TIRANË, 30 Qershor/ATSH/Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso u nderua sot në Tiranë nga Presidenti i Republikes me dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar”.
Motivacioni i dekorimit e vlerëson z. Barroso “Për meritat e veçanta si President i KE-së, për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit, si dhe kontributet për përafrimin institucional të Republikës së Shqipërisë drejt BE-së”.
Në ceemoninë e organizuar në Presidencë, ku merrnin pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministra, deputetë të dyja palëve, etj, presidenti Nishani theksoi se së bashku sapo kemi shënuar një arritje të rëndësishme në afrimin institucional të Shqipërisë me BE-në dhe drejt anëtarësimit të saj me familjen europiane.
“Në këtë moment dua të shpreh mirënjohjen time të thellë në emër të qytetarëve shqiptarë, për të gjitha institucionet e BE-së, qytetarët dhe institucionet e vendeve anëtare, për mbështetjen e vazhdueshme, ndihmesën bujare, mirëkuptimin dhe durimin e demonstruar ndaj Shqipërisë, në kohë të mira e të vështira. Në këtë kuadër, Komisioni Europian, por sidomos Ju, z. Barroso na keni qëndruar vazhdimisht shumë pranë. Ju siguroj se ne e kemi ndjerë fort praninë tuaj në timonin e ekzekutivit europian”, nënvizoi Nishani në fjalën e tij.
Pas marrjes së dekoratës, Presidenti Barroso falenderoi për nderimin e bërë, duke theksuar se Komisioni Europian ka qënë një negociator i drejtë, objektiv në procesin e integrimit të Shqipërisë. “Jam krenar për pozicionin që ka mbajtur BE-në”, shtoi Barroso.
Barroso: Hapja e negociatave në BE, pas reformave kyçe nga Shqipëria
Kreu i Komisionit Europian: Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, shumë e rëndësishme-
TIRANË, 30 Qershor/-ATSH-Ylli Pata/-Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, deklaroi të hënën në Tiranë, se hapja e stadit të ri për Shqipërinë që të hapë negociatat e anëtarësimit në BE, do të vijë pas një procesi monitorimi “realist” që si pika kryesore do të ketë zbatimin e prioriteteve kyçe nga qeveria shqiptare, si dhe ndalimin e asaj që ai e quajti “polarizim ekstrem” i situatës politike.
Në një konferencë shtypi që zhvilloi së bashku me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në selinë e qeverisë shqiptare, Presidenti i Komisionit Europian, e ka uruar publikisht kreun e qeverisë shqiptare për marrjen e statusit kandidat dhe deklaroi se Komisioni Europian do të jetë në anën e vendit tani që procesi i integrimit futet në një stad të ri, që është ai i hapjes së negociatave për anëtarësim.
Vizita e zotit Barroso është e dyta që zhvillon në Tiranë, e para u zhvillua më 18 shkurt 2006, ndërkohë që një vizitë e planifikuar në vitin 2011 u anulua pas impasit të vendit për të plotësuar axhendën e integrimit europian.
Edhe pse në fund të mandatit të tij si President i Komisionit Eiuropian, vizita e zotit Barroso në Tiranë, është mjaft e rëndësishme pasi konfirmon qëndrimin e Bashkimit Europian për të vazhduar partneritetin me Shqipërinë. Këtë e bëri të ditur vetë Presidenti i Komisionit Europian, i cili theksoi megjithatë se Shqipëria duhet të ecë parpara me reformat, ku lufta ndaj krimit, korrupsionit, reforma në drejtësi, duhet të jenë jo vetëm në axhendën kombëtare por që duhet të vihen në jetë sa më parë. Zoti Barroso, ka përgëzuar aksionin e policisë shqiptare në Lazarat, duke e konsideruar të suksesshëm, por ka bërë thirrje që lufta ndaj kultivimit dhe trafikimit të drogës të vazhdojë me të njëjtin intensitet.
Një tjetër aspekt i rrugëtimit të Shqipërisë në BE, të cilën e ka prekur Jose Manuel Barroso, ka qenë edhe bashkëpunimi rajonal.
“Një nga arsyet që unë e dua Bashkimin Europian është se ne jemi një bashkim i paqes. Jemi së bashku vendet që dikur janë vrarë me njëri tjetrin, ndërsa tani votojnë së bashku dhe zgjedhin drejtuesit e përbashkët. E njëjta gjë duhet të nodhë në Ballkan, ku 100 vjet më parë këtu shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ndërsa tani është një territor ku ka paqe. Ju duhet të promovoni bashkëpunimin duke krijuar tryeza bashkëpunimi të përbashkëta”, deklaroi Kreu i Komisionit Europian, duke e përgëzuar publikisht nismën e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Beograd.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, deklaroi se axhenda e integrimit do të jetë në krye të përpjekjeve, duke theksuar se në shtator do të zhvillohet Dialogu i Nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, ndërkohë që është ngritur edhe Këshilli Kombëtar i Integrimit.
Rama deklaroi se procesi i integrimit do të jetë gjithëpërfshirës për të gjitha pjesët e shoqërisë shqiptare, padyshim edhe të opozitës.
“Ne nuk duam që opozita të bjerë në sevda me ne, ne padyshim jemi votuam që të qeverisim, por ne kemi ftuar opozitën që të jetë së bashku me ne në simbolikën e festimit modest të marrjes së statusit. Ndërkaq nga ana substanciale ne do të presim deri në ditën e fundit të sesionit parlamentar që Partia Demokratike të bëhet pjesë e reformës administrative-territoriale”, deklaroi Kryeministri, Edi Rama, i cili ka ftuar opozitën që të jetë pjesë edhe në reformën e pritshme në drejtësi.
Pikërisht drejtësia është një nga axhendat kryesore të prioriteteve që Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë. Zoti Rama ka falënderuar në mënyrë të veçantë edhe Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, të cilën e ka konsideruar një “mik të madh të shqiptarëve”.
Vizita dhe fjalimi që do të mbajë Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, sot në Gjykatën e Krimeve të rënda, është dëshmi konkrete e këtij prioriteti, që padyshim do të jetë sprova më e madhe e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ndërkaq, vizita e pritshme e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Beograd, pritet të japë një dimension tjetër jo vetëm i politikës stabilizurse të Shqipërisë në rajon, por edhe rolit të Ballkanit si një zonë që pritet të integrohet në BE me një filozofi dhe koncept tjetër komunikimi dhe bashkëpunimi.
Vizita e Jose Manuel Barrosos në Tiranë, është e fundit në detyrën e Presidentit të Komisionit Europian, post që pritet ta marrë ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker.
Barroso në Kuvend: Nuk do jetë i plotë bashkimi i Europës pa Europën Juglindore
Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, gjatë vizitës së sotme në Tiranë iu drejtua me një fjalë të gjatë përshëndetëse Kuvendit të Shqipërisë, përmes së cilës përcolli mesazhe të rëndësishme për politikën dhe qytetarët shqiptarë.
Në hapje të seancës së posaçme kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e cilësoi historike vizitën e sotme në Tiranë të Presidentit të KE-së, e cila vjen pak ditë pas marrjes nga Shqipëria të statusit të kandidatit në BE.
“Shqipëria dhe rajoni ynë kanë avancuar në mënyrë të dukshme drejt integrimit euroatlantik. Z. Barroso vjen sot në një vend anëtar të NATO-s dhe vizita e tij ka një kontekst tepër të rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e Kuvendit për mbështetjen e pakursyer dhe punën e palodhur të KE-së, nën drejtimin e Presidentit Barroso, në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim. Në këtë kuadër do ta siguroja Presidentin se parlamenti shqiptar do të jetë platforma e hapur e debatit demokratik dhe e inkurajimit të reformave madhore të vendit, përmes garantimit të gjithëpërfshirjes dhe dialogut politik”, nënvizoi Meta në fjalën e tij.
Ai theksoi se miratimi i statusit të vendit kandidat ishte vendimi i duhur dhe plotësiisht i merituar për Shqipërinë, por dhe një lajm i mirë dhe mesazh pozitiv për gjithë rajonin, ku vendi ynë ka një rol të rëndësishëm. Vendimi ishte dëshmi e vazhdimit të angazhimit të BE-së në favor të perpektivës europiane të rajonit tonë, tha Meta.
Më pas, kreu i Kuvendit ia dha fjalën Presidentit të KE-së, i cili, fillimisht falenderoi qeverinë, Kuvendin dhe popullin shqiptar për mirëseardhjen e ngrohtë “në kryeqytetin e bukur, Tiranë”.
“Është nder i veçantë për mua dhe jam mirënjohës që të flas para Kuvendit vetëm disa ditë pas vendimit historik të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, një vendim që KE e kishte propozuar dhe që u miratua me unanimitet nga të gjitha vendet anëtare. Ky vendim lë pas një faqe të rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe shënon nisjen e një faze të re ndërtuese. Ne presim që ky vendim t’i japë një shtysë refomave dhe progresit të Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE-së”, theksoi Presdienti Barroso.
“Ky vendim, vijoi ai, po ashtu tregon se persepktiva europiane e vendeve të Europës Juglindore nuk është thjesht diçka e shkruar në letër, por është reale, e besueshme dhe angazhimi i BE-së në të ardhmen mbetet zgjerimi, një proces shumë i rëndësishëm në axhendën tonë”, u shpreh Kreu i KE-së në fjalën e tij.
Duke folur për Komunitetin Europian, Barroso tha se kjo organizatë është gjithnjë e më fortë, sidomos pas asaj që ndoshta ishte kriza më e madhe ekonomike me të cilën ajo ishte përballur. BE-ja po ecën përpara dhe po bën progres dhe zgjerimi gradual ka qënë gjitmonë në paralele me njëra tjetrën. “Unë vetë kam jetuar në diktaturë për 14 vitet e para të jetës sime dhe kam përjetuar atë shpresë që na ofronte Europa dhe BE dhe se si e përfituam. Prandaj, kjo është arsyeja që unë ndjehem afër jush. Ju e lidhni perspektivën e aderimit me konsolidimin dhe modernizimin e institucioneve tuaja. Ky është procesi që duhet të motivoni”, tha ndër të tjera kreu i KE-së.
Barroso në vijim të fjalës së tij në parlamentin shqiptar tha se para 10 vitesh ne bashkuam Lindjen dhe Perëndimin, pas dekadash ndarjesh dhe bashkimi, por bashkimi i Europës nuk do të jetë i plotë pa Europën Juglindore. “Nga Tirana në Sarajevë, nga Beogradi në Prishtinë njerëzit e shohin BE-në si një dritë shprese dhe garantuese të një politike ekonomike dhe ne nuk do t’i zhgënjejmë ata”, tha ai.
Sipas Presidentit të KE-së , një rol të rëndësishëm për plotësimin e të gjitha kushteve për anëtarësim në BE, kërkohet angazhimi i politikës. “Mund ta them këtë pasi kam qenë në krye të BE-së dhe se këto reforma ja vlejnë. Duhen gjithnjë dy vetë për të arritur rezultate, ndaj të gjithë qytetarët e Shqipërisë duhet ta dinë se duhet të plotësohen detyrimet që vinë nga anëtarësimi. Unë do ju them se do ketë një vëmendje të veçantë për Shqipërinë. Dhe do ju shohin në një mënyrë më realiste, si një vend i ardhshëm që do të aderojë në BE. Si anëtarë të këtij Kuvendi, keni një rol të rëndësishëm, që të përgatiteni për t’u anëtarësuar në BE. Ju nuk po i ndërmerrni këto reforma për të kënaqur BE-në, por për qytetarët tuaj. Një gjyqësor më efikas do të ketë një ndikim pozitiv për shqiptarët. Aplikimi i standardeve evropiane, do të japë reflektime pozitive, nënvizoi ai.
Duke u ndalur tek reformat ekonomike, Barroso tha se ato do të ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. “Reformat ekonomike, sado të vështira të jenë, do të kontribuojnë për të rregulluar stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë. Më lejoni të pranoj angazhimet e Shqipërisë në reformën ekonomike, siç është ajo me FMN-në. Të jeni të sigurt që KE do të bashkëpunojë nga afër me institucionet financiare për të dhënë mbështetje financiare për ju. Unë besoj se roli i tyre është tepër i rëndësishëm, siç është në disa projekte të integrimit rajonal. Ndaj, unë ju uroj për angazhimet tuaja të fortë, për bashkëpunimin rajonal. Jo vetëm tregtia e lirë është një shtysë për bashkëpunim rajonal, ku Shqipëria luan një vend aktiv, e bën atë një vend që tërhiqet nga investitorët”, theksoi Barroso.
Më tej në fjalën e tij zyrtari i lartë europian theksoi se Shqipëria është Evropa dhe integrimi i saj në BE duhet të jetë një projekt për secilin prej nesh, për brezin tonë, pasi realizojmë një aspiratë historike. “Ky është një nga mësimet më të mira sa i takon zgjerimit. Konsensusi në vend i të gjitha partive politike është shumë i rëndësishëm. Këtu në Kuvend vijnë dhe përfaqësohen të gjitha idetë dhe kjo është salla e demokracisë. Unë e vlerësoj rolin tuaj, dhe e vlerësoj debatin demokratik. Një gjë që se kam pritur kurrë gjatë opozitës ishte që të kisha mbështetjen e qeverisë. Por, në disa sektorë është e mundur që të realizohet një konsensus real, përtej pikëpamjeve politike”, vijoi më tej Barroso.
Ai theksoi se vendet e BE-së e kanë të rrënjosur ms tyre ADN-në e bashkëpunimit dhe se për nxitjen e një demokracie do të duhet shumë punë. “Kjo shtron nevojën për të ndjekur me vendosmëri një rrugë të caktuar dhe se duhet t’i përmbaheni rezolutës së Kuvendit të miratuar në nëntor 2013, sa i takon realizimit të platformave, për aderimin e Shqipërisë më pas në BE”, u shpreh Barroso.
Në vijim të mesazheve të tij Kreu i KE-së tha se procesi i integrimit është një proces paqeje, ndaj dhe BE e ka marrë këtë çmim. Ai u shpreh optimist se Shqipëria do bëhet pjesë e Bashkimit Europian. “Unë besoj, se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, besoj se ky hap, i statusit të vendit kandidat, por tani shumica e punës varet nga ju, si përfaqësues i këtij populli, të cilin e respektoj shumë. Unë besoj se ju mund të merrni të mirat e anëtarësimit në BE, por mund të jepni dhe kontribute për të dhënë stabilitet në këtë rajon. KE do vazhdojë të punojë bashkë me ju, me mbështetje në politikat financiare, duke ofruar miqësi, që së bashku me popullin shqiptar të shkruajmë të ardhmen evropiane. Faleminderit!, e mbylli fjalën e tij në parlamentin shqiptar Presidenti i KE-së, Hose Manuel Barroso
ELEGJI DHE KRONIKE PËR NJERIUN E MIRË,MARASH MALI
Ne Foto:Marash Mali 1921-2014/
ELEGJOJ PËR NJERIUN E MIRË/
Marash Mali, tu deshën 93 vjet /
për të ardhur në ditën e fundit në Florida/
sepse çdo kush që vjen edhe ikën./
Marash Mali, të shihja me adhurim/
nuk e di binim a nuk binim kushurinj/
edhe unë e kisha gjyshen nga Shkreli./
Marash Mali, siç kishte emrin/
kishe dhe punë të mëdha/
trimërinë, dashurinë dhe dhëmbjen./
Marash Mali, ushtar i Atdheut
Prenk Calin kishe komandat
e burgjeve të diktaturës ua pe tmerrin.
Marash Maliti, udhën e jetës e pate të gjatë
urtësinë po aq të madhe, si mal
dhe dashurinë për artin të pakufi.
Tani ti shkon në amëshimin e pasosun
i qetë se na la pas çfarë deshe
dhe atë që deshe mbi gjithçka: Shqipërinë.
Kolec Traboini
30 qershor 2014
MARASH MALI
1921-2014
I lindur m 1921 në Dedaj të Shkrelit, në një familje e njohur për “vojvodë” dhe mjaft e përmëndur për burra të urtë dhe atdhetarë. Marashi, shkollimin e fillores dhe të mesmes i bëri në qytetin e Shkodrës, si jetim në Jetimoren e konviktit “Malet tona”. Ndërkohë shkon në Itali dhe kryen specializimin, në degën e Pyjeve. Në prag të kapitullimit të nazifashizmit në Shqipëri, bashkohet me katër oficerë madhorë të Malësisë Madhe, në formacionin “Beslidhja e Malësisë së Madhe” e me vullnetarët e kësaj treve kishte për qëllim mbrojtjen e krahinës pa u inkuadruar në asnjë grupim politik. Mbas kësaj, në vijim të beslidhjes, kur u krijua për të njëjtin qëllim “Batalioni Shkreli” me komandant major Dom Nikollë Gazulli, Marashi ishte kapiten i klasit parë në këtë battalion. Mbas ardhjes së komunizmit në Shqipëri, ky bashkë me Llesh Marashin etj., ka qënë njëri nga nismëtarët e kryengritjes së Malësisë Madhe, që i sollën atij edhe burgim politike. Me anë të një amnistije del në liri dhe me këtë rast punësohet si specialist pranë “Byrosë së projektimeve Shkencore Pyjore” në Ministrinë e Bujqësisë, ku falë aftësive si specialist ishte ndër të parët kontribues i rilevimit shkencor të disa ekonomive pyjore shqiptare. Krahas kësaj pune, ka debatuar me shkrime në revisten “Ylli” e gazetën “Bashkimi”, gjithmonë për problemet në mbrojtje të ekonomisë shtetërore. Ishte shumë i dhënë mbas letërsisë, historisë dhe hulumtues i aftë e me pasion i zakoneve kanunore. Vepra e tij e parë, drama historike “Gjaku i falun”, ndonëse drama është shkruar në vitin 1958 dhe vlerësuar nga autorët më në zë të asaj kohe, nuk u bë e njohur, për shkak të motiveve politike. Duke mbet gjithnjë një atdhetar shqyptar. Marashi pranohet edhe me nënshtetsi Amerikane. Bëhet edhe antari i shoqatës se shkrimtarëve shqip- amerikanë dhe shkruan një dokumentar të titulluar.“Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”. Gjatë jetës tij në emigracion në Amerikë shkruan artikuj me vlera historike në “Revistën Kuvendi” në gazetën” Illiria”, në gazetën e Vatrës “Dielli” dhe në gazetën “Shkodra”
Librat e botuar janë “Gjaku i falun”, dramë dhe “Ngjarje historike dhe figura të shquara Shqiptare” publicistikë.
Njoftim Tragjik nga Kanadaja
Komuniteti shqiptar i Kanadase njofton se bashkekombasi Ismet Dakaj, 46 vjecar, me banim ne Toronto, humbi jeten tragjikisht ne nje aksident ne vendin e tij te punes ne Toronto. I ndjeri Ismet ka qene luftetar i UCK qe nga viti 98, ku se bashku me vellaun Labinotin u rreshtua ne ceten e Ramush Haradinaj ne Jabllanice te Gjakoves. Pas luftes se bashku me familjen emigroj ne Kanada ku ju bashkua familjes se gjere qe kishin arritur si refugjate te luftes ne Kanada. Varrimi i te ndjerit do te bejhet ne atdhe, ne qytetin e Pejes.
Prince Leka II i Shqipërisë, i ftuar Familjes Mbretërore së Rumanisë
Princi Leka II Shqipërisë pas vdekjes së Mbretit Leka I, atit të tij – është betuar të trashëgoj titullin Naltësia e Tij Mbretërore Princ i Kurorës Leka II i Shqiptarëve/
Nga BEQIR SINA, New York/
BUKURESHT RUMANI : Me ftesë të Royal Crown Highnesses Princess e Tyre Margareta dhe Princi Radu, Princë Leka II vizitojë Rumaninë, në një vizitë katër ditore nga data 23 deri më 27 qershor 2014, thuhet në një dkleratë nga oborrri mbretëror rumunë.
Më tej thuhet se Lartësia e Tij Mbretërore Prince Leka II në këtë vizitë shoqërohet me të fejuarën e tij, zonjusha Elia Zaharia. .
Royal Highnesses Princesha e Tyre Margarita dhe Princi Radu, thonë të njëtat njoftime nga Rumania dhanë me këtë rast një darkë për nder të Princit Leka II, në Pallatin Elisabeta – në mbrëmjen e mërkurë, më 25 qershor, kur për veç oborrit mbretër Rumun morën edhe zyrtarë të lart dhe personalitete të fushave të ndryshme.
Në darkë ishin të ftuar përfaqësues të lart të jetës, politike, kulturore e artistike, të shoqërisë civile, lider politik, klerikët dhe anëtarët e trupit diplomatik të akredituar në Bukuresht.
Vizita disa ditore e Princit Leka II në Rumani përfshin disa vizita në vende të rëndësishme të Rumanisë si ajo për të vizituar Pallatin Mbretërore Sinaia dhe Curtea de Arges. Gjithashtu, Lartësia e Tij Mbretërore Princë Leka II në këtë vizitë i cili shoqërohet me të fejuarën e tij, zonjusha Elia Zaharia do të vizitojë edhe Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes “Carol I”.
Gjatë qëndrimit katër ditor në Rumani, LTM Princi Leka II pati mundësinë të takohej edhe me pjestarë të komunitetit shqiptar në Bukuresht, të cilët megjithse kanë më shumë se një shekull që janë shpërngulur kan ruajtur traditën dhe kuluturën shqiptare. LTM Princi Leka II ka thën se u ndje i nderuar të bashkndante me ta gëzimet dhe shqetësimet e përbashkëta kombëtare.
Crown Princi Leka II i Shqipërisë, ndodhet për herë të parë në Rumani në një vizitë zyrtare. Vizita e fundit e mbretërisë shqiptare në Rumani – u zhvillua në vitin 1939. Kur, me ftesë të Mbretit Charles II, Mbreti Zog I i Shqipërisë, vizitoi Bukureshtin dhe Pallatin Mbretëror Sinaia.
Ndërkohë, që HRH Princi Radu mori pjesë në vitin 2012 në Tiranë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të mbretit Zog I dhe anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore shqiptare.
Në rrjetin social facebook të familjes mbretërore rumune – Nela Martin shkruna në komentet e kësaj vizite se:” Sigurisht kjo vizita e parë në Rumani, e Princit Leka II – i Shqipërisë, do të kujtohet gjithmonë me kënaqësi dhe ajo do të lidhë shumë kujtime, sepse bukurinë dhe vlerat e saj zbulojnë dhe bëjnë të njohur mikpritjen ndërkombëtare dhe tradicionale të rumunëve në përgjithësi, sidomos Familjes Mbretërore. Me këtë rast kujtojmë se, një CrownPrinceshë dhe një Crown Princë kanë lindur në të njëjtën ditë, dhe që të dy jan sot bartës të traditave dhe vlerave të dy familjeve mbretërore. Admirim, respekt dhe vlerësim për gjithçka që ju bëni, sepse si thotë Sokrati “…kuptimi i jetës nuk është në – një gjë që bëjmë, por në çdo gjë që ne bëjmë dhe na mban gjallë”.
HRH Princi Leka II Shqipërisë pas vdekjes së Mbretit Leka I, atit të tij – është betuar të trashëgoj titullin Naltësia e Tij Mbretërore Princ i Kurorës Leka II i Shqiptarëve.
Lartësia e Tij Mbretërore Princi Leka II u lind më 26 mars 1982 në Johanesburg, Afrika e Jugut. Princi Leka u diplomua nga Akademia Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Londër, Britani të Madhe, dhe Shkolla e Diplomacisë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Universiteti i Maltës. Lartësia e Tij Mbretërore ishte këshilltar politik i Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani për disa vjet. Princi Leka mbajti rradhazi postin e këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në mes të 2006 dhe 2009, dhe pozitën e këshilltarit të Ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, në mes të 2009 dhe 2012.
Rumania ka luajtur një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe zbatimin e shtetit të Pavarësisë së Shqipërisë. Mbreti Carol I dhe mbretëresha Elizabeth atëhere kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në organizimin, e elitës shqiptare në fillim të shekullit të kaluar, në lëvizjen për krijimin e shtetit modern të Shqipërisë.
Atentati mafioz te ish-Blloku trondit Tiranen
Vritet biznesmeni Artan Santo, Policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorëve, Ndalohen dy persona/
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot në orët e para të mëngjesit kryeqytetin. Drejtori i bankës “Credins”, Artan Santo është qëlluar nga dy persona të maskuar me motor në mes të ish-zonës së Bllokut dhe si pasojë ka ndërruar jetë menjëherë.
Biznesmeni i njohur 54-vjeçar, ka qenë duke shkuar në punë teksa papritur dy persona e kanë qëlluar me armë zjarri për t’u larguar më pas menjëherë nga vendngjarja.
Autorët e vrasjes së Santos, duket se kanë organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte dhe kanë ndjekur itinerarin e biznesmenit. Autorët kanë qenë të maskuar për të mos u identifikuar nga kamerat e shumta të sigurisë në këtë zonë. Ata kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar pa asnjë gjurmë.
Roja i sigurisë i cili ka parë të gjithë ngjarjes është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi, pasi sipas dëshmisë së tij paraprake ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve.
Trupi i viktimës ka qëndruar për rreth gjysmë ore i shtrirë përpara mjediseve të bankës deri sa një makinë ambulancë ka ardhur dhe e ka transportuar në morgun e Tiranës.
Në vendngjarje, përveç krerëve më të lartë të policisë së shtetit dhe policisë së kryeqytetit, kanë mbërritur edhe prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes, kanë nisur hetimet për zbardhjen e krimit dhe zbulimin e autorëve.
Një polic rrugor ndoqi autorët deri në Fushë Krujë. Policia ngre postblloqe të shumta
Dalin detaje të reja pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo në mes të Tiranës. Burime policore konfirmojnë se kanë qenë dy atentatorë që kanë qëlluar dhe teksa largoheshin të hipur mbi motor në drejtim të Librit Universitar, janë pikasur nga një efektiv i policisë rrugore, i cili ka filluar t’i ndjekë nga pas me motor.
Ndjekja ka vazhduar deri në dalje të Fushë Krujës, tej Ura e Gjolës, më pas polici rrugor i ka humbur gjurmët e tyre. Ai i ka njoftuar kolegët e tij në radio për ndihmë, por autorët e krimit nuk kanë lënë më gjurmë.
Policia e shtetit, me forcat speciale RENEA dhe FNSH-së ka nisur disa operacione kontrolli në zonën e Fushë Krujës për kapjen e tyre dhe deri tani nuk ka asnjë informacion. Postblloqe të shumta janë ngritur dhe janë bllokuar një sërë aksesh rrugore për verifikimin e elementëve të dyshuar.
Të paktën nga skema dhe mënyra sesi është zhvilluar ngjarja, autorët dyshohet të kenë qenë vrasës me pagesë dhe policia ka ngritur shumë pista për vrasjen e biznesmenit.
Dëshmitarja: Kalimtarët u tmerruan, u fshehën pas pemëve
Vrasja e biznesmenit të njohur Artan Santo në zonën e ish-Bllokut, është parë nga afër nga njerëz të shumtë të pranishëm në vendngjarje apo kalimtarë të rastit.
Një grua, e cila ka qenë pranë vendit ku u qëllua Santo ka qenë dëshmitare pasi ajo shet lule prej vitesh në atë zonë.
Ja çfarë tregon ajo për mediet: “Dëgjuam krismat të cilat ishin të zhurmshme. Njerëzit u frikësuan dhe filluan të fshihen pas makinave të parkuara dhe pas trungjeve të pemëve, – rrëfen shitësja ambulante, duke lënë të kuptohej se vrasja nuk është bërë me silenciator. – Nuk pamë asgjë, sepse personat që qëlluan ishin të maskuar dhe të veshur me të zeza dhe u larguan me motor. Mes njerëzve u krijua panik. Unë e njihja viktimën, sepse blinte lule tek unë, ishte njeri i lartë…”.
Edi Rama: Na vranë mizorisht një mik të mirë
Kryeministri Edi Rama ka dënuar vrasjen e biznesmenit, Artan Santo. Në një shkrim në rrjetin social “Facebook” Rama shkruan “Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte”.
Berisha: Vrasja akt i shëmtuar, rendi i dominuar nga mafia
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me ekzekutimin e biznesmenit Artan Santo. Në një mesazh në rrjetin social “Facebook”, Berisha e cilësoi këtë akt si të shëmtuar dhe mizor, që dëshmon se rendi në vend nuk ekziston.
“Artanin e kisha njohur në moshën e tij 4-5 vjeçare, fëmijë i dy prindërve të mrekullueshëm. Artani shkëlqeu gjithë jetën e tij, tashmë të shkurtër. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar mizor, dëshmi e një rendi që nuk ekziston apo një rendi që është tërësisht i dominuar nga mafia dhe krimi i egër”, shkruan Berisha.
Ish- kryeministri shpreh ngushëllimet për familjen e Santo, bashkëpunëtorët e tij. “Lutem që shpirti i tij të gjeje paqen e merituar”, shkruan Berisha.
Basha: Ekzekutimi, një alarm qytetar për të gjithë
Edhe Lulzim Basha ka përcjell një mesazh ngushëllimi në rrjetin social “Facebook”. Kreu i PD-së ka shkruar: “Ndiej dhimbje e tronditje, përtej fjalëve për vrasjen e Artan Santos. Ky sulm i pashembullt mafioz, është një alarm qytetar për të gjithë. Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e ngushtë të Artan Santos”.
Parlamenti shqiptar mban një minutë heshtje
Vrasja e biznesmenit Artan Santo ka solidarizuar edhe Kuvendin e Shqipërisë. Edhe pse në seancën e sotme mungonte opozita, kreu i i parlamentit Ilir Meta i ka ftuar deputetët në sallë dhe ministrat e pranishëm të mbanin një minutë heshtje në nder të biznesmenit të vrarë në mes të ish-Bllokut.
Deputeti i PS-së, Ben Blushi i ka bërë thirrje policisë të zbardhë çështjen dhe të kapë autorët. “Duhet t’i shkohet deri në fund kësaj ngjarjeje mafioze”, – tha Blushi.
PD: Vrasja e Santos tregon sa e pambrojtur është jeta në vend
Pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo në orët e para të mëngjesit në Tiranë, gjatë një dalje publike, deputeti i PD-së Arben Ristani ka deklaruar që rendi dhe siguria në vend ka arritur kufijtë minimalë.
“Krimi vret në mes të ditës, në mes të Tiranës, ndaj askush nuk është më i sigurt në këtë vend. Ekzekutimi mafioz dëshmon se krimi ka arritur në ato nivele të organizimit dhe kurajës, sa të marrë jetën e një personaliteti të fushës së tij, të një biznesmeni nga më të spikaturit, pa ju dridhur dora gjakatare”.
“Partia Demokratike ndan tronditjen e madhe për vrasjen e biznesmenit, bankierit dhe pronarit të medias, Artan Santo, sot paradite në mes të Tiranës, në derën e zyrës së tij të punës. Partia Demokratike shpreh tronditjen e thellë dhe është në krah të familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij. Të tronditur sot janë gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Vrasja e sotme mafioze, tregon se sa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri”.
Kush është Artan Santo
Artan Santo është prezantuar shumë vite më parë para publikut shqiptar me filmin Guximtarët. Njeriu që kishte një dashuri të madhe jo vetëm për jetën e biznesin ku ai u rendit si një nga bankierët më të suksesshëm, por për artin ku ai dha një kontribut të madh.
u lind në Tiranë më 7 shtator të vitit 1957. Edhe pse pasioni i tij i hershëm ishte arti dhe dëshironte të vijonte studimet në mjekësi, arkitekturë apo juridik, ai vijoi studimet e larta në financë. Pasi përfundoi studimet ne fakultetin ekonomik, Artan Santo ndoqi instiktet e tij dhe vijoi studimet në degën e juridikut, ku u diplomua me rezultate të larta. Artan Santo është një nga bankierët më të njohur në vend.
Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si drejtues në Bankën e Kursimeve e më pas drejtoi bankën “Credins”, ku edhe është bashkëpronar. Artan Santo është jo vetëm një bankier, por edhe biznesmen i suksesshëm. Ai është bashkëpronar i medias “Focus Group” dhe televizionit “TV Scan”.
Artan Santo gjatë këtyre viteve ka treguar përmes veprimeve të tij se ishte një njeri mjaft i zoti në botën e shifrave edhe pse nuk hoqi kurrë dorë nga dashuria e tij e madhe që kishte për artin.
Policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorëve. Ndalohen dy persona/
Pasi kanë humbur gjurmët pas ndjekjes së policisë, dy atentatorët kanë braktisur mjetin motor tip “Scooter” në rrethinat e daljes së Fushë Krujës. Policia me të marrë njoftimin ka mbërritur menjëherë në vendin ku ishte braktisur mjeti dhe ka nisur hetimet për të zbardhur ndonjë detaj të mundshëm për verifikimin e autorëve.
Ndërkohë, nga ana tjetër, policia e shtetit ka publikuar dy foto të autorëve të krimit, të cilët po largoheshin me motor pas kryerjes së krimit.
Të veshur me xhupa të zinj, pantallona xhinse dhe me skafandra mbi kokë, vrasësit, pasi kanë kryer krimin, kanë marrë rrugën drejt Librit Universitar për të kaluar më pas pranë Liqenit Artificial.
Sipas fotove të publikuara nga policia, ata kalojnë në kryqëzimin e Librit Universitar, duke shkelur edhe rregullat e qarkullimit rrugor, me semaforin që në ato momente ishte me drita të kuqe. Në foto duket edhe një polic rrugor që me sa duket nuk ka pasur informacion për atë që kishte ndodhur.
Policia shoqëron në komisariat pronarit e motorit: E kam shitur mjetin!
Ndërkohë policia e Fushë Krujës ka shoqëruar në komisariat pronarin e motorit që u përdor për ekzekutimin e biznesmenit të njohur Artan Santo.
Para agjentëve të policisë, pronari i motorit ka mohuar të ketë lidhje me krimin, duke deklaruar: “E kam shitur motorin, pasi e kisha lënë në një pikë servili në zonën e Rinasit”.
Po ashtu policia ka shoqëruar në komisariat edhe pronarin e pikës së servilit në Rinas për të verifikuar pohimet e pronarit të motorit “Scooter” që u krye vrasja.
Policia jep 100 mijë euro shpërblim për çdo informacion
Policia e kryeqytetit e ka shumëfishuar vlerën e shpërblimit, nga 10 mijë, në 100 mijë euro, nëse jepet informacion mbi vrasësit, duke ruajtur në anonimitet të plotë identitetin e tyre.
Me anë të një njoftimi për shtyp, bëhet me dije se: “Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e sotme, mbi ngjarjen e ndodhur në rreth orës 09.30 në zonën e ish-Bllokut, ku si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Artan Santo, Policia e Kryeqytetit vendos në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë euro.
Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojnë në kapjen e autorëve Policia e Tiranës vendos këtë shpërblim, në çdo rast duke ruajtur anonimatin duke ju ftuar të telefononi në numrin 069 41 00003.
Krahas sa lartë, kërkojmë bashkëpunimin qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe në numrin pa pagesë 129. Aktualisht grupi hetimor po punon me intensitet në drejtim të zbardhjes tërësisht të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve.”(Kortezi-Shqip)
- « Previous Page
- 1
- …
- 456
- 457
- 458
- 459
- 460
- …
- 600
- Next Page »