• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EMIGRANTI QE FJETI 4 MUAJ NE PARK NE ITALI…

May 6, 2020 by dgreca

E DESHËM ATDHEUN, POR, ME SA DUKET, NJË PJESË S’NA DESHI/

Bisedë me Meleq Beqirin, mërgimtar në Itali/

Nga Abdurahim Ashiku/

  • Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur…
  • “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
  • As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat.. – 
  •  Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë, por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem…

    Hyrje në bisedë…

E kam njohur maleve të Bulqizës, atyre maleve që më shumë se floririn e nëntokës kanë atë të mbitokës, atë që lëviz, atë që ngjitet kreshtave dhe zbret thellësive, NJERËZIT… Punëtorë si ata, familjarë si ata, të shoqërueshëm deri në gaz shpirtëror.
E kam njohur edhe në kalimin e kohëve, kur drejtonte rrethin, në periudhën më të vështirë për Bulqizën…
Më humbi për shumë vite…
E gjeta një ditë në shoqërinë e madhe të internetit…
Një ditë më kërkoi numrin e celularit në Shqipëri…
U takuam disa herë. Pimë kafe dhe udhëtuam luginës së Bulqizës për tu ngjitur me mend në Dhoks e në Tërnovë, për të zbritur në nivelin e dhjetë asokohe në ndërtim, për tu takuar e biseduar me miqtë e përbashkët…
Një ditë në plazhin e Malit të Robit, tek gjerbnim kafen shtypa butonin dhe i “shkrova” në diktofon zërat me të…
Po e përcjell zërin dhe emocionet e tij, zërin e një mërgimtari që nuk e ka harruar dhe nuk e harron vendlindjen…

* * *
Meleq Beqiri! Mirëserdhe në Atdhe!
Mirë se ju gjeta!
Ç’e mirë ju solli?
Dashuria për atdheun. Veçanërisht dashuria për prindërit, për nanën, për shokët, për gjithçka që kemi lënë mbrapa dhe gjithçka që kërkojmë të gjejmë.
Sa vjet t’u bënë në Itali?
Njëzet e një vjet.
E mban mend si ike?
Natyrisht. Dhe nuk do ta harroj kurrë në mënyrën si kam ikur. Sigurisht një nga mënyrat e vetme që nuk do të dëshiroja të ikja. Për fat të keq situatat ishin të tilla dhe na detyruan të iknim. Ne e deshëm atdheun por me sa duket një pjesë e atdheut nuk na deshi.
Si u vendose në Itali?
Me shumë vështirësi. Pa bazë, pa asnjë pikë mbështetje. Dalëngadalë u integrova. Kam fjetur jashtë për katër muaj.
Kur thoni jashtë si ta kuptojmë?
Kam fjetur në park nga data 5 shtator 1993 deri më datën 9 janar të vitit 1994.
Ike nga parku dhe u strehove në…
Gjeta punë dhe pastaj gjithçka mori rrugë…
Mund të më përshkruash ditën e parë të punës?
Qesh…
Punë me kazmë e lopatë.
Po ajo kazma dhe lopata kishte lidhje me kazmën e gjeologut në malet e Bulqizës?
Qesh…
Jam i gëzuar që mësova edhe nga kazma dhe lopata e vërtetë që na u desh kur nuk e prisnim.
Cili është formimi intelektual i juaji?
Kam mbaruar Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera në degën e gjeologjisë. Kam punuar në minierën e Bulqizës inxhinier gjeolog. Nuk kam pasur mundësi të bëj specializime të mëtejshme që ka qenë ëndrra ime.
A mund të kthehesh paksa në Bulqizë, tek miqtë, tek shokët, në nostalgjinë tuaj për kërkuesin e mineralit të kromit në vendburimin më të madh të kromit në Shqipëri dhe në një ndër vendburimet më të mëdha në botë?
Bulqizën e konsideroj vendlindjen time të vërtetë, pa harruar Strikçanin ku kam lindur. Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur.
Nga shokët kë kujton me mall?
Nuk mund të veçoj asnjë. Kujtoj të gjithë ata shokë me të cilët kemi kaluar rininë, pjekurinë, pushimet e verës, punën, përpjekjet, veprimtarinë shoqërore, profesionin. Pa përjashtim, të gjithë.
Si u integrove në punë dhe në jetën shoqërore në Itali?
Dalëngadalë. Më duhej të rritesha profesionalisht. Kam një histori tepër të veçantë të integrimit. Më mori një usta goxha i moshuar. Dëshironte të rregullonte shtëpinë e djalit i cili shpejt do të martohej. Pas disa ditësh punë më pyeti për profesionin. I thashë se kam qenë inxhinier gjeolog. Nuk më besoi. Kur po sistemonim materialet e ndërtimit brenda në dhomë i thashë t’i sistemojmë rreth mureve sepse momenti i forcës në mesin e dyshemesë është shumë i lartë dhe mund ta rrëzojmë atë.
-Çfarë është ky momenti i forcës? – më pyeti
Ia shpjegova duke bërë një skicë…
Atëherë më tha se me siguri duhet të kesh studiuar për inxhinieri.
Kur erdhi djali, i cili ishte inxhinier ndërtimi, i bëra një pyetje teknike. Ai hezitoi për momentin të përgjigjej.
Babai i tha: “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
Në vijim të ditëve më sugjeroi që t’i ve objektiv jetës time që të mos vazhdoj të punoj me kazmë e lopatë por t’i ve dijenitë në shërbim të një pune timen.
Vite më vonë, kur u transferova nga Roma në Veneto një zonjë e moshuar e cila kishte prej trembëdhjetë vjetësh një problem të pazgjidhur në shtëpinë e saj, kur e zgjidha më tha “Ti je i zoti të bësh një numër trembëdhjetë në loto”. Kur e përshëndeta në darkë më pyeti: “Pse vazhdon të punosh nën padron?”. I them se kam familjen për të mbajtur. Më tha që nesër të shkosh të hapësh një llogari pune në bankë. Dhe në qoftë se gruaja dhe vajza jote do të rrezikohen të vdesin për bukë bjeri se do t’i mbaj unë. Ti vetë mund të vdesësh në qoftë se nuk  je i zoti të mbijetosh.
Të nesërmen hapa llogarinë e punës. Që atëherë kam njëmbëdhjetë vjet që punoj në punën time. Partita iva   është ajo që identifikon ndërmarrjen. Nga momenti që e hap ke një ndërmarrje mbi bazën e të cilave paguan taksat dhe zhvillon gjithë veprimtarinë e punës. Edhe tash, në kohë krize, ndërmarrja vazhdon të ketë sukses, relativisht të mirë. I rezistuam krizës. Jemi 3-4 familje që jetojmë me këtë ndërmarrje.
Çfarë veprimtarie bëni konkretisht?
Kemi një ndërmarrje ndërtimi. Kryesisht merremi me rikualifikimin e ndërtimeve të vjetra plus edhe ndërtime të reja si dhe shërbime të ndryshme.
Sa është vlera e punimeve?
Afërsisht 150-200 mijë euro në vit, nganjëherë edhe më shumë.
Çfarë mjetesh pune keni në përdorim?
Kemi mjete të lehta që quhen betoniere, trapano fleksibele, dy kamionçina 35 kuintal. Pothuajse të gjitha veglat e lehta.
Nga kush përbëhet ndërmarrja?
Jam unë si titullar. Kam edhe tre të tjerë dhe sipas rastit marr edhe 5-7-10 të tjerë sipas volumit të punës.
Të tjerët janë shqiptarë apo edhe italianë apo emigrantë?
Janë të gjithë shqiptarë për momentin por në disa raste thërres edhe hidraulikun që është italian, elektricistin po italian. Me ta koordinojmë punët. I ftoj ose më ftojnë që unë të bëj pjesën e ndërtimit.
Si je i stabilizuar familjarisht në Itali?
Goxha mirë. Jam ndalur në Padova sepse pikësynimi im është që të krijoj një të ardhur ku fëmijët të mund të shkojnë në një universitet prestigjioz siç është universiteti i Padovës, i dyti universitet më i vjetër në Itali pas universitetit të Bolonjës.
Sa vite ka që është hapur?
Me siguri diku tek pesëqind vite më parë. Di që kanë studiuar dhe dhënë mësim Galileo Galilei, Lermontovi, Mendelejevi, Isak Njutoni…dhe personalitete të tjerë të kohës sonë.
Familja jote e ngushtë?
Jam unë, bashkëshortja dhe dy fëmijë. Gruaja, Fazile Lleshi vajzë Gjorice por nga Zogje, vajza e Tufik Lleshit. Kam edhe vajzën Aurorën, vajza e madhe 11 vjeç dhe djalin 6 vjeç, Endrin. Vajza vazhdon shkollën që po ta llogarisin me sistemin në Shqipëri i bie të jetë në klasën e gjashtë. Djali është akoma në kopsht.
Je shtetas italian apo…?
Që nga data 9 gushti jemi të katërt me shtetësi italiane. Unë ka 4 vjet që bashkë me fëmijët e kam marrë shtetësinë italiane kurse gruaja e mori më 9 gusht 2014.
Në Shqipëri kë keni?
Nga familja e ngushtë kam nanën, vëllezërit, motrat. Kam dy vëllezër këtu, kam edhe tri motra. Kam edhe një motër në New York. Janë të martuar dhe me fëmijë. Djalin e kam edhe me shtetësi amerikane sepse ka lindur në New York.
Në fshat kë keni?
Kam nanën dhe vëllain që rrinë në Strikçan.
I keni shtuar ndonjë tullë shtëpisë së vjetër në Strikçan?
Kemi bërë një shtëpi të re atje ku rri nana dhe vëllai. Kemi mbajtur gjithë tokën…
Akoma i mban të gjalla, nuk i keni shkulur rrënjët në vendlindje?
As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat. Ne kemi gjithsesi shtëpinë tonë sepse atje rri nana dhe vëllai, që është shtëpia jonë edhe ajo, e vjetra fare që është e gjyshit ku rri vëllai dhe nana dhe mendojmë të ndërtojmë edhe nga një shtëpi tjetër që kur të vijmë të jemi tek shtëpia jonë.
Rruga e Arbrit del në prag të shtëpisë?
Më vjen shumë afër. Shpresoj që të mos ngelet premtim elektoral. Mendoj që ta kërkojmë, natyrisht në mënyra të ligjshme. E drejta e dibranëve për të pas Rrugën e Arbërit është më se e ligjshme, madje shumë e vonuar. Ka ardhur koha që dibranët të kenë rrugën e shumë premtuar.
Kur do të ikni në Itali?
Do të ik më 28 gusht. Më duhet të kthehem sepse për fatin e mirë jam shumë i ngarkuar me punë. Por përpara se të shkoj në Itali do të shkoj në Strikçan për tu çmallë me nanën, me njerëzit, me vendet e mia.
Do të lahesh në Zall?
Edhe në Zall do të shkoj. Do të çoj vajzën dhe djalin. Kanë dëshirë të lahen dhe ta përjetojnë realisht atë që u kam treguar unë se cili ka qenë plazhi jonë, Zalli i Okshtunit. Është me të vërtetë një Zall i mrekullueshëm me atë ujë qelibar të pastër me troftat që vallëzojnë mbi gurë.
Çfarë ndjen atje ku je, në mërgim, mall që të tundon e ta merr gjumin?
Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem. Me mall kujtoj veçanërisht ditët e festave, ditët veçanta të ditëlindjeve kur e ndjej të pamundur që mendjen mos e kthej dhe mbaj atje gjatë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku

BALLISTI BARDHYL POGONI I KËNDOI RËNIES SË KOMUNISTIT QEMAL STAFA

May 6, 2020 by dgreca

Cila ishte kënga e parë që iu kushtua Luftës Antifashiste?/

Nga Enver Memishaj/

Rënia e Qemal Stafës (1920 – 1942), djaloshit 22 vjeçar, më 5 maj 1942, veç të tjerave nxiti patriotët që sipas traditës t’i ngrinin atij këngë. Është e njohur  kënga “Afër një spitali”, që ngriti bejtexhiu Gaqo Trola nga Vunoi e cila duke qenë këngë popullore u njoh dhe u përhap shpejt. Këtë këngë e kanë quajtur si kënga e parë që iu ngrit Luftës Antifashiste. (Shih: Vaso Tole, Irena Shabani “Panorama”, dt. 24.4.2003, etj)

Në vitin 1942, për çudinë tonë paska pasur edhe fëmij 9 vjeçar, që paskan ndier dhimbje të madhe për vrasjen e Qemal Stafës!!! “Sofokli Thomaiai, sot 80 vjeç, ishte nëntë vjeç kur bashkë me shokët e tij në Tiranë përjetoi dhimbjen e vrasjes së “Heroit të Popullit” Qemal Stafa…” (Shih: “Telegraf”, dt. 5.8.2013) 

Shembuj qesharak që mundohen të tregojnë historinë me  “dhimbjet e fëmijëve 9 vejçar për Qemal Stafën” që as nuk e njihnin, as nuk e kishin dëgjuar dhe as e kuptonin se ç’kishte ndodhur…

Unë dua të parashtroj një fakt historik. Bardhyl Pogoni një intelektual i Ballit Kombëtar dhe më pas profesor universioteti në Amerikë, shkroi e botoi një këngë, poezi, që u frymëzura nga rënia e Qemal Stafës. Pra ishin dy patriot Gaqo Trola dhe Bardhyl Pogoni që në të njëjtën kohë e ndien dhe e vlerësuan rënien e Qemal Stafës dhe dhimbjen e shprehën në këngët e tyre. 

Kënga e Gaqo Trolës si këngë popullore u përhap shpejt, ndërsa poezia e Bardhyl Pogonit u njoh pak në atë kohë dhe më pas dihet se u mohua e harrua sepse atë e kishte shkruar një “armik i popullit” !

Nga ana historike si shpegohet që një intelektual i Ballit Kombëtar himnizonte një komunist?

Sot është pranuar se deri më 1 tetor 1943 dy forcat antifashiste Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste pavarësisht nga programet e tyre nuk kishin kontradita të thella por përkundrazi vepronin në mirëkuptim dhe bashkëpunim me njera tjetrën. 

Më 1 tetor të vitit 1943 Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste u dërgoi të gjith Komiteteve Qarkore të PK  një letër ku flitej për masat për forcimin e pushtetit të Këshillave Nacionalçlirimtare, dhe për qëndrimin armiqësor kundër Ballit Kombëtar. Kjo letër saksiononte politikën e Partisë Komuniste që nuk pranonte alternativë tjetër, pra i vetmi pushtet duhet të ishte  ai i Këshillave Nacionalçlirimtare, më saktë i Partisë Komuniste. ( Shih: Enver Hoxha, Vepra Vëll. 1, f. 426)

Poezia e Bardhyl Pogonit shkruar menjëherë pas rënies së komunistit Qemal Stafës është një shembull kuptimplotë se nuk kishte armiqësi ndërmjet dy forcave politike deri më 1 tetor 1943.

Poezia është botuar së pari në organin e Ballit Kombëtar “Kushtrimi i Lirisë”, gusht 1942, ribotuar në antologjinë “Mosha e Lirisë”, Tiranë 1999, f. 74-75.

Por Bardhyl Pogoni nuk është i vetmi që u këndon veprave antifashiste të komunistëve. Në dhjetor 1942 Dhimitër Kol Bala (1885 – 1945), bashkëfshatari Gaqo Troles, pushkatuar nga komunistët në një pozi brilante për Luftën e Gjormit krahas Hysni Lepenicës ai flet edhe për komunistin Hysni Kapo Abazaj. (Shih: Enver Lepenica “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, Tiranë 2017, f. 210)

E tillë ishte atmosfera në Shqipëri  deri më 1 tetor 1943, kur siç thotë populli pështynë jugosllavët dhe hapën vëllavrasjen në Shqipëri. 

Nuk gjejmë asnjë komuniste t’i ketë kënduar rënies së një dëshmori të Ballit Kombëtar e çka tregon politikën antikombëtare të kësaj partie.

Folklorisi i shquar Fatos Mero Rrapaj thotë se kënga e Gaqo troles ka pasur edhe vargjet: Ngreu Qemal se të kërkon Bazi i Canes” e që më pas siç kuptohet u hoqën nga komunistët. 

Por edhe vetë Qemal Stafa nuk ka qenë komunist enverist, përkundrazi ai dinte me kulturën që kish të vlerësonte Mid’hat Frashërin, e patritë të tjerë që ishin antikomunistë. Sa për shembull po flasim për një letër që Qemal Stafa nga Italia i shkruan me nderime dhe veneracione patriotit Lef Nosi (1877-1945, pushkatuar nga komunistët), letër që e ka bërë publike nipi Qemalit, Veli Stafa. (Shih: “Tirana Observër”, dt. 5.5.2013) 

Veliu shkruan se letrën Qemal Stafa e nisi nga Firence, ku ai studionte në Fakultetin e Drejtësisë, më 1941. Nga letra vihet re se me çfarë respekti i drejtohet Qemal Stafa ,20 vjeçar, firmëtarit të Pavarësisë Kombëtare, duke i shpjeguar Lef Nosit 66 vjeçar, rreth porosisë që ky i fundit i ka dhënë Qemalit për të gjetur tek bukinistët e Firences materiale që kanë lidhje me historinë mesjetare të Shqipërisë. 
Letra fillon me fjalët vlerësuese: “I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” 

Letra përfundon: “Pëherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”. 

Letërkëmbim midis dy intelektualve që pavarësisht nga mosha, i lidhi shkenca dhe dashuria për atdheun, por të dy patën një fund tragjik: Qemali u vra nga fashistët, Lefi u pushkatuar nga komunistët, shokët e Qemalit. 

Kush ishte Bardhyl Pogoni që i ngrinte himn komunistit Qemal Stafa?

Bardhyl Pogoni kishte lindur nё Tiranё nё vitin 1925. Aty mbaroi shkollёn e mesme dhe mori pjesё aktive nё Lёvizjen Antifashiste. Babai i tij, Pertef Pogoni kishte qenё zёvendёsministёr i arsimit nё kohёn e Mirash Ivanaj. Autoritetet shqiptare profashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e Bardhylit, mirёpo babai e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit. Ai qёndroi pёr njё kohё nё Austri dhe pasi u kthye nё atdhe u bashkua me forcat antifashiste tё Ballit Kombёtar. Mё vonё u bashkua me çetat e Ballit nё luftё pёr lirinё e Kosovёs.
Bardhyl Pogoni u largua pёrgjithmonё nga Shqipёria nё fund tё vitit 1945 dhe u vendos nё kampin e refugjatёve nё Itali ku ishte Mid’hat Frashёri dhe shumё personalitete tё tjera politike tё Shqipёrisё. Ai studoi letёrsinё franceze nёUniversitetin e Bolonjёs. 

Nё vitin 1950 migroi nё Shtetet e Bashkuara dhe filloi punё pranё seksionit shqip tё Radio-Evropa e Lirё. Nё vitin 1959 filloi punё nё Shkollёn Ushtarake tё Gjuhёve nё qytetin Bloomington tё shtetit Indiana. Nё këtë universitet mbaroi studimet e larta dhe nё vitin 1967 mbrojti disertacionin e doktoratit (Ph.D) nё fushёn e gjuhёsisё. Nё vitin 1967 u emёrua profesor nё Universitetin Vestern Kentucky ku qёndroi deri nё vitin 1972. 

Prej vitit 1974 e deri nё vitin 1978 Bardhyl Pogoni u pranua si profesor i gjuhёs anglishte nё Tripoli tё Libisё dhe prej vitit 1978 e deri nё vitin 1985 drejtoi Institutin e Studimeve Albanologjike nё Napoli tё Italisё. Gjatё karrierёs sё tij universitare Bardhyl Pogoni botoi shkrime tё ndryshme pёr gjuhёn shqipe. 

Ai ruante shumё kujtime tё mira pёr Mid’hat Frashёrin dhe nё vitin 1949 kishte botuar nё Itali poemёn “Fytyrё e Kombit” kushtuar Mid’hat Frashёrit:
“Iku e s’kthehet mё.
Qepallat i mbylli nё vetmi,
e mbeti Fytyr’e pa-zё,
me buzё qё s’flasin mё
me duar qё s’dridhen mё.
Ti ike, Shёrbestar i Kombit,
e s’kthehesh mё”,

Nё vitin 1976 profesor Bardhyl Pogoni botoi anglisht përmbledhjen e poezive me titull “Contemporary Albanain Poems”, (Poezi bashkëkohore shqiptare), ku përfshihen: Migjeni, Lasgush Poradeci, Arshi Pipa, Martin Camaj dhe Ismail Kadare, shoqëruar me komentet e tij për jetёn dhe veprimtarinё e poetëve, botim i financuar nga Ekrem Bardha. 

Veprimtaria dhe vepra e tij kulturore ёshtё e shpёrndarё gjithandej, por Bardhyli nuk ishte i kujdesshёm pёr punёt e tij kulturore. Bardhyl Pogoni ishte intelektual i vёrtetё, por nuk punonte. Vdiq me 24 tetor tё vitit 1985 nё moshёn 60-vjeçare. Ai ishte martuar me një vajzë amerikane Barbara Pogonin dhe me të la një djalë, Sam. (Shih për më shumë: Gjekё Gjonlekaj “Tirana Observer”, dt. 30/11/2012)

Bardhyl Pogoni 

Foto:Bardhyl Pogoni/

                MARTIRIT QEMAL STAFA

Me plumb të vranë, kush të ra?

Oh, shpirt i grisur; yt vëlla,

Vëlla në gjak, në vatër e tokë, 

Por… vëlla i shitur këmbë e kokë.

            Ti re përdhe si një rrufe,

            Me sytë e tu gjë tjetër s`pe,

            Veç flakë e zjarr, veç dritë hiri,

            Veç komb të mbytur, në robëri…

Dhe re përmbys e zemër plot,

Tek syt` e tu nuk pamë lot,

Por pam` shkëndija, pamë zjarr, 

Që nuk u fikën gjer në varr.

            Qemal, Qemal, o trim, o djalë, 

            Një vdekje e rrallë si shkrumb t`u fal, 

            Një zjarr që ndez, një zjarr që vdes, 

            Ta drodhi zemrën mes për mes.

…

Flamur e nxirë në gjak të shtrirë, 

Me duar lidhur me zinxhirë, 

E mbajmë lart nga dher` i zi

Ku ndizet gjaku për liri.

            Agimi hesht mbi varr e gur, 

            Ku ra një zemër, një flamur,

            Ku ndizen eshtrat e një trimi, 

            që vdiq me flakë dëshpërimi.

…

Flamuri ngrihet lart e ulet, 

Po kurrë armikut s`i përkulet.

Ashtu dhe ti, ashtu dhe ne, 

I mbajmë kryet përmbi dhe.

            Agimi hesht mbi varr e gur,

            Ku ra një zemër, një flamur, 

            Kushtrimi i Lirisë.   

Poezia është botuar së pari në organin e Ballit Kombëtar “Kushtrimi i Lirisë”, gusht 1942, ribotuar në antologjinë “Mosha e Lirisë”, Tiranë 1999, f. 74-75

Po botojmë edhe vjershën popullore kushruar rënies së Qemal Stafës nga Gaqo Trola nga Vunoi, pra nga fshati Dhimitër Balës që i këndon Luftës së Gjormit. Gjendën edhe variante të tjera të kësaj kënge. 

Gaqo Trola

BRENDA NË TIRANË

Brenda në Tiranë,

Afër një spitali,

U vra Qemal Stafa, 

Në një ditë maji.

Dje më erdhi karta

Nga çeta e malit

Ngreu, – i thotë nëna, –

Të do partizani.

– Kam marrë tre plagë

Plumba italiani

Të më merret haka, 

Gjakun mos ua falni.

            Ç`e morën nga prapa,

            Spiunët e djallit,

            Luftoi me patllake,

            Gjersa i doli xhani.

Popullit shëndenë,

Qëndro si luani, 

– Nënë lamtumirë!-

I thotë Qemali.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë “ Këngët partizane, trashëgimia shpirtërore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” Tiranë 2014, f. 250 Mbledhur, përgatitur dhe paisur me një studim hyrës nga akademik Vasil TOLE.

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj-Lepenica

KUJTESA- 30 VJET, NDERIM PËR NIK MRNAÇAJN, NË DITËN E LIRISË SHQIPTARE

May 6, 2020 by dgreca

Karantina e diktuar nga Koronavirusi ka shtyrë shumë veprimtari të Komunitetit shqiptar në SHBA të planifikuara për t’u organizuar në muajin Maj. Një ndër këto veprimtari të përvitshme, ëshët dhe Dita e lIrisë Shqiptare, që organizohej në fillim të majit në përkujtim të Dëshmorit të Demokracisë Nik Mrnaçaj. Dita e Lirisë që organizohet në Kensico Dam Plaza- në Westchester, përfshinë jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal, klerikë, si dhe drejtues të organizatave të komunitetit.

Joe DioGuardi duke fole per Nik Mrnacaj- 5 Maj 2019.

Sivjet është 30 vjetori i rënies së Nik Mrnaçaj, në pamundësi për ta organizuar si çdo vit në fillim të Majit nga familja e nderuar MRNAÇAJ, Dielli po risjell përkujtimin e organizuar vitin e kaluar me 5 Maj 2019 dhe me këtë rast risjell Kujtesën: I përjetshëm Kujtimi i Nik MRNAÇAJ!

6 Maj 2018- Dom Pjeter Popaj, Marash Mrnaçaj dhe ish kryetari i Vatres Dritan Mishto

Nga Dalip Greca/Dielli

5 Maj 2019….

….Edhe pse e Diela e 5 Majit 2019 ishte një ditë me shi dhe erë të fortë, shqiptarët e Amerikës shkuan masivisht në veprimtarinë e organizuar në Ditën e Lirisë Shqiptare, ditë që i kushtohet, simbolit të demonstrateve antikomuniste në SHBA, Nik Mrnaçaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë, Demokracinë dhe Flamurin shqiptar, mbledh çdo fillim maji, në një ndër parqet më të bukur të New York-ut, në Kensico Dam Plaza- në Westchester, jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe drejtues të organizatave të komunitetit.

 Kjo ditë e veçantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e  nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, demonstratat antikomuniste, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për mungesën e lirive dhe të drejtave, për dhunën e përgjakshme që ushtronte shteti komunist shqiptar kundër familjeve nacionaliste,bijtë e bijat e të cilave i burgoste burgjeve të diktaturës komuniste , ndërsa vetë familjet i internonte masivisht në kampet e internimit. Edhe pse familja Mrnaçaj ishte e arratisur nga Shqipëria, pjesa e mbetur në atdhe, u burgos e u internua. Tipik ishte rastii Nikollë Mrnaçaj, i cili u burgos dy herë për dy dekada, ndërsa familja u internua dhe vuajti për vite të tëra kampeve të internimit. I riu nacionalist, antikomunisti Nik Mrnaçaj, i biri i Marash dhe Mri Mrnaçaj,ishte në krye të demonstratave të shqiptarëve të Amerikës, që kërkonin të sensibilizonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mungesën e të drejtave dhe të lirive njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe rrisnin përpjekjet për t’i hequr maskën udhëheqësve komuniste që tentonin të mashtronin perendimin, me anë të Misionit diplomatik në New York. Nik Mrnaçaj humbi jetën pasi kthehej nga demonstrata antikomuniste e organizuar në Detroit me 22 Janar 1990. 

                      ***

 Gazeta DIELLI e ka përcjellë kështu situatën e nxehtë të asaj kohe: Vitin 1990 kishte nisë me demonstrata të shumta në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Dredhat e Ramiz Alisë në Shqipëri dhe urdhërat që përcilleshin në Misionin Shqiptar të Nju Jork-ut i kishin hedhur më shumë benzinë zjarrit.Me 20 Janar ishte zhvilluar një demonstratë e madhe për lirinë dhe demokracinë në Nju Jork. Demonstrata u zhvillua para Misionit të asaj që quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Mijëra njerëz, burra, gra dhe të rinj, shkruante Dielli në faqen e parë, morën pjesë në protestë. Turma e madhe u mblodh rreth orës 11 paradite dhe manifestoi me thirrje të fuqishme:” Lironi Shqipërinë”! Poshtë diktatura! Reforma për Popullin Shqiptar”!…”Demokraci dhe Liri!” …

Demonstrata e antikomunistëve demokratë shqiptarë para Kombeve të Bashkuara kishte tronditë edhe Tiranën zyrtare, e cila ende bënte qëndresë dhe i lëshonte me pikatore te drejtat e mohuara njerzore. Një demonstratë e tillë antikomuniste do të organizohej edhe në Detroit, por duket se Misioni Shqiptar në Nju Jork kishte urdhër për një antiprotestë,antimiting atje. Vetë shefi i Misionit kishte udhëtuar të nesërmen e demonstrartës së Nju Jork-ut, drejt Detroitit. Grupimi i të rinjve antikomunistë me Nik Mrnaçaj e kishin mësuar lajmin dhe u nisen për në Detroit, që t’u vinin në ndihmë bashkatdhetarëve antikomunistë, demokratë atje. Edhe pse qe një ngjarje që provokoi tension, të rinjët nuk ranë në kurthin e përplasjes vëllavrasjes, duke shmangur gjakderdhjen. Gjithësesi Misioni shqiptar dështoi në orvajtjen e vet.Por në kthim ndodhi tragjedia,për të cilën dyshohet se aksidenti ka qenë i qëllimshëm.

        Gazeta e Dielli e ka regjistruar ngjarjen në numrin e saj 15 Shkurtit 1990. Ishte një kronikë e thjeshtë që përcillte dhimbje. Nën titullin”Një humbje tragjike” Dielli shkruante: Me datën 22 Janar 1990, në një aksident automobilistik, humbi jetën Nikoll Mrnaçaj, në moshën 31 vjeçare.

   Komuniteti shqiptar e përcolli me dhimbje të riun nacionalist. Me 27 Janar 1990, u përcoll trupi i të ndjerit…. Shërbimet funerale u kryen në Bronx, New York, ku të riut Mrnaçaj, i dhanë lamtumirën e fundit mijëra bashkatdhetarë të komunitetit shqiptar të Amerikës. Mesha e Dritës u celebrua me datën 27 Janar 1990, në Kishën Katolike Shqiptare, nga të Pëndershmit Don Rrok Mirdita dhe Don Pjetër Popaj….

             ***

Veprimtaria e 5 majit 2019 u organizuar nga Familja Mrnaçaj, Shoqëria Kulturore-Artistike Kelemendi dhe Counti Ekzecutive Westchester, ndërsa moderatorë ishin Sokol Smalaj dhe Valbona Preldakaj. Fjalimet dhe përshëndetjet u gërshetuan me një program të pasur artistik, ku spikatën këngët dhe vallet e Kelmendit.U duartrokitën interpretimet e këngës”Këndojnë bylbylat këngët e veta”të kënduar nga Denis Vukaj dhe Aleksandra Hysaj, “Ç’ka ka zogu që po qanë” të kënduar nga Mikela Nonaj, kangë e vjetër popullore si dhe vallet e kërcyera bukur nga fëmijët e SH.K.A.K.

Shkurt Kronika: Hymnet Kombëtare i ka kënduar Mikela Nonaj. Lutjen fetare e ka përcjellë famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj. Ka përshëndetur dhe Djakon Marash Shkreli. Folësi kryesor në këtë ditë përkujtimore ishte  presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z. Joseph DioGuardi. Ai ka kujtuar veprimtaritë që ka udhëhequr në krye të komunitetit shqiptar, lobimin për çështjen shqiptare, veçanërisht për  Kosovën e okupuar nga regjimi diktatorial i Millosheviçit. Shqiptarët i janë mirënjohës ish kongresistit republikan Joseph DioGuardi, i cili e bëri aq të njohur çështjen shqiptare në Washington. Ai së bashku me Shirli Clojes DioGuardi në krye të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane shtuan miqtë e çështjes shqiptare në Kongres dhe Senatin Amerikan, duke rreshtuar në rrethin e miqëve zëra të fuqishëm të politikës amerikane si:Bob Dole, Henri Hide, Tom Lantosh, Ben Gilman, John McCain, Joseph Biden e shumë miq të tjerë.

DioGuardi vlerësoi dhe përpjekejet e komunitetit shqiptar, duke u ndalur posaçërisht edhe në demonstartat antikomuniste të shqiptarëve të Amerikës. Ai veçoi kontributin e të riut Nik Mrnaçaj, aktin e të cilit e përkujton komuniteti shqiptar çdo fillim maji.

Kanë përshëndetur edhe County Ekzekutive z. George Latimer si dhe kandidati për major në Mt. Vernon, z. Ernest Davis.

Kryetari i Fedeartës Pan-Shqiptare të Amerikës Dritan Mishto, në fjalën e tij përshëndetse ka vlerësuar aktin e Nik Mrnaçaj, i cili është bërë tashmë një simbol i demokracisë shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe për çdo vit ne vijmë këtu dhe përulemi në shenjë nderimi dhe kranarie, tha ai. Kryetari Mishto i shprehu mirënjohjen familjes Mrnaçaj për kontributi e dhënë në luftën kundër sistemit komunist . Më pas ai ka prezantuar deputetin e Parlamentit të Shqipërisë, i votuar në siglën e Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, z. Endri Hasa (i cili së bashku me deputetët e tjeë të opozitës e ka dorëzuar mandatin).

Deputeti demokrat shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë veprimtari nderuse në Ditën e Lirisë Shqiptare. Z. Hasa vlerësoi kontributin e familjes Mrnaçaj dhe aktin e birit të tyre që me aktin e tij frymëzoi rininë shqiptare. Ai mbetet sot simbol i demokracisë, dhe përveçse mbanë titullin “Pishtar i demokracisë” emrin e tij e mbajnë në vendlindje, Shkolla dhe rrugë. I përjetshëm kujtimi i dëshmorit të demokracisë!

Deputeti nuk e politizoi fjalën e tij përshëndetse, por me pak fjalë tregoi se demokarcia shqiptare është në udhkryq, vendi përjeton krizë të thellë, drejtësia nuk funksionon, institucionet janë të kapura nga kreu i ekzekutivit,  dhe deputetët e opozitës janë në rrugë me qytetarët për të rikthyer vlerat e demokracisë së nëpërkëmbur.

Në emër të familjes Mrnaçaj ka falenderuar folësit, pjesmarrësit, avokati Mikel Mrnaçaj, i biri i Nik Mrnaçaj… 

Këtë veprimtari përkujtimore dhe nderuse e mbështeti edhe Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA, ku përveç kryetarit të saj z. Dritan Mishto, morën pjesë nënkryetari Agim Rexhaj, anëtarët e kryesisë Zef Balaj, Marjan Cubi me zonjën, editori me zonjën, Pashk Maksuti, Mihill Velaj(njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë), Gjergj Ivanaj e të tjerë. Vatra, pas takimit që pati në selinë e saj me deputetin Endri Hasa, e ftoi atë, që të bëhej pjesë e veprimtarisë përkujtimore kushtuar Nik Mrnaçaj, ku ai u prit me duartrokitje.

Në fund të veprimtarisë, familja Mrnaçaj ftoi pjesmarrësit që të ngrinin Flamurin kuq e zi në shtizën e parkut, përkrah flamurit amerikan, ku qëndroi për një javë. Familaj Mrnaçaj kishte sjellë për pjesmarrësit, ushqime dhe pije.


Westchester Caunty, Maj 5, 2019

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, NIK MRNACAJ

KOSOVA DHE KRIZA POLITIKE…

May 6, 2020 by dgreca

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka një përgjegjësi të madhe historike për kontributin e zgjidhjes së krizës politike  dhe institucionale të vendit, si dhe për ndalimin e destabilizimit të Kosovës, e që është qëllim i armiqëve të saj./

Shkruan: Nikë Gashaj*/

Në botën bashkëkohore demokratike nuk është prit mirë rrëzimi i qeverisë së Kurtit, pas 50 ditëve të punës së saj, përpa argumentim të bindshëm dhe në veçanti, në një kohë të përhapjes intensive të  një epidemie të rrezikshme të coronavirusi Covid – 19, në  tërë botë, si dhe në Kosovë. Po ashtu LDK-së dhe partitë opozitare nuk i panuan  kërkesat e shtetëve mike e të fuqishme evropiane, sikurse janë: Gjermania dhe Franca,  etj. për ta tërheq mocionin për rrëzimin e qeverisë, Kurti.

Gjithashtu, politikanët në Kosovë nuk përfillën as sugjerimet e një numri të konsiderueshëm të europarlamentarve, intelektualëve të njohur nga vende të ndryshme të botës, si të intelekualëve shqiptarë nga mbarë kapësira shqiptare, për ta lënë rahat qeverinë e Kurtit të funkësionoj deri në zgjedhjet e reja të parakohëshme parlamentare.

Mirëpo, pas rrëzimit të qeverisë, LDK-së dhe partitë opozitare nuk dakordohen për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohëshme parlamentare në Kosovë, kur të krijohen kushtet, pas tejkalimit të pandemisë. Përkundrazi, ato formuan koalicionin e veçantë me Listën Serbe, për të formuar qeverinë e re, përpa zgjedhje të lira dhe demokratike. Me këto parti politike u muar vesh presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i cili me 30 prill 2020, dekretoi si kandidat për kryeministër të qeverisë së re Avdullah Hotin, nga LDK-ja, partia e dytë parlamentare. Presidenti Hashim Thaçi, dekretin e bëri një dit para pushimeve të parit maj, meqenëse  Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila duhej ta vlerësonte dekretin, supozohej se ka me qenë në pushim. Lëvizja Vetëvendosje menjëherë e ka derguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit Thaçi që kandidatin e LDK-së Avdullah Hotin e mandaton për kryeministër. Ajo ka kërkuar që Gjykata ta pezulloj dekretin, deri në vlerësimin e kushtutshmërisë së tij. Mirëpo, në anën tjetër, LDK-së,  sipas njohjeve të saja të” larta” juridiko- politike” e vlerësoi, se s’ka arsye për pezullimin e dekretit të Thaçit, dhe përpa prit vlersimin e Gjykatës Kushtetuse të Kosovës në lidhje me këtë çështje, të njëjtën dit që Thaçi e shpalli dekretin, ajo e ka dorëzuar në Kuvend të Kosovës kërkesën që më 2 maj( ditë pushimi)  të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë se re, sepse  me Listën serbe (Listën e Vuçiqit) dhe me një Listë tjetër shqipfolëse, që në opinion konsiderohet si pro ruse/serbe, e ka sigurua shumicën parlamentare. Në në atë mënyrë ata bënë përpjekje me e grabit pushtetin dhe me e vjedh vullnetin e popullit, përpa zgjedhje të lira dhe demokratike. Andaj, aty shihet “serioziteti” dhe qëllimi  i kësaj partie politike për “mbrojtjen” e interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës. Ndërkaq, në filozofinë politike, politikanët e tillë quhen: ” mall prej materialit të dobët”.

Mirëpo, për fat të mirë të Kosovës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e shfrytzoj pushimin, por këtë lëndë e trajtojë me urgjencë dhe prioritet, si dhe e  muar vendimin për caktimin e masës së përkohëshme deri te vendimi përfundimtar, më 29 maj 2020.

Duhet përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Gjithashtu, duhet të besohet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, përsëri në mënyrë të pavarur, objektive dhe pa frikë, do të marrë dhe vendimin definitiv kushtetues në lidhje me lëndën në fjalë, meqenëse kjo çështje është me rëndësi  qënsore për zhvillimin e demokracisë dhe kushtetutshmerisë të shtetitit të Kosovës. Prandaj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka një përgjegjësi të madhe historike për kontributin e zgjidhjes së krizës politike  dhe institucionale të vendit, si dhe për ndalimin e destabilizimit të Kosovës, e që është qëllim i armiqëve të saj. Ajo për më tëpër, vjen në shprehje, kur dihet se Kosova është shtet i ri, dhe në veçanti është nën mbikqyrje të faktorëve ndërkombëtar, se sa ajo, ka kapacitete demokratike e profesionale, si dhe kulturë politike dhe juridike për të funksionuar si shtet demokratik dhe juridik në pajtim me standardet ndërkombëtare. 

                                  * (Autori është politolog)

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Nik Gashaj, zgjidhja e Krises

Shqiptarët, bashkë dhe të ndarë….

May 6, 2020 by dgreca

….gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve Parlamentare të vitit 1908 në Perandorinë Osmane/

Shkruan: Dr. PAULIN MARKU/

Gjatë verës së vitit 1908 Porta e Lartë pësoi ndryshime të thella në politikën e brendshme perandorake. Ashtu si turqit, edhe popujt të kombësive të ndryshme, përfshirë shqiptarët e mirëpritën me gëzim shpalljen e Kushtetutës në vitin 1908 në Perandorinë Osmane. Ata shfaqnin pretendime të ndryshme për t’i realizuar pasi të kryheshin zgjedhjet parlamentare dhe të ishte ngritur kabineti i qeverisë, i dalë nga mazhoranca në parlament. Shumë prej tyre mendonin se me miratimin e Kushtetutës së re, ata do të kishin  liri në vetëqeverisje, si një grupim kombesh nën flamurin e Kushtetutës Osmane dhe do të forconte Portën e Lartë me anë të bashkimit rreth saj, të sa më shumë popujve të ndryshëm brenda perandorisë, si dhe do të garantonte për secilin popull ekzistencën kombëtare. Shqiptarët, jo vetëm që e mirëpritën rivendosjen e kushtetues por ata shpresonin se do të fitonin lirinë politike e vetëqeverisje të ëndërruar prej dekadash. Nëpër krahina të ndryshme shqiptare si: Vlora, Kruja, Durrësi, Tirana, Prizreni, Gjakova, Peja etj, sapo ishte shpallur kushtetuta, popullsia e këtyre zonave, me iniciativën e tyre filluan të dëbonin nëpunësit e vjetër të administratës dhe krijuan komisione të ndryshme shqiptare. Komisionet e ngritura kryenin funksione të ndryshme, të organeve të vetëqeverisjes, pajtimit të gjaqeve dhe mbanin rregullin e qetësinë publike.

Ky veprim i shqiptarëve nuk u pëlqye nga Porta e Lartë dhe as nuk mori mbështetjen e xhonturqve. Komiteti “Bashkim e Përparim”, i cili pritej të fitonte mazhorancën dhe të merrte pushtetin, qëndronte në një linjë me Stambollin zyrtarë dhe ruante besnikëri të plotë ndaj politikës së vjetër osmane. Ashtu si sulltani Abdyl Hamiti II dhe xhonturqit kërkonin me çdo kusht që të ruhej sundimi në viset shqiptare; të mos shkëputej vazhdimësia e mbledhjes së taksave; si dhe, ajo që ishte më kryesorja për të dyja palët, të mos iu jepnin pretekst shqiptarëve për autonomi. Departamenti i administratës së pronave perandorake pranë Portës Lartë, nxori një urdhër për uljen e taksave nga 30%, në 20 %. Qëllimi i këtij ndryshimi ishte për të qetësuar popullatën dhe për të ruajtur vazhdimësisë në mbledhjen e tatimeve në viset shqiptare. 

Shqiptarët refuzuan pagesën e taksave dhe me iniciativën e tyre dëbuan disa funksionar të tatimeve. Ata mbështesnin idenë e refuzimit të çdo lloj pagese e detyrimi në favor të Portës së Lartë, pasi sipas tyre, Stambolli ishte i interesuar vetëm për mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe refuzonte zbatimin e kërkesat të tyre duke mos i marrë parasysh. Shqiptarët shfaqnin pakënaqësi ndaj Sulltanit për mos interesim të gjendjes së mjeruar dhe e akuzonin drejt për drejt për gjendjen e prapambetur në zhvillimin kulturor, social e në infrastrukturë në vilajetet shqiptare. 

Por, ashtu si zyrtarë të Perandorisë, edhe xhonturqit interesoheshin për ruajtjen e mbledhjes së taksave dhe zbatimit të ligjit. Për këtë arsye ata dërguan emisarë në zonat problematike për të sqaruar popullatën dhe për të parandaluar kërkesat e tepruara të tyre. Mund të themi se më kryesorja ishte që të bindnin popullatën të vazhdonin të paguanin tributin e detyrueshëm dhe të ruhej e plotë zbatueshmëria ligjore e administrative. E thënë më thjeshtë, xhonturqit përgatisnin terrenin për ruajtjen e vazhdimësisë së sundimit të ligjit, detyrimeve financiare dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Perandorisë Osmane. 

Më 5 gusht të vitit 1908, me vendim të Këshillit të Posaçëm, pranë Portës së Lartë shpallet amnisti e përgjithshme për të gjithë ata që ishin të burgosur e të dënuar politikisht në mungesë pasi ishin arratisur jashtë vendi. Nëpërmjet këtij vendimi, ata arritën të përfitojnë pafajësinë dhe ju linte e drejta që t’i riktheheshin të gjitha të drejtat civile e administrative. Nga kjo amnisti përfituan edhe shqiptarët e larguar politikisht në emigrim. Ndër ta, mund të përmenden, Ismail Qemali, Ibrahim Temo, Dervish Hima etj, të cilët deri atëherë regjimi Hamidian i kishte konsideruar rebelë e tradhtarë. 

Gjatë periudhës së vjeshtës së vitit 1908, shqiptarët kuptuan se duhet të organizoheshin politikisht për të përfituar nga shpallja e zgjedhjeve parlamentare dhe të grumbullonin votat për të nxjerrë kandidatët shqiptarë, për në parlamentin e Stambollit. Shqiptarët ftonin krerë të elitës shqiptare, të cilët gjendeshin të arratisur, që të rikthehen në atdhe dhe të kandidonin për mandatin e deputetit. Disa bejlerë dhe agallarë të Vlorës i drejtuan një telegram Ismail Qemalit, ku i kërkonin të rikthehej në vendlindje. Ai e mirëpriti letrën e bashkëkombësve dhe iu përgjigj pozitivisht lajmit nga Brukseli. Ismail Qemali i dërgon një telegram Xhemil bej Vlorës, të cilin e njoftonte se shumë shpejt do të rikthehet në atdhe. Në nder të Ismail Qemalit u organizuan festime të ndryshme në këtë sanxhak, të cilët e lartësonin virtytet dhe patriotizmin e tij. Kjo mbështetje e gjerë do t’a shoqëronte gjatë Ismail Qemalin për arsye se përkonte me periudhën zgjedhore për zgjedhjen e deputetëve për në parlamentin e Stambollit. 

Fushata elektorale e vitit 1908 i hapi rrugën një procesi të gjerë gjithëpërfshirës, si për turqit ashtu dhe për kombësitë e ndryshme, përfshirë dhe elitën politike shqiptare, e cila pati jehonë të madhe në trojet shqiptare. Krerë të zonave të ndryshme shqiptare u vunë në lëvizje për të mbështetur kandidatët për deputet por fatkeqësisht ata ishin të ndarë sipas interesave e grupimeve politike. 

Në përfundim mund të pohohet se kandidatët për deputet shqiptarë të vitit 1908 nuk patën një platformë politike të përbashkët shqiptarie dhe as nuk ndoqën një linjë gjithëpërfshirëse kombëtare për në parlamentin Osman. 

Filed Under: Histori Tagged With: bashke e te snare, Dr. Paulin Marku, shqiptaret, Zgjedhjet turke

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 602
  • 603
  • 604
  • 605
  • 606
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT