• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Konispoli i mbathur me heshtje dhe i veshur me histori baladash

August 29, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Nëpër ujëra dhe nëpër plantacione me agrume duhet të shkosh që të mbërish në Konispol. Është qyteza më e skajshme jugore e Republikës, e njohur ndryshe si ” kryeqyteti” i Çamërisë sonë.

I skajuar gjeografikisht, por i përveçueshëm për nga brendia e jetës së vet njerëzore.

Si vizitor të ftojnë e të përshëndesin me natyrshmërinë dhe afërinë më njerëzore. Qytetarët e rastësishëm që përshëndet, lehtësisht të bëhen guidë për çdo skaj dhe godinë të lagjeve që zgjaten përbri një rruge që mund të jetë projektuar si bulevard për të ardhmen.

Ndanë varrezave të dëshmorëve, të cilat janë në qetësinë e pishave që shpesh fërfërijnë prej erërave që vijnë nga jugu apo nga kanali i Korfuzit, janë pesë fëmijë që lozin. Një lojë e pazëshme, por me një heshtje inteligjente, që mbetet në fuqi edhe kur shfaqemi tre të huaj. Gati 50 metra përbri tyre, një vilë e vogël, e rikonstruktuar por e mbushur me vetmi, që na tregojnë se pas asaj shtëpie dikur ishte kloni. Matanë të cilit vetëm zogjtë shkonin dhe ndonjë i rrallë që shkelte vdekjen…

Mjafton një fjalë e tillë, të fitosh të plotë dhe dramatikisht në kujtesë, imazhin e një kohe me ndarje dhe tension të pashterur.

Në kthim, nga skaji jug-perëndimor i qytetit, do të kalosh përbri disa shtëpive të vjetra, në rënim, të braktisura dhe të lëna në fatin e krejt shembjes prej të zotëve. Braktisje dhe pritmëni shembjeje, për arsye që janë të shumta.

Qoshet dhe gurët e skalitur me aq fisnikëri mjeshtrish të lënë të mendosh natyrshëm se u përkisnin familjeve të mëdha, Dinot, Takët, etj. etj. Pak më sipër, një fushë që besoj se është stadiumi i vetëm, i qytetit barthatë. Ndanë saj, një kullë shtëpie e vjetër, e vetmja e mbetur si e tillë që siç na thonë, është e të famshmit të valles aq unike, e Osman Takës. Kaq detaj, do të mjaftonte të shndërrohej në një projekt unik kombëtar si Muze i Valles Shqiptare.

Në qendër ka pak njerëz, por ata të paktë janë më të mençur e më të lexuar se shumë prej njerëzve që hyjnë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Qyteza është e rrethuar nga male të zhveshur. Një kurorë zhveshjeje që e bën edhe më të theksuar vetminë gjeografike. Matanë kësaj kurore është e padukshme hapësira e alternativave arratisëse për punë, migrim dhe emigrim të banorëve. Por statistikat e tyre na dëshmojnë se ikjet janë të përkohshme. Shtëpitë e reja numerikisht janë shtuar. Modestia është natyralitet që trishton. Peizazhet rrethuese nuk kënaqin vetëm vizitorët. Çmuesit më të rëndësishëm të tyre janë banorët. Ata prej kohësh banimi, kanë projektuar se si dhe ku mund të përdoren asetet për investim dhe turizëm. Tej, në thellinat nën qytet, shtohen plantacionet e agrumeve që kanë për protagoniste prej vitesh, shembulloren Mursi, por që pasohen me aq pasion edhe nga vetë konispolatët.

Në Konispol të mjafton dhe një orë qëndrim për t’u mbarsur me aromën dhe ndiesinë e të qenit jo vetëm në skajin më fundor të vendit, por në atë hise ku tipologjitë dhe fati dramatik i entitetit Çamëri të bëhet frymë e të shtohet në ajër.

Për të shkuar dhe për t’u kthyer nga Konispoli, më e vlefshme është të bësh rrugët rrethore. Nëse shkon nga Livadhjaja, kthehu nga Butrinti. Mjaftojnë këto dy pika për të dëshmuar se sa në territor të pasur ke hyrë si vizitor. Për të depërtuar në thellitë e mëdha të shpirtit të këtushëm njerëzor, duhet kohë e gjatë dhe bashkëbisedim i shumtë. Aty çdo grimcë ajri dhe çdo peshë fjale vlen sa një baladë e pafundme të cilën e muzikon shpirti dhe viset e heshtura të kësaj ane.

Ky cikël fotografish që po bashkëpërcjell me këtë tekst, i mbart gjithë shprehitë dhe kumtet mundshme të të ndodhurave dhe të historive që mbulohen me heshtje dhe vishen me kohë, por pa u bërë harresë dhe pa u ndërprerë, ndër breznitë njerëzore të këtushme. Konispoli, i mbathur me heshtje dhe i veshur me histori të le si vizitor në asosacionin e një balade vijuese.

Filed Under: Kronike Tagged With: aleksander Cipa

Një nga përkthimet e para të poezisë së Gëtes në shqip

August 29, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi

Një nga shqipërimet e hershme të poezisë së Gëtes në shqip ështe poezia e njohur e tij “Mbreti i Tulës” përkthyer nga Dom Ndre Mjeda. Poezinë “Mbreti i Tulës”, Gëte e shkroi në 1774 dhe Mjeda duhet ta ketë lexuar gjatë studieve të tij në Krakow në Poloni, dikur një metropol i Perandorisë Austro-Hungareze. Nën ndikimin e Herder-it, vendi i zhvillimit të ngjarjeve u ndryshua në mbretërinë mitike të ishullit Thule, e cila mendohej të ishte vendi më verior që detarët greko-latinë njihnin në antikitet.

Goethe e përdori atë më vonë në tragjedinë e tij Faust (pjesa I, rreshtat 2759–82) si hyrje e Gretchen (Margaret).Ajo është vënë në muzikë nga një numër kompozitorësh, veçanërisht Franz Schubert duke u kthyer në një motiv të përbashkët të botës gjermanike. Poezia përshkruan dashurinë e përjetshme, kupën e florinjtë dhe pathosin për jetën. Mjeda solli mjeshtërisht në shqip motivet e poezisë së Gëtes duke u kthyer në një hero faustian për kulturën e vet.

Mbreti i Tulës

Deri n’dekë besnik ke s’thohet

Ishte n’Tule ‘j padisha,

Diq e dashta mbas do kohet

E ‘j got’ arit shej i la.

Sa at gotë arit gja nuk dote

E gjithmonë me tene piu;

Por ka ‘j lot për faqe i shkote

Gjithsaherë pite fatziu.

Kur pau vedin tuj mbarue

Njeh qytetet, e gjithçka

Trashgimtarit ia la shkrue,

Por putirin nuk ia la.

N’deje t’i’parve, n’buzë të dedit

Gjith’, parsinë n’nji gost’ i thrret;

Ulet n’gost e ka rreth vedit

Mbledhun bashkë parsin’ e vet.

E t’ksaj t’kandshmes jetë dëshirin

Piu ma t’mbramin e lumnoi

Pijsi plak, mandej putirin

Ndër valë t’detit e flakroi.

Tuj e zhyt’ e pau n’fund t’zallit

Tuj këcye, nalt tuj hupë me turr;

E n’at’ ças i ranë prej ballit

Fikun syt’ e s’piu ma kurr.

May be an image of 3 people

513

People reached

25

Engagements

-1.2x average

Distribution score

Boost post

66

2 comments

Like

Comment

Share

Filed Under: Fejton

Petro Marko – shkrimtar i “brezit të humbur” dhe i poetikës së ajsbergut

August 29, 2022 by s p

Behar Gjoka*

Në historinë e letërsisë shqipe, harku i bashkëkohësisë, krijimtaria e Petro Markos, endur me laryshi tekstesh, dëshmi e lëvrimit të jo pak zhanreve letrarë, ku spikat në lavrimin e romanit, do të mbetet shenjë unike, për praninë e këtyre elementëve: shkrimtar që përkon me ngjyrat e “Brezit të humbur”, si dhe lëvrues i poetikës së ajsbergut, gjë që shpalohet në disa tekste romanesh. Shumëçka është thënë në lidhje me jetën, me peripeci të P. Markos, madje e ka gdhendur vetë në librin autobiografik Retë dhe gurët, por tashmë e rilexuar, ka vendin e mjeshtrit të fjalës shqipe dhe të lëvruesit të romanit, të tipologjisë moderne, kryesisht. Në lidhje me konceptin “brez i humbur”, në enciklopedinë angleze theksohet: Gjenerata e humbur, një grup shkrimtarësh amerikanë që u bënë të njohur gjatë Luftës së Parë Botërore dhe e forcuan pozicionin e tyre në literaturë në vitin 1920. Po aty, në mënyrë të detajuar, paraqiten përfaqësuesit e këtij grupimi: Ky term përfshin Ernest Heminguej, F. Scott Fitzgerald, John Dos Pasos, E. E. Cummings, Archibald MacLeish, Hart Crane dhe shumë autorë të tjerë që e bënë Parisin qendrën e aktiviteteve të tyre letrare në 1920. (Lost Generation/AMERICAN LITERATURE/WRITTEN BY: The Editors of Encyclopaedia Britannica/See Article History). Duke qenë luftëtar i Spanjës, ose “poezia më e bukur e tij”, siç i tha Migjeni kur po ndaheshin, si dhe nga të paktët që pati letërkëmbim me Ernest Hemingway, mjeshtrin e poetikës së ajsbergut, pjesëmarrës në luftën botërore, në jetën e tij shkrimtari ynë hero i gjallë i asaj lufte, provon burgun fashist dhe komunist.

Në jetën e tij, me shumë travëlime, Petro Marko, mbërriti kulme dhe rënie, e gjithmonë mbeti dashnor i lirisë dhe letërsisë, rebel i pandreqshëm. Natyra dhe fati jetësor, më tepër e krodhi në detin e humbjeve, e brengave dhe derteve, prandaj në një kuptim të ngushtë ngjan me fatin e Hemingway, krahas autorëve të tjerë, që teoria e përcakton si brez i humbur. Shenjat jetësore dhe letrare, përveç të tjerash, e ndërlidhin me ngjyresat e “brezit të humbur”, si dhe me poetikën e ajsbergut. Megjithatë, kjo dëshmi dhe hipotezë, kërkon lexime dhe rilexime, argumenta dhe kundërargumenta, që të fitojë status të qëndrueshëm, ndonëse në shijen e leximit tim, pikëpërkimet janë të rrokshme. Jeta dhe vepra e Petro Marko, simbas optikës së hetuar në hapësirën tekstologjike të romaneve të Markos, shenjëzim i atmosferës së këtij brezi, ndërkaq përçon gjurmë të njëmendta:

Së pari: Jetësore, dëshmuar në burime, si parashtrime autobiografike dhe në burimet dokumentare, në letërkëmbimin e gjerë, por edhe si luftëtar në Spanjë dhe në Luftën e Dytë Botërore.

Së dyti: Si autor i veçantë, që shpërfaqet me dimensionet e veta unike, në letërsinë bashkëkohore, që ka lëvruar të gjithë zhanret, ndonëse ka dëshmuar shkëlqim në ligjërimin e romanit, me tipare moderne. Prania e këtyre gjurmëve, të përveçme në letrat shqipe, nuk e shpëtoi nga zhgënjimi dhe humbja e dyfishtë: Marko humbi në jetë, me gjithë mënyrat se si mundet të shkatërrohet njeriu, humbi në letërsi, sepse u la në skaj të shenjimeve artistike, larg hierarkisë së vlerave të projektuara. Megjithatë, humbjet në letërsi, gjithsesi mbeten të përkohshme, me secilin autor, e sidomos me veprat cilësore, duke mbetur në pritje të lexuesit model. Pikërisht humbjet shoqëruese, janë shkas për ta rimarrë në analizë si dukuri letrare, e cila ngërthen praninë e kundërtive, si shkrimtar ku botëkuptimi dhe shenjat letrare, shpesh gati-gati përjashtohen ndërmjetshëm. Një internacionalist i thekur, që pati një formim të plotë dhe la dëshmi letrare, të një natyre humane, sepse besonte në liri dhe barazi, përtej natyrës së “komunizmit” të egër shqiptar, që e ndëshkoi në jetë dhe letërsi. Po kaq, është shkrimtar europian, në konturimin shkrimor, po aq sa shqiptar, prej një rrethane rastësore, sepse qysh në rini, pa dhe njohu Greqinë, Italinë, Francën, Spanjën etj., i preku nga afër qysh në rininë e hershme, dhe prandaj atmosfera shkrimore, e projektuar në pjesën dërrmuese të romaneve, përçon universalitetin që bartin tekstet e letërsisë së përbotshme, kryesisht të tonalitetit të poetikës së ajsbetgut, si dhe të pranisë së gjerë të humanitetit, pa limite dhe pa mure.

Petro Marko, vepra e shumëfishtë letrare, për shkak të kulmeve dhe ndalimeve, përkon në nivel të barabitur, një autor shqiptar, që u end në ferrin dhe parajsën, dhe një model shkrimtari tipikisht i “brezit të humbur”, pra më së shumti një shkrimtar europian, gjë që do të kërkonte hulumtime me të thelluara, përqasje të ndërmjetme, duke e parë dhe duke u thelluar në shinat e letërsisë së krahasuar. Përkitazi, me jetën dhe në veprën letrare, që lidhet me rileximin e veprave të P. Markos, por edhe të E. Heminguejt, në këtë periudhë, edhe me “brezin e humbur”, me të cilin shëmbëllen më së shumti. Nga ana tjetër, prania e poetikës së ajsbergut në veprën e shkrimtarit, si element thadrues estetik, është thembra e Akilit e shenjave letrare, veçmas të prozës romanore, njëherit është nyja gordiane e fillesave dhe formësimit të modernitetit në romanin shqiptar. Përqasja e ndërmjetme, e teksteve dhe sendëtimit estetik, me shkrimtarët që e lëvruan tipologjinë shkrimore të ngjyrave të brezit të humbur, në letërsinë botërore, me domosdo duhet hedhur dritë teorikisht dhe në praktikën e shkrimit, se çfarë përfaqëson vetë poetika e ajsbergut.

Kjo vatër komplekse, e praktikës shkrimore dhe e dijes teorike, do të kërkonte shqyrtime të përimtësuar në dy planet, në praktikën shkrimore të autorëve të huaj dhe të shkrimtarit tonë. Prandaj, për të prekur këtë tipologji të veçantë të shkrimit letrar në shekullin e njëzet, po sjellim pranë lexuesit idenë e Hemingway, ku madje përmblidhet teoria e ajsbergut: Dinjiteti i vërtetë i lëvizjes së një ajsbergu qëndron tek fakti që ai nxjerr në pah vetëm 1/8 e tij mbi ujë., si një akt domethënës vetëshpjegues, sa i përket poetikës së ajsbergut. Nga ana tjetër, kritiku Jackson Benson, shprehet: Teoria e tij e ajsbergut, në kombinim me qartësinë e të shkruarit, e bënte Hemingway të distanconte veten nga karakteret që ai krijonte. Atëhermë, në këtë pike ku mbërriti ligjërata mbi tiparet e poetikës së ajsbergut, natyrshëm vjen radha e krahasimit të romaneve të Markos, të materies tekstologjike, me poetikën e ajsbergut. Lidhja me poetikën e ajsbergut, e cila përkon me shkrimin letrar të brezit të humbur, në fillim shfaqet si hije modelimi me veprën e E. Hemingway, çka vjen e plotë në faqet e romanit Hasta la Vista, ku madje pikëpërkimet me romanin “Lamtumirë armë”, janë më të dukshme:

– Formale, gati një situatë e njëjtë, që përcillet me përmbysje kuptimore, “Lamtumirë armë” të Hemingway, me romanin Hasta la Vista të Markos, ku bie në sy fakti që të dy tekstet lidhen me atmosferën e luftës.

– Paraqitja e rrethanave të luftës, me të gjithë treguesit e vetë, me zymtësinë dhe tonet e shtuara të dëshpërimit, që e përvijojnë jo pak ngjashmërinë, në mes dy teksteve, pavarësisht ndryshimeve të dukshme.

– Me praninë e humanitetit tronditës, i cili kontraston me terrin e luftës, që me skenat e dashurisë, me shpërfaqjen e përmasave ekzistenciale të qenies njerëzore, sadopak e ka zbehur dhe mërguar tmerrin e luftës.

– Dy protagonistët e romaneve të Hemingway dhe Markos, simbas hapësirës së teksteve, në kontestin e jetës në zgrip ekzistencial, bien në dashuri me infermieret, heroinat e frontin të luftës.

Tekstet e P. Markos, me temën e luftës, si përballëvënie e tmerrit të luftës me dashurinë e madhe, si në tekstin e romanit Qyteti i fundit”, ku lidhja erotike me prostitutën, menjëherë të ndërmend situatën e romanit “Harku i Triumfit”, të Erich Maria Remarque, anipse në mes tyre ka edhe shenja dhe nuanca të ndryshme. Romani Një emër në katër rrugë, kthyer në karton pas botimit, botuar në vitin 2001, si tekst i plotë, sendërton një qasje të shkrimit të epopesë për kohën e luftës, pa e humbur marrëdhënien me poetikën e ajsbergut, ka mundësuar shqiptimin estetik, të fatit të qenies në atmosferën e luftës. Romani Nata e Ustikës (botuar i cunguar para viteve ’90 të shekullit të kaluar), për ritmikën e rrëfimit, frazën që bart shenjat e poezisë, prozës dhe dramatikës, paraqet një tekst të njëmendtë të prozës shqipe, ku poetika e ajsbergut shpalohet në kuptimet dhe përmasat, formësimin dhe strukturimin e vet, edhe pse mjedisi ku janë vendosur ngjarjet, është burgu fashist, e jo fusha e betejës.

Poetika e ajsbergut, ku duket vetëm 1/8 pjesë e realitetit, dhe pjesa tjetër është lënë në një terr të ndritshëm artistikisht, gjen hapësirë në disa nga romanet e tij, ku pikërpërkimet me romanin “Lamtumirë armë”, të Hemingway, ndeshesh me pikëtakime të befta me romanin Hasta la vista. Po ashtu të tekstit të romanit “Qyteti i fundit”, ku gjellijnë nuanca ligjërimore të përafërta me romanin “Harku i triumfit”, të Remarque, përbëjnë disa piketa të rrokshme të shqyrtimeve krahasimtare në mes teksteve të këtyre shkrimtarëve. Trashëgimia e gjerë shkrimore, ku spikatet shkrimtari që lëvron gjithë zhanret dhe publicistikën, aty ku poeti dhe prozatori, takohen dhe ndahen, dukshëm të jep dorë për ta veçuar si lëvrues të romanit, si njërën nga penat e përveçme të letrave shqipe. Rileximi i teksteve, Hasta la vista, Qyteti i fundit, Një emër në katër rrugë, Nata e Ustikës, në mënyrë të veçantë, pa harruar lavrimin e poezisë në vitet ’30 të shekullit të kaluar, që për nivelin e shkrimit të saj vinte pas poezive të Migjenit, shënjojnë fondin e vlerave letrare të realizuara prej Petro Markos. Letërsia shqipe, në bashkëkohësi, hyri në binarët e pjekurisë letrare, gjë që theksohet si ndryshim nga zhanret e mëparshme, nga Gjergj Lukash: …ndërsa epopeja është zhdukur dhe është dashur të tretet në një formë plotësisht të re, në roman. (1983: 36), në librin “Teoria e romanit”.

Prania e humanitetit, si ndjesi e rrokshme në secilin prej teksteve, që i kapërcen muret ideologjikë, e përveçon prozën e Markos nga letërsia bashkëkohore, e cila më tepër e rrëshqiti në përllomjen e realizmit socialist, sepse vizioni i autorit, ka në qendër njeriun, si një univers që kërkon lirinë dhe nuk resht së luftuari për ta mbrojtur lirinë. Nga ana tjetër, format e shtjellimit subjektor, strukturimi kompozicional, narrativa dinamike, e cila bashkëshoqërohet nga replikat e ndezura të personazheve, si dhe përkujdesja ndaj leksikut, rrafshet e pranishme ligjërimore, e mbi të gjitha prania e shnjave të mishërimit të poetikës së ajsbergut, në hapësirën e teksteve romanore, e vendosin prozëshkrimin e Petro Markos, në binarët e lëvrimit modern, ndonëse në disa romane, për rrethanat e krijuara ka shkruar edhe tekste, që përkojnë me tonet e realizmit socialist, ku do të përmendja Ultimatumi, Ara në mal, e ndonjë tjetër.

Nëse romani “Pse” i Sterjo Spasses, botuar në vitin 1936, hodhi themelet e romanit modern në letrat shqipe, tekstet e romaneve të Petro Markos, e formësuan këtë rrjedhë të ligjërimit të prozës, duke krijuar kështu përvojën dhe modelin e lëvrimit modern të romanit në letrat shqipe, që shpërfaqet e plotë, tanimë si konsolidimi i zhanrit, në disa nga romanet e Ismail Kadaresë e ndonjë tjetri. Nëse romani, gjithnjë simbas teorive letrare, është tregues i pjekurisë së një letërsie, romanet e Petro Markos, janë zbulesa e ritmit dinamik të letërsisë shqipe, që vijon ta ketë romanin si kryezhanër të lavrimit letrar. Gjurmët e shenjave të “brezit të humbur”, dhe nuancave të poetikës së ajsbergut, zgjojnë interes të posaçëm për ta thelluar hulumtimin e në aksin e afrive të Petro Markos, me përfaqësuesit e “brezit të humbur”, edhe si një hipotezë, e cila kërkon thellimin e përqasjes së ndërmjetshme, të disa romaneve të Marko-s, me tekstet përfaqësuese të atij brezi.

Megjithatë, leximi nëpërmjet estetikave të çfardoshme qofshin, nuk ia arrin me rrok “gjendjen letrare”, një term i Italo Calvinos, kaq të gjerë dhe plot larmi, në hapësirat tekstologjike, sepse vepra letrare e Petro Markos, ka endur dhe sugjeron një poetikë autoriale, që i shpërfill kodet e ngurta estetike. Madje, krijimtaria letrare e Petro Markos, sidomos romanet Hasta la vista, Qyteti i fundit, Një emër në katër rrugë, Nata e Ustikës, shpesh më faniten si “barka e Noes”, si një metaforë shpëtimtare për letrat shqipe, që bart tharmin e poezisë, dramës dhe publicistikës, e sidomos të prozëshkrimit, që spikatet në disa romane, la gjurmë të thella, për ta shmangur letërsinë bashkëkohore nga shërbesa përfundimtare ndaj realizmit socialist.

*Shkëputur nga libri në proces “Një rilexim i Petro Markos”

Filed Under: ESSE Tagged With: Behar Gjoka

Nje perceptim mbi gjeoekonomine e Rajonit

August 29, 2022 by s p

Besmira MANAJ,

PhD Candidate/

Rajoni nje symbol I dinamikave te pabalancuara qe identofikohet me tranzicionin e pafund dhe kompleks gjendet serish ne nje pike kritike ku qeverisja dhe sistemi I nje ekonomie ne dukje konvencionale nuk perfqesojne nje strukturim te qarte ne terma te qendrueshmerise.

Paqartesia e balancave gjenerohet ne disa aspekte jetike te si:

 Menaxhimi problematik i resurseve dhe i paridimensiuonuar ne aksione ekonomike ne kuadrin e promivimit te interesit kombetar

 Qasja e nje strukture oligarkie ku kapitalizmi selektiv qe ka deformuar dhe sjelljen politike

 Politika te paracionalizuara ne raport me diplomacine e investimeve dhe sovranitetit ekonomik

Gjeometria e struktures ekonomike si pjese integrale e aksioneve dhe formulimit gjeopolitik gjeneron nje hapesire te madhe debati mes ekpertizash te ndryshem akademike, diplomatije, ekonomistesh, investitores ne nivel nderkombetar dhe njohes te konsoliduar te konjekturave financiare dhe makroekonomike te cilat shpesh here jane ne themel te aksioneve diplomatike.

Ne nje rajon ku konflikti eshte persisten dhe i trasheguar eshte krijuar terreni solid qe fuqizon aleanca antikombetare ,dhe nese i referohemi kercenimeve te fundit konkretisht me forcimin e influences ruso-serbe.

Rajoni , vecanerisht Shqiperia nuk ka qene kurre proteksioniste nga interesa diplomatike qe nuk kane prioritet Shqiperine, perkundrazi e kane frymezuar influencen ruse nepermjet mekanizmave ‘’Open Balkan ‘’ etc duke konturuar disa tipare te pashendetshme per integrimin europian sic :

 priotitete te udhehequra nga fryma konliktuale , mosmarrveshjet historike qe cenojne stabilitetin rajonal

 Presionet e përbashkëta të sigurisë që lidhen me kuadrin e dobët institucional dhe ato qe kane te bejne me kercenimet rajonale

Aktualisht arkitektura oligarkise e dizenjuar nga politika ofron nje kapitalizem selektiv qe deformon tregun e lire. Strategjia e menaxhimit te resurseve, si nje segment i sistemit ekonomik dhe sovranitetit ekonomik, eshte nje fragment vendimtar i formulave diplomatike me fokus ekonomine.

Kjo eshte nje nga sferat me delikate ku dinamika e trajektores ka diktuar instalimin e krizave . Ketu lindin pyetje dhe dyshime pergjigjet e te cilave relatizivizojne ceshtje me rendesi kombetare si :

 Cilat instrumenta mund te perfore Shqiperia per te focuar ne funskion te zhvillimit sovranìtetin ekonomik te vendit dhe per ta bere ate te besueshme si potencial i fuqishem , jo thjesht si vendet qe identifikohen me konfliktin dhe tranzicionin

 A eshte kercenin mserioz per Rajonin dh EU paaftesia per te rritur vigjilencen dhe racionalizuar nje partneritet nepermjet nje hierarki te vendeve qe kane interes ne resurset tona , me qasje gjithmone orientimin perendimor dhe duke u bazuar te dinjiteti kombetar dhe etika diplomatike

 A po i krijon hapesiar ballkanike terrenin influences serbo ruse nga politikanet e paditur apo te kompromentuar ne misionet dhe objektivat e tyre duke degraduar keshtu moralin komebetar

 Pse resurset ekonomike jane ktheyr ne nje deshmi alarmante qe stigmatizon nje rajon me nje emigracion hemoragjik.

 A jane shoqerite tona te afta ti pergjigjen deformimit demografik dhe inkoherences territoriale.

Keto vende akoma nuk premtojne qe kane fuqine te marrin ne dore strukturimin politiko-ekonomik si prioritet dhe prezenca e isntirucioneve te huaja te sherbeje partneritet eficent.

Prespektivat jane te ndryshme dhe arsyetimet e shume aktoreve akademike dhe politke bazohen ne koincidenca fatkeqe te historise por ne menyre eksplicite duhet theksuar qe vendet tona kane vuajtur nga paaftesia pe te koordinuar strategjite e tyre dhe per tu udhehequr nga nje vizion i perbashket konstruktiv qe ngre nivelin e emancipimit politik ne nje standart te domosdoshem dhe jetik.

Te gjitha keto kane lejuar qe tranzicioni te kthehet ne SISTEM QEVERISJE dhe diploamacia ekonomike ti sherbeje interesave kembengulese antishqiptare.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: besa manaj

Dje At Zef Pllumi pat njëren prej ditëlindjeve të tij

August 29, 2022 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Atë të pagëzimit si Prekë Gjekmarkaj, 28 Gusht 1924. Ai ka dhe dy të tjera, një të pazakonte ideologjike, që i shenuan në deshminë e arrestimit të parë 14 dhjetor 1946 pa pritur pergjigjen e tij se kur pat lindur, 7 Prill , ja vunë meqenëse ishte dita e pushtimit fashist dhe ai si xhakon françeskan duhej me patjeter të ishte kemishezi ideologjikisht për sundimtaret e rinj !!

Një tjeter e ka në një nga muajt e vitit 1958 ku shugurohet meshtar me emrin e ri Zef Pllumi si dedikim ndaj jetes së re klerikale (si më parë Zef Ndoka në At Gjergj Fishta, në respekt të tradites para konçilit të dytë që filloi në vitin 1962 për ti permbyllur punimet në 1965)!

La gjurmë unike për shkrimim dhe etiken e tij per epersinë morale që dekadat i vunë mbi supe.

Ismail Kadare kur një shekull po permbyllej e kah fundi i tij shfaqej ” Rrno vetem per me tregue” pat thënë se “gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër,komunistët.

Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”!

“Frati i lirisë kunder tiranisë” apo “Frati i kujtimeve” e pat perkufizuar Aurel Plasari profesori që ju bashkangjit menjeherë në vitin 1990 për të riformatuar sistemin kulturor, “Misionari i rebeluar” e thirri miku e akademiku Sabri Hamiti e shumë e shumë analiza e percaktime nga personalitete boterore e të vendit, per të dhe vepren e tij e të gjitha keto sipas profesor Mark Markut e kanë një shpjegim “Ndoshta një nga arsyet pse At Zef Pllumi ishte aq mbresëlënës për ata që e takonin kishte të bënte pikërisht me faktin se ai ishte mishërim i gjallë i etërve të mëdhenj të Kishës shqiptare. Jo vetëm pse i kishte njohur të gjithë me radhë, që nga Fishta e deri te Harapi, jo vetëm pse kishte qenë nxënës i tyre, jo vetëm pse ishte i mbushur plot me kujtime nga afria me ta.

Kishe përshtypjen se Padër Zefi ishte një shumatore e cilësive më të spikatura të tyre. Ishte një ekstrat i çuditshëm i një shqiptari ku ngërtheheshin tradicionalja me modernen, inteligjenca natyrore me kulturën, aftësia abstraguese me shprehitë praktike, vizionarja me pragmatikën, vokacioni fetar me shpirtin qytetar, karakteri kryengritës etj. Kjo e bënte atë njëfarë guruje të çuditshëm të të gjithëve”!!!

Ndryshe nga gjuha e kohes në liri ! Ai nuk u viktimizua kurrë, nuk u ankua per vuajtjet e veta,nuk kerkoi revansh por ndryshimin e trurit, të mentalitetit, kerkoi dekomunistizim të shoqerisë, shkolla europiane per të rinjtë tek të cilet shihte shpresen e vetme për ndryshim kur pushteti në demokraci po merrte formë tribale dhe korrupsioni pozicionohej si shtyllë korrizore e tij.

I vetëdijshem për historinë, rrolin, misionin si intelektual shqiptar, si frat katolik, si shkrimtar, si ish i burgosur politik nuk u bë asnjeherë garniturë e politikes por në menyrë antropologjike , shkroi per shqiptaret dhe veten, për atë që pa e nuk duhej të ndodhte, për atë që mesoi e duhej ta percilltë , për atë që perjetoi e e perballoi, ashtu siç ai e rrefente “dhe unë gjatë gjithë kësaj jete, edhe në sistemin komunist jam përpjekur t’u tregoj që ata nuk ja kanë arritur qëllimit, nuk e kanë zhdukur njeriun tek unë. Këtë ia tregoj vetes. Ka qenë një provë shumë e rëndë, ju s’mund ta kuptoni se jeni të rinj, por njeriu në kushte të jashtëzakonshme, mund të humbte aftësinë e të qenurit njeri” !

Në dukje i thjeshtë një pohim kesodore por universial, gordian në çdo ditë të jetes së një individi, së një shoqerie së një kombi në perpjekje për të mos bjerrur humanizmin atë që bën dallimin mes lirisë dhe barbarisë, së drejtes dhe dhunës, së bukures dhe banales , së vertetes dhe propagandes! Ky është thelbi i veprës së At Zefit që në çdo ditëlindje të tijen na vjen për të na kujtuar se nëse duam mund të jemi të eperm mbi rrethanat, shqiptarë modern që i dinë rrënjet , shqiptarë europianë që duan njëri tjetrin në diversitet” ! “

Rrno vetem per me tregue” është libri themelor i shekullit të shqiptarve, Pllumi demiurgu i tij asketik.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agron Gjekmarkaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2089
  • 2090
  • 2091
  • 2092
  • 2093
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT