KUALA LUMPUR – Malajzia ka hapur hetimet për terrorizëm pasi u zhduk dje nga radarët një “Boeing 777″ i kompanisë “Malaysia Airlines” me 239 persona në bord, mes të cilëve ndodheshin disa pasagjerë të dyshimtë që kishin hipur me pasaporta të vjedhura.
“Shërbimet tona të zbulimit janë mobilizuar dhe sigurisht që agjencitë e kontrollit të territorit të të gjitha vendeve të prekura janë njoftuar”, deklaroi sot ministri malajzian i Transportit, Hishammuddin Hussein.
SHBA-ja, që në bordin e avionit kishte tre qytetarë të saj, dërgoi disa agjentë të FBI-së, duke theksuar se deri tani nuk ka asnjë provë terrorizmi.