• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHMI ARKIVORE PËR ULQIN DHE RRETHINËN E TIJ

May 31, 2018 by dgreca

Nail_DragaNga Dr.Nail   Draga*/

1 Hajrulal Hajdar.JPG

Në gamën e gjerë të publikimeve shkencore burimet  arkivore  paraqesin lëndën bazë të hulumtimit dhe studimit të çështjeve përkatëse  sipas profilit profesional të autorëve të ndryshëm. Eshtë çështje tjetër se sa arkivat kanë qenë të hapura për studiuesit tanë duke ditur ngjarjet e kaluara dhe paragjykimet qe kanë ekzistuar ndaj ne shqiptarëve. Një konstatim i tillë vlen sidomos  për ne shqiptarët këtu në Mal të Zi, të cilët duke qenë në margjina të shoqërisë,  arkivat dhe lënda arkivore pothuaj ka qenë dukuri e panjohur ne   sistemin monist sepse pasojat ishin evidente.

Por,  pas dështimit të sistemit monist, disa studiues treguan interesim dhe guxim për hulumtime arkivore në Arkivin e Shtetit të Malit të Zi në Cetinë. Ndër ata persona  bën pjesë edhe Hajro Hajdari, i cili  ndonëse me profesion është  jurist  ai me plot pasion është interesuar për hulumtimin  e  kësaj lënde nga koha e Kongresit të Berlinit e më pas. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse nga ajo kohë filloi dezintegrimi i hapësirës etnogjeografike shqiptare, ku në sajë të vendimeve të padrejta vise shqiptare iu dhënë si dhuratë vendeve fqinje, ku  bën pjesë edhe Mali i Zi. Pra kemi të bëjmë me kohën  kur  popullsia e viset shqiptare të aneksuara nën administrimin e ri  sfiduan rrethanat e kohës duke  mbijetuar në hapësirën e tyre etnogjeografike.

Pas librit të tij të parë “ Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941”, Botoi:Art Club, Ulqin, 2016“, Hajro Hajdari i paraqitet opinionit me librin e tij të dytë me titull ”Ulqini në dokumentet malazeze 1880-1915”. Nga vet titulli del se kemi të bëjmë me një botim të veçantë me  dokumenta te prezantuara  që  i përkasin përiudhës kohore 1880-1915 dhe vijnë  të përkthyera në shqip nga vet autori. Duhet cekur së lënda arkivore është hulumtuar dhe është përdorur gjatë përgatitjes së botimit të librit të parë, ndërsa tani  përzgjedhja e dokumentave paraqitet  në formën e tyre të plotë, duke qenë   dëshmi  autentike për pozitën dhe statusin  shoqëror që kishin shqiptarët, përkatësisht  Ulqini dhe rrethina e tij në këtë periudhë kohore. Dhe janë pikërisht  këto dokumente  që dëshmojnë në mënyrë transparente rrethanat e kohës nën pushtetin e ri malazias.

Duke analizuar disa dokumente të tilla del qartë politika e kohës e pushtetit të principatës së Malit të Zi në territorët e reja të dhuruara  e sidomos qendrimin e  popullatës shqiptare ndaj administratës së re malazeze. Kështu kemi të bëjmë me rezistimin e  shqiptarëve  ndaj pushtetit  sidomos, me mosdergimin e fëmijëve në shkollën serbe,  pastaj  mosshkuarja  në shërbimin ushtarak si dhe refuzimin e bartjës së flamurit malazias në anijet e tyre në det.

Dhe nga një qendrim i tillë nuk ka dilemë se kemi demoralizimin e popullsisë shqiptare ku si pasojë kemi  emigrimin në Shkodër e gjetiu në Shqipëri, që ndikoj dukshëm në zvoglimin e popullsisë së Ulqinit. Ishte kjo politika përfide e pushtetit sepse  ndaj atyre qe ishin shpërngulur pushteti kishte marrë masa me iu konfiskuar edhe  pronat, nga del se kishim të bënim me një pastrim të heshtur  etnik. Ndërsa nga ana tjetër kishte filluar kolonizimi i Ulqinit dhe rrethinës me malazez, duke iu dhurar prona kolonisteve në Fushtë Ulqinit, Mal të Brisë, Zogaj etj. Sipas burimeve të publikuara del se në periudhën kohore 1881-1892 në Ulqin janë vendosur rreth  400 familje kolonistësh malazez.

Se si ka ndryshuar struktura e popullsisë në Ulqin    dëshmohet edhe me dhënat për numrin e banorëve të Ulqinit  në vitin 1899 ku gjithsej ishin të regjistruar 4306 banorë apo  934 shtëpi e nga to 671 shtëpi shqiptare (71.84%) dhe 263 shtëpi malazeze (28.15%). E dhëna e tillë është e mjaftueshme për të kuptuar politikën kolonizuese të pushtetit të Malit të Zi të kohës, e cila si mision politik shtetëror kishte ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë, sepse deri në vitin 1880 këtu nuk ka pasur popullsi të përkatësisë malazeze sepse ka dominuar në mënyrë absolute popullsia shqiptare.

Me mjaft interes janë të dhënat për numrin e vendbanimeve dhe shpëndarja e tyre hapësinore në njësinë territoriale të njohur me emrin e kapetanisë. Nga të gjitha dokumentat e botuara duhet veçuar Protokollin e haraçit të vitit 1882, që ka të bëjë me regjistrimin e familjeve dhe të pasurisë që pushteti mendonte për mbledhjen e haraçit për qytetin dhe  vendbanimet  përkatëse.Janë këto të dhëna me interes sepse  banorët paraqiten me emër dhe mbiemër. Po ashtu duhet cekur se patronimet e familjeve në dokumenta paraqiten në formën origjinale  ku shumë kush sot mund të gjejë paraardhësit e tyre.

Me këtë rast po cekim disa patronime familjare të kohës në pesë lagjet e Ulqinit (Kala, Ranë, Mëhallë të re, Meteriz, dhe Mera) të cilët janë: Alibegaj, Ahmeti, Arapi, Axhemi, Beci, Beti, Broci, Bazi, Bushati, Brajsha, Bilali, Brisku, Cakuli, Cungu, Canka, Çapuni, Çapra, Çoça, Çela,  Musta, Muçoja, Mani, Duraku, Dervishaga, Dibrani, Dermani, Elezaga, Lazoja, Lazorja, Lajka, Lamoja, Lula, Lika, Lisha, Luca, Llunji, Leka, Fani, Fici, Fteja,  Neli, Noga, Gorana, Guçi,Gjyli, Gjura, Selita, Sadiku,  Spahija, Shurdha, Mujali, Malokraja,  Mema, Mollabeqiri, Kadija, Kasmi, Kasa, Kashi, Kalavrezi, Karamanaga, Katana, Komina, Kovaçi,Kollari, Kruja, Kroma, Krymi, Milla, Molla, Misheri, Pali,Pulti, Peku, Rashketa, Resulani, Hasanaga, Hamoj, Hoti, Hoxha, Ishmi, Qurkanj, Shata, Vogli, Vuli, Tafili, Tafa, Tuzi, Truma, Tirana, Tivari, Xhuxha, Zuberi, Zenka, Zhugjeli  etj.

Ndërsa çështje të veçantë paraqet  deformimi i patronimeve të shqiptarëve nga administrata  e pushtetit  duke filluar nga fillimi i shek.XX., duke iu mveshur pothuaj të gjithë patronimeve të shqiptarëve  prapashtesën sllave viq dhe iq. Ishte ky realizimi   praktik i misionit  politik  të pushtetit për sllavizimin e popullsisë shqiptare, pasojat e të cilës janë të pranishme edhe në ditët tona.Në këtë aspekt në këtë botim ofrohen të dhëna autentike që dëshmohet përmes dokumentave të publikuara në këtë periudhë kohore.

Po ashtu duhet theksuar se nga dorëzimi i Ulqinit Malit të Zi nga nëntori i vitit 1880,  shumë familje ulqinake në shënjë të pakënaqësisë me pushtetin e ri  kanë emigruar në Shkodër apo Durrës që llogaritet se numri i familjeve të tilla arrin ne 413. Madje  ende sot e kësaj dite familjet e tilla ulqinake  mbajnë patronimet e tyre që i kanë pasur në Ulqin, duke qenë dëshmi autentike e origjinës së tyre.

Nuk ka dilemë së duke analizuar këto dokumente del se kemi të bëjmë me çështje shumëdimensionale si: politike, arsimore, ushtarake, demografike, sociale, ekonomike, turistike etj. Andaj çdo studiues varësisht prej profilit profesional ka mundësi për ti shfrytëzuar dokumentat në fjalë që janë në favor të temave përkatëse në lidhje me Ulqinin dhe rrethinën e tij të ngushtë në këtë përiudhë kohore. Pa dyshim  këto dokumente pasurojnë fondin në fjalë, çështje kjo e cila mbetet e hapur për tu plotësuar nga arkivat e vendeve të tjera që në mënyrë direkte apo indirekte ka të bëjë më Ulqinin, i cili në dekadën e tetë të shek.XIX, ishte në fokus të diplomacisë ndërkombëtare evropiane.

Dokumentat e publikuara  dëshmojnë për rrethanat shoqërore të kohës më të cilat është ballafaquar populli shqiptar në këtë mjedis, i cili me shumë sakrificë  ruajti dhe mbrojti identitetin e vet kombëtar.Duke marrë parasysh se hulumtimi dhe sistematizimi i tyre dokumentave  nuk ishte punë e lehtë por sakrificë personale e profesionale për autorin, këtë botim e vlerësojmë si një dhuratë të çmuar nga autori për të gjithë ata që iu intereson të dijnë për Ulqinin në këtë  përiudhë kohore. Andaj si i tillë ky botim  pasuron regjistrin  e botimeve të autorëve ku si preokupim  profesional kanë të kaluarën e qytetit të  Ulqinit  që pa dyshim  do të mirëpritet nga opinioni i gjerë shkencor e kulturor.

*Dr.Nail   Draga- (Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin me 14 maj 2018, në organizim të “Art Club-it” dhe Qendrës Kulturore- Hajrullah  Hajdari  ”Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915)”; Botoi: Art Club, Ulqin 2018)                                                                               

Filed Under: Histori Tagged With: Deshmi Arkivore, DR. NAIL DRAGA, Hajrulla Hajdari, Ulqini

DEDE GJO LULI SHEMBULLI ME I MIRE I ÇESHTJES KOMBETARE

May 31, 2018 by dgreca

 1 Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911 Flamuri

NGA JAHJA LLUKA/* 

Se sa sublime është dashuria ndaj atdheut, se sa e shejtë është mbrojtja e pragut të shtëpisë,edhe kur shancat janë të pamundura dhe fitorja thuajse është e paarrirë, shpirti luftarak i malsorit Dedë Gjo Luli duhet të jetë shembull, si njeri që i kushtoi çështjes kombëtare mbi gjysmë shekulli jetë, duke mos u dorëzuar deri në frymën e fundit. Familja e Gjo Lulit në historinë shqiptare njihet me përkushtimin e denjë ndaj dashurisë së atdheut. Nga kjo derë e madhe lindën shumë burra që me veprën dhe gjakun e tyre do të ngisinin në përjetësi emrin e fisit të tyre, sa madhështor aq dhe të dhimbshëm por të vdesësh për atdhe është akti më i lartë që mund të jep njeriu nga vetja. Kur shfletojmë historinë radhë nëpër epoka do gjejmë se si kjo tokë e bekuar lindi shumë trima e trimëresha të cilët nuk e njihnin frikën dhe dorëzimin ndaj armikut. Shpirti i shqiptarit është i etur për liri, në mohimin e tyre nga bota, në vuejtjen e tyre pa mbarim shqiptarët janë një ndër popujt e rrallë që njeh historia, sepse anjëherë nuk pranuan dorëzimin e aq më pak nënshtrimin. Trimi i madh Dedë Gjo Luli u lind në Traboin më 1840, emrin e trashëgoi nga gjyshi për tu bërë njëri ndër figurat më të mëdha të qëndresës shqiptare. Si i ri u njoh me Prende Gjeloshin, me të cilën lidhën kurorë dhe nga kjo martesë paten katër fëmijë dy vajza dhe dy djem. Shpirti i tij luftarak nuk e lejoi që të rrinte anash në luftën për shlirimin e Shqipnisë, Kongresi i Berlinit me vendimet e tij, la jashta shumë territore shqiptare duke ja dhuruar fqinjëve, kështu trimi Gjo Luli u angazhua në luftën heroike në mbrojtjen e Hotit dhe Grudës të cilat ju dhuruan Principatës së Malit të Zi. Populli iu bindën fjalës dhe luftës së Gjo Lulit, ai udhëhoqi malësorët e Hotit dhe Grudës dhe Kelmendit,në Kryengritjen antiosmane të 1911. Ndezi gjakun e malsorëve për ta ngjallur qëndresën e tyre,që të zgjidheshin njëherë e përgjithmonë nga pushtimi turko-sllav,duke bërë të mundur kështu hapjen e një epoke të re me shpalljen pavarësisë e Shqipërisë e cila nuk do ishte ashtu siç deshën shqiptarët.Luftrat ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër ishin ogur –zeza për kombin tonë.Ishte mbi 70 vjeç por pushka e tij nuk ndali edhe atëherë kur ja vranë birin Gjergjin në moshën 22 vjeçare dhe kushëririn Nik Gjelosh Lulin. Me zemrën e thyer, burrërisht nuk u ndal jo vetëm ai por gjithë Malësia gjëmuan, duke dhënë mesazh fqinjëve pushtues se gjaku shqiptar nuk shuhet edhe atëherë kur dielli nuk arrinë të lind. Do ja ndalte hapin Turgut Pashës në Tuz i cili erdhi të pushtoi Malësinë, poashtu dhe Etem Pasha me misionin e tyre prej 27 mijë ushtarësh shumë më të armatosur sesa timat e maleve, nuk arrijnë të mposhtin djemtë e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli. Malet gjëmonin, toka çahej, Evropa bënte sehir, por askush s’arriti ta qante qëndresen madhështore të trimave akilian, në mbrojte të atdheut të shejtë. Ishte shtator i vitit 1915 kur Deda, ballafaqohet me një pritë në Sheshëz afër Oroshit.Ai vritet pabesisht nga hordhit serbo –malazeze. Tri vite pas me 1918, djali i tij Kola do ndërronte jetë si pasojë e helmimit. “ Më 1920, në verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i djathtë i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.”

E dergoi per Diellin Skender Mulliqi. Faleminderit!

Filed Under: Histori Tagged With: ceshtja Kombetare, Dede Gjo luli, Jahja Lluka

FJALIMI NË KONFERENCEN E PAQËS:“SHQIPTARËT E TË DREJTAT E TYNE”

May 31, 2018 by dgreca

M U E J    QERSHOR 2 0 1 8:  K u j t o j m ë …/

  • FJALIMI NË KONFERENCEN E PAQËS:“SHQIPTARËT E TË DREJTAT E TYNE”- PËRGATITË NGA AT GJERGJ FISHTA O.F.M. SEKRETAR I DELEGACIONIT SHQIPTAR  NË PARIS …/

luigj-bumc3a7i

U LEXUE NGA IMZOT LUIGJ BUMÇI,KRYETAR I DELEGACIONIT SHQIPTAR… NË PARIS 1919 ….KY ISHTE KLERI KATOLIK SHQIPTAR QË NUK I DHA GREKUT DHE ASNJË SLLAVIT  ASNJËHERË AS KORÇEN, AS GJINOKASTREN E ASNJË PLLAMBË TOKË NGA TROJET TONA SHQIPTARE !/

Nga Fritz RADOVANI/

***

24 Qershor 1879 Asht le Fra Ndue VILA (1879 – 1956)U arrestue në Nandor 1946 dhe asht masakrue nga kafshët e sigurimit që donin me futë armët në Kishen e Fretenve. Burrnisht qendroi dhe nuk ua dorzoi çelsat kriminelëve Zoi Themeli e Pjerin Kçira./

26 Qershor 1918 u le në Shkoder At Aleks Baqli, nip i At Gjon Shllakut me prirje letrare Ka shkrue Dramen “Skenderbeu” qe u luejt ne teatrin e Fretenve në Shkoder…Vdiq me 16 Gusht 1993 dhe u vorros në Rrëmaji Shkoder./

  • Qershor 1921 në Parlamentin e Parë Shqiptar i tha një deputet Imzot Luigj Bumçit:

“Pse katolikët nuk ikin nga Shqipnia? Imz. Luigj Bumçi u pergjegj: “Unë po Ju dishmoj si Ipeshkëv Katolik se, e mbaj vedin vlla me Muhamedanët Shqiptarë e shka ju duhet ju kur unë, në këte gjendje, due me jetue me ta!”

25 Qershor 1925 Shugurohet Meshtar i pesti klerik i Familjes Prennushi në Shek. XX, Don Kolec PRENNUSHI, mbasi pat perfundue studimet në Linz Austri.

13 Qershor 1944 Bekohet Kisha e Françeskanve të Tiranës nga At Anton Harapi O.F.M.

5 Qershor 1945 arrestohet në Plan të Dukagjinit nga sigurimi i shtetit At A Harapi…

15 Qershor 1945 At Mati Prennushi dergon nder Malsi klerikët At Mëhill Miraj, At Filip Mazrrekun, At Leon Kabashin, At Gjon Shllakun dhe At Daniel Gjeçaj…

21 qershor 1945 arrestohet xhakoni Fra Gjergj VATA dhe fillon Kalvarin e pafund…

13 Qershor 1946 forcat e Ndjekjes vrane Mark Gjomarkun dhe Ndue Pjetrin në Prosek të Kthellës së Mirditës… Kjo ishte faza e parë e shkatrrimit Mirditës.

20 Qershor 1947 arrestohet Don Zef SHTUFI edhe pse ishte antifashist. Torturohet nga kriminelët e sigurimit po nuk pranon akuzat. Bani tri vjet burg dhe vdiq në 1950.

10 Qershor 1951 Arrestohet Don Nikoll GJINI (1911 – 1987) Nuk firmoi “Statutin e Kishës së 1950” perpilue nga shteti, vdes në burg në kampin e shfarosjes Zejmen  1987.

5 Qershor 1957 Vdes At Pal Çiurçija (1878 – 1957) Ishte nder ma të kulturuemit Klerikë, po edhe nder ma pak të shpjegueshmit per popullin Shqiptar per vuejtjet e Tija.

13 Qershor 1967 arrestohet Alfons RADOVANI e denohet 10 vjet burg se beson në Zotin.

29 Qershor 1967: U mbyll edhe Kisha e “Zemrës së Krishtit” në Tiranë.

11 Qershor 1970 arrestohet Don Shtjefen Kurti dhe pushkatohet se ka Pagzue një fëmij.

9 Qershor 1973 Inaugurohet Muzeu Ateist në Shkoder: “I Vetmi në Botë”…

7 Qershor 1978 Don Ndoc VOLAJ nga Shiroka Shugurohet Meshtar (1924 – 1995).

11 Qershor… Kongresi i BGSH në Pallatin e Sportit Shkoder… Enver Hoxha doli nga ai kongres dhe iku me “urimet e Popullit” dhe, nuk erdhi kurrma në Shkoder…

12 Qershor 1991 Kongresi i 10 i PPSh…Mbas takimit në Venecia dhe Katovicë…

Loja e këthimi në Parti Socialiste.., dhe “qendresa komuniste para RILINDJES”…

Melbourne Qershor 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, konferenca e Paqes, Paris

“Populizmi”, nji hap në rrugën drejt “fashizmit”

May 30, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212 Nga  Sami Repishti, Ph.D./

Në nji Editorial “Cili ashtë problemi i Europës?“(The N. Y.Times 22 maj 2018) nobelisti në ekonomi, Profesor Paul Krugman, i Universitetit Princeton, shkruente:  ”Në se ju duhet me identifikue nji vend dhe nji kohë ku dhe kur andrrat tona humanitare – vizioni i nji shoqënie që ofron jetë me dinjitet për të gjithë anëtarët e saj- u plotësuen aq shumë, ky vend dhe kjo kohë pa dyshim do të ishin Kontinenti Europian dhe gjashtë dekadat e mbas L2B. Ka qenë nji nga mrekullitë e historisë: nji kontinent, që njohu shkatërrime masive të cilat sollën diktaturat, gjenocidin, dhe konfliktet ushtarake, u tranformue në nji model të demokracisë, dhe të properitetit ekonomik të shpërndamë me zemërgjanësi”.

Europa filloi reformat shoqënore që në shekullin 19. Në Britaninë e Madhe. legjislacioni për klasën punëtore, në Francë me arsimin e përgjithshëm cilësor, në Gjermani me sigurimet shëndetsore që në vitin 1881 nga kancelari Bismarck, e të tjera. Europa e re e tronditun nga luftat e vazhdueshme përforcoi pozitat e kujdesit shëndetsor për popullsinë që pruni zgjatjen e jetës, pakësimin e vorfënisë, rritjen e pagave në nivele njerëzore, dhe pruni paqën, stabilitetin (80 vjet Europë pa luftë!) bashkëpunimin dhe mbrojtjen kolektive, në mes tjerash.

Sot, kjo “mrekulli e historisë” kërcënohet seriozisht nga “forcat e errëta”, jo liberale që lindën nga keqësimi i gjendjes ekonomike europiane, dhe u ashpërsuen nga efekti negativ i konservatizmit politik në SHBA, me presidentin D.J.Trump.

Gabimet e së kaluemes krijuen konditat e sotme. Në Europë, vendimi për krijimin e “euro-s” si monedhë europiane e përbashket, pruni nji atmosferë euforike, të shoqënueme nga shpenzime të pajustifikueshme që ndihmuen shumë në zhvillimin ekonomik të disa vendeve, krahas me korrupsionin. Koncentrimi i pushtetit ekonomik europian në Bruxelles, shkaktoi dobësimin e politikës financiare të pavarun të shteteve anëtare. Kur kriza ekonomike filloi të përhapej, shumë shtete nuk ishin në gjendje me përballue nevojën e marrjes së masave qeveritare të nevojshme, sepse vendimet merreshin me aprovimin e organeve të Bruxelles-it. Shtete si Italia, Spanja, Portugali, Greqia u gjetën në nji pozitë të vështirë ndaj kërkesave për nji politikë austeriteti, dhe u banë viktima të nji krize që damtoi randë jetën e tyne të përditëshme dhe perspektivat për nji zhvillim ma të tejshëm në të ardhmen. Papunësia u rrit, dhe bashkë me atë pakënaqsia e masava në nevojë ndihme qeveritare që nuk mund të vinte. Disa vende, si Islanda dhe Polonia që nuk pranuen euron si monedhë, u gjetën në nji situatë ma të mirë për rindërtimin e ekonomisë, sepse tue çvlerësue monedhën, u rritën eksportet dhe krijuen fonde që ndihmuen rindërtimin.

Ramja ekonomike, dhe papunësia e krijueme ngjallën moskënaqsinë e përgjithëshme popullore, dhe në atmosferën e re rezultoi fitorja politike e së djathtës ekstreme me frymë anti-europiane: në Itali (me fitoren e lëvizjes “cinque stelle”) në Poloni, ku Partia Ligjë e Drejtësi –PiS- ka mbushë gjykatat, neglizhue mediat publike dhe pothuejse monopolizue administratën me anëtarë të Partisë, dhe në Hungari ku kryeministri V.Orban shfrytëzon shoqëninë civile dhe abuzon fondet e shtetit dhe të BE me pasunue oligarkët që e përkrahin, dhe ku marshi i forcave të errëta rrezikon rrëshqitjen në “fashizëm”. Në Rumani udhëheqsit kanë dobësue ligjët kundër korrupsionit që rrezikon me i gëlltitë.

Në qarqet intelektuale europiane u krijue dyshimi se varja e ekonomive lokale nga qendra europiane në Bruxelles mund të ishte “shkaku” e jo “sherimi” i problemeve që ballafaqojmë! Në raste të vendeve ku historia peshon randë –si ishte rasti i Britanisë së Madhe, “perandoria botënore”,- nënshtrimi ndaj “zyrtarëve të Bruxelles-it” ishte nji përulje që shkaktoi pakënaqësi të thellë. Kjo spjegon daljen nga Bashkimi Europian i Britanisë së Madhe, i njohun si fenomeni “Brexit”. Si rrjedhim, thyhet uniteti europian, dhe shkelën disa nga vlerat morale të B.E. kryesisht emigracioni ekonomik i lirë dhe solidariteti me refugjatët që ikin nga vdekja…!

Europa përballohet me “forcat e zeza” që rezistojnë demokracinë. Hapi i parë ashtë krijimi de facto, i hapët ose i mshehun, i qeverive që dominohen nga nji parti e vetme politike. Cinikët në vende të ndryshme flisnin për këte zhvillim thellësisht të padëshirueshëm. “Tashti që Europa e Lindjes u çlirue nga ideologjia e huej politike, komunizmi, ka mundësi të kthehet në rrugën që ka nderperë, ne fashizëm”. Edhe në SHBA –shkruen nobelisti Krugman- “sot praktikisht sundohemi nga nji parti politike që ka shumë pak respekt për normat demokratike, ose sundimin e ligjit!”. Kjo gjendje quhet “populizëm” (në SHBA edhe “trampizëm”) – premtime të pa sprovueme për zgjidhjen e problemeve serioze, premtime me zgjidhë hallet e popullit të thjeshtë, shoqënue edhe me kufizimin e të drejtave qytetare të garantueme me kushtetutën – qendrime që përfundojnë në neo-fashizëm. Ata u mundësuen nga diskreditimi i nji elite politike, dhe nga dalja e vrullëshme në skenë e “hijeve të zeza”. Ky zhvillim frikëson!

******

‘Fashizmi”, përshkruhet nga Profesor N.O’Sullivan si“….nji doktrinë që kombinon ‘nacionalizmin’ etnik me pikëpamjen totalitariste, se shteti duhet të kontrollojë të gjithë aspektet e jetës shoqënore. Fashizmi kundërshton ‘liberalizmin’, lirinë personale, dhe ngulë kambë që plotësimi i dëshirave tona duhet t’i nënshtrohet (kërkesave) të shtetit, e jo e kundërta – ose (kërkesave të komunizmit) identitetit klasor dhe aspiratave që kërcënojnë unitetin e shtetit….Autoritetet politike e kulturale asimilohen dhe identikohen me ‘vullnetin kombëtar’, i cili artikulohet nga nji “udhëheqës’ (Duce!) kombëtar që koncepton detyrën e vet si nji mision me pengue degradimin kombëtar.” (“Fascism”, London,1983)

Preokupimi i jonë i madh dhe zhvillimet politike që dëshmojmë shkaktohen nga fakti se në opinionin e gjanë të botës demokratike nuk mund të injorojmë “stuhinë” që grumullohet për rreth nesh. Parasiti “fashist” sot paraqitet nepërmjet nji kërcënimi që nuk e kemi pa që nga vitet e mbas L2B. Lista e zhvillimeve shqetësuese ashtë e gjatë: përpjekjet e njimbasnjishme të partive në fuqi me grabitë autoritetin shtetnor, në Hungari, Poloni, Filipine, Turqi, vende aleate të SHBA-se.

Por edhe në SHBA fryma e urrejtjes, që zakonisht shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë, zhvillohet vazhdimisht, me rezultate që mund të tregohen si katastrofike. Lëvizja nativiste e Presidentit Trump “America first!” ashtë në të vertetë nji kërcënim serioz për paqën në botë, dhe infrastrukturën ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe mbrojtjes kolektive.

Në Federatën Ruse despotizmi i Presidentit Putin lulëzon. Rezultatet e shumëta i shohim në okupacionin e Krimesë, infiltrimin e “rebelëve” rusë në Ukrainë, nxitjen dhe përkrahjen e kriminelit Asad në Siri, dhe sidomos në ndërhymjen brutale të vitit 2016 në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, nji lëkundje e fortë politike që vazhdon pa ndërpremje edhe sot. Shtypi ndërkombëtar thekson tashti edhe presionin rus në gadishullin ballkanik në përpjekjet e veta me zevendsue tërheqjen strategjike të SHBA-së nga ky gadishull.

Sot, SHBA janë ba objekt kritikash të hapuna për shkeljen e të drejtave të njeriut me ligjët e reja të emigracionit, dhe anulimin e njianëshëm të marrëveshjeve të arrituna ma parë, për “politizimin” e veprimeve qeveritare pa asnji shqetësim për damin e madh që i bahet shoqënisë- veçanërisht rinisë- amerikane. Me ushqimin e “mitit” të invincibilitetit amerikan shpenzohen miliarda dollarë për armatimet dhe kërcënimet që rrezikojnë konfliktin e qellimshëm ose aksidental.

Në ballafaqim me këte “rrezik” publiku përparimtar amerikan përdorë mbrojtjen e së vërtetës, shtypin e lirë si mbrojtës të popullsisë, forcimin e parimit që asnjeri –tue përfshi edhe vetë presidentin- nuk ashtë përmbi ligjin; dhe, me shumë randësi, kërkon nga çdo qytetar amerikan “pjesëmarrjen’ në procesin demokratik pa u dekurajue, sidomos pjesëmarrjen në votimet lokale dhe kombëtare.

Ky qendrim përjashton aksionin e dhunëshëm!

Sot, në SHBA populli amerikan tregon pjekuninë e vet politike, dhe konfirmon besimin në të ardhmen demokratike të këtij vendi. Amerika ashtë nji vend ku populli, me origjinët ma të ndryshme, punon së bashku për të mirën e përgjithëshme, për mbrojtjen e të drejtave për të gjithë, dhe për sigurimin e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Ky ashtë “the American exceptionalism”, shpesh i keqinterpretuem, por nji model për të gjithë popujt e botës që andrrojnë nji jetë të lirë dhe me dinjitet, për të gjithë ata që kundërshtojnë sundimin e nji partie ose të nji njeriu të vetëm që mashtron i mbështjellun me rrobe demokratike…!

*****

Zhvillimet politike në Europë- kryesisht në Hungari e Poloni – kanë prodhue dy sisteme hibride. Në dy shtetet nuk ka polici sekrete. Qarkullimi i qytetarëve ashtë i lirë. Kapitali i huej hynë në të dy vendet. Por as Hungaria as Polonia nuk mund të quhen “vende demokratike”, sepse demokracia e tyne ashtë “illiberale”, pa frymën e lirisë. Dora e udhëheqësve politikë, ashtë e randë nga qendrimi ultra-konservativ i partive politike në fuqi. Ky zhvillim u ba i mundun në dy vende që u dalluen për qendrimin e tyne heroik kundër diktaturës së kuqe, me sakrifica të mëdha. Pa dyshim, nji ironi e historisë që do të mbetet si shembull i mundësive të pakufizueme që paraqiten në jetën politike të vendeve tona- edhe në Shqipëri! Ky zhvillim politik tregon se edhe në Shqipëri “…po humbasim zakonin- ndoshta edhe aftësinë- me ba dallimin në mes të realitetit dhe zbrazëtisë. Ky ashtë faktori që vështirson shumë rimbëkamjen” me citue nji shprehje të Masha Gessen.

Sot, në vendin tonë, PD-ja që përfaqsoi kundërshtimin popullor ndaj PPSH-së në fillim dhe ndaj PS ma vonë, dhe premtoi nji Shqipëri me “liri dhe demokraci”, nji “Shqipëri si e gjithë Europa” ashtë reduktue në nji grup “politikanësh” qellim-mirë ndoshta, por pa eksperiencë, pa sensin e përgjegjsisë, e pa aftë me dalë nga “dara socialiste” që e mban të gozhdueme në vend…në karriket e Kuvendit, nji minoritet aty ku vendimet merren nga “shumica” pa respekt për pakicën dhe fjalën e saj; dhe akoma ma keq, pa bindjen se “politika ashtë në esencë kompromis”, dhe se vendimet merren me debate të nderëshme dhe argumentime profesionale nga të dy palët. Ndërsa PS ka humbë vlerën e saj “socialiste” e komprometueme randë me “pasunimin” e saj nga elementë neo-komunistë që gëzojnë mbështetjen e plotë të PS.

Grindjet e vazhdueshme, zhurmëmëdha e pa substancë, kanë krijue nji kakofoni që nuk shërben asnjenën palë. Probleme serioze për jetën e vendit si korrupsioni që nga koka deri në kambë, zhvillimi i shfrenuem i drogës dhe efektet katastrofale të saj për familjen shqiptare, papunësia dërmuese sidomos në zonat malore të vendit dhe vorfënia masive (qe ajo krijon!) ramja e prestigjit tonë kombëtar, udhëheqës që nuk frymëzojnë as lejojnë me shpresue për nji përmirësim të mirëfilltë të gjendjes, dhe dekurajimi i masave do të krijojnë konditat e nevojshme për nji reagim –kam frikë!- violent, dhe daljen në skenë të “hijeve të zeza, ose të kuqe” me mendimet  e qellimet e tyne, të zeza ose të kuqe, si këmishat e zemrat e tyne, të zeza ose të kuqe…..!

Dhe kjo ashtë krejtësisht e mundun, sepse “elita politike” që ashtë krijue në vendin tonë ashtë diskreditue randë si entitet politik pa program e pa vullnet. “Jepi popullit punë, dhe shpresë!” përfundonte këto ditë ish KM i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai shtonte: ”Organizoni aksione të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta; fraksionalizmi në politikë ashte i destinuem me dështue”.

Sot ma shumë se kurrë, në Shqipëri duhet përjashtue zemrimi që shpesh sjellë diversiteti i mendimit; sot, ma shumë se kurrë na duhen përgjigje që kërkohen për pyetjet e shumëta nga të katër anët e vendit. Premtime që nuk mund të mbahen për zgjidhjen e shqetësimeve të popullit të thjeshtë, krijojnë probleme edhe ma të mëdha, ndoshta zgjidhje të përkohëshme, por përfundojnë pa përjashtim në nji zemrim popullor kundër “elitave” të vendit. Trazina shoqënore nuk duhet të kenë vend në Shqiperi.

Konflikti në mes të vlerave tradicionale të demokracisë liberale perendimore, dhe forcave të reja të autoritarizmit, mostolerancës dhe nacionalizmit etnik, ashtë sot sfida e madhe botnore.

Ne shqiptarët, mesazhi i Presidentit francez E. Macron na ngrohë, sidomos në këto ditë  kur shpresohet se hymja e Shqipërisë në Bashkimin Europian po afrohet. Le ta presim me krahë hapët.:

“Nuk dëshiroj me qenë pjesë e breznisë që flen me sy hapun e që ka harrue të kaluemen e vet. Unë dëshiroj me qenë pjesëtar i breznisë që ka vendosë me mbrojtë me fuqi demokracinë…Po! Ashtë e vertetë se këto janë ditë të vështira, por demokracia europiane ashtë shansi i jonë ma i mirë.”

Europa ashtë shtëpia e jonë! Bashkimi Europian ashtë, simbas udhëheqësve shqiptarë, “…instrumenti i vetëm me modernizue dhe me rindërtue shtetet dhe institucionet”, deklaronte kryministri Rama. Kush tjetër njeh ma mirë problemet tona se ata që as ndërtuen shtetin as institucionet tona që akoma sot nuk funksionojnë?

Por para se të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet të edukojmë “europianët shqiptarë” me mendue e me veprue si europianët e Schuman-it në Europë.

Filed Under: Histori Tagged With: Europa, Ph.D, Populizmi, Sami repishti, shqiptaret

MBI ORIGJINËN PELLAZGE TË SHQIPTARËVE

May 27, 2018 by dgreca

LIBRI I 1829 / RRËFIMI I ETNOLOGUT WILLIAM FREDERIC EDWARDS MBI ORIGJINËN PELLAZGE TË SHQIPTARËVE/1 Libri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Maj 2018/

Në librin me titull “Caractères physiologiques des Races humaines considérés dans leurs rapports avec l’histoire, lettre a M. Amédée Thierry”, të etnologut William Frederic Edwards (1777-1842), botuar në Paris në vitin 1829, gjejmë një përshkrim të veçantë të autorit në lidhje me origjinën pellazge të shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :“…Nga dy tipet (pellazgë dhe helenë) që kemi folur, është e sigurt se i pari është i pastër; ndërsa për të dytin, jo. Ky mund të jetë rezultat i një përzierjeje të të parit me një tjetër, i panjohur për ne, sepse nuk më duket mjaft elegant (uniform) apo origjinal. Duhet të kërkohet në të gjithë Greqinë duke i dhënë këtij emri kuptim më të gjerë.

Një popull gjendet aty (në Greqi) që nuk është studiuar mjaftueshëm. Ai flet gjuhën e tij; ne nuk e dimë prej nga erdhi, as kur u vendos aty; të paktën unë nuk kam qenë në gjendje të mësoj asgjë nga ata që ishin më të arsimuar.Në disa aspekte, shqiptarët janë në Greqi ashtu siç janë baskët në të dyja anët e Pirenejeve, bretonët në Francë, galët (uellsianët) në Angli, dhe ata që flasin gjuhën « erse » në Skoci dhe Irlandë, një ‘mbetje’ banorësh të lashtë.Pse të mos i konsiderojmë si të tillë, nëse është e vërtetë që nuk gjejmë asnjë gjurmë të origjinës së tyre të huaj qoftë në traditat e tyre, në histori, apo në krahasimin e gjuhëve ?

Pse të mos jenë pasardhësit e Pellazgëve ? Kam parë shqiptarë në Venedik, madje edhe i kam pikturuar (vizatuar) ; por unë nuk do të përpiqem të vë në dukje idetë që më kanë sugjeruar, se unë nuk e di nëse kam parë tipin karakteristik të këtij populli, dhe nëse informacionet e origjinës së tyre që unë sapo kam sjellë janë të vërteta apo iluzione.

Le të shpresojmë që shkencëtarët e dërguar në të dy vendet, që kanë qenë vatrat e para të rilindjes në Evropë, do të ndërrmarin nisma të reja ekspeditash shkencore, të cilat do të rivalizojnë me ato të lundruesve, në lidhje me përcaktimin e saktë të llojeve të racave njerëzore…”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Edwards, Origjina Pellazge, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 347
  • 348
  • 349
  • 350
  • 351
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT