• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një trëndafil urimi i një kryebashkiaku socialist për kandidatin demokrat të fitores në Memaliaj

May 20, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Edhe pse jemi në Maj lulesh, kemi një stinë të nxehtë sharjesh, me pesticide helmesh që nxjerrin politikanët nga goja si para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur.  Duket sikur nga qielli vjen një trëndafil urimi shumë i rrallë për mos thënë i vetmi nga një ish kryetar socialist të Bashkisë Memaliaj, që uron kolegun e tij demokrat i cili fitoi Bashkinë e Memaliaj atje në Jugun tim të Shqipërisë.  Ai është z. Gjolek Guci ish Kryetar i Bashkisë Memaliaj zgjedhur nga socialistët në mandatin e kaluar dhe që e mbajti me nder dhe profesionalizëm postin e tij si kryetar. Në këtë mandat vendin e tij e zuri 

z. Albert Malaj ish ushtarak nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.  

Unë nuk jam e çuditur nga z. Gjolek Guci për urimin e tij të sjellshëm që i bën kandidatit të fitores, pasi kur e takuam Verën e kaluar në zyrën e tij në Memaliaj në Bashki gjatë intervistës për TV “Alba Life”, New York tha: Unë jam këtu për të ndihmuar jo vetëm votuesit e mi, por gjithë popullin e Memaliaj, pasi kjo Bashki ku unë kam nderin të jem në krye i përket gjithë memaljotëve dhe zonave përreth.  

Në statusin e tij midis të tjerash thotë:  “Udhëtimi ynë, pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së ekipit ka qenë i vështirë, me një Bashki me problematika të mëdha, me pak fonde dhe investime. Pavarësisht rezultatit, ndihem krenar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.  Ju garantoj se deri në ditën e fundit të mandatit tim, ekipi ynë do të vazhdoj punën me të njëjtin intensitet dhe vendosmëri. 

I uroj suksese kryebashkiakut të zgjedhur dhe i kërkoj që të jap maksimumin për të mirën e komunitetit”.  Gjolek Guci

Natyrshëm e çmoj së tepërmi këtë urim që ka mirësinë e të sjellurit dhe ashtu siç duhet të jetë si për humbesin dhe fituesin.  Nuk është turp të humbasësh ne një“betejë” politike, vetëm njeri do të fitojë, turp është kur nuk e pranon humbjen nëse është reale, dhe fillon shpifjet e pacipa, akuzat çnjerëore duke rënë në moçalin e shushunjave thithëse…

Të gjithë shqiptarët që kanë etikën e të sjellurit kur i lexojnë shkrimet me fyerje, sharje që përmbajnë një fjalor nga më vulgarët dhe të pacipë vetëvetiu mendojnë se këtë “liri” iu ka dhënë urrejtja, cinizmi dhe egoizimi i tyre i pashoq, të cilët kanë ëndërruar të bëhen diçka, por nuk ia kanë arritur kurrë qëllimit të tyre, ose mendojnë se do t’ja arrijnë veçse duke përgojuar dhe shpifur pafundësisht. 

Ndonese jetojmë larg do të ndalem në disa punë të z. Guci që i preka dhe i pashë me sytë e mi.  Rruga nga Memaliaj deri në Marricaj nuk ka qenë kurrë e shtruar, por një rrugë me shumë probleme për fshatrat dhe tejet e vështirë.  Ekipi i tij e përfundoi me sukses dhe po vazhdonte drejt Arrëzës së Madhe, Qafës së famshme të Kiçokut.  Kishte projekte të bënte rrugën e Buzit etj…  Punët e mira gjithmonë flasin vetë.

Jetojmë në kohra të çuditshme, në frymen acide dhe në urrejtjen e pashoq që bashkon njësoj njerëzish!

Eshte mjerim qe disa grupe akoma kanë megallomaninë anadollake për të poshtëruar dhe përbuzur kandidatin, veçanërisht në kohë zgjedhjesh, pasi e kanë më të lehtë për ta venë përfund kandidatin, gjithmonë sipas llogjikës së tyre aq të cekët.

            Edhe pse lexuesit i kuptojnë mjaft mirë dredhitë dhe shpifjet që mund të bëhen në forma nga më të ndryshmet karshi njerëzve që japin kontribute qoftë dhe modeste të krijohet përshtypja se ligësia e disa shkruesve qofshin dhe gjysmëanalfabetë, (na ruajtë Zoti prej tyre) kanë një grykësi të çuditshme për të dhunuar, e thënë shkurt kanë një mendësi të mbrapshtë për të bërë atentat psikologjik… Po përse ka qenë dhe vazhdon kjo mendësi abuzuese edhe sot e kësaj dite karshi njerëzve të ndryshëm apo që dhunuesve ju duket se kanë arritur diçka për të cilën kam bindjen e patjetërsueshme se do të vazhdojë gjatë, biles aq gjatë sa dhe ne të ekzistojmë në faqe të dheut… Thjesht mendësi dhe grykësi ballkanike!

Jemi në shekullin e 21 dhe disa shkrues akoma kanë megallomaninë anadollake për të poshtëruar dhe përbuzur kandidatin, veçanërisht gjininë femërore, pasi si seksi më i dobët dhe më delikat që jemi, e kanë më të lehtë për ta venë përfund, gjithmonë sipas llogjikës së tyre aq të cekët.

Dhe ky është një mjerim i madh, është një mjerim që e ka zënë për fyti dhe është përdredhur si kulpër në trupin e kulturës shqiptare aq të lashtë, paçka se midis tyre mund te ketë dhe ndonjë shoqe që ju mban ison çjerrëse dhe e bën fjalën e bukur kufomë kundërmonjëse…  Në mjedise të ndryshme ku kolegët e punës i kemi nga të gjitha etnitë, shpesh diskutohen këto dukuri tejet negative dhe secila prej nesh sjellë përvoja jetësore apo trajtime që u bëhet këtyre problemeve jetike nga vendet që vimë.  Megjithatë pohojnë amerikanët, është e vërtetë që ka shumë dhunime dhe këtu, por ato kurrë nuk duhen lënë të marrin frymë.  Mikja amerikane më kujton thënien e Presidentit Lyndon B. Johnson i cili ka thënë: “Në qofte se e lejon dhunuesin të vijë në kopshtin tënd, ditën tjetër ai do të vijë pranë ballkonit dhe pas kësaj do të përdhunojë gruan pranë krevatit”…

            Por mendoj që dhe mosmarrja me mjeranët që vetëm harxhojnë kohën lart e poshtë duke shpifur dhe duke shpërndarë fjalë të turpshme vetëvetiu sjell mëshirën, e cila është arma më e mirë për të mos u penguar në punët që kemi përpara…pasi sic thotë Chris Colfer se ata janë si letra zmerile që mund të të lëndojë vazhdimisht, por në fund ajo përfundon e padobishme…“When people hurt you over and over, think of them like sandpaper. They may scratch and hurt you a bit, but in the end, you end up polished and they end up useless.”

Kështu që letra e padobishme detyrimisht hidhet në kosh, ndërsa nje trendafil urimi i një kryebashkiaku socialist për kandidatin demokrat të fitores mbetet pergjithmonë.

20 Maj, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Analiza

LABIRINTHI I LIBRIT NË TORINO…

May 19, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

“Në qytetin e librave” e kisha titulluar reportazhin tim të dikurshëm, në fillimin e viteve ‘90, kur kisha shkuar i përhënur në Panairin e Torinos.

Ishte hera e parë që do të shikoja një panair librash, ku as isha i ftuar dhe as kisha ndonjë libër timin, madje ishte dhe hera e parë që kisha dalë jashtë Atdheut.

Me miq të huaj, pra, të rinj, se si e solli fati, të nisja një specializim në gazetat e mëdha italianë “Il sole 24 ore”, “Corriere della Sera” dhe “Avvenire” në Milano…

Dhe në atë panair unë mbase isha gazetari më i varfër në botë. Më çoi kërshëria ime e madhe. Pata një magjepsje dhe marramendth që s’më ka ikur ende. Në Torinon e atyre ditëve rrija në shtëpinë e gazetarit zemërmirë Andrea Casalegno, sipër lumit Po, që ia tregoja se ç’do të thoshte shqip emri i atij lumi, një fjalë që na kishte munguar aq shumë në përditshmërinë tonë të ashpër. Edhe babai i Andreasit kishte qenë gazetar, i pari të cilin e kishin vrarë terroristët, Brigadat e Kuqe. Shtanga. Prandaj të ishte afruar aq shumë me mua, po mendoja…

– Eja në Torino, – më tha, – se është dhe një shkrimtar shqiptar, Kadarè, në veprimtaritë e çmimit “Grinzane Cavour”…

– E di, – thashë.

– Merr trenin se është afër…

Ashtu bëra dhe u çudita sa shumë shkrimtarë pashë, të shquar, të huaj… shkrimtarin gjerman Günter Grass, që do të merrte më pas çmimin Nobel, me mustaqe të zeza e të trasha si të shqiptarëve, kështu m’u duk, e megjithatë s’i afrohesha dot, ndryshe më ndodhi me poetin rumun Marin Sorescu, më mirëkuptoi menjëherë, mbante një triko të bardhë leshi, si të shqiptarëve dhe ai, i mora dhe një intervistë, që s’dija ku do ta çoja, i largët m’u duk dhe shkrimtari argjentinas Adolfo Bioy Casares, por duhet të ketë qenë druajtja ime a frika nga fantazma e Borgesit, mikut të tij, e dija ashtu si Kafkën, megjithëse me kroatin Predrag Matvejeviç folëm gjatë, ndërkaq i mora një autograf dhe një shkrimtari rus, plak dhe i dobët, mbaj mend vetëm emrin e romanit të tij tani, “Qoshja e pestë”, – nga ju isha në burg, – s’di pse dhe guxova dhe ia thashë befas, ai i prekur m’u përgjigj se dhe vetë kishte qenë në burg, – po, e pashë në shënimet në kopertinën e librit tuaj, – vazhdova italisht dhe përkthyesja e bukur ia tha rusisht, – por desha të thosha se ishim në burg nga sovjetikët, – dhe ai sikur u zbut, por trishtimi nuk i iku a ashtu ishte gjithmonë. Të grindesh me përkthyes, mendova për një çast, dhe kjo duhej…

Dhe me Kadarenë do të takohesha për herë të parë, jo se nuk e kisha parë në Tiranë, kisha qenë dhe afër tij me të tjerë, por ai nuk më njihte dhe nuk kishim biseduar kurrë. Pasi u largua në Paris dhe kërkoi “strehim politik”, më dërgoi një letër prej andej, punoja në “RD” atëhere, iu përgjigja dhe po flisnim dhe në telefon dhe i thashë se do të vija në Torino… iu bëra i afërt, bashkatdhetari pra, ishte dhe Znj. Helena Kadare, bënim dhe ndonjë shëtitje dhe biseda të thjeshta, njerëzore, z. Ismail bënte dhe humor, ndërkaq e respektonin shumë, si të veçantë.

Dhe në një nga ato paradite shkova në Panair, më mahniti, i parrokshēm, labirinth librash pa mbarim, i rrethuar s’dija ku të shkoja dhe ku të ndalesha, vetëm ecja, l…i…b…r…a, doja të bërtisja, të bija mbi libra, tmerr, tmerr i bukur dhe e ndjeva humbjen, më dëshpërueshëm se më parë, me ngushëllimin se e arrita një ditë të tillë, se mos ishte vegim, nuk ndesha asnjë nga shkrimtarët e Çmimit “Cavour”, ecja, labirinthi përsëritej, libra pafund, torturë leximi dhe mosleximi, çfarë mrekullie, etj, etj, mendime të tilla më gumëzhinin në kokë brenda gumëzhimave kozmike të panairit. Dhe bëra një shkrim të gjatë, e nisa me faks në Tiranë dhe u botua në një gazetë që do të falimentonte a do të mbyllej, me emrin buçitës “Zëri i Rinisë”.

M’u kujtuan të gjitha këto nga që nesër hapet Panairi i Torinos, Shqipëria është dhe e Ftuara e Nderit, lexoj, dhe ka vajtur një ekip me shkrimtarë, po kush është trajneri, lexoj prapë të pyesin, vë buzën në gaz, ja, emrat, lexoj diku tjetër, nis me një këngëtar të njohur në Itali, Ermal Meta, ka botuar një libër tani, të pranishëm do të jenë edhe: Ylljet Aliçka, Enkel Demi (me pseudonimin Tom Kuka), Benko Gjata, Anilda Ibrahimi,

Fatos Kongoli, Darien Levani, Matteo Mandalà, Virgjil Muçi, Liridon Mulaj, Lucia Nadin, Ardian Ndreca, Bashkim Shehu, Ornela Vorpsi, Tobias Xhaxhiu, Lea Ypi, po është dhe Andreas Dushi… lexova dhe Gëzim Hajdari… i njoh, gati të gjithë, miqtë tanë, letërsia jonë…suksese, suksese, suksese, them me zë.

Po poeti Skënder Buçpapaj, pyes, është dërguar ndonjëhere në ndonjë panair? Dhe romancieri Dashnor Kokonozi që nga Franca nuk e ka shumë larg. Po poezia e Fatos Arapit?…

Unë atëhere isha vetëm, shumë vetëm, mbase i vetmi shqiptar në Panairin e Torinos, por më vonë do të shkoja prapë, bashkë me Edën time. Po ai labirinth, por jo aq i pakuptueshëm, as i rrezikshëm si më parë, i lodhshëm mbase. Dhe më shumë… Shqipëria për herë të parë ftohej zyrtarisht dhe kujtoj që ishin dhe Mimoza Hysa, dhe Arben Dedja, dhe Roland Sejko, dhe arbëreshi Carmine Abate, shkrimtar tashmë i njohur në Itali. Dhe Konsulli i Nderit, Giovanni Firera, që s’e di a ishte më… një autograf, më ndali dikush… dhe kishte librin tim të parë, botuar në Itali, “Croce di carne”, dhe kur? Kur në atdheun tonë ndodhte ‘97, viti i kaosit dhe i shkatërrimeve, i barbarisë, i absurdit më të madh, kur u armatosën të gjithë shqiptarët kot, edhe fëmijët, dhe u çarmatos Shqipëria. Të gjithë kundër të gjithëve, vetvetes.

Përkthyesi im i shtrenjtë, Elio Miracco, futi në libër dhe poemën time të re, të atij viti, “Vetëvrasja e atdheut”, të cilën një gazetar televiziv i RAI-it do ta lexonte duke qarë.

Shtoheshin botimet në Itali, në panaire të tjerë do të ishin librat tanë, edhe pa ne… stendat e botuesit “Rubbettino”… Gëzim Qendro… po, po, dhe libra të mi, ndërsa nesër do të jetë dhe romani “Sulle strade dell’ inferno”, ky vetëm nga të mitë i përkthyer nga Prof. Matteo Mandalá, botim i editorit “Besa”, – a do vish? – më pyeti Livio Muci në messenger, – jam larg, – thashë, – larg…

A do të këtë libra nga autorë të përndjekur? Nga ajo që po e quajmë letërsia që erdhi nga burgjet dhe internimet, se poetët dhe shkrimtarët që vdiqën burgjeve apo internimeve, që i pushkatuan, nuk shkojnë dot… Haxhiademi… Xhagjika… Blloshmi… Delvina… mërmëris… ngjajnë me rënkimet… Apo veç ribotime… Sollzhenicin… Shallamov… Brodski… po drama “Rrajët lëvizin” e Ernest Koliqit tonë?… dhe libra nga luftërat e reja a do të ketë?… Ukraina… E Kosova jonë?… Podrimja, Shkreli, Bajraj, Apolloni, Kelmendi…

E ç’na pengon të kemi një stendë të përbashkët?

“Onufri” ka dërguar nga Tirana Vepren e plotë të Kadaresë, botim i ri në 7 volume, me një punim ornamental të shtrenjtë.

7-ta është numër i mirë, po thosha me vete.

Dhe pata vegimin e pikturave në kopertinat e librave të mi, dy të parat në Itali i bëri posaçërisht për to Valer Dyrzi Tarasov, bashkëvuajtës imi në burgun e Qafë-Barit dhe tani piktor i njohur… Kopertinë të shkëlqyer do të bënte për “Il visionario alato e la donna proibita” Miron Topçiu, djali i mikut tim, ndërsa botimet e fundit si kudo të miat, do të kishin në ballinë piktura të djalit tim, Atjonit, copra yjesh, natë që thyhet…

Ata që lexuan poezinë time në Itali, e mirëpritën, më me dhimbje se në atdhe, më deshën më shumë, më dukej, por kjo nuk e pakësoi dashurinë time për Dheun Amë.

Po shkruanin poetë për librat e mi. I pari, i madhi Mario Luzi, Senator i Përjetshëm. Poeti tjetër, Presidenti i PEN-it italian, Sebastiano Grasso. Ai jo vetëm do të bënte parathënien e përmbledhjes “Confessione senza altari” dhe do të shkruante në “Corriere della Sera” dhe për romanet e mi. Dhe të tjerë të njohur si poeti Franco Loi, kritiku Ennio Grassi, poetët dhe kritikët Dante Maffia, Davide Brullo, etj, gazetarët Giovanni Ruggiero, Roberto Beretta, Adalberto Cuzzi, etj, së fundmi dhe gazetarja Anna Lattanzi, etj. Po dhe eseisti, preminenti, siç e quajnë, Goffredo Fofi. Dua të kujtoj dhe semiologun e madh të shekullit XX, filozofin dhe shkrimtarin Umberto Eco…

Dhe sa çmime letrare e madalje më ka dhënë Italia, rëndësi ka që ato kanë dashuri shumë, me emrat vezullues si “Leopardo d’oro”, “Ada Negri”, “Mario Luzi”, po këtë çmim mori dhe nobelisti Derek Walcott po atë ditë, dhe do të vazhdonin… Kultura e Deteve… ai i Karrierës… “Linguaggio dell’anima”… dhe… dhe… kujtova shumë, kam sjellë dhe imazhe, ç’m’u gjendën, shkak është labirinthi… dhe jo vetëm pse po vjen mbrëmja ime dhe nesër hapet Panairi i Torinos, por desha të shpreh mirënjohjen për Italinë, që na dha aq shumë, me njerëzit e saj që dinë të jenë njerëzore, gëzohen shpejt me tjetrin dhe bëhen miq, familjarë, shpirtbukur si vendi i tyre plot me dallgë kaltërsish, mështu kam shkruar, që gëzimet dhe trishtimet i kthejnë në poezi… siç janë dhe vetë…

Panairi i Librit i Torinos nesër hap dyert dhe do të dynden njerëz pambarim, kështu besoj dhe lutem që prej andej të dynden librat ndër njerëz, pa mbarim qoftë dhe kjo!

Mjafton që libri nuk na lë të harrojmë se si mund të urojmë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

DITA E TRADITËS SHQIPTARE NË NEW YORK

May 19, 2023 by s p

DITA E TRADITËS SHQIPTARE NË NEW YORK.

Filed Under: Komunitet

PARADA SHQIPTARE NË NEW YORK 2023 I KUSHTOHET LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

May 19, 2023 by s p

PARADA SHQIPTARE NË NEW YORK 2023 I KUSHTOHET LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT.

Filed Under: Fejton

Seanca e Posaçme e Komisionit të Kongresit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme, për Ballkanin

May 19, 2023 by s p

Nga Beqir SINA/

Uashington DC – Përfaqësues të Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme të Kongresit amerikan, drejtuar nga Senatori Bob Menendez, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, mbajtën sot( të enjten, më 18 maj,) në Uashington një seancë dëgjimore “Vlerësimi i politikës së SHBA-së për Ballkanin Perëndimor”, në ndërtesën e Zyrës së Senatit Dirksen 419.

Në këtë seancë dëgjimore dëshmitarë ishin i nderuari Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe z. Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, nga Byroja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, në administratën e presidentit Biden.

Në mesin e të ftuarve ishin ata që qëndrojnë pas kuintave, të kësaj senace dëgjimore, dy themeluesit dhe udhëheqësit e lobit të parë dhe të vetëm shqiptar në Uashington, Lidhjes Qytetare Shqiptare Amerikane, me ish Kongresistin republikan të New Yorkut, Joseph J. DioGuardi, president i LQSHA, dhe Shirley Cloyes DioGuardi – Këshilltare për Cështje të Ballkanit.

Senatori demokrat i New Jerseyt, Bob Menendez (D-N.J.), Kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, dha sot deklaratën hyrëse në seancën e plotë të Komisionit të sotëm në Seancan e Posaçme e Komisionit të Kongresit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme : “Vlerësimi i politikës së SHBA-së për Ballkanin Perëndimor”, në ndërtesën e Zyrës së Senatit Dirksen 419”duke pyetur dy dëshmitarët nga qeveria amerikane Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe z. Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, nga Byroja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, në administratën e presidentit Biden .

Ai në fjalën hyrse të cilën e nisi me Ukraninën duke thënë se Ukraina ka rigjallëruar imperativin për të mbështetur përpjekjet e vendeve evropiane për të bërë reformat dhe angazhimet e nevojshme për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për të parë se sulme të reja me partnerët me të cilët Rusia ka pasur tradicionalisht ndikim të rëndësishëm politik, ushtarak dhe ekonomik. Për mendimin tim,”tha Menedes, duke pohuar se thelbi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor qëndron tek zgjidhja e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi nevojë për liderë të përgjegjshëm të gatshëm për të bërë dhe për të mbajtur angazhime të rëndësishme për popullsinë e tyre.” tha ai dhe vazhdojë “Kosova duhet të shfrytëzojë këtë mundësi të angazhimit të rinovuar dhe të punojë me partnerët evropianë për të ecur përpara.”

Megjithatë, theksojë Mennedes, unë personalisht nuk besoj se kemi pjesëmarrës të barabartë që veprojnë me mirëbesim.

“Në shkurt, si pjesë e dialogut në vazhdim të lehtësuar nga Brukseli, Serbia dhe Kosova ranë dakord verbalisht për një marrëveshje të negociuar nga Bashkimi Evropian. Sigurisht që pas kësaj, presidenti serb Vuçiç mbajti një fjalim publik duke mos u pajtuar me përmbajtjen e marrëveshjes dhe duke refuzuar nënshkrimin për shkak se ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo është pjesë e një modeli që do të thotë një gjë, që zoti Vuçiç, për të qetësuar liderët perëndimorë dhe një gjë tjetër i thotë popullit serb nëpërmjet mediumit të tij të kontrolluar nga shteti, duke kontrolluar hapësirën e informacionit dhe duke goditur shoqërinë civile.”

Kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, po ashtu permendi atë se Presidenti Vuçiç vazhdon të përqafojë narrativat nacionaliste serbe duke përjetësuar vizionin e tij për Sërbinë, një komb i madh serb, ashtu si Putini ka vizionet e Rusisë së madhe.

“Në të vërtetë, presidenti i Serbisë, është mburrur për lidhjet e tij të ngushta personale me Putinin. Ai ka fluturuar në Moskë për bisedime tregtare, ka refuzuar të bashkohet me partnerët evropianë dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Kështu që sot, do të doja të dëgjoja nga dëshmitarët tanë se çfarë plani po shkon përpara.” tha Menedes.

Një nga pikat kryesore të ekspozes së Kryetarit të Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, senatorit Bob Menedes, ishte në atë se përse: presisonin” që po bënë Departamenti i Shtetit ndaj qeverisë së Kosovës, gjë që shumë pak ose aspak nuk po e bënë me Beogradin, presidentin serb Alexander Vuçiç?

“Pjesa më e madhe e asaj që shoh është presion mbi Kosovën për Asociacionin e komunave të caktuara, tha Menendes, duke vazhduar “për të cilin e njoh që Kosova, ka rënë dakord më parë, por më duket se ka pak ose aspak presion mbi Beogradin, as ndonjë plan apo garanci reale që asociacioni i disa komuna nuk do të bëheshin një tjetër skandal republikan, ndërsa duke parë implikimet e rrezikshme të asaj që ne po shohim implikimet e rrezikshme ndoshta si ato të bëra në Bosnje dhe Hercegovinë tani.”

Kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, senatori Bob Menendes, pyeti dy zyrtarët e lart të departamentit të shtetit, Chollet dhe Escobar, mbi atë se sa besojnë ata mbi shkrimin investigues të Revistes “New York Times” dhe kredibilitetin e atij investigimi e cila tha ai “pikturoi kohët e fundit një pamje të ashpër të dhunës dhe ndërlidhjes së thellë me bandat e organizuara kriminale të Serbisë, dhe presidentit aktuar Alexander Vuçiç, “Kështu tha që shpresoj se mund të më ndihmoni të kuptoj se cili është mendimi i Departamentit të Shtetit”, tha ai.

Më tej në këtë ekspoze Menendes tha se, do të kërkoja gjithashtu që të flisni sinqerisht, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë si rrugë drejt normalizimit, por edhe për Maqedon e Veriut, Shqipërin dhe Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.

“Në Bosnje, shqetësohem se reforma e fundit zgjedhore e Zyrës së Përfaqësuesve të Lartë mund të përforcojë dhe jo të shpërndajë tensionet etnike. Ne duhet të sigurohemi që të drejtat e hebrenjve dhe romëve dhe pakicave të tjera të mbrohen. Sepse ndërkohë që liderët lokalë angazhohen në destabilizimin e rrëmujës për të çuar përpara fuqinë e tyre, Moska ka një punë të gjatë për të shfrytëzuar defektet historike etnike të Ballkanit për përfitimin e saj. Nëse Serbia do të anëtarësohet ndonjëherë, Bashkimi Evropian do të ketë nevojë për alternativa për t’i shpëtuar lidhjes të energjisë nga Putini. Në të vërtetë, një nga mënyrat më të mira për të ndihmuar Ballkanin dhe Evropën Qendrore dhe Jugore për t’u bërë energji e pavarur nga Rusia është të përfitoni nga potenciali i energjisë së pastër të Mesdheut Lindor. Kjo do të thotë mbështetje e vazhdueshme për ndërlidhësit që shkojnë drejt e në Ballkanin Perëndimor dhe ndjekin rrjedhën dhe regjimet e unifikuara rregullatore. Sigurisht, ndërsa ne punojmë me partnerët tanë për t’i larguar ata nga Rusia, ne nuk duam që ata të vrapojnë drejt Kinës, në këtë proces. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të zënë vend të dytë këtu. Ky rajon mbetet një kujtesë e ashpër se si mungesa e angazhimit lejon rritjen e tensioneve etno-nacionaliste. Por ne e dimë që kur jemi të “zgjuar nga gjumi”, mund të ndodhin gjëra të mira. Dhe nëse jemi me sy të qartë dhe pragmatikë në qasjen tonë, ne kemi mundësinë të bëjmë përparim të vërtetë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.”

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo të gjitha palët po dialogojnë në mirëbesim.

Senatori amerikan shprehu shqetësimet e tij në lidhje me statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë”, paralajmëroi Menendez në nisje të kësaj seance të komitetit.

Chollet trondit Vuçiqin, thotë se ka të vërteta në raportimin e New York Times

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se beson që është i vërtetë raportimi Neë York Times e cila e lidh presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq krim të organizuar.

Chollet gjatë raportimit në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, i pyetur për këtë artikull nga senatori Bob Menendez nëse e beson si të vërtetë,

“Po besojmë se është. S’mund të flas për gjëra specifike, po ka shumë korrupsion atje”, tha ai.

I pyetur nga senatori Mendez nëse kjo mund ta bëjë Vuçiqin partnerë të rëndësishëm për ShBA-në, Chollet tha se “kjo është test ndoshta dhe po e bëjë më sy qelur”, duke shtuar se korrupsioni në vendet e Ballkanit Perëndimor është i përhapur dhe se kjo do ta pengojë rrugën drejt integrimit në BE”.

“Vuçiqin po e mbajmë përgjegjës dhe kolegët e tij për korrupsionin për sjelljet që po i bëjnë. Kemi vënë sanksione për shumë njerëz në krejt rajonin dhe e kemi bërë shumë të qartë se korrupsioni është kryesorja që e ndalon integrimin e rajonit në Evropë”, tha Chollet.

Revista javore e gazetës New York Times, ka botuar një artikull të gjatë, ku zbulon lidhje të pretenduara të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç me botën e krimit në Serbi.

Escobar: Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin për ta zhbërë atë që Serbia po bën me Veriun e Kosovës

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në dëshminë e tij përpara Komitetit për Punë të Jashtme ka folur për shqetësimet e senatorit Bob Mendez rreth Asociacionit.

Escbar ka thënë se qëndrimi i SHBA-së është që Asociacioni është obligim ekzistues i Kosovës që e ka marrë në kuadër të procesit të dialogut të Brukselit.

Ai gjithashtu ka thënë se SHBA e ka përsëritur që janë për një model që nuk shkel rregullat evropiane, Kushtetutën e Kosovës apo që prish funksionalitetin e Kosovës.

“Qëndrimi ynë është që Asociacioni është obligim ligjor ekzistues. E kemi përsëritur që do të ndihmojmë Kosovën për një model që s’është kundër rregullave evropiane apo kundër Kushtetutës së Kosovës apo funksionalitetin”, ka thënë Escobar

Escobar thotë se Asociacionin e shohin si një rrugë përpara ku katër komunat (veriore), apo edhe komuna të tjerë mund të bashkohen për të ofruar shërbime komunale në gjuhën serbe për një pjesë të komunitetit.

Chollet zbulon kushtin e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën me 5-shën mosnjohëse të BE-së

Kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme, Bob Mendez e ka pyetur këshilltarin special të Antony Blinken rreth problematikës së pesë vendeve të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Derek Chollet ka thënë se janë angazhuar në mënyrë aktive lidhur me këtë çështje, derisa ka thënë se angazhimi i SHBA-së do të varet në mënyrë specifike nga arritja e marrëveshjes për normalizim me Serbinë dhe implementimi i saj.

Ai thotë se këtë ia kanë bërë të qartë miqve nga Kosova.

“Kemi qenë në mënyrë të angazhuar për këtë cështje. Dhe e kemi bërë të qartë për miqtë kosovarë që do të vazhdojmë të jemi të angazhuar intensifikisht, vecanërisht nëse do të arrihet arrëveshjen për normalizim, e pajtuar dhe e implementuar”, ka thënë Chollet.

“Ajo sic e shohim ne është, që Asociacioni është një rrugë përpara që katër komunat, apo edhe ndonjë tjetër komunë që dëshiron të bashkohet, që të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime komunale në gjuhën serbe për një pjesë të komunitetit”, ka thënë Escobar.

Ai tutje ka thënë se duhan ta shfrytëzojnë Asociacionin për të hequr veriun nga ndikimi i Beogradit dhe nga ajo çfarë Vuçiq po bën sot me këto komuna.

“Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin që ta zhbëjmë atë që Serbia po e bën sot me veriun dhe që ta fusim brenda strukturës së Kosovës, që e kontrollon dhe që është nën ligjet e Kosovës”, ka thënë Escobar.

See Insights and Ads

Boost post

Like

Comment

Share

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1868
  • 1869
  • 1870
  • 1871
  • 1872
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT