• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E SHPATËS SË GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT NË VJENË

May 12, 2025 by s p

Hazir Mehmeti/

Në Vjenë ruhen përkrenarja dhe shpata e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Muzeun e Arteve Botërore të Vjenës. Me të drejtë Vjena tek shqiptarët është e shenjtë dhe vend kontakti me identitetin kombëtar nga koha më e lavdishme në historinë e tij, koha e qëndresës heroike. Për shqiptarët që vizitojnë Vjenën, pikëtakimi i parë i tyre është Muzeu i Shpatës së Gjergj Kastriotit. Ata vijnë nga Atdheu, diaspora, arbëresh nga Italia, Zara etj. Diku rreth vitit 1886, kur vjen në Austri për shërim shkrimtari ynë i madh, Naim Frashëri e vizitoi Muzeun në Belvedere të Vjenës, ku ruheshin përkrenarja dhe shpata e kryeheroit kombëtar. I frymëzuar ia kushtoi vargjet emblematike që çdo shqiptar i mëson e reciton me zemër:

“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,

Armët e ti’ kur i pashë

Ndë Belvedere në Vjenë,

Sikur pashë Skënderbenë.”

Naim Frshëri

Për lexuesit e nderuar po japim një shkrim rreth shpatës dhe përkrenares, rrugëtimi i tyre deri në Vjenë sipas shkrimit të mikut të madh të shqiptarëve Leo Freundlich i bazuar në disa dokumente relevante të kohës.

SI PËRFUNDUAN ARMËT E SKËNDERBEUT NË VJENË

Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishterimit”, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat e saj nuk ka asnjë relikt origjinale të tij. Përkrenarja dhe shpata ruhen në Vjenë. Një histori që zgjatet prej pesë shekujsh dhe që debatet për të nuk mungojnë edhe sot. Historinë e rrugëtimit të relikteve e ka zbuluar shumë vjet më parë, Leo Alexander Freundilich, një austriak i pasionuar pas historisë së Shqipërisë. Leo Freundlich ishte austriak me rrënjë hebre, mik i madh i shqiptarëve i cili shkroi për masakrat serbe ndaj shqiptarëve pas humbjes së Perandorisë Osmane. Është e njohur vepra e tij Albanisches Golgotha – Golgota Shqiptare)

Më shumë se relikte, tashmë, ato janë pjesë e identitetit kombëtar.

Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ndërsa sipas historianëve Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në muzeun e Historisë në Vjenë.

SHKRIMI BURIMOR NGA LEO FREUNDLICH

Shkrim, njëqind vjet më parë: Në Arkivin e Shtetit në dosjen e Skënderbeut gjendet një shkrim ku tregohet historia e udhëtimeve të tij. Artikulli nga Leo Freundlish, bazohet në rrëfimin e drejtorit të mbledhjeve të materialeve të Muzeut Historik të Vjenës për të treguar të vërtetën e armëve të Skënderbeut. Sipas tij, për herë të parë këto objekte janë përmendur në vitin 1578. Më 15 tetor të këtij viti, Mario Sforza, duka i Urbinos, i shkruan një letër arqi dukës Ferdinand, ku i thotë, se do t’i dërgojë atij armët e Skënderbeut, dhe të vëllait të tij. Ky është një fakt që dëshmon se mes arqidukës dhe Mario Sforzas janë këmbyer shumë letra. Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit i shkruante dukës së Urbinos, Maroi Sforza, dhe e falënderon për armët e Skënderbeut dhe për të tjerat që do t’i binin në dorë.

Ndërsa për herë të dytë këto armë përmenden në një letër të dukës Von Arescot, e shkruar me 25 korrik 1588, ku flitet për armët e tjera të Skënderbeut. Në inventarin e vitit 1585 këto objekte nuk ishin të shënuara ende. Ndërsa në inventarin e vitit 1593 shënohet: “Në fletën 69, dy shpata dhe helmi i Gjergj Skënderbeut”. Prej këtyre shkresave dhe inventarit mund të konstatohet lehtë se elmi dhe dy shpatat e Skënderbeut kanë rënë në dorë të arqidukës Ferdinand midis vitit 1588-1593 nëpërmjet dukës Mario Sforza të Urbinos dhe të dukës Arescot. Saktësisht, në inventarin e vitit 1596, faqe 321, janë përmendur dhe shënuar elmi nr. 71 (127) dhe dy shpatat nr.92 (145) dhe 345 (550). Aty shënohet: “George Skanderbeg: një helm i bardhë me rrafshe të arta sipër një kokë dhie e artë me dy brirë, dhe dy shpata, njëra me një dorezë prej lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të gjakut që duken ende, ngjan më e madhërishme, ndërsa tjetra është me një dorezë kadife ku është shënuar emri i Skënderbeut.

Në inventarin e pikturave të sekretarit privat Schrewnchk të titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601, ne shohim në tablonë 16, Skënderbeun me elmin nr.71 (127) dhe me shpatën nr.345 (550), ku shkruhet: Në një kornizë me ornamente të shumta rrinë në këmbë Skënderbeu i veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure e mbërthyer në gjoks me shirita, me kokën dhe mjekrën e gjatë kthyer nga krahu i majtë, ku i duket profili. Në krahun e djathtë ai mban lart shpatën e zhveshur nr. 345 (550) dhe poshtë në tokë afër këmbës së majtë qëndron helmi (përkrenarja) nr. 71 (127). Në kokë mban një beretë. Objektet që janë pikturuar në fotografi i ngjajnë shumë atyre në origjinal që ndodhen në muzeun e Artit Historik të Vjenës. Shihet qartë që këto dy objekte njiheshin që në vitin 1601 si sendet e Skënderbeut. Ja një përshkrim i imët mbi dy shpatat dhe mbi përkrenaren: Në sallën XXV Nr.71/127 ndodhet një përkrenare e shtrirë në një piedestal të ulët, e cila duhet të jetë prerë si mbas stilit italian. Sipër përkrenares i fiksuar mirë është kryet dhisë. Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa tjetër sipër me një copë metali buzët e secilës janë zbukuruar me ar. Syve të dhisë u mungojnë gurët. Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri. Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t’u domethënia e tij. Deri më tani e kanë deshifruar si: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat”. Pesha e përkrenares është 3000gr. Kjo përkrenare është një “unikum”, i vetmi e i veçantë që gjendet në muzeun dhe i përket artit të punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm. Përpara së gjithave kjo përkrenare në pikëpamjen estetike është një vepër e mrekullueshme dhe i ka hije vetëm një burri të fuqishëm të fortë e me vullnet të hekurt.

Shpata që ndodhet në sallën XXVII, rafti V.Nr.345 (550) është e gjatë 88.5 cm e gjerë 57 cm, me dy tehe dhe me një formë të drejtë, në një vend të kthyer përmban disa shkronja latine. Prej këtyre shkronjave lexohen këto fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është e përbërë prej druri të mbështjellë me lëkurë, pesha e kësaj shpate asht 1300 gr. Shpata me dorezë është e veshur me lëkurë shagreni, ka nga anët e jashtme 4 arabeska të thella, tre rripa për hijeshim. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa germa të kuqe, të cilat janë shkruar më shekullin e XVI e që përmbajnë emrin “Scënderbeg”. Pesha është 600gr dhe pesha e përgjithshme 1900 gr. Kjo shpatë është e shënuar dhe pikturuar në librin e sekretarit privat të arqidukës së Tirolit, Jakob Schrenckh, “Armametarium heroicum”, në faqet XVI.

Përveç këtyre në sallën e armëve historike të muzeut të Vjenës gjendet dhe një shpatë tjetër, e cila quhet si një nga shpatat e Gjergj Kastriotit dhe është shënuar në inventarin mbajtur në vitin 1593. Kjo shpatë të jep të besosh nga pesha e rëndë dhe nga gjatësia se Kastrioti me një të goditur i ndante në dy pjesë trupat e armiqve. Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II Nr.92(143), gjatësia e saj 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e saj është 3.2 kg.

Kur kryehroi i shenjti -Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, do ta ketë statujën e tij në Vjenë. Ai e meriton këtë. Vepra e tij prej madhore në mbrojtje të kulturës evropiane nga perandoria osmane, na detyron të mendojmë për këtë. I detyron drejtuesit e vendeve tona dhe vendit mik Austrisë, në koordinim për vlerësimin që na duhet në ndërtimin e urave miqësore gjeneratave. Gjegj Kastrioti – Skënderbeu, ishte frymëzim i luftës për mbrojtje nga hordhitë osmane për Gjergj Basten (Giorgis Basta) i cili drejtoj luftën kundër hordhive turke dhe atyre sllave në kohën e Habsburgëve, Mbretërinë e Austrisë. Ai shkroi vepra mbi teknikën dhe strategjinë e përdorimit të shpatës dhe taktikat e tij luftarake i kishte pjesë të sukseseve të tij në të gjitha betejat. (Gjermanisht: Er war der Sohn von Demetrio Basta, einem albanischen Epiroten, der sich nach dem Tod Skanderbegs im Jahr 1468 während der dritten Emigrationswelle der Arbëresh[4] im Königreich Neapel ansiedelte und in kaiserlichem Kriegsdienst nach Österreich kam)

Filed Under: Histori

1922 / LETRA E BEQIR HAÇIT, QË FITOI ÇMIMIN E PARË, DREJTUAR TË RINJVE AMERIKANË TË KRYQIT TË KUQ

May 10, 2025 by s p


Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16
Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  10 Maj 2025

Kur arsimtari, përkthyesi dhe poeti Beqir Haçi (1907 – 1990) shkruajti letrën në vijim, sigurisht që nuk e dinte për fatin tragjik që do t’i rezervohej vite më vonë nga regjimi komunist. Revista amerikane “Junior Red Cross News” botoi në shtator të 1922, në faqen n°16, letrën e tij kur ai ishte një djalosh 14 vjeçar, përmbajtjen e të cilës, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16
Burimi : Junior Red Cross News, shtator 1922, faqe n°16

Të dashur të Rinj,

Jo shumë kohë më parë, në vendin e vogël malor të Shqipërisë ishte një festë kombëtare, kur në Tiranë u hapën punimet për ndërtimin e një ndërtese të përhershme për Shkollën Profesionale Shqiptare (Albanian Vocational School) – një shkollë e bërë e mundur falë ndihmës së dhënë nga Kryqi i Kuq Amerikan për të Rinj. Kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të Kabinetit ishin të pranishëm, si dhe diplomatë të vendeve të huaja, sepse ishte një rast i rëndësishëm. Shqipëria ishte e shtypur nga turqit për 500 vjet para Luftës Botërore dhe i ishte mohuar shkolla e saj. Të shpërndarë nëpër male në fise, këta pasardhës të ilirëve të lashtë jetonin me pushkë dhe pistoleta gjithmonë pranë dhe shpesh luftonin mes tyre… Këtu filloi shkolla profesionale e Shqipërisë. Grupi muzikor amerikan, nga Worcester, Massachusetts, ishte i pranishëm dhe gjallëroi ceremoninë.

Shkolla Profesionale Shqiptare, në një godinë të përkohshme, ka rreth një vit që ekziston, me amerikanë të aftë që ju përfaqësojnë ju, Të Rinj, në krye të saj. Gjashtëdhjetë e katër djemtë që ndjekin këtë shkollë erdhën nga tetë krahina të Shqipërisë, janë anëtarë të fiseve të ndryshme dhe po mësojnë idealet e shërbimit dhe vullnetit të mirë që janë më të lartat në mendjet e Të Rinjve të vërtetë. Kur të largohen nga kjo shkollë, ata do të jenë të përgatitur t’i shërbejnë vendit të tyre si mësues dhe udhëheqës mendimi. Tetë prej tyre janë paraqitur në këtë faqe. Pas tyre do të shihni flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë duke u valëvitur së bashku.

Në mbyllje të semestrit të parë, djemtë shkruan ese rreth shkollës. Për këto ese u ndanë pesë çmime, të cilat janë në formën e letrave drejtuar Të Rinjve amerikanë. Beqir Haçi quhet djali që fitoi çmimin e parë dhe letra e tij dëshmon për vlerën e madhe të këtij lloji të punës së Të Rinjve.

“Të dashur të Rinj”, shkruan Beqiri në anglisht, “unë jam një djalë shqiptar katërmbëdhjetë vjeç. Shqipëria, siç mund ta dini, është një shtet i vogël i vendodhur në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Populli i këtij shteti, megjithëse pak i njohur, vjen nga një racë shumë e vjetër. Shumë shkrimtarë të mëdhenj thonë se ky popull është më i vjetri në Gadishullin Ballkanik. Arsyeja pse Shqipëria është kaq e prapambetur është se fqinjët e saj nuk e kanë lënë kurrë të qetë, por gjithmonë janë përpjekur ta zotërojnë atë. Me shumë thirrje drejtuar shteteve më të mëdha të Evropës, me luftëra dhe me revolucione, Shqipëria fitoi pavarësinë e saj. Duke qenë e shkatërruar dhe e zotëruar nga të huajt për shumë vite, ajo u bë e varfër. Ajo i thirri të gjithë botës për ndihmë, por askush nuk tregoi mëshirë përveç fëmijëve të kujdesshëm përtej Atlantikut.”

I gjithë populli shqiptar, burra dhe gra, djem dhe vajza, janë shumë mirënjohës ndaj jush, Junior-ë — Nxënës të mirë. Për mirësinë e madhe që po u tregoni njerëzve të tyre, fushat, pyjet, malet, liqenet dhe lumenjtë e Shqipërisë duket se janë të lumtur. E gjithë Shqipëria po falënderon Zotin për të mirat që u keni dhënë juve, Të Rinj. Të gjithë e shohin se nga Shkolla Profesionale Shqiptare, e cila mbështetet falë ndihmës tuaj, do të dalin djem me arsim të mirë, të ditur dhe të aftë për të zbuluar dhe zhvilluar pasurinë e vendit, e cila tani është e fshehur. Do të dalin djem që do të qëndrojnë larg gënjeshtrës dhe vjedhjes, që do të dinë dhe do të bëjnë vetëm të drejtën.* * * E falënderoj Zotin që kam pasur fatin e mirë të vij në këtë shkollë. Mësoj shumë gjëra të mëdha dhe të dobishme. Në nëntë muaj kam mësuar ta përdor anglishten pothuajse aq mirë sa gjuhën time.”

Beqiri përshkruan atë që ka mësuar në matematikë, vizatim mekanik, fizikë dhe gjeografi dhe vazhdon :

“Gjërat më të mira që kam mësuar janë si ta mbaj veten të pastër, si të sillem, si të jem mik me të gjithë dhe si t’i respektoj prindërit dhe mësuesit e mi. Kam mësuar gjithashtu disa nga lojërat tuaja, si bejsbollin dhe basketbollin. * * * Kur erdha këtu peshoja 37 kilogramë. Tani peshoj 44.

Shpresojmë që një ditë të jemi në gjendje t’jua shpërblejmë bujarinë. Me këtë ndihmë, jini të sigurt, fëmijë të dashur, se do të bëhemi një popull i ri, i frymëzuar nga idealet e “Shërbimit dhe Miqësisë”, për pjesën tjetër të botës. E mbyll letrën time duke shpresuar se do të na përgjigjeni shpejt dhe se do të na falni për gabimet tona.

Me dashuri për të gjithë anëtarët e Kryqit të Kuq për të Rinj.”

Pra, kjo është në të vërtetë “Letra e Beqir Haçit për ju” dhe jo e redaktorit ! Dhe Beqiri flet për veten e tij, për gjashtëdhjetë e tre shokët e tij nxënës, për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë kauzën e Kryqit të Kuq për të Rinj.

Austin Cunningham

Filed Under: Histori

KRYETIPIKA E NJË KRYEKRENARIE  KOMBËTARE

May 7, 2025 by s p

C:\Documents and Settings\alb\Desktop\arbeni perkrenarja e Sklenderbeut.jpg

NË KUADRIN E 6 MAJIT, 620 VJETORIT TE DITËLINDJES SË HEROIT KOMBËTAR, GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUT 

Hyrësi në “odë” C:\Documents and Settings\alb\Desktop\kristaq shabani.jpg

Nga  Prof. Kristaq F. Shabani IWA, poet, shkrimtar, studiues, estet  

President i LNPSHA “PEGASI” ALBANIA

Objektivi ynë i kësaj sipërmarrje shkrimore është : “Të  japim një kontribut, sado të vogël, në njohjen sipërmastive të Kryefigurës më të ndritur të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut”.C:\Documents and Settings\alb\Desktop\fotoperlibrin eskenderbeut\Skenderb.jpg

Le të nisemi në këtë mision historik dhe inteligjent kreativ….  

Shpesh, në “turet”  “anti” vërehen antimendime të mbarsura keqas, të cilët kërkojnë të shpleksin me trill dhe pa bazim një epokë të lavdishme të Kombit shqiptar, triumfin e një Strategu dhe Prijësi të pazakontë, sikundërse është Kryeheroi i Shqiptarëve,  Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Hero Kombëtar i Shqiptarëve (1405-17 janar 1468).

Kush ishte ky gjigant i mendimit, drejtimit, i lartësisë drejtuese në pozicione strategu, madje dhe “kodifikues” i një Arti Ushtarak triumfues  në periudhën, kur jetoi dhe tregoi supermaci shumëplanshe dhe shumëdimensionale… KRYENJERIU i  Aktit më madhor të mbrojtjes së Kombit të tij, personifikues  i një epoke të ndritur të Historisë së një Kombi, nga më të lashtët e Evropës. Vetë kjo epokë shqiptare mori emrin e këtij njeriu personifikues i gjithëmirësisë, gjithëhirësisë dhe mbrojtjes së Identitetit, njeriu, i cili ndali vërshimin e falangave të Perandorisë Osmane për të zgjeruar hapësirën e saj të shtrirjes gllabëruese oreksive. Kyetendenca  e Perandorive kjo është: kënaqësia “kreative” e rritjes në dëm të Kombeve dhe keqsjellja arbitrare ndaj tyre deri nënshtrim, masakrim, gijotinë, ndalje të mendimit dhe të prosperitetit, përbaltjes së gjuhës,  qëndrim i shfrenuar ndaj zakoneve, traditave të  të shtypurve, eliminime të pozitivitetit, nëpërmjet shtrëngimit të ganxhave, sjellja e errësirës totale  dhe kultivimi i injorancës, mediokritetit, eliminim total i gjithçkaje të mirë dhe lakimi i emrit në të gjitha rasat: Komb i nënshtruar…. Pra një proces tërësor eunuk, memecor…

Skënderbeu ( 6 maj 1405 – 17 janar 1468)  përballoi me shumë aftësi egërsinë e Perandorisë Osmane, ia fashiti sulmet dhe kundërsulmet e saj  për një çerekshekulli, por, ai me madhështinë e tij të katërcipëtreguar e motivoi shekullin epokor me emrin e tij  (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI).  

Kjo epokë realizoi: 

Së pari, Organizimin më të lartë për mbrojtje trojesh, të lirisë, të pronës…

Së dyti, nën drejtimin e tij u krijua, u organizua dhe funksionoi  shteti shqiptar, duke krijuar një shtet tipik karakterizues nga aftësia për t’u përballur  dhe madje dhe për të triumfuar…

Së treti, ky organizim politik dhe ushtarak forcoi vetëdijen kombëtare dhe gjithashtu rriti e nxiti bashkimin e trojeve, tejforcoi aftësinë për të mbrojtur veten dhe vetveten.

Së katërti, në sajë të aftësisë së Skënderbeut,  u manifestua uniteti përbashkues, duke shmangur separatizmin  dhe bashkimi solli frytet e tij të padiskutueshme.C:\Documents and Settings\alb\Desktop\SKENDERKOHA MBAN MEND\iBeselidhja e Lexhesmages.jpg

Së pesti, u përbashkuan shtresa të ndryshme të popullatës me një objektiv të vetëm  dhe rreth një strategu shumë të besueshëm, duke treguar  atë të vërtetë të madhe se, edhe një komb i vetëm, në se formon fizionominë e tij shumëplanshe triumfon në aspirate.

Së gjashti, figura e Skënderbeut  është një figurë  rrallësore, ku një figurë e tillë  bëhet shprehje aspirate e konkretizuar dhe kjo e shndërroi atë në një simbol të bashkimit dhe të realizimit të objektivit madhor…

Së shtati, deshëm të evidentonim atë fjalë me peshë të madhe që kualiteti, cilësia, në rastin e Skënderbeut, veprimeve të tij tërësore luftarake, në kohën që jetoi, mposhti sasinë, pasi i mëshoi fort kualitivitetit…

Së teti, vetë Skënderbeu ishte figurë e shquar, pjesë e elitës të Kohës së Kombit, figurë e besueshme, i cili drejtoi frontin e kundërveprimit ndaj një Perandorie të Madhe  dhe tregoi se, vetëm një figurë elitare mund të realizojë një përndritje të tillë. Krijoi, pra, një front të madh të përballjes  dhe kjo ndikoi fuqimisht edhe te Kombet e tjerë.

Interesat e shtresave shoqërore, mbrojtja e këtyre interesave  të gjithë shtresave, konsakron bashkim – unitetin dhe drejtimin nga figura elitare…

Kuptesa e mirëfilltë e detyrës imperative të Kohës  ishte  një nga kryepikat e fortësisë së Skënderbeut …

Së nënti: Skënderbeu ishte një njohës i shkëqyer i botëkuptimit, traditës, i shpirti të protestës, revoltës shqiptare, të cilën e shfrytëzoi në interes të plotimit të platformës së tij, por nga ana tjetër,  ai ishte, po  një njohës i tillë,  i thellë, i organizimit të ushtrisë osmane, me që kishte qenë  në përbërje të saj dhe kishte treguar kryeaftësitë në këtë drejtim. Pra, zbatohej efektshëm ai kryeparim i njohjes së kundërshtarit, në kompleksitetin e vet. C:\Documents and Settings\alb\Desktop\Skenderbeu-1-e1516303460443-780x439.jpg

Këto krijonin fizionominë e një personaliteti, i cili i studioi të gjitha cilësitë, avantazhet dhe  dobësitë e forcave të tij  si dhe të  kundërshtarit, por,  në këtë përballje, hyri me një disiplinë shkencore për kohën, pasi gjithçka shkoi në përvijimin e pozitivitetit .

Së dhjeti,  ndërtimi i filozofisë së triumfimit u bazua në një platformë morale ushtarake reale. Skënderbeu e rroku mjaft mirë kuptimësinë : Përballja e një pushtuesi të egër, të fuqishëm, i modernizuar me pajisjet më të avancuara të kohës  dhe me precipitimin e ushtrisë më të shumtë në numër,  sikundërse  ishte Perandoria Osmane, kombasit e tij s’ mund të arrinin fitoren, pa ezauruar copëtimin e theksuar  politik të vendit në një varg zotërimesh të palidhura, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve, të cilat zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm  të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar.

Së njëmbëdhjeti, Gjergj Kastriot Skënderbeu, si rrjedhojë e kësaj supermacie mendimore, intelektive, intuitative,  në të gjithë vepimtarinë e tij, u kthye në atributet e një burri shteti  dhe një  strategu të shquar ushtarak.

Skënderbeu ishte një udhëheqës dhe një strateg i shquar, por edhe një politikan  niveli. Kjo u tregua në aktin madhor të themelimit të  Besëlidhjes së Lezhës, një besëlidhje, aspiratë materializuese, një akt që ndodhte për herë të parë në historinë shqiptare për bashkim tërësor politik, ndryshim konceptual. 

Besëlidhja  shqiptare ishte kryepika kyçe  në krijimin e kësaj aleance  të madhe vullnetare, e cila krijonte një mentalitet të ri në krijim e aleancës dhe të përballjes. Kjo solli, më vonë,  krijimin e një shteti  të fortë, të një pushteti po  të fortë të përqëndruar te një udhëheqës dhe strateg i shquar, i shndërruar në burrë shteti, si Skënderbeu, duke u konkretizuar si një themelues i shtetit të pavarur  shqiptar.   

 (Ekzistenca e mendimeve regresive  të disa historianucëve apo politikukëve,  se shqiptarët nuk krijojnë dot shtet, fashitet nga ky krijim, kryeshembull dhe nga  kryeveprime të tjera, para dhe pas këtij akti).

Së dymbëdhjeti, krijimi i këtij shteti solli lindjen imediate të interesit në krijimin dhe forcimin e kujdesit  për ruajtjen e burimeve të brendshme ekonomike, për të mbështetur luftën. Ndërkaq, u morën masa të forta për mbrojtjen  e brezit kufitar në lindje dhe në jug  të viseve të lira, në organizimin e një vrojtimi të organizuar, të kundrimit të lëvizjeve të kundërshtarit. Kjo realizoi dhe dhënien e parësisë   të krijimit të mundësisë  për zhvillimin ekonomik e tregtar si dhe rritjen e eksportit  të drithërave dhe prodhimeve  të tjera nga qendra portuale të Adriatikut. 

Së trembëdhjeti, Skënderbeu, me vizionin e tij, i dha rëndësi dhe tregimit të kujdesit për shqiptarët, të cilët ndodheshin në zonën pushtuese, lidhjes  dhe bashkërendimit me ta, duke hedhur hapa konsoliduese në të mirë përbashkuese të Kombit. Vetëkuptohet,  që kjo tendencë gjithmonë në rritje, rriste shkallën e agravimit të kundërshtarit, pushtuesit, si dhe “minimin” e veprimtarive të tij në vende të pushtuara, duke sjellë dobësim gjithëkahësh. Kjo i shërbente, midis të tjerave dhe bashkimit shpirtëror të shqiptarëve, konsolidimin e aktit të nisur në Besëlidhjen e Lezhës… Kjo i shërbeu, gjithashtu, dhe rritjes së informimit  dhe në kontekstin ushtarak, veprimit të fuqishëm në prapavija të armikut.

Së katërmbëdhjeti, figura e Skënderbeut, duhet lexuar e shpjeguar mirë në kontekstin fetar. Kohët e fundit, disa gjoja historianë, apo përfaqësues të fesë, duke u nisur nga interesat e tyre, ngrejnë akuza të pabazuara, meqë Skënderbeu ishte një njeri i besimit  katolik, gjoja  ishte kundër myslimanizmit.  Por, nuk duhet harruar kurrë se, ai, si rrjedhojë  e asaj që, një pjesë të jetës së tij, sidomos rininë, e kaloi në  gjirin e fesë myslimane, në një vend si Turqia, që nuk mund të flitet për tolerancë fetare, nuk mund të kishte mentalitet të tillë.  Kjo  është e vërteta historike, e cila ka vetëm shembuj të saj   në një “minimum” , për të mos u marrë në konsideratë. Skënderbeu, falë vizionit të tij, njohjes së dy feve predominuese, e përdori këtë presencë të besimeve fetare,  në bashkimin e njerëzve me  fe të ndryshme, duke spikatur në tolerancën fetare, e cila  mbizotëron edhe në shekujt e sotëm të moderuar. Pa asnjë paragjykim, ai qëndroi mbi besimet dhe dallimet fetare… Ky respektim shërbeu për bashkim total të shqiptarëve dhe edukimin e tyre me ndjesi të tjera e mentalitet të ri.

Bashkimi shpirtëror i shqiptarëve, në këtë shekull, arriti në përmasat e një kulmi… 

Së pesëmbëdhjeti, edhe në planin ndërkombëtar, Skënderbeu  spikati. Parësi i dha bashkëpunimit, sigurimit të aleatëve, aleancave dhe bashkëpunimit koherent të përhershëm, por edhe të përkohshëm pozicional, situatave dhe ngarkesave operacionale,  me qëllimin dhe objektivin e vetëm:  përballimin e agresionit osman. Kjo shërbente edhe në kahjen e mbrojtjes së shpinës, sigurisë së tyre kombinative, por  ai i kushtoi rëndësi dhe vigjilencës, marrjes së informatës dhe vlerësimit me bindje të situatave dhe raporteve të krijuara. 

Së gjashtëmbëdhjeti, Skënderbeu spikat dhe është një kryeshembull strategu në atë çka përpunoi  dhe triumfoi në betejat  e tij historike dhe triumfuese në një çerekshekull të ndritur të Historisë së popullit shqiptar. Në kushtet e një disproporcioni të madh të kontestit numerik, ai përpunoi me shkathtësi mendjeje dhe  e aplikoi edhe me shkathtësi  lëvizjeje atë STRATEGJI DHE TAKTIKË TË TIJ TË PËRPUNUAR, E CILA, ME DINAMIZMIN E SAJ TEORIK DHE PRAKTIK, ËSHTË VLERËSUAR NGA ORGANIZMA TË  PËRPUNIMIT TË MENDIMIT  STRATEGJIK NË BOTË… 

Strategjia dhe taktika e Skënderbeut: “Kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe”.
Çfarë “parabolë” është kjo! Brenda saj ka shumë elementë dhe faktorë fitues nxitës .

*

Tashmë, sidomos ne, që kemi përfunduar dhe shkolla të kualifikuara ushtarake, e njohim më së miri Strategjinë dhe Taktikën Skënderbejane, por për interes të lexuesve, studiuesve dhe  dhe zgjerimit të njohurive të të paditurve, ose atyre që flasin  në “kotje”, për të minimizuar  mosnjohjen dhe për të forcuar njohjen sa duhet dhe si duhet, të kësaj  Strategjie dhe Taktike, po rreshtojmë disa parime, elementë nga më kryesorët:Metoda të luftës të përdorura nga Skënderbeu

*Epërsisë së theksuar  të kundërshtarit me luftëtarë dhe armatime  bëji ballë dhe mposhte me  qëndrim në kushtrim të përhershëm, duke e shqetësuar dhe acaruar me sulme të karakterit të vogël, në shumë pika, duke siguruar një të papritur, beftësi në goditje  për sigurimin e  rënies së moralit të tij. 

*Prerja e rrugëve të furnizimit, futja e reparteve furnizuese në kurthe, gracka, duke shfrytëzuar elementët e relievit tonë fantastik, krijimi  i predominancës për t’i goditur me sulme të fuqishme, të befasishme, me objektiv: shkatërrim total.

*Parimi i  strategjisë së mbrojtjes aktive, sipas parimit “kancelar”: “Mbrohu duke sulmuar”. 

*Mjeshtëria kombinative e ndërthurjes të betejave, operacioneve të mëdha  taktiko-strategjike me tërheqje të paramenduara   dhe të kombinuar me sulme, me pusi e befasi të shumëllojshme  të luftës guerile. C:\Documents and Settings\alb\Desktop\SKENDERKOHA MBAN MEND\Beteja e Torviollit.jpg

*E rëndësishme ishte përgatitja dhe “specializimi” i luftëtarëve për të kryer me shkathtësi të gjitha veprimet  që nga më të voglat e deri në përballje në fushën e betejës në pozitivitet. 

*Në ndryshim nga ushtritë mercenare të armatosura me armatim të rëndë të kohës  të Mbretërve dhe Princave, Sulltanëve të kohës, mbështetja mbi një ushtri me organogramë cilësore  të armatosur lehtë; e karakterizuar nga një lëvizshmëri e madhe dhe  me aftësi të lartë goditëse, e formuar kryesisht nga vullnetarë me  gatishmëri luftarake e shpirt vetëmohimi. 

*Një nga karakteristikat tipike të Skënderbeut ishte se ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur, si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte shembull frymëzimi  dhe nxitje  për luftatarët e tij, duke treguar, në të njëjtën kohë,  forcën e një komandanti të  talentuar dhe të një ushtari të  guximshëm.

Ky realitet ngriti  dhe forcoi, edukoi ndjenjën e fitores. 

*Epërsi e tij ishte njohja emër për emër e ushtarëve të tij  në fushën e betejës, e cila sillte rritjen e emocionit dhe përkushtimit  për të arritur objektivin…Ndaj, për të realizuar këtë të vërtetë të njohjes, procesit të njohjes racionale, duke qenë shumë i thjeshtë  edhe në jetën e përditshme, Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë luftëtari.C:\Documents and Settings\alb\Desktop\SKENDERKOHA MBAN MEND\Beteja e Albulenes pervizi.jpg

Duhet theksuar se, këto parime  kanë qenë bazë edhe në konceptimin e Artit Ushtarak gjatë sistemit monoide dhe u realizuan me strukturat ushtarake të Ushtrisë Shqiptare,  gjatë gjithë këtij sistemi.

Si rrjedhojë e këtyre tipikave, që përbëjnë një kryetipikë të madhe, Skënderbeu, gjatë gjithë kohës,  gëzoi respekt të padiskutueshëm nga bashkëkohësit e vet, jo vetëm, kur ishte fizikisht, por edhe pas  vdekjes së tij, që ishte vdekje e një Titani  të madh dhe të respektuar nga të gjithë.

Natyrisht, një kryefigurë e tillë mbetet në kujtesën, jo vetëm të Kombit të vet, pasi ai ishte projektuesi dhe triumfatori i kësaj epoke çerekshekullore, e cila mahniti kancelaritë e kohës dhe vetë Perandorinë Osmane… ,por mbeti  dhe në kujtesën e kundërshtarëve të tij.

Skënderbeu është vetë ai që  thelloi  kodin e bukur të trimërisë, heroizmit, guximit dhe të krenarisë shqiptare, që, me profilin e tij, i tregoi Botës mbarë se çfarë është i zoti të bëjë një Udhëheqës dhe një Strateg për Kombin e tij , por edhe për të tjerët. 

Portretizimi i tij mbeti i gjallë në kujtesën e një Kombi dhe u përcoll, u viganizua me të, u përcollën bëmat e tij në breza për habitjen që shkaktuan fitoret e tij legjendë. Shqiptarët i thurën kësaj kryefigure këngë, gojëdhëna, ese  e tjera.

Me të drejtë populli ynë dhe ne të gjithë krenohemi me Heroin tonë Kombëtar, por ai është bërë objekt studimi i shumë personaliteteve në botë, të cilët kanë studiuar shkollën e tij të artit. Kryenjeri, që i kaloi kufijtë e vendit të tij, të Ballkanit dhe të Evropës… Këtë e tregon literatura e shumtë, shumëplanshe që ekziston sot për këtë figurë madhore. Madje, ai është përdorur dhe si idol për mobilizimin e popujve për të kundërshtuar Mbretërirë, Perandoritë, Tiranitë  dhe Tiranët, Diktaturat dhe Diktatorët, Dhunën, Eliminimin,  ndaj dhe shkrimtarët, historianët, poetët, politologët  në botë, e kanë objekt të veprave të tyre.  I kristalizuar, si një figurë me përmasa gjigante,  ai sot është prezent me Kryeveprën e Tij, me   buste, shtatore, relieve, në shumë vende të Evropës. 

Në këtë drejtim, ne kemi një krenari të pamatë që respektohet  Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, një figurë komplekse e paarritshme  për kohën që jetoi dhe që epokoi. 

Ndaj LNPSHA, në vitin e shpallur “ VITI I SKËNDERBEUT”, ndërmorëm një sërë veprimtarish akademike, letrare, kulturore, artistike, shfaqje të poemës dramatike “ Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të regjisorit, aktorit  Xhevat Limani, i cili ndërmori një inkursion domethënës, në këtë vit,  në Shqipëri, Ballkan, Evropë dhe Botë (Teatri Shqiptar në Amerikë) ; veprimtari   filmike, botuese, hapje ekspozitash,manifestime    e tjerë, të cilat i shpalosim në veprën “KOHA MBAN MEND”. 

C:\Documents and Settings\alb\Desktop\arbeni perkrenarja e Sklenderbeut.jpg

Përkrenarja e  Skënderbeut , 

 pikturë nga piktori Arben Kristani

Filed Under: Histori

Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

May 6, 2025 by s p

Albin Kurti/

Guximtar dhe trim, ndonëse në një moshë të re. Student e luftëtar: jeta e tij ishte e ndarë mes zjarrit të dijes dhe zjarrit të luftës. Luani i mbronte shokët, e mbronte atdheun e luftonte për liri.

Aksionet e tij guerile kundër policisë serbe kanë qenë të panumërta, sepse në mendje e zemër kishte atdheun e dashur dhe gëzimin e lirisë bashkë me të gjithë ne.

Luani u vra kur i kishte 23 vjeç teksa kalonte kufirin e ish-Jugosllavisë që ndante shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, të cilin e përshkonte shpesh për shkak të studimeve por edhe rastit për të realizuar aksione kundër forcave serbe e bartur armatim për të furnizuar luftëtarët e UÇK-së. 6 maji i vitit 1997 është përvjetori i rënies së tij dhe shënimi i humbjes së një atdhetari e patrioti të kombit.

Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

Filed Under: Histori

DR. SOKRAD DODBIBA, INTELEKTUALI PATRIOT I SHKOLLUAR NË AUSTRI

May 2, 2025 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë/

Njeriu që dha shumë për vendin, ktheu thesarin shqiptar nga Roma në Tiranë, si shpërblim nga kriminelët komunist, mori burgun, dhunën, përbuzjen. Shkëlqimi i figurës së tij verbon sot grabitësit e thesarit nga atdheu i varfër për jetë në luks jashtë vendit kryeministra, ministra e lakenj ndyrësira kohe.

Vjena, kryeqyteti i Austrisë, luajti një rol me rëndësi në kulturën e shumë popujve që ishin në përbërjen e monarkisë Austro-Hungareze, por edhe të popujve të tjerë të kontinentit. Këtu hyjnë edhe shqiptarët. si popull i vogël me kulturë të lashtë. Shqiptarët dhe trojet e tyre në Gadishullin Ilirik, ishin pikë interesimi e shumë shkencëtarëve evropianë, ku dallohen në veçanti ata nga hapësira gjermano-folëse. Këto raporte të lidhura shekujve, shqiptarët i forcuan duke lënë gjurmë në fusha të ndryshme brenda hapësirave evropiane si në: art, kulturë, shkencë, artin luftarak, etj.

Ndjenja e miqësisë, e shprehur nga vendoret ndaj kulturës e historisë shqiptare, bëri që Vjena të jetë një qendër me peshë në historinë e kulturën tonë më të re. Këtu gjetën mundësinë e shkollimit dhe veprimit shumë nga intelektualët më zë e peshë në rrjedhat e progresit tonë kombëtar e shoqëror. Kjo lidhet detyrimisht me miqtë vendor që dhanë një ndihmesë të madhe në shumë fusha hulumtuese rreth gjuhës, kulturës dhe etnisë shqiptare.

Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të kaluar, nga studentët e intelektualët atdhetarë të ardhur në Austri, u themeluan shoqëri të organizuara ku ushtronin aktivitetin e tyre në të mirën e kombit shqiptar.

Njëri nga ata shqiptarë intelektualë të fuqishëm dhe burrë kombi, pa dyshim, ishte edhe Dr. Sokrat Dodbiba. Ai pasi merr bakaloriatin në Robert Kolexhin Amerikan të Stambollit dërgohet në Vjenë për studimet të larta universitare. Ishte viti 1921 kur Sokrati arrin në Vjenë ku vepronin disa nga figurat e njohura të kulturës sonë si: Dr. Gjergj Pekmezi, Jani Basho, Xhevat Korça, Nush Bushati, Kolë Mirëdita- N. Helenau, Safet Butka, Fuad Asllani, Lasgush Poradeci, Regjep Mitrovica, Kristë Maloki Skënder Luarasi, Muharrem Villa e disa të tjerë, të bashkuar kryesisht rreth shoqatës studentore “Albania” e themeluar në vitin 1918.

Shoqëri kjo e cila nxori organin e saj, revistën “Dialeria” (1920) ku botuan shkrimet e tyre studiuesit shqiptarë, në mes tyre edhe Dr. Dodbiba.

Duke trashëguar një edukatë familje të arsimuar dhe arsimdashëse, ai u interesua për lëmin e arsimit e edukimit, si hallka më e rëndësishme për civilizim. Këtë ai e shprehu me shkrimin e tij të parë në numrin e revistës 20/22 gusht-shtator-tetor, 1922 dhe në numrin 24, viti 1924 ia kushton filologut e filozofit, Postalezi, i cili njihet si pedagogu më i madh në shekullin nëntëmbëdhjetë.

Ja një konstatim i tij faqe 13-të:“Sa më thellë me e studiua këtë njeri, aq më shumë bindemi se shkrimet e tij kanë vu themelet e arsimit të sotëm”. Më tutje në shkrim jepet mendimi shumë i përparuar i tij lidhur me arsimin. “…lyp një arsim të bollshëm për qytetarin dhe katundarin”. Përveç hapësirës nga profesioni prej një ekonomisti të shkëlqyer botoj shkrime analitike për rrjedhat aktuale në veçanti shkollimi si nevojë e ngutshme për kombin shqiptar të robëruar e i prapambetur.

Në shkrimin e tij më tutje, ai jep biografinë e shkurtër të Postalecit, të cilin si duket i kishte lënë përshtypje të veçantë. Intelektualit të përgatitur me njohuri të shumta, Dr. Dodbiba s’ka se si të mos i dhemb zemra për gjendjen e rëndë të kombit të tij në të gjitha fushat; ekonomi, shkencë, art, arsim e kulturë. Ai aktivitetin e tij prej veprimtari e ushtroi në shoqërinë shqiptare “Albania”, një vazhdim i veprave të intelektualëve shqiptarë që nga shoqëria paraprijëse “Dija” e themeluar nga Dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, vit kur ishte themeluar edhe “Komiteti Shqiptar i Austrisë” me seli në Vjenë.

Dr. Sokrat Dodbiba, jo vetëm që ishte vetë aktiv, por ndikoi në rrethin e tij në ngritjen e aktiviteteve të shoqërisë studentore. Ata duke qenë për studime universitare në Austri kishin qëllim organizimin e veprimtarive patriotike, kulturore e arsimore. Krejt kjo të vihet në shërbim të zhvillim të kombit e shtetit shqiptar. Ai ishte shembulli më tipik i një intelektuale të gjithanshëm, me një përgatitje profesionale të lartë të kohës, si doktor i shkencave ekonomike. Duke qenë i vetëdijshëm për nevojat e mëdha që kishte atdheu vendosi që të kthehet në atdhe në vitin 1928 kur edhe i përfundon me sukses studimet, duke marr gradën më të lartë shkencore, doktor i Ekonomisë Politike në Universitetin e Vjenës. Shembulli i tij ishte shprehje e pjekurisë së tij, edukatës së tij patriotike për t’i shërbyer atdheut.

Në ndërgjegjen e tij ndjeu thellë detyrimet që kishte ndaj gjithë atyre bashkëkombëseve që e financuan shkollimin e tij duke ua shpërblyer me shërbimin e tij ndaj shtetit e kombin. I edukuar me pastërtinë shpirtërore e kombëtare, në vënien e interesit kombëtar mbi çdo gjë tjetër mbajti qëndrimin parimor e të pa luhatshëm deri në rrezikim të jetës në mbrojtje të thesarit kombëtar, kthimin e tij nga Roma në Tiranë e shumë shembuj të tjerë.

Nuk ishin të rralla vizitat e tij dhe të shoqërisë studentore, që i bëheshin përkrenares dhe shpatës së heroit kombëtar, Gjegj Kastrioti- Skënderbeu në Belvedere. Kjo ua zgjonte krenarinë kombëtare, u shtonte dëshirën e vullnetin për punë këmbëngulëse krahas shkencës edhe në çështjet kombëtare. E ndejshme kjo gjithkund në shkrimet e tij në revistat e kohës, si “Djalëria” e shoqërisë Studentore “Albania” e më vonë në shkrimet analitike në disa revista të kohës. “S.K.S.K.S –Sa kam shpirt, kam shpresë”. Ishte moto e fuqishme e grupit studentor të vyer, sot figura të ndritshme në antologjinë e formimit dhe zhvillimit kombëtar.

Aty ishte edhe Dr. Sokrat Dodbiba. Paraprijës ishte optimizmi, humanizmi njerëzor i vjelë nga leximet e rilindësve, i cili kishte zënë vend thellë në shpirtin e shumë veprimtarëve shqiptarë e shoqërisë studentore në Vjenë. Këtej kishte kaluar pesëdhjetëvjetësh më parë Naim Frashëri i Madh duke lënë poezinë, emblemë kushtuar përkrenares dhe shpatës së Krye heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Kishte ardhur, më 1886, me ndihmën e disa miqve për të shëruar mushkëritë e copëtuara posi atdheu i robëruar në vend shërimi i njohur ku tani tradhtarët jetojnë në vila luksoze të paguara me lekë të vjedhur nga thesari i shtetit më të varfër në Evropë. Ata që e vranë Dr. Sokrat Dodbibën dhe familjen e tij, i cili mbrojti dhe ktheu thesarin kombëtar, tani vodhën dhe nxorën jashtë atdheut. Me gjuhën e “Strehëzave” miku i shqiptarëve, këtej, do zbulonte edhe një “ekstrem shqiptar” në historinë e tij. Dhe ndoshta ka të drejtë!

Një shkrim të rrallë e të drejtë rehabilitues për figurën madhore të Dr.Sokrat Dodbiba e hasim në gazetën “Bulevard” i shkruar nga Bashkim Kadiu, ku pos tjerash thuhet: “Vetëdija kombëtare ka sjellë si rezultat një lëvizje me përmasa madhore, ku njohja e realitetit shqiptar solli si produkt të saj një koncept të brumosur, të trashëguar nga rilindësit tanë.

Madhështia dhe personaliteti i këtyre burrave arriti të dallojë rrezikun që i kanosej kombit nga një ideal fantazmë komunist i importuar. Ky importim brutal duhej goditur, duhet të çirrte maskën e të nxirrte në shesh synime djallëzore. Kjo pjellë të shëmtuar duhej të ndalej nga burra mëmëdhetarë, të cilët shkuan gjer në flijim për nderin dhe çështjen kombëtare”.

Dr. Sokrat Dodbiba do të kujtohet në gjenerata si njeri që ktheu thesarin kombëtar dhe ruajtjen e tij. Do të kujtohet për pathyeshmërinë e tij para falangës komuniste, njeriu që vdiq urie në burg. “ të më sillni një pjatë gjellë” të cilën nuk e pa kurrë.

Padyshim, vepra e veprimtarëve intelektual të pastër siç ishte Dr. Sokrat Dodbiba nuk i le të harrohen edhe pse komunistët e shërbyesit e tyre akoma janë aktiv në jetën shqiptare. Të mbështjellë me petkun e dhelprës ata i ke gjithandej grabitës për pikë dite të thesarit kombëtar pa dhënë llogari askujt.

Figura e Dr. Sokrat Dodbibës e meriton rehabilitimin e plotë nga shteti e shoqëria shqiptare. Ai padyshim është shembulli i sakrificës në çjerrjen e maskës kuçedër komuniste e komunizmit. Intelektual, i cili mund ta bënte jetën e tij prej burrështetasi kudo në një vend normal, u martirizua bashkë me familjen e tij, pasurinë e tij për të vërtetën e progresin kombëtar. Një ditë mëngjesi në liri, do shndritë përmendorja e tij në hyrje të Thesarit Kombëtar, ku do gjejnë mallkimin në mote hajdutë e tradhtarë.

Dr.Sokrat DODBIBA (1889-1956). Lindi në Elbasan. Mbaroi shkollën e mesme amerikane “Robert Kollege” në Stamboll. Doktoroi në UN-e Vjenës në Ekonominë Politike (1928). Punoi në Ministrinë e Financave të Shqipërisë që nga viti 1928. Ishte Ministër i Financave. Dr. Dodbiba njihet me veprën e tij të guximshme e patriotike të kthimit të thesarit shqiptar nga Roma në Tiranë. Themeloi dhe udhëhoqi revistën shkencore “Ekonomisti Shqiptar”. U arrestua (1944) kurse u dënua me 30 vjet burgim nga komunistët. Vdiq në burgun e Burrelit, në vitin 1956.

Burimet:

Revista mujore “Dialeria” nr.20/22-1922; nr.24-1924, Vjenë

ASHSH: “Fjalor Enciklopedik Shqiptar” 1, Tiranë, 2008- f.499/500

H.M: Studiues austriakë e shqiptarë në Austri, Prishtinë, 2021 f.71/72

Dr.Uran Asllani:”Studentët Shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e tyre”, Tiranë-2000, f.123/124/156/157

Gazeta Bulevard:Bashkim Kadiu: Ministri i financave, dr. Sokrat Dodbiba që vdiq burgjeve të regjimit komunist; DossierFriday, September 13th, 2013Short URL: http://bulevardionline.com/?p=59

Gazeta Shekulli: Bardha Nergjoni- Intervistë me familjarët Dodbiba.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT