Më 14 korrik 2013 u nda nga jeta në Jackonsvile, Florida të Amerikës shkrimtari i njohur, fabulisti shqiparo – amerikan, Sotir Lashova.
Sotir Lashova u lind në vitin 1931 në fshatin Lashovë të rrethit të Kolonjës në gjirin e një familjeje me taban të hershëm atdhetar.
Viteve të Luftës II Botërore i kontribuoi drejtëpërdrejt luftës kundër pushtuesve të huaj nazifashistë për çlirimin e Shqipërisë.
Mbas çlirimit të Atdheut shërbeu me devotshmëri të lartë atdhetar në radhët e Ushtrisë. Për disa vite ka qënë korrespondent i gazetës “Luftëtari”, organ shtypi i ish Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Që në vitet gjashtëdhjetë ka qënë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ka botuar shumë vëllime në prozë e në poezi, por më shumë është shquar si fabulist. Ai i ka dhënë lexuesit vëllime të tilla me fabula, si “Korbi i varrim – zhvarrimeve”, “Gomari që desh të bëhej mbret”, “Dhelpra në grevë urie”, “Dhelpra – mike e luanit”, “Stafi i bishave”, “Ariu ministër” etj., etj.
Sotir Lashova ka pas bashkëpunuar edhe me gazetën e nderuar “Dielli”, por jo shpesh për shkak të gjëndjes së tij jo të mirë shëdetësore.
Ndarja nga jeta e Sotir Lashovës qe dhimbje e thellë për familjarët, por ajo qe një hidhërim i madh edhe për shokët e miqtë e tij të shumtë në Shqipëri, në Amerikë e në trevat ku banojnë shqiptarë.
I përfshirë në antologjitë e shkrimtarëve të njohur shqiptarë, antologji këto të botuara në Tiranë e në Prishtinë. Sotir Lashova mbetet nje figurë e nderuar e letërsisë shqiptare.(DHIMITER SHTEMBARI)