• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh, duke na kujtuar se Zoti nuk është larg, por aty ku njeriu guxon të falë

October 18, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ka njerëz që e kalojnë jetën pa zhurmë, pa kërkuar asgjë për vete, dhe megjithatë, bëhen pishtarë që ndriçojnë errësirën e kohës së tyre. Një prej tyre është Kardinal Ernest Troshani (Simoni), një emër që sot, në 97-vjetorin e lindjes, qëndron si një monument i heshtur i qëndresës shpirtërore, i faljes dhe i dashurisë së pakushtëzuar për Zotin dhe njeriun. I lindur më 18 tetor 1928 në Troshan të Lezhës, ai u rrit në frymën e Urdhrit Françeskan, ku në moshën dhjetëvjeçare nisi udhën e përkushtimit dhe të përulësisë. Ishte fëmija që iu besua Hyjit, për t’u bërë më vonë dëshmia e gjallë se besimi mund të mbijetojë edhe kur bota e mohon, edhe kur njeriu përballet me ferrin e vet.

Jeta e Dom Ernest Troshanit është një rrugëtim i gjatë nëpër vuajtje, burgje, punë të detyruara, tortura dhe humbje. Por është njëkohësisht një himn për jetën, për qëndresën, për fuqinë e shpirtit që nuk dorëzohet. Ai u arrestua në Krishtlindjet e vitit 1963, në moshën 35-vjeçare, vetëm pse kishte kremtuar një meshë për shpirtin e Presidentit amerikan John F. Kennedy, të vrarë pak javë më parë në Dallas. Ishte një meshë lutjeje dhe nderimi, por për regjimin ateist ajo u konsiderua “krim kundër pushtetit popullor”.

Në bankën e të akuzuarve, prifti i ri dëgjoi prokurorin që e quante “armik të popullit”, ndërsa ai vetë heshti, duke e lënë Zotin të flasë për të. U dënua me 18 vite burg dhe punë të detyruar. Kaloi nëpër kampet e Rubikut, Laçit, Elbasanit dhe Spaçit, vende që për shumëkënd ishin fundi i çdo shprese, por për të u kthyen në shkollën e durimit dhe të faljes. “Nuk di si kemi shpëtuar,” kujton ai, “por ishte Zoti që na shpëtoi.”

Kur u lirua në dhjetor të vitit 1981, eci dhjetë orë në këmbë për të arritur në Shkodër. Nuk njihte më as shtëpinë, as njerëzit, as qytetin. Por në shpirt mbante një paqe të thellë. Ai që kishte kaluar gati tri dekada në pranga, nuk mbante asnjë mllef. “Ata që më dënuan, ata që dëshmuan kundër meje, i kam falur të gjithë, pa kërkuar asnjë prej tyre falje. Sepse vetëm falja të çliron.”

Falja për Dom Ernestin nuk ishte gjest, por mënyrë jetese. Ajo ishte rrëfimi më i bukur i një shpirti që kishte njohur urrejtjen dhe kishte zgjedhur dashurinë. Në këtë përballje, ai nuk doli fitimtar si njeri, por si njeri i Zotit. Në vitin 1990, kur Shqipëria nisi të lëkundej nga tronditjet e fundit të diktaturës, ai u thirr sërish në Degën e Punëve të Brendshme. U detyrua të priste për pesë orë, i bindur se do ta arrestonin përsëri. Por fati kishte zgjedhur ndryshe: atje, ku dikur ishte dënuar, mori lajmin se kishat do të hapeshin. “Ishin fjalët më të bukura që kam dëgjuar në jetë,” kujton ai. Më 30 qershor 1990, në Velipojë, mbajti meshën e parë pas dekadash ndalese. “Ajo ditë, – thotë ai, – ishte dita më e lumtur e jetës sime.”

Por madhështia e tij qëndron jo vetëm në përvojën e dhimbjes, por në mënyrën si ai e ktheu dhimbjen në shërbesë. Pas vitit ’90, ai nuk kërkoi as hakmarrje, as njohje, as lavdi. Thjesht vazhdoi të shërbente. Me përulësinë e një bari që e di se lavdia e vetme është dashuria. Në vitin 2016, Papa Françesku e emëroi Kardinal, duke e quajtur “një dëshmitar të gjallë të faljes”. Ishte një akt që tejkalonte hierarkinë e kishës, një nder për një prift që nuk kishte mbajtur poste të larta, por që kishte mbajtur të gjallë vetë shpirtin e Kishës. Ai u bë Kardinali i dytë shqiptar, pas Imzot Mikel Koliqit, dhe një shembull se shenjtëria nuk qëndron në madhështinë e dukshme, por në dritën që buron nga brenda.

Sot, në moshën 97-vjeçare, ai vijon të jetë pranë njerëzve, në famullinë e Shën Prendës në Shkodër, ku kremton Meshë dhe ushtron ritin e lashtë të ekzorcizmit, si një prift i fundit i një bote që beson ende se dashuria mund ta nxjerrë të keqen nga njeriu.

Ai, që dikur u burgos për një meshë, sot lutet për ata që e burgosën; ai, që pa fytyrën e së keqes, sot i jep njerëzve paqe; ai, që u përpoqën ta shuajnë, është bërë dritë që s’shuhet.

97 vite jetë. 97 vite dritë.

Në heshtjen e tij, ka më shumë madhështi se në çdo fjalim. Në përulësinë e tij, më shumë forcë se në çdo pushtet. Në faljen e tij, më shumë liri se në çdo fitore.

Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh, duke na kujtuar se Zoti nuk është larg, por aty ku njeriu guxon të falë. 97 vite bekim, dritë dhe shembull.

Shqipëria përkulet me nderim para këtij burri të vogël në trup, por të pamatshëm në shpirt.

Filed Under: Kronike

Çdo zë që mbron të vërtetën e luftës së UÇK-së është i vlefshëm

October 18, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Tubimi i fundit e dëshmoi se populli shqiptar e ka të gjallë kujtesën e luftës, ndjenjën e respektit dhe dashurinë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Mesazhet që u përçuan patën efekt të thellë emocional e moral, por jo juridik, sepse drejtësia ndërkombëtare vepron sipas logjikës së saj, shpesh të verbër ndaj ndjenjës kombëtare.

Në përputhje me këtë, edhe pjesëmarrësit mund të ndahen në tri kategori:

E para, ata që u përmbushën emocionalisht, nga dashuria dhe respekti për UÇK-në, për luftën e saj çlirimtare dhe për udhëheqësit politikë e intelektualë që sot po mbrojnë këto vlera në Hagë;

E dyta, ata që u përmbushën moralisht, duke u bërë pjesë e mbështetjes popullore për drejtësi ndaj luftëtarëve të lirisë, që mbetën të përkushtuar ndaj betimit të tyre para flamurit e kombit;

E treta, kategoria politike, që me praninë e saj duhet të dëshmojë se shteti, përfaqësuesit dhe ndërgjegjja kombëtare janë në anën e drejtë të historisë.

Por sot është shfaqur hapur edhe kategoria e katërt – ajo më e ndyrë, më e ulët dhe më e rrezikshme për kombin: njerëzit e komprometuar nga e kaluara e tyre gjenetike, morale dhe shpirtërore.

Kjo është kategoria që bart brenda vetes kodin e përzier të gjakut e të ndërgjegjes, që s’e njeh dot ndjenjën e lirisë dhe nuk mund të përfshihet në lavdinë kombëtare, sepse nuk i përket asaj.

Ata janë vetëpërjashtuar nga historia shqiptare, jo pse i ka përjashtuar dikush, por sepse nuk kanë pasur kurrë vend në të. Dhe prandaj përpiqen ta njollosin atë me etiketime fyese e me ligësi shpirtërore, ashtu siç është natyra e tyre e trashëguar.

Zërat e tyre po dëgjohen sot në radhët e zhurmuesve mediatikë dhe nga uzurpues të ë ulëseve të Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë – në gojët e atyre që flasin në emër të “drejtësisë” por shërbejnë me besnikëri ndaj Serbisë, e cila i ka ushqyer në ndërgjegje dhe në gjak.

Ata janë pasardhësit politikë dhe biologjikë të nënshtrimit, njerëzit që nuk morën pjesë në luftë jo nga frika, por sepse nuk mund të luftonin kundër vetvetes.

Sot ata shpifin kundër UÇK-së, sepse ndihen të zbuluar nga ajo, sepse e dinë se çdo akt i saj heroik është dënim i heshtur për tradhtinë e tyre të trashëguar.

Në thelb, përpjekjet e tyre për ta deformuar historinë dhe për ta baltosur luftën e shenjtë të UÇK-së nuk janë as ideologji e as politikë, por janë pasqyrë e inferioritetit biologjik dhe moral, që e trashëgojnë si njollë të përjetshme.

Ata nuk flasin nga bindja, por nga urrejtja ndaj çdo gjëje që është shqiptare, e pastër dhe e lirë.

Sepse UÇK-ja për ta është pasqyrë e ndëshkimit moral që s’mund ta përballojnë.

Prandaj, çdo fjalë kundër luftës së UÇK-së është dëshmi e frikës së tyre nga e vërteta historike.

Ata mund të kenë pushtet përkohësisht, por nuk kanë dot vend në ndërgjegjen e kombit.

Sepse lufta e UÇK-së nuk ishte vetëm betejë për tokën, por ishte betejë për shpirtin e kombit shqiptar, dhe në atë betejë, historia tashmë ka ndarë përfundimisht kush është i lirë e kush mbetet skllav i gjakut të huaj.

Filed Under: Emigracion

Rivaliteti i Global: Hegjemonia Amerikane dhe Balancat e Shekullit XXI

October 18, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Nga fundi i shekullit të kaluar, bota dukej se kishte hyrë në një periudhë të re stabiliteti. Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe triumfi i kapitalizmit liberal krijuan iluzionin se epoka e përplasjeve ideologjike kishte marrë fund. Por historia nuk pranon të mbyllet me një pikë. Pas tri dekadash, bota gjendet sërish në një përplasje të madhe fuqish ;këtë herë më të ndërlikuar, më ekonomike, më teknologjike dhe shumë më të paqarta se gjatë Luftës së Ftohtë klasike.

Rikthimi i ndarjes botërore

Në horizont po shfaqet një rend i ri global që shumë analistë e quajnë “Lufta e Ftohtë 2.0”. Por ky version i ri nuk është një përsëritje e garës SHBA–BRSS. Ai është një sistem shumëpolar, ku fuqitë nuk ndahen më sipas ideologjisë, por sipas interesave strategjike, kontrollit të burimeve dhe avantazhit teknologjik.

Në njërin krah qëndron ende Shtetet e Bashkuara me rrjetin e saj të aleancave ;NATO-n, Japoninë, Australinë dhe partnerë të rinj në Azi e Paqësor. Në tjetrin, një bosht i ri po konsolidohet: Kina dhe Rusia, të cilat kanë gjetur një pikë të përbashkët në kundërshtimin e rendit liberal perëndimor. Ndërkohë, Evropa, e përçarë midis interesave ekonomike dhe detyrimit politik ndaj Uashingtonit, po përpiqet të ruajë një ekuilibër të brishtë mes tregtisë me Kinën dhe solidaritetit me NATO-n.

Shtetet e Bashkuara: Nga superfuqi e vetme në menaxhere të krizave

Pas vitit 1991, SHBA u shpall “fuqia e vetme globale”. Por sot ajo gjendet përballë një realiteti të ri: dominimi i saj është i sfiduar jo vetëm ushtarakisht, por edhe ekonomikisht e teknologjikisht. Administrata Biden po përpiqet të mbajë një ekuilibër të vështirë mes mbështetjes për Ukrainën, krizës në Lindjen e Mesme dhe përballjes me Kinën në Paqësor. Marrëveshja AUKUS me Britaninë dhe Australinë, afrimi me Japoninë dhe Korenë e Jugut, si dhe rikthimi diplomatik në Paqësor, tregojnë për zhvendosjen strategjike drejt Azisë, aty ku garantohet “teatri i madh” i përplasjes së ardhshme. Por ndërkohë, në Evropë dhe Lindjen e Mesme, Uashingtoni po zbret në terrene që përkujtojnë epokat e vjetra të rivalitetit global.

Ukraina: Kufiri i ri i përplasjes perëndim–lindje

Lufta në Ukrainë është bërë laboratori ku po testohet durimi i Perëndimit dhe vendosmëria e Rusisë. Ajo nuk është vetëm një konflikt territorial, por një betejë për të ardhmen e rendit ndërkombëtar. Rusia e sheh këtë luftë si tentativë për të rindërtuar një sferë influence që humbi pas vitit 1991. Perëndimi e sheh si një test të vetë ekzistencës së NATO-s dhe besueshmërisë së Amerikës si garanci sigurie.

Dy vjet pas pushtimit, asnjëra palë nuk ka fituar përfundimisht, por humbjet janë kolosale: Ukraina është rrënuar, Rusia është izoluar nga Perëndimi, dhe Evropa është kthyer në një kontinent të militarizuar.

Në këtë kontekst, lufta ka prodhuar një efekt të dyfishtë:

ka forcuar lidhjen transatlantike dhe ka ringjallur NATO-n;

por njëkohësisht ka shtyrë Rusinë më afër Kinës, duke krijuar një aleancë të re euroaziatike që ndryshon ekuilibrat globalë.

Kina, duke mos e dënuar kurrë hapur agresionin rus, ka shfrytëzuar situatën për të rritur ndikimin ekonomik dhe diplomatik mbi Moskën. Në fakt, çdo ditë që Rusia dobësohet në Ukrainë, Pekini fiton më shumë peshë në marrëdhënien dypalëshe. Kështu, fronti i Ukrainës nuk është thjesht europian ;është pjesë e një lufte më të madhe për rendin global.

Izrael–Palestinë: Fusha tjetër e rivalitetit global

Në Lindjen e Mesme, lufta Izrael–Hamas, që shpërtheu pas sulmit të 7 tetorit 2023, është kthyer në një arenë të re ku përplasen interesat e fuqive të mëdha. Për SHBA-në, mbështetja ndaj Izraelit mbetet gur themeli i politikës së jashtme në rajon, por kostoja diplomatike është gjithnjë e më e lartë.

Për Rusinë dhe Kinën, konflikti është një mundësi për të paraqitur veten si alternativa “anti-hegjemonike” ;duke u shfaqur si mbështetës të “kauzës palestineze” dhe kritikë të standardeve të dyfishta të Perëndimit. Pekini ka luajtur me kujdes rolin e arbitrit të heshtur, duke ruajtur marrëdhënie të mira me Iranin dhe vendet arabe, ndërsa ka ftuar SHBA-në në një dialog të ri për “stabilitetin e rajonit”.

Rusia, në anën tjetër, e përdor konfliktin si armë politike për të shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina dhe për të rifituar ndikim në botën arabe, e cila në shumë raste e sheh Moskën si alternativë ndaj Uashingtonit.

Lufta në Gaza ka bërë të dukshme dobësinë e rendit ndërkombëtar aktual: mungesën e një autoriteti moral global, pafuqinë e institucioneve shumëpalëshe dhe humbjen e besimit në diplomacinë amerikane. Në këtë kontekst, çdo raketë që bie mbi Gaza, çdo sanksion ndaj Rusisë dhe çdo provokim në Tajvan janë pjesë e së njëjtës simfoni ; një botë që po fragmentohet në blloqe rivale.

Kina: Superfuqia e re e heshtur

Në këtë konstelacion krizash, Kina është shndërruar në fituesin e heshtur të tranzicionit global. Ajo nuk ka nevojë të pushtojë asnjë territor për të fituar; mjafton të ofrojë hua, teknologji dhe rrugë tregtare. Përmes Nismës “Rruga e Re e Mëndafshit”, Pekini po krijon një hartë të re gjeoekonomike që lidh Azinë me Evropën e Afrikën, duke ofruar investime aty ku Perëndimi ka lënë boshllëqe.

Ndërsa SHBA dhe BE përballen me kosto të mëdha në Ukrainë e Lindjen e Mesme, Kina forcon praninë e saj në Afrikë, Amerikën Latine dhe ishujt e Paqësorit.

Nëse shekulli XX u përcaktua nga rivaliteti ushtarak, shekulli XXI po përcaktohet nga rivaliteti i infrastrukturës dhe teknologjisë.

Një botë pa qendra të sigurta

Ndryshe nga Lufta e Ftohtë e shekullit XX, përplasja e re nuk ka kufij të qartë. Ajo zhvillohet në sferën e teknologjisë, energjetikës, informacionit dhe sigurisë digjitale. Konfliktet moderne nuk nisin me tanke, por me zinxhirë furnizimi të ndërprerë, algoritme, sanksione ekonomike dhe luftëra kibernetike.

Kina dhe SHBA po garojnë për kontrollin e burimeve kritike si litiumi dhe kobalti; Rusia luan me kartën energjetike në Evropë; ndërsa Lindja e Mesme mbetet një minë e pashuar që mund të shpërthejë çdo moment. Kjo shumëllojshmëri krizash e bën botën e sotme shumë më të paparashikueshme sesa ajo e viteve 1950–1980.

Nga rivaliteti drejt bashkëjetesës

E ardhmja e rendit global mbetet e hapur. Lufta e Ftohtë e kaluar përfundoi me kolapsin e një pale; ajo e re mund të përfundojë me bashkëjetesë të detyruar.

Në një botë të ndërlidhur ekonomikisht, askush nuk mund të izolohet pa dëmtuar veten. Prandaj, edhe pse retorika për “përplasjen e epokës” rritet, diplomacia dhe ndërvarësia ekonomike mbeten ura që mund të shmangin një përshkallëzim të rrezikshëm.

Në fund, historia e pas Luftës së Ftohtë na mëson një gjë të thjeshtë: hegjemonitë janë kalimtare, por balancat janë të përjetshme. Sot, bota nuk kërkon më një fitues absolut, por një ekuilibër të ri që mund të mbajë rendin ndërkombëtar pa e shkatërruar. Nëse udhëheqësit globalë do ta kuptojnë këtë, epoka e rivalitetit të ri mund të bëhet jo prelud i një lufte tjetër të ftohtë, por një periudhë e re bashkëekzistence të detyruar ;ku fuqitë mësojnë të jetojnë me njëra-tjetrën, jo përkundër njëra-tjetrës.

Filed Under: Ekonomi

AMFE – USA: It is with great pleasure and deep admiration that we present Dr. Xhakli as one of the most iconic figures of the Albanian community in the United States

October 18, 2025 by s p

Dr. Xhakli serves as an inspiration to us all, and we are truly honored to have her as the Vice Chair of our society. Dr. Shpresa Xhakli MD, is a licensed physician who earned her medical degree from the Medical University of Pristina in Kosovo. She has served her hometown of Mitrovica across multiple settings—including ambulance services, the emergency department, and hospital care—and has also shared her expertise as an instructor in internal medicine. Shpresa is the founder of United for Autism and a passionate advocate for children with special needs. She immigrated to the United States in 1986 to continue her medical career, but her life’s course changed profoundly when her son, Arben, was diagnosed with autism.

Driven by love and determination, she dedicated herself to raising awareness, improving education, and expanding services for children with autism and their families. Dr. Xhakli began her advocacy work in the United States, serving on the board of The Alpine Learning Group and fundraising for the New England Center for Children with Autism in Boston, Massachusetts. During the Kosovo war, she also played an active role in humanitarian relief efforts—organizing donations, providing housing for refugees, and supporting United Nations initiatives through UNIFEM and HCUND. In 2009, Dr. Xhakli brought her mission back to Kosovo, organizing training programs for teachers and psychologists, equipping schools with essential resources, and ultimately founding United for Autism. Under her leadership, autism centers were established in Peja, Prizren, Ferizaj, Podujevë, Suharekë, and Preshevë. She also coordinated the delivery of supplies to two centers in Tetovë, one in Shkodër, and provided donations to support children in Ulqin, Montenegro.

In 2012, Shpresa achieved a historic milestone by opening the first school for children with autism in Kosovo, which now serves more than 120 students. Her tireless efforts also played a key role in the passage of national legislation protecting the rights of children with special needs, and she continues to advocate for better diagnostic services and improved healthcare across the region. Shpresa’s work is far from over. She is currently organizing specialized training for adults with autism and leading the development of a new day program called Autizmi in Pristina. This center will provide much-needed adult care services, including structured activities and weekly programs—resources that have not previously existed in Kosovo.

Filed Under: Mergata

Dhomat e Specializuara të Kosovës, tablo poshtëruese ndaj çlirimtarëve e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

October 18, 2025 by s p

Dr. Albulenë Halili/

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë tabloja më e trishtë, për të mos thënë më poshtëruesja, ndaj çlirimtarëve, ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj luftës tonë shekullore për çlirim nga okupatori më gjakatar në mes të Evropës së qytetëruar në prag të shekulli XXI, ndaj kombit shqiptar. Të gjitha doktrinat zyrtare serbe të cilat u zbatuan sistematikisht janë padyshim gjenocidale, sepse qëllimi final i tyre është shfarosja jonë kolektive. Caku i të gjitha doktrinave dhe luftërave të tyre është shqiptari si i tillë, pa dallime, fetare, moshe, gjinie… Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me të gjithë ushtarët e tjerë e me heronjtë që s’rrojnë më, lanë shtëpitë e familjet e tyre dhe u nisën edhe për të mos u kthyer më, në luftën më të shenjtë që mund të bëjnë kombet, atë çlirimtaren. U nisën me betimin e ushtarit, flamurin shqiptar dhe amanetin e stërgjyshërve nga të gjitha trojet tona etnike. Ata, sikur edhe dëshmorët që dhanë jetën në këtë luftë, nuk janë ushtarë vetëm të Kosovës, nuk janë vetëm deputetë, politikanë, ish-presidentë të Kosovës. Ata janë ushtarët tanë çlirimtarë. Janë ushtarët e kombit tonë shqiptar. Janë ushtarët e Atdheut tonë të vetëm që kemi. Sot u dëshmua se edhe Tirana, Shkupi e Tetova i shohin si të tillë. Liria ka emër. Ajo quhet UÇK. UÇK është tërë kombi shqiptar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 277
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT