• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PRINCESHA VLORA”, FILANTROPIA AMERIKANE

April 30, 2018 by dgreca

Cila ishte filantropia amerikane   e quajtur :”Princesha Vlora”,që për 4 vjet e 6 muaj ishet e martuar me beun shqiptar/

 Princesse Vlora

Nga Gëzim Llojdia/

 1.Vështrojeni këtë foto të bukur të një princeshe shqiptare pak të njohur , që  Get image  e ruan në arkivin e vet të  vitit 1927,tregon një filantrope amerikane  veshur me një pallto të kohës me një kapuç  në kokë ,ndërkaq që dy duart e saj  janë të lidhura krahas,njëra-tjetrës.Kjo bukuroshe  është Helen Margaret Kelly (1884-1952) filantrope amerikane,  mirëpo njihej edhe si:konteshë de Graffenried de Villars, atëherë princesha Vlora  e Shqipërisë.

2.Renditet me  një biografi të  pasur martesash. Biografia e konteshës amerikane e quajtur :”Princesha  Vlora”.Ajo ka lindur në vitin 1884.Ishte mbesa e Eugene Kelly, një bankier i pasur.Martesat e saj fillojnë në vitin 1901.Ishte vecse 17 vjece.Kështu pra në këtë moshë në 1 dhjetor të vitit  1901, ajo u martua me Frank Jay Gould. Ata kishin dy bija binjake, Helen Gould dhe Dorothy Gould (1904-69), por u divorcuan në vitin 1908.

Wichita Daily Times, Wichita Falls, Texas, shkruante: “Frank Jay Gould dhe gruaja e tij që ishte Helen Margaret Kelly janë ndarë dhe  tha se zonja Gould ka sjellë veprime në kërkim të një ndarjeje ligjore. Xhelozia nga ana e z. Gould, për shkak, siç thuhet, në e pagoi zonjën Gould, e cila është një grua e bukur, e cilësuar nga burra të tjerë.
Në vitin 1910, ajo u martua me Ralph Hill Thomas (c1870-1914) president i kompanisë amerikane të rafinimit të sheqerit.
Më 20 qershor 1917, martohet me  Princin Houreddin(Nuredin ) Vlora nga Shqipëria (që i përkiste dinastisë shqiptare të Vlorës), ata u divorcuan në vitin 1922.Ajo u martua me burrin e saj të katërt, Oscar M. Burke, president i kompanisë së sapunit Manhattan, më 4 janar 1926.Ajo vdiq më 2 gusht 1952 në Francë.

3.Kush ishte burri shqiptar i princesësh amerikane? Nuredin bej Vlora (Lindur në Stamboll, 1889 – Heidelberg,vdekur në  23 tetor 1964) ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, kryetar i bashkisë  Vlore  dhe themelues e drejtues i  Ballit Kombetar. Lindi në Stamboll, pinjoll i oxhakut të Vlorajve , i biri i Mehmet Ferit Pashes  dhe Refet Hanëm Libohovës.

Gjatë viteve të lëvizjes dhe kryengritjes së Shqipërisë së Mesme. Në krye të vullnetarëve vlonjatë – lëvizje ndër të cilat njohu edhe Ali Këlcyrën, me të cilin do të ishte mik tërë jetën – rrezikoi bindshëm qëndrimin e të ashtuquajturës qeveri të Epirit në Gjirokaster.Në vitet e Luftës së Parë Botërore u vendos në Evropë dhe më 1917 u martua me amerikanen Helen Margret Kelly (1884-1952). Më pas shkoi në ShBA dhe në maj të vitit 1918 u zgjodh anëtar i Kryesisë dhe kryetar nderi i Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, kryetar i së cilës ishte patrioti  Kristo Dako. E përfaqësoi këtë parti në Konferencën e Paqes.

Përshëndeti Triumfin e Legalitetit, kur Zogu u kthye në dhjetor pas dështimit tëLevizjes se Qershorit . Më 1925 Nuredin bej Vlora u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Vlorës, ku u dallua për kontributin e tij në zhvillimin e qytetit, falë shumë veprave novatore. Me interesimin e tij, u hap Shkolla Tregtare Italiane në Vlorë.

Pas përfundimit të mandatit u vendos në Paris dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1935, vit në të cilin u arrestua si i dyshuar në organizimin e Kryengritje te Fierit dhe u dënua me vdekje. Për të u interesua baroni Aloisi. Bën pjesë në Komitetin Qendror të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, pararendësja e Ballit Kombëtar.

Është bashkë firmosës me Ali Këlcyrën i protokollit e armëpushimit me gjeneralin Dalmazzo. Kryesoi 1,700 vetët e Ballit që shkuan në shpëtim të Këlcyrës kur këtë e kishin zënë dhe mbajtur peng .U largua me tërheqjen e trupave gjermane. Me dekret nr. 2205, datë 5.1.1956, të Kuvendit Popullor, në numrin rendor 139, është shënuar emri i Nuredin bej Vlorës i shpallur armik populli dhe që i ndalohej hyrja në Shqipëri. Ndërroi jetë në Heidelberg, Gjermani.Martesa me princeshën e huaj:E martuar : 20 qershor 1917 – 1922, 4 vjet, 6 muaj.

Filed Under: Histori Tagged With: amerikanja, Gezim Llojdia, Nuredin Vlora, princesha e Vlores

KUJTESE-NDODHI ME 29 PRILL NE INSTITUTIN PEDAGOGJIK….

April 28, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

INSTITUTI  PEDAGOGJIK SHKODER ME  29 PRILL 1967, ORA 17.00…/

AI  FITOI !

Ditë e paharrueshme në historinë e qytetit të Rozafës së thinjun…Ashtu ndodhi, si kishte parashikue At Mëshkalla. Atë ditë u organizue një mbledhje e Frontit të Lagjës “Tre Heronjë”, në Institutin Pedagogjik Shkoder, për “demaskimin” e veprimtarisë fetare të klerikut At Pjetër Mëshkalla. Kishte tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh, që silleshin rreth shtëpisë së Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mërrijtë në mbledhje në orën e caktueme qysh në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin: “Në mbledhje je nisur?” dhe, Ai i përgjegjet –“Po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa. Në sallë nuk hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të “porositurit” që do të flisnin si dhe duertrokitësit e njohun ndër këto mbledhje të Gjenocidit të vertetë.

Hymja e At Mëshkallës në sallë u kuptue nga heshtja që ra aty, po edhe nga ata që ishin jashtë në rrugë, mbasi në altoparlant u dëgjuen fjalët: “Qetësi, shokë, …qetësi!”. Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala, sigurisht, i zgjedhun nga Partia, dhe mbas tij vazhduen diskutantët e përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimet e fyemjet e përgatituna nga mendjet e “ndritura” të pseudointelektualëve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja drejtohej nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluen mbas tij diskutimet e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe At Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati. Ky ishte i porsazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet.

Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi që u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën dhe e përgëzoi Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të At Mëshkallës. U “duartrokitën” edhe diskutimet e Luçije Gerës, Dedë Kullës, Mandica Jovani  etj. Nga salla u ndigjue zani i Vasil Kafesë dhe Xhemal Dinit, që pyeti At Mëshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” – At Mëshkalla, me qetësinë e Tij, iu përgjegj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”…

Asht kërkue me folë aty edhe mjeku KolëPepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanëpranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues At Mëshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse, nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tem”. Për të dy Xhemal Dini, sekretar i Komitetit tëPartisë, ka njoftue Degën e Mbrendshme: “Me pasë në kujdes qendrimine tyre…”.

Për me formulue akuzën ndër këto mbledhje u jepej fjala edhe klerikëve, që nesër me thanë: “E dëgjuat se çfarë tha kundër Pushtetit? Ne nuk arrëstojmë njeri pa fakte!”, dhe kështu u veprue aty edhe me At Mëshkallën. Kryetari i dha të drejtën e fjalës.

Ai doli para auditorit dhe porsa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:

  • “Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë njëherë para popullit me altoparlanta!

Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë…me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!… Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni…

Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse të gjithë njerëzit janë të lidhunpër kafshatën e gojës…Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi…

Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX… Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri Feje e ndërgjegje….Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht marrë nga z. Nikolin Muzhani 1991).

U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” – At Mëshkalla Ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e forcohet!

Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam le kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prind Shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quejtën edhe Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar, mandej kam marrë Sakramendet tjera dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkamësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar dhe derisa të vdes do të jem SHQIPTAR!

Unë i përkas Popullin tem, se ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai  mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”…

Nga vendët e para u çue në kambë xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Punve të Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Parase të hynte At Mëshkalla në gjips të Sigurimit që priste tek dera, Xheudet krimineli e shtyni me shqelm…

Mbas Gjetsemanit përsëri Kalvar,…. Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohej e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për sëgjalli, mbytej e pushkatohej, tretej nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep, e askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”!

Shikonte Europa… e bante sehir! Ndokush… edhe zgërdhihej!..

Pak ditë para se të arrëstohej At Mëshkalla, shkoi në një familje dhe porsa hyni në atë shtëpi, plaka që po mbante një nip të vogël (L.K.L.) në dhomë, i tha: “Qyqja, mor Padër, nuk di si flet kështu kundër këtyne, sa mirënuk ke frikë… Sa trim je !?…”

– Ai ju përgjegj: “Unë nuk jam trim, po unë po të pyes dishka, ba me ardhë dikush e me të thye shtëpinë dhe me kërkue me të marrë djalin e vogël, shka ban ti?” –“Prite Zot!…”-tha plaka- “as unë nuk e di shka baj për këtëdjalë!…”

 –“E pra, kështu asht edhe puna eme, komunistët duen me më marrë Krishtin, që unë e kam në shpirt e në zemër, unë nuk do t’ ua lëshoj për sëgjalli!”.

Kësaj fjalë Ai i qëndroi deri në fund…

***

30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit.

19 korrik 1967. Ditë e nxehtë si ditët e korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë”, pra me plasë edhe guri nga nxehtësia. Hapet gjyqi dhe jepet vendimi me 10 vjet heqje lirije, punëtëdetyrueshme dhe konfiskim të pasunisë…

At Mëshkalla iu afrue mikrofonit, rregulloi koletin e këmishës dhe tha fjalën e fundit:

“Ju më dënoni sa të doni mbasi mue nuk keni shka më bani. Unë prapseprap do të dal sepse ju, shpejtë keni me mbarue mbasi shoshojnë keni me hanger e aty, asht fundi i juej. Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!” (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998).

Prof. Arshi Pipa shkruan për At Mëshkallën: “…Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”. 

At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë.

Ai  pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe Atij nuk patën shka me i ba.

Ai dhe Ideali i Tij FITOI !

            Melbourne, Prill 2018

Ne Foto:AT PJETER MESHKALLA S.J.  (Grafikë nga F.RADOVANI)

 

Filed Under: Histori Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Demaskimi, Fritz radovani, Instituti Pedagogjik Shkoder

25 VJET, PAPA GJON PALI II TEK GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU

April 25, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1 Gjon Pali Koliqi Kard

PAPA GJON PALI II ME KARDINAL KOLIQIN/

“Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni…”..

25 Prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, po hynte fitimtar në Katedralen e rindertueme të Shkodres, ditë në të cilen Ai puthi Token Shqiptare, Token e rijtun në shekuj me gjakun e Shenjtë të mija Martirëve Shqiptarë, e së fundit të ramë nën shpaten  komuniste e barbare. Na dukej e pabesueshme se jemi tue pa me sy Burrin ma të madh të Shekullit që me doren e Tij, po na bekonte e po na ringjallte Fenë në zemrat tona!Ishte po, Ai Papë, që në qershorin e vitit 1991, Burrnisht kishte refuzue kerkesen e tradhëtarit dhe zbatuesit të “Revolucionit Kultural” Ramiz Alia, në vitin 1967 në Shkoder, per me vizitue Vatikanin, me shpresë mashtrimi per me ruejtë postin e presidentit.

Ishte Ai Papë që porsa mërrijti i dhuroi Qytetit të Shkodres Fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë dhe e vendosi me doren e Tij, tue e bekue Gurin e rindertimit të Kishës së Zojës brijë Kalasë Rozafat, për të treten herë e shkatrrueme mbas 1967 nga anadollakët. Mesazhi i Tij ishte: “T’i kthehet vendit dhe Popullit Tuej paqa, një jetë ma e mirë dhe zhvillimi social simbas traditave njerzore e fetare të kësaj tokë” (26 Prill, Vatikan).

Ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë atje për lëvizjet demokratike deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue atje për Lirinë e Atdheut tim!”

Papa Gjon Pali II asht njohësi ma i saktë i Shqipnisë robnueme komuniste dhe per këte t’i referohemi Atij: “Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllazënor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve, u sjellë një përshëndetje të përzemërt…Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore e shpirtnore.

Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar…

Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.

Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?

Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e katakombëve të lashta kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat.

Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste…

Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo, rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”.

Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja, nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv…

Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për shtet i cili në emën të një feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerzoria”, liria e tyne…

Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë!

Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë. Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju, ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e Fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo, asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet.

Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka përshka ti trembemi asnjë shrregullimi njerzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja, asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.

Liria  e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit, dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv…

Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Endè ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh.

Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës.E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdrueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ u garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për t’ a konsolidue demokracinë tuej të ré.Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia… ” (25 Prill 1993, Në sheshin Skenderbeu, Tiranë).

***

Dhe unë, po persëris: “Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni…Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë! ”

Melbourne, 25 Prill 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Kastrioti, Papa Gjon Pali II

APEL: PO ZHDUKEN SHPIFSIT PA KERKUE FALJE !

April 23, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 1 fritz

IMZOT ERNESTO ÇOBA(1913 – 1980)/

 * 1913 KUR SHKODRA RRAHEJ ME TOPA NGA MALI I ZI…/

  • 16 SHKURT 1913: U LE IMZOT ERNESTO ÇOBA NË VAUN E DEJËS…/

Jo larg nga Kisha ku asht kenë kunorzue Gjergj Kastrioti, besnik i të cilit Imz. Çoba ka qendrue deri në vdekje, edhe pse gjithë jeta i kaloi nen armët e pushtuesve gjaksorë.  Asht shugurue Meshtar në vitin 1936 në Kishen e Jezuitëve. Në 1946 asht me detyra pranë Argjipeshkvisë së Shkodres, deri me 20 Prill 1952 që shugurohet Ipeshkëv nga Imzot Bernardin Shllaku, të cilin e zevendson mbas vdekjes së Tij me 21 Mars 1967, kur me “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” të vitit 1951, Ai emnohet Kryetar i Kishës.

7 Prill 1858 ishte dita e vumjes së gurit të parë të Kishës Kathedrale të Shkodres, kur Imzot Ernesto Çoba filloi detyrën në pragun e 100 vjetorit të Asaj Kishë, që asht thirrë Kisha e Madhe. Merita e pergatitjes së asaj festë i përket Imzot Çobës, i cili me punën e madhe të Tij dhe kujtimin që ka lanë në historinë e Shkodres, do të thohet pa mdyshje se asht i paharrueshëm në zbukurimin e Kishës dhe zhvillimin e ceremonive të Festës. Imzot Çoba ka dy merita për punën artistike që u ba në ndertimin e Elterit të madh simbas projektit të arkitektit, piktorit dhe skulptorit Kol Idromeno, që kishte dhe lidhje fisnore me Imzot Ernesto Çobën, vepër që lidhej me tavanin e mbrekullueshëm të Kathedralës që ishte punue nga vetë Kola. Njëkohësisht sfondi i Elterit i punuem nga piktori At Leon Kabashi, kuadri i madh i vendosjes së gurit të parë nga piktori Simon Rrota, punimi i katekizmit ndër shtyllat e Kishës, për mungesën që dihet se nuk mund të botohej asgja për me mësue besimin fëmijët e rinia, janë vepra që meritojnë me u quejtë dinjitoze dhe shumë të guximshme tue dijtë edhe luftën e madhe që i bahej Kishës dhe Klerit nga shteti fanatik komunist i Tiranës. Por Imzot Çoba nuk mjaftohet me kaq, Ai njëkohësisht pergatitë në kushte private, përndjekje dhe survejimi disa klerikë të rijë, në një kohë që nuk ka as seminar, as profesora dhe as tekstet e nevojshme që duhen për atë qellim. Ai shuguroi: Don Simon Jubani, Don Matish Lisna, Don Martin Trushi, Don Ernest Troshani, Don Zef Simoni, Don Ndoc Nogaj, Don Luigj Kçira, Don Ndoc Volaj, Don Kolec Toni etj. si dhe dy Martirët e Kishës Don Marin Shkurti e Don Mikel Beltoja, që u pushkatuen nga komunistët tue lanë vetën të perjetshëm në Historinë e Kishës Katolike në Shqipninë e masakrueme. Imzot Çoba thonte meshë e sakramend, rrëfente, predikonte fenë dhe gjindëj kudo në rrugicat e qytetit tue shkue me kungue të sëmurët apo të pamujtunit me shkue ndër Kisha që survejoheshin nga shteti e sigurimi, e që tue u rrezikue puna rrezikohej buka e gojës.

Kjo luftë sa vjen dhe bahet ma barbare me “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural”, që merr edhe pamjen e plotë të diktaturës terroriste komuniste me 19 Mars 1967, ku shteti merr çelsat e Kishës Kathedrale, tue i mbyllë të gjitha Kishat e vendit me dhunë.

Me mbylljën e Kishave, sigurimi kerkoi me gjetë shpifës në Shkoder, kundër Imz. Çobës dhe disa klerikëve të njohun… Besoj se shkodranët nuk e harrojnë fjalën e Burrneshës muslimane Adile Ashikja, në mbledhjen e lagjes së saj, kur i kërkohej me shpifë kundër Imz. Çobës: “Unë kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai më dha ma shumë se i kerkova….Ju sot, kerkoni që Buken që më fali, me ia shperblye me shpifje! Ai asht kenë dhe mbetët për mue një Meshtar i Nderuem i Fesë Katolike në Shkoder!”

Kur shteti mori edhe çelsat e Argjipeshkvisë, Imzot Çoba ndodhët përballë Sigurimit të Shtetit që përfaqsohet me komunistin servil dhe hipokrit Angjelin Kumrija, në kontrollin që ushtrohet në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Ky dallkauk e spijun arrinë deri aty sa kur kontrollon dhomën e punës së Imzot Çobës, kërkon me ushtrue në mënyrë të paturpëshme kontroll në trupin e Imzotit të Nderuem, tue e detyrue me çveshë pantollonat, se mos ka mshef gja në….dhe, me të drejtë Don Mark Hasi i ka thanë ato ditë Nanës sime: “Ate që na ka ba atë ditë Angjelin Kumrija nuk na e ka ba as Sigurimi i shtetit!” por, kjo nuk ishte vepra e parë e tij si “besnik” ndaj Sigurimit.

Organizohet një mbledhje në vitin 1967, mbas arrestimit të Sekretarit të Kishës, Don Mark Hasit me 7 Prill 1967, tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk mungojnë as shpifsit, dhe as spijunët ordiner të PPSH në ato salla, ku mbas “duertrokitjeve” të tyne, klerikve iu venin prangat xhelatët e Sigurimit të shtetit. Por, krejt ndryshej ndodhë me Imz. Çoben, kur asht pergatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, çohet në kambë shoferi trim Dedë Gjushi dhe, deklaron: “Sot njëkëtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe me të vërtetë “nuk guxoi askush!”. Akti i Dedës tronditi edhe ideatorët e arrestimëve, ndonse “ky emën Hero!” nuk zehet me gojë…(F.R. “Një Monument nën dhé”, fq. 304, v. 2004)

Në shfletimet e proceseve të viteve 1957, 1958 e prap ma vonë, nga deponimet false të At Rrok Gurashit, Don Ndoc Sahatçisë etj., dhe një letrës së shkrueme nga Ndoc Nogaj e Gjon Shllaku, në vitin 1958, kur këta dy largohen nga Argjipeshkvia, (letër e cila ruhet në Arkivin e Shtetit Tiranë e jepet lirisht për me u lexue për “përmbajtjen e saj”), mbi këta akte të turpëshme Sigurimi i shtetit krijon mundësinë e arrestimit të Imzot Çobës, dhe “fajsia e Tij” formulohet mbi bazën e shpifjeve e trillimeve, kështu, flet arresti lëshohet me datën 3 Prill 1976 dhe arrestimi bahet me datën 24 Prill, tue u akuzue për “trathti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor…”. Bashkë me te arrestohen edhe priftën tjerë. Një ndër to asht Don Lec Sahatçija, ish Sekretar i Imz. Frano Gjinit dhe ruejtës i dy letrave të Tija, të cilat me këte rasë zhduken, mbasi Don Leci nuk doli ma nga burgu, vdiq i dënuem 25 vjet, por duhet theksue se Ky prift mbajti qendrim burrnor edhe ndaj Imzot Çobës, gja të cilën të tjerët edhe pse ishin shugurue nga duert e Tija me ndonjë perjashtim, në gjyq nuk e bane, madje, gjatë zhvillimit të gjyqit me dyer të mbylluna edhe e randuene Imzot Çoben me akuza false, për të cilat Ai u dënue 25 vjet burg, por edhe vdiq i pafajshëm i shtrimë ndër çimentot e birucave të qelive të Sigurimit të shtetit. Fjala e Tij në gjyqin kunder Tij, besoj i kujtohet shpifsave:

“Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirtë me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”. (Dosja 3359/1 Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë, 1998). Vetem Ky ishte Imz. E. Çoba!

Imzot Ernesto Çoba me po aq Burrni asht i patundun në bankën e t’akuzuemve para Kryetarit Sheuqet Muçi, anëtarit Xhemal Gramshi dhe prokurorit të “Revolucionit Kultural”, të njohtunit Faik Minarolli. Ja qendrimi i vërtetë i Martirit Çoba, i cili nuk akuzon asnjë njeri, nuk fyen me asnjë fjalë asnjë nga shpifsit, nuk randon asnjë nga dëshmitarët e rremë dhe nuk denoncon asnjë nga veprimet jo të mira ose të dobta të shokve të vet klerikë, që akuzohet se ka heshtë ose nuk ka marrë masa ndeshkimore. Asnjë qytetar apo fshatar i Shkodres nuk asht viktimë e Tij, sëpse Ai, gjenë forca me rezistue dhe mos me folë për asnjë njeri e, mos harroni se zyra e Tij asht kenë e hapun për katolik e musliman të të gjitha monstrave e modeleve të Shkodres. Ai asht i vetdijshëm se ndodhët në atë bankë vetem pse asht Klerik Katolik dhe armik i vëndosun i komunizmit, me të cilin asnjëherë nuk ka ba asnjë kompromis në asnjë kohë. Ai asht i pastër moralisht dhe shpirtnisht para shokve, miqve, armiqve dhe mbarë Popullit Shqiptar, të cilve iu ka sherbye si fetar dhe Shqiptar, prandej edhe me gjakftohtësi pret vendimin e “pafajsisë së Tij” tue Ju nënshtrue vullnetit të Zotit,  edhe pse i dënuem me 25 vjet heqje lirie, tue kenë me një gjendje shëndetsore shumë të randë  dhe, si pasojë e vuejtjeve me datën 8 Janar 1980, Sigurimi i shtetit e mbytë edhe Këte Martir si shumë të tjerë, në një nga repartet e Spitalit Civil të Tiranës.

Në librin “Çinarët”, fq. 130, At Konrrad Gjolaj shkruen: “…Tregonte radiologu i spitalit të Shkodres, sesi një ditë erdhën dy oficera me një thes në radiologji. I kishin thanë me ba një radiografi. Kishte pregatitë aparatin e po priste radiologu se cili don me e ba prej tyne. Kur i ka thanë: “Jam gati”, ata kanë hapë thesin e kanë nxjerrë një fëmijë me fytyrë të plakun… e kanë vue tek aparati dhe, mbasi asht krye radiografia, e kanë futë prap në thes. Mbasi i kanë lidhë grykën, kanë kërkue filmin për me e çue në Tiranë. Radiologu e ka pregatitë filmin shpejtë e ka kërkue me i shkrue emnin e të sëmurit, edhe pse filmi ishte i lagun. Oficerat kanë ngurrue me i diftue emnin. Ky ka kambëngulë, mbasi, simbas rregullit, nuk lejohej që filmi me u dorëzue pa emen. Ata tue pa kambënguljen e këtij, i kanë thanë emnin: “Imzot Ernesto Çoba”…

E shkrova, thonte radiologu, e kishte njohtë ma përpara, por kurrë nuk do ta kishte besue se asht Ai, po të mos ia kishin thanë vetë ata emnin. Për sa kohë nuk m’asht hjekë nga mendja sesa e kishin ba Imzot Çoben.”

Në vitin 1964 në një bisedë… At Pjetër Mëshkalla më ka thanë këto fjalë:

Ai e përfundonte bisedën me respekt për Imzot Ernesto Çoben, kryesisht për mos tolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe e mbyllte bisedën me mendimin se:

“Vetëm Imzot Çoba asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, mbasi asnjë tjetër nuk do të kishte dijtë as muejtë me veprue si Ai, për kushtet që janë kenë në Shqipni!”.

***

Kriminelët, vrasësit, torturuesit, shpifsit dhe anmiqtë e perjetshem të Klerit Katolik Shqiptar Heroik, janë shumë të knaqun me “heshtjen” ndaj Martirëve të Pafajshem!

Imzot Ernesto Çoba ka Dosja nr. 3359/1, Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, të cilen unë e kam lexue në vitin 1998.

I lutem Bahkëkohësit Imzot Ernesto Çobës, Klerikut të Nderuem, dhe Njohësit të Tij,

Shkelqësisë Kardinalit Ernest TROSHANI, që me Bekimin e Zotit, të nxjerrin haptas Pafajsinë dhe Virtytet e të Ndjerit Martir Imzot Ernesto Maria Çoba!

          Melbourne, 18 Prill 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz RADOVAN, Imzot Ernesto Coba, Po zhduken Shpifsit

MUZEU “SOLOMONI” PO ÇELË DYERT NË BERAT…

April 23, 2018 by dgreca

Nga Berati per Diellin Sulo Gozhina/

1 Muze Solomoni1 simoni2 Muzeu1 Berat Solomon

BERAT – Një muze unik në Berat… I pari dhe i vetmi i llojit jo vetëm në Berat e në Shqipëri, por në mbarë hapësirën mbarëshqiptare. Është një muze me tematikë hebraike që ngërthen një hapësirë kohore 500-vjeçare, nga viti 1520 kur në Berat u vendosën 25 familjet e para hebreje, të ardhura nga Vlora, nga Italia, nga Spanja… Dhe këto 25 familje që përbënin një lagje, Mëhallën e Çifutëve do të punonin për ta ringritur Beratin e rrënuar nga pushtimi osman…Ky muze ndalet edhe tek profili mitik i Sabbatai Zevit, tek varri i tij që kërkohet ende me ngulm, vendosmëri e bindje në Bilçë, tek reflekset apo motivet hebraike që i gjen gjithandej në këto treva, të gdhendura në gur e në dru, në port e në dyer, në tavane apo kanate, në sahane apo tepsi, në filxhane apo sini. Por me theks të veçantë muzeu ndalet tek shpëtimi dhe strehimi i mbi 600 hebrenjve në kohën e Holokaustit, duke qenë Berati, kështu, qyteti që ka mbajtur barrën kryesore në këtë shpëtim, duke shpalosur për herë të parë në Berat listën e hebrenjve të shpëtuar, si dhe familjet e shtëpitë beratase që iu gjenden pranë në ato kohë të tmerrta.

Foto-fakte, fac simile dokumentesh, zbulime topnimish hebraike, kontributi i Kadri & Bektash e Kujtim Cakranit në shpëtimin e hebrenjve, do të shohësh e do të njihesh me historinë dramatike të Sarës, hebreje janinate që në rrethana dramatike do të vinte në Berat, sesi do të humbiste rrugës emrin e saj, por do të gjente e rigjente emrin e profetit Moisi, do të njihesh me fatin e hidhur të hebrejes Taisa Pisha-Batkina, do të takosh arsimimin e nxënësve hebrenj në një klasë, në një bankë me nxënës beratas, etj.etj.
Autori i Muzeut “SOLOMONI” Berat, studiuesi Simon VRUSHO, njëkohësisht ideatori, përgjegjësi, administruesi apo edhe drejtuesi i Muzeut, shprehet: “Më në fund, pas 20 vjetësh, ia dolëm… Muzeu “SOLOMONI” në Berat po çelet… Pas disa ditësh do të bëhet ceremonia zyrtare e përurimit ku do të jenë Kryetari i Bashkisë të qytetit të Beratit, kryetari i Qarkut, Prefekti, etj. sikundër kanë konfirmuar pjesëmarrjen Rabini i Tiranës, Finman, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, etj.”
Vrusho vazhdon:
“Ky nuk është muze total, ku gjasme jepen gjithçka, por është muze me profil të qartë individual dhe me metodologjim të ofruar nga terreni, koha, gjurmët, faktet dhe dokumentet. Edhe koceptimi është disi ndryshe: Vizitori, shikimtari ndihet në mjediset e muzeut edhe si i shikuar, madje edhe si i pyetur… Ai del nga muzeu me një apel në mendje dhe me një emocion në pulsim…!
Muzeu “SOLOMONI” Berat çelet më 03 maj 2018, ditën e enjte, ora 10:00 paradite, por ai thuajse është hapur… Berat. Ruga “Mihal Komneni”, Nr. 3, në krye të rrugës që të çon në kala… Madje vizitorët e pare kanë pozuar pranë stendave të muzeut dhe tashëm muzeu ka marrë rrugën e tij.

Filed Under: Histori Tagged With: Berat, muzeu solomoni, Sulo Gozhina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 350
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT