• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje

March 19, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Kur vendosej fati i kombeve – dhe rrezikohej ekzistenca shqiptare

Përfundimi i Lufta e Parë Botërore nuk prodhoi thjesht një gjendje paqeje formale, por inauguroi një proces të thellë rikonfigurimi të rendit ndërkombëtar, në të cilin u ridizenjuan kufijtë politikë, juridikë dhe civilizues të botës moderne. Në këtë kontekst transformues, shumë kombe fituan ose humbën subjektivitetin e tyre shtetëror, ndërsa disa të tjera – ndër to kombi shqiptar – u gjendën në një situatë ekzistenciale, në prag të fragmentimit dhe zhdukjes politike.

Në tryezat e Konferenca e Paqes në Paris, çështja shqiptare nuk përbënte vetëm një problem diplomatik periferik, por një test themelor të legjitimitetit të rendit të ri ndërkombëtar. Në këtë arenë të rivaliteteve të mëdha, përballë projekteve të mirëstrukturuara për copëtimin e territorit shqiptar, ndërhyrja e Woodrow Wilson u kristalizua si një akt me peshë historike dhe normative, i cili jo vetëm kontribuoi në ruajtjen e shtetësisë shqiptare, por ndikoi në mënyrë të tërthortë edhe në trajektoren historike të Kosova dhe të trojeve të tjera shqiptare.

Doktrina Wilsoniane: nga idealizmi politik te normativiteti juridik ndërkombëtar

Programi i njohur si “14 Pikat”, i artikuluar nga Woodrow Wilson, përfaqëson një kthesë paradigmatike në evolucionin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke kaluar nga logjika e diplomacisë sekrete drejt një rendi të bazuar mbi parime universale.

Ky program:Institucionalizoi parimin e vetëvendosjes së popujve si standard legjitimues të rendit ndërkombëtar;Delegjitimoi praktikën e marrëveshjeve sekrete, siç ishte Traktati i Londrës;Parashikoi krijimin e Lidhja e Kombeve si mekanizëm kolektiv për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Në aspektin juridik, doktrina Wilsoniane shënoi një tranzicion të rëndësishëm: nga një rend ndërkombëtar i bazuar në ekuilibrin e fuqive drejt një rendi që synonte të mbështetej mbi parime normative, ku shtetet trajtoheshin si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, dhe jo si objekte të pazareve gjeopolitike.

Shqipëria në prag të copëtimit: një padrejtësi e projektuar ndërkombëtarisht

Në kuadër të Konferenca e Paqes në Paris, fuqitë evropiane artikuluan projekte konkrete për shpërbërjen territoriale të Shqipërisë:Italia synonte kontrollin e Vlorës dhe vendosjen e një protektorati;Serbia kërkonte zgjerim territorial drejt veriut dhe lindjes shqiptare, përfshirë Kosova;Greqia pretendonte jugun e Shqipërisë (i ashtuquajturi “Epiri i Veriut”);Mali i Zi synonte territore në veri.

Këto projekte mbështeteshin në Traktati i Londrës, një instrument juridik që përbënte një shkelje flagrante të parimeve të barazisë sovrane dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Kosova dhe trojet shqiptare: vazhdimësia e padrejtësisë historike

Ndërsa Shqipëria arriti të mbijetojë si një entitet shtetëror, një pjesë e konsiderueshme e kombit shqiptar mbeti jashtë kufijve të saj politikë.

Pas vendimeve të Konferenca e Londrës, Kosova mbeti nën administrimin e Serbisë, një realitet që u konsolidua edhe pas përfundimit të Lufta e Parë Botërore. Në këtë kontekst: Popullsia shqiptare u përball me politika sistematike represioni; U implementuan strategji kolonizimi dhe spastrimi etnik; U mohua në mënyrë të vazhdueshme e drejta për vetëvendosje, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me doktrinën Wilsoniane.

Një situatë analoge u shfaq edhe në hapësira të tjera shqiptare:Në territorin e sotëm të Maqedonia e Veriut, shqiptarët u përballën me politika asimiluese; Në Mali i Zi dhe në rajonin e Çamëria, nën Greqia, u aplikuan politika diskriminuese dhe, në raste të caktuara, dëbime të dhunshme.

Kështu, edhe pse parimi i vetëvendosjes u artikulua në nivel normativ, ai nuk u zbatua në mënyrë universale dhe të barabartë për shqiptarët, duke krijuar një precedent të rrezikshëm të standardeve të dyfishta.

Ndërhyrja e Wilson-it: shpëtimi i Shqipërisë dhe ndikimi indirekt në çështjen e Kosovës

Roli i Woodrow Wilson në Konferenca e Paqes në Paris ishte determinues në disa dimensione thelbësore:

1. Ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë

Refuzimi i njohjes së marrëveshjeve që cenonin sovranitetin shqiptar kontribuoi në parandalimin e copëtimit të shtetit shqiptar.

2. Vendosja e një standardi të ri juridik ndërkombëtar

Wilson afirmoi parimin se legjitimiteti politik buron nga vullneti i popullit, dhe jo nga marrëveshjet e fshehta ndërmjet fuqive të mëdha.

3. Ndikimi indirekt në çështjen e Kosovës

Megjithëse Kosova nuk përfitoi drejtpërdrejt në atë moment historik, doktrina Wilsoniane:U shndërrua në bazë teorike për të drejtën e vetëvendosjes;Shërbeu si referencë normative për zhvillimet e mëvonshme;U reflektua në proceset që kulmuan me ndërhyrjen e NATO në vitin 1999.

Nga Wilson te Kosova moderne: kontinuiteti historik dhe normativ

Parimi i vetëvendosjes, i artikuluar nga Woodrow Wilson, gjeti një realizim të vonuar në rastin e Kosova:Represioni strukturor i dekadave kulmoi në konfliktin e viteve ’90;Ndërhyrja e NATO (1999) përbën një precedent të rëndësishëm të ndërhyrjes humanitare;Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 përfaqëson një manifestim të vonuar të parimit Wilsonian.

Në këtë kuptim, mund të konstatohet një vijë e qartë e kontinuitetit historik dhe juridik:“14 Pikat” (1918) → Vetëvendosja → Ndërhyrja ndërkombëtare → Shtetësia e Kosovës

Analizë juridike: midis së drejtës dhe fuqisë

Nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare, çështja shqiptare evidenton disa probleme strukturore:Selektivitetin në aplikimin e parimit të vetëvendosjes;Supremacinë e interesave gjeopolitike mbi normat juridike;Mungesën e mekanizmave efektivë për mbrojtjen e kombeve të vogla.

Rasti shqiptar përbën një ilustrim paradigmatik të tensionit ndërmjet normativitetit juridik (law) dhe realpolitikës (power), duke dëshmuar se drejtësia ndërkombëtare shpesh mbetet e kushtëzuar nga dinamika e fuqisë.

Wilson si figurë kyçe në mbijetesën dhe perspektivën shqiptare

Ndërhyrja e Woodrow Wilson në Konferenca e Paqes në Paris nuk përfaqëson vetëm një episod diplomatik, por një moment themelues në historinë politike dhe juridike të shqiptarëve.

Megjithatë, trajektorja historike shqiptare mbetet e karakterizuar nga:Mbijetesa përballë padrejtësive strukturore;Lufta për realizimin e vonuar të vetëvendosjes;Kërkesa e vazhdueshme për drejtësi të plotë historike dhe juridike.

Prandaj, “14 Pikat” nuk duhet të interpretohen vetëm si një dokument historik, por si një projekt normativ i papërmbushur plotësisht – një projekt që për shqiptarët filloi në Paris, por vijon ende në dimensionin politik, juridik dhe kombëtar të shekullit XXI.

Filed Under: Politike

Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste

March 19, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Në historinë e komunikimit postar gjatë luftes se ftohtë, një zarf i thjeshtë mund të bëhet një dokument i vogël historik. Një zarf i qarkulluar në vitin 1968 nga Gjermania Perëndimore drejt Shqipërise, ne qytetin Shkoder, ngre një pikëpyetje intriguese: si mundi të kalonte censurën e një shteti të izoluar ideologjikisht, nese ne te kishte simbolika te papranuara nga regjimi komunist? Në pamje të parë ai duket thjesht një zarf postar (Fig1) me disa pulla, por në të vërtetë imazhet e tyre përmbajnë një ngarkesë të fortë simbolike dhe politike. Në to ndërthuren tre simbole të rëndësishme: katër figurat që konsiderohen “etërit e Evropës”, se dyti portreti i Karl Marks dhe se treti simboli i çelësit në pullat “Europa”, që përfaqëson idenë e bashkimit evropian. Kjo ndërthurje e bën zarfin jo vetëm një objekt filatelik, por edhe një metaforë të historisë politike të Evropës së shekullit XX.

Në anën e perparme të zarfit shfaqen katër personalitete që lidhen me projektin e integrimit evropian: Konrad Adenauer, Robert Schuman, Alcide De Gasperi dhe Winston Churchill. Ata janë figura që pas Lufta e Dytë Botërore promovuan pajtimin dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Evropës Perëndimore. Përmes iniciativave të tyre lindën institucionet e para të integrimit evropian, që më vonë çuan në krijimin e Bashkimi Evropian. Në një kohë kur Evropa ishte e ndarë në dy blloqe ideologjike, këto figura përfaqësonin modelin politik të demokracive perëndimore. Në të njëjtin zarf gjendet edhe portreti i Karl Marks-it, filozofit dhe mendimtarit që konsiderohet themeluesi i teorisë komuniste. Për një shtet si Shqipëria e viteve gjashtëdhjetë, ideologjia e të cilit mbështetej në marksizëm-leninizëm dhe udhëhiqej nga Enver Hoxha, figura e Marks-it ishte plotësisht e pranueshme dhe madje e respektuar. Kjo krijon një kontrast interesant: në të njëjtin zarf bashkëjetojnë figurat simbolike të integrimit evropian dhe figura teorike e komunizmit. Në një kuptim të gjerë, zarfi përmbledh dy tradita të mëdha të mendimit politik europian, atë të demokracisë liberale dhe atë të kritikës revolucionare të kapitalizmit.

Simbolika e tretë e rëndësishme është çelësi në pullat “Europa”. Kjo seri e organizuar nga administratat postare evropiane simbolizonte komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të kontinentit. Çelësi përfaqësonte metaforikisht “hapjen e Evropës”, mundësinë për të kapërcyer kufijtë politikë përmes komunikimit kulturor dhe postar. Në një zarf që drejtohej drejt një vendi të izoluar si Shqipëria e asaj kohe, kjo figurë merr një kuptim edhe më të fortë simbolik. Zarfi vetë bëhet një lloj çelësi që lidh dy botë të ndara nga ideologjia dhe politika.

Këtu lind pikëpyetja kryesore: si e kaloi ky zarf kontrollin e censurës? Në Shqipërinë komuniste posta ndërkombëtare shpesh kontrollohej nga organet e sigurisë. Çdo material i dyshimtë, veçanërisht ai që vinte nga vendet perëndimore, mund të ndalohej ose të analizohej me kujdes. Megjithatë, është e mundur të imagjinohen disa situata që mund ta kenë lejuar kalimin e tij.

Një mundësi është që punonjësi i censurës të mos i ketë njohur menjëherë figurat e katër liderëve evropianë. Për një punonjës që nuk ishte i specializuar në historinë politike të Evropës Perëndimore, portretet e tyre mund të dukeshin si figura të zakonshme historike. Një mundësi tjetër është që prania e portretit të Karl Marks-it të ketë krijuar një lloj “garancie ideologjike”. Duke parë figurën e themeluesit të teorisë komuniste, kontrolluesi mund të ketë supozuar se zarfi nuk përmbante një mesazh të dyshimtë politik.

Por mund të imagjinohet edhe një skenar më njerëzor. Punonjësi i censurës, duke parë një zarf të dërguar nga jashtë dhe të mbushur me pulla të ndryshme, mund ta ketë konsideruar atë thjesht një dërgesë filatelike pa ndonjë rëndësi politike. Në fund të fundit, filatelia ishte një pasion i përhapur dhe shpesh shihej si një aktivitet kulturor më shumë sesa politik. Ndoshta për një moment ai ka hezituar, ka vështruar figurat, ka menduar nëse duhej ta ndalte apo jo, dhe më në fund ka vendosur ta lejojë të kalojë.

Nga ana tjetër, edhe dërguesi i zarfit mund të ketë vepruar me finesse diplomatike. Është e faktuar që ai ishte pervecse një filatelist i apasionuar, edhe një diplomat karriere nga Gjermania Perëndimore, i cili ka shërbyer në disa shtete, përfshirë Italinë dhe vende të tjera evropiane, deri ne Lindjen e larget. Zgjedhja e pullave mund të ketë qenë një kombinim i zgjuar midis interesit të tij filatelik dhe ndjesisë së hollë diplomatike. Vendosja e portretit të Karl Marks bashkë me liderët e Evropës Perëndimore krijonte një lloj balance simbolike që e bënte zarfin të mos dukej provokues për një regjim komunist, duke ofruar gjithashtu një arsye të pranueshme që ta kalonte kontrollin e censurës.

Për marrësin e zarfit, i cili ishte një filatelist shqiptar, ky objekt kishte një kuptim shumë më të thellë. Në një vend të izoluar ku kontaktet me botën e jashtme ishin të kufizuara dhe ku miqësia politike zyrtare mbështetej kryesisht tek Kina, një zarf i ardhur nga Evropa Perëndimore ishte më shumë se një dërgesë postare. Ai ishte një dritare e vogël drejt një bote tjetër. Filatelisti që e merrte këtë zarf ndoshta nuk shihte vetëm vlerën e pullave si objekte koleksioni. Ai mund të shihte në to një lidhje simbolike me qytetërimin europian, me historinë dhe kulturën e një kontinenti me të cilin Shqipëria kishte pasur lidhje të thella në të kaluarën. Përmes pasionit të filatelisë dhe përmes korespondencës me koleksionistë të huaj, ai ruante në mënyrë të heshtur një marrëdhënie kulturore me botën përtej kufijve ideologjikë.

Kështu, ky zarf i vogël merr një kuptim shumë më të madh se funksioni i tij postar. Ai bëhet një dëshmi e mënyrës se si kultura, pasionet personale dhe komunikimi njerëzor mund të kapërcejnë kufijtë politikë. Ai tregon se edhe në periudha izolimi të fortë, ekzistonin ura të vogla që lidhin njerëzit me botën përtej. Në fund, pyetja nëse ky zarf e kaloi censurën rastësisht apo falë një kombinimi të zgjuar simbolesh mbetet e hapur. Por pikërisht kjo pasiguri e bën historinë e tij edhe më interesante. Ai mbetet një kujtesë se ndonjëherë edhe një objekt i vogël si një zarf postar mund të mbajë brenda vetes një histori të tërë për politikën, kulturën dhe dëshirën njerëzore për të komunikuar përtej kufijve.

Filed Under: Interviste

Albanian Night @ Yankee Stadium

March 19, 2026 by s p

Albanian Night @ Yankee Stadium.

Filed Under: Komunitet

O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

March 18, 2026 by s p

– Një monument i rikthyer në dritë –

Historia e kombeve të vjetra është shpesh një pëlhurë e endur me fije gjaku, harrese dhe, fatmirësisht, ringjalljeje. Shtëpia Botuese “Fiorentia” ka nderin dhe përgjegjësinë e lartë të sjellë para lexuesit shqiptar një vepër monumentale, një dëshmi të pashlyeshme të atdhedashurisë dhe të sakrificës sublime. Kur rrugëtimi ynë filloi si një vizion i qartë kulturor në vitin 2001, për t’u ngjizur më pas me plotni si shtëpi botuese në vitin 2012, misioni ishte pikërisht ky: t’i japim zë të vërtetave të mëdha të kombit, të nxjerrim nga pluhuri i harresës ata burra që bënë historinë, por që historia i la nën hijen e mosmirënjohjes.

Kjo vepër e përmbush plotësisht këtë mision të shenjtë. Libri “O sot, o kurrë! O flamur, o dekë!” i autorit dhe studiuesit të palodhur Pjetër Logoreci, është një akt i mirëfilltë drejtësie historike, një monument i ngritur me fjalë dhe dokumente aty ku mermeri dhe bronzi kanë munguar. Në qendër të këtij vëllimi qëndron figura e Imzot Nikollë Kaçorrit, klerikut dhe atdhetarit të pashoq, arkitektit të heshtur, por thelbësor, të Pavarësisë së Shqipërisë. I lindur në ashpërsinë fisnike të maleve të Lurës dhe i brumosur me dije në djepin kulturor të Shkodrës, Dom Nikollë Kaçorri përfaqëson atë sintezë të përsosur ku kryqi dhe flamuri bëhen një. Feja për të nuk ishte një izolim nga bota, por një thirrje hyjnore për t’i shërbyer me devotshmëri atdheut të robëruar.

Autori Logoreci na e zbulon Kaçorrin jo thjesht si një prelat të devotshëm, por si një strateg të çështjes kombëtare. Përballë Perandorisë Osmane dhe synimeve gllabëruese të fqinjëve ballkanikë, ai nuk reagoi verbërisht si një viktimë e fatit. Përkundrazi, ai i llogariti lëvizjet e tij diplomatike dhe kryengritëse me saktësinë e një mjeshtri në një lojë të ndërlikuar shahu, ku çdo lëvizje e gabuar mund të kushtonte ekzistencën e vetë kombit. Si nënkryetar i qeverisë së parë të Vlorës, duke qëndruar në krah i djathtë të Ismail Qemalit, ai ishte organizatori i vërtetë i rezistencës, njeriu që shndërroi famullinë e tij në Durrës në një epiqendër të atdhetarizmit, të shpërndarjes së librit shqip dhe të përgatitjes së lëvizjeve të armatosura të Kurbinit.

Në këtë libër, autori nuk synon të shkruajë një biografi klasike të kësaj figure historike, por të sjellë në dritë dokumente, dëshmi dhe materiale të panjohura që hedhin dritë mbi rolin e Kaçorrit në ngjarjet kyçe të Rilindjes Kombëtare dhe të shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e madhe e këtyre dokumenteve janë zbuluar nga vetë autori në arkivat e Vjenës dhe janë botuar për herë të parë në këtë libër.

Puna hulumtuese e Logorecit në arkivat e Vjenës është e një rëndësie të jashtëzakonshme për historiografinë tonë. Me një përkushtim vullnetar që kapërcen thjesht pasionin e historianit, ai ka gërmuar nëpër fondet e pluhurosura dhe shpesh të paeksploruara të diplomacisë austro-hungareze për të sjellë në dritë dokumente thelbësore të panjohura më parë. Letrat dërguar personalisht Perandorit Franz Josef ku kërkohej mbrojtja e trojeve shqiptare, telegramet konfidenciale të konsujve austriakë, apo raportet e detajuara mbi arrestimin, burgosjen dhe keqtrajtimin brutal të Kaçorrit nga xhandarmëria turke – të gjitha këto vijnë të zbardhura me një saktësi shkencore.

Imzot Nikollë Kaçorri: klerik, patriot dhe arkitekt i pavarësisë

Në qendër të kësaj vepre qëndron figura e Imzot Nikollë Kaçorrit (1862–1917), një personalitet që mishëron një ndërthurje të rrallë mes përkushtimit fetar dhe idealit kombëtar. I lindur në trevën e Lurës dhe i formuar në traditën kulturore të seminarit jezuit të Shkodrës, ai përfaqësonte një brez klerikësh shqiptarë të cilët e panë shërbimin fetar të pandarë nga detyrimi moral ndaj atdheut.

Studimet e tij teologjike në Itali dhe shërbimi si meshtar në dioqezën e Durrësit e vendosën atë në një pozicion ku ai mund të ndikonte jo vetëm në jetën shpirtërore të komunitetit, por edhe në zhvillimet kulturore dhe politike të vendit. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Shqipëria gjendej në një moment kritik historik: perandoria osmane po dobësohej, ndërsa aspiratat për autonomi dhe pavarësi po merrnin formë gjithnjë e më të qartë.

Në këtë kontekst, Kaçorri u shndërrua në një nga figurat më aktive të lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai mori pjesë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të kohës, si Kongresi i Manastirit, ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe, si dhe në kongreset e tjera kombëtare që synonin zhvillimin e arsimit dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Veprimtaria e tij nuk ishte vetëm kulturore. Kaçorri ishte një nga organizatorët e kryengritjeve kundër pushtetit osman në zonën e Shqipërisë së Mesme dhe një figurë me ndikim në organizimin politik të shqiptarëve në prag të pavarësisë. Kulmi i kësaj veprimtarie ishte pjesëmarrja e tij në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, ku u shpall pavarësia e Shqipërisë. Në këtë kuvend historik ai mori pjesë si delegat i Durrësit dhe u zgjodh nënkryetar i qeverisë së parë shqiptare në krah të Ismail Qemalit, duke u bërë një nga figurat kryesore të shtetit të ri shqiptar.

Një figurë në hijen e harresës historike

Një nga temat që përshkon librin është edhe reflektimi mbi mënyrën se si historia shqiptare ka trajtuar figurën e Nikollë Kaçorrit. Pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë dhe në qeverinë e parë shqiptare, emri i tij nuk ka zënë gjithmonë vendin që meriton në historiografinë dhe në kujtesën publike. Sipas autorit, kjo harresë lidhet pjesërisht me faktorë ideologjikë që ndikuan në interpretimin e historisë gjatë periudhës së regjimit komunist. Si klerik katolik dhe si figurë e lidhur me elitën politike të kohës së pavarësisë, Kaçorri nuk u trajtua gjithmonë me objektivitet në historiografinë zyrtare.

Pikërisht për këtë arsye, një nga synimet kryesore të këtij libri është rehabilitimi historik i kësaj figure dhe rikthimi i saj në vendin që i takon në panteonin e figurave të mëdha të kombit shqiptar.

Riatdhesimi i eshtrave të Kaçorrit

Një nga kapitujt më prekës të kësaj vepre lidhet me përpjekjet e autorit për të rikthyer në atdhe eshtrat e Imzot Nikollë Kaçorrit. Pas vdekjes së tij në Vjenë në vitin 1917 dhe varrosjes në varrezat qendrore të qytetit, për gati një shekull figura e tij mbeti në një farë harrese historike. Vetëm në vitin 2011 eshtrat e tij u riatdhesuan dhe u rivarrosën në Durrës.

Fati i këtij kolosi mund të përshkruhet denjësisht vetëm përmes një metafore të fuqishme danteske, një rrugëtim shpirtëror i ndarë në tre epoka: jeta e tij e mbushur me persekutime, dhunë fizike dhe burgje osmane përkthehet në një ferr të vërtetë tokësor; vdekja e tij larg atdheut në një sanatorium të Vjenës në maj të vitit 1917 dhe harresa institucionale 94-vjeçare në një varr të huaj, përfaqësojnë një purgator të gjatë e të dhimbshëm për shpirtin e tij dhe për vetë ndërgjegjen tonë kombëtare; ndërsa exhumimi dhe riatdhesimi i eshtrave të tij në shkurt të vitit 2011, falë përpjekjeve titanike dhe krejtësisht vetmitare të Pjetër Logorecit, shënon ngjitjen e merituar të këtij heroi në parajsën e përjetshme të lavdisë së kombit tonë.

Lexuesi do të prekë në këto faqe me dridhje zemre kalvarin burokratik, administrativ dhe sfidat e pafundme që autori kaloi në Austri për të realizuar këtë projekt sublim. Dhe kjo bëhet edhe më tronditëse kur vendoset përballë një indiference të ftohtë e shpesh të turpshme të institucioneve shtetërore e politike shqiptare, të cilat e lanë në heshtje këtë ngjarje madhore. Zoti Logoreci luftoi me burokracinë e huaj, me kostot financiare dhe me heshtjen zhurmuese të zyrtarëve të Tiranës, duke dëshmuar me vepra se dashuria e vërtetë për atdheun nuk pret dekrete nga lart, por kërkon veprim e sakrificë të menjëhershme. Kthimi i sargut të mbuluar me flamurin kuqezi në kishën e Shën Luçisë në Durrës, i rrethuar vetëm nga dashuria e qytetarëve të thjeshtë, është fitorja përfundimtare e dritës mbi errësirën e harresës.

Në këtë paraqitje, e cila i paraprin kësaj vepre monumentale, ftojmë lexuesit, historianët, studiuesit dhe çdo qytetar të zhytet në këto faqe me një ndjenjë nderimi e përulësie të thellë. Ky libër i jep botimit tonë një peshë jashtëzakonisht prestigjioze, pasi nuk është thjesht letër dhe bojë. Është një testament kombëtar, një akt-akuzë e drejtpërdrejtë ndaj mosmirënjohjes dhe një homazh sublim për ata që sakrifikuan gjithçka që ne sot të quhemi e të jemi shqiptarë.

Një vepër për kujtesën historike

Libri “O sot, o kurrë! O flamur, o dekë!” është një kontribut i rëndësishëm në pasurimin e historiografisë shqiptare dhe në rivlerësimin e figurave të rëndësishme të së kaluarës sonë. Përmes një pune kërkimore të gjatë dhe të përkushtuar, autori arrin të ndërtojë një tablo të pasur historike që ndriçon jo vetëm jetën dhe veprën e Imzot Nikollë Kaçorrit, por edhe kontekstin politik dhe kulturor të një periudhe vendimtare për kombin shqiptar.

Në këtë kuptim, libri është një dëshmi e rëndësishme për kujtesën historike dhe një ftesë për të reflektuar mbi rolin që figurat e mëdha të historisë kanë në formimin e identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare.

Puna kërkimore e Pjetër Logorecit dëshmon se historia nuk është vetëm një rrëfim i së kaluarës, por edhe një detyrim ndaj së vërtetës dhe ndaj kujtesës së atyre që kontribuan në ndërtimin e shtetit dhe të kombit shqiptar.

“O sot, o kurrë! O flamur, o dekë!” Ky ishte kushtrimi i Imzot Nikollë Kaçorrit në orët më të errëta të Shqipërisë. Dhe ky mbetet edhe sot detyrimi ynë suprem moral: të mbrojmë, të ndriçojmë dhe të nderojmë historinë tonë të vërtetë.

Redaksional

i Shtëpisë Botuese “Fiorentia”

Filed Under: LETERSI

Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…

March 18, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Zavalani mbetet një kujtesë e fortë se liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten. Tajar Zavalani mbetet një nga ato figura të mendimit shqiptar që nuk mund të kuptohet thjesht si një emër në histori, por si një ndërgjegje që refuzoi të pajtohej me kohën e vet. Ai i përkiste atij brezi intelektualësh që e shihnin Shqipërinë jo si një realitet të përfunduar, por si një projekt të papërmbushur, si një ide që kërkonte vazhdimisht sakrificë dhe qartësi morale. Në këtë kuptim, jeta e tij ishte më shumë një përballje sesa një rrëfim: përballje me pushtetin, me iluzionet dhe me vetë kufijtë e njeriut shqiptar.

Në thelb, Zavalani ishte një njeri i mendimit kritik. Ai nuk u kënaq kurrë me të vërtetat e gatshme dhe as me kompromiset e lehta që shpesh i joshin shpirtrat e lodhur. Në një kohë kur ideologjitë kërkonin besnikëri të verbër, ai zgjodhi rrugën më të vështirë: të mbetej besnik ndaj arsyes. Kjo e bëri të papërshtatshëm për çdo regjim që kërkonte uniformitet, sepse ai nuk ishte thjesht kundërshtar i një sistemi, por një dëshmi e gjallë se mendimi i lirë nuk mund të nënshtrohet.

Por ajo që e bën Zavalanin të rëndësishëm nuk është vetëm qëndrimi i tij kundër tiranisë, por mënyra se si ai e kuptonte lirinë. Për të, liria nuk ishte një slogan, as një premtim i largët politik; ishte një gjendje e brendshme, një përgjegjësi që kërkonte guxim të përditshëm. Në këtë kuptim, ai i përkiste një tradite të rrallë mendimi, ku intelektuali nuk është vetëm vëzhgues, por edhe dëshmitar i së vërtetës, edhe kur kjo e vërtetë e dënon me vetmi.

Historia e tij personale, e shënuar nga përndjekja dhe mërgimi, e bën edhe më të qartë këtë dimension tragjik. Ai nuk ishte viktimë e rastësishme e rrethanave, por një njeri që pagoi çmimin e bindjeve të veta. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij: në refuzimin për të hequr dorë nga vetja, edhe kur bota përreth i kërkonte të bëhej dikush tjetër.

Sot, kur e shohim në distancë, figura e Tajar Zavalanit na vë përpara një pyetje të thjeshtë, por të pakëndshme: a kemi ende guximin për të menduar si ai? Sepse problemi nuk është më mungesa e lirisë në formën e saj brutale, por shpesh mungesa e vullnetit për ta përdorur atë. Në një botë ku konformizmi vishet me maska të reja, Zavalani mbetet një kujtesë e fortë se liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten. Në fund, ai nuk na lë një trashëgimi të lehtë. Ai nuk na ofron ngushëllim, por një sfidë. Dhe ndoshta kjo është forma më e ndershme e një jete intelektuale: të mos të lërë të qetë, por të të detyrojë të mendosh.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 2923
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949
  • ABIDIN DINO, ARTISTI MË I MADH TURK ME ORIGJINË SHQIPTARE I SHEKULLIT XX
  • Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT