• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dasma e madhe”

July 21, 2019 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

            Nuk është në karakterin tim të zhvillojë polemikë, por nuk mund të hesht kur një grup hijesh të vetëquajtur “veteranë të luftës nacional-çlirimtare”, por që nuk kanë asgjë të përbashkët me veteranët e vërtetë dhe ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit apo drejtorë të burgjeve komuniste bëjnë deklarata të paskrupullta në të cilat kërkojnë të denigrojnë figura të shquara të inteligjencës së sotme  që rrjedhin nga shtresa më e nderuar e shoqërisë shqiptare, shtresa e të përndjekurve politikë nga rregjimi komunist.                                                                                                        Këtyre monstrave, mbeturina të kalbura të sistemit komunist, na u qenka prishur qetësia nga botimi i një libri mbi krimet e komunistave gjatë luftës së dytë botërore. Çudia më e madhe është se libri për të cilin bëjnë fjalë ata është botuar nga Instituti për Studimin dhe Pasojat e Krimeve Komunste, me miratimin e bordit të tij drejtues, qysh në vitin 2015 dhe vetën tani, pas katër viteve, na u kujtuan këto monstra ta kundërshtojnë, madje edhe në një seancë parlamentare E pra këto hiena ia arritën që t’i impononin Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërise vendimin që t’i hiqnin Institutit të Hetimit të Krimevë dhe Pasojave të Rregjimit Komunist të drejtën e hetimit të periudhes së të ashtuquajturës luftë nacinal-çlirimtare. Këto hiena na qenkan shqetësuar sepse, sipas tyre, na qenka përgojuar lufta nacional- çlirimtare dhe dëshmorët e saj, se ajo paska qenë vetëm një luftë kundër pushtuesve të huaj ku nuk qenka kryer asnjë krim dhe se krimet na paskan filluar vetën pas vitit 1944 kur u vendos pushteti komunist.                            Por, në të vërtetë, a kishte kriminelë në rradhët e lëvisjes së ashtuquajtur nacional-çlirimtare? A janë kryer krime nga komunistët gjatë kësaj periudhe? Për të sqaruar më mirë këtë problem le të hedhim vështrimin prapa, në vitet e zjarrta të luftës, kur në Shqipëri përballë fashizmit dhe nazizmit qëndronin dy forca kryesore. Nga njera anë forcat nacionaliste të përfaqësuar nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti, të udhëhequra nga Mit-hat Frashëri dhe Abas Kupi, ndërsa nga ana tjetër Fronti Nacional-Çlirimtar i udhëhequr nga figura më e errët që ka nxjerrë ky komb, Enver Hoxha, prapa të cilit qëndronin jugosllavët me përfaqësuesit e tyre Mugosha dhe Popoviç, për të gllabëruar Shqipërinë ose në pamundësi të saj Kosovën martire. Këto forca kanë zhvilluar disa beteja të përbashkëta kundër pushtuesve fashistë, beteja që sot hienat e kuqe mundohen t’i kalojnë në heshtje, madje t’i harrojnë fare.

Si keni kurajon të mohoni të vërtetën  në këtë mënyrë? Ku e latë kontributin e Abaz Kupit në luftën kundër pushtuesve? Po kontributin e Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut, Gjon Marka Gjonit, Jup Kastratit dhe të tjerëve? Po betejat e Gjormit më 29  dhjetor 1942-2 janar 1943, Voskopojës më 14 janar, Greshicës 5 shkurt, Ruzhdijes 13 mars, Selenicës 1 prill, Mogilës dhe Miricës në qershor, Krujës dhe Matit në gusht apo Drashovicës në shtator 1943, a nuk ishin beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste me ato të Frontit Nacionalçlirimtar? Nëqoftëse nuk ishin të tilla, nëqoftëse nacionalistët paskëshin bashkëpunuar me okupatorin, si u ulët me ta në gusht të vitit 1943 për të biseduar për të ardhmen në Mukje? Përse i mohoni? Kjo ndodh se ju nuk keni kurajon të pranoni të vërtetën.  Ju vetëm i shërbeni asaj klike që populli e përmbysi në fundin e vitit 1990. 

            Por komunizmi, që nuk ishte tjetër veçse një variant më i egër i fashizmit, nuk mund të pranonte një gjë të tillë. Pa u tharë ende boja me të cilën u nënshkrua kjo marrëveshje u hodh poshtë nga komunistët. Atëherë filloi lufta vëllavrasëse dhe bashkë me të edhe krimet.                                   Më 10 shtator 1943 në Tragjas vriten tradhëtisht, duke pirë ujë, dy djelmosha nga Sevasteri, Asaf Grabova dhe Ismail Isaj, i pari 28 dhe i dyti 23 vjeç. Ishte dita e parë e vëllavrasjes. Tre ditë më vonë, më 13 shtator 1943, pas provokimit të bërë nga Bedri Spahiu dhe Shemsi Totozani, vriten në përpjekje me italianët, komandanti trim i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica së bashku me 35 komandantë të tjerë çetash. A nuk janë krime këto raste? Lufta çlirimtare ishte kthyer në luftë civile.                                                                                           Komunistët kaluan nga një krim në tjetrin. Në Bolenë vriten pranë shtëpisë së tyre një familje e tërë, përfshirë edhe gra, ajo e Sabri, Islam, Bilo, Numan, Mahmude dhe Dyzene Novruzit, si dhe familja tjetër e Peshqeshe, Fako, Bilo dhe Gani Çelomemajt. Në Kuç kriminelët komunistë vrasin në pabesi tetë antarë të familjes Sadikaj: Jupen, Lamen, Isan, Memon, Arapin, Merxhanen, Hetemen dhe Memenë. A nuk është krim zhdukja e familjeve të pafajshme?                  Para syve më del beteja e Goskovës më 19 shtator 1943 midis forcave nacionaliste dhe atyre partizane. Luftëtarët i propozojnë komandantit Safet Butka të sulmojnë forcat komuniste.  Ai  përgjigjet:                                                                                                                                                – Kjo nuk do të bëhet kurrë, sa të jem unë gjallë. Vetëm po të kalohet mbi trupin tim. Në këtë mënyrë, të parin dhe të fundit shqiptar që mund të vrasë, është vetja e ime.                                   Dhe trimi e mbajti fjalën e thënë. Ai nuk mund të qëllonte kundër vëllezërve të tij, paçka se kishin bindje të kundërta me  të. Përpara këtij fakti tragjik, vrau veten. Një shembull i qartë i diferencës ndërmjet personalitetit të një nacionalisti dhe një komunisti.                                                      Para syve më del gjithashtu figura heroike e Hysni Toskës, pjesëmarrës i çetave të 1911—1912-ës,  shpalljes  së pavarësisë,  pjesëmarrës i  luftës së  Vlorës,  deputet i  parlamentit shqiptar e të tjera kur mbetet i rrethuar nga forcat e komanduara nga Neshat Hysi, në banesën e tij  së bashku me gruan Rabijen, vajzën Ervehenë dhe djalin Skënderin. Të katër qëndrojnë duke luftuar si burrat. Në fund, për të mos u dorëzuar Hysniu vret veten, ndërsa Skënderi mundi të ikë, por kapet pas disa ditësh dhe pushkatohet. Erveheja mbetet e plagosur në shtëpi. Kriminelët i djegin edhe shtëpinë. Po ky a nuk është një krim i shëmtuar?                          Një epope më  vete është  edhe  beteja e  Dukatit  në Vlorë  më  30 nëntor 1943. Një shembull kuptim plotë i krimeve të kryera nga kriminelët komunistë. Batalionet “Asim Zeneli“, “Halim Xhelo” dhe “Antonio Gramshi“, sulmojnë fshatin në pabesi natën. Forcat nacionaliste, të komanduara nga trimi Maliq Koshena i përgjigjen zjarrit me zjarr. Komunisti Myrto Sadiku nga Tërbaçi i drejtohet dukatasit Murat Bodo:                                                                                                Hidhe armën, fashist i ndyrë!                                                                                                  Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:                                                                                        – S’jam fashist por i dukat,                                                                                                                   As ti rus, por i tërbaç,                                                                                                                            Po na qenka taksirat,                                                                                                                           Që na vjen, na vret në prak!                                                                                                  Në    këtë    betejë      vriten      njëzetetre     djem, pesëmbëdhjetë partizanë dhe tetë ballistë. Partizanët detyrohen të tërhiqen, duke lënë të vrarët në fushën e betejës. Populli i Dukatit i varrosi të njëzetetre njeri pranë tjetrit dhe gratë dukatase i qanë së bashku:

            Korba, na u vranë djemtë,                                                                                                       Ca këtu dhe ca në çetë,                                                                                                Ca në çetë, ca në parti,                                                                                                 Vaj medet o Shqipëri! 

            Ky ishte karakteri i vërtetë i nacionalistëve shqiptarë që i dallonte nga egërsia e shfrenuar e komunistëve.

Le të vazhdojmë më tej. A nuk ishte një krim i pa dëgjuar në historinë e Shqipërisë ekzekutimi i gjashtëdhjetepesë  bujqve të pafajshëm që i groposi brenda një dite në një varr të përbashkët udhëheqësi juaj krimineli Mehmet Shehu, apo njëqindepesë martirët e Libohovës të vrarë në një ditë dhe shtatëmbëdhjetë të pushkatuarit në Gjirokastër ku midis tyre mbeti i vrarë martiri  Boço Kalo me të birin e ri fare? Kush të mundet le të përgjigjet.

Më lejoni tani t’u përshkruaj dy ngjarje të cilat i kam mbijetuar vetë.

Kam qenë i vogël në ato vite, por përpara syve të mi kanë mbetur të gjalla dy skena të paharruara. Ishte shtatori i vitit 1943. Banonim në Tiranë, në një rrugicë në rrugën e Kavajës, përballë asaj të ish Radio Tiranës. Një mëngjes, ndërsa po bëheshim gati për të shkuar në shkollë, dëgjojmë dy krisma revolveri dhe menjëherë  pas saj  një  klithmë të  tmerrshme.  Dolëm me  vrap përjashta dhe para portës së shtëpisë së fqinjit përballë pamë të shtrirë, të gjakosur trupin e djalit të shtëpisë dhe nënën e tij të ngratë që vajtonte mbi kufomën e të birit. Atë mbrëmje im atë u kthye vonë, i shoqëruar nga një miku i tij. Kishin qenë në familjen e të vrarit. Akoma kam parasysh fjalët e mikut që i thosh tim eti:

            – Më vjen shumë keq për këto që filluan të ndodhin. Tani në vend të luftës çlirimtare do të kemi luftën vllavrasëse.

            Djali kishte qenë një aktivist i Ballit Kombëtar për qytetin e Tiranës.                                      Ngjarja e dytë ka të bëjë me ditët e luftës së Tiranës, në nëntorin e vitit 1944. Atëherë banonim në Pazarin e Ri, në shtëpinë e doktor Kërçikut. Një natë trokiti porta e shtëpisë. E hapëm dhe brënda hynë një skuadër partizanësh.                                                                            – Duam doktor Kërçikun. – tha komandanti tyre                                                                      Burri i hallës që banonte së bashku me  ne,  doktor Bajram Emiri, u thotë:

            – Doktor  Kërçiku nuk  banon  këtu, por  po  patët nevojë edhe unë jam mjek dhe mund t’ju ndihmoj.

            – Jo, jo duam doktor Kërçikun, – tha komandanti.

Doktori e kuptoi qëllimin e tyre. Dërgoi me vrap vëllan tim të madh , i cili nëpërmjet një porte që lidhte oborrin tonë me atë të doktorit, e lajmëroi atë përpara se të mbërrinin partizanët. Doktor Bajrami tha: 

– E kërkonin për ta vrarë, ashtu si vranë Akil Sakiqin, ushtarakun e shquar që banon në rrugën e Pishës, siç vranë Mumtaz dhe Vesim Kokalarin, botuesit e njohur të “ Mesagjerisë Shqiptare “, ashtu si vranë gazetarin e njohur Nebil Çika te kafe Kursali. Po shyqyr që mundëm ta lajmërojmë dhe ai  shpëtoi.

         Më vonë do të mësoja për  masakrën  e kryer   ato ditë, ku mbetën të vrarë tridhjetetetë intelektualë.

            Kjo ishte tablloja e atyre viteve të tmerrshme, vite që i ka pasqyruar me vërtetësi, duke u mbështetur në dokumenta historike të nxjerra nga arshivat shtetërore Uran Butka në librin e tij që do të mbetet si një perlë e historiografisë së re shqiptare.

                  Në krye të këtij kori të hienave të kuqe qëndron një ish gjykatës i regjimit komunist që në ndërgjegjen e tij mban shumë dënime të njerëzve të pafashëm dhe që tani ka uzurpuar fronin e deputetit të Kuvendit të Shqiparisë.                                                                                                          Para syve kam gazetën “55” datë 27 shkurt 1999. Ajo ka një shkrim të gjatë kushtuar kësaj monstre. Sipas tij kjo hienë, duke qenë me detyrë gjyqtar, në vitin 1985, ka kryer një gjyq fiktiv kundër katër ushtarakëve që mbaheshin në arrest. Ai urdhëroi sekretaren e tij të përpilonte një proces-verbal sipas të cilit gjyqi na paskej qenë zhvilluar në rregull dhe duke caktuar edhe dënimet për sejcilin prej tyre, të cilat ua komunikoi personalisht të akuzuarve. Një gjë e tillë u zbulua nga rekursi që bënë të pandehurit në Gjykatën e Lartë. Kjo ra në sy edhe të anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë së Punës. Anëtari i kësaj byroje, Rita Marko, porositi që gjyqtari të çohej për ndjekje penale nën akuzat “ Për heqje të padrejtë të lirisë” dhe “ Për shpërdorim të detyrës”. Por gjyqtari me ndërhyrjen  e Sulo Gradecit pranë Ramiz Alisë detyroi kryetarin e Gjykatës së Lartë ta kthejë dënimin nga ndjekje penale në përjashtim nga organet e drejtësisë.  Por mjeshtri i mashtrimeve nuk u mjaftua me kaq. Nëpërmjet manovrimeve të ulta të tij ai bëri te heshte Komisionin e Kontrollit të Figurave kur ishte kandidat për deputet dhe kështu mundi të hynte në Kuvendin e Shqipërisë. Cilido që kërkon të mësojë më shumë për këtë çështje le të lexojë gazetën që citova më lart. 

            Së fundi, për ta mbyllur, më lejoni të citoj disa vargje nga poeti i njohur Ali Asllani, i cili në poezinë “Dasma e madhe“ shkruan pikërisht për atë periudhë të errët të historisë së kombit tonë:

Un’të them se jam i kuq ti më thua jam i bardhë,

un’me huq e ti me huq, pra… të zezat radhë radhë!

Nën’e zezë, motër e zezë, bab’i zi e babëzi,

Në një çap- një varrezë, ky atdheu yn’i zi.

Ky atdheu yn’i zi, na u bë skëterr i vrerit,

Varen eshtrat e shqiptarit nëpër sqepe të skifterit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Reshat Kripa-Dasma e madhe

DINJITETI I SHTETIT

July 21, 2019 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

 Në këtë dalldi të nxehtë politike të Shqipërisë, një dukuri e shfaqur në Poznan të Polonisë në korrik 2019, kaloi në një gjysëm heshtje mediatike. Bëhet fjalë për përjashtimin e Shqipërisë nga ndihma ekonomike e caktuar prej Komisionit evropian për Vendet e Ballkanit perëndimor në formë fondesh të humbura. Nuk ishte ndonjë vendim i ndonjë burokrati “të mykur” të Brukselit, por një episod i politikës evropiane në nivel të lartë, me pjesëmarrjen e dy prej drejtuesve më me peshë në BE, siç ishin Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron.

Ekranet televizive të kanaleve shqiptare përsëritën deri në mërzi skenat e bisedave të kryeministrit shqiptar me kancelaren gjermane. Me gjasë më shumë se sa biseda zyrtare ishin takime të shkurtëra në pushimet e samitit, por qëllimi ishte të nxirrej në pah konsiderata e kancelares gjermane për Shqipërinë dhe përfaqësuesit e saj politikë në drejtim të shtetit. Nga ato skena pritej një qasje më dashamirëse kundrejt nesh, por përfundimi qe se ndër 280 miljon €, të caktuara nga Komisioni evropian, Shqipëria nuk mori asnjë qindarkë me justifikimin se nuk kishte paraqitur projektet përkatëse.

Nuk ka rëndësi të madhe mungesa e përfitimit material edhe se 30 apo 40 milion € mund t’i vlenin plotësimit të ndonjë objekti të infrastrukturës shqiptare, por ajo që është zhgënjyese, deri në dëshpërim, është motivimi i përjashtimit të Shqipërisë nga programi i ndihmës së BE, së paku në këtë rast. Politika zyrtare u mundua të mos i japë peshën e duhur kësaj dukurie të mbrapshtë, por edhe opozita e së bashku me të, kryetari i shtetit, mjaft i pranishëm me deklarata ditët e fundit, nuk e vunë sa duhet theksin mbi këtë shenjë, do t’a quaja ogurzezë për shpresat në t’ardhmen.

Duke lënë të kuptohet se nuk ka asnjë problem në episodin e Poznanit, klasa politike, sidomos ajo qeveritare, tregon se sa e ka për zemër t’ardhmen e Shqipërisë e me sa pak përgjegjësi punon për të. Është i paligjësueshëm fakti që administrata e stërfryrë pushtetore e Shqipërisë, e mbushur me të rinj të arsimuar brënda e jashtë Vendit, titullarë diplomash e titujsh pasuniversitarë nga Vendet më të zhvilluara të botës, të mos jetë në gjëndje të hartojë e të paraqesë në instancat përkatëse të BE projekte të studiuara saktë për nevojat e Vendit të tyre. Kjo shpjegohet me disa arsye hamendësore: ose administrata qëndrore nuk jep udhëzime të qarta për hartimin e projekteve, duke përcaktuar saktë detyrat e përgjegjësitë; ose qeveria e quan të dorës së dytë apo të tretë këtë lloj veprimtarie, sa që nuk kërkon asnjë farë llogarie; ose njerëzit e ngarkuar me ato detyra janë krejtësisht të paaftë për të hartuar projektet, por vazhdojnë të vegjetojnë në punët e tyre duke marrë rrogën; apo, ende më keq, nëse ata projekte, zbatimi eventual i të cilëve nënkupton kontrollin dhe mbikqyrjen e dhuruesve, gjë e cila “vështirëson” mundësinë e përfitimit vetiak të një njeriu apo një grupi njerëzish që do të kenë detyrën e vënies në jetë të tyre, lihen qëllimisht jashtë vëmëndjes së nevojshme. Secili prej këtyre motiveve që hamendësova më sipër përbën një problem serioz për të sotmen dhe t’ardhmen e Shqipërisë.

Le t’i shtjellojmë një nga një ato arsye. Nëse administrata qëndrore, në nivele të larta të vendimmarrjes, nuk e “vret mëndjen” për të paraqitur projektet e nevojshme për të thithur ndihmat e Bruselit, nuk mund të përcaktohet veçse me dy epitete të buta si “e papërgjegjëshme” dhe “inkompetente”. Nëse qeveria nuk i jep rëndësinë e duhur kësaj kërkese tregon se është e pandërgjegjëshme në punën e saj në drejtimin e shtetit, duke vënë në dyshim besueshmërinë e mbarështimit të ekonomisë së Vendit. Nëse nga moria e nëpunësve të administratave qëndrore e vendore nuk ka asnjë të aftë të hartojë një projekt funksional për të bindur institucionet kreditore të BE, që të miratojnë ndihmat e tyre për Shqipërinë, duhet të ndërgjegjësohemi se kemi një klasë tekniko intelektuale tepër larg aftësive të kërkuara e kjo do të përbënte me të vërtetë një gjëndje dramatike, për t’u parë me seriozitetin më të madh. Mbas gati tridhjetë vitesh të tjetërsimit të sistemit, të hasim përsëri në dukuritë mjerane të paaftësisë së kuadrove, si pasojë e parimit enverian “politika në plan të parë” është një gjë krejtësisht e papranueshme për rrugën tonë drejt Evropës.

Do t’ishte një fatkeqësi kombëtare nëse hamendja e katërt do t’ishte shpjegimi më afër së vërtetës. Që në fillimet e periudhës së kalesës mbas komuniste, shpresat për daljen e Shqipërisë nga gjendja e urisë në të cilën e la socializmi, u varën tek investimet e huaja që priteshin si shiu në shkretëtirë për të gjallëruar ekonominë e atrofizuar dhe pa gjak të vazhdimësisë ramiziane. Por n’atë kohë në shoqërinë e varfër shqiptare doli si parim qëndror ai i “pasurimit” të shpejtë e problemi i korrupsionit, i shprehur në kërkesat vetiake të nëpunësve me përgjegjësi në ballafaqimin me kapitalin e huaj, i shkaktoi një dëm shumë të madh Vendit, si pasojë e ikjes s’atyre kapitaleve që kishin zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Nëse, në gjithë këta vite, ajo mendësi grabitqare përfitimi vetiak me nxitjen dhe bekimin e politikës, ka ardhur duke u forcuar, thelluar e zgjeruar në pafundësi, sa që sot Shqipëria renditet ndër Vendet më të korruptuara në botë, nuk është për t’u habitur nëse ajo mendësi këshillon që projektet e planet të zgjidhen e vendosen, jo në vartësi të nevojave të vërteta të Vendit por të mundësisë që krijojnëpër përfitime vetiake për ata që do të kenë përgjegjësinë e zbatimit të tyre. Më duket e tepërt të zgjatem më shumë në këtë arsyetim, mbasi është i dukshëm dëmi që i shkaktohet Vendit dhe përgjegjësia e atyre që e shkaktojnë atë.

Në fjalën e tij të fundit në Kuvend kryeministri u shpreh, mes të tjera reminishencash të epokës enveriane të armiqve të ndryshëm, me këto fjalë: “Jemi të detyruar të ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej, sepse për ne, dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm sesa çdo interes partiak, apo kalkulim elektoral.”

Duke lënë mënjanë pjesën e parë të fjalisë që është një pasqyrë e luftës së forcave të ndryshme pas komuniste për pushtetin, pjesa e dytë, në Shqipërinë e hershme do të quhej “fjalë arit”. Por sa pajtohet ajo fjalë me të vërtetën e mungesës së projekteve për t’i paraqitur në BE, është e qartë si drita e diellit. Nga çdo këndvështrimi t’a shtjellojmë problemin e dukurisë së mësipërme, besoj se dinjiteti i shtetit del si pjesa më e lënduar e asaj historie. Kjo sepse nuk mund të ketë dinjitet një shtet që qeveriset n’atë mënyrë sa të pjellë shfaqje të tilla paaftësie e mungese dëshire për të shkuar përpara, së paku me hapin e të tjerëve, edhe se kërkesat e nevojat tona janë për shumë më tepër.

Ndokush, më optimist se i nënëshkruari, duke lexuar këta rrjeshta mund të mendojë se autori i tyre jeton n’Itali, një Vend që humbet miliarda € çdo vit, sepse nuk është në gjëndje të paraqesë projektet e duhura në BE për të marrë ndihmat e saj. Plotësisht e vërtetë, por ky nuk duhet të jetë një ngushullim i dobët për të na vënë në gjumë, se jemi në shoqëri të mirë, sepse dinjiteti i një shteti forcohet duke përvehtësuar e vënë në zbatim përvojat më të mira e më të përparuara të botës e jo ato më të prapambeturat e më të këqijat.

Po ashtu dinjiteti i një Vendi nuk është në lartësinë e duhur kur në drejtimin e tij vihen e mbahen njerëz me probleme morale të papranueshme. Kështu nuk kuptohet se si zyrtarë të lartë si Ulsi Manja e Damian Gjiknuri, të lakuar mbarë e mbrapsht në përgjimet e botuara nga “Bild”-i, si matrapazë votash, të vazhdojnë e të qëndrojnë në krye të dy komisioneve më të rëndësishëm të Kuvendit për çastin politik, deri sa kohët biblike të drejtësisë të përcaktojnë nëse kanë përgjegjësi penale apo jo. Dinjiteti i një shteti duhet të ketë të tjera kritere e kode etike për funksionarët e tij e, po të kthehemi mbrapa në kohët para komuniste, përvoja e jonë tradicionale nuk njeh batakçinj e hajdutë votash në krye të vendit askund, n’asnjë trevë shqiptare. Nëse bashkëkohësia, simbol zhvillimi e kërkimesh standartesh të qytetërimit, që së pari duhen të jenë morale në një shoqëri, aq më tepër në drejtimin e një shteti, kthehet në një braktisje tërësore të atyre vlerave e parimeve, dinjiteti i tij është rrënuar në mënyrë të pandreqëshme e nuk mund të mbrohet me asnjë lloj sofizme apo demagogjie mashtruese të politikanëve.

Korrik 2019                                                               Eugjen Merlika    

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika- Dinjiteti-Shteti

Mesazhi Princit Leka Per Rastin Haradinaj

July 21, 2019 by dgreca

Si gjithnje trimeria dhe guximi ka qene dhe eshte tipari me dallues i Familjes Haradinaj dhe kur bashkohen me mençurine i japin asaj permasa kombetare, madje edhe me gjere, duke u bere shembull frymezimi per gjithe politikanet shqiptare kudo qe ata ndodhen. 
Krenohemi me ty Ramush dhe na rrit ndjenjen e pergjegjesise per detyrimet qe ka çdo shqiptar per Atdheun dhe kombin e tij. ??????
It was with sadness that i learned of Prime Minister Haradinaj’s resignation. Ramush Haradinaj is a true patriot and a National hero. 
In admiration and in full confidence i look forward to Prime Minister Haradinaj’s quick return, as he seeks justice at the Hague.We are proud of our Prime Minister’s strength, and we share the responsibility for peace and stability no matter the hurdles. Striding forward as two states, but united as one Nation, within a single Europe. ??????

Filed Under: Komente Tagged With: Princ Leka- Ramush Haradinaj

KOSOVA DREJT ZGJEDHJEVE TË PARAKOHSHME PARLAMENTARE

July 21, 2019 by dgreca

-Zhvillimet pas ftesës nga Haga e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj: Kosova drejt zgjedhjve parlamentare, të shtatata në liri e të katërta në pavarësi, të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, të cilat pritet të mbahen në vjeshëtën e vitit 2019/

-“Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike”, është shprehur Haradinaj/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 21 Korrik 2019/ Kosova, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të shtatata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.

Në mbledhjen e 111-të të qeverisë që e drejton, të premtën e 19 korrikut 2019, kryeministri Haradinaj njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që ka marrë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, duke theksuar se nuk dëshiron në asnjë mënyrë të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe se para drejtësisë do të përballet si individ, me besim thellë në pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.

Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.

Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufijë”, është shprehur Haradinaj në deklaratën e dorëheqjes.

Ai ka theksuar se, pas kësaj dorëheqjeje mandatin ia kthen popullit, sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

“I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike”, është shprehur Haradinaj.

Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 nars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës.

“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.

Pas dorëheqjes së dytë të Haradinajt nga posti i kryeministrit këtë javë, sipas deklaratave të partive politike, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme dhe priten konsultimet për datën, e cila paralajmërohet të jetë në vjeshtën e këtij viti.

Kosova kishte zgjedhje të parakohshme parlamentare para dy vitesh  në 11 qershor 2017  pas mocionit të mosbesimit – rrëzimit të qeverisë me vota të bashkuara edhe nga partia më e madhe e maxhorancës me opozitën dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit në 10 maj, tre vjet pas zgjedhjeve paraprake të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.

Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.

Qeveria  e Kosovës,  me kryeministër Haradinajn, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

Me kryeminitër Haradinaj, Qeveria e Kosovës në bilancin e punës së saj ka edhe dy mbledhje të përbashkëta me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë – në 27 nëntor 2017 në Korçë, e cila ishte e katërta,  dhe në 26 nëntor 2018 në Pejë, e cila ishte e pesta. Këto dy mbledhje të qeverive Shqipëri-Kosovë pasonin të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytën në Tiranë në 23 mars 2015 dhe  të tretën në 3 qershor 2016 në Prishtinë.

23 QERSHOR 2018: RAMUSH HARADINAJ RIZGJEDHET KRYETAR I AAK-së

-Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është themeluar në 2 maj të vitit 2000/

Në 23 Qershor 2018 Ramush Haradinaj është rizgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si kandidat i vetëm në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të partisë, të cilën e udhëheqë që nga themelimi.

“Ky besim është obligim i madh”,  u shpreh Haradinaj para Kuvendit zgjedhor të AAK-së duke paralajmëuar shumë punë edhe në të ardhmen.

“Me krenari mora përgjegjësinë që të vazhdoj t’i prijë AAK-së, me synim krijimin e vlerës së re të një projekti serioz, me të gjithë qytetarët e vendit”, ka theksuar lideri i partisë Haradinaj, kryeministër i Qeverisë së Kosovës.

 AAK është themeluar në 2 maj të vitit 2000 dhe pas zgjedhjeve të para paralamantare të pasluftës ishte pjesë e koalicionit të gjerë qeverisës, ndërsa pas zgjedhjeve të dyta, në koalicon me LDK-në, drejtoi Qeverinë, në 100-ditëshin e parë me kryeministër lidrin e saj, Ramush Haradinajn, i cili dha dorëheqje nga kreu i Qeverisë në 8 mars 2005, menjëherë pasi u njoftua për ngritjen e aktakuzës dhe të nesërmen iu dorëzua vullnetarisht Tribunalit të Hagës, i cili e shpalli të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës në 3 prill 2008 dhe përseri në 29 nëntor 2012 pas rigjykimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosova-Zgjedhjet Parlamentare-Presidenti Thaçi

Alfabeti i Elbasanit 1761

July 20, 2019 by dgreca

Përgatiti: Jeni Myftari/

Në historinë e Letërsisë Shqipe është i njohur fakti se përgjatë shekujve shqipja është shkruar me alfabetë të ndryshëm ndër të cilët edhe me alfabet latin, grek dhe arab. Dokumenti më i vjetër i shqipes me alfabet grek, i njohur deri më sot, është Ungjilli i pashkëve ose e njohur ndryshe si Perikopeja i cili mendohet të jetë shkruar në fund të shekullit të 15-the ose fillim të shekullit të 16-të[1]. 

Megjithatë, lulëzimi i letërsisë shqipe me alfabetë të ndryshëm është në shekujt e 17-18. Gjatë kësaj periudhe kemi zhvillimin e letërsisë shqipe myslimane të shkruar me alfabet arab e cila njhet si “Letërsia e bejtexhinjve” ku vjersha më e vjetër me këtë shkrim, e njohur deri më sot, është një lutje humoristike për kafenë që daton më 1725 si dhe shkrime në traditën ortodokse ku shqipja është shkruar me alfabet grek, veçanërisht tekste fetare të ritit ortodoks.

Por në mesin e shekullit të 18-të dhe në shekullin e 19-të gjejmë disa përpjekje për përdorimin e alfabeteve unike, me gjasa në përpjekje për të patur një alfabet origjinal shqip. Një prej tyre njihet si Alfabeti ose shkrimi i Elbasanit. Alfabeti i Elbasanit përdor një karakter për fonemat përveç n-së e cila ka dy karaktere dhe g-së me tre karaktere (nga të cilat, dy gërma u përdorën vetëm për fjalë të huaja greke), dhe ndryshimi midis r dhe rr dhe midis l dhe ll bëhet me anë të një pike mbi gërmën përkatëse. Një pikë mbi d krijon nd. 


Edhe pse disa gërma kanë ngjashmëri me gërma greke dhe slave shumica e gërmave të Alfabetit të Elbasanit duket se janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe alfabeteve të tjera. Ai vërteton përpjekjet e intelektualëve shqiptarë për të zgjidhur që herët dilemën e alfabetit shqip.

Alfabeti i Elbasanit është përdorur për shkrimin e Ungjillit të Elbasanit ose të njohur ndryshe si  Anonimi i Elbasanit. Ky alfabet herë thuhet se ka 40 gërma[2]nga të cilat 35 janë të zakonëshme dhe 5 të rradha dhe herë thuhet se ka 54 gërma[3].

Anonimi i Elbasanitështë një vepër prej 60 faqesh. Në përgjithësi, sistemi grafik i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve është i qartë dhe i mirë-konceptuar nga krijuesi i tij[4]. Vepra fillimisht u gjet në manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Elbasan dhe aktualisht ndodhet në ruajtje në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Vepra përmban përkthime prej katër ungjijve në gjuhën shqipe. Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve është përkthimi i parë orthodoks i Biblës[5]. 

Autori i këtij dorëshkrimi mendohet të jetë Grigori i Voskopojës i njohur edhe si Grigori i Durrësit[6]. Grigori ka qenë mësues dhe klerik ortodoks në Voskopojë dhe përmendet si autor i disa hagjiografive të bouara në greqisht. Nga fundi i jetës ai u zgjodh kryepeshkop i Durrësit (1768) dhe vdiq më 1772, me gjasë në manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Shijon të Elbasanit. 

Dihet se Grigori bëri përkthime të Dhjatës së Vjetër dhe të Re në një alfabet të shpikur prej tij. Nga kjo mund të thuhet se Dorëshkrimi i Elbasanit është pjesë e veprës së tij, shprehet albanologu kanadez Robert Elsie[7].

Ndryshe nga sa u tha më lart, gjuhëtari i njohur shqiptar Dhimitër Shuteriqi, i cili së bashku me Mahir Domin kanë paraqitur shumë studime interesante mbi Anonimin e Elbasanitdhe alfabetin e përdorur për shkrimin e tij, beson se autori i tekstit të Anonimit të Elbasanitështë Papa Totasi[8], prift ortodoks nga ana e Shpatit të Elbasanit. Emri i këtij të fundit del me një shkrim tjetër në faqen e brendëshme të dorëshkrimit.

Megjithatë, sipas Elsies, nuk ka kurrfarë dëshmie konkrete për qenien e një prifti apo shkrimtari të tillë[9]. 

Ndërkohë, fakte të reja kanë dalë për përdorimin e Alfabetit të Elbasanit. Sipas studiuesit ukrainas Aleksandër Novik, arkeologët kanë gjetur artefaktet me mbishkrime në alfabetin e Elbasanit (me 54 gërma) të shekullit të 17-të në fshatin Margaritovo të Ukrainës[10]. Këtë deklartë Novik e ka bërë ekskluzive në kumtesën e tij mbajtur në Seminarin e 34-të Ndërkombëtar të Prishtinës për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqipe më 2015. 

Gjetja e artefakteve të alfabetit të Elbasanit të shekullit të 17-të në ish Perandorinë Ruse është jo pak befasuese, sepse zbuluesi i parë i këtij alfabeti J.G. von Hahn ka thënë se “Alfabeti i Elbasanit nuk është përdorur vetëm në Elbasan dhe Berat, por edhe te tregëtarët në mërgim”. Ndërsa fakti që ky alfabet është përdorur edhe nga mijëra shqiptarë që kanë jetuar në territoret e Peradorisë Ruse, ka qenë i panjohur, citon shqiptarja.com. 


[1]Elsie, Robert. Histori e Letërsisë Shqipe, Dukagjini, Pejë, 2001.

[2] http://www.elsie.de/pdf/articles/A1994Doreshkrimi_Fig.pdf

[3]https://shqiptarja.com/lajm/zbulohet-ne-ukraine-alfabeti-br-400-vjecar-i-elbasanit?r=app

[4]http://www.elsie.de/pdf/articles/A1994Doreshkrimi_Fig.pdf

[5]http://www.elsie.de/pdf/articles/A1994Doreshkrimi_Fig.pdf

[6]Lloshi, Xhevat. Rreth alfabetit të shqipes: me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, LOGOS-A, Shkup, 2008. 

[7]Elsie, Robert. Histori e Letërsisë Shqipe, Dukagjini, Pejë, 2001

[8]http://mountain-turizem.blogspot.com/p/alfabeti-i-elbasanit.html

[9]Elsie, Robert. Histori e Letërsisë Shqipe, Dukagjini, Pejë, 2001

[10]https://shqiptarja.com/lajm/zbulohet-ne-ukraine-alfabeti-br-400-vjecar-i-elbasanit?r=app

Filed Under: Histori Tagged With: Jeni Myftari-Alfabeti i Elbasanit-1761

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 942
  • 943
  • 944
  • 945
  • 946
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT