Ndërron jetë nga një infarkt në zemër, ish-zëvëndësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Zemra e tij ndali sot në moshën 49-vjecare teksa kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashki ishte duke pirë një kafe në Prizren, Kosovë. Lajmi konfirmohet nga burime brenda selise se Partise Demokratike.
Poni ka lindur në Berat më 16 mars të vitit 1965.
Ferdinand Poni është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë. Ai ka marrë një master dhe në Universitetin e Tiranës. Ka ndjekur një sërë kursesh specializimi në disa vende, si në Universitetin e Nju Jorkut.
Prej vitit 1999 e në vazhdim, ai ka qenë funksionar pranë selisë qendrore të PD-së dhe ka mbajtur një sërë funksionesh.
Në periudhën 1993-95 ka qenë ndihmës i Kryeministrit për pushtetin lokal. 1995-1997, Drejtor i Përgjithshëm i Pushtetit Lokal në Ministrinë e Brendshme.
Njihet si hartues i shumë punimeve në fushën e autonomisë lokale, institucioneve demokratike dhe zgjedhjeve, si bashkëhartues në një sërë ligjesh të rëndësishme.
Në 2005 u emërua zv.ministër i Brendshëm, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 2013. Deri para vdekjes ai ka mbajtur postin e kreut të Këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Tiranës