• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Roli i Imzot Gaspër Thaçit në Pukë, në prag të pavarësisë

May 10, 2019 by dgreca

Shkruan:Leonora Laci/
Artikujt për Pukën të Pater Paulin Margjokajt OFM janë mjaft interesante, madje ai vet lë të kuptohet se ishte një libër për Pukën duke e ndarë dhe në kapituj, aty përfshihen dhe ngjarje të krahinave të tjera në periudhen e pavarësisë së Shqipërisë. Artikujt janë të gjatë dhe gjenden të botuar për herë të parë në Hylli i Dritës përgjatë viteve 2011-2012, përmendim këtu; At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2011, XXXI, nr. 4, f.14-36. -At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 1, f.3-11. – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 2, f. 3-23.  – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në Hylli i Dritës, 2012, XXXII, nr. 3, f. 15-26. – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 4, f. 84-102.
Më poshtë janë përshkruar pjesë nga “Kontributi i Pukës për Pamvarsinë e Shqipërisë” dhe kjo gjendet në Hylli i Dritës, 2011, XXXII, nr 4. Pater Paulin Margjokaj shpreh shqetësimin e tij që në parathanje ku shkruan: “Sikurse të tana krahinat tjera të malit e të fushës edhe Puka ka dhanë kontributin e vet nder luftat per liri të Shqipnisë. Megjithëkta shohim se fort rrallë âsht gjetë ndokushi qi e ka çekë ket gjâ. Në poemin kombtar Lahuta e Malsisë njiherë të vetme âsht permendë Puka. Edhe âsht aty ku fantazija e poetit kombtar na paraqet në kangen e 25-të (andej kah faqja e fundit; kjo kangë si diehet, âsht mâ e gjata kangë e mbarë Lahutës), se si dy shtriga, qi gjâ pâ bâ s’kishin lânë nder shtatë bajrakët e Pukës, nisen prej Fushë s’Iballes e duen me shkue per në nji log shtrigash dikund atje kahë Kotorret e Reja. Tue kalue neper ajri, kaluer breshkave, dy shtrigat e Pukës- njana thirret Sutë, tjetra Pasutë, po vênë oroe ke po ishin kapë fyt-a- fyt Ora Malazeze me Zanen e Shqipnisë atje në Rrafsh të Dukagjinit. Me nderhymjen e dy Shtrigave, Ora e Malit të Zi e bjerrë mejdanin, kështuqi ushtrija e Mark Milanit jet pa ndihmen e Orës, e Shqiptarët, të perkrahun prej Zanës, e fitojnë luften.Por neve do të na kishte pasë andja me ndie tue u permendë njerz fatoza apor êmna fisesh e bajrakësh prej krahinës së Pukës. Por asnji herë!(…)
 Ai jep detaje të tjera për Lahuten e Malsisë dhe për ngjarjet që pershkruhen aty, por qellim i këtij artikulli është të evidentojë -Rolin e Imzot Gasper Thaçit në ngritjen e flamurit në Pukë. Vazhdon autori në atë që e quan parathënie në faqen 18-19-Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2011, XXXI, nr. 4, – “Por na ndoshta shkuem teper gjatë në ket parathanie. Na kjem të ngushtuem me e bâ ket gjâ, qi kshtu lexuesat e fisit t’im, per të cilët po shkruehet kryekrejet ky liber, t’a kuptojnë se per ç’arsye Puka nuk permendet aspak në Lahutë. Sigurisht edhe nga fisi i Pukës kanë rrâ burrat kur i ka lypë kushtrimi, por per kta nuk ka pasë se kush t’i kallxojë ndoj gjâ poetit. Sepse duhet dijtë se Fishta e ká kalue të shumten e jetës së vet në Shkoder. Ktu ai ka pasë rasë me pvetë dhe famullitarët e Malsisë së Madhe, kû si zonë kufijtare me Mal të Zi, u zhvilluen mâ së fortit luftat per çlirim. Mjesá Puka âsht fort mâ larg. Persá i perket Mirditës, âsht e dijtun qi Fishta në Shkoder ka pasë rasë shpesh herë me bisedue me kapidanat e Mirditës qi banojshin në Shkoder. Nuk âsht per t’u çuditë prandej qi Mirdita të permendet aq shpesh në Lahutë e Puka vetem njiherë, dhe atëherë vetem dy shtriga të saja, e jo njerzit fatoza të bajrakve të Pukës.
Unë me ket liber due të qes në shesh qi edhe nder bajrakë të Pukës janë flijue njerzit dhe kanë vuejtë e janë mundue per liri të Shqipnisë. Por neve si pa dashtë kemi kalue nga ngjarje të Pukës e kemi dalë edhe nder çashtje tjera. “Fjala qet fjalen”-si ka pasë thanë i moçmi. Kujtimet e mija në shkrim e siper shkuen tue u zgjanue. Kjo gjâ shpresoj se nuk ká per të kenë e pa-dobi, pse, sa mâ shumë të shkruehet, aq-e mâ mirë âsht. Mjerisht në mergaten shqiptare po shkruehet e po botohet teper pak. Ky liber, si e thotë titulli, merret vetem me disa ngjarje të historisë shqiptare e nuk don të jetë nji histori komplete. Shkrimi i nji historije nder rrethana të vshtira, në të cilat ndodhet çdo mergimtár, âsht e pamundun, mbasi nuk mund të kemi per dorësh dokumentat e nevojshme, dhe bibliotekat e Prendimit nuk janë aq të pajisuna me libra mbi punët e Shqipnisë. E mandej historija mund të shkruehet vetem nga nji grup personash e jo nga nji njeri i vetem.
(…)
 
KAPITULLI I DYTË
NË VEREN E 1912-S PUKA SHKUND ZGJEDHEN TURKE
Në fillim të vj.1912 pat ardhë si famullitar (sherbyes fetar katolik) në fshatin Qelzës prifti i ri Dom Gasper Thaçi, qi mâ vonë pat kenë zgjedhë si Arqipezhgev e metropolit (rybja mâ e nalta e Kishës katolike në Shqipni) në Shkoder. Mbarë Shqipninë e kishte kapë marazi, sidomos ushtrija e mizoritë e Turgut Pashës të kohës së mbrame e kishin shtue jashtzakonisht fort pezmin e popullit.
Mejherë Dom Gaspri ia pat fillue punës, per t’a pregatitë popullin per në luften çlirimtare. Jo vetem në famullinë e vet, por edhe nder bajrakë tjerë shtrihej veprimtarija e priftit plot entuzjazem, i cili pak kohë perpara kishte pasë krye msimet e nalta në Austri. Nder meshtarë qi ishin të tanë nji mendimi me Dom Gasperin, janë per t’u permendë kta dy freten: Atë Tomë Bicaj, famullitari në Berishë, e Atë Danjel Stajka, famullitar në Fierzë. Edhe famullitari i Iballes, qi ishte italjan, bashkëpunote me kolegët e vet për çlirim të Shqipnisë, por emni i tij nuk më kujtohet. Nder mbledhje e bashkime qi organizoi Dom Gasperi nder fshate e bajrakë, pat kenë edhe ajo në mojin marc në shpinë e Frrok Kolë Bajraktarit në Bugjon. Si u tha perpara, nji ushtri e fortë turke-kund 6 mi vetë- ishte në qanderr të Pukës. Kjo ushtri ishte e armatosun me armët më moderne të kohës, e komandohej nga Bedri Beg Qafziu. Në mbledhje me Dom Gasprin e të zo’në e shpisë kû bâhej bashkimi, ishin edhe kta patriotë: Bibë Ndoj Mirakaj, Ndrekë Markiqi, Pjeter Ndue Prendi, Pjeter Kolë Pemati, Ram Nimani, Halil Musa, Kamber Laçi, Marash Mar Nika, Rrust Marvata, Shyt Gjergji, Marash Halili.
Duhet shenjue prej ksaj liste emni i Hasan Musës, bajraktar i Terthores (bajrak i Kabashit). Ky edhe shoku i tij Hasan Neziri (po nga Kabashi), qyshë në fillim e deri në mbarim kjen perherë me Dom Gasprin. Gjithashtu nuk do të harrohet Zejnel Hoxha i Pukës, i cili e kqyri me sy të mirë lëvizjen kombtare qi organizoi Dom Gaspri kundra pushtimit turk.
Gjâja mâ e keqe qi u konstatue në mbledhje, kje disomos kjo: populli nuk kishte armë as municjon, posë pak armve të mshefuna. Per t’a fornizue popullin disi me armë, e muer mbi vedi si kryetar pergjegjës Bib Ndoj Mirakaj, dhe u vendos qi ky bashkë me Frrok Kolë Bajraktarin, Pjeter Ndue Prendin, Shyt Gjergjin nga Fierza, Tush Prendin nga Bugjoni e 60 burra tjerë me u nisë me 1 prillë per në Podgoricë, e atje me i kerkue e me ble armët e municjonet.
Udhtimi per në Podgoricë kje shum i gjatë dhe teper i zorshem. Asnji prej ktyne burrave nuk kishte pasë rasë t’a bajë nji udhtim të tillë, tue kalue neper krahina e vende krejt të panjoftuna. Së parit duhej kalue Drini, pastaj neper Dukagjin e deri në Theth të Shalës, prej ktu neper Shteg të Dhenvet (nji qafë mes Dukagjinit e Malsisë së Madhe), në Bogë, Vrithë, perkrye Katundit të Shkrelit, mandej neper Kastrat e Hot e Grudë, tue kalue Cemin, e eja e del në Tuz. Si po shifet, krejt udhtimi u ba neper male. Kur mbrrijten në Podgoricë, nuk munden me ndreqë gjâ, prandej auktoritetet malazeze të ktushme i dergojnë burra t’onë të Pukës në Cetinë. Në fillim burrat e Pukës u priten krejt mirë prej gjeneral Vasoviqit, sepse ky mendote se kta kanë ardhë në Cetinë per me iu shitë Malit të Zi. Vasoviqi i priti e i gostiti per 6 dit s’ka mâ mirë, dhe mundohej pada dita me ditë me bâ propagandë nder ta dhe u premtojke gjithëshka.
Ai diftohej i gatshem me u dhanë Shqiptarve çdo ndimë, si pare, armë, municjon e gjithëshka të kishin nevojë. Me ket mndyrë mendojke Vasoviqi se po i ban per vedi burrat e Pukës. Por u rrejtë keqas i Cernagorasi. Frrok Kolë Bajraktari e Bibë Ndoj Mirakaj iu pergjegjen joshjeve të Vasoviqit në ket mndyrë: “Na ju a kemi msy e ardhë tek ju me na gjetë armë e municjon dhe na me t’i pague me pare; na nuk kemi ardhë me u shitë dhe as me i bâ trathti atdheut t’one. Na kemi mendue se Turkija âsht nji anmik i jueji ashtu si âsht edhe anmiku i jonë. Prandej, tue e parapá se anmikun e kemi të perbashktë, kemi mendue se armë e municjone na jepni aq sa të mundemi me marrë, e pa kondita. “Vasoviqi u tha burrave t’onë kshu: “pa kondita e dokumenta të nenshkruem asnji gjâ nuk e japim. Ma gjithëkta, mbasi Turkinë e kemi anmik të përbashktë, po u japim 300 copë armë dhe 15 mushka me monicjon, mbasi mushkat i paskeni me vedi, porse keni me i pague të gjitha me pare, falë nuk keni kurrgjâ, dhe qyshë sonte naten pa dalë drita keni me u largue nga Cetina.” Burrat t’onë marrin armët dhe municjonet dhe i paguejn me pare dhe naten dalin prej Cetinet.
Prej 65 burrave qi ishin per ket sherbim, seicili prej tyne u ngarkue me ka 5 copë armë në shpinë, pesha e çdo cope ishte 4 kg e randë. Modeli i ktyne armve ishte: të gjitha petica e novica. E shumta e rrugës, si u tha, kalote neper male e vende shum të vshtira. N’udhtim e siper, kur kanë mbrrijtë në Triepshë Sokol Baci, po nga Triepshi, e ká mbledhë gjith katundin e vet dhe u kanë bâ nji darkë burrave të Pukës dhe nji pritje shum të mirë, edhe u kanë dhanë ushqim per 4 dit dhe i kan percjellë deri qi kanë kalue lumin e Cemit.
Populli i Shtatë Bajrakve pritte me padurim kthimin e njerzve me armë nga Mali i Zi. Pak mâ vonë Bibë Ndoj Mirakaj pat marrë edhe 100 copë armë tinëz në Shkoder. Të gjitha armët e bleme iu shperndanë popullit, i cili kishte do armë të mshefuna, edhe pse ushtrija e Turgutit nji vjetë perpara pat mbledhun sa mujti.
Tashti duhej organizue gjithëshkafja me kuadra në formë zyrtare. Me 12 qershuer Dom Gaspri thirri mbledhje të pergjithëshme te Kisha e Qelzës. U formue nji komitet qandrruer e komitete krahinore. Qandrra e pergjithëshme ishte në Qelzë, nën kryesinë e Dom Gasprit qi ishte truni e zemra e kryengritjes. Dy burrat mâ me randsi, d.m.th. Frrok Kolë Bajraktari e Bibë Ndoj Mirakaj, mund të ndjehen qi kryetarët mâ të naltë e fuqive të pregatituna per luftë. Kjenë caktue edhe komandantat e çetave. Qe êmant e tyne: Halil Musa nga katundi Kabash, Kamber Laçi –Pukë, Marash Halili –Dardhë, Rrust Mar Vata-Dush, Zef Nikolli-Kçirë, Ndrekë Markiqi-Berishë, Dedë Sadrija-Aprripë, Palush Pjetra-Iballë, Tish Toma-Midhë, Çun Pjetra-Kokdodë, Kolë Nikë Alija-Flet, Keqan Qerimi-Truen, Ndue Kukeli-Bugjon, Shyt Gjergji-Fierzë, Marash Mar Nika-Qelzë, Pjeter K. Pemati-Iballë, Naz Hajdari-Bugjon, Pjeter Ndue Prendi-Berishë, Jak Mark Suti-Dush, Ram Nimani-Iballë. Çdo komandant çetet, në diten e parë, kishte nen komanden e vet 75 luftarë. Mâ vonë këto çeta, tue u marrë armë Turqve, u shumuen dhe u banë deri në 100 njerz per çdo çetë. Si u perfundue organizimi, u caktue qi me 1 korrik, naten befas, të sulmohej ushtrija turke nder kazemat qandrrore të Pukës. Në sulmin e parë qi u bâ fort i rrebtë, u vranë shum ushtarë e u mueren shum armë. Naten e parë në ket sulm u vranë n’anen t’one Keqan Qerimi, komandat çetet, si edhe u plagosen 3 vetë tjerë, po komandanta çetet, d.m.th. Ndue Kukeli, Nikoll Zefi e Rexh Frroku, i biri i bajraktarit të Bugjonit. Lufta vazhdoi shum e pergjakshme plot nji muej. Puka ishte e rrethueme. Kur ushtrisë në Pukë i erdh nji ndimë prej Shkodre, e çau rrethimin dhe bani msymje nder katunde e filloi djegjen nder shpija. Ajo dogji në katundin Midhaj 60 shpi, në katundin e vogel Miluer 20 shpi. Ushtrija filloi të plaçkisë popullin dhe hyni me dalë n’Iballe, Bugjon e Berishë, por çetat nacjonaliste ia prenë rrugen ke Lumi i Sapaçit, kû u bâ beteja mâ e pergjakshmja: 8 dit luftë pa u pré. Ushtrija anmike u detyrue me u kthye persri në qendren e Pukës. Ushtrija turke, qi pat shum bjerrje, ishte krejt e disprueme, e rraskapitun dhe e demoralizueme krejtsisht. Me kthimin e ushtrisë në qenderr të Pukës, u bâ nji pushim armësh per kater dit.
Popullit iu bâ thirrja e dytë qi me dalë në luftë kush të jenë burrë per shpi: me pushkë dhe me kmesa e spata. Ksaj here ushtrisë turke nuk mujti me i ardhë mâ ndimë prej Shkodre, sepse Dushi, Kçira e bashkë me Koman, Mlloje, Vjerdhë e Karmë ia prenë rrugen ke Qafa e Fikut, kû u luftue shum rrebtsisht, aqsa ndima turke nuk mujti me dalë aty kû dote, por iu desht me kthye kah kishte ardhë.
Tashti çetat e lirisë pregatiten me i rá edhe njiherë Pukës befas, por pa pritë e pa kujtue po merret vesht se ushtrija turke e Pukës ishte çue e hikë e nisë per Shkoder, tue lanë vetem do xhandarmë. Me ket mndyrë Shtat Bajrakët e Pukës, qysh me daten 8 shtator 1912, ishin të çliruem nga zgjedha turke.
Në fund të ktij kapitulli tash po bijmë nji poezi qi pershkruen mâ gjallë ata shka u tha në prozë nder kto faqet e kalueme. Na po vazhdojmë ktu prap në prozë. Por nuk kaloi shumë, e Puka qi u librue nga Turkija, kishte në shpi Serbët. Qysh me 8 tetuer 1912, njiherë Mali i Zi vetem, mandej Bullgarija, Grekija e Serbija, të trija zbashku me 18 tetuer, i kishin çpallë luften Turkisë. Ishte kjo lufta (e para) ballkanike. Shqipnija ishte në rrezik me u zhdukë krejt nga karta gjeografike. Serbija dote me e ndjehë të veten krejt token qi fillon prej Sanxhakut të Novipazarit (nji rryp të vogel të ktij, vllau i madh i Beogradit ia premton vllaut të vogel Cetinës) e pershinë krejt Kosovë e Metohi e krejt Shqipninë verjore, nemose që prej Shengjinit e deri në Semen apo Shkumbin, simbas marrveshtjes qi do të bâhej ktu në jug me Greki, per të cilen ishte shenjue krejt urtë, pse drojshin se populli po çohet e po u bjen mbas shpinet e po ua prishë krejt planin që kishin. Serbët u shtishin se e kanë vetem me Turki, por ata në të vertetë lakmojnë me pasë nemose tre çerekë të tokës Shqiptare per vedi.
Por po i lâmë kto si gjâ të njoftuna e po bijmë vetem se si në Pukë u ngreh flamuri kombtar e u proklamue zyrtarisht pavarsija prej Turkisë. Dom Gasper Thaçi kishte pasë marrë lajmin prej Ipezhgvit të vet (në Nenshat të Zadrimës) se në Vlonë ishte kenë ngrehë qysh me 28 nanduer flamuri i Shqipnisë. Sa e muer lajmin, plot entuzjazem Thaçi bani gati kryepari e popull e mblodhi sa mâ shum gjind te Kisha e Qelzës kû, mbasi mbajti nji fjalim të flaktë, u dha të gjithve lajmin e gzueshem se Shqipnija ishte çpallë zojë në vedi qysh me daten 28 nanduer. Dom Gaspri merr flamurin kombtar dhe e ngrehë te Kisha e Qelzës. Ishte dita 8 dhetuer 1912 si mbas zakonit, batare pushkësh e percollen ket ngjarje të paharrueshme. Menjiherë kjenë lajmue bajrakët tjerë, e gjithëkund populli ngrehi flamurët shqiptarë dhe e kremtoi me batare pushkësh ket ditë të lumnueshme.
Por bataret e pushkve qi shungulluen së parit në Qelzë, e kishin pasë shti në mendim ushtrinë serbe qi ndodhej në Pukë asë mâ mirë me thanë, ajo ndodhej gjithkund rrugës së madhe që prej Kosove e deri në Lesh; ajo kah jugu bashkëpunote me Malazez në rrethimin e Shkodres. Prej komandës serbe iu lypen Dom Gasprit spjegime mbi bataret e pushkve në Qelzë. Dom Gaspri zgodhi tre burra per t’i dergue në Pukë, te komanda serbe. Emnat e ktyne të treve janë; Nikoll Gjoka prej Qelzet, Marash Mark Nika prej Midhet e Kolë Gjergji prej Dedajsh. Mâ perpara Dom Gaspri i pregatiti mirë kta burra se si do të folshin në komanden serbe. Nji mik i imi m’a dergoi bisedimin e tyne me komandantin serb, qi quhej Kataniq, njashtu si pat kenë botue në rivisten Hylli i Dritës në numer tetor 1937, nga penda e Kolë Bibë Mirakajt. Qe bisedimi fjalë per fjalë nga faqja 466-67 e rivistës së famshme shkodrane:
Komandanti: Çka ka kenë aj danam me pushkë
Gjegja: Kena pasë nji gzim të jashtzakonshem.
Komandanti: Ç’farë gzimi keni pasë?
Gjegja: Na ka ardhë lajmi se tash njimdhet dit âsht ngrehë bajraku i Shqipnisë në Vlonë.
Komandanti: Kû e dini ju?
Gjegja: Kryetari i komitetit t’onë Z. Dom Gaspri ka pasë lajmin prej Ipezhgvit.
Komandanti: Nuk âsht e vertetë. Ipezhgvii e prifti ju mashtrojnë. Në Shqypni jena na e nuk kena me e lshue
Gjegja: Ne Ipezhgvi nuk na ka rrejtë as nuk na rrenë kurr, se nuk âsht i shitun as nuk na shet. E dijmë me siguri se me 28 të mojit të kaluem në Vlonë âsht ngrehë bajraku i Shqypnisë me pelqimin e Krajlnive të Mdha. Prandej na, mbasi tash sa kohë kemi derdhë gjak per me fitue lirinë, duem bashkimin me vllaznit t’onë dhe kemi ngrehë edhe na bajrakun e Shqypnisë tu kisha e jonë.
Komandanti: Pse nuk bâheni me né, qi edhe na luftojnë me qitë Turkun jashta?
Gjegja: Na as nuk jena Turqë as nuk jena Serbë, por jena kenë, jemi e do të jena Shqyptarë. Na e dijmë se Shqypnija ká dalë në vedi me e sundue Shyqptari vendin e vet. Sod kena bajrakun t’onë, per atë do të luftojmë e do të desim. (K.B. Mirakaj, Kryengritja e Pukës rreth vieti 1912, në Hylli i Dritës, 1937, vj. XIII, n 9-10, fq, 466-467. Prej ktij artikulli të Kolë B. Mirakaj kemi marrë edhe ndoj send tjeter të ktij kapitulli).
Po kje se nuk i gjet gjâ kta tre burra as Dom Gasprin, âsht per t’u spjegue prej faktit qi Serbët kishin frigë prej popullit qi ishte i armatosun. Po t’ishin çue Shqiptarët kundra Serbve e kundra Malazezve në luften ballkanik, do t’a kishin pasë fort mâ të vështirë dy shtetet ballkanike në luften e tyne kundra Turkisë. Por mjerisht-duhet me thanë mjerisht- Shqiptarët në luften ballkanike kjen rrêjt keqas e ndêjen asnjanës. Xhelati Turgut e kishte pregatitë ket gjendje asnjanse ase edhe anmiqsore kundrejt Turkisë. Anmiqt t’onë sllavë kishin dijtë s’ka mâ mirë t’a shfrytsojnë ket gjâ. U duk gati-gati sikurse Shqiptarve t’u ishte mbushë mendja qi Serbo-Malazezt kishin hi në Shqipni vetem sa me dbue Turkun e jo me krrucë Shqipninë. Mbi rrethim të Shkodres na bjen rasti të flasim në nji kapitull mâ vonë. Ushtrija serbe qi e kemi lanë në Pukë e në rrugen e madhe qi çon per në Shkoder e Lesh, qysh me 25 shtatuer 1913 ishte krejt jashta kufijve të rij shqiptarë. Ndoshta na bjen rasti t’a thomi edhe njiherë tjeter se gjatë luftës ballkanike Serbët paten mbytë mizorisht qindra e mija Shqiptarësh. Sidomos në Kosovë ata paten bâ namin, sepse ata dojshin me e shfarosë krejtsisht rodin e Shqiptarit në ket krahinë qi ata e quejn aq ambel “Serbija e Vjeter”, e kshtu edhe mundoheshin me e paraqitë edhe nder shkrimet e tyne rrenacake qi ata publikojshin nder gjuhë të ndryshme. E atyne u duel me e mbajë Kosoven per vedi. Edhe në pjesen jugore të Shqipnisë shohim kerditë greke qi djegin e pjekin me qinda katunde shqiptare, e me ket mndyrë ata duen me ia mbushë menden botës se ata vende janë me popullsi greke. Në ket mndyrë ata na e kanë grabitë Çamerinë. Qellimi i Serbve ishte me mbrrijtë sá mâ parë në Durrës. Ky ishte limani qi Serbët me doemos dojshin me e pasë të vetin n’Adriatik. Si dihet, Serbija e atëhershme nuk kishte askurrkund breg detar. Mbas luftet mandej u formue Serbija e Madhe, qi po na e thrrasim Jugoslavi, e muer Detin Adriatik per vedi, posë ndoj cope qi e muer Italija. Me 26 nanduer 1912, në Durrës pat kenë ngrehë flamuri i Shqipnisë në Konakun e Qeverisë dhe pat kenë caktue si Sundimtar Hamid Beg Toptani. Por dy dit mbrapa, shi me 28 nanduer, paten hy Serbët në Durrës dhe hoqen flamurin e Shqipnisë tue ngrehë atê të Serbisë. Mandej ushtarët serbë me çizme shkuen në det të Durrësit e me shpata të çveshuna i bijshin ujit tue brohoritë: Zhvio, zhivio! Por puna erdh e u suell ndryshej se kishin pritë Serbët. Kta kjen ngushtue prej Fuqive të Mdha t’a lanë Shqipninë. Në ket kohë ishin formue gjithëkund neper Shqipni qeveri lokale të perkohshme, pse pritej se per së shpejti do të vite mbreti qi Europa dote me i dhanë Shqipnisë. Edhe në Pukë ishte nji qeveri e perkohshme. Emzot Gjergj Koleci, ipezhgev i Nenshatit (selija e ipeshkvit të Zadrimës) dhe i Pukës, paten kenë nisë prej Qelzës e shkue në qanderr të Pukës. Ipezhgvi ishte i percjellun prej klerit e prej bajraktarve dhe prej nji shumice së madhe popullit. Në Pukë u ngreh zyrtarisht flamuri kombtar. Kaq pernjimend e pat marrë populli të ngrehunt e flamurit, saqi e ruejshin me rend ditë e natë, qi mos të dhunohej e mos të vidhej prej ndonji faqeziut.








Filed Under: Histori Tagged With: Leonora Laci- Imzot Gasper Thaci

Çfarë po ndodh me Dodonën pellazgjike?

May 7, 2019 by dgreca

Mendime të kundërta, abuzime shkencore, përvetësime historike, nënvlerësim i botimeve të reja/

Nga Nuri Dragoj/

Çështja e tempullit të Dodonës, faltores më të lashtë të kontinentit, por edhe më gjerë, i quajtur “tempulli pellazgjik”, vazhdon të mbetet nga më të debatuarat. Madje, ndaj saj, shpeshherë, mbahet qëndrim indiferent nga institucionet shkencore. Janë publikuar shumë libra pa baza të thella shkencore, të cilët kanë bërë që lexuesi të mendojë se ajo është pronë e grekëve të vjetër. Mirëpo autorët e antikitetit provojnë të kundërtën. Herodoti lë të kuptohet që ka shkuar në Dodonë dhe e ka pyetur atë, për të cilën thotë: Mbret i pellazgëve dhe i dodonëve, o Zeus / ti që nga larg sundon edhe Dodonën…. Sipas Hammond, në periudhën e viteve 1120-800 para e.re, Dodona i përkiste një mjedisi ballkanik. Robert Bell e cilëson, një nga kështjellat pellazge. Po sipas tij, Zeusi i Dodonës ishte perëndi pellazge. Studiuesi Arsim Spahiu shkruan se Dodoni qe bir i Zeusit dhe Europës (hallë e Ilirit). Orakulli që e kishte qendrën në malin Tomor (mbase është fjala për Dodonën dimërkeqe), i jep Zeusit titullin Dodonas. Pellazgët në poemat homerike janë konsideruar hyjnorë (Iliada, 840-841). Homeri tregon se Zeusi pellazgjik adhurohet në Dodonë të Epirit. Herodoti vë në plan të parë barbarët dhe jo grekët (shek. V para e.re). Ai pohon se, personat që shërbenin pranë faltores së Dodonës, i kanë thënë se grekët, emrat e perëndive i kanë marrë nga pellazgët. (Herodoti II, 52). Pellazgët i konsideronin hyjnitë të shenjta, ndërsa grekët i deformonin.

Orakulli i Dodonës u themelua nga pellazgët, para ardhjes së grekëve. (Iliada II, 16). “O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon larg dhe kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth janë sellët…”. Homeri në librin Odisea, na kujton Uliksin, që shkoi në Dodonë për t’u këshilluar me Hyjnitë dhe të dëgjonte nga lisi i gjatë fallxhor orakullin e Dodonës. (Odiesea XIX, 290). Lisat e transmetonin orakullin me fëshfërimën e gjetheve të lisit të shenjtë. Të njëjtën gjë bënin pëllumbat me anë të fluturimit, ndërsa kazani prej bakri, i jepte mesazhet nëpërmjet tingujve. Zeusi është zot i rrufesë dhe dukurive të tjera atmosferike. Orakulli i Zeusit në Dodonë njihet që në epokën e bronxit, ndërsa statuja e Zeusit në Delf, është ngritur nga grekët në vitin 430 para e. re. 

Për shkak të deformimeve historike, temulli i Dodonës herë paraqitet në Thesproti dhe herë në Molosi. Botuesit e Strabonit në gjuhën frënge, bien dakord me Suidan, të përmendur nga Straboni, si dhe në një komentar të Homerit, i cili mendon se ishte një Dodonë në Thesali dhe tjetra në Epir. Mjeku i Ali Pashë Tepelenës, Henry Holland, shkruan se ajo mund të jetë në anën lindore të Arkatit, midis këtij lumi dhe Aelout. Pra, siç shihet, mendimet janë të ndryshme. Herodot thotë se është në anën më të largët të Helopisë, të cilën e quan trevë “shumë pjellore e me luadhe të mira”. Apolodoni përshkruan moçalet që rrethonin tempullin. Holland supozon se ajo mund të ndodhet midis lumit të Artës dhe Aspropotamit, poshtë maleve të Xhumerkës.

Natyrisht, e vërteta nuk është saktësuar ende, sepse shumica e studiuesve që japin të dhëna për vendndodhjen e saj, nuk janë të sigurt. Duke qenëse kanë kaluar mbi 3000 vjet, është e vështirë të flasësh për moçalet apo lisat gjigant. Bie fjala, thuhet se në Këlcyrë, mund të jetë një tjetër vendndodhje e Dodonës. Kemi të bëjmë me një territor që pritet nga të dy anët me lumenj, Dëshnica dhe Vjosa. Për pasojë nuk përjashtohet prania e moçaleve dhe as e lisave. Stdiuesi Kujtim Mateli, në librin e tij “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”, ka hedhur për diskutim një fakt të ri, i cili meriton të vlerësohet dhe të studiohet me kujdes nga institucionet e larta të Albanologjisë. Injorimi i fakteve shkencore që afron studiuesi Mateli, nuk është normal. Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk ka pse ta lerë në harresë punimin e tij, i cili pretendon se Dodona ndodhet në rrëzë maleve të Përmetit. Nuk është fjala për t’u pranuar medoemos teza e Matelit, por është e nevojshme të diskutohet dhe të debatohet gjatë, pasi në këtë mënyrë zhvillohet mendimi shkencor. Nëse argumentet e tij qëndrojnë, studimi i tij duhet vlerësuar. Edhe punimet e autorëve të mëparshëm, të huaj apo vendas, nuk janë të pakritikueshëm dhe të pakontrollueshëm. Mendimi shkencor evoluon.

Fiset që kanë populluar Epirin

Tempulli i Dodonës lidhet me banimin e këtyre trojeve që në prehistori. Burimet mitologjike, emërtimet e vendeve, historia e lashtë dhe kërkimet arkeologjike provojnë lashtësinë e kombit shqiptar. Edhe pse në punime të studiuesve të ndryshëm, vihen re të dhëna kontradiktore, në tërësi pranohet hershmëria e popullimit të gjithë Epirit, mijëra vjet para erës sonë. Fiset që kanë populluar këtë territor, shpeshherë ngatërrohen me njëri – tjetrin. Tashmë është përcaktuar, ndonëse jo me saktësi matematikore, vendi ku shtriheshin molosët, kaonët, atintanët, perrebet, paurejtë, peonët, lapitët, kentaurët etj. Luhatjet në studime të ndryshme ndodhin për shkak të mënyrës së këndvështrimit të studiuesve për këto troje, shtrirja apo ngushtimi i territorit të një fisi në dëm të tjetrit, ndryshimet që kanë ndodhur në shekuj, interpretimi gjeografik, të dhënat për tempuj fetarë e personazhe mitologjik.

Ka studiues që nuk e pranojnë vijimin e shqiptarëve nga pellazgët. Por Sami Frashëri thotë se shqiptarët kanë ardhur në Europë bashkë me keltët ose në interval kohe të afërt me ta, gjë që duket në ngjashmërinë e gjuhëve midis tyre. Shqiptarët e lashtë, pellazgët, u ndanë në katër degë: Ilirët që u shtrinë nga Greqia e vjetër deri në Bosnjë, Hercegovinë e Dalmaci; maqedonasit që u vendosën nga mali Pidos në Sharrë, në Radop e lumin Karasu, më tej në detin Egje, në Selanik, Manastir, Shkup, Serez etj.; trakasit, të shtrirë në rajonin e Edrinesë, Bullgari dhe më tej në të djathtë të Danubit; frigasit në bregdetin e Anadollit, Hukan e Siras. Territori i sotëm i Greqisë ka qenë populluar nga pellazgët dhe raca të tjera, pra vërteton se pellazgët ishin popull autokton. Më pas, ata janë sulmuar nga etolët, jonët, dorët e fise të tjerë. Pellazgët kanë qenë “pronarë” të qytetit dhe tempullit të famshëm të Dodonës. Te Iliada, Dodona përmendet dy herë në lutjen e Akilit: Zeusi, Mbret i Pellazgëve nga Dodona që ndodhet larg / dhe mbretëron në Dodonën e acartë, dhe Sellojtë / fatthënës të jenë pranë, por këmbët s’i lajnë e flenë përdhe. Përreth Dodonës, Hammond vendos fiset dorë, enian, dryop, etik, perrebe, dolopë etj.

Sot pranohet që tirrenët përfaqësojnë fisin më të vjetër pellazg. Ata kanë populluar Kaoninë, e cila nënkupton gjithë Epirin. Mendohet që edhe Dodona është themeluar prej tyre. Sipas mitologjisë, mbretëria e Pellazgut përfshinte vendin e perrebejve, që ishin fqinjë të peonëve, dhe shtrihej në malet e Dodonës. Sundimi i tij shkonte më tej, në vendin që i thoshin Apia. Ndër fiset epirote, Plini përmend kaonët, antigonasit, kestrinët, perrebejtë (në zonën përreth Pindit), kasopët, dryopët, selët, helopët, atamanët, talarët, molosët (në zonën ku mendohet të ketë qenë Dodona pellazgjike) etj. Sipas Plinit, Dryopia dhe dryopët ndodhen afër sellëve, hellopëve dhe molosëve.

Straboni i njëjton talarët me molosët. Sipas tij, atamanët, etikët dhe talarët ndodheshin në vijën Tomor – Pind – Atamani, e cila shënon dhe kufirin ndarës me Maqedoninë. Në pjesën perëndimore të maleve të Pindit jetonin etolët, akarananët dhe amfilohët. Prej epirotëve, qenë athamanët dhe molosët, si dhe toka përreth Pindit, e quajtur dikur e ethikëve. Përveç këtyre të dhënave të Strabonit, Bartholemeu na jep një dëshmi të Anacharsis, i cili ka udhëtuar në shek. IV para erës sonë, nëpër territorin e Greqisë dhe në një pjesë të Epirit. Ai pohon që “mali i Pindit ndan Thesalinë nga Epiri” dhe pasi “e kaluam atë poshtë Gomfit, hymë në tokën e athamanëve”. Ndërsa Homeri shkruan se në afërsi të “Dodonës dimërkeqe”, banojnë enianët dhe pas tyre vijnë perrebejtë. Ai i vendos enianët pranë lumit Europë, i cili identifikohet me lumin Asope. Studiuesi Kujtim Mateli e sjell lumin Europë në Çarçovë të Përmetit.

            Duhet të kemi parasysh që të dhënat e Strabonit janë të shek IV para krishtit, ndërsa Athamanët në pjesën veriperëndimore të Luginës së Përmetit, janë të kohëve homrike, rreth 7-8 shekuj para Anacharsit. Pra janë fqinjë me atintanët që shtrihen nga perëndimi i malit të Trebeshinës, deri në kufijtë e Apollonisë, me epiqendër Bylysin. Thuhet që ata janë dëbuar prej fushës dodonase nga lapathët, të cilët Mateli i njëjton me labët e sotëm. Në atë kohë, pra, siç thashë, ndonëse vendi ishte i ashpër dhe me plot male -Tomari, Polyani dhe shumë të tjerë-megjithatë gjithë Epiri dhe Iliria ishin shumë të pasura, kurse tani një pjesë e madhe e tyre është shkretuar dhe vendet e banuara janë fshatra me gërmadha të braktisura. Fatin e këtyre e pati deri diku dhe orakulli i Dodonës”. (Ilirët dhe iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, f. 160).

Duke iu referuar librit “Historia e Ilirëve”, të autorit Selim Islami, mësohet se konsulli romak u kujdes të siguronte aleatë dhe thirri pranë lumit Aps (Seman N.D.) mbretërit e vendeve fqinjë të Maqedonisë, midis të cilëve Pleuratin e Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Amyndarin e Athamanisë, të cilëve u mori premtimin për ndihmë në luftën kundër Filipit të Maqedonisë. Por përpjekjet për të tërhequr etolët në atë luftë dështuan. Kështu, Epiri i qëndroi besnik Filipit. Siç shihet, bashkë me mbretërit Ilirë dhe të Dardanisë, konsulli romak ftoi për ndihmë edhe etolët, banorë të vendit në jug të maleve të Pindit, fqinj lindor të akarnanëve, që jetonin në rajonin bregdetar, në jug të liqenit të sotëm të Artës ose të Prevezës. Nga kjo e dhënë del se, athamanët, fqinjë veriorë të etolëve, mund të jenë pikërisht ata athamanë që ftoi për ndihmë konsulli romak.

Në të dhënat e nxjerra nga libri “Historia e Ilirëve” duket se ka dhe një pasaktësi: ilirët, dardanët, athamanët (nënkuptohet edhe etolët) konsiderohen si “fqinjë” të Maqedonisë. Këtu duhet bërë kujdes, sepse lexuesi mund të ngatërrojë Maqedoninë e vërtetë egjeane, me të ashtuquajturën “Republikë të Maqedonisë së Veriut”, pra të Maqedonisë së sotme, që shtrihet mbi territoret iliro – dardane. Pra besohet se molosët janë një nga tri fiset kryesore qe banonin në qendër të Epirit antik dhe kanë luajtur rol të rëndësishëm në formimin e shtetit të Epirit.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                             

Në hartën e Matelit, enianët i gjejmë pranë grykëderdhjes në Vjosë të lumenjve Lengaricë dhe Çarçovë. Perrebët, në hartën e Anacharsis-it, i shohim në veri të pjesës së poshtme të luginës së Peneut, deri pranë malit të Olimpit, ndërsa në hartën e Matelit, ata i gjejmë në juglindje të pjesës së poshtme të lumit të Çarçovës. Ai sjell të dhëna të autorëve të ndryshëm që janë marrë me këtë çështje. Françoi Pouqueville, konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë (1804 – 1813), e vendos Dodonën në shpatin jugor të maleve të larta, të cilat mbyllin liqenin dhe luginën e Janinës në veri. Në luginën e Drinosit ai gjeti një dëshmi, e cila e lidhte me Dodonën e famshme të Antikitetit. Në kohët e vjetra, ky vend (lugina e Drinosit), njihej me emrin Dryopea, e cila e ndihmonte Pouqueville për të gjetur Dodonën, mbasi Plini i vendoste dryopët në afërsi me sellianët (sellët), që ishin banorë të Dodonës. Duke u mbështetur në të dhënat e autorëve të vjetër, ai bën edhe përcaktimin e fiseve që rrethonin Molosinë. Mateli mendon se bëhet fjalë për krahinën e Zagorisë së sotme. Sipas autorëve të tjerë, Molosia përbënte pjesën veriore të vargmalit të Pindit, por që mund të përfshijë gjithë rajonin e këtyre maleve (duke besuar se emri “Molosi” është një emërtim pellazgo-iliro-shqiptar, me kuptimin “Malësi” – N.D.). Sipas Pouqueville, Molosia “në veri kufizohet nga vendi i atintanëve”. (Mateli i vendos në perëndim të malit të Trebeshinës, deri në Tepelenë, duke patur në veriperëndim të tyre krahinën e sotme të Mallakastrës – N.D.). Nga lindja kufizoheshin me Perrebenë, që ai e vendos ndërmjet lumit të Çarçovës dhe lumit Sarandaporos, në jug të Leskovikut. Anacharsis i çon në jug të Olimpit. Në të njëjtin vend e gjejmë edhe në “Atlasi gjeografik i popullsisë së Shqipërisë”: në jug me Kasiopenë, në perëndim të lidhur ngushtësisht me Thesproti. Gjeografët e çojnë Dodonën herë në Molosi dhe herë në Thesproti.

Mendoj se kufijtë e Molosisë që jep Pouqueville dhe të fiseve me të cilët ajo kufizohet, mund të quhen të sakta, nëse me Kasiopi kuptojmë rajonin ne veri të gjirit të sotëm të Artës. Thesprotia përfshin rajonin që laget nga deti Jon dhe kufizohet në veri me liqenin e Butrintit, ndërsa në jug me gjirin e Artës. Kufiri lindor i Molosisë së Pouqueville, mund të hiqet sipas kreshtës së vargmalit të Pindit deri në krahinën e Mallakastrës së sotme. Kufiri veriperëndimor i Molosisë kalon përafërsisht sipas vijës Himarë-Berat.

Fqinjët veriperëndimorë të Molosisë janë taulantët, ndërsa fqinjët verilindorë, atintanët. Pouqueville mendonte se ata shtriheshin në territorin ndërmjet Osumit dhe Vjosës, në lindje të Beratit. Mateli i vendos atintanët në malësinë e zonës midis Trebeshinës dhe Tepelenës. Parauejtë, që ky autor i përshkruan përgjatë rrëzës lindore të vargmalit Nemërçkë – Dhëmbel, në “Atlasi gjeografik i popullsisë së Shqipërisë” i shohim në verilindje të rajonit të kufizuar nga Vjosa me Drinosin, të dhëna të cilat përputhen. Po ky autor, athamanët i vendos përgjatë bregut lindor të lumit të Dëshnicës. Perrebejtë Mateli i vendos në juglindje të pjesës së poshtme të lumit të Çarçovës.

Lidhur me popullsinë e Epirit, Straboni përmend 14 fise. Sipas tij, epirotët “janë amfilokët, si dhe të gjithë ata që banojnë në atë territor, që kufizohet me malet e Ilirisë”. Njerëzit që jetonin në vende të ashpra quheshin molosë, athamanë, ethikë, tymfej, orestë, parauej dhe atintanë. Pra, duke u nisur nga jugu për në veri, kemi si kufi verior atintanët që kanë pranë paroejtë (parauejtë). Por, fiset ilire të paruejve, janë cilësuar banorë të luginës së Vjosës dhe shtriheshin nga mesi i Tri Urave deri në Grykën e Këlcyrës. Atintanët ndodheshin në veri të tyre, në të djathtë të lumit të Vjosës. Pra, ka qenë një zonë mjaft e populluar, ndaj dhe Pindari e quan Epirin “të famshëm me hapësira kodrash të shkëlqyera, që fillojnë nga Dodona e deri në brigjet e Jonit”.                                                           

Mateli beson se Straboni i ka përmendur fiset e Epirit, duke ndjekur vendosjen e tyre gjeografike, nga jugu në veri. Prej kësaj nxjerr përfundimet e veta për vendndodhjen e tyre. Kjo mënyrë arsyetimi mbase duhet parë më me kujdes. Ai i vendos parauejtë përgjatë rrëzës lindore të vargmalit Nemërçkë – Dhëmbel, ndërkohë që për atintanët thotë se kanë banuar në perëndim të malit të Trebeshinës, deri në afërsi të Tepelenës. Mirëpo, sipas “Atlasit Historik të Shqipërisë”, atintanët i gjejmë në lindje të qytetit të Beratit, midis lumenjve Osum dhe Vjosë, ndërsa parauejtë, në jug të tyre, në territorin mes Vjosës dhe Drinosit.

Banorët e Dodonës pellazgjike

Në lashtësinë e hershme, territori i sotëm grek nuk ka qenë populluar thjesht prej grekëve. Janë të shumtë emrat e qyteteve që i përkasin kohës së pellazgëve, lelegëve, kaukonëve e dardanëve, të cilët mund të shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe. Banorët e lashtë të Greqisë janë quajtur pellazgë. Euripidi, i cituar nga Straboni, duke bërë fjalë për popullsinë pellazge, thotë se më pas ata kanë marrë emrin Dhanai. Për Homerin, perëndia kryesore e Dodonës ishte Jupiteri pellazg. Ndërsa sipas Herodotit, i gjithë vendi që emërtohej Hellas, më parë është quajtur Pellazgji. Thesprotët e Epirit, që kishin për kryeqytet Dodonën, ishin pellazg, banorë të Atikës dhe viseve të Argos. Efori me emrin Pellazgji përcaktonte gjithë Peloponezin, ndërsa Straboni mendonte se pellazgët shtriheshin në gjithë Greqinë dhe në mënyrë të veçantë në Thesali e Arkadi.

Plutarku rendit këto fise përreth Dodonës: selijtë, enienët, perrebët, athamanët. Perrebët dhe athamanët u dëbuan prej lapathëve (të parët e lapëve të sotëm, K. Mateli). Hammond duke iu referuar Plutarkut, na thotë se prej fushës dodonase, nga lapathët u dëbuan edhe enianët. Shohim se prej lapathëve janë dëbuar tre fise: enianët, athamanët dhe perrebët. Lind pyetja: Ku mund të kenë qenë vendosur këto tre fise të përmendura nga autorët e Antikitetit? Sipas Matelit, po të fillojmë nga perëndimi i maleve të Pindit, ku zë fill fusha dodonase, do të shohim se në perëndim të Pindit kemi ethikët. Ky emër i gjuhës shqipe tregon “një vend shumë të pjerrët”. Ata ishin fqinjë me parauejtë. Parauejtë, në fillim të vendosjes së tyre, banonin në të majtë të lumit Vjosë. Straboni na thotë se, në perëndim të Pindit, banonin perrebët. Homeri perrebët dhe enianët i vë pranë njëri-tjetrit. Nëse perrebët duhet të kenë zënë vend aty ku sot është Leskoviku (në perëndim të Pindit, ku janë 40 burime të ujërave minerale, ose përrenjë: përroj-perrebë), enianët ndodheshin në territorin mes tyre dhe Vjosës.

Në librin “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”, Kujtim Mateli tregon fiset që rrethonin Dodonën në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë. Sipas tij, mali i Trebeshinës, në pjesën lindore të tij, quhet edhe mali i selijëve e i helopëve; fusha dodonase nuk i përket vetëm territorit ku kanë banuar helët dhe selët… E gjithë lugina ku shtrihet sot rrethi i Përmetit dhe pjesa perëndimore e Pindit, i kanë përkitur territorit dodonas. Dëshmi për këtë janë autorët e vjetër. Epiri, sipas Plinit, fillon me malet Keraune. Ai përfshin në fillim kaonët prej nga vjen emri Kaoni, thesprotët, antigonasit, kestrinët, perrebejtë, tek të cilët është Pindi; kasopët, dryopët, selët, helopët, molosët, ku ndodhet tempulli i Zeusit të Dodonës, i përmendur për orakullin; mali Talar me njëqind burimet që gurgullojnë në këmbët e tij, mal i lavdëruar nga Teopompi. Në malet e Pindit banonin talarët, fis molos, një pjesë prej atyre të Tomarit.

Rëndësi merr fakti që pranohet nga shumica e autorëve se, Zeusi, jashtë Dodonës, nuk ka asgjë orgjinale. Kjo epërsi e kultit të Zeusit është, në mënyrë të padiskutueshme, veçanti krahinore, që e dallon Epirin nga bota greke dhe e afron atë me Maqedoninë. Straboni thotë se Diona është hyjni e Dodonës, para greke. Studiuesi Arsim Spahiu, përmend P. Grimal, që shpreh mendimin se të gjitha legjendat, ku hyn Hera, janë pellazge. Ajo u gëlltit nga Kroni, por u kthye sërish në jetë, fal dredhive të Metisit dhe forcës së Zeusit.

Duke analizuar të dhënat e Plinit për malin Talar (ku banonin talarët) dhe të dhënat e Strabonit për këtë fis, Mateli arrin në përfundimin se: mali Talar që përshkruan Plini, është vetë mali Tomar që përmend Straboni; një pjesë e talarëve, që sipas Strabonit jetonin pranë Dodonës, duhet të kenë qenë banorë të rrethinave të fshatit të sotëm Tolar të Këlcyrës, përballë Trebeshinës (në rrëzë të vargmalit Memelash – Qarrishtë e Frashërit dhe rreth 2 km në lindje të shtratit të lumit Vjosë – N.D.). Straboni thotë: “Pindi është mal i madh, nga veriu ka Maqedoninë, nga perëndimi perrebejtë, njerëz nomadë, nga jugu dolopët”. Sipas tij, perrebët jetonin në perëndim të Pindit. Mund ta përcaktojmë afërsisht me qendër Leskovikun, ku janë përrenjtë e burimeve me ujërat minerale. Stilian Adhami perrebët i cilëson fis ilir dhe se “në një hartë, Perevija figuron në truallin e Parauejve”.

Njoftimin e parë për fisin e enianëve e marrim nga “Iliada” e Homerit, i cili shkruan: “Njëzetedy gale Guneu nga Qifi / solli me enianë e me perrebë, që rronin në Dodonë, ku dimri bën me borë e akuj”. Ndërsa Herodoti e përshkruan vendbanimin e tyre pranë burimeve të Sperkit (në kufirin verior të Etolisë, në lindje të gjirit të Artës). Në hartën e Anacharsis-it, enianët i gjejmë në juglindje të vargmalit të Pindit, në rrjedhën e mesme të Sperkios, fqinjë lindorë të dolopëve (N.D.). Plutarku pohon se enianët u dëbuan nga fusha dodiane prej lapitëve, për t’u bashkuar me ethikët, prej nga pushtuan krahinën veriore të Molosisë (Paruean). Kjo ndodhi para se të shkonin në luginën e Inakut/ Arakthit (lumë që derdhet në gjirin e Artës), prej nga përzunë inakët dhe akejtë (sipas Hamondit). Studiuesi Ilir Cenollari, në librin “Profecitë e Zotit të Tomorit”, duke iu referuar Homerit, thotë se enianët banonin pranë lumit Europë. Prej andej u dëbuan nga lapitët, duke u bashkuar me ethikët, pastaj pushtuan Paruenë. Më vonë u vendosën pranë Inakut, ku krijuan një shtet të pavarur.

Hamondi i vendos enianët në territorin e parauejve, që do të thotë se këto fise janë të njëjtë etnikisht, por u përkasin periudhave të ndryshme historike. Lapët, sipas shpjegimit të mësipërm gjenden në territorin e sotëm të Labërisë, parauejtë në luginën e sipërme të Vjosës, ethikët në Pind, kufi me parauejtë. Kjo tregon se enianët, ethikët, parauejtë, lapitët, gjenden pranë njëri-tjetrit, përderisa kanë marrëdhënie të ngushta mes tyre.

Lëvizja e popullsisë nga një vend në tjetrin ka qenë e shpeshtë, madje në përmasa të mëdha. Paul Kretschmer shkruan se mesapët dhe japygët janë një fis që u shkëput nga brigjet ilire në prehistori dhe u vendos në jug të Italisë. Herodoti përmend venetët si fis ilir, të cilët banonin në Italinë Veriore. Kur flet për mesapët dhe japygët, Kretschmer përmend vargjet 360-364 të Skymni te “Periegesis”: Fill pas Italisë, ngushtica e Jonit, / gjendet; dhe duke zbritur në drejtim të hyrjes / banojnë japygët. Pas tyre vijnë oinotrët / brentesi liman i mesapëve, kurse përkundrejt tyre janë malet Keraune. Ndërsa Hermes i lidh japygët italikë me japudët ilir.

Sipas Ilir Cenollarit (Profecitë e Zotit të Tomorit), në rast se enianët ndodheshin në luginën e Janinës, duhet të kishin ikur drejt jugut, në luginën e lumit të Arakthit, meqë ky vend ndodhej më pranë, e jo drejt veriut, te ethikët. Në rast sulmesh,rrugën e tërheqjes ta imponon armiku dhe nuk mund ta zgjedhësh sipas dëshirës. Enianët mund të kishin arsye të tjera për të ikur te ethikët e jo në luginën e Arakthit. Studiuesi Cenollari përmend një “Inakargë”. Arkati në kohët homerike quhej  Inak dhe më pas Argeia, përkatësisht Arkato. Autoret e antikitetit thonë se nga mali Lakmon rrjedh Aos që derdhet në Adriatik dhe Inaku në Gjirin e Ambraqisë ( Tit Livi, f. 126).

Mateli, duke cituar Hammond shton se “enianët u dëbuan nga fusha dotiane prej lapitëve, për t’u bashkuar me ethikët, prej nga pushtuan krahinën veriore të Molosisë, përpara se të shkonin në Kira dhe të vendoseshin përfundimisht në krahinën e Inakut argjiv, atje ku përzunë inakët dhe akejtë”. Plutarku i  njihte më mirë endjet e tyre. Ai pohon se Enianët u dëbuan nga fusha Dotiane prej Lapitëve për t`u bashkuar me Ethikët, prej nga pushtuan krahinën veriore të Molosisë (Paruea), përpara se të shkonin në Kirra dhe të vendoseshin përfundimisht në krahinën afër Inakut Argjiv, atje ku përzunë Inakët dhe Akejtë” (N.G.L. Hamond, Epiri, botuar nga Qendra e Studimeve Shqiptare, Tiranë 2004, f. 120).

Më sipër u tregua se Paruea, vendi i parauejve, ndodhej në veri të Molosisë. Mateli i vendos molosët në krahinën e sotme të Zagorisë, që në sllavisht ka kuptimin “krahina prapa maleve”. Aty pranë ndodhet edhe fshati i sotëm i Malëshovës, një emërtim që vjen nga emri shqip: Malas, Malaj, me një prapashtesë sllave – ovë. Këto fakte, si dhe emërtimi Mezhgoran i krahinës prapa malit të Trebeshinës, i jep të drejtë Matelit, që këtë rajon ta konsiderojë si Molosi (Malësi). Dy studiues, K. Mateli dhe I. Cenollari, i vendosin enianët në luginën e Përmetit dhe jo në atë të Janinës. Të dhënën e autorit I. Cenollari, se enianët banonin pranë lumit Europë, Mateli e interpreton si lumin e sotëm të Çarçovës. Homeri i vë pranë enianët me perrebët. Në hartat e tij, ata gjenden pranë njëri-tjetrit, në afërsi të vendderdhjes së lumit të Çarçovës në Vjosë. Por, në këtë rast, duket sikur nuk përfillet fakti i dhënë nga Homeri në “Iliada”, sipas të cilit: Guneu që solli me galët e tij enianët dhe perrebët në luftën e Trojës, ishte nga Qifi, qytet i Thesalisë; enianët ishin banorë të qytetit Enia të Thesalisë (Kënga II, vargu 908 në “Iliada”; Qifi gjendej pranë malit Olimp në Thesali, në krahinën ku banonin perrebët (Iliada, Kënga II, vargu 907).

Në shekullin e IV nuk kishte as enianë dhe as athamanë në Dodonë, sepse ata ishin përzënë që andej që pas Luftës së Trojës, dëshmi që vjen nga Plutarku. Athamanët ishin fisi i tretë që u dëbua nga fusha dodonase prej lapathëve (lapitëve). Athamanët (të quajtur fisi ilir dhe jo pellazg) duhet të kenë qenë vendosur në verilindje të Sellopisë, me epiqendër aty ku sot është Ballabani. Një argument për këtë është se athamanët ishin ilirë dhe kështu u quajtën të gjitha fiset që shtriheshin në veri të Dodonës. Edhe pasi u dëbuan nga fusha dodonase, në territorin e ri të tyre (d.m.th. në shpatin perëndimor të Pindit, përballë Janinës, N. D.), athamanët u quajtën fis ilir, për shkak të origjinës. Me përzierjen e këtyre fiseve, kaonët e shtrinë plotësisht zotërimin mbi Dodonë. Dionis Halikarnasi thotë se qyteti i Dodonës banohej prej kaonëve, gjyshërve të lapathëve (K. Mateli i njëjton lapathët e Dionis Halikarnasit (Denys d’ Halicarnasse) me labët e sotëm). Stefan Byzantini (shek. VI pas Krishtit) tregon se Athamania është krahinë e Ilirisë. Ndërsa studiuesi Hasan Ceka, qenien ilirë të athanianëve e lidh me traditat dhe zakonet. Një prej tyre është ngarkesa e grave me punimet bujqësore, zakon i cili është trashëguar dhe ka ardhur deri në ditët tona, karakteristike për disa treva në jug të Shqipërisë.

Studiuesi K. Mateli na thotë se, athamanët, pasi u dëbuan nga lapitët, që ai i identifikon me labët e Kurveleshit, u vendosën në faqen perëndimore të maleve të Pindit, përballë Janinës. Ndërsa kaonët ose labët, u bënë zotër të Dodonës, që Mateli e konsideron si Dodonën e Këlcyrës. Në mbështetje të mendimit të tij, ai sjell edhe faktin që konsulli romak kërkoi të bëjë aleancë me athamanët, të cilët sipas tij ishin ilirë të rrethinave të Ballabanit të sotëm. Kjo tezë bëhet e besueshme ngaqë edhe të ftuarit e tjerë nga konsulli romak ishin ilirë e dardanë. Mirëpo, konsulli romak kërkoi të përfshijë në aleancë edhe etolasit, që banonin shumë më në jug se athamanët e Pindit, në bregun verior të gjirit të Korinthit, në veri të Peloponezit. Përderisa konsulli romak kërkoi të përfshinte në aleancën e tij Etolinë e largët, ai s’kishte si të mos përfshinte në këtë aleancë athamanët, në lindje të Janinës. Pra, athamanët që morën pjesë në aleancë me konsullin romak, bashkë me dardanët dhe ilirët, janë athamanët e Pindit. Athamanët e Këlcyrës ndoshta janë ata që u shpërngulën nga Pindi, nën presionin e lapitëve të Thesalisë, apo të labëve (kaonëve) të Kurveleshit të sotëm. Kjo nuk e cenon teorinë e Matelit, por shtron nevojën për studime të mëtejshme nga Akademia e Shkencave. Pra, nevojitet një studim më i plotë, që të saktësojë përfundimisht se cilët fise e vunë nën zotërim Dodonën, kaonët/lapët e Epirit apo lapitët e Thesalisë.

Parauejt, sipas Matelit, kanë qenë një nga fiset më të rëndësishme të Thesprotisë. Këtë fis ai e vendos përgjatë Vjosës, (rrëzë maleve Nemërçkë dhe Dhëmbel – N.D.). Thesprotia identifikohej me Epirin. Me dominimin e kaonëve në fillim dhe të molosëve më vonë, kufijtë e Thesprotisë u tkurrën në ato që njohim gjatë kohës së Antikitetit, por parauejtë u quajtën thesprotë për shkak të origjinës së tyre. Sipas Stefan Bizantinit, parauejt ishin fis thesprot dhe banonin pranë lumit Vjosë (Auo). Fqinjë me parauejtë ishin tymfejtë, fis që banonte në juglindje të Kaonisë, në trevën që shtrihej nga krahina e Konicës deri në viset e Zagorisë. Në kohët parahomerike, parauejtë janë shtrirë në krahun e majtë të lumit të Vjosës, deri në takimin e tyre me tymfejtë. Por, me dëbimin e enianëve nga fusha dodonase, parauejve iu krijua mundësia për t’u shtrirë edhe në krahun e djathtë të lumit të Vjosës (Aosit).

Vëmë re se parauejt dhe enianët janë i njëjti popull dhe se emrat enianë (ujënianë – “banorë në anë të ujit” dhe parauej – banorë para/pranë ujit) janë të njëkuptimtë. Gjithashtu vendndodhja e tyre në rrethinat e qytetit të sotëm të Konicës, deri në derdhjen e lumit Drinos në Vjosë (sipas Atlasit të Historisë së Shqipërisë) tregon se ky fis e kishte marrë emrin e tij nga prania e ujërave, dhe pikërisht nga krahina e Konicës (Akonica – nga rrënja “ak” – “ujë”). Kjo për faktin se në perëndim të këtij qyteti, pranë bashkimit të lumit Vikos me Vjosën, shihet edhe sot një hapësirë e përmbytur nga ujërat, si ajo që ndodhet në veriperëndim të Janinës. Prandaj “djepin” e parauejve duhet ta kërkojmë në rrethinat e Konicës, deri në rrëzë të vargmalit Nemërçkë – Dhëmbel, buzë Vjosës. Sipas Plutarkut, Parauea përbënte krahinën veriore të Molosisë. Mirëpo veriu i Molosisë, është pikërisht rajoni i Konicës, ku fillon vargmali i Pindit, që shtrihet drejt juglindjes. Në hartat e sotme shënohet si Malet e Zagorionit dhe jo thjesht malet e Zagorisë, që ndodhen në kufi me nënprefekturën e Përmetit, por që dikur edhe krahina e Zagorisë ishte nën administrimin e saj.

Vendndodhjen e ethikëve Mateli e përcakton në anën veriperëndimore të vargmalit të Pindit, në jugperëndim të qytetit të Konicës, pranë vendit ku Vjosa pret kufirin shtetëror Greqi – Shqipëri. Ai i referohet Strabonit që thotë se, në veri të maleve të Pindit shtrihet Maqedonia dhe në faqen perëndimore të këtyre maleve banojnë etolët, akarnanët, amfilokët dhe dy fise epirote: athamanët dhe molosët, si dhe toka e quajtur dikur e ethikëve, e gjitha rreth Pindit.

Në këtë përshkrim të vendosjes së fiseve, në faqen perëndimore të maleve të Pindit, Straboni i rreshton ato duke u nisur nga juglindja drejt veriperëndimit dhe mbërrin në bregun jugor të Vjosës, në anën veriore të së cilës shtrihet qyteti i sotëm i Konicës. Vëmë re që Straboni konsideron si fise epirote veriore athamanët (në lindje të Janinës) dhe molosët në veri të tyre (pranë burimeve të lumenjve Kalamas dhe Drinos, në jugperëndim të Konicës – N.D.). Ndërsa Ethikia përbën anën perëndimore të malit të sotëm të Arenës, ose këndin që formojnë Vjosa dhe Vikosi, pranë bashkimit të tyre në perëndim të qytetit të Konicës.

Lidhur me popullsinë në trojet ballkanike, Ami Boué shkruante se ishte e vështirë të përcaktohej numri real, pasi në Perandorinë Osmane nuk bëhej regjistrim i saktë i popullsisë. Lindjet dhe vdekjet nuk regjistroheshin, por bazoheshin thjesht në numrin e shtëpive. Shqiptarët i ndanin në gegë dhe toskë. Toskëria apo Tosluk siç e quanin osmanët, banohej nga toskët, midis të cilëve dallonin toskët e jugut të Shqipërisë dhe toskidët që popullonin Shqipërinë e Mesme. Banorët përreth maleve Akrokeraune, i cili njihej dhe me emrin Japuria, quheshin japidë. Tërë krahina e Çamërisë (Chamouria) nga Janina deri në det, banohej nga çamët. Në Epir kishte dhe liap (lab), të cilët i përmend dhe Fallmerayer. Shqiptarët toskë në Epir i ndanin në fise, që u thoshin phara (fara), ku bënin pjesë tërë banorët toskë të Myzeqesë, Dukatit, Himarës e Tomoricës. Në lindje të Përmetit, Këlcyrës dhe Tepelenës ishin abantët.

Literatura

Në pamundësi për t’i cituar të gjithë autorët, për shkak të veçorisë së artikullit që publikohet në gazetë, po e japim literaturën të plotë

BARON, Descamps, L’avenir de l’Albanie, Louvian: Sharles Peeters, 1913

BARTOTHELEMEU, J.J., Voyage du jeune anacharsis en Grèce dans le milieu du quartième siècle avant l’ere vulgare, Tom troisième, Paris, 1790.

BERNATZIK, Hugo Adolf, Shqipëria – vendi i shqiptarëve, përktheu Taulant Hatia, Tiranë: Uegen, 2003.

BONLŒW, Louis, Analyse de la langue albanaise: etude grammaire comparée, Paris: Maisonneuve et Cie, 1879.

BONLŒW, Louis, La Grèce avant les grecs: étude linguistique & ethnologique: Pélasges, Léléges, Sémites & Ioniens, Paris: Maisonneuve et Cie, Éditeurs, 1877.

BOUÈ, Ami, La Turquie d’Europe (Deuxiéme partie, Partie erthnologique), Tom 2, Paris: Arthus Bertrand, 1840.

BOUÈ, Ami, Partie de géographie, de geologie et d’istorie natyrelle, la statistique…, Tom 1, Paris: Arthus Bertrand, 1840.

BOURCART, Jacques, L’Albanie et les albanais, Paris: Editions Bossard, 1921.

BOURCART, Jacques, Les confins albanais adminstrés par la France, 1916-1920, Parigi: Delgrave, 1922.

CABROL, Èlie, Voyage en Grèce 1889, Paris: Libraierie de bibliophiles, 1890.

CANCO, Dhimitër, Epiri-vështrim historik dhe etnografik, Tiranë: Botimet Toena, 1999.

CARAPANOS, Constandin, Dodone et ses ruines, (vol. I tekst, vol. II planche), Paris: Hachette et Cie, 1878.

CASTELLAN, Georges, Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX), Tiranë: Çabej, 1996.

CEKA, Hasan, Në kërkim të historisë ilire, Tiranë: Akademia e Shkencave, 1998.

CEKA, Neritan, Ilirët, Tiranë: SHBLU, 2000.

CENOLLARI, Ilir, Profecitë e Zotit të Tomorrit (studim historik), Berat: Jonalda, 2004

DEMIRAJ, Shaban, Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Tiranë, 2008.

DEMIRAJ, Shaban, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Universitar, 1988.

EFFENDI, Vasa, E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, studim historik (përkthyer nga Mehdi Frashëri), Tiranë: 1935.

FALLMERAYER, Jacob Philipp, Elementi shqiptar në Greqi, përktheu Nestor Nepravishta, Tiranë: Saraçi, 2003.

FAVERYRIAL, Jean-Claude, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, përktheu Gent Ulqini, Tiranë: Plejad, 2004.

FRASHËRI, Sami, Kush e prish paqen në Ballkan, Pejë: Dukagjini, 2000.

FRASHËRI, Sami, Personalitete shqiptare Kāmūs Al-A’Lām, zgjodhi, pwrktheu e shpjegoi, Mehdi Polisi, Shkup, Logos-A, 2002.

FRASHËRI, Sami, Vepra 7, Kāmūs Al-A’Lām (Enciklopedia – pjesë të zgjedhura), përktheu Feti Mehdiu, Prishtinë: Rilindja, 1984   

GABRIEL, Louis Jaray, L’Albanie inconnue, Parigi: Hachette, 1913.

HAHN, Johann Georg von, Albaneische Studien (Studime shqiptare), Wienna, 1854, në: Autoktonia e shqiptarëve (në studimet gjermane), përktheu Nestor R. Çabej, Tiranë: 8 Nëntori, 1990,

HOLLAND, Henry, Mjek te Ali Pasha, përktheu Arbëria Dobi, Tiranë: Migjeni, 2008.

Homeri, Iliada, përkthyer nga Gjon Shllaku, Tiranë: Onufri, 2006.

Homeri, Odiseeja, përktheu Pashko Gjeçi, Prishtinë: Gjon Buzuku, 2006.

Homerus, Iliada, përktheu Gjon Shllaku, Tiranë: Onufri, 2015.

JACQUES, Edwin, Shqiptarët (historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme) Fondacioni Abraham Linkoln, Tiranë: Kartë e Pendë, 1995.

JARAY, Gabriel Louis, Au jenne Royaume d’ Albanie, (Ce qu’il a été = Ce qu’il est), Paris: Hachette et Cie, 1914.

KABANE, Pierre, Historia e Adriatikut, Tiranë: Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, 2005.

KAPLLAN, Robert D., Greqia: Dashnorja e Perëndimit, gruaja e Lindjes, Tiranë: Dituria, 2002.

KOCAQI, Elena, Albanët, pellazgo – iliro-shqiptarët me famë botërore, Tiranë, Plejad, 2008.

KOLA, Aristidh, Arvanitët dhe prejardhja e grekëve, vështrim historik-folklorik-politik-gjuhësor, Tiranë: Shtëpia Botuese 55, 2002.

KOLA, Aristidh, Gjuha e perëndive, Tiranë: Shtëpia Botuese Plejad, 2003.

KONDO, Spiro, Shqiptarët dhe problemi pellazgjik, Tiranë: Shtypshkronja Mihal Duri, 1964.

Konferenca e I e Studimeve Albanologjike, 15-20 nëntor 1962, Tiranë: Universiteti Shtetwror i Tiranws, 1965.

KORKUTI, Muzafer, Parailirët, ilirët, arbërit, Tiranë: Toena, 2003.

KRETSCHMER, Paul, Ditunia gjuhore indogjermane, përktheu Karl Gurakuqi, Tiranë: Fryma, 2007

La Nuova Turchia, Ettore Anchieri, Elio Migliorini, Santi Nava, Ettore Rossi, Firenze: Edizione Romana, 1939.

La Question Albanaise, Paris, 1913 / autorë F. Bianconi, Georges Bienaimé, André Chéradame, Raymond Perraud, De Wesselitsky, G. Yakchitch.

LEAKE, William Martin, Kërkime për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, përktheu Xhevat Lloshi, Tiranë: Bota shqiptare, 2006.

LEAKE, William Martin, Travels in Northern Greece, IV, London: J. Rodwell, 1835.

LEAKE, William Martin, Travels in Northern Greece, V. 2, London: J. Rodwell NewBond Street, 1835.

LEAKE, William Martin, Travels in Northern Greece, V. I, London: J. Rodwell New Bond Street, 1835.

LEAKE, William Martin, Udhëtim në Shqipërinë e vezirëve, përktheu Nestor Nepravishta, Tiranë: Migjeni, 2008.

LEAR, Edward, Edward Lear në Shqipëri, ditar udhëtimesh: 1848-1849, perktheu Majlinda Nishku, Tiranë: Plejad, 2008.

LIVIUS, Tit, Libro XLV delle “storie”, Milano: Carlo Signoreli, 1935.

LIVIUS, Titus, Histoire Romaine, Tom 1-3, Paris: Hachette, 1867.

MATELI, Kujtim Mateli, Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, Tiranë: EMAL, 2011.

MATI, Ilir, Një shqiptar në botën e etruskëve, Tiranë: Omsca, 2000.

Patrick Colquhoun & Pashko Wassa, Pellazgët, pasardhësit e tyre të sotëm dhe origjina pellazge e poemave të Homerit, Prishtinë, 2017

PINON, René, L’Europe et l’Empire ottoman: Les aspect actuels de la question d’Orient, Paris: Perrin et Cie, Libraires – éditeur, 1908.

PINON, René, L’Europe et la jeune Turquie, Les aspect actuels de la question d’Orient, Paris: Perrin et Cie, Libraires – éditeur, 1911.

PLINIUS, Caius Secondos, Histoire naturelle, Paris: Belle Lettres, 1965.

PLUTARCHUS, Jetë njerëzish të shquar të lashtësisë, përktheu Shpëtim Çuçka, Tiranë: Naim Frashëri, 1980.

PLUTARCHUS, Pirroja (jetë paralele), përktheu Sotir Papristo, Tiranë: Logoreci, 2000.                   

POUQUEVILLE, Françoi C. H., Viaggio in Morea a Costantinopoli ed in Albania, Tom VII, Torino: Delle Stamperia Alliana, 1829.

POUQUEVILLE, Françoi, Ali Tepelena ose pjesa e librit “Historia e ringjalljes së Greqisë”, shqipëroi me studim Ardian Klosi, Tiranë: K&B, 2009.

POUQUEVILLE, Françoi, Histoire de la regeneration de la Grèce, Tom II, deuxieme edition, Paris: Firmin Didot Frères, Fils et Cie., MDCCCXXV (1825).

POUQUEVILLE, Françoi, Viaggio in Morea a Costantinopoli ed in Albania, Tom VI, Torino: Delle Stamperia Alliana, 1829.

POUQUEVILLE, Françoi, Voyage de la Grèce, Tom 3, Paris: Firmin Didot Pére et Fils, 1821.

POUQUEVILLE, Françoi, Voyage de la Grèce, Tom I, 2-ème edition, Paris: Firmin Didot Pére et Fils, 1821.

SPAHIU, Arsim, Gjuha e epirotëve të vjetër, Tiranë: Princi, 2010.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                            

SPAHIU, Arsim, Mbi arkeologjinë e Dodonës dhe të Epirit, Vëll. II, Tiranë: Geer, 2009

SPAHIU, Arsim, Mbi mitologjinë dhe fenë e maqedonasve të vjetër, Tiranë: Shtypshkrnja Adel Co, 2018.

SPAHIU, Arsim, Mitologjia dhe feja epirote, Tiranë: Ger, 2008.

SPAHIU, Arsim, Orakulli i Dodonës dhe epirotët, shek. XX-II p.e. së re, Vëll. I (Mitologjia dhe feja epirote), Tiranë: Geer, 2008.

SPAHIU, Arsim, Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër (temë për doktoraturë), përktheu nga frëngjishtja, Alketa Spahiu, Tiranë, 2006.

SPAHIU, Arsim, Triptik epirot (Numismatikë, antropologji dhe pak etnografi epirote), Tiranë: Adelprint, 2012.

STICKNEY, Pierpont Edith, Shqipëria jugore ose Epiri i Veriut në çështjet evropiane ndërkombëtare, 1912-1923, Tiranë: Koha, 1998.

TIRTA, Mark, Mitologjia ndër shqiptarë, Tiranë: Shkenca, 2004.

THUNMANN, J. Historia dhe gjuha e shqiptarëve dhe vllehëve (Pjesë e librit “Studime mbi historinë e popujve të Europës Lindore”), Leipzig 1774, Përktheu Albert Gjoka, Frida Vokopola, Tiranë, 2018,

WILLIAMS, George Fred, Shqiptarët, përktheu Akil Bubësi, Tiranë: Argeta LMG, 2003.

XYLANDER, Jozef Ritter von, Gjuha e albanëve ose shkipëtarëve, (Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren, Frankfurt am Main, 1835), përkthyen Albert Gjoka dhe Frida Vokopola, Tiranë: Shtypshkronja “Turdiu”, 2018,

Filed Under: Histori

AT FISHTA TEK VORRI I AVNI RUSTEMIT

May 7, 2019 by dgreca

Nga Fritz Radovani-
Melbourne / Australi/

AVNI RUSTEMI 1895-1924/

FJALA E AT GJERGJ FISHTËS NË DEKË T’AVNI RUSTEMIT/

E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymes s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, neper të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se teper pa mshirë e turp shemtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa buk e shujtë e e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emen tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit. Neper ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Neper ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tue; mbi ty, randoi pesha e pushtetsis rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e neper ty u pershkue, mbasandej edhè ajo dhuna e permnershme e Azis, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm. E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të historis s’tyne, kan muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n’Europë, që, si ty, zemra gjak t’i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m’atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kan mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té. Nder sa per bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.
Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazen shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnis. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipnin, edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se per Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte per tjeter, veç per me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel per qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të diste per jetë e lulzim t’Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret e e len shakull mbi dhè.
Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të miren lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé. Pse? Pse pat dashtë Shqipninë! Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t’ia kishte dhanun, sod s’do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo’i , zojë vashe shqiptare… I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës dikue i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!
Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e dër në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtëme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshtem të tyne. Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipnin e desht me gjith fuqin e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej diq, shkoj, mbaroj…
Mbaroj thashë?…Më paska pasë rrshitë goja pahiri;pse Avni Rustemi s’ ka mbarue.

Edhè aj jeton nder né edhè ka per të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogel të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë s’des kurr. Fjal drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrojla arit, shkrojla të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo’i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët neper hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari qe thau të rijtë e tij, per në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avrnu do të mbarote. Avniu s’mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n’ate vepër që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frang do t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipnia mbarë?
Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké – aballarë, hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi’ vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.

Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t’ambla të mbarë kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t’i lendojë furia e thellimit a ndo’i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.
O ju male të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tueju lan: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.
O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.
O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që po kjé se âsht kush nder ju, që me nder dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s’ka para sysh veç se punën e tagjîs, ta mbushë strajcën pikë e per maje me gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotvet të gjakut.
O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
Armët e mbushme mos me i dhanë
Shoq me shoq kurr mos me u xanë
Mos me u xanë as mos me u ngaë
Kurr ujët turbull mos me i raë
Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
Zemrës së frytë me i lanun dalë.
O zemërplasun prindet e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kjenë çilimi, ka kenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lan, që kur të bajë motra me kja – qyqja motër per kaq vlla! – ta pajtojsh me fjalë t’ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes per Avniun e vet.

Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhc m’e percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja :e ndritshme po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t’ia shmangni mamen prej vorrit e mos të shofë gazep me sy. Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!

(Rev. “Afrimi”, vjeti II, Maj 1924.Vlonë – Marrë nga Vepra Letrare, At Gjergj Fishta.) ●Shenim nga F.Radovani: Asht botue pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Melbourne, 7 Maji 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani- Fishta- Fjala tek Varri-Avni Rustemi

KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJËS, GUR THEMELI PËR SHTETIN SHQIPTAR

May 3, 2019 by dgreca

Shkruan: Dr. NIKO FERRO/

PROPOZIMI: TË SHPALLET FESTË ZYRTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË /

Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës të mbajtur më 28 Nëntor 1912, Kongresi Kombëtar i Lushnjës mbetet padyshim ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shtetit Shqiptar. Simbolikisht, Kuvendi i Vlorës është i pazëvendësueshëm, sepse realizoi pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa Kongresi i Kombëtar i Lushnjës u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar duke i dhënë jetë parlamentarizmit.

Rrethanat në cilat u mblodh Kongresi Kombëtar i Lushnjës ishin tepër të vështira, vendi mbahej i pushtuar nga forcat italiane, franceze, serbe dhe ato greke. Ndërkaq ekzistenca e Shqipërisë ishte venë në pikëpyetje. Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, delegatë nga të gjitha krahinat të mbledhur në Lushnje morën vendime të rëndësishme të cilat shpëtuan këtë komb.

 Qysh në takimin e parë Kongresi i Lushnjës kundërshtoi fuqishëm vendimin e Fuqive të Mëdha, për zbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i 26 Prillit 1915, i cili e ndante Shqipërinë midis fqinjëve. Kongresi i Lushnjës vendosi unanimisht, të shpallë të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes me arsyetimin se ajo “kishte dalë jashtë kornizës për të cilën ishte zgjedhur”.

Kongresi i Lushnjës caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Luigj Bumci, Mehmet Bej Konica, Mihal Turtulli dhe Sulejman Delvina.  Kongresi i Lushnjës  mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Kongresi i Lushnjës u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj. Në telegramin e protestës, që iu dërgua kryetarit të Konferencës së Paqes, shpallej botërisht, se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë”.

Kongresi i Lushnjës miratoi aktin kushtetues, ku sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit Shqiptar dhe kjo u shpreh me organet që ngriti ai. Në mbledhjen e katërt, që u mbajt më 30 Janar 1920, kongresi formoi një Këshill të Lartë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit prej një asambleje kushtetuese. Si antarë të Këshillit të Lartë u zgjodhën: Aqif Pashë Elbasanin, dr. Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani, të cilët nga pikëpamja fetare përfaqësonin të gjitha besimet fetare ekzistuese në vend. Ky këshill do të ushtronte pushtetin ekzekutiv së bashku me qeverinë. Kongresi i Lushnjës zgjodhi edhe një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit. Ai  përbëhej nga 37 anëtarë. Këshilli Kombëtar  kryente detyrat e organit legjislativ dhe kishte të drejtë të plotësonte vendet vakant të Këshillit të Lartë. Këshilli i Lartë nuk mund ta shpërndante Këshillin Kombëtar, këtë të drejtë e kishte vetëm asambleja.

Kongresi i Lushnjës zgjodhi një qeveri të re me Kryeministër Sulejman Delvinën, Ahmet Zogu Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba Ministër i Financave, Sotir Peci Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, dhe Idhomene Kosturi me detyrë  Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafave. Eshref Frashëri do të mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Punëve Botore. Në seancën e pestë, që u mbajt më 31 Janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 Janarit të vitit 1920, kongresi u dha fund punimeve. Vendimet e kongresit u miratuan pak më vonë edhe nga delegatët e tjerë, midis tyre edhe nga ata të krahinave veriore të vendit, që nuk arritën të merrnin pjesë në punime.

Kongresi i Lushnjës,  i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme,çka dotë thoshte  se shqiptarët, trimat e Skënderbeut, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e këtij vendi, duke iu dalë kundër planeve djallëzore për copëtimin e Shqipërisë. Organet që zgjodhi kongresi, nisën të veprojnë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Në vetëm pak kohë, qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqipëtarëve dhe u formua kështu një qendër, rreth së cilës mund të mblidheshin të gjitha energjitë e kombit. Kongresi i Lushnjës kishte ngjallur shpresat dhe iu kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete. E gjithë Shqipëria u mobilizua Rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj, e tërë Shqipëria e Jugut u ngrit me armë në dorë kundër ushtrisë italiane. Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik, pavarësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, me vendimet e tij detyruan Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga qëllimet grabitqare, tashmë vendi kishte zot. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve.

Kongresi i Lushnjës t’i jepet ajo që meriton në histori… Jo për t’i bërë nder vetëm qytetit të Lushnjës po për t’i bërë nder historisë dhe se vërtetës.    

Filed Under: Histori Tagged With: Niko Ferro-Kongresi i Lushnjes

VEHBI ADEMI- Njeriu i mirë mbetet i gjallë në memorjen e njerëzve

May 2, 2019 by dgreca

Nga Pertefe LEKA/
Të flasësh për Vehbi Ademin duhet, të lexohen  kujtimet  e miqëve,shokëve,familjarëve , farefisit,  të shkruhet një libër I tërë nga jeta e tij,sepse kishte një modesti  që  kurrë nuk e ekspozonte  veten para të tjerëve  edhe pse sporti ia  kishte shfaqur  cilësitë dalluese në publik.Ishte djali I  madh I Fasli Ademit, pronarit të fabrikës së cigareve “Taraboshi “ Shkodër. Flitesh shume mirë në Shkodër për  Fasliagen ( kështu e thërrisnin  të gjithë ) si njeri I ndershëm.E kishte filluar punën më një çark, mjet që grinte duhanin, dhe me  punë  të vazhdueshme kishte  shtuar  fitimet.Fama  e cigareve Taraboshi  po rritej dita ditës edhe  jashtë Shqipërisë, kështu  po rritej edhe numri i punëtorëve. Përmendesh në Shkodër  marrëdhënia  e mirë  që kishte  me të punësuarit  sidomos  kur rriti numrin e shegertëve. Trajtimi  që iu bënte  atyre ishte  njerëzor, jo siç  jemi mësuar  ne  të themi  për shfrytëzimin kapitalist. Kam takuar rastësisht një  zotni I cili mori pjesë në përcjelljen e fundit të  hallës time, Hatixhes, Zonja e Fasli Ademit.Ai mezi  e përmbante emocionin duke shprehur , mirënjohje  të thellë, për Znj. Hatixhen e Fasliagen.  “Ne nuk ishim  vetëm shegertat e fabrikës “Taraboshi”ne trajtoheshim  si fëmijët e tyre.Edhe pse paguheshim  rregullisht, për  çdo Bajram na blinin  veshje të reja, që nga kostumi deri të këpucët, për festen e Flamurit na jepnin dhurata”. Fasliaga  ishte  I  përmendur  në bamirësi  sidomos  në familjet më fëmijë jetim. Ai  ishte  kontribues edhe në  jeten  shoqërore sidomos për sportet. Fasli Ademi bënte  pjesë në Keshillin Bashkiak  të qytetit  në Shkodër. Në foto mund të shikoni  Fasli Ademin në  krah  të Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Zenel Prodani,( foto e vitit 1931.) Njihej  si  intelektual përparimtar,aktivist  shoqëror, administrator I zoti , njeriu I punës së ndershme .Ishte familjarë I përkushtuar  edhe pse jetonin  bashkë  më vëllezër,siç ishte   edhe  Firma Taraboshi “ Fasli Ademi e  Vllazen ” , kishin harmoni  dhe korrektësi në pronën e përbashkët.Kështu  ishte edhe  e shoqja, Hatixhja,një grua e rrallë,zemër gjerë, punëtore e duar artë  edhe pse jetonte në   kushte shumë  të mira  ekonomike, ishte e thjeshtë dhe  në shtëpi punonte njësoj më gratë që I kishin marrë për ndihmë në familje për rritjen e fëmijëve. Në këte mjedis  vëllazërie të mirëkuptuar u rrit Vehbia, më tri motrat Kicin ,Zenin, Lilin dhe vëlla Bërhanin .Vdekja e të jatit në vitin 1941, dhe më pas periudha e luftës dhe diktatura  komuniste  sollën  ndryshime të mëdha në familjen e tyre si në çdo familje shkodrane dhe në tërë Shqipërinë.I jati e la 10 vjeç dhe pasuria  po menaxhohej nga të rinjtë,  nipërit  e tij ,një pjesë e të cilëve ishin lidhur më  lëvizjen. Pasuria po shkatërrohej deri të   sendet e çmuara  personale të nanës së Vehbisë, e cila   mbeti trokë më 5 jetimët.Mbas  luftës  filluan konfiskimet  the familja mbeti  pa të ardhura.Megjithëse në kushte të veshtira  Vehbia e vazhdoi shkollimin  në Gjimnazin  e Shkodrës( bashkëstudenti në periudhën e matures, Luan Leka,tregon për Vehbinë se kishte prirje në shkencat ekzakte,sidomos në matematikë  ishte ndër të parët e klasës) Aftësitë   e tij për të bërë çdo punë dhe talenti i tij për sportin e inkuadruan shpejt në skuadra shumë të njohura të  vendit, si Vllaznia ,Partizani ..Kështu u bë një figurë e njohur dhe  kryesore e basketbollit shkodranë dhe mbarë  kombëtar.Një nga emrat më të spikatur të lojrave më dorë,si në voliboll,basketboll dhe si trajner. Kur e kerkuan për të kryer shërbimin ushtarak, e mori menjëherë Klubi Sportiv Partizani, ku  qëndroi   atje edhe tre vite pas sherbimit  ushtarak. Fanela e Partizanit,  të cilën e mbajti për pesë vite,  ia shfaqi më shumë cilësitë e rralla sportive ku përmendeshin gjuajtjet anësore  më precizion të Ademit . Ndeshja nderkombëtare jashtë shtetit, në Rumani, e cilësoi si lojtarin më të suksesshëm  në fushë.Pas kthimit nga Tirana, vazhdoi më skuadrën Vllaznia  në Shkodër, deri në mbyllje të karrierës së tij sportive në vitin 1963.Ai nuk u shkëput nga sporti, vazhdoi të jetë në krye të ekipit të të rinjve  “Vllaznia” si tranier,  ku  dha  gjithë eksperiencën e tij më të mirë, duke nxjerrë  sportistë  cilësorë si Valter Kalaja, Zyhdi Çoba…. Si artist eshtë i njohur  në pikturë, skulpturë,gedhendje e skalitje të drurit.Ai ishte arkitekt,elektriçist, mobilier, …….. .Mbaj mend një bust, skulpturë, që ia dedikoi të vëllait,Bërhanit,një pikturë  që bëri në kopshtin  tonë, ku kishte shumë  lloj pemësh frutore dhe dekorative.Unë e ruaj më shumë kujdes dhuratën e Vehbisë  që   bëri  për  martesën time,një  elektrik,punim prej druni ,në formën e një maçoku, me dy llampushka në sy, ku ndezeshin  e fikeshin  më një çelës.Gjithë kompozimi, punimi i drurit dhe pajisjet elektrike ishin prej  duarve  të arta  të Vehbisë. Gjithë qenien e tij e përshkonte një humanizëm  që e përcillte  më buzëqeshje,më humor,  më dashamirësi.Një shokut të tij  të ngushtë ,Sadi Boriçit  pas një sëmundje të gjatë i prenë kemben  në pjesën e poshtme I shqetësuar për  shokun  e vet, vinte e vizitonte  dhe diçka  mendonte për të bërë për te.Një ditë erdhi dhe ia tha idenë  dajës vet ( Jahja Domnori)të  cilin  e respektonte  shumë. Si vizituan bahçen u ndalen te plepi dhe  duke diskutuar ,  I tha, se kam ndërmend të përdor  drurin e plepit sepse është  dru I lehte  për t’i bërë këmben  Sadit. Im atë   e vlerësoi shumë  xhestin e tij njerëzor, (sepse edhe Sadin e donte sikur ta kishte nipin e vet) por kur këmba e drurit doli si origjinale deri edhe më qimet e ngjitura, im atë mbeti pa fjalë duke thënë se Vehbia  asht artist I madh….Në shumë ekspozita të kohës,dërgonte punimet e veta  po nuk i dëgjohej emri si artist .Mbaj mend  një porosi që I erdhi nga Tirana. Gedhendi  një  tabaka  më gota  të  vogla prej druri, e kishte holluar aqë shumë drurin sa të dukeshin se janë  bërë prej qelqi.Kur I erdhën vlerësimet  nga  organizatorët   ndër të  tjerë  ishte edhe nga një specialist kinez, I cili ishte mahnitur nga  ai  perfeksion në dru,që ata mbahen për punime të holla në miniaturë.Sa të tilla punime janë të shpërndara pa  emrin  e tij dhe si “shpërblim” pati prerjen e dy gishtave të parë të dorës.Megjithë angazhimeve që kishte jashtë shtëpisë,respektin dhe dashurinë që kishte për Nanen  Hatixhe e tregoi edhe më shumë kur ajo u paralizue.Vehbia më të vëllanë Berhanin,beqarë në ate kohë,  ia bënin të gjitha shërbimet  deri  edhe larjen e rrobave.Me këte  përkushtim  ndaj  nënës u bënë të mirënjohur si vëllezrit Ademi. Martesa me zonjën Kydrete,  nga  familjet e nderuara  e të  persekutuara  të Shkodrës  antikomuniste i solli dy vajza Voltana dhe Jetmira ku e tregoi veten në lartësinë e duhur si bashkëshort  e baba, por ama  baba artist. Nuk mund ta harroj biçikletën veturë të Vebisë. Koshi përpara me dy vende të mbuluara  dhe më  dritare për vogëlushet,  pjesa mbrapa për zonjën e tij, gjithë familja qarkullonte më një  mjet  që  fantazia e tij e kishte bërë multifunksional. Kushdo mund të pyesi,ku e gjente kohën për të bërë gjithë këto  mrekulli, atij nuk I mjaftonte  dita por  punonte deri  në orët e vona.Them se Shkodranët kanë detyrim të madh ndaj këtij njeriu artist e human siç e ka cilësuar Prof.Dr.Qemal Shalësi më shumë  dashamirësi.
Per njeriun dhe sportistin e mire VEHBI  ADEMI:

“ E kam njohur Vehbine si volejbollist e basketbollist në fushat sportive, por  më shumë nga Burhani,  vëllai  i tij i vogël, me të cilin luaja basketboll me Partizanin.
Vehbiu megjithëse, nuk cilësohej si “Ylli” i Vllaznisë i Partizanit kishte fituar admirimin  e bashkëlojtarëve,  sportdashësve  dhe pse jo,  edhe te kundërshtarëve te tijë.
Dhe kjo falë talentit  të tij  të  padiskutueshem, cilësive të veçanta fiziko-teknike, punës së madhe gjatë procesit  stërvitor, pasionit dhe përkushtimit të madh, në pjesën më të bukur  të  jetës së tij.
Burhani,(vëllai i tij)me tregonte se, që në vegjëli  i pelqente  të vraponte e të garonte me. moshatarët,  por më shumë ishte i dashuruar me topin e volejbollit dhe të basketbollit, i mbështetur   gjithnjë nga familja e tij.  Burhani e pati më të lehtë sepse shembullin e kishte pranë.
Kam dëgjuar më parë fjalët më të mira  për   Vehbinë  nga shokët e miqtë e tij si  Xhorxhi  Kono, Andon Kona, Petrit Murzaku, e  të tjerë.  Kam   dëgjuar  edhe  më  shumë,  kur se bashku me Korab Llazanin, Sekretar i Përgjithshëm  i Federates Basketbollit, vajtëm në shkodër në varrimin e tijë.
Kishte ndërtuar në familje një harmoni të plotë si familjar i përkryer që ishte; mbante një rregjim  sportiv  e jetësor të përkryer,  armik i duhanit  e pijeve alkolike. Në shoqëri ishte korrekt dhe thonte gjithnjë të vërtetën, sepse ishte vërtetë i tillë.Ishte djalë dhe burrë punëtor dhe serioz.  por njëherësh edhe me një sens të spikatur 
humori të bartur nga humori i njohur shkodran, por edhe nga ai sportiv.
Sportistët nuk janë  të  mbyllur në guaskën e tyre, por janë interesant kanë nevojë për humor e shaka.
Po e ilustroj me një shembull të dëgjuar:  Në një ndeshje volejbolli Shkodra-Tirana,  kishte aq shumë tifozë sa që kishin hypur edhe në dy pemë dhe që papritur rrëzohen për  tokë.
Loja ndërpritet, lojtarët e dy ekipeve vërsulen të ndihmojnë, fatmirësisht  më dëmtime  të vogla. Vehbiu u ndodh para një të  dëmtuari  i cili i tha : Ti Vehbi  e ke fajin që me ato pritjet e vështira dhe gjuajtjet e bukura, na I more mendtë  dhe na rrëzove  për tokë.
Një  rast  tjetër të  paharruar  për  mua personalisht ishte ndërhyrja e tij: Ja se si   ndodhi
Isha i ri në moshë dhe i ri si  arbitër  basketbolli,  në   Shkodër  gjykoja ndeshjen  Shkodra -Partizani. Ishte një ndeshje e fortë dhe e vështirë, fitoi  Shkodra.
Sa mbaroi loja më afrohen disa lojtarë të “Partizanit” dhe më akuzojnë për njëanshmëri.
Çuditërisht, më gjindet pranë Vehbiu  dhe polemizon me to, me një ton të butë,  miqësor dhe bindës duke u  thënë atyre : Unë   kam luajtur vetë me Partizanin, nuk e kishim zakon  të bënim fjalë  me  arbitrat, por ju jeni mësuar të fitoni gjithnjë dhe ju duket çudi se si humbët, s’ka faj  Arbitri, mësohuni të pranoni  humbjen dhe të mësoni  edhe nga kundërshtari.
Një  kujtime i paharruar ishte kur punoja në Federatën e Lojërave me Dorë,si Sekretar i Përgjithshëm. Në një ndeshje  ndërkombëtare basketbolli  kishte ardhë edhe një personalitet i madh i Basketbollit Evropian si  vëzhgues.Personi shoqërues “u mburr” se do t’i  bënte një dhuratë  të paparë, dhe e mbajti fjalën. Dhuratën ia dorëzova unë (Q.Shalesi). Kur e hapi doli një kuti, brenda së cilës ishte një maket i fushës së basketbollit.U çudit Ai dhe ne të gjithë. Ate e kishte  punuar në dru  Vehbi Ademi i cili fisnikërinë e tij e tregoi edhe duke mos marre shpërblimin që i takonte. “ Prof.Dr.Qemal Shalsi.
Edhe pse Vehbia  kaloi vështirësi në jetë, kishte një natyrë që kurrë nuk ankohej, gjithmonë buzagas. Kur ishte në fillimet e veta sportive,dhe ekonomija në familje ishte  e  dobët   nana  Hatixhja I thoshte “ djali  i nanës a luhet më top,pa mbushë barkun mirë ” Ai  I përgjigjesh më të qeshur “mos u ban merak se kur djersitem pi  ujë” .Kështu  ishte edhe Berhani, I vëllai, përveç sportit dhe mesuesisë I hanin duart për rregullime dhe meremetime në shtëpi.   Si vëllezër kishin marrëdhënie të ngrohta  dhe  në harmoni edhe me motrat.Edhe ata  duararta  si vëllezrit  edhe pse iu perkushtuan arsimit, .  nuk  pushonin, bënin qëndisje,rrobaqepesi,thurje e punime trikosh…Të gjithë e krijonin të bukurën,  çfarë u shihte syri ua bënte dora.Në se një ditë do të shkruhet biografia e kësaj familje më emër të mirë, më tolerancë  fetare të dallueshme , do të  duhen vetem kujtimet e njerëzve që   të tregojnë se  ku ndodhen punimet e këtyre  talenteve  të gjithanshem. Çdo gjë e dorëzuar prej tyre ka firmë kolektive   dhe jo firmën   e tyre, se ashtu e donte koha, ishin bijtë  e një tregtari të ndershëm.Këte traditë ndoqen edhe  femijët e tyre. Marr shkas nga ky  shkrim të përmend vajzën e Vehbisë ,Voltanen,violinistën e shkollës Preng Jakova,e cila  përveç shkollimit të lartë në informatikë   në U.T.  dhe       Masterit në  Universitetin.     ”Zoja e Keshillit te Mire“ angazhohet në politikë  me P.D. duke pasur një ngritje  graduale, deri Deputete në Parlamentin Shqiptar. Njihet  si  politikane e pakomprometuar.Ajo  në vazhdimësi të traditave familjare njihet si Zonja me karakter të fortë,e drejtë për drejtë, e guximshme e me kurajo. Duke qenë  korrekte në detyrë  mban në zemër krenarinë për Qytetin që e lindi e rriti  dhe që  po i sherben  më devotshmëri.Karrikën në të cilën u ul gjyshi I saj,Fasli  Ademi, në Bashkinë e Shkodrës nuk e mori si trashëgimi por  nga meritat e saj formuese e  kontribuese.
 

Filed Under: Histori Tagged With: Pertefe Leka-Vehbi ADEMI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 316
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT