• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

October 7, 2019 by dgreca

-Dialogu me Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, sfidë e Kuvendit e Qeverisë së re kosovare të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019/

-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 6 Tetor 2019/ Dialogu me Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës do jetë një sfidë e Kuvendit e Qeverisë së re kosovare të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019.

Para 14 viteve,  pikërisht ishte 6 Tetori 2005 kur Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej si vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

 Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur para më shumë se 11 viteve – në 17 Shkurtin historik 2008, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende. Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federates me të drejtë vetoje, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

Në një kumtesë dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në 4 tetor 2019 bëhej e ditur se “Presidenti Donald J. Trump ka shprehur sot qëllimin e tij për të emëruar këtë individ në një post kyç në administratën e tij:

Richard Grenell nga Kalifornia, që të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë”.

NGA ARKIVI-6 TETOR 2005: PRESIDENTI RUGOVA ME GRUPIN NEGOCIATOR: KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

PRISHTINË, 6 Tetor 2005-QIK – I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon, tha sot Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pas takimit me Grupin negociator për statusin, në rezidencën e tij në Velani.


Presidenti Rugova takimin e quajti të frytshëm, konstruktiv e miqësor, ndërsa tha se kanë biseduar për planin operativ të funksionimit të delegacionit të Kosovës, për dokumentet e ndryshme që do të aprovohen.

“Natyrisht do të kem një dozë të besueshmërisë të një diskrecioni sepse është delegacion shtetëror dhe për gjëra të rëndësishme do t’ju njoftojmë”, tha Presidenti. “Ne do të vazhdojmë punën mbi këtë plan apo skicë të punës të delegacionit të Kosovës.

Përcaktimi ynë dhe vullneti politik i popullit është pavarësia e Kosovës, pra këto biseda janë për pavarësinë e Kosovës, ndërsa unë edhe të gjithë ne insistojmë për një njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovë që do të ishte edhe më e lehtë sepse do ta qetësonte popullin tonë edhe këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, u shpreh pas takimit Presidenti Rugova.

Ai bëri të ditur se Grupi, për çdo rast, po përgatitet, dhe se të gjithë janë dakord që nëse fillon zgjidhja e statusit në rrugë ndërkombëtare, nëpërmjet negociatave, atëherë, delegacioni do të jetë “i gatshëm, i aftë dhe i përgatitur”, ta udhëheqë Kosovën drejt bërjes së pavarësisë.

Pyetjes nëse mund të ketë kompromis rreth statusit të Kosovës, Presidenti Rugova u përgjegj në mënyrë kategorike, duke thënë: “Kompromis për Kosovën është pavarësia e saj dhe ky është optimum i gjithë shqiptarëve në rajon, andaj nuk kemi kërkuar një bashkim me Shqipërinë që do të krijonte probleme të reja. Prandaj një Kosovë e pavarur do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, nënvizoi Presidenti Rugova, duke ripërsëritur bindjen e plotë se nuk ka shteg tjetër veç pavarësimit të vendit.


Ndërkaq në pyetje tjetër nëse grupi do të ketë platformën për bisedime, Presidenti është përgjigjur qartazi: “Ne platformen e kemi dhe ajo është pavarësia. Neve na duhet operacionalizimi i punës së këtij grupi apo delegacionit të Kosovës nëse do të ketë biseda për pavarësinë e Kosovës dhe të ardhmen e Kosovës. Ne insistojmë në njohje të drejtpërdrejtë dhe ajo pakoja përcjellëse që do të ketë pavarësia e Kosovës”, tha Presidenti Rugova.


Kryekuvendari i Kosovës, Nexhat Daci, sukses më të madh e ka quajtur që Grupi Negociator, apo siç e quajti ai, pesëshja dhe koordinatori i grupit, “janë absolutisht në një frekuencë”.


“Ky delegacion i Kosovës do ta marrë mandatin në parlamentin e Kosovës dhe kufiri më i ulët siç e tha Presidenti është pavarësia e Kosovës”, tha Daci. Ai theksoi se çdo gjë do të rrjedhë nëpërmjet Parlamentit, ndërsa deputetët do të informohen për punën e delegacionit. Delegacioni do t’ia japë mendimet dhe udhëzimet e veta koordinatorit, i cili pastaj mendimet profesionale i sjell, dhe pas miratimit nga delegacioni i Kosovës, ato bëhen publike edhe për parlamentin”.


Lideri i PDK-së Hashim Thaçi u shpreh se delegacioni i Kosovës duhet të prezantojë fuqinë politike të partive politike në Kosovë, duke shtuar se çdo dokument i delegacionit në mënyrë konsensuale dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës duhet të fuqizohet dhe të institucionalizohet, dhe pastaj të prezantohet edhe në raport me ndërkombëtarët.


“Besoj se javën e ardhshme do të jemi së bashku edhe në parlamentin e Kosovë sashtu siç jemi zotuar se do ta ruajmë atë unitet të qëndrueshëm për rikonfirmimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran”, tha Thaçi.


Ndërkaq lideri i ORA-s, Veton Surroi tha se platforma e grupit është e qartë. “E ka pikënisjen, e ka pasur dhe do ta ketë për pavarësinë. Eshtë një elaburim më i gjatë, i cili ka konsensus të plotë dhe duhet të paraqitet në Kuvendin e Kosovës. Si i tillë bëhet obligues për çfarëdo procesi negociator”, tha Surroi.

CLINTON PARA DHJETË VITEVE NË KOSOVË TREGOI SE SI RUGOVA KËRKOI NGA AI TË NA NDIHMOJ

Ne 20 vjetorin e Lirisë – ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë ka qëndruar ish-Presidenti i Amerikës, Bill Clinton. Kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë, ndërsa një vizitë shtetit për të cilin kontribuoj për liri dhe pavarësi Clinton e pati edhe në vitin 2009.

Presidenti i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që kishte me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.“Dua ta përkujtoj ish-Presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toi dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova Presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Amerikan Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-I vetmi kompromis-Pavaresia e Kosoves

SHKODRA, MALËSIA E MADHE DHE MIRDITA

October 5, 2019 by dgreca

Trinia e shenjtë e trevave veriore /

Nga KOLEC P. TRABOINI/ Kur je mirditor je ndopak shkodran, por kur je malsor nuk mundesh mos me kenë –  e nisa kësisoj, me një lloj aforizme që më lindi në krye të këtij shkrimi, sepse ka njerëz në këtë botë shqiptare, që si dje, sot e pse jo edhe nesër, flasin e do të flasin si t’u vijë mideja, stomaku apo oreksi, shpreheni si të doni këtë fenomen degradues. Duke qenë lokalistë të sëmure, disa nxjerrin në sipërfaqe të llomotitjeve moçalore virtuale veç eksese në marrëdhëniet ndërkrahinore. Merren me ngjarje të vogla, sipërfaqore,  pa asnjë peshë në jetën e një kombi  dhe u japin konotacione negative historike. Ka plot të tillë dhe janë shtuar në mënyre të mnershme. Duket që dikush, nga jashtë në këto treva ilirike, derdh miliona euro-dollarë në xhepat e plëngprishësve për ti parë shqiptarët si një popull nomad, një popull i armiqësuar mes vedit, që për këtë shkak nuk dinë as të vetëqeverisen. E ka thënë dikur Kol Jakova, shkrimtari shkodran që me keqardhje them se sot nuk e kujton askush,  “Parja e huaj e shkreta”. Mirëpo dikujt, në aleancën e shtriganëve antishqiptarë,  e vërteta e mirëkuptimit mes shqiptareve u prish punë, sepse ajo është si një kandil drite në terrinën ku ndodhemi, jo nga dëshira por nga prapambetja. Se në të vërtetë ende jemi në errësirë, kryekreje në errësirën e mendjes mbetur peng i haraçeve të së kaluarës. Kur të nisësh të presësh dru në pyll, sopatën kape mirë nga bishti, e jo, siç ndokush mbrapsht na mëson. Kësisoj di të them se eksese ka në çdo bashkësi në botë, por kurrkush nuk e tipizon një popull a një komb me këto. Nuk ka stive pa një dru të shtrembër, natyrisht. Nuk ka pyll pa derra thotë populli. Dhe kot nuk e thotë. Edhe brenda një familje, e jo ma në mes të dy krahinave, të mos ketë ndodhi të papëlqyeshme. Por me çfarë di e me çfarë kam pa e ndigju, ma shumë ngatërresa ka pas mes vetë shkodranëve të qytetit, vendalive pra, se sa shkodranëve e mirditorëve, që përkundrazi, Shkodrën e kanë pas si qytetin e vet shpirtëror, krenaria e mbarë veriut e me gjërë. Edhe legjenda e zezë e ngritur për tradhti të Markagjonëve ndaj Dedë Gjon Lulit, që dikush e pompon zhurmshëm edhe sot e kësaj dite,  është diç më shumë se një mentalitet krahinor, është një manipulim historik. Nuk dua ti hyj hollësive, por të them ma të qenësishmen. Dihet në interes të kujt krijoheshin këto stigmatizime historike; që krahinat e Veriut të ishin të përçara dhe të mos kishin qëndresë përballë  murtajës së zezë a të murtajës së kuqe. Pastaj, kryekreje tradhtinë ma të madhe dhe vrasjen e Dede Gjon Lulit e bëri Europa, ajo kurvë plakë, historiko-histerike (nuk dua ta aktualizoj të kaluarën, por ndërgjegjja duhet të vazhdojë ta vrasë), që pa asnjë motiv e pa asnjë arsye historike e ndau Hotin përgjysmë. Vrau krahinën që për trimëri e urti ishte në ballë të kuvendeve shqiptare të Malësisë së Madhe. E preu në mes Malësinë për të mekun qëndresën e shqiptarëve.  Sot kalamenden shumë për Francen, kinse të na mbushin mendjen se jemi popull frankofon e jo viktimë e pamëshirës së saj,  por historia që na djeg nën lëkurë na tregon se ajo ishte kryekurva. Me misionin e perversitetit politik, Franca ishte mentoria e serbëve, vrasësve të popullit shqiptar. Prandaj të mos ngulmojmë të kërkojmë armiq mes vetes vend e pa vend, por të gjejmë motive në histori që na njëjtësojnë si popull e si komb. Të mos e ndajmë nga mendja mendimin se, Bashkimi Shqiptar mund të jetë sot një ide e cila duke u ushqyer me atdhedashuri në mënyrë të përditshme, bëhet dëshirë përvëluese e duhet ta mbajmë në gjoks siç mbahej dikur prushi në hi për të bërë zjarr të nesërmen. Në këto troje kështu kemi bërë që në kohët e lashta pellazgjike e të vazhdojmë ta mbajmë vatrën bashkimit kombetar ndezur. Dikush do të thotë nuk duam zjarr e prush po duam me pa botë me sy se po lëbyremi nga shkëlqimi i huaj. Le ti mbajmë e harmonizojmë të dyja këto dëshira. Hebrenjtë e ndërtuan shtetin e Izraelit së pari në mendjet e zëmrat e veta për 2500 vjet, hapërda nëpër tërë skajet e botës, nëpër ëndërrime brezash,  nëpër travaja e lotë gjaku, deri sa erdh çasti fatlum, i cili të shfaqet nëse këmbëngul në kërkim e përkushtim të pa trandur.   Mendjet e kthjellëta, me zemër kombëtare e dashuri për vendlindjen, duhet të dinë të ndajnë të mirën nga e keqja historike, të dobishmen nga e dëmshmja. Se që ta kthjellojmë mendimin, brenda krahinës së të parëve të mi, Hot, edhe për këtë bash të trimërisë e të besës malësore, dalin shpifës të përjargur që thonë se kinse Gjergjin, djalin e vogël të Dedë Gjon Lulit, nuk e kanë vra turqit në luftën e Tuzit, por e kanë qëlluar të vetët prapa krahëve. E dihet mirë se ku po u rreh çekani këtyre sajuesve të historisë sipas stilit komunist hoxhist në Shqipëri apo shovenist titist në ish Jugosllavi. Ka plot sajesa të tilla, ka plot njerëz që, për paret e huaja të shkreta apo nga terrina e mendjes, përhapin në popull histori që na ndajnë e na përçajnë sa me ju dhimbtë gurit e drunit. “Kjoft mallkue kush qet ngatërrime/ ndër kta vllazen shoq me shoq, /kush e ndan me fjal e shkrime,/ çka natyra vetë përpoq”- shkruante i madhi Ndre Mjeda. Nuk mbetet veç të them, Amen! Si konkluzion i natyrshëm mund të them se ka qenë fat i madh për Shkodrën si qytet, që ka pas shpatulla të mbrojtura nga Malësia e Madhe e deri në Dukagjin e Nikaj Mërtur dhe krejt afër nga Mirdita. Fat historik jetik e shpëtimtar, për të cilin fjalët e mirënjohjes duhej të shkruheshin në një monument me gërma të arta. Ka 2500 vjet që Shkodra mbijeton si mbretëreshë, falë maleve që i rrinë si një aureolë lavdie e përjetshme. Tetor 2019

Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto

Filed Under: Histori Tagged With: Kolec Traboini, Kolec Traboini-Shkodra-Mirdita-Malesia e Madhe-Trinia

Nikolin Kurti: Roli i Famullisë së Tiranës në mbrojtjen e hebrenjve, gjatë Luftës së dytë Botërore

October 4, 2019 by dgreca

Simpoziumi i sotem i Beratit, ne vigjilje te Dites Nderkombetare te Holokaustit, te cilen jemi duke kremtuar, ofron nje rast te jashtezakonshem per te ripare kapituj shume interesant te historise sone dhe njekohesisht për te përvetësuar vlerat humane qe kane shënuar ketë histori.

Ne kete panel kaq te pasur dhe te ndritur me studiues te nderuar, autoritete te larta qendrore dhe lokale si dhe personalitete te huaj te pranishëm, besoj qe ky eveniment nuk do te jete vetëm një kërkim “arkeologjik”, por një çelës tjetër leximi te jetës tone sot dhe ne te ardhmen.

Simpoziumi SHOAH i Beratit është vazhdim i gjurmimit te imët te historisë tone si me sytë e shqiponjës por dhe me ato te kukuvajkes. Sytë e shqiponjës na duhen për te kundruar agimet dritëplote dhe sytë e kukuvajkës për te shikuar perëndimet e ftohta dhe netët e errëta. Jubiletë ndërkombëtare te SHOAH ne Shqipëri mendoj se janë parashikuar te tilla dhe nga botekuptimi hebraiko-kristian, si moment rizgjimi dhe reflektimi te fakteve te përgjumura.

Duke guxuar te gjithë te pranishmeve t’ju prezantoj disa shembuj por duke i ftuar modestish qe shembujt e te merren dhe si te tille dhe jo e vërtete fakti ato mund te përdoren si fusha te reja kërkimi.
Ky simpozium i nderuar i Beratit te lavdishëm do na japë mundësinë dhe njëkohësisht sfidën për te demonstruar dinjitetin tone shqiptar ne tryezën e madhe te popujve qe kemi dhe ne diçka te vërtete e te madhe për to, e veçanërisht për hebrenjtë.

Famullia e Kishës Katolike të Tiranes ishte famullia me e rëndësishme e Shqipërisë për faktin se ishte pjese e institucioneve qeveritare, parlamentare, juridike, diplomatike, kulturore, ekonomike, financiare, shoqërore etj, qe priviligjon kryeqyteti i një shteti, Prej v. 1938 e deri me 1947 kjo famulli drejtohej nga famullitari dekan i saj Dom Shtjefën Kurti. Studimi i qindra e mijëra shkresave, korrespondencave, letrave, buletineve, raporteve etj, te kësaj famullie te ndodhura ne Arshivën e Shtetit janë te një rëndësie te veçante për te hulumtuar historinë e kësaj periudhe. Kjo për faktin se brenda 6-7 viteve ndodhen ndryshime dramatike si rënia e Mbretërisë se Zogut, pushtimi italian, okupimi nazist dhe ardhja ne pushtet te fitueseve te luftës II botërore, çlirimtaret e Tiranes e Shqipërisë te udhëhequr nga PKSH.
Periudhe e sipërcituar është dhe periudha e prurjeve me te mëdha te hebrenjve nga vendet fqinje, Evropa Qendrore e vise te tjera te nxehta antisemite për te gjetur strehe e mbrojtje tek shqiptaret. Sipas dr.Shaban Sinanit, ne studimin e tij, “Ne Shqipëri s’ka pasur Holokaust”, janë mbi 2264 hebrenj qe kane hyre ne vendin tone statikisht para dhe gjate luftës.

Duke asistuar dosjet e shumta te Fondit “Arqipeshkvia Durrës-Tirane, Famullia e Kishës Katolike Tirane”, ne D.P.A.SH, u besafova nga disa dokumente zyrtare ne te cilat shkruhej se disa hebrenj te ardhur ne Tirane kërkonin nëpërmjet procedurave liturgjike ndërrimin e fesë te tyre hebraike ne katolike. Natyrshëm linden plot pyetje, arsyetime, gjykime, analiza etj. te këtyre fakteve te cilat kërkonin përgjigje si p.sh: Cili ishte roli i famullisë e drejtuesit te saj Shtjefen Kurti ne ketë proces? A ishte Kisha Katolike e Tiranes pjese e ndërgjegjes dhe e solidaritetit human te popullit qe ajo i shërbente? Pse famullitari i saj Dom Shtjefën Kurti duke thyer te gjitha afatet procedurale mjaft te ngurta te konvertimit, ju hiqte pasaportën religjioze hebraike hebrenjve duke u pajisur me pasaporte katolike?

Për te gjetur një përgjigje e konkluzion te sakte le te analizojmë disa dokumente autentike te kësaj famullie. Me shkresën nr. 458/43, dt. 22.VII.1943, te Zyrës Famullitare te Kishës Katolike Tirane te firmosur nga famullitari Don Shtjefen Kurti, dejtuar Zyres Ordinariate te Arqipeshkvise Durres thuhet: “ VENKO VERAH , çifut prej Shkupi, asht përgatite ne mësimin e fesë sonë ma se miri prej Atë Pjeter Meshkalles, edhe nep sheje te mira konvikcioni. Kejo Zyre Famullitare kërkon leje me e pagzue”. Shërbyesi i asaje Zyre Ordinariate, Famullitari (Don Shtjefen Kurti). Firma.
AQSH, F.131, V. 1943, D 9, fl. 25.

a(Ne foto monsinjor Vinçens Prennushi)

Me po atë date 22. korrik 1943, me shkresën nr. 348/43, Curia Archiepiscopalis Durradiensis, i përgjigjet Zyrës Famullitare Tirane: “Mbasi kenka gatue ma se miri e po nepka sheje te mira konvikcioni, ne ditën qi t’u duket ma e përshtatshme mundeni me i dhanë Pagëzimin Shejt çifutit prej Shkupit VENKO VERAH. Vincenc Prendushi – Arqipeshkev. Poshtë kësaj letre lexojmë shënimin: “U muerr ditën 31.7.1943” dhe me poshtë “Ditën 3 gusht 1943, VENKO VERAH kje pagzue e u regjistrue ne Librin e te Pagzuemeve me numrin 138” . Te dyja shenimet firmosur Don Shtjefen Kurti. AQSH , F 131 , V. 1943 , D 9, fl.24.

Siç shihet kërkesa për leje pagëzimi nga famullia e Tiranes e miratimi nga Arqipeshkvia ne Durrës është bere brenda ditës. Siç kuptohet ka patur një interesim direkt, personal dhe dergim dorazi i çuarjes se kerekeses dhe marrjes se përgjigjes pa pritur kohen e gjate me poste. Pas 10 ditësh çdo gjë ishte përfunduar dhe VENKO VERAH ishte konvertuar ne katolik.

Gjithashtu me shkresën 324/43 , dt. 11.VI. 1943 , nga Famullia e Tiranës kërkohet miratimi: “me marre Sakramentin e Pagzimit nesër , nata e Rrrshajve , për 5 çifuten te tjerë”. AQSH , F. 131 , V.1943 , D 9 , fl. 27 .
Po kështu kemi kërkesën me shkrese nr. 565/43 , dt. 2. shtatuer 1943 , nga Famullia e Tiranes për “Zojushen Olga Nikolic, e bija e Blogota e Danica Kovacevic, lindur ne Tandi (USA) me 22 korrik 1913, ardhur ne Tirane prej Kotorrit për me u ba katolike”. AQSH, F.131, V.1943, D 9, fl.23.
Me shkresën prot. Nr. 192, dt. 19 luglio 1940, kemi Abiura te ARINETA PETERSON, te kryer ne prani te Parroco Don Stefano Kurti, e testimoni Rina Palandri, Angelica Moretti.
AQSH, F.131, V.1940, D 6, fl.8.

Me shkresën prot. Nr. 601/43 , Tirane 17.8.1943 , te Zyrës se Famullisë te Kishës Katolike – Tirane, dërguar Zyrës Ordinarjate Arqipeshkvore te Durresit ne Delbenisht, lexojmë: “zz. ABRAM FRIZ, ARMANDO ALFANDARI e RAKELE ALFANDARI, çifuten, duen me u ba katolike edhe janë përgatite ne Katekizmin Katolik. Zyra Famullitare kërkon lejen prej Asaj Zyre ordinajate Arqipeshkvnore, me muejt me i pagzue. Famullitari Don Shtjefen Kurti”. AQSH, F.131, V.1943, D 9, fl.22. Padyshim dhe për ketë kërkese miratimi ka ardhur i menjëhershëm dhe këta hebrenj janë kthyer ne katolike.

Pra siç demonstruam me lart, një nga mënyrat për te fshehur identitetin hebraik për hebrenjtë e ardhur ne Shqipëri u përdor dhe nderimi formal i fesë, nderim i cili u shërbente për te siguruar mbrojtje personale apo te familjes nga përndjekjet e forcave te Getapos. Ungjillëzimi i tyre formal është pranuar me koshience te plote nga meshtari i Famullisë se Tirane, Don Shtjefen Kurti, i cili shikonte tek kjo skeme konvertimi, urgjente për një ose disa dite, si te vetmen mundësi qe ai kishte ne dore për te kontribuar ne mbrojtjen e shpëtimin e tyre. Anashkalimi i procedurave tepër rigoroze te aplikimit ne fe katolike si: pagëzimi, krezmimi, rrëfimi, kungimi, vojimi e bekimi, te cilat duan muaj te tere, për rastin e çifuteve nga meshtari Shtjefen Kurti ishte i vetmi shans për t’u fshehur identitetin e tyre pa u kuptuar nga strukturat naziste. Don Shtjefen Kurti ishte i vetëdijshëm per keto veprime sepse ay e kishte pësuar vete kur i kërcënuar nga organizata terroriste serbe, “Crna Ruka” për ta vrare, ishte arratisur nga Novosela e Epërme e Kosovës me 31 dhjetor 1930 se bashku me familjaret e tij për ne Shqipëri. Don Shtjefen Kurti e dinte me mire nga kushdo çdo te thotë gjenocid sepse me 5 maj 1930, ai ne Gjeneve i kishte dorëzuar dokumentin “Memoire”, Eric Drymond, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes se Kombeve, mbi persekutimin fizik, moral, kulturor, arsimor e dhunim te drejtave te njeriut etj, te popullsisë shqiptare te Kosovës nga serboshovinistet e Mbretërisë se Jugosllavisë. Kjo të sjell në ish-sekretaren e jashtme amerikane Medlin Ollbrajt, e cila duke kujtuar femijerine e vet qe largohej rrugëve te Çekisë për t’i shpëtuar shfarosjes, dha atë ndihme historike shpëtuese për popullin kosovar, i cili me qindramijra eksodonte nga Kosova me 1999, për ne Shqipëri, Maqedoni, Mal Zi e gjetke. Solidariteti e suportimi i ekzigjences se hebrenjve për t’i shpëtuar gjenocidit nazist i shprehur nga Kisha Katolike nuk është ekskluzivitet i vetëm i këtij institucioni fetar. Ka fakte te besueshme, si ai i hebreut SIEGFRID SCHVARZ apo i ELIA DAVID KOHEN qe kërkuan lënien e fesë te tyre dhe u konvertuan ne myslimanë. Vlerësimi ne “Rezolutën e Mirënjohjes” qe Kongresi Amerikan miratoi me 17 nëntor 2005, ne nderim te popullit shqiptar i cili nuk lejoi prekjen e hebrenjve gjate luftës se Dytë Botërore thuhet se: “kongresmenet amerikane morën ketë nisme duke vlerësuar qe myslimanët dhe te krishtere shqiptare e konsideronin çeshtje te brendshme nderi mbrojtjen e hebrenjve nga holokausti, ku për fshehjen e identitetit te hebrenjve ndihmuan pozitivisht e me merite dhe kleri e faltoret”.

Duke përfunduar me lejoni t’ju rrëfej një fabul te mençur te popullit te madh te Izraelit.
Një rabin, sipas traditës hebraike shkonte ne pyll dhe ndizte një zjarr dhe lutej sa here popullit te tij i kërcënohej ndonjë fatkeqësi. Si arrinte ne vendin e caktuar, ndizte zjarrin, lutej dhe fatkeqësia largohej. Me vone nje nxënës i këtij rabini shkoi ne te njëjtin vend te lutej: “Moisi me dëgjo, unë nuk di te ndez zjarr, di vetëm te lutem” e fatkeqësia u largua. Me vone një rabin tjetër shkoi ne te njëjtin vend dhe tha “nuk di te ndez zjarr, nuk di te lutem, di ketë vend te caktuar e kjo mjafton. Me vone një rabin tjetër qe i takoi për te shpëtuar popullin e tij nga e keqja, ndenjur ne shtëpinë e tij, me koke përkulur i lutej Zotit: “Unë s’di te ndez zjarr, as te lutem, s’me kujtohet vendi ne pyll, por me kujtohet vetëm ngjarja e kjo mjafton”, përfundon tregimin nobelisti i madh Eli Winsel.

Unë jam sot këtu ne Beratin e Shenjte jo për te ndezur zjarrin, jo për t’u lutur por për te rrëfyer një ngjarje kulmore te historisë se popullit tone qe e kemi dëgjuar, studiuar e zbatuar, ngjarje e cila shpëtoi nga fatkeqësia e mëkatit popullin shqiptar si i vetmi popull qe i ruajti, i ndihmoi e i shpëtoi hebrenjtë ne token tone.

Duke e mbyllur me lejoni te pohoj se institucionet fetare ne Shqipëri dhe predikuesit e tyre si pjese e fatit dhe ndërgjegjes se popullit te tij, me qëndrimin e veprimet e tyre nderuan veten dhe bashkësinë shqiptare nga ato kishin dale për ta pohuar e ripohuar se bashku traditën shekullore se: “Populli shqiptar kurrë nuk i ka shkaktuar dhimbje e trishtim asjë populli tjetër”.

Fjala e mbajtur në simpoziumin e mbajtur në Berat, 25 janarin e shkuar, me rastin e ditës së Shoas. Kumtesa është publikuar edhe në librin shqip/anglisht “Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës – studime dhe dokumente”, publikim i mundësuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe konsullata e Nderit e Izraelit ne Shqiperi.

Filed Under: Histori Tagged With: Nikon Kurti-Famullia e Tiranes-Hebrejte-on Shtjefen Kurti

Kalendar Historik-Shënim i 2 Tetorit 1999

October 2, 2019 by dgreca

Para 20 vitesh, Tetor 1999: Zyra që më dha Qeveria e Kosovës dhe reagimi nga Rusia/

-Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI Behlul Jashari: Shënim i 2 Tetorit 2019, derisa për librin “Kosova, lufta në lajme” po mbledh raportimet që kam bërë gjatë viteve …/

PRISHTINË, 2 Tetor 2019/ Para 20 vitesh, në vitin historik të lirisë së Kosovës 1999, në 1 Tetor, Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, me kryeministër Hashim Thaçin, më dha zyrë në Prishtinë me kërkesën që bëra si korrespondent  i Agjencisë Telegrafike Shqitare (ATSH) – Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje për raportimet nga Kosova në vitet e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi.

“Në bazë të kërkesës së korrespondentit të ATSH-së, zotit Behlul Jashari, të datës 1.10.1999 lëshojmë këtë:

LEJE PUNE

I lejohet kësaj agjensie puna në territorin e Kosovës, si dhe vendosja e personelit të saj zyrtarisht në kryeqendrën e Kosovës”, theksohej në dokumentin e lejes së punës dhe dhënies së Zyrës në aneksin e Pallatit Rilindja në Prishtinë, në një ambient ku para luftës ishte e vendosur një bankë. I nënshkruar nga ministri i Ministrisë së Informimit Publik në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës, Bajram Kosumi, dokumenti mu dha pa asnjë pritje në të njëjtën ditë kur bëra kërkesën.

Për ATSH-në raportoja korrespondent nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, e me marrjen e botimin e informacioneve të saj nisëm e themeluam bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri që nga numri i parë i gazetës së rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që nisi të dalë në Prishtinë nga 18 Janari i vitit 1991 dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradicionale të vetme në Kosovë në gjuhën shqipe Rilindja nga regjimi okupues i Serbisë.

Në kohën e luftës në Kosovë, drejtori i përgjithshm i Agjencisë Kombetare-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërise ATSH, Frrok Çupi,  në intervistë për Gazetën Flaka të Shkupit të datës 4-5 Korrik 1998-ditë e shtunë dhe e diel, lidhur me informimin e korrespondentin nga Kosova me vlerësimet më të larta deklaronte mes tjerash:

“Që në momentin kur filluan ngjarjet më dramatike në Kosovë ATSH-ja ka ngritur një redaksi me katër ose pesë veta në Veri, në Tropojë, të cilët informojnë çdo ditë me një buletin të veçantë.

Ndërkohë ne kemi korrespondentin tonë të instaluar në Prishtinë, i cili edhe në sytë e gazetarëve botërorë është shfaqur si një gazetar i saktë dhe me tërë parametrat e gazetarisë.

Kjo është njëra punë që bëjmë për të informuar opinionin. E dyta është se, kemi arritur të kthehemi në një qendër të shtypit botëror që vjen nga bota në Shqipëri. Pjesa më e madhe e gazetarëve të botës, miqësisht ose profesionalisht kalojnë nëpërmjet nesh. U ndihmojmë që edhe bota nëpërmjet burimeve të veta të mësojë se çka po ndodhë në Kosovë.”

Pikërisht para 20 viteve, në 2 Tetor 1999, ATSH dha lajmin për hapjen e Zyrës në Kosovë, të cilin sot e gjejë në anglisht:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-10-02.ata.html#04

[04] ATA to open office in Prishtine soon

-Minister Kosumi allows its opening-

TIRANE, Oct 2 (ATA)-The Albanian Telegraphic Agency (ATA) will soon open its office in Prishtine.

The Minister of Information in the Kosova Interim Government, Bajram Kosumi, has approved the request of ATA correspondent in Prishtine, Behlul Jashari, to open an office of this agency in Kosova.

“This agency is allowed to work in the territory of Kosova as well as to officially establish its personnel in the centre of Kosova,” the permission issued by Minister Kosumi says.

The ATA office in Prishtine will temporarily be located in the premises of the former-Diamant Bank, near the Press Palace in Prishtine. It will be further provided with cameramen, operators and others.

The Albanian Telegraphic Agency is the first media of Albania installed in Kosova. /a.ke/lm/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

E pas më pak se dy javëve, në 15 Tetor 1999, ishte një reagim nga Rusia.

“Vendimin per hapjen ne Prishtine te perfaqesise se ATSH-s eshte veshtire te vleresosh. ndryshe, vecse si nje aksion tjeter i drejtuar per shkeputjen e Kosoves nga Serbia dhe Jugosllavia”, thuhej në fillim të shkrimit të gjatë të “The Voice of Russia”.

Në fund shënohej një si titull tjetër dhe autori: “Lojë me zjarrin (Nga Pioter Iskenderov)”.

Përmbajtja e plotë e reagimit në dokumentin bashkangjitur si fotokopje.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari- 2 Tetor 1999

2020- 100 VJET NGA KONGRESI I LUSHNJES DHE LUFTA E VLORES

October 2, 2019 by dgreca

                          Nga Vilson Haxhiraj  /

Viti 2020,që po afron, shënon përvjetorin e 100 të Kongresit të Lushnjës, të Luftës së Vlorës dhe të pranimit të Shqipërisë, në organizatën ndërkombëtare, të Lidhjes së Kombeve.Në Lushnje dhe në Vlorë, pushteti vendor ka deklaruar publikisht ambicjen, për të kërkuar nga qeveria, dekretimin  “Festë Zyrtare” të 21 Janarit , përvjetorit të Kongresit të Lushnjes  dhe 3 Shtatorit, përvjetorit të Luftës së Vlorës. Për here të parë pas 29 vitesh, kërkohet  rivlerësim  për ngjarjet historike, dëshmi e  një hopi cilësor, në mendësinë e shoqërisë shqiptare. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës ,lindën si alarm kombëtar ndaj rrezikut të coptimit të Shqiperisë, ne Konferencën e Paqes në Paris, sipas vendimeve të Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915. Vendi ishte pranë ç’bërjes si realitet politik. Fitimtarët e mëdhenj të Luftës, ishin kundër tij. Të vegjël, të varfër dhe të vetëm,kundër të gjithë botës! Kjo ishte sfida që duhej përballuar  nga shqiptarët, për të siguruar egzistencën e shtetit të tyre!.Është e famshme shprehja e Marksit,”Komunarët e Parisit sulmuan qiellin”,si tregues dhe vlerësim i një akti heroik ekstrem. Por shqiptarët e kaluan këtë cak .Pas fitores të Luftës së Vlorës ,që pati shumë jehonë në botë, gazeta “ DIELLI” do të shkruante: “Kongresistët e Lushnjes dhe luftëtarët e Vlorës, sulmuan vetë Zotin dhe fituan.” Me nota të larta ishte vlerësimi edhe nga shtypi ndërkombëtar. Në analizën e situatës ndërkombëtare të vitit 1920, sukseset befasuese të shtetit të ri shqiptar, do të konsideroheshin, “e pabesueshmja”, “çudia shqiptare” dhe “ mrekullia shqiptare”. Kontributi i Kongresit të Lushnjes në dobi të atdheut, është  i  gjithëpranuar.Ai dhe strukturat shtetërore të dala prej tij, vazhduan dhe mbyllën  me sukses,  punën e nisur  nga Kuvendi i Vlorës dhe qeveria e Ismail Qemalit, krijuan shtetin shqiptar, brenda kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve ne Londër ,ne vitin 1913 dhe arritën  njohjen ndërkombëtare.Të gjitha këto , në harkun kohor të 22 muajve. Në 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, duke shënuar një preçedent unik, si i vetmi vend,që pranohej në këtë organizëm, pa u njohur më pare ndërkombëtarisht, qoftë dhe nga një  shtet tjetër. Ishte fitorja e Luftës së Vlorës dhe nota  e qeverisë amerikane, e 6 Marsit, drejtuar Konferencës së Paqes, faktorët madhorë, që mundësuan këtë sukses! Ky pranim, i hapi  vendit rrugën e njohjes ndërkombëtare. Më 9 Nëntor 1921, qeveria britanike,  njoftonte k/ministrin Pandeli Evangjeli, se  “nga ky cast, njeh qeverinë aktuale të Shqipërisë, de jure dhe de facto, qeveri e të gjithë Shqiperisë.” Dy ditë më pas ,erdhi njohja nga qeveria franceze dhe italiane .Në fushën e organizimit shtetëror, Kongresi i Lushnjes i dha vendit, të parin Akt Kushtetues, hartuar nga shqiptarët, modelin bashkëkohor të kontrollit dhe balancës së pushteteve, të parat zgjedhje parlamentare  pluraliste dhe nje plejadë  deputetësh me shumë klas, që dhe sot, mbeten etalon i figurës së  parlamentarit, atdhetar dhe intelektual.  Por Kongresi  i Lushnjes, ishte një ndër fakorët e mëdhenj të fitores, ai i aksionit të madh politik, dipllomatik dhe  administrativ. Faktori i dytë  vendimtar ,ishte Lufta e Vlorës, që përfaqëson aksionin e madh luftarak të shqiptarëve. Fitorja e saj, mundësoi bashkimin e krahinave të Vlorës, Tepelenës dhe Himarës, me pjesën tjeter të vendit, duke e bërë suksesin të plotë. Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes,  përfaqësojnë  një  unitet  organik, të pandarë. Pa mbështetjen e gjithanëshme të qeverisë së Kongresit, fitorja e Luftës së Vlorës, nuk do të ishte e sigurt. Pa Luftën e Vlorës,  arritjet e Kongresit do të ishin jo të  plota,të brishta dhe të cënueshme. Si çdo ngjarje e madhe, Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes, kanë patur vëmendjen e studjuesve, që vazhdon edhe sot. Por vulën e madhështisë, mbështetur në kritere shkencore, këtyre dy ngjarjeve ia dhanë studimet e Akademikëve të shquar, Profesorët Aleks Buda ,Kristo Frashëri, Muin Çami ,Marenglen Verli, Arben Puto. Ky i fundit  konsideron, “si  Kongresi i Lushnjes , ashtu dhe Lufta e Vlorës, për nga rëndësia, jane të barabartë, me Aktin e Shpalljes së Pavarësise, në nëntor 1912”.

Mitat Frashëri ka shkruar: ” Vlerësimi i ngjarjeve të mëdha dhe heronjve të tyre, nuk është vetëm cilësi që ushqen virtytin, por edhe  detyrim madhor i shoqërisë dhe i  shtetit ndaj tyre”.Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës , kanë qenë Festa Kombëtare, deri në vitin 1939. Me vendosjen e sistemit komunist, ato nuk u rivlerësuan më si të tilla. Shteti komunist, nisur nga kritere klasore ,vrau dhe persekutoj jo pak  prej drejtuesve të këtyre ngjarjeve. Të tjerët i dënoj, me harresë të qëllimshme. Figura kryesore e Luftes së Vlorës, u bë Selam  Musaj, komandant çete dhe luftëtar i shquar, por larg parametrave dhe kontributeve të anëtarve të Komitetit Mbrojtja Kombëtare dhe komandantëve ushtarakë të Luftës.Ky veprim ,përbën rast tipik të deformimit të historisë, që nuk do të ishte i vetmi. Por “t’i japim Çezarit atë që është e Çezarit ”.Regjimi i shkuar, në funksion të qëllimeve të tij, i vlerësoj me respekt dhe  nderim,  ngjarjet e mëdha  historike ,mes tyre  Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës. Ato festoheshin çdo 10 vjet nga qeveria, me madhështinë  që  i takon ngjarjeve të mëdha dhe për çdo vit, nga pushteti vendor. Është fakt, që gadi  i gjithë fondi i monumenteve dhe memorialeve të ngjarjeve të mëdha historike, eshtë krijuar në ato vite. 30 vite më pas, kemi një tabllo të kundërt: Rivlerësim të merituar, të pesonaliteteve të Kongresit të Lushnjes dhe Luftës së Vlorës, shoqëruar paradoksalisht, me harresën ekstreme të  vetë ngjarjeve. Është koha për krijimin e kuadrit ligjor, që përcakton mënyrën e festimit të ngjarjeve historike, me dinjitetin e duhur ,që shmang, voluntarizmin, indiferencën, nënvlerësimin dhe harresën. Ky veprim nuk duhet konsideruar gjest kortezie ,por  detyrim madhor ndaj tyre,  sepse  ngjarjet e mësdha historike,kanë formuar identitetin tone kombëtar,janë element thelbësor i krenarisë kombëtare dhe referenca më e mire,për edukimin atdhetar të shtetasve. Jemi në prag të një çasti madhor, të papërsëritshëm! Ështe 100 vjetori, i kurorëzimit të Kongresit të Lushnjes  dhe  Luftës së Vlorës ,me një fitore historike ,vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë dhe të rracës shqiptare! Pa Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës, do  ishim  kthyer në kurdët e Eurpës, pa atdhe ,pa shtet, pakica nacionale të shteteve fqinjë, nën trysni të egër shtetërore, për asimilim dhe ç’kombëtarizim.Të kujtojmë genocidin serb, mbi popullsinë shqiptare të Kosovës dhe Malit të Zi, vrasjet dhe persekutimin e dhjetra mijëra njerëzve, deportimin e dhunshëm në Turqi, të qindra mijëra të tjerëve. Ky fat, do të ndiqte edhe popullsinë shqiptare të Çamërisë, në Greqi. Pas nënshkrimit të marrëveshjes turko greke te Lozanës, për këmbimin e popullsive, në vitin 1923, dhjetra mijëra çame u konsideruan arbitrarisht turq dhe u deportuan forcërisht në Turqi, ndërsa pronat e tyre, ju dhanë homogjenëve greke, qe vinin nga Turqia. Edhe më i rrezikshëm ishte projekti Italian, për vendosjen në Shqipëri të disa milionë kolonëve. Zbatimi i tij ,do të ishte ç’kombëtarizim i popullsisë se pakët shqiptare. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës, e shpëtuan Shqipërinë nga kjo katastrofë kombëtare. Falë tyre, kemi atdheun dhe shtetin tone, kemi  identitetin e të qenit shqiptarë.

 Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës, mbyllën me sukses dhe përfundimisht, kapitullin dramatik të shtetformimit dhe hapën kapitullin e ri,  të  ndërtimit të shtetit modern shqiptar. Ato, janë ngjarja  më e madhe dhe më e  rëndësishme  e këtyre 100 viteve!

 Jubiletë e ngjarjeve të medha, japin mundësi për reflektim, për ndreqjen e gabimeve përmes rivlerësimit. Vendimmarrësit shtetërorë, që e kanë këtë tagër, duhet të konsiderojnë seriozisht dekretimin “Festë Zyrtare”, të 21 Janarit dhe 3 Shtatorit .Nga shoqërisë civile ,që ka meritën e madhe të rivlerësimit të individëve të shquar, të lënë në harresë, pritet kontribut i vecantë, për  arritjen e këtij objektivi, ç’ka do të përbënte  sukses kombëtar.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet-Kongresi i Lushnjes-Lufta e Vlores-Vilson haxhiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 297
  • 298
  • 299
  • 300
  • 301
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT