• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mistere

May 21, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Në çdo periudhë të historisë, njerëz janë zhdukur në rrethana të panjohura. Këto zhdukje paraqesin disa nga enigmat më intriguese, duke filluar nga vrasjet e dyshuara politike, deri te rastet më pak të komplikuara ku njerëzit thjesht lundruan dhe tragjikisht, nuk u dëgjua më për ta. Lista e njerëzve të famshëm që janë zhdukur në mënyrë misterioze dhe nuk janë gjetur kurrë, përfshin eksplorues, monarkë dhe udhëheqës, filozofë dhe shkencëtarë, heronj dhe të jashtëligjshëm.
Nëse dikush do të përpilonte një listë të njerëzve të famshëm të humbur në kohët më moderne, ndoshta përfshirja më e famshme nga historia amerikane do të ishte stilistja e modës dhe aviatorja, Amelia Earhart, e cila u zhduk në mënyrë misterioze duke tentuar një fluturim rreth botës. Nëse zhdukja e Amelisë nuk është në krye të listës amerikane të personave të famshëm të humbur, atëherë Dan. B. Cooper sigurisht që është pas mashtrimeve të tij në prag të Ditës së Falënderimeve 1971. Në bordin e fluturimit 305 të Northwest Orient Airlines, Cooper pretendoi se kishte një eksploziv dhe kërkoi 200,000 dollarë, katër parashuta dhe një kamion kur u ul në Sea-Tac. Pasi kishte sulmuar avionin, ai u hodh jashtë dhe nuk u pa më.
Zhdukja e personave nuk është një fenomen i ri, sepse kthimi pas në kohë tregon për trupat e mbretit të Anglisë Eduard V, të Aleksandrit të Madh të Emathias dhe të sundimtarit brutal të Hunëve, Attila, të gjithë u shuan në mënyrë misterioze.
Ndërsa shumë artikuj, libra, faqe interneti dhe dokumentarë mbulojnë 10 personat më të zhdukur, në mesin e këtyre radhëve ka dy gjigantë historikë, të dy gjeni më vete, varret e të cilëve nuk mund të vizitohen kurrë, sepse askush nuk e di se çfarë ndodhi me trupat e tyre. Ata nuk janë askush tjetër veçse Leonardo da Vinci dhe Wolfgang Amadeus Mozart.

Filed Under: ESSE

MIRNJOHJE PËR MONS. ANGELO MASSAFRËN PËR KONTRIBUTIN E MADH QË NA DHA NË RUAJTJEN E KUJTESËS DHE DOKUMENTIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT!

May 21, 2024 by s p

Besim NDREGJONI*/

Të nderuar Klerikë! Të nderuar të mbijetuar të diktaturës ju që përballuat vuatjet e komunizmit! Të nderuar qytetar të Shkodrës. Fort i nderçëm dhe i respektuar Shkelqesi Monsinjor Angelo Massafra!

Mire se keni ardhur në këtë cermoni nderimi për një arbersh nga “gjaku i shprishur,” për një përçues e mësues i palodhur në shërbim të besimit në Zot Jezues, dhe të rehabilitimit të fesë katolike në Shqipërinë postkomuniste.

Për të nderuar aktivistin e palodhur Mons. Massafrën që përkrah besimit fetar, ky personalitet i madh i kohëve tona dha në mbrotje të kujtesën kombëtare, dhe dokumentimin e krimeve të komunizmit në Shkodren e martirve të lirisë e të qendresës antikomuniste.

Ndjehem shumë i priviligjuar, dhe me përunjësi ulem përpara vepres tuaj imzot Angelo, por fati e deshi që unë pinjoll i nje familje që provoi tre diktaturat fashiste, naziste, komuniste në drejtimin e Unionit Mbarkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë të drejtoi këtë event madhështor, dhe të flas për vepren tënde fetare e kombëtare dhe njerzore.

Pak muaj ma pare me JU vizituam Shenjtërine e tij, mikun e madh të shqiptarve, nga toka arbnore në Selinë e shejtë Papa Franëeskun. Vizita e jonë konsakroi rëndësinë e të kaluemes tone tragjike dhe synoi njikohësishttë përkrahjen e Selisë së shejtë ndaj denimit të krimeve të komunizmit.

“Gjaku i shprishur” ju thiri ju imzot që me hapjen e kufive shqiptarë nga ndrrimi i sistemit Ju me vizionin dhe misionin tuaj të shejtë të ju kërkoninit eprorve tuaj që të vinit si misionar në Shqipërine tone të përbashkët. Dhe përfundimishtë arrritët në vendin e Skënderbeut 1993 Veprimtaria e juaj baritore si detyrë e pare, tek famullia pranë komuniteteve të krishtera në Troshan dhe Fishtë, në Fishtën Gjergjit të madh homerit shqiptar ju u bëtë mesuesi i pare për formimin e të rinjëve, mësues i Novivicëve në pronvincën e rilindur të fretërve minor në Shqipëri pranë kuvendit të lezhës. Në dhjetor 1996 u emruat Ipeshkev Dioqezës së Rreshenit dhe administrator Apostolik i Lezhës së kryetrimit, mbrojtësit të krishtërimit heroit tone kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe në vitin e zi të 97 u shuguruat Ipeshkev nga Shën Gjon Pali i II në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ku mbas 10 muajsh pas vdekjes Arqipeshkevit të Shkodrës Frano Ilia u emruat Administrator Apostolik së Arqipeshkëvisë së Shkodrës dhe Sapës. Krahas detyrave të rëndësishme nga Ati i shejtë Ju u zgjodhët antar i Këshillit Papnor në vitin 2005 pikërisht me 25 janar , Selia e shejtë dekreton bashkimin e Dioqezës se Pultit me Arqidioqezën Metropolitane të Shkodrës me emrin e ri Arqipeshkevia Shkodër –Pult dhe kështu Imzot Massafra bëhet Arqipeshkev i Shkodër Pultit. Si President i Konferencës Ipeshkvnore Ju treguat kujdes vençanrisht në fushën e edukimit, sporteve dhe animacionit si dhe dialogut ndërfetar. Ju u bëtë promotori i riorganizmit të kishës shqiptare duke afruar shërbimet e nevojshme duke punuar për kujdesin e thirrjeve , duke i reasturuar dhe ndërtuat kishat e shkatruar, për tu afruar bashkisisë të krishtera , vende të shenjta të denja dhe duke gjallruar në aspektin e asistencës që veçanrishtë në vitete e para ishte shumë i nevojshëm. Gjatë shërbimit tuaj Ipeshvnor janë të shumta veprat tuaja si “Fshati i Paqes” rrëzë Taraboshit që e krijove për të mirpritur refugjatët e luftës së Kosovës, duke pasur një bashkëpunim midis Zyrës për drejtsi dhe paqe në Dioqezën dhe komunitetit të Santegjidos që përfshin gjithashtu të krishterë ortodoks, dhe musliman të pranishëm në teritorin e Arqiodezës. Ku nuk u gjinde Imzot me misionin tuaj, tek projekti “Shpresa në Shkodër,” në ndihmë të personave me aftësi ndryshe në kampet verore, një ndihme të madhe dhae në fushën e bamirësisë. Besnik ndaj motos Ipeshknore, në pajtimin e gjagjeve për gjakmarrje. Ti i solle paqen Shkdrës në vitin 1998 në një moment të një lufte civile që mund të çonte dhe luftë fetare. Ju përveç punës baritore të kishës, keni publikuar dy publikime “Pajtohuni me Hyjnin 2002” dhe “Dhuratë dhe Angazhim 2016” katër letra baritore të botuar nga Shkelqësia e juaj “Ati na pret ti dalim përpara, 1999” “Ju dua të gjithve në Jezu Krishtin 2002” “Ata që Soditim.. “ Ne e Kumtojmë 2006 “ Gëzimi i Dëshmisë 2017” Jeni kujdesur për gazetën periodike “Fjala e Paqes” dhe Revista “Kumbona e Diellës “ ka punuar të biografitë për Vicens Prenushi dhe 37 shokëve martirë të viti 900 të lumturuar me 5 nëndor 2016 e si President i Gjykatës Kishtare për procesin e kanonizmit të 40 sherbetorve të hyjit “Martirët shqiptar vrarë gjatë diktaturës që ka filluar me 10 nëndor 2002 dhe përfundoi me 8 dhjetor 2010. Përkushtimi i juaj kulturor nuk ndalet vetëm me botime, por keni qënë promovues i Radio Maries në Shqipëri.

Ka qënë këshilltar i disa dokumentarve të dedikuar figurave kombëtare shqiptare si Gjon Buzukut, Frang Bardhit, Pjeter Bogdanit ,

Ti i dashur Massafra erdhe në Shqipërinë postkomuniste se të tërhoqi “Gjaku i shprishur që të thërrisni rrënjet e tua arbëreshe, ku për besimin në Zot e fe ishin pushkatuar besimtare shqiptar. Por ti gjete këtu shpirtin e besimit në Zot. Komunizmi jetën jua mori, por besimin jo, ti gjete foton e Jezuesit se si e mbronin besimtaret sokolesha shkodrane mbas fotos së diktatorit, si e mbronin nga shkatrimin zojen e bekueme e shume relike të shejta të besimit në zot. Dhe me keto dhe me ruajtjen e koleksioneve të kohes së lashta në krijove muzeun e historisë besimit dhe të kishes katolike.

Faliminderit për ketë dhuratë historike që i ke lënë Shkodresë dhe Shqipnisë besimit katolikë shqiptar.

Ju ndoqët postulatin e Shen Gjon Pali II ku në aeroportin e rinasit në vizitën historike 1993 ju drejtu popullit shqiptar”Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën”

Falë përkushtimit tuaj sot ndodhet e pa rrënuar godina e burgut të Spaçit, ju shkuat deri në Amerikë dhe sëbashku me fondacioni Drejtsi dhe Paqe e shpëtuat këtë simbol të kujtesës.

Ti imzot, dhe ne të përndjekurit politikë presim një përgjigje përse nuk u denuan krimnelt që vrane klerin shqiptar e në veçanti klerin katolik e mbi 6000 shqiptar që sot nuk kan një varr në token e tyre.

Shoqënia shqiptare nuk do të shërohet kurrë nga rrjedhimet e murtajës komuniste, përsa kohë që nuk del në shesh e vërteta. Ju punuat me misionin tuaj për të verteten.

Ju kishit Madhështi shpirtënore kur i kërkuat politikës së papërgjeshme shqiptare denimin e krimeve të komunizmit me ligj siç e kan vendet europiane.!

Historia e popullit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe besimtarët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës, në kalvarin shumë shekullor të vendit tonë, e në luftat kundër anmiqve kërcënues; dhe tashti vonë, në forcimin e nji Shqipërie të lirë që përpiqet me qenë europiane. Kjo falë punës misionit tuaj.

Sot, andrra e keqe ka përfundue! Por ne gjindemi para nji procesi shërimi në vendin tonë, para detyrës së randë të rindërtimit moral për të gjithë ne. Jo vetëm ata që janë përgjegjës direkt për krimet e kryeme, por edhe ata që margjinalisht ndiehen fajtorë, – sepse kanë heshte dhe këtu ka nji numër të madh!- duhet të kalojnë nëpër procesin e rivlerësimit të përgjegjsisë së tyne, të qendrimit të tyne imoral ose amoral në ditët e vështira, kundrejt grupit shoqënor numerikisht ma të vogël, por ma të persekutuem se të tjerët, popullsisë katolike shqiptare.

Për fat të mirë, erdhi zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri: shpresa e ushqyeme me besim.

Tashti ndigjohet kumbona e kishës përsëri; dhe përsëri muezini thrret besimtarët për adhurim të Zotit.

Sot, shqiptarët luten, meditojnë, shpresojnë përsëri.

Sot, po zbret vala e vuejtjeve që urrejtja krijoi në marrëzinë e vet, dhe shpresojmë se do të zëvendësohet me nji frymë të re, të heshtun por plot gjallëni, me mirëkuptim, por pa harrue të kaluemen. Sot, ish të persekutuemet kanë përbuzë hakmarrjen, nji fitore morale shqiptare me përpjestime historike, e që këput zinxhirin e hakmarrjes. Sepse falja e fajit ka zanafillë hyjnore, ashtë karakteristike e shpirtmadhësisë, dhe ky ashte nji ogur i mirë, nji shpresë e re që shoqenia shqiptare ka vendos mospërsëritjen e tragjedisë së kalueme. Sot, Kisha Katolike shqiptare, viktima kryesore, deklaron: “Ne, nuk gjykojmë!”Të përndjekurit thërrasin njëzëri Hakmarje Jo, Drejtsi Po. Pa drejtsi nuk ka liri, pa liri nuk ka demokraci.

27 vite jetë ja kushtove vendit tim ,imzot, vendit tand Shqipërisë,

27 vite ma të mirat ja dhe atdheut tone të përbashket Shqipërisë.

Ju u bëtë bashkëpuntor me ne të vuajturit e diktaturës, mësimet e tua, vizioni i juaj, i të vërtetës të paqes, dhe të lirisë do të ngelet postulat për ne. Kërkesa e juaj të denohetn krimet e komunizmit ishte një këmbana për të verteten pa të cilën ne nuk mund të ndertojmë sistemin e vlerave sistemin e qytetarit të lire, por dhe një këmbana ndaj papergjeshmerisë së politikanëve shqiptar që në vend që të denonin krimin ju bashkuan heshtjes ndaj krimit. Heshtja e tyre vret njëlloi si plumbat e xhelatëve të diktaturës dje.

Mirnjohjen tonë të thellë Imzot Angela Masafrës për kontributin e madh që jep në ruajtjen e kujtesës dhe dokumentimin e krimeve të komunizmit, dhe po të vepronte klasa politike postkomuniste si Ju me përkushtimin e Shqiptarit të madh e sensibilizues fati i të përndjekurve politikë shqiptarë dhe i shoqërisë shqiptare, sot do të ishte ndryshe

Sot do të kishim një Shqipëri demokratike, një Shqipëri të lire nje Shqipëri të paqme.!

Të besojmë dhe të shpresojmë!

Faliminderit Imzot Angelo Massafra ti u bëre pjesë e plejadës të njerzve të shquar të kombit tim, të kombit tan”

*Fjala e mbajtur në Muzeumin e Kujtesës në Shkodër me rastin e nderimit me Certifikatën e nderit “ Mirnjohje e Martirve të Lirisë” dhënë Shkelqësisë së Tij Mons. Angelo Massafrës.!

Filed Under: Ekonomi

KADARE, SHKRIMTARI GJENIAL QË I DHA KOMBIT EMRIN E VET

May 21, 2024 by s p

BUJAR SKENDO/

Nuk ndodh asnjëherë që shkrimtarët të identifikohen me emrin e atdheut e të vendit të tyre. Përveç se kur bëhet fjalë për shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, për gjenitë. Vetëm këta e sigurojnë privilegjin sipas të cilit emri dhe vepra e tyre të sjell ndër mend vendin, kombin, popullin e tyre. Por mund të pohohej edhe e anasjellta: Vetëm disa të rrallë kombe dhe popuj përfitojnë të drejtën të identifikohen me emrin e gjeniut të tyre shkrimtar.

Hijerëndë, siç janë shpesh, gjenitë dominojnë shekujt e mijëvjeçarët, duke u bërë pasuri artistike dhe pasqyrë e njerëzimit nëpër epoka. Homeri, patriarku i moçëm i letërsisë, ka afro tre mijë vjet që nuk rresht së rrëmbyeri mendjet njerëzore. Simbol i Greqisë e lashtë dhe i shkëlqimit të atij qytetërimi. Kujton Sheksipirin dhe në përfytyrimin e njerëzimit përvijohet Anglia dhe historia e saj madhështore… Përmendet Dantja dhe shfaqet Italia dhe përndritja e saj. Dhe kështu me radhë Servantesi, Hygoi, Gëte… Të gjithë këta, së bashku dhe veçmas, formojnë kurorën hyjnore të letërsisë së madhe, të pafundme, të pakufishme të planetit. Të letërsisë së përsosur, gjeniale.

Por si krijohet në mendësinë e kombeve e popujve ky shoqërim përfytyrimesh? Një proces i ndërlikuar, sikundër janë të ndërlikuar gjenitë dhe, po ashtu, kombet, popujt. Ndoshta një marrëveshje hyjnore, që nuk zhvillohet vetëm brenda shpirtit dhe mendjes së një populli të vetëm. As të një qytetërimi të veçuar. Vepra e gjeniut, e thellë dhe e pa anë, e përsosur, tronditëse dhe verbuese, nis si një pëshpërimë sublime dhe shpejt shndrrohet në një frymë, në stuhi planetare që përfshin tërë globin. Tërë shpirtin njerëzor. Mbarë qytetërimin. Si çdo gjë hyjnore që shpërfill kufijtë e hapësirës e kohës, gjenitë, secili sipas mënyrës së vet, lartësojnë monumente aristike madhështore të përjetshme.

Shqipëria dhe shqiptarët e shekuve të njezetë dhe njëzetë e një-të janë ndër më fatlumët e historisë së tyre. Sepse ata, befas dolën nga humbëtira dhe u paraqitën përpara letërsisë botërore me një shkrimtar të jashtëzakonshëm, arti i mahnitshëm i të cilit e ngjiti shpejt në majë, midis më të mëdhenjve mendimtarë të njerëzimit. Ishte dhe është gjeniu Ismail Kadare. Shkrimtari që i shpëtoi lexuesit e vendit të tij nga zija, nga mërzia, nga frika, nga humbja e shpirtit. Kadare u dha shqiptarëve një letërsi moderrne, një art të thellësive artistike. Atë art që më pas tronditi pothuajse tërë lexuesit e planetit. Arti i tij turbulloi, trembi, tmerroi diktaturën komuniste, barbarinë e saj, këtë gjëmë të njerëzimit.

Me artin e tij të madh, Kadare zbuloi humnerën, çarjen, ligësinë e shkretinë në kryeqendrën leniniste e atë kineze, duke lajmëruar fillimin e mbylljes së këtij kapitulli antinjerëzor në historinë e njerëzimit. Gjenitë i pëlqejnë shumë humnerat, prandaj “zbresin” shpesh në to. Kadare paralajmëroi krisjen, rrënimin, prishjen e atij rendi, prej peshës së krimit dhe dhunës, mungesës së pendesës, mëshirës… Dhe, njëkohësisht nxiti, frymëzoni, ndriçoi lexuesit e tij, qytetarët e pambrojtur. Arti i tij është unik, si në fund të mijëvjeçartit të dytë edhe në fillimin e të tretit: I thellë deri në pafundësi, i pa kufi.

Vendi i shqiponjave, Shqipëria dhe vetë shqiptarët, historia e tyre e përgjakur, përbëjnë sfondin dhe thelbin e veprës tronditëse të Kadaresë. Në barbari dhe në liri, letërsia e Kadaresë ishte po aq arstistike, plot nëntekste, me reflektime të dyfishta, alegorike. Art i thellë, i pandalshëm, i egërsuar, kryeneç, me fuqi të pashtershme zbuluese të së keqes, antinjerëzores, të mbrapshtës, tiranive… Dhe shpesh herë sarkastik, shpërfillës deri në asgjësim… Shqipëria dhe shqiptarët krenohen me gjeniun e tyre që me artin e tij i ngriti në olimp.

Duke qenë shkrimtari kombëtar i shqiptarëve, Kadare u shdërrua shpejt në shkrimtarin gjeni të planetit.

Kritika botërore u mahnit nga thellësia e bukurisë së artit të Kadaresë dhe shpesh herë u shpreh se ky shkrimtar i madh botëror, ky gjeni, të kujton gjenitë e tjerë botërorë si Shekspirin dhe Danten, Servantesin apo edhe të tjerë si Franc Kafkën, Oruellin… Do të mjaftonte edhe vetëm ky përafrim hyjnor për të përfytyruar përmasat madhështore dhe thellësinë e artit të tij.

Më poshtë, disa episode e mbresa personale që lidhen me gjeniun Ismail Kadare:

I VETËM, KUNDËR GRABITËSVE TË ÇMIMIT KOMBËTAR

Në vitin 1989 isha pjesë e jurisë kombëtare për konkursin e 45 vjetorit të Çlirimit. Ishte vendosur që juria të mblidhej në një zyrë të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Do zgjidhej libri më i mirë i pabotuar. Juria përbëhej prej 13 anëtarësh dhe kryetar i saj ishte Thanas Leci. Pas shumë diskutimesh e seleksionimesh të librave të paraqitur, arritëm në takimin e fundit në të cilin do të votohej për fituesin e Çmimit Kombëtar. Ishte e Premte dhe të Hënën paasdite do shpallej fituesi. Përpara kishim një libër me tregime të Kadaresë dhe një tjetër, po me tregime, të Teodor Laços.

Shumica e anëtarëve të jurisë e kishin deklaruar ndërkaq votën e tyre. Kishin mbetur edhe dy-tri vota. Kryetari i jurisë, edhe pse nuk e kishte deklaruar votën, nuk e fshihte të parapëlqyerin e tij. Sikundër edhe shqetësimin pasi llogaritë e votave, me sa dukej, nuk ishin në anën e të preferuarit të tij. Në një moment ai tha: Tani e ka radhën Bujar Skendo. Ka rëndësi vota e tij sepse sjell, jo vetëm mendimin e vet, por edhe të gazetës “Drita” e të lexuesve të saj… M’u duk një e folur e paramenduar, cinike. Ndieva një lloj presioni. Sepse veç të tjerash më kujtoi edhe ku punoja… U ngrita dhe fola shumë shkurt: “Libri i Teodor Laços është libri më i mirë i shkruar prej tij, kurse libri i Kadaresë është libri më i mirë i paraqitur në konkurs”. Vetëm kaq. Dhe u ula. Rezultati ishte thelluar në favor të Kadaresë. Kryetari u ngrit i inatosur, përplasi letrat mbi tavolinën e tij dhe nisi të fliste për seriozitetin e munguar. Nuk bëri as ndonjë numërim të thjeshtë të votave për njërin apo për tjetrin, por na përzuri pa shkruar asgjë në proces verbalin e jurisë… Dolëm të gjithë në heshtje.

Kur bashkë me Ymerin Çirakun, edhe ky anëtar i jurisë, arritëm te kangjellat e Lidhjes së Shkrimtarëve, pamë Kadarenë që po zbriste nxitueshëm shkallët e jashtme dhe, po me aq ngut, u largua me një makinë. E paska marrë vesh votimin, i thash Ymerit. Dhe tani, siç duket, po lufton që të mos ia grabisin. Me siguri, tha ai…

Atë pasdite u takova rastësisht me Dritëroin përpara Hotel Tiranës. Më pyeti, si shkoi votimi? Nuk përfundoi, iu përgjigja. Do mblidheni sërish të Hënën në mëngjes, më tha. Por, në fakt, nuk pati ndonjë njoftim as të Hënën në mëngjes, as në drekë. Ndërsa pasdite do shpallej fituesi në sallën e Lidhjes.

Në orën e caktuar, u takova sërish me Ymerin dhe së bashku zumë vend në sallën e tejmbushur. More vesh gjë kush është fituesi?, më tha ai. Jo, iu përgjigja. Ndërkohë në tavolinën e gjatë, të mbuluar me një mbulesë të kuqe, në krye të sallës, nisën të zinin vend Kryetari i Lidhjes dhe personalitete të tjerë. Midis tyre, edhe vetë Ismail Kadare. Si është e mundur, e pyeta nën zë, Ymerin. Fakti që Kadare është atje, do të thotë që ai është fituesi. Ashtu duket, m’u përgjigj ai. Përndryshe nuk do vinte fare. Salla e tejmbushur murmuriste. Tensioni ndihej që larg. Asgjë nuk ishte e sigurtë. Përveç faktit që Ismaili ishte ulur atje, në krye.

Kur u shpall fituesi dhe ai nuk ishte tjetër, veçse Ismail Kadare, salla shpërtheu. Tavani, gati, sa nuk u shemb. Madje shumë njerëz ngrinin sytë lart. Por nuk kuptohej, në shikonin tavanin, apo shumë më lart, drejt Zotit…

Më pas mora vesh se Kadare ishte njoftuar menjëherë, ndoshta nga Sami Çabej, anëtar i jurisë dhe admirues i njohur, për votimin e shumicës së jurisë pro librit të tij. Dhe, gjithashtu, mbylljen e mbledhjes pa shpalljen e fituesit. Mbledhja ishte ndërprerë dhe vendimi i jurisë ishte penguar e nuk u ligjërua asnjëherë… Por Kadaresë i mjaftonte edhe vetëm fakti që shumica e jurisë kishte votuar për të. Si një bishë e ndërkryer, i vetëm, ai ishte hedhur në sulm kundër grabitësve të Çmimit Kombëtar. Armiqtë e Kadaresë nëpër zyrat e shtetit deri lart në Komitetin Qëndror, kishin tentuar tia mohonin Çmimin. Por, me sa duket, të zënë në befasi, nga reagimi i sertë i shkrimtarit kombëtar, ishin tërhequr të frikësuar. U përfol që Foto Çami kishte thënë: Çmimi t’i jepej atij për të cilin juria kishte votuar në shumicë…

Vetëm pas kësaj Kadare kishte pranuar të zinte vendin e tij në tavolinën e gjatë në krye të sallës së Lidhjes, ku ai vetë do shpallej fitues.

PËR TË TJERËT DY FAQE GAZETE, PËR KADARENË DY KOLONA

Ishte bërë normë që kur organizohej diskutimi mbi botimin e veprave të zgjedhura të shkrimtarëve në Lidhjen e Shkrimtarëve, gazeta “Drita” i pasqyronte diskutimet në dy faqe të saj. Por nuk ndodhi kështu në rastin e Kadaresë. Seria e veprave të tij ishte botuar, por pa veprën e njëmbëdhjetë në të cilën do të duhej të ishte “Pallati i Ëndërrave”. Megjithatë disktutimet rreth veprës së plotë ishin serioze dhe vlerësuese. Unë isha ngarkuar nga redaksia të përgatisja një përmbledhje të diskutimeve për numërin e radhës të gazetës. Ndërsa isha duke punuar, vjen kryeredaktori dhe, pasi pa fletët e daktilografuara, më pyeti: Hë, si po shkon? Mirë, iu përgjigja. Jam diku nga gjysma e shkrimit. Jo, jo, më thotë. Nise nga e para dhe do jetë dy kolona, jo dy faqe gazete… Desha t’i thoshja diçka, por u ndala kur vura re që ishte i prerë në fytyrë, i turbulluar. Ngriti supet dhe u largua… Ishte e qartë që kishte marrë urdhër të prerë.Ishte stina e dhunës shtetërore ndaj shkrimtarit të madh me periudha ndalimi të botimit, me bllokim veprash të botuara, me paraqitje prej dy kolonash në gazetën e vetme letrare kombëtare…

PAS IKJES NË FRANCË EMRI DHE VEPRA E KADARESË NUK PËRMENDEJ NË ARTIKUJT KRITIKË

Në Nëntor të vitit 1990 u mbajt në Korçë Konferenca e talenteve të reja. Në seksionin e kritikës letrare ishte i pranishëm, përveç Kryetarit të Lidhjes Dritëro Agolli edhe Foto Çami nga Byroja Politike. Në diskutimin tim theksova se që pas largimit të Kadaresë në Francë, shkrimet kritike që na vijnë në gazetën “Drita” nga kritikë e studjues të njohur, nuk i përmendin as veprat e Kadaresë dhe as emrin e tij. Kjo e ka shtuar edhe më shumë varfërinë e kritikës dhe skematizmin e saj. Në këtë moment më ndërpret Foto Çami. Keni ndonjë udhëzim për këtë gjë, më pyeti ai. Jo, iu përgjigja. Por vetë kritikët e studjuesit, vullnetarisht, nuk e përfshijnë Kadarenë.

“SHKRIMET KRITIKE I PRISHIN SHKRIMTARËT”

Përgjatë vitit 1990 në Lidhja e Shkrimtarëve dhe Arstistëve organizoi diskutime të hapura për gjini të ndryshme letrare e artistike. Ishin disktutime me një frymë disi liberale dhe tonin ua jepte vetë kryetari i Lidhjes Dritëro Agolli. Kishte rastisur që një ditë përpara se të diskutohej për romanin dhe problematikën e tij, unë kisha botuar në gazetën “Drita” një shkrim analitik mbi stilin dhe mjetet të reja moderrne shprehëse në disa romane të botuar gjatë atij viti, midis të cilëve edhe “Dosja H” i Kadaresë dhe “Pushimet e kolonelit” i Teodor Laços. Në fjalën e tij Dritëroi e kritikoi shkrimin duke thënë se “artikuj të tillë kritikë i prishin shkrimtarët me lavdërimet e tepëruara që u bën”. Kuptova që e kishte fjalën pikërisht për romanin e Kadaresë, vlerësimet për artin romanesk të të cilit, zinin pjesën më të madhe të artikullit tim. Pas disa ditësh i shkova në zyrë. M’u duk se e kishte harruar fare kritikën që më kishte bërë. Kur unë ia kujtova, tha përsëri të njëjtën: Po, ju i bëni shkrimtarët t’u rritet mendja… U krijua një heshtje. Në atë moment, për fat, hyn Teodor Laço, mik i hershëm i Dritëroit. Hë, tha ai, për çfarë po bisedoni. Për artikullin tim të së Dielës, i thash unë. Me lavdërime të pamerituara, tha Dritëroi. Po mirë kryetar, ndërhyri Laço, ti vetë po flet nëpër diskutimet e fundit për më shumë liri shprehjeje, për mendime të ndryshme… Në këtë kuptim, nuk m’u duk të kishte ndonjë gjë të ekzagjeruar në artikullin e Bujarit…

JU E LEXONI KADARENË MË SHUMË POR E DONI MË PAK

Në Prill të vitit 1991 isha i ftuar nga Teatri Shqiptar i Shkupit për të ndjekur premierën e një shfaqjeje. Në kafen e teatrit u takova me Musa Ramadanin dhe Beqir Mysliun, shkrimtarë të njohur nga Prishtina. Më herët kisha recensionuar për Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” një roman të M. Ramadanit, me propozimin për t’u botuar. Dhe ai e dinte këtë gjë. U bëmë menjëherë miq. Pas shfaqjes u takuam sërish dhe në bisedë e sipër, u thash se të vija deri këtu e të mos bëja edhe një hap më shumë deri në Prishtinë sikur nuk shkon… Do vimë ne të të marrim, më premtuan. Dhe ashtu u bë. U nisëm një prag mbrëmjeje, ndërsa rruga për në Kosovë patrullohej nga ushtarë serbë të armatosur rëndë. Natën e parë bujta në shtëpinë e Musait duke biseduar për romanin e tij që, për mund të botohej në Tiranë, për letërsinë… Dhe për praninë e shtuar të ushtrisë serbe në Kosovë. Hijet e luftës së mundëshme ndiheshin gjithandej. A mund të na ndihmojë Shqipëria me armatim?, më pyeti Beqir Musliu. Ne dimë që keni avionë “Fantom 3” dhe shumë armë moderrne, shtoi ai… Këta Fantomët nuk i kemi parë as në ëndërr, i thash. Për të tjera, po… Kështu kaloi ajo natë e trazuar e shoqëruar me jehonën e zhurmës së çizmeve të ushtarëve serbë nëpër rrugët e Prishtinës. Të nesërmen u nisëm për te redaksia e gazetës “Rilindja”, botimi i së cilës ishte ndërprerë prej disa muajsh nga Beogradi zyrtar. Kaluam kryqëzimin e rrugës pranë Hotel “Grand”, të mbushur me militarë e paramilitarë serbë. “Ne nuk futemi më në “Grand”, më tha Musai… Madje, tani, as vështrimin nuk e hedhim andej”…Ndërsa ishim në një nga zyrat e gazetës, në mënyrë të papritur, u mblodhën njëzetë a tridhjetë gazetarë, të cilët edhe pse nuk punonin më, vinin aty për çdo ditë. Të gjithë të heshtur, të ngadaltë, të zymtë. Por sapo ra fjala për Kadarenë, ata lëvizën të tërë dhe u afruan… Biseda e tëra ishte për Kadarenë dhe romanet e tij. Ju në Shqipëri, tha njëri prej tyre, e lexoni më së shumti Kadarenë, por e doni më së paku. Kurse ne këtu në Kosovë, e lexojmë më së paku, por e duam më së shumti. Mbeta pa fjalë për atë të vërtetë vrasëse. E dija adhurimin e lexuesve të thjeshtë për Kadarenë, por dija, gjithashtu, edhe urrejtjen e partisë shtet ndaj shkrimntarit gjenial. E, po ashtu, ekzistenën e letraxhinjve cmirëzinj. Kurse në Kosovë e çmonin, e idealizonin, e admironin të gjithë, si ata që e lexonin, edhe ata që nuk lexonin asgjë, ose nuk dinin të lexonin…

KUSH KA FITUAR ÇMIMIN E JERUZALEMIT, MË PAS KA FITUAR NOBELIN

Në fund të misionit tim diplomatik si Ambasador i Shqipërisë në Bullgari dhe duke u përgatitur për të marrë të njëjtin post në Izrael, Ambasadori i Shtetit të Izraelit në Sofje, Noah Gal Gender, më telefonoi dhe pasi më uroi, më ftoi për kafe. Ishim miq dhe më herët ishim takuar shpesh. Më kishte thënë se kishte lexuar disa romane të Kadaresë, të përkthyera në gjuhën ebraishte dhe ishte admirues i artit të tij. Nuk e fshihte gëzimin për emërimin tim Ambassador në vendin e tij. (Më pas, edhe ai do caktohej Ambasador i Izraelit në Tiranë). Do të doja tju sugjeroj dy gjëra, më tha ai, në bisedë e sipër: Vizitën e parë do ishte mirë t’a bësh në Yad Vashem. Në Muzeun i Holokaustit, ku do gjeni edhe këndin e shpëtimit të ebrejve nga Shqipëria dhe shqiptarët. Së dyti, më tha ai, në Jeruzalem funksionon një Komitet që akordon “Çmimin e Jeruzalemit për Letërsi”. Kadareja, sipas mendimit tim, e meriton atë Çmim. Dhe më pas shtoi: Ata shkrimtarë të mëdhenj botërorë që kanë fituar Çmimin e Jeruzalemit për letërsinë, më pas kanë fituar Çmimin Nobel…Kur pas një muaji shkova në Izrael, vizitën në Zad Vashem e kisha renditur ndër të parat vizita. Po ashtu, edhe takimin me kryetarin e Komitetit të “Çmimi i Jeruzalemit për Letërsi”. Ai e mirëpriti propozimin tim dhe më premtoi se do jepte porosi që dosja e Ismail Kadaresë të përgatitej. Ishte fjala për një Çmim për të cilin do të duheshin një apo edhe dy vjet punë, seleksionime, diskutime, vendime… Më pas, për fat të keq, ai u sëmur dhe pas ca kohësh ndërroi jetë. Por proçedurat e “Çmimit…” vijuan. Kadare e mori “Çmimin e Jeruzalemit në Letërsi” një vit pasi unë isha larguar nga Izraeli…

TE BAR JUVENILJA: A NA DUAN NEVE ATA BULLGARËT?

Ndodhesha në Tiranë për pak kohë, në pritje për t’u nisur për në Izrael, kur miku im Bujar Hudhri, botuesi i mirënjohur i Kadaresë, më mori në telefon dhe më tha se Ismaili e ka marë vesh që je caktuar Ambasador në Izrael dhe do të të takojë. Do ishte kënaqësi e madhe për mua, i thash, por unë nisem për dy ditë. Mirë, do ia them Ismailit, tha ai. Pas ndonjë ore më mori sërish në telefon: Nesër në orën 11.00 do takohemi te Juvenilja. Ismaili i anulloi tërë takimet që kishte planifikuar dhe në orën e caktuar do jemi bashkë te Juvenilja… Folëm për shumëçka: Për kombin dhe sulmet që i bëhen kombit tonë nga disa shqiptarë etj. Në një moment, Kadare befas më pyeti: A na duan neve ata bullgarët? Iu përgjigja se bullgarët i kanë përcaktuar prej kohësh, si miqtë edhe armiqtë. Qysh në kohët e mbretërisë. Por neve na kanë mbështetur shumë këto vite. Madje edhe kanë lobuar për pranimin tonë në NATO si dhe në BE për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

E di gjendjen e Ambasadës sonë në Izrael nga ish-ambasadori, më tha më tej në bisedë. Por ti mos u dorëzo. Është i rëndësishëm Izraeli për ne… I tregova për bisedën me mikun tim, ambasadorin e Izraelit të Sofje Noel Gal Gender, adhurues i romaneve të Kadaresë dhe sugjerimin e tij lidhur me “Çmimin e Jeruzalemit në letërsi”…

LIDHJA E SHKRIMTARËVE GËLONTE NGA SPIUNËT

Po te Bar Juvenilja, disa vite më vonë. Kadare kishte botuar librin “Kohë për rrëfim”, Dialog me Alda Bardhylin, dhe unë i shpreha konsideratat e mia më të larta dhe e urova. Të pëlqeu, vërtet, më tha. Po, iu përgjigja. Veçanërisht pjesët ku portretizoni shkrimtarët e viteve ’30 dhe që ishin shumë moderrnë në stil, në problematikë. Po, tha Kadare, shumë moderrnë. Por nuk kam parë të shkruhet ndonjë roman për ndonjë prej tyre.

Pastaj biseda kaloi te Lidhja e Shkrimtarëve. Një miku im Profesor, Petagog Universiteti, i thash, për interesat e tij shkencore kishte punuar disa kohë te Autoriteti i Dosjeve. I kishin rënë në dorë edhe dosje të spiunëve të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ishte habitur sa shumë spiunë kishte pasur në atë godinë. Por njëri, F.S. ishte kampion. Dosja e tij ishte më e trasha. Edhe ju në gazetë kishin nja tre a katër, V.K.,L.B.,M.R… Po, tha menjëherë Kadare. Lidhja gëlonte nga spiunët. Ishte institucioni më i survejuar në Tiranë. Spiunë të brendëshëm, të njërit apo të tjetrit personalitet të Lidhjes, apo edhe i të dyve bashkë… Spiunë të Sigurimit të Shtetit. Spiunë të Komitetit të Partisë…

JEHONA E “KUR SUNDUESIT GRINDEN” NË BRITANI TË RISJELLIN NË MEND ÇMIMIN NOBEL

Sërish te Bar Juvenilja me Kadarenë. I pranishëm ishte edhe poeti i mirënjohur Sadik Bejko. Besoj se ndiheni dyfish i lumtur, i thash shkrimtarit të madh, gjeniut Ismail Kadare. Së pari që po jetoni vërtet gjatë dhe jeni një gjeni i gjallë. Dhe së dyti, përkundër disa shkrimtarëve të mëdhenj botërore, madje edhe nobelistë, që duke jetuar gjatë bëhen dëshmitarë të harresës dhe humbjes së veprës e të emrit të tyre, ju po përjetoni pikërisht të kundërtën. Veprat tuaja botohen, përkthehen, për to publikohen artikuj kritikë, e madje edhe propozohen për çmime të mëdha… Po, tha Kadare. Dhe ky fakt më gëzon. Rikthimi i vrullshëm në vëmendje i veprës “Kur sunduesit grinden” në Britani ishte i papritur shtoi ai. Kjo është një shenjë e mirë, tha Bejko. Asociacionet e kësaj vepre dhe disa elementë përbërës të saj, mund ta çojnë Kadarenë te “Nobeli”. Pasternaku dhe Stalini diktator, Kadare dhe Hoxha diktator…, besoj se nxisin mendjet njerëzore për Nobelin e merituar të Kadaresë, përfundoi ai…

Filed Under: LETERSI

Kryeministri Kurti mirëpriti zëvendës ndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan, Nicole Chulick, thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës udhëhiqet nga parimi se ligji është mbi politikën

May 21, 2024 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, mirëpritën Zëvendës ndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick.

Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendës ndihmës Sekretaren Chulick për përkrahjen prej dekadash të ShBA-ve, sidomos nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë.

Ai theksoi përkushtimin e lartë të Republikës së Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe përkushtimin e qeverisë ndaj sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi se Kosova është shtet multietnik dhe qeveria po angazhohet që të fuqizojë komunitetet joshumicë.

Gjatë bisedës, Kryeministri Kurti e njoftoi me politikat dhe masat mbështetëse të qeverisë për komunitetet joshumicë dhe grupet e margjinalizuara, ndër to mbështetja financiare për qendrat e mësimit dhe bursat për nxënës e studentë nga radhët e po këtyre komuniteteve, procesi i verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut me qëllim lehtësimin e qasjes në mundësi të punësimit, fondi i veçantë për grante për OJQ, fermerë e ndërmarrës të ri nga komunitete joshumicë, dhe masat e punësimit për 2000 banorë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.

Kryeministri Kurti ka shpjeguar se masat e punësimit të Qeverisë, duke përfshirë ato për gratë dhe të rinjtë, kanë kontribuar në një rritje të punësimit prej 20% në tre vjet qeverisje.

Po ashtu, Kryeministri Kurti tha se demokracia dhe zhvillimi shkojnë krah për krah dhe në këtë drejtim theksoi rezultatet e qeverisë gjatë tre vjetëve të fundit në fushën e sundimit të ligjit, siç është konfirmuar nga Indeksi i Sundimit të Ligjit të organizatës ndërkombëtare “World Justice Project”, i cili në 2022 e ka renditur Kosovën në vendin e dytë në të gjithë botën për përmirësim në sundimin e ligjit, pastaj në luftimin e korrupsionit, siç dëshmohet nga përmirësimi për 21 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, në progresin demokratik siç evidentohet nga Instituti V-Dem që na rëndit të parët në Ballkanin Perëndimor në indeksin e demokracisë elektorale, si dhe përparimin në të drejtat civile dhe liritë politike, sipas Raportit të Freedom House të vitit 2023 që gjithashtu na renditë të parët në Ballkanin Perëndimor.

Më tej, ai nënvizoi se qeveria udhëhiqet nga parimi se ligji është mbi politikën dhe se e konsideron këtë parim një udhërrëfyes absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Në këtë takim, ai gjithashtu i shprehu zëvendës ndihmës Sekretares brengën e tij në lidhje me spastrimin etnik administrativ të shqiptarëve që po ndodh në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga autoritetet e Serbisë.

Kryeministri e falënderoi zëvendës ndihmës Sekretaren Chulick për vizitën, takimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës.

Filed Under: Rajon

SHQIPTARËT E AMERIKËS KËRKOJNË VOTËN E DIASPORËS

May 21, 2024 by s p

SHQIPTARËT E AMERIKËS KËRKOJNË VOTËN E DIASPORËS. EJA PROTESTO…

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 958
  • 959
  • 960
  • 961
  • 962
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT