• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË EKIP I MADH ZJARRFIKËSISH SHQIPTARË NË ZVICËR

November 20, 2012 by dgreca

Zjarrfikësit shpesh portretizohen si heronj, sidomos në raste të tilla kur vendosin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar të tjerët.Një portretizim i tillë vjen në albinfo.ch, por jo për ndonjë zjarrfikës hero, por për ekipin më të madh që përbëjnë shqiptarët në këtë shërbim në Zvicër.Janë pak qytetarë me prejardhje të huaj, të cilët i bashkangjiten këtij profesioni sa të rrezikshëm, aq edhe fisnik.Nuk bëhet fjalë për 100, tash për tash janë vetëm shtatë zjarrfikës shqiptarë në Opfikon të Cyrihut, por nëse krahasohet me numrin e të huajve që i bashkangjiten këtij shërbimi vullnetarë, është megjithatë inkurajues për të motivuar edhe të tjerët që të veshin rrobat e zjarrfikësve.Për komandantin e kësaj njësie zjarrfikësish ku shërbejnë shqiptarët në Opfikon të Cyrihut, zviceranin Chritian Stieget, nuk ka edhe shumë rëndësi se a janë të huaj apo zviceranë në ekipin e tij.„Për mua është kështu. Ka njerëz që janë zjarrfikës dhe jozjarrfikës. Për mua nuk luan rol se a janë me prejardhje të huaj apo jo. Të gjithë njerëzit që janë këtu i kryejnë punët e tyre, kjo është me rëndësi. Dhe nuk ka dallime se a janë zviceranë apo të huaj. Në vendet e tjera nuk e di sa janë aktivë personat me prejardhje të huaj. Ai thotë se edhe shërbimet e tjera të zjarrfikësve në rrethinë kanë në ekipet e tyre të huaj, si Rümlang, Walisesln“, ka deklaruar për albinfo.ch Stieget.Por, ndryshe i ka motivuar bashkëkombësit e tij shqiptarë Agim Kalludra me prejardhje nga Klina e Kosovës, i cili ishte i pari që iu ka bashkëngjitur njësitit të zjarrfikësve në Opfikon.Nënoficeri shqiptar doli vullnetar në vitin 2000 për të kryer këtë punë dhe falë përkushtimit të jashtëzakonshëm që tregoi gjatë këtyre viteve, arriti të ftonte në ekip edhe dy vëllezërit dhe djalin e tij 13 vjeç.

Janë gati një familje e tërë zjarrfikësish shqiptarë.

Kalludra ka bërë stërvitjet në mënyrë të vazhdueshme dhe është në gjendje sa herë që të jetë i ftuar të shpëtojë njerëzit nga flakët dhe nga rreziqet e tjera të papritura.

„Përveç që duhet të jetë obligim qytetar, unë mendoj se edhe duhet të kenë interesim për këtë profesion“, tha Kalludra.

Ai gjatë kësaj periudhe që ishte në shërbim të zjarrfikësve shpesh është përballur edhe me situata të trishtueshme.

„Trishtimi më i madh për zjarrfikësit është kur dëgjojnë fjalën „ndihmë“, do të thotë jemi para sfidës për të shpëtuar jetë apo jo njerëzish“, rrëfen zjarrfikësi shqiptar.

Kalludra ka përjetuar ngjarje të tmerrshme. Ai thotë të ketë parë pjesë të trupit të viktimave nga aksidentet, ndërsa flet edhe për rastet kur i kanë nxjerrë të gjallë njerëzit nga zjarri.

„Ne stërvitemi për këtë punë. Janë deri 30 alarme që pranojmë për ndihmë brenda vitit. Të gjithë ikin nga zjarri, e ne hyjmë në zjarr. Është ndjenjë tepër e mirë kur arrijmë t’i nxjerrim të gjallë njerëzit që janë ngujuar nga zjarri“, thotë Kalludra.

Ai thotë të ketë mësuar shumë në kryerjen e këtij shërbimi dhe për këtë arsye i kishte sugjeruar edhe djalit të tij 13-vjeç që të bëhet zjarrfikës.

„Më mirë të jenë këtu në shërbim të qytetarëve, sesa të humbin kohë para kopjuterit. Këtu mësojnë shumë, në raste të rreziqeve, si të bëhet reanimimi, etj“, tha Kalludra.

Përveç Endil Kalludres, nga zjarrfikësit më të ri në ekip (jugendfeurwehr) është edhe Atdhe Mehmeti nga Gjilani, që është motivuar të jetë pjesë e ekipit të zjarrfikësve në Opfikon.

Atdheu tha se dëshiron të bëhet IT, por paralelisht do të vazhdojë të kryejë vullnetarisht edhe profesionin e zjarrfikësit.

„Pasi jam konsultuar me prindërit, kam vendosur të bëhem zjarrfikës për të bërë diçka për qytetarët zviceranë që kanë bërë shumë për ne“, tha 14-vjeçari nga Gjilani.

Si ndjenjë të mirë e përshkruan kur iu ndihmon njerëzve në rast zjarri apo aksidenti edhe zjarrfikësi tjetër, Skender Morina, i cili bashkë me Agimin ishin të parët që veshën uniformën e zjarrfikësve në Opfikon.

„Ne ndjehemi krenarë që kaq shumë shqiptarë kontribuojnë vullnetarisht në njësitin e zjarrfikësve të Opfikonit“, tha Morina.

Është vështirë t’i takosh të gjithë zjarrfikësit shqiptarë bashkë në shërbim të zjarrfikësve. Ishte stërvitja vjetore (Schlussübung) që kishte bërë bashkë të gjithë zjarrfikësit në Opfikon. Ata kanë treguar në këtë stërvitje për profesionalizmin e tyre para autoriteteve lokale dhe të sigurisë. Në njësitin e zjarrfikësve në Opfikon aktualisht shërbejnë më shumë se 80 persona vullnetarë.

Qytetarët me prejardhje të huaj janë pak të përfaqësuar në njësitet e zjarrfikësve në Zvicër, për këtë arsye shpesh edhe bëhet thirrje që edhe ata të jenë pjesë e këtij shërbimi.(kortezi albinfo.ch)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: albinfo, ne Zvicer, zjarrfiksit shqiptare

EDHE SHQIPTARËT PO JAPIN NDIHMË NË ZONAT E DËMTUARA NGA “SANDY”

November 18, 2012 by dgreca

Frima me pronar shqiptarë R.E.M. i bashkohet inisiativës “UNITE-HELP-GIVE” për të ndihmuar në përpjekjet e mëkëmbjes së Staten Island-it!

R.E.M. Sandy Relief 2012 – Welcome to Rick’s Pics!/
Nga BEQIR SINA/

STATEN ISLAND NYC : Në komunitetin shqiptarë, në New York, dhe shtetet për rreth tij me shqetësime të mëdha po ndiqet gjendja që është e krijuar pas stuhisë në këto zona dhe janë përfshirë edhe ata në përpjeket që po bëhen në eleminimin e pasojave nga stuhia e fuqishme që goditi “Tre shtetshin” New Yorkun, New Jersey dhe Connecticut.

Mbi 25 mijë shqiptarë (më shumë se 10 mijë janë dibranë) sot jetojnë dhe punojnë vetëm në ishullin Staten Island – zona më e dëmtuara në Bregdetin Lindor në SHBA, nga stuhia Sandy – një ishull ky me një sipërfaqe 102.50 sq mi (265.5 km2) dhe me një popullsi 470,467 banorë) e cila është vendosur në një vëmendje të veçantë, të aturiteteve , qytetarëve të New Yorkut, por edhe të komunitetit shqiptarë.

Të cilët, pothuajse çdo ditë mbledhin dhe dërgojnë ndihmat e tyre nëpërmjet vendeve te punës, shkollat e tyre, qendrat e ngritura për grumbullimin e ndihmave, xhirollogaritë e hapuara me këtë rast – dhe mënyra të tjera vullnetare, për mbledhejn e ndihmave . Komuniteti Shqiptarë, grupe të ndryshme individësh dhe biznese i janë bashkuar inisiiativës qytetare njujorkeze dhe thirrjes që është bërë nëpërmjet nismës :”Njerëzit të ndihmoin njerëzit në Staten Island pas Superstuhisë Sandy – People Helping People On Staten Island After Superstorm Sandy” .
Me këtë rast edhe një grup shqiptarësh( kryesisht anëtarë të një familje – familjes Elezi nga Tropoja pronarit të kompanisë R.E.M. Residential , a Property Management, firmë e cila gjendet në Manhattan Union Square) një ditë pas vizitës së Presidentit Obama, shkoi edhe ajo në zonat e dëmtuara nga stuhia e fuqishme Sandy. Zonë kjo që u goditë fundjavën e tetorit dhe ata mbasi kishn dy javë që po punoin për mbledhejn e ndihmave i dërguan ato të premten për banorët e ishullit Staten Island.

Me ndihmën e iniciativave të cilat janë bërë me bazë vullnetare, ashtu si edhe donacionet e mbledhura prej tyre, pjësë e të cilave është bërë këtë fund jave edhe një grup individësh – u dorzua dhe u shpërnda vetë pre tyre në qendrën e grumbullimit të ndihmave, e cila administrohet nga FEMA, autoritet vendore, grupet vullnetare, dhe Kryqi i Kuq Amerikan

Në këtë ndihmë janë përfshirë shumë individ prej komunitetit shqiptarë, kryesishtë, veprimtarë të dalluar të komunitetit dhe miqtë e familjes Elezi, shoqatat dhe organizatat përfshirë edhe shoqatën më të vjetër në SHBA , Federatën PanShqiptare të Amerikës – VATRA. Ndërkohë, që rreth njëzet e pesë prej tyre shkuan së bashku për të dërguar dhe shpërndar ndihmat e tyre në ishullin Staten Island, të premten, në 16 nëntor 2012. Ata së bashku me vullnetarët nisën punën për shpërndarjen e furnizimin e të gjithë banorve të zonës së shkatërruar.

Një ndihmë kjo që i ka kaluar të 10 mijë dollarët (artikuj ushqimor, veshëmbathje, batanie, dhe artikuj shkollor për fëmijët e klasave të ciklit të ultë, libra, lapsa, fletore dhe çanta shpine )

Një pjesë e atyre të cilët morën pjesë të premten ishin: Një pjesë e tyre të cilët morën pjesë të premten ishin: Shpresa Elezi( e bija e zotit Sejdi Husenaj), Nikoleta Kasa, Venila Xhaferri, Vjollca Vitija, Agim Sheji, Selvije Ndresashaj, Rina Pepaj, Xhuliana Elezi, Edi Lekaj, Alket Lekaj dhe veprimtari i dalluar i komunitetit Sejdi Husenaj. Të cilët dolën menjëherë vullnetar për të marrë nga koha e tyre, në organizimin dhe shpërndarjen e të gjitha furnizimeve në bazën e ngritur për gumbullimin e ndihmave në New Drop – me një kamion ngjyrë rozë i ngarkuar përplot me mallrat më të nevojshme.

Në zonën e cila kujdeset nga kongresmeni Michel Grim ata u pritën me ngrohtësit nga autoritetet e larta vendore përfshirë edhe Presidetin e ishullit të Staten Island James P. Molinaro dhe zyrtar e autoritete të tjera lokale.

Rick Elezi, i biri i një familje emgirantësh nga Tropoja – patriote dhe mbretënore Mustafë Elezit, të cilët kan emigruar dekada më parë në SHBA, dhe ai ka qenë veçse dy vjeç, kur erdhën prindërit e tij, këtu, foli në telefon me emicione këtë mëngjes, me gazetën Bota sot, duke u lutur tek të gjithë shqiptarët e Amerikës, por edhe tek njujorkezët, autoritetet lokale, vendore dhe shtetrore, të bëjnë më shumë për të ndihmuar njerëzit të cilëve u janë shkatërruar plotësisht shtëpitë, dhe pronat e tyre në lagjet e ishullit zonat Midland Beach dhe New Drop në Staten Island nga Sandy, në 28 tetorë.

“Mbasi, si tha ai të gjithë duhet të kontribojmë për të ndihmuar çdo njerin banorë të kësaj zone – amerikanët, latinët, aziatikët, europianët, afrikano amerikanët pra të gjithë ata që po e përjetojnë këtë gjendje të krijuar pas fatkeqësisë” tha zoti Elezi, i cili në emër të famijles dhe biznesit të tij – iu faleminderua me këtë rastë të gjithë atyre shqiptarëve, që u bënë pjesë e kësaj ndihme hunanitare me donacionet e dhuruara të cilat janë më shumë se 10 mijë dollarë.
Ai tha se ishte tronditur nga kjo tragjedi – kur e ndoqi ato ditë nëpërmjet ekranit të televizionit. “Ajo që ndodhi atë natë e henë – martë 28 tetorë”, thotë ai, “më ka bërë për të menduar si për veten time, andaj i bëra thirrje firmës R.E.M. familjes dhe shoqërisë se edhe ne duhej të bëjmë diçka për të ndihmuar këta njerëz. ”

Vetë zyrat e firmës së tij R.E.M. Residencial – kaluan ato ditë një javë pa energji elektrike. Venila, një praktikante me REM, së bashku me pronarin Rick Elezi u vunë në krye për të planifikuar përpjekjet e tyre humanitare. Ndërsa, Rick fillojë për të mbledhur ndihma nëpërmjet të gjithë kontakteve e tij me shpresën për të marrë donacione sa më shumë të jetë e mundur, Venila me ndihmën e Aidas, një punonjëse tjetër në REM, filluan javën e tyre, për të bërë të mundur atë se çfarë kërkohej, në insiativën “Bashkohen- NDIHMË- Japim” nismë konstruktive, kjo e cila punon të bëjë çdo gjë të jetë e mundur në këtë zonë.

Zoti Husenaj një veprimtar i dalluar i komunitetit pjesë e kësaj ndihme humanitare dhe shpërndarjes së tyre në në Staten Island të premten i tha gazetës sonë se ishte i “habitur” me atë se :”Çfarë kishte parë dhe se çfarë përpjekjesh ishin duke u bërë nga qytetarët njujorkez dhe autoritet atje për të ndihmuar njerëzit në ishullin e “shkatërruarr” Staten Island. Shumë banorë, tha ai ishin ende të strehuar në shkollat ??e mesme lokale, për rreth zonës dhe një pjesë qëndronin në një tendë të madhe – në mes të zonës së shkatërruar në mënyrë të plotë që ata të merrnin ndihmat e njerëzve të cilat vinin nga të katër anët e New Yorkut” tha zoti Husneaj.

Ai tha se ka parë më shumë se 3 mijë vullnetarë, të cilët ishin duke ndihmuar sa më shumë njerëzit në nevojë dhe në mënyrën që sa më shumë dhe sa më shpejtë të kalohet kjo vështërsi e paparë ndonjëherë. Unë për vete tha ai kam më shumë se 60 vjetë në SHBA, por kurrë nuk kisha parë një “katastrofë” të këtillë., tha Husenaj

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, kunder Sandit, Sejdi Hysenaj, shqiptaret ndihmojne

MBRETI ZOG I, KTHIM NE 100 VJETOR

November 17, 2012 by dgreca

Presidenti Nishani dekoroi Naltmadhninë e Tij Zogun I, Mbretin e Shqiptarëve (Pas vdekjes) me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”/

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë te shtunen me 17 Nentor në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Ahmet Zog, eshtrat e të cilit u kthyen në atdhe 51 vjet pas vdekjes dhe në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetitshqiptar.Gjatë ceremonisë shtetërore që u organizua në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore shqiptare morën pjesë trashëgimtari i Mbretit Zog, Princi Leka II dhe pjesëtarë të familjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetarjae Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri, Sali Berisha, Zëvendëskryeministri i Hungarisë, ambasadorë, personalitete të ndryshme, përfaqësues të klerit dhe shumë bashkëqytetarë.Më tej, fjala e Presidentit Nishani në ceremoninë shtetërore të rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zog I

E nderuar Presidente e Kosovës, Jahjaga!
E nderuar Znj. Kryetare e Parlamentit! 
I nderuar Z. Kryeministër i Shqipërisë!
Të nderuar Ministra, anëtarë të Parlamentit!
Të nderuar përfaqësues të Familjeve Mbretërore!
Shkëlqesi Ambasadorë!
Të nderuar përfaqësues të Bashkësive fetare!
I nderuar Princ Leka II!
Të nderuar qytetarë shqiptarë, kudo ku ndodheni!

Në qoftë se shtetet e tjera, që nga më të zhvilluarat e deri te ato si Shqipëria,  kanë në historitë e formimit të tyre data që shkojnë larg e thellë në shekuj, kanë histori që kanë shenjuar kapituj të historisë botërore, Shqipëria në këtë kujtesë të sajën shënon edhe një figurë të rëndësishme, krahas atyre që shpallën Pamvarësinë e vendit, figurën e Ahmet Zogut.

Me historinë mund të sillesh në shumë mënyra. Mund të provosh ta harrosh, për shembull, por shpejt kupton se harresa kishte qenë aventurë.

Përveçse ta harrosh, Historinë mund të provosh gjithashtu edhe ta manipulosh, ta shtrembërosh, ta deformosh. Që edhe kjo, si rregull pa asnjë përjashtim, është gjithmonë afashkurtër dhe për të keqen e atij që e tenton.

Pra, mund të duket sikur me Historinë mund të bësh çfarë të duash, por nuk është ashtu, sepse mund të mos e përfillësh ti Historinë, por nuk të lë Historia ty pa të përfillur, pa të ndëshkuar për gabimet, dhe pa të shpërblyer për të mirat.

Historia jonë, qysh nga mjegullat e shekujve, ka nxjerrë jo pak njerëz të shquar, luftëtarë, prijësa, Princër, Mbretër, madje dhe Perandorë dhe Papë. Një numër prej këtyre, nga luftëtarët tek Perandorët, qenë të tillë kur Shqipëria ende nuk ishte Shtet, dhe shumica, mjerisht, jo në truallin e vet, por në dhe’ të huaj.

I pari dhe i vetmi Mbret i Shqipërisë Shtet është Ahmet Zogu, eshtrat e të cilit po i rivarrosim sot.

Për një perudhë kohe nga 1 shtatori 1928 e deri në 9 prill 1939 Shqipëria pati një mbret që  ishte nje Mbret real, Mbret i Shqipërisë të porsa dalë nga Mesjeta. Mbret i një Shqipërie dhe shqiptarësh të cilët aspironin, por nuk kishin vetdije politike, shoqërore, qytetare, rend, dhe praktikisht asnjë infrastrukturë. Mbreti ynë shtetin e bëri vetë.

Ahmet Zogu,  ka lënë pas një diskutim të gjerë dhe të ndryshëm mes palëve, por Ai qe padyshim një prej figurave më kryesore në historinë shqiptare.

Ai premtoi të sjellë rendin dhe progresin në një vend që kishte njohur pak ose aspak shtetin dhe ligjin. Këtë synoi dhe këtë nisi të bënte.  Ai ishte njeriu që, pak vjet pas shpalljes së Pamvarësisë, nisi ta bënte Shqipërinë një shtet me të gjitha atributet e një shoqërie që  përqafonte qytetërimin.

I dha shtetit shqiptar një Kod Civil që mungonte, krijoi një administratë të efektshme, një gjyqësor të besueshëm, vendosi mbretërimin e ligjit, luftoi fanatizmin, krijoi kushtet për lirinë e shtypit, forcoi monedhën kombëtare në një shkallë që nuk është njohur pas tij. Shkurt shtroi premisat për një shtet modern.

Nëse në celebrimin e Ahmet Zogut rreth orës 17 të një dite të shtunë në 1928-n, kishte pak gazetarë të huaj që ndiqnin ceremoninë e betimit të mbretit mbi kuran dhe mbi bibël, lajmi i krijimit të monarkisë shqiptare nuk kaloi pa u vënë re.

Nëse në varrimin e Mbretit Zog, larg Shqipërisë, morën pjesë pak njerëz, atdhetarë, besnikë dhe familjarë të tij, emri dhe ajo çka Ai bëri për Shqipërinë nuk u harrua.

Falsifikimi i historisë ku shumë të vërteta historike u heshtën, ku Mbreti Zog përmendej  si “satrap” dhe Haxhi Qamili si patriot, ku shtypja e persekutimi i  popullsisë quhej “demokracia më e vërtetë”;  ku u etiketuan armiq e tradhtarë me mijëra burra e gra, ku pushkatohej Sabiha Kasimati pa faj e pa gjyq, ku Musine Kokalari lihej të vdiste pa u mjekuar, ku  Stalini mbahej  si hero, ku diktatori  hymnizohej si çlirimtar, e të tjera si këto, janë në vetvete një nga krimet me të mëdha që i janë bërë këtij kombi e populli.

Ato fshihnin përpjekjen mjerane për t’i zvetënuar arritjet e Shqipërisë së para 1944-ës. Ndaj, theksohet sot me forcë të madhe rishikimi me kujdes i historisë së Shqipërisë, në mënyrë që të vlerësohen figurat historike pa ngjyrime politike, për atë që kanë bërë, por edhe për atë që koha nuk ua lejoi të bënin. Koha dhe zhvillimi i mbrapshtë i historisë.

Sot, në prag të 100-vjetorit të Pamvarësisë  së Shqipërisë, është një gjest shumë fisnik, një detyrim historik, moral dhe patriotik yni që eshtrat e Mbretit Zog të prehen në vendin të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës; në vendin ku pati edhe kundërshtarë, po ku kujtesa e popullit do ta mbante gjallë emrin e Tij.

Historia e vendit tonë nuk është e mbushur me bëma mbretërish dhe saga familjesh mbretërore. Por ajo nuk është një histori boshe. Vetë fakti që sot u bë e mundur kthimi e prehja e Mbretit Zog në tokën që e lindi, është shenjë dhe dukje e një shteti që të ardhmen e tij e ndërton  duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja.

Dhe rivarrimi i tij sot aty ku shteti-parti i Diktatorit hodhi në erë varrin e nënës së tij, Nanës Mbretneshë, është simbolika e Shqipërisë që nuk urren, por nderon, që nuk harron, por i jep secilit atë që meriton.

Sepse ky akt nuk është thjesht një detyrë qytetare dhe njerëzore, por edhe mundësia për të shlyer një detyrim,  jo vetëm ndaj një Njeriu, por ndaj një epoke të tërë. Epokës së shtetformimit të Shqipërisë që e deshi dhe nisi ta vinte në jetë Mbreti Zog.

Kur u kurorëzua e pat mbyllur fjalimin e tij me fjalët “Zoti më bekoftë”. Sot ne themi se Zoti po bekon hirin e trupit të tij që do të prehet në truallin shqiptar. Ia kishim borxh. U prehtë në paqe!

 

 

 

Filed Under: Histori, Kronike Tagged With: Berisha, kthim pas 51 vjetesh, Mbreti Zog I, presidenti Nishani

PËR FLAMURIN TONË: DY RRËFENJËZA!

November 16, 2012 by dgreca

-Në kujtim të tim’ eti që këndonte këngë për flamurin, dhe u varros në Ditën e Flamurit, 10 vjet më parë-/

Nga Shefqet Meko- Mineapolis/
Babai im i dashur, ishte njeriu i parë të më fliste për Flamurin Shqiptar. Ishte i thekur në dashurinë ndaj këtij simboli domethënës shqiptar. Nuk më jepte ndonjë leksion akademik, thjesht “mëkonte” tek unë dashurinë për simbolin e gjithëpushtetshëm të kombit. Më fliste për historinë aq sa dinte. Mi përsëriste bëmat e patriotëve shqiptarë. Ai burrë, nuk këndontë shumë, por kur kishim mysafirë dhe miq të nderuar, babai im, pasi kishte kthyer ndonjë gotë raki, këndonte këngën e parë për flamurin. Thellë memories sime vjen zëri dhe isoja e asaj kënge: “…39të mos ardhsh kurrë/… Që na rrëzove Flamurë… Ç’ke Falamur o’ që rënkon.. o…Jam plagosur brinjë më brinjë…” Eeeeee, vijonte isoja tradicionale poradecare.
Kjo iso më ka shoqëruar cep më cep të globit. Ka qënë kënga e babait tim për Flamurin, që si një ortek dashurie e përkatësie, ka lëvizur brenda meje e genit tim shqiptar,e me ka dhënë aq fuqi dhe frymëzim, aq pasion e krenari, aq virute e gëzime… Aq e aq gjëra të mira. Mbase, pikërisht kjo dashuri atërore, ky vargan dhimbjesh dhe sakrifica brezash, më ka bërë që edhe udhëtimin tim të parë drejt Shqipërisë 10 vite të shkuara, ta bëja në vigjilje të 90 vjetorit të Pavarësisë. Unë nuk e dija, se në këtë përvjetor të 9 dekadave të pavarësisë, do të përcillja në përjetësi babin tim, Feim Selim Meko. Ai iku atë ditë nëntori për të qënë i përjetshëm në memorien time familjare… Ishte 28 Nëntor 2002. Varrosej babai im që këndonte në çdo sebep këngë për flamurin…

******

Qershor 2012. Udhëtoj drejt Uashington DC. Miku im Sabah Sena (Prof. Dr.) vjen nga Tirana me një grup biznesmenësh për të përfaqësuar Shqipërinë në një Panair Ndërkombëtar. Kur shkoj në DC, bëj shumë plane. Pata dëshirë të takoja Dr. Elez Biberajn, dhe kolegun Fiqiri Shahinllari. Kisha dëshirë të vizitoja Dr.Lefter Dakun dhe Dr.Pavli Mykerezin në Blaksburg, Virxhinia. I telefonova gazetarit amerikan Bob Web për të kaluar disa orë së bashku në DC. Ai më ftoi në Klubin Kombëtar të Shtypit 14th Street NW. Dhe të gjitha planet u realizuan siç desha vetë. Me gazetarin Bob Webb kalojmë së bashku darkën në Klubin Kombëtar të Shtypit. Ai më tregon gjithshka dhe shkojmë tek salloni ku janë gjithë flamujt e kombeve. “Këtu i kemi të gjithë, edhe Falmurin Shqiptar….” më thotë Bob Webb. “Tregoma pak atë shqiptarin…” i them. Kërkojmë e kërkojmë, por nuk e gjejmë dot. “Po këtu ka qënë, Egla Kaloshi nga Kruja më tha se këtu është, unë edhe nuk mbaj mend shumë, por ajo vajza nga Kruja më tha…Dhe e besova. Por nuk qënka. Më fal…” përpiqej të shfajësohej Bob Webb, a thua ishte faji i tij. Natyrisht, më dhembi shumë që një vajzë e re krutane, nuk kishte mundur të njihte flamurin, por për të qënë i saktë kërkova të bisedoja me administratorin e Klubit. Ai erdhi dhe na konfirmoi që “Flamuri shqiptar mungonte…” Më dhembi aq shumë ai moment dhe babai im, që kurrë nuk ëndërroi Uashigntonin, erdhi me këngën e vet: “Ç’ke Flamur o’ që rënkon…o… Jam plagosur brinjë më brinjë…”
U zgjova nga kujtimet e mia dhe e pyeta sërish njëriun që menaxhonte Klubin Kombëtar të Shtypit në DC: “A jeni i sigurt që nuk keni një Flamur Shqiptar në këtë sallë”? “Po, zotni, jam shumë i sigurtë, dhe më vjen keq…” më tha njeriu i pafajshëm në DC. “Ok, i thashë, unë jam shqiptaro-amerikan që jetoj në Minesota. Dua t’u dërgoj një flamur nga Mineapolis ta ruani në këtë sallë, si simbol të një kombi të lashtë të Ballkanit dhe Europës… Do jetë dhurata ime për Klubin Kombëtar të Shtypit”. Bob Webb nuk mund ta mbante do gëzimin dhe kënaqsinë e atij momenti: “Shefket, ky është moment i bekuar nga Zoti… Unë të solla këtu, sepse zëri im i brendshëm më tha. Shiko se çfarë momenti gjetëm….” Me lot në sy falenderova mikun tim.
Shkëmbeva informacion me Peter Hickman në DC dhe i premtova se sapo të kthehesha në Mineapolis, gjëja e parë do ishte ta dërgoja një Flamur Shqiptar në DC. Ai e priti me shumë gëzim këtë gjest dhe u ndamë për t’u takuar sërish përmes Falmurit Shqiptar.

Kur i tregova këtë histori një mikut im më tha shkurt:” Kot nuk more në telefon Ambasadën, që të kishte çuar 10 flamuj…” Jo, i thashë, një flamur nga Mineapolis në DC ka më shumë kuptim se nje telefonatë në zyrat shurdhe të ambasadës…” Dhe bëra dërgesën më të bukur postare: Një flamur nga Minneapolis në DC. Duke shkruar adresën e marrësit në hollin e Postës në Aeroport, që ka qënë edhe vendi im i parë i punës në SHBA, gjëmonte kënga e babait tim: “Ç’ke Flamur o, që rënkon ooo…Jam plagosur brinjë më brinjë…oooo…39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove flamurë…. eeeee…oooo”
Në më pak se dy muaj nga DC mora një letër. Zoti Hickman ish-zëvendës president i Klubit Kombëtar të Shtypit, njoftonte ambasadorin Galanxhi në DC se “Zoti Meko na dërgoi një flamur shiptar nga Mineapolis dhe tashmë flamuri shqiptar qëndron përkrah flamujve të tjerë në lobin e këtij Klubi”
Unë u ndieva mirë që Flamuri ynë mbërriti në Klubin Kombëtar të Shtypit në DC. Bashkëqytetari im amerikan më njoftoi dhe falenderoi, por unë nuk dëgjova kurrë ndonjë fjalë nga ambasadori i vendlindjes sime në SHBA. Por kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka që kënga e babait tim për flamurin buçet në qënien time: “39të mos ardhsh kurrë….Që na rrëzove Flamurë…Ç’ke Flamur o që rënkon…Jam plagosur brinjë më brinjë… ooooo…eeeee”

*****************

Këtë shtator që sapo shkoi, së bashku me bashkëshorten time, Alma Meko, njeriu që më ka falur fatet më të mëdha në këtë jetë, vizituam edhe Parisin. Shëtitëm cep më cep. Ime shoqe, kujtonte kohën kur në shtëpinë botuese “8 Nëntori” ku ajo punonte, Elena Kadare kthehej nga Parisi (në ato kohë të mbylljes sonë të madhe e të pashoqe) e u thoshte kolegeve: “Me Kadarenë pimë kafe tek kafe “Odesa”… Parisi është shumë i bukur…” Nuk e di por rastësia bëri të vetën. Ne ishim fqinjë me këtë kafe ku çifti Kadare pinte kafet në kohën e atëhershme të mbylljes sonë mëkatare… Ne shëtitëm dhe tek kafja pranë kopshtit Lukseburg, me dëshirë se mund të shihnim rastësisht çifitn Kadare, që banon aty pranë, por nuk qe e thënë. Nën shoqërinë dhe bujarinë Gjroksatritit-Tropojan, të gazetarit Artan Kutra, gazetar në Radio- Francë, shëtitëm shumë monumente dhe perla parisiane. Diku Tan Kutra na tregoi se një luftëtar i shquar shqiptar, ishte huazuar nga Italia për betejat e Francës, por kishte patur fatin tragjik të vritej. Ishte sherri më i madh mes Francës dhe Italisë, se kush do të varroste këtë luftëtar gjenial me origjinë shqiptare. Italia kërkonte gjithshka, sikurse francezët kërkonin ta mbanin në tokën e tyre. (Ai ishte ushtar legjendar, jo mbret). Së fundmi dy kombet fqinjë ranë dakord në një zgjidhje: Franca mbajti zemrën e luftëtarit, Italia mori trupin. Kështu të dyja palët gjetën qetësi duke nderuar shqiptarin luftëtar të lavdishëm…
Më dhembi dhe ma gjallëroi kjo rrëfenjëz e Artan Kutrës, ndërkohë krejt rastësisht kaluam në një rrugë që na përballi me Ambasadën Shqiptare. “Ja, o shqiptaro-amerikan, kjo është ambasada jonë…Atje në katin lart..Shikoje Flamurin tonë…”. Tek unë në mënyrë elektrike erdhën vargjet e këngës së babit tim: “39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove Flamurë…. Ç’ke Flamur o që rënkon ooo… Jam plagosur brinjë më brinjë…ooo”
“Tani Kutra, a është ky famuri ynë zyrtar…?” e pyes. “Po ore, a nuk e shikon shqipen me dy krena..”… Më thotë gazetari shqiptar në Francë, Artan Kutra.
Më dhembi aq shumë ajo që pashë. Iu afrova Artan Kutrës dhe i thashë:”Jemi mbretëri apo republikë, o Tan Kutra…Flamuri ka shenjën mbretërore mbi krena… Duket qartë, e retushuar…Duket si njollë…. Të dhemb një flamur me njollë…A e shikon?” Ai nuk mund t’u besonte syve: “Vërtet, ashtu është. Po ku të vajtën sytë xhanëm…Unë kam kaluar 100 herë dhe nuk e kam vënë re…” “Po më ra në sy njolla o Kutra. Një Flamur me njollë të dhemb…” i thashë. “E pse mërzitesh, ja kanë fshirë përkrenaren e Skënderbeut.. Prap flamur është…” “Jo, Tano, nuk është flamur në shtëpi, është flamur në shtëpinë e shtetit. Dhe shteti seriozitetin e parë e ka tek simbolet. Në Amerikë nuk bëjmë shaka me flamurin…” Miku im, duke e ndjerë vete si ambasador u munda të justifikohej se lobi mbretëror është shumë i fortë në Paris e Francë dhe mbase është efekt i kësaj. Por mua më dhembi… Mbase në mes të Parsit ai flamur sërish valvitet i “retushuar” dhe masakruar. Ndaj më elektrizojnë vargjet e këngës së babait tim që u varros në Ditën e Flamurit 10 vjet më parë:” 39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove Flamurë…Ç’ke Flamur o që rënkon heee…Jam plagosur o brinjë më brinjë…eeee”

******

Këto dy rrrëfenjëza më gufuan nga brenda në këtë vigjilje të 100 vjetorit të Flamurit Shqiptar. Dhe ndërsa kënga e babait tim për Flamurin lodron brenda shpirit tim, më poshtërojnë blegërimat e 1000 qingjave … që dikush do t’i bëjë kurban në Tiranë.
Vijoje atë këngë, babai im i dashur. Këndoje fuqishëm nga thellësia e varrit tënd ku u kalle më 28 Nëtor, 2002:
“…39të mos ardhsh kurrë/
Që na rrëzove Flamurë/
Ç’ke Flamur o që rënkon o..
Jam plagosur o brinjë më brinjë.ooo…”
Këndo babai im i dashur.Këndo në këtë 100 vjetor…Këndo për Flamurin. Unë të mbaj iso përmes lotësh…. Mbase jo vetëm unë..

“…39-të mos ardhsh kurrë,
Që na rrëzove flamurë…”

SHEFQET MEKO
Mineapolis, 17 Nëntor 2012

Filed Under: Kronike Tagged With: per Flamurin, Shefqet Meko

NEW YORK- HUMB JETEN NE AKSIDENT 28 VJECARI NICHOLAS KCIRA

November 15, 2012 by dgreca

Funerali do të zhvillohet në shtëpinë mortore Farenga Brothers Funeral( 920 Allerton Avenue Bronx, NY 10469 (718) 654-0500) Orari i vizitave do të mbahet të enjten, 15 nëntor nga 02:00-mabs dite deri në orën 21:00./

Sipas njoftimeve nga komuniteti – Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – thuhet se Nicholas Franush Kçira, është nipi i Dom Anton Kçirës( djali i djalit të vëllait) hyri në jetën e përjetshme në moshën 28 më 12 nëntor 2012./

CLARKSTOWN NYS: Një djalë 28-vjeçar nga Kosova – i cili jetonte në SHBA, ka vdekur të hënën duke gdhirë e marta pas makina e tij u përplas fillimisht në mbrojtësen e hekurt – parmakun, anës rrugës në autostradën New York Thruway Statet. Viktima e këtij aksidenti ndaloi dhe doli nga makina e tij – për të parë dëmtimin në momentin që ai u godit fatalisht nga një makinë tjetër – automjetit i cili u u ndalua në vendgjarja, tha policia e shtetit.

Ndërkohë, menjëherë pas këtij aksidenti policia shtetrore (New York State Police) ka bërë të ditur emrin e viktimës, i cili quhet Nicholas Franush Kçira, banorë i qytezës Road Fletcher – Monsey – në Pennsylvania. Viktima e këtij aksidenti u deklarua i vdekur pas orës 03:37 të pasmesnatës së hënë duke gdhirë dita e martë.

Polica ka bër hetimin e aksidentit ku sipas saj thuhet se përplasja ndodhi në korsin southbound pranë Exit 14, tha Sergent. John Antonelli zëndhësi policisë së shtetit.
Sipas hetimeve paraprake mendohet se Kçira si shka i një mjegulle të dendur ka pasu vështërsi në shikim dhe fillimisht humbi kontrollin teksa drejtonte një Honda Civic prodhim i 2003 – gjatë kushteve të një moti të ligë me mjegull dhe të errët, kur e e goditi parmakun – mbrojtësen e hekurt të rrugës,

Zëdhënsi i policisë shtetrore theksoi se e gjetën makininën e rrotulluar nga një krah i autostradës në krahun tjetër deri sa përfundoi në korsinë e majtë megjithëse ai udhëtonte djathtas, tha ai.

Sipas, Sergentit John Antonelli zëndhësi policisë së shtetit, automjeti që ka goditur fatalisht ka qenë një autovetur Lexus e 2008, e cila shkonte në drejtim të jugut të autostradës, kur goditi Honda Civic 2003 dhe Kcira, duke e rrotulluar atë nëpër parmak në një korsi tjetër në atë të veriut, Antonelli tha.

Kçira, një banor i qytezes Road Fletcher, i cili udhëtonte së bashku me dy kushurinjët e tij teksa ktheheshin nga një ndeshje basketbolli – mbasi kushuri i tij i parë luan për NCCA, ka përplasja e dytë kur u goditi nga Lexsus 2008 – pësoi lëndime në kokë dhe u shpall i vdekur në orën 3:37 një orë pas aksidentit në dhomën emergjente të spitalit Nyack , tha Antonelli.

Policia e Shtetit, pas aksidentit është ka ndërtuar skemën e aksidentit dhe është duke hetuar atë – ndërkohë që një ekip hetuesish – tha policia shtetrore po merren me aksidentin. Ekipi i hetuesve është nga axhensia Investigator Skylar King në Tarrytown. Ata fillimisht intervistuan shoferit tjetër dhe një pasagjer, dhe disa dëshmitarët, tha Antonelli

Ai shtoi se shoferi i automjetit që goditi rëndë Honda Civic ku mbeti i vdekur Nicholas quhet David Li, 23 vjeç, nga Albany, ai u dërgua me dhimbje prapa kokës dhe tnë kurriz, dhe u dërgua në Spitalin Nyack së bashku me pasagjerin tij.

As Li as pasagjeri i tij, Fernando Londono, 22 vjeç, nga New Rochelle, nuk patën lëndime të rrezikshme për jetën, tha ai.Policia tha se aksidenti është raportuar nga një tjetër shofer sikurse dy Korsi u mbyllën deri në 07:30, deri sa hetuesit vazhduan hetimit për aksidentin.

Hetuesit thonë se moti mund të ketë luajtur një rol, sepse në momentin e përplasjes mjegulla ka qenë e dendur në kohën e aksidentit.

Sipas njoftimeve nga komuniteti – Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës – thuhet se Nicholas Franush Kçira, është nipi i Dom Anton Kçirës( djali i djalit të vëllait) hyri në jetën e përjetshme në moshën 28 më 12 nëntor 2012.

Funerali do të zhvillohet në shtëpinë mortore Farenga Brothers Funeral( 920 Allerton Avenue Bronx, NY 10469 (718) 654-0500) Orari i vizitave do të mbahet të enjten, 15 nëntor nga 02:00-mabs dite deri në orën 21:00.

Mbas funeralit për Nicholas Kçira do të mbahet një mesh të premten, 16 Nëntorë në Kishën Shqiptare Katolike Zoja e Shkodres në orën 11:00

Varrimi do të ndjekë në kompleksin e varrezave civili Porta e qiellit në Hawthorne, New York.(Kortezi  Beqir SINA)

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: humb jeten, Nicholas Kcira, nip i Anton Kcires

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 590
  • 591
  • 592
  • 593
  • 594
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT