• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fuqia e referencës letrare dhe autoriale në njësimin e Adnan Mehmetit

May 17, 2020 by dgreca

Shkruan: Gjekë Marinaj, PhD/ Dallas, Teksas/

“Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” është një libër me rreze veprimi më të gjerë sesa një reference tavoline, për lexuesit shqiptarë, të interesuar për ecurinë e letërsisë së diasporës në Amerikë. Ai nuk mund të përkufizohet as vetëm si esencë biografike, apo pasqyrim bibliografik. Këtu kemi të bëjmë me shtresa shtesë oportunitetesh, sepse ballafaqohemi me një hapësirë të pasur referimi, të cilën përmbledhësi dhe njëkohësisht autori i këtij libri, Andan Mehmeti, e ka perceptuar atë më tepër si një burim interaktiv, sesa një rezervuar informacioni statik.
  Ndaj ne, si lexues të tij, si studentë të përhershëm të letërsisë dhe historisë, duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha labirintet grabutiane në favor të idealeve tona, për të qenë sa më të edukuar dhe sa më përçues të kulturës sonë kombëtare, nga origjina për tek platformat nga ku mund të shijohet më tërësisht ajo. Në akord me konceptimin dhe diapazonin e mundësive personale dhe kolektive që kemi, krijimtaritë e formave më të larmishme letrare, që referohen këtu, është mirë t’i trajtojmë si përfaqësuese esenciale të lartësisë dhe si gravitet kolatik i mendimit dhe kulturës mbarë-shqiptare. Ato mund të konsiderohen pa hezitim si dukuri protoniste të drejtpërdrejta të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
  Ndonëse po bëhen gati dy dekada nga dita e themelimit të saj, një pjesë e përmbajtjes bibliografike dhe krijimeve letrare që pasqyron këtu, e kanë gjenezën e tyre para krijimit të këtij institucioni. Ky fenomen vetëm sa e shton interesin e lexuesit, duke fuqizuar faktin se shumica e prurjeve janë “krijime” letrare të formuara brenda orbitës së veprimtarisë së kësaj shoqate.
  Adnan Mehmeti, si president (për disa nga ne si udhëheqës shpirtëror) i këtij grupi të rëndësishëm krijuesish, shpalos edhe një herë identitetin e tij, si novator në jetën e komunitetit letrar dhe intelektual të këtyre shkrimtarëve, poetëve, historianëve, dramaturgëve, gazetarëve, dhe autorëve të formave të tjera të artit letrar. Ai e bën këtë pa zhurmë, më thjeshtë si dhe pa pretendime autoriale. Kjo është mënyra e tij e veprimit. Roli e tij prej katalizatori ofron, shpejton dhe lehtëson rrjedhën e informacionit dhe prodhimtarisë letrare të anëtarëve të shoqatës së tij për tek lexuesi shqiptar dhe i huaj.
  Adnan Mehmeti e bën këtë duke e parë botën e anëtarëve të shoqatës që drejton nga brenda kontureve të realitetit të tyre krijues me vështrim të hedhur jashtë vijave të padukshme, që ndan raportet e krijueseve me lexuesit. Avantazhi i tij si njohës nga brenda i kontributit letrar të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, shndërrohet në mision për ndryshimin e status quosë. Tashmë jehona e punës së shkrimtarëve, nuk mbetet më në heshtjen e një udhëtimi të largët si dikur, ku turbinat politike e shoqërore krijonin interferencë konstante dhe prishin natyrshmërinë e jetës bashkëkohore letrare. Si rezultat, qëllimi tradicional i letërsisë së diasporës nuk është më as në pikëpyetje as në mëshirën e zotit, ndonëse akoma nuk është vënë plotësisht nën autoritetin e një sistemi profesional e të organizuar të botimeve të librave.
  Kjo ka krijuar frymëzim dhe kurajë tek autorët e shumtë, të përfshirë në këtë libër. Vetëbesimi i tyre, për të bërë letërsi, që i qëndron kohës është evident kudo. Po të studiohen me kujdes poezitë, proza, apo fragmentet e formave e tjera letrare, që çdo autor ka përzgjedhur për të përfaqësuar vetveten, vihet re se ekziston një përpjekje e vetëdijshme, apo e pavetëdijshme për ta zhvendosur fokusin e jetës letrare nga fundamentalizmi konservator i së kaluarës, pa i humbur principet themelore në kërkim të cilësisë. Por lirshmëria e fituar krijuese, nuk ka sjellë qetësi të plotë dhe të gjithanshme. Siç vihet re, ajo akoma shkon paralelisht me ritet dhe filozofinë bashkëkohore, në kërkim të përgjigjes së pyetjes, se cili është misioni i vërtetë apo kuptimi i jetës letrare në shekullin e 21-të.
  I njëjti përqëndrim në titujt e librave të autorëve në fjalë, do na ndihmonte për të kuptuar më thellësisht linjat e mendimit në udhëtimin e tyre drejt zbulimit të domethënies së jetës krijuese dhe përshtatjes së saj për lexuesin. Titujt na japin hapësirë të mjaftueshme interpretimi, sepse funksionojnë si të dhëna në ekuacionin e angazhimeve të autorëve në ndjekje të përparimit shoqëror. Një prej konstatimeve të shumta është se krijuesit në mënyrë konstante i mënjanojnë disa nga gëzimet e jetës për të arritur përsosurinë morale si krijues asketikë, duke refuzuar lakminë e vlerave materiale, madje edhe duke sakrifikuar një pjesë të rëndësishme nga jeta e tyre familjare, për hir të besimit që kanë tek fuqia dhe premtimi, që rrjedh nga penat e tyre. Titujt e librave kërkojnë vëmendje, sepse nuk janë tituj rastësisht.
  “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” na jepet si një lloj centurie, që shtrihet përtej faktit se çdo titull përfaqëson një autor dhe paraprin një tekst. Ai bëhet epiqendër e një reference antologjike, që na drejton për tek krijimtaritë letrare, mendimet, njohuritë dhe biografitë e shumë figurave të rëndësishme letrare në Amerikë. Megjithëse paraqiten së bashku si një trup tekstesh dhe janë një degë e trungut të letërsisë sonë kombëtare, materialet që referon libri, nuk mund të konsiderohen tërësisht si pjesë e një tërësie, si kapituj të së njëjtës jetë letrare. Secili autor përbën një entitet të plotë dhe të pavarur. Ata nuk përfaqësojnë një filozofi, apo botëkuptim të qëndrueshëm, por më tepër përvojat, mendimet dhe mësimet individuale në kërkim të formimit të identitetit personal dhe autorial.
  Por, me gjithë respektin që ka për individualitetin krijues, Adnan Mehmeti na sugjeron të mos harrojmë se harmonia dhe respekti reciprok midis krijuesve është një sfidë në vete. Ai ka të drejtë, sepse kur forca e përbashkët e një shoqate letrare merr jetë përtej këndvështrimeve të ngushta, divergjencave apo xhelozive individuale, forca e mendimit kthehet një akt adekuat për të kuptuar më mirë kompleksitetin e realitetit të njerëzve, për të cilët shkruajmë.
  Një tjetër koncept paralel me këtë linjë mendimi është drejtimi i vëmendjes tek fakti se veprimet tona kanë pasoja dhe se të gjithë kemi detyrime morale dhe shoqërore ndaj njëri-tjetrit. Çdo shkrimtar, me apo pa vetëdijen e tij, përfaqëson më shumë se veten e vet në çdo fjalë që shkruan. Ky është një realitet statik dhe i pafuqishëm për të ndryshuar me kohën. Thënë ndryshe, duhet pranuar se nganjëherë qetësia jonë shpirtërore është e rrënjëzuar në faktorë që gjenden përtej mundësive tona, për ta rinovuar apo mbrojtur atë.
  “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”, siguron burimin bazë për shumë tema të rëndësishme të letërsisë së diasporës. Duke u nisur nga numri i madh i autorëve të përfshirë këtu si dhe nga rëndësia e tyre, mund të themi se shumica e temave kryesore, që kanë lidhje me shoqërinë tonë janë të mbuluara denjësisht. Si të tilla, ato nuk mbeten neutrale as në interpretim as në përmbajtje, ngaqë secili autor përpiqet të integrojë esencën e pikëpamjeve personale, në lidhje me shqetësimet bashkëkohore të kombit tonë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gjeke Marinaj PhD

SHEMBJA E TEATRIT KOMBËTAR-VATRA KËRKON VETËPËRMBAJTJE TË PALËVE DHE DËNON DHUNËN

May 17, 2020 by dgreca

-Vatra kërkon, që në këtë kohë Pandemie, kur dyert e dialogut i ka mbyllë Qeveria me shembjen e godinës, në këtë kohë tensionesh e përplasjesh, palët të vetëpërmbahen, të respektojnë rregullat dhe vlerat e Demokracisë./

DEKLARATË E FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”/

         Federata Pan Shqiptare e Amerikës”VATRA” e ka përjetuar me dhimbje shfaqjen e dhunës qeveritare ndaj artistëve, gazetarëve dhe qytetarëve të pafajshëm, që mbronin kauzën e mosshembjes së godinës të Teatrit Kombëtar në orët e hershme të mëngjesit të 17 Majit 2020. Qeveria zgjodhi kohën e gjumit, 4 e 30 A.M, për ta hedhë në tokë godinën e Teatrit Kombëtar, pa gjetur gjuhën e përbashkët me qytetarët që kundërshtonin shembjen e godinës, që prej 27 muajësh.

          Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë patën kohë të mjaftueshme për të dialoguar me “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, por nuk e bënë. Në vend të dialogimit ata preferuan t’i përçanin artistët, duke krijuar dy grupime, njërin që e mbronte Teatrin, e tjetri, që i jepte të drejtë qeverisë për Teatër të ri. Përça e sundo! 

Vatra pyet: Çfarë do të ndodhte nëse teatri i vjetër mbetej si dëshmi e vlerë e së shkuarës, dhe diku tjetër të ndërtohej një teatër i ri, modern, siç pretendon Kryeministri dhe Kryebashkiaku?

Kryebashkiaku pretendon se Teatri nuk ka vlera muzeale, nderkohe qe” Europa Nostra” e ka shpallë Teatrin Kombëtar në Tiranë një nga 7 objektet e trashëgimisë së rrezikuar kulturore të Europës.

Mënyra dhe koha që zgjodhi qeveria për ta prishë Teatrin, kalimi hileqar i teatrit në varësi të Bashkisë,  hedhin hije të forta dyshimi për afera korruptive. Përse u prish natën, dhe perse tash ne Kohen e Pandemise? 

      Qeveria përdori arrogancën dhe dhunën në vend të dialogut. Ajo nuk dëgjoi as ndërkombëtarët, kur këshilluan për dialog. 

Nuk pritën as përfundimin e procesit gjyqsor në Gjykatën Kushtetuse, ku e pat dërguar i pari vendit, presidenti.

    Shqiptarët u bënë dëshmitarë të një spektakli të dhunshëm, kur artistë e gazetarë tërhiqeshin zvarrë prej policisë për të vetmen arsye se donin që teatri të mos prishej! Kjo nuk është Demokraci. Shembja e Teatrit në kohën e Pandemisë, kur vendi përjetonte masa shtërnguse, dëshmon edhe mungesë transparencë, por hedh edhe hije të forta dyshimi mbi qëllimin e vërtetë të ndërtimit me çdo kusht të Teatrit të ri mbi gërmadhat e ndërtesës së vjetër.

Pas prishjes së godinës, shqiptarët ndoqën edhe Presidentin e vendit, z. Ilir Meta, që përcolli akuza të rënda për Qeverinë.

Citojmë nga deklarata e Presidentit: “ urdhërin për prishjen e Teatrit e dha Mafia…Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”!

Kjo deklaratë është e frikshme dhe e dhimbshme. Kush do ta mbrojë vendin nga Mafia? Po, a nuk është Presidenti garanti i Kushtetutës? 

 Ai është betuar dy herë mbi Kushtetutë, kur u ul në karrigën e Presidentit dhe kur doli në shesh për të mbrojtë Kushtetutën. A do të betohet për të tretën here si garant i Kushtetutës dhe nuk do të tërhiqet pas? 

     Kush do ta mbrojë Demokracinë e brishtë shqiptare, që për tri dekada vërtitet rreth kaosit dhe anarkisë? 

Po Parlamenti? Ku është Parlamenti i emëruar i mazhorancës. Ku ishin deputetët e opozitës së re, asaj të emëruar? 

    Opozita e bashkuar ka reaguar fort pas shembjes së Tetarit. Po ku ishte deri dje, kur për 27 muaj Aleanca për Teatrin luftonte për kauzën e mosprishjes së Teatrit?  

      Ku shkuan zotimet e tyre se nuk do të lejonin shembjen e teatrit?

  Të hënën, do të jenë në sheshin e protestës ”Aleanca për Teatrin” dhe Opozita e Bashkuar. Thirrjet për mosbindje civile janë bërë publike në media.

Vatra kërkon, që në këtë kohë Pandemie, kur dyert e dialogut i ka mbyllë Qeveria me shembjen e godinës, në këtë kohë tensionesh e përplasjesh, palët të vetëpërmbahen, të respektojnë rregullat dhe vlerat e Demokracisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra-deklarate

Teatri Kombëtar si kështjella e fundit e lirisë

May 17, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol Paja /
Rënia e Teatrit Kombëtar është në vetvete rënia e shtetit në totalitarizëm, është rënia e demokracisë në gropë, është rënia e qytetarëve, është rënia e opozitës, është rënia e çdo shqiptari të ndershëm. Shëmbja e Teatrit ishte një paligjshmëri e ndyrë, varrosi lirinë e protestës, lirinë e së drejtës, lirinë e shprehjes, lirinë e veprimit. Shteti njollosi veten me turp. Kjo ditë e zezë do kujtohet gjatë në ditënetët e faqezinjve neokomunistë që pushtuan kryeqytetin më keq se komunistët në vitin 45’. Fitorja e një kauze është një hap drejtë lirisë dhe humbja e kauzës është një shkallë drejtë robërisë. Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë do të jetë edhe për shumë kohë kryefjala e përplasjes mes pozitës, opozitës, shoqërisë civile dhe artistëve të dyzuar, të ndarë pro dhe kundër për rrafshimin e ndërtesës së ndërtuar nga italianët në 1941. Shëmbja e Teatrit Kombëtar nuk përfaqësoi vetëm një godinë, një ndërtesë, ajo përfaqësoi shumë më tepër, një kauzë qytetare që u mbrojt për më shumë se dy vjet e gjysmë nga artistët, natë e ditë në sheshin që mban të njëjtin emër. Teatri u kthye në një pikë vendimtare ku matën forcat të gjithë aktorët. Brutaliteti i shtetit, paligjshmëria dhe dhuna e uzurpatorëve fitoi. Mbrojtja nga vjedhja qeveritare e Teatrit Kombëtar ishte kauza më jetëgjatë në dekadën e fundit, kur për më shumë se dy vjet, artistë, intelektual, shoqëri civile, qytetarë të thjeshtë, patriotë të ndershëm, e shumë të tjerë,  e mbrojtën fizikisht nga reprezalja komuniste. Ashtu si në vitin 46’ në të gdhirë, në terr siç janë dhe veprat e zeza të komunistëve, rilindasit e betonit e shqyen Teatrin. Teatri ishte kështjella e fundit e lirë sepse: kauza e liqenit artificial ra, kauza e Astirit ra, kauza e taksës së kombit ra, zgjedhjet e lira ranë, parlamenti ra, drejtësia ra, opozita ra, vettingu ra, e vetmja kauzë e lirive që kishte mbetur ishte kauza e teatrit. Nëse vdes teatri, vdes liria. Qeveria është bërë gjithnjë e më arrogante duke shtypur çdo protestë, duke gjobitur masivisht shqiptarët, duke bllokuar lëvizjen e lirë, duke bllokuar mjete private, duke zaptuar prona, duke shfaqur një egërsi të paparë në komunikim dhe ndërveprim me qytetarët. 

Qeveria Rama ka përzënë më shumë se 500 mijë shqiptarë nga atdheu i tyre duke e bërë Shqipërinë një vend të pajtueshëm për njerëzit normal, duke e shndërruar një parajsë tropikale për oligarkët dhe njerëzit e lidhur me pushtetin politik. Shteti u zhvendos realisht në diktaturë, ashti si në vitin 1946, shteti nuk pyeti për Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet çështja e Teatrit, nuk pyeti për SPAK ku po hetohet votimi i prishjes së Teatrit, por arbitrarisht i futi fadromat. Shteti vulosi diktaturën: ndryshimet në kodin penal, zgjatja pa arsye e gjendjes së emergjencës, ndërsimi dhe arroganca e ministrave, sulmi ndaj mediave, agresiviteti i shtuar i policisë, si dhe dhuna ndaj qytetarëve e kanë shndërruar pushtetin në një fytyrë diktatoriale, ku dhe vetë shteti kthehet në makinë shtypëse për gjithçka që bie ndesh me direktivat e partisë-shtet. 

Vendi ynë aktualisht gjendet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, në proces Vettingu të kontrolluar politikisht, me ish funksionarë të regjimit në Parlament, në KLGJ, në KLP… etj,  ku trashëgimia komuniste shpaloset në të gjitha pushtetet. Qasja e të bërit shtet dhe administrimit të pushtetit është tipike si ajo e regjimit komunist. 

Baba i vetëshpallur Rama njësoj si Sekretari i Parë i Partisë së Punës, i cili ka vënë nën thundrat e tij gjithçka e çdo gjë në Shqipëri. Ai shfaqet në çdo medie apo mbledhje qeverie si shpëtimtar i komitetit të shpëtimit, ai të gjobit dhe po i njëjti që të fal gjobën, ai që të arreston, përsëri edhe të liron. Kryeministri Rama kontrollon gjithçka nëpërmjet edhe disa kukullave pa dinjitet dhe integritet moral e politik në qeveri. Fryma kundër arrogancës së pushtetit, qëndresa qytetare është oksigjeni që mban gjallë shoqëritë nga dekompozimi. Një vend quhet ende i lirë për aq kohë sa ka kauza që luftohet për to. Shembja e teatrit ishte shembja e pikës së fundit të lirisë, teatri duhet të qëndronte në këmbë si kauzë qytetare, si trashëgimi kulturore, si përpjekje e grupit të interesave të pastra të artistëve që pushteti nuk i bleu dot. Teatri duhet të qëndronte në këmbë  si revoltë ndaj pushtetit, si dinjitet i munguar i artistëve, si një monument që duhej të shpëtonte  dhe të qëndronte si teatër real për ti dhënë fund teatrit të absurdit që luhet ende në kurriz të qytetarëve shqiptar në 30 vjet të sistemit post-komunist. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Sokol Paja, teatri

HISTORIA PERSERITET- Murtaja e Athinës-430 para Krishtit deri tek COVID-19

May 17, 2020 by dgreca

Nga Manjola Barçi-Kozi/Dielli
Thuhet se një nga qëllimet e historisë është që të mësojmë nga gabimet paraprake dhe të përpiqemi të mos i përsërisim ato. Sigurisht që kjo nuk ndodh gjithmonë ose të paktën nuk ndodh shumë shpesh, pasi ne si njerëz përpiqemi të injorojmë historinë dhe ta provojmë gabimet e mëparshme me qëllim ose pa qëllim.  Sidoqoftë, shumica e njerëzve po bëhen më të zgjuar dhe i kuptojnë më mirë se kurrë pasojat që veprimet kanë –qofshin ato të mira apo të këqija.
Ndërsa përpiqem të gëlltis të gjitha informacionet për këtë virus që na ka goditur tashmë, po shoh se ka shumë e shumë ngjashmëri midis pandemive të tjera si: Murtaja e Athinës—430 para Krishtit, murtaja amerikane—shekulli 16, murtaja e madhe e Londrës—1665 -1666, murtaja e Madhe e Marsejes—1720-1723, murtaja ruse—1770-1772, epidemia e poliomielitit Amerikan—1916, gripi spanjoll—1918-1920, sindroma e gripit të derrit H1N1—2009-2010 (Meksikë), epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore—2014-2016, epidemia e virusit Zika—2015 deri tani. Të gjitha këto pandemi kanë emra të lidhur me vendet nga ku ata ose kanë origjinën,  ose se ku kanë shkaktuar më shumë dëme.
Megjithatë, ç’ka më bëri më shumë përshtypje ishte ngjashmëria midis dy prej këtyre pandemive në veçanti: Covid-19, gjithashtu e njohur edhe si virusi korona, dhe vdekja e zezë gjithashtu e njohur si murtaja bubonike. Mbaj mend kur ishim të rinj kur nuk na pelqente dikush thoshim «që ai ka murtajën», duke iu referuar murtajës bubonike. I riu si veriu themi ne—sa të pandjeshëm kemi qenë, por të paktën tani e kam të qartë kuptimin e vërtetë të shprehjes. Së afërmi, dëgjova diku se para pandemisë nëse teshtije njerëzit te pergjigjeshin me shprehjen «Zoti të bekoftë», ndërsa gjatë kësaj pandemie që po përjetojmë sot, kur teshtin njerëzit të thonë: «Mallkuar qofsh-largohu nga unë». S’paskemi ndryshuar shume që kur ishim të rinj!!! 

Unë shpesh ndalem dhe pyes veten: Përse historia përsëritet?

Deri kur do të vazhdojmë të përsërisim të njëjtat gabime, në vend që të mësojmë prej tyre?
Vdekja e Zezë ose murtaja bubonike ashtu si Covid-19 thuhet se e ka origjinën në Kinë. Ashtu si virusi korona, vdekja e zezë u tranportua në Itali nga anijet tregtare që arritën në Itali në tetor të vitit 1347. Coronavirus, gjithashtu, mbërriti në Italinë Veriore nga dy tregtarë kinezë (history.com)—megjithëse sipas një raporti të Reuters, një ekip e shkencëtarëve në Milano beson se epidemia e koronavirusit të Italisë, mund të ketë ardhur në vend përmes Gjermanisë, dhe jo direkt nga Kina, siç menduan shumë ekspertë fillimisht. Sido që të jetë,fakti është se edhe ky virus e ka origjinën nga Kina. 
Për më tepër, mendova se ishte shumë interesante se si edhe sëmundja e zezë u shkaktua nga një bakterie në formë shufre, fillimisht në Kinë, dhe mendohet se është përhapur fillimisht nga kafshimi i pleshtave dhe minjve të infektuar nga bakteria (history.com).

Covid-19, megjithëse është një virus, gjithashtu mendohet se është përhapur nga një treg i lagësht në Kinë nga një kafshë tjetër—këtë herë një lakuriq nate—dhe më pas përmes ndërveprimit njerëzor.
Në vazhdim, vdekja e zezë ishte jashtëzakonisht ngjitëse: «thjesht nga prekja e rrobave», – shkruante Giovanni Boccaccio, një shkrimtar, poet dhe gazetar i asaj kohe– 

 «duket se vetvetiu i pason sëmundjen prekësit.»  Covid-19 thuhet gjithashtu se është jashtëzakonisht ngjitëse—prandaj eksiston rregulli i distancës prej dy(2) metrash larg.

Dhe pastaj pyetja vazhdon:  

Pse kaq shumë pandemi e kanë fillesën në Azi? 

Sipas Suresh V Kuchipud, një profesor klinik dhe drejtor i laboratorit për diagnostikimin e kafshëve në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, për shkak të urbanizimit të shpejtë që po ndodh në vendet aziatike, kafshët e egra, detyrohen të lëvizin më afër qyteteve dhe qëndrave të qyteteve, dhe si rezultat, në mënyrë të pashmangshme, të ndeshen me kafshët shtëpiake dhe popullsinë njerëzore. Kafshët e egra shpesh kanë viruse; lakuriqët, për shembull, mund të mbajnë me qindra prej tyre. Dhe viruset, duke kërcyer nga një specie te tjetra, si rezultat, infektojnë edhe njerëzit.
Sipas Bankës Botërore, pothuajse 200 milion njerëz u zhvendosën në zonat urbane në Azinë Lindore gjatë dekadës së parë të shekullit XXI. Migrimi në atë shkallë—vijon Z. Kuchipud, do të thotë që toka pyjore është shkatërruar, për të krijuar zona banimi. Kjo do të thotë që urbanizimi ekstrem bëhet një cikël i dhunshëm: Më shumë njerëz sjellin më shumë shpyllëzime, dhe zgjerimi njerëzor dhe humbja e habitatit përfundimisht vret grabitqarët, përfshirë ato që ushqejnë brejtësit. Me zhdukjen e grabitqarëve—ose të paktën me numrin e tyre pakësuar ndjeshëm – shpërthen popullsia e brejtësve. Dhe siç tregojnë studimet në Azi dhe Afrikë, edhe rreziku i sëmundjes së perhapur nga kafshët.

Një tjetër arsye pse kaq shumë pandemi e kanë origjinën në Azi është edhe fakti që në pjesën më të madhe të Azisë, njerëzit mbijetojnë nga bujqësia dhe tregjet e kafshëve.
Sipas faqes se internetit theconversation.com, rajonet tropikale, të pasura me biodiversitet të jashtëzakonshëm, tashmë mbajnë një pishinë të madhe patogjenësh, duke rritur në masë të madhe mundësinë e shfaqjes së një patogjeni(bakterie, viruse, microorganizma) të ri. 

Në Azi shumë familje varen nga bujqësia dhe nga rritja e bagëtive për të mbijetuar. Kontrolli i sëmundjeve, plotësimi i ushqimit dhe strehimi për kafshët është jashtëzakonisht të kufizuar. Lopët, pulat dhe derrat, të cilët mund të mbajnë sëmundje pandemike, shpesh janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin, si dhe me një larmi kafshësh jo-shtëpiake dhe gjithashtu njerëz. Si rezultat shanset e infektimit nga këta patogjenë janë shumë të mëdhaja. 
Dhe pastaj të mendojmë që nuk janë vetëm në fermat shkaktarët e problemit. Tregjet e gjalla të kafshëve, tepër të zakonshme në të gjithë Azinë, shfaqin kushte të përshtatshme për zhvillimin dhe përhapjen e ketyre patogjenëve, pasi janë të mbushura me një përzierje të specieve të shumta, përfshirë edhe njerëzit. Edhe kjo situatë luan një rol kryesor në atë se si mund të shfaqet një patogjen vrasës dhe si të përhapet midis specieve.
Sëmundja e korona virusit, është një kujtesë e frikshme që na kujton se sa të pafuqishëm jemi ndaj kërcënimit të menjëhershëm global të paraqitur nga sëmundjet infektive. Edhe pse epidemitë kanë eksistuar gjatë gjithë historisë njerëzore, ato tani duket se janë në rritje(realscience.com). 

Vetëm në 20 vitet e fundit, viruset  kanë shkaktuar tre epidemi të mëdha në të gjithë botën. Edhe c’fare i bën këto epidemi më shqetësuese, është se kohëzgjatja midis këtyre tre pandemive është më e shkurtër.
Prandaj duhet të zgjohemi dhe të ndalojmë së pretenduari se pas kësaj gjithçka do të jetë në rregull. Pas kësaj asgjë nuk do të jetë më e njëjtë. Shumë njerëzit do të kenë vdekur, shumë të tjerët do të jenë dëmtuar. Zgjimi nga gjumi është hapi i parë. Dhe pastaj duhet të bëjmë dicka—duhet ta bejmë sot, sepse nesër mund të jet shumë vonë.  

Filed Under: Histori Tagged With: Manjola Barçi

SHEMBJA E TEATRIT KOMBETAR-Bravo legen!

May 17, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Në gjithë këto ditë kam ripostuar shkrimet e kaluara në përpjekje për të kontribuar sado pak të ashtuquajturës trashëgimi kulturore. Kam marrë mesazhe nga më të çuditshmet dhe më keqardhëse se më linin të kuptoja që nuk e kishin lexuar qoftë një radhë nga shkrimi, aq sa i ka dhënë vetes përgjigjen se për çfarë flet, shqiptarët më mirë mund të flasin për Sulejmanin e madhërishëm se sa trashëgimninë e tyre. Nga ana tjetër më mirë e kanë të të mbysin se t’u përmendësh pashain, lëre pastaj të hysh në diskutime në raport me të drejtën ligjore që kur grupet e interesit publik e çojnë një një objekt në Gjykatë, çdo aktivitet shtetëror pezullohet, është Gjykata ajo që vendos. Shikoni Kosovën, qe Gjykata ajo që ndali procesin e pushimit të qeverisë Kurti deri në daljen e një vendimi. Mësoni nga Kosova o pyka të Shqipërisë rilindase, mësoni që të mos kemi më luftë klasash, luftë shkume e pështymash se kush ka të drejtë. Por qenka e vështirë ta mbrosh vendin tënd nga shpërbërja, duket si një situatë e njëllojtë me atë të pas luftës, askush nuk ndihet veç shefit. Qënka e vështirë të shikosh se si vdes vendi yt, aq sa shqiptarët shkojnë bëjnë foto tek baraka e shtëpisë së Shekspirit, por e kanë tmerr të ruajnë një të tillë në vendin e tyre. Shkojnë në Austri e bëjnë foto tek banesa a teatrot ku luajti një patriot i tyre si Aleksandër Moisiu, por kanë tmerr të ruajnë vendin, a skenën, teatron ku luajti Kadri Roshi. Bjerini, shkatërrojeni dhe ato filma…, me që ra fjala më ka ndodhur një herë në udhëtim e sipër në Shqipëri në një lokal po transmetohej një film shqiptar. Tek po dilja ndala, dikush më tha, hë të pëlqejnë filmat e Enverit. I thashë nuk po shoh filmin, por Sandër Prosin. Po kujt ia thosha… Kështu që vazhdoni e prishni, shembni, filloni me hekurudhat, hidrocentralet, kërkoni ndonjë objekt që u ka shpëtuar sysh. Kaloni andej nga Berati pastaj, nga Gjirokastra, Korça, Shkodra. Hidhuni nga Tetova, Prishtina, Tuzi… se në Janinë ju presin këmbët. Shpalluni sa më shumë revolucionarë, turq, grekë, sllavë se është mallkim me qenë shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 581
  • 582
  • 583
  • 584
  • 585
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT