• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skënderbeu në Absidën e Shibenikut, gravura e mesjetës që shpërfaq historinë, artin dhe imazhin e heroit legjendar

November 19, 2025 by s p

Albert Vataj/

Në thellësinë e pesë shekujve, Katedralja e Shën Jakobit në Shibenik ruan një sekret të heshtur, figura e Skënderbeut e gdhendur në absidën e parë. Në jehonën e kohës dhe madhështinë monumentale të gurit, kjo ikonografi nuk është thjesht një imazh; është një portë që na fton të kuptojmë jo vetëm figurën e heroit shqiptar, por edhe ndërveprimet kulturore dhe historike që formësuan Ballkanin mes shekujve XV–XVI. Katedralja, e ndërtuar pa llaç, është një testament unik i bashkimit midis gotikës veneciane dhe renesancës dalmatine, dhe gravura e Skënderbeut është pjesa që zë një vend të veçantë në këtë narrativë arkitekturore dhe kulturore.

Figura e Skënderbeut, siç e përshkruan Jahja Drançolli, është e gdhendur me tipare të forta: vetulla të trasha, mjekër të gjatë dhe mbulesë koke karakteristike që i përket portretizimeve europiane të shekullit XV. Por ajo që e bën gravurën e Shibenikut veçanërisht intriguese është mënyra se si ajo kap energjinë dhe vitalitetin e heroit, në dallim nga portretet e tjera që e paraqesin më të lodhur nga luftërat. Në këtë mënyrë, figura nuk është thjesht një kujtesë historike; ajo bëhet një idealizim i hershëm i reputacionit të Skënderbeut, një afirmim i forcës dhe autoritetit të tij që qarkullonte në bregdetin adriatik shumë përpara se ikonografia e shekullit XVI të formësohej plotësisht.

Prania e figurës së Skënderbeut në Dalmatinë e shekullit XV–XVI nuk është rastësi. Gjatë luftës kundër Perandorisë Osmane, Republika e Venedikut dhe qytetet dalmatine e shikonin Skënderbeun jo vetëm si aleat të mundshëm, por si simbol të rezistencës europiane. Arkivat dhe raportet veneciane e përmendin shpesh emrin e tij, ndonjëherë si shqetësim për ekuilibrat e rajonit, ndonjëherë si shpresë për ndalimin e zgjerimit osman. Ikonografia e tij, e vendosur në hapësira të shenjta, shërbente si përkthyes i mendësive politike dhe shoqërore, duke e kthyer artin në mjet komunikimi mes kulturave dhe fuqive politike të kohës.

Ky mister bëhet edhe më i thellë kur njihet fakti se në shekullin XIX studiues kroatë zbuluan dy grafika të tjera të Skënderbeut në Hungari dhe Itali. Ky “trekëndësh ikonografik”, Shibenik, Hungari, Itali, tregon për një rrjet të gjerë marrëdhëniesh kulturore, tregtare dhe diplomatike, duke e bërë Skënderbeun një figurë paneuropiane dhe jo thjesht një hero kombëtar. Portretet e tij nuk ishin thjesht dekorativë, por shenja identitare dhe pjesë e një mitologjie që përhapej përtej kufijve shqiptarë.

Dokumentimi modern fotografik nga Gazmend Çitaku ka rikthyer gravurën në vëmendje, duke nxjerrë në pah detaje të skalitur me mjeshtëri, mënyrën si drita prek mbulesën e kokës, hijet që formojnë linjat e mjekrës, prerjen e gdhendjes që tregon fuqinë e dorës së artizanit dhe kompleksitetin e shprehjes artistike. Ky rikthim vizual na fton të mendojmë mbi funksionin e ikonografisë si dëshmi e ndërthurjes kulturore dhe historike, mbi mënyrën se si figura e një heroi mund të bëhet urë mes botëve, midis komuniteteve dhe epokave.

Pyetjet që lindin janë të shumta: A është kjo gravurë përpjekje për të integruar Skënderbeun në panteonin e figurave të fuqishme europiane? A pasqyron traditën e portretizimit të heronjve të krishterë që mbronin kufijtë e botës latine? Apo është një homazh i vonë, i gdhendur nga artizanë që tashmë njihnin mitin e tij të lavdishëm? Pikërisht këtu qëndron vlera e gravurës: ajo na sfidon të rishikojmë mënyrën se si historia ruhet jo vetëm në libra, por edhe në gurë që flasin.

Gravura e Skënderbeut në Shibenik është më shumë se një fakt historik; ajo është dëshmi e një epoke kur Adriatiku ishte urë midis popujve, dhe figura e Heroit lundronte mbi dallgët e reputacionit europian. Është një gur i çmuar në mozaikun e pranisë së Skënderbeut në Europë, një kombinim i artit, historisë dhe mitit, që fton jo vetëm të shohësh, por të kuptosh.

Filed Under: Histori

ZEF PALI 1910 – 1977

November 18, 2025 by s p

Zef Nush Pali, lindi në Shkodër më 16 Qershor 1910 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Lindi pikërisht në kohën kúr ishte n’agim pamvarsija shqiptare, kúr patriotët shqiptarë shifshin rrezikun e coptimit të matejshëm që kërcënote kombin Shqiptár. Në kët atmosferë ideshë të rilindjes së shqiptarizmës e patriotizmit përhapë prej njerëzve të kalibrit si Luigj Gurakuqi, Pater Gjergj Fishta e Át Mati Prennushi, Zef Pali mori mësimet e para në Kolegjin Saverian, ndërsa studimet e mesme në shkollën Normale t’Elbasanit. Ma vonë kreu studimet universitare për Filozofi në Universitetin e Firences, në Itali. I paisun me idetë e rilindjes Zef Pali dha kontributin e tij si arsimtar, shkrimtar, gazetar, udhëheqës politik dhe mprojtës i palodhun i çeshtjes shqiptare. Me stilin e tij të mprehtë dhe me gjuhën e tij të kthjelltë prof. Zef Pali u bâ nji nga pishtarët e parë për drejtësi shoqnore në Shqipnin e pamvarun. 

Qysh në ditët e para të pushtimit fashist, shkrimet e tij të shumta në revistën “Hylli i Dritës”, në trakte dhe revista të fshehta të nënshkrueme me pseudonimin “Flaka”, ndezën flakë rininë shqiptare. Ai u bâ nji nga udhëheqsit e lëvizjes së qindresës së popullit shqiptár. U largue nga Shqipnija me atdhetarë të tjerë nacionalistë kur vendi râ në duert e komunistëve. Pasues i denjë i ndjenjave tâ pastërta atdhetare të Luigj Gurakuqit dhe besnik i idealeve të Mid’hat Frashërit, Zef Pali vazhdoi jashtë atdheut të mprojë me kambëngulje kauzën shqiptare, kauzen e demokracisë dhe atë të lirisë së popullit Shqiptár.

Filed Under: Histori

Hasan Prishtina, njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve

November 17, 2025 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Do ta filloja këtë shkrim me një thenje të një prej figurave më të shquara dhe të nderuara kombëtare, Fan. S. Nolit: “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave; të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit”. E till ishte edhe figura e Hasan Prishtinës. Ai lindi më 27 shtator të vitit 1873, në Vushtri. Deri në zgjedhjen e tij si deputet i Prishtines ai njihej me mbiemrin Vuçitërni. Mësimet e para i mbaroi në Vushtrri me rezultate shumë të mira. Meqë ishte nxënës i mirë dhe kishte mundësi materiale, ai vazhdoi shkollimin në gjimnazin grek të Selanikut ku mësoi edhe gjuhën frënge. Vazhdoi studimet e larta në Stamboll, ku u diplomua për Drejtësi, në Fakultetin e Shkencave Politiko – Juridike. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane.

Një ndihmesë në këtë drejtim dha edhe edukimi i tij familjarë, me shumë tipare atdhetare duke formuar kështu një personalitet liridashës. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Kjo periudhë, për atdhetarin e madh Hasan Prishtina, ishte vendimtare në kthesat historike kombëtare të popullit shqiptar. Ai u bë njëri ndër protagonistët kryesorë që do të godiste fuqishëm themelet e Perandorisë Osmane në tokat shqiptare.

Si deputet në Parlamentin osman ai dha një kontribut edhe në Revolucionin Xhonturk, pasi trojet shqiptare ishin ndër vatrat kryesore të këtij revolucioni, që rezultoi me kthimin e Kushtetutës (Hyrietit) dhe me disa premtime boshe. Lëvizjet evropiane të kohes të njohura si lëvizjet për; Liri, Barazi, Vëllazëri u përdoren nga turqit e “rinj” si mjet propagandistik për arritjen e qëllimeve politike. Në kohën kur u formua Klubi “Bashkimi” i Shkupit, Hasan Prishtina do të ishte pjesë e këtij klubi. Turqit e Rinj nuk sollen asgjë të re për shqiptarët, përveç shtypjes dhe shkatërrimeve. Hasan Prishtina së bashku me patriot të tjer do të ishte në krye të kryengritjeve shqiptare të vitit 1909, kundër ekspeditave të Xhavit Pashës. Kjo gjendje vazhdoi edhe gjatë pranverës së vitit 1910. Vala kryengritëse shqiptare kundër Turqve të Rinj u shua me gjak.

Deputetët shqiptarë ngritën zërin kundër këtyre gjakderdhjeve e shkatërrimeve barbare. Më i zëshmi në këtë drejtim ishte Hasan Prishtina, i cili me diskutimet e tij të zjarrta trazoi gjithë parlamentin osman. Kryengritja e vilajetit të Kosovës, që shpërtheu në prill të vitit 1910 u shua me gjak nga mbi 50 000 forca të armatosura osmane. Në këto kushte Hasan Prishtina u ngrit në seancën parlamentare dhe kërkoi që të shpërndahej menjëherë kabineti i Haki Pashës, i cili mbante përgjegjësinë për ngjarjet tragjike. Nga fjalët e tij mbrojtëse për kryengritësit u kuptua se ai ishte edhe një ndër frymëzuesit e tyre, prandaj gjyqësia turke e dënoi me vdekje. Mirëpo, sulltan Mehmet V Reshit, e amnistoi.

Më 3 mars të vitit 1911, Hasan Prishtina duke përkrahur kryengritësit shqiptarë, parashtroi edhe kërkesat kombëtare të tyre, të cilat u refuzuan nga Turqit e Rinj. Këto kërkesa u përkrahën edhe nga deputeti shqiptar në Parlamentin osman, Ismail Qemali. Edhe pse pas zgjedhjeve të reja u zgjodhën disa deputetë shqiptarë, Hasan Prishtina e vazhdoi veprimtarinë e tij për lirinë e kombit. Ai denoncoi paudhësitë shoviniste të xhonturqve ndaj shqiptarëve.
Hasan Prishtina, njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fillim të janarit të viti 1912 në takimin që pati me konsullin austro–hungarez në Selanik deklaroi se pakënaqësia kundër xhonturqve manifestohej kudo në Shqipëri. Meqenëse kërkesa e deputetëve shqiptarë për zbatimin e reformave nuk u pranua nga qeveria xhonturke, Hasan Prishtina, i cili u shqua për guxim nga deputetët e tjerë e shtroi përsëri këtë çështje në seancën e parlamentit osman më 11 janar 1912. Ai dënoi terrorin që ishte ushtruar mbi popullin shqiptar gjatë kryengritjes së Kosovës dhe paralajmroi se do të kishte kryengritje të tjera.

Në pranverën e vitit 1912 fillojn përgatitjet e një kryengritje me karakter të përgjithshëm kombëtar me prijësit popullorë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ahmet Delinë, Mehmet Pashë Deralla, etj. Pas disa mujore nga 5 maji deri më 18 gushtit 1912, kryengritësit shqiptarë me në krye Hasan Prishtinën çlirojnë Vilajetin e Kosovës. Më 12 gusht u ngrit flamuri kombëtar në Shkup. Me marrjen e Shkupit, kryengritësit shqiptare çliruan të burgosurit që ishin mbi 1 000 vetë. Më 18 gusht pas një zvarritjeje të gjatë të përgjigjes qeveria turke doli zyrtarisht se i pranon 12 pika nga 14, kërkesat e njohura me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”. Duhet thënë se edhe midis krerëve të kryengritjes filloi një përçarje. Megjithatë kryengritësit shqiptarë arritën ta çlirojnë Kosovën nga perandoria osmane, por Fuqitë e Mëdha; Rusia, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia, duke qenë kundër interesave shqiptare, intensifikuan aktivitetet e tyre diplomatike, për të penguar realizimin e formimit të një shtetit shqiptar në Ballkan.

Në tetor 1912 fillon Lufta e Parë Ballkanike. Hasan Prishtina pavarsisht se ishte një nga inisiatoret kryesorë për shpalljen e pavarsisë, ai nuk ishte prezent më 28 Nëntor 1912, pasi së bashku me udhëheqës të tjerë të lëvizjes ishin burgosur dhe mbaheshin në burgun e Kalemegdanit në Beograd që nga 14 tetor vitit 1912, nga Ushtria serbe kur pushtoi Shkupin. Në fillim të vitit 1913, qeveritë e Italisë, Anglisë dhe Austro-Hungarisë me anë të një memorandumi kërkuan në mënyrë ultimative lirimin e menjëhershëm të Hasan Prishtinës nga burgu dhe kështu ndodhi. Ai u kthye në Shqipëri dhe u ngarkua nga Ismail Qemali me detyrën e Ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Kombëtare të Vlorës.

Gjatë Luftës së Parë Botërore kthehet në Kosovë dhe duke shfrytëzuar rrethanat e kohës, ku Kosova ndodhej nën okupimin e Austro-Hungarisë u bë promotori i arsimimit të shqiptarëve duke hapur shumë shkolla shqipe në Kosovë. Po gjithashtu gjatë kësaj kohe bëri përpjekje për të riaktivizuar Lëvizjen Kombëtare në Shkup e rrethinat e tij, që ishin të pushtuarn nga Bullgaria. Për këtë qëllim në vitin 1917, u burgosë nga policia bullgare. Hasan Prishtina, u arratis nga burgu pasi theu dritaren e qelisë duke shpëtuar nga zhdukja e sigurt. Gjatë arratisjen nga burgu ai dëmtoi rëndë njërën këmbë nga e cila do të vuajë shumë kohë.

Me themelimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër më 1918, të udhëhequr nga Hoxhë Kadria u zgjodh anëtar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare me shtetin kombëtar shqiptar.

Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Nga 7 dhjetor deri më 12 dhjetor të vitit 1921 kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit,(vetem 4 ditë, pasi dha dorheqje). Ai gjithashtu mori pjesë aktive në përgatitjen e kryengritjes së qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga kjo kryengritje. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër vrasjeve dhe masakrave mbi popullsinë shqiptare në Kosovë nga shovinistët serbë.

Pas dështimit të revolucionit të vitit 1924 u largua jashtë atdheut. Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe më gjërë, pasi luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq ta lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Financon “Ora e Shqipnisë” që Dom Lazër Shantoja nxirrte në Vjenë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Ai disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste.

Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit. Katër herë armiqtë organizuan atentate me armë kundër tij. Kështu, vetëm në Vjenë, për vrasjen e Hasan Prishtinës, dërgohen, së paku pesë atentatorë që dihen. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Tre herë u dënua me vdekje nga xhonturqit dhe qarqet shoviniste serbomadhe. Si shumë patriot të tjer të kohes edhe Hasan Prishtina vritet pabesisht në Selanik më 13 gusht të vitit 1933. Deri në vitet 60 në tekstet e historisë së Shqipërisë konsiderohej si tradhtar, por më pas ai u rehabilitua. Më 6 dhjetor 1977 eshtrat e Hasan Prishtines u sollen nga Selaniku në Shqipëri dhe për të qënë afer vendlindjes së tij Kosoves u zhvillua ceremonia e rivarrimit në varrezat e dëshmorëve në qytetin e Kukësit.

Filed Under: Histori

LEWIS – LUIGI ALBANESE (27 prill 1946 –1 dhjetor 1966), NJË HERO I AMERIKËS

November 16, 2025 by s p

Kolec P. Traboini/

Një hero, fituesi i Medaljes së Nderit të Ushtrisë Amerikane.

I lindur në Vinçenca, Veneto në Itali, Luxhi Albanese në moshë të vogël erdhi megjithë prindërit në Amerikë duke u vendosur në Seatle, shteti Washington. Mbaroi shkollën e mesme në vitin 1964, fillon punën për kompaninë Boeing e më pas u rekrutua në ushtri më 26 tetor 1965. Pas trajnimit në gusht 1966 dërgohet në Vietnam. Më 1 dhjetor 1966, ndërsa ishte në patrullim në Provincën Binh Dinh, toga e ushtarakut Albanese po përparonte nëpër një terren me bimësi të dendur, kur ata u qëlluan në befasi nga një zjarr intensiv me armë automatike nga një distancë e afërt. Ndërsa anëtarët e tjerë të grupit manovronin për të sulmuar pozicionin e armikut, ushtaraku Lewis Albanese u urdhërua të siguronte krahun e majtë të togës. Por papritur, krahu i majtë u qëllua me zjarr të dëndur nga shumë luftëtarë armiq të vendosur në një transhe e të maskuar mirë. Duke kuptuar rrezikun e afërt për shokët e tij nga ky zjarr, Luis Albanese hapi bajonetën e armës së tij dhe u zhvendos duke u pozicionuar në trashe. Veprimi i tij e detyroi të heshtë zjarrin e snajperit, duke i mundësuar togës të rifillonte lëvizjen drejt pozicionit kryesor të armikut.

Ndërsa toga vazhdoi të përparonte, zhurma e të shtënave të dendura vinte nga krahu i majtë dhe një betejë e ashpër pasoi në transhenë në të cilin kishte hyrë ushtaraku Albanese. Fortifikimi ishte në të vërtetë një kompleks i organizuar mirë i mbrojtjeve armike të projektuara për të hedhur zjarr shkatërrues në krah mbi forcat amerikane që sulmonin nga pozicioni kryesor.

Ushtaraku Luis Albanese, duke mos e marrë parasysh rrezikun për veten, përparoi 100 metra përgjatë fortifikimit dhe vrau gjashtë nga snajperët, të cilët ishin të armatosur me armë automatike. Pasi i mbaruan municionet, ushtari Albanese u plagos për vdekje kur u përlesh dhe vrau dy ushtarë të tjerë armik gjatë luftimit të ashpër trup më trup.

Veprimet e tij me trimëri të pashembullt shpëtuan jetën e shumë anëtarëve të togës së tij, të cilët do të kishin rënë pre e zjarrit të snajperëve nga transheja dhe i mundësuan togës së tij të përparonte me sukses kundër një force armike me epërsi të madhe numerike.

Heroit Luis Albanese ju akordua Medaljen e Nderit, e cila iu dorëzua familjes së tij në Pentagon më 16 shkurt 1968. Ai është varrosur në Parkun Memorial Evergreen – Washelli dhe Shtëpinë e Varrimeve në Seattle, Washington. Emri i tij gjendet në Panelin 12 E, Rreshti 131 i Memorialit të Luftës së Vietnamit.

Në vitin 2014, në qytetin e tij të lindjes Cornedo Vicentino i provincës Vicenza, Veneto, në veri të Italisë, një rruge i është vënë emri i Luis – Luigi Albanese.

Në motivimin e dekorimit të tij ndër të tjera thuhet:

“Heroizmi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi suprem i Ushtarit Albanese ndaj shokëve të tij ishin në përputhje me traditat më të mira të shërbimit ushtarak dhe mbeten një nderim i lartë për veten e tij, njësinë e tij dhe Ushtrinë Amerikane.”

Filed Under: Histori

Prof. Dr. Rifat Frashëri (1862 – 15 nëntor 1934), “Ministri” i parë i Shëndetësisë së shtetit shqiptar

November 15, 2025 by s p

Saimir Kadiu/

Prof. Dr. Rifat Frashëri, mikrobiolog e virolog i shquar bashkautor me kolegë të Institutit Paster në Paris, i disa zbulimeve të rëndësishme për shëndetësinë botërore në fushën e virologjisë dhe të vaksinave, sidomos kundër epidemive të Lisë dhe të Tërbimit.

Në Kongresin e Lushnjës më 23 janar 1920, Prof. Dr. Rifat Frashëri u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë shqiptare (pararendëse kjo e një ministrie të mirëfilltë shendetesie).

Ai njihet si shkencëtar dhe akademik me emër në Europë, në Universitetet turke e franceze. Ishte patriot i shquar, mik dhe i afërt me vëllezërit Frashëri.

Vdiq në Shqipëri, 91 vjet me pare, me 15 NENTOR 1934.

Prof. Dr. Rifat Frashëri lindi në vitin 1862, rridhte nga frashërllinjtë e shquar të Dangëllisë Përmetit. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin në Gallatasaray dhe fakultetin e Mjekësisë të Stambollit në vitin 1888 u emërua mjek në spitalin ushtarak të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1897 dhe tregoi aftësi të mëdha profesionale gjatë epidemisë së lisë në Tuz.

Mendohet që në vitin 1897 ai u kthye si mikrobiolog në Institutin Bakteriologjik të Stambollit ku, bashkëpunoi me bakteriologun francez Maurice Nicolle, specialist në “Pasteur Institute”, për prodhimin e vaksinës kundër lisë.

Në vitin 1899 emërohet nëndrejtor e pas disa vjetësh drejtor i Institutit Bakteriologjik të Stambollit, kryeqytet e Perandorisë Osmane.

Pikërisht në këtë kohë, një punë e thellë studimore dhe një bashkëpunim i frytshëm me bakteriologun francez Prof. Paul Remlinger i shpuri ata në një nga zbulimet më të mëdha të mikrobiologjisë dhe mjekësisë

botërore të kohës, në zbulimin se tërbimi në kafshë e njerëz shkaktohej nga një “virus filtrues”, një zbulim që e bëri emrin e tij të pavdekshëm në historinë e mjekësisë dhe mikrobiologjisë botërore.

Zbulimin e tyre ata e njoftuan në një mbledhje të Shoqatës së biologjisë (Societe de biologie) në Paris dhe e botuan në vitin 1903, në “Aktet” e kësaj shoqate. Pas shpikjes së parë shkencëtari shqiptar Rifat Frashri u emërua profesor në Universitetin e Stambollit.

Në vitin 1903, vetëm 5 vjet pas zbulimit të te parit virus, shkaktar të një sëmundjeje infektive te kafshët (virusi i aftës epizootike) nga Friedrich Loeffler dhe Paul Frosch dhe tre vjet pas zbulimit të virusit të etheve të verdha, në Institutin Bakteriologjik të Stambollit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger zbuluan të parin virus që shkaktonte sëmundje në njerëz e në kafshë, virusi i tërbimit.

Zbulimi ishte rezultat i një kërkimi të planifikuar për të vërtetuar një hipotezë paraprake të zbuluesve (mbi mundësinë e ekzistencës së një shkaktari të tillë), që u ngrit duke u bazuar në faktin që deri në atë kohë kësaj sëmundjeje të studiuar relativisht mirë nga pikëpamja klinike, anatomopatologjike, mikrobiologjike dhe imunologjike, nuk kishte qenë e mundur t’i gjendej shkaktari.

Zbulimi nxiti kërkime intensive edhe për gjetjen e shkaktarëve të tjerë viralë të sëmundjeve infektive të njeriut. Zbuluesit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger krahas Walter Reed etj, hodhën themelet e virologjisë mjekësore. Zbulimi u krye në Institutin Bakteriologjik të Stambollit. Mungesa e një mjedisi shkencor të standardit të kohës në këtë Institut nxjerr më në pah madhështinë e zbulimit, njohuritë dhe aftësitë e zbuluesve Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger.

Me këtë zbulim shkenca shqiptare për herë të parë në historinë e shkencës moderne del në ballin më të përparuar të kërkimit shkencor eksperimental e dha një kontribut udhëhapës, në zhvillimin e mikrobiologjisë.

Shkencëtari jetonte me hallet e mëmëdheut, punoi gjate e me pasion për zgjimin kombëtar. Që në moshën 16-vjeçare u caktuar sekretar i Kuvendit të mbledhur në Frashër nga Abdyl Frashëri dhe në vazhdimësi mbajti lidhje e bashkëpunoi me patriotë të shquar të Rilindjes, sidomos me Naim dhe Sami Frashërin.

Në kohën e emërimit në universitet profesori intensifikoi veprimtarinë e tij patriotike kombëtare e shtoi. Ai u zgjodh dhe kreu për mjaft kohë detyrën e kryetarit të organizatës patriotike shqiptare “Bashkimi” në Stamboll.

Shkencëtari shqiptar përbuzi kërkesën e autoriteteve turke për të marrë pjesë në një komision që do të shkonte në Shqipëri për pengimin e shpalljes së pavarësisë, duke i thënë hapur, ballë për ballë Talhat Pashës (kryeministër) se ai vetë ishte gjak shqiptari dhe se do t’i nxiste shqiptarët për të shpallur pavarësinë.

Për këtë veprimtari patriotike Prof. Dr. Rifat Frashëri, në vitin 1913, u përjashtua nga Universiteti i Stambollit.

Për disa kohë mbeti i papunë. Më pas u dërgua në një gjendje gjysmë internimi në Tripolisë (Turqi) e më vonë si kryetar i bashkisë së atij qyteti.

Pas Luftës së Parë Botërore, qëndroi pak kohë në Stamboll e në vitin 1920 me ftesën e qeverisë shqiptare erdhi në Shqipëri dhe u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë ( me atributet e nje Ministri te koheve te sotme) post që e mbajti deri sa doli në pension.

Zbulimi i Rifat Frashërit është një nga kontributet më të mëdha të shkencës shqiptare në zhvillimin e shkencës botërore. Karriera shkencore e R. Frashërit u ndërpre herët, për shkak të ndjekjeve nga autoritetet turke. Edhe me kthimin në Atdhe, ai nuk gjeti kusht të përshtatshëm pune në fushën e mikrobiologjisë, ndërsa projekti i tij për një qendër shqiptare të kërkimeve mjekësore, mbeti vetëm një ëndërr e bukur gjatë gjithë jetës së tij.

Ministri i Shendetesise Leonard Solis ne korrik te vitit 2000 e nderon Prof. Dr. Rifat Frasherin me “Mirenjohje” per Kontributin e tij ne shendetesi.

Ne dijenine time emrin e madh te Dr. Rifat Frasherit e mban nje spital i vogel bashkiak (Spitali i Permetit).

Do te ishte ne nderin e shtetit shqiptar qe ky emer i madh te nderonte ndonje institucion te rendesishem shendetesor ose te pakten nje rruge apo shesh ne Shqiperi.

Vazhdojme “mekatin” e perhershem te mosvleresimit te figurave te medha te kombit…

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT