• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës

January 30, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Përmbi mal si shqiponjë/ zbriti Xhelo kapedani/ Tok me Asimin luftoi/ Në grykë të Mezhgoranit/ Populli s’do t’i harrojë/ Bijtë e ndritur të vatanit!

Borxhet duhen shlyer bija ime, më mësonte babai…
Jam rritur me bëmat e mëdha të heronjve të të gjitha epokave, jam rritur me Heronjtë Xheladin Beqiri “Karadaku” nga Gjilani i Kosovës dhe Asim Zenelin nga Progonati, ndoshta se aty në tokën e Brahim Gjonit (Atit tim) u derdh gjaku lum, u derdh gjaku i Heroit Asim Zenelit kundër pushtuesve fashistë italianë. Kur ishja e vogël kjo tokë përbënte një çudi, një mister, fantazi…
Mezhgorani kjo vatër e prushtë atdhetarie, plot mistere të çuditshme ka një pozitë gjeografike të shkëlqyer. Jo vetem që ka një bukuri të pashoqe e rrethuar mes dy malesh kryelartë si Trebeshina dhe mali Shëndëllia me emër të shenjtë, ku këmbët e tyre lagen nga lumi Vjosa, por është dalluar për kulturë dhe për heroizëm si gryka famëmadhe Mezhgorani.
Shumë prej brezit tim e dinë mirë këngën: Një zë po del nga gryka e Mezhgoranit, të interpretuar nga basi i madh lirik shqiptar Mentor Xhemali, me tekst nga shkrimtari Qamil Buxheli dhe kompozitor Mustafa Krantja, mjerisht nuk po njihet si duhet nga pasardhësit tanë. Kjo këngë lindi në ditën që u vra Asim Zeneli nga Progonati balli i djemve, i cili ishte në krye të Çetës “Hajredin Tremishti” me komandant Birin e Gjilanit, djalin shqiptar nga Kosova Xheladin Beqir “Karadaku”.
Më 2 Korrik 1943 u shkrua Epopeja e Mezhgoranit, ku u zhvilluan luftime trup me trup kundër pushtuesve fashistë italianë, në këtë betejë që udhehiqej nga Asim Zeneli dhe Xheladin Beqiri.
Komandant Karadaku në Grykën e Mezhgoranit, para trupit të tij u betua:
“Fli i qetë Asim, se hakun do ta marrim, gjakun që derdhe ti për Shqipëri, shtrenjtë do
ta paguaj fashist italiani, ti je një Hero për Liri”.
Ky bir trim ky kapedan i Kosovë s dhe i Labërisë ku jetoi dhe banoi dëbuar nga genocidi serb të kujton thënien e Winston Churchill ish kryeministrit ë Anglisë i cili thotë për vendin e tij në kohën e Luftës së dytë botërore si: “Ne do të mbrojmë ishullin tonë, sido që të jetë kostoja, do të luftojmë në plazhe, do të luftojmë në terrene, do të luftojmë në fusha dhe në rrugë, do të luftojmë në kodra; nuk do të dorëzohemi kurrë”.
Në çdo festë pelegrinazhi të 2 korrikut kur ftonin im at per t’ju rrëfyer nxënësve të shkollave për këtë epope, ose në bisedat private gjithmonë ishja kurreshtare dhe cuditesha se si ishte e mundur që Heroi Xheladin Beqiri të gjendej në Mezhgoran? Këto ishin pyetjet e një adoleshenteje dhe natyrshëm merrja përgjigjen e duhur. Ai tregonte: Xheladin Beqiri lindi në Gjilan – Kosovë. Të atin ia vranë serbët. Për këtë arsye për të mbijetuar, ishte shtrënguar të punonte si shërbëtor që në moshën e fëmijërisë, duke shkuar nga krahina në krahinë, deri sa u vendos në Nivicë të Kurveleshit. I rritur me urrejtjen për pushtuesit serb, për genocidin që kishin ushtruar, ai
rrëmbeu armët për të luftuar kundër pushtuesit fashist italian dhe gjerman.
Hyri në çetën e parë të Kurveleshit, më 1942. Pastaj kaloi komandant i çetës “Hajredin Tremishti” me komisar Asim Zenelin. A e kupton bija ime rrëfente im at se kur populli i Mezhgoranit, Peshtanit dhe përreth panë këto çeta që erdhën nga Dragoti nga mbrapa malit të Shëndëllisë morën krah, zjarr, vrull për të luftuar trup me trup me fashistët. Ata ishin të bukur, në lulen e rinisë dhe të djalërisë. I dolën Zot vatanit. Ata dukeshin si shqiponjat e Lirisë, ata ishin Luan të vërtetë edhe pse përballeshin me një armik të madh në numër dhe me autoblinda super të sofistikuara. Po ja që një popull kur lufton për Lirinë vjen një ditë që e fiton, sepse Liria nuk njeh çmim deri sa të fitohet.
Në tetor 1942, me krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese, emërohet zv/komandant i batalionit të parë dhe më vonë të pestë. Ra heroikisht, më 6 qershor 1944, në Qafën e Gjarprit. Kur morëm vesh se Xheladin Beqiri Karadaku ra heroikisht në Luftë, shumë bashkëfshatarë tanë qanë, mbajtën një minutë heshtje. Populli i Mezhgoranit i këndoi: Përmbi mal si shqiponjë/ zbriti Xhelo kapedani/ Tok me Asimin luftoi/ Në grykë të Mezhgoranit/ Populli s’do t’i harrojë/ Bijtë e ndritur të vatanit! Ndërkohë shoku i tij i armëve, Heroi Asim Zeneli ndodhej i varrosur në Hojmodh në varrezat e Mezhgoranit ngase ishte luftë dhe s’mund t’i çonin eshtrat e tij në vendlindje në Progonat.
Xheladin Beqiri nderohet dhe përkujtohet me plot nderime si Bir I Kosovës dhe i Labërise atje ku jetoi dhe krijoi familjen e tij. Nuk e lajmë dot borxhin e vëllait prej Kosove vazhdonte Ati im edhe pse vëllai i tij Ismet Gjoni i inkuadruar në luftë shkoi deri në Kosovë dhe u plagos tri herë në fushat e saj kundër pushtuesve. Borxhet duhen larë në mos sot, mot, por jo kurrë edhe pse Xheladini e kishte në mish e në gjak dashurinë për tokën amë dhe jo për borxhe.
Sidoqoftë mbetemi borxhlinj gjithmonë. Në mos t’jua shpërblejmë me pushkë ka forma te tjera. Sa herë marrim mësuese nga Kosova apo aktivistë që i janë bashkuar Misionit Kombëtar të mësimit të Gjuhës Shqipe, gjithmonë më vjen në mendje Heroi i Kosovës dhe Labërisë Karadaku dhe më duket sikur shlyej sadopak amanetin e të parëve.

Të isha një natë në Hënë

Këto ditë dëgjova me shumë emocion këngën e kënduar me titull: “Sikur të ishja një natë në Hënë” të nipit të tij që e kanë pagëzuar me të njejtin emër si Gjyshi Hero: Xheladin Beqiri.
Kënga më e re: “Të isha një natë në Hënë” është një lirikë e mrekullueshme. Fillon me nje instrument frymor fyellin, një nga veglat me origjinë të lashtë. Eshte vegël që përdoret nga barinjtë, dhe në këtë rast ndjell të zotin e këngës per t’i dhuruar publikut një perlë nga viset e Labërisë.
Kënga shoqërohet me natyrën e bukur shqiptare, një ndër to është dhe e vendlindjes sime Tepelenës me kalanë hijerëndë dhe Vjosën që gurgullon poshtë saj. Kënga shoqërohet nga orkestra Bledian Beqiraj dhe klarinet Artan Majko. Dhe ja disa nga vargjet e këngës lirike: Të jesha një natë në brinjë/ bashkë me bejkën kërthinjë/ Si Helena mbi bedena/ për një vajzë nga Tepelena.
Strofa tjetër vazhdon me një ëmbëlsi të natyrës së qetë dhe dëshirore si: Të isha në Hënë një natë/ Të ma bënte zemra fap/ Aty do ja bëja fora/ Për një vajzë këndej nga Vlora.
Ndërkohë valëzat e ujit të detit të Vlorës që shfaqen në ekran janë në sinfoni harmonie me fjalët e përzgjedhura për vajzën labe.
Jam shumë krenare që kënga labe ruhet si diamant në botë nga UNESCO dhe kjo më jep një ndjesi të papërshkrueshme. Në vitin 2005 “Iso-polifonia popullore shqiptare” futet në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.
Kënga e kënduar vetëm nga artisti është dëshmi e civilizimit, shpirtbardhësië dhe e dashurisë së sinqertë për traditën popullore labe.
Nipi është shumë krenar për gjyshin e tij hero dhe natyrisht ka shkuar disa here për të vizituar rrënjët e të parëve të tij atje në Gjilanin e bukur. Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës, rajoni i Anamoravës. Është njëra nga komunat e mëdha të vendit. Pozita gjeografike që ka, i mundëson asaj lidhje të mira me qendrat e tjera të Kosovës dhe të rajonit.
Cfare lidhje e hatashme shpirtërore është midis Labërisë, Nivicës dhe Bëncës atje ku u rrit nipi i tij Xheladini dhe sot në nderim të gjyshit të tij në qendër të Nivicës ndodhet busti i Heroit Xheladin Beqirit.
Në krah të tij është busti tjetër i Hodo Nivicës që ra heroikisht nga pushtuesit malazezë, pra një djalë i Labërisë shkon në Veri për të luftuar pushtuesit, ndërsa një djalë nga Gjilani i Kosovës vjen në Mezhgoran dhe lufton kundër pushtuesve italianë dhe gjerman në gjithë vendin ku bie heroikisht në “Qafën e Gjarprit”. Varri i Kryekapedanit Hodo Nivica ndodhet në Shpuzë të Malit të Zi.
Bijtë e vërtetë nuk njohin dallime, nuk njohin Veri-Jug, gegë a toskë, por njohin se kanë vetëm një Atdhe: Shqipërinë etnike. Ata janë dëshmi autentike e saj. Këta heronj i përkasin qiellit shqiptar, janë një dashuri për gjithë botën e madhe, për gjithë popujt që luftojnë kundër klikave fashiste dhe skllavërisë.
Në betejën e Qafës së Gjarprit e Guri i Prerë, (Skrapar), midis forcave gjermane e ato partizane më 6 qershor të vitit 1944, dhanë jetën 32 partizanë, midis tyre edhe biri i Kosovës, komandant Xheladin Beqiri (Karadaku), Hero i Popullit. Pseudonimi Karadaku është mali i vendlindjes së tij që s’e harroi kurrë.
Kur populli dëgjoi për rënien e tij heroike i këndoi me ligje labërie:
Bir i tokës kosovare/ Karadaku me halle/ Maliherin tënd të rrallë/ gjithmonë mbushur e kam pare…
Nipi i tij i interpeton magjishëm këngët labe dhe është një nga bilbilat e këtij thesari botëror. Kurse Golik Jaupi ky gjeneral i këngës labe që e shoqëronte në udhëtimin për në Nivicë për të nderuar Heroin Xheladin Beqiri, i këndoi: Xheladin strall me rremba/ Bir i halleve të rënda/ Bonjaku me shumë nëna/ ndau zemrën në shumë zemra…
Karadaku, ky bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës dhe ra ne Qafën e Gjarprit në Skrapar nderohet dhe përkujtohet me plot respekt nga gjithë populli shqiptar. Ata do të jetojnë përjetësisht në zemrën e Kombit.

28 Janar, 2023
Staten Island, New York

Filed Under: Histori Tagged With: Kozeta Keze Zylo

Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike

January 30, 2023 by s p

Beteja në mes të parimeve dhe pragmatizmit gjithmonë ka qenë e pabarabartë dhe historia na ka mësuar se në jo pak raste pragmatizmi ka triumfuar mbi parimet. Kjo nuk do të thotë me automatizëm se Kryeminstri Kurti duhet të heqë dorë nga parimet, por vendimarrjen politike e shtetërore duhet ta bazojë mbi analizën e të gjitha rrethanave të brendshme e të jashtme, duke mos i lënë kurrfarë hapësire Serbisë që prej një agresori rajonal të shndërrohet në një faktor paqeje që i dikton rrjedhat gjeopolitike.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Të gjithë politikanët në Beograd pajtohen në një pikë: të zgjidhet problem i Kosovës, por me kusht që mos të njihet si shtet dhe mos t’i lejohet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Mbetet e paqarta se si po mundka të zgjidhet “problem i Kosovës“ pa u njohur shetësia e saj. Ky qëndrim kontradiktor i Beogradit, nuk ka e marrë vëmendjen e duhur të diplomatëve të huaj, sidomos të atyre që janë të përfshirë në procesin e ndërmjetësimit dhe të tejkalimit të ngërçit që ekziston në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mbetet të nënkuptohet se me zgjidhjen e “problemit të Kosovës“, politikanët serbë e kanë prasysh formimin e Bashkësisë së komunave serbe, si parakusht për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Me fjalë të tjera, Beogradi në njërën anë e mohon shtetësinë e Kosovës, kurse në anën tjetër insiston që në kuadër të shtetit të Kosovës të formohet një entitet i ri etnik që do të ishte përmbushje e nevojave të serbëve lokalë.

Në të ardhmen, nëse formohet Bashkësia e komunave serbe, Beogradi do të përqëndrohet që ky entitet i ri ta zëvendësojë Kosovën si shtet dhe mbi këtë bazë të ndërtohet një narrativë e re, ku Kosova si shtet do të anashkalohej në favor të këtij entitei të ri, të cilit Beogradi instiston t’i jep kompetenca ekzekutive.

Më 31 janar do të organizohet një takim nga Ambasada amerikane ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në këtë takim. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve të nënshkruaar në Bruksel (në vitin 2013 dhe 2015), Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Ndërkombëtarët vazhdimisht bënin thirrje për formimin e tij, madje, tani në projektin franko- gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, paraqitet pika që Kosova duhet t’i respektojë marrëveshjet.

Por ka plot zëra në politikën ndërkombëtare, por edhe analistë e studiues të ndryshëm, të cilët e shohin me skpeticizëm çëshjtjen e formimit të Asociacionit. Duke e komentuar këtë çështje, sidomos implikimet e propozimeve sipas nenit 7, deputetja britanike që drejton edhe Komitetin për Punë të Jashtme, Alicia Kearns, pas draftit të përditësuar, u shpreh se “askush nuk duhet të kërkojë të rrënjos, e lëre më të projektojë me qëllim, çdo formë të “vetëqeverisjes” në vijat etnike brenda Ballkanit. Nuk duhet të krijohet asnjë entitet i stilit “Republika Srpska”, ka shkruar ajo.

E përditshmja vieneze “Der Standard”duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë ka shkruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzon Asociacionin e Komunave [me shumicë] Serbe si parakusht për një marrëveshje me Serbinë. Asociaconi, sipas “Der Standard”, nuk ka qenë në draftin e parë të propozimit, por është shtuar vetëm kohëve të fundit, dhe atë, siç thuhet në tekst, përmes një koncesioni që QUINT-i i ka bërë qeverisë serbe.

Se cilat janë qëllimet përfundimtare në insistimin për formimin e Asociacionit, profesori amerikan, profesori amerikan Daniel Serwer konstaton se këtë Asociacion Beogradi e kërkon “për të ushtruar kontroll”. Ai gjithashtu ka një kritikë të qartë sa i përket Asociacionit në raport me këtë plan evropian. Sipas tij, ky propozim nuk i referohet Kushtetutës së Kosovës si bazë. Gjithashtu, thotë Serwer, propozimi franko-gjerman nuk parasheh Asociacion të Komunave shqiptare brenda Serbisë, përkatësisht për Luginën e Preshevës.

Përmes planit franko-gjerman Kosovës nuk do t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndryshe nga zgjidhja gjermano-gjermane e vitit 1972. Ky është një problem për të cilin ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk kanë ndonjë përgjigje të prerë, ashtu siç janë të paqartë kur ballafaqohen me shantazhet direkte të Beogradit për moslejimin e Kosovës të anëtarësohet në Kombet e Bashkuar dhe në organizatat relevante ndërkombëtare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vërejtur se presionet e Brukselit dhe Washingtonit ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk janë simetrike. Përderisa në Prishtinë ambasadorët e huaj e kërcënojnë hapur kryeminstrin Kurti se do të gjejnë partner të tjerë nga shoqëria civile për të shpie përpara çështjen e Asociacionit, në Beograd ky presion jo vetëm që nuk është ushtruar ndaj Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por diplomatët e huaj kanë mbetur pa përgjigje kur janë pyetur nga gazetarët se pse Beogradi mbetet i pandëshkuar nga Perendimi për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Diplomatët e huaj gjithashtu kanë mbetur pa përgjigje kur kanë marrë vërejtje nga analistë të ndryshëm për sjellje tepër të butë dhe tolerante të BE-së ndaj Beogradit pas furnizimit të forcave të armatosura të Serbisë me armë të sofisikuara të Rusisë dhe Kinës.

Në Serbi janë disa lokacione të cilat janë identifikuar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare ku ndodhen mbi 1000 kufoma civilësh shqiptarë të masakruar në luftën e fundit në Kosovë, por që autoritetet serbe refuzojnë t’ua dorëzojnë familjarëve të tyre.

Ndërmjetësit ndërkombëtarë që merren me tejkalimin e problemeve mes Kosovës dhe Serbis, çështjen e të pagjeturve nuk e kanë trajtuar si problem të madh. Për ata, sidomos për diplomatët e BE-së, problem krucial është statusi i serbëve në Kosovë, i cili, sipas tyre, duhet të rregullohet edhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Aplikimi i standardeve të dyfishta në diplomaci, nuk është praktikë e panjohur, por kur këto standarde mundohen të imponohen si instrumenta për zgjidhjen e problemeve, atëherë me diplomacinë e tillë nuk është diçka në rregull. Sidomos në rastin e Kosovës, diplomatët e huaj thirren në kushtetutë sipas momentit dhe rrethanave, duke krijuar në këtë mënyrë situata kontradiktore dhe aspak të qëndrueshme në aspketin etik e professional. Kështu, bie fjala, kur shtrohet për diskutim çështja e Asociacionit, diplomatët e huaj duan ta anashkalojnë frymën e Kushtetutës së Kosovës, por kur insistojnë që të mbrohet statusi i kishave dhe manastireve serbe, atëherë thirren në Kushtetutën e Kosovës e cila i jep të drejtë Manastirit të Deçanit të pëvetësojë tokën përreth që kishte qenë dikur (deri në vitin 1994) pronë e një kooperative bujqësore të Deçanit.

Pra, në rastin e parë kur duhet të favorizohet formimi i Asociacionit të komunave serbe, Kushtetuta e Kosovës anashkalohet, kurse në rastin e dytë, e njejta Kushtetutë merret për bazë për të argumentuar tezën se kishat dhe manastioret serbe në Kosovë duhet të kenë prona të përvetësusara arbitrarisht.

Vuçiqi është i rrethuar me bashkëpunëtorë (Radojçiq e Veselinoviq) të cilët janë të gatshëm në çdo moment të shkaktojnë trazira në Kosovë, siç ishin ato të fundvitit të kaluar me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës, me ç’rast erdhi në shprehje shantazhimi i drejtpëdrejt i atributeve shtetërore të shtetit tonë.

Por askush në Kosovë nuk mund të ndikojë se çfarë udhëheqje do të ketë në Beograd. Atë çka e kanë në duar shqiptarët e Kosovës ka të bëjë me qasjen ndaj kërkesave të Serbisë që drejpërdrejt ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e shtetit tonë. Deri më tani kjo qasje ka qenë disonante (njëri thumbit, tjetrit patkoit), ndërkohë që në Serbi ka një koncenzus të plotë (pushtet dhe opozitë) për mosnjohje të shtetit të Kosovës.

Në Kosovë, jo vetëm që nuk ka koncenzus të brendshëm, por ka madje edhe qëndrime diamteralisht të kundërta që në vetvete shprehin një mungesë të theksuar të sensit të përgjegjësisë mbi momentin historik në të cilin ndodhet Kosova. Kjo pastaj ka ndikuar që faktori ndërkombëtar ta lexoj gabimisht situatën në terren sikur gjoja vetëm Kryeministri Kurti është i pakënaqur me çështjen e Asociacionit të komunave serbe dhe për rrjedhojë këtu e ka burimin deklarata e Escobarit se “me apo pa Kurtin, asociacioni do të bëhet”, duke përmendur edhe “partnerët alternativë”. Ai madje kishte thënë se “Kurti nuk duhet patjetër të pajtohet me çështjen e Asociacionit, sepse Kosova ishte pajtuar”, duke aluduar në marrëveshjet e 2013- tës dhe 2015-tës.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë dhe se të gjithë ata që flasin për Asociacionin përderisa Serbia nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, e ndihmojnë atë.

“Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë duhet të ndodhë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për REL.

Tani për tani nuk ka një përgjigje të prerë të Perëndimit ndaj një skenari të mundshëm i cili thotë: Çka nëse Vuçiqi e pranon planin franko-gjerman, kurse Kurti e refuzon?

Të gjitha spekulimet mund të prodhojnë një gjysëm të vërtetë, por asnjë e vërtetë nuk mund të lindë nga diplomacia e standardeve të dyfishta. Ashtu siç nuk mund të përkthehen në veprim efikas politik parimet e drejta, siç po pretendon Kryeministri Kurti sepse beteja në mes të parimeve dhe pragmatizmit gjithmonë ka qenë e pabarabartë dhe historia na ka mësuar se në jo pak raste pragmatizmi ka triumfuar mbi parimet. Kjo nuk do të thotë me automatizëm se Kryeminstri Kurti duhet të heqë dorë nga parimet, por vendimarrjen politike e shtetërore duhet ta bazojë mbi analizën e të gjitha rrethanave të brendshme e të jashtme, duke mos i lënë hapësirë Serbisë që prej një agresori rajonal të shndërrohet në një faktor paqeje që i dikton rrjedhat gjeopolitike.

Filed Under: Fejton Tagged With: Mehmet Prishtina

SA PËR RIKUJTIM!

January 30, 2023 by s p

Faton Bislimi/

Presidenti George H. W. BUSH (Republikan): “Në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi,” thuhej në letrën e Presidentit Bush dërguar Millosheviqit më 25 dhjetor 1992, ndryshe e njohur botërisht si “Kërcënimi i Kërshëndellave.” Ky është momenti kur Serbisë i vendoset vija e kuqe amerikane në Kosovë!

Presidenti Bill CLINTON (Demokrat): “Objektivi ynë në Kosovë është i kjartë: të ndalojmë vrasjet dhe të sigurojmë paqen që iu mundëson kosovarëve vetëqeverisjen,” (deklaratë para mediave, Shtëpia e Bardhë, 22 mars 1999), vetëm dy ditë para se të fillonte ofenziva e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Në pronocimin e parë medial pas fillimit të bombardimeve, Presidenti Clinton kishte thënë, ndër të tjera, “besoj se e kemi një shancë të mirë të arrijmë objektivat tona për t’i kthyer Kosovarët në vendin e tyre për të jetuar të sigurtë dhe me një masë vetëqeverisjeje që gëzonin nën kushtetutën e vjetër të Jugosllavisë para se Milosheviqi t’ua hiqte atë…” (konferencë për media, 2 prill 1999).

Presidenti George W. BUSH (Republikan): “Mjaft është mjaft… Kosova do të jetë e pavarur,” kishte deklaruar Bush gjatë visitës së tij historike në Tiranë, duke përcaktuar kjartë si kristali statusin final të Kosovës dhe duke i dhënë përfundimin efektiv të duhur negociatave të Vjenës (Tiranë, 10 qershor 2007). Kurse, sa ishte në Tanzani, më 19 shkurt 2008, gjerësa po proklamonte njohjen zyrtare të SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës, Bush kishte thenë: “në deklaratën e pavarësisë, Kosova përkushtohet për implementimin e standardeve më të larta të demokracisë, përfshirë lirinë dhe tolerancën si dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët e të gjitha entive. Këto janë principe që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika i kërkon në miqët e vet… Ne i inkurajojmë liderët e Kosovës që së shpejti të aprovojnë provizionet e planit të Ahtisaarit, vecanërisht ato të dizajnuara për të mbrojtur të drejtët e komuniteteve jo-shqiptare të Kosovës…” (konferencë për media, Dar es Salaam, Tanzani, 19 shkurt 2008).

Presidenti Barack OBAMA (Demokrat): “Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në sforcimin e të mirave të pavarësisë si dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, multi-etnik, përfshirës, dhe demokratik. Ka ende punë për t’u bërë tani që liderët Kosovarë marrin mbi supe barren e implementimit të principeve të përfshira në deklaratën e pavarësisë dhe në kushtetutën e Kosovës për secilin qytetar. Kosova duhet të vazhdojë diskutimet në mënyrë konstruktive me fqinjët dhe të punojë për zgjidhjen e cështjeve të pazgjidhura, veçanërisht të atyre me Serbinë,” kishte deklaruar Presidenti Obama pas përfundimit të mbikqyerjes ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës (10 shtator 2012, deklaratë e presidentit, Shtëpia e Bardhë).

Presidenti Donald TRUMP (Republikan): “Partnershipi në mes dy vendeve tona është i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta. E ardhmja demokratike e një Kosove sovrane e multietnike është në një rajon të Ballkanit që është stabil dhe përparimtar dhe tërësisht i integruar në komunitetin ndërkombëtar,” thuhej në letrën e urimit të Presidentit Trump për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2017, Shtëpia e Bardhë), dhe në fund të vitit 2018, me bekimin e Administratës së tij, Kosova do e themelonte ligjërisht ushtrinë e vet. “Ne sot jemi dëshmitarë të një arritje historike pas një të kaluara tragjike në mes këtyre dy shteteve… Fokusi është normalizimi ekonomik, që sjellë punësim e të mira ekonomike për të gjithë,” kishte deklaruar Presidenti Trump gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë në mes të Kryeministrit të Kosovës Hoti dhe Presidentit të Serbisë Vuciq, kur ishte nënshkruar Marrëveshja e Washingtonit, si rezultat direkt i së cilës Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës (4 shtator 2020, Shtëpia e Bardhë).

Presidenti Joe BIDEN (Demokrat): “Po ashtu, Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të përkrahin përpjekjet për të arritur paqe afatgjatë përmes dialogut produktiv në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që ne besojmë se duhet të jetë e përqëndruar në njohjen reciproke,” thuhej ndër te tjera në letrën e Presidentit Biden për Presidenten e Kosovës (19 prill 2021) pak muaj pasi Biden kishte marrë mandatin e shefit të Shtëpisë së Bardhë. Kurse, në mesazhin e tij për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, thuhej: “Sic e dini, Kosova zë një vend special në zemrat e familjes Biden… T’i vazhdojmë përpjekjet tona te përbashkëta në thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona dhe për të arritur një të ardhme për një Kosovë vibrante, sovrane, multi-etnike, demokratike, që do e zë vendin e vet në institucionet Europiane dhe ato Euro-Atlantike…” (17 shkurt 2022, Shtëpia e Bardhë).

Kosova ka qenë e bekuar me miqësinë unike me SHBA-të; gjashtë presidentë, mbi tri dekada! Ka qenë, është, dhe do jetë gjithëherë interes yni strategjik e kombëtar ta ruajmë këtë aleancë duke qenë të përkushtuar pafundësisht për të mirën e shtetit e kombit tonë. Ky është obligim për secilin nga ne qoftë edhe atëherë kur mund të kemi dilemen e Abraham Lincoln-it se a duhet ‘të ankohemi që trupat e trëndafilave kanë xhemba, apo tê gëzohemi që trupat me xhemba kanë trëndafila!’

Filed Under: Histori Tagged With: Faton Bislimi

FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË

January 30, 2023 by s p

Meliza Haradinaj – Stublla/

Shqiptarët anembanë botës duhet t’a kuptojnë që të drejtat e mohuara të shqiptarëve në Serbi nuk fitohen vetëm duke kërkuar reciprocitet përmes dialogut Kosovë – Serbi!

Tani është momenti më i favorshëm që Shqipëria zyrtare t’i bëjë kërkesë dhe ankesë formale Serbisë – me të cilën ka marrëdhënie bilaterale – që të ndalojë shtypjen dhe shkeljet flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Shqipëria do të duhej pastaj të nisë lobim ndërkombëtar deri në Këshill të Sigurimit të OKB-së për mungesën e këtyre të drejtave themelore – të cilat Serbia paturpësisht i shkelë brenda saj – por i kërkon të shumëfishuara për komunitetin serb jashtë saj (Asociacioni njëetnik në Kosovë).

Me këtë veprim, Shqipëria do realizonte detyrimin e kujdesit kombëtar për shqiptarët në Serbi, dhe detyrimin e ndihmës ndërshtetërore ndaj Kosovës – duke ia lehtësuar sadopak barrën e rëndë të presionit për themelimin e një asociacioni mbi baza njëetnike përbrenda aparatit të shtetit.

Vetëm duke fuqizuar shqiptarët në Serbi, do të dobësohen synimet nacionaliste serbomëdha në Kosovë!

Filed Under: ESSE Tagged With: MELIZA HARADINAJ

THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!

January 30, 2023 by s p

                                               Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Let them fly high and undisturbed, please! — Lëri të fluturojnë lartë!  Mos ua prishni qetësinë, ju lutem! – Si dy Shqiponja motra të pandara!

 Në fillim të muajit të kaluar, pikërisht me 9, Dhjetor, 2022 kisha shkruar  një artikull modest, me pikëllim në zemër, në përmbyllje të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare –Ja linku për lexuesit të cilëve mund tu ketë shpëtuar pa lexuar. Frank Shkreli: 100-vjetori i mardhënieve shqiptaro-amerikane mbyllet për faqe të zezë, pothuaj me një “non-grata” | Gazeta Telegraf  

Por, sot 6-7 javë pas botimit të këtij artikulli dhe pas shumë shkrimeve të tjera kritike, në të cilat kam shprehur zhgënjimin tim personal se si janë trajtuar këto marrëdhënie, sidomos, gjatë viteve të fundit.  Thënja e famshme e Ibrahim Rugovës,”Marrëdhënie të përjetshme midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara…”, po testohet rëndë, sa më përket mua dhe shumë shqiptaro-amerikanëve që i konsiderojmë ato si të shënjta dhe të pa prekshme. Ditët e fundit, bota shqiptare, bota amerikane dhe pothuaj mbarë bota mësoi nga mediat amerikane, shqiptare dhe botërore se në përfundimin e 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ato na qenkan në një gjëndje shumë më të rendë se ç’mendonim, megjithë propagandën nga zëdhënës të dy palëve, që u munduan gjatë gjithë vitit të kaluar t’i paraqisnin ato si më të mirat në botë, midis dy shteteve: bazuar në “vlera të përbashkëta” dhe “krah për krah”.  

Unë nuk dua të futëm në procesin gjyqësor të rastit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së — Byrosë Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara — Charles McGonigal, i arrestuar të shtunën që kaloi nga autoritetet amerikane se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare, si dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.  Unë nuk kam asnjë dyshim se drejtësia amerikane do t’i dalë deri në fund kësaj afere fatzezë për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Për këtë unë nuk kam asnjë dyshim. Vetëm durim se mund të jetë një proces i gjatë.  Por si do të trajtohen nga sistemi shqiptar i drejtësisë – shtetasit shqiptarë, deri në nivelet më të larta të politikës atje, që mund të jenë të përzier në këtë skandal të marrëdhënieve dy-palëshe – kjo është një pyetje tjetër. 

Sidoqoftë, mua nuk më intereson aspak fati i cilitdo qoftë person — amerikan ose shqiptar – të cilët mund të jenë përzier në këto vepra penale, qoftë në Amerikë ose në territorin shqiptar. Këta do korrin, çfarë kanë mbjellur për veten e tyre.  Shoh se media shqiptare po e trajton këtë skandal si një “soap opera”, si një serial televiziv me karaktere melodramtaike, pa marrë parasysh dëmet që mund të ketë shkaktuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane por edhe në përspektivat e antarësimit të Shqipërisë në organet euro-atlantike.  

Megjithëse është heret në procesin e zhvillimeve gjyqësore, ky skandal ka implikime politike, gjeostratagjike dhe ekonomike ndërkombëtare – por mbi të gjitha prekë në zemër marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në 100-vjeçarin e vendosjes së tyre. Varësisht se cili do jetë përfundimi i këtij procesi gjyqësor, ky skandal ka mundësi të jetë një thikë në zemër të këtyre marrëdhënieve prej një shekulli – për një kohë afatgjatë.  Ndonëse unë besoj se këto marrëdhënie, siç jam shprehur shpeshëherë – janë marrëdhënie të cilat janë çimentuar popull me popull, për një shekull dhe nuk varen nga individë as organizata, të cilës do palë qoftë që vendosin interesat e tyre personale e politike mbi këto marrëdhënie. Unë jam i bindur se pas këtij skandali, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të cilat i kemi konsideruar si të veçanta, të pakën fillimisht, nuk do jenë më të tilla në Kongresin amerikan as në Washingtonin zyrtar dhe as në radhët e popullit amerikan.

Marrëdhëniet historike midis dy kombeve tona, si përfundim i këtij skandali sot për sot – sidomos ç’prej shembjes së Murit të Berlinit dhe çlirimit të Kosovës — mund të konsiderohen si në nivelin më të ultë, në një krizë serioze të pa parë këto 30-vitet e fundit.  Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë — por edhe të gjithë shqiptarëve, përshir Kosovën — dhe Shteteve të Bashkuara nuk do jenë më si ishin deri më tani.   Kam drojë se sot për sot, marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan janë në pikën më të ulët që mund të imagjinohet – në pikën ku i duan ato marrëdhënie armiqët shekullor të Kombit shqiptar — në mos jo armiqësore, atëherë të pakën të ngrira dhe jo miqësore.  E veçanta e këtyre marrëdhënieve u shit, kohët e fundit, në parkingun e një restoranti në Nju Jork për 225-mijë dollarë.  Uroj që të gjithë, nga të dy palët, pjesëmarrës në këtë skandal, të marrin përgjegjësitë që u takojnë për gjëndjen e krijuar në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si pasojë e këtij krimi. Por edhe elementë të politikës shqiptare në përgjithësi — pozitë ashtu edhe opozitë – të marrin përgjegjësitë që i takojnë kësaj klase politike për situatën e krijuar nga ky skandal dhe jo vetëm, në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ashtuqë këto marrëdhënie të vendosen në nivelin që meritojnë ato dhe që kërkon miqësia historike midis dy kombeve tona. Skandali i kohëve të fundit, nënkupton një mosmirënjohje të thellë, një ligështi shpirtërore.  

Ndërkohë që liderët shqiptarë në Tiranë argumentojnë me njëri tjetrin se kush është më “pro-amerikani” dhe kush është i shpallur “non-grata”, bota shkon përpara. Por  për fat të keq, tash e tutje, çdo gjë shqiptare do të konsiderohet me dyshim në Washingtonin zyrtar. Se si Shqipëria do merret me këtë skandal në zhvillimin e marrëdhënieve dy palëshe në të ardhëshmen dhe si drejtësia shqiptare do e trajtojë atë skandal, pa marrë parasysh se kush është i përzier në të, sigurisht që do të vendosë se ç’drejtim marrin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në të ardhmen e afërt dhe afatgjatë. Arrestimi, javën që kaloi nga autoritetet amerikane, i ish zyrtarit të lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, i akuzuar se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri, është një vepër penale e pa precedencë, jo vetëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por edhe më gjerë. Mediat amerikane thonë se Charles McGonigal mund të jetë zyrtari më i lartë në historinë e FBI-së që përballet me akuza të tilla aq serioze, penale.

Të gjithë e dimë se sa mirënjohës janë shqiptarët ndaj ndihmës së Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për mbështetjen e pa kursyer amerikane në tavolinat e diplomacisë ndërkombëtare por edhe në fushë-betejën e luftës për çlirimin e Kosovës. Shqiptarët kurrë nuk do e harrojnë këtë ndihmë – pa marrë parasyshë se individë të caktuar nga cilado palë qofshin – mund të pengojnë përkohësisht zhvillimin normal të këtyre marrëdhënieve dhe madje t’i kërcënojnë ato seriozisht në favor të kauzave të ulta personale e partiake.  Duke besuar me shumicën e shqiptaro-amerikanëve dhe shqiptarëve kudo –se marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan – janë të pazevëndsueshme për mbijetesën dhe përparimin e Kombit shqiptar –  megjithë këto ditë të vështira, unë mbetem optimist se marrëdhëniet, historikisht, miqësore shqiptaro-amerikane midis dy kombeve tona, të cilat i kanë mbijetuar, për pothuaj një gjysëm shekulli — njërit prej regjimeve më të egra e më barbare në botë — diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, do e tejkalojnë edhe këtë krizë. Besoj gjithashtu me optimizëm se pasi të ketë folur drejtësia amerikane në lidhje me këtë çeshtje, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të vazhdojnë të zhvillohen në të mirë të dy popujve tanë dhe të paqës në Ballkan dhe në botë! 

Këto marrëdhënie midis dy kombeve tona, që deri më sot ishin ndër më të mirat në botë midis dy kombesh – janë produkt i punës së rëndë prej dekadash të 4-5 brezave shqiptaro-amerikanësh të cilët për më shumë se 100-vjet i kanë kultivuar, i kanë ruajtur si sytë e ballit e i kanë promovuar ato në Washington dhe anë e mbanë Amerikës ku jetojnë shqiptarë, duke siguruar mbështetjen e patundur dhe të sinqert të Washingtonit zyrtar dhe politikës amerikane, në përgjithsi, për interesat dhe për të drejtat dhe liritë kombëtare të shqiptarëve. Si rrjedhim, nuk besoj se komuniteti shqiptaro-amerikan do të lejojë që këto marrëdhënie të nepërkëmben në këtë mënyrë duke renë viktimë e krimeve për interesa personale e partiake të disa personave të pa skrupuj që nuk ndalohen para asnjë veprimi sado i paligjshëm të jetë ai. Besoj se komuniteti shqitaro-amerikan do të gjejë mbështetjen edhe të Washingtonit zyrtar, ashtu si gjithmonë në të kaluarën, për t’i sjellur marrëdhëniet e shënjta dhe të pazevëndsueshme amerikano-shqiptare në vendin që u takon – në “Miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara”, siç është shprehur dikur i ndjeri Ibrahim Rugova.

Jo se në të kaluarën nuk ka pasur probleme në marrëdhëniet dy palëshe, disa prej të cilave i kam venë në dukje, nga koha në kohë, por skandali i ditëve të fundit është vërtetë një kërcënim serioz, jo vetëm ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, pasi në të diktohen edhe ndërlikime ndërkombëtare, por përben kërcënim edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nga influencat e huaja – sidomos ruso-kineze — në trojet shqiptare, për të cilat kam paralajmëruar vite më parë.  Mbetet për tu parë, por në këndveshtrimin tim, me një keqardhje të thellë, më duhet të konstatoj se ky skandal — që drejtësia amerikane po e trajton tani si vepër penale serioze — përbën një thikë në zemër të këtyre marrëdhënieve miqësore një-shekullore midis dy vendeve tona. Kjo duhet të shqetsojë të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo që janë.  Do të këshilloja që pjesa tjetër e këtij akti kriminal – ndonëse mund të jetë e pashmangshme — të mos trajtohet si një “soap opera”, me karakterë melodramatikë, sepse nuk është e tillë, por t’i lihet në dorë drejtësisë — e kam fjalën për drejtësinë amerikane!

Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin shqiptar në këtë kohë të vështirë!

Frank Shkreli

Let them fly high and undisturbed, please! — Lëri të fluturojnë lartë!  Mos ua prishni qetësinë, ju lutem! – Si dy Shqiponja motra të pandara!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1861
  • 1862
  • 1863
  • 1864
  • 1865
  • …
  • 2787
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT