Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Korrik 2015-Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës nisi me përkujtimin e masakrës së Srebrenicës të para 20 viteve, në Bosnjë e Hercegovinë, po edhe të masakrave në Kosovë në luftën e para mëse 16 viteve të forcave serbe të Slobodan Miloshevicit, i cili më pastaj ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se, “20 vite më parë në verën përvluese të vitit 1995 në qytetin Srebrenica të Bosnjës u bë krimi më i madh në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.
Ai përkujtoi se në masakrën e Srebrenicës, të gjenocidit e spastrimit etnik, që tronditi botën, mbi 800 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve serbë të Miloshevicit dhe se e njëjta barbari e forcave serbe u shfaq pastaj në fshatrat e qytetet e Kosovës.
“20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë e vende tjera të Kosovës drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin vetëm kobe të reja”, u shpreh kryeparlamentari kosovar, Veseli.
“Duke iu bashkuar përkujtimit global që po i bëhet Masakrës së Srebrenicës në 20 vjetorin e saj, në nderim të viktimave ju ftoj për një minutë heshtje”, përmbylli fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, në fillimin e seancës plenare.
Pas nderimit me një minutë heshtje, seanca vazhdoi sipas axhendës me deklarime jashtë rendit të ditës dhe të parit fjala iu dha deputetit të partisë boshnjake të Kosovës VAKAT, Qerim Bajrami nga Grupi parlamentar Gjashtë Plus, i komuniteteve pakicë, i cili poashtu përkujtoi masakrën e Srebrenicës, duke u shprehur se ishte dita më e zezë në historinë e popullit boshnjak në Ballkan. “Nuk ka pajtim në Ballkan pa gjykimin e drejtë të krimit”, theksoi ai, ndërsa njoftoi se në qytetin e Prizrenit sot për 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës do të organizohet një marsh nga dy organizata joqeveritare të boshnjakëve përkrahur edhe nga komuna e qytetit më të madh jugor të Kosovës.
Presidenti Nishani priti Kancelaren gjermane, Angela Merkel
Tirane,8 korrik 2015-Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti në një takim Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.S.Znj. Angela Merkel, e cila ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare në kuadrin e një turi diplomatik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe falënderimet në emër të qytetarëve shqiptarë për vëmendjen e mbështetjen që Kancelarja Merkel dhe Gjermania në tërësi po i japin vendit tonë si dhe për kontributin e madh ndër vite që institucionet dhe populli gjerman kanë dhënë për zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Duke theksuar se sot është një ditë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve, Kreu i Shtetit u shpreh se: “Kjo vizitë përbën një mesazh i rëndësishëm inkurajues për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët shohin tek Gjermania një vend simbol të punës, dinjitetit dhe prosperitetit”.
Nga ana e saj, Kancelarja gjermane u shpreh se: “Jam tejet e impresionuar nga përparimi i bërë nga Shqipëria pas viteve 1990-të, duke ditur dhe kuptuar vështirësitë historike nga jeni nisur dhe çka keni arritur deri më sot”.
Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria është e vendosur të vijojë me rrugën e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se: “Integrimi evropian mbetet alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët.”
Presidenti i Republikës theksoi se ndërtimi i institucioneve efikase dhe kultura demokratike janë dy sfidat madhore të vendit, dhe në këtë kontekst kërkoi vijimin e mbështetjes gjermane. Gjithashtu Presidenti siguroi se ndër 5 prioritetet e integrimit evropian, përparësi të veçantë merr reforma në drejtësi, duke e garantuar Kancelaren për angazhimin e tij maksimal në çuarjen e kësaj reforme përpara.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se përkundër pretendimeve për një lodhje evropiane ndaj zgjerimit, ajo çfarë e shpejton procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe vendeve të tjera janë reformat e thella e të suksesshme. Zonja Merkel veçoi reformën në drejtësi si çelësin e këtij suksesi, për të cilën Gjermania do të vazhdojë të japë ndihmën maksimale.
Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, dhe veçanërisht rritja e investimeve direkte gjermane, ishte një prej temave të tjera të diskutuara mes Presidentit Nishani dhe Kancelares Merkel. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se: “Investitorët gjermanë do të gjejnë tek Kryetari i Shtetit shqiptar një zë të fuqishëm dhe mbështetës”, duke shpresuar që kjo të ndodhë sa më parë.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se ka mundësi dhe shanse për bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, duke parë tek Shqipëria potencialin për një të ardhme të shkëlqyer përpara.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit rajonal, për të cilën Kancelarja Merkel përshëndeti zhvillimet pozitive dhe frymën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Duke shprehur vullnetin e Gjermanisë për ta ndihmuar rajonin në realizimin e projekteve rajonale zonja Merkel veçoi projektin e shkëmbimeve mes të rinjve, sipas modelit franko-gjerman. Presidenti Nishani e garantoi Kancelaren Merkel se Shqipëria beson tek fqinjësia e mirë, paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit dhe se konsideron që vendet tona kanë një shans historik për të bashkëpunuar me vullnet të mirë.
Kreu i Shtetit u shpreh se procesi i nisur një vit më parë në Berlin, me nismën e Kancelares e që do të vijojë këtë vit në Austri, i ka dhënë një vizion dhe optimizëm të ri bashkëpunimit rajonal, duke prodhuar një komunikim, bashkërendim dhe koordinim më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një temë tjetër me interes ishte dhe çështja e azilkërkuesve, për të cilën Kancelarja gjermane theksoi se duhet të bëhet më shumë punë për përmirësimin e kushteve ekonomike të njerëzve në vendin e tyre, dhe se shqiptarët sot janë qytetarë të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian, dhe si të tillë kërkesat për azil përbëjnë një shqetësim.
VEÇOJMË NGA VIZITA E KANCELARES MERKEL NË TIRANË
*Angela Merkel: Ju mbështesim në rrugën drejt BE-së/
*Kryeministri Rama: Europa ka nevoje per Ballkanin Perendimor/
Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me znj. Angela Merkel, tha se kancelarja gjermane e kupton vështirësinë dhe përpjekjen e Shqipërisë “në rrugën drejt një demokracie europiane”. Rama e falenderoi kancelaren Merkel në emër të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen ndaj vendit në aspiratën për integrim në BE./
Fillimisht në fjalën e tij, Rama i ka shprehur mirënjohjen e tij kancelares Merkel për “dorështrëngimin e Shqipërisë dhe Gjermanisë”, që nënkupton, sipas tij, vëmendjen e Berlinit ndaj rajonit për çështje shumë të gjera.
“Kjo vizitë është një fakt kuptimplotë i bashkëpunimit dhe vullnetit për të forcuar partneritetin mes nesh. Zonja kancelare, ju falenderoj për mbështetjen tuaj për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin e saj”, ka thënë Rama.
Ai ka vlerësuar se “konferenca e Berlinit përshpejtoi një proces bashkëpunimi në një rajon që ka qenë peng i së shkuarës” dhe një vit prej andej është arritur një progres i pamenduar më parë, që kulmoi me vizitat e kryeministrave në Beograd dhe Tiranë.
“Ne jemi të vendosur të ecim përpara me fqinjin tonë serb, duke përforcuar marrëdhëniet me të”, ka thënë Rama, i cili sa i takon integrimit të rajonit në BE ka thënë: “Ballkani ka nevojë për Europën po aq sa Europa ka nevojë për Ballkanin. Ne synojnë të gjithë aderimin në BE, por edhe Europa duhet të bëjë pjesën e saj, duke mos e trajtuar integrimin tonë si një biznes”.
“Ne nuk kërkojmë lehtësime apo shkurtime të kushteve nga Brukseli dhe ato që po bëjmë për integrimin po i bëjmë jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse i kërkon vetë shoqëria shqiptare”, ka përfunduar Rama.
Nga ana e saj, kancelarja Merkel ka shprehur “kënaqësinë e madhe” të saj që mbajti premtimin për të ardhur në Tiranë. Ajo ka theksuar se, kjo vizitë duhet të shërbejë si shtysë për të forcuar partneritetin ekonomik mes dy vendeve.
“Shqipëria ka bërë një progres mjaft të madh. Kemi mundesi më të mëdha për të arritur nivele të tjera në bashkëpunimin ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik është një aspekt që shënon një pikë të rëndësishme në rrugën tuaj drejt BE-së”, ka thënë Merkel.
Përmes bashkëpunimit, ka nënvizuar kancelarja, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat më të mira për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Një tjetër pikë ku është fokusuar ajo ka qenë edhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit, aspekt në të cilin, sipas saj, është bërë progres me vizitën e kryeministrit Vuçiç në Tiranë dhe atë të kryeministrit Rama në Beograd.
Më pas, përballë pyetjeve të mediave sa i takon procesit të integrimit dhe afateve të mundshme të tij, kancelarja dhe kryeministri shqiptar kanë dhënë këto përgjigje: “Nuk po përcaktojmë afate të qarta në procesin e integrimit, ajo ku jemi fokusuar është kryerja e reformave. Në reformën në drejtësi janë bërë progrese, por nuk është realizuar tërësisht. KE i kushton rëndësi të plotë kësaj. Ne e duam anëtarësimin e vendit tuaj, por është një proces që merr vlerësimet gradualisht”.
“Në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha kushtet, përfshirë paketën për reformën në drejtësi. Integrimi është një proces që në radhë të parë vlerën e ka këtu dhe për ne. Ato që bëjmë janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit. Kur të kemi plotësuar këto kushte, unë jam i bindur se kancelarja Merkel do të jetë e para që do të na mbështesë”, ka thënë Rama.
Merkel:JO AZIL NGA SHQIPERIA, Kërkojmë fuqi punëtore të kualifikuar
Në lidhje me çështjen e azilantëve, kryeministri Edi Rama nënvizoi edhe një herë tjetër se “shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE”, por nga ana tjetër tha se ky është një problem social që mund të lehtësohet me ndihmën e BE-së.
“Shqiptarët nuk kanë të drejtë azili në BE, por kjo çështje duhet parë jo vetëm si çështje sigurie, por si një problem social që lehtësohet përmes mbështetjes ekonomike të BE-së ndaj vendit tonë”, tha Rama.
Ndërsa kancelarja Merkel tha se “Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të njihen si azilantë”. “Por bën pjesë tek ato vende që mund të ofrojnë fuqi punëtore të kualifikuar”, shtoi ajo.
Merkel dhe Rama fjalim nëforumin ekonomik Shqipëri- Gjermani
“Bashkëpunimi ekonomik, baza e partneritetit”/
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e përmbylli vizitën e saj në vendin tonë me pjesëmarrjen në forumin ekonomik Shqipëri- Gjermani, të organizuar në Vorë, pranë aeroportit të Rinasit.
Edhe këtu kancelarja gjermane i tregoi Shqipërisë, e cila tashmë e ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, që nuk ka pse të dërgojë emigrantë jashtë vendit, pasi Gjermania ka kërkesa për fuqi punëtore dhe Shqipëria i ka këto kapacitete të punonjësve të kualifikuar.
“Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe këtë e merr një vend që ka krijuar kushtet bazë për t’u anëtarësuar dhe Shqipëria nuk ka pse dërgon emigrante jashtë vendit. Gjermania ka kërkesa për fuqi punetore dhe Shqipëria i ka këto kapacitete të punonjësve të kualifikuar. Unë dëshiroj t’ju inkurajoj në formimin profesional, pasi do të krijonte mundësine që të rinjtë të jenë të suksesshëm në fusha të caktura. Ne në Gjermani mund të mbështesim kualifikimin profesional të punonjësëve, si infermiere apo ekuivalentimit të diplomave”-tha Merkel.
Në fjalën e mbajtur në “Tirana Business Park” , Merkel vlerësoi shumë të rëndësishme marredhëniet ekonomike mes Shqipërisë e Gjermanisë.
“Është kënaqësi që shoh në këtë takim personalitete të shquara të biznesit gjerman. Kemi folur se çfarë mund të bejë politika dhe sipërmarrësit për intensifikimin e marredhënieve mes dy vendeve dhe ekonomia gjermane është e gatshme të investojë në Shqipëri kur ka garanci ligjore. Hapësirat e bashkëpunimit janë të mëdha në energji dhe në shumë fusha dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”- u shpreh ajo.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama duke i konsideruar si mjaft të rëndësishme investimet gjermane në vendin tonë, i shprehu mirënjohjen familjes Linder, e cila ka investuar 1200 milionë euro në vendin tonë.
“Kjo është një ditë e shënuar për raportet me Gjermaninë. I jemi shumë mirënjohës familjes ‘Linder’, jo vetëm sepse ka vendosur të investojë 100 milionë euro në vendin tonë, por sepse përmes këtij investimi po sjell një copëz Gjermanie në zemër të Shqipërisë. Po sjell një sipërrje të lirë si kontirubut ekonomik, social, urban. Një urë veprimi ku nuk do të qarkullojnë vetëm para, por edhe ide dhe kulturë baskëpunimi”-tha Rama.
Duke iu referuar, ‘Tirana Busines Park’, Kryeministri Rama theksoi se, “këtu parashikohet të punësohen deri në përfundim të investimit rreth 10 mijë vetë.
Por e rëndësishme është edhe fakti se sipërmarrja gjermane promovon biznesin në marrëdhëniet me ligjin dhe shtetin. Vendi ynë ka nevojë për para dhe punësim real, ndaj dhe sipërmarrja gjermane do të promovojë një kulturë të re pune në vendin tone”, tha Rama, i cili shtoi se me Gjermaninë diferencohemi jo vetëm me të ardhurat për frymë por edhe në dije.
Gjithashtu kryeministri solli shembullin e burimeve ujore dhe shfrytëzimin e tyre, që pavarësisht parasë së donatorëve vendi ynë vuan furnizimin me ujë dhe energji , edhe pse është vendi dytë më i pasur në Europë pas Norvegjisë.
Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se donatrët kanë investuar edhe në rritjen e kapaciteteve.
“Donatori KFW nuk ka investuar vetëm në infrastukturë, por edhe në rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes përcjelljes së dijes tek shqiptarët mbi sistemin e dijes dhe administrimin e dijes. Pra është një ndihmë që krijon sistem dhe sjell një kulturë të re menaxhimi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se, “Jemi në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar për vendin tonë ndër vite të tëra dhe me korrupsionin në drejtësi që është një kancer.
Presidentja Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme, Baroneshën Joyce Anelay
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takoi sot në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme dhe përfaqësuesen speciale të Kryeministrit britanik për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baroneshën Joyce Anelay me të cilën diskutuan për iniciativat institucionale dhe shoqërore në Kosovë për t’i rehabilituar dhe reintegruar të mbijetuarit e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera në vend dhe rajon.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Baroneshën Anelay për angazhimet ndërinstitucionale për t’iu ofruar mbrojtje ligjore dhe për të forcuar statusin juridik në shoqëri të mbijetuarve të këtij krimi të luftës. Presidentja Jahjaga theksoi se kjo kategori në Kosovë tashmë ka statusin e viktimave civile të luftës dhe që me nxjerrjen e akteve nënligjore do të njihen dhe mbrohen si grup i margjinalizuar. Ajo foli edhe për nevojën që të mbijetuarit e dhunës seksuale të fuqizohen ekonomikisht për t’iu krijuar një të ardhme më të qëndrueshme, dhe për të mundësuar qasje të barabartë në drejtësi në përpjekje për t’i vënë para drejtësisë kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme. Presidentja i dhuroi një kollazh fotografish nga instalacioni artistik Mendoj për Ty që u është dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale, fushatë për të cilën kishte dhuruar fustanin e saj të veshur në një moment të veçantë të karrierës së saj.
Në takim ku morën pjesë Ambasadori i Republikës së Kosovës në Britani, zotëri Lirim Greiçevci dhe Ambasadori britanik në Kosovë, zotëri Ruairi O’Connell, Presidentja Jahjaga falënderoi Baroneshën Anelay për rolin e shtetit të saj dhe lidershipin që ka dëshmuar për senzibilizimin e botës dhe përpjekjet konkrete për t’i dhënë fund dhunës seksuale si mjet lufte. Ajo në veçanti falënderoi Baroneshën për përkrahjen e qeverisë britanike institucioneve të Kosovës në përballjen me këtë pasojë të luftës.
Në takim gjithashtu u diskutua për zhvillimet rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga shprehi zhgënjimin e saj me mosvotimin e amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale dhe theksoi se pret nga institucionet e vendit të gjejnë mënyrën dhe kurajon që të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar në përputhje me vendimin e Kuvendit dhe të marrëveshjes ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga e siguroi Ministren britanike se Kosova është shtet që beson në drejtësi dhe që do të veprojë mbi këtë parim.
Ministrja Anelay falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen viktimave të dhunës seksuale dhe për përkushtimin e saj ndaj drejtësisë.
Kosova dhe Mali i Zi drejt marrëveshjes ndërshtetërore për kulturë
-Inicohet ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015/-Kosova dhe Mali i Zi dakordohen që të finalizojnë sa më shpejtë një draft marrëveshje për bashkëpunim kulturor, e cila aktualisht ekziston.
Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Rexhep Hoti është takuar me homologen e tij nga Mali i Zi, Dragica Miliç, me të cilën janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit kulturor mes të dyja institucioneve.
“Jemi duke punuar në finalizimin e marrëveshjes për bashkëpunim kulturor për ta bërë formalizmin e saj nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shpresojmë që sa më shpejtë të bëhet nënshkrimi i saj nëpërmjet të dy ministrave tanë”, tha Hoti.
Ai kërkoi bashkëpunim me Malin e Zi posaçërisht në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet galerive, muzeve dhe institucioneve tjera, promovimin dhe respektimin e identitetit kulturor si dhe një sërë çështjes tjera të rëndësishme.
Edhe zëvendësministrja Miliç kërkoi formalizmin sa më të shpejtë të marrëveshjes për bashkëpunim kulturor në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ajo shprehu mbështetje për shkëmbim përvojash edhe në fushat e tjera të rëndësishme kulturore.
Nga Ministria kosovare bëhet e ditur se, Hoti dhe Miliç gjithashtu ranë dakord që për vitin e ardhshëm, të dyja ministritë të hartojnë buxhete për fillimin e mbajtjes së javëve kulturore në mes të dyja shteteve, duke filluar nga parashikimi i vitit të ardhshëm buxhetor.
Zëvendësministri Hoti, në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi, u takua edhe me përfaqësuesen e Drejtorisë së Diasporës në Ministrinë e Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi, Elvina Bektesi, me të cilin diskutuan mundësinë e një bashkëpunimi të përafërt mes tyre, dhe Ministrisë në Diasporës të Kosovës.
Hoti u takua edhe me Zoran Gjukanoviç, shef i Departamentit për Monitorim, Kërkim, Informim dhe Publikim të Informacioneve në kuadër të Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi. Të dy ranë dakord për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve bashkëpunuese.
Zëvendësministri Hoti është takuar edhe Genc Nimanbegun, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe deputet në Parlamentin malazez.
Hoti dha mbështetjen e Ministrisë për të ofruar ndihmë në përmirësimin e jetës kulturore dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore të shqiptarëve të Malit të Zi.
Nimanbegun kërkoi nga zëvendësministri Hoti që Republika e Kosovës të ofrojë mbështetje shtetërore financiare dhe konkrete ndaj shqiptarëve në Mal të Zi duke marrë parasysh se gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është duke u tkurrë gjithnjë e më shumë në të gjitha drejtimet.
Gjithashtu, gjatë bisedës u iniciua ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare, prej ku do të mund të mbuloheshin nevojat emergjente që kanë shqiptarët në Matë zi, qofshin ato arsimore, shëndetësore, kulturore, ekonomike.
Gjatë vizitës në Mal të Zi zëvendësministri Hoti është shoqëruar edhe nga Lazar Raduloviç, kryetar i Partisë Malazeze të Kosovës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 382
- 383
- 384
- 385
- 386
- …
- 596
- Next Page »