• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM PËR BINDJET E TË TJERËVE

June 22, 2017 by dgreca

Shkruan:Fritz RADOVANI/Australi/

Anton_Harapi

ÁT  ANTON  HARAPI  O.F.M.1944/

At Anton HARAPI para gjyqit komunist: “MOS HARRONI JU, QË UNË JAM SHQIPTAR !”

 “ÁT ANTON HARAPI O.F.M.

ASHT MENDJE DIALEKTIKE,

QI SHKRUEN KRYARTIKUJ ,

NDËR TË CILLTË DISA JANË KRYEVEPRA.

DIJA E THELL, ARSYETIMI I LIDHUN, ANALIZIMI I HOLL, STILI I PESHUEM, DALLOJNË GJITHË SHKRIMET E TIJA.

MUND TË JETË I THATË, I FTOFTË,POR  AI ASHT I DREJT’ E I PAFAJSHËM.”

 Don Kolec PRENNUSHI

(Hylli i Dritës, 1936, fq. 583.Shkoder)
NDERIM  PËR  BINDJET  E  TË  TJERËVE

 Më falni për guximin: Due të përballoj çeshtjen ma delikate në jetën Shqiptare.

Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmënisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte që nuk lanë me luejtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare.

Përsa di unë deri më sot, kjo çeshtje kurrë nuk kjé përballue kjartë e mirë, sa herë kjé kallë, menjëherë edhe kjé mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duejë, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, se sa për inat e për parti. Ndër çastët ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njëmend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti një tharm, një fond rryme e partie, sa me të trembë e demoralizue.

Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e oportunistët, thonë se jo: Né shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!

Këta shpresoj t’i përballoj njëherë tjetër, këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë të patënzonë.

Fjalën këte herë e kam me besimtarët e tre elementave.

Pa kontenstim né jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një histori, e po të ishim edhe të një besimi, patëm me kenë edhe ma të bashkuem, ma homogjen, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se né jemi pra muslimanë, ortodoksë e katolikë, e si të tillë duem të rrojmë në një harmoni vllaznore. Unë thom se për këte punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.

Pra, tezën time e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me kenë të damë e të pëçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.

PENGIMI I MADH: FANATIZMI

 Pengim i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton.

Besimi në një Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instiktit, ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit.

Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për një bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me këte ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për një parim të arsyeshëm, ndësa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye: Njeriu me karakter tregon një zotësi morale, ndërsa fanatiku dëshmon një dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin dhe egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht, karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në vés e në egërsi. Fanatizmi asht antinjerëzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor.

Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.

Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, domethanë nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme , mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjëmend në veté, ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi.

Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për një çdo tjetër arsye të jashtme sot duhet të dijmë çka të besojmë dhe pse të besojmë lypet ta justifikojmë; nëmose para vetés, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: Besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për një gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndjesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtue në një sistem jete. Kjo domethanë kulturë fetare.

TË  RROJMË  SHOQNISHT  E  VLLAZNISHT

  Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht.

Pa kulturën njerëzore, nuk jemi pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.

Kam pa muslimanë dhe kristjanë që me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër, sado heroike, nuk shfaqin një madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qëndresa e tyne, të shumtën e herës, bazohet, thjesht, në një zakon, në një traditë, në një moskuptim të jetës fetare që e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.

Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit, asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë dignozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këte fenomen të çuditshëm: Kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari im. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.

Më ka ra rasti për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çeshtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë e ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush një mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenjë antagonizmi e luftimi.

Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e një tjetri, asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këte përbindësh të individualizmit egoistik.

Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me një kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, por në atë mënyrë si kërkojmë që të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dijmë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë një rrugë a një parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem  të na përbuzë kush né edhe po t’ jemi gabim, ashtu as né mos të përbuzim askënd. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshim edhe besimesh së ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kujt, shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këte pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.  

SHKAQET  E  DASISË

Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime: E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndrrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin.

E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!

Problemi vërtetë asht i vështirë, por  zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike.

Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijtë, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin.

Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë që në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë që ndërgjegja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë një parimi, të cilin e ka për ideal të parë.

Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë që nuk baret as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zitë e thoit. Fjalë që me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim me kurrnjë mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë e arsyeshme, e drejtë: E vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar.

Ja edhe arsyeja e thanies sime: Një besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt një çfardo kredoje tjetër, do të përgjegjet me një “jo” kategorike të preme.

Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnjë besim përnjimend, thotë se besimet janë njënjë të vërtetë, si t’ ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njënjë për të plotësue një nevojë të jetës. Po kjé si njëna dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njënjë si e vërteta si e kundërta, atëherë Zoti asht “hartuesi” i gabimit, i rrênës, dhe i përçamjes.

Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në një shtet, në një popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatke.

Lëne, e për njëherë ashtu po e zamë, edhe po i vemë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këte themel, bie fjala, Krishti kjé a s’ kjé Zot, Muhamedi kjé a s’ kjé Profeti i Zotit, në këte rast për mue do t’ ishte një për një; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: Si Krishti e Muhameti të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë kenë hipokritë e mashtrues, si të kenë kenë të ndershëm e të drejtë.

Kush nuk e sheh këte dobësi mendore a morale? Njeriu, të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje dhe atë për çka asht i bindun se asht gabim, kurrë nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm një detyrë e fetarit, por një detyrë e secilit njeri të ndershëm e të arsyeshëm.

Në emën të së vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit: Luftë çdo gabimi, kudo që t’a gjejmë, edhe ndër kërkime shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave.

Për këte intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndësa këte intolerancë e gjejmë edhe ndër njerzit e ditunisë, të artit e politikës, për shka u përket parimeve të tyne. Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë.

Këte po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, e si për besimtarë.

NJË  FORMË  E  INTOLERANCËS:  POLEMIKA

 Në formën e intolerancës asht polemika, e cila po kjé serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtetë ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se polemika nuk asht për né. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çeshtje,  kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrênën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion.

Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këte parim, na dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra: Personin e falim, veprën e gabueme e dënojmë; këté e mënijmë; atë e bartim, këté nuk e durojmë. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim.

Natyra na mëson këte parim: Ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme  mban një harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon: Si, bie fjala, ndër né të marrunit me ndoré, besa, mikpritja, kjé se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin.

Këte shoqni që na mëson natyra, na imponon jeta; po njëkëte na urdhnon besimi, cilido të jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se një i njëjti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një. Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti.

Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim.

Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta : Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit: Për kurrnjë arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kënd; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh. Toleranca qytetare – shoqnore e gjenë plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njëpërnjë të tria besimet në Shqipni; shteti njëmend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnjë elementi; të gjitha ligjët, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: Të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetët ndër zyrtarët, sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi.

Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: Toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.

Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë së bashku, jo si përdhuni, por me vetëdashje; këte punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndjejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht një virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: Me dijtë me kenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla.

Kështu, pra, nuk janë besimet ato që e shqetësojnë jetë vllaznore në Shqipni, por gabimet, pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato që krijojnë çeshtjen fetare në vendin tonë.

PENGESA  QË  DUHEN  KAPËRCYE

 E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesh me kaq, ja nuk ka me marrë vesh kurrë. Tash të vijmë tek praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu që nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!

Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengesa.

  1. Pengesa e parë, për shërimin e kësaj plage të kobshme që e shqetëson jetën ndër shqiptarët, asht gabimi i madh i disa udhëheqësve të cilët duen ta mbulojnë edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, ekziston dhe do të shkojë në gangrenë po nuk u shërue me dorën e një kirurgu të aftë e të ndërgjegjshëm. Çka asht gabim e kalbësinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, lè të qitet në shesh, lè të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. Pse ta mohojmë? Një pjesë e mirë, muhamedanë a kristjanë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; një antagonizëm shoqnor qendron në mes tyne; ata nuk kanë mbërrijtë endè t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile që do të kenë.

Duhet ta pohojmë botnisht, se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: Ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare.

  1. Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristjanë, nuk hyjnë në lojë parimet dogmatike; ato populli nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit sot nuk ban kush parti as nuk ngre ngatërresa.

Shkaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicione mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë që të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto rê të helmueme.

 FAKTORI  PSIKOLOGJIK

 Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me këte dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpëtue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kjé fat i madh asohere, sot, për jetën tonë kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet, ata e dijnë fare mirë çka do me thanë jetë e përbashkët e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat që lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithëkëte, hir e pa hir, duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadainj, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë. E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba një grimë pozicion me taktikë vërtetë djallëzore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin apo sa ta çekin sustën e besimit, se janë gati një turmë për t’i ndjekë; e ja, se me njëherë qiti krye çeshtja e besimit ndër shqiptarë me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime.

Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristjanit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete e me ua dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, që me sa macja e qeni, nuk e beson as Krishtin as Muhamedin, por formon klane për Dinin si për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjek për me kenë ai në krye. Derisa të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!

 INTELEKTUALË  TË  KACAGJELUEM

 Prapë fjalën e kam me gjysmakët, intelektualët e kacagjeluem; Çeshtja e besimit ndër né nuk studjohet si duhet e sa duhet. Me një lehtësi të pandërgjegjëshme i bihet nëpër té, merret nëpër kambë, shahët e poshtnohet njeni a tjetri besim. Nuk do, nuk di ose nuk del kohë me e studjue thëmelisht çeshtjen e besimit, nuk ké të drejtë me folë, as me dhanë gjykim. Po fole në këte rast, ké qitë tharmin e shqetësimit, jé atentator i vllaznimit, i rrezikshëm për besimin e për shtetin; sikurse do t’ ishem unë mizor po të jepja receta baresh vetëm pse diku kam lexue diçka apo i kam pa ndër reklama fletoresh.Ambienti, dispozitat atavike të trashëgueme, shpirti refraktar, botkuptimi i ngushtë, rritja familjare mbrenda një rrethi plot paragjykime e sa shkaqe të tjera këso dore bajnë që, përgjithësisht, muhamedani shqiptar disi e ndjen veten ma afër muhamedanit, ashtu ortodoksi afron ortodoksin, katoliku katolikun; këte e sheh dhe e njeh ma shumë se të vetin, ndërsa atë tjetrin e mban si të huej. Nuk asht besimi që ia detyron këte sjellje, por asht shpirti i klanit antishoqnor i paformuem që e shtyn të rrojë me vllaznit e vet si me të huejtë. Fakti asht se jemi të formuem kështu; detyra e sejcilit asht të naltohemi mbi vetén e mbi klanin e rrethit tonë e të kapemi në jetën e vërtetë shoqnore. Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë, se unë jam tue e teprue; shkoni e hyni ndër shtëpia private, ndër rrethe intelektuale e dita me ditë keni me gjetë se po në ketë mënyrë e me këto dispozita bahen mbledhje të përzemërta, sajohen klane, vendosen punë edhe me randësi, as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem. Mos t’i lavdohemi shoqi – shoqit për atdhetarizëm, për kulturë e për kontribute, as mos t’ ua vejmë kandarin mungesave e dobësive të njenit e të tjetrit element, pse sejcili element ka kontributet e veta e ka edhe dobësitë ndër besimtarët e vet; mos të lavdohet kush se porsi element asht ma shqiptar se tjetri! Superioriteti i besimtarëve, edhe në lamën atdhetare – kulturore, do të tregohet me fisnikinë e ndjesive, me naltësinë e jetës, me zemër të gjanë e me zotësi për ta mundë të keqen me të mirë.

Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull.

Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia, apo se vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk. Historia asht histori, dhe do të mbetet histori! Jeta e Krishtit e vepra e krishtënimit, si dhe jeta e Muhamedit e vepra e muhamedanizmit janë të dokumentueme botnisht. Na shqiptarët as nuk mund t’ ua hupim, as nuk mund t’ ua shtojmë dritën, as hijet dy besimeve. Ashtu edhe historia e ortodoksisë dhe e katoliçizmit nuk ka mbetun vetëm te né shqiptarët. Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemërime, shqetësime e polemika, që nuk ndërtojnë, por prishin e rrënojnë. Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë e kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhjetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi historinë, kemi idé, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë, nëpër të cilat ne jemi një në mënyrë të pandashme. Në vend që të shikojmë në çka e ku të ndeshemi, të shikojshim e të anojshim  me kujdes në ate çka përpiqemi. Shumë puna e mirë pat me u ba, shumë qetësia pat me u gëzue!

A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj., e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël.

TË HUEJT KURRË NUK E KANË DASHTË BASHKIMIN TONË

 Të huejt nuk e kanë dashtë vërtetë bashkimin e shqiptarëve; ata si njëherë përherë kanë veprue për të krijue e për të mbajtë në Shqipni një gjendje kaotike, përçamjesh e dasishë, që të dilnin në përfundim se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjën e përbashkët të kombësisë e të shtetit, nuk janë një popull, nuk e ndiejnë sa duhet nevojën e solidarësisë shoqnore! Me mënyra e taktika të ndryshme, për këte qellim shtinë në punë e përdorën sa herë edhe ndikimet fetare.

Vetëm bindja intime e tanë popullit shqiptar në një drejtim të vetëm, tue u naltue  mbi të gjitha brêngat e vështirësitë tona të mbrendshme, vetëm ky hap fisnik do të mund ta përballojë mjaftueshëm këte sulm e këte rrezik.

Këte kontrast jete ndër né e ushqen fort edhe heterogjeniteti i familjes shqiptare. Derisa nana vetë të rritet me një mendësi antishoqnore e t’i rrisë fëmijët vetëm për katër muret e shtëpisë, derisa familja shqiptare mos të shpirtnohet vetë tue marrë poezinë e madhninë e jetës e grueja mos të ketë formue ndërgjegjen për misionin e naltë që ka në familje dhe në shoqni, shqiptarët kurrë nuk kanë për të kenë elementa të aftë për jetën e përbashkët, jo për shkak të besimit, por pse pa pasë edukatën familjare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, né nuk mund të jetojmë si na përket as si person, as si kolektivitet.

Besimtarë, të çdo feje të jeni, në emën të besimit tuej po ju thom: Shtërngonju, se një mision i madh u endèt përpara. Ju për detyrë e ndërgjegje e për urdhën të Atij Zot që besoni, duhet ta shpëtoni Shqipninë, tue u tregue vërtetë vllazën, jo me forma e për dukë, por me bindje e me ndjesi, me sakrifica e me jetë të shkueme në themel të përpjekjeve vërtetë vllaznore.

A e duem një Shqipni me të gjithë Shqiptarët? Të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë! Kemi pasë, po, mjerisht, muhamedanë, ortodoksë e katolikë të dobët, dhe kemi pasë e kemi muhamedanë, ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vërtetë e të mëdhej, por as muhamedani nuk ka arsye të rrijë sherbez, as kristiani nuk do të kujtojë veten të marrun nëpër kambë.

Me gjak të vét e shuguroi Lterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në mendim e një në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet, tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!

Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari,  për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, ngase ata kjenë një në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare.

Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive, dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na rrijnë përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhëti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bombën e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare.

Prite, Zot, që populli ynë besnik e fisnik, për shkak të besimit fetar mos ta ketë ma besimin shoqnor njëni me tjetrin; në vend që të bashkohet më një, të përçahët trish; jo, mos e thantë Zoti që shqiptarët besimtarë, në vend që t’i afrojë dashunia, t’i përçajë mënia, e po njata çka duhet të na afrojë, besimi në një Zot të vërtetë, të na shtijë grindjen e armiqësinë; jo, kurrnjë mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fytyrës së dheut  Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve. 

TË HEQIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE

Sot në këte krizë të tmerrshme besimtarëve të të tré elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë, të heqim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi – shoqit  e të vllaznohemi në Atë Zot që besojmë e në Atë Shqipni që e duem me gjithë zemër.

E po e patën detyrë besimtarët një herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohët doradoras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’ ia shpëtue shqiptarit besimin në një Zot, shpresën në një Shqipni.

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé!

Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer.

Bashkimi i tré klerëve në ketë drejtim e veprim asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.

Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”

Korçë, Korrik 1944.

*Marrë nga libri: “Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni”, Tiranë, 1944, fq. 5 – 22.

**Shenim nga Fritz Radovani: Materiali i At Anton Harapit O.F.M., botue në vitin 1944, më asht      dhurue nga Prof. Ndue Zef Toma, i cili e ka redaktue, pa ndryshue asnjë fjalë nga origjinali.

      Nënvizimet janë të Autorit, simbas origjinalit, për të cilin, Ju lutëm, të mos bani ndryshime.

Melbourne, Nandor 2014.2AtAntonHarapiPSHAT ANTON HARAPI O.F.M.(Vepër e piktorit Pjerin Sheldija – bojë vaji) (5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)

 ■“At Anton Harapi ka kenë antiitalian, prandej u zgodh At Antoni në dergatën e

12 prillit 1939, për me u tregue atyne qendrimin e klerit katolik.” At Justin Rrota O.F.M.

■At Anton Harapi e pranoi detyren në Rregjencën Shqiptare (1943) “me kusht: Mos me nënshkrue ASNJË DËNIM ME VDEKJE!”

■Një parashikim i saktë i Tij: “SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK , EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !” (Thanje e At Antonit, para gjyqit komunist në muejn shkurt 1946, Tiranë)

■At Antoni përfaqsonte për gjermanët, mendsinë e një inteletuali Perëndimor, europjano qendror, i formuem në Austrinë e para Luftës së Dytë Botnore, dhe nga ana tjetër, si meshtar katolik, paraqitej virtualisht i paprekshëm prej korrupsionit tradicional oriental e prej bizantizmit aziatik.

■Me 4 shkurt 1944 hyni tek Xhafer Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit tonë, po a bahet kështu?!” …Dhe prani pushka… “Vllaznit” nuk e harruen! Porsa e pushkatuen, Enver Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”

■At Antoni refuzoi largimin nga Shqipnia para vitit 1944, dhe mbas, kur Cafo Beg Ulqini i propozoi të shkonte në një streh nga Mali i Zi… “Kam punue per Shqipni e ballafaqas.

Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!”

■“Shpirtin Zotit, trupin Tokës”… Pikrisht asaj Tokë Amtare, për të cilën u ba flij…

Edhe pse i pat të gjitha mundësitë mos me u ra në dorë komunistëve vllavrasës.

■Drejtë bregut të lumit Lana… Tiranë, 20 shkurt 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë… “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëni prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:

Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:

“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…

Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”.

 

■“Ndalnju! Ku véni Burra?!”

■■“Ndalnju! Ku véni Burra?!”

■■■“MOS HARRONI JU, QË UNË JAM SHQIPTAR !”

 

 ■Melbourne, 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: e të tjerëve, Fritz radovani, Nderim per bindjet, pater Anton Harapi

VLORE, KUJTO E NDERO DJEMTE ATDHETARE! ABDYL SHARRA KUJTIM BEQIRI

June 20, 2017 by dgreca

1 Kujtim beqiri                                     Ne Foto: Kujtim Beqiri/1 Abdyl Sharra

Ne foto: ABDYL SHARRA/

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Në këto ditë fushate, kur më 25 qershor, do të votohet për Republikën e Re, kujtimet na kthejnë mbrapsht, në 2 Dhjetorin e votimeve 1945 dhe dramave tragjike që zgjatën pothuaj gjysëm shekulli. Historia dëshmon, se pasi krismat e Luftës së Dytë Botërore heshtën, kudo u kryhen punime për rindërtimin e qyteteve, porteve, urave, rrugëve dhe hekurudhave. Përparimi i shkencës e teknikës, i dha shtytje të fuqishme zhvillmit të industrisë, bujqësisë e blegtorisë. Autostradat zhvlerësuan hekurudhat, transporti ajror lundrimin detar. Mbrojtja e natyrës e mirëmbajtja e monumenteve të kultures në botë, sidomos në perëndim, u shoqëruan me lulëzimin e turizmit, një prej degëve më të fuqishme të ekonomisë. Si rrjedhojë e tërë këtyre punëve mirëqenia ekonomike e kulturore u ngrit edhe më lartë. Në këtë përparim veproi fuqishëm ndihma e SHBA.

Në vendin tonë, të rreshtuar në krahun e gabuar, më 28 nëntor 1944, u fol për “fitoren e popullit”, por pushteti, me gjakun e atdhetarëve liridashës, ra në duart e një kaste të rrezikshme. Në zgjedhjet e vitit 1945, “Fronti Demokratik”- u përball me një opozitë krejtësisht të pafuqishme, me vota të manipuluara nga komunistët.

Në kohën, kur bijtë e familjeve fisnike, studentë të shkëlqyer në universitetet e Europës, u kthyhen në atdhe si mjek, veterinerë, agronomë, punuan në institucionet përkatëse, ndërsa inxhinerë, si Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri, morën përsipër drejtimin e punimeve për rindërtimin e urave dhe porteve të dëmtuara. Por zhvillim i ngjarjeve politike. ndryshoi drejtimin në kah të kundërt. Komandantët e komisarët, shumica pa shkollë, të zbritur nga malet, u sulen drejt pushetit me gjyqe pa ligje, kundër “kolaboracionistëve”-firmatarë të pavarësisë- intelektualë të shkencës, letërsisë e kulturës.

Pas votimeve të 2 dhjetorit, më 11 janar 1946, u shpall me brohori Republika Popullore me një parti. Ky akt i pabesë kundër demokrakracisë, u shoqërua me skenare gjyqesh në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë etj. Një ndër ta ishte gjyqi i “grupit opozitar”, ku bënte pjesë shkrimtarja e parë shqipare Musine Kokalari. Më pas u vijua me “grupin e sabotatorëve”, “agjentë të amerikanëve”, e inxhinerëve, Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri nga Vlora, tok me ekipin teknik, për tharjen e kënetës së Maliqit, për panxharin e Fabrikës së sheqerit, kur populli vuante nga mungesa e bukës. Aso kohe ndihma me ushqime falas nga UNRA, u shit me racion. Mallrat e tregtarëve të shpronësuar, iu dërguan Beogradit të uritur. Një sjellje e tillë bujarie, shkaktoi mungesën e frikshme të mallrave të nevojshme për qytetarët. Kjo krizë rëndoi mbi shpatullat e fshatarëve që punonin e prodhonin më shumë. Për habi ata njerëz të ndershëm e punëtorë, u quajtën ”kulak” “armiq të pushetit”. Ata skllevër në tokën e tyre, duhej t’i dorëzonin shtetit prodhime më tepër se detyrimi i caktuar. Në qytete u shfaqen dukuri të tjera të panjohura deri atëhere, cilësimi sabotator, borgjez e reaksionar.

Gjyqi i “sabotatorve”, ishte edhe një veprim dinak, për të mbuluar mashtrimin e madh, e një viti më parë, për votime të lira. Ndryshe nga premtimet, u krijua një qeveri e dhunshme, me partinë komuniste të fshehur nën disa maska: e “Frontit”, e “punës”, me anëtarë komunistë. Në skena kinemash e teatrosh, e fshehur pas perdes Front, Partia Komuniste drejtoi gjyqe pa ligje, pa fakte me sajesa hetuesish, prokurorësh kriminelë e gjyqtarësh, pa shkollën përkatëse. Vendimet ishin të neshkruar qysh më parë nga dora e diktatorit. Sipas kryetarit kukull të gjyqit, shumica e “sabotatorëve”, nxënës të shkollës teknike, paskëshin qenë “agjentë.të Fulcit.” Të gjithë inxhinerët, u arrestuan, në punë e sipër, në ditën e gjashtë të nëntorit 1946. Pas dy ditësh dolën në gjyq. Vendimi u dha dy javë më vonë dhe u ekzekutua në mbarim të katër ditëve në Kampin e Maliqit: Me atë gjyq, diktatori E. Hoxha synoi gjetiu, prishjen e marrëdhënieve me SHBA dhe Anglinë. Pesë ditë pas procesit gjyqësor kundërligjor, misionet amerikane dhe engleze në shenjë proteste u larguan nga Shqipëria. Veprimi i drejtë diplomatik amerikan dhe englez, u përdor nga “drejtësia e partisë” para popullit të paditur, si provë tjetër “sabotimi”. Kjo ngjarje e rëndë, e ndau vendin tonë nga dy shtetet më të pasur në botë, SHBA dhe Britania e Madhe.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite emri Maliq seç ka diçka të zymtë, të ngjashëm me Matahuzenin e shfarosjes së njerëzve pa emër në hi e pluhur, siç ndodhi me te burgosurit e vrarë me plumb apo zhytur nën baltë, nga oficerët sadistë gjatë punimeve për hapjen e kanalit kullues për tharjen e kënetës.

Ç’thonë të vërtetat e historisë përmes dijetarëve të fushave te ndryshme studimore?

Dikur këneta e Maliqit ishte liqen i pastër përqark me pyll, një nga mbrekullitë e natyrës, ku gjallëronin shpend, kafshë e peshq gjithëfarësh,. Sipas zbulimeve arkeologjike, atje ndodhej një vendbanim i lashtë, tashmë i zhdukur. Edhë në kohët e reja aty pranë bleronte Pylli i Fazanëve. Në zona livadhesh e drurësh, në ajër e tokë, mbi e nën ujë, endeshin peshq, shpend e kafshë të egra. Kush qe ai, që nënshkroi vendimin shkretan për prishjen e asajë parajse të natyrës mbi tokë. Kush qe ai i krisur, që kërkoi të prishej ajo bukuri pjellore e ish-kënetës së Maliqit? Një fjalë e urtë e thotë: “ Vetëm atëherë kur

druri i fundit të jetë prerë, atëherë kur lumi i fundit të jetë helmuar, atëherë kur peshku i fundit të jetë zënë, vetëm atëherë do të kuptojmë që paraja nuk mund të hahet.”

Dijetarët vendas e të huaj, për vlerat e saj turistike këshillonin të mos prekej. Në shumicën e vendeve mendojnë se dëmtmi i natyrës së gjallë të trashëguar prej shekujsh, ngjan me tufanet e shkretimit të botës. Por Qeveria e aftë vetëm për vrasje, kërkoi me këmbëngulje tharrjen e plotë të kënetës. Veçse ajo nuk qe e zonja të financonte projektin e inxhinererëve të paharruar vlonjatë Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri, me të cilin sigurohej mbrojtja përfundimtare e fushës së Maliqit, duke ndërtuar prita të fuqishme betoni mbi grykëderdhjen e Devollit për përballimin e prurjeve të shumta në sezonin e shirave apo nga shkrirja e borës në male. Për atë projekt dijetarësh, nuk vlenin, as parrullat revolucionare, as kërcënimet, duheshin para e jo fjalë në erë. Ndaj projektet e mendimet e inxhinereve nuk u miratuan. Diktatori donte gjak, jeta njerëzish, për sheqer të kuq, në një kohë, kur Shqipëria vuante nga mungesa e bukës e cila vazhdoi edhe pasi stalinisti I betuar. u marros e iku nga kjo botë.

Edhe pas hapjes së kanalit, Këneta e Maliqit, herë thahet, herë përmbytet. E megjithatë me akuzën e “sabotimit”, meqë këneta nuk u përurua më 1 maj, duhej të vdisnin njerëz të pafajshëm. Një gjyq i tillë për nga barbaria, nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e drejtësisë. Proçesi gjyqësor, i duhej pushtetit të dhunshëm, të fshihte të vërtetat për tharjen kënetës. Kundër çdo arsyetimi teknik, ishte vendosur që “vepra e madhe” të kryhej me punën e krahut e mijëra të burgosurve skllevër brenda tetë muajve. Por me mjete të tilla, si kazma, lopata, e tokmaku, qe krejt i pamundur mbarimi në kohën e caktuar verberisht. Sipas logjikës prej të marri, duhej të dënohej me varje në litar, me pushkatim e me burg “grupi i sabotatorëve.” Në akuzën mashtruese u rreshtuan si fakte “sabotimi”, fajet e vetë qeverisë: mungesa e maqinerive, e motorave, e çizmeve, e ujit, e ushqimit për punëtorët e burgosur që u dergjën të sëmurë në barakat e kampit të rrethuar me tela me gjemba, me kullat e rojave me mitrolozë.

Kush ishte ky “grup sabotatorësh?

Dy inxhinerët projektues e drejtues të punimeve, Abdyl Sharra 35 vjeç i diplomuar në Fakultetin e inxhinerisë së ndertimit i në Romë; me medalje ari. pasardhës i familjes princërore të Gjergj Arianitit, nip në Vrana-jt e Kaninës. i dënuar barbarisht me varje në litar; Kujtim Beqiri, 32 vjeç, me medalje ari , Ylli i Universitetit të Inxhinerisë së Vjenës. Edhe sot foto e tij duket në muret e Universitetit. I kthyer nga studimet për t’i shërbyer vendit të vet. humbi jetën në moshë të re, i dënuar me varje, dy here në litar, deri sa dha shpirt si shenjt, në prani të prokurorit gjakatar Haznedari. Fjala e tij e fundit jehon përjetsisht:” “Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë flamuri!”

Në ekipin zbatues të punimeve, bënin pjesë inxhineri Vasil Mano me bashkëshorten Zyraka, Mirush Përmeti 34 vjeç, nga familje fisnike, prind i dy fëmijëve të mitur dhe italiani, dashamirës i Shqipërisë, Eugenio Scaturo i ndershëm në punën e vet. Të katër u dënuan me pushkatim, Tregojnë se Scaturo vetëm në çastin, kur u ndodh para grykave të pushkëve, kuptoi se po e vrisnin.

Inxhineret e huaj që erdhën në mbarim të tragjedisë, u mahnitën nga projekti i përkryer, i inxhinereve Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri dhe nga punimet, në një kohë aq të shkurtër se bashku me vartësit e tyre dhe punëtorët- skllevër të burgosur, për tharjen e kënetës. Por tronditja e përzier me habi, qe edhe më e thellë, kur u thanë se ishin dënuar me varje në litar si “sabotatorë!” Nuk mjaftuan këto mjerime, por duhej të botohesh romani “Këneta”, nga shkrimtari F. Gjata.. Pastaj Kino-Studio “Shqipëria e Re”, me filmin e zi. pasuroi arkivin me kundëtvlera.

Por ç’ngjau më pas? Pas përmbytjeve në stinën e shirave punimet për tharjen e kënetës vazhduan pafundesisht. Mijëra të burgosur, midis tyre poetë e shkrimtarë, si Mitrush Kuteli, Vexhi Buharaja, Arshi Pipa, me mjete mesjetare u sfilitën nëpër baltra përgjatë kanalit të nëmur.

Në vitin 1959, u fol përsëri për tharjen e kënetës. Kush ishte “sabotatori” këtë herë? Dhe shi papritur e pakujtuar në kohët e reja, u zbulua një dokument arkivor.

“VENDIM n. 388 16-11-1959

Mbi tharjen e plotë të kënetës së Maliqit me rjedhje të lirë.-Byroja Politike e Komiteti Qendror të PPSh në mbledhjen e saj të dates 16.11. 1959, mbasi mori në shqyrtim propozimin e Kryesisë së Këshllit të Ministrave mbi tharjen e plotë të kënetë së Maliqit me rjedhje të lirë”, duke marrë parasysh leverdinë ekonomike që ka kryerja e kësaj vepre, mbasi sipas studimeve të bëra, do të përfitohen 1.300 ha tokë e re dhe do të përmirësohen rreth 4.000 toka të tjera, si dhe do të sigurohet kullimi më i mire i vendeve më të ulta të fushës,

VENDOSI

Të bëhet tharja e plotë e kënetës së Maliqit me rrjedhë të lirë,sipas projekti të hartuar nga organizata projektuese sovjetike “ Giprovod- hoz.” Punimet për këtë vepër do të fillojnë në vitin1960.

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë

Enver Hoxha  ( Firma dhe vula me draper e çekan.)”

Dhe poetesha e frymëzuar nga këto vendime këndonte: Parti e vendit tim Në mal përmbi këto male E ngritëm Shqipërinë, Plot dritë e sotmja jonë, Më të bukura ditët vijnë Dhe dora shtrëngon dorën Dhe bëhet grusht i fortë, Të gjithë rreth Partisë Rreth shokut Enver.

* * *

Pas vitit 1990, kritizerët u sulen me shkrime kundër tranzicionit. Pra çfarë ndodh me ta? Gjatë fushatës për pushtetin qendror më 2013, në Maliq u pa gazetarja e Top-Chenellit e njohur për intervistat me “kuadrot” e një kohe të mbrapsht. E shoqëruar nga kameramanët, ajo ecte më këmbë me mikrofon në dorë përbri një kamioni. Tërë shfaqja zhvillohej para kënetës së përmbytur nga rreshjet e fuqishme dhe nga dalja e Devollit nga shtrati. Nga larg kamioni kishte pamjen e një karuseli, cirku shetitës. Nga afër u pa qartë, se të gjithë ishin veprimtarë të P.S, gra e burra me faqet buçko, veshur për bukuri, hipur në karroceri teksa fyenin pa turp flamurin e PD, të varur prapa kabinës së kamionit, që endej udhës para kënetës. Në atë orgji fjalamanësh,që shitireshin si fshatarë varfanjak, dëgjoheshin ankesat e mësuara qysh më parë: “Po vdesim për

bukë, me se të rrojmë, paratë në bankë na u mbaruan, nga Greqia nuk na dërgojnë asgjë. Vdiqëm, po vdesim. Në kohën e Enverit ishim më mirë, tani jemi argatë në tokat e të tjerëve.Qeveria ndihmon vetëm fshatarët e Shkodrës së përmbytur. Po ne përse na ka harruar? Ah! Ferma e panxharit! Ah! Moj Fabrika e sheqerit me ato oxhaqet përpjetë, më e madhja në Ballkan!” Nga mënyra sesi flisnin, merrej vesh, se të gjithë ishin humoristë ose shakaxhinj e karagjozë të Top-Chenell-it. Ndërkohë dëgjoheshin, edhe zëra njerëzor, që kujtonin e flisnin thjeshtë për të vërtetën: ”Me gjakun e burrave, grave e fëmijve të pafajshëm, u mbajt gjallë diktatura e pangopur, që shkatërroi natyrën mbi e nën tokë. Gjithçka i takonte asaj, kurse sot këta pushta enveristë me kënetën e vdekjes, na tregojnë sa i mirë qe panxhari rus, sa i ëmbël ishte sheqeri, sa i përpjetë oxhaku i zi i fabrikës. Ai sheqer që dilte andej seç kishte një ngjyrë si të purpurt, njësoj sikur merrte me vete gjakun e inxhinerëve të pafajshëm të varur në litar apo të pushkatuar tok me të burgosurit, që dhanë shpirt, të harruar në llucë. Fatkeqësi, krim, dhimbje, mallkim!” Por për ironi të fatit, shohim herë pas here, tek krenohen buzëgaz para potretit të diktatorit, kryetarët e PS, LSI, PDS, Rama, Meta e Milo.

Inxhineret e paharruar, Abdyl Shara e Kujtim Beqiri janë nderuar me titullin Martirë të Demokracisë, veçse për çudi në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave, emri i tyre i nderuar mungon. Megjithatë, të gjithë janë Nderi i Kombit.

Vlorë e Pavarësisë, në këto ditë fushate, kujto djemtë e tu atdhetarë, inxhinerët e talentuar Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri dhe gjithë viktimat e Kampit të Maliqit.

Shqipëri, në këto ditë fushate zgjedhore, ndero emrat e veprat e tyre në shërbim të atdheut, Të gjithë në votime. për të ardhmen e sigurtë, më të qetë e më të mirë. Votoni, për ndërtimin e motorit të fuqishëm, të ekonomisë shqiptare, sipas shembullit amerikan. Amerika është me ne! Votoni për PD, Republikën e Re!

 

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Deshnica, KUJTO E NDERO DJEMTE ATDHETARE! ABDYL, SHARRA KUJTIM BEQIRI, Vlore

GJIMNAZISTET E KOSOVES, ZENE VENDIN E DYTE OLIMPIADEN E NJU JORK-ut

June 17, 2017 by dgreca

Gjimnazi*Gjimnazi “Hasan Nahi” zë vendin e dytë në botë në Olimpiadën “ GENIUS 2017” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /

1 Olimpiada

*Blerona Zulfaj dhe Kaltrina Hyseni- Medalje argjendi dhe burs 48 000 dollarë për 4 vite   të drejtën e shkollimit  në State University of New York./

2 kunkursi

*Çlirimtare Ramadani dhe Ema Halimi. Çertefikatë nderi për arritje dhe burs 36 000 dollarë për 4 vite   të drejtën e shkollimit  në State University of New York./

Një lajm shumë i bukur arriti në Prishtinë nga New Yorku, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nxënësit e gjimnazit “Hasan Nahi” të cilët përfaqësuan Republikën e  Kosovës: Blerona Zulfaj, Kaltrina Hyseni, Çlirimtare Ramadani, Ema Halimi, Emira Jetishi, Elena Hyseni dhe Zana Shehu të shoqëruar nga Profesoresha Eriona Basha janë shtatë shkencëtaret e reja kosovare që kanë marrë  medalje argjendi  (çmimi i dytë) në Olimpiadën Ndërkombëtare “ GENIUS- 2017”, në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme.

Në saje të rezultateve të vlerësuara nga kjo garë nxënësit e Gjimnazit Hasan Nahi njëkohësisht kanë fituar edhe bursat nga  Oswego   State University of New York.

Ato fituan të drejtën e bursës për shkollimin në universitetin e cekur më sipër falë   medaljes së argjentë me projektet  inovative shkencore:  Blerona Zulfaj dhe Kaltrina Hyseni. Medalje argjendi dhe burs 48 000 dollarë për 4 vite   të drejtën e shkollimit  në State University of New York. Projekti i tyre :  “Jo me ndryshk jo me vegla punë të vjetra”.   Përmbajtja: kanë përdorur hi të termocentraleve, hi të lëvozhgës së arrës së kokosit dy minerale shumë ekonomike ( zeolit dhe bims) duke i përzier me zift. Kjo mënyrë është efektive për heqjen e ndryshkut si dhe ekonomike.

Çlirimtare Ramadani dhe Ema Halimi. Çertefikatë nderi për arritje dhe burs 36 000 dollarë për 4 vite   të drejtën e shkollimit  në State University of New York. Projekti: “Një mënyre inovative për të parandaluar    radiacionin”.  Përdorimi i rrjetave metalike me mortar për të bërë ndërtesat më të forta dhe njëkohësisht më të qëndrueshme ndaj termeteve.

Emira Jetishi dhe Elena Hyseni. Çertefikatë nderi për arritje dhe burs 36 000 dollarë për 4 vite   të drejtën e shkollimit  në State University of New York. Projekti: “Eko-beton / rritja e performancës duke i përdorur mbetjet industriale”. Janë përdorur mbetje industriale si hiri i cili del nga termocentralet e obiliqit dhe mbetjet e plastikës në mënyrë që të pastrohet ambienti dhe të krijohet një material të ri në fushën e inxhinierisë së ndërtimit, një eko-bllok.Zana shehu çertifikatë nderi për arritje dhe po ashtu 36.000 dollar bursë për katër vite shkollimi te i njëjti universitet. Projekti: “Mallrat e konsumit dhe qëndrueshmëria e plehut natyral.  Prodhimi i plehrave natural duke përdorur mbetjet e mbeturinave si: kërcelli i lulediellit”.

Projektet e nxënësve të Gjimnazit “Hasan Nahi” në etapën e parë arritën të jenë finalistë me projektet e tyre. Ishin mbi  3500  projekte shkencore  nga 136 shtete të Botës prej të cilave u zgjodhën 1250 nga  projekte finalistë.

Me 136 shtete nga gjithë bota dhe mbi 1250 projekte të cilat garuan në finale, gjimnazistët kosovarë arritën të konkurrojnë me botën e të marrin medaljen e argjentë në Garën ndërkombëtare:  “ GENIUS-  2017”.

Kjo olimpiadë organizohet në Oswego-New York, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pavarësisht moshës fare të re, ato kanë shkëlqyer duke lënë të habitur jurinë me aftësitë dhe profesionalizmin e treguar në përgatitjen dhe zhvillimin e projekteve inovative.

Suksesi në Gjimnazin “Hasan Nahi” po kthehet në traditë. Para dy muaj nxënësit e këtij Gjimnazi u kthyen nga Kenia-Afrika me dy medalje ari në Garën ndërkombëtare “GOLDEN CLIMATE 2017″.

Gjithashtu para një muaji nxënësit e këtij Gjimnazi  u kthyen nga Texasi-SHBA-të me dy medalje bronzi në Garën ndërkombëtare ” I-SWEEEP 2017″.

Ky është dhe fryt i punës së madhe të bërë nga arsimtarët dhe nxënësit, të cilët punuan rreth gjashtë muaj në laboratorët e shkollës dhe laboratorin e Katedrës Kimi-Fizikë të Universitetit të Prishtinës.

Deri më tani Gjimnazi “Hasan Nahi”  prej themelimit të saj në vitin 2013 i ka sjellë Kosovës 30 medalje ndërkombëtare.

Filed Under: Histori Tagged With: E NJU JORK-ut, GJIMNAZISTET E KOSOVES, ZENE VENDIN E DYTE OLIMPIADEN

PERGJAKJA E KALLMETIT

June 16, 2017 by dgreca

Kur diktatura komuniste donte të përgjakte Kallmetin ashtu sikur  pushtuesit osmano-turq në vitet e Pavarësisë/
1 Kallmet
 
-Dështimi i kallmetoreve për të sulmuar qendrën e komunisteve në qytetin e Lezhës pas shtypjes se kryengritjes antikomuniste të Postribes dhe mençuria e një kallmetori që shpëtoi Kallmetin qendrën e ipeshkvisë së Lezhës nga hakmarrja e murtajës komuniste./1 Lek
 
Rrëfim historik nga Lek Gjoka/ Jacksonville, Florida/
1 Marubi
 
Vjeshta e vitin 1946 ishte ulur këmbëkryq mbi Kallmet. Bjeshka Velë ishte si gjithmonë dëshmitare jo vetëm për Kallmetin por edhe për Lezhën, Zadrimën , Shkodrën, Mirditën, madje deri në pafundësinë kaltëroshe të detit Adriatik. Shumë emocione kishte përjetuar kjo Bjeshke krenare bashke me Kallmetin që nga kohët e lashta , në kohën e Besëlidhjes se madhe të Gjergj Kastriotit në Lezhe, tek Kuvendi i Arbrit organizuar nga ipeshkvia e Lezhës me përkrahjen e Papës shqiptare Klementi , tek mbrojta qe biri i Kallmetit shkrimtari Frang Bardhi i bëri heroit tonë kombëtar, tek besa që i dhanë Dedë Gjo Lulit dhe Gjon Marka Gjonit në mbrojte të kombit shqiptar për mos copëtimin e truallit shqiptar dhe shpartallimit të ushtrisë se pushtuesve osmano-turq . Gjithmonë mençuria e kallmetoreve kishte triumfuar. Madje në luftën që bene tek Zalli i Rraboshtës kundër pushtuesve turq ku disa kallmetore ranë dëshmore të Pavarësisë së Shqipërisë garnizoni turk i  Shkodrës u nis të digjte Kallmetin që me një gur të vriste dy zogj. Të hakmerrej ndaj kallmetoreve që kishin ngritur armët si dhe të digjnin ipeshkvine e Lezhës në Kallmet me qellim që i gjithë zona katolike Lezhë-Shkodër të kthehej në besimin e pushtuesit turk megjithëse ishte në prag të kapitullimit. Por mençuria e kallmetoreve triumfoi. Në drejtimin e kryeplakut të Kallmetit Llesh Gjokës të gjithë kallmetoret dëshmoret e Pavarësisë nuk u varrosen në varrezat e Kallmetit por në Kishën e Shën Eufemisë (kishe që në shekullin e XXII-të)  në një shpat në Bjeshkën e Velës. Kur pushtuesit kontrolluan varrezat e Kallmetit dhe nuk panë varre të rijnë u detyruan të tërhiqen për në Shkodër pa kryer asnjë krim mbi Kallmetin.
Por përsëri Kallmeti po vihet në një provë të re edhe me të egër se pushtuesit turq nga kuçedra komuniste. Ngaqë Kallmeti ishte një qendër e ipeshkvisë se Lezhës dhe për pese shekuj me radhë kishte prodhuar verën Kallmet që përdorej në Romë nga Papa për meshën e shenjte e me gjere nuk shihej me sy të mirë nga pushteti i ri komunist sepse qarkullonin fjale se në Kallmet komuniste i quanin të dërguarit e djallit . Ndoshta ia kishin edhe friken ngaqë ishte një fshat me numër popullsie me të madhe se vete qyteti i Lezhës megjithëse një pjese e tyre kishin mërguar në Kroaci ku sot e kësaj dite kanë një komunitet te madh të cilët kanë mbajtura si mbiemër emrin e vendlindjes se të pareve te tyre Kalmet , ku kanë nxjerrë edhe një ministër për qeverinë Kroate nga komuniteti i tyre.  Por si në të gjithë Shqipërinë edhe në Kallmet murtaja komuniste nisi përçarjen ndaj kallmetoreve dukë joshur disa banorë të Kallmetit që vinin nga shtresa e varfër pa toke, pasuri dhe dinjitet. Ne të njëjtën kohë Përveç Kallmetit edhe Mali i Rrencit u përgatit te sulmonte Shëngjinin (Shninin) si dhe siç dihet u nis edhe kryengritja e antikomuniste të Postribes minuar nga sigurimi i shtetit komunist që pastaj e përdori për hakmarrje kolektive ndaj zonave antikomuniste duke vrare dhjetëra shqiptare te pafajshëm.
Edhe  kallmetoret nuk e donin ketë rrëgjim komunist ndaj lajmi mori dhënë në Kallmet për organizimin e një kryengritje në Lezhë ndaj zyrave te instaluara të pushtetit diktatorial dhe u grumbulluan në qendër të Kallmetit . Me sëpata, kmesa, kosa u shtruan në kuvend të thjeshtë por dukë parë që lajmi mund të ishte një kurth i sigurimit të shtetit dhe mos armatosura e duhur i detyruan të kthehen në shtëpi. Por kjo nuk i ka pëlqyer një kallmetori nga Kallmeti i vogël ish spiun i komunisteve dhe kaçakeve të malit dërgoi lajm në Shkodër se kallmetoret do të sulmojnë Lezhës ndaj një pjesë e brigadës se ndjekjes se kufirit me urdhër të Mehmet Shehut u nis për të djegur Kallmetin dhe vrarë qindra kallmetore antikomuniste. Fatmirësisht një tjetër kallmetor punëtor policie , një ish anëtar i Brigadës së shtatë sulmuese të Luftës diku jo shumë larg Kallmetit dhe Shkodrës takon një pjesë të brigadës se ndjekjes.
-Po ju !- iu drejtua komandantit të cilin e kishte pasur shok luftë.
-Po shkojmë drejt Kallmetit me urdhër të Komandant Mehmet Shehut për të shtypur me zjarr e hekur ato qindra antikomuniste kallmetor që do nisen për të sulmuar në Lezhë zyrat tona të pushtetit popullor.
– Nuk është e vërtete !- ia pret kallmetori- unë nga Kallmeti po vij dhe nuk pashe asnjë gjë të dyshimtë.
-Me të vërtete e ke sepse na lajmëroi një kallmetor që ishte me to.
– E di se ishte filani që ju tha.
-Po ai dora vete.
-Harrove ti kur ishim në luftë sa herë na ka rrejte?
-Me të drejtë !- ia pret komandanti kallmetorit dhe i jep urdhër kompanisë se ndjekjes të ktheheshin për në Shkodër.
Kallmetori M.  punonjës i policisë dhe ndjekjes se kufirit ktheu kokën pas dhe që larg dalloi krenarinë e Bjeshkës se Velës dhe një ngrohtësi shpirtërore i vrapoi në vena sepse arriti që Kallmeti dhe kallmetoret edhe kësaj herë të shpejtojnë përsëri nga një tragjedi e rrethimit komunist falë një biri të tij që e rriti dhe e burrëroi me ndjenjat e trimërisë dhe besnikërisë ndaj vendit që e lindi dhe e rriti.
Jacksonville Floirda
Qeshor 2017

Filed Under: Histori Tagged With: diktatura komuniste, Kallmeti, Lek Gjoka

Papa Françesku emëroi dom Gjergj Metën Ipeshkëv të ri të Rrëshenit – Mirditë

June 15, 2017 by dgreca

1 gjergj MetaPapa Françesku pranoi dorëheqjen e Shkëlqesisë së Tij, imzot Cristoforo Palmieri, nga detyra e qeverisjes baritore të dioqezës së Rrëshenit e njëkohësisht, emëroi ipeshkëv të ri të Rrëshenit, imzot Gjergj Metën, deri tani, vikar i përgjithshëm i kryedioqezës Tiranë-Durrës. Ja fjala pas emërimit e atij, që jemi mësuar ta ndjekim në shtyp në mbrojtje të vlerave të krishtera në shoqëri:

Përshendetja e Ipeshkëvit të zgjedhur të Rrëshenit Gjergj Meta

Shumë i Nderuar Atë Kristofor, Bariu dhe Ati i kësaj dioqeze të Rrëshenit, fjalët e para janë për ju sot në shenjë falenderimi për shërbimin dhe të mirën që keni bërë në këto vite, më parë si famullitar e më pas si Ipeshkëv i Rrëshenit. Faleminderit e Zoti të shoqëroftë në vitet në vazhdim. Kjo dioqezë do t’ju kujtojë gjithmonë me respekt dhe dashuri dhe do të keni gjithmonë një vend të veçantë në këtë dioqezë.

Një fjalë dhe një mesazh për mirditorët e mrekullueshëm dhe shumë të vuajtur. Më pranoni si njërin prej jush. Unë i njoh vuajtjet tuaja, kohën dhe shekujt që kanë rënduar mbi ju. Zoti ka dashur që unë të jem bariu juaj në një moshë të re e prandaj ju lutem, me lutjen dhe miqësinë tuaj, bëni të mundur që të jem një i krishterë i mirë bashkë me ju dhe një bari i mirë për ju.

Një fjalë për ju të dashur meshtarë e motra. Papa Françesku nuk ka zgjedhur më të mirin ndër meshtarët shqiptarë për të shërbyer në këtë dioqezë. Për këtë të jeni të sigurtë. Ka qenë për mua një “po” shumë e vështirë, shumë e vështirë! Ajo që kam është humaniteti im, brishtësia dhe vogëlsia ime. E dorëzoj në duart tuaja që do të jeni bashkëpunëtorët e mi më të afërt. Ashtu sikurse Papa Bendikti edhe unë mund të them se Zoti ka zgjedhur një punëtor të përvujtë në vreshtën e tij. Më ndihmoni të jem një vëlla për ju dhe një bari që jep jetën e tij për delet e veta.

Së bashku të vazhdojmë të çojmë e të kumtojmë gëzimin e Ungjillit në çdo familje të dioqezës, te çdo i ri e sidomos tek të varfërit dhe të mënjanuarit e kohës tonë. Kumtimi i Mbretërisë së Hyjit është detyra jonë parësore. Ta bëjmë së bashku këtë gjë pa u kursyer. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Marie Tuci dhe shokët e saj martirë na ndihmofshin në këtë rrugëtim të ri që feja jonë të veprojë nëpërmjet dashurisë.  Mediat janë fusha më e dashur e veprimit të imzot Gjergj Metës. Le ta dëgjojmë ipeshkvin e ri të dioqezës së Rrëshenit, në një intervistë të tij me Radio Vatikanin, pikërisht për mediat dhe Kishën…

Curriculum vitae e imzot Gjergj Metës

Lindi më 30.04.1976 në Durrës

1994-1995: ndjek vitin paraprak në Seminarin e kryeipeshkvisë së Barit, në Itali.

1995-2000: ndjek Seminarin Rajonal në Molfetta të Barit dhe Fakultetin Teologjik puljez.

21 prill 2001: shugurohet meshtar.

2001-2002: shërben si zv.famullitar në konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës.

2001-2006: është anëtar i Këshillit presbiteral të dioqezës.

2002-2003: shërben si zv.famullitar në katedralen e Shën Palit në Tiranë.

2003-2006: është administrator i famullisë në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Gjithashtu, emërohet përgjegjës kombëtar për baritorinë universitare të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

2006-2009: merr liçencën (diplomë universitare) në degën e së drejtës kanonike në Universitetin Papnor Gregorian.

2009-2010: shërben si zv.famullitar në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Emërohet gjykatës i Gjykatës Ndërdioqezane Shqiptare nga viti 2009.

2009-2017: bëhet pedagog i së Drejtës Kanonike në Institutin Teologjik të Shkodrës, si edhe anëtar i Këshillit Presbiteral dhe i Kolegjit të Këshilltarëve.

2009-2012: është zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

2010-2013: shërben si famullitar në kishën e Shën Gjonit Maria Vianej në Kamzë dhe si administrator i famullisë së Gramzës (Zoja Mbretëreshë) dhe të Luzit (Zoja e Ngjitur në Qiell).

2013-2016: shërben si famullitar në konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës dhe është dekan i Dekanatit Perëndimor të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit. Gjithashtu, është anëtar i Komisionit ipeshkvnor për liturgjinë dhe formimin e përhershëm të meshtarëve.

Dhjetor 2016 e deri tani: shërben si vikar i përgjithshëm i kryedioqezës së Tiranë-Durrësit dhe është zëdhënës i ipeshkvijve të Shqipërisë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gjergj Metën Ipeshkëv të ri, Papa francesku, të Rrëshenit - Mirditë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 349
  • 350
  • 351
  • 352
  • 353
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT