• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Afganistani, ku është gabuar?

August 17, 2021 by s p

Nga Dritan Demiraj PhD/

Ndërkohë që Kabuli ra krejtësisht nën kontrollin e Talebanëve, presidenti i vendit Ashraf Ghani u largua në Taxhikistan së bashku me zv/presidentin Amrullah Saleh dhe 30 milionë dollarë kesh, kaosi ka mbërthyer gjithë vendit, një krizë e madhe ekonomike, sigurie dhe refugjatësh duket se sapo ka filluar dhe zgjidhja duket e pamundur. Por si erdhëm në këtë situatë, kush është i interesuar për këtë situatë dhe cilat janë interesat dhe konseguencat e vendeve fqinje me Afganistanin? Qeveria afgane e përkrahur nga SHBA-të, ka qenë në pushtet në Afganistan prej pushtimit amerikan në dimrin e vitit 2001. Që nga ajo kohë, Talebanët kanë fituar kontroll të madh në disa pjesë të vendit dhe sipas marrëveshjes së nënshkruar mes SHBA-ve dhe Talebanëve në Doha në muajin shkurt 2020, të gjitha forcat e huaja duhet të largoheshin nga Afganistani deri në fund të muajit maj të vitit 2021, në këmbim të garancisë për siguri nga ana e grupit të Talebanëve. Këto negociata u urdhëruan nga ish Presidenti amerikan Donald J. Trump, i cili që në mesin e vitit 2020 kishte kërkuar që të përshpejtohej procesi i tërheqjes së trupave amerikane, duke deklaruar se dëshironte që ata të ktheheshin në shtëpi për festat e Krishtlindjeve.Ky konflikt në Afganistan gjatë dy dekadave ka krijuar rivalitet në marëdhëniet midis SHBA-ve dhe Iranit, Pakistanit dhe Indisë. Armiqësia e Iranit ndaj SHBA-ve ka shërbyer si një katalizator për Iranin për të bërë një lojë të dyfishtë në Afganistan. Irani fillimisht mbështeti ndërhyrjen ushtarake të SHBA-ve kundër Talebanëve dhe luaji një rol të rëndësishëm në krijimin e qeverisë së parë të Afganistanit, por njëkohësisht më pas në mënyrë të fshehtë vazhdoi mbështetjen e Talebanëve afganë gjatë viteve pasuese kundër misionit të ISAF-it.Irani ndodhet në perëndim të Afganistanit, ndan me të 901 km vijë kufitare dhe ka lidhje të rëndësishme fetare, kulturore me popullin e tij. Pas rënies së regjimit të Talebanëve, qeveria e Afganistanit e ka cilësuar Iranin si: “Vëllezër dhe partnerë që na kanë ndihmuar shumë”. Të dyja vendet kanë njohur rritje të bashkëpunimit ekonomik nga fundi i vitit 2001, duke e bërë Iranin eksportuesin e dytë më të madh në vend pas Pakistanit. Por marëveshjet bilaterale për sigurinë midis Afganistanit dhe SHBA-ve janë kundërshtuar me forcë nga Irani, pasi prania e trupave amerikane dhe të NATO-s në “oborrin” e tyre konsiderohej e papranueshme. Në mënyrë të vazhdueshme Irani ka bërë thirrje për largimin e amerikanëve nga Afganistani.Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, e cila rrëzoi regjimin 26 vjeçar të Shah Pahlavit shënoi përfundimin e marëveshje së CENTO-s. Pas krizës së ambasadës amerikane dhe deri në ditët e sotme midis Iranit dhe SHBA-ve ekziston një konflikt i gjatë. Revolucioni Islamik qetësoi marëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Sovjetik, megjithëse pushtimi i Afganistanit në vitin 1979 nga ana e Bashkimit Sovjetik shikohej si një kërcënim për Iranin. Gjatë këtij konflikti, Irani nuk ishte shumë aktiv në lidhje me mbështetjen e muxhahedinëve nga SHBA-të, Arabia Saudite dhe Pakistani. Kjo për shkak edhe të përplasjeve si pasojë e pushtimit të Iranit nga Iraku gjatë konfliktit 1980-1988 dhe mbështetjes së SHBA-ve për Sadam Hysein-in.Pas tërheqjes së Sovjetikëve nga Afganistani në vitin 1989, Irani filloi të angazhohej më shumë në rajon, duke vazhduar të mbështesë me mjete financiare dhe armatime aleatët e saj të Aleancës së Veriut, të cilët kishin lidhje fetare dhe të vjetra me Iranin. Ata u mbështetën në vitet 1992-2001 nëpërmjet njësive të forcave speciale al-Quds nën drejtimin e gjeneral brigade Qasim Sulejmanit. Irani e zgjeroi përfshirjen dhe mbështetjen e komunitetit Shia Hazara në Afganistan dhe të grupeve muxhahedine që përfaqësonin ata.Në vitin 1994 u shpall lëvizja e Talebanëve dhe shumica e vendit ra nën kontrollin e tyre. Në këtë moment Irani filloi mbështetjen e Aleancës së Veriut, e cila drejtohej nga gjenerali i famshën afgan me origjinë nga Taxhike Ahmad Shah Masoud. Kjo do të përbënte, bërthamën më të fortë të rezistencës anti-talebane nga viti 2006-2001. Pakistani me ndihmën e parave të Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe ndihmoi në krijimin e Talebanëve Afganë, duke bërë që të tre këto vende të sfidonin influencën Shia të Iranit në Azinë juglindore. Në kohën kur Talebanët vranë tetë diplomatë dhe një gazetar iranian në qytetin verior të Mazar-e-Sharif-it në vitin 1998, ushtria e Iranit dislokoi rreth 120.000 trupa në kufirin me Heratin, e gatshme për të pushtuar Afganistani. Irani e përshëndeti pushtimin e Afganistanit nga SHBA-të, pasi ky pushtim ndryshoi balancën e fuqisë në interes të Iranit. Pas rrëzimit të regjimit të Talebanëve, Irani-India-Rusia filluan të bashkëpunojnë me qëllim krijimin e një qeverie të re në Afganistan. Influenca e Iranit tek Aleanca e Veriut ishte shumë e rëndësishme për krijimin e qeverisë së Hamid Karzait. Presioni diplomatik i Iranit gjatë bisedimeve të paqes për krijimin e qeverisë i zhvilluar në Bonn të Gjermanisë, bëri që të arrihej një marëveshje për ndarjen e pushtetit në Afganistan. Qeveria e re i ofroi shumë pozicione ministrash Aleancës së Veriut dhe me këtë rast duke rritur influencën e Iranit në të ardhmen e Afganistanit.Për të forcuar ndikimin e tij, Irani përdori fuqinë e butë me qëllim ruajtjen e influencës në Afganistan, duke kundërshtuar në mënyrë të fshehtë SHBA-të dhe Talebanët gjatë gjithë kohës. Një nga mjetet e vazhdueshme që Irani ka përdorur në Afganistan, ka qënë fuqia e butë nëpërmjet përdorimit të mediave, duke harxhuar rreth 100 milionë dollarë në projekte civile, media sociale dhe ndërtimin e shkollave Shia. Në vitin 2002-2003, Irani dhuroi 570 milionë dollarë dhe rreth 100 milionë dollarë të tjera në vitin 2006 për procesin e rindërtimit të Afganistanit, shumica e të cilave u bënë realitet. Gjatë viteve 2012-2013, sasia e tregtisë midis dy vendeve i kalonte 2 miliardë dollarë, duke e pozicionuar Iranin në rreth 35-40 për qind të sasisë së përgjithshme të tregtisë që Afganistani realizonte me vendet e tjera.Si Irani dhe SHBA-të ndajnë disa qëndrime të njëjta rreth Afganistanit. Të dy vendet dëshirojnë një qeveri të qëndrueshme me qëllim që të parandalojë kthimin e qeverisë së Talebanëve dhe të al-Qaedës në pushtet. Marëdhëniet e tyre u përkeqësuan shumë kur presidenti Bush iu referua Iranit në vitin 2002 si “Boshti i së keqes” dhe në vitin 2003 kur u zbulua se Irani po ndërtonte fabrika për energji nukleare dhe përdorim ushtarak.Në kohën kur qeveria e Afganistanit firmosi një marëveshje strategjike me SHBA-të në vitin 2005, Irani kërkoi nga qeveria e Afganistanit që të firmosnin një marëveshje ku të theksohej se SHBA-të nuk do të përdornin territorin e tyre për të realizuan operacione ushtarake kundër Iranit. Por SHBA-të i ushtruan presion Afganistanit që të mos e firmosnin një marëveshje të tillë.Marëdhëniet e Iranit me SHBA-të u acaruan shumë gjatë presidencës së Donald J. Trump-it. Kjo fillimisht pas largimit të njëanshëm të SHBA-ve nga marëveshja bërthamore JCPOA (midis SHBA, Rusisë, Kinës, Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë me Iranin) në vitin 2018. Kjo për shkak edhe të retorikave të vazhdueshme të SHBA-ve kundër Iranit, sanksioneve të shumta ekonomike, presionit të madh diplomatik, por sidomos pas vrasjes në datën 3 janar 2020 të gjeneral leitnant Qasem Suleimanit në Irak bashkë me Abu Mahdi al-Muhandis dhe të vrasjes së gjeneral brigade Mohsen Fakhrizadeh në datën 27 nëntor 2020 në Absard të Teheranit. Kjo klimë e tensionuar, ndikoi në marëdhëniet midis Iranit dhe Afganistanit pas firmosjes së marëveshjes bilaterale ushtarake Afganistan-SHBA. Sipas Iranit, përpjekjet e ushtrisë amerikane dhe të aleatëve të tyre nga viti 2001-2021 kanë dështuar që të normalizojnë situatën e sigurisë në Afganistan. Sipas tyre, Talebanët dhe al-Qaeda kanë qënë të suksesshëm që të kenë nën kontrollin e tyre shumicën e territorit të Afganistanit dhe është e panevojshme që ata të vazhdojnë të qëndrojnë në këtë rajon. Dokumentat e deklasifikuara të kapura gjatë operacionit për kapjen/vrasjen e bin Ladenit në kompleksin e Abbottabad-it në Pakistan përfshinin një raport që përbëhej nga 19 faqe të një zyrtari të lartë të al-Qaedës në Afganistan. Në dokument deklarohej se operativi i al-Qaedës Abu Hafs al-Mauritani kishte negociuar një marrëveshje që disa operativë të al-Qaedës të strehoheshin në Iran pas rënies së qeverisë së Talebanëve në Afganistan, pas sulmeve në SHBA-ve në muajin tetor-nëntor 2001. 📌Menjëherë lind pyetja se si mundet që iranianët shia të kenë mbështetur salafistët ose wahabistët të cilët sulmuan Amerikën!! Është fakt i njohur se një numër i madh i udhëheqësve të al-Qaedës u larguan në Iran në vitin 2001 pas rënies së qeverisë së Talebanëve në Afganistan. Këtu përfshiheshin një numër i madh i familjes së bin Laden-it dhe disa nga figurave më të larta të al-Qaedës. Regjimi iranian, përmes forcave speciale al-Quds të IRGC-së, i mbronte dhe monitoronte anëtarët kryesorë të al-Qaedës në vende të sigurta, me qëllim që ata të vazhdonin operacionet e tyre terroriste dhe të shmangnin arrestimin nga autoritetet ndërkombëtare.Një nga ngjarjet më të rëndësishme sa i përket marëdhënieve midis Iranit dhe Talebanëve është vizita e delegacionit të Talebanëve, me kërkesë së qeverisë së Iranit në Teheran në muajin qershor 2013. Pas këtij takimi, janë zhvilluar edhe disa takime të tjera me Iranin. Qëllimi i këtyre takimeve ishte normalizimi i marëdhënieve midis Talebanëve dhe Iranit. Gjatë këtyre takimeve, Teherani ka shfaqur shqetësimin rreth popullsisë Hazara në Afganistan, ndërkohë që Talebanët i kërkuan Iranit që të mos mbështesnin më kundërshtarët e tyre pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani. Afganistani ndodhet në një rajon sensitiv gjeopolitik. Kjo ka bërë që disa nga fuqitë më të mëdha të botës të zhvillojnë bashkëpunim në nivel të ndryshëm që të mbrojnë interesat e tyre në Afganistan, por edhe më gjërë në rajon. Irani, India dhe Rusia kanë qënë mbështetësit më të mëdhenj të Aleancës së Veriut kundër Talebanëve gjatë viteve 1990. Duhet theksuar se të tre këto shtete kanë meritë në stabilizimin e Afganistanit, duke mos mbështetur ardhjen e Talebanëve në pushtet. Por në të njëjtën kohë, ata mbështetën edhe procesin e bisedimeve për arritjen e një marëveshje për mos përdorimin e dhunës, pranimin e Kushtetutës së Afganistanit dhe shkëputjen një herë e përgjithmonë nga al-Qaeda dhe grupet e tjera terroriste në rajon.Irani dëshiron që Afganistani të jetë një shtet ku të gjithë grupet etnike të jetojnë në paqe, por kjo është shumë e vështirë të realizohet tani që Talebanët po marrin pushtetin. Këtë e kundështon edhe Rusia, pasi ata ardhjen në pushtet të Talebanëve e shikojnë si një mundësi për frymëzimin e grupeve militante, si psh: në krahinën e tyre të Dagestanit, Ingushetisë dhe Çeçenisë. Në të njëjtën kohë, India është e shqetësuar se ardhja e Talebanëve në pushtet mund të krijojë efekte serioze sa i përket stabilitetit në provincat kufitare të Jammu-së dhe Kashmir-it, ku operojnë nën mbështetjen e Pakistanit shumë grupe terroriste.Për këtë qëllim, Irani dhe India kanë realizuar shumë projekte të qëndrueshme me regjimin aktual në Afganistan. Një nga këto shembuj është edhe ndërtimi në vitin 2009 i autostradës 217 km të gjatë në Chabahar-Zaranj-Delaram. India e ndërtoi këtë rrugë, me qëllim që të lidhte Afganistanin me portin e Chabahar-it në Iran. Kjo autostradë u ndërtua me asistencën e Indisë, për të krijuar një rrugë alternative për tregti nga Afganistani me qëllim që të anashkalohej Pakistani. Prodhimet Indiane shkojnë në Afganistan nga Azia Qëndrore përmes Iranit, pasi Pakistani nuk i lejon prodhimet Indiane të kalojnë përmes territorit të tyre. Tregtia aktive midis Iranit, Kinës dhe Afganistanit ka qënë e suksesshme, pasi sejcili nga këto vende e shikon njëri tjetrin si aleat potencial në mbajtjen e balancës së gjeostrategjisë kundër SHBA-ve. Megjithatë ka dhe kundërshtime midis këtyre katër shteteve. Kina frikësohet se Afganistani mund të përdoret si bazë operacionale për separatistët e krahinës së Ujgurëve në perëndim të rajonit të Xinjiang-ut. Për këtë arsye, nuk e ka kundërshtuar shumë prezencën e trupave ushtarake dhe të NATO-s në Afganistan me të njëjtën forcë siç e ka kundështuar Irani. Rajoni i Xinjiang-ut ndodhet në kufi me Afganistanin, ndërkohë që Kina prej kohësh ka akuzuar geupet ekstremiste nga vendet fqinje si Uzbekistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Afganistani për mbështetjen e separatistëve Ujgurë në këtë rajon. Kina i ka ofruar disa herë Afganistanit bashkëpunim që të luftojnë së bashku “grupet terroriste” në vendin e tyre.India në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur misionin ndërkombëtar ushtarak të SHBA-ve dhe të NATO-s në Afganistan. Një nga objektivat kryesore të Indisë në Afganistan është parandalimi i dominimit të Pakistanit në këtë vend, ndërkohë që Irani e ka kundështuar marëveshjen bilaterale të sigurisë midis SHBA-ve dhe Afganistanit (BSA).Edhe Rusia nuk ndihet e qetë, me rastin e prezencës së trupave të dislokuara në afërsi të kufirit të saj, pasi e parandien rrezikun e përhapjes së trafikut të drogës dhe të fuqizimit të grupeve terroriste në afërsi të kufijve të saj. Për këtë qëllim, Rusia ka dislokuar disa kontigjenteve të saj ushtarake me forca speciale dhe aviacion dhe këto ditë po zhvillon stërvitje antiterrori përgjatë kufirit Taxhikistan-Afganistan, me qëllim ndalimin e trafikut të drogës dhe të akteve terroriste. Rusia në mënyrë të prerë, nuk lejon influencën e huaj në Kaukaz dhe në Azinë Qëndrore, pasi këto rajone kanë një influencë të madhe në çështjet e sigurisë së brëndshme të Rusisë, por edhe të rajonit në përgjithësi.

Filed Under: Analiza, Politike Tagged With: Afganistani, Dritan demiraj, Kriza e Kabulit

Në aeroportin e Kabulit luhet akti i fundit i një tragjedie të paralajmëruar

August 17, 2021 by s p

Nga Agron Gjekmarkaj/

Pamjet që mbërrijnë nga Afganistani po çmerisin gjithë botën, ku e ku më shumë atë pjesë që beson te demokracia dhe te të drejtat e njeriut. Talebanët me mjekrat e tyre të kreshpëruara, të cilat i kruajnë e fërkojnë shpesh, u rikthyen triumfatorë pas 20 vitesh iluzione, gjaku të derdhur, përpjekjesh për pluralizëm e demokraci, 754 miliardë dollarë të investuar vetëm SHBA kosto në Afganistan, pa llogaritur vendet e tjera anëtare të NATO-s, dhe një Reforme në Drejtësi, e cila po zëvendësohet nga sheriati.Gjithçka përfundoi në asgjë dhe gjaku i derdhur në emër të Zotit e vullnetit të tij s’do ketë të ndalur. Në aeroportin e Kabulit luhet akti i fundit i një tragjedie të paralajmëruar. Mijëra njerëz duan të ikin për t’i shpëtuar regjimit taliban në skena që tejkalojnë çdo imagjinatë.Në kryeqytet lyhen me bojë reklamat me koka grash të zbuluara dhe pesëfishohet çmimi i burkave. Britmat e personave të dëshpëruar që kapen në shkallë e rrota avionësh për të gjetur vdekjen në rënie të lirë në një qiell pa horizont do të rrinë gjatë në ndërgjegjen e qytetërimit perëndimor. Fjala turp nxin çdo medium të Amerikës dhe Europës.Me të rrezikuarit janë gjitha ata që bashkëpunuan me koalicionin ndërkombëtar dhe familjet e tyre. Shtypi botëror po stabilizon krahasimin me tërheqjen amerikane nga Saigoni në Vietnamin e Jugut të vitit 1975 me atë të Kabulit 2021.Administrata Biden gjendet nën presion të brendshëm dhe nën breshëri kritikash për dështimin në Afganistan, për krizën humanitare e për më shumë për hapësirën e re që po zë Kina dhe Rusia duke forcuar pozicionin e tyre në rajon. Po ashtu, media po tregohet e pamëshirshme me qeveritë e tyre, sidomos me atë italiane, e cila pat një mision të sajin për 20 vite në Herat për lënien e njerëzve që i ndihmuan në duart e një regjimi terrorist.Vendimi për të strehuar emigrantet afganë në Shqipëri i përshëndetur edhe nga lideri i opozitës shqiptare, por edhe nga zërat e spikatur publik, është i drejtë, por hipokritëve u duhet kujtuar se më kundërshti ka pasur për vendosjen e veriorëve në periferi të Tiranës sesa për ardhjen e muxhahedinëve iranianë apo me afganët e shumë më pak konpasion për qindra mijëra shqiptarët që braktisin Shqipërinë.Praktikë e njohur qysh nga koha e Pranverës Arabe ishte infiltrimi i terroristëve që vërshuan në Europë e kjo bashkëngjitje pritet të ndodhë edhe me flukset emigratore nga Afganistani.Ne shqiptarët rrëqethemi shumë më tepër nga pamjet në aeroportin e Kabulit sepse e dimë ç’do të thotë të braktisesh në fatin tënd të keq e të bëhesh kavie për ideologjitë fondamentaliste e regjimet totalitare. Ne e ndiejmë këtë edhe sot kur zgjedhjet vidhen, kur drejtësia mbetet në letër, kur korrupsioni është e vetmja kryefjalë, kur pafuqia për të ndryshuar na detyron të ikim dhe na thuhet se jemi në rrugën e duhur.Largimi i amerikanëve dhe i europianëve nga Kabuli, dëshpërimi i elitave të atij vendi, të lejon njëfarë krahasimi me Shqipërinë e 1944-1946, kur misionet amerikane e angleze lanë vendin tonë e bashkë me ta u varros çdo shpresë për demokraci e dinjitet njerëzor. Talebanët e Enver Hoxhës sunduan për 46 vjet dhe me mijëra u vranë, u burgosën me akuzat e bashkëpunimit me perëndimorët. Ata imponuan njeriun e ri-taleban me shumë sukses.Po kaq nuk i shpëtojmë asociacionit që na përcollën imazhet kur talebanët hynë në pallatin presidencial në Kabul ose në shtëpitë e pasanikëve me atë të “partizanit Meke”, atij filmi propagandë ku personazhi i saporënë nga mali habitej e zdërhallej me opinga në krevatin e Mbretit, duke i ngritur himn e kult injorancës e barbarisë dhe habisë që shkakton ndeshja e tyre me elementet e modernizmit.Te ne pushtetin e mori “Mekja” me opinga, atje talebanët me mjekër e dolloma! Historia jonë dihet si shkoi e si vazhdon po e njëjta gjë vlen edhe për Afganistanin e gjorë që ecën me galop drejt errësirës. Xhian Babtista Viko, një iluminist italian, na e pat lënë maksimën që e vërteta hyjnore gjendet te historia.Ajo u përsëritka më shpesh si tragjedi sesa si komedi. “Gjuetari i Balonave”, romani i shkrimtarit afgano-amerikan Khaleid Hysen, me gjasë do mbetet i vetmi ngushëllim për shoqëritë perëndimore, të cilat do të bëjnë tifozllëk që Amiri (emigrant në SHBA) përsëri ta shpëtojë “harazanë” djalin e Hasanit (të mbetur në Afganistan) për të qetuar ndërgjegjen e vet në një sallon çaji!!!

Filed Under: Opinion Tagged With: Afganistan, Agron Gjekmarkaj, Kriza e Kabulit

Preng Shkurt Nikolli, në 72 vjetorin e masakrës së Valmirit në Mirditë

August 17, 2021 by s p

Nga Ana Ndoj (Nikolli)* – New York

Sot, 72 vite nga Masakra e Valmirit në Mirditë. Të përndjekurit politik të Shqipërisë përkujtojnë sot një nga masakrat e më të tmerrshme që shteti komunist kreu mbi popullsinë civile shqiptare, patriote dhe dyert e mëdha të familjeve antikomuniste në Shqipëri. Më 17 gusht të vitit 1949 krerët komunistë të Shqipërisë urdhëruan një masakër të tmerrshme mbi zonën e Mirditës. Me urdhër të gjakpirësit Mehmet Shehu dhe kasapit Enver Hoxha u pushkatuan dhe u varën në Mirditë 14 burra, u arrestuan rreth 500 persona dhe u internuan rreth 300 familje në kampet e përqëndrimit që kishte ndërtuar komunizmi për persekutimin e kundërshtarëve të tij. Vrasja e Bardhok Bibës u gjet si preteks prej komunistëve të Tiranës dhe u urdhërua një masakër e tmerrshme mbi shqiptarë patriotë e të pafajshëm.

Zona e Mirditës përgjatë regjimit komunist ka qenë një nga krahinat më të përndjekura prej komunistëve me shumë të vrarë, burgosur, internuar e përndjekur për gjysëm shekull. Komunizmi në Shqipëri ishte tipik Stalinist ku masakroi pa asnjë mëshirë njerëzit më intelektualë, më të formuar ne Perëndim dhe familjet më të njohura dhe nderuara anëkënd Shqipërisë. Nëpërmjet vrasjeve e toruturave ndaj civilëve të pafajshëm, komunistët përhapnin panik, tmerr, frikë e synonin nënshtrim të njerëzve. Zona e Mirditës për shkak të strukturës fetare, krahinore, organizimit të vjetër të pushtetit zonal, ishte një ndër krahinat më të fuqishme e antikomuniste, gjë të cilën komunistët në pushtet e urrenin emrin e nderuar, organizimin dhe familjet e mëdha të asaj zone. Një ndër Martirët e Masakrës së Qafë Valmirit në Mirditë është edhe gjyshi im Preng Shkurt Nikolli i dekoruar nga Presidenti Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani me Dekoratën e Artë të Shqiponjës dhënë me Dekret nr.10492, datë 19.06 2017, dekoratë të cilën ia dorëzoi Ded Preng Nikollit djalit të Preng Shkurt Nikollit dhe familjarëve të pranishëm në ceremoninë e dekorimit në Presidencë. Presidenti i Republikës z.Nishani e ka dekoruar Preng Shkurt Nikollin pas vdekjes me motivacion: “Për vlerat dhe kontributin e veçantë dhënë në luftën kundër vendosjes së diktaturës së egër dhe gjakatare në Mirditë duke sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë jetën e tij, në mënyrë sublime duke u ekzekutuar me pushkatim nga regjimi famëkeq e i pa meshirshëm”. Gjyshi im Preng Shkurt Nikolli dhe bashkëpatriotët e tij u masakraun pa asnjë faj. Ata deshën atdheun më shumë se pushtetarët gjakatarë që vranë shqiptarët e pafajshëm për gati 50 vjet. Gjaku i të rënëve për liri janë themeli më i qëndrueshëm antikomunist në historinë e Shqipërisë. Patrioti dhe heroi antikomunist Preng Shkurt Nikolli u lind më 29. 12. 1906 në Grykë Orosh të Mirditës. Studioi në Internatin e Oroshit duke përfunduar me rezultate shumë të larta. Në vitet e Monarkisë shqiptare dhe gjatë pushtimit fashist ka qenë oficer me gradën nëntoger ku u dallua për shërbime të shkëlqyera, korrekt, zbatues i përpiktë i ligjit, patriot dhe njeri vizionar. Pas çlirimit të Shqipërisë prej nazi-fashistëve Preng Shkurt Nikolli iu bashkua grupeve të armatosura antikomuniste në zonën e Mirditës bashkë me dy vëllezërit e tij për shkak se nuk e donin regjimin komunist. Pas një amnistie shtetërore të vitit 1946 ai kthehet në shtëpinë e tij në vendlindje Orosh-Mirditë. Gjatë kohës kur në Mirditë u vra Bardhok Biba, Preng Shkurt Nikolli ishte në punë në rrethin e Tiranës dhe nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë. Komunistët, pas vrasjes së Bardhok Bibës, Preng Shkurt Nikollin e sollën nga Tirana në Mirditë me qëllim për ta vrarë. Komunistët e arrestuan dhe ia dorëzuan Gjykatës Ushtarake të Rrëshenit për ta dënuar në formë kapitale me pushkatim. Preng Shkurt Nikolli së bashku me të vrarët, të masakruarit në Qafë Valmir në Mirditë janë një shembull i gjallë i dashurisë për lirinë, atdheun dhe kundërshtinë deri në vdekje ndaj ideologjisë dhe sistemit diktatorial që shkatërroi Shqipërinë për 50 vjet. Lavdi përjetë martirëve dhe heronjve të kombit shqiptar.

TË VRARËT E MASARKËS SË VALMIRIT

Dodë Mark Biba, Kthellë Epër, varet në litar

Pjetër Paloka, Kaçinar, varet në litar

Preng Ded Kola, Orosh, varet në litar.

Pjetër D. Vila, Kaçinar, varet në litar

Preng Shkurt Nikolli, Orosh, pushkatohet

Gjok Gjin Kaçi, Bukmirë, pushkatohet

Gjergj Beleshi, Kthellë Epër, vritet për të vëllanë, Dodën

Llesh Gjon Mëlyshi, Malaj, pushkatohet

Nikollë Bardhok Bajraktari, Rrëshen, pushkatohet

Nikoll Llesh Bajraktari, Orosh, pushkatohet

Frrok Mata, Kaçinar, pushkatohet

Ndrecë Mark Ndoj, Kaçinar, pushkatohet

Bardhok Dodë Gjini, Prosek, pushkatohet

Ndoc Gjet Çupi, Blinisht, pushkatohet

*Autorja e shkrimit është mbesa e Preng Shkurt Nikollit.

Filed Under: Histori Tagged With: bujar nishani, Masakra e Valmirit, Preng Shkurt Nikolli

NYJAT NË GJUHËN SHQIPE: DIAKRONIA DHE SINKRONIA E NJË EVOLUCIONI TIPOLOGJIK

August 16, 2021 by s p

Profesor Aristotel Spiro sjell për publikun librin e tij më të ri:  “Nyjat në gjuhën shqipe: diakronia dhe sinkronia e një evolucioni tipologjik: prokliza binare dhe enkliza shquese”. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dhënë Editorit Sokol Paja, gjuhëtari Aristotel Spiro shprehet se ky studim synon t’u japë përgjigje shumë problemeve të deritanishme të pazgjidhura të dijes gjuhësore në lidhje me nyjat. Ky studim hedh dritë mbi marrëdhëniet reale që zhvillohen midis kategorive të ndryshme leksikogramatikore dhe rivlerësimin e tyre kategorial në dinamikën e sotme të zhvillimit të gjuhës shqipe.

RËNDËSIA E NYJAVE NË GJUHËN SHQIPE

Nyjat përbëjnë një nga kategoritë kryesore e më të rëndësishme të gramatikës së gjuhës shqipe. Si në planin diakronik ashtu edhe në atë sinkronik, ato paraqiten si kategoria më e diskutueshme e gramatikës së saj. Shfaqja e tyre pati pasoja të thella për gjithë strukturën e saj gramatikore. Është një gjë e njohur tashmë se gjuha shqipe nuk ka nyja shquese të paravendosura, por e shpreh shquarsinë gramatikisht me anë treguesish që i prapangjiten temës së emrit. Një dukuri e tillë ndeshet edhe në disa gjuhë të tjera ballkanike dhe joballkanike. Tregues të prapangjitur shquarsie marrin emrat, por edhe kategori të tjera leksikogramatikore kur sillen si emra. Ato që emërtohen «nyja të përparme» vetëm formalisht u ngjajnë nyjave, meqenëse funksionalisht kryejnë më së shumti rolin e rregullatorit të lidhjes gramatikore me një fjalë paraprijëse. Nyjat e shqipes kanë qenë disa herë objekt qendror studimi i studiuesve shqiptarë dhe të huaj (H. Pedersen, M. La Piana, N. Mjeda, E. Çabej, S. Riza, Sh. Demiraj, M. Çeliku, B. Bokshi, K. Topalli, M. Samara, C. Tagliavini, V. Pisani, A. Androutsopoulou, A. Spiro, J. Trommer, H. Campos, I. Giurgea etj. etj.). Roli i tyre në ligjërim dhe kompleksiteti i problemeve që paraqesin e justifikojnë këtë interesim. Ato janë studiuar si në planin diakronik ashtu edhe në atë sinkronik. Diskutimi i zgjatur në kohë ka lënë gjurmë edhe në metodat dhe modelet e ndryshme të studimit që janë përdorur (historiko-krahasuese, strukturore funksionale, transformative gjenerative).  Duke studiuar problemin e nyjave të shqipes ne duam ta zhvendosim qendrën e njohur të rëndesës së tij studimore në planin diakronik, ndërsa në planin sinkronik të vëzhgojmë statusin e tyre brenda sistemit gramatikor të gjuhës dhe sjelljen e tyre gramatikore.

HISTORIA E LINDJES SË NYJAVE

Historia e prapavendosjes së nyjave shquese në shqipe është njëkohësisht edhe historia e lindjes së tyre. Nyjat e prapme e të përparme kanë lindur njëkohësisht duke qenë pjesë e të njëjtit proces gramatikalizues. Procesi i formimit të nyjave shquese nuk është thjesht procesi i shndërrimit të dëftorit anaforik në morfemë të varur shquese. Është diçka më shumë se aq. Është kalimi nga një sistem pa nyja shquese, pa kategorinë gramatikore të shquarsisë e pashquarsisë në një sistem gjuhësor të ri me nyja shquese, madje të prapavendosura e të përngjitura. Për këtë u shfrytëzuan disa mjete gramatikore. Dëftori anaforik luajti në këtë proces sigurisht rolin themelor. Nëpërmjet përdorimit të një radhe të dyfishtë formash të plota e të patheksuara u kalua në sistemin e dyfishtë të nyjave të përparme. Format e plota të dëftorit anaforik u përdorën për krijimin e nyjave shquese enklitike, të cilat vijimisht u përngjitën, ndërsa format e patheksuara u përdorën për krijimin e nyjave të përparme. Por nuk ishte vetëm dëftori anaforik që u shfrytëzua në këtë proces. Përveç tij, u shfrytëzuan edhe morfemat e sistemit gjuhësor ekzistues në fund të fjalës, të cilat nuk u hodhën poshtë, ashtu si mbaresat e tjera, për arsye të përdorimit të tyre të vazhdueshëm (mbaresa e rasës kallëzore njëjës të emrave mashkullorë e femërorë) e të qartësisë së tyre fonetike (mbaresa e rasës emërore njëjës e emrave femërorë), si dhe rianalizimet analogjike (mbaresat nyjore të shumësit). Prania diakronike e këtyre formantëve tregon se kalimi në një gjendje pa nyja shquese në një gjendje me dy palë nyjash shquese të prapangjitura dhe nyjash të përparme nuk paraqitet si një proces i thjeshtëzuar: rënie mbaresash të vjetra indoevropiane dhe zëvendësim i tyre prej mjetesh të tjera gramatikore, të cilat çuan në krijimin e nyjave shquese. Nuk ka pasur ndonjë fazë vakuumi morfematik në fund të emrave të (proto)shqipes. Morfemat e vjetra të varura kanë bashkëjetuar dhe janë bashkëpërdorur me morfemat e reja të lira duke ndikuar njëra-tjetrën: morfemat e vjetra duke nxitur varësinë e formave të plota të dëftorëve anaforikë, ndërsa këta duke ndihmuar në riinterpretimin e tyre si formantë shquarsie. Proceset gramatikalizuese që filluan me krijimin e një sistemi lakimi të dyfishtë për shkak të përdorimit të nyjës shquese të prapangjitur, vijuan me përdorimin e nyjës së përparme si fjalë klitike në mjedise të ndryshme sintaksore, të cilat e ndërruan krejt pamjen morfologjike, në atë masë sa mund të flitet për një gjuhë cilësisht të re, vijim i një gjuhe tjetër, e cila quhet konvencionalisht protoshqipe, por që mund të identifikohej në kuadrin e një diskutimi shkencor me ilirishten e jugut. Përdorimi i mëtejshëm i nyjave të përparme ndoqi fatin e morfemave të lira: sa më afër nyjave shquese janë ndodhur, aq më shumë kanë ndjekur rregullsinë fillestare të përkatësisë së formave të plota me ato të patheksuara.

HISTORIA E NYJËS SË PRAPME TË SHQIPES

Historia e nyjës së prapme të shqipes nuk është vetëm historia e prapavendosjes së klitikëve dëftorë.  Përemrat dëftorë përbëjnë sidoqoftë pjesën kryesore të kësaj historie.

Origjina e nyjave të përparme çon përjashtimisht tek përemrat dëftorë të dikurshëm. Përkundrazi, nyjat e prapme shquese e kanë origjinën jo vetëm tek përemrat e dikurshëm dëftorë të pasvendosur, por edhe në mjete të tjera gramatikore (mbaresa të dikurshme rasore të riinterpretuara si formantë shquarsie). Nyjat e përparme paraqesin një simetri të plotë përdorimi e përndarjeje. Përkundrazi, nyjat e prapme janë më heterogjene përsa i përket origjinës së tyre në krejt sistemin rasor (khs. nyjat e prapme shquese në rasën kallëzore njëjës dhe në rasën emërore njëjës të emrave femërorë). Nuk ka një përkatësi të plotë univoke midis nyjave të përparme dhe atyre të prapme. Edhe nga kjo pikëpamje dëshmohet se historia e enklizës se shquar të shqipes zë fill tek nyjat e përparme të saj. Edhe pse origjinarisht dëftorë klitikë, ato nuk arritën kurrë të zhvilloheshin në tregues  gramatikorë shquarsie. Pavarësisht se mjedisi sintaksor i përdorimit të tyre zanafillës ka qenë sintagma emërore, statusi i lidhjes së tyre ka qenë gjithmonë i varur. Mandej, lidhja e ngushtë që krijuan me mbiemrat nuk përbënte një truall truall të favorshëm për gramatikalizimin e një proklize shquese. Në këto kushte, e gjithë loja gramatikalizuese e shquarsisë në shqipe u zhvillua në pozicion enklitik.

DISA PËRFUNDIME TË RËNDËSISHME TË NYJËS NË GJUHËN SHQIPE

Mund të thuhet si përfundim se 1) Shqipja nuk ka pasur kurrë nyjë shquese të paravendosur, ashtu si gjuhët balte dhe sllave. 2) Nevoja për shquarje është origjinarisht nevojë për plotësimin strukturor – kuptimor të sintaksës, një tregues i prirjes për “morfologjizim” të sintaksës. Nyjat e prapme e të përparme kanë lindur njëkohësisht duke qenë pjesë e të njëjtit proces gramatikalizues. ndërsa tek nyjat e prapme kanë vepruar më shumë ndryshime fonetike, tek nyjat e përparme vërehet më shumë veprimi i rrafshimeve analogjike. Megjithatë nuk mbetën pa u prekur nga ndryshimet fonetike edhe nyjat e përparme, sikundër rianalizime analogjike kanë ndodhur edhe tek nyjat e prapme. Nyjat e përparme janë fjalë klitike. Për nga sjellja gramatikore, ato ngjajnë me fjalë të tilla si parafjalët (me, në, nga, prej etj.), trajtat e shkurtra të përemrave vetorë (i, e, ia, ua), me «pjesëzat» që shërbejnë si tregues gramatikorë të kohëve apo diatezave foljore (do, u). Si fjalë klitike nyjat shfaqin disa veçori fonetike dhe gramatikore karakteristike për këtë kategori fjalësh. Janë të patheksuara dhe së bashku me fjalën e bashkëpërdorur tentojnë të shqiptohen si një tërësi e vetme fonetike, krijohet si të thuash një «fjalë fonetike» e përbërë nga një fjalë me kuptim konceptual dhe një fjalë me kuptim gramatikor. Lidhja që krijon me fjalën e përcaktuar bujtëse është kaq e fortë, saqë funksionalisht paraqitet shpesh si një njësi e vetme. Megjithatë, jo vetëm analiza gramatikore, por edhe intuita gjuhësore e shqipfolësve mund t’i identifikojë fjalët klitike si njësi të mëvetësishme të dallueshme qartë. Nyjat e përparme në shqip janë fjalë proklitike, ndërsanyjat e prapme tashmë janë pjesë e strukturës së emrave, janë morfema gramatikore të varura. Por dikur ato kanë qenë fjalë klitike dhe madje në pozicion enklize. Është pikërisht ky pozicion që ka favorizuar gramatikalizimin e tyre të shkallëshkallshëm, nga dëftor anaforik në nyjë shquese të prapavendosur dhe më së fundi në morfemë të varur shquese, duke iu trupëzuar përfundimisht fjalës së përcaktuar bujtëse.

NYJAT E PËRPARME TË SHQIPES

Nyjat e përparme të shqipes klasifikohen si kategori e mbyllur fjalësh. Edhe pse elemente analitike, ato përdoren para formave eptuese, duke qenë edhe vetë të eptueshme. Së bashku me nyjat e prapme, ato përbëjnë si argumentin më të kumbueshëm të një tipologjie të përzier sintetike analitike të shqipes. Historia e nyjave të përparme i ndjek këto deri në ditët e sotme: prirja e tyre gramatikalizuese vijon, veçse kësaj here nga e djathta. Si rrjedhojë e përdorimit të vazhdueshëm ato zhvillojnë një lidhje kohezive me bujtësit e tyre emra, mbiemra, përemra e folje, saqë këta ndihen të pamjaftueshëm në kryerjen e funksioneve sintaksore pa ndihmën e nyjave ose / dhe fjalëve të tjera gramatikore. Kjo lidhje gramatikore evidenton një tipologji gjuhësore të veçantë, e cila karakterizohet nga pamjaftueshmëria funksionale e fjalëve me autonomi leksikore e morfologjike. Kjo pamjaftueshmëri plotësohet nga bashkëpërdorimi i tyre me fjalët proklitike që u paraprijnë. Shpesh fjalët e shqipes krijojnë një lidhje të tillë brenda fjalisë, saqë shprehja e njërës nënkupton shfaqjen e tjetrës, pa përdorimin e së cilës sintagma nuk mund të quhet e plotë. Kjo mënyrë lidhjeje i afron kaq shumë fjalët në kuadrin e sintagmave, saqë i jep sintaksës shqipe një karakter morfologjizues.

ROLI I EMFAZËS NË NXITJEN E PROCESIT PËRFTUES TË NYJAVE TË PRAPME E TË PËRPARME

Parë në kontekstin ballkanik, konstatohet roli i emfazës në nxitjen e procesit përftues të nyjave të prapme e të përparme prej dëftorëve klitikë, të cilët përdoreshin para përcaktorëveme funksion caktues emfatik (në shqip e rumanisht). Dëftori klitik i (proto)shqipes dhe i (proto)rumanishtes nuk arritën kurrë të evoluonin në morfema shquarsie. Dëftorët klitikë të gjuhëve ballkanike shënojnë fillimin e një gramatikalizimi, i cili çoi në lindjen e nyjave shquese. Nyja shquese në shqipe ka lindur nga dëftori klitik, i cili iu pasvendosemrit të përdorur në një sintaksë emfatike. Ajo ka lindur duke u përdorur në sintagmën emër + dëftor klitik anaforik + emër në gjinore, e cila vijimisht u transformua në skemën emër + dëftor klitik anaforik + përcaktor. Fillimisht dëftori klitik është përdorur para përcaktorëveme funksion caktues emfatik, ndërsa pas prapangjitjes së nyjës enklitike tek emrat ajo u ripërdor para përcaktorëve si pasojë e krijimit të një «vakuumi» ndërtimor në trajtën e vet të patheksuar joemfatike. Emërtimi i saj si nyjë justifikohet vetëm në plan formal, por nuk planin kuptimor funksional ajo nuk ka asgjë të përbashkët me nyjën. Rumanishtja ose nëna e saj dakishtja, sikundër latinishtja vulgare ballkanike, nuk ka pasur nyja shquese të paravendosura. Nyja e prapme në rumanishte ka lindur nën ndikimin e latinishtes vulgare(të folur nga ilirët e romanizuar, por ndoshta edhe nga popuj të tjerë të romanizuar), sintaksa e së cilës ishte e ndikuar nga sintaksa e (proto)shqipes. Fakti që në disa dialekte të sotme rumune apo në thjeshtligjërim gjenden gjurmë të përdorimit të nyjave shquese të paravendosura, apo të strukturave me vlerë nyjore shquese (Niculescu 1996/7: 258) tregon se modelet e romanizimit në Daki dhe proceset gramatikalizuese jo gjithmonë kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Është fakt se bullgarishtja nuk arriti të zhvillonte një sistem nyjash të përparme tek përcaktorët emërorë apo mbiemërorë, që do të na ndihmontepër të arritur tek ai mjedis gramatikalizues i natyrshëm i një enklize shquese. Kjo rrethanë na detyron që t’i shohim nyjate prapme shquese të bullgarishtes të kenë lindur e të jenë zhvilluar nën ndikimin e (proto)rumanishtes. Duke shfrytëzuar një skemë të gatshme morfologjizimi, atë të rumanishtes, e cila mund të përdorte në atë fazë dëftorin klitik pa qenë nevoja e shfaqjes së një përcaktori të pasvendosur, bullgarishtja zhvilloi vetëm nyjën e prapme shquese. Kjo shënoi edhe fillimin e Lidhjes Gjuhësore Ballkanike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aristotel Spiro, Gjuhesi, Sokol Paja

Gerd Myler ndërroi jetë…

August 16, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI:

E pabesueshme..!!Lojtari i pakrahasueshem i kohës së Tij, Gerd Myler i  Gjermanisë, dje ka ndrrue jetë në moshen 75 vjeçare, nga një smundje e randë. Per ne që nuk mund të harrojmë asnjëherë Emnin e Tij, golat e Tij dhe lojen e asaj kohë, kur kenja e Tij në fushë ishte edhe një gol plus per ekipin e Tij, jo vetem asht dhimbje por, gati e “pabesueshme”.., mbasi nuk mund të harrojmë kurr knaqësinë që na sillte Emni e Tij në fushë. Futbolli gjerman dhe klubi i Bajernit sot kanë mangut një Yll Botnor! Kanë mangut autorin e 365 golave, pra një kampion Bote… E Ky ishte lojtari i Madh Gerd Myler, lojtari i 427 ndeshjeve të futbollit që mbeten në histori të Bundesligës nder ma të bukrat ndeshje në Botë… Gerd Myler asht quejt Bomber i ekipit Gjerman! Golshenuesi ma i mirë i Europës dhe i Botës, që vetem mbas Tij u rreshtuen emnat e lojtarve të ardhëshem Mesi e Ronaldo. Po, kurr nuk mund të harrojmë Emnat e asaj kohe t’ artë kur Gjermania e drejtueme nga Helmut Shen, pasohej nga i Madhi Bekenbauer e vazhdonte, pa mujtë me percaktue se cili asht ma i “miri” në mes Tyne, tue mrrijtë tek porta kundershtare me Gerd  Myler. Historia e futbollit botnor e asaj kohe të shkelqyeshme, shenon per vitet e paharrueshme të Gerd Mylerit kater herë kupen e Gjermanisë, tri herë Kupen Europjane dhe njëherë Kupen Botnore. Në vitin 1970 ka fitue “Topin e artë” dhe dy herë “këpucen e artë” në 1970 e 1972… A e dini të nderuem lexues, se tue shkrue këta rreshta edhe na, harrojmë sesa vite kanë kalue nga ajo kohë kur nguleshim para ekraneve TV, me pa tue shenue golat e fitores të Madhin Gerd Myler nga viti 1964 deri 1979? E pra, lavdia e asaj kohë Gjermanin Gerd Myler e bani të Perjetshem!

Melbourne, 16 Gusht 2021.                                                                                                  

Filed Under: Sport Tagged With: Fritz radovani, Gerd Myler, Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2887
  • 2888
  • 2889
  • 2890
  • 2891
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT