• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR NJË QASJE MODERNE MBI SHKENCAT E ALBANOLOGJISË

October 4, 2022 by s p

Prof.dr. Skender ASANI/

Më vjen mirë që edhe këto aktivitete që po mbahen në kuadër të JAVËS SË ALBANOLIGJISË, këtu në Prishtinë, mbajnë vulën e një bashkëpunimi të frytshëm institucional, që filloi vitin e kaluar dhe që po vazhdon edhe sivjet, me çka Tirana, Prishtina dhe Shkupi po e formojnë një hark të rëndësishëm të fushëveprimit shkencor e kulturor përmes ideve e projketeve të përbashkëta.

Me këtë po dëshmojmë se kufinjtë e bashkëpunimit shkencor shkojnë përtej kornizave që i dikton politika e ditës dhe mund të them me gojën plot se edhe ITSHKSH po e dëshmon veten, me veprime konkrete, se është një institucion që hapjen ndaj vlerave dhe hapësirave të tjera kulturore e ka kuptuar si një mision që për çdo ditë po integrohet në strategjinë tonë.

Pjesë e kësaj strategjie është edhe ideja që shkencat e albanologjisë t’i kuptojmë si fusha në të cilat piktakohen edhe disiplinat tjera dhe në këtë mënyrë qasja jonë mbi albanologjinë nga një kuptim i ngusht klasik, po kalon në një kuptim modern.

Ashtu si historiografia e cila duhet të lirohet nga hijet e mitomanisë së shekullit 19 që nxjerrin krye aty këtu nëpër tekstet e autorëve të ndryshëm, edhe shkencat e albanologjisë, sipas pikëpmajes sime, duhet të ndjekin ritmin e zhvillimeve globale,të cilat reflektohen edhe në “habitatin” tonë etno-psikologjik. Pra, me fjalë të tjera dua të paralajmëroj se ne nuk guxojmë të mbyllemi, por të hapemi, duke i ofruar botës akademike vlerat që i posedojmë, por edhe duke absorbuar prurjet e të huajve mbi shkencat albanologjike. Në këtë mënyrë, mendoj unë, kufinjtë e botës shqiptare mund të shkojnë përtej hartave adiminstrative, dhe mund të prekin hapësira të paanshme të dimensionimit global të mendimit shkencor.

Jemi me fat që shkencat tona albanologjike kanë kaluar nëpër faza të shumta përtërirje brezash, dhe tani jemi në momentin kur kjo përtërirje duhet të ndodhë në një rrafsh më të gjerë, si në aspektin e prurjeve të reja nga hapësirat tjera kulturore-gjuhësore, dhe anasjelltas, ashtu edhe në aspektin e përforcimit të komponentës së multidisplinaritetit në shkencat e albanologjisë. Vetëm në këtë mënyrë, mendoj unë, do të arrijmë të sigurojmë një bazë të shëndoshë të kërkimit shkencor, ku nuk jemi të detyruar të mbyllemi në korniza të ngushta etno-gjuhësore. Zatën kjo ka qenë edhe rruga të cilën e kanë ndjekur shkencat gjuhësore të popujve të mëdhenjë, prandaj jo rastësisht ata sot janë zotërues të hapësirave më të mëdha kulturore ku ndikimet gjuhësore luajnë një rol të qensishëm.

Ne si qendra albanologjike, bashkë me universitetet dhe me formacionet e ndryshme akademike, mund të ngrejmë nivelin e studimeve albanologjike në përmasat e një disipline moderne ku falë komunkimeve digjitale, do ta gjenin veten studiues të ndryshëm në rrafsh global. Prandaj, kjo duhet të jetë edhe sfida jonë e radhës që lidhet me sfidat e shumta të këtij mileniumi ku shkencat albanologjike duhet të kalojnë nga një kasollë e vogël e qasjeve të ngushta në një pallat gjikant me përmasa globale dhe me qasje të hapura dhe krejt të reja.

Filed Under: Komente

Huazimet Turko – Osmane në të folmen e Krajës

October 4, 2022 by s p

Hamid Alaj

C:\Users\Hamid\Documents\download.pngQë në kohët e lashta e deri në ditët e sotit, si në aspektin teorik poashtu edhe në atë praktik, si dhe gjatë zhvillimit të një gjuhe, pra gjatë historisë së saj, asnjë gjuhë në botë nuk ka mbetur pa u ndikuar nga gjuhë të tjera. Huazimet janë proces që e pëson një gjuhë nga një gjuhë tjetër duke marrë hua elemente gjuhësose që lidhet me hyrjen e fjalës prej leksikut të një gjuhe në gjuhën tjetër.  Mardhëniet midis dy gjuhëve më së shumtit zhvillohen atëherë kurë një gjuhë huazon disa fjalë nga gjuha tjetër. Disa dijetarë ose më saktë disa gjuhëtarë pohojnë se huazimet marrëse nga një gjuhë tjetër zënë zakonisht vendet e zbrazëta që do të thotë se një gjuhë është e detyruar të marrë fjalë nga gjuha tjetër për nevoja emërtimi të një sende, apo të një dukurie tjetër, kështu që folësi përdorë fjalët e huaja gjatë komunikimit në gjuhën e tij amtare sepse  i mungon fjala e përshtatshme.

Në të kaluarën por edhe sot, edhe pse nuk haset në njerëz që nuk kanë pranuar ndonjë huazim, pra nuk mund të thuhet se mund të haset edhe në shoqëri pa huazime. Ato kanë vazhduar të ekzistojnë së bashku me njeriun dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe në të ardhmen.

           Duke dëgjuar të folmen e Krajës, menjëherë të bie ndërmend se ke të bësh me një gjuhë të moderuar duke u shfaqur e gjithë pasuria e huazimeve të ndryshme si ato turke, osmane, latine e duke vazhduar me ato sllave e në kohë të fundit edhe ato angleze. Kështu që me depërtimin e Perandorisë Osmane dhe me sundimin e tyre në trevat shqiptare, padyshim se çdo gjë mori kahje të kundërt, nga ajo që kishte më parë, si në pikëpamje administrative poashtu edhe në pikëpamje arsimore dhe atë gjuhësore.

           Duke vazhduar sundimin e tyre në territoret shqiptare si dhe duke sunduar dhe nënshtrua popullsinë në ato territore dhe me depërtimin e tyre në trevën e Krajës, edhe gjuha e tyre  patjetër që ka filluar të perdoret në të folmen e përditshme në ato treva ku ato sundonin, kryesisht me huazime të fjalëve tuko-osmane, arabe, persiane, të ardhura së bashku me sunduesin, me mbizotërim mbi gjuhën e popullsisë së nënshtruar.

           Si në territoret e tjera të nënshtruara nga Perandoria Osmane, edhe në trevën e Krajës, gjuha e tyre la gjurmët e veta, si në emrat e njerëzve, të toponimeve të ndryshme, të sendeve shtëpiake, e sendeve të tjera, që quhen edhe sot e kësaj dite me emrat  turko-osmano-arab, e sidomos tek të moshuarit që janë percjellur brez pas brezi deri në ditët e sotit, dhe që kishin më së shumtit kontakte me qytetet e njohura shqiptare që ishin më të afërmet me Krajën si me Shkodrën, Ulqinin dhe Tivarin, që ishin qendra të njohura si në pikëpamje ushtarake, administrative, kulturore, tregtare, ekonomike dhe arsimore në kohën e Perandorisë Osmane, ku i gjithë malli i Krajës shitej në këto qytete dhe anasjelltas, i gjithë malli që krajanët blinin për nevojat e veta i tregtonin nga këto qytete, andaj edhe huazimet dhe  përdorimi i fjalëve turko-osmane ishte më i shpeshtë në mes popullsisë krajane.

           Përparim i veçantë i përdorimit të fjalëve apo i huazimeve  turko-osmane  në të folmen e Krajes ka ardhur në mënyra të ndryshme si p.sh. gjatë perdorimit të fjalëve shërbyese në qytete ku mbizotëronte sundimi i Perandorisë  Osmane, ku krajanët kishin kontakte të përditshme me popullsinë e atyre qyteteve (Shkodër, Ulqin, Tivar, Podgoricë etj.), përdorimi i fjalëve të ndryshme në  tregjet e atyre qyteteve,  kryerja e punëve administrative, shkollimi në medrezet e atyre qyteteve, emigrimi i krajanëve në shtetin e Turqisë, dhe mënyra të tjera, që si rrjedhojë janë shfaqur me përparimin, zgjuarsinë dhe aftësinë krijuese të popullit të Krajës. Të gjitha këto huazime si ato turke, osmane, arabe, latine etj. janë pësosmëri e atyre fjalëve që kanë ndikuar te të folmet e gjuhës krajane. Pra kjo është një rrjedhojë dhe rezultat i vetë njeriut, e në këtë rast i vetë popullit krajan në përdorimin e termave të huaj, e jo rrjedhojë dhe rezultat natyror i një populli, e në veçanti i popullit krajan.

           Përparimi si dhe përdorimi i fjalëve të huaja (në këtë rast i atyre turke) varet gjithashtu edhe nga përparimi material, ekonomik, teknik dhe mendor i njeriut. Fjalët që janë huazuar nga fjalët turke, kanë ardhur deri te të folmet e Krajës nëpërmjet tregtisë dhe teknikës, sepse sado që një gjuhë merr fjalë të ndryshme nga një gjuhë tjetër ato asnjëherë nuk e huazojnë mënyrën e ndryshimit dhe të formimit të fjalive, pra formimi i fjalive bëhet në të njëjtën mënyrë, aty ku përdoret termi i gjuhës turke.

           Nga vetë analizat dhe trashëgimia e leksikut të të folmes së Krajës dhe të elementeve të huazuara, pikësëpari nga latinishtje, ndoshta që në kohën e Buzukut e më heret, osmanishtja e më vonë nga turqishtja dhe sllavishtja,  kemi të bëjmë me një popullësi që huazimet në të folmen e kësaj treve, Krajes dhe asaj të Shestanit, nuk u zhvilluan në kushtet e saja origjinale por me pasojat që sillnin dyndjet dhe pushtimet e huaja, turqit dhe sllavët, e sidomos në sistemin e shkollimit, ku një pjesë e Krajës së Naltë (Shestanit)  edhe u sllavizua krejtësisht. Mirëpo, me sllavizimin e tyre, edhe e folmja merr kahje tjetër, duke huazuar fjalë të huaja, në këtë rast gjejnë përdorim huazimet sllave me ato turko-osmane, që janë faktorë keyesorë në zhvillimin e një shoqërie, si në trashëgimi, në unitet, në mardhënie ekonomike etj., po të njëjtit faktorë ndikojnë edhe në zhvillimin unitar të gjuhës së tyre apo të të folmes së një shteti,  krahine apo edhe të një treve, si në rastin e veçantë të trevës së Krajës së Naltë–Shestanit. Mirëpo, edhe me përdorimin, pra huazimin e fjalëve turko-osmane, latine, arabe, sllave etj., gjithsesi mbi këtë popullsi të kësaj treve (Krajë–Shestan) vazhdojnë të qëndrojnë tiparet karakteristike të gjuhës, të kulturës, të traditës, të truallit të përbashkët ndonëse në kohën e fundit me kufizime të caktuara.

           Në përgjithësi sundimi i gjatë dhe i huaj në trevat shqiptare dhe kontaktimi, tregtimi, administrimi etj., i popullsisë së kësaj treve (Krajë–Shestan), me qendrat kryesore administrative të Shqipërisë së Veriut e më gjërë, dhe emigrimi i tyre edhe në vendet e Perandorisë Osmane, solli si rrjedhim huazimin e shumë fjalëve të atyre trevave ku ato ishin vendosur, ku tregtonin, ku administroheshin, të përcjellur brez  pas brezi deri në ditët e sotit, duke i përdorur në jetën e përditshme për nevojat e veta. Është një dëshmi e sigurtë se e folmja e Krajës, e cila me gjithë huazimet e shumta turko-osmane, arabe, persiane, latine, sllave e në kohët e fundit edhe me ato angleze, si rrjedhim i emigrimit të shumtë të kësaj popullsie në shtetet perëndimore e sidomos në Sh.B.A., ende nuk e humbi të folmen e saj si disa treva të  tjera si p.sh. simotra e saj, ajo e Shestanit e cila me huazimet sllave në të folmen e saj, u kthye në një gjuhë sllavo–shqipe.

           Po që se shtrohet pyetja se a kishte dhe a ka popullsi të përzier në trevën e Krajës, si ate turke, sllave etj.?, dihet se nuk kishte dhe nuk ka fare, por kuptohet se e folmja e Krajës, si gjuhë shqipe që është dhe i përket dialektit të gegërishtes (Shqipërisë së Veriu –Shkodrës), i përvetësoi apo i huazoi fjalët e huaja nëpërmjet emigrantëve të vet. Mirëpo populli shqiptarë i Krajës e ka ruajtur ekzistencën e vet të gjuhës me karakteristikat e veta të të folmes së saj, në trevën ku banon sot e këndej, megjithëse ka  pasur shumë huazime në të folmen e saj, duke ecur drejtë zhvillimit të kulturës së vet, shkollimit, arsimimit dhe menjanimit të një pjese të madhe të huazimeve të huaja në të folmen e saj. Ajo e ruajti identitetin e vet të gjuhës së tyre, që zhvillohej dhe flitej në bisedat në mes vedi pranë votrave të tyre, ku mbeti e paprekur dhe u përcoll brez pas brezi deri në ditët e sotit, e ruajti me anë të artit muzikor, me anë të zakoneve të tyre origjinale etj., duke mos e ndryshuar karakterin etnik të  të folmes së këtyre viseve.

           Për popullsinë shqiptare të trevës së Krajës, por edhe të atyre  për rreth si; të Anës së Malit, Ulqinit, Tivarit etj., të provuara me shkrimet e para në gjuhën shqipe, si Meshari i vitit 1555 i Gjon Buzukut, që njihet si vepra e parë shqipe, megjithëse kishte karakter fetar, ishin pjesë përbërëse e formimit të gjuhës dhe kulturës së popullit shqiptarë të kësaj treve.

           Një ndikim të madh në huazimet e shumta turko–osmane  luajti edhe faktori fe apo konvertimi i popullsisë së kësaj treve nga feja katolike në fenë islame. Mirëpo edhe me ndryshimin e fesë, popullsia e Krajës nuk e ndryshoi karakterin etnik të saj, pra mbeti shqiptarë, duke e ruajtur edhe më shumë etnitetin e vet, ashtu siç ndodhi p.sh. me popullsinë e Bosnjës e cila mbeti popullsi sllave edhe pas islamizimit të saj. Si në fenë katolike, një pjesë e Krajës së Naltë (Shestan) dhe në fenë muslimane (Krajë–Shestan) kemi një mori huazimesh. Në atë katolike kemi huazime nga latinishtja kurse në atë muslimane kemi huazime turko–arabe çka kanë ndikuar në të folmen e përditshme të kësaj treve.

           Depërtimi i një numri të madh huazimesh nga gjuhët e tjera tregon se populli i Krajës kishte kontakte të shpeshta me ato popuj nga merrte huazimet e tyre, sidomos, e në veçanti me huazimet turko–osmane dhe ato sllave. Megjithë atë huazimet sllave në të folmen e Krajës nuk kanë edhe një përdorim të madh me përjashtim të Anës së Naltë (Shestanit) ku popullsia e asaj ane ka një kontakt të vijueshëm me ato treva që flasim gjuhën sllave (Tivar, Virpazar, Cërmicë, Podgoricë etj.), ku edhe shkollën e kanë në gjuhën sllave, megjithë përpjekjet e shumta që janë bërë disa herë që shkolla të jetë në gjuhën shqipe.

         Gjithmonë duhet pasur parasysh se ai popull i cili huazon fjalë të huaja, e në rastin konkret popullsia e trevës së Krajës, vjen deri aty sa të heq dorë më në fund nga gjuha e vet amtare në të mirë të gjuhës tjetër, si për leverdi ekonomike, tregtare, administrative, ushtarake, politike, si në kohën e sundimit turk poashtu edhe në kohën e tashme, e cila trevë i përket komunës së sllavizuar të Tivarit, duke ruajtur disa elemente të të folmes së gjuhës amtare, apo më saktë duke ruajtur disa elemente leksikore të të folmes së kësaj treve.

           Ato të cilët përdorin huazime të ndryshme gjatë mardhënieve të ndryshme si në biseda, kuvende, fjalime etj., duke pasur kontakte me popujt të tjerë, atë gjuhë apo ato huazime i kanë marrë si gjuhë sekondare, pra si huazime që origjinalisht janë të një kombësie tjetër si huazimet turke, osmane, latine, sllave, persiane, arabe, angleze etj.

           Në bazë të materialit të hulumtuar deri më tani, kemi arritur në përfundim se huazimet turko–osmane  në të folmen e trevës së Krajës, sikurse edhe në trevat e tjera shqiptare, apo ndoshta edhe në gjuhët e tjera të Ballkanit, më së shumtit e përbëjnë emrat, që janë të përdorshëm për sendet konkrete të jetës së përditshme, si emërtimet nga emrat e njerëzve, në administratë, në ushtri, artizanat, në fenë islame, emërtime gjellërash (gatesash), bimësh etj. Për sa i prërket emërtimit të njerëzve me huazime  turke, Ana e Naltë (Shestani), gjithnjë e më tepër është duke i zhdukur, mirëpo me zhdukjen e tyre, ato emra të huazuar nga turqishtje, vinë duke u zavendësuar me emra jo shqiptarë, por me emra poashtu të huazuar, me ato boshnjakë, apo sllavë të muslimanizuar, kurse në Ana e Poshtme (Krajë) është e kundërt, emërtimet e njerëzve me emra të huazuar nga turqishtja, gjithnjë e më tepër vinë duke u zavendësuar me ato ilir apo me emra të vërtetë shqiptarë.

           Huazimet që përdor kjo trevë, dita ditës vinë duke u zavendësuar me terma të ri në gjuhën shqipe. Duke i krahasuar fjalët që brezat e moshuar i përdornin për nevojat e veta në jetën e përditshme, brezi i ri me përdorimin e fjalëve të gjuhës shqipe, fjalët apo huazimet e gjuhëve të huaja sistematikisht janë duke i zhdukur. Si faktorë kryesorë i zhdukjes së tyre është se gjeneratat e reja shkollimin e vet e kryejnë nëpër shkollat shqipe, duke filluar në atë fillore, të mesme, të larta, fakultete, dhe ato në trevat shqiptare si në Kosovë, Shqipëri etj., kështu që nga të folmet e të parëve tanë (të moshuarve) duke përdorur fjalë turke, arabe etj., kanë mbetur shumë pak fjalë që ato huazojnë gjatë komunikimit, të moshuarit me të rinjtë. Ka mundësi që pas disa kohe apo vitesh, do të vijë deri aty që nuk do të përdoret asnjë huazim turko–osmane apo ndonjë huazim tjetër, në përdorimin e të folmes së Krajës, kështu që e gjithë popullsia e kësaj treve do të perdorë të folmen e pastër të gjuhës shqipe, të folmen e dialektit të veriut–gegërishten. Do të vijë deri te mos përdorimi i fjalëve të huaja ashtu siç ka ardhur edhe deri te mospërdorimi i emrave turke në familjet krajane, që në kohë të shkuara kanë qenë në masë të madhe, dhe duke u zavendësuar me emra Ilir, pra me emra të vërtetë shqiptarë.

C:\Users\Hamid\Documents\download.png

Filed Under: LETERSI Tagged With: Hamid Alaj

Për çdo vit Shqipërisë i zbrazet një qytet

October 4, 2022 by s p

Migena Andoni/

Shqipëria po shpopullohet çdo ditë e më shumë. Instat jep të dhëna alarmante për largim masiv të shqiptarëve nga vendi. Sipas të dhëneva zyrtare të Instat, struktura e popullsisë po pëson ndryshime thelbësore. Në 1 janar 2022 raportohet se Shqipëria banohet nga 2. 793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1.3% krahasuar me 1 Janarin e vitit 2021. Shqetësues është fakti se  janë të rinjtë ata që po braktisin masivisht Shqipërinë. Në vigjilie të vitit të ri akademik përllogariten 2 mijë studentë më pak krahasur me një vit më parë. Pamundësia financiare për të ndjekur arsimin e  lartë në vend, kushtëzon të rinjtë të bëjnë të gjitha përpjekjet për t‘u arsimuar në vende të ndryshme te botës, me shpresën se pas studimeve, ata do të lidhin një kontratë pune në vendet ku u arsimuan, me synimin për të mos u kthyer më kurrë në Shqipëri. Sipas Instat emigracioni i të rinjve 20-24  vjeç dhe ulja  e lindjeve shënon rënien më të fortë të popullsisë. Ky është viti i pestë, sipas të dhënave zyrtare që vendit i ikin 41 mijë banorë, ose e thënë ndryshe 1 qytet çdo vit. Eshtë e trishtueshme të shohësh se si auditoret e univesiteteve boshatisen.Çdo ditë takon miq, profesionistë të fushave të ndryshme që artikulojnë vetëm një shqetësim:

 Si të largohen nga Shqipëria? Në pamundësi për të siguruar kontrata pune dhe për t‘u larguar në mënyrë te ligjshme nga vendi, disa kanë zgjedhur të çajnë detet me gomone, ashtu sikundër vepronin para 32 vitesh, kur  sapo vendi kishte rrëzuar diktaturën komuniste dhe kur  Shqiperia hyri në statistikat ndërkombëtare si vendi më i varfër në botë pas Ugandës. Ky fenomen tragjik është bërë problem serioz për kancelaritë ndërkombëtare, ndërsa shtypi i huaj çdo ditë referon fakte të emigracionit të shqiptarëve shoqëruar me shqetësimin se ky alarm vjen nga një vend si Shqipëria, anëtare e Natos dhe kandidate për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Eshtë tragjike pohimi i shumicës së shqiptarëve se vendi i tyre nuk i ofron asnjë mundësi për të garantuar minimumin jetik. Mungesa e punësimit, pagat dhe pensionet e ulëta, mungesa e investimeve të huaja si pasojë e pasigurisë juridike dhe klimës armiqësore ndaj biznesit, shëndetësia dhe arsimi pa sistem, është tabloja e realitetit që nxit shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, të largohen me çdo kusht dhe mjet. Ndërsa  varferia është ulur në çdo familje Kryeministri Rama tha se Qeveria  do të blejë dy satelitë me vlerën e 6 milionë dollarëve, për të mbikëqyrur sikundër tha ndërtimet pa leje. Eshtë qesharake të besosh këtë justifikim, kur ndërtimet pa leje janë ngritur në 9 vite në sytë e qeveritarëve tanë, ku “betoni“ është parë si alternativë e larjes së parave të drogës dhe krimit. Trishtim për fatin tragjik te shqiptarëve, të cilët kanë vetëm një mundësi për t‘u ushqyer, “EMIGRIMIN”. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Migena Andoni

VEPRIMTARI E BUKUR FESTIVE NË QYTETIN QUINCY AFËR BOSTONIT

October 4, 2022 by s p

Nga Fuat Memelli

Organizohet festival i parë  ku mernin pjesë  disa qindra shqiptarë si dhe miq të tyre.                                                                     

 Pas dy vite e ca mbyllje për arsye të kovidit, kjo ngjarje ishte shumë e mirëpritur nga shqiptarët. Ata prisnin si të thuash një “sinjal” për të dalë nga kjo qetësi, për t’u mbledhur e festuar së bashku. Dhe ja, “sinjalin” e dhanë organizatorët e kësaj veprimtarie të bukur që ishin Katedralja e Shën Gjergjit në Boston, “Alba restorant” me pronar Leonard Keka si dhe Shoqata “Mass. Besa”. Ishte një program miks ku kishte ushqime të përgatitura nga restorant “Alba”, muzikë, valle, këngë, fotografi nga mjeshtri i kësaj fushe, Bujar Veseli, lodra zbavitëse për fëmijë, etj. Flamujt e simbolet e tjera shqiptare, e zbukuronin këtë festë. Në podiumin e ngritur me këtë rast, dy violinistet shqiptare Rina Sojli dhe Rozita Fishta, performuan me mjeshtëri duke u ”shpërblyer” me duartrokitjet e të pranishmëve. Nga qyteti i Usterit kishte ardhur grupi i fëmijëve “ Vallet tona” i krijuar para 16 vjetësh, që drejtohet nga koreografi i pasionuar, Dhimitraq Demiri. Vallet e bukura të fëmijëve tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve, të cilët disa herë iu bashkuan grupit të tyre. Nxënësit e Shkollës Shqipe në Boston emocionuan të pranishmit me poezinë e bukur të Fan Nolit “Jepni për nënën”. Pas çdo strofe që recitonte drejtuesi i grupit, Robert Ngjele, fëmijët vazhdonin në kor:” Mbaju nëno mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë”. Kjo poezi është shkruar nga Noli në vitin 1917 për t’i dhënë kurajo Shqipërisë dhe popullit shqiptar në ato ditë të vështira kur rezikohej ekzistenca e tyre. Poezia mbetet aktuale, pasi është si një apel edhe për emigrantët e sotëm  për të ndihmuar Shqipërinë dhe popullin  shqiptar, pasi kanë nevojë edhe për ndihmën e tyre.

Një moment i veçantë i kësaj veprimtarie ishte vlerësimi për kancelarin e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, At Artur Liolinin. Para disa muajsh ai ka dalë në pension, por gjurmët që ka lënë te kjo kishë ky pasues i Nolit, janë të pashlyera. Si gazetar më ka rënë rasti të ndjek mesha dhe veprimtari të ndryshme të zhvilluara në Katedralen e Shën Gjergjit të drejtuara nga At Arturi, ku kanë marë pjesë shqiptarë të besimeve të ndryshme fetare si dhe nga qytete të ndryshëm të Amerikës. Për to mund të shkruash gjatë, por le tja lemë fjalën atyre që  folën në këtë veprimtari. Për kontributin e tij foli në fillim Gazmend Aga, imam i  xhamisë në Waterbury, shprehje kjo jo vetëm e miqësisë së tyre, por edhe e harmonisë fetare. “At Artur Liolini është bërë model frymëzimi edhe për ne klerikët e tjerë” theksoi folësi ndër të tjera. Në emër të Katedrales së Shën Gjergjit, përshëndeti At Jani Trebicka. Ai theksoi se “puna e palodhur e At Artur Liolinit në shërbim të perëndisë, është një shëmbull jo vetëm për ne klerikët por edhe për  komunitetin shqiptar. Në gjithë veprimtarinë e tij ka spikatur  dashuria e respekti për njerëzit e të gjitha besimeve. Dyert e kësaj kishe kanë qënë të hapura për gjithë shqiptarët. Në fillimet e demokracisë, në vitin 1991, ai ishte ndër të parët që shkoi në Shqipëri dhe bëri disa mesha e pagëzime. Përkushtimi i tij për kishën dhe besimtarët shqiptarë të Bostonit për një periudhë 50 vjeçare, do të kujtohet gjithmonë”. Një përmbledhje të jetës dhe kontributit 50 vjeçar të At Artur Liolinit, bëri edhe e reja, Polikseni Manxhari. Për kontributin e tij të shquar, At Arturi u nderua me çmimin “Fan Noli” nga Kisha Orthodokse  Shqiptare e Amerikës. Shumë pjesëmarrës e uruan At Arturin pas mbarimit të ceremonisë dhe bënë fotografi me të.

Atmosferën festive e “ndezi” pastaj këngëtarja e njohur kosovare, Arbërije Hadërgjonaj, duke kënduar jo vetëm këngë kosovare, por edhe të krahinave të tjera të Shqipërisë. Një paradë e vogël e një grupi fëmijësh me veshje tradicionale, ishte pjesë e kësaj veprimtarije festive, ose “festivali” siç quhet nga amerikanët, por që ky term po përdoret edhe nga shqiptarët.(Zakonisht në gjuhën shqipe “festival” quhet një program (konkurim) me këngë. Për dy fëmijët që u vlerësuan për kostumin më të bukur shqiptar, pronari i restorant “Alba” Leonard Keka, dha nga 250 dollarë .

Kështu u mbyll kjo veprimtari e bukur e zhvilluar për herë të parë në zonën e Bostonit. (Theksoj se veprimtari të tilla në shtetin e Massachuttses janë organizuar nga shqiptarët në qytetin Worcester.) E ftohta dhe era, nuk i pengoi shqiptarët për të marë pjesë, megjithatë ata sugjeruan që veprimtari si kjo që zhvillohen jashtë, të organizohen në një muaj tjetër, jo në tetor kur nis e ftohta. Shkrimtari Sami Milloshi duke parë shqiptarët e shumtë që kishin ardhur në këtë veprimtari, theksoi se për të mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmit, në Boston dhe qytetet e tjerë të shtetit të Massachuttses, ka mundësi të organizohen më shumë veprimtari me karakter artistik e kulturor.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fuat Memelli

MREKULLIA E ALBANALOGJISË ME EMRIN ROBERT ELSIE

October 4, 2022 by s p

– Një katedër e paemëruar –

Nga Visar Zhiti

Përsëri për atë: u bënë 5 vjet nga dita e shuarjes dhe ai shkëlqen ende më shumë me Veprën e madhe të tij.

Kanadez që jetoi më së shumti në Europë, në Gjermani dhe që prehet përjetësisht në Alpet e Shqipërisë. Aq shumë e deshi vendin tonë,

aq shumë bëri për kulturën Shqiptare, sa

mund të quhet “Mrekullia e Albanologjisë Robert Elsie”. Njohës i thellë i shqipes dhe i dhjetra gjuhëve të botës, përkthyes i zellshëm, studiues befasues, historian skrupuloz, kritik arti, antologjist udhëtar, fotograf, mik i sinqertë, një antropolog mahnitës, katedër e paemëruar, akademi e pashpallur, enciklopedi e vërtetë e Shqipërisë. Botoi libra të shpeshtë për Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë, me guxim si askush tjerër, për gjuhen shqipe e dialektet e të folmet e saj duke bërë regjistrime kudo, ku ka shqiptarë, te arbneshët në Dalmaci e arvanitasit në Greqi, arnautët në Turqi dhe te arbëreshët fenomenalë në Italinë e Jugut, botoi histori tē letersisë shqipe, mbarë kombëtare, në anglisht duke futur dhe letërsinë që vinte nga burgjet, krijoi antologji të prozës shqipe dhe të poezisë, përktheu Kanunin, folklor, rilindas dhe bashkëkohorë, iu kthye alfabeteve të gjuhës shqipe, zbuloi nja 10 para atij të sotmit, nxorri libra për fiset e mëdha shqiptare, mbi religjionet dhe bektashizmin shqiptar, përktheu prapë poetë, tani të veçantë nga Kosova si Ali Podrimjen dhe Azem Shkrelin, etj, Migjenin (në gjermanisht), etj, etj, dhe autorin e këtyre radhëve dhe shkoi deri te vepra “Lahuta e Malcis” e Fishtës, “Homerit shqiptar”, duke plotësuar, sipas tij, eposin europian me atë që mungonte, në gjuhën angleze. Iu perkushtua dhe pelegrinazhit, vinte në stinë të ndryshme në Shqipëri, po kështu dhe fotografisë se vjetër, zbuloi imazhe që bëjnë histori nga fotografë të huaj, ua fali origjinalet instucioneve shqiptarë, botoi albume kësisoj, etj, etj. Puna e tij është e gjerë dhe madhore, prej shkencëtari dhe të dashuruari me Shqipërinë. Dhe shqiptaret e deshën, e nderuan, i dhanë tituj dhe medalje, por dhe e harronin, u dukej i zakonshëm, por ai mbeti i pandryshuar, albanalogu më i madh i huaj, që e mori pasaportën shqiptare dhe dha më shumë se pararendësit…

Iku parakohe, por la një vepër të gjithëkohëshme. Sipas porosisë së tij, prehet në malet e Veriut tonë, pranë një kishe në Theth. “Bir shpirtëror i Shqipërisë” – shkruajta. Në lartësi të tillë

e çuan arritjet e pazakonta…

Një shteg atje, një rrugë në kryeqytet, një institucion kulture duhet të marrë emrin e tij. Pse jo dhe një mal…

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2035
  • 2036
  • 2037
  • 2038
  • 2039
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT