• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Toleranca është për njerëz me zemër të madhe!

July 31, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

Në romanet filozofike të Voltaire duket sikur është kristalizuar shpirti i një shekulli të tërë, duke i hequr maskën idhujve të errësirës. Fakti që Voltaire “arsyeton”, ka si qëllim që të ”arsyetojnë të gjithë”, mbi tolerancën, edukatën, fanatizmin, pushtetet absolute. Kontradiktat e tij me Rosusseaun duket kur thotë, “gjëja në të cilën është folur shumë pak në veprën e Rousseaut për edukatën, është edukata vetë”.

Volteri qëndron në letërsi ashtu siç qëndron Wolfgang Amadeus Mozart në muzikë. Problemi i parë që dua të ngre është toleranca. Çfarë është toleranca??? Toleranca është mjegulla e njerëzimit. Jemi të gjithë të brymosur nga dobësitë dhe gabimet; t’ja falim reciprokisht budallallëqet tona, ky është ligji i parë i natyrës.

Toleranca është e nevojshme si në politikë ashtu edhe në fe, vetëm krenaria është e pa tolerueshme. Ajo të prish shpirtin, duke dashur t’i mbushësh mendjen tjetrit ta mendojë një problem si ty;është burimi sekret i të gjitha ndarjeve. Toleranca është për njerëz me zemër të madhe! Toleranca i ka të gjitha bashkë zemrën e madhe …mendjen e hollë, kulturën…njerëzillëk që e ndan njeriun nga kafsha!

Toleranca është fjalë me kuptim të gjerë dhe tregohet në varësi të situatës së krijuar apo rrethanave personale që kalon njeriu në jetë. Mund të jesh tolerant ndaj besimeve fetare, bindjeve politike, pasioneve njerëzore apo kulturave dhe racave që përbëjnë këtë botë. Në qoftëse do të flasim për çështje individuale apo gjëra që i ke bezdi dhe të shqetësojnë ato sigurisht varet shumë nga personi apo miku juaj. Varet sesi ky njeri ju bezdis, varet nga lidhja dhe vlerësimi që keni për të, varet sa ndjeni për të dhe dëshira juaj për te kuptuar këtë njeri. Duhet kuptuar që njerëzit nuk janë të gjithë njësoj dhe çfarë t’i mund të quash bezdi, për një individ tjetër quhet norma shoqërore. Ajo që ti mund ta cilësosh si inat mund të jenë anët negative apo pozitive të individit ashtu siç mund t’i ketë gjithkush. Thelbësore është të arrish t’i kapërcesh këto “inatet” dhe “bezditë” me mendje të hapur dhe i gatshëm për të kuptuar dhe arsyetuar. Si dihet mund të mësosh gjëra që si ke menduar kurrë që të përkasin ty. Sigurisht këto që shkruajta vlejnë për njerëzit që i ke dhe i vlerëson. Për miqtë të vjetër dhe të rinj që i ke vlerësuar dhe respektuar. Në këtë botë është shumë e vështirë të gjesh miqtë të vërtetë dhe ata që gjen duhet t’i vlerësosh dhe t’i ruash me fanatizëm, edhe pse mund të ndodhë që të inatos apo bezdis në disa raste. Mbetem i mendimit që një miqësi e vyer është një thesar i vërtetë që ja di vlerën vetëm kur e humbet. Bashkë me tolerancën ecën vendosmëria. Jam tolerant kur lejoj ndjenjën(që mund të jetë urrejtje, dashuri, besim, zhgënjim etj, etj…) të më komandojë, dhe jo unë ta komandoj atë. Në raste të tjera balancimi është rrugëdalja për çdo situatë…

(Autori është redaktor në gazetën e përditshme ”Lajm”)

Filed Under: Analiza Tagged With: eshte per njerez, faik Krasniqi, me zemer te madhe

CIRKUSI POLITIK NË NJU JORK

July 30, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në Shtator mbahen zgjedhjet vendore në qytetin e New Yorkut për Kryetar Bashkie, për anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe poste të tjera administrative të këtij qyteti.  Thuhet këtu në Amerikë se politika është krejtsisht vendore (all politics is local) dhe si e tillë politika vendore është shumë më e rendësishme për interesat jetësore të përditshme për banorët e qyteteve, rretheve administrative e tjera, në krahasim të themi me politikën kombëtare dhe ndërkombëtare që përpilohet në Uashington.  Këjo ndodhë sepse udhëheqsit politikë vendorë janë ata që me të vërtetë ushtrojnë dhe zbatojnë një politikë kritike që prekë  nevojat dhe interesat, në përgjithësi hallet e banorëve vendas, duke filluar nga cilësia e shkollave për fëmijtë, shpenzimet vendore, krimi, taksat, transporti, e të tjera.  Por shërbejnë si shembull për të rinjët e të rejat e komunitetit nga pikpamja të meritave dhe përgjegjsive ndaj komunitetit, por edhe shembull për nga karakteri i zytarve vendas.

Andaj për të ushtruar si duhet dhe me përgjegjësi të drejtën e votës, votuesi duhet të jetë i mirë informuar për kandidatin ose kandidatët për të cilët voton, si nga pikpamja se si ai ose ajo do të mund të zgjidhë problemet e komunitetit më së miri, në krahasim me kandidatët e tjerë,  por gjithashtu, në mendimin tim, edhe për nga këndveshtrimi i karakterit të kandidatëve, të cilët kërkojnë besimin dhe  mbështetjen e votuesve.

Në qytetin e New Yorkut, që është qyteti më i madh i Amerikës, dy kandidatë skandalozë, Antoni Uiner dhe Eliot Spitzer, i pari ish-kongresmen, detyrë prej së cilës u detyrua të jepte dorheqjen për shkak të një numëri skandalesh seksuale, vetëm e vetëm për tu paraqit tani pas disa vitesh, si kandidat i partisë demokrate për kryetar bashkie të Nju Jorkut, megjithse ka pranuar përzierjen e tij në skandale të tjera seksuale edhe pas largimit të tij nga detyra e kongresmenit.   Tjetri na është, aspak më ultë për nga detyra se ish-governatori demokrat i shtetit të Nju Jorkut, Eliot Spitzer edhe ky i përzier në skandale  të turpshme seksuale me prostituta — i cili u detyrua gjithashtu të largohej nga detyra e  governatorit — ka venë kandidaturën për detyrën me rëndësi të kontrolluesit të qytetit, dmth zyrtarit më të lartë financiar i qytetit të Nju Jorkut.

E pa besueshme!  Për arsye të skandaleve seksuale  të dy ishin detyruar të largoheshin nga detyrat me rëndësi që u kishte besuar populli  vite më parë, dhe tani pas disa vjetësh, duan, pa kurrfarë turpi, të këthehen përsëri në detyra të besimit publik.   Antoni Uiner bile, me bashkshorten pranë tij, pati fëtyrë të pranonte para disa ditësh se kishte vazhduar me skandalet seksuale, madje edhe pasi  u detyrua të largohej nga Kongresi si përfaqsues i Nju Jorkut.   Megjithëkëtë dhe pa pikën e turpit, Uiner kërkon t’i imponohet  përsëri banorve të Nju Jorkut duke u kërkuar votën e tyre për t’i përfaqësuar ata si kryetar bashkie i qytetit më të madh amerikan dhe një ndër qytetet më të mëdha  të botës.

Me të vërtetë, banorët dhe qyteti i New Yorkut meritojnë kandidatë më të mirë, më moral dhe më me karakter se dueti UIner e Spitzer.  Udhëheqës të lartë demokratë në nivel vendor dhe kombëtar, me të drejtë, kanë bërë thirrje për tërhqjen e kandidaturës, sidomos të Antoni Uiner, por deri më sot të dy janë në garë për postet që kërkojnë.   Karakteri dhe morali i politikanëve dhe i kandidatëve për detyra publike në nivel vendor dhe kombëtar është me rëndësi, sepse veprat individuale si skandalet seksuale të Antoni Uiner dhe Eliot Spitzer –si dështime morale personale — mund të kenë pasoja të këqia edhe për publikun e gjërë.

Votuesit e Nju Jorkut mund t’i falin këta dy politikanë për gabimet dhe skandalet seksuale të së kaluarës, por ama mos të gabojnë dy herë dhe të votojnë rishtas këta dy politikanë të degjenuar në poste publike me rëndësi, siç është kryetari i bashkisë dhe zyrtari kryesor financiar i qytetit të Nju Jorkut. Por më në fund, janë votuesit e Nju Jorkut ata që do ta kenë fjalën e fundit mbi fatin politik të tyre.

Shqiptaro-amerikanë të Nju Jorkut, kini kujdes për ke hidhni votën tuaj të shtrënjtë në shtator, pasi të kini shqyrtuar mirë meritat dhe kualifikimet për postet në të cilat kandidatët e ndryshëm kërkojnë të zgjidhen, por mbi të gjitha pasi të kini vlerësuar edhe karakterin e këtyre dy kandidatëve, të cilët me veprat e tyre jo vetëm që kanë abuzuar me besimin që publiku kishte vendosë mbi ta — por njëkohsisht kanë koritur veten, familjet e tyre dhe Nju Jorkun.

Ne foto: Anthony Weiner,kandidat për kryetar bashkie në New York

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Cirkusi politik, Frank shkreli, ne NY

Edhe një përpjekje tjetër për paqe në Lindjen e Mesme

July 30, 2013 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/

Ndërsa përveç turistëve nga e mbarë bota, në këto ditë vape të korrikut, Uashingtoni pothuaj është boshatisur për arsye të pushimeve verore të mijëra nëpunësve dhe zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë federale dhe të tjerëve, administrata e presidentit Obama, nëpërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, njoftoi të hënën rifillimin — pas një ndërprejeje prej tre vjetësh — të bisedimeve për paqë në Lindjen e Mesme, midis Izraelit dhe Palestinezve. Sipas Departmentit amerikan të Shtetit, të dy palët kanë rënë dakort të vazhdojnë bisedimet për nëntë muajt e ardhëshëm.

Ashtu si pothuaj çdo president amerikan para tij, edhe presidenti Obama e ndjen jo vetëm të nevojshme, por edhe si detyrim, që të përpiqet të bëjë ç’është e mundur për të ulur të dy palët në tryezën e bisedimeve me qëllim që më në fund të vendoset paqa midis Izraelit dhe Palestinës, si kyçi për paqë në të gjithë Lindjen e Mesme. Duke njoftuar fillimin e bisedimeve midis dy palëve, si dhe emërimin e përfaqsuesit të posaçëm amerikan për bsiedimet iraelito-palestineze, ambasadorin Martin Indyk, Xhon Kerri tha se ishte vizita historike e Presidentit Obama në Ramallah marsin që kaloi, ajo që solli këtë moment të fillimit të bisedimeve. Kryediplomati amerikan njëkohsisht falënderoi edhe presidentin palestinez Abas dhe kryeministrin izraelit Netanjahu për udhëheqjen e tyre të guximshme, si dhe për gatishmërinë e tyre për të marrë vendime të vështira, “për një çështje aqë të vështirë, të komplikuar, aq emocionale dhe simbolike”, tha ai. Z. Kerri shtoi se procesi i negociatave do të jetë i tepër i vështirë, sepse po të mos ishte i tillë, paqa do ishte vendosur me kohë midis dy popujve. Por me vendosmërinë dhe me shpresën dhe optimizmin amerikan për suksein e bisedimeve dhe për një zgjidhje eventuale midis palëve, ai tha se pasojat për të mos bërë asgjë në këtë drejtim, janë shumë më të këqia.

Sekretari i Shtetit Kerri, duke paraqitur diplomatin e njohur Martin Indyk si përfaqsues të posaçëm amerikan në këto bisedime, tha se ambasadori Indyk “Është reaslist. Ai e di se paqa midis palestinezve dhe izraelitëve nuk do të vijë kollaj dhe se nuk do të ndodhë shpejt. Por, njëkohsisht, ai është i vetdijshëm se tani ekziston një rrugë e hapur përpara, dhe se këjo rrugë duhet ndjekur me urgjencë”, shtoi Xhon Kerri. Ndërsa, Ambasadori Indyk, duke falenderuar Sekretarin Kerri për emërimin e tij në këtë detyrë të rëndësishme, por me plotë sfida, citoi nga fjalimi i Presidentit Obama në Jeruzalem marsin që kaloi, se në Lindjen e Mesme, “Paqa është e nevojshme, paqa është e drejtë dhe paqa është e mundshme”, tha se pret të punojë ngushtë me Sekretarin Kerri, me Presidentin Palestinez Abas, me Kryeminstrin izraelit Netanjahu dhe me delegacionet e të dy palëve, për të bërë çdo gjë të mundur që të realizohet vizioni i Presidentit Obama për dy shtete, në paqë dhe siguri me njëri tjetrin”, që në të vërtetë ka qenë vizioni edhe i administrave të mëparshme amerikane. Xhon Kerri tha se, “Nëqoftse udhëheqsit e të dy palëve vazhdojnë të tregojnë udhëheqje të fortë, vullnet të mirë dhe gatishmëri për të marrë vendime të vështira dhe të bëjnë kompromise, atëherë paqa është e mundur.”

A është ky një ”mission i pamundur” që ka ndërmarrë Sekretari Kerri, pasi në fund të fundit, për dekada tani, përpjekjet amerikane për të sjellur paqën në Lindjen e Mesme kanë dështuar. Megjithse pala amerikane duket më entuziaste dhe më me shpresë për mundësinë e suksesit të këtyre bisedimeve dhe ndërsa Liga Arabe duke se i ka dhënë aprovimin e saj nismës diplomatike të administratës Obama për rifillimin e bsiedimeve, përfaqsuesit e të dy palëve, siç duket, janë më të rezervuar mbi ato që presin nga këto negociata, ndërsa shprehën qëndrimet e njohura të tyre. Ministri i jashtëm i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Riyad Maliki u tha gazetarve të hënën se, “Objektivi i delegacionit palestinez në këto bisedime është që të theksojë faktin se ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara të veprojnë për t’i dhënë fund okupimit izraelit dhe të punojnë për krijimin e një shteti palestinez.” Ndërsa ambasada izraelite në Uashington, nepërmjet një deklarate pak si evazive tha se “Izraeli i konsideron Shtetet e Bashkuara si një partner jetik në përpjekjet tona për paqë me palestinezët. Ne mirëpresim një rol aktiv dhe krijues amerikan dhe njëkohsisht përkrahim përpjekjet e Sekretarit Kerri për të sjellur përsëri palestinezët në tryezën e bisedimeve.”

Por megjithëkëtë, Sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri duket se e ka marrë këtë nismë me seriozitetin më të madh. Ai ka bërë gjashtë udhtime në Lindjen e Mesme ç’prej kohës që është emëruar si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara. Gjatë atyre vizitave në rajon, ai ndërmori atë që ishte bërë e njohur nga parardhësi i tij dekada më parë, Henri Kissinger si diplomacia vajtje-ardhje nga një kryeqytet i Lindjes së Mesme në tjetrin. Megjithë entuziazmin e Sekretarit Kerri, ka mundësi që përpjekjet e reja të diplomacisë amerikane të mos sjellin asnjë hap ose rezultat të mirë drejtë paqës në Lindjen e Mesme, mendime këto që në të vërtetë po shfaqen edhe nga disa ekspertë si dhe në editorialet e gazetave më të mëdha amerikane. Por Sekretarit amerikan të shtetit — megjithë përspektivat e paka për sukses — duhet t’i njihet kredia që të pakën ndërmori nismën për rifillimin e bisedimeve palestinezo-izraelite, duke shpresuar për një marrveshje që do të çonte në realizimin e vizionit për dy shtetete që do të jetojnë në paqë me njëri tjetrin. Përballë sfidash të mëdha, është më mirë të provosh të bësh diçka për të përmirsuar gjëndjen edhe nëqoftse më në fund dështon, se sa mos të përpiqesh të bësh asgjë.

 

Filed Under: Analiza

SKËNDERBEU, KY KOLOS I TË GJITHA KOHËRAVE

July 30, 2013 by dgreca

Nga Marjana Zeneli Bulku/

 Skënderbeu…ky kolos i të gjitha kohërave rishfaqet në ditët tona të mira si krenari kombëtare,por edhe në ditët tona enigmatike si shpresë, si modeli i nje lideri që sfidoi kundërshtarin jo vetëm me forcë,por edhe me strategji. Është pikërisht kjo ndjesi që lind dhe rilind tek une, kur historikisht shqiptarët bien dakort se vepra është ajo që lartëson heronjtë.Kur shqiptaret unanimisht pranojne se Ai është nje monument që ka vend te vecantë në historinë tonë të vjetër dhe të re,kur bota ,ky lëmsh i stërmadh përballe kontributesh të tilla heronjsh duket kaq e”vogël”,kur sheshe dhe muze botërore mbajne bustin e tij, shpatë,përkrenare ,,,vlera e Tij ridimensionohet duke na kultivuar krenarinë.

Nuk ka shqiptar nga ai me i vogli ne moshe e deri tek me i largëti në vendndodhje( të shpërndarë anembanëglobit ), që të mos njohë Heroin e madh që kombit të vogël i bëri emër duke kapërcyer kufinjtë që politika i caktonte shqiptarit duke ia bërë jetën si burg shekullor.

Dhe nuk është rastësi që folklori shqiptar ka vend të vecante për Heroin tonë kombëtar me vargjet legjendare dhe historike ka gdhendur përmasat e para të përmendores historike (ndoshta të vetmes) përballe të cilës shqiptarët unanimisht thonë :Faleminderit!

Kohët e vështira kërkojne Heronj të mëdhenj,prodhojnë heronj të mëdhenj që sfidave u përgjigjen me largpamësi e guxim për tu bërë më pas shembuj përjetësie!

Ky mendim më përshkon kur në bibliotekën e madhe shqip numëroj autorët që e shndërruan në Personazh Gjergj Kastriot Skënderbeun, që nga Barleti pothuaj bashkëkohës, deri tek N.Frashëri,Noli, Godo,K.Frashëri,,,dhe padyshim ky varg krijuesish është mjaft i gjatë, infinitivisht …

Ky mendim më përshkonte kur nxënësve shqiptarë u kërkoja të shkruanin për Laokoontin, Trojën, për Makbethin, Hamletin,etj…dhe përmasën e Heroit në ditët e sotme e konfiguronin me atë të një përmendoreje me ose pa kalë. Dhe në mendjen time ka një diskutim që nuk u shtrua kurrë me ta, për dhjetra arsye,por vetëm një dëshirë: Si ta gdhendim përmendoren e Lirisë dhe krenarisë duke e lexuar historinë me të gjitha dritëhijet e pa ptur frikë nga disidenca?! Një kënd botimesh për heroin, shkrime dhe esse për të, piktura e skica,inskenime, kërkime e reflektime ,debate dhe mendime ndryshe dhe kështu ”e sjellim heroin ”ne klasë,në shkollë,në muze,në librari në media…

Dikur tek Vatra këtu në SHBA në një promovim pata fatin të dëgjoj vargje kushtuar Skënderbeut ,të mrekullueshme si në konceptim, përkthim ,interpretim, por cfarë dua të vecoj është pikërisht fakti se autor i këtyre vargjeve ishte një amerikan(Ch.T. Erickson) që e donte dhe respektonte Shqipërine dhe shqipëtarët edhe falë heroit tonë kombëtar. Ja si shkruante ai ndër të tjera :

I flake tej nderet imperiale

dhe lavdinë ndër vite fituar

të mbroje folenë ë mëndit tënd trazuar,

si shqipe-shqipëtare gjoks zbuluar,

prej morisë së pafund të shigjetave i sulmuar. etj, etj.

Vargje që rrëfejnë historinë, dhe që dëshmojnë se për shumëkënd rruga për të njohur një popull kalon detyrimisht nga historia dhe ajo në asnje cast nuk duhet flakur e sulmuar,por duhet mbrojtur dhe ruajtur,për tu trashëguar e pasur ,e plotë.

Ndaj jo rastësisht m’u duk sikur pashë një tjetër përmendore fjale, gdhendur jo nga nje bashkëkombas,por një i huaj që njeh dhe don shqiptarët MIK i madh i tyre,mburojë sulmesh e goditjesh fqinjësh , një përmendore historike, që rrëfen hisorinë tonë, diku edhe në Amerikën e largët.

Kjo është vetëm jehona që shkakton historia,kur ajo shkruhet me vepra madhështore, nga njerëz që e duan vendin e tyre ,kjo është vetëm zanafilla nga ku nis studimi dhe rrëfimi për Shqipërinë dhe për shqiptarët,pikërisht aty ku lind krenaria kombëtare,,,historia e ka shtratin të sigurt dhe heronjtë parakalojnë me veprën që meriton memorie dhe nderim.

Nëpër histori nuk takon vetëm heronj, por edhe episodikë,enigmatikë, frikacakë,kolosë,endacake,,,,le ti gjykojmë ata mbi veprat,produktet dhe gjithcka shkakton trashëgimnia e tyre viteve që lartësojnë të mëdhenjtë ,bën të paharrueshëm KOLOSËT!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bulku, ky hero, Marjana Zeneli, Skenderbeu

Don Kishotët në Ballkan dhe Sanço Pançot në Kosovë

July 29, 2013 by dgreca

“Një komb që në përpëlitjet e tij identitare fillon dhe shuan kujtesën historike të vlerave dhe idealeve që e kanë krijuar është i destinuar për tu kthyer në një masë amorfe popullate mbi të cilën mund të kryen gjithfarë eksperimentesh . “   (Dorian Koçi)”

Nga Fahri Xharra/

Spanja e shek XVI përjetonte krizë ekonomike për shkak të fuqizimit monetar dhe krizës morale nga avanturizmi kalorisak. Ky avanturizëm vinte nga leximi i romaneve kalorsiake që atë kohë e kishin vërshuar Spanjën. Romanet lexoheshin me të madhe madje njerëzit gjërat që i lexonin mundoheshin ti veprojnë në jetën e përditshme si ngjarje të imagjinuara. Ky lexim i romaneve kish ndikuar aq shumë madje edhe në ekonominë e shtetit ngase te njerëzit ishte mbjellur ideja se fare pa punë e pa bërë asgjë po u bëre si personazhet e romaneve kalorsiake mund të bëhesh brenda natës person i pasur.

Një rrugë gati si të njejtë jemi duke e ndjekur edhe në Kosovë.

Don Kishotët  në Ballkan dhe Sanço Pançot në Kosovë të bëjnë të qeshin, për aventurat e tyre të cilat e kanë një qëllim tjetër nga  ata të personazheve të Miguel de Cervantesit, por sidoqoftë e kanë një ngjajshmëri shumë të madhe. Edhe tek ne është duke luftuar irealja kundër reales. Edhe te ne po shihen bujtinat më të thjeshta si kështjella, tasi i berberit si helmetë e shkëlqyeshme, e kaluara e dështuar si një shansë për rivendosjen e saj në kushte të reja, krijimi  i gjërave që kurr nuk kanë ekzistuar si të mundshme për  të ndërruar rrjedhen  normale të gjërave dhe për të krijuar hendeqe të reja ndermjet veti.

Derisa Don Kishoti  i Cervantesit donte që të kthejë lavdinë kalorsiake; donkishotët e Ballkanit duan të këthejnë rrotën e historisë mbrapa, dhe ajo që ka ndodhur të duket vetëm si një ëndërr.

Njerëzimi ka një ndjeshmëri shumë të veçante për të zgjedhur se ç’njerëz do të përdorë për krijimet e tij, me çfarë njerëzish do t’i mbrojë legjendat e veta. Sado e çuditshme që të duket, lidhja midis Cervantes-it dhe donkishotëve  të Ballkanit ka një logjikë të brendshme.  Një logjikë e brendshme e prek këtë lidhje dhe e pohon atë. Besoj se Don Kishoti vazhdon të jetë edhe sot një personazh i pashpjeguar. Është e nevojshme të bëhet një përpjekje, një përpjekje e madhe nga të gjithë, për të spjeguar kërkesat e donkishotëve ballkanik. Sa qesharake aq edhe serioze për ne,  janë këto  kërkesa donkishotiane për Kosovën.

Edhe pse kërkesat donkishotiane ndaj Kosovës nuk kanë ndryshuar, ato mbesin të njëjta që prej nesh të krijojnë një bastard kombëtar dhe gjuhësor, një përbindësh i cili nuk paraqet rrezik për të tjerët por mundësisht të jetë vetëperbindësh që pa “sherrin “ e askujt të vetëshkatërrohet dhe të vetpërpihet, duke e lënë mbrama një mjegullë të parëndësishme, mjegullë  e cila me diellin e parë të imagjinuar të tretet.

Diku i “mëshefur”  Don Kishoti i Ballkanit iu dërgon  sançopançuave të Kosovës këtë: ”Sikur era fatbardhë, e cila gjer më tani na ka vajtur kundër, të na kthehej menjëherë në favorin tonë e të na i fryente pëlhurat e pllanave tona dhe të hynim me siguri e pa rrezik në limanin tonë, ne do të fitojmë. Se do të jetë e pamundur të bëhësh kalorës nëse nuk  dëshiron dhe nëse s`ke kurajë e as vullnet për të marrë hakun e të parëve dhe për të mbrojtur të kaluarën tënde të “ndritur” duhet ta dini se  sikur mos të përmbaheni prej frikës, mund të nisim lëvizjën e punëve se frymat e vendësve nuk janë kurr të qetësuara, e na mundemi t`i kthejmë gjërat si ishin dikur” (nga  Don Kishoti i Cervantesit f.96). Ta dini se “Kosova është vend i paradokseve. Secili paradoks paraqet një realitet të hidhur, por të gjithë së bashku tregojnë fytyrën e vërtetë të Kosovës.”

Dhe sançopançuat e Kosovës me nxitim veprojnë dhe flasin, shkruajnë dhe shkallmojnë gjithë  andej e këndej duke i kritikuar liderët politikë të Kosovës  që mohojnë që ekziston kombi kosovar e në anën tjetër kërkojnë që të na pranojnë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara(!), që liderët politikë të Kosovës mohojnë që ka komb kosovar e në anën tjetër mburrën se  ndërtojnë marrëdhënie të shëndosha ndërkombëtare(!)  që artistët kosovarë mohojnë që ka komb kosovar, por mburren se kemi Teatrin Kombëtar në Prishtinë(!). “   Sançopançot s`kanë të ndalur:” “Shkrimtarët kosovarë thonë nuk mund të ketë komb kosovar, por mburren se kemi Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Shkencëtarët kosovarë “dokumentojnë shkencërisht” se nuk ka komb kosovar, por institutet e tyre i vetëquajnë institute kombëtare.”  Dhe donkishotët të “sigurtë” që punët e planet e tyre po shkojnë në rregull; nuk kanë të ndalur me kërkesat e tyre.

-Pa fjalë Sanço, i thoshte një donkishot i Ballkanit një sançpanços së Kosovës:’”Kjo është aventura e jonë më e rrezikshmja dhe më e madhja, në të cilën duhet ta tregojmë tërë trimërinë dhe forcën tonë” Edhe sikur këto që po iu flas të jenë fantazira, kini kujdes se përvoja me shqiptar ka treguar se sa guxim dhe të mençur që jemi”

Sançua pa një pa dy , na del me këtë profeci:” “Profetët” (rilindësit) shqiptarë idealizuan periudhën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut si një periudhë ku shqiptarët ishin të vëllazëruar, të lirë dhe të barabartë. E vërteta është se në atë kohë nuk i kishin asnjërën prej këtyre. Lidhja e Lezhës (1444) ishte lidhje politike mes princërve shqiptarë e malazezë dhe jo një vëllazërim mes qytetarëve të Shqipërisë së asaj kohe. Por, kështu e panë të rrugës rilindësit shqiptarë dhe mbi këtë model u ngrit kombi shqiptar.  Ata këtë periudhë e quajtën “Rilindje”, me demek, që kombi shqiptar më pjesëtarët e tij të lirë të barabartë e të vëllazëruar na paskësh ekzistuar që në kohën e Skëndërbeut, të cilin osmanët na e paskëshin përgjumur me pushtimin e tyre të serishëm.”… Pas kësaj Sançua i arsyetohet Don Kishotit:”Hirësi unë jam njeri i urtë i qetë dhe paqëdashës. Jam i stërvitur të duroj vuajtje se kam grua dhe fëmijë që duhet t`i ushqej e tì rritë.Po ta them këtë Hirësi se unë urdhër s`mund të jap.dhe jam në urdhërat e juaja “( D.K. Cervantes f.96)

E pra, i shkruante Don Kishoti:”Me këtë ,ke për të trashëguar të mirat e dheut, se zotërinjtë duhen nderuar si prindërit( D.K ,Cervantes f.145). Po ,pra!

“Një zgjim kombëtar është më i fuqishëm nëse orientimet strategjike, politika e tij e jashtme, politika e tij e brendshme, hieraldika shoqëruese etj janë kompakte me psikologjinë dhe traditën e njerëzve prej të cilëve synohet të formohet kombi.  Sa më pranë shpirtit të njerëzve të jenë këto gjëra aq më i fuqishëm ngritët kombi.” (diku në shtypin tonë)

“Në Kosovë, fatkeqësisht nuk kemi shkuar përtej dilemës se a ekziston apo nuk ekziston kombi kosovar. Mitet, stereotipat kulturorë etj, ia kemi lënë stihisë. Kush duhet të mendojë për këto, nëse jo intelektualët dhe patriotët e këtij vendi? “- pyetet një sançopanço i Kosovës, sepse duhet patjetër të plotësohet kërkesa e Don Kishotit.

Por sançpanot e Kosovës t`etshëm për famë ,zulm dhe zoti e di se çka  ,nuk e kan as më të voglin guxim t`i kundërvihen padronëve të tyre, dhe vazhdojnë me ngulm :” Problemi me historinë tek shqiptarët është shumë i rëndë. Kosovarët i shajnë serbët duke u thënë se janë popull mesjetar d.m.th të prapambetur, kurse vetën e lavdërojnë duke thënë se jemi popull antik. Harrojnë se antika është më e hershme se mesjeta.  ( d.m.th shqiptarët edhe shumë më shumë të prapambetur se serbët. Të lumt Sanço!) . Shqiptarët si komb i vonshëm nuk arritën të krijojnë historiografi para Luftës së Dytë Botërore. .”.. Bravo Sanço!Po i madh që je!

Sançua i Cervantesit e këshillonte  Donin e vet se më e mençur do të ishte sikur hirësija e tij nëse beson që kokëpërplasjet i janë të nevojshme dhe të domossdoshme  që ato t`i  bënë mbi ujë apo mbi ndonjë gjë të butë si pambuku se të gjitha këto gjora janë teptile, taklite dhe shakara.  Po Sanço i Kosovës?

“Në Kosovë, fatkeqësisht nuk kemi shkuar përtej dilemës se a ekziston apo nuk ekziston kombi kosovar. Mitet, stereotipat kulturorë etj, ia kemi lënë stihisë. Kush duhet të mendojë për këto, nëse jo intelektualët dhe patriotët e këtij vendi?”- thonë dhe pyesin Sançot.

Kosova ka mitet e veta por gjithmone i ka trajtur në gjirin e miteve Shqiptare.dhe duhet ti trajtoj si të tilla. Heshtja dhe mos përkrahja dhe anashkalimi që po i bëhet botës shkencore dhe të dijes në Kosovë, sançot dalin dhe bëhen marothonomakët e kohës së kobit dhe të mashtrimit për ne dhe rreth kombit shqiptar si tërësi e pandarë! Kosova ka nevojë për njerëz realistë, për të matur dhe të aftë me kuptuar realitet kombëtare e ndërkombëtare.

Donkishotët e Ballkanit japin urdhër: “Populli le të mendojë  pak  se cilët janë stereotipat e juaj kulturorë? Ku po iu qojnë ato? A duhet t’i ndërroni ato? Cilët duhet t’i krijoni? Çfarë kombi doni të jeni? Cili është perceptimi i juaj për kombin e juaj? Si doni që të iu perceptojnë të tjerët?  “ ; dhe sançopançot e Kosovës vetëm pohojnë me krye dhe … vrap në punë nën urdhërat e Bossit.:” Ndërsa, nëse do të vendosim që publikut të brendshëm e të jashtëm t’ia servirni të vërtetën shkencore, atëherë duhet të krijojmë një historiografi pa mite. Kjo nënkupton që të hjekim dorë nga miti ilir(?), nga miti për luftërat e Skënderbeut (?) etj, dhe gjitha këto t’i reduktojmë në përmasat e të vërtetës historike.”

Jepi Sanço  i Kosovës , jepi!

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Don Kishotët në Ballkan dhe, Fahri Xharra, ne Kosove, Sanço Pançot

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 961
  • 962
  • 963
  • 964
  • 965
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT