• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjalimi i Presidentes Osmani në përurimin e bustit të Nënë Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup

September 12, 2023 by s p

Në jetën e saj të bujshme, nëna jonë Terezë bashkoi njerëzit, popujt dhe kulturat. Me veprën e saj jetësore, ajo u bë shpresa për të varfrit, frymëzim për njerëzimin dhe udhërrëfyese e përbotshme.

Sot jemi këtu për ta përjetësuar figurën e saj në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, në vendin e saj të lindjes.

Nga këtu, misionarja, humanistja, nobelistja e shenjëtorja jonë, nisi një udhëtim me qëllim, i cili do ta çonte përtej kufijve të atdheut të saj dhe në zemrat e miliona njerëzve në mbarë globin.

Dashuria dhe ndjeshmëria ndaj njerëzve dhe njerëzimit është ana e fortë e karakterit dhe moralit të nënës sonë të madhe, ndaj në asnjë ditë të vetme të jetës së saj nuk reshti duke bërë vepra humane mbi bazën e dashurisë dhe dhembshurisë ndaj te tjerëve. Këtë e dëshmojnë edhe faktet historike, jeta dhe vepra e saj.

“Unë ja kam dhanë besën e shqiptarit Zotit me prue dashni dhe paqe mbi gjithë botën”, thuhet në një letër dorëshkrim, të cilin Nënë Tereza, më 1989 ia ka drejtuar kreut të atëhershëm të Shqipërisë.

Sot, jemi bashkë në këtë ceremoni nga të tri shtete fqinje, me të cilat lidhet historia personale e Nënë Terezës.

Është e lindur në Shkup, prindërit e saj janë nga Kosova, ndërkaq në Shqipëri, respektivisht në Tiranë, jetuan dhe vdiqën njëra pas tjetrës nëna Drande dhe motra Age.

Prandaj, jam e lumtur që sot jemi bashkë me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj , duke u bërë te gjithë bashkë në nderim të shënjtorës sonë si një simboli i miqësisë sonë ndërmjet shteteve, marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme dhe të ardhmes sonë të ndritur në familjen euroatlantike.

Shtetet tona janë shtylla të qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe miqësisë ndërmjet popujve tanë, në një rajon të trazuar. Afërsia jonë gjeografike, historia e ndërthurur dhe vizioni i përbashkët euroatlantik janë e përbashkëta jonë dhe shpresë për një rajon stabil dhe të zhvilluar ekonomikisht.

Miqësinë tonë e bën më të fortë, figura e Nënë Terezës.

Ajo po kthehet e skalitur në Shkupin e saj, ndërkaq ne të gjithë duhet të jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, nënën e nënave, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjten Terezë.

“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e ikonës globale, simbolit të dhembshurisë, dashurisë dhe vetëmohimit – Nënës Terezë.

Vepra e Nënë Terezës është një testament i gjallë i fuqisë së një individi për të bërë ndryshim. Me përkushtim të pakufishëm, ajo iu afrua atyre që shoqëria i kishte lënë me një anë, duke u kujdesur për të sëmurët, të varfëritë dhe njerëzit e tjerë në nevojë me një dashuri që nuk njihte kufij.

Zemërgjerësia e saj, tejkaloi fetë, kombet dhe statuset shoqërore, duke bashkuar njerëzit nën flamurin e dhembshurisë dhe humanizmit.

Ky bust, që do të përurohet sot, është simbol kujtese jo vetëm i jetës së Nënë Terezës, por edhe i vlerave që ajo mbrojti – mirësisë, përulësisë dhe dashurisë për njerëzit.

Duke qenë bijë e nënës Dranafille Bojaxhiu nga Prizreni dhe babait Nikollë Bojaxhiut nga Gjakova, shikimi i saj në bust sikur është kthyer nga andej prej nga, gjeografikisht vijnë prindërit e saj, dhe na kthen në vëmendje ditët e errëta të luftës së vitit ‘99, kur ne na kërcënohej shfarosja nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit e kur Nëna Terezë mori në telefon presidentin Clinton dhe i tha: “Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”. Presidenti Clinton dhe e gjithë bota demokratike na dolën në ndihmë, derisa Shqipëria e Maqedonia e Veriut kishin hapur dyert e zemrat për qindra mijëra refugjatë nga Kosova.

Kjo ditë në të cilën ne po e përurojmë bustin e Shën Terezës përkon me një ngjarje të hidhur, me përvjetorin e 11 shtatorit të vitit 2001, kur aleati ynë i përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pësuan një ndër goditjet më të rëndë terroriste, nga sulmet e koordinuara terroriste, të cilat tronditën themelet e demokracisë dhe ndryshuan rrjedhën e historisë.

Prandaj, nga ky përurim i bustit të Nënës që kontribuoi shumë për paqe e dashuri ndërmjet kombeve, duam sërish të kujtojmë mijëra viktimat që humbën jetën më 11 Shtator dhe të urojmë për paqe kudo në botë.

Një botë ku dhuna dhe urrejtja zëvendësohen me ndjeshmëri, dhembshuri dhe respekt për njerëzimin, ashtu siç bëri dhe siç na la testament Nëna Terezë.

Kjo, ngaqë në këtë botë mbijetojnë veprat e mira, ndaj nuk duhet të reshtim asnjëherë duke bërë vepra të tilla.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Le t’i bëjmë ato gjëra të vogla dhe le t’i bëjmë me dashuri të madhe”, thotë Nëna Terezë.

Nëna jonë Terezë nuk është vetëm bust i skalitur në mermer, por është në jetën e transformuar të miliona njerëzve dhe në dashurinë e pakufishme që dhuroi.

Ambasada e Republikës së Kosovës , prej sot është e bekuar me prezencën e përhershme të Nënës Terezë!

Shpirti i saj e ka gjetur paqen e përjetshme, ndërkaq trashëgimia e saj do të vazhdojë të na udhëheqë në rrugëtimin tonë drejt një bote më të dhembshur, më humane e më të mirë!

Filed Under: Politike

“Rebeli” i jazz-it, Ermal Rodi

September 12, 2023 by s p

Denion Ndrenika/

Duke qenë se me Enkel Demi jemi miq, bashkë në media që në 1992, shpesh edhe pse larg tashmë, klikoj dhe ndjek emisionet e tij, edhe postimet në facebook, me një prirje ngacamane meqënse edhe ai debatin e ka për zemër.

Në morinë e emisioneve që shoh edhe kur janë të shkuar, më tërhoqi vëmendjen një emër muzikanti: Ermal Rodi. Ishte në “Fol me Kelin” në ABC Neës në Tiranë.

Muzikën e kam vënë përherë pas sportit në rininë e hershme të përpara viteve 1990.

Më pas nga liria e fituar dhe shprehja e çfarë kishim mësuar copazi, përqendrohesha te “Beatles”, Mick Jaçker, Joe Cocker, Zepelin, si edhe te folklori, veçanërisht i trevave të Shqipërisë jashtë kufijve londinezë të 1913.

Në një emision të Enkelit, Ermali më la mbresë për artikulimin me elegancë të pikëpamjeve për zhanrin jazz, që në të vërtetë më tërhqite disi me ato pak njohuri apo ndjesi që kisha për muzikën.

Ka qenë dita botërore e muzikës Jazz, 30 prilli kur Rodi fliste me Enkelin në një kohë jo të lehtë të pandemisë së koronavirusit.

Ermali, pasi dëgjova pjesë të tij dhe bendit të tij, duket me një lloj rebelizmi në krijimtari.

Sikur të nxit ta bësh pjesë të përditshmërisë muzikën jazz, veçanërisht për njohësit e pakët. Ky është sukses, sepse afron ata që nuk dinë, dinë pak ose janë të paqartë.

Ermali vjen nga muzika klasike dhe më pas sikurse nddh shpesh, rock & roll të përfshin, “Beatles” fenomenalë të njehsohen me veten pavarësisht mangësive dhe njohurive që ke.

Ermali ka luajtur në klarinetë dhe në saks me Orkestrën Simfonike të “Radio Televizionit Shqiptar”. Gjithashtu si saksofonist ai ishte pjesë e Orkestrës së televizionit “Top Channel”.

Ka një lloj sentence që përkufizon muzikën që luan Ermali: Çdo notë jazz, është rebelion.

Kjo u shpërfaq fort në kohën kur amerikanët u përfshinë në lëvizjen për të drejtat qytetare të popullatës me ngjyrë që përballej me nënçmimin “zezakë”, të afroamerikanëve.

Veglat frymore qoftë të traditës si fyelli, cyla, ashtu edhe të tjerat trompë, saksofon, klarinetë, flaut, përfshijnë kryesisht në çdo hap muzikantët që në rini.

Jazzi ka improvizim në çast dhe historia amerikane e dëshmoi këtë krijimtari të atij çasti për njerëzit dhe vetë muzikantët.

Nju Jorku kryeqendër jazzi botëror shpreh më së miri hapësirën e krijuesve, ku Ermal Rodi na tregohet me historikun e tij.

Ermal Rodi është bashkë-themelues i “Albanian Jazz Society”, shoqata e parë e Jazz-it Shqiptar.

Filed Under: Kronike

RRUGA DHE DEMOKRACIA

September 12, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

-ESE-

Ju, ndoshta nuk e njihni atë qytet në periferi të Boston dhe ajo ishte një nga rrugët që jo shumë njerëz të atij qyteti mund ta njohin.

Emri “ Ingersoll Road” nuk ju thotë asgjë, po kështu edhe gjatësia prej rreth treqind metra.

Në fëmijërinë time rrugën e imagjinoja një lakore të stërgjatë, që hapej në fundin e saj si një deltë lumi në të cilën të verbohej shikimi nga mirazhi i panjohur.

Kujtesa e vetëtimtë më ndriçon rrugicat e reja të Tiranës në thellësi të lagjeve, ku kam parë ndonjëherë emra me hije që zgjaten tej historive të panjohura, që lenë gjurmë plot dyshime në zonat e thella të mendimit…

Jimi Hendrix më sjell në vëmendje se…

“Çdo qytet në botë ka gjithmonë një bandë, një bandë rrugësh ose të ashtuquajturit të dëbuar.”

Sa herë që udhëtoj në autostradat që lidhen me Boston, më kaplon një ide se… Amerika është rrugë… dhe rrugët nuk mbarojnë as në qiell.

Nuk e di nëse mund të mendoj se edhe “rruga të çon në Amerikë”!?

E më pas Bob Dylan… “Askush nuk ju ka mësuar ndonjëherë se si të jetoni në rrugë.”

Kam jetuar në “Newbury street”, të cilën e ndan një bllok nga “Boylston street”, rruga e famshme ku përfundon maratona e Bostonit.

Nuk e di pse çatitë në katet e fundit të ndërtesave aq të bukura karakteristike në anët e rrugëve të kësaj zone, më kujtonin kapelen e gjeneralit Oliver Cromwell.

Në këtë rrugë ndodhi edhe masakra e njohur me autorë dy vëllezërit Tsarnaev në fundin e maratonës, e përjetësuar në filmin “Dita e patriotëve” me Mark Wahlberg.

Sa herë kaloja në Boylston street, nga Prudential në Copley Square, më dukej sikur më kumbonin në veshë klithmat e të pafajshmëve, viktima të urrejtjes obskurantiste terroriste, armiq të lirisë, kur shikoja njerëz me proteza, njerëz të pamposhtur, pasojë e asaj masakre.

Rruga është vendi ku manifestohet fuqia e vërtetë e shoqërisë njerëzore, ndaj u godit Boylston street, bulevardi kryesor i Back Bay të Boston.

Në rrugë kanë filluar lëvizjet që kanë ndryshuar botën.

Po Gavroshi nga cila anë e barrikadës u vra?

Përgjakja e rrugëve është mitra e lirisë!!

Rrugët njohin lindjen e dashurive romantike dhe janë “maternitet aventurash”, që çliron energjitë pasionante të shpirtit njerëzor.

Gara e famëshme e Rrally, Paris-Dakar, bashkonte dy kontinente.

Edhe rruga është shpikje e njerëzimit edhe morali ështe shpikje e njerëzimit…

Nuk e di se cilën të zgjedh nëse do të më kërkohet një alternativë??

Nuk më linte kurioziteti të pyesja vehten, kur gjatë një udhëtimi duke kaluar në Portsmouth të New Hampshire, (para se të mbërrija në një kafene nga më të mirat në atë zonë, New Hampshire dhe Maine, Lil’s cafè në Kiterry), vendi ku u vendos koloni i parë në gjithë bregun lindor të USA, se cila rrugë u ndërtua e para nga kolonialët me parametra modernë?!

Kur kalova në urën e Portsmouth, që ndan shtetet New Hampshire me Maine, vërejta se në targën e makinave të New Hampshire shkruhej motoja e këtij shteti “Live free or die”, (Jeto i lirë ose vdis)!

Sa shumë më pëlqeu, sepse më erdhi sikur të jetë moto e shqiptarëve. Ndër shekuj është arsyetuar kështu në trojet tona.

Argjiro, Maro Konda dhe të tjera heroina shqiptare, janë hedhur nga shkëmbi me këtë moto.

Edhe në filmin “Në strofullën e ujqërve”, (The grey), në fund të tij, John Ottway (aktori kryesor Liam Neeson), kur u ndodh përballë kryetarit të tufës së ujqërve, vetëm ai ishte i zi, e pa në sy dhe i tha… “Jeto ose vdis sot”!

Jemi në New Hampshire…

Kur meditoj, se “prek” tre shtete brenda pak orësh, më duket vetja një federalist.

Gjithmonë më ka intriguar ky term…

A jemi ne shqiptarët federalistë??

Në Kiterry, qytet turistik në shtetin e arragostave, siç quhet Maine buzë Atlantikut, ku mbërrita nga Boston me dy autostrada me numër 95 dhe 495, ndodhet porti më i vjetër i ndërtimit të anijeve në USA dhe një rrugë me emrin miklues për fëmijët, Pocahontas.

E keni parë qeshjen e lirisë në sytë dhe duart e një fëmije jashtë xhamit të dritares së autobuzit, kur ai përcjell rrugën që ecën me shpejtësi në kahje të kundërt me të?

Edhe “Djemtë e rrugës Pal” e mbronin me jetë rrugën, ishte liria e tyre dhe heronjtë tanë ishin edhe Nemeçeku e Jani Boka…

Sa herë kam përshkuar Europë-Amerikë i kam përsëritur vehtes se…

Atlantiku, nuk do të shuhet kurrë si ëndrra e lirisë…

Rrugët janë edhe detare e ajrore, ku liria në to më duket sikur i ngjan asaj të “një kafshe të egër, por në kushtet e habitatit natyror të xhunglës.”

Kur isha student, xhirrot e mbrëmjes të së dielës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rreth viteve ‘80 më bënin të ndihesha dikush tjetër, një “qytetar perëndimor i Avenue Champs Elysee”, më dukej sikur jetoja për orët e asaj xhirroje…

Pse duhej që vetëm Dr.Raviku të kishte “Avenue”?

Improvizimet e artistëve të artit të rrugës i bën ata të famshëm, sepse kanë lirinë individuale, lirinë që ju jep rruga për të dhënë më të mirën e tyre.

“Amerika është një ide unike në botë”, motoja e fjalimit të presidentit Biden, mbështetur mbi vizionin e Jefferson, me të cilën fitoi zgjedhjet, ilustron edhe të vërtetën e emrit “Ingersoll Road”.

Ishte viti 1971 dhe bashkia e atij qyteti në shtetin e Massachusetts të USA njoftoi banorët e rrugës për një takim, sepse do i vendosnin emrin asaj.

Ai komunitet përbëhej nga një numër i vogël banorësh që jetonin në një numër shtëpish të cilat numëroheshin aq sa nuk plotësonin dy duzina…

Në ditën e caktuar në takim shkoi vetëm njëri prej tyre… i quajtur Darren Ingersoll, (një irish)!

Në mbledhjen e zhvilluar u votua në bazë të ligjit dhe… u quajt “Ingersoll Road” vetëm me një votë të Darren, i cili votoi për emrin e tij…

Rruga është arteri i vetëm ku udhëton demokracia!

Atje, më shumë se kudo, ndihem i lirë.

Rruga është Liria ime…

Nëse doni të vritni Lirinë, vritni më parë rrugën.

Në sheshin e Athinës së antikitetit, ku lindi demokracia, që në shekullin e pestë para Krishtit, qytetarët e lirë votonin drejtpërdrejtë, gjë që shprehte një sistem politik të sunduar nga ata, duke treguar se janë të parët me verdiktin e tyre me rolin aktiv në atë sistem.

Ndonjëherë shikoj ëndrra fëmijësh me referendume në çdo dy vjet, që të ndihem në pak kohë si një athinas i antikitetit, por…

Soloni, Kleistheni, Perikliu apo Demosthenis me të tjerë nuk jetuan në viset e mia dhe as lanë dishepuj në to.

Rruga dhe sheshet e vendit tim janë gjithmonë të zbrazëta…

Ato të Parisit nuk kanë parë kurrë më shumë njerëz, se sa kur përcollën Babain e Francës, plakun Hygo.

Po mendimi im me se udhëton, po rrugët e tij kush janë?

Kush e ka itinerarin më të largët, unë apo mendimi?

Portreti nuk më tregon instiktin e njeriut që di, por i ngjan një skeptiku kantian, që i fshihet të vërtetave, ngaqë është më i pashpresë se një shkëndijë e lodhur në përpjekje për tu çliruar… (Tymi nuk i ngjan zjarrit)!

Duket sikur ka ngelur në një stacion destinacioni të vjetër…

“Ne nuk jemi bërë një enë shkrirjeje, por një mozaik i bukur. Njerëz të ndryshëm, besime të ndryshme, dëshira të ndryshme, ëndrra të ndryshme.”

– Jimmy Carter

Është “Ingersoll road”, bashkia e një qyteti në shtetin e Massachusetts dhe demokracia amerikane…

Filed Under: ESSE

#SiSot, më 12 shtator 1998, u vra në pritë deputeti Azem Hajdari

September 12, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

“Vrasja e shekullit”, sikurse e quajti shkrimtari Ismail Kadare, u parapri prej disa atentatesh radhazi përgjatë vitit 1997 kundrejt ish-udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990. Atentati i parë u shënua në qershor të atij “viti të mbrapshtë”, në Shkallnuer të Durrësit. Dy muaj më pas, Hajdarit iu ngrit pusi në Qafën e Buallit në Sarandë, ndërsa më 18 shtator 1997, mbeti i plagosur në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë, i qëlluar me pesë plumba nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Gafurr Mazreku (lexo dokumentin). Dy atentate të tjera do të zhvilloheshin në muajt që pasuan, derisa Hajdari të mbetej i vrarë para selisë së Partisë Demokratike.

Hajdari ushtroi funksionin e legjislatorit në gjirin e partisë së parë opozitare në vend pas periudhës diktatoriale, që prej vitit 1991 e gjersa u shua. Në 50-vjetorin e lindjes së tij, më 11 mars 2013, u nderua me titullin më të lartë, “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#AzemHajdari

#AQSH

Filed Under: Histori

Rëndësia e Kolonisë Shqiptare të Sofjes në rrafshin patriotik, kulturor e letrar, sipas Thoma Kacorit

September 11, 2023 by s p

Autore: Mimoza Hasani-Pllana/

Në vështrimin mbi veprimtarinë e shoqatës shqiptare Dëshira (1893) të Sofjes, rrëfimi i Thoma Kacorit përqendrohet fillimisht në vitet e para të mërgimit të shqiptarëve në trojet bullgare. Shqiptarët lëvizën drejt Bullgarisë kolektivisht, duke shkëputur lidhjet fizike me atdheun, por jo lidhjet shpirtërore. Kështu, në vendin pritës, Bullgari, ata filluan të organizojnë një jetë shoqërore në grup. Në disa qytete e fshatra themeluan kisha dhe mekanizma të tjerë atdhetarë kulturorë për të lehtësuar funksionimin e komunitetit dhe për të ruajtur identitetin kombëtar e fetar. Të gjitha grupet e shpërndara në këtë hapësirë ​​gjeografike i mbajti bashkë me shekuj gjuha e përbashkët dhe përpjekja për të mos harruar atdheun. Në këtë formë ata arritën të krijojnë kujtesën individuale dhe kolektive shqiptare në Bullgari.

Në vëzhgimet e Kacorit, të dhënat për themelimin e shoqatës Dëshira shfaqen përgjatë rrëfimit për vendbanimet e para shqiptare në Bullgari dhe përpjekjes për të dhënë statistika për numrin e familjeve shqiptare, burra, gra dhe fëmijë.

Sipas Kacorit, shqiptarët i gjejmë në Bullgari që nga rënia e Shqipërisë nën Perandorinë Osmane, në shekullin XVI. Ata u vendosën në Bullgarinë Veriore dhe Lindore. Vendbanimet veriore i përkasin fshatit Arbanas, afër qytetit të Varnës, ndërsa ato lindore i takojnë fshatit Mandrica, afër qytetit të Ivajlovgradit. Përmenden edhe vendbanime të tjera, si: Pleven, Plovid, Sliven, Samokovë etj. Arbanasi dhe Mandrica janë dy fshatrat më të njohura shqiptare në ndriçimet e Kacorit për vitet e hershme të gjurmëve shqiptare në Bullgari. Ai kujton se familje shqiptare jetonin edhe në qytetin e Varnës (sipas Kacorit tetëmbëdhjetë shtëpi) dhe në Pleven (rreth dyzet shtëpi).

“Arbanasi, një nga fshatrat më të bukura bullgare dhe me një arkitekturë të posaçme, është një nga vendbanimet më të studiuara të Bullgarisë. Autorët kanë qëndrime të ndryshme. Disa e konsiderojnë si vendbanim i themeluar dhe i zhvilluar nga të mërguar shqiptarë, disa të tjerë si një nga vendbanimet e mbretërve bullgarë, që e kishin si një vend për pushime… Në kohët e fundit një studiues holandez, Michiel Kil, botoi një libër me dokumente autentike nxjerrë nga arkivat osmanë të Stambollit, ku na jep të dhëna të reja të padiskutueshme që ky fshat është shqiptar… Meqë fshati qe banuar prej shqiptarëve, ai u bë i njohur prej të gjithëve si Arnavud Qoj (turqisht) ose Arbanas (bullgarisht)”.

“Në pjesën lindore të malit Rodopi, në jugperëndim të Adrianopojës (Edrenesë) shtrihet fshati shqiptar i quajtur Mandrica. Pas luftës ballkanike ky fshat ka pasur 400 shtëpi me shqiptarë dhe 60 shtëpi me bullgarë, ardhur muhaxhirë nga fshati bullgar Mallëkdervent, i cili gjendet në tokën greke… Mandricarët nga shtati, zakonet dhe gjuha janë toskë. Gojëdhëna e tyre tregon se ata kanë ardhur nga Vithkuqi i Kolonjës si xhelepçinj, kanë themeluar në fillim një mandër dhe pastaj janë vendosur këtu përgjithmonë. Vallet i kanë bullgare, por kanë ruajtur dhe vallen shqiptare – çamçen. Nga këngët popullore kanë ruajtur ato të dasmës”.

Pas dy fshatrave shqiptare, Arbanasi dhe Mandrica, për të cilat Thoma Kacori sjell ndikimet më të forta nga të gjitha vendbanimet shqiptare, gjejmë edhe disa të dhëna të shqiptarëve në Sofje, nga të cilat mësojmë më shumë për themelimin dhe funksionimin e shoqatës Dëshira.

“Flitet se në mbledhjen që u bë më 1 janar të vitit 1893, kur u themelua shoqëria Dëshira në Sofje, merrnin pjesë nja katërqind të mërguar, natyrisht vetëm burra, se gratë atëherë nuk përziheshin në politikë. Por në listën e parë të themeluesve të shoqërisë janë regjistruar vetëm 3 veta. Dhe kjo është afërmendsh, pjesa më e madhe druheshin të shkruhen në shoqëri se, kur të ktheheshin në atdhe, do të ndiqeshin nga regjimi turk”.

Të dhënat statistikore për numrin e shqiptarëve në Sofje ndryshojnë vazhdimisht, për shkak se nuk kishte regjistrim të rregullt. Ka të dhëna se në vitin 1894, afër Sofjes, në Pavllovë, jetonin afër dyqind burra, pasi nuk kishte të dhëna për gra dhe fëmijë. Sipas këtij numri, u hodh hipoteza se aty mund të jetonin rreth pesëqind shqiptarë, dyqind prej tyre burra dhe treqind gra e fëmijë. Ndërsa në vitin 1902, nga një piknik i mbajtur në një fshat afër Sofjes (Cerovo), ka të dhëna se kanë marrë pjesë rreth gjashtëqind e pesëdhjetë shqiptarë. Që numri i shqiptarëve të mërguar në Sofje ishte më i madh se në vendbanimet e tjera bullgare, dëshmohet në librin Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi I , me autor Rexhep Qosen.

“Gjatë shekullit XIX, shqiptarët e mërguar do të krijojnë kolonitë e tyre edhe në Bullgari. Këtu, shqiptarët do të jetojnë në disa qytete, si për shembull, në Plovdiv, në Varna, në Pleven dhe në Rilë, por kolonia e tyre më e madhe dhe më e njohur do të jetë Kolonia e Sofjes”.

Me profesion shqiptarët në Bullgari ishin kryesisht zejtarë, sharrëxhinj, gjellëbërës, më vonë edhe pronarë të dyqaneve të gëlqeres, pllakave të gurit, drurit dhe lëndës drusore etj. Pavarësisht nivelit joadekuat të arsimimit, ata nuk hezituan të bashkoheshin me grupe të caktuara në mbështetje të ideve iluministe të Rilindjes Kombëtare, që kishte përfshirë tashmë kolonitë shqiptare të vendeve të tjera më të largëta, si Stambollin, Bukureshtin dhe Italinë me arbëreshët. Idetë rilindëse te shqiptarët e Sofjes kishin depërtuar veçanërisht nga rilindësit e Stambollit dhe Bukureshtit. Lidhjet me rilindësit e Stambollit ishin më të forta për arsye gjeografike, ndërsa lidhjet me kolonitë e Bukureshtit bazoheshin në furnizimin me libra për mësimin e gjuhës shqipe.

“Shqiptarët e Sofjes i kërkuan shoqërisë Drita të Bukureshtit libra në gjuhën shqipe dhe ata u sollën edhe gazetën Shqiptari. Ky lloj komunikimi ndezi dëshirat e tyre për një organizim i cili nisi në kafenenë Albania në Sofje. Nga dëshira për të mësuar shqipen, dëshira për të parë Shqipërinë e lirë dhe popullin e arsimuar e të përparuar, shoqërisë së Sofjes ia vunë emrin Dëshira”.

Ndonëse në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, Kolonia e Sofjes funksionalizohet më vonë se kolonitë e tjera, ajo rezulton mjaft e fuqishme, sidomos në rrafshin e publicistikës. “…shqiptarët e kësaj kolonie arrijnë të zhvillojnë një veprimtari jashtëzakonisht të gjallë, sidomos në fushën e gazetarisë, të publicistikës dhe të botimit. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, me Koloninë e Bukureshtit, Kolonia e Sofjes, praktikisht, do të jetë kolonia më aktive në pikëpamje të veprimtarisë së drejtpërdrejtë politike dhe kulturore”.

Pra, në Sofje, nga shtypshkronja Mbrothësia, përveç librave e broshurave, u botuan me dhjetëra gazeta dhe revista, si: Kalendari Kombiar, Drita, Shkopi, Vetëtima, Shqipëria, Lirija, Lirija e Shqiprisë, pastaj L`independence Albasese, Shypeja e Shqypnis, Zëri i Shqipërisë, të cilat u drejtuan dhe botuan shkrime nga personalitete të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si: Petro Nini Luarasi, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Asdreni, Mihal Grameno, Hil Mosi, Spiro Dine, Loni Logorini, Gjerasim Qiriazi, Jani Vruhon, Anton Zako Çajupi, Mihai Xoxa, Shahin Kolonja, Thoma Avrami (drejtues i Vetëtima), Nikolla Lakos (drejtues i Shqipëria),  Kristo Luarasi (drejtues i Lirija, Lirija e Shqiprisë), Josif Bageri (botues i Shypeja e Shqypnis), Kristo Dako (kryeredaktor i Zëri i Shqipërisë). Nga perspektiva krahasuese e kontributeve të kolonive shqiptare brenda Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, Kolonia e Sofjes veçohet me një kontribut të rrallë, teksa del të jetë kolonia e parë në rrafshin e përkthimeve letrare, duke sjellë në gjuhën shqipe vepra të huaja dhe anasjelltas, si: Gyjom Telli, Alphonse de Lamartine, Sofje, shtypshkronja Mbrothësia, 1989; pastaj Beje të mirën pa hidhe në det, Franz Hoffmann, 1900, shtypshkronja Mbrothësia. Dëshmitë lidhur me përkthimet e botuara te shtypshkronja e Kolonisë Shqiptare në Sofje i gjejmë edhe tek artikujt shkencorë lidhur me kontributet e Lumo Skëndos (Mid`hat Frashëri) në fushën e përkthimit dhe botimit të përkthimeve në revistat kulturore, si materiale domethënëse për historinë e kulturës shqiptare, si përkthimet nga Lamartine (1898), Defo (1909), Hoffmann (1900) etj. “Këto janë përkthime të hershme kryesisht për të rinj e fëmijë: Gyjom Telli, Alphonse de Lamartine, Sofje, shtypshkronja Mbrothësia, 1898; Bëje të mirën pa hidhe në det, Franc Hoffmann, Sofje, Mbrothësia e Kristo Luarasit, 1900”.

C:\Users\DELL\Desktop\Aktualisht\THOMA KACORI\ndricime dhe guri i kujteses.jpg

Shoqëria Dëshira

Shoqëria kulturo-atdhetare Dëshira e Sofjes që nga themelimi e deri në shuarjen e saj ishte aktive për organizime politike e kulturore me fokus çështjet atdhetare dhe arsimin në gjuhën shqipe. Veprimtaria e saj bazë konsistonte në organizimin e takimeve të rilindësve dhe përkrahësve të huaj të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si: organizimi i mitingjeve, shtypja e librave shqip, broshurave, revistave dhe gazetave. Në planin politik, dokumenti i parë më i rëndësishëm konsiderohet të jetë letra dërguar mbretëreshës së Britanisë së Madhe më 18 shtator 1896, në të cilën anëtarët e shoqatës parashtronin kërkesat e shqiptarëve që nga Lidhja e Prizrenit e deri në kohën e shkrimit të dokumentit. Ky akt është një tregues i mjaftueshëm për mirëfunksionimin dhe bashkërendimin e veprimtarive të shoqërive shqiptare. Akti i dytë i rëndësishëm politik është reagimi që më 23 janar 1912, nëpërmjet ministrit të plotfuqishëm të Austrisë në Sofje, anëtarët dhe miqtë e shoqërisë dërguan një lutje në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për moscopëtimin e Shqipërisë. Ndërkaq, aktet e rëndësishme arsimore dhe kulturore janë të ndërlidhura me shtypshkronjën Mbrothësia. Mbrothësia u themelua më 1897 dhe nxori materiale të rëndësishme, si:

  • Kalendari Ditërrëfenjësi, botuar nga Kristo Luarasi dhe Kostë Janini më 1897. Një vit më pas, më 1898, Ditërrëfenjësi ndryshon emrin në Kalendari Kombiar dhe drejtohet nga Lumo Skëndo.
  • Gazeta Drita (1901) me drejtues dhe botues Shahin Kolonjën.

Këto dy materiale publicistike sollën në dritë artikuj me përmbajtje për të çuar përpara idetë iluministe të romantizmit. Megjithatë, në faqet e Kalendarit Kombiar dhe gazetës Drita botoheshin edhe tekste letrare. “Në faqet e Kalendarit Kombiar botohen mjaft shkrime letrare – jo vetëm vjersha a poema, por edhe proza, kryesisht të shkurtra, që shënojnë kultivimin e kësaj forme, veçmas të paktë, në letërsinë shqipe të asaj kohe. Po ashtu, nëpër këto gazeta botohen, sado rrallë, edhe shkrime të shkurtra kritike mbi autorë dhe vepra për historinë e kritikës letrare shqipe të periudhës romanike”.

Personalitete të shquara të Kolonisë së Sofjes

Adham Shkaba  

Rilindësi Adham Shkaba lindi më 1871 në fshatin Stratobërdhë të rrethit të Korçës, Shqipëri. Shkollën fillore e kreu në fshat. Në mungesë të programit në gjuhën shqipe, ai vazhdoi mësimet në gjuhën greke. Vitet e para të shkollës në gjuhë të huaj dhe në vendin e tij më vonë u bënë motivi i tij bazë për angazhimin vullnetar të përjetshëm për realizimin e ëndrrës së fëmijërisë për të lexuar e për të shkruar në gjuhën shqipe.

Në moshën njëmbëdhjetëvjeçare emigroi në Sofje, i detyruar nga vështirësitë ekonomike në vendlindje dhe i mbështetur nga babai i tij Stefani, zdrukthëtar.

Jeta në Bullgari

Pas shumë vitesh vuajtje, duke punuar qytet më qytet deri në vendosjen përfundimtare në kryeqytetin Sofje, Adham Shkaba mësoi shumë për jetën, mësime të cilat i vuri në përdorim për angazhimin e ardhshëm politik për çështjen shqiptare.

Pasi u vendosën në Sofje, së bashku me Spiro Garon hapën kafenenë Albania, e cila më vonë pati edhe rolin e strehës për të gjithë shqiptarët e angazhuar në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare. Kafeja Albania ofroi ambientet e saj për takime shqiptare përpara krijimit të shoqatës Dëshira.

“Kafeneja e Adham Shkabës dhe Spiro Garos u bë çerdhe e shqiptarizmit. Aty vinin bakalli Dhimitër Moleja, muratori Ligor Prifti, këpucëtari Josif Bageri dhe shumë të tjerë, që të gjithë njerëz të thjeshtë dhe punëtorë, por edhe atdhetarë të flaktë. Aty ata nuk loznin letra, siç loznin njerëzit nëpër kafenetë e tjera, por lexonin gazeta dhe libra shqip, që u vinin nga Stambolli dhe Bukureshti”.

Pikërisht te kafeneja Albania u hodhën themelet e para të shoqatës Dëshira, ndaj emri i Adham Shkabës është përjetësuar në listën e themeluesve të saj. Funksioni i tij në këtë nismë ishte: një udhëheqës fisnik dhe atdhetar për organizimin e veprimtarive iluministe për arritjen e hapjes së shkollave për shkrim-lexim në gjuhës shqipe me një alfabet të unisuar.

Pas themelimit të shoqërisë, Adham Shkaba e pasuron veprimtarinë e tij me përpjekje për të shkruar poezi, kryesisht lirika atdhetare, por edhe me punë vullnetare për të ndihmuar mësimin e shqipes në vendlindjen e tij, Shqipëri. Ndaj, me dëshirë ndihmoi Petro Nini Luarasin (1894) teksa ai organizoi një veprimtari vullnetare në Sofje për të ndihmuar shkollat ​​shqipe në qytetet shqiptare.

“Petro Nini Luarasi dhe Adham Shkaba u pritën nga ministri i Arsimit të Bullgarisë, dr. Akanovi, i cili i përgëzoi për aktivitetin e shenjtë që kishin ndërmarrë dhe u dhuroi një napolon flori, që ishte një shumë e mirë për atë kohë”.

Takimi i Thoma Kacorit me Adham Shkabën

Thoma Kacori, ndonëse i ardhur shumë më vonë në Sofje, rrëfen se e ka takuar Adham Shkabën dhe e ka njohur mjaftueshëm sa për të kuptuar se ai ishte një njeri i matur, mbështetës i brezave të rinj, i dashur dhe i respektuar nga bashkëqytetarët e tij.

“E mbaj mend si sot kur ngriti dorën e thatë dhe më përkëdheli flokët duke më thënë: Ju jeni tani e pritmja e atdheut, ne bëmë ç’bëmë dhe menjëherë shtoi: por aq sa bëmë ishte shumë, se ne qemë të verbër, të pamësuar. Hapni sytë, djem, të mësoni, që të mos mbeteni në errësirë edhe ju, po të ecni përpara si të gjithë bota”.

Adham Shkaba në Kongresin e Manastirit/ Kongresin e Alfabetit

Përmes rilindësit Adham Shkaba, Kolonia e Shqiptarëve të Sofjes ishte e pranishme edhe në Kongresin e Manastirit/ Kongresin e Alfabetit. Shkaba, përfaqësues i kësaj shoqërie, mori pjesë si delegat i Sofjes në Kongresin e Manastirit/ Alfabetit (1908) për të përcjellë idealet e shqiptarëve të Bullgarisë për të zgjidhur problemin e alfabetit shqip dhe për miratimin e një alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, i cili do t’i shërbejë fuqizimit të bashkimit kombëtar. 

C:\Users\DELL\Desktop\Delegatët_e_Kongresit_të_Manastirit.jpg

Josif Bageri dhe lidhja me Prishtinën 

Josif Bageri është një nga anëtarët e Kolonisë për të cilin Thoma Kacori në librin Guri i kujtesës thekson se nuk ka të dhëna të sakta për vitin e lindjes, jetën në vendlindje, arsimimin, jetën në Bullgari, madje edhe disa pasaktësi për vitin e vdekjes dhe vendndodhjen e varrit të tij.

“Josif Bageri u lind në fshatin Nistrovë të Rekës, në Maqedoni. Këtë të dhënë e gjejmë te Kopështi Malësoir në vjershën me titull Dëshira ime, ku poeti shpreh se është larg Rekës, larg varrit të nënës, që prehet në kishën e Nistrovës”.

Megjithatë, Thoma Kacori vazhdon përpjekjet e tij për të ndriçuar historinë e këtij personaliteti të shquar të Rilindjes, duke kërkuar informacion për të nga miqtë dhe të gjithë të njohurit në Sofje, derisa arriti të takojë familjen e tij në Bullgari. Të dhënat më të sakta lidhur me emigrimin në Sofje, angazhimin në shoqërinë Dëshira, familjen Bageri dhe sidomos për vendin ku vdiq ai dhe varrin e tij në Prishtinë, Kacori i siguroi nga i biri, Aleksandër Bageri. 

“Babai im ka ardhur në Sofje aty nga viti 1884. Në fillim ka punuar si çirak, këpucëtar. Në vitin 1886 martohet me Vasilikën, e cila në Sofje kishte ardhur nga Prilepi. Ne jetonim në lagjen Banishora dhe që andej babai u nis për në Shqipëri rreth njëzet ditë pa lindur unë. Unë kam lindur më 26 mars 1916. Me sa më thoshte nëna, ai u nis për Shqipëri për të shpënë disa dokumente; se çfarë qenë ato dhe kujt do t’i dorëzoheshin këtë nuk e di. Nëna e kishte njoftuar për lindjen time dhe se ma kishte vënë emrin Aleksandër, siç donte ai vetë. Nëna më thoshte se babai kishte vdekur në Prishtinë nja njëzet ditë pas lindjes sime, do të thotë aty nga 15 prilli i vitit 1916”.

Në fund të rrëfimit nga djali i Josif Bagerit, Aleksandri, publikuar në librin Guri i kujtesës, është e dhëna se letra e fundit që nëna e tij kishte pranuar nga babi, Josif Bageri, ishte letra që i erdhi nga spitali i Prishtinës ku ai kaloi ditët e fundit të jetës dhe se Josif Bageri u varros në kishën ortodokse në Prishtinë dhe se atje i gjendet varri.

Si veprimtar i Kolonisë, me sa dihet, Josif Bageri shquhej për një angazhim shumëdimensional. Ai udhëtonte vazhdimisht nëpër qytetet shqiptare dhe krijonte lidhje me rilindësit e qendrave të tjera. Edhe pse në planin publicistik dha kontribut të madh përmes gazetës Shqypeja e Shqypnisë, si botues i saj. Për këtë fakt dhe të tjera, është një nga figurat që tërheq vëmendjen e studiuesve. 

Këto dy personalitete dhe personalitete të tjera, si Pjetër Budi, Perikli Çili, Naim Frashëri, Fan Nolin, Ismail Qemali, Kacori i prezantoi në formë sekuencash monografike në konferenca, simpoziume shkencore, gazeta, revista, si dhe në veprën e tij eseistike.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Mimoza Hasani-Pllana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1468
  • 1469
  • 1470
  • 1471
  • 1472
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT