• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË SHKALLËT E UNIVERSITETIT

July 14, 2016 by dgreca

TREGIM NGA PILO  ZYBA/

Sokrati mori pultin e televizorit dhe e mbylli.Kishte ditë që mëngjes e mbrëmje, dëgjonte vetëm zhurmë për votimin e një ligji kundër korrupsionit.Tërhoqi më forcë deren e pallatit në të cilin jetonte prej 25 vjetësh, sepse pjesën tjetër e kishte të skalitur në tru dhe nuk mund ta harronte edhe po të donte.Koha jashtë dukej e mirë, por brënda tij re të dëndura mendimesh trazoheshin, përplaseshin, tek – tuk, dëgjohej ndonjë bubullimë, apo ndonjë vetëtimë mendimi, më pas binte përsëri në qetësi.Në një qetësi të gënjeshtërt, sepse ai në çdo orë të ditës ngjante i pa përqëndruar dhe nervoz.

Kapërceu me hap të matur lumin e Lanës dhe doli nga krahu i Shallvareve, një ëmër ky që nuk e dinte as ai vetë se nga i kishte mbetur kësaj lagje.Kjo ishte rruga e tij edhe kur shkonte në gjimnaz dhe më pas në universitet.Mbërtheu mirë këmishën, më pas xhakoventen dhe vendosi kapuçin që i varej pas shpinës.Në rrugë kalonin makina të të gjitha llojeve dhe  cilësive, por ai vetëm u hidhte një vështrim dhe shikonte rrugën përpara.Ah, mendoi, ky ligj i korrupsionit dhe padrejtësive, që nuk ka për të kaluar asnjeherë.Krehu mjekrën e gjatë me gishta, dhe, flokët që e pengonin të shikonte dhe kuptonte se, edhe vetullat i ishin zgjatur, ashtu si zgjatej tërkuza e padrejtësisë në kohën ku jetonte.

Në shkallët e mëdha të universitetit shkonte gjithmonë në të njëjtën orë, në mëngjes, pa hyrë mirë brënda studentët dhe profesorët, apo dekanët.U ul në qëndrën e shkallëve si gjithmonë dhe po priste, disa e përshëndesnin dhe disa kalonin pa i folur.Shumë nga studentët dhe profesoret çuditeshin kur e shikonin këtu këtë burrë 55 vjecar, që flokët kishin filluar ti zbardheshin, dhe, mjekra i kishte marrë pamjen e një filozofi.Për habinë e të gjithëve, disa e mërrnin për të çmendur, ose për një njëri me fiksime, që çdo mengjes ulej në këto shkallë, sepse askush nuk kuptonte dhe as nuk dinte e nuk shikonte qe ai të lupte diçka.Përpara kishte vetem dy duart e tij të kryqëzuara, dhe, veshtrimin lart, sikur kërkonte diçka me sy nga dritaret e hapura apo të mbyllura të universitetit.Mbi taracën e madhe të Universitetit, një tufë e madhe me pëllumba, herë çanin ajrin e ngjiteshin lart qiellin, herë uleshin poshtë dhe luanin me degët e pemëve, që tundeshin nga era.Sokrati mendonte, vetëm mendonte dhe, treste vështrimin herë thellë dritareve, herë nga rruga, andej nga vinin në grupe apo vetëm studentet.Përballë ishte Instituti  i Larte i Arteve, nga dëgjoheshin edhe tinguj muzike, por dhe  tabelat apo banderolat që studentet e pikturës vendosnin herë pas here.

Sokrati qëndronte aty në të njëjtën orë, në të njëjtin vënd, dhe pasi kalonin aty ata qe hynin brënda ai ngrihej pak si me pertesë, dhe, merrte rrugën e kthimit, ose të rrugës nga kishte punën e tij viteve të fundit.

Këtë mëngjes dukej më i zymtë, më i plakur, më i heshtur.Studentët që tashmë ishin mësuar me të, e përshëndesnin dhe futeshin brënda.Sokrati herë vinte buzen në gaz, herë mërrte me buzë retë e qiellit dhe i zbriste mbi ballë.Për shumicën e tyre këpuste një tendafil buzëqeshje nga buza e tij, sepse buzëqeshjet i kishte të rralla në jetën e tij, dhe, tundte kokën në shënjë urimi.Ky rit kishte krijuar te studentet një monoment të heshtur, të një njeriu të heshtur, që ata e shikonin gjithmonë në të njëjtin vënd, në të njëjtën orë, por nuk kuptonin vlerat, qellimin dhe, arsyen e ketij monomenti njeri.Kishte kohë që Sokrati ishte kthyer në temë për zgjidhje te studentet e Universitetit.Shumica e shikonin atë si mit, disa si të çmëndur, e shumë të tjerë si një lypës, por që nuk lupte asgje.Studentët të tërhequr grupe grupe e diskutonin këtë figurë mistike, që ndoshta diçka fliste në gjuhën e saj, por që nuk e kuptonte askush.Kjo ra në sy dhe në Dekanat.Ndaj atë ditë të martë, kur ndahej dhe një javë nga aprovimi apo jo i ligjit kundër korrupsionit dhe padrejtesive.Këtë mëngjes studentët nuk ishin futur brënda por kishin mbushur shkallët, dhe, në mes të tyre qëndronte njeriu me pamjen e tij të çuditëshme, i heshtur, i qete dhe i pa fjalë.

Profesoria e Universitetit dhe dekania e tij zonja, Fitore Diploma, në fakt mbiemri diploma i kishte mbetur që prej 35 vjetësh kur kishte marrë shkelqyer diplomën e saj të universitetit dhe kishte mbetur përfundimisht profesore e jashtme në atë kohë, e me pas petagoge, e tashme prej shume vitet dekane e këtij universiteti në degën e drejtësisë.Mbiemrin e saj të vërtetë e kishte “Pula” ndërsa pas martesës, ”skifteri”, ndonse nuk kishte asgje të përbashkët me skifterin, por kishte më shumë me dhelprën, sepse kishte një vështrim të vjedhur, një shikim të pa qëndrushëm dhe lakonik. Fitorja kur pa grupin e studentëve dhe diskutimet e tyre në shkallë, duke u ngjitur me takat e saj të larta, me flokët pis të zeza dhe me një fustan të modës së fundit, ndërrojë dosjen nga ana e dorës së majtë dhe u thirri studentëve.Por ata nuk lëvizën, vetëm shikonin me kureshtje njeriun që qëndronte i heshtur në mesin e tyre.

Duke parë që studentët nuk po lëviznin, por dhe që shikonin nga njeriu i çuditshëm i kohëve të fundit, ajo i vajti pranë dhe i foli.I foli me një ton jo të zakonshëm, dhe, jo si i fliste çdo ditë nga larg, por të prerë dhe të ashpër.

-Mirmëngjes, zotëri!

Tjetri hodhi vështrimin nga këmbet e saj të plota dhe u ngrit me veshtrimin e tij lart nëpër gjunjë e kofshë, në mesin e trashur disi, në kraharorin e bëshëm dhe supet e rrumbullakosura nga mosha.

-Mirmëngjes, zonja Dekane!

-Për ju nuk jam dekane, dhe, emrin nuk e kam dekane, por Fitore.

Të kuptoj, foli tjetri me kokën gjithnjë të ulur, këtë emër ua vunë ata që u lindën dhe që si duket e dinin rrugën e fitoreve që do korrje në jetë.

Çdo njeri ka fitoret e tij në jetë, zotëri.Unë kam të miat, për këtë nuk ka mbetur të flisni ju, sepse flasin çdo ditë veprat e mia, karrjera ime, vota e popullit që më kanë zgjedhur për të ruajtur interesat e tij.

Fitorja prej disa zgjedhjesh ishte dhe deputete në parlamentin e Shqiperisë.

-Gëzohem për sukseset tuaja zonjë.Sokrati qëndronte me kokën ulur, dhe, kishte mbuluar ballin dhe sytë me flokët e gjatë.Që herët kam lexuar dhe paguar bukurinë dhe mençurinë tuaj.

-Nuk jemi këtu për fjalë dhe debate, zotëri, u lutem të mos qëndroni më në këtë vënd, ndryshe do lajmëroj policinë tu vijë dhe tu marri.

-Nuk habitem për këtë, zonja Fitore, sepse fitoret në jetën tuaj, janë të mbështetura në themelet e policisë!

-Deputetes i erdhi inat, por e përmbajti veten.

-U lutem të ngriheni dhe të largoheni, ndryshe do tu ngrejmë me forcë.Biseda po behej e hapur, studentet të shtyrë nga kureshtja u afruan dhe me shume.Dekania u ndie keq.Largojuni, zotëri, çfar kërkoni këtu?

-Kërkoj diplomën time, zonjë!

-Diplomën tuaj, cilën diplomë? Nëse kërkoni diplomën, ajo nuk kërkohet te shkallët, por brënda në dekanat, në  dosjet dhe arshivat e Universitetit.

-Me falni zonjë, Sokrati lëvizi nga vëndi, por nuk u ngrit.Do ta votoni  ligjin për korrupsionin dhe padrejtësitë që janë bërë dhe bëhen në këtë komb?

Dekania u revoltua:

-Këtu jam dekane, zotëri, nuk jam deputete, nëse keni diçka për të pyetur në këtë drejtim, atëherë ejani në zyrën time ku jam deputet e zgjedhur nga masa.Këtu jam e zgjedhur nga aftësitë e mia personale si petagoge dhe Dekane e këtij Universiteti.

Mbi taracën e universiteti zbriti një skifter i cili i trëmbi pëllumbat kur u lëshua mbi ta, pemët filluan të fëshfërinin me zhurmë, re të dëndura u dukën se zbritën dhe po mbulonin  krahët e blerta të gjelbërimit pranveror rreth Universitetit.Pëllumbat përplaseshin nëpër degë dhe shumë prej tyre zbritën deri poshtë në shkallët dhe pranë këmbëve të tyre.Studentët thirrën një zëri, vëndi oshëtiu dhe mbushi qiellin.Skifteri grabitqar u tremb dhe iku, por në ikje e sipër u përplas në xhamat e dritares së madhe të katit të dytë.Në dritaren e zonjës dekane, dhe, nga goditja u përplas në tokë, xhami u thye, dhe copat e xhamit ju ngulën nëpër trup.Masa e studentëve mbeti pa frymë.Sokrati gjeti rastin dhe u ngrit në këmbë:

-Skifteri u përplas në dritaren e zyrës tuaj dhe mori dënimin, zonja dekane.

Fitores i pëlqeu ky krahasim.

-Zotëri, ne dhe nga ana figurative, por dhe nga ana shtetërore jemi të zgjedhur për të  ruajtur të drejtën.Skifteri ishte një grabitqar, dhe, fundi i tyre dihet.

Sokrati, u ngrit përfundimisht, hoqi kapuçin, e kapi dekanen nga të dyja duart, dhe, mbasi krehu me dorë flokët që i binin mbi sy i foli me zë të lartë, sa ngjante se dhe vetë universiteti dhe krejt universi degjonte rreth.

Dekania kur e pa në sy u drodh e tëra dhe i ra nga dora dosja e madhe me emrat e studentëve.

-Fitore, jam unë, thirri Sokrati, jam unë! Jam unë ai që puthja dhe përkëdhelja kurmin tuaj, ai që u mësoja dhe në shtrat dhe në universitet se si ishte jeta, cila ishte rruga që duhej të ndiqje në jetë, dhe jo ajo që more dhe bëre.

Fitorja tërhoqi duart dhe mbylli veshët të mos dëgjonte, por thirrja e Sokratit ishte sokëllime, rrufe që përcillte bubullimën e saj qiellit të drejtësisë përpara shkallëve të universitetit.

-Ju, jeni këtu në sajë të diplomës time zonjë.Ti bashkë me operativin e sigurimit të kohës, që kishte prorsitur babai juaj zëvëndës ministër paraqitët mbrojtjen e diplomës time në universitet.Unë këtë nuk e dija dhe pas 5 ditësh u paraqita me të njëjtën temë, me ate temë, qe Ju vodhët ne dhomën time të gjumit, dhe u quajta hajdut i temës tuaj.Operativi me veprimin tuaj, fjalën tuaj, pabesinë tuaj dhe dëshminë tuaj me futi në burg per 8 vjet.

Fitorja e kapi nga duart dhe bërtiste:

-Mjaft,mjaft Sokrat, ajo pa në sytë e tij dallgët e urrejtjes.Nuk e kontrollonte dot me veten, flokët i ishin shkrishur, gurët e kalasë së bukurisë dhe krenarisë i ishin rrëzuar, ngjante si një këshjtjellë e cila ka rënë në duart e kundërshtarëve, pas një beteje të gjatë gjakatare dhe shkatërrimtare.

Ai e pa thellë ne sy dhe i foli me atë zerin e tij, që nuk ishte i pa njohur për të:

-Në trupin tënd, në sytë e tu, lexoja me buzë ditët e gëzimeve të mia, Fitore.Në kraharorin tënd kisha gjykatën time të drejtësisë dhe të besës.Në thellësi të shpirtit kërkoja lumturinë, por gjeta shkatërrimin tim.

Në shkallët e Universiteti kishte pllakosur një heshtje e thellë, skena kishte tashmë vetem dy aktorë, dhe, qindra spektatorë që e ndiqnin, por që kishin mbetur gojë hapur dhe memecë nga tragjedia që luhej.Një erë e fortë mori banderolën e madhe me një pikturë të varur në murin e institutit të lartë të Arteve dhe e lëshoje në tokë, pastaj me forcën e saj e merrte zvarr nëpër rrugë si për të treguar se çdo gjë  nuk mund ti qëndrojë kohës.Era tundte degët e pemëve rreth universitetit, që ngjanin me një sinfoni të madhe me nota Bethoviane të shkëputur nga sinfonia e nëntë,”revolucioni”.

-Dekania i vendosi dorën në gojë dhe i bërtiste:

-Pusho, të lutem pusho!

-Unë pushoj, bërtiti ai, por dallgët e shpirtit dhe fryma që mbaj të mbyllur brënda nuk mund të pushojnë.Më thuaj, do ta votosh ligjin kundër korrupsionit dhe barazisë gjyqësore kombëtare, dhe e shkundi fort.Në ato çaste pa se dekania u përkund dy tri herë dhe, u lëshua pa ndjenja në tokë.Studentët e panë të këputej nga rrufeja e drejtësisë të fjalëve te tij, si dega e një peme, por askush nuk u afrua ti jepte ndihmen e shpejtë.Sokrati vendosi në telefon numurat e ndihmës së shpejte dhe po i mbante kokën.I foli ngadalë dhe me brishtësi:

-Të kam dashur, Fitore, të kam dashur si gjënë më të çmuar në jetë.Më thuaj, do ta votosh ligjin për drejtësinë dhe kundër korrupsionit?Por ajo nuk përgjigjej, heshtja e saj ishte thikë me dy presa, kur të rizgjohej, nuk dinim, do ishte me të kaluarën apo me të ardhmen!

London…korrik…2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: NË SHKALLËT E UNIVERSITETIT, Pilo Zyba, Tregim

GURI I SHPIRTIT

July 14, 2016 by dgreca

Tregim nga Fotaq Andrea/

Kishte gati një javë që nënë Sanoja jetonte me një boshllëk në gjoks, nga ato lloj zbrazëtish mbushur me ankth ndjellakeq, që si kthetra të gllabërojnë fytin e ta mbajnë shtrënguar dhe po aq pamëshirshëm të ngërthejnë edhe stomakun poshtë, në tkurrje të plotë. Mundohej të largonte mendjen me ato dy çika punë shtëpie, një fshesë, një leckë, pluhurat mbi divan e karrige, mbi bufe e në tavolinën e vogël, i jepte një fshesë avllisë dhe ujiste ngadalë ca borzilokë e karafila mbjellë në saksi me dorë të saj. Çapitej koshtit e avllisë me një kërrusje të lehtë, me hap të ngadaltë, nën ritmin e një rënkimi monoton, me një pafundësi « ëh, ëh, ëh », që nuk i reshtnin as ditë as natë, sikur vetë jeta e saj të qenkësh një shtrat lëngatë për atë trup të imët e të rreshkët, veshur që në rini me të zeza, kokë e këmbë.

Jo më shumë se një ditë më parë i kish ikur bija e vetme, Vitoja, me të cilën kish lidhur jetën, që pas vdekjes të lumëziut burrë, që i kish sosur ditët nga veremi, pa shkuar dot as tre pranvera me të. Dhe krejt jeta i kish ikur me shatë e lopatë në kooperativë, me futa në mes për të mbledhur ullinj, me kosha perimesh e duaj gruri në kurriz. E kish rritur atë të uruar bijë me mund të madh, me vetë frymën e saj, si i thonë fjalës, duke e nxjerrë lekun me thonj, dhe domosdo, e kish si dritën e syrit. Sa e pat në shkollë, në tetëvjeçare, veç fukarallëkut të përhershëm, s’kish pasur ndonjë problem tjetër. Vërtet i qe sëmurur një herë keq, po mjeku i fshatit, njeri i mirë dhe i dashur nga fshatarët, e kish nisur menjëherë në qytet, dhe e kish shtruar në spital. I kish marrë e bija të ftohtë të rëndë në mushkri, « bronkopnëmoni» siç thosh, dhe temperatura s’i binte për kiamet. U shkulën shoqet dhe mësuesit e vanë në qytet, se e donin, e kish nëna kapedane, të hedhur në punët e shtëpisë dhe të zonjën në mësime, pale edhe nur, me leshra të zeza e vetullhollë.

Por kishin ardhur pastajna ca kohë të tjera, kur njerëzit s’e kishin më mendjen as për punë e as për lumë, por vetëm për det e për qytet. Kooperativa u  prish, arat u shkretuan, drurët u prenë, u ndanë ca dynymë, por që kush t’i punojë e me se ? U lidhën edhe nga një pension e u dhanë ca ndihma, por hajt të mbahej gjallë shpirti me to ! Erdh e u tret vajzë e nënës sa u tha e u bë gjilpërë, se i ikën shoqet dhe tërë rinia, kush këtu, e kush atje.

Donte e gjora vajzë të vazhdonte të mesmen për t’u bërë infermiere. I thosh asaj të shuare mëmë të shisnin shtëpinë e katandinë, të linin fshatin për t’u vendosur në qytet, pranë xhaxhait të saj, se të tërë kishin ikur, sikur t’i kish rënë flama fshatit. Por ajo, jo që jo, në të vetën, as që i mbushej mendja për të lënë shtëpinë. Atje kish lidhur jetën, atje do soste ditët, siç thoshte. Punonte atë çikë kosht, mbante dhe ca pula e një lopë dhe i hipte mëngjes për mëngjes autobusit e shkonte në qytet për të shitur qumështin dhe një dorë erëzash a ndonjë zarzavatë apo frutë të stinës. Arrinin kështu të mbanin frymën gjallë e të shtynin ditët. Kurse në qytet, ç’do bënte, me se të merrej ? Tërë jetën qe mësuar me punë, dhe puna, siç dihet, të mban gjallë. Mirëpo, ja që na qenkësh edhe halli i çupës, e hall i madh se ! Se e kish të re në moshë dhe s’kish pse lidhte jetën pas baltës, pa punë, pa shoqe e pa të ardhme. Atëherë, i kunati premtoi t’ia marrë çupën në punë me të hapur dyqanin e tij në një lagje mes qytetit, dhe kështu vajza do ta kish më të lehtë për të vazhduar edhe shkollën. U detyrua ta lërë të bijën të ikë tek xhaxhai i saj, të punonte në dyqan të tij tërë ditën, për të nxjerrë ndonjë lekë, që ia sillte edhe asaj të gjore.

Ja kështu, e bija në qytet dhe ajo në fshat, u shtynë si u shtynë nja katër pesë vite me radhë, por pa shkollë e pa lumë për çupën. Dhe veç kur një ditë, na i ngrihet mendja vajzës o do ikë në Itali, o s’ka, te kushërinjtë e vetë, dy djemtë dhe vajza e të ungjit, që qenë rregulluar atje për bukuri, me punë e me shtëpi, siç thonin. Dhe vërtet, a nuk i kishin ndihmuar prindërit për të ngritur e hapur atë çikë dyqan ? Kjo e shkretë mezi priste ta jepte vajzën në ndonjë vend të mirë, andej nga qyteti, sepse sapo i kish mbushur të njëzetat, kurse ajo një e dy, « nëno do iki unë, nëno s’rrihet më këtu, nëno, do të të marr dhe ty, ç’ke ti, s’të lë vetëm », dhe plot e plot lutje të tjera. Pale kur i fliste e ëma për martesë : i hidhej çupa në kokë për ta kundërshtuar e për t’i thënë se tani s’martohen aq të reja si më përpara, dhe se ka plot djem të mirë edhe në Itali, ku do vazhdonte shkollë e do punonte, si gjithë bota.

Pa ç’pa, nënë e gjorë, pas të luturash e stërluturash të së bijës, shiti atë lopë që ia mbante shpirtin gjallë e ia dha lekët vajzës, që edhe vetë kishte vënë, ndërkohë, diçka mënjanë. Por prapë, i duhej një shumë e madhe për të paguar një udhëtim me gomone, siç iknin herë pas here tutje klandestinët, dhe këto ia plotësoi i ungji.

Vitoja sa s’fluturonte nga gëzimi, dhe në pritje të ditës për t’u nisur, ndenji me të një muaj të tërë në fshat. Tek e shihte mëmën me gjemi të mbytura, zinte dhe e merrte hopa në krahë, e rrotullonte tre katër herë nëpër dhomë, aq sa ajo i lutej « boll se më more mendtë! », pastaj ia niste nga të puthurat e përkëdhelitë, në faqe, ballë, sy e gushë për t’ia larguar mërzinë. Papo një herë, na kish gjetur çupa edhe aparat fotografik, dhe tek lahej mëma në banjë, se vajza e donte gjithnjë llamps të pastër, kjo fap, hap papandehur derën dhe nis e fotografon mëmën ashtu karkacul siç qe. Ajo shty e kjo fotografo, ajo mbulohu e kjo zbulo, ajo bërtit e sha dhe kjo qesh e fotografo, derisa e kish mbyllur çupa derën e e kish lënë mëmën të shpëlahej rehat me ujët e kovës që merrnin në pus. Një herë tjetër, ia kish hequr shaminë e zezë nga koka, dhe flokët e thinjura, të rralluara e të holla ia kish bërë dy gërsheta, që ia ngriti përpjetë kokës, ia kapi me kapse, dhe ia leu buzët me të kuq. Madje këmbënguli që t’ia vishte edhe pantallonat e saj xhins, po mëma seç pati dhe mori inat, e ajo hoqi dorë. Kur ish kohë e mirë, mëngjeseve a pasditeve, rrinin pasandaj të dyja bashkë në avlli, mëma mbi një stol të vogël e me shtiza në duar, ajo mbi gurin e shtëpisë, secila zhytur në botën e vet, tek-tuk me ndonjë shkëmbim batutash.

* * *

Ishte e martë kur u shfaq para avllisë një djalë, që zbriti nga vetura dhe kërkoi Viton e saj. Mëmës iu duk djalë levend, dhe sikur iu ngroh shpirti. Ish i mbajtur, i ri në moshë dhe dukej serioz. Ajo e saja, doli nga shtëpia me hap të shpejtë, duke i tundur lehtë, si rosë, ato vithe të vogla shtrënguar në xhins, që ia kish larë kushedi sa herë me ujët të ftohtë në foshnjëri. Se ç’thanë kokë më kokë të rinjtë, dhe vajza e puthi djalin lehtë në faqe, e mëmës iu errën sytë. Pastaj, djali përshëndeti gjithë mirësjellje mëmën, i hipi veturës e iku. Vetëm atëherë vajza kërceu përpjetë, gjithë këmbë e krahë në ajër dhe, tek iu hov së ëmës në qafë, i dha lajmin e gëzuar :-  Nëno, nëno, për një javë nisem !

Ajo foli kështu, por asaj të gjore në vend iu nxi gjithçka, iu bllokua frymëmarrja dhe iu këput koka në sup të së bijës. E mori vajza hopa dhe e nderi në shtrat, i hodhi ujë në fytyrë, ia fërkoi fort me raki faqe, duar, gjoks e këmbë dhe e solli në vete. Pasandaj, të dyja u shkrehën në vaj e në përgjërim në krahë të shoshoqit për një kohë të gjatë. Atë natë, as njëra as tjetra nuk vunë gjë në gojë dhe ranë për gjumë në dhomën e vetme ku kishin fjetur gjithnjë bashkë, në dy shtretër të vegjël përkarshi, bërë me llastikë kamardareje makine. Por hem njëra, hem tjetra s’gjenin rehat, lëviz sa në njërin krah në tjetrin, duke e kërkuar më kot atë gjumë të shuar që s’po u vinte. Rreth mesnatës, të parën e zuri gjumi çupën, që zu të flasë në ëndërr, sikur po sherrosej me dikë. Plaka u vuri veshin fjalëve, për të marrë vesh diçka, por ato i vinin të pakuptueshme, të ndërprera, të rrokshme. Rrinte me sy hapët në përpimën e errësirës duke u përpjekur të fashitë mendimet, tek i qenë mpleksur rrëmujshëm në kokë e s’i shqiteshin, si një lumë turbullimë, i pamëshirshëm. Vonë, shumë vonë, në një terr të zbërdhulët, pa e ditur as vetë në që në ëndërr a zhgjëndërr, iu shfaq para syve në tavan një si kuçedër, që spërdridhej e hidhte valle, e nga goja s’nxirrte flakë, por gjarpërinj të zinj, që aty-aty treteshin e shuheshin. Brofi në këmbë tek pandehu se kishin përpirë Viton, po çupë e mëmës flinte e qetë.

Kishte rënë fije agu i parë dhe një dritë e zbehtë, që përshkonte perden e tylit, po luante gëzueshëm në gjysmëhije të tavanit…

Mëma u ngrit pa zhurmë, u vesh, vuri xhezven për kafe mbi një gazierë të vogël, që ia kish sjellë e bija nga qyteti, dhe bëri një kafe farmak të hidhur, për t’i mbledhur barkun. Doli në avlli, u ul te stoli dhe zu ta rrufisë ende të nxehtë, duke u përpirë edhe vetë në mendime të thella. Ç’të qe vallë ajo ëndërr e keqe që sapo kish parë ? Kuçedër që lëshonte nga goja ata piko gjarpërinj të zinj ? Bobo, bijë e nënës, po merr veten në qafë, po shkon drejt kuçedrës ! Ç’të bënte ? Si ta ndalte ? Si t’ia prishte mendjen ? Vërviste veten në humnerë të njëmijë e një pyetjeve, pa mundur të dalë dot që andej me një vendim a përgjigje të vetme. Atëherë, s’iu durua më. Pa orën dhe qe pesë e gjysmë. Më gjashtë, autobusi i parë nisej nga fshati për në qytet. U vesh dhe e mbajti frymën fill e te kunati.

Ai u çudit tek e pa në derë të dyqanit aq herët, por ajo s’priti më dhe iu zbraz atij :- More Xhemal, po ku do ma çosh çupën ti ? Në gojë të kuçedrës ? S’kam sy e vesh unë se ç’bëhet në këtë dynja ? I marrin vajzat e i gjezdisin për “prostituta”, ua djegin mishin me cigarë, i çojnë në njëmijë horra dhe mëmat s’i shohin kurrë me sy ?! Më gjeni mua, juve, të zezën plakë, dhe doni të më hiqni edhe beben e syrit ?! Jo, jo, jo, jo ! S’e lë çupën kurrë unë të ma marrin zuzarët, e kam rritur me thërrime, ti e di mirë ! Vërtet dhe ti më ke ndihmuar e ta di për nder, po jo të më merrni çupën e të ma çoni te kuçedra !

– E shoh që paske parë ëndërr të keqe, moj kunatë, dhe të drejtë ke : me ç’na shohin sytë, të jap njëmijë herë të drejtë. Po ti s’e paske njohur mirë Xhemalin një jetë të tërë. Unë të bëjë atë gjë për Viton moj ? Po unë e kam bijën time, siç e ke edhe ti. Në kam dy djem, kam edhe dy vajza, se Viton e kam amanet nga im vëlla që kur mbylli sytë. Po hajt vemi pimë një kafe e të qetësohesh. Shko brenda në shtëpi e thuaj Marës të vijë të më zëvendësojë. Ja erdha.

Ato fjalë sikur të kishin qenë ilaç për mëmën e gjorë, se aty për aty u qetësua. « E po ky Xhemali, gjithmonë gojëmbël me mua, po thoshte me vete. Kot që po i bie më qafë ».

Kur erdhi, u ulën të dy tok në kolltuk, nga ato alla frëngat, më të fundit, që asaj i vinte zor të rehatohej në to, dhe ai ia mbërtheu duart në të vetat e i foli me zë të prekur :

– Mjerë ato mëma që s’dinë ku i kanë çupat ! Të drejtë ke, Sano. Ja që erdhën kohë të këqija. Marrin vajzat e djemtë rrugët nga anë e anës e ku nuk venë, në Itali, Greqi, Amerikë, Evropë, vetëm e vetëm për një copë punë. Se ç’të bëjnë këtu? Duan të hanë. Po duam të hamë edhe ne nga duart e tyre. Ja që këtu punë s’ka, ti e di. Hajt të shohësh listat në dyqanin tim, sa vetë kam që s’më paguajnë dot për ushqimet që marrin. Mezi mbajnë frymën gjallë njerëzit e shkretë… Pse s’i dua edhe unë fëmijët t’i kem këtu, t’i martojë e të rrisë nipër e mbesa ? Edhe mua më djeg xhani për ta, dhe vetëm tek ata më rri mendja, në do ta dish : si janë, si m’u gdhinë, sa punojnë, sa lodhen e rroptohen. Janë krejt vetëm, në derë të botës, po shyqyr që kanë njëri-tjetrin… Dhe Vitua, ti e di, do vejë tek ata, se i kanë gjetur punë, dhe po punove e mësove dhe gjuhën, pronari i tyre do t’i bëjë garancinë që të marri kartërat e të jetë në rregull. Ç’pandeh ti, se do e lë unë Viton, bijën time, të më marrë udhët kot më kot, apo për ato punët e liga që më flet ti ? Pse, s’i di unë të gjitha këto ?

– Po jo, mo Xhemal, t’u bëfsha, kam frikë, e kam çupë të vetme. Erdhi dje një djalë me viturë para shtëpisë dhe e kërkoi. Se ç’i tha, çu-çu, në vesh.

– Po unë, moj e uruar, e dërgova. Është i biri i Metes, agronomit që ka punuar në fshat. A e mban mend ? Është djalë i mirë, Sanooo. Të gjithë e njohin.

– Ku e di unë e shkreta, se pse kam frikë që do ikë. E re është, mund të bëjë edhe të prapa. Ç’nuk na shohin sytë. Na nashti, na nxjerrin edhe barkun jashtë, pale !

– Po ti, s’e paske njohur tët bijë kështu ? Po Vitua është ta pish në kupë moj ! Pesë vjet që punoi në dyqan, s’iu dëgjua njëherë zëri, po vetëm fjalë të mirë me këdo. Ua qante hallet të shkretëve njerëz si ti e si unë. Po tani, të rinj janë, nuk do rrinë me brekushe e poture si ne dikur, ja që do vishen sipas kohës. S’ka pse të kesh frikë !

– Po mirë, ja më thuaj, kjo timja, fup i kërceu në qafë, edhe e puthi. Ç’qe ajo që bëri në sytë e mi ?

– Dëgjomë, një çikë, Sano : vajzës s’ke pse t’ia kesh frikën, se e ke të pjekur. Ajo di ç’bën, di t’i zgjedhë edhe shokët, edhe shoqet. E pra, me djalin e Metes, sikur i kanë lidhur telat, kështu më duket mua, se i kam parë ca herë bashkë… Edhe ai do vejë në Itali, dhe me Gimin, tim bir që është atje, janë shokë moj, që në vegjëli. Do kenë shoshoqin, shyqyr nuk thua ?

– Aaa, kështu na qenka puna ! Bota di plot gjëra, e unë fukaresha, atje në fshat, s’di asgjë ! Po mirë, i fejojmë aherna, e pastaj të ikin. Ç’është kjo punë kështu, ueueu ! Ka kohë, le të ikin më vonë.

– Nuk thua shyqyr një orë e më parë ! Unë s’e nisa që në fillim, se ishte e vogël, papo duheshin rregulluar edhe ata atje në Itali, me punë e me kartëra. Tani që u rregulluan e që i gjetën edhe punë çupës, posi jo, të niset një orë e më parë. Se s’dihet ç’ndodh dhe bllokohen rrugët.

– Nuk e di Xhemal, nuk e di, po unë se ç’kam një frikë – ia ktheu kunata me zë të dridhur.

– Frikë të tërë kemi pasur. Dhe kemi, normale është. Por duhet vështruar përpara, Sano. Ja, edhe ti, shite atë dreq shtëpie në fshat dhe eja këtu tek unë. Do rrimë sa do rrimë bashkë, do na martohen dhe fëmija andej nga janë, dhe kur të na bëjnë kartërat, do vemi edhe ne pas tyre, t’u rrisim kalamajtë, e të shohim edhe ne dy ditë të bardha më në fund.

– Ku e di unë, ku e di unë, e shkreta ! – foli nëna gjithë psherëtima dhe lotët i shkuan çurg.

Atë çast, ia behu Vitua. Tek ish zgjuar dhe kish parë që e ëma kish veshur rrobat e qytetit, e kishte marrë me mend që duhej të qe nisur për aty. I kish hipur autobusit të dytë dhe kish rendur si e marrë nga meraku për të. Dukej që s’kish fjetur mirë. Sa e pa, iu hodh nënës në qafë, dhe s’i shqitej.

– Po pse mi nënë, bën kështu ! Unë të kam thënë që s’të lë ! Do të të marrë me vete, ke për të parë, fillimi është një çikë i vështirë. Gjithë bota janë rregulluar, do rregullohemi edhe ne, ja, do shohësh !

Zunë të dyja të putheshin e të ngalasen, sikur të ish pikërisht ai çasti i ndarjes. Xhemali u prek, dhe sytë iu mbushën me lot.

– Ika unë, – tha – se Mara s’ia del dot vetëm në dyqan.

* * *

Që nga ajo ditë, nënës iu lidh një xhumbë në gjoks, e fortë gur e s’i shqitej. Sa herë në vetmi, i binte me grusht, për të lehtësuar dhimbjen, por ajo ish aty, kish hedhur rrënjë, në thellësi të vetë shpirtit. Dhe vetëm kur rënkonte « ëh, ëh, ëh », sikur lehtësohej njëfarësoj, si ajo kokëza e tenxheres me presion, që lë ngadalë të shfryjë avullin për të mos shpërthyer. E kish mbledhur disi veten pas fjalëve të Xhemalit, dhe përpiqej të mos lëshohej para vajzës. Po prapë, natën në gjumë e ditën në vegim, s’i shqitej kuçedra me gjarpërinjtë e zinj. Ata i rrëshqisnin tashmë në brendësi të trupit që nga koka dhe strukeshin shi aty, në fole të tyre, te xhumba në gjoksin e saj të tharë.

Erdhi më në fund dhe çasti i ndarjes. Bija e nënës mori me vete vetëm një çantë të vogël shpine, një bluzë, një xhins, nja dy të brendshme, një kuti çimçakizi, që s’e hiqte nga goja, disa fotografi, ku kish dalë me të, dhe rrobat e turpit. S’donte t’i merrte karkanaqet që i përgatiti e ëma, se do t’i kishte bezdi, siç tha. Por ajo kish ngulur këmbë, dhe e bija për t’i bërë qejfin, mori gjysmat. Te avllia e priste djali i Mete agronomit, që nëna, si u nda me të bijën tërë lot dhe njëmijë urata e bekime, e përfaqoi e e puthi edhe atë, si ta kish birin e saj.

– Ma ki kujdes çupën, jeto, se e kam dritën e syrit ! – i tha. – Hajt paçi uratën që të dy, e ju bëftë dritë ngado që të veni !

Ata i hipën veturës e ikën, kurse ajo u shemb në divan e për çudi, nuk ia plasi të qarit, po ama nuk i shqiti sytë nga tavani. Iu duk se pa aty kuçedrën, që po i nxirrte tashmë gjuhën e tallej me të, por pa gjarpërinjtë e zinj nëpër gojë.

« Ma more të keqen edhe ti ! – foli nëna nëpër dhëmbë, si me inat e si për t’i dhënë zemër vetes. – E kam çupën në dorë të sigurt, në do ta dish, te djali i Mete agronomit. E ti, plaç aty ku je, se ata do martonen bashkë e s’pyesin për ti ! Dinë t’i dalin zot vetes !» Foli kështu ashpër, duke mallkuar të keqen, që të plaste mu si qelq. Edhe e vërviti në shesh, tërë forcë, gotën e kristaltë me ujë që kishte në dorë një copë herë, e që u thye me krisje të thatë.

Doli në avlli, vështroi gjurmët ende të freskëta të veturës mbi udhën e pluhurt, treti shikimin deri në zhdukjen e tyre, pastaj ia nisi rënkimit ëh, ëh, ëh, dhe shikimi iu ngul te guri sa dy pëllëmbët e saj, ku i ulej e bija. E  kishin aty që kur qe ngritur shtëpia, mbetur nga gurët e themelit, si më i madhi që qe, i përhimë, i lëmuar, i latuar, i larë nga shiu e i tharë nga dielli e era, që më mirë se kushdo ia njihte nënës gjithë dertet e saj. E ledhatoi, e lëvizi nga vendi, si zakonisht, për të parë në mos qe futur nën të ndonjë cfurk a gjë e keqe, dhe u ul në stol, në krahë të tij, si të kish vajzën mbi të. « Ëh, ëh, ëh », rënkonte nëna, « fësh, fësh, fësh », bënte dora e saj e ashpër mbi sipërfaqe të gurit. Orë të tëra nuk luajti vendit, me të vetmen pamje në kokë, ikjen e çupës, me ato sy që i ndrinin nga lotët, me ato leshra të gjata pis të zeza, me atë fytyrë borë të bardhë dhe dorën tundur nga pas xhamit të makinës.

Veç tre-katër kafeve që piu, tërë atë ditë s’vuri gjë në gojë. Në pasdite vonë, koha u zymtësua, filloi erë dhe nisën ca pika të mëdha shiu. « Do më laget, bijë e nënës, kushedi ku është » – tha me vete. Ra për të fjetur, më herët se zakonisht, por s’e zinte gjumi. Tërë natën bubulliu e vetëtiu dhe qielli krejt shkarkoi lotë, si vetë lotët e mëmës së gjorë në shtrat. Nuk kish drita, si përherë kur bënte kohë e keqe, dhe kish ndezur një qiri. Mbi mur, shfaqej tanimë hija e saj stërmadhe në anë të shtratit, duke shkulur faqet me duar : « Pupu ç’bëra, pse e lashë unë korba ! Nga m’u tha gojë e shkretë dhe pranova ! Na nashti dhe tërë ki kiamet! Pupu ç’më gjeti ! Bobo çupa ! » Ndenji një hop, dhe i dha gajret vetes : « Po boll moj Sano, boll, mos ndill keq ! Ç’është kështu me ti ! Të vogël s’e ke më ! E rrite dhe e bëre të zonjën e vetes ! Nuk thua shyqyr që rrite vajzë për së mbari ! Jo si shoqet e saj që s’dihet nga janë ? Pastaj, vetëm s’e ke, si të tha Xhemali ! Pa kujtoi një çikë fjalët e tij ! »

Jepte e merrte me veten, por laku i ankthit e kish kapur fort në grykë, pa dashur kurrsesi ta lëshojë. Një hop iu duk se qenë vetë gjarpërinjtë që po e mbanin mbërthyer përreth gjoksit e grykës. « Hëni, u shofshi, forca, me mua plakën merruni, shpirtin ma nxirrni çika-çika, veç atyre mos u ndodhtë gjë ! », mallkonte e uronte plaka me gjithë zemër që t’i binte asaj e liga në kokë dhe jo të rinjve.

Të nesërit, qielli u ça krejt, me një kthjellimë, pastërtimë e llamburimë kristal të ajrit. E dërrmuar nga një natë e tërë pa gjumë, nëna doli në avlli të marrë frymë lirisht. Zgjidhi shaminë, krehu leshrat, mbështolli me kujdes, si gjithnjë, flokë të mbetur në krehër, që shpejt i futi në xhep të futasë, si të rraste në të ndonjë mister, dhe çeli grykën e pusit për të lëshuar kovën brenda tij. U hodhi një grusht ujë syve, fërkoi fort damarët e qafës dhe nisi të zvarret me « ëh-ëhën » e zakontë kalldrëmit të avllisë. Pa hardhinë që kish nisur të bulëzonte, qershinë e kumbullën gati edhe ato për të shpërthyer në lule dhe, si çdo fillim pranvere, i kujtua i ziu burrë që i kish mbjellë vetë. Pasandaj sytë i ngelën një hop mbi gur të shtëpisë. U përkul dhe e preku me dorë si t’i thoshte “mirëmëngjes”. Hyri në shtëpi për të larguar mendjen nga tërë këto dhe zu të merret me dy çikat mobla, tek u dha një leckë pluhurave. Por pa e kuptuar as vetë, kishte hapur tashmë dy sirtarët e komosë ku vajza kish lënë teshat. U mori erë bluzave e këmishëve dhe duar e këmbë zunë t’i dridhen. S’po ndihej mirë as brenda shtëpisë, as jashtë në oborr. Po i merreshin mendtë, por edhe të nderej në shtrat, kish frikë. Nuk e ndjente veten të fuqishme të përballej me kuçedrën, që tashmë i zëzëllonte në kokë nga tensioni i lartë, dhe me siguri do t’i shfaqej sa të mbyllte një çikë sytë a të dremiste. Atëherë, tha t’i bënte vizitë Shaqes e të pinte kafenë me të. Mori tre lugë të vogla me kafe të bluar brenda një qeske të vogël plastike, u hodhi përsipër një lugë sheqer dhe shkoi te fqinja, me të cilën qante hallet herë pas here dhe që i qe gjendur në të mirë e në të keq. I dha lajmin e vajzës që i iku, dhe Shaqja i hodhi krahët në qafë tek e uroi :- Shyqyr, shyqyr, më në fund ! E priftë e mbara ngado që të vejë, vaftë e ardhtë shëndoshë, Sano. As mos ia ki merakun. Ke çupë për kokë të çupës, gjithë bota ta kanë zili.

Ajo atëherë ia hapi krejt barkun, për frikën që ndjente dhe kuçedrën që i dilte në ëndërr, për gjarpërinjtë në gjoks e rreth qafës, për djalin e agronomit, njerëzit që i prisnin në Itali, e plot lajme të tjera, të mira e të këqija, që një moshë e thyer e ka të nevojshme t’ia përsërisë vetes, por edhe t’ia besojë të tjerëve për t’u ndjerë sa më pranë realitetit, jetës, njerëzve, duke dashur kështu të luftojë vetminë dhe vitet mbi kurriz.

Shaqja e mbajti me zor për drekë, duke u shtjerë një çikë më shumë ujë fasuleve, siç i tha, për të nxjerrë një pjatë më tepër nga sa e kishte llogaritur. I shoqi dhe i biri i ktheheshin vetëm në darkë në shtëpi, tek punonin bashkë në ndërtime.

Duhej të qe pasdite e vonë kur ato po kuvendonin në oborr me shtizat nëpër duar, dhe kur vjen një veturë që u ndal mu para shtëpisë. Zbritën tre-katër vetë dhe Xhemali mes tyre. Tek e pa në fytyrë të prishur krejt, me këmbët që po i merreshin dhe krahët e dridhura drejt saj, nëna ia dha britmës. Ai e pushtoi në gjoks, dhe zu të ngashërehet, duke lëshuar lot të nxehtë mbi shaminë e saj të zezë. Ajo s’arriti dot të mbarojë as pyetjen klithmë që nisi :

– Xhemal, çupa… ?

Pa vetëm një tundje koke miratimi dhe u zalis. Një nga të ardhurit, i bëri në çast një gjilpërë. Sakaq, shpërtheu ulërima ngjethëse e Shaqes :- Korba… korba, bijë e nënës !…

Njerëzit e fshatit u dyndën menjëherë aty, si zakonisht, në të mirë e në të keq.Atë natë me furtunë të marrë, Otrantoja kishte përpirë gjëmshëm edhe një gomone tjetër me klandestinë të mjerë shqiptarë.

* * *

Kishin kaluar tashmë edhe të dyzetat, dhe nënës i qe tharë krejt liqen i lotëve dhe zemra i kish marrë plasarima të thella, si tokë e zhuritur. Bënte ecejakë në shtëpi e avlli, me një përvajë të përvijueshme, monotone, zvarritëse, teksa rënkimet « ëh, ëh ! » i qenë kthyer tashmë në klithje të gjëmshme e të gjëmimshme « oh, oh ! » Do kish dashur mijëra herë t’i jepte fund vetes, me të tëra format, por prapë e shihte si rrugën më të lehtë të shpëtimit tek pyeste veten se kush do t’ia qante atëherë çupën, kush do t’i shkonte te varri me atë tabut mbushur me gurë, kush do ta pyeste e do kuvendonte me të, kush do t’ia prekte e t’ia lante teshat e sirtarit, kush do ta puthte në fotografi vajzën flori të nënës. Hapte pusin, e matej të hidhej brenda, por në çast shihte mbi ujë fytyrën e së bijës duke iu lutur : « Mos nënë! ». Merrte gurin e shtëpisë e donte të përplaste kokën mbi të, por shihte sakaq vajzën ulur mbi gur, tek i thoshte : « Mos nënë! ». E kështu me radhë, sa herë i shkonte mendja t’i jepte fund vetes me thikë në zemër, me kazma në gjoks, me bar miu në gotë. Atëherë lëshohej krejt, me sytë në tavan duke parë kuçedrën e duke belbëzuar :

– Më munde moj qëne, ma more vajzën, ma thave shpirtin !… Gjarpërinj i kishe dallgët, gjarpërinj të zinj….Siç deshe, bëre, moj u shofshë ! Ç’kërkon tani ?…Më do dhe mua, ja ku më ke ! Merrmë, merrmë moj lanete, u djegsh e u përvëlofshë !… Më sheh që vuaj, që qaj, ë ? Hë, më pushon dot ? Unë qaj, e ti të plasësh, s’më pengon dot !…

Dhe ia niste nga vajtimi me zë të lartë, që të ngjethte mishtë :

Mos të thashë moj, mos ik,

Mos më lërë kallogre !

O bijo, ku më je ?

O Vito, pse më le ?

Ku je bijë e nënës-ë,

Syrrush e vetullzez-ë.

Më shkretove shtëpi,

U thafsh o det i zi !

O bijo, ku të ka nëna ?

O e bukura si hëna !

O det i mallkuar-ë,

Që më more çupën-ë.

 

Qan nëno kërcuria,

O Vito, nusi-a,

Buzë karafili-a,

Lule trëndelini-a.

O Otranto, Otrant-o,

Vajte more Viton-o.

U djegsh e u bëfsh hi !

Se më shkretove shtëpi !

Maraznë dot s’e nxora,

Viton-ë nuk e martova.

Bijë, nëna po të qan,

Po të qan e s’gjen derman.

Të qan guri, të qan pragu,

Bijë po të qan oxhaku !

Bijë re brenda në det,

Të hanë pishqit moj e shkretë.

Kur delje, rrije te porta,

Seç të kishin zili bota.

Moj e bukura prej nurit,

Si thëllëxa majë gurit.

Moj e hequra si bari,

E kulluara si ari.

Gëzimzezë që s’u gëzove,

Jetën-ë s’e trashëgove.

U çkul kuçedra nga rrënja,

Në det të vrau brenda…

Ishte një qarje e tillë me ligje pa sosmë, kur fjalët i buronin nga shpirti, shoqëruar me një « ëh, ëh » vajtuese, rrëqethëse, dhe në çdo rast do kish vargje të reja, njëri më i dhimbshëm se tjetri. Tanimë, damarët e qafës, të lirshëm nga gjarpërinjtë e ankthit, kishin nisur e i qenë fryrë egër nga vajtimi i pandalshëm, kurse zbrazëtinë në gjoks e mbushte përditë me gurin e shtëpisë, që e mbante fort të shtrënguar, si të kish të bijën. Merrte dhe e përkundte, e ledhatonte me gishtat e rreshkët dhe nuk shqitej dot prej tij. Edhe pse disi i rëndë për moshë të saj, asaj i dukej pendë i lehtë, e vinte në pëqi dhe mbështeste faqen e tharë në faqe të tij, tek vajtonte : « Të mban nëna në dorë, Vito nuse me kurorë,… të mban nëna në pëqi, Vito folmë një fjalë dhe ti ».

Shumë shpejt, guri u kthye në simbol ngushëllimi, shoqërimi, vajtimi, tek nxirre nga gjoksi dhe vinte mbi të fotografinë e çupës gjithandej nëpër shtëpi e avlli, dhe njerëzia çuditej si arrinte ajo plakë të mbante shtrënguar në gjoks tërë atë gur, duke e përkundur oborrit si foshnjë në gji. Mundoheshin t’ia hiqnin nga krahët, Shaqja e para, duke i thënë se « nuk është mirë ashtu, është i rëndë për ty », por ajo kundërshtonte ashpër :

– Po këtu më ulej Viiitua, moj, bijë e nënës-ë ! S’ma çqit dot njeriii nga krahët-ë. Kam bijën timeee këtu, e kam larë me lot !

Dhe zinte e ngjeshte buzët e dridhura mbi të, si t’i jepte frymë, si të merrte frymë. Duart përcillnin aty tërë energjinë e saj të brendshme, sikurse edhe zemra të rrahurat e veta. Krejt shpirti i saj depërtonte në të, komunikonte me të.

– Të keqen nënaaa, të keqen nëna ! – i thosh me zërin kujë të dhimbjes e të përgjërimit. -Vetëm ti, jeto, më mba gjallë, vetëm ti, jeto, më shuan mallë !

I fliste gurit, si të qe dikush aty, me të cilin kuvendonte. Dhe ia pasonin në çast një varg « oh, oh, oh ! », ulërimat e shpirtit të nënës shamizezë, që të mbushnin trupin me morrnica…

Një nip i saj, që si shumëkush i shkonte shpesh në shtëpi për të mos e lënë vetëm ato ditë të vështira, u mundua një herë t’ia fshihte gurin, por nëna ia dha kujës në kupë të qiellit, si t’i kish vdekur ndonjë evlat tjetër, duke u lutur e duke u përshpirtur :- Amani, mos ma hiqni, mos ma hiqni gurin e shpirtit, amani, vetëm ai më ka mbetë !

Me t’ia dhënë, u qetësua, dhe zu ta përkundë e të përkundë edhe veten mbi të, duke belbëzuar fjalë të ngrohta lumë, ku nuk kuptohej më në i fliste vajzës a gurit, apo të dyve bashkë.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fotaq Andrea, GURI I SHPIRTIT, I BUJAR KAPEXHIUT, MONOLOG, Tregim, Xhevair Lleshi

Fabula në penën e Nimfa Hakanit

July 10, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Kolumbus, Ohajo/

 Para pak kohësh më ra në dorë një libër i vogël me titull “Luani i fjetur. Rrëfenja dhe fabula” i shkrimtares Nimfa Hakani, e cila, që prej vitit 1994, është pjesë e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me zonjën Hakani jam njohur përmes internetit, në faqet e të cilit kisha lexuar disa shkrime të saj të gjinisë së publicistikës. Por deri tani vonë, nuk kisha lexuar gjësend nga krijimtaria e saj artistike. Nga një letërkëmbim i kohëve të fundit që pata me të, mësova që ajo është autore librash artistikë, të cilët i ka botur jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën angleze.

Në faqen e internetit “Agjencioni Floripress” të datës 03 shkurt 2014, kritiku i mirënjohur Flori Bruqi kishte botur një shkrim me titull “Shkrimtaret e ekzilit” dhe përmendte konkretisht shkrimtaret Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat përbëjnë treshen shqiptare të mërgimit në Itali, që i boton librat e veta në italisht, në shtëpitë botuese “Feltrinelli” dhe “Einaudi”. Ai përmend edhe zonjën Besa Myftiu që jeton në Zvicër dhe librat e veta i boton në Francë, në shtëpinë botuese “Fayard”. Asokohe, po më 03 shkurt 2014, unë pata botuar në internet një shënim me titull “Katër burbuqet e magjisë shqiptare”.

Me këtë rast, dëshiroj të shtoj edhe një tjetër “burbuqe” të talentuar. Kjo është pikërisht zonja Nimfa Hakani, e cila, siç e përmenda më lart, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Karolinën e Veriut, një shkrimtare kjo sa e talentuar, aq edhe fjalëpakë, e cila, në nëntor të vitit 2015, botoi në Shqipëri tre libra: përmbledhjen me tregime me titull “Pacientja 101”, përmbledhjen me fabula dhe rrëfenja që përmenda më lart dhe një përrallë për fëmijë, me protagonist Gjeto Basho Mujin.

Këtë vit, dhe konkretisht më 25 prill, zonja Hakani botoi në gjuhën angleze një përmbledhje me tri novela, me titull “Under The Orange Tree” (Poshtë pemës së portokallit), me një vëllim prej 362 faqesh. Tematika e tri novelave ka për objekt fshatin shqiptar në jug të vendit, në periudhën midis dy luftërave botërore.

Përmbledhja me fabula dhe rrëfenja, të cilën autoria ma dërgoi ditët e fundit, lexohet me shumë kënaqësi, sepse eposi shtazor dallohet jo vetëm për karakterin rrëfimtar, por edhe për natyrën satirike.

Përmes një leksiku të zgjedhur me kujdes, autorja na paraqit tablo nga bota e kafshëve, në të cilën, në plan të parë, shpaloset elementi didaktik.

Është i njohur fakti që, në përmbajtjen e fabulës, cilësitë morale të njerëzve pasqyrohen në një mënyrë tjetërthënëse (alegorike) përmes figurave të kafshëve: dinakëria – në pamjen e dheplrës, pangopësia, egërsia – në pamjen e ujkut, pabesia – në pamnjen e nepërkës etj.

Në fabulën “Luani i fjetur dhe hiena”, autorja, me figurën e hienës, ka ravijëzuar hilenë, ligësinë në raportet njerëzore. Në këtë fabul, me një përmbajtje emocionuese, vihet re një përsiatje e nënkuptueshme në përfytyrimin e lexuesit: shinakotat, trillet e natyrës, sa ç’janë të papritura, befasuese në jetën e njeriut, po kaq tekanjoze janë edhe në botën e kafshëve.

Në rrëfenjën “Zagarët! Langonj të rrahur e të poshtëruar!” del në spikamë mënyra se si djallëzia, e lindur dhe e selitur me kujdes në shpirtin e njeriut, vetëm djallëzi do të kultivojë në “serën” e vetë, duke i shndërruar pasardhësit e bindur në modele të ligësisë njerëzore.

Fabulat e Ezopit në lashtësinë greke, të përkthyera dhe të imituara nga Fedri në lashtësinë romake, dhe fabulat e Pilnajit në lashtësinë indiane, patën shërbyer si një burim shumë i pasur për vjeljen e subjekteve nga ana e fabulistëve pasardhës, midis të cilëve patën rënë në sy shumë syresh në vende të ndryshme, si La Fonteni në botën perëndimore dhe Krëjllovi në Lindjen evropiane.

Me këtë vëllimth fabulash dhe rrëfenjash, autorja e ka pasuruar fondin e fabulistikës shqiptare, duke ecur në gjurmët e Naimit, të Santorit, të Çajupit dhe të Ferit Lamajt, i cili, pa mëdyshjen më të vogël, përfaqëson legjendën e fabulës sonë kombëtare.

Kolumbus, Ohajo

09 korrik 2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: e Nimfa Hakanit, Fabula, në penën, Prof. dr. eshref Ymeri

RRËFIM PËR MOSHËN E ËNDRRËS

July 7, 2016 by dgreca

Iliriana Sulkuqi “Qirinjtë e Galaktikës”, poezi/

NGA PËLLUMB GORICA/

Çdokush lexon dhe përzgjedh letërsi sipas shijes së tij individuale. Kjo ndodh edhe me mua. Një ditë të zhveshur nga mendimet nxora nga rafti i librave të bibliotekës sime librin me poezi “Qirinjtë e Galaktikës”, të poeteshës elbasanase Iliriana Sulkuqi, që jeton tashmë mes Amerikës e Shqipërisë. Iliriana është një nga më të lakuarat e poezisë shqiptare me veçori të stilit, të cilat burojnë nga temperamenti i saj, talenti e pjekuria artistike. Ajo është poetja me një botë të shumëllojtë gjërash, që rrezatojnë aq shumë fisnikëri njerëzore, këngë nëne dhe gruaje të emancipuar. Në krijimtarinë e saj, vizaton me dorë të lirë marrëdhëniet e brishta njerëzore ku sundon malli e regëtin dashuria.

“Qirinjtë e Galaktikës” është një titull që tregon se poetja nuk është vetëm një det ndjenjash që konkurrojnë në udhët e ndritura të galaktikës, por edhe shumë e guximshme për t’u ndeshur me një realitet misterioz, dhe për të nxjerrë aty temën e poezisë që dëshiron. Ndaj asaj nuk i ka ngelur peng që, dashuria se bëri mal të ishte maja: “S’më bëri diell, të isha rrezja/ S’më bëri det të nisja dallgët”.

Kush janë qirinjtë e galaktikës, që Iliriana Sulkuqi në këtë vëllim poetik mundohet t’u kapë ndriçimin e të spërkasë ndjenjat dhe mendimet e të gjithë atyre që duan të jetojnë e të ndryshojnë jetën? Pak dritë për të gjithë. Yjet e shumtë të galaktikës ajo i ka shndërruar në qirinj, të cilët i mban të gjithë në duart e saj dhe kërkon me çdo kusht të ndriçojë errësirën, të zbardhë zemrat, të ngrejë lavdi heronjsh, të hapë varre të ndershëm njerëzish. Drita e qirinjve duhet të depërtojë thellë deri tek madhështia e gruas dhe besimi i njerëzve te Zoti, ndaj Iliriana deklaron se: “Rrënjët vijnë era tokë/ Kurse toka erë grua/ Por “se beson Zotin, ti vjedhë lotin.”

Poezia e Iliriana Sulkuqit është gëzimi dhe brenga, blerimi dhe thatësira, jeta dhe vdekja, njerëzorja dhe antinjerëzorja. Fluturon mbi krahë ëndrrash në thellësi horizontesh dhe kur duket se nuk ka më rikthim ajo shpejt zgjat dorën dhe kap një brengë nëne ose bisedon me një pemë dhe çuditet se si ajo ruan virgjërinë në këtë kohë të trazuar. Ajo futet në arsyetime filozofike, udhëton në shtigje të panjohura galaktikash pa u shkëputur asnjë çast nga realiteti i përditshëm, dhe nuk harron se mbi të gjitha është njeriu që i jep kuptim jetës e vdekjes. Aty ajo gjen edhe ferrin edhe parajsën, zbulon përditë në origjinën mistike të prejardhjes së njeriut, gabimin e Evës ndaj superioritetit mashkullor të Adamit, dhe ndeshjen e madhështisë midis dritës e errësirës, që kanë qenë gjithmonë në shekuj në konflikt argumentues. Dhe kjo është dhënë në mënyrë përgjithësuese, me një argument poetik shumë të goditur në poezinë “Dialog engjëll djall dhe dy përgjigje”, që edhe pse figuracioni ngjan si fjalë e përditshme, mesazhi është shumë fluid: Engjëlli: “Besomë të dua si jetën”. Djalli : “Për cilën jetë të betohet?”, dhe vjen pas përgjigjes së Engjëllit, ajo e Djallit:  “Djall, hej djall e bir djalli/ s’ta besoj të vërtetën/ Edhe sikur të më ngresh nga varri”.

Maskiliteti dhe feminiteti ndeshen shpesh në poezinë e Iliriana Sulkuqit, por më shumë për të ngjizur njerëzoren midis dy sekseve se sa për të krijuar ndarje, më shumë si një domosdoshmëri për ardhmëri shoqërore dhe për zhvillim jetësor. “Përse e pranojmë praninë tuaj?”pyet meshkujt e çuditur poetja. Por kjo është një pyetje sugjestive sepse ajo shpejt e jep përgjigjen: “Si në letrat e bixhozit zi e kuq/ Si në fizikë plus minus/ Si gjysmat e tokës me ditë e natë/ Ne qajmë dhembjen tonë të bukur/ Ju ikni të ç’burrëruar dhe kaq…” 

E rritur mes brengave të jetës, poetja Iliriana Sulkuqi sikur ka edhe një farë ndrojtje, ajo me vargun e saj shkel herë mbi qelqe dhe ruan mos thyhen e herë sikur shkel mbi gjemba e ruhet të mos quket. Ndaj ajo është si me mëdyshje në triptikun e jetës. Rrobat e vajzërisë asaj si bëjnë më. Fustanin e nusërisë ajo s’e prek dot, kurse “rrobat e gjyshes “ ajo nuk do t’i veshë më. Në tre vargje poetja ndërthur poetikisht tri nyjet e jetës, që nuk janë lehtë të jetohen: Vajzërinë, nusërinë, plakjen. Tri gjërat e bukura të jetës:  Fëmijëria, rinia, pleqëria dhe që secila ka të bukurat e të shëmtuarat e veta në të cilat duhet të jesh vërtet njeri me arsye, të kesh lënë kocka në udhët e jetës, që t’i jetosh e t’i meritosh ato tri mosha, sepse në fund të fundit përbëjnë atë libër të mrekullueshëm që quhet jetë.

Poetja nuk e duron dot boshllëkun, zbrazëtirën, ndarjen, mungesën e dashurisë njerëzore. Vetëm një që e ka provuar një akt të tillë mund të shkruajë vargje të tilla me peshë të rëndë e respekt të thellë për dashurinë jetësore: “Midis meje dhe teje/ Një fije floku sa një kilometër/ Hapësirë/ Ku lindet e rritet marshi im funebër’’.      

Iliriana Sulkuqi nuk ka kufizim në ndjenjat poetike. Dashurinë e ka për të gjithë, por ajo veçon dashurinë për nënën. Edhe pse ka një dashuri për njeriun ajo ruan specifikën e qelqtë të dashurisë hyjnore për të dashurin e saj. Vetëm moshë nuk ka kjo poete ashtu si të gjithë poetët, që misioni i tyre është në funksion të pastërtisë dhe natyrës njerëzore, ndaj deklarimin e saj poetik po e vëmë si mbyllje të këtyre shënimeve të shkurtra: “ Ja kështu i dashur mik/ Poet si unë – unë si të tjerët/ Moshën prej ëndrre kur e rrëfejmë/ S’e kemi më vetëm për vete… “.

Filed Under: LETERSI Tagged With: E ËNDRRËS, iliriana Sulkuqi, Pellumb Gorrica, RRËFIM PËR MOSHËN

Ali Asllani, dritëhijet dhe vepra e rrallë “Mbreti ynë”, 1935, që mori në qafë lirikun e madh

July 6, 2016 by dgreca

50 vjetori i vdekjes së poetit Ali Asllani/

Shkruan:MSc. ALBERT HABAZAJ/ studiues*/

Kemi plot 50 vjet pa e parë me sy Ali Asllanin. Po bëhen 80 vjet pa i parë më të ribotuara në libër 8 vjeshërimet e para të poetit elegant, përkthyesit brilant, atdhetarit të zjarrtë, diplomatit largpamës, pushtetarit punëmbaruar, politikanit shqiptar, qytetarit aristokrat e dashnorit të vesuar të poezisë, Ali Asllani. (Bëjmë fjalë për vjershat e botuara, jo ato të pabotuarat, që s’i pamë kurrë). Ali Asllani u lind në Vlorë, me baba Asllan Sulejmanin nga Vajza e Lumit të Vlorës, Labëri dhe nënë Hyrie Meminaj nga Trevllazri i Topalltisë më 28 nëntor 1884. [Studiuesi Bardhosh Gaçe paraqet datëlindje të poetit 20.11.1882, ndërsa kritiku Mark Gurakuqi nëntorin e vitit 1883, mbështetur në bisedën e bërë me xha Aliun, në Tiranë, më tetor 1960]. Mbylli sytë në Tiranë, më  20 dhjetor 1966, në moshën 82, 83 apo 84 vjeçare. Në Vajzë e kaloi fëmijërinë poeti, tek të afërmit nga baba, se, kur qe 6 vjeç e la i ati, e, kur u bë 9, i iku dhe nëna …Tipik qe Ali Asllani, i ngjashëm me vetveten. Aqsa emër i përveçëm dhe i veçantë në letrat shqipe, aq dhe figurë komplekse me qëndrime kontradiktore. Veçse gjithmonë një fisnik i klasit të lartë. Dhe ishte 51, 52 apo 53 vjeç kur botoi libërthin e tij të parë në shtypshkronjën “Atdheu”, Vlorë …

Edhe në kohën e kaluar, tek-tuk, janë botuar libra me poezi të Ali Asllanit. Por, si të thuash, qe gjetur një “status quo”. Edhe sipërorët e ububushëm të kohës “as i bënë, as u bëri zhurmë”[1]. Marrëveshje e dëshiruar apo e detyruar Poet – parti shtet: “Mos më nga, mos të ngas!”, këtë veç e hamendësojmë, se s’mund ta dimë të saktën. Po kush është ai njeri, që s’e do qetësinë në jetë, që nuk e ka tendencën e një jete të rehatshme?! Edhe pse plak, Ali Asllani mbahej pastër e bukur dhe një ditë s’e hiqte kravatën nga jaka e këmishës, sikur të ishte ende ambasador në Europë (siç qe në kohën e Zogut) apo Sekretar i Përgjithshëm i Ismail Qemal bej Vlorës (në kohën e Pavarësisë). Biografia politike, diplomatiko-shtetërore e “Bilbilit të Vlorës”, siç e quanin miqtë poetin e Labërisë, tashmë njihet nga lexuesi shqiptar, prandaj nuk e shikojmë të arsyeshme ta trajtojmë në këtë punim.

Poezia e tij ka qenë përherë e frymëzuar, me ndjenja të holla e të larta, e sinqertë, e dashur, sociale, sa autoktone, aq universale. Përherë binte era trëndelinë, zbukuruar natyrshëm me ngjyrën e lirisë. Në luhatjet që ka pasur gjatë jetës, nuk ka asgjë oportuniste përveç iluzioneve të zakonshme, që mund të ushqehen në çaste të caktuara të historisë nga cilido qoftë. Portreti poetik i Tij është diellor, veç jo si ai dielli i nxehtë që të djeg, por si një diell i ngrohtë, që të shëron xhanin me vargjet e tij më të mira. Dhe e fshehim akoma, se paska dritëhije në udhëtimin politik të xha Aliut?!… Dhe i themi me gjysmë zëri apo fshehurazi, me pësh-pëshe e cepeve si ato gratë e liga?! Bëjmë mirë apo i bëjmë mirë poetit kështu? Patjetër, jo. Na vjen në ndihmë dhe na kthjellon mendimin vërejtja e studiuesit, poetit dhe përkthyesit të paharruar Jorgo Bllaci, kur shkruan: “Në disa parathënie e pasthënie të librave të tij, botuar pas vitit 1962, si dhe në disa monografi, më ka rënë në sy pasaktësi (të mos them dashakeqësi) për qëndrimin e poetit ndaj okupatorit fashist thuhet se gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare, ai ishte anëtar i Këshillit të Naltë të Shtetit. Në fakt, këtë emërim e ka marrë para zbarkimit të trupave fashiste në trojet tona. Vërtet emri i tij figuron në listën e atij këshilli, madje edhe në atë të dërgatës që do t’i shpinte Viktor Emanuelit në Romë kurorën e Skënderbeut, por vetë ai, në shenjë proteste ndaj pushtimit, u tërhoq nga jeta politike, braktisi kryeqytetin dhe vajti në fshatin e prindërve të tij, në Vajzë të Vlorës”[2]. Dhe atje, në Vajzë, në fillim të vitit 1942, xha Aliu shkroi “Hakërrimin” aq tronditës, më të fuqishmin krijim që qe shkruar gjatë Luftës, të cilën ata të “nacionalçlirimtares” e shpërndanë me traktet e tyre. Por, pas Çlirimit xha Aliu s’kish as “triskë fronti”, as shtëpi, as pension. Me pak të ardhura që nxirrte nga përkthimet në Institutin e Shkencave rronte, veç nuk ulej.

Ai e adhuronte poezinë e Fan Nolit, sepse e vlerësonte shumë “Viganin liberator” për forcën e ndjenjave, mjetet stilistike të një mjeshtërie të përsorur, edhe për poezitë me motive biblike, për sistemin stilistiko-figurativ alegorik. Ali Asllani e çmonte Theofan Stilianin sidomos për diturinë, që, siç do ta vlerësonte më vonë Kadareja, qe “Kryeministri më i kulturuar evropian, në vendin më të prapambetur”[3]. Poeti lab i dinte përmendësh dhe i recitonte me dëshirë kryeveprat e Nolit: “Elegji për Luigj Gurakuqin”, “Himni i Flamurit”, “Elegji për Bajram Currin”, ndërsa vjershën “Tomsoni dhe kulçedra” e citonte shpesh si kulm të forcës dhe muzikalitetit të fjalës shqipe. Noli, me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi, kishte përkthyer Rubairat e Kajamit). Asllani kishte kulturë të gjerë dhe ia kishin nevojën në të tri kohët që jetoi (të Ismail Qemalit, të Zogut, të Enverit). Qe mik i Gjergj Fishtës homerik e Lasgush Poradecit kozmogonik, i nobelistit indian Rabindranath Tagore dhe klasikut të poezisë greke Kostis Palamas. Ai e kishte shumë qejf poezinë persiane, sidomos rubairat e Omar Khajamit (Hajamit) i përpinte, saqë kuptohet ndikimi dëshiror nga liriku magjepsës i vendit të trëndafilave (Persia, Irani i sotëm). Lexohet patjetër ndikimi nga lirika popullore shqiptare, sidomos nga poezia gojore e trevës së Lumit të Vlorës nga kishte origjinën, jo vetëm në motivet labërishte. Edhe dimensioni lindor i rubairave të Omar Khajamit, që vjen si reminishencë me musht, i rri bukur vargut të freskët të Ali Asllanit. Por Asllani nuk imiton majmunërisht si ndoca poetucë liliputër të kollarepsur e që fryhen si kokoshat e vitit të ri, të shkretët…

Vjershat dashurore – erotike, që ka krijuar pena e shpirtit të tij si modeli i Princit të Kaltër Lirik, kënga e popullit i ka në gjirin e saj si thesar shpirtëror. Qytetarët i dinë përmendësh këngët e Ali Allanit, të rinjtë i përdorin si citate dashurie, ndërsa të plagosurit nga dashuria si receta shërimi. Në Vlorë dhe në Labëri të thonë se dashuria e ka selinë në vargjet e Ali Asllanit… Po ai valëzim baladesk i fjalës poetike, po ajo frymë e ëmbël mitike që të shkrin e të njëson me shpirtin aliasllanian a nuk është vetë dashura e jetës e për jetën, të dashur deri në qelizë? Prof. Aurel Plasari ka pikasur se poeti lab “edhe në poezinë politike apo dhe në atë atdhetare u bie fort notave erotike”. Por, ç’t’i bësh? S’i ndalon dot vargjet e tij që t’i dinë dhe një tufë nga këta horrat e zuzarët që kemi në krye, që janë bërë si derra e dosa, por fare të padobishëm për integrimin europian e qytetar të Shqipërisë tonë të dashur e hallemadhe nga zorzopët e drejtimit. Duke u ruajtur se mos biem në eufuizëm, gjykojmë se sikurse Gëte shkonte aq mirë letrarisht me Shilerin edhe Ali Asllani me Lasgushin “në sojin e vet rri i rinuar harmonishëm, si një disktik që secili ka shok veten”[4], siç bën bukur cilësimin studiuesi dhe poeti Agim Shehu. Ka raste që na vijnë paralele drite nga Gëte për Ali Asllanin. Sinqerisht, na krijohen ca paralele të largëta e të zbehta midis gjeniut Gëte të Gjermanisë së madhe dhe grimcëzës gjeniale Ali Asllani të Shqipërizës së vogël: 83 vjeç qe Gëte kur mbylli sytë. Më 1785 ftohet nga dukesha e Vajmarit dhe i biri Karl Augusti. U bë poet oborri dhe funksionar i lartë i këtij oborri, ministër shteti. I një shteti që bëri kushtetutë. Johann Wolfgang von Goethe (Gëte, 28 gusht 1749-22 mars 1832) lidhi një miqësi të ngushtë letraro-diturore me Johann Christoph Fridrich von Schiller (Shiler, 10 nëntor 1759-9 maj 1805). Gëte dhe Shiler, në fillim të jetës letrare u vunë në ballë të lëvizjes iluministe romantike “Stuhi dhe vrull”. Ata bënë epokë në letërsinë gjermane. Por, edhe këtu në Shqipërizën tonë të vockël, një Ali Asllan i madh iku 83 vjeç. Edhe ai i shërbeu mbretit dhe u bë poet oborri. I një shteti që bëri kushtetutë. Ndër të metat e shumta që ka Zogu, mbarëpranohet pozitivisht që bëri kushtetutë. Edhe Asllani njohu një lirik të përvëluar zemrash, zotni e aristokrat i lartë. Ai ishte Lasgush Poradeci (Llazar Sotir Gusho, 27 dhejtor 1899-12 nëntor 1987). Pati miqësi të mirë vlonjati me pogradecarin dhe koha i klasifikoi si dy lirikët më të mëdhenj të poezisë shqipe, duke e tejkaluar kohën që jetuan. Edhe sot pëlqehen po aq sa në vitet ’30, kur shkëlqyen. Ali Asllani, ashtu siç qe në fillimet iluministe dhe romantike, rrojti romantik dhe romantik vdiq, “or tungjatjeta! Amore felicita!”. Femrën e donte të shëndetshme e plot hire, dashurinë pa moshë. Për xha Aliun, njërin nga qytetarët e parë të Republikës sonë të Letrave, i papërsëritshmi Fatos Arapi më ka thënë: “Ali Asllani është gjurmë ku shkel vetëm suferina shqiptare”. Dhe vërtet, korpus madhështor me vlera është vepra e Ali Asllanit në Republikën e Letrave Shqipe, se është një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, ashtu sikurse e kanë vlerësuar studiuesit seriozë.

Qëndrimin ndaj rilindasit realist të Letërsisë shqipe të kohës që jetoi e përcakton drejtë prof. Muzafer Xhaxhiu: “… vepra poetike e Ali Asllanit (me ndonjë përjashtim të rrallë) është gjykuar së prapthi, nuk është parë me objektivitetin e duhur, sidomos pas vitit 1944, ajo i është nënshtruar “analizës” me tendenciozitet politik ideologjizues”[5], që bëri të shmangej gjithë ai emër fisnik i letrave shqipe, deri në mospërfillje. Miku im, Ferdinant Sulaj, nip i Poetit, duke pirë kafe buzë detit, para nja 15 ditësh, na thotë: “Harrimi, indiferenca dhe lënia në hije janë goditje më e rëndë se çdo dënim çfarëdo, ngaqë dënimi publikohet, merret vesh dhe interpretohet, kurse këta tregues përmbledhin ndalimin e botimit e përndjekjen, sepse, në fund të fundit, Ali efendiu, – siç i flisnin më të mëdhenjtë në shtëpitë tona dhe në odat e Vlorës – shihej me sy të shtrembër, apo jo? Megjithatë, këto rrethana nuk e penguan elitën e poetëve shqiptarë, me Dritëroin, Jorgo Bllacin, Kin Dushin, Drago Siliqin, Dalan Shapllon, Nasho Jorgaqin e miqtë e mirë të letrave që ditën kur vinte Ali Asllani në klubin e Lidhjes ta kthenin në ditë feste e gëzimi letrar, sepse humorin, qytetarinë, fjalën, sqimën liriku aristokrat i kishte magjike”. Si duket, Ali Asllan = magnetizim.

Ndërsa, në kohën e sotme janë bërë botime e stërbotime, duke pretenduar se publiku po njihet me veprën e plotë letrare të tij. Megjithë reklamimet e bëra aq bujshëm, poeti, diplomati dhe atdhetari i madh i vargut elegant dhe i veprimit qytetar, ende s’është thënë e lexuar i tëri.

Do të ravijëzojmë sadopak çështjen se përse Ali Asllani ende s’është lexuar i tëri. Përgjigja e parë që na vjen ndoresh është se ai patjetër s’është botuar i tëri. Më moshatarët në Vlorë thonë se, ende nuk po e shohim atë Ali Asllan që kemi njohur, që na kanë rrëfyer të parët tanë; ata, të cilët e kanë njohur vërtet të plotë atë, emrin, bëmat dhe veprën letrare të tij, lënë shkruar. Në poezitë e xha Aliut, ku spikat furishëm shpirti atdhetar trazuar bukur dhe me finesë me ndjenjën poetike, vërejmë se vjershërimet romantike i ka entuziaste dhe s’bën t’u futësh gërshërë e t’i qethësh, (aq më tepër sot, kur kemi veshur poture moderniciteti dhe gunë të qytetarisë demokratike). Është i turpshëm dhe i pamoralshëm gjesti i “bllokimit” që i bëhet asaj pjese të krijimtarisë letrare të Lirikut të madh të Labërisë, Vlorës dhe Shqipërisë, e cila, nga “pronarët” e shkrimtarisë shqiptare, ende gjykohet si letërsi dekadente e “pa partishmëri proletare” (sot kupto: interes ose para). Poeti ka krijuar si i ka ardhur muza, ato i që ka ndjerë shpirti. Ai ka shkruar për ndjenja, mendime, vende, njerëz, ngjarje, edhe për persona, që me bëmat e tyre “pozitive” apo “negative”, patjetër janë futur në fondin e historisë së popullit shqiptar, por  nga të pasmit e vertikalitetit drejtues u trajtuan si personazhe historikë të liq, të zinj, jo të mirë, të kuq. Hajde, dakort për dje, po sot, një çerek shekulli demokraci?!…Është thënë e shkruar që A. Asllani ka shkruar vjersha që në moshë të re, por u bë i njohur me poemën “Hanko Halla”, që e botoi në vitin 1942 (në fakt poema është shkruar në vitin 1929 dhe botimi i parë i saj është bërë në vitin 1932). Në librin “Studime për letërsinë shqiptare” (1988), gjatë analizës që i bëhet poemës së Musarajt “Bujku i Hanko Hallës” (vb. 1934) shkruhet: “Në këtë poemë për herë të parë Shevqet Musaraj ka përdorur gjerësisht gjuhën, frazeologjinë, sinkaksin poetik dhe vargun popullor, vërtet sipas modelit të përpunuar prej Ali Asllanit, po të pasuruar e të përshtatur temës së veprës dhe tipit që është vënë në qendër të saj”[6]. Edhe në disa libra të lirikut vlonjat apo kushtuar atij (që panë dritën e botimit pas viteve 1990-të) jepet e paplotë bibliografia e botimeve të autorit. Por, specialistët e fushës në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, njerëzit e arsimuar dhe të specializuar për katalogimin e librit e bëjnë mirë punën; atë që u takon, që duhet të bëjnë, e bëjnë detyrën me korrektesë shkencore. Gjykojmë se një studiuesi të veprës poetike të Ali Asllanit, mund t’i vlejë informacioni i mëposhtëm, të cilin po e paraqesim vërtetësisht, (dhe e ndjejmë si detyrim, mundësi dhe kënaqësi), meqenëqë kemi arsimimin e specializimin në fushën e shkencës së Bibliotekonomisë. Numri i regjistrimeve të gjetura në faqen elektronike të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Katalogët Online për autorin Ali Asllani është 17 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është 17. Dhe konkretisht, nga vepra letrare e botuar e Ali Asllanit, në Bibliotekën Kombëtare janë regjistruar këto njësi bibliografike:

  1. “Mbreti i ynë”: vjersha; Vlorë, Shtypshkronja “Atdheu”, 1935, 10 faqe, (4 kopje);
  2. “Mbreti i ynë”: vjersha për zogun; Vlorë, Shtypshkronja “Atdheu”, 1936, 10 f., (3 kopje), [Libri që kam unë (i vitit 1936) ka 12 faqe];
  3. “Hanko Halla“: Tiranë; “Kristo Luarasi”, 1942, 54 f., (5 kopje);
  4. “Vidi vidi pullumbeshë dhe Hanko Halla”: vjersha, paraqitur dhe red. nga Razi Brahimi, Tiranë: “Naim Frashëri”, 1960, 144 f. (18 kopje);
  5. “Shqipëria kryezonjë”: vjersha; Tiranë, “Naim Frashëri”, 1962, 63 f., (5 kopje);
  6. “Vajzat dhe dallëndyshet” Tiranë, “Naim Frashëri”, 1964, 83 f., (7 kopje); [libri ka red. Donika Omarin, por nuk është shënuar në përshkrimin bibliografik të katalogut të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë];
  7. “… Ku merr zjarr rrufeja: vjersha të zgjedhura dhe “Hanko Halla“, [përmbledhje, (antologji)]; Tiranë: “Naim Frashëri”, 1966, 211 f., (5 kopje);
  8. [Poezi]; [Titulli i serisë: Poezia shqipe]; Tiranë, “Naim Frashëri”, 1975, 89 f., 1 fletë portret, (4 kopje);
  9. “Vepra”, zgjodhi dhe përgatiti: Kajtaz Rrecaj, red. Fahredin Gunga; Prishtinë, Rilindja [(Ky titull përbëhet nga V. 1: Poezi; V. 2 Poezi. Jeta dhe vepra): Vepra 1, 1984, 187 f., me 1 fl. portr., (3 kopje);
  10. Vepra 2: Poezi. Jeta dhe vepra, 1984, 221 f. me 1 fl. portr. dhe bibliografi], (3 kopje);
  11. “Poezi të zgjedhura”, përgat.: Jorgo Bllaci, red.: Jorgo Bllaci, Bardhosh Gaçe; Tiranë: “Naim Frashëri”, 1996, 209 f., me il., (5 kopje);
  12. “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Toena, 1999, 294 f.; (Titulli i serisë: Kambana. Poezia e zgjedhur shqipe), (4 kopje);
  13. “Hanko Halla”: poezi të zgjedhura, përgat. për shtyp: Përparim Xhixha, Tiranë: Mësonjëtorja e parë, 1999, 142 f., 1 fl. port., me parathënie një esse e Fatos Arapit “Kohët dhe poeti”, (5 kopje);
  14. “Këngë të dashurisë”: poezi, red. Xhevahir Lleshi, Tiranë: Uegen, 2004, 84 f., (5 kopje);
  15. “Hanko Halla”: poemë, red. Xhevahir Lleshi, Tiranë: Uegen, 2004, 48 f., (5 kopje);
  16. “Hanko Halla”: poemë, Tiranë: “Naim Frashëri”, 2006, 94 f., (5 kopje);
  17. “Vepra e plotë poetike”, përg.: Nasho Jorgaqi, Ardian Klosi; Tiranë: K & B, 2011, 381 f.; kopert. mbi aut. – dy fjalë në hyrje: f. 11-13 nga përgatitësit, (5 kopje).

Ndër studimet e reja kushtuar veprës së tij kujtojmë 3 monografitë e përgatitura nga prof.dr. Bardhosh Gaçe:

  1. “Ali Asllani, liriku i madh i poezisë shqipe”, Tiranë, Eurorilindja, 1998, 39 f.];
  2. “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, red. Nasho Jorgaqi, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1997, 302 f.;
  3. “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”: ribot. i ripunuar, Tiranë, Toena, 2006, 440 f.;

– përmbledhjen “Ali Asllani, princi i lirikës shqiptare: konferenca shkencore”, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave, Tiranë, Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë; Tiranë, Maluka, 2007, 164 f.;

– si dhe monografinë e autorit Shkëlqim Zotaj: “Tipologjia e lirikës së Ali Asllanit”, sprovë letrare, red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Globus R., 2007, [164 f.]

Ndërkohë, që vërejmë se vepra e plotë, (ajo e plota fare, jo ajo që reklamojnë botuesit e derisotëm) e Ali Asllanit ende nuk është botuar as sot, një gjysmë shekulli pas vdekjes së Tij. Nuk njihet deri në fund vepra e tij apo ende sundon mentaliteti? Pse? Nga kush paskemi frikë xhanëm? Vuakemi nga komplekset e së kaluarës. Na mundoka mirëfilli apo s’e pranokemi dot hapësirën e pastër, të kaltër, të bukur, të mirë e të dobishme të demokratizimit qytetar të vetvetes, të shpirtit tonë, vetëdijes sonë, fjalës së folur dhe  sidomos asaj së shkruarës. Pse, o, kaq keq na paska kompromentuar e deformuar pjesa e poshtme e letërsisë ideologjike socrealiste, me kornizat e shkrimit bardhë e zi, me funksionimin e skemave të krijimit në rresht?! Me çfarë sonde u dashka larë stomaku i këtij lloj mendimi të indoktrinuar që na paska pushtuar materien dhe ndërgjegjen tonë segmentare, saqë nuk u çliruakemi dot?! Apo, mos vallë duam vetë të vuajmë nga ky lloj pushtimi?! Akoma vetëm poetët partiakë me poezi partististe do të promovojmë? (Sot: parti = interes+para). Kujtesa e leximit në këtë situatë po na sjell në ekran të vështrimit studimor thënien famëkeqe e me flamë të Leninit: “Poshtë letrarët pa parti!” Botojeni, ore të mjerë, poetin siç ka shkruar! Pse e censuroni kaq rreptë? Ç’keni ju?! Është stafeta e brezave që e gjykon veprën e tij. Është koha që i vë notën poetit për krijimtarinë letrare, në të cilën ka shprehur në mënyrë figurative mendimet, idetë e ndjenjat me anë të fjalës së bukur. Është përsëri koha që i vë notën poetit për nivelin artistik, morfologjinë poetike, rregullat e metrikës, stilin apo dhe stilistikën e gjuhës poetike të autorit, ritmin, përdorimin e mjeteve të ndryshme të përforcimit të shprehjes së fjalës, deri tek përdorimi i veçorive akustike të asaj fjale aq të ëmbël. Ali Asllani krijimtarinë letrare e ka tërësisht në formë vjershe dhe ajo na rrëmben, na bën për vete. Ka një bukuri magjepse, si ndër pak autorë. Asllani është një poet shqiptar që u lind, jetoi, luftoi, punoi, ndërtoi, udhëhoqi, gaboi, dashuroi, u plak e vdiq për Shqipëri dhe në Shqipëri. Ai donte një Shqipëri të mirë, me emër, me dinjitet, qytetare, të dashur, të bukur. Kjo vihet re në çdo vjershë të autorit e prandaj lajtmotivi i veprës së Tij letrare ngelen vargjet brilante: “Vlorën edhe Vlorën/ thelp e kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…”[7] Ai është gjitholog i vërtetë dhe një bilbil i bukur i poezisë shqiptare. Krijimtaria e Ali Asllanit, për veçoritë që ka, për individualitetin, tipiken, kontekstin, nëntekstin, këndvështrimin e trajtimit si poezi e rrethanave apo qëllimore, si art i Ali Asllanit mund të jetë shumë bukur një shkollë letrare për shkrimtarët e tjerë, një shkollë e mjeshtërisë artistike. Po atëhere, përse nuk botohet i plotë Ali Asllani? Se ka shkruar për Zogun? Edhe?!… “Ku është problemi”?! … Ai, po ashtu, ka shkruar poezi të mrekullueshme dhe për Perlat Rexhepin, (njërin nga 3 heronjtë e Shkodrës, që, bashkë me Branko Kadinë dhe Jordan Misjen, ranë në përpjekjen legjendare më 22 qershor 1942 kundër fashistëve në Shkodër). Poezia “Perlat Rexhepi” e Ali Asllanit me 5 strofa 4 vargëshe, me rimë melodioze të kryqëzuar abab, është e dashur, frymëzuese, ka gjuhë të sinqertë e burrërore, vargje të mbrujtura me thekse shumë prekës, një gjashtërrokësh të thjeshtë e magjik, nota retorike, ku ngrihet i gjallë e madhështor portreti i bashkëfshatarit të tij – dëshmor lirie në përfytyrimin e lexuesit. Edhe për Vajzën (vendlindjen e tij), edhe për Vlorën, edhe për Labërinë, edhe për Shqipërinë ka shkruar me shpërthime romantike, herë me nota iluministe e himnizuese, herë me ngjyra realiste. Ai është qejfli në varg, qejfli në jetë, i ndezur në vargje siç qe në jetë, i pastër në vargje, siç qe një jetë. Qibar në çdo gjë, siç e njohin në Vlorë dhe Sovran i fjalës. Ai është Këngëtari i Lirisë. Madje, edhe nga personalitete politike të regjimit të kaluar ai është cilësuar KËNGËTARI I LUFTËS SË VLORËS, sepse i tillë ishte, sepse ai dhe askush tjetër e bëri Himnin e Luftës së Vlorës, atë këngë solemne kushtuar asaj beteje çlirimtare me dobi kombëtare, këngë që mbahet si simbol i asaj ngjarjeje të shënuar. “Vlora – Vlora” e Ali Asllanit u muzikua nga Thoma Nasi, vatrani atdhetar, i cili erdhi me bandën muzikore “Vatra”, që nga Amerika, se e thirri gjaku, kocka, zëri i të parëve, e kërkoi mëmëdheu, bashkë me trimat. Dhe kështu, vjersha e poetit, kryekatundarit, kryebashkiakut vlonjat u bë një vepër muzikore lirike, me përmbajtje patriotike, që këndohej jo vetëm nga kori, por nga gjithë luftëtarët e Njëzetës.

Le të kthehemi tek “dregëza” e xha Aliut, tek ajo kleçka në biografi, që ende mundoka keq botuesit tanë të shqyer (më falni … të shquar…). I thonë dhe rapsod ca nga këta kritikët tanë profanë me fasadë kollaresh a mjekrash të ditura. U duket se e zbresin nga piedestali, por s’e luptojnë që kohë e kohëra kalojnë e Ali Asllanit vetë vepra e tij e tejkohshme, e fuqishme e aktuale e bën profét të bardhë të artit të fjalës. Po çfarë thotë Ali Asllani në ato vargjet e pa njohura sot e 80 vjet, xhanëm? Nga leximi i libërthit kuptojmë se poeti (në atë kohë 51, 52 apo 53 vjeçar) ka krijuar 202 vargje, të thurura përkatësisht në vjershat “Zog i Parë”, “Fat’ i yn’ i mir’ udukë”, “Rreth Mbretit gjith vëllezër”, “Ka më tepër duf shqiponja, se kur fryn e vetëtinë”, “Me ty jemi”, “Mbani kokat atje sipër, ku mer zjarr’ e flak’ rrufeja”, “Në Atdheun e Shqiponjës” dhe “Flamurit kombëtar”, që janë vjersha lirike madhështore, ku lavdëron e himnizon mbretin e vendit në ato vite. Ali Asllani është shfaqur një zë i vërtetë i kohës që jetoi dhe vjen tek ky libërth siç qe, zëri i kohës së tij. Nuk mund të dilte nga koha dhe personazhet e asaj kohe që jetoi, (se e punësoi, e vlerësoi, e kënaqi, e joshi, e ndëshkoi, e shqetësoi dhe prapë e nderoi). Ky pra është Ali Asllani. Ka përdorur gjuhë romantike, lëvdata të tepruara dhe i ka bërë ca lajkatime të tepruara Zogut?! Po, i ka bërë. Është poet ai. Dhe poeti njeri është. Njeri i ndjeshëm, si të tjerët (më pak a më shumë – tjetër gjë), por që mund ta shprehë edhe artistikisht në vargje ndjesinë që ka. Ashtu e ka ndjerë. Ashtu i ka ardhur. Ashtu i paskej thënë, si duket, kali me fletë i Pegasit, kur poeti i hipi dhe u pa nga të tjerët për herë të parë më 1935 – ën me zërin e tij më vete, jo në kor me të tjerë. Nga Nexhat Hakiu mësojmë se vjershat e para A. Asllani i ka shkruar turqisht, kur ishte nxënës në gjimnazin e Janinës, [pas viteve 1898], sidomos në vitet 1902 – 1903 në të përkohshmet: “Malumat” (“Dituria”-Stamboll) “Mysaver fen e edep”, (“Përfytyrimi i shkencës dhe edukatës”, “Baballëk”, që dilte në Konjë[8], etj. Ndërsa, nga vjershat fillimtare poeti nis t’i botojë aty nga vitet 1913-’14. Në vitin 1914, kur ishte internuar në Itali hartoi një poemth me karakter patriotik, që mund të merret si pikënisja e veprimtarisë së tij letrare në gjuhën shqipe. Janë më tepër se 53 vjersha të shkruara me frymë patriotike, por shumica nuk e panë dritën e botimit. Ai botoi në shtypin e kohës në gjuhën shqipe krijimet “Mir’se ardhët” e “Marshi i Vlorës”, gazeta “Mbrojta Kombëtare”, Vlorë, 28 Tetor 1920; “Vjersha për shkollarë”, revista “Minerva”, nr. 1, 1932 (të vetmet për të vegjël që ai botoi). Në vëllimin “Vajzat dhe dallëndyshet” janë botuar fragmente nga poema didaktike “Kujtime të vjetra” (97 vargje në 5 kre) me shënimin në fund të faqes: “Poema “Kujtime të vjetëra”, prej së cilës botojmë disa fragmente, është shkruar në vitin 1921 në formën e këshillave për brezin e ri, i cili duhej ta shihte çdo gjë nën prizmin e interesave t’atdheut dhe të mos binte në kurthin e të liqve dhe armiqve”[9]. Po në këtë vëllim është botuar vjersha “Një flamë” (një spiuni) me shënimin fundor: “Vlorë, 1917”.[10] E famshmja “Hanko Halla” u botua pjesë-pjesë në “Kosova”, nr. 1, 2, 3, maj 1932, Kostancë, Rumani (shkruar në Sofje, 1929), bot. i plotë i poemës: revista “Shkëndija”, nr. 24-25/ 1942); në vitin 1932 “Në Atdheun e Shqiponjës”, gazeta “Besa”, nr. 1273, viti 1935, etj.

Sipas M. Gurakuqit, në vitin 1932 do të gjejmë vjershën e parë të Asllanit kushtuar Zogut, titulluar “Mbreti ynë” (shih: “Besa”, 1932, viti II, Nr. 435, f. 2) botuar edhe në “Minerva” (shih: “Minerva”, 1932, nr. 2, f. 1). Një vjershë me të njëjtin titull do ta gjejmë prapë te “Minerva” dy vjet më vonë (shih: “Minerva”, 1934, nr. 23-24, f. 3), ndërsa më 1935 me të njëjtin titull do të botojë një libër. (shih: “Ali Asllani “Mbreti ynë”, Vlorë, shtyp. “Atdheu”, 1935). Ai vijon të botojë disa vjersha me karakter patriotik dhe shoqëror. Kështu më 1933 në “Minerva” boton vjershën “Zonjat hedhin valle” (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 12-13, f. 8). Po në këtë revistë “Soirèe” (Festë) (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 6, f. 14), në “Besa” vjershën “Flamurit kombëtar” (shih: “Besa”, 1933, viti III, nr.715, f. 3). Një pjesë të poemës së tij të dëgjuar “Hanko Halla” e botoi së pari në revistën “Minerva” më 1933 (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 10, f. 4) e po në këtë vit, në të njëjtin organ, do të botojë një pjesë tjetër. Ali Asllani do të bashkëpunojë edhe në organe të tjerë, si “Ilyria” (vjersha “Ismail Qemali”, 1935), “Kombi” (vjersha “Gjoni”), “Bota e Re”, “Vatra shqiptare”, “Tomorri i Vogël”, Fryma”, “Revista Letrare” etj.

Në librin me poezi të zgjedhura “Vidi-vidi pëllumbeshë”, (1999) gjejmë krijime: nga cikli i lirikave të dashurisë si “Vajzat heqin valle”, e cila ka në fund shënimin 1929 dhe vjersha e gjatë “Vajza Shqiptare”, qershor 1930; nga cikli i poezive patriotike “Ç’do të thotë patriot?”, 1916; “Dëshpërim dhe shpresë”, 1918; “Buza ime kur do qeshë?”, 1918; “Do na bënet Shqipëria? (Si përgjigje pyetjes që bëri Halim Xhelua)”, 1919; “Sazani”, 1919; vjersha e gjatë “Ismail Qemali”, 1919, poema “Fejzo Xhafua”, 1919; “Unë dhe bota”, Vlorë, korrik 1919; “Vlora, Vlora! (Pjesa I – para luftës)”, 1919; “Vlora, Vlora! (Pjesa II – pas luftës”, 1920; “Mir’se ardhët” Vlorë, shtator 1920; “Këngë”, 1921; “Për dëshmorët”, 1922, “Ah, ky vënd…”, 1924 dhe “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, 1935; nga cilki i poezive shoqërore (satirike) “Një flamë (Një spiuni)”, 1917; “Ja programi im është ky”, nuk ka vit të shkruar, por shënimin “Kjo vjershë është shkruar me rastin e zgjedhjeve të deputetëve  në kohën e Zogut” (shih: f. 164) dhe poema e gjatë “Dasma shqiptare”, Sofje, qershor 1928.

Në librin “Vajzat dhe dallëndyshet”, botuar pas çlirimit është edhe poezia “Flamuri kombëtar”[11] me 27 vargje dhe 7 thyerje vargfundorësh me fjalë 2-3 rrokëshe. Poezisë i është bërë një dush i mirë, duke i pastruar strofat ku përmendet Zogu. S’do mend shumë të kuptohet që poezia është qethur mirë e mirë nga vargjet e strofat me Mbret, sepse në botimin e vitit 1936 kjo vjershë ka 50 vargje[12].

Kritiku Mark Gurakuqi na ka lënë një ndër botimet më serioze për jetën dhe veprën letrare të Ali Asllanit, studim monografik (me gjithë ndonjë rezervë që mund të kemi, e cila do të dalë në vijim të kësaj trajtese). Ai shkruan “Një ndër krijimet ma të mirë poetike patriotike të Ali Asllanit asht vjersha “Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!” (Asht vjersha e besimit, e bindjes se për Shqipninë do të vijnë ditë të bukura, edhe për ata që i kanë zemrat e plagosuna nga lufta, burgjet, “kurbetet e flamosura”. Këndej del edhe thirrja e poetit: “Pra të gjith’ për njëri-tjetrin dhe me bindje të patundur,/ Rreth flamurit të pandarë, rreth atdheut të pamundur,/ Të patundur, të pamundur, as nga era as nga reja,/ Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!”[13]. Ky variant është botuar dhe në poezinë me të njëjtin titull në vëllimin me poezi të zgjedhura të vitit 1996[14]; po ashtu, pa asnjë ndryshim edhe në botimin tjetër vijues me poezi të zgjedhura të vitit 1999[15]. Kjo poezi është botuar edhe tek libërthi “Mbreti i ynë” me po të njëjtin titull: “Mbani kokat atje sipër, ku mer zjarr’ e flak’rrufeja”, por në 12 vargje. Në të dy botimet poezia ka 16 vargje dhe në fund të faqes vitin [e botimit] 1935. Në botimet e 1996-ës dhe 1999-ës strofa e parë: “Kurse dimri bën të tijat, faq’ e dheut ngelet keq,/ kurse dega, fleta thanen [thahen është në bot. e v. 1935[16]], çdo gjë vuan e çdo gjë heq!/ si një dorë, dor’ e zotit [në origjinal është shkruar me shkronjë të madhe: Zotit], ajo dor’që s’ka të dukur,/ dalngadalë, nënë tokë, përgatit behar’ e bukur”[17] pothuaj nuk është ngacmuar. Strofa e dytë me vargjet 5-8 në botimet e 1996-ës dhe 1999-ës vjen në formën: “po ashtu dhe këtë ditë, ku gjith’ bota u goditë/ dor’ e bardh, e patriotve pa dyshim që përgatitë,/ përgatit një dit’ të bukur, një të arthme më të pasur!/ ku do qesh’e do dëfrej edhe zemra më e plasur![18]”. Në variantin e parë, që përbën strofën e dytë të vjershës, është shkruar kështu nga Ali Asllani: “Po ashtu dhe këtë ditë, ku gjith’ bota u goditë/ Dor’ e bardhë e Zogut t’Parë pa dyshim që pregatitë,/ Pregatit një dit’ të bukur, një të arthme shum’ të pasur!/ Ku do qesh’e do dëfrejë, edhe zemra më e plasur.[19]” Është shtuar në të dy rastet një strofë, vendosur e treta në trupin e poezisë dhe pikërisht vargjet 9-12 “ku do qesh e do dëfrej’ajo nënë dhe ajo…haj!/ ajo nuse shamizezë rreth govatës laj’ e qaj’,/ rreth govatës laj’ e qaj’ me ca halle e plagosur,/ me ca halle, me ca burgje, me kurbete të flamosur!”. Duke u bazuar tek kjo strofë (e shtuar) M. Gurakuqi komenton poezinë patriotike të Asllanin, siç e sipërcituam (shih referencën 13). Por, në dy botimet e para, të viteve 1935-‘36 kjo strofë nuk është …

 

Strofën e tretë dhe të fundit e vjershës, në botimin e parë, e lexojmë me këto vargje të Ali Asllanit: “Pra të gjith’ për njëri-tjetrin dhe me bindje të patundur,/ Rrotull Mbretit të pa ndarë, rreth’ Atdheut të pa mundur,/ Të pa tundur’ të pamundur, as nga era as nga reja,/ Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!”[20]. Në botimet e viteve 1996 dhe 1999 kjo strofë vjen në variantin që përmendëm nga kritiku Gurakuqi dhe nuk e quajmë të nevojshme ta përsërisim.

Në librin me poezi të zgjedhura “Vidi-vidi pëllumbeshë”, (1999), siç vëmë re, është botuar dhe poezia “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, në 16 vargje me 3 strofa, e cila është gjetur e gjashta në ciklin 8 vjershor të libërthit “Mbreti i ynë”, po me titullin “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, 1935, por me 3 strofa katërvagjgjëshe=12 vargje. Në botimet e viteve 1935-‘36 nuk gjendet strofa e tretë që është shtuar në botimin me poezi të zgjedhura të vitit 1999. Vargu 6, strofa 2 (1936) është “Dor’ e bardhë e Zogut t’Parë, pa dyshim që pregatitë” (shih: bot. cit., f. 7), ndërsa po ky varg i kësaj strofe (1999) bëhet “dor’ e bardh, e patriotve pa dyshim që përgatitë” (shih: bot. përkatës, f. 146); pra është zëvendësuar emri i përveçëm Zog i Parë me emrin e përgjthshëm patriot. Vargu 10, strofa 3 (1936) është “Rrotull Mbretit të pa ndarë, rreth’ Atdheut të pa mundur” dhe bëhet “Rreth flamurit të pandarë, rreth atdheut të pamundur” (shih përkatësisht librat në faqet e sipërcituara). Në botimin e vitit 1999 është përfshirë vjersha “Flamuri Kombëtar”, f. 93 – 94, por pa vit botimi. Ka 27 vargje  në 8 strofa, kurse në botimin e v. 1936 ka 50 vargje në 16 strofa. Pra, në botimin e vitit 1999  vjersha vjen e qethur mirë, e përgjysmuar, ku, patjetër, gërshëra ka  hequr emrin e Zogut dhe vargjet idilike kushtuar atij nga autori, ato vargje ku fluturimet romantike asllaniane nuk mbajnë më fre: “Me një fat të bardhë borë,/ Më të bardh’ nga bor’ e malit;/ Bashk’ me ZOGUN me kurorë,/ Me një yll në mes të ballit”. […]

Pezmatueshëm, shtrojmë pyetjen: Akoma do të ecim me metodën e realizmit socialist, karakterin klasor të letërsisë, revolucionarizimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të jetës së vendit, luftën dhe përpjekjet e masave punonjëse për kapërcimin e vështirësive të shkaktuara nga bllokada armiqësore, dënimin e njëzëshëm nga masat punonjëse të armiqve dhe tradhëtisë revizioniste, vizatimin e njeriut të ri muskuloz, heroik e vetëm me anë pozitive e me të tjera e të tjera lodhësira të tilla zverdharake e të bezdishme?! E pra, pse?! Se i ka shkruar ditirambe Zogut?! I ka thurur ode?! Po njihet ditirambi në letërsi. Është i ngjashëm me oden. Qysh në lashtësi, në Greqinë e Vjetër këndoheshin këngë korale, të gëzueshme e plot gjallëri për nder të Dionisit, perëndisë së rrushit e të verës. Edhe odet, si vjersha lirike a këngë solemne, me frymë të ngritur, që u kushtohen ngjarjeve historike të shënuara a njerëzve të shquar ose që shprehin me forcë ndjenjat e dashurisë, të nderimit, të gëzimit, të miqësisë, etj., janë përdorur për të shprehur diçka të rrallë, ndjesore sipërore, një mirënjohje të veçantë. Njihet dhe poezia e angazhuar. Pse gjeniu gjerman Gëte a nuk qe poet oborri i Weimarit? A nuk i ka thurur ditirambe ai dukës Carl-August [në fund të shek. XVIII (vitet 1775 e më pas)]? Por, në Vajmar Republika e parë Gjermane nxori kushtetutën e saj, ndërsa sot Vajmari njihet si kryeqytet i kulturës europiane. Mos të ikim tutje. Noli a nuk i ka kënduar ditirambe Skënderbeut?! Po të quajturat rapsodi të Lasgushit apo kënga e popullit tonë për Ismail Qemalin a nuk janë ditirambe?! Vetë vjersha e gjatë e Ali Asllanit kushtuar “Plakut profit” a nuk është e tillë?! Dritëroi e Kadareja a nuk i kënduan himne e ditirambe Enverit?! (Nuk po merremi me kakarisjet letrarucka që u lëpihen këtë çerekshekullin e fundit karagjozopolitikanëve tanë, jo vetëm të nivelit të sipërm, por edhe atyre më minorë, por të trashë nga qeseja dhe gjëmat që të bëjnë …). Gjithsesi, ky realitet shkrimor nuk ua ul vlerat dhe lartësinë letrare, që kanë fituar me penë e dinjitet krijues. “Bota, fatkeqësisht është reale”, shkruan Jorge Luis Borges. Pse u dashkan mohuar të vërtetat? Aq më tepër në letërsi. Poeti është pena artistike e kohës, është zëri i saj i zbukuruar me figura letrare. Bota ka kënduar dhe këndon ditirambe. Dhe do të këndojë. Edhe të pamerituara. Jetëgjatësia e tyre, udhëtimi që bëjnë në kohën e nesërme është treguesi konkret i vlerave artistike dhe estetike, apo dhe atyre morale, atdhetare, qytetare e universale të këtyre lloj krijimeve letrare, (të merituara apo të pamerituara). Ndërkohë, 76 vargjet sarkazmatike të “Hakërrimit” të tij të fuqishëm: “Hani, pini e rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,/ të pabrek’ u gjeti dreka, milioner’ ju gjeti darka!/ Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,/ gjersa populli bujar t’ju përgjgjet: peqe, lepe!/…Hani, pini e rrëmbeni, është koha e çakenjvet;/ hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot’ e maskarenjvet/…Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,/ dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’/…Ja, ja grushti do të bjeri përmbi kokat e zuzarëve,/ koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve!… [1942] janë si 76 vetëtima titanike për pushtetarokaragjozët e sotëm, që nuk i reciton vetëm Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Bujar Asqeriu apo Vaso Godo, por mbarë shqiptarët, të 10 miljonët!

Burimi i frymëzimit poetik dhe prodhimi letrar origjinal, autentik i Ali Asllanit përbën një rast unikal të krijuesit shkëlqimtar dhe të pashtershëm, që di si ta shfrytëzojë gurrën popullore, që di ta përzgjedhë ujin e kulluar folkorik, që di ta pijë, që di si dhe sa të pijë, me synimin që t’i bëjë mirë për shëndetin letrar të tij dhe të shqiptarëve. Krijimtaria e tij është bio labe, bijë letrare e natyrës shqiptare, e pastër, e virgjër, si ajo. Gjuha e tij lokale, kur shpërthen nga pena e mjeshtrit, merr përmasa universaliteti. Asllani është vështrirë të përkthehet në gjuhë të huaja, për të mos thënë që mund të jetë poeti i vetëm shqiptar, që më bukur se në shqip s’tingëllon në asnjë gjuhë tjetër të botës. E kush mund ta përkthejë, fjala vjen, vargun e tij: “Gugu-gugu guguftu!”, etj., etj. Se ka atë visar fjale, se përdor ato idioma të rralla si thesare shpirti, se ka atë magji arti, muzikalitet e fuqi vargu, lartësisht të bukur në thjeshtësinë dhe spontanitetin befasues të të krijuarit, ndaj Ali Asllani është ALI ASLLAN. Edhe ironinë e ka të bukur, jo fyese. I shkon, se di kur, ku, në ç’masë dhe për ç’efekt ta përdorë. Ai të kënaq shpirtin e të shëron xhanin në shqip. Si ai. Ku të gjendet një Fan Nol i Ri, që, ashtu si Noli i madh pruri në shqip Kajamin, Shekspirin, Servantesin e viganë të tjerë të letrave të globit, ta japë në gjuhë të huaja Ali Asllanin me tërë madhështinë e ndritshme të artit poetik që na la trashëgim si një shufër e rrallë floriri në letrat shqipe?!

 

*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Fasalchi”,

                    Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

 

[1] )Shehu, Agim: “Nënshtetas i mbretërisë së lirikës”, shih: Gaçe, Bardhosh, “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, Tiranë, Toena, 2006, f. 111.

 

[2] ) Bllaci, Jorgo: “Miku i të gjithëve, Ali Asllani”, shih: “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, vep. e cit., f. 103-104.

[3] ) Hamit, Sabri: “Letërsia moderne shqiptare”, Tiranë, Alb-ass, 2000, f. 311.

[4] ) Shehu, Agim: “Nënshtetas i mbretërisë së lirikës”, vep. e cit., f. 113.

[5])  Xhaxhiu, Muzafer, “Kush është Ali Asllani”, po aty,  f. 77.

[6] ) “Studime për letërsinë shqiptare”, Pj. 2, Tiranë, Akad. e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Inst. i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, 1988, f. 398.

[7] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 39.

[8] ) Hakiu, Nexhat; “Shkrimtarët shqiptarë, prej Lidhjes së Prizrendit deri sot [v. 1930]”, “Ali Asllani” Tiranë, Botim I Ministris’ Arsimit, 1941, XIX, Pj.2,  f. 326-327.

[9] ) Asllani, Ali; “Vajzat dhe dallëndyshet”, Tiranë, “Naim Frashëri”,1964, f. 13.

[10] ) Asllani, Ali; “Vajzat dhe dallëndyshet”, vep. e cit. f. 41.

[11] ) Asllani, Ali; po aty, f. 49-50.

[12] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1936, [f. 10-12].

[13] ) Gurakuqi, Mark; “Jeta dhe vepra letrare e Ali Asllanit”, studim monografik, shih: “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, vep. e cit., f. 235.

[14] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49.

[15])  Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.

[16] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1935, [f. 7].

[17] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49; Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.

[18] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49; Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.

[19] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1935, [f. 7].

[20] ) Po aty.

Filed Under: LETERSI Tagged With: 50 vjetori, Albert Habazaj, Ali Asllani, Vepra"Mbreti Yne"

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 237
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT