• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HESHTJA E POLITIKËS SHQIPTARE QË RIVRET TË ZHDUKURIT E DIKTATURËS KOMUNISTE

August 23, 2021 by s p

Nga Dr. Besim NDREGJONI

23 gushti është “Dita e Shiritit të Zi(Black Ribbon Day) dita zyrtare europiane e kujtesës së krimeve të stalinizmit, komunizmit, nazizmit, dhe fashizmit!  Këshilli i Europës i barazon krimet e komunizmit  me ato të fashizmit si krime kundër njerzimit. Europa çdo 23 gusht kujton dhe nderon krimet e komunizmit të fashizmit. Politika shteterore shqiptare përdor Harresën! Harresa është fenomeni që nuk i shërben paqes , lirisë, por diktaturës. Duhet ta pohojm  me keqardhje se gjatë tre dekadave ndaj krimeve të komunizmit, politika shterore ka heshtur,  dhe më e keqja  politika ka tentuar, vazhdon të tentoi e shtrembëroi çeshtjen e viktimave të komunizmit , sipas interesit dhe trillimeve të çastit duke bërë premtime, por asnjë vullnet  as dëshirë  për tu përballur  me të  kaluarën komuniste , as me krimet e regjimit Stalinist  të Enver Hoxhës.Jemi mësuar me talljet , me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe , të radhës nga përfaqësues të ndryshëm të politikës shqiptare post tranzicjon. Fatkeqësisht garda e vjetër komuniste  me mentalitetin e sundimit , ka mbizortuar  për tridhjet vjet shqiptarët në këtë tranzicjon sa të vështirë por dhe të pështirë nga ata që drejtuan politikën e tranzicionit. A mund të ndihen të qetë shqiptarët në këtë ditë kujtese europjane ku mbi 5000 shqiptarë janë pushkatuar dhe  ju janë zhdukur kufomat. Dhe këto kufome janë hedhur në  lumin e Drinit  të Kirit janë baltosur në Maliq, Beden, Burrel, Gjirokastër, 300 fëmijë kan vdekur urie në kampin famkeq të Tepelenës, dhe jan zhdukur në Vjosë. Në vijën kufitare, vriteshin djemte e rinj, dhe ju zhduknin kufomat. Sot nuk flitet në Shqipëri,si në europë dhe të kujtohen e  nderohen viktimat. Shqipëria nuk ka ditë kujtese si Europa me gjithë bilancin tragjik të krimeve komuniste që i jan ba popullit shqiptar nga regjimi  komunistë, përkundrazi politikanët shqiptar janë të qetë, respektojnë xhelatët, ju japin pensione maramendse, familjet e të zhdukurve i kan degdisur nëpër bote. Shtypi shqiptar gazetat nuk meren me sakrificat sublime të të zhdukurve, por me hartimet e shkarravinat mbi jetën e diktatorit dhe bisedat e tij me xhelatet se si të  mbante sundimin e tije me krime.”Pushteti politik” i vendosun në pluralizëm  ka tradhtuar  njënën nga detyrat ma themelore të qeverisjes: Zbatimin e drejtsisë kundra krimit komunist. Në këtë pike nuk ka vend diskutimi. Ne respektojmë reformën në drejtsi dhe Sh.B.A. se shteti amerikan e nderon dhe e kujton 23 gushtin, kurse Shqipëria nuk i bashkohet Europës por kremton ditën që u vendos regjimi gjakatar i diktatorit Enver Hoxhës. Dhe sot nga kjo ditë kujtese i bëjmë thirrje Ambasadores Yri Kim, drejtsia të filloi me krimet makabre të komunizmit.Me leju kriminelët komunistë të jetojnë pa dhane llogari të krimeve monsturoze që kan kryer mbi popullin shqiptar don të thotë me mohu ekzistencën e këtyre krimeve, don të thotë se nuk ka pasur rezistencë antikomuniste, nuk ka pasë të arrestuar të torturuar, statistikat janë në arkivën e shtetit 36.000 shqiptare të denuar si kundërshtarë politikë të regjimit. 50.000 familje të internuar për motive politike,  mbi 7000 të pushkatuar për motive politike, mbi 5000 shqiptarë tëpushkatuar e  zhdukur kufomat. Kjo don të thotë me mohuar vuajtjet e familjeve tona që u shtypën pa mëshirë. Kjo don të thotë me mohuar sakrificat e nanave, motrave , bijave , bashkshorteve tona, të femnës shqiptare që i dha dimensionin  ma fisnik rezistencës sonë antikomuniste. – don të thotë të zhytesh në botën e krimit , ku gjithçka lejohet dhe askush nuk përgjigjet.Eshte vonë ti hetojmë e gjykojmë kriminelët komunite thonë politikanët shqiptar, ju sjellim në vëmendje se jo më larg se me 2 gusht 2021  prokuroria gjermane konfirmoi se do të nis proçesin gjygjësor ndaj një roje të një kampi përqëndrimi nazistë. Roje i thjesht jo komandant, sepse komandanteve u a ka dhënë faturën me kohë.  Roja është  100 vjeç. Për  gjermanët dhe europianët  nuk është vonë,  dhe krimineli që kreu krime kundra njerzimit nuk është kurrë plak. Është kriminel dhe duhet denuar. Nuk e  bëjnë për hakmarrje, as denazifikim, por për drejtsi. Retorikat e dekomunistizimit shqiptarve që provuan krimin komunistë , nuk ju mjafton, as hartimet që i bëjnë këta politikan shqiptar 30 vjecar, nëpër rrjete sociale duke u deklaruar si europian me statuse dhe jo me ligje. Krimet kan autoret e vrasjeve nga njeriu para se ti denoi Zoti. Drejtsia do ta ndajë ndërgjegjen e shoqërisë nga e keqja e komunizmit që ngadalë  po rimerr qytetarinë diku me emër rruge, diku me foto diktatori diku me përkujtime provokuese e aq më keq  me emrime  në majat e pushtetit. Sot kjo ditë kujtese europiane,  na obligon se duhet një strukture e re  e posaçme  si ajo në Gjermani në vitin 1958  dhe e ka fuksionale dhe sot,  për të hetuar  e ndjekur penalisht si kriminelët naziste dhe komuniste. Jo me Spaka e struktura drejtsie që marrin urdhëra politike. Duhet future thellë bisturia e drejtsisë   në ndërgjegje.Sot kjo dite detyron që të gjinden eshtrat e të zhdukurve, dhe jo institucjone shtetrore formale marrin qindra mijra euro dhe mjaftohen me një seminar, sikur po kërkojne eshtrat. Sot kjo ditë kërkon të ngrihet në Tiranë parcela e të zhdukurve të komunizmit, të caktohet dita e kujtesës siç ban Europa. Detyra e shtetit shqiptar, është ti tregoi të vërtetën e krimit komunist brezave që nuk e dine, Drejtsia shqiptare të penalizoi ligjërisht autoret e vrasësve, dhe kujtesa të ruhet si shenjtëri ndaj martirve dhe të zhdukurve.! Dhembja do të jetë më e forte se konvulsioni periodic  në ditën e përkujtimit të martirve por do të jetë një dhembje që na ndan forte. Shqiptarët që besuan tek vlerat e lirisë,  dhe ata që kan paturpësinë të mbrojnë kriminelët  dhe krimet e komunizmit, duke i glorifikuar  apo përdorur  me metoda  moderne  duke i relativizuar. Atë ditë që martirët do të fitonin drejtsinë , Shqipëria ka fituar lirine dhe paqen! Harresa rivret çdo ditë martirët.

Dr. Besim NDREGJONI

Filed Under: Opinion Tagged With: Besim Ndregjoni, diktatura, politika shqiptare

Dita Europiane e kujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit — 23 Gusht, 2021

August 23, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli  



Çdo vit 23 Gushti shënon Ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të stalinizmit, komunizmit dhe nazizmit. Anë e mbanë Evropës, 23 gushti kujtohet si një ditë simbolike kundër totalitarizmit, ekstremizmit, mos tolerancës dhe shtypjeve – një ditë ndërkombëtare e përcaktuar si e tillë nga Parlamenti Evropian, më 2008/2009, me qëllim që në këtë ditë të kujtohen viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, “me dinjitet dhe pa dallime”, ndaj të gjithëve.

Siç dihet, kjo datë është zgjedhur për arsye historike, pasi përkon me datën e nënshkrimit të Paktit të mos-agresionit – të quajtur Molotov-Ribbentrop, të vitit 1939 – midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste — marrëveshje kjo e cila përmbante edhe një protokoll për ndarjen, në sfera influence midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë, të disa vendeve evropiane:Rumanisë, Polonisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Finlandës. Ky traktat famëkeq midis dy ideologjive — asaj komuniste dhe asaj naziste të shekullit të kaluar — është cilësuar nga ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek si “bashkëpunimi midis dy formave më të këqija të totalitarizmit, që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit.”

Dita Evropiane për Kujtimin e Viktimave të stalinizmit dhe nazizmit, e njohur gjithashtu në disa vende edhe si “Dita e Shiritit të zi”, (Ditë Zije) shënohet nga të gjitha entet e Bashkimit Evropian anë e mbanë Evropës, përfshirë vendet ish-komuniste, me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës, të pakën deri tani. Këtë ditë e nderojnë dhe e kujtojnë edhe disa vende që nuk kanë përjetuar as komunizmin, as nazizmin, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja. Më 21 maj të 2014-s, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezolutën në mbështetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste me qëllim, “Për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, theksohej në atë kohë, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit. Vitet e fundit, është bërë zakon që në këtë ditë, përveç enteve politike të Bashkimit Evropian, Shtëpia e Bardhë, pa marrë parasyshë se kush është president, të lëshojë gjithashtu një deklaratë të veçantë në kujtim të Ditës Ndërkombëtare kushtuar viktimave të komunizmit dhe nazizmit.

Në vigjiljen e ditës ndërkombëtare të kujtesës së viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, me 23 Gusht, 2021, Zëvendës Kryetarja për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jourava dhe Komisioneri për Drejtësi Didier Reynders të Komisionit Evropian, lëshuan kët deklaratë, në kujtesë të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, duke kujtuar se, “Më shumë se 80- vjetë më parë, me 23 Gusht, 1939 është nënshkruar Pakti Molotov-Ribbentrop midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, pak para se të shpërthente Lufta e dytë Botërore. Për shuma veta, kjo ditë famëkeqe shënoi fillimin e një cikli pushtimesh e dhune”, thuhet në deklaratën e dy udhëheqësve të lartë evropianë, ndërsa thekësojnë në emër të institucioneve evropiane se, “Në këtë ditë ne kujtojmë me respekt të gjithë ata që kanë renë viktima te regjimeve totalitare në Evropë si dhe të gjithë ata që luftuan kundër atyre regjimeve. Ne kujtojmë vuajtjet e të gjitha viktimave të këtyre regjimeve dhe familjeve të tyre, ndërsa në të njëjtën kohë, jemi të vetdijshëm për pasojat e përhershme të përvojave të tmerrshme që këto regjime totalitare kanë lënë në brezat e evropianëve që pasuan,” këto regjime.

Me kët rast, në deklaratën evropiane, bëhet thirrje që “Të gjithë të punojmë se bashku, ashtuqë që e kaluara të na bejë të gjithëve më të fortë për një të ardhme të përbashkët — dhe jo përçarse.”

Deklarata e evropiane me rastin e “Ditës Evropiane në kujtesë të viktimave të komunizmit dhe nazizmit”, porosit se, “Liria nga totalitarizmi dhe autoritarizmi nuk mund të nënvlerësohet. Liria është diçka që duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë çdo ditë. Liria është thelbi i zemrës së idealit evropian. Së bashku me zbatimin e ligjit dhe demokracinë, kjo liri është thelbi i Traktave Evropiane që të gjithë ne kemi nënshkruar. Është e domosdoshme që ne të vazhdojmë të jemi të bashkuar rreth këtyre vlerave të përbashkëta evropiane”, përfundon deklarata e Kryetares së Komisionit Evropian për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jourava dhe Komisionerit për Drejtësi, Didier Reynders.

Siç theksohet edhe në deklaratën e këtij viti të (BE)me rastin e Ditës së Kujtesës së viktimave të komunizmit dhe nazizmit, shënimi i Ditës së Kujtesës në Evropë ka për qëllim që, brez pas brezi, të ruhet kujtimi i miliona viktimave të komunizmit dhe nazizmit, si rrjedhim i deportimeve në masë, vrasjeve dhe zhdukjeve pa shenjë, viktimave të kampeve të punës dhe kampeve përqendrimit të këtyre regjimeve – ndërkohë që të njëjtën ditë të promovohen gjithashtu edhe vlerat demokratike, në shërbim të paqës dhe stabilitetit në kontinentin evropiannë terësi por edhe në vendet individuale të kontinentit të vjetër.

Fatkeqësisht, Shqipëria dhe Kosova deri tani — zyrtarisht — siç duket nuk e kanë gjetur ende vullnetin politik, forcën morale as dinjitetin kombëtar e njerëzor për tu bërë pjesë e Evropës në këtë ditë dhe data të tjera të kujtimit të viktimave të komunizmit – për të treguar dinjitetin dhe respektin ndaj viktimave të totalitarizmit në përgjithësi e atyre të komunizmit në veçanti, megjithëse politikanët e të gjitha ngjyrave dhe të partive kryesore politike shqiptare të këtyre 30-viteve post-komunizëm – bërtasin me të madhe, në përpjekje për të na bindur se ata i ndajnë vlerat e tyre me botën perëndimore. Fatkeqsisht, duket se Shqiptarët, zyrtarisht, në këtë ditë, nuk duan të jenë pjesë e Evropës – pasi deri më sot kanë treguar se nuk kanë asgjë të bëjnë me pjesën tjetër të Evropës sa i përket kujtimit të viltimave të komunizmit, as me një Evropë e cila çdo vit, me 23 gusht kujton dhe nderon viktimat e komunizmit dhe të nazizmit, të gjallë e të vdekur, ata burra dhe ato gra të guximshme shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët me qëndrimet e tyre kundër diktaturës komuniste sllavo-aziatike anë e mbanë trojeve shqiptare mbrojtën vlerat e përbashkëta të njerëzimit, në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit të tyre njerëzor dhe kombëtar.

Komunizmi dhe nazizmi kishin një kauzë të përbashkët krimesh kundër njerëzimit, duke ushtruar gjatë ekzistencës sëtyre një terror të pa parë në historinë e njerëzimit.  Prandaj objektivi përfundimtar pan-evropian për shënimin e kësaj dite të Kujtesës një herë në vit, është që këto krime të mos qiten kurrë në harresë, me qëllim që të mos përsëriten më në historinë e njerëzimit. Në deklaratën e Parlamentit Evropian të miratuar në shtator të vitit 2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, thuhet se, “në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit.”

Mungesa gjatë viteve e kujtimit zyrtar të Ditës Evropiane të kujtesës së viktimave të totalitarizmit, sidomos, nga Tirana zyrtare, tregon edhe njëherë se politika shqiptare, fatkeqësisht, madje pas 30 vjetë “post-komunizëm”, refuzon të shkëputet krejtësisht nga e kaluara e saj totalitare-komuniste. Përkundrazi, me paturpësinë më të madhe, në kundërshtim me të gjitha vlerat shqiptare dhe evropiane, klasa politkme zyrtare shqiptare përpiqet, me fjalë dhe me vepra, të ruaj e të mbrojë atë trashëgimi të hidhur dhe histori totalitarizmi kriminal për qëllime të veta të ngushta politike dhe ekonomike, në kurriz të një populli shumë të vuajtur, brezi i sotëm i të cilit vazhdon të vuaj gjithnjë pasojat e atij regjimi krimnal. Fati i keq për shqiptarët është se duket se kjo klasë politike, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit – me fjalë dhe me veprat e saj — nuk është përcaktuar ende se cilën rrugë do të ndjekë në të ardhmen: Rrugën e vlerave dhe të drejtave bazë universale të njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e një regjimi autoritar, të përcaktuar gjysmë shekulli më parë nga një ish-diktator dhe regjimit të tij, pasojat e rënda të të cilit shihen ende anë e mbanë vendit edhe sot 30 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit. 

Në këtë ditë të Kujtesës së Viktimave të totalitarizmit, një pyetje për Tiranën zyrtare dhe për mbarë klasën aktuale politike shqiptare, në përgjithësi, anë e mbanë trojeve shqiptare —  ashtu siç theksohet edhe në deklaratën evropiane me këtë rast: A jeni të vetdijshëm për pasojat e përvojave të tmershme që kanë pësuar e pësojnë ende, jo vetëm viktimat shqiptare dhe familjet e tyre nga ish-regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, por edhe brezi i tanishëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve. Dhe çfarë po bëni ju, që duke filluar nga sot, sipas frymës së kësaj deklarate evropiane të 23 Gushtit, 2021, “të punoni së bashku, ashtuqë e kaluara të na bëjë të gjithëve më të fortë për një të ardhme të përbashkët dhe jo përçarse”!?

Frank Shkreli

Filed Under: Featured Tagged With: Antikomunistet, Dita Europiane e kujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, Frank shkreli

Poezia e së dielës

August 22, 2021 by s p


Përktheu: Eda ZHITI


E gjeta a më gjeti? Di që duhet si një emocion i bukur, si urim për javën që vjen, si një porosi që na ndihmon…Këtë të diel më erdhi poezia nga:

FERNANDO PESSOA

Mbeten tre gjëra

Nga gjithçka mbeten tre gjëra:

siguriaqë jemi përherë duke filluar,

siguria

që na duhet të vazhdojmë,

siguria

që do të ndërpritemi para se të përfundojmë.

Prandaj duhet të bëjmë:

nga ndërprerja një ecje të re,

nga rënianjë hap vallëzimi,

nga frika një shkallë,

nga ëndrranjë urë,

nga e duhura -një takim.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eda Zhiti, Letersi, Poezia e së dielës

KAOS NË KABUL, FUNDI MË I KEQ

August 22, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

            Që tërheqja nga Afganistani do t’ishte njëdështim i lajmëruar ishte e qartë që kur Donald Trump-i e vendosi vetë duke shtyrë pastaj sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, t’u jepte talebanëve patentën e bashkëbiseduesve të besueshëm. Presidenti republican gënjehej se mund të binte perdja mbi konfliktin me goditje tweet-esh, duke ruajtur miratimin e brëndshëm e duke mos mbajtur parasysh qortimin ndërkombëtar. Pasuesi i tij demokrat, i bindur dhe ai prej 12 vitesh për dështimin e një lufte të cilën e kishte votuar ai vetë më 2001, ka ripohuar zgjedhjen e Trump-it, edhe se i vetëdijshëm për çmimin e lartë të lëshimit ndaj talebanëve. Joe Biden, presidenti me tipare atërore, simpatinë u a ruan mbi të gjitha bashkëqytetarëve të tij: mbi Afganistanin ka zgjedhur, e jo që sot, një cinizëm prej America First.

            Më 2009, sapo u bë zëvendës i Obamës, i tha të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë n’Azinë Qëndrore, Richard Holbrooke, që Amerika duhej t’ikte nga Afganistani, pa u kushtëzuar nga lidhje njerëzore e nga të drejtat e grave. Simbas ditareve të diplomatit të ndjerë, as edhe fantazmae një tërheqjeje kaotike si ajo e vitit 1975 nga Saigoni e frikësonte shumë Biden-in, i bindur se Nixoni e Kissingeri kishin bërë një zgjedhje të drejtë e të guximëshme, edhe se të dhimbëshme.

            Por mënyra në të cilën kriza u rrokullis në pak orë – qeveria Ghani në ikje, avullimi i në ushtrie afgane të ndërtuar e të stërvitur në njëzet vite nga SHBA me një investim prej 83 miliard dollarësh, pamjet e civilëve që i kacavirren aeroplanëve ushtarakë amerikanë dhe bien në zbrazësirë – hap skenare shumë më dramatike se se ato që ishin vënë në llogari nga presidenti demokrat kur, 6 prillin e shkuar, urdhëroi tërheqjen e përgjithëshme në kohë të shkurtëra, duke mos pranuar kërkesën e drejtuesve ushtarakë për një zbrapsje më të shkallëzuar, duke biseduar sërish kushtet me talebanët.

            Alergjik ndaj shtyrjeve të Pentagonit, Biden-i ishte megjithatë i bindur se tërheqja mund të vinte në një mënyrë më të rregulltë. Por hija  e  Saigonit u lëndësua një herë tjetër, 46 vite më pas: një dështim politik, ushtarak e i spiunazhit amerikan me analistët që sot ndahen ndërmjet atyre që quajnë më të rënda rreziqet e kthimit të një terrorizmi skajor xhihadist që pushton një territor në të cilin krijohet një emirat islamik e atyre që gjykojnë më tërëndë humbjen e besueshmërisësë Shteteve të Bashkuara e të gjithë Perëndimit: hapet një zbrazësirë që mund të shfrytëzohet nga Irani, nga Rusia e nga Kina. Me Pekinin që sheh në tërheqjen kaotike të këtyre orëve një ripohim të tezës së tij: rënien e pakthyeshme amerikane, një kusht që mund të shtynte regjimin kinez të futej në ndonjë aventurë të rrezikshme. Ndoshta në të tjera fusha si ajo e Taivanit.

            Asgjë nuk është e sigurtë: brezi i ri i talebanëve, edhe duke mbajtur një qëndrimskajor përbrënda, mund të tregohet më i matur jashtë kufijve për të shmangur konflikte të rinj, e jo vetëm me SHBA. Të përfytyrohet një rikthim në lojën e madhe të ndërtuar nga fuqi të ndryshme për më shumë se një shekull përqark Afganistanit rrezikohet vetëm të jetëvetëm një frymëzim historik që nuk mban parasysh realitetet e reja: Kina për shembull, do të jetë e interesuar të mbushë zbrazësirën e lënë nga amerikanët, por si një Vend që shtyp në mënyrë mizore pakicën myslimane të ujgurëve, vështirë se do të jetë e lumtur të ketë një shtet islamik skajor në kufijtë perëndimorë.

            Dështimi i vërtetëështë mënyra në të cilën njëzet vite pune – më parë për të ndërtuar një digë kundër terrorizmit, më pas me synimin për të eksportuar demokracinë e për të siguruar respektin e të drejtave të grave – janë zhdukur në pak orë. Dalin copa copa shërbimet e fshehta që, edhe se të vetëdijshëm për dobësinë e qeverisë afgane, kishin përjashtuar mundësinëe një shëmbjeje tësaj para 18 muajsh. Në një epokë kur Amerika nuk dërgon më ushtarë nëpër botë dhe ushtron mbikqyrjen  e saj nëpërmjet besimit tek teknologjia e dronëve, përgjimeve telefonike dhe algoritmeve, inteligjenca është mjeti kryesor i mbrojtjes: ky dështim është pra rrënqethës. Por ka edhe më: një lloj vështrimi vetëparaqitës i botës në të cilin të gjithë – politikanë, diplomatë, ushtarakë – duket se kanë kryertë njëjtat gabime vlerësimi.

            Rënia e Kabulit është një goditje vdekjeprurëse për besueshmërinë ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara: një ngjarje nga e cila edhe Biden-i del me kryqe të thyera, në mos për tjetër sepse vetëm pesë javë më parë kishte përqeshur me tone të pakundërshtueshëm gazetarët që e pyesnin mbi tërheqjen kaotike n’atë që, e riparë sot, duket si një nga konferencat e shtypit më të sikletëshme që janë mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. I zgjedhur si president nga amerikanët edhe për përvojën e tij të gjatë ndërkombëtare, Biden-i po jeton një çast të vështirë, por nuk është e thënë që do të humbasë besimin e amerikanëve: duke u bazuar mbi hulumtimet, shumica bashkëndan zgjedhjen e braktisjes së Afganistanit e nuk është shumë e shqetësuar për fatin e atij populli. Nëse nuk do të ketë një ashpërsim të terrorizmit (ose nëse SHBA nuk do të jenë shënjestra kryesore e xhihadizmit) presidenti, me të kaluar stuhia, mund të kërkojë meritën e mbylljes së luftës më të gjatë të historisë amerikane, një pushtim i zgjatur më shumë se ai britanik në Tetëqindin, dyfishi i atij sovjetik në vitet Tetëdhjetë.

            Në një gjë Biden-i ka të drejtë: nëse nuk mësohen t’a bëjnë vetë, afganët nuk mund të mëtojnë që të jenë fuqi të huaja t’i mbrojnë pafund nga skajshmëria islamike. Nuk është për t’u përjashtuar që xhihadistët, kompaktë në luftën kundër bashkëkohësisë perëndimore, mbasi të kenë përzënë të huajin të ndahen ndërmjet betejave teologjike e kundërshtive fisnore. Qoftë edhe me ndërhyrjet e të tjera fuqive rajonale, të tmerruara nga lindja e një kalifati sunit skajor. Për tani vetëm hamëndje e skenarë gjeostrategjikë me rrugëdalje të paparashikueshme.

            “Corriere della Sera”, 17 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Afganistan, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

Zgjedhjet lokale të Tetorit, një mundësi e re për reformimin e Kosovës

August 22, 2021 by s p

Nga Skënder MULLIQI 

 Shefat e politikës së vjetër , edhe pse të korruptuar nuk po i fshehin apetitet për tu kthyer në pushtet.Ata po i ndërrojnë maskat në paraqitjët e tyre publike , për të ardhur deri të synimi i dëshiruar. Paraqitjët e tyre kan  mundësi më të shitën në opinionin e gjerë publik.Aq shumë gabime kan bërë për 20 vite sa nuk ka  gjë që i lanë mëkatët e tyre.  I ka kaluar koha pendrekut  të tipit diktatorial mbi shpinën e krrusur të popullit.Mjaftë gjatë e kan  prishur disponimin e qytetarëve me punë  të mbrapshta të tyre. Mjaftë na mbajtën fjalime si të ishim në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar!U sollën dhe vepruan në mënyrë patologjike karshi demokracisë. E ërrësuan edhe botën  e informacionit më rrena dhe manipulime të vazhdueshme. Politika e vjetër do të duhej të përmbyset përfundimisht më zgjdhjet lokale të vjeshtës. PDK dhe LDK  më zgjedhjet e tetorit plebishitare do të margjinilizohen edhe më shumë mendojë unë, sepse njerëzit e korruptuar nuk i duhen Kosovës. Ata janë bërë pengesë e madhe e ecjës tonë përpara. Janë bërë pengesë e inkuadrimit në Evropën e Bashkuar, si synim i përhershëm i shqiptarëve. Ka humbur besimi në strukturat e këtyre subjekteve të pa reformuara apo shumë pak të reformuara politike .Sigurisht së nuk do të votohen më njerëzit e politikës në të cilët është humbur besimi. Nuk do të ishte normale që të ndodhë rikthimi i poltikave të sëmuara.Ata shumë rrejtën për para dhe për pushtet. Njerëzit më komplekse nga e kaluara komuniste duhet të skajohen nga politikëbërja tash, e jo më vonë. Zgjedhjet nuk janë ndeshje futbolli, ku luhet për ti argëtuar shikuesit në tribuna të stadiumit, dhe për ti argëtuar  shikuesit pranë ekraneve televizive.Ka përfundur koha kur vota është qitur mbi bazat e simpative dhe  të parave. Qytetarët kan për kënd të votojnë.Të votojnë për forcat përparimtare politike .Gabojmë rëndë nese mendojmë ti përmirësojmë politikanët e vjetër. Për këtë gjë mendojë së shumica janë të vetëdijshem. Votat tuaja për ndryshime edhe në zgjedhjet lokale , janë margaritarë i qmuar për Kosovën dhe qytetarët e saj të lodhur nga jeta e keqe.Dalja masovike në zgjedhje është e drejtë qytetare. Të votohen njerëzit e besueshem. Mos  votoni për ata që mendoni  së janë e keqja më e vogël, së nga ata nuk do të dalë asgjë e mirë. Nga e keqja më e vogël historia na mëson , së do të ndodhë e keqja e madhe e radhës. Mendoni në mënyrë të përgjegjshme dhe në mënyrë racionale, së bëhët fjalë për të ardhmën e shtetit të Kosovës. Pas gabimit në votime, pendesa është e vonshme !Nuk është herët  të flasim për këto gjera, së ka mbetur edhe një muaj e gjysëm deri të zgjedhjet locale të tetorit. Mendoni për të ardhmën tuaj,  mendoni për të ardhmën e Kosovës  …! 

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Skender Mulliqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2879
  • 2880
  • 2881
  • 2882
  • 2883
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT