• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Njё arap Vlore qё quhet Otello

January 25, 2023 by s p

Dr. Iris Halili/

Me Otello, Arapi i Vlorës , Ben Blushi sjell në letrat shqipe librin më të mirë të dashurisë. Sёrish na intereson universalja si koncept, fabula intriguese, shkrimi si art mё vete, shkrimtari i çliruar nga skemat dhe origjinaliteti. Blushi i ka rrokur nё njё dorё tё gjitha kёto. Çudia ёshtё ulur diku, andej, nga njё kёnd gjoja i parёndёsishёm: letërsia e tij ёshtё tërësisht frojdiste.

Autori ka arritur tё krijojё një roman ku klasikja, romantikja e modernia gërshetohen mjeshtёrisht në një mit universal dhe kjo ёshtё shenjё edhe e letërsisë bashkëkohore më të sukseshme nё botё.

Lexojmё: mendimi pёrshkon gjithё librin, ёshtё filli lidhёs i karaktereve, vёzhgimi i hollё tё depёrton, pёrfundimi nuk ёshtё njё, po njё sistem i tёrё pёrfundimesh qё kthehen nё filozofi jete. Blushi e sheh botën me sy të zhveshur, krejt të lirë, vetvetishëm, sikurse duhet të shprehet shkrimtari i mirfilltë.

Është i mbushur me elemente tё njё feje qё besohet, aq sa ta gjejё atje revoltën për dashurinë. Është aq familjar, sa të vlerёsojë kanunet e kёsaj bёrthame tё vogёl tё shoqёrisё, por pa hezituar ta ndajë dashurinë prej saj, duke e përcaktuar si një perandori më vete, apo si “e vetmja sëmundje ngjitëse qё duhet përballuar” . Si kurorёzim i gjithçkaje, triumfon lirija dhe dashuria, si e vetmja zgjidhje e mrekullueshme, që të gёzon, tё mbush e tё zbras nё tё njёjtёn kohё, pasi kёto janё ndjenja “gjithmonë të pangopura” . Kjo është edhe fjalia e fundit e romanit. Po pse shpresonim nё njё mbyllje tjetёr mё teatrale, me fjalё tё latuara e tё lumtura?! Ndoshta, sepse kjo ёshtё skema e njё pёrralle. Por, ai, kasten, i shmanget.

Sipas Blushit, të gjitha historitë, zgjidhjet, luftrat apo intrigat bëhen vetëm në emër të dashurisë, dallgёt e sё cilёs shtyjnё pёrpara jetёn qё i pёrngjan njё anijeje.

Dashuria ёshtё gjithkund. Nuk nguron ta bёjё reale kёtё ndjenjё qё mendja shpesh e fut nё njё strofull virtuale. E ndesh nё çdo faqe, nuk njeh konvencione, nuk njeh Bibёl, Kuran, as Afrikë, apo Europë, as vlonjat, as venedikas, as burrё, as grua, as të pasur, as të varfër, as pasha, as komandant, as prijës, as piktor, as të bardhë, as të zi. Perandorinë e dashurisë e vendos mes shpirtrave, por edhe trupave. Sepse dashuria është ashti: ekziston si lëng, si trup, si gotё, domethёnё ёshtё materia dhe qiellorja. “Gratë në fillim prekin trupin dhe lëkurën dhe pasi i kanë pushtuar ato, kërkojnë zemrën dhe shpirtin. Otello, e kishte dhe zemrën dhe shpirtin, por lëkura ia kishte mbuluar të dyja. Desdemona ishte trembur nga lëkura e tij. Nuk mund ta donte sepse ai ishte Arap..”

Dhe e vёrteta e madhe: dashuria nuk gjendet lehtë, humb po aq lehtë nёse nuk e shtrёngon fort dhe, bie nga qielli pikё-pikё, si shi i dёshiruar nё krahёt e njё shkretёtire. “Duke zgjedhur atë që do, mes gjërave apo njerёzve që nuk do, e mëson shpirtin dhe trupin tënd t’i kushtohet diçkaje, që pasi mendon se të duhet, mund ta duash dhe nëse vendos ta duash, përpiqesh ta marrësh dhe nëse e merr, lufton që ta mbrosh dhe, nëse e mbron, detyrohet ta ruash, sepse nëse nuk e ruan, e humb” .

Të bën të mendosh se dashuria është në ajër. Nuk mjafton ta shikosh, ta gjesh, por më e vështira është ta bësh tënden, duke mos harruar kurrë ta ushqesh. Me përcaktime gati çehoviane, Blushi e konsideron dashurinë një sëmundje qё shёrohet vetёm nga vetvetja, ripёrtёrihet nga forca e madhe qё lind ndjenja e madhe.“Plagët e dashurisë kanë një veti: ato nuk i shëron asnjë ilaç tjetër, përveç dashurisë. Plagët e thikës nuk mbyllen me thikë, plagët e zjarrit nuk shuhen me zjarr, ato të murtajës nuk zbuten me murtajë, ndërsa plagët e dashurisë qetësohen vetëm me dashuri. Dashuria është edhe sëmundja edhe ilaçi i dhembjeve të veta” .

Dashuria është sublime, sfiduese, i mbijeton çdo rregulli, guri a huri. “Lëngu i dashurisë nuk vjetërohet. Vitet nuk e kalbin, por e forcojnë. Njerёzit kanë arritur t’i shpëtojnë dashuritë e tyre edhe pse i kanë lënë të presin në shi, i kanë hedhur në det, i kanë harruar në rërë, apo i kanë groposur në male..Por dashuria është më e fortë dhe prandaj atë e trajtojnë keq, duke ditur se ajo i mbijeton çdo klime” .

Të gjitha karakteret e Blushit janë karaktere që dashurojnë me mënyrën e tyre dhe që lexuesi i njeh pak a shumë prej Shakespear-it dhe veprёs sё tij Tragjedia e Otellos, arapit tё Venetikut . Po t’i referoheshim Roland Barthes-it, semiologut francez, do të thoshim se Blushi ka “vjedhur” mitin shekspirian të xhelozisë. Sipas Barthes-it, simbolet e njerёzimit janë vërtitur gjithmonë rreth një universialiteti dhe artet s’kanë bërë gjë tjetër veçse tё “vjedhin” këto simbole apo mite. Kohё pas kohe, shkrimtar pas shkrimtari, ato transformohen, çmitizohen, domethёnё, mund t’u jepet krejt një tjetër pamje, ose të merren të plota duke u “vjedhur” tërësisht. Ajo që sjell origjinalitetin dhe krijon artin e mëvetësishëm, është forma me të cilën përcillet miti nëpërmjet gjuhës artistike . Po të vazhdonim me kёtё teori, do të thonim se tek romani “Otello, Arapi i Vlorës” kemi transformimin e mitit shekspirian, pa shkuar deri në çmitizim tё tejskajshёm, përderisa janё ruajtur pikё pёr pikё konvencionet e emrave apo simboli i shamisë sё tradhёtisё. Dashuria ёshtё, nё tё dyja veprat, fija lidhëse e pandarë që vë në lëvizje të gjitha ngjarjet. Miti i transformuar tek Blushi, shtrihet në dy kontinente gjeografike, por në tre botë të ndryshme historike: në Venedik, shkretёtirë afrikane dhe Vlorë. “Nje vit në Vlorë ishte më shumë se një vit në shkretëtirë, dhe një vit në shkretëtirë ishte më shumë se një vit në Vendik” , shkruan. Përcaktimi më i mirë i secilёs botё vjen nga krahasimi qё bёjnё personazhet e librit që udhëtojnë sa andej këndej. Dhe për të treguar ndryshimin, Blushit i duhet shumë art, që atij s’i mungon, i duhen shumë hollёsi e hulumtime historike, zbёrthime psikologjike, njohje kulturore e djersitje klimaterike. Dhe na jep devizën e madhe, se popujt dallohen edhe nga mënyra si dashurojnë. Pёr tё bёrё kёtё, i mjafton vetëm një personazh, Otelloja dhe shumё tё tjerё, çikёrrima, në funksion të tij. Otello, një personazh i dashuruar, që përpiqet të pёrjetojë dashurinë e tij, rrethuar nga të tjerë. “Vjedhja” e mitit vazhdon edhe tek detaji i shamisë. Në të dy tragjeditë, shamija bëhet shkak për vdekjen e Desdemonës, vetёm se tek Shakespeare-i shamija e gjendur në xhepin e Kasos, e vënë nga Jago, krijoi xhelozinë e tërbuar të Otellos, ndërsa Otelloja i Blushit është i brishtë në karakter, por i fuqishëm në dashuri, aq sa të mund ta përballojë xhelozinë dhe të përpiqet edhe një herë për ta fituar atë. Dashuria si koncept duket disi e transformuar nga i pari tek i dyti, sikur rrugët nga dhe tek dashuria janë hedhur krejt tё transformuara. Ndryshe nga Shekspiri, Blushi beson se dashuria është triumfuese ndaj tradhëtisë, apo të paktën heroi i tij, Otello, beson kështu. Thotё: “Si çdo burrë, edhe ai do të qetësohej, me shpresën se mund të merrte nga krahët e një burri tjetër gruan që kishte dashur, pavarësisht se ajo ishte pak e shkopsitur dhe ndoshta e mbushur me vulat e dhëmbëve të tij. E megjithatë Otello do ta falte. Si çdo burrë ai donte Desdemonën dhe jo të shkuarën e saj. Në fund të fundit dashuria është më e fortë se tradhtia, sikundёr e ardhmja është më e fortë se e shkuara. Tradhtitë bëhen në të shkuarën, dashuritë në të ardhmen dhe prandaj dashuritë janë të lidhura me shpresën, ndërsa tradhtitë me harresën” .

Nё thelb, edhe tё kёsaj vepre, ёshtё raporti dashuri- xhelozi, dy ndjenja tё fuqishme njerёzore qё ndёrtojnё dhe shkatёrrojnё, nё tё njёjtёn kohё. Dashuria nuk jeton dot pa xhelozinё dhe kjo e fundit ёshtё si ai krimbi i vogёl qё e shoqёron pa u ndier dhe e gёrryen. Jagoja, sёrish ushqen ligёsinё, xhelozinё, sёrish brenda tij rreh njё zemёr e vogёl, qё bёn tё duket e vogёl edhe kёtё ndjenjё tё madhe qё shpesh mendon vetёm pёr vete, e shpesh mbushet me njolla tё çuditshme, tё zeza, qё quhen xhelozi.

Brenda një romantizmi dhe fataliteti të tillë, ndërtohet Otelloja e Blushit. Ai arrin të krijojë një tekst origjinal, tё ndërtuar tërësisht nga një rrëfim i gjallё, me ngjyra tё llojllojshme qё i vishen edhe intrigave rrёnqethёse, edhe mendimit universal që pёrshkruan çdo hollёsi të një mjedisi shqiptar, vlonjat më saktë, nё dukje periferik.

Çelёsi pёr zbёrthimin e shumё episodeve, ёshtё psikoanaliza. Pas traditës modeste të Migjenit dhe Ernest Koliqit, Ben Blushi është ndёr tё parёt shkrimtarё shqiptarё tërësisht frojdist. Kjo duket që nga përcaktimet që bën për jetёn dhe ekzistencën në pёrgjithёsi, e deri tek ndërtimi i karaktereve, që janë tërësisht prototipe frojdiste. Fëmijëria, si mosha vendimtare që përcakton karakterin e njeriut, meriton edhe vёmendjen e Blushit. Ai thotё: “Çdo vendim që marrim e ka burimin tek fëmijëria jonë. Urrejtja, dashuria, tradhtia, lumturia dhe xhelozia. Fëmijëria i mëson njeriut të gjitha artet e shpirtit, sepse është e vetmja shkollë në të cilën të drejton instikti dhe jo vullneti. Njeriu rritet dhe plaket duke humbur fëmijërinë e vet dhe prandaj i kërkon aty përgjigjet e çdo ndryshimi që i ndodh” .

Jago, ky karakter tjetër i huazuar nga miti shekspirian, sipas psikoanalizës, do të cilësohej si nekrofil i lindur. Marrëdhënien e tij me motrat e zbërthen Freud-it me teorinё për nekrofilinë apo xhelozinë për motrën a vёllanё e vogёl, tё sapolindur . Kompleksi i Edipit nga i cili Jago nuk u çlirua dot kurrë, është djepi ku rritet dhe vepron nekrofilia e tij. Edhe fizikisht Blushi e përshkruan Jagon me tiparet dalluese të një nekrofili me sy vjollcë dhe flokë të kuq dhe që përgjatë gjithë kohës ndërtohet si vetë “thelbi i problemit”. Të sqarojmë lexuesit se Jago i Blushit, sikundёr ai i Shakespear-it, duket si personazh dytësor në roman, por nё tё vërtetё, ai ёshtё “zoti” vendimtar i fateve të personazheve kryesore, që mbeten pёrherё biofilë të brishtë. Marrja e Jagos si huazim shekspirian, por edhe si karakter, është bërë përsosur nga Blushi, deri në atë pikë sa askush nuk mund të thotë se është kopjuar, pasi janë tërësisht të kundërta rrethanat, arsyet pse e bëjnë Jagon të lig, apo veprimet e tij tё poshtra.

Po kështu “fshehja” e Desdemonës në shtëpi kur ishte ende e vogël. Ajo “luan” me të atin që rend me një përkushtim të pashembullt prej prindi për ta gjetur. Na shkon ndёr mend t’i japim njё kuptim psikoanalist kёtij episodi, sipas të cilit fëmija vepron sikur do të donte të vepronin të rriturit, çka do të thotë se Desdemona e vogël nuk e do praninë e të atit në shtëpi e pёrpiqet t’i fshihet atij. Aq i vërtetë është ky ngulmim, sa urdhёri i të atit pёr tё mёnjanuar dashurinë e Otello arapit, është shumë domethënës e të shpie tek teoria tjetër e Freud-it që ka të bëjë me kompleksin e Elektrës. Desdemona nuk u çlirua kurrë nga ky kompleks, ndaj dhe përfundoi nё mёnyrё tragjike. Vetë dashuria si një forcë e pavetëdijshme e konceptuar si e tillë nga Blushi, e gjen përgjigjen tek teoritë frojdiste.

Romani mbetet shumë origjinal dhe i guximshëm, për nga përcaktimet që i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pavarёsisht se të gjitha ngjarjet në roman kanë si bosht dashurinë, Blushi ndalet gjatë në episode të trilluara historike, duke sjellë karaktere po kaq të trilluara, por të njohur historikisht, si Marko Polo, apo Balshajt. Themi se këto karaktere janë sa historike, aq edhe fictionale, sepse fantazia e shkrimtarit nuk rresht së ndërtuari ato literarisht, çka do të thotë, se ato duhen marrë pikë së pari si të tilla.

Sipas autorit, shqiptarët kanë gёzuar atё fat që u vinte i imponuar nga vetë karakteri i tyre. “Zoti i ka dhënë Vlorës gjithçka ka pasur në dorë: natyrën, detin, qiellin, diellin dhe erën, me përjashtim të njerëzve. Me njerëzit dhe sidomos me shqiptarët Zoti është treguar i kursyer. Ata nuk dinë të punojnë, nuk dinë ta shfrytëzojnë natyrën dhe prandaj nuk dinë të luftojnë” .

Diku, më përpara, autori shprehet: “Nganjëherë ngrihem natën dhe mendoj se sa e bukur do të ishte Vlora sikur ne të ishim më të zgjuar, më të dhimsur dhe më të ndershëm”. Pastaj: “Ai qytet ka më shumë vrasёs se peshkatarë, më shumë hajdutë se luftëtarë, më pak trima se kusarë”. Blushi na sjell ndër mend shkrimtarin Kasёm Trebeshina, pasi shkruan sipas stilit të tij dhe në gojë të personazhit që është emëruar thjesht Turku vë këto fjalë: “Nëse Shqiptarët do të dinin të ndryshonin veten, Vlora nuk do të ishte kaq e mjerë. Megjithatë, unë nuk i urrej ata. Urrejtja që kanë për njëri -tjetrin mjafton dhe më shijon sepse më shërben për t’i pushtuar sa më shpejt, pa i lodhur ushtarët e mi” .

Universialiteti i romanit mbështetet në të gjitha mesazhet që përcjell shkrimtari, të tilla që do të mbeten aktuale edhe për lexuesin e pas pesёdhjetё viteve. Boshti kryesor i romanit mbetet dashuria qё merret me shpirtrat. “Asaj nuk i interesojnë trupat, duart, këmbët , muskujt apo organet e tjera. Ato janë çështje mishi, jo dashurie. Për dashurinë, të gjitha zemrat janë njëlloj, pavarësisht se në cilin gjoks rrahin”, ashtu sikurse dashuria kalonte “nga fjala, bukuria dhe vetmia” .

Për të gjitha këto që thamë, mendoj se studiuesit e letërsisë, do të vazhdojnё të shkruajnë për Otello, Arapin e Vlorës, edhe nё tё ardhmen. Ndoshta një regjisor do të tundohej në realizimin kinematografik të këtij romani. Edhe pse do t’i duhej të punonte shumë për t’u hyrë në brendësi personazheve të Blushit, që janë vërtetё të vështirë për t’u përtypur. Ndoshta do tё tё duhen dy frymё pёr t’i parё e pёr t’i kuptuar, dy zemra pёr t’i dashur e shumё pyetje brenda vetes pёr të përballuar sinqeritetin e Blushit. Edhe ai vetё lodhet e shpërthen në pёrfundime apoliptike: “Si me të gjitha gjërat e vlefshme, edhe me fuqinë, shqiptarët, nuk lidhen për një kohë të gjatë. Ndoshta ata nuk kanë çfarë t’i bëjnë fuqive të natyrës, diellit, erës, shiut, natës dhe tërmetit, por fuqitë njerëzore dinë t’i shkatërrojnë më mirë se kushdo duke i tradhtuar…. Copëtimi është arti i tyre. Ata ishin kundër çdo gjëje të madhe që u jepte mundësi ta zvogëlonin”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Iris Halili, Njё arap Vlore qё quhet Otello

JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

January 25, 2023 by s p

Filed Under: Opinion

Ish-zyrtari i arrestuar i FBI-së dhe lidhjet me Shqipërinë

January 25, 2023 by s p

ZERI I AMERIKES: https://www.zeriamerikes.com/a/6931955.html?fbclid=IwAR2bnTQmctSiWnnP6rh6HitKFxQSZu_p0HoH1HMgq5MeMSeXUvbzSbho9r0

24 janar, 2023

  • Keida Kostreci

Ndajeni

Të mërkurën, ish zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, arrestuar të shtunën nga autoritetet amerikane, pritet të dalë para gjykatës në Uashington për t’u shprehur nëse i pranon apo jo akuzat se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.

Të hënën, ai nuk i pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.

Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A. Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri.

Akt-padia e bërë publike dje nga gjykata në Uashington nuk e identifikon më tej Personin A. Por, në bazë të një njoftimi tjetër të shtypit amerikan, në shtator të vitit të kaluar, ku njoftohej se ish zyrtari i FBI-së McGonigal ishte nën hetime, portali “Business Insider” boton kopjen e një dokumenti të jurisë së madhe, ku në listën e atyre, që do të thirreshin për të dëshmuar, figuron shtetasi Agron Neza, shqiptaro-amerikan, që dekada të shkuara ka punuar për shërbimet inteligjente të Shqipërisë.

Personi i dytë nga Shqipëria, i lidhur me ish zyrtarin e FBI-së, identifikohet në akt-padi si Personi B, i cili “ishte një shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Personi B shërbente si një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare.”

Nëse i referohemi sërish dokumentit të jurisë së madhe, në të, personi tjetër, që duhej marrë në pyetje është Dorian Duçka, ish zv/ministër për energjitikën dhe më pas konsulent i pavarur.

Personi A dhe Personi B, sipas akt-padisë, “ishin miq dhe partnerë biznesi me njëri-tjetrin.”

Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar [Edi Rama] dhe me Personin B [Dorian Duçka]. Me kërkesë të Personit A [Agron Neza] ai i bëri thirrje kryeminisrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë. Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një suvenir të FBI-së në prani të personit B”.

Akt-padia vendos një lidhje të drejtpërdrejtë të takimeve të ish zyrtarit të FBI-së me kryeministrin shqiptar në prani të personave të tretë A dhe B, që ishin shtetas privatë. Është e paqartë se përse kryeminstri është takuar me një zyrtar të lartë të FBI-së në prani të personave privatë.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, lidhur me marrëdhëniet e kryeminsitrit me ish zyrtarin e FBI-së, zëdhënësi i qeverisë mohoi, që takimet të kenë patur ndonjë lidhje me ato që thuhen në aktpadi:“Siç e ka sqaruar edhe më parë, kryeministri Edi Rama ka pasur një raport miqësor me zyrtarin e FBI, me të cilin janë takuar disa herë, qoftë në Tiranë, qoftë në New York, po takimet e tyre s’kanë pasur asnjë lidhje me çka thuhet në akt-padinë në fjalë lidhur me persona të tjerë.”

Sipas akt-padisë, ishte pas këtij udhëtimi në Shqipëri në shtator që “i pandehuri McGonigal ka mbajtur një miqësi të vazhdueshme me Kryeministrin [Rama].”

Sipas akt-akuzës, nga shtatori 2017 deri në mars 2018, McGonigal dhe Kryeministri Rama janë takuar 4 herë në Shqipëri dhe në SHBA.

Sipas akt-padisë, gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.

Disa javë pas këtyre takimeve, më 5 tetor 2017, sipas akt-padisë, “jashtë një restoranti, në një makinë të parkuar në Nju Jork, McGonigal mori afro 80 mijë dollarë kesh nga Personi A. Po atë vjeshtë ai mori edhe dy pagesa të tjera nga Personi A në shumat 80 mijë dollarë dhe 65 mijë dollarë në rezidencën e banorit A. McGonigal i la të kuptohej Personit A se paratë do t’ia kthente.”

Sipas akt-akuzës, McGonigal i kishte kërkuar Personit A nëse ai mund t’i siguronte një sasi parash që në gusht të vitit 2017 dhe një muaj më pas në shtator, ata kishin diskutuar përsëri rreth përpjekjeve të Personit A që t’ia siguronte paratë dhe që Personi A t’ia jepte ato pjesë-pjesë.

Dy muaj pas vizitës në Shqipëri, më 18 nëntor 2017 McGonigal së bashku me një prokuror nga Departamenti i Drejtësisë, takuan dhe morën në intervistë në Austri, biznesmenin-politikan, që ai e kishte takuar në shtator në Shqipëri. Personi A mori pjesë në këtë takim si përkthyes.

Intervista e bisnesmenit-politikan nuk është raportuar dhe nuk figuron në dokumentet e FBI-së. Në të njëjtën ditë të intervistimit në Austri, po më 18 nëntor, McGonigal dhe biznesmeni-politikan, janë takuar edhe në Shqipëri, por këtë herë pa praninë e prokurorit të Departamentit të Drejtësisë. Sipas akt-padisë “politikani-biznemsmen diskutoi me të pamdehurin McGonigal dhe Personin A për mundësi biznesi”.

“Më 19 nëntor i pandehuri takohet me Personin B për darkë dhe një ditë më pas më 20 nëntor takohet me kryeminsitrin”, sipas akt-padisë.

Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria, më 25 nëntor, McGonigal informon Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë, me të cilin takoi politikanin-biznesmen në Austri, për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”. Sipas akt-padisë, një ditë më herët McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga Personi B.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Në akt-padinë ndaj McGonigal, përmendet se në dhjetor të vitit 2017 ai është takuar në Uashington me personin A dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe në Nju Jork me Personin A dhe kryeministrin Rama.

Më 4 janar 2018, sipas akt-akuzës, McGonigal mori informacion për lobistin amerikan nga Personi A dhe të nesërmen ia dërgoi informacionin një agjenti tjetër të zyrës së FBI-së në Nju Jork.

Më 22 janar ai mori përsëri informacion nga Personi A për lobistin dhe ia dërgoi një vartësi. Personi A, sipas akuzës e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë.

Sipas akt-padisë “më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal. Më pas Personi A u identifikua si burim konfidencial në mbështetje të hetimit. Persomni A i ka ofruar informacione zyrës së FBI-së në Nju Jork gjatë hetimit.”

Po sipas akt-padisë “Më pas Personi B ndihmoi në organizimin e një takimi mes zyrës së FBI-së në Nju Jork dhe dëshmitarëve në Evropë, duke paguar mes të tjerash për shpenzime udhëtimi të dëshmitarëve”.

Më 25 qershor 2018, i pandehuri McGonigal, i ka propozuar personit A që të nënshkruajë një kontratë me një individ nga Bosnia të indentifikuar si Personi D në mënyrë që në kompaninë e personit A të depozitoheshin 500 mijë dollarë nga Personi D dhe firma e tij farmaceutike për të mundësuar një takim mes Personit D dhe një përfaqësuesi të delegacionit amerikan në OKB.

Ndërkohë që në muajin prill, McGonigal ishte takuar në Gjermani me dy individë nga Bosnja, Personin C dhe Personin D, të cilët kishin lërkuar të takoheshion me ambasadoren amerikane në OKB-së, ose ndonjë zyrtar tjetër të lartë për një çëshjte politike për Bosnje Hercegovinën.

Akuzat për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë

Akt-padia tjetër ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI-së ka lidhje me ndihmën për oligarkun rus, Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane. Aktiviteti i tij në favor të miliarderit rus është zhvilluar pasi ishte larguar nga FBI-ja. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me një ish diplomat rus, Sergey Shestakov, që tashmë punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.

Në ose rreth gushtit 2021, McGonigal, Shestakov dhe një person i identifikuar si Agjenti 1 (Këshilltar i Deripaskas) hartuan dhe ekzekutuan një kontratë, sipas së cilës një Korporatë e Qipros do t’i paguante një Kompani në Nju Xhersi 51,280 dollarë paraprakisht dhe më pas 41, 790 mijë çdo muaj për informacione zbulimi biznesi me interes për korporatën ruse. Megjithëse pagesat do t’i jepeshin McGonigalit dhe Shestakovit në emër të Deripaskas, asnjëri prej tyre nuk përmendet në kontratë.

Sipas akt-padisë së Nju Jorkut, kompania e Nju Xhersit është në pronësi të një “Miku” të zotit McGonigal. “Miku” kishte ndihmuar që McGonigal të angazhohej me kompaninë e Nju Xhersit, ndërsa ai ishte ende agjent me FBI-në.

Në një dokument të Departamentit të Drejtësisë, ku depozitohen aktivitetet e lobimit për qeveritë e huaja, (FARA) të depozituar nga Shestakovi, ndonëse përmbahen pak hollësi, përmendet emri Charls McGonigal dhe firma “Spectrum Risk Solutions”.

Kjo firmë, në dokumentin e jurisë së madhe të dalë vitin e kaluar, figuron si kompani e Agron Nezës.

Sipas akt-padisë së Nju Jorkut, McGonigal i ka thanë Shestakovit se “nuk e kishte informuar “Mikun” se po përdorte Kompaninë e tij për të marrë paratë nga kontrata. Shestakov falsifikoi firmën e Mikut pa dijen apo miratimin e tij. Më pas kur Miku i kërkoi McGonigalit të shpjegonte se pse Banka Ruse po i bënte pagesa Kompanisë së Nju Xhersit, McGonigal tha se pagesa ishte për punë “Legjitime” që ai po bënte për një “pasanik rus”. Miku më pas pranoi që të përdorej Kompania e tij dhe transferoi fonde në përputhje me kontratën, nën udhëzimin e McGonigalit, për atë dhe Shestakovin.

Filed Under: Politike

Emri i tij i vërtetë: Nëntor 28!

January 24, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

104 vite më parë, në 24 janar 1919 kaloi në përjetësi, për të hyrë dhe qëndruar në altarin e pavdekshmërisë të kujtesës sonë kombëtare, personaliteti më i shquar shtetëror, diplomatik dhe shoqëror i lëvizjes kombëtare shqiptare, Babai i Pavarësisë, Themeluesi i shtetit shqiptar në 28 Nëntor 1912 dhe figura më e dashur e karizmatike e shqiptarëve, Ismail Qemal Vlora.

Ismail Qemal Vlora lindi në 24 janar 1844 në Vlorë në familjen e madhe të Vlorajve. Mbiemri i tij Vlora flet shumë për vendlindjen e tij, për qytetin, familjen e tij patriotike, formimin dhe atdhedashurinë.

Politikan, konsekuent i bindjeve të tij liberale dhe tejet përparimtare, të cilat buronin nga shkollimi i tij, njohuritë e gjera që zotëronte për Evropën Perëndimore, njohjen e organizimit shtetëror, sistemit ekonomik, filozofisë politike dhe qytetërimit evropian; si edhe kultura e tij e jashtëzakonshme politike e historike.

Biografia dhe veprimtaria e tij politike e diplomatike janë të mahnitshme. Ismail Qemali shkëlqeu me të gjithë bagazhin e tij si mendimtar, politikan dhe dijetar.

Te AI bashkohen në një: Njeriu, Shtetari, Pavdekësia!

Politikan e diplomat e bindje e me sjellje ai ishte dhe mbeti demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik. Toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij, humanizmi ishte etika e tij. Liberalizmi ishte koncepti i tij për shtetin dhe shoqërinë. Mbrojtës i të drejtave të njeriut, që ushtronte pushtetin si pushtet të ndërgjegjes.

Gjykimi i tij i qartë, ndershmëria dhe qëndrueshmëria, sjellja e përmbajtur dhe kurajo e gykimit e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Ismail Qemali ishte zotëruesi i situatave dhe zotëri i kohës në të cilën jetoi.

Kryevepra e tij ngelet Themelimi i Shtetit shqiptar, sepse Ismail Qemal Vlora kurrë nuk do t’i keqpërdorte ndjenjat kombëtare për qëllime politike dhe bëri atë që pakkush mund ta bënte: Shpalli Pavarësinë!

Ismail Qemal Vlora është i pari politikan shqiptar, që vuri mbi egoizmin Shqipërinë, që mbi keqkuptimin vuri mirësinë, tolerancën e dashurinë; themeloi debatin publik dhe institucionin e dorëheqjes edhe pse nuk meritonte të dorëhiqej.

Emri i Ismail Qemalit është shkruar me gërma të arta në kujtesën tonë kolektive, si Babai i Pavarësisë dhe Themeluesi i shtetit shqiptar. Ai është protagonisti kryesor që bëri përpjekje kolosale politike dhe diplomatike nëpër kancelaritë e Evropës, për të siguruar mbështetjen për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Veprimtaria e tij atdhetare do të ndërpritet pabesisht. Në Peruxhia, në 24 janar 1919, Plaku i Urtë ndërron jetë (dyshohet i helmuar), në pritje të bisedimeve me qeverinë italiane, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë.

Emri i Ismail Qemal Vlorës në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Ati i Kombit.

Për kryeveprën e tij, Shpalljen e Pavarësisë në 28 nëntor 1912, populli këndon: Emri i tij i vërtetë është Nëntor 28!

Filed Under: Histori

BALTOVINE NE MBROJTJEN E NATYRES, SKAVICA DHE COP15 

January 24, 2023 by s p

Doktor Shkencave Selman Meziu

A group of men sitting at a table with microphones

Description automatically generated with medium confidence

   Populli shqiptar i mbetur, në vlagën e përkoshme të atdheut të tij, sigurisht dhe i mbytur nga lotët e syrgjinosjes të rinisë edhe fëmijëve  që braktisin shkollat, kërkon të  njihet se çfar u vendos në Konferencën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara  mbi bioshumëllojshmërinë (COP15) nga data 07.12.2022 – 19.12.2022 në Montreal të Kanadasë. Duke vazhduar më tej populli i varfëruar dibran e lugina e Drinit të Zi e shkretuar e shpopullar më shumë se kudo në Shqipëri, kërkon, dëshiron të dije se çfarë u fol e çfare u vendos në këtë konference mbarë botërore për  ekosistemet natyrore dhe kujdesjet e politikbërsve e njeriut në ndërhyrjet e tyre në këto ekosisteme.

    Në fund të mbledhjes: ‘’Të gjitha vendet pjesmarrëse  kanë vendosur një varg masash për të mbrojtur 30% të  shumëllojshmërisë së gjallesave që gjënden në tokë dhe 30% në dete  brenda vitit 2030 të mbështetura në një investim prej 30 miliard dollar ndihmë vjetore për vendet në zhvillim.,,

   Që e varfëra Shqipëri është pjese e botës së tretë ose vendeve në zhvillim kjo nuk mund të mohohet nga askush, qoftë një njeri, shoqatë, shtet apo organizëm ndërkombëtar i çfardo lloji qoftë. E natyrshëm lind pyetja: Vallë Qeveria Shqiptare, Ministria e Turizmit Mjedisit e Pyjeve a do të bëjë programe e planifikime konkrete se ku do të investohen dollarët e përpjestuar që do t’iu japin? Për pyllëzimet janë domozdoshmëri këto dollar, sigurisht:  ‘’… gjatë periudhës 2007-2019 janë djegur më shumë se 1/3 e sipërfaqes së fondit pyjor Kombëtar, ose rreth 337 800 ha…(Dr. A Diku ‘’Qeverisja per Ndryshim.,, 23.02.2021).  Ndërsa duke hedhur një vështrim në të kaluarën e afërt, para viteve 1990 dime që:’’…rreth 300 000 ha pyje ose rreth 25% e sipërfaqes pyjore të vendit u shpyllëzuan në vitet ‘70-80… (A. Diku po aty, ‘’Qever. për ndrysh…,,) janë shpyllëzuar, për të mbjellur kultura bujqësore, pemtari, sot djerrina të braktisura. Drejtim tjetër është investimi te fermerët e vegjël e të mesëm, apo në luftën kundër gërryerjeve ku transporti i materialeve të ngurta  nga malet plotësisht të xhveshura është  shumëfishuar.  Në të cilat investimet në këto kanë qenë gjithmonë të gjymtuara ose kanë vepruar në krahun shkatërrimtar me hidrocentralin Skavica dhe të vegjël. Ja shembulli: ‘’Për Shqipërinë shifra që jepet është ajo e hidrocentraleve që do të jenë të ndërtuara deri në vitin 2025 që është 436 hidrocentrale.,,(WWW BOTASOT. Info 17.11.2017)  Keto jane minat ekologjik shpërthyese që do të vendosen në perrenjt e lumenjt e shqipërise.

  E kundërta, investim për zhdukje

   Organizma të shumta në mbarë botën, qeveri të shumta kanë ministri të veçanta, programe afat gjata e afat shkurtëra për të zbutur kërcënimet shkatërrimtare te biosferës nga ndryshimet e klimës. Përkundrazi qeveria shqipëtare ecën duke ndjekur klithmat çjerrëse të teknologjive të një kohe të perënduar. Kjo do të thotë që Qeveria Rama 3, edhe pse ka hartuar një program  mbi zbutjen e ndikime të klimës mbi bioshumëllojshmërinë ajo vepron praktikisht në kundërshtim me ato që premton e deklaron në forumet ndërkombëtare, por kjo edhe në programet qeveritare mbi ekonominë.  Dhe ja shembulli konkret:‘’…Investimi në total parashikohet 550 milionë dollar.,,(Belinda Balluku:’’Shmangen përmbytjet, sjell zhvillim për zonën.,, 05.07.2021) për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, duke synuar edhe kuotën më të lart  485 m. Qeveria shqiptare në kundërshtim me 15 konferencat ndërkombëtare  të OKB, mbi bioshumëllojshmërinë investon për të vendosur mbi ekosistemin natyror te luginës se Drinit te Zi  ‘’6.7 miliard m3  ujë.. (A. Ashiku, Nga cikli: “Skavica nuk do të kalojë”…No passaran,, 20.04.2022)  Si përfundim Qeveria Rama 3 investon për zhdukjen e bioshumëllojshmërine dhe jo per te shtuar e mjekuar mjedisin ‘’shpirt e trup sakatosur,,. Investon per zhdukjen e trojeve shumë shekullore me  shtëpite, kullat, karakollet plotë art e kulture rrethuar me bahçe, livadhe, arat mbjellura me kultura të shumta bujqësore, relievet e kodrave, kodrinave, shpateve e luginave mbuluar me pyje,  deri te llojet e peshqëve e molusqet që jetojn në shtratin ujë rrjedhës të Drinit të Zi prej 75 km.  Veprime të cilat  janë diametralisht të kundërt me politikat programet e një bote të tanë. Politikanët, deputetët,  të dehur nga deliri i madhështise të Kryetarit të tyre, të friksuar e tutur nga shpata me shkëlqim të përkohshëm të tij, ngrejn duart  duke bërë Amen Amen. Akoma nuk e kanë kuptuar se velloja e zezë e turpit e papëgjegjshmërisë dhe krimi apoklipsinshëm mbi biosferen, ekosistemet natyrore e bujqësore do t’i mbuloi, mbyt ato  moralisht, mendërsiht e fizikisht. Dhe çmenduria vazhdon fatkeqësisht. Ja nje shembull tjetër investimesh: ‘’Për Shqipërinë shifra që jepet është ajo e hidrocentraleve që do të jenë të ndërtuara deri në vitin 2025 që është 436 hidrocentrale.,,(WWW BOTASOT. Info 17.11.2017)  Këto janë minat ekologjike shpërthyese që do të vendosen në përrenjt e lumenjt ujërrjedhëse të pastra e bioekologjikisht  të përshtatshme për një larmi të shumtë gjalllesashe ane e mbanë mjedisit natyror  të shqipërisë.

Bioshumëllojshmëria në shërbim të jetës se njeriut

   Politikat e mbrojtjes mjedisore  duhet të jetë dobiprurëse për të gjitha gjallesat në tokë, brenda kapilareve e poreve të saj, në mjediset ujore e ajrore, në ekosistemet e pyjeve si rregullator i fenomeneve klimatike dhe mbajtjes të shëndetshme të tokës e shoqërisë njerëzore, në zhvillimin e bujqësisë në të gjitha hallkat e saja janë domozdoshmëri për jetën e 7.837 miliard (2021) njerëzve në rruzullin tokësor. Pikërisht për të orjentuar drejt politikbërsit konferneca vendosi që:‘’… të vlerësohet, të ruhet bio  shumëllojshmëria  si bazë për prodhimin e të mirave materiale në sherbim të jetës së njeriut.,,  

  E cila ka të bëjë me ruajtjen, nga shkatërrimi i vetë djepit të jetës që është toka me objektet e saja të gjalla, të ngurta dhe të lëngëta që përbëjnë mjedisin natyror.  Lënia djerr, të pa punuara e ish tokave bujqësore ose ish pemtoreve ka çuar në rrënimin e saj, duke shpërlar horizontin biologjik të këtyre sipërfaqeve dhe krijuar vatrat e para të gërryerjeve deri te shkambi amnor. Si rrjedhoj toka mbetet e shkretuar pa gjallesa pa jete  e jo prodhuese për njeriun. Dhe ja një shembull i kohës se kaluar: ‘’Vetëm gjatë viteve 1976- 1980 lumenjt nxorën jashtë përdorimit 450  ha toke bujqësore.,, (Farudin Krutaj, Perikli Qiriazi ‘’ në: Studime  gjeografike.,,  Libri 2. f. 92. Tiranë 1987). Ndërsa sot ajo është katër dhe pesë fishuar, pra qindra mijëra  ha janë të pa përdorshme për  të mbjellë kultura bujqësore e pemë frutore.  Kjo arrihet shume lehtë e për një kohë të shkurtër. Ndërsa për t’u rikthyer në prodhim, në lindjen e zhvillimin e  bioshumëllojshmërise së gjallesave, duhen mijëra vjet sepse është këputur ai zinxhir bioekologjik shoqërimesh i krijuar në miliona vjet.  Lindja rritja dhe zhvillimi i tyre në unitet veprimi e bashkeveprimi në raporte te drejta në mes tyre dhe mjedisin fiziko kimik të tokës kërkohen qindra e mijëra vjet.

     Atëhere gjithë kjo shumëllojshmëri organizmash në mbarë botën rrreth 1.7 milion lloje duhen ruajtur, sepse ato kanë inves- tuar duke krijuar  e ruajtur kopshtin e lulëzuar të quajtur natyrë për të vetmin qëllim, që të mbaj gjallë e zhvilloi njerëzimin.   Dhe ja  si mendojn sot dashuruesit e ekspertët e ekosistemit pyjor: ‘’Vlerësimet më të freskëta parashikojn se, me ritmet e sotme të shpyllëzimeve, brenda 20-30 viteve të ardhshëm do të zhduken 2-8 përqind e llojeve në planet. Kjo përbën tragjedinë mjedisore, por pasojat e saj do të ndihen edhe në ekonomie në zhvillimet shoqeore. Afro 40 për qind e ekonomisë botërore dhe 80 për qind e nevojave tona plotësohen nga resurset (burimet S.M) biologjike.,,  Gj. Fierza, M. Metaj, H. Zoto, ‘’Pylli dhe njeriu,, f.92, Tirane 2012)   Shqipëria e varfëruar e ka ndjer shume këtë humbje të madhe’’…importi (prodhimeve bujqësore S.M) zë 80 milionë euro lekë (35% e prodhimit të përgjithshëm bujqësor)…,,( Engjëll Musai:‘’Si u shkatërrua bujqësia dhe fshati pas vitit 1990.,, Gazeta Telegraf, 18. 03.2022)  nga politikat e gabuara kundrejt  bujqësisë pyjeve e krejt mjedisit ekologjik strehëz e ushqyese e  shqiptarit. E qeveria Rama 3 nuk rreket ta thelloi këtë plagë,  duke zhdukur tokat bujqësore më prodhuese të luginës së drinit të zi që’’… fundos nën ujë 10600 ha (toka bujqësore S.M)…(A. Ashiku,po aty, 20.04.2022 Fb). Kjo politik e gabuar po lenë gjurmë të thella e të pa riparueshme në syrgjinosjen e rinisë dibrane dhe të asaj shqiptare. Pasojat e së cilës  do të ndihen shumë shpejt mbi zhvillimin ekonomikk të shqipërise. Si dhe mbi gjeografinë fizike, shpërndarjes të popullsise, ekonominë kombëtare, strategjinë ushtarake të mbrojtjes etj, etj. 

              Investime në mbrojtje e shëndoshjen e natyres

  Konfernca KOP 15  duke analizuar me kujdes, referimet e punimet e shkencëtarëve në fusha te ndryshme të klimatologjisë, ekologjisë, ekosistemeve të ndryshme etj.  ka caktuar një  detyrë tjetër mjaft të randësishme dhe e zbatueshme për mjaft vende të botës së sotme, dhe ja lexojm:‘’Paksimi i investimeve që shkatërrojn shumëllojshmërinë e qënjeve të gjalla, të paktën në 500 miliard dollar në vit, këto të investohen në mbrojtjen e natyrës, nxitjen e zhvillimit biologjik dhe shtimin  e llojshmërisë në natyrë,, (Cop 15 pika 4)

    Do të analizojm një pjesë të bashkëjetesës biologjike (biocenozëz S.M) të pyllit si një ndër elementët e bioshumëllojshmërisë që janë shpendët e pyllit. Jeta e të cilëve është e lidhur pa zgjithshmërisht me pyllin si shtëpia, vendërritja (biotopi S.M)  i tyre.  Për të kuptuar më mire funksionimin e kësaj bashkësie do ti referohemi studimit bioekologjik të ‘’Pyjeve të virgjëra të shqipërisë,, ku shkruhet: ‘’Në pyje gjenden 60 specie shpendësh. Nga këto 7 specie janë të rrezikuara, 24 specie janë të rralla dhe 20 specie janë të zakonshme.,, (f. 183 Tiranë 1997)

  Shpendët e pyllit  duke organizuar jetën e tyre në këtë bashkësi natyrore, ato  luajn rol të rëndësishën biologjik me treguesit e tyre sasior dhe cilësor në jetën.  Dhe vetë këto me veprimtarinë e tyre me të qenurit në këtë apo ate tip pylli sipas klasifikimit tipologjik dhe përbërjes se tij, të thjeshta apo të përziera. Janë shpendët sipas llojeve e sasisë të cilat na  japin informacione të rëndësishme mbi ekosistemin e pyjeve sigurisht edhe duke ndikuar drejt për drejt ose indirekt mbi  bashkëjetesën e pyjeve.

  Të arsyetojm mbi ekosistemin pyjor se kur ndryshon ai, pra sasia e drurëve, sipërfaqja e tyre, apo dëmtuesit e ndryshëm mbi bashkësinë e jetesës së pyllit, si ndikon, si vepron  kjo situat bioekologjike mbi jetën e shpendëve të cilët në evolucionin e tyre  gjenetik e natyror e kanë lidhur mbijetesën  me pyllin si formë e zhvillimit më dinamik të drurëve e shkurreve. Dhe ja se çfar kanë konstatuar vrojtimet, eksperimentet e punimet shekncore: ‘’Konstatojm se rreth viteve 1962 situata ornitologjike ka ardhur duke u keqësuar si rrjedhojë e zvoglimit gradual të sipërfaqeve pyjore, veçanërisht e pyjeve fletor si dhe degradimit të mjaft zonave pyjore.,,(Pyj. Virgj të Shqipërise f. 184 Tirane 1997)

   Si përfundim duke analizuar vetem një element të ekosistemit pyjor, mund të shprehemi se mbrojtja e pyjeve natyrore  dhe grumbujve pyjor artificial është domozdoshmëri jetike për ruajtjen e baraz peshimeve të gjallesave dhe bioshumëllojshmërinë si kusht i egziztencës së biotopeve.  Prandaj politikbërësit duhet të marrin masa organizative që t’i ruajn ato dhe të zbatojn  ndërhyrje mbi bazat shkencore që rekomandon silvoteknike për regjime  të ndryshme pyjesh.  Të gjitha kërto kerkojn investime të vazhdueshme kudo në pyjet shqiptare për të kryer të gjitha funksionet e tyre por edhe sepse: ‘’Po t’i referohemi aneksit të  II të Konventës së Bernës rezulton se nga speciet e mësiperme 43 specie  ose  71% e tyre kërkojn një mbrojtje të rreptë.,, (Pyj. Virgj të Shqipërise f. 184 Tirane 1997)  Ja pra një nga drejtimet ku kërkohen investime nga qeveria, dhe jo të kryhet veprimi i kundërt duke investuar 550 milion dollar për shkatërrimin e ekosistemit pyjor e atyre të krijuar nga njeriu për të jetuar pikërisht në luginën e Drinit të Zi në Dibër të Poshtëme me ekosisteme të shumta e bioshumëllojshmëri. Nga një studim i kryre del në pah se’’ zhduken përfundimisht 649 ha pyje dushqesh cungishte dhe 554 ha shelgjishte…,, (S. Mëziu,‘’Studim dhe projekt mbi pasurinë e gjelbert, ujore, etj. të shtratit të Drinit të Zi ‘’Fushë Gjoricë  Skavica Mem.,, Studim.  f. 29, 30,  Dorëshkrim. Viti 2022)   

*                          *

            *

        Ruajtja e natyrës, investimet në fushat e shërimit të plagëve të saja ishin objektivat e COP15 për të shëndoshur ekosistemet e plagosura tmerrësisht nga njeriu si qenie individuale dhe kolektive ose e  bashkuar me veprimet e pa menduara të politkbërsve që kanë të plazmuar në mendjen e tyre, vetëm fitimet kolosale.  Ne duhet të jemi të gjithe nxënës të natyrës  ndërsa e vërteta është se ne jemi  vrasësit e saj, plagë hapësit e saj. Qeveria E. Rama 1,2, dhe 3, ende nuk i ka kuptuar gabimet e saja trashanike e me pasoja për brezat e sotëm e të nesërm. Perkundrazi ajo vazhdon të investoi miliarda dollar e euro  për të pregatitur një tragjedi mjedisore e cila ka filluar të ndihet në humbjen e produkteve bujqësore e blektorale si sasi e cilësi, pa folur për humbjen e larmitë  e jetëve të gjalla. Rrjedhimish janë humbur edhe ekuilibret e faktorëve ekoliogjik, të cilat favorizojn urinë e shkretizimin e ardhshëm të  mjedisit gjeografik ku sot gjallon  jeta e lënduar.

14.01. 2023                                                   Dr. Selman Meziu                   

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1867
  • 1868
  • 1869
  • 1870
  • 1871
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT