• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇFARË FSHIHET PAS ARRESTIMEVE TË LIDERËVE TË UÇK?

August 2, 2021 by s p

Endrit Topalli, Prokurori shqiptar në Oakland County, Michigan, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, mbi arrestimet e liderëve të UÇK, qasjen e administratës Biden ndaj emigrantëve, vlerësimin mbi reformën në drejtësi në Shqipëri, gjykimin e tij për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, integrimin evropian të Shqipërisë dhe nevojën e faktorizimit, bashkimit, integrimit dhe përfaqësimit të shqiptarëve të Amerikës. Me Endrit Topalli bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

ÇFARË FSHIHET PAS ARRESTIMEVE TË LIDERËVE TË UÇK?

Arrestimet në Kosovë janë arrestime të një politike europiane të dështuar dhe një tentativë e kësaj politike që të mbajnë Serbinë në anën e saj. Europa historikisht e ka përdorur Shqipërinë dhe shqiptarët sipas interesave të saj. UÇK-ja ka qenë organizimi më i rëndësishëm dhe më patriotik i popullit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore, veçanërisht mbrojten e njerëzve të pafajshëm nga spastrimi etnik nga paramilitarët Serbë. Është e njohur botërisht se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe ky fakt është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, e cila sulmet e NATO-S mbi trupat serbe i konsideroi se ishin në mbështetje të parimit ndërkombëtar  “E drejta për vetëvendosje”. Vlerësoj se akuzat e ngritura janë të pa mbështetura në prova dhe fakte reale apo të marra në përputhje me ligjin dhe në gjykimin tim këto akuza janë produkt i politikës serbe. Natyrshëm lind pyetja: Si ka mundesi që pas 13 vitesh si shtet i pavarur, lejohet që në Kosovë të vijë një strukturë kriminale në pushtet? Pse pikërisht tani që negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës janë asgjëkundi ngrihen këto akuza? Duket qartazi se janë manovra politike për të detyruar lidershipin e Kosovës për të pranuar kushtet që kërkon të imponojë Serbia.

A DUHET PADITUR SERBIA PËR GENOCIDIN E KRYER NË KOSOVË?

Ligjërisht Shqipëria nuk mundet pasi genocidi nuk është ushtruar në territorin ku ajo ushtron juridiksion. Kosova në bazë të ligjeve ndërkombëtare ka të drejtë absolute për ta bërë këtë gjë. Kosova ka dëme të llogaritshme njerëzore dhe ekonomike që mund të kalkulohen siç janë bërë dhe më përpara në luftëra të tjera. Institucionet e Kosovës që kanë të dhëna zyrtare për dëmet e shkaktuara mund t’i përdorin ato si fakte para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për të vërtetuar genocidin e ushtruar dhe personat konkret që e kanë kryer. Pavarësisht se ka kaluar kohë e gjatë dhe një pjesë e provave janë zhdukur, kanë humbur ose asgjesuar, dëshmitarët mund të kenë ndërruar jetë, personat që kanë shkaktuar genocidin mund të kenë ndërruar identitet dhe duket pak e pamundur që të ketë një iniciativë reale në këtë drejtim për të vënë në vend dinjitetin e popullit kosovar. Kosova dhe Shqipëria duhet t’i bashkojnë forcat për të lobuar fuqishëm në SHBA dhe Europë për ti bindur aleatët për të lejuar dhe mbështetur këtë padi të domosdoshme. Serbia nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në asnjë organizatë ndërkombëtare pa pranuar krimet e kryera në Kosovë. Ballkani nuk do të ketë stabilitet derisa masakrat e Serbisë në Kosovë të njihen me rezolutë nga OKB dhe SHBA .

A KA NDRYSHUAR QASJA E ADMINISTRATËS BIDEN NDAJ EMIGRANTËVE?

Administrata Biden nuk ka ndonjë qasje të re ndaj emigrantëve përveç se po lejon hyrjen e emigrantëve ilegal në kufirin jugor. Biden po vazhdon me deportimet me të njëjtin ritëm siç ishte dhe Presidenti Trump. Çështja e emigracionit është një çështje sensitive çdo herë që ka zgjedhje presidenciale në Amerikë. Ndryshimet ligjore nuk janë madhore përveç se individëve që përfitojnë nga DACA. Personat që janë në procese deportimi dhe sidomos ato me background kriminal do të vazhdojnë të deportohen si më parë. Buja mediatike është e madhe përsa i përket administratës Biden kundrejtë emigrantëve, por realiteti është i njëjtë dhe asgjë nuk do ndryshojë. Asnjë qeveri nuk ka interes të mbajë emigrantë me background kriminal dhe as emgrantë që mund të përbëjnë nje rrezik në të ardhmen.

SI E VLERËSONI REFORMËN NË DREJTËSI NË SHQIPËRI?

Në Shqipëri ka lindur nevoja për reformimin e sistemit të drejtësisë për shkak të korrupsionit të madh dhe humbjes së besimit të publikut tek prokuroria dhe gjykatat shqiptare. Megjithatë, pavarësisht bujës së madhe dhe investimit shumë të madh financiar për realizimin e kësaj reforme, mendoj se ajo nuk e ka arritur qëllimin për të cilin u hartua dhe u zbatua. Aktualisht kjo reformë ka sjellë një “kolaps” në sistemin gjyqësor, ku pritet që pas 4 muajsh të jemi totalisht pa gjykata. Si mund të pretendohet për reformë kur Shqipëria ka që nga 2018 pa Gjykatë Kushtetuese? Anëtaret e emëruar nuk janë në numër të plotë dhe shumë çështje kanë mbetur pa u gjykuar. Gjykata Kushtetuese është garanci për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, është garanci për ligjet dhe aktet nënligjore jo kushtetuese. Ndërkohë në 4 vjet asnjë ligj nuk ka pasur mundësi të kontrollohet nga gjykata nëse plotëson kriteret kushtetuese. Së dyti, Gjykata e Lartë nga 19 anëtarë, aktualisht ka vetëm 9 anëtarë dhe një mal me dosje që janë pa u gjykuar. Njerëzit presin me vite për një vendim përfundimtar dhe kur e realizojnë të drejtën, ajo nuk ka më vlerë. Në gjykatat e Apeleve dhe të Rretheve numri i gjyqtarëve që kanë mbetur është shumë i vogël duke sjellë që praktikisht të mbetemi pothuajse pa gjykata. E njëjta gjë vlen për të gjitha nivelet e Prokurorive. Në vlerësimin tim forma që u përzgjodh për të bërë Vetingun në Shqipëri nuk ka qënë e mirëmenduar, pasi nuk janë llogaritur pasojat e largimit nga sistemi të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Shqipëria është vend i vogël dhe nuk ka resurset e mjaftueshme për të krijuar profesionistë të tjerë që do të mbushin vendet në sistemin gjyqësor. Mbi të gjitha, vlerësoj se reforma nuk ka pasur standarte të qarta e të sakta. Polemikat fillojnë që tek personat që janë zgjedhur si anëtarë të KPK dhe të KPA, të cilët shpeshherë janë akuzuar për lidhje politike dhe që nuk kanë kriteret ligjorë për të vlerësuar gjyqtarët e prokurorët. Reforma në drejtësi është si ajo shprehja popullore “ ca të nënës e ca të njerkes”.Vetingu është kthyer në proces selektiv që bazohet në preferencat e partisë në pushtet dhe Krimit të organizuar. Ka pasur raste kur janë larguar profesionistë për arsye ordinere, e ndërkohë kanë kaluar Vetingun persona që pasuria e tyre nuk justifikohej apo profesionalizmi ka qënë me të meta. Akuza të forta ka se Vetingu është kthyer si një tregti, ku ai që paguan më shumë kalon Vetingun. Shpeshherë ai po përdoret si mjet presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga politika duke mos lejuar që ata të marrin vendime të drejta, të pavarura dhe profesionalisht të pandikuara. Reforma nuk bëhet nga amerikanët, as nga BE sado të angazhuar të jenë ata.

REFORMA DUHET TË BËHET NGA NJERËZ ME INTEGRITET TË LARTË

Reforma duhet të bëhet nga shqiptaret dhe nga njerëz që kanë kaluar vetë disa filtra për integritetin e tyre. Nëse anëtaret e KPK dhe KPA nuk kontrollohen për pasurinë e tyre apo nuk e justifikojnë atë, si mundet ata të kontrollojnë gjyqtarët dhe prokurorët që janë pushteti i tretë? Në këtë proces shpeshhere nga nxitimi, nga mungesa e profesonalizmit apo dhe nga justifikimi politik se po krijojmë Drejtësinë e Re, Shqipëria ka përfunduar deri aty sa s’ka fare sistem gjyqësor dhe është shumë herë më keq se ishte në 2016 kur u miratuan ligjet e Reformës. Mendoj se do të duhen të pakten 10 vjet për të parë realisht efektet e kësaj reforme dhe ndikimin e saj tek qytetarët shqiptarë. Mbetet për tu parë cilët do të jenë hapat në vijim, pasi mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mbaron dhe duhet të bëjnë ndryshime ligjore me 3/5 në Parlament, në menyrë që të perfundojë Vetingu për pjesën e mbetur të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pjesa më e madhe e të larguarve nga sistemi janë ankuar në Strasburg, dhe nëse ndonjëri prej tyre do të fitojë çeshtjen, kjo do të ishte një shkelm për të gjithë reformen për mënyren sesi ajo është aplikuar dhe nëse ka garantuar një proces të rregullt ligjor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve apo ka vendosur mbi ta dhe kushte apo barrë joproporcionale për të justifikuar dhe pasuri të krijuara nga familjaret e tyre në një ekonomi informale si ajo në Shqipëri.

GJYKIMI JUAJ PËR INSTITUCIONET E DREJTËSISË NË SHQIPËRI

Shqipëria ka shumë njerëz profesionist dhe të përgatitur në sistemin e drejtësisë. Problemi qëndron tek varësia e drejtësisë tek politika. Nuk mund të kesh drejtësi të pavarur, nëse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për çështje politike apo që lidhen me organizimin e shtetit dhe që përbejnë parimet e një shteti demokratik, nuk marrin vendime efektive dhe që disiplinojnë çdo qeveri apo organ kushtetues. Një nga çështjet më të diskutuara ka qënë zhvillimi i zgjedhjeve vendore në vitin 2019 pa pjesëmarrjen e opozites dhe nëse u shkelen parimet për zgjedhje të lira, të drejta, transparente dhe sipas parimit të pluralizmit. Në çështje të tilla me rëndësi për demokracinë, gjyqtarët duhet të tregojnë kurajo profesionale, të ndjekin shembujt më të mirë të praktikave botërore dhe të japin vendime pa pasur frikë se i pëlqejnë apo jo qeverisë në pushtet. Vendimmarrje të tilla mbeten në histori dhe Gjykata Kushtetuese duhet të jetë për forcimin dhe garantimin e shtetit të së drejtës dhe jo për shkatërrimin e tij. Komisioni i Venecias pavarësisht ekspertizes së kualifikuar, jep rekomandime dhe jo vendime detyruese. Për këtë shkak unë vleresoj se jo në çdo rast duhet t’i drejtohemi atij. Në vendimmarrjet e fundit, anëtarët në detyrë të Gjykatës Kushtetuese kanë treguar mungesë guximi për të dhënë vendime të rëndësishme, duke përdorur artifica si marrja e një mendimi paraprak nga Komisioni i Venecias. Zgjatja në kohë e vendimmarrjes e humb aktualitetin dhe nuk sjell efektin e dëshiruar kushtetues.

NGA SE VUAN DREJTËSIA NË SHQIPËRI?

Institucionet e Drejtësisë vuajnë nga pavarësia, pavarësisht mekanizmave që janë përdorur për ta garantuar atë. Si një vend i vogël është e pamundur që të shpëtojnë nga ndikimi i politikës. Gjyqësori ka frikë të japë vendime që nuk janë në interes të qeverisë sepse Vetingu përdoret si mjet për t’ju bërë presion gjyqtarëve. Sistemi gjyqësor duhet të ketë paga më të larta për të evituar korrupsionin dhe stafe suportuese për të ulur ngarkesën e gjyqtarëve. Një gjyqtar në Gjykatën e Tiranës mund të ketë 600-700 dosje në gjykim dhe një ngarkesë e tillë sigurisht që sjell dhe mungesë cilësie në vendimmarrje. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kenë këshilltarë ligjorë dhe staf administrativ që të përmirësohet cilësia e vendimmarrjes, shpejtësia të rritet dhe qytetarët të marrin shërbimin në kohën e duhur.

INTEGRIMI EVROPIAN I SHQIPËRISË NJË PROCES SA POLITIK PO AQ INSTITUCIONAL E LIGJOR…

Do të thoja është më shumë politike sesa ligjore. Shqipëria ka ndërmarrë që prej vitit 2006 me nënshkrimin e MSA-së të gjitha hapat e nevojshme për përafrimin e legjislacionit dhe përmbushjes së standarteve të BE. Për çdo vit i vendosen kushte të reja dhe përdoren si motiv mosdhënien e statusit. Mendoj se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duan kohë për anëtarësim në BE. Aq më tepër në kushtet aktuale kur vetë BE ka probleme brenda vetes, kur ka shtete që duan të largohen, sidomos pas largimit të Anglisë. Duket se BE nuk ka plan zgjerimi të afërt, pasi nuk po zgjidh dot problemet e tij. Mbi të gjitha do të duhen reforma dhe përmirësime reale në shtetin shqiptar që e afrojnë atë me standartet europiane dhe do të krijonin mundësinë për të qënë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare. Sigurisht ekspertiza ndërkombëtare ka rolin e saj, por mendoj se kjo gjë varet nga vullneti i brendshëm i shtetit shqiptar dhe kjo mbetet që pushtetarët ta marrin seriozisht këtë angazhim në interes të qytetarëve shqiptarë.

SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE NEVOJA E FAKTORIZIMIT, BASHKIMIT, INTEGRIMIT DHE PËRFAQËSIMIT…

Shqiptarët e Amerikës kanë qënë, janë dhe do të jenë faktor për Shqipërinë dhe Kosovën. Por që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës duket sikur diaspora ka rënë në gjumë dhe nuk është shumë aktive. Ka ardhur koha që shqiptarët e diaspores të përfshihen në politikën amerikane në mënyrë direkte, që do të thotë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të hedhin kanditatura për poste drejtuese në komunitetet ku ato jetojnë përqark Amerikës. Shqiptarët janë integruar më së miri në fusha të ndryshme profesionale këtu në Amerikë por jo në sferen e politikës. Ne duhet të kemi përfaqësuesit tanë në Kongres dhe Senate dhe jo të kemi lobues ose përfaqësues indirekt të shqiptarëve. Duhet të zgjohemi nga gjumi dhe të lobojmë fuqishëm kundra lobit Serb në Amerikë që për fatin tonë të keq po bën një punë të mirë kundrejt interesave shqiptare. Lobi Serb nuk ka ndalur së punuari në Kongres dhe Senate që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në kohën që ne jetojmë “luftërat” janë diplomatike më shumë se asgjë tjetër. Duhet të kemi një organizim më serioz përsa i përket organizatava shqiptare që jetojnë në Amerikë. Dhe të kemi një lidership me një mandat të caktuar që të avancojë çështjen shqiptare dhe interesat e shqiptarëve në Ballkan dhe më gjërë. Është koha për tu zgjuar nga gjumi dhe gjenerata e ardhshme e shqiptaro-amerikanëve të jetë prezente në dhomën e Kongresit dhe Senatit. Zoti i bekoftë shqiptarët e Amerikes dhe kudo që ndodhen.

*Këto janë mendimet e mia personale dhe nuk përfaqësojnë mendimet ose idetë e një organizate ku unë jam i punësuar. 

Filed Under: Featured Tagged With: Endrit Topalli, Sokol Paja

MUEJ GUSHT Kujtojmë…

August 2, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI:

27 GUSHT 1910: U LE SHEJTNESHA SHQIPTARE  NANA  TEREZE

1979, 10 Dhjetor, Nanë Tereza n’ Oslo, merr çmimin “Nobel” për Paqë. Aty, Nana Tereze kërkoi korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga prirja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Jezusit!”

●2002: Presidenti Amerikan Bill Klinton tha: “Nanë Tereza, ishte e para Ajo, qё më bani t’a due Kombin Shqiptar.

Tashti unë ndihem shumё krenar, që plotsova njё detyrim moral ndaj Saj dhe ndaj vlerave tё Lirisё në Kosovë”.

●Miss MERY EDITH DURHAM (1863–1944); AJO KA THANË NË

GUSHT 1901:“SHQIPTARI  PARA  SË  GJITHASH  ASHT  SHQIPTAR !”

1909 Libri “High Albania” (Shqipnia e Epërme) asht ma e njohuna veper. Ky libër edhe sot asht një udhërrëfyes i kulturës dhe traditave të Malësorve të Shqipnisë Veriore.  Gusht 1901 erdhi nga Liqeni i Shkodres në qytetin e Rozafës. Vizitoi Keshtjellen e shkollat e Françeskanëve dhe Jezuitëve,  kryesisht bibliotekat dhe muzeumet e tyne.

●3 Gusht 1859 U le shkrimtari Shkodranë Filip SHIROKA…

8 Gusht 1890 U le Don Jak BUSHATI, i mbytun në hetuesi  Lezhë me 12 Shtator 1949…

2 Gusht 1918 U shugurue Meshtar At Bernardin Palaj O.F.M. (1894 – 1946) Mbas sa vuejtjesh mbytet në hetuesi të Shkodres.

1 Gusht 1922 U le në Grudë Don Pjeter  GRUDA. Tre muej para lirimit nga burgu mbas 15 vjetësh vuejtje, vdes në kampin e Sarandës me 13 Janar 1989…

15 Gusht 1945 Pushkatohet Ndue PALI dhe Caf METI në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit. Ndue Pali në fjalen e fundit tha:

●“Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët.

Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!

Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste:

Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!        Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve! Të fala familjes. Prokuror Aranit Çela”

●Gusht 1945 Nuk vonon vjen prap në Shkoder Sejfullah Maleshova i derguem nga Enver Hoxha, gjoja per me formue Partinë Demokristjane me At Gjon Shllakun, një kurthë per pushkatimin e At Gjonit.

At Mati Prennushi refuzon perfundimisht formimin e Partive politike në Shkoder… Refuzimi i At Gjonit i kushtoi me jeten e Tij.

●20 Gusht 1945 Dosja 2026 Denohet At Geg Lumaj, At Dioniz Makaj, At Giacomo Gardin e At Gjergj Vata, t’ arrestuem në Janar e Shkurt 1945.

●Avokat Paulin Pali U le në Shkodër në 1916. Studimet e nalta për Jurisprudencë i kreu në Itali. U arrestua më 14 gusht të vitit 1946, për “veprimtari kundër pushtetit popullor” dhe për “tentativë arratisje për në Itali”. Më 14 janar 1948, në gjyqin ushtarak që u zhvillua në Shkodër, u dënua me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. Gjyqi kje i mbyllun dhe askush nuk i pau as nuk i ndigjoi kurrma zanin e Tyne!

25 Gusht 1948 Arrestohet Don Pashko MUZHANI (1915 – 1995) Dënohet me burg dhe punë të detyrueme…

31 Gusht 1948 Arrestohet Imz. Gjergj HABERI (1874 – 1954) Vuejti 8 vjet nder kampe pune…

31 Gusht 1948 Arrestohet Don Lekë DREDHAJ (1898 – 1976) Dënohet me burg  dhe punë të detyrueme…

10 Gusht 1949 Vdes Don Luigj ZOJZI, (1885 – 1949) Student i shkelqyeshëm në Vjenë.

22 Gusht 1950 Arrestohet Don Ndre LUFI (1888 – 1969) Nuk zbaton urdhnat e kryeministrit, tue transferue klerikët “jo simbas urdhnit tij”. …Denohet 20 vjet burg dhe punë të detyrueme…

15 Gusht 1956 Ceremonia zyrtare e bamjes Meshtar e At Gjergj Vatës S.J., i cili vuejti shumë vite hetuesi e burgje…

●Gusht 1956 Vdiq në Pragë Don Loro CAKA Një luftar i perkushtuem i Lirisë. Asnjëherë Figura e Tij nuk u vlersue ashtusi duhej.

17 Gusht 1966 vdes At Pashko PRELA (1877 – 1966) Me vendosmeni Atdhetare e Fetare.

●16 gusht 1993 Vdiq At Aleks Baqli O.F.M. predikatar i njohun. Vuejti dënimet nder kampe pune…

●1992; 22 Gusht: Papa Gjon Pali II ban apelin per Paqë në Ballkan.

●2000; 15 Gusht: Hapi Diten e Rinisë në Tor Vergata  Romë, me ma shumë se 2 miljon të rinjë e të reja nga gjithë Bota…

●2001; 1 Gusht: Papa Gjon Pali II  ban pritjen e 1000 në Vatikan… Ka pritë mbi 17 miljon pelegrin,  38 vizita kryetar shtetesh, 738 takime me drejtues shtetesh,  246 kryeministra…

            Melbourne, Gusht 2021.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovanai, Skenderbeu

RREZIQET E VARFËRISË “ENERGJITIKE”

July 31, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 28 korrik 2021    Përktheu: Eugjen Merlika

Nëse nuk keni elektricitet, dita juaj mbaron kur të perëndojë dielli. Por edhe në orët me diell nuk mund të përdorni frigoriferin, elektroshtëpijaket, kompiuterin. Nëse nuk keni as gazin, të gatuarit bëhet një veprimtari me rrezik të lartë. Një nga arsyet e vdekshmërisë në vendet me “varfëri energjitike” është që 40 % e popullsisë botërore nuk ka hyrje në burimet relativisht bashkëkohore të energjisë dhe është e shtrënguar të gatuajë ushqimet me lëndë djegëse që mbushin guzhinat e shtëpitë me tymra të rrezikëshme për shëndetin: dru, mbeturina të të korrave, bajga të thara. Instituti for Health Metrics and Evaluation e Washingtonit vlerëson se çdo vit vdesin nga ndotja shtëpiake 2.3 milion njerëz. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ngre shifrën në 3.8 milionë. Për të bërë krahasimin, të vdekurit nga Covid 19, në një vit e gjysmë pandemia kanë qënë pak më shumë se katër milionë.

Shfaqja kronike ndaj gazeve shtëpiake të dëmëshme shkakton polmonite, tumore në mushkëri, shton rreziqet e kataratës, rrit numurin e fëmijëve të vdekur. 

OBSH ka përpiluar një “shkallë të energjisë”, në bazë të së cilës janë Vëndet me t’ardhura shumë të ulta që përdorin për të gatuar vetëm mbeturina; më sipër ata me t’ardhura t’ulta e mesatare që djegin dru, qymyr, vajguri, etanol; më lart janë më të pasurit që punojnë me gaz dhe rrymë elektrike. Në Burundi, në Republikën e Afrikës Qëndrore, në Liberi – ku t’ardhurat për frymë janë nga 600 deri në 800 dollarë në vit – më pak se 1% e popullsisë përdor rrymë elektrike ose gaz për të gatuar. N’Evropë, në Amerikën e Veriut e në Vendet e përparuara 100 % e guzhinave nuk kanë këtë problem. Por simbas studimeve të Ourworldindata.com – pjesa m’e madhe e Vendeve me t’ardhura më të ulta vjetore se dhjetëmijë dollarë nuk arrin në 60 % të shtëpive të shëndetëshme. Kina është në 59 %, Hindia 41 %. Mesatarja botërore është 59 % (të dhënat e vitit 2016). Kjo gjëndje nuk ka pasoja vetëm mbi shëndetin: gati 50 % të lëndëve drusore të nxjerra nga pyjet shërben për të prodhuar energji, pjesa m’e madhe e së cilës për të gatuar ushqimet. Në fakt pyjet zgjerohen në Vendet e pasura e ngushtohen n’ata të varfëra. Zgjidhjet? Më e rëndësishmja: një rritje ekonomike që t’i japë t’ardhura Vendeve të varfëra për të hyrë në energjitë e hijshme dhe popullsive t’ardhura  për t’u çliruar nga ndotja shtëpiake.

Filed Under: Analiza Tagged With: Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

PËRSE BIDEN-i TREGON MUSKUJT ME KINËN (MË SHUMË SE SA TRUMP-i)

July 31, 2021 by s p

Nga JAN BREMMER

“Corriere della Sera”, 9 korrik 2021    Përktheu: Eugjen Merlika   

Ishte një opinion I përhapur në Shtetet e Bashkuara se presidenti Donald Trump kishte zbatuar një përballim shumë t’ashpër me Kinën, por çuditërisht të butë me Rusinë. Kritikët e tij e kanë paditur se lufta e taksave doganore e vërsulur kundër Kinës, do të kishte qënë aq sulmuese sa që do të përfundonte në një vetëplagosje. Të tjerë thonin se Vladimir Putin e kishte në dorë Trump-in për arsye të panjohura. Me zgjedhjen e Biden-it në Shtëpinë e Bardhë, të njëjtët opinionistë kanë parashikuar se presidenti I ri do t’I kish përmbysur këto qëndrime. Simbas tyre Biden-I do të kishte kërkuar një afrim me Kinën për të gjetur mundësinë e një bashkëpunimi më të frytshëm, ndërsa do të kishte fshikulluar Putinin për ndërhyrjet e tij në politikën amerikane e për lejimin e kriminelëve informatikë rusë të mbanin peng ndërmarrjet amerikane me qëllim mitmarrjeje. 

Por nëse shkojmë për të shqyrtuar me hollësi zgjedhjet politike të kryera nga adminisrata e re, duke lënë mënjanë retorikën e rastit dhe twitet kërcënuese të dy kryetarëve të qeverive në vetë të parë, zbulojmë se ai përimtim është përmbysur krejtësisht. Biden-i u tregua shumë më i papajtueshëm me Kinën se sa ka qënë ndonjëherë Trump-i, dhe nuk ka fshehur simpatitë e tij për Putinin e Rusinë. Le të shkoqisim provat. Mbasi e kish ftuar për drekë udhëheqësin kinez Xi jinping në residencën e tij  të Mar-a-Lago-s, për t’u njohur me njëri tjetrin, Trump-i kishte ndjekur udhëzimet e këshilltarëve të tij që e shtynin të tregohej më luftarak kundrejt fuqisë në ngjitje. Por interesat e tij kufizoheshin në dy sektorë. I tmerruar nga defiçiti i peshores tregëtare amerikane kundrejt Kinës dhe i tërhequr nga mundësitë politike që i paraqiteshin, Trump-i nuk nguroi të shpërthente një luftë tregëtare. Ka mbështetur gjithashtu veprimet më energjike të qeverisë së tij për të ndaluar zhvillimin teknologjik të Kinës – dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare që rrjedhin prej tij – duke praktikuar shtrëngesa mbas shtrëngesash kundër Huaweit, gjigandit të teknologjisë kombëtare kineze. Trump-i e të tijtë kanë folur shumë pak për dhunimin e të drejtave njerëzore kundër popullsisë myslimane të rajonit kinez të Xiniangut, megjithë ndonjë sanksion pa rëndësi dhe kontrollit mbi eksportimet – po ashtu sikurse edhe mbi krizën e demokracisë në Hong Kong. Shumë pak është bërë për të ftuar së bashku aleatët evropianë e aziatikë për të përpiluar një strategji të bashkërenduar që të synonte ndalimin e ndërhyrjeve gjithënjë e më agresive të Kinës përtej kufijve të saj.

Presidenti Biden, nga ana e tij, sheh në Kinën kërcënimin kryesor për demokracinë dhe liritë vetiake, po ashtu sikurse edhe për sigurinë kombëtare amerikane. Qeveria e tij nuk ka bërë asnjë hap mbrapa në luftën tregëtare të nisur nga Trump-i. Taksat e sanksionet mbesin në vëndet e tyre, për të shfrytëzuar skajshmërisht fuqinë negociuese të SHBA me Kinën në të tjerë sektorë e për të ngritur nivelin e lojës janë vendosur edhe kontrollet mbi eksportimet. Nëse takimi i parë ndërmjet Trump-it dhe Xi Jinping-ut është zhvilluar në një pritje në atmosferën e ngrohtë të Jugut të Floridës, qeveria Biden ka organizuar një takim të nivelit të lartë të Vendeve të Quad-it që i kundërvihen Kinës – Japonia, Hindia dhe Australia – më parë se të ngrinte një tryezë bisedimi me funksionarët kinezë në Alaskën e akullt.  Presidenti i ri u zotua gjithashtu të përputhë qëndrimet amerikane mbi Olimpiadën dimërore të Pekinit 2022 me ata të Bashkimit Evropian, të Mbretërisë së Bashkuar, Australisë dhe Kanadasë . Ndërsa Trump-i ankohej se Kina i kishte rrëmbyer Shteteve të Bashkuara vënde pune në industri, Biden-i ka lëshuar programin “Blij amerikane”, pikërisht për të nxitur ndërmarrjet amerikane të rikthejnë vëndet e punës n’atdhe. Nëse Trump-i ka paditur Kinën se ka infektuar botën me “virusin kinez”, Biden-i ka kaluar në veprim dhe ka kërkuar një hetim për të ndriçuar t’ashtuquajturën teori të aksidentit të laboratorit, që do të shpiegonte prejardhjen e pandemisë. Kush priste që Biden-i do të kishte riqepur marrëdhëniet  me Kinën, pashmangmërisht ka mbetur i zhgënjyer. Era e bashkëpunimit ka mbaruar, ky është komenti i fundit i një këshilltari të ngushtë të Biden-it për gjëndjen aziatike.

Edhe zgjedhjet politike të Trump-it dhe të Biden-it kundrejt Rusisë kanë pështjelluar pritjet dhe parashikimet. Trump-i ka shprehur shpesh fjalë lëvduese për Vladimir Putinin, por si  qeveria e tij e po aq antarët e partisë republikane në Kongres, kanë mbajtur një qëndrim diametralisht të kundërt me të përsa i përket sjelljes luftarake të Rusisë. Gjatë viteve të Trump-it sanksionet janë ashpërsuar. Ish presidenti ka kundërshtuar projektin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, me një rëndësi të madhe strategjike. Qeveria e tij ka miratuar shitjen e raketave kundërtanke Ukrainës, duke e ditur mirë se shënjestrat kryesore të tyre do të kishin qënë tanket ruse. Trump-i ka përforcuar praninë e trupave amerikane n’Evropën Lindore, një nder i posaçëm në dobi të presidentit polak Andrzej Duda, gjithmonë i rrjeshtuar me Trump-in kundër Putin-it. Qe Trump-i ai që tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga traktati Inf me Rusinë (mbi armët bërthamore me rreze të mesme veprimi), duke mos pranuar të zgjaste as marrëveshjen Start mbi pakësimin e armëve strategjike).

Joe Biden, edhe se e kishte përcaktuar Vladimir Putinin “një vrasës”, kundrejt Rusisë ka vepruar me më shumë maturi se sa Trump-i. Duke synuar të krijojë një marrëdhënie më të qëndrueshme me Rusinë, për të mundur t’i besojë politikës së jashtëme detyrën për të përballuar kërcënimet kineze, Biden-i nuk ka humbur kohë për të zgjatur traktatin Start dhe për të shfuqizuar sanksionet që rëndojnë mbi ndërmarrjen ruse të zotuar në ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream. Kur Putini u ul në tryezën e bisedimeve me Biden-in në Gjenevë me ftesën e këtij të fundit, Biden-i mbajti një qëndrim të përzemërt, pavarësisht nga sulmet informatike ruse kundër një naftësjellësi amerikan dhe miratimit të heshtur të Rusisë ndaj ndërhyrjes së Bjellorusisë në uljen e një aeroplani të linjës evropiane për të arrestuar një disident.

Nga e gjitha kjo duhen nxjerrë tre mësime. I pari, fjalët janë një gjë, veprimet një tjetër. Duhet kujdes kur të parat zëvendësojnë të dytat! Dy: kryetarët e Shteteve dhe qeveritë e tyre, jo detyrimisht bashkëndajnë të njëjtën vijë politike. Trump-i do të kishte dashur të krijonte marrëdhënie më të përzemërta me Rusinë, por nuk ka marrë asnjë mbështetje nga bashkëpuntorët e tij. Së fundi, ndryshimet në politikën e jashtëme shpesh pasqyrojnë ndryshimet që ndodhin në botë.

Është më e dukëshme sot, në krahasim me katër vite të shkuara, se Xi Jinping synon të ndjekë një politikë të prirur nga një kombëtarizim i egërsuar. Përparimet e Kinës në fushën teknologjike, sulmet e saj kundër demokracisë së Hong Kongut, provat e fundit të përndjekjes në Xiniang dhe trysnia ushtarake mbi Taivanin kërkojnë një përgjigje të vendosur nga ana e Washingtonit e aleatëve të tij. Për çastin, qeveria Biden synon të shuajë reflektorët mbi Rusinë, për të përballuar drejt për së drejti marrëdhëniet gjithënjë e më kundërshtuese me Kinën. 

Filed Under: Politike Tagged With: Biden, Eugjen Merlika, Kina, USA

IN MEMORIAM, Mazllum Saneja

July 31, 2021 by s p

Thanas L. Gjika

Në fb e poetit Agim Gjakova mësova se dje më 30 korrik 2021 u nda nga jeta poeti, eseisti dhe përkthyesi Mazllum Saneja. Në kujtim të tij po sjell këtu disa kujtime që pata shkruar disa vjet më parë dhe i botova te libri “Mosdënimi i krimit është krimi i ri” OMSCA-1 Tiranë 2016, f. 397-400, duke i plotësuar me listën e plotë të korpusit të tij letrar.

NJË ATASHE KULTUROR I KOSOVËS

(Kujtime për poetin, eseistin e përkthyesin Mazllum Saneja)

Poetin, përkthyesin dhe kritikun letrar Mazllum Saneja e njoha së pari përmes leximit të disa veprave të tij, pastaj e njoha personalisht në vitin 2010 në Prishtinë. Mazllumi u lind në Gjakovë më 1945, shkollimin e lartë për gjuhë e letërsi shqipe e kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinëse më 1974. Aty ai kreu dhe studimet pasuniversitare. Gjatë vizitave turistike në Poloni u nxit të mësonte polonisht dhe të ndiqte dhe studimet e larta për gjuhë polake në Universitetin e Varshavës në vitet 1978-1981. Pasi punoi disa vjet si mësues në shkolla të mesme të Kosovës ai u përpoq të gjente mundësi më të mira pune larg Kosovës. Në vitet 1985-1989 jetoi në Berlin Lindor dhe mbas vitit 1990 u vendos në Poloni. Këtu kreu studime të tjera të larta për letërsi polake dhe pasi e tregoi talentin e vet me botime vëllimesh me poezi origjinale e përkthime poezish nga polonishtja në shqip dhe nga shqipja në polonisht fitoi çmimin prestigjoz ZAIKS prej Shoqatës së Shkrimtarëve të Polonisë, po ashtu fitoi të drejtën të jetojë në Poloni si krijues i lirë. Eshtë anëtar I Shoqatës së Përkthyesve të Kulturës Europiane në Varshavë. Thënë shkurt, Saneja është intelektuali, i cili me punën e vet krijuese nderon Gjakovën, Kosovën e mbarë botën shqiptare.

Me punën e tij si poet, eseist e përkthyes ai e ka paraqitur në nivele dinjitoze letërsinë mbarëshqiptare në Poloni dhe më gjerë. Për 25 vjet ka kryer, si e kryejnë bijtë e talentuar, misionin e atasheut të kulturës shqiptare në Poloni pa qenë i emëruar prej asnjërës prej qeverive tona, të Shqipërisë ose Kosovës. Sot në moshën mbi 70 vjeçare ai meriton të marrë Pension të Veçantë prej të dy këtyre qeverive si e marrin shumë krijues të tjerë me më pak punë e vepra. Së pari Mazllumin e njohu në vitin 1974 Julia, para se të martohej me mua, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Korçë. Atje u organizua një takim midis talenteve të rinj të Rrethit të Korçës dhe grupit të talenteve të rinj nga Kosova (letrarë, piktorë, muzikantë) që kishin ardhur për vizitë në Shqipëri. Të nesërmen talentet e rinj të Korçës dhe ata të Kosovës panë së bashku një shfaqje teatrale te Teatri A. Z. Çajupi, pastaj miqtë u përcollën. Sipas zakonit Julia Naçi (sot Julia Gjika) i dhuroi poetit të ri nga Gjakova vëllimin e saj të parë poetik Ditëlindje (1974). Mbasi mbërriti në vendlindje, mysafiri i dërgoi shoqes korçare vëllimin e tij të parë poetik Këlthitje (1973). Ky vëllim poetik me titullin dhe poezitë shprehte nëntekstin: shqiptarët në Jugosllavi nuk kishin të drejtë të formulonin mendimet e tyre për të drejtat njerëzore, sepse ata lejoheshin vetëm të lëshonin klithma.

Nga viti 1974 e këtej poeti Saneja ka botuar dhe shtatë vëllime të tjera poetike në gjuhën shqipe, dy drama dhe katër vëllime poetike në polonisht. Nga letërsia polake ai ka përkthyer e botuar në shqip krjime të poetes Eva Lipska, Karol Wojtila (Papa John Paul II),Tadeusz Rosewiez, Wistawa Szymborska, Zbigniew Herbert, Jan Michal Stuchly, si dhe përmbledhjen antologjike Poezi Polake e shek. XX-të, etj. Kurse nga letërsia shqipe në polonisht ai ka përkthyer e botuar në tre vëllime një antologji të poezisë shqipe të shek. XX-të. Për botimet e tij Saneja ka pasur shpesh mbështetjen dhe kujdesin e juristit polak Jan Michal Stuchly, intelektual i niveleve të larta, piktor, poet dhe humanist. Me ndihmat financiare të këtij miku dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve Polakë, Mazllumi organizoi një takim letrar në Varshavë ku recituan poezitë e tyre Ali Podrimja, Agi Gjakova, Visar Zhiti, etj. Saneja ka përkthyer e botuar në polonisht poezi të zgjedhura prej poetëve tanë të talentuar si Ali Podrimja, Ismail Kadare, Eqrem Basha, Fatos Arapi, Mihal Hanxhari, Agim Gjakova, Visar Zhiti, Martin Camaj, Naime Beqiraj, Julia Gjika, etj. Gjithashtu ai ka hartuar e botuar dhe veprën gjuhësore Bisedor i gjuhës shqipe për polakët, me vlera praktike për të mësuar gjuhën tonë njerëz të interesuar midis popullit polak 40 miljonësh. Trashëgimia letrare e Mazllum Sanesë është shumë e pasur:

Vepra olrigjinale:

“Këlthitje”, Rilindja, Prishtinë, 1973

“Heshtja e një kohe”, Naim Frashëri, Tiranë, 1976

“Shpuzë e ftohtë”, Rilindja, Prishtinë, 1988

“Purpurowa podróż”, Pavo, Warszawa, 1992

“Ja nie jestem ten”, Pavo, Warszawa, 1996

“Shëmbëllime të trazuara”, Rilindja, Prishtinë, 1996

“Ognista ziemia”, Czytelnik, Warszawa, 1999

“Pe ndonjë ëndërr”, Dukagjini, Pejë, 2003

“Vetetimë jete”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2007

“Letra Evës”. SAGA, Prishtinë, 2016.

“Tylko Itaka pozostanie” /”Vetëm Itaka mbetet”/, Antologji e poezisë shqipe dhe polake të shek. XX, “Latona”, Warszawa, 1993

“Fëmijët e Epokës” /Antologji e poezisë polake të shek. XX, Pavo, Warszava, 1997 (Çmimi prestigjioz i Shoqatës së Autorëve të Polonisë ZAIKS, Varshavë – 1997)

“Nie jest za pozno na milosc”(Nuk është vonë për dashuri), Antologji e poezisë shqipe në gjuhën polake, Pogranicze,Sejny (Poloni), 2005

“Rozmówki albańskie” /Bisedor Polonisht – Shqip/, Wiedza Powszechna, Warszawa, 1992

Përkthime:

Fatos Arapi: “Wiersze” / Poezi të zgjedhura /, Pogranicze, Sejny, 2006

Ali Podrimja: “Zyć” /”Të jetosh”/, Pavo, Warszawa, 1993

Ali Podrimja: “Skradziony plomien” /”Flaka e vjedhur”/, Pogranicze, Sejny, 2007

Eqrem Basha: “Wiersze” /”Poezi të zgjedhura”/, Pogranicze, Sejny – Poloni, 1999

Agim Gjakova: “Wiersze” /”Poezi të zgjedhura”/, Pogranicze, Sejny – Poloni 2008

Agim Gjakova: ”Saga o wietrze” (Saga flurore). Komograf, , Varshavë – Poloni 2013

“Mini-antologjia e poetëve shqiptarë nga Kosova”;

“Literatura na swiecie” nr.7/1989, Warszawa;

“Poezja albanska”, “Literatura” nr. 5/1990, Warszawa;

“Współczesna poezja albańska” /Panoramë antologjike e poezisë bashkëkohëse shqipe nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqipëtare/, “Borussia” nr. 15/1997, Olsztyn – Poloni, 1997;

“Ca fjalë mbi letërsinë shqipe” /studim mbi letërsinë shqipe, duke filluar që nga “Formula e pagëzimit” (1462) deri te brezi më i ri i shkrimtarëve shqiptarë/ , “Notes Wydawniczny” nr.11/1995, Varshavë;

“Tre krijues nga Kosova në “Enciklopedinë polake” /Esad Mekuli, Rexhep Qosja dhe Ali Podrimja/, “Enciklopedi e përgjithshme”, Shtëpia botuese: PWN, Warszawa,1995

Karol Wojtyła: “Bregu i qetësisë”, Drita, Ferizaj – Zagreb, 1989

Czeslaw Milosz: “Qyteti pa emer”, Poeteka, Tiranë, Shqipëri, 2009

Tadeusz Różewicz: “Rrëfime traumatike”, Rilindja, Prishinë, 1990

Wisława Szymborska: “As fund as fillim”, Dukagjini, Pejë, 1997

Ewa Lipska: “Mësohu me vdekjen”, Sfinga, Prishtinë, 2000

Ewa Lipska: “Unë”, Rozafa, PEN Qendra e Kosoves, 2006

Zbigniew Herbert: “Zoti Cogito”, Dukagjini, Pejë, 2000

Adam Zagajewski: “Të shkosh në Lvov”, Zëri, Prishtinë, 2002

Stanisław Jerzy Lec: “Mendime të pakrehura”, Rozafa, Prishtinë, 2001

Në vitin 2010 planifikova të shkoja në Shqipëri e Kosovë. Desha ta takoja këtë krijues e punëtor të palodhur të kulturës shqiptare. E njoftova para se të nisesha se kur do të ndodhesha në Prishtinë. Dhe ai erdhi në mbrëmjen e caktuar, e u ul me ne në restorantin, ku na kishte ftuar për të darkuar mjeku Prof. Xhemil Bytyçi. Aty ishim bashkë me profesor Agim Vincën dhe poetin Abdyl Kadolli. Edhe pse e takoja për të parën herë, ndjeva per Mazllumin afrimitet të madh, mbasi i kisha lexuar disa prej veprave të tij, kisha parë portretin e tij në disa foto. Biseda vijoi për krijimtarinë letrare. Poetët Vinca e Saneja na treguan për botimet e tyre të fundit, për planet e së ardhmes. Më shkoi mendja te krijuesit e Shqipërisë dhe atashetë kulturorë të saj nëpër botë. Shqipëria ka disa poetë të talentuar të nivelit Vinca e Saneja, por nuk ka asnjë krijues e intelektual shumëdimensional si poeti, stujuesi, polemisti i zjarrtë Vinca. Ajo nuk ka një atashe kulturor që punon pa pagesë si poeti, eseisti e përkthyesi Saneja. Për fatin e mirë të letërsisë e kulturës shqiptare rrugën e Sanesë e ndjek dhe poeti Baki Ymeri, një intelektual shqiptar nga Maqedonia që jeton e punon në Bukuresht, por dhe ky nuk është shqiptar i lindur e rritur në Shqipëri. Ne shqiptarët e Shqipërisë jemi bërë pragmatistë, nuk punojmë dot pa rrogë, na lodhi koha e diktaturës me ato punët vullnetare dhe tani duam të paguhemi për çdo punë. Mirëpo në art, në kulturë e në shkencë nuk ecet vetëm me rrogë, duhet pa tjetër dhe shpirti i sakrificës, pasioni i rilindësve tanë. Për më keq akoma të gjithë ne shqiptarët vuajmë nga një ndjenjë zililie për njëri tjetrin. Po sjell ketu një pjesë nga një letër e Sanesë qe na dergoi para disa vjetesh, ku e dënon këtë dobësi tonën: “Sa i perket Visar Zhitit – une ushqej nje ndjenje te vecante ndaj Tij, ndaj vepres se Tij, qe eshte nje kaptine e trishte e martirologjise shqiptare. Pajtohem me mendimin Tend se ky krijues, Visari yne, e meriton Cmimin Nobel, po fatkeqesisht ne Shqiptaret jemi nje popull paksa i cuditshem qe vuajme nga smira dhe urrejtja ndermjet vete. Une kete e kam ndier ne supet dhe shpirtin tim te sfilitur udheve te mergimit, derisa i shoh dhe i verej se si Polaket e mbeshtesin njeri tjetrin jo vetem ne qarqet e larta intelektuale. Vlen te shohesh skenen politike si ne Kosove si ne Shqiperi se sa te mjere jemi, se cfare kamencerose sundojne ne kasabane tone, e po ku jemi! Mjere per ne! Rri e persias se si ky popull asnjehere nuk merr mesime nga popujt tjere se si jetojne ne mes vete, e fajin kryesor per kete situate te rende e ka shoqeria jone e korruptuar, qe shpejt harroi eksodet dhe krimet qe u bene si ne Shqiperi ashtu edhe ne Kosove.Do ta mbyllja kete leter te shkurter me fjalet e poetit:

A vriten Pellumbat bre!/

A vidhet Populli

A vritet Luftetari i Tij!

Ajme per ne!”

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Gjakova, Mazllum Saneja, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2865
  • 2866
  • 2867
  • 2868
  • 2869
  • …
  • 2883
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”
  • HAFIZ SABRI KOÇI – NJË KUJTESË QË SFIDOI DIKTATURËN, NJË TEST PËR NDËRGJEGJEN MORALE E POLITIKE TË SHQIPTARËVE SOT
  • NJË JETË ME PËRPJEKJE DHE ARRITJE, Inxhinier Mërgim Korça iku…
  • Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Marin Becikemi – Shkodrani
  • THE AUCKLAND STAR (1938) / “NE BESOJMË NË TË QENIT VAJZA MODERNE…” — INTERVISTA ME MYZEJEN, RUHIJE DHE MAXHIDE ZOGU NË LONDËR
  • Albanian American Gastrointestinal Association and Albanians Fighting Cancer join forces on April 4th, in Boston, MA, to empower our community and to raise funds for our fight against cancer
  • Hidai Bregu, in memoriam…
  • Një mbrëmje e ndjerë dhe domethënëse në shërbim të drejtësisë dhe dinjitetit
  • 18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në Florida

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT