“Presim të marrim dëmshpërblimet. Jemi ende të burgosur politikë”. Kështu janë shprehur katër ish-të përndjekur politikë, të cilët janë lidhur me zinxhirë pranë Kuvendit ditën e sotme. Duke ripohuar në këtë mënyrë kërkesat e tyre të vazhdueshme për përfitimin e dëmshpërblimeve mbi vitet e burgut që kanë bërë gjatë diktaturës komuniste. Vetë përfaqësuesi i tyre, Skënder Tufa, ka deklaruar se janë lidhur me zinxhirë në shenjë proteste pasi nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet.
Uragani Arthur , autoritetet paralajmërojnë qytetarët për masa
Stuhia tropikale ‘Arthur’, i formuar në Atlantik, tashmë është klasifikuar si uragan i kategorisë së dytë dhe kërcënon të gjithë bregun lindor të Shteteve të Bashkuara. Me erëra që i kalon 100 km në orë, “Arthur” uragani i parë për këtë sezon, vjen në një kohë kur sot SHBA-të festojnë Ditën e Pavarësisë, 4 korrikun.
Pasi kaloi në Karolinën e Veriut uragani po vazhdon në drejtim të veriut dhe mund të godasë Nju Jorkun në orët e ardhshme. Shërbimi meteorologjik ka njoftuar se një shi i rrëmbyer ka rënë në disa qytete gjatë pasdites së të enjtes dhe për pasojë ka pasur përmbytje. Pas kalimit të stuhisë në Karolina nuk ka pasur njoftime për viktima, por dëme materiale janë raportuar në disa zona.
Shumë persona në zonat bregdetare të SHBA janë evakuuar. Uragani Artur që pritet të godasë SHBA-të, vjen pas uraganit Sandy në 2012 që shkaktoi dëme të mëdha, të cilat vlerësoheshin në 70 miliardë dollarë.
Si pasojë e Uraganit, parashikohet të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Është paralajmëruar për mbylljen e lokaleve dhe ambienteve të tjera publike,ndërsa pritet të ketë edhe përmbytje.
Gjithsesi sipas qëndrës kombëtare të uraganeve, stuhia pritet të lëvizë në det të hapur në orët në vijim në drejtim Veri-Lindje të SHBA-ve dhe kështu do të dobësohet, ndaj dhe nuk do të përbëjë rrezik serioz, gjithsesi banorëve I është bërë thirrje të shmangin daljet dhe festimet në të gjithë bregun lindor.
Bashkia Islame në Kosovë dënon përdhosjen e figurës së Skënderbeut
Bashkësia Islame e Kosovës tha të enjten se përdhosja e figurës së Skënderbeut është përpjekje për të përdhosur historinë dhe të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar.
Këto komente pasuan njoftimin se dy persona janë arrestuar në fillim të javës në Kaçanik rreth 80 kilometra në juglindje të Prishtinës, si të dyshuar se kanë kryer veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor apo fetar”.
Ata janë shfaqur në një video në kanalin Youtube, duke fyer dhe qëlluar me pëllëmbë bustin e heroit kombëtar mesjetar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës e dënoi këtë akt nëpërmjet një komunikate në të cilën thuhet se “përdhosja, ofendimi, urrejtja e gjuha e kontaminuar janë të pa pranueshme për çdo shoqëri, e aq më tepër për shoqërinë tonë, që është ngritur duke kultivuar mirëkuptimin, tolerancën, respektin e mirëbesimin, sidomos në rrafshin fetar, po edhe në atë ndërnacional”.
Në komunikatë thuhet se “përdhosjen e figurës së Skënderbeut e konsiderojmë një akt të ulët dhe tentim për të përdhosur historinë dhe të kaluarën tonë të lavdishme. Aktet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me fenë islame, me traditën tonë kombëtare dhe normat etike e qytetëruese, dhe si të tilla janë jo humane, antifetare, antiislame, të dëmshme, të porositura nga mentorët që nuk ia duan të mirën popullit tonë”.
Populli ynë gjatë historisë me përkushtim ka ruajtur e çmuar figurat e shquar historike, të cilat janë vlera mbi të cilat është ndërtuar kombi ynë. Tentimi i interpretimit të historisë mbi baza fetare është çështje e tejkaluar nga Rilindësit tonë të shquar. BIK mbetet e përkushtuar në kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit, harmonisë e respektit si vlerat të kombit tonë e si mësime të fesë islame dhe feve të tjera të popullit tonë”, thuhet në reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Kuvend-Opozita: Vrasja e Santos, dështim i shtetit
Vrasja një javë më parë e biznesmenit dhe bankierit Artan Santo është bërë sot objekt debati në seancën plenare të Kuvendit.
Duke marrë shkas nga diskutimi i pr/rezolutës “Për raportin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2013′, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi tha se kjo vrasje ka tronditur gjithë shoqërinë shqiptare, pasi bankieri i njohur u vra vetëm pak metra larg nga kryesia e Kuvendit, nga presidenca dhe selia e qeverisë.
“Gjashtë komisariate që ka Tirana nuk i ndalojnë dot vrasësit, në zemër të kryeqytetit. Kush e ka fajin për këtë vrasje që ka tronditur rëndë shoqërinë shqiptare. Pasiguria që na shoqëron vjen pasi na drejtojnë të paaftët”, u shpreh deputeti Bumçi.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se vrasja e Santos është një ngjarje shumë e rëndë, që dëshmon dështimin e plotë të shtetit. Ai akuzoi maxhorancën për aleancë me krimin, ndërsa e fajësoi shumicën se po e shtyn vendin në kriminalitet. “Lidhjet më të rrezikshme tuaja janë ato me krimin dhe ju nuk mund ta luftoni atë. Kështu ju vetëm sa po e shtyni Shqipërinë në kriminalitet”, iu drejtua Berisha deputetëve të majtë.
Deputeti demokrat, Ridvan Bode tha se ekzekutimi mafioz i Artan Santos ka prekur besimin e një institucioni si banka ‘Credins’, por dhe të një rrjeti institucionesh bankare. “Kjo ngjarje duhet të ishte një alarm për qeverinë dhe institucionet që merren me sigurinë e rendin publik. Qeveria e humbi shansin për të goditur krimin”, u shpreh Bode.
Më herët, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se një vrasja e Santos tronditi opinionin publik, ndërsa kryeministri Rama ende nuk ka folur. Sipas saj maxhoranca flet për problematika mjedisore, ndërsa në vend po ndodhin gjëra shumë të rënda. A ka përgjegjësi këtu? Duhet të japi llogari dikush për një gropë të krizës së besimit”, u shpreh sot Topalli.
Në përgjigje të këtij shqetësimi, nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule i sugjeroi deputetes demokrate që të thërrasë në interpelancë kryeministrin.
Ndaj deklaratës së saj i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit socialist Besnik Bare. “Je personi më agresiv në gjithë parlamentin, që ke fyer njerëz nga nëna e baba. Dhe më flet për ndjeshmëri. Nuk e meriton të respektohesh”, iu drejtua Bare Topallit.
Vrasja e Santos, Balla: Pozitë-opozitë të mbështesim policinë
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot në Kuvend se të dyja palët, pozitë-opozitë duhet të mbështesin Policinë e Shtetit që të zbulojë dhe të vërë para drejtësisë autorët e vrasjes së bankierit Artan Santo.
“Të nxisim Policinë e Shtetit që të zbulojë vrasjen e bankierit Santo, një mik i mirë, një qytetar i zoti për Shqipërinë tonë. Shteti duhet t’i kapë ata dy kriminelë që e sfiduan në mes të ditës, por ne së bashku, pozitë-opozitë, socialistë e demokratë, duhet të jemi sot në mbështetje të policisë dhe jo të bëhemi zëdhënës të “Gates”. Ta mbështesim policinë që ta hetojë me përpikmëri këtë rast dhe menjëherë të arrestohen dy kriminelët e të vihen para drejtësisë”, u shpreh Balla në parlament.
Diskutimi i rezolutës së Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri per vitin 2013 solli në qendër të debatit vrasjen një javë më parë të bankierit Santo.
Deputeti Balla tha se diskutimi i kësaj rezolute bëhet vetëm pak ditë ‘nga fitorja e shtetit me krimin në Lazarat.
“Superaksioni në Lazarat ishte treguesi më kuptimplotë i rezultateve në rritje të Policisë së Shtetit. Lufta me krimin ka qënë dhe mbetet prioritet themelor i kësaj qeverie. Pjesa më e vështirë e betejës ka qënë kthimi i policisë në krye të detyrës brenda 300 ditëve të para të qeverisjes”, tha Balla në Kuvend.
Në vijim të komenteve për aksionin në Lazarat, ai akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për lidhje me baronët e drogës. “Lazarati nuk ishte thjesht një plantacion droge jashtë kontrollit të shtetit, por ishte më shumë se kaq. Ai ishte shembëlltyra e dorëzimit pa kushte të shtetit që opozita e sotme i kishte bërë për shkak të pazareve të ulëta të Berishës me baronët e drogës në Lazarat. Ai që sulmon sot për lidhje të fshehta të policisë me kriminelët i kishte vendosur vetë ato me ‘Gatet’ e shokët e tij. I vetmi njeri në këtë parlament që komunikonte orë pa orë me ‘Gaten’ e miqtë e tij në Lazarat, ishte vetëm Sali Berisha. ‘Vip’-at e Lazaratit e kishin shtetin vetëm një telefonatë larg dhe e drejtonin atë me telekomandë’, u shpreh Balla në parlament.
Berisha: Santon e vranë në sy të policëve, shteti nuk ekzistonte
“Aty ku u vra aty ishin policët, aty ishin mbi 30 policë të tjerë që shoqëronin zv.kryeminsitrin maqedonas, kur doli nga Tirana kishte 5-7 postblloqe. Të gjitha këto nuk funksionuan. Dy gjëra janë: Ose e vrau qeveria, nuk kam të dhëna se po të kisha ja numëroj një nga një. Ose shteti nuk ekzistonte, dhe kjo ishte evidente. Ju e vratë për së dyti dhe e poshtëruat atë. Ju për arsyet tuaja e shpallët atë pistë kolumbiane, pista e Mamurrasit. Ju për arsyet tuaja që i bëj thirrje Llallës të hetojë e shpallët: pista e mamurrasit. Nga një hero që e kishit tani duhej të poshtërohej për së vdekuri. Të them ty zotëri, (duke iu drejtuar ministrit Tahirit) t’i je për lidhje me kolumbianin, sepse të nesërmen e lajmit se 250 kg heroinë u nisën drejt Shqiëprisë dole u the se ajo nuk ka qenë me destinacion Shqipërinë, ka qenë për në Francë ose Itali. E bërë për të mbrojtur kriminelët, se ishe i implikuar. Se ke qenë në anën e krimit, se hetimet treguan se ishte destnacion jo Shqipëria, dhe jo vetëm.”
TOPALLI:JASHTE MAFIA NGA PARLAMENTI!
Ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka ndërprerë fjalën sot në Kuvend, deputetit Besnik Bare ndërsa ai diskutonte për kthimin e shpendëve migratore dhe gjuetinë e paligjshme dhe ka insistuar të lihej ajo çështje dhe të flitej për vrasjen e ndodhur para një jave, atë të bankierit Artan Santo, pasi nuk ishte koha për “gjueti lepuri e derri me drita natën” por për sigurinë publike.
Duke i ndërperë fjalën Bares, Topalli u ngrit në këmbë nga salla dhe iu drejtua N/Kryetarit të Kuvendit, Vangjel Dules, që drejtonte seancën:
“Z.Dule, në këtë vend po ndodhin gjëra shumë të rënda e ju po flisni për gjueti lepuri e derri me zagarë e me drita natën…
Kryeministri nuk është, kurse Ministri i Jashtëm qesh kur ktu para një jave ka ndodhur një vrasje e rëndë, mafioze, që ka tronditur tërë opinin publik. Përse nuk flisni? Në cilin vend të botës ndodh që të tronditet vendi nga vrasje të panumërta dhe s’ka reagim? Me kë po tallemi? Ku jemi? Ku është mazhoranca? Pse ka karrige bosh?
Z.Dule, si kryesues i kësaj seance, ju nuk mund të bëni sikur nuk dini gjë dhe sot duhet të diskutojmë për atë që është çështja e ditës, siguria e jetës, kontrolli i kufijve. Kjo është detyra e parë e çdo politikani dhe qytetari.
Baraj: Për ç’ndjeshmëri e vrasje më flisni, kur thua “ti meriton plumb ballit”!
Por, i menjëhershëm ka qënë reagimi i Bares direkt nga foltorja, i cili, duke iu drejtuar Topallit, i tha se “ti je njeriu më agresiv në historinë e Parlamentit”.
“Mua më vjen keq që vendos në fjalën e saj, znj.Topalli, ato fjalë që unë thashë,”- tha Baraj, – “dhe për këtë unë dua të citoj vetëm një nobelist, i cili, që në vitin 1952 thoshte:
“Ajo shoqëri që nuk është në gjendje të respektojë qëniet më të thjeshta, qofshin bimë dhe kafshë, kurrë nuk do mundë të respektojë qënien e ngjashme me vetveten!” Dhe këtë ti e manifeston më mirë se askush!
Je personi më agresiv në të gjithë historinë e Parlamentit këtu, që ke fyer njerëz pa fund, nga nëna, nga baba. I ke kapur njerëzit i ke thënë “kape mor për zhelesh”, nëpër emisione televizive “ti meriton plumb ballit!” dhe ti më flet këtu mua për ndjeshmëri, për vrasje?! Po nga goja jote kanë dalë vetëm shenja dhune dhe agresiviteti,”- tha Baraj dhe u largua nga foltorja.
Moti i keq shkakton probleme në New York
NEW YORK CITY : Moti i keq që përshkroi qytetin mbrëmjen e se merkures për disa orë gjatë natës me shkreptima të fuqishme rrufeje – dhe shi me rrebesh simbas autoriteteve të qytetit thuhet se ka shkaktuar ndërprerjet e energjisë në çdo borough – bashki dhe probleme me kanalizimet e ujrave nëntokësore .
Ndërkohë, njerëzit në lagjen e Bruklinit Red Hook kan pasur disa përmbytje të vogla në rrugët dytësore.
Ekipet nga Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit janë qysh mbrëm në terren duke punuar në pastrimin rrugëve nga pemët e thyera dhe zhbllokimin e komunikacionit në pjesë të tjera të qytetit, thonë autoritetet.
Ku më problematike ka qen simbas tyre autostrada Bronx Expressway e cila shkaktoi gjithashtu një ndërpreje për 90-minuta . Probleme me trafikun pati mbrëm edhe me Urën George Washington, që lidh qytetin e Nju Jorkut me Nju Xhersin dhe lidhjen nëpërmjet metrosë në Boerum Hill gjithashtu kishte disa probleme, të cilat autoritet, thonë se janë eleminuar dhe ka qarkullim normal.
Linja e trenave të nëndheshëm – subway G dhe F në Brooklyn kishin disa probleme me përmbytjet dhe trenat u ndaluan për një kohë,por Autoriteti Metropolitan Transportit, thotë se gjërat tani janë kthyer në normale.
Media e qytetit kan kërkuar nga qytetarët të postojnë fotografitë e bëra mbrëm nga “spektakli” i krijuar nga shkremtimat e fuqishme të rrufeve të cilat krijuan një pamje të mrekullueshme në qiellin njujorkez .
Pothuajse, sot të gjitha gazetat e televizionet njujorkeze kan publikuar fotografitë e natës së mbrëmëshme, ku mbi ndërtesat e larta të qytetit – gradacielet – shkreptiminin rrufet duke krijuar një spektakël masivë të mahnitëshëm. /Beqir SINA/
- « Previous Page
- 1
- …
- 455
- 456
- 457
- 458
- 459
- …
- 600
- Next Page »