• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shën Nëna jonë Tereze ishte “Poetja” e Jetës dhe Dashurisë

August 31, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Shën Nëna jonë Tereze ishte “Poetja” e Jetës dhe Dashurisë, për Zotin – Atin tonë të mirë, si dhe Njeriun – vëlla apo motër.

Ajo me Dashuri dhuroi gjithçka, sipas thënies së saj gjeniale: “Kush nuk ka asgjë, jep gjithçka, sepse dhuron vetveten.”

Nëna jonë Tereze në çdo fjalë, fjali, resht, uratë, ishte poete, si dhe çdo poezi e saj ishte uratë, prej zemrës zemrave, për fisnikërim dhe bujarim të çdo mendje dhe zemre.

Në vëllimin  Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, “Poezi dhe Uratë”, të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (SHKK), 1998, me përkthyes: Dr. Don Lush GJERGJI, Visar ZHITI, Don Pren KOLA dhe Sali BASHOTA, recenzues: Ali PODRIMJA, Frrok KRISTAJ dhe Sali BASHOTA, ia mundësuam publiku tonë që ta “shijonte” damarin poetik të Nënës tonë të Madhe.

Në vitin 2010, për 100 – vjetorin e lindjes së Gonxhes sonë,  botuam një vëllim tjetër në tri gjuhë, anglisht, shqip dhe gjermanisht, me titull kuptimplotë: Teach Mi to Love – Mësomë të dua, Lehre mich zu lieben, Rozafa, Prishtinë, 2010, me ilustrime të piktorëve me të njohur shqiptarë, në 16 faqe,  që për mendimin dhe vlerësimin tim është botimi më komplet i poezive dhe uratave të Nënës Tereze.

Përkthimin anglisht e ka bërë Avni Spahiu, ndërsa gjermanisht Hns – Hoachim Lankesch.

Me atë rast tashmë i ndjeri Ali Podrimja ndër të tjera më tha kështu: “Don Lush Gjergji, Nëna Tereze paska merituar edhe Shpërblimin Nobel për Letërsi, sepse ajo qenka gjeniale edhe në këtë lëmi.”

Unë iu përgjigja kështu: “Ali i dashur, kush është i madhe dhe frymëzuar, është i tillë në çdo lëmi dhe krijimtari. E tillë ishte Nëna jonë Tereze që nga fëmijëria dhe rinia, deri të kalimi i saj në amshim. Reshti: Nuk ka rëndësi, jepe pjesën më të mirë të vetvetes, mbetet një lloj ftese dhe  testamenti shpirtëror për të gjithë ne, sidomos për poetët tanë.”

Ju me orën letrare kushtuar Shën Nënës Tereze, jeni duke ofruar “pjesën më të mirë të vetvetes”, frymëzimin, krijimtarinë, poezitë, nderimin dhe falënderimin tuaj bujar dhe fisnik. 

Paçi shëndet, lumturi mbi të gjitha Dashuri!

Filed Under: ESSE

“Toni” i Eliotit

August 31, 2023 by s p

-kulturologji-

Zija Vukaj/

Fragmentarizmi ka mbetur një karakteristikë edhe e poezisë moderne. Veçanërisht paraqitet si një procedim që shkëput fragmente nga bota reale dhe i ripunon në vetvete me përpikmëri, por duke u kujdesur që sipërfaqet e thyerjes të mos përputhen më. Në këto poezi bota reale duket e përshkuar nga një dellëzim thyerjesh prej furçash- dhe s’është më reale.

Vijmë kështu te T. S. Eliot. Interpretimet që vepra e tij lirike ka marrë nga kritika, shpërputhen deri në papajtueshmëri. Vetëm në një pikëpamje ka dakordësi: që kjo vepër plot veçanti ushtron një fuqi magjike falë “tonit” të saj, i cili realizohet nga shkrirja e shumë toneve, një shkrirje e paharruar, edhe pse aspak harmonike. Gjuha kalon, gjithnjë në mënyrë të paparashikuar, përmes modulimeve nga më të ndryshmet: relacion i thatë, melankoli, soditje, melodi e ëmbël, nganjëherë edhe pathos e pastaj sërish ironi, sarkazëm, ton i çrregullt bisedor. Kjo polifoni lidh secilën poezi të tij më shumë se ajo që bën situata intelektuale apo shpirtërore që është në bazë të tyre…- kaq thellësisht në bazë të tyre, sa akoma askush nuk ka mundur të thotë në çfarë konsiston ajo konkretisht. Është e vërtetë se mund të dallohen tema të veçanta, si për shembull: njeriu jetim në shkretëtirën e metropoleve, të qenit kalimtar, refleksione mbi funksionin e kohës, mbi tëhuajësimin e botës. Por këto tema, më shumë se i mbështesin poezitë e tij, frymojnë përmes tyre. Çfarë i mban është ajo që vetë Elioti e quan emocion artistik dhe që duhet të jetë si diçka absolutisht pavetore. Ajo ngrihet lart e poshtë, “duke shkuar në bardh- e-blu, ngjyrat e Marisë e duke kuvenduar për gjërat më banale”, siç thonë dy vargje të “Ash- Wednesdey” (“E mërkurë e përhime”). Emocioni shtyn në “lidhje objektive”, në imazhe, evente njerëzish e gjërash. Po cilat imazhe dhe cilat evente? Eliot vëren një herë se tërheqjet themelore të epokës janë cektësia dhe kundërvënia. Por pikërisht këto janë edhe tërheqjet themelore të teknikës së tij poetike. Siç e njihte ai, ajo i përshtatet qytetërimit modern, që me kompleksitetin, kontradiktat dhe ndjeshmërinë e vet nervore kërkon një poezi që të ketë një mjedis të gjerë, por të flasë vetëm në mënyrë aluzive dhe indirekte duke u bërë domosdo e vështirë.

Në fillim të “Waste Land” (“Toka e shkretë”) është vargu: “Mbasi ti njeh vetëm një grumbull imazhesh të thyera”, dhe në fund: “Këto fragmente kam mbështetur ndaj rrënojave të mia”. Kjo duhet kuptuar si një ribashkim i fragmentarizmit. Ky është ligji i poezive të Eliotit. Ky përcakton atë mënyrë të shprehuri që për shembull, fillon me një rrëfim të vogël, e ndërpret, vazhdon me një monolog të brendshëm që këputet nga një citim, futur pa kurrfarë lidhjeje, të cilin e ndjek një copë e një dialogu të dy qenieve pa profil. Ajo që thuhet në një grup vargjesh, shkatërrohet në grupin që vazhdon ose harrohet. Kështu është edhe për imazhet dhe ngjarjet. Ato janë një montazh i bërë me fragmente me prejardhje më heterogjene, pa qenë të lidhura në një vend a një kohë.

Filed Under: LETERSI

MIRËNJOHJA SHQIPTARE PËR BURRA TË MËDHENJ TË KOMBEVE QË JETËN E FALEN PËR SHQIPËRINË

August 31, 2023 by s p

Prof.As.Dr. Zaho Golemi/

Para pak kohësh kam publikuar shkrimin “GJENERAL ENRIKO TELINI, DËSHMORI I KOMBEVE QË RA PËR SHQIPËRINË”, shkrim që ishte përgatitur në kuadër të 110 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar si dhe në mirënjohje të bijëve të kombeve të tjerë, që kontribuan për t’ju dhënë të drejta shtetit shqiptar. Ndërsa më 27 gusht 1923, në një pritë të pabesë, Gjeneral Enriko Telini mbeti i vrarë bashkë me Majorin mjekun Luiggi Corti, Adjutanti i Gjeneralit toger Mario Bonaçini, marrshall Reniggo Farneti (shofer), përkthyesi shqiptar Thanas Kraveri nga Leskoviku, dhe një shoqërues shqiptar. Komisioni Hetimor Ndërkombëtar i ngritur posaçërisht për këtë rast vërtetoi se vrasja ishte organizuar nga vetë qeveria greke dhe pikërisht një batalion grek, për këtë arsye Greqia u ngarkua të paguante dhe një dëmshpërblim tejet të madh, bashkë me shpalljen fajtor për vrasjen. Shqiptarët e përkujtojnë dhe e nderojnë gjeneral Telinin me nderim të madh, për shkak të drejtësisë së tij në procesin e ndarjes në teren të kufijve. Gjeneral Telini është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, që ra për Shqipërinë edhe pse ai ishte dëshmor i Lidhjes së Kombëve, që ra për DREJTËSINË!.

Gjenerali italian Telinin -martir i Lidhjes së Kombeve

Gjenerali italian Telinin është një martir i Lidhjes së Kombeve, një figurë tashmë e përbotshme e paqes së kombeve ballkanike. Ai punoi për kombet në paqe; jetoi me ndershmëri dhe vetë jetën ia kushtoi drejtësisë. Vepra e gjeneral Telinit është përjetësuar në libra dhe botime enciklopedike. Emërtimin “Gjeneral Telini” e mban një shesh në Firencie; një rrugë në Milano. Presidenca italiane vendosi dekorata me emnin “Enriko Telini” gjeneralëve për trimëri të forcave të armatosura qysh në vitin 1923. Para më shumë se gjysëm shekulli një shtatore e burrit të madh që dha jetën për kufijtë e Shqipërisë ishte në kryeqytetin tonë. Një rrugë mbante emrin “Gjeneral Telini” (rruga pas godinës Presidencës deri tek ura e re e Lanës) si dhe shëtitorja “Gjeneral Telini” e përuruar më 27 gusht 1933, 10 vjet pas vrasjes në fushën e nderit; një bust i Gjeneral Telinit punuar nga Odise Paskalit ishte vendosur në krye të shëtitores në 18-vjetorin e vrasjes (27 gusht 1941), që u vendos në një nga sheshet qendrore të Tiranës, para Akademisë së Shkencave. Për përjetimi memoristik në kujtim të Gjeneral Telinit, ju dha emri edhe një rruge në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1938, që është pasqyruar edhe nga shtypi i kohës e veçanërisht revista “Diana”. Nga italianët vepra e Gjeneral Enriko Telinit është vlerësuar si, “Martir i mbrojtjes së tokave shqiptare në vitin 1923”, nga shqiptarët është në rrugën e rivlerësimit, sepse Telini u vra pikërisht për drejtësinë e kufijve të shtetit shqiptar. Historia dhe e vërteta janë një kur dëshmojnë ndershmëri. Shqiptarët kanë një thënia popullore: “Më mirë vonë se sa kurrë”. Gjeneral Telini ishte i dyti pas Presidentit Udrou Ëillson, që siç e vlerëson Fan Noli: “.. jo vetëm nuk vuri firmën, por u përgjegj dhe me dy nota, që janë dy nga xhevairet më të ndritëshme të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë që gëzojmë sot..”. Është kjo arsyeja që Gjeneral Telini, ky kontribues real në çështjet historike shqiptare meriton përkujtim dhe nderim; siç meriton edhe vendosjen në enciklopedinë shqiptare aktualisht të munguar. Gjeneral Telini i bën nder Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ai është një emër dhe një mik i rivlerësuar i shqiptarëve. Auditorimi më i ri pranë Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu” mban një emër tashmë të njohur “Gjeneral Telini”, që u vendos në kuadrin e sezonit të aktiviteteve “Italia dhe Shqipëria 2010-dy popuj, një det, një miqësi” të zhvilluar para pak kohësh në vendin tonë. Gjeneral Telini është hierarku i huaj me gradën më të lartë, me kontribut të jashtëzakonshëm, që ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj detyrës e pagoi me gjakun dhe jetën e tij. Gjeneral Enriko Telini është ushtaraku madhor italian që ra dëshmor për trojet shqiptare së bashku me Major Doktor Luiggi Corti, Adjutanti i Gjeneralit toger Mario Bonaçini, marrshall Renixho Farneti (shofer), përkthyesi shqiptar Thanas Kraveri nga Leskoviku, dhe një shoqërues shqiptar.

Jeta e një ushtaraku të madh.

Gjenerali italian Enriko Telini ka lindur më 25 gusht 1871 në Kastelnuovo të Garfanjanës, krahinë buzëdetit në lindje të Gjirit të Xhenovës, në Italinë e Veriut. Mësimet e para i mori në shkollën e vendlindjes, kurse studimet ushtarake i kreu gjatë viteve 1884-1900 në kolegjin e Firences, në Akademinë Ushtarake në Torino në degën e Artilerisë Bregdetare dhe në Shkollën e Luftës. Gjithnjë me nota “shkëlqyeshëm”, në vitin 1890 fitoi gradën nëntoger artilerie. Mbaroi të gjitha shkollat e kualifikimet ushtarake si dhe akademi e kurse të posaçme shtabmadhorie. Në vitet 1914-1915 e dërguan atashe ushtarak në ambasadën italiane në Vjenë. Telini ishte ekspert i përkryer artilerisë bregdetare. Më vonë pas ngjitjes në karrierë ushtarake Gjeneral Telini u dallua edhe si një diplomat i spikatur. Në moshën fare të re 20 vjeçare Telini merr gradën e nëntogerit (1890). Në vitin 1914 merr gradë Major dhe dërgohet atashe ushtarak pranë ambasadës italiane në Vjenë, kryeqytet i Austro-Hungarisë. Telini ishte pjesëmarrës në luftën italo-turke dhe në Luftën e Parë Botërore. Në vitin 1915 drejtoi sërish në komanda njësish të ndryshme ushtarake, kryesisht komandues artilerie, por edhe në Shtabmadhorinë e Përgjithshme dhe në Komandën Eprore. Në 28 vjet karrierë ushtarake gradat i mori për merita dhe shërbim korekt. Ndërsa në vitin 1918 në përfundim të Luftës së parë Botërore Enriko Telini gradohet me meritë të plotë në gradën madhore Gjeneral Brigade pas shërbimit si kolonel i Shtabmadhorisë. Gjeneral Telinit i’u besuan detyra në shtabe divizioni, truparmate, në Komandën e Përgjithshme të ushtrisë dhe në Ministrinë e Luftës; komandoi artileri divizionale dhe njërën pas tjetrës, brigadat “Lombardia” e “Piacenca”. Për korektësi në shërbimin ushtarak ishte nderuar me medalje dhe urdhra të lartë. Shembullor në kryerjen e detyrave të ngarkuara, e nderuan me Urdhrin “Kryqi i Kalorësit të Urdhrit Ushtarak të Savojës”, me “Medaljen e Argjendë me Vlerë Ushtarake” dhe me “Kryqi i Oficerit të Urdhrit Ushtarak të Savojës”. Merita e Gjeneral Telinit arriti deri aty sa pas vresaje të jepej dekorata e trimërisë “Gjeneral Telini”. Ishte i njohur në fushën ushtarake, politike, diplomatike dhe për vlerat dhe veçoritë e cilësitë e larta njerëzore, vlera për të cilat më 9 nëntor 1922, Konferenca e Ambasadorëve e zgjodhi kryetar të Komisionit Ndërkombëtar për përcaktimin e kufirit shqiptaro-grek. I përkushtuar si gjithnjë për përmbushjen sa më pëlqyeshëm të detyrave të besuara nga organet shtetërore dhe ndërshtetërore, për më tepër njohës i mirë i çështjeve Ballkanike. Në nëntor të vitit 1922 Gjeneral Telini erdhi në Shqipëri. Ishte plotësisht i vendosur dhe i gatshëm për zbatimin e detyrës së ngarkuar ndërkombëtarisht. Gjeneral Telini, duke pasur të drejtën e vetëvendosjes, për 12 fshatrat devollite, përkohësisht të shpallura asnjëanëse, po që në të vërtetë mbaheshin ende nën sundimin grek, i la brenda shtetit shqiptar, duke mbetur besnik i paepur i së drejtës duke përcaktuar fshatra e tokë shqiptare atje ku flitej gjuha shqipe.

Dëshmor i trojeve shqiptare…Kur vendoseshin kufijtë e Shqipërisë…

Mirënjohje shqiptare për Gjeneral Telinin është pikërisht se ai është martiri i vendosjes së drejtë të vijës së kufirit shqiptar. Janë të shumta skenat dhe prapaskenat në lidhje me caktimin e kufirit shqiptar. Që prej shprehjes së Bismarkut se “Shqipëria është një nocion gjeografik” e deri në vitin 1913 kishte ndryshuar mendimi evropian për Shqipërinë e shqiptarët. Nga 1878 e deri në 28 nëntorin e 1912, kur Ismail Qemal Vlora shpalli pavarësinë e Shqipërisë ka pasur zhvillime të vrullshme që u kurorëzuan me emblemën shqiptare të shekujve që është Pavarësia. Padrejtësia historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Evropës, që do të sillte ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI, kur me të drejtë shumë popuj të botës kanë një thënie, “E drejta vonon, por s’mungon.. ajo zhytet por nuk mbytet”. Këtë mësim të madh të historisë të nxjerrë nga eksperienca e madhe e kombeve e provoi dhe po e provon edhe populli shqiptar.

Në zbatim të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve

Kufijtë shqiptarë kishin një historik që niste që para fillimit të Luftë së Parë Botërore. Caktimi i kufijve të Shqipërisë u bë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Me 22 mars 1913 u vendosën përfundimisht kufijtë veriorë dhe në qershor-gusht 1913 u morën vendimet për kufijtë jugorë. Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare; njërin për kufijtë me Malin e Zi e Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Gjatë punës në terren komisionet, sidomos në jug, hasi në vështirsi të mëdha. Për këtë ju propozua Fuqive të Mëdha një vijë e re kufiri, e cila u vendos në Firence, ku Komisioni hartoi më 17 dhjetor 1913, protokollin mbi kufijtë jugorë e juglindorë të Shqipërisë, të cilët, me disa ndryshime të vogla, janë po ato që ekzistojnë edhe sot. Lufta e Vlorës nuk ishte një luftë e thjeshtë lokale por një gjëmim i kohës që coi në pranimin e Shqipërisë më 17.12.1920 në Lidhjen e Kombeve. Konferenca e Ambasadorëve “nuk po tregonte ngutje për ta kryer përzënien e të huajve nga tokat shqiptare”. Por me t’u pranuar shteti shqiptar anëtar i Lidhjes së Kombeve përfaqesia qeveritare shqiptare i parashtroi Lidhjes prerazi kërkesën : “Të dalin të huajt nga viset e shtetit shqiptar”; kërkesë kjo krejtësisht e pakundërshtueshme, sepse nuki mund të kuptohej një shtet i pavarur dhe anëtar i Lidhjes me fuqi pushtuese ushtarake brenda tij. Konferenca e Ambasadorëve e mbledhur në Paris më 9.11.1921 vendosi të ripohonte kufijtë shqiptaro-grekë, që vendimet e veta të marra në Londër më 12.12.1912 dhe më 22.03.1913 dhe atë të Protokollit të Firences më 17.12.1913. Këshilli i Lidhjes së Kombeve urdhëroi Konferencën e Ambasadorëve të përfundonte punën e lënë përgjysëm në vitet 1913-1914, për përcaktimin përfundimtar të vijës së kufirit shtetëror greko-shqiptar. Për caktimin përfundimtar të kufijve konkretisht në terren, u la të formohej një komision me përfaqësues të Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, i cili u krijua më 8 janar 1922. Në të të merrnin pjesë përfaqësuesi i Italisë, gjenerali Enriko Telini; Anglezi kolonel Gilles; Francezi kolonel Ordion, dhe kapiten De Limperani që ishte sekretar i Përgjithshëm i Komisionit. Ndërsa Japonia nuk e dërgoi delegatin e saj. Kryetar i komisionit u caktua Gjeneral Enriko Telini. Pranë komisionit do të punonte dhe një komitet tekniko-gjeografik. Shtetet e interesuara për kufijtë, Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia do të kishin përfaqësuesit e tyre pranë komisionit. Në bazë të parashikimit, në fillim të 10-ditshit të tretë të nëntorit 1922 në Korçë arritën dhe pjestarët e Komisionit Kufitar.

Gjeneral Telini: “Në marrjen e vendimeve,.. nuk kursej asnjë kombësi..”

Fillimisht palën shqiptare e kryesonte në Komision gjeneral Ali Riza Kolonja dhe më vonë u zëvendësua nga major Bajram Fevziu. Gjatë ecurisë së ndarjes së terren Major Bajram Fevziu u zëvendësua nga Dhimitër Berati, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pala jugosllave përfaqësohej nga gjenerali serb Jovanoviç; ndërsa për palën greke nënkoloneli Neokli Boçari. Komisioni erdhi në Shqipëri në mars 1922 dhe filloi punimet në zonën kufitare nga mali Gramoz deri në pikën e kufirit që ndante tre shtetet greko-shqiptaro-jugosllav, për të vazhduar pastaj për më në jug. Komisioni hasi pengesa reale nga delegacioni i fqinjëve shqiptarë. Në një raport të Gjeneral Enriko Telinit thuhet se, “Ky delegacion nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar… Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”. Në fund të nëntorit 1922 për shkak të këtyre pengesave dhe dimrit që po afronte, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që punimet e caktimit të kufijve të rifillonin më 1 maj 1923. Kështu anëtarët e Komisionit arritën në Korçë, po nuk filluan dot punën, sepse siç shkruhej në fletoren “Near East”, “ka hasur në pengesa të drejtpërdrejta, jo vetëm nga Greqia, por edhe nga Serbia”. Kështu që Komisioni e ndërpreu punën dhe u rigrupua në Korçë në fund të prillit 1923. Për më se një muaj Komisioni u pengua në punën e tij duke u përballur me pengesa nga më të ndryshmet. Këmbëngulja vendimtare e Gjeneral Telinit “që përpiqej me mish e me shpirt t’i jepte fund punës një orë e më parë”. Kundër këtij përkushtimi shtypi I fqinjëve të Shqipërisë e sulmonte me egërsi; ndërsa në fletoren “Tomorri” thuhej se “Gjenerali Italian ishte armik të Greqisë”. Gazeta “Dielli” shkruante se 50 ushtarë grekë të lënë qëllimisht në Korçë, si “të sëmurë” hynë përdhunshëm në ndërtesën e Komisionit, për të trembur gjeneral Enriko Telinin dhe ta detyronin që Korçën ta kalonte brenda kufirit të shtetit grek. Më 26 korrik 1923, kur Gjeneral Telini vendosi që fshatrat Pobickë e Radat, në lindje të Leskovikut, si edhe burimet e ujërave të nxehta poshtë Radatit të mbeteshin brenda shtetit shqiptar, tërbimi i fqinjëve tanë arriti kulmin. Por Gjeneral Telini qëndroi i patundur në vendimin e vet. Kur Gjeneral Enriko Telini vendosi që fshatrat Peshkëpi e Radat në Rrëzë të Zezë të Libohovës dhe Kakavija të mbeteshin brenda kufirit të shtetit shqiptar si dhe vija kufitare do ta shtrihej deri në Kalama duke ecur nëpër rrjedhën e tij dhe do të përfundonte në ngushticën detare ndërmjet Korfuzit e anëdetit shqiptar të krahinave të Çamërisë dhe Labërisë. Me këtë vijë kufiri, të kërkuar në vitin 1912 edhe nga vetë përfaqësia greke e kryesuar nga Xhavella, brenda shtetit shqiptar mbetej tërë Çamëria Veriore, në malësinë në lindje të së cilës gjenden malet Murganë, Shtrungarë e Vigël, që mbizotërojnë vendin, jo vetëm deri përtej Janinës, por edhe ujëdhesat jonike, sidomos atë të Korfuzit. Përfaqësia greke shikonte dy rrugë ose ta linte Komisionin të vendoste me drejtësi mbi tokat shqiptaro-greke ose të përdorte metodën stërgjyshore. Këtë të vërtetë e vë në dukje edhe diplomati dhe historiani i shquar italian Renco Falaski, i cili shkruan se, “Gjeneral Enriko Telini e njihte fare mirë mjedisin dhe nuk nguroi të pranonte kërkesat e drejta të shqiptarëve, që sipas bindjes së tij brenda shtetit shqiptar duhej të mbetej edhe Janina e më përtej saj”. Gjeneral Telini gjatë punës në krye të komisionit punoi me paanshmëri. Në marrjen e vendimeve, sipas rastit, ai nuk kurseu asnjë kombësi; as shqiptarët, as grekët, as jugosllavët. Në raportin e fundit drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, më 26 gusht 1923, pikërisht një ditë para vrasjes, Gjenerali Enriko Telini shprehej se, “…vendimet e komisionit janë të paanëshme” dhe ai “po kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë”.

Vrasja e Gjeneralit – pusi gjakësore ndaj paqes & Dëshmori i paqes midis kombeve

Ishte planifikuar që komisioni i kufirit jugor shqiptaro-grek më 27 gusht 1923 do të shkonte nga Janina në Kakavijë. Qëllimi ishte që të përfundonte vendosja e disa gurëve kufitarë në atë zonë. Herët në mëngjes u nisën nga Janina automobilat e delegatëve shqiptarë, grek e italianë. Automobili i përfaqësuesve grekë pësoi një “defekt”, që në nisje. Automobili i italianëve parakaloi atë grek duke ndjekur automobilin shqiptar. Në fakt në makinën me të cilën udhëtonte Gjeneral Telini së bashku me 5 vetë kishte një shkëputje rreth 30 minuta larg makinës së përfaqësisë shqiptare. Pasi kaloi automobili i komisionit shqiptar në afërsi të Janinës, në vendin e quajtur Zepe, rreth 50 km larg Janinës ose 4 km larg Delviqanit dhe 10 km larg kufirit shqiptar (fshatit Kakavi), midis Delviqanit dhe Arnishtes, vrasësit, që kishin në shinjestër Gjeneral Telinin bllokuan rrugën në një kthesë me drurë të mëdhenj. Gjeneral Telini dhe bashkëshoqëruesit e tjerë nuk e dinin prapaskenën në tokën greke. Vendi i zgjedhur ishte shumë i përshtatshëm dhe i zgjedhur për pusi, në bërrylin e një kthese. Kur makina e Gjeneral Telinit mbriti në kthesën vrastare u gjendën përpara së papriturës me rrugën e bllokuar nga trungje drurësh. Shoferi Renixho Farneti, dhe përkthyesi shqiptar, Thanas Kraveri nga Leskoviku zbritën për të larguar drurët nga rruga, por u gjendën midis goditjesh gjakësore dhe mbetën të vdekur që të dy. U vra dhe doktori Luixhi Korti që ndodhej brenda në makinë. U vra Adjutanti i gjeneralit toger Mario Bonaçini. Ai u godit menjëherë sapo doli prej automobilit dhe pasi u plagos rëndë e mbeti nën të; u vra gjithashtu majori italian Corti si dhe një shoqërues shqiptar. Gjenerali Telini i rrethuar nga të gjitha anët, u hodh nga makina dhe pasi mundi të largohej vetëm disa metra nga makina mbeti i vrarë me revolver në dorë, në përpjekje për vetëmbrojtje nga armiqtë e paqes midis dy shteteve të Ballkanit, Shqipërisë dhe Greqisë. Nga burimet arkivore del se nga ora 08.45 deri në ora 10.00 misioni shqiptar e priti më kot atë misionin italian. Kërkoi disa herë pranë autoriteteve greke që të kthehej të shikonte se ç’kishte ndodhur, por nuk u lejua. Vetëm në ora 17.00 iu dorëzua një telegram me anën e të cilit lajmërohej se misioni italian nuk mund të vazhdonte në drejtimin e caktuar, sepse ishin parë banditë rreth e rrotull. Delegati shqiptar i mbështetur nga Dr. Xhioti i Institutit Gjeografik italian, kërkoi sërish që të shkonte në ndihmë të Gjeneral Telinit, por përsëri nuk u lejua një gjë e tillë. Leja për të shkuar ju dha vetëm në orën 18.00. Ata mësuan se vrasja kishte ndodhur në ora 09.00 të mëngjesit. Trupat ishin transportuar në Janinë e në vendin e ngjarjes kishin mbetur vetëm gjurmë gjaku. Për nder të tyre në Janinë u dha një meshë dhe trupat e italianëve të vrarë me nderimet e duhura u nisen në Prevezë për në kishën katolike, ku edhe këtu u dha një meshë. Në ora 12.30 të datës 19 shtator 1923 trupat e tyre u nisën në mënyrë ceremoniale për në Taranto të Italisë me avulloren italiane “San Marko”. Ceremonia zyrtare u bë në kishën Santi Apostuli në Romë ku morën pjesë Duka i Aostës, Duka i Gjenovës, Konti i Torinos, Princi i Udines, Benito Musolini me ministrat, të gjithë ambasadorët dhe përfaqësues të tjerë të huaj. Pastaj trupat u dërguan secili për në vendin e lindjes. Gjeneral Enriko Telini u varros në Firence të Italisë. Pas atentatit të 27 gushtit 1923, Konferenca e Ambasadorëve vendosi të dërgojë në Janinë një komision special hetimi. Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve u mor më 8 shtator 1923. Por edhe ky komision nuk mundi të jepte një mendim përfundimtar të saktë rreth përgjegjësive që çuan në vrasjen e gjeneralit dhe shoqëruesve të tij. Vrasja e komisionit italian shkaktoi krizë në marrëdhëniet italo-greke. Qeveria italiane bëri përgjegjëse palën greke dhe kërkoi dëmshpërblim për këtë vrasje. Kjo krizë solli edhe pushtimin e përkohshëm të Korfuzit nga ana e italianëve.

Por kush ishe vrasësi i misionit italian? Komisioni i hetimit i ngritur nga Konferenca e Ambasadorëve nën presionin grek, por edhe sabotime të anëtarëve nuk dha përfundime. Por një gjë ishte e sigurt, krimi u krye për motive tepër të errëta politike. Autorë të tij ishin ato forca, të cilave u prishte punë korrektësia dhe paanësia e gjeneral Telinit dhe e delegacionit që ai kryesonte. Vrasja ogurzezë shkaktoi një zi të përgjithshme në Shqipëri. Opinioni publik shqiptar i konsideroi viktimat martirë për të drejtat ndërkombëtare dhe për paqen midis kombeve. Parlamentarët shqiptarë në shenjë zie ndërprenë punimet e tij për 24 orë. Autoritetet më të larta shqiptare iu dërguan telegrame ngushëllimi personaliteteve italiane dhe familjeve të viktimave. Telegrame dërguan dhe bashkitë dhe populli i të gjitha qyteteve shqiptare. Në kishën e Shën Gjergjit në Korçë, u bë një përshpirtje për Gjeneral Telinin dhe 6 martirët e tjerë ku merrnin pjesë autoritetet më të larta të qytetit. Populli i Vlorës ditën e 3 shtatorit 1923, kur do të përkujtonte me festime me rastin e 3 vjetorit të çlirimit të qytetit nga forcat italiane, vendosi të shfaqte hidhërimin e tij për vrasjen çnjerëzore me anë manifestimesh. Manifestuesit që arrinin në rreth 4000 vetë, që u drejtuan në konsullatën italiane ku i shprehen ngushëllimet konsullit italian dhe më tej prej andej shkuan në kishën katolike ku u bë një përshpirtje. Edhe në kishën katolike të Tiranës, në kishën ortodokse dhe në xhami u kryen gjithashtu shërbesa fetare për shpirtin e të ndjerëve të komisionit të caktimit të kufijve të vrarë në tokën greke. Gjatë inspektimit në trevat shqiptare, gjeneral Enriko Telini u prit si mik dhe u respektua për punën e ndërgjegjshme që bënte. Shpesh i shoqëruar nga delegati shqiptar dhe nga anëtarë të tjerë të komisionit ai bëri vizita edhe në fshatrat shqiptare, për të verifikuar në vend ku flitej shqip dhe ku greqisht. Banorët e të gjitha trevave dhe sidomos sa herë që e takonin në rrugët e Korçës, në koncertet e Bandës Kombëtare muzikore “Vatra”, të ardhur nga SHBA, apo në kinema “Modern”, ku shëtiste lirisht, e përshëndesnin me gëzim e dashuri të dukshme si një baba i madh i drejtësisë. Ndryshe ndodhte në shtetin fqinj, ku ndaj punës së komisionit të ngritur nga Konferenca e Ambasadorëve kishte një qëndrim agresiv e sabotues. Sipas një raporti të Konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi në një moment rrëmbimi përfaqësuesi grek kishte thënë se, “Gjeneral Telini duhet vrarë…”. Këtë frazë ky kolonel e ka përsëritur edhe publikisht në një lokal, ajo çka do të ndodhte në të vërtetë.

Këshilli Kombëtar/Parlamenti i Shqipërisë për Gjeneral Telinin

Ngjarja bëri bujë jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Europën. Një gjeneral italian kishte dhënë jetën për të drejtën e kombeve dhe ngeli dëshmor i kufijve shqiptarë. Në Këshill fillimisht e mori fjalën kryeministri shqiptar, që mbajti këtë fjalim: “Me hidhërim të madh po ju jap lajmin për një ngjarje të shëmtuar e tepër të poshtër që ka ndodhë në Greqi. Para tri ditëve, komisioni i kufijve, duke ardhur nga Janina në Gjirokastër, pati një rrezik, pse kryetari i këtij komisioni, gjenerali italian z.Telini, u vra bashkë me shokët e tij. Duke dalë prej Janine, i pari automobil ishte ai i komisionit shqiptar. I dyti i komisionit italian dhe i treti i atij grek. Mbas udhëtimit prej 54 km nga Janina, kur arritën në Zep, automobili i komisionit shqiptar kaloi këtë vend, ndërsa ai i komisionit italian ndalohet e vriten gjenerali, një major doktor, një toger adjutant, një ushtar, shoferi e një shqiptar. Pas kësaj ngjarjeje, kaloi komisioni i Greqisë pa pasur asnjë ngjarje, vijoi e shkoi në Gjirokastër. Përmbi këtë janë përhapur lajme të këqija, të cilat, qeveria e populli shqiptar i përgënjeshtrojnë e protestojmë rreptësisht pse në tokën shqiptare, në ato anë nuk ka asnjë bandë. Pos kësaj, z.gjeneral Telini ka qenë mik i popullit shqiptar dhe i ka përkrahë me paanësi të drejtat e tij. Qeveria e populli shqiptar kanë marrë pjesë në hidhërimin e madh që ka sot qeveria e populli italian”. Në parlament folën edhe deputetët Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ali Këlcyra, Vissarion Xhuvani dhe në shenjë respekti për Kryetarin e komisionit gjeneral Enriko Telinin, Këshilli Kombëtar i Shqipërisë pezulloi punimet për një ditë.

Koloneli japonez Shibo: “Hetimi mbaroi..”

Lajmi mbi vrasjen e Gjeneralit Enriko Telinit u përhap më 28.08.1923 tek pjesëtarët e Komisionit të Kufijve që po vendosnin piramidat nga Prespa deri në Qafë të Prush. Sipas major Ali Erëbarës, përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komisionin e Kufijve me Jugosllavinë, koloneli anglez Gills me gjithë gjakftohtësinë e racës dhe përmbajtshmërinë e detyrës së tij nuk mundi ta mbante veten nga thënia e fjalës: ”grekërit”. Për të zbuluar fajtorët, Konferenca e Ambasadorëve ngriti një komision të posaçëm hetimor me kryetar kolonelin japonez të drejtësisë, Shiboja dhe anëtarë përfaqësues të qeverive angleze, franceze e italiane. Me të arritur Komisioni në vendin e vrasjes të gjeneral Enriko Telinit dhe shoqëruesve të tij, koloneli japonez Shiboja nxori koburen dhe shtyu në ajër dy herë. Ushtarët e një njësie greke që ishin vendosur atje, afër brenda pak minutave u gjendën atje dhe e rrethuan Komisionin e posacëm special të hetimit. Atëherë koloneli japonez tha: “Hetimi mbaroi”. Kur pjestarët e tjerë të habitur e pyetën Shibo-ja u përgjigj: “kur krismat e dy të shtënave revolveri u dëgjuan nga ushtarët, si është e mundur që qindra të shtëna pushkësh nuk u dëgjuan prej tyre ?!”. Gjendja u acarua së tepërmi, pasi qarqet shoviniste greke organizuan vrasjen e gjeneralit italian Telini dhe anëtarëve të Komisionit Ndërkombëtar për përcaktimin përfundimtar të kufirit, duke dashur të fajësojnë Shqipërinë. Disa ditë më vonë italianët e pushtojnë ishullin e Korfuzit. Më 31 mars 1923, Konfereca e Ambasadorëve e deklaruan fajtor të krimit qeverinë greke dhe e ngarkuan me përgjegjësi. Paqja ballkanike ishte prishur nga krismat e dhunës që nuk bashkojnë por ndajnë popujt.

Gjeneral Telini – Shërbëtor i paqes së kombeve

Vlerësimet për gjeneral Telinit janë të shumta në harkun e gati nëntë dekadave. “Gazeta e Korçës” më 1 shtator 1923 e vlerëson gjeneral Telinin: “Emri i tij do të mbetet i paharruar për popullin shqiptar. Historia e Rilindjes tonë Kombëtare emrin e këtij gjenerali të nderuar, së bashku me atë të kolonel Tomson do ta përmendë me një nderim të madh, për shërbimet q’i solli Kombit tonë të shumëvuajtur”. Gazeta “Vatra Shqiptare” do të shkruante: “Gjeneral Telini për ne përfaqëson, njëkohësisht idenë e drejtësisë dhe atë të mbrojtjes të interesave tona. Të dy këto ide i ngjajnë fort njëra-tjetrës. Ideja e dytë ndjek pas idenë e parë si hija e saj. Shqiptari që e ka të thellë kuptimin e drejtësisë e të miqësisë, është e pamundur të mos ishte frymëzuar me një mirënjohje të thellë për gjeneralin italian”. Vlerësimet për Gjeneral Telini janë nga më të larmishmet aq sa shtypi i kohës shkruante se, Telini ngjan me një gjeneral të Romës së vjetër, një misionar të zhvillit. Gdhendja e monumentit është e denjë për heronj që të përjetësohet kujtimi. Cilësitë dhe vlerësimet për Gjeneral Enriko Telinit nga burime italiane vijnë për “Një fytyrë Historike”: “Telini ishte një ndër gjeneralët më të shquar të ushtrisë italiane. Zotësia e tij teknike e organizative dallohej në shenjë, sikur dallohej edhe drejtësia e paanësia në detyrën delikate, në të cilën ai me një kthjelltësi të patundur qëndronte e zbatonte veprimet që i përkisnin. Nga dituria, rritja dhe gjykimi i kthjelltë që kishte, më bëri përshtypjen më të madhe. Ishte i ëmbël, i qetë e i çiltër në shpirt dhe i paanshëm“. Ndërsa bashkëpunëtori i vet në caktimin e kufirit, Dhimitër Berati, në atë kohë prefekt i Korçës, shkruan: “Ushtarak i vërtetë në sjellje e në fjalë. Burrë pa frikë e pa leqe (kurth, çark); njeri me kuptim të thellë, me mendime të kthjellëta e zemër bujare; njeri me kuptim të thellë, që dinte të shikonte larg dhe ta ndante menjëherë të mirën nga e liga…Ishte shtënë me gjithë zemër pas punës së caktimit të kufirit; e kryente këtë si një detyrë të çmuar… Në ka të huaj që të ketë derdhur gjakun për të mirën e kombit shqiptar, gjeneral Enriko Telini ishte dhe mbetet në rreshtin e parë…Ai thoshte: “E dua kombin tuaj, se kam përshtypjen që në çdo fshatar shoh jo vetëm një ushtar të vërtetë, por edhe një kumandar në kuptimin më të mirë të fjalës”. Pas inagurimit të shëtitores “Gjeneral Telini”; në 27 gusht 1933 dhe gjysmëtruporjës së tij, në gazetën “Vullneti i Popullit” shkruhej “na ka ngacmuar plagën e pashërueshme që pësuan zemrat tona, kur humbëm fatosin e kampionin e të drejtave tona”.

Gjenerali italian Enriko Telini, kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për caktimin në vend të kufirit ndërmjet shtetit shqiptaro-grek. Kryefjala e tij ishte: “I dua dhe i nderoj shqiptarët, sepse janë zemërbardhë dhe trima. Mjerisht, ata po vuajnë keqbërësitë e fqinjëve. Do të përpiqem t’ua pakësoj mundimet dhe t’ua lehtësoj dhimbjet kombëtare që shqiptarët të jetojnë të lirë si kombet e tjera”. Ishte ky mesazhi që përcolli gjeneral Enriko Telinit përfaqësuesve të qeverisë shqiptare gjatë takimit të parë me ta dhe zotimit ai i qëndroi besnik deri në vetëmohim e sakrifikim. Prandaj është koha për të grisur perden e errësirës dhe për të rivlerësuar vlerat e vërteta njerëzore dhe dimensionet humane të një figure madhore italiane ushtarako-diplomatike, që i përket botës së paqes, që ishte dhe mbeti mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Telini ka kontributin e madh dhe firmën e tij në lënien brenda shtetit shqiptar të 12 fshatrave dropullite që ishin lënë asnjëanës, por që deri në atë kohë mbaheshin padrejtësisht nga shtetit grek. Gjithçka e kryente në bazë të parimit se aty ku flitej gjuha shqipe ishte tokë shqiptare. Gjykojmë se është në nderin e instancave kopetente shtetërore e akademike, për të rivlerësuar dhe vendosur në piedestalin e merituar në këtë 110 vjetor të shtetit shqiptar të figurës dhe veprës së gjeneral Enriko Telinit dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke e parë figurën dhe veprën e tij, si dëshmor të Lidhjes së Kombeve, që ra për të vendosur drejtësinë në kufirin juglindor të Shqipërisë. Vlerësimet për Gjeneral Telinin janë të shumta nga dëshmitarë në takimet e ndryshme me të, sikurse janë disa të cituar më poshtë: Gjeneral Telini në shkrimin “Një fytyrë Historike” paraqitet si mëposhtë: “Telini ishte një ndër gjeneralët më të shquar të ushtrisë italiane. Zotësia e tij teknike e organizative dallohej në shenjë, sikur dallohej edhe drejtësia e paanësia në detyrën delikate, në të cilën ai me një kthjelltësi të patundur qëndronte e zbatonte veprimet që i përkisnin. Më 1922 pata një bashkëfjalim të gjatë mbi shumë çështje që kishin të bënin me caktimin e kufijve. Nga dituria, rritja dhe gjykimi i kthjelltë që kishte, më bëri përshtypjen më të madhe. Ishte i ëmbël, i qetë e i çiltër në shpirt dhe i paanshëm“.(I.D.Hoxha, “VKSH në SH.Gr.”, faqe 72). Bashkëpunëtori i vet në caktimin e kufirit, Dhimitër Berati, – asokohe edhe prefekt i Qarkut të Korçës, – shkruan: “Ushtarak i vërtetë në sjellje e në fjalë. Burrë pa frikë e pa léqe (lak, kurth, çark –I. D. Hoxha); njeri me kuptim të thellë, me mendime të kthjellëta e zemër bujare; njeri me kuptim të thellë, që dinte të shikonte larg dhe ta ndante menjëherë të mirën nga e liga…Ishte shtënë me gjithë zemër pas punës së caktimit të kufirit; e kryente këtë si një detyrë të çmuar…Në ka të huaj që të ketë derdhur gjakun për të mirën e kombit shqiptar, gjeneral Enriko Telini ishte dhe mbetet në rreshtin e parë… Ai thoshte: “E dua kombin tuaj (shqiptar), se kam përshtypjen që në çdo fshatar shoh jo vetëm një ushtar të vërtetë, por edhe një kumandar në kuptimin më të mirë të fjalës”“.(I.D.Hoxha, “VKSH në SH. G”. Për të nderuar e përjetësuar emrin e gjeneral Enriko Telinit dhe veprimtarinë e tij në dobi të shtetit shqiptar, në qendër të Tiranës u çel posaçërisht një rrugë e re, e cila u quajt Shëtitorja “Gjeneral Telini”; u përurua më 27 gusht 1933 dhjetë vjet pas rënies së dëshmorit të lavdishëm në fushën e nderit. Në krye të shëtitores u vendos edhe gjysmëtruporja e tij. Këto do të shërbenin –si u shkrua asokohe në fletoren “Vullneti i Popullit”- edhe për të “na ngacmuar plagën e pashërueshme që pësuan zemrat tona, kur humbëm fatosin e çempionin e të drejtave tona”.(I.D.Hoxha, “VKSH në SH. Gr,”, fq. 73). Fatkeqësisht pushtetarët që erdhën në pushtet e hoqën gjysmëtruporen dhe emrin e të ndjerit gjeneral Enriko Telinit. Megjithatë ato mbetën të gjalla dhe të pashlyeshme në ndërgjegjen e shqiptarëve që çmojnë dhe falënderojnë mikun dhe urrejnë e përbuzin armikun.

-%-

Filed Under: Histori

“Street art – Arti i rrugës”

August 31, 2023 by s p

Luan Rama/

“Arti i rrugës” ka hyrë në modë tani, është një rrymë arti e nisur që në vitet ‘70 por që ka ndjekësit e vet. Edhe në Paris gjen shprehjen e saj në mjediset urbane, grafiti nërrugë, në fasada pallatesh. Gjithkush është i lirë të krijojë madje dhe mbi asfaltin e rrugës. Nganjëherë habitesh me artin e tyre. Bansky ishte një gjetje e veçantë pasi ai trajtoi jo thjesht portrete apo imazhe, por kishte një optikë sociale, politike, një qëndrim filozofik dhe humanist. Këto ditë në galeritë nëntokësore të Kishës së Madalenës në Paris është hapur dhe një ekspozitë e dy autorëve më parë të padëgjuar por që siç duket u imponuan me finesën e veprave të tyre, pikërisht në një kishë me emër ku nën tingujt e organos kam ndjekur meshat e disa artistëve të vdekur si dhe një meshë për mbretëreshën Geraldinë. Ekspozita e tyre ka më së shumti portrete e ndonjë instalacion, tablo krijuar me copa kartoni, kompesato, të kombinuara njëra mbi tjetrën e më pas të ngjyrosur thjesht, por me një ndjesi të hollë arti. Nuk ka telajo në bojë vaji e teknika të tjera, jemi thjesht në “artin e rrugës” e hapur për gjithë ata që dashurojnë artin. Pra duket se veç artit elitar zhvillohet si në “underground” një art tjetër që meriton sidoqoftë emërtimin art. Dhe në këto përpjekje ndoshta ndonjë ditë, këta artistë mund të na shfaqen në artin e galerive të mëdha. Artistët e mëdhenj nuk janë lindur të tillë. Ata janë bërë dhe krijuar në sajë të ndjesisë, shijes, frymëzimeve artistike, punës dhe kulturës…

Filed Under: Kulture

TETË TEZA MBI SERBINË

August 30, 2023 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

1. Serbia është peng i Rusisë. Serbia pohon se Rusia ia mbron Kosovën, ndërsa Putini e krahason aneksimin e Krimesë me Kosovën, me çka tregon se interesi i Rusisë në Krime është i kundërt me interesin e Serbisë në Kosovë. Ama Serbia shtiret sikur nuk merr vesh. Në vend se të pranojë realitetin e shpërbërjes së ish federatës jugosllave, ku Kosova ishte njësi federale e të përqafojë vlerat e BE-së dhe ashtu të bëhet një shtet normal evropian, Serbia vazhdon të jetojë në të kaluarën e Versajës/Jajces/Zhablakut dhe të varë shpresat te Rusia, e cila pas këtij agresioni kundër Ukrainës, nuk do të jetë e aftë të ndihmojë as vetveten. Rusia do të fillojë të shpërbëhet edhe vetë. Ama Serbisë i është ndalë sahati. Kur diçka është pa lidhje, në nivel të budallallëkut, serbisht thonë: “Serpska posla.” E pakta ia kanë gjetur formulën budallallëkut të vet.

2. Njëra nga mjetet për ta frenuar Serbinë rusofile është destabilizimi i vetë Serbisë. Nëse Serbia nuk i bashkohet Bashkimit Europian dhe SHBA-së në sanksionet kundër Rusisë, destabilizimin e vet e ka të pashmangshëm. Sanksionet më të buta që mund t’ia vendosin nga BE, Serbinë e qesin në kokërr të shpinës. Pse? Sepse eksportet e Serbisë, mbi 70%, shkojnë në tregun në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, borxhi i jashtëm i Serbisë është mbi 32 miliardë dollarë. Nëse i bllokohen eksportet, Serbia nuk arrinë të shlyejë as borxhet. Dhe kollapsin e ka të paevitueshëm. Qat’herë ngihen me nanën Rusi!

3. Serbia është shtet me një rrethim të theksuar armiqësor. Marrëdhëniet e këqija të Serbisë me Bosnjen, me Kroacinë, me Malin e Zi dhe me Kosovën, janë barrë për ekonominë dhe shtetin serb, sepse harxhohen shumë para e shumë energji për të bërë presion mbi këto shtete. Por, fronti antiserb tashmë po profilizohet dhe po fuqizohet edhe në rajon. Po të mos ishin lojërat me “Ballkan Open” Serbia sot do të ishte tërësisht e izoluar në rajon. Por, pas refuzimit të Serbisë që të vendos sanksione kundër Rusisë, presioni mbi Serbinë do të jetë ngulfatës. Shtetet e rajonit çlirohen nga presioni i Serbisë dhe mund të fitojnë rëndësi më të madhe gjeopolitike dhe ekonomike. Tas që “Ballkani i Hapur” u mbyll, Serbisë iu mbyll një mundësi për manipulim gjeopolitik.

4. Serbia është shtet, i cili zyrtarisht mbron kriminelët e luftës. Që nga Shesheli dhe dy anëtarët e partisë së tij, të cilët nuk i janë dorëzuar Tribunalit e deri te Radosavleviq Guri, urdhërdhënësi për vrasjen e vëllezerve Bytyqi, janë të mbrojtur nga shteti serb. Ndërsa një shtet që mbron kriminelët, nuk mund të ketë respektin në komunitetin ndërkombëtar. Në një rangim të publikuar kohët e fundit lidhur me regjimet autokratike, regjimi i Serbisë është ranguar si regjimi i pestë autokratik në botë.

5. Sipas partisë opozitare, Partia e Drejtësisë dhe Lirisë, borxhi publik i Serbisë në vitin 2022 ishte 32 miliardë dollarë. Kjo është një shumë marramendëse e borxhit, të një shteti që ka ekonomi të dobët. Sa për ilustrim po kthej në kujtesë faktin që borxhi i ish Jugosllavisë, në kohën kur ajo ra në krizën e borxheve, nga e cila pastaj pasoi edhe kriza politike dhe shpërbërja e përgjakshme, ka qenë 20 miliardë dollarë. Pra, ish Jugosllavia me të gjitha resurset që kishte me të gjashtë republikat dhe dy krahinat autonome, nuk e përballoi borxhin prej 20 miliardësh. Prandaj mund të thuhet se nga ky aspekt Serbia është shtet i falimentuar. Nuk arrinë të përballojë krizën e borxheve të mëdha ku e kanë futur qeveritë e saj, më së shumti vetë qeveria e Vuçiqit.

6. Sipas të dhënave që ka publikuar Sindikata Ushtarake, në këto vite, shërbimin në ushtri e kanë braktisur mbi 10.000 profesionistë. Kjo do të thotë se ushtria serbe ka pësuar edhe një goditje të fortë, pas goditjes që mori në vitin 1999, nga bombardimet e NATO-s. Është riarmatos me armë ruse, gjë që e bën edhe më të vështirë raportin e saj strategjik me NATO-n.

7. Mediet në Serbi janë nën terrorin e regjimit, për ç’arsye imazhi i saj përditë e më shumë po errësohet. Tashmë edhe në sistemnin e Tvitterit Serbia është evidencuar si shtet që kontrollon mediet, gjë që e vë në pikëpyetje besimin në mediet serbe.

8. Në Malin e Zi po formohet qeveria e re pa bllokun serb. Në BeH Dodiku do të ketë probleme ligjore, që mund të çojnë edhe në arrestimin e tij. Regjimi serb i Vuçiqit të vetmen shpresë për mbijetesë, në turbulencat që priten të ndodhin në Serbi nga kjo vjeshtë e tutje e ka nëse arrin të shkaktojë konflikt të armatosur në veriun e Kosovës, përkatësisht të nxitë rebelimin e serbëve në Kosovë. Nëse skenari i konfliktit i dështon, atëherë Serbia do të ballafaqohet me krizën e vet të brendshme, ndoshta edhe me ndonjë formë të revolucionit.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1485
  • 1486
  • 1487
  • 1488
  • 1489
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT