• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE

January 19, 2026 by s p

Shënim me rastin e ditës së kalimit në amshim të Krye-Heroit Kombetar (6 maj 1405 -17 janar 1468) – në kuadër Akademisë.

Përkujtimore, kushtuar Dr. Athanas Gegajt

Nga Frank Shkreli

Si çdo vit, më datën 17 janar, populli shqiptar, kudo, e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun (6 maj 1405 – 17 janar 1468), në ditën e kalimit të tij në amshim. Gjergj Kastrioti ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Eshtë figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, Heroi i Përgjithmonshëm kombëtar i popullit shqiptar. Frank Shkreli: Gjergj Kastriot Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar | Gazeta Telegraf.

Me këtë shënim modest dëshiroj të lidhë, nëse mund t’ia dal pa bezdisur dhe pa konnfuzuar lexuesin: kujtimin e 17-Janarit, 1468 – ditës së ndarjes nga kjo jetë e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe, njëkohësisht, njërin prej autorëve të parë biograf shqiptar të Skenderbeut — Dr. Athanas Gegaj (1908–1989) dhe një nga historianët shqiptarë më seriozë të diasporës, por jo vetëm — i formuar në shkollën perëndimore të historiografisë, larg presioneve ideologjike të historiografisë komuniste. Emri i tij lidhet ngushtë me studimin monumental, mbi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468) “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të”, një vepër kjo themelore për albanologjinë dhe historiografinë mesjetare shqiptare. Peshkop Fan Noli, vet autor i një libri të rëndësishëm mbi Skenderbeun, botuar më 1949, e ka vlerësuar librin e Dr Athanas Gegajt, të shkruar frëngjisht, mbi Skenderbeun, si “më e mbaruara që kishte parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare”. Fjala është për veprën, “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’, ose “Shqipëria dhe pushtimi turk në shekullin e XV-të”, të Dr Athanas Gegajt.

Ndërkaq, jeta dhe veprimtaria e Dr Athanas Gegaj, ish-Editor i gazetës Dielli për më shumë se një dekadë, do të jetë në qëndër të diskutimeve nga disa ekspertë, njohës të mirë të Dr Gegajt, Search Results for “dr athanas gegaj” – Dielli | The Sun — më 25 Janar 2026 në Akademinë Përkujtimore, titulluar: “Athanas Gegaj – shembull i patriotizmit, shkencës dhe publicistikës”. Njoftohet se Fondi Humanitar “Trieshi” në Nju Jork, organizon këtë aktivitet të veçantë për të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e Athanas Gegajt – malësorit nga Trieshi i Malësisë Madhe — në fushën e shkencës, gazetarisë, fesë e kulturës shqiptare. Kjo akademi përkujtimore do t’i kushtohet, pra, pikërisht Athanas Gegajt, birit të Trieshit, një prej personaliteteve më të rëndësishme jo vetëm të Malësisë së Madhe, por edhe të mbarë botës shqiptare. Sipas njoftimit të Fondit Humanitar, “Trieshi”, ai tubim do të trajtojë, në mënyrë të plotë, veprimtarinë e Dr Athanas Gegajt, duke vlerësuar — përveç dy veprave të tij të rëndësishme shkencore — edhe rolin e tij të rëndësishëm si editor i gazetës Dielli në Boston të Shteteve të Bashkuara dhe bashkëpunëtor i ngushtë më heret i revistës françeskane, Hylli i Dritës, në Shqipëri. Duke pasqyruar, gjithashtu edhe angazhimin e tij politik në mërgim dhe bashkëpunimin me figura të njohura shqiptare, si dhe kontributin e tij fetar si klerik françeskan dhe krijimtarinë e tij të gjërë publicistike.

Bravo i qoftë Fondit Humanitar “Trieshi”, që kujton dhe nuk harron këtë burrë të madh të Malësisë së Madhe e të Kombit shqiptar — Dr. Athanas Gegaj (1908–1989), njërin prej historianëve shqiptarë më seriozë të diasporës dhe më gjërë, por si shumë intelektualë të tjerë të kalibrit të tij të mërgatës shqiptare, gjithnjë i përjashtuar dhe i harruar për dekada të tëra nga historiografia zyrtare komuniste e deri në ditët e sotëme. Nga gjithë veprimtaria dhe kontributetet në fusha të ndryshme të dijes, gazetarisë dhe kulturës, Athanas Gegajt, vlen të ritheksohet, si më lartë, se emri i tij lidhet, veçanërisht, ngushtë me studimin monumental, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468)”, një vepër, që nga shumë ekspertë shqiptarë dhe të huaj, konsiderohet, gjithnjë edhe sot, si themelore për albanologjinë dhe historiografinë mesjetare shqiptare.

Patjetër që në këtë rast lind pyetja se si është e mundur që autori i një vepre të tillë të vlerësuar, ndërkombtarisht, mbi Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin Skenderbe, për dekada të tëra u mbulua në heshtje, u la në hije, jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe këto 35-vjet tranzicion faqezi. Shumë mirë që Fondi “Trieshi”, kujton javën që vjen birin e tij të famshëm Dr Athanas Gegajn, pasi për arsye ideologjike, edhe ai si shumë të tjerë — viktima të përjashtimit komunist — mbetet i përjashtuar dhe i harruar, zyrtarisht, nga entet e larta akademike të Shqipërisë dhe Kosovës. Janë këto ente shtetërore të shqiptarëve të cilat do duhej që figura të Kombit si Athans Gegaj të kthehen, njëherë e mirë dhe për hir të së Vërtetës historike, në qëndër të debatit shkencor dhe akademik, jo vetëm si një përgjegjësi morale — por edhe si një detyrim akademik dhe kombëtar.

Atëherë, pse përjashtimi, pse heshtja, ke kanë frikë entet zyrtare akademike shqiptare dhe përfaqsuesit e tyre, që vazhdojnë të lënë në harresë, qëllimisht, figura si Dr Athanas Gegajn dhe veprat e tyre të vlerësuara, ndërkombtarisht, por të ndaluara dhe të përjashtuara në atdheun e tyre, nga ideologët e djeshëm komunistë. Por sot gjithnjë apologjetë të politizuar të atij regjimi barbar – gjithnjë benikërisht flasin dhe veprojnë në rolin e “historianëve” të oborrit ideologjik komunist? Pse vazhdon kjo sjellje e enteve shqiptare akademike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, edhe 35 vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar, ndaj këtyre figurave më të njohura të mërgatës shqiptare të pas Luftës së II Botërore? Personalitete të nivelit dhe kapaciteteve por edhe kontributeve historike të Dr Athans Gegajt, Ernest Koliqit, Martin Camajt e shumë të tjerëve, Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Me këtë rast të kujtimit të jetës dhe veprimtarisë së Dr Athanas Gegajt në Nju Jork, iç kam pyetur shpeshherë edhe publikisht në të kaluarën: pse kjo vazhdimsi e turpshme përjashtimi të disa prej figurave më të dalluara të Kombit dhe kontributeve të tyre historike – nga të dy shtetet shqiptare, të cilat sot pretendojnë se janë “demokratike” dhe në rrugën euro-atlantizmit?

Margjinalizimi zyrtar i figurave kombëtare anti-komuniste si Dr. Athanas Gegajt, një nga historianët më seriozë shqiptarë të shekullit XX, ishte një padrejtësi e madhe historike e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Heshtja zyrtare sot ndaj këtyre figurave pas shembjes së Murit të Berlinit dhe ndryshimeve madhore politike në Evropë pas vitit 1990, është një turp madhor kombëtar. Ju lutemi enteve zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë: për derisa vazhdoni me këto qëndrime të politizuara zyrtare ndaj këtyre figurave të mëdha të Kombit, mos na flisni për shkencë, për histori e drejtësi. Se historia nuk mund të përdoret si instrument politik, në shërbim të një dogme ose një tjetre! Heshtja e vazhdueshme nuk u bën nder!

Urime e Fondit Humanitar, “Trieshi” për organizimin e kujtimit të Dr Athanas Gegajt! Uroj që Akademia Përkujtimore me 25 janar në Nju Jork, kushtuar jetës, veprimtarisë dhe kontributit të Dr Gegajt të jetë një konferencë e denjë dhe të jetë, njëkohsisht, edhe fillimi i një interesimi më të gjërë në trojet shqiptare për këtë figurë dhe të tjera personalitete të mërgatës antikomuniste shqiptare të pas Luftës së II Botërore, tani në amshim, të harruar dhe të përjashtuar. Me qëllimin e doemosdoshëm për të rivendosur, më në fund, Dr Athanas Gegajn dhe të tjerë si ai, në vendin që u takon në historiografinë zyrtare shqiptare, për fat të keq, gjithnjë të kontrolluar dhe të cunguar nga mbeturinat e një sistemi që vazhdojnë të përdorin historinë në interes të një narrative të caktuar të pushtetit.

Frank Shkreli

———————————

Cili do ishte sot mesazhi i Gjergj Kastriotit-Skenderbe për shqiptarët, sipas Dr Athanas Gegajt – marrë nga një intervistë e tij dhënë Zërit të Amerikës, me rastin e 500-vjetorit te vdekjes se Skenderbeu – Kjo intervistë është transmetua nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968) Intervista e plotë në — ORA E SHQYPNISË: Athanas Gegaj Intervistë ne 1968 mbi Gjergj Kastrioti-Skenderbeun –

VOA: Sipas mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skëndërbeut për Shqiptarët në kohë të sotme?

GEGAJ: Jeta e veprat e Skenderbeut janë një shëmbëll i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e indipendencës së tij.

Jeta dhe vepra e Skenderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara, ashtu edhe sot, jeta dhe veprat e Skenderbeut janë te bazuara mbi vëllazerim të gjithë shqiptarëve, mbi lirinë e vendit nga i huaji, mbi të drejtat e barabarta të çdo qytetari, mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare.

Për më tepër, Skenderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend për t’i ardhur në ndihmë një shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashktë shqiptar, ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashigim të parët tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve, ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dignitet e në bashkim, ashtu siç na mësoi Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri, pa u bë skllav i huaj, pa përulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.”

Marrë nga intervista e Dr Gegajt me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti – Skenderbeu – transmetuar nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968).

Filed Under: Histori

VENDI IM

January 19, 2026 by s p

7th Annual Gala Concert, a special evening celebrating Kosovo’s Independence and the Ancient Albanian Musical Heritage.

This concert is more than music, it is a tribute to freedom, identity, and the timeless melodies passed down through generations. Renowned Albanian-American artists come together in New York to honor our shared heritage and unbroken spirit.

Join us for an unforgettable night of tradition, remembrance, and celebration.

🎟️ Tickets:

https://www.kaufmanmusiccenter.org/…/vendi-im-7th…

We would be honored to have you with us.

Filed Under: Kronike

RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

January 19, 2026 by s p

Rumbullaksimi i çështjes së Kosovës kërkon rikthim substancial te doktrina e Rugovës: unitet të brendshëm pa përjashtime, dialog pa nënshtrim, paqe pa harresë dhe shtetësi pa kompromis mbi legjitimitetin. Vetëm duke u rikthyer te arkitekti moral i shtetit, Kosova mund ta mbyllë ciklin historik të saj dhe të sigurojë që shteti të mos mbetet formë juridike e zbrazët, por projekt i plotë politik, moral dhe ndërkombëtar.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Koncepti shtetformues i Ibrahim Rugovës për Kosovën përbën një rast studimor të veçantë në teorinë bashkëkohore të ndërtimit të shtetit nën okupim dhe represion sistemik. Ai nuk ishte produkt i rrethanave të përkohshme, as i improvizimit politik, por rezultat i një vizioni të menduar me koherencë të brendshme, i ankoruar njëkohësisht në histori, moral politik dhe racionalitet ndërkombëtar. Rugova e konceptoi shtetin e Kosovës jo si produkt force, por si konstrukt legjitimiteti normativ, duke e ndërtuar atë si ide politike shumë përpara se të realizohej juridikisht. Në këtë kuptim, ai nuk ishte thjesht lider i rezistencës paqësore, por arkitekt i një modeli alternativ të shtetformimit në Evropën e pas Luftës së Ftohtë, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me paradigmat dominante të dhunës në Ballkan.

Në kushtet e mohimit total të subjektivitetit politik të shqiptarëve dhe të represionit institucional serb, zgjedhja e rezistencës paqësore nuk ishte akt moralist apo shenjë dobësie politike, por strategji e ftohtë dhe e kalkuluar. Rugova e kuptonte asimetrinë e thellë të forcës dhe rrezikun e delegjitimimit ndërkombëtar të kauzës së Kosovës në rast të militarizimit të hershëm. Për këtë arsye, ai e shndërroi durimin strategjik në kapital politik dhe rezistencën civile në mekanizëm prodhimi të legjitimitetit. Institucionet paralele, zgjedhjet politike, referendumi për pavarësi dhe funksionimi simbolik i shtetit përbënin forma embrionale të sovranitetit, duke krijuar një realitet politik që ekzistonte përtej mungesës së njohjes formale.

Ky proces prodhoi një transformim thelbësor në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës. Ajo nuk u shfaq më si hapësirë rebelimi etnik, por si shoqëri e organizuar, racionale dhe me aspiratë të qartë demokratike perëndimore. Pikërisht këtu qëndron themeli teorik i shtetit të Kosovës: jo në kontrollin territorial, por në legjitimitetin e ndërtuar gradualisht. Në doktrinën rugoviane, shteti u mendua dhe u ndërtua fillimisht si ide normative dhe projekt moral, përpara se të materializohej si entitet juridik.

Brenda kësaj arkitekture, Rugova inkorporoi me vetëdije diplomacinë simbolike si instrument të ndërkombëtarizimit. Dhurimi i kristaleve dhe gurëve nga nëntoka e Kosovës personaliteteve dhe burrështetasve ndërkombëtarë nuk ishte akt ceremonial apo folklorik, por gjest i kalkuluar politik. Këto objekte përfaqësonin territorialitetin historik të Kosovës dhe shndërronin pasurinë natyrore në gjuhë diplomatike. Përmes tyre, Kosova artikulohej si hapësirë me thellësi identitare dhe vazhdimësi historike, duke sfiduar drejtpërdrejt narrativën serbe të mohimit dhe përvetësimit.

Vizioni i Rugovës për pavarësinë mbështetej mbi tri shtylla strukturore: unitetin e brendshëm politik dhe shoqëror, legjitimitetin demokratik edhe në kushte okupimi dhe ndërkombëtarizimin sistematik të çështjes së Kosovës. Ai e identifikoi përçarjen e brendshme si rrezikun kryesor strategjik, sepse ajo e gërryen besueshmërinë e jashtme. Pa kohezion të brendshëm, shteti nuk mund të projektohet si partner i besueshëm në rendin ndërkombëtar.

Orientimi perëndimor, në doktrinën rugoviane, nuk ishte zgjedhje taktike apo aleancë e përkohshme, por identitet normativ dhe civilizues. Kjo u reflektua në ndërtimin e simbolikës shtetërore, veçanërisht në përdorimin e elementeve të identitetit dardan në stemën e Presidencës. Kjo simbolikë nuk synonte romantizëm historik, por ndërtimin e një narrative shtetërore që e vendoste Kosovën në vijimësinë evropiane para-moderne, si subjekt historik dhe jo si produkt i shpërbërjeve të fundit ballkanike. Në të njëjtën linjë, afirmimi i figurës së Pjetër Bogdanit përbënte zgjedhje strategjike kulturore, duke e lidhur identitetin kombëtar me traditën humaniste dhe intelektuale të Evropës.

Kulmi operacional i kësaj strategjie u materializua në Konferencën e Rambujesë. Qëndrimi i Rugovës atje nuk ishte kompromis i dobësisë, por akt i lartë racionaliteti politik. Rambujeja funksionoi si mekanizëm legjitimues për ndërhyrjen ndërkombëtare: Kosova u paraqit si palë konstruktive dhe e gatshme për paqe, ndërsa Serbia u ekspozua si faktor destabilizues. Pa këtë pozicionim, ndërhyrja e NATO-s do të ishte shumë më e vështirë të justifikohej juridikisht dhe moralisht.

Raporti i Rugovës me luftën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kërkon lexim të çliruar nga narrativat reduktuese. Ai nuk e mohonte rezistencën e armatosur si pasojë të represionit, por paralajmëronte për rrezikun e militarizimit të politikës dhe transformimit të dhunës në burim delegjitimimi. Për Rugovën, lufta mund të prodhonte presion, por vetëm diplomacia dhe legjitimiteti ndërkombëtar mund të prodhonin shtet. Historia e konfirmoi këtë tezë përmes ndërthurjes së rezistencës në terren me kapitalin politik të ndërtuar prej vitesh.

Boshti strategjik i këtij projekti ishte miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rugova e konceptonte Amerikën jo vetëm si fuqi ushtarake, por si garant të rendit liberal ndërkombëtar, ku shtetet e vogla mbrohen përmes ligjit, vlerave dhe aleancave afatgjata. Kjo miqësi u ndërtua mbi koherencë politike, maturi dhe refuzim të aventurizmit populist.

Në doktrinën rugoviane, dialogu me Serbinë nuk përfaqësonte akt teknik negocimi, por proces politik me dimension moral, juridik dhe ndërkombëtar. Bisedimet nuk mund të zhvillohen si menaxhim i konfliktit, por vetëm si mekanizëm për mbylljen përfundimtare të tij mbi bazën e legjitimitetit të fituar. Për Rugovën, dialogu ishte i mundur vetëm nëse ishte i zhveshur nga asimetria e imponimit dhe i ndërtuar mbi parimin e njohjes së realitetit politik të Kosovës si shtet. Normalizimi pa njohje përbën stabilizim të padrejtësisë, ndërsa dialogu pa barazi prodhon zgjidhje të përkohshme dhe të kthyeshme. Prandaj, zgjidhja përfundimtare e raportit Kosovë Serbi, në frymën rugoviane, nuk kalon përmes kompromiseve territoriale, autonomive etnike apo formulave kreative juridike, por përmes njohjes reciproke, pranimit të përgjegjësisë historike dhe integrimit të dy shteteve në rendin euro-atlantik mbi parime të qarta. Vetëm një marrëveshje e ndërtuar mbi legjitimitetin normativ, të garantuar ndërkombëtarisht dhe të pranuar nga shoqëritë përkatëse, mund ta mbyllë konfliktin si kapitull historik dhe jo ta mbajë atë të hapur si krizë të menaxhuar.

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, termi “rugovist” u përdor gjerësisht në diskursin publik, por shpesh pa përmbajtje teorike. “Rugovizmi” u reduktua në etiketë nostalgjike ose ceremoniale, duke humbur dimensionin e tij si doktrinë shtetformuese. Në thelb, rugovizmi përfaqëson një koncept të shtetit si proces moral dhe politik afatgjatë, të ndërtuar mbi katër shtylla: legjitimitetin normativ, durimin strategjik, diplomacinë simbolike dhe orientimin e pakthyeshëm perëndimor. Pa këtë kuptim, përdorimi i termit mbetet i zbrazët dhe i instrumentalizueshëm.

Mungesa e vazhdimësisë konceptuale ka prodhuar një diskontinuitet strukturor ndërmjet trashëgimisë shtetformuese rugoviane dhe praktikës politike të pasluftës, duke krijuar një hendek me pasoja afatgjata për funksionalitetin e shtetit. Elitat politike, edhe kur e instrumentalizojnë referencën ndaj Rugovës si kapital simbolik, veprojnë shpesh në kundërshtim me logjikën e tij të legjitimitetit normativ dhe racionalitetit strategjik, duke relativizuar autoritetin institucional, duke zëvendësuar durimin politik me impulsivitet afatshkurtër dhe duke e reduktuar diplomacinë nga mekanizëm ndërtues në reagim reaktiv. Si rezultat, shteti i Kosovës ekziston dhe njihet juridikisht, por në sjelljen e tij politike vazhdon të manifestohet si një projekt i pambyllur, i ekspozuar ndaj erozionit të brendshëm dhe paqartësisë strategjike.

Arkitektura paqësore e Ibrahim Rugovës shfaqet jo vetëm si rrugë historike drejt pavarësisë, por si doktrinë e pazëvendësueshme për rumbullaksimin final të çështjes së Kosovës. Ky projekt shtetformues e ndërtoi Kosovën fillimisht si ide normative, si subjekt moral dhe si partner të besueshëm ndërkombëtar, përpara se ta shndërronte në realitet juridik. Çështja e Kosovës nuk përfundon me aktin e shpalljes së pavarësisë, as me njohje të pjesshme, por vetëm atëherë kur shteti funksionon me legjitimitet të brendshëm, koherencë institucionale dhe peshë të qëndrueshme në rendin ndërkombëtar. Çdo devijim nga logjika rugoviane e durimit strategjik, diplomacisë simbolike dhe orientimit perëndimor e rikthen shtetin në gjendje brishtësie politike dhe e ekspozon ndaj relativizimit ndërkombëtar. Prandaj, rumbullaksimi i çështjes së Kosovës kërkon rikthim substancial te doktrina e Rugovës: unitet të brendshëm pa përjashtime, dialog pa nënshtrim, paqe pa harresë dhe shtetësi pa kompromis mbi legjitimitetin. Vetëm duke u rikthyer te arkitekti moral i shtetit, Kosova mund ta mbyllë ciklin historik të saj dhe të sigurojë që shteti të mos mbetet formë juridike e zbrazët, por projekt i plotë politik, moral dhe ndërkombëtar.

Filed Under: Politike

Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës

January 19, 2026 by s p

Më 17 janar 2026, Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës, një ngjarje e rëndësishme që bashkoi nxënësit, prindërit dhe stafin pedagogjik në një atmosferë të ngrohtë dhe edukative. Ky takim u fokusua në aktivitete të ndryshme që synojnë ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqipe tek brezi i ri. Pjesëmarrësit shprehën entuziazëm të madh, duke vënë në dukje se këto takime periodike forcojnë lidhjet komunitare dhe ndihmojnë në zhvillimin e identitetit kulturor të fëmijëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Roli i stafit pedagogjik në Shkollën Shqipe Vatra është vendimtar për të transformuar çdo takim në një eksperiencë të vyer dhe të paharrueshme për fëmijët dhe nxënësit. Falë përgatitjes së tyre të kujdesshme, çdo sesion bëhet jo vetëm një mundësi për të mësuar gjuhën shqipe, por edhe për të zhvilluar aftësi sociale dhe emocionale, duke i bërë nxënësit të ndihen të vlerësuar dhe të motivuar për të vazhduar rrugën e tyre edukative.

Gjatë këtij takimi, një moment i veçantë ishte festimi i ditëlindjes së nxënësit Joel Prifti, i cili u bë qendra e vëmendjes me urime të ngrohta nga të gjithë pjesëmarrësit. Joel, si një nxënës i zellshëm, u ndie i lumtur dhe i motivuar, ndërsa kjo ngjarje shërbeu si shembull se si Shkolla Shqipe Vatra kujdeset jo vetëm për arsimin, por edhe për mirëqenien personale të çdo anëtari të komunitetit.

Gezuar Ditelindjen, Joel!💯🎂🍾🥂🎁🎈🎈🎊🎊🎉🎉🎆🎇🙏

Perzemersisht,

Vatra Tampa Bay🇦🇱🇽🇰🇺🇸

Filed Under: Komunitet

FESTA E SHQIPTARËVE

January 19, 2026 by s p

Kastriot Fetahu/

Mark Tuen thotë se “fjala pothuaj e duhur me të duhurën janë si xixëllonja me rrufenë”. Do ta korrigjoja Mark Tuenin në një analogji me fjalët Vatra dhe Atdheu, që nuk janë si në aforizmën e tij. Në takimin festiv të dyvjetorit të “Vatra Boston”, në qytetin Beverly, ishte i gjithë Atdheu, që nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, nga Mali i Zi e deri në Çamëri.

Qyteti Beverly më sjell në vëmendje adoleshencën, kur ndiqja RAI-n në serialin e famshëm “Beverly Hills”, në kërkim të Perëndimit dhe lirisë. Kalifornia, si një planet tjetër për mua atëherë…

Përpiqesha të kuptoja pse isha aty dhe nuk mund ta harroni kurrë respektin ndaj jush. Vij nga Vatra e Chicagos; as atje nuk kisha të njohur kur më ftuan të jem në drejtimin e saj, po kështu edhe në Boston nuk kisha asnjë njohje dhe kjo më bën të mendoj se Vatra beson në vlerat dhe krijohet mbi vlerat, përderisa asnjë njohje apo lobim në rastin tim.

Nuk ka Vatra Chicago, Boston apo Majemi, por ka vetëm një Vatër me shumë gjymtyrë.

Në një tavolinë me Dr. Pashko Camaj dhe Dr. Sokol Paja ndodheshin edhe sekretari i Vatra Boston, Flamur Vezaj, shkrimtari Aristotel Mici, gjithashtu edhe një djalë nga Presheva, inxhinier mekanik Visari, që banonte në Kembrixhin e famshëm të arsimit universitar botëror. Shikoja njerëz të gëzuar në atë ambient festiv, ku një moderatore serioze si Doriana Dhima, anëtare e kryesisë së Vatra Boston, i dha ngjyrat e fishekzjarreve pa shkrepur të tillë.

Kultura është një tërësi vlerash shpirtërore dhe materiale, të cilat janë një përgjigje ndaj problemeve ekzistenciale, dhe shqiptarët e Amerikës i qëndrojnë besnik kulturës së qytetërimit të tyre në këtë vend kozmopolit.

Himnet kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë i përcolla me dorë në zemër. Nëse dëgjon himnin dhe nuk të pickon në zemër, apo nuk ndjen lëvizjen e pavullnetshme të flokëve, më duket sikur nuk e do vendin tënd.

Bisedova me shumë vatranë në këtë festë të shqiptarëve të Bostonit. Nuk e di çfarë do të flisja me Nolin nëse do ndodheshim në të njëjtën kohë, ndërsa doktor Camajt i thashë se kur flas me ty jam duke biseduar me Konicën. Buzëqeshi dhe më tha: “Kastriot, Vatra është diçka e mistershme, është sa institucionale aq edhe vëllazërore, që nuk e pranon hierarkinë dhe diferencën mbi vlerat teknike individuale. Vatra është vetëm zemra e vatranëve”, ndërsa më premtoi edhe librin e tij të ri “Brenga”.

Ndërkohë më çuditi editori i gazetës Dielli, Sokol Paja. Nuk e dija se kishte gradën doktor në gazetari. Modestia e këtij njeriu qëndron në atë se midis fjalëve dhe nënkuptimit nuk ka kurrë një hendek të madh, pasi aq natyrshëm i lexohet dëshira për lartësimin e Vatrës dhe shqiptarisë, si një idealist i palimit. Sakrifica e tij për të udhëtuar në kthim në kohë me borë rreth 5 orë, bashkë me doktor Pashko Camaj, më bëri të mendoj për përkufizimin e fjalës “sakrificë”.

Visari i Preshevës (më ka tërhequr gjithmonë fjala Preshevë me atë asonancën e bukur të zanoreve) më tregoi patriotizmin e Luginës.

Jeni istikami i parë i kombit në raport me serbët, i thashë.

Buzëqeshi dhe më tha se shqiptaria nuk vdes kurrë në ato vise.

Ndërsa një djalë nga Bujanovci më tregoi se në fshatin e tij në çdo shtyllë ka flamuj shqiptarë.

Po pyesja veten: “Kush është më shumë shqiptar, në aspektin e dashurisë për flamurin?”

Burgun e ka shpikur dikush që nuk ka qenë vetë aty, ndryshe është emigrimi, një jetë e jetuar me ngjyra burgu shpirtëror në vitet e para.

Duket sikur ka lindur me qytetërimin ndoshta pyetja më e vjetër “Quo vadis”.

Bisedova edhe me shkrimtarin Aristotel Mici, librat e të cilit i kemi lexuar në fëmijërinë tonë; ai më dhuroi një libër me këtë rast. Mësova se babai i tij ka qenë emigrant në SHBA dhe është kthyer në vendin tonë, ku mbylli sytë në vitin 1939.

Anëtari i kryesisë së Vatra Boston, Andrea Pani, më dhuroi një libër që e konsideroj thesar, të shkruar nga ati i tij për familjen Pani si themelues të Vatra bashkë me Fan Nolin.

Gjatë bisedës me të ngula këmbë të mësoja mbi autenticitetin e librit. Ai më tha se gjithçka është mbi bazë dokumentesh të kohës, të cilat dua t’i dixhitalizoj për të mos humbur.

Fjala “origjinale” mbart në vetvete ngjyrime pozitive: autentike, e mirëfilltë, e besueshme, e qëndrueshme, me vlera të brendshme.

Në libër lexova se Konica i kërkon ministrit të Zogut, Sotir Martini, që t’i jepen 5000 dollarë Vasil Panit për kontributin e tij financiar për Vatrën (vlera e një shtëpie në SHBA në atë kohë). Çfarë njerëz, mendova, për mbiemrin Pani.

Ndërkohë bashkëshortja e Andreas, një zonjë me origjinë nga Maroku, më çuditi me shqipen e saj të kulluar dhe dashurinë për Shqipërinë.

Djemtë si Joridi dhe Klajdi, anëtarë të kryesisë së Vatra Boston, ishin në lëvizje pranë çdo zgjidhjeje të çastit.

Një organizim shembullor nga një njeri i tillë si Mentor Maksutaj, kryetar i Vatra Boston, që më sjell eposin e kreshnikëve me pamjen e tij. Do të ishte krenar Adem Jashari për këtë djalë nga Suhareka, i cili në vitet e represionit serb përfundoi në Amerikë i përzënë si student aktiv kundër atij represioni dhe pas tre muajsh është lidhur me familjen.

Gjenocid edhe mes të përndjekurish në vendosjen e raporteve midis tyre.

Kurse sekretarin e Vatra Boston, gazetarin Flamur Vezaj, të cilin në ato kohëra e kisha cilësuar Roberto Saviani shqiptar, e kisha humbur nga fokusi i Tiranës dhe, si nga qielli, e gjej këtu në Boston. I them me shaka: “Si e le atë punë që do të kishte bërë me vila atje?”

Përgjigjja e tij ishte epike: “Leku është karakter, por jam unë i përjashtuar nga ai lloj karakteri”.

Po kërkoj fjalët e duhura të gjej ndryshimin midis qenies sime në Tiranë dhe tani në Boston, por…

Në Tiranë kisha frekuentuar “dyqanin e dollarit”, po kurrë nuk e kisha kuptuar “lirinë e dollarit”.

Një udhëtim i madh nis me një hap të vogël.

Nuk ka zhurmë më trishtuese sesa kërcitja e zinxhirit të valixhes kur e mbyllim dhe marrim udhën e aeroportit me biletë me një kahje.

Të gjithë fytyrat e qeshura që shikoja kishin kaluar në këtë rrugë ndjesish dhe ia kishin dalë.

Do guxim të madh të ndryshosh jetën.

Vatra e Bostonit, gurthemeli i shqiptarisë në Amerikë, ka të ardhme të ndritur me këta personazhe, mendova, kur tingujt e muzikës dhe njerëzit e qeshur që vallëzonin më rrëmbyen e më çuan në Tiranë me imagjinatë…

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 2887
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS
  • Hapet shkolla shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia të Italisë
  • Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago
  • Join us on May 3rd for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair — a full day of Albanian pride, culture, food, music, and family fun!
  • Pse Josip Broz Tito nuk i dha Kosovës statusin e Republikës, por vetëm autonomi?
  • Kryeministrit i dhimset vila e Enverit dhe jo 6000 të zhdukurit e diktatorit!
  • NEXHMIJE ZAIMI: JETA, IDENTITETI SI REBELIM, DËSHMI DHE PËRFAQËSIM
  • Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Gjykata e Strasburgut regjistron padi kundër Serbisë
  • KUVENDI I LEZHËS, MODEL I RACIONALITETIT POLITIK PËRBALLË RREZIKUT EKZISTENCIAL 
  • When Washington Moves, Prishtina Stands Firm
  • TË GJITHË ATA QË PËRDORIN SHPATËN DO TË VDESIN PREJ SHPATËS (KRISHTI)
  • NJË PORTRET QË VAZHDON TË PASUROHET
  • Përkujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, rilindësin Jeronim de Rada
  • LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, Z. ALBIN KURTI
  • Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT