte baba Leke

e trishtume ne zemer qane Nana Dolerez.

Te vajtojne Vella Entoni e motra Matilda

Zemren ua thave, o lule Manjola…

 

Dy Engjejve te vegjel Ema e Ana

kurre ma me dore nuk i ledhaton Nana

I shkputi vdekja si rrufe prej qillit

Sikur ju ndale pergjithmone rezja e Diellit.

 

Po a thua keshtu dha urdher vete perendia?

Lule Manjola me shkua te Lumnia.

Me lane njerezit me te dashur ne te madhin hidhrrime

Me kalua ne jeten tjeter per amshim.

 

O Manjola e shtrejt paç dhe’un e lehte

Gjithe njerzit e tu te dashur s’te harrojn per jete

Shpirti yt o Manjole, te bafte gjithmone drite

Ne perjetsine e lumtur atje ne Parrize…

 

*Shkrua nga Gjeto Turmalaj me nxitjen e mikut tim te mirnjohurit Tonin Mirakaj

*31. Maj. 2013

 

 

     Pse ikin shqiptarët ?

Nga Gani Qarri/

Në duart e thata mbajnë çantat

Brenda, plaçkat e mjerimit

Mbi supe pasardhësit e pafat

Nisë udhëve të mërgimit

Me qindra vetë në ditë

Vendeve të huaja u drejtohen

Nga pushtetarët që i lënë pa bukë

Shqiptarët të dëshpëruar largohen

Ata sundohen nga”Pronto”milionerët

Të cilët ditë e natë pasurohen

Derisa gra e fëmijë me barkun thatë

Evropës për shpëtim i drejtohen

Ndaj,edhe në këtë shekull të shkretë

Kur as romët e “pa” atdhe nuk trazohen

Shqiptarët nga atdheu që i lë të vdes

Kokulur e të zhgënjyer, largohen

Gani Qarri Cyrih,15 Korrik 2013

 

TË KAM ZAMBAK TË GJAKOVËS

Sabahate Byci

Kokën e kam shtrirë në qetësinë e natës,

Dua ëndërrën ta thërras në takim.

Që kur Ty të njoha,

Gjumin syri ma lagu

Me shiun e lotëve dhe ëndërra

Më ikë

Me tradhëtinë e ferrit

Në heshtje,

E pa zë – si Ti!

Përse nuk ke mëshirë?!

Përse s’më flet me gojë?!

– A e di se dashuria ime për Ty,

Është si trëndafili i Elbasanit,

Edhe unë Ty të kam Zambak të Gjakovës!

Jam betuar se në Pranverën e Virgjër,

Për Ty do të thur një kurorë,

Me lulet më të bukura të Kosovës,

– Ty, Diadem i Mbretërisë të dashurisë sime,

Të madhe e pa kufi –

E do t’ia fal PUHISË SË SAJ!

 

ME TY

Mbrëmë unë e Ti

– Ti Zhulietë

E unë Edgar Alen Poe!

Mbrëmë,

Më vonë se mbrëmja

– Unë Zhulietë

E Ti Edgar Alen Poe.

Mbrëmë që nga mesnata,

Ti me mua legjendë e Zhivagos,

Legjendë nëntori 2007,

Mbrëmë,

Ti kotja ime në pakthim!

 

Mbrëmë fjeta me Hënën

Mes kristalesh drite,

Humbavdekje,

Shtatë ditë e shtatë netë,

Gjuhën ma thau,

Ma vodhi fjalën foshnjare,

Të parën,

Ma vodhi fjalën foshnjare,

Të dytën.

Mbrëmë u treta në thirrje,

Një milion herë,

E mbeta si përherë e vetmuar.

Me minutat e pritjes kot –

Në minutat e pritjes.

 

TI, HESHTJA IME MEMECE

Mbrëmëm,

Edhe sot,

E, edhe nesër,

Edhe,

Edhe,

Edhe…

Tërhiqe zvarrë kullimin e lotëve,

Në shpirtin që e regj zemrën.

Për heshtjen varr –

Për humbjen e fjalës time

Foshnjare të parë –

Për humbjen e fjalës time,

Foshnjare të dytë!

E sot,

Sot,

Me Ty’

E’

Pa Ty,

Ndaj mërzinë,

Që as ti vetë nuk e beson,

Me lotin tim skëterrë,

Që nga thellësia e shpirtit,

Si gjak më kullon…!

Me Ty dua vetëm një herë të flas,

Mbase zërin ta dëgjoj,

Atëherë zemra të më pëlcasë.

E në çastin shterp,

Që rrezen e dritës e shkatërron,

Irisi i humbur sterrë,

Vdekjen të ma lehtësojë.

 

MBET E DREJTË – PA MBURRJE

Nuk të dua anipse nga larg,

Ti një trëndafil do të ishe,

Nga krypa e Tpasit,

Ose shigjeta e Neptunit,

Që flakën e shpërndan.

Të dua,

Ashtu si njeriu ca gjëra të errëta

I dashuron.

Dhe atë në shkëlqimin e verbër

Të zemrës së copëtuar

“Më shumë se dje e më pak se nesër”!

Të dua pa e ditur përse?!

Qysh kur e prej ku?!

Të dua me të drejtë pa kompleksitet e mburrje!

Të dua sepse ndryshe nuk di

Aq shumë sa që:

– Dora jote mbi toraksin tim –

Dora ime është,

Aq shumë sa që kur Ti sytë i mbyll,

Mua shumë shpejt gjumi më zë…!

 

EDHE PËR KËNGË

Sot ma kënaqe zemrën,

Ma mbushe shtëpinë,

Me zërin tënd të bukur,

Me shpirtin plot dritë,

Me dashurinë…

Krahët m’i dhurove,

Shpirtin, gëzimin…

Ecjen ma shpejtove,

Ma fale fluturimin.

Mos, të lutem, mos,

Se më lëndove fort,

Me le duke qarë,

E s’po pushoj dot.

Në zemrën time,

Loçkë,

Aty thellë ke hy.

Po më lëviz me gjakun

Të kam shpirt unë Ty.

 

MË PRIT…

P rit

O se

E ja ti

Z emra

I me – shpirt

D ua

A nipse

S i e

H utuar

U lëras

R rugëve të

I kjes bashkë me vetminë – VETËM

E dhe

 

GËZUAR DITËLINDJEN

Si (n)’ Qersh-i (or) – iku e kuqe flakë,

Rrezja e Diellit në thellësinë e mbrëmjes,

Puthi natën,

Dhe mori dashurinë gaforre në katrore,

Për 24 orë ose 45 herë në gji!

Me qejfe të thashë: (n)’ Korri (ik) or,

Shtatë kallinjtë e heshtjes,

Me të hidhet se vetë vdekja shekullore.

E nëse do, thuri shtatëmbëdhjetë Poezi për Bereqet,

Sepse molla qe ngrënë.

Ty, zemra ime 1 (Perisht) Marathonomak,

Vetëm e vetëm për mua,

Gushën ta puthi si pëllumb.

 

 

EDHE NGA LARG

Rrezja e Diellit puthi Yllin e Mëngjesit,

Akullit ia fali lagështinë e lotëve,

E vuajtjes së takimit në largësi,

Dashuria frymën ia zuri…!

 

MOLLA QË HËNGRE

Mollën që e hëngre,

Ishte e kuqe.

E kafshove,

E hodhe,

Në shportën e mbeturinave…

Mbase gabove,

Farërat i kishte origjinale,

Si të atyre,

Nga Naissi…

Mirë nuk bëre,

Hiq,

Që e kafshove,

Dhe u ndave,

Duke e lënë të lënduar…

 

ATENTAT

Dielli nuk duron t’i bëhet atentat,

Qelizat nuk durojnë të gënjehen…

Bashkimi nuk duron për respekt ndarjen,

Hëna nuk duron t’i vjedhin syzet…

Ajo nuk është e verbër,

Ajo sheh me sytë e shpirtit…

 

MË KE TRADHËTUAR

Më ke tradhëtuar në emër të shkrimit,

Në emër të figurave më ke tradhëtuar…

Kurrë nuk do të zërë vend,

Fjala e jote poetike…

Pena jote nuk ka për të shkruar më poezi,

Stuhitë e lakmisë e të tradhëtisë,

E kanë fundosur në thellësi të oqeanit…

Do të të mallkojë fjala e shkruar,

Edhe figurat e saj përjetë…

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gani Qarri, Gjeto Turmalaj, Luan Cipi, ne sofren e Diellit, Sabahate Bytyci

A do t’i hapi dosjet parlamenti i ri?!

July 15, 2013 by dgreca

Nga Ardian Ndreca/

I kena ra në qafë e me të drejtë Berishës për mungesën e vullnetit politik për hapjen e dosjeve, pra për nji ligj të lustracionit që ta çlironte ndërgjegjen e shqiptarëve, për aq sa mund të çlirojë kënd nji ligj pozitiv, prej së kaluemes komuniste. Kreu i PD-së i qëndroi së vetes deri në fund dhe nuk i hapi dosjet, madje promovoi dhe u dha poste tepër të nalta deri në minutat e fundit të pushtetit ish hetuesve dhe ish funksionarëve të drejtësisë komuniste. Kah ana tjetër asht e dijtun prej kohësh se ndër rradhët e politikës shqiptare, ashtu si edhe në administratën publike, sillet nji numër i konsiderueshëm ish informatorësh të Sigurimit.

Ky hiatus antidemokratik nuk ia ka vra as synin dhe as veshin atyne demokratëve të ndezun që s’lanë gja pa qitë për gojet kundër regjimit hoxhist por kur bahet fjalë për veprime konkrete heshtin turpshëm. Në këto dekada dosjet janë përdorë, janë shfrytzue dhe vijojnë me qenë nji kapital i çmueshëm për ata që kanë pasë akses në këtë minierë handrakut moral.

Na bane përshtypje të mirë deklaratat e Avokatit të Popullit këto ditë, i cili shprehej për nevojën e nji ligji të lustracionit që të rregullojë edhe çeshtjen e dosjeve. Avokati shprehej se do t’i bashkangjitej shoqnisë civile në hartimin e nji ligji të ri. Tingllonte paksa i çuditshëm fakti që Avokatit i kishte pasë ardhë kjo ide mbas nji vizitet në Gjermani dhe mbas eksperiencës që kishte pasë tue vizitue edhe vendin ku ruhen dosjet e STASI-t! A thue asht e nevojshme për me u sensibilizue për nji çeshtje kaq të randësishme me marrë mundimin e me shkue deri në Gjermani? Në Shqipni ka 20 vjet që flitet për ketë gja e vetëm kjo do të kishte mjaftue me pasë lëvizë sadopak vendit deri tashti. Megjithatë, ma mirë vonë se kurrë.

Shpresojmë që shoqnia civile, e cila tek ne për shumëkend, përfshi edhe të nënshkruemin, asht nji entitet abstrakt pa konsistencë të mirëfilltë, të lëvizin! Deri tashti as ajo, as OJQ-të e mjera së bashkut me fondacionet e shoqatat e padukshme, që nuk bajnë tjetër veçse thithin pare fondacionesh, individësh dhe qeverishë të hueja, nuk e kanë marrë mundimin me ba diçka konkrete. Roli i pakuptimtë i gjithë kësaj yjësie të shueme u pa krejt qartë gjatë grevës së ish të përndjekunve politik vitin që shkoi, ku edhe vetë Avokati i Popullit shkëlqeu me qëndrimin e tij tejet periferik e kuptimpakët. Shoqnia civile tek ne asht e pafuqishme si nji “e” pazane që shtrihet prej Konispolit në Vermosh. Prandaj lustracionin mund ta bajë vetëm nji vullnet i fortë politik dhe askush tjetër.

Lustracion rrjedh prej lustratio të latinëve, skaj që shenjonte nji ceremoni purifikuese; kjo e fundit presupozon në historinë e besimeve vetëndërgjegjsimin rreth nji faji. Tek ne subjektivisht nuk mund të flitet për vetëndërgjegjsim dhe për ndjenjën e fajit, pse ende kurrkush prej ish nomenklaturës komuniste nuk ka kërkue falje për vuejtjet që ka shkaktue. Sot mikrofonin e kanë marrë rishtas në dorë Nexhmije Hoxha, Kristofor Martiro, Dilaver Bengasi etj., pra ideologët e krimit, hetuesit, kriminelat e gjithë zarbot që vritnin e pritnin të mbrojtun prej nji regjimi çnjerzor.

Mjerisht shqiptarët, të gatshëm me u vra vlla me vlla për nji vijë ujit e për do gardhiqe, janë gati me durue si deve të topituna prej të nxehtit gjithë ketë spektakël të ndytë që ua servirin mediat imorale.

Çfarë ndjenjë fajit dhe çfarë purifikimi mund të kërkojmë kur ndërgjegja e do shkarthave këtej e andej kufinit politik ndien sot nostalgji për Enver Hoxhën dhe kohën e tij!

Fenomeni i nostalgjisë në vendet e ish Lindjes komuniste njihet, madje për të gjermanët kanë nxjerrë edhe nji term të posaçëm: Ostalgie, nostalgjia për Lindjen. Tek ne, që ishim karikatura e komunizmit, shihet sot edhe karikatura e Ostalgisë e përfaqsueme prej këtyne kriminelave të papenduem që justifikojnë krimet e veta dhe mundohen me nxjerrë në pah anët gjoja të mira të atij sistemi.

Tashma detyra për nji ligj të ri të lustracionit i takon Edi Ramës. Shpresojmë ta bajnë sa ma parë dhe sa ma mirë, nuk i mungojnë as votat në parlament dhe as modelet legjislative. Me nji akt të tillë do të kishte rastin me i tregue të gjithëve se partia e tij s’ka lidhje me të kaluemen por don vërtet nji rilindje, e në rastin e lustracionit rilindja kalon përmes ndërgjegjsimit të fajit dhe ndërshkimit moral të fajtorëve. Për pajtim nuk ka nevojë, pse jemi popull pa ndërgjegje historike, çdo vit mësimet i nisim te abetarja.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: a do t'i hapi, Ardian Ndreca, dosjet, parlamenti i ri

Mbi 2500 gjuhë në zhdukje

July 15, 2013 by dgreca

Instituti Smithsonian njofton se mbi 2 mijë e 500 gjuhë do të zhduken deri në fund të këtij shekulli dhe për këtë arsye Smithsonian, që është muzeu dhe qendra më e madhe studimore në botë, i kushtoi një vëmendje të veçantë këtyre gjuhëve në Festivalin e vet vjetor Folklorik. Sapo dëgjoi muzikën, Patricia Joseph u ngrit menjëherë të vallëzonte.
“Gjithmonë më vinte të kërceja kur dëgjoja këtë lloj muzike, por diçka më frenonte. Por këtu ndjehem e çliruar. Është një vend i pazakontë dhe do të kalojmë këtu thuajse gjithë ditën”.
Edhe kënga është e pazakontë, me vargjet në një gjuhë që po shkon drejt zhdukjes. Është pjesë e Festivalit Folklorik Smithsonian, një aktivitet i përvitshëm ku nderohet kultura botërore në Parkun Kombëtar në Uashington. Këtë vit, një vëmendje e posaçme i është kushtuar 2 mijë e 500 gjuhëve nga gjithë bota që parashikohet të zhduken deri në fund të shekullit.
Përfaqësuesit e gjuhëve të ndryshme përdorën forma të larmishme arti për t’u shprehur në gjuhët e tyre, përfshirë muzikën ritmike të gjuhës Quechua të Amerikës së Jugut …të kënduarin e veçantë të gjuhës Tuvan në Siberi…dhe vallëzimin e veçantë të gjuhës havajane. Aaron Sala është një nga muzikantët e gjuhës në zhdukje të Havait.
“Është një përvojë e mrekullueshme që të njohim kultura të tjera që po punojnë për të ruajtur mbijetesën dhe zhvillimin e gjuhëve të tyre”.
Por përfaqësuesit e këtyre kulturave nuk po përpiqen vetëm të stimulojnë shqisën e dëgjimit. Përveç muzikës, festivali ekspozon shumë objekte artizanale autentike, si për shembull një mulli që bluan orizin.
Elisabeth Ostler nga Merilendi thotë se festivali me objektet e artit dhe muzikën u jep mundësi amerikanëve që të mësojnë për kulturat e ndryshme botërore.
“Në përgjithësi ne jemi të izoluar nga kulturat e tjera. Kemi kaq shumë gjëra që mund të vlerësojmë”.
Ajo shpreson që të rinjtë, siç janë shtatë fëmijët e saj të frymëzohen nga festivali dhe të sjellin ndryshim në botë.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Kulture Tagged With: 2500 gjuhe, ne zhdukje

Protesta ndaj vendimit në çështjen Zimmerman

July 15, 2013 by dgreca

Protesta paqësore, por të ngarkuara me emocione kanë shpërthyer në një numër qytetesh amerikane pasi një banor i Floridës u shpall i pafajshëm lidhur me akuzat për vrasje me paramendim dhe vrasje aksidentale, në gjyqin që pasoi vdekjen e një adoleshenti afrikano-amerikan vjet. Presidenti Barak Obama bëri thirrje për qetësi dje, pas shpalljes së vendimit. Në një deklaratë me shkrim, zoti Obama e cilëson vdekjen e adoleshentit Trayvon Martin një tragjedi si për familjen ashtu edhe për Amerikën. Por ai bëri thirrje për reflektim paqësor duke shtuar, “ne jemi një vend ku sundon ligji, dhe trupi gjykues e tha fjalën e tij”.
Vendimet gjyqësore në çështje të ngarkuara me ngjyrime racore kanë shkaktuar në disa raste protesta dhe trazira masive. Në vitin 1992 disa policë të Los Anxhelosit u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për rrahjen e një afrikano-amerikani. Vendimi u pasua me protesta të dhunshme, akte vandalizmi, plaçkitje dhe kaos. Dhjetra vetë gjetën vdekjen, qindra të tjerë u plagosën dhe dëmet materiale kapën shumën 1 miliard dollarë.
Në dallim nga trazira të tilla, protestat pas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarit George Zimmerman kanë qenë relativisht paqësore. Të shtunën në mbrëmje, trupi gjykues i përbërë nga gjashtë gra, deklaroi vendimin në një ndër proceset gjyqësore që tërhoqën vëmendjen më të madhe publike gjatë viteve të fundit:
Një ndër avokatët e familjes së 17-vjeçarit të vrarë Trayvon Martin, dha komente në programin Fox News Sunday. Darryl Parks e cilësoi si të pabesueshëm vendimin, por tha se familja Martin do që publiku të reagojë pa dhunë.
“Ky është vendimi i trupit gjykues. Ne e pranojmë vendimin, por nuk jemi dakord me të”.
Në vitin 2012, George Zimmerman, gjatë një patrullimi vullnetar të lagjes ku banonte, pa 17-vjeçarin Trayvon Martin duke ecur nëpër lagje. Të dy ata u ngacmuan me fjalë, gjë që çoi në ballafaqim, si rezultat ata u përleshën dhe incidenti përfundoi me vrasjen e adoleshentit nga Zimmerman.
Seanca gjyqësore nxori në pah dëshmi kundërthënëse lidhur me personin që ishte nismëtari i konfliktit dhe me pyetjen nëse Zimmerman kishte reaguar në vetëmbrojtje.
Anëtari i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, republikani Orrin Hatch u shpreh se u dha vendimi i duhur. Ai i bëri komentet në programin This Week:
“Nëse procesi bazohet mbi kushtin se duhet provuar fajësia përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, duhet të pranojmë se kishte plot dyshime të arsyeshme lidhur me fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit”.
Megjithëse është shpallur i pafajshëm në një gjykatë penale, Zimmerman mund të nxirret përsëri në gjyq, këtë radhë në një gjykatë civile nëse familja Martin ose Departamenti i Drejtësisë vendosin të ndjekin këtë pistë.(Kortezi: Michael Bowman)

Filed Under: Kronike Tagged With: antizimerman, Protesta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5339
  • 5340
  • 5341
  • 5342
  • 5343
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT