• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SERGEJ ESENIN

September 1, 2015 by dgreca

Perktheu:Faslli HALITI/

Sergej Alexandrovich Esenini ka lindur 3 tetor 1895 në Konstantinovo (sot Esenino), në rajonin e Ryazan (Rusi); bir i vetëm i prindërve fshatarë, është eksponenti më i rëndësishëm i së ashtuquajturës shkollë e “poetëve fshatarë”. Në vargjet e tij pasqyrohet bota rurale e Rusisë të fillimit të shekullit të njëzetë; fjalët e tij lartësonin bukuritë e fshatit, dashurinë ndaj mbretërisë së kafshëve, por edhe ekseset e jetës së tij (Esenin qe alkoolik)

1.E QETË ËSHTË

Lugina gjithë dëllinja është e qetë
Vjeshta si kalë – dori, krifën kreh.

Shkon uturima blu e vargonjve të saj
Mbi perde brigjesh të lumit në skaj.

Hapshkurtër, era, si një monak asket
Gjethet anash rrugës lag edhe tret.

Dhe mbi gëmushën e vadhëzës prush
Plagët e një Jezusi të padukshëm puth.

1914-1916

2. NË ATDHE

Në atdhe jam lodur së jetuari
Duke menduar fushave të gjëra, zymtë;
Hajdut bredharak , dua të iki që këtej,
Duke lënë prapa koliben time të tymtë.
Për kaçurrelat e bardha të ditës
Do të shkoj të kërkoj një shpellë të mjerë.
Nga këmbalja miku që kakm më pranë
Thikën grerëz kundër meje do nxjerrë.

E vështirë është rruga e verdhë
Pranverës dhe diellit mbi lëndinë.
Dhe pragu i saj do jetë e mbyllur.
Unë do t’i dëboj prej pragut tim.

Do të kthehem në shtëpinë atërore,
Gëzimi i të tjerëve do më mbështet,
Në dritare një mbrëmje të gjelbër
Me mëngën time do të varem vet.

Më ëmbëlsisht kokën do të përkulin
Shelgjet thinjur gardheve të anuar
Midis lehjeve të pafundme të qenve
Trupi jo i larë prej meje, i mbaruar.

Do të lundrojë do të lundrojë hëna,
Duke braktisur rremat brenda liqeneve.
Do jetojë Rusia pa ndryshuar ndonjë
Fat gardheve duke qarë gjatë kërcimeve.

1915- 1916

3. JO MË KOT

Jo më kot fryjnë erërat,
Jo më kot furtuna buçet.
Sytë e mi mistershëm dikush
I dehu me dritë të qetë.

Dhe me ëmbëlsi pranverore
Dikush nëpër mjegullën gri
Më hoqi trishtimin për misin
Po jo që këtu nga toka hyjni

Kullimi memec nuk brengos
Lemeria yjore nuk torturon,
Universin, përjetësinë dua, qëkur,
Si të ishin vatra ime që prushon.

Gjithçka në ta është e mirë,
Dhe ajo që mundon shkëlqen.
Perëndimi, lulëkuqe e ndezur,
Mbi qelqin e liqenit vërshen.

Një vegim në detin e grurit
I papërballueshëm buzëve vjen:
Qielli lëpin viçin e kuq
Që sapo e ka pjellë.

1017

4. KU JE

Ku je, ku je shtëpia atërore,
Që ngrohje shpinën nën kodër?
Kaltërsia ime, lule kaltërore
Rërë e pashkelur
Ku je, ku je shtëpi atërore?

Këndon një gjel përtej lumit
Ku bariu kulloti grigjën,
Dhe tre yje nën ujë
Shkëlqejnë larg, larg
Këndon gjeli tej lumit me natë.

Mulliri me erë kohën e shtyn poshtë.
Lavjersja hënore përtej fshatit
Midis thekrës kalliplot
Shiun e padukshëm të orëve,
Mulliri me erë, kohën e shtyn poshtë…

Me miriada shtiza shiu
Midis reve mbështolli shtëpinë time.
Lulen blu këputi ai
Dhe rërën e artë shkeli.
Me miriada shtiza ky shi.

1917-1918

5. O FUSHA, O FUSHA

O fusha, fusha të lëruara,
Të Kolomnës melankolike.
Në zemër është dita e djeshme
E në zemër Rusia shëndritëse.

Fishkëllejnë si zogj verset
Nën potkoin e kalit
Dhe veson dielli
Sipër meje, me grushta.

O truall plot trandje të frikshme,
Forcë e heshtur pranverore,
Afër agshunit dhe yjeve
Kam ndjekur këtu shkollën fillore.

Dhe kam lexuar e kam menduar
Mbi Biblën e erërave të acarta,
Me Isain kam kullotur
Kopetë e mia të arta.

1917- 1918

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, poezi, Sergej Esenin

BOLSHEVIKU RADE

August 31, 2015 by dgreca

NGA FASLLI HALITI/
TREGIM/
Shpallja kulak e Sefi Dushit në fshatin tonë pritej, pasi ai ishte i pasur dhe i prekur rëndë nga Reforma Agrare, por ajo që e habiti fshatin tonë ishte se Sefiun nuk e braktisën djemtë e tij, siç bënë disa të tjerë me baballarët e tyre të shpallur kulak nga Fronti.
Iu lumtë djemve të Sefi Dushit që nuk e braktisën babanë si djemtë e Liko Lumit që e mohuan babanë deri në atë pikë sa Liko u bë punëtor komunaleje. Kudo lavdëroheshin, jo vetëm në fshat, por deri në qytet flitej me simpati për ta që shpallja e të atit kulak, i bëri ata më të afërt, më të lidhur me të atin. Kulak stërkulak Sefi Dushi është babai ynë dhe ne vetëm vdekja na ndan me të, thoshin ata lart e poshtë nëpër fshat. Ne jemi krenarë për babanë tonë. Ai na ka rritur me djersë të kulluar. Bujqit e tij kemi qenë ne, dhe vetëm ne, së bashku me motrat dhe nënën tonë. Arat që na i mori Agrarja, babai ynë i kishte blerë me flori të bardhë djerse. Babai ynë as ka vjedhur as ka vrarë as ka bërë turpe e as ka spiunuar kënd gjatë gjithë kohës, kur spiunët të ngatërroheshin si qentë e macet nëpër këmbë. Spiuni është si qeni, që e ndjek prehën për të tjerët, na thoshte e na thotë edhe sot babai, kurse smirëziu mund të bëhet dhe ai, fare lehtë një spiun i shkathët. Smirëziu është si macja, e ndjek gjahun për vete, kurse babai ynë nuk ka qenë e nuk është as si qeni e as si macja, ai ka qenë dhe është një ka i fuqishëm pune dhe si i tillë, i ka urryer dhe i dhe i urren spiunët dhe smirëzinjtë dhe, jo vetëm kaq, por ai na mëson që dhe ne, t’i urrejmë ata njëlloj, si vetë ai. Kjo ishte arsyeja që Sefi beu e urrente Rade Dakën, sepse ai ishte edhe smirëzi edhe spiun i komunistëve. Megjithatë, prapë, nuk ishte kjo arsyeja thelbësore… Rade Daka nuk kishte kursyer as xhaxhanë e vet, të cilin e spiunoi dhe jo vetëm e bëri kulak, por edhe e futi në burg. E si mund të kursente Sefiun ai?!

***
Veç kësaj, fshati u habit nga urrejtja e çmendur që kishte Sefi Dushi dhe djemtë e tij për Rade Dakën, vetëm e vetëm pse ai pranoi të merrte arën e tyre nga Reforma Agrare. Kjo ishte njëra nga arsyet, por inati më i tërbimshëm i Sefi Dushit dhe i djemve të tij ndaj Rades, lidhej me dashurinë që kishte motra e tyre për Rade Dakën, sepse, ndërsa ai bënte dashuri me motrën e tyre dhe të bijën e Sefiut, në arat me luledielli, si Grigor Melehovi me Aksinjën, dy personazhe të romanit «Doni i qetë», vëllimi i parë i të cilit sapo ishte botuar dhe pjesët me dashuri të romanit lexoheshin, pothuaj nga gjithë të rinjët e të rejat e fshatit e të qytetit, me shkollë apo gjysmë analfabetë, Rde Daka duke imituar Grigor Melehovin bënte dashuri me të bijën e kulakut arave me luledielli. Dashuri bënte por nuk pranonte që nuk pranonte të martohej kurrsesi me të. Djemtë e kulakut dhe vetë Sefi Dushi bënë çmos që ta bindnin Raden të martohej me Serveten e tyre të bukur. Kë s’futën ata, që t’i mbushnin mendjen Rades të martohej me Vajzën e tyre. I premtuan edhe flori, por Rade Daka as që ua fishkëlleu fare. Thonë se i pështyu florinjtë e tyre… Madje u fol se e pshurri qesen me flori… Por ajo që e nxiu dhe e bëri katran me bojë, Sefi beun dhe djemtë e tij ishte dita e zezë, kur Sefi beu u ankua për Rade bolshevikun se, po harbonte me vajzën e tij arave me misër e luledielli. Pas ankesës së Sefi kulakut, Rade Dakën e thirrën në Komitet të Partisë dhe e kritikuan rëndë pse harbonte arave dhe po i merrte nderin vajzës së Sefi beut. Punë e madhe, tha Rade Daka, nderin e vajzës së kulakut mora; nderin e vajzës së atyre që na kanë çnderuar gjithë jetën. Dhe si i përkëdheluri i partisë dhe i pushtetit në rreth, Rade Daka ia dha një të qeshure të madhe sa edhe vetë shokët e Komitetit të Partisë qeshën me lot. Po pse o Rde kështu qenka puna: «Në ato maja rripa rripa/një herë ma hipe një herë ta hipa? Radja ia dha përsëri të qeshurës: ha, ha ha, ha.
Ik o Rade, ik; ik o dreq ik e mos hip e mos zbrit më në ato maja rripa rripa, se do të biesh e do të thyesh qafën ndonjë ditë: ha ha ha, qeshi Rde bolsheviku dhe u tha
E di si ishte ajo or shokë?, brumë. Brumë or brumë i kishte kofshët dhe gjinjtë sa gishtat e duarve të mia, linin shenjë në kofshët dhe gjinjtë saj. Apo s’e ngordhte atë të shkretë punë, ( shokët e komitetit ulën kokat) një dynym grurë bëhej lëmazhd, rrogoz sa herë që ne bënim atë punë, mes grurit. Ajo e kishte zakon apo kënaqësi që i ngrite bythët një pëllëmbë mbi tokë dhe tërhiqej bythas e bythas nëpër grurë…
Këtë herë asnjë nga shokët e Komitetit të Partisë nuk e ngriti kokën, s’e panë fare Raden në sy. Ai e kishte tepruar para tyre duke përfituar si ish partizani më i ri e më i përkëdhelur i Brigadës X Sulmuese. Ai po tregohej cinik e mburravec para tyre, sikur secili prej tyre të ishte babai dhe të gjithë së bashku të ishin vëllezërit e vajzës së beut… Gjithë kuadrot e partisë e të pushtetit në rreth, i lëshonin pe Rades, sepse ai, nuk ia përtonte t’i shkruante letër ish komandantit të Brigadës Sulmuese që sapo ishte bërë anëtar Byroje dhe…
Thuhej se Rade bolsheviku, e merrte byroistin në telefon dhe i këndonte këngën e Grykës së Mezhgoranit, këngën e një betejë teh më teh bajonete, midis partizanëve e nazistëve gjermanë. Ish partizani Rade Daka, e dinte se ish komandanti i Brigadës, e kishte pikë të dobët këtë këngë, ku: « Shoku Asim del jasht nga istikami /Dhe si dragua hidhet mbi ushtri/ Ne sulm o shok per nder te ketij vatani / Ne sulm shqiptari po hidhet per liri.
Asim Zeneli u derdh si llavë vullkanike, mbi nazistët gjermanë. Ai u shndërruar në një dragua. Llava e kuqe, përvëluese e betejës partizane, buçima e së cilës s’do të shuhej gjer në çlirimin e vendit, gjëmimi i së cilës do të vazhdonte ende e nxehtë përvëluese për të mos u ftohur kurrë.

***

Kur mori vesh Sefi beu se ç’kishte thënë Rade bolsheviku në Komitet të Partisë, se Rade Daka, jo vetëm i kishte marrë e i kishte lëruar e mbjellë atë me misër, por njëherësh ia kish lëruar edhe të bijën, i ra qielli në kokë, thirri djalin e madh dhe i tha të shkonte të vriste Rade pushtobolshevikun. Po, po, ta vriste atje në mes të misrit. T’ia përmbyttë mirin e blertë e t’ia mbulonte flakë gjaku, që të vinte në vend nderin e nëpërkëmbur të vajzës. Djali i madh, nuk ia bëri dysh fjalën të atit. Peqe, i tha babait. Por me t’u larguar nga i ati nisi të mendonte thellë; jo ti s’do ta vrasësh pushtobolshevikun Rade Daka i tha prerë vetes së tij. Mirë, mirë, mirë e ke ti baba, i tha përsëri vetes, por e di se çdo të thotë të qëllosh mbi ish Rade Dakën, ish partizanin e Betejës së Grykës së Mezhgoranit që ka luftuar përbri Asim Zenelit, tha përsëri me vete djali i bejkulakut. Të qëllosh mbi Rade bolshevikun, do të thotë të qëllosh mbi Pushtetin Popullor, mbi ish komandantin e ish partizanit Rade, mbi Asim Zenelin, mbi byroistin, do të thotë që ne të dy, babë e bir, të lëkundemi me litar në fyt në një trekëndësh, ngritur në qendër të fshatit. Unë, baba, mërmëriti përsëri, me vete ai, do të mjaftohem, që t’ia rrafshoj, t’ia shtroj rrogoz përtokë gjithë misrin e arës Rade bolshevikut, me qëllim që atij t’i mbeten fëmijët, gjithë njerëzit e shtëpisë pa bukë, të vdesin urie gjatë gjithë dimrit që ka gjasa të jetë i egër, i zi, me uri të zezë, tha me vete i vendosur, pa një pa dy, djali i Sefi bejkulakut. Ishte kohë zie dhe jo një kohë zie si dokudo, por kohë zie, zie buke… Dhe kur Rade bolsheviku të vente e t’i kërkonte misër Sefi bejkulakut në pikë të dimrit, për të shpëtuar nga uria, fëmijët, gjithë pjesëtarët e tjerë të shtëpisë, Sefi beu do të shqyhej, gajasej së qeshuri e do t’ia mbushte thesin me të qeshurat e tij si kujë vajtojcash profesioniste, do të bënte me Rade bolshevikun, atë që bëri milingona me gjinkallën, kur i vajti e i kërkoi grurë në palcë të dimrit. Djali i madh i bejkulakut Sefi, nuk e vuri në dijeni të atin për vendimin e tij butak që kishte marrë, pa e pyetur fare të atin, vendim ky që vërtet nuk ua vinte nderin në vend, por ishte shpëtimtar ama. Kështu djali i kulakut shpëtonte veten dhe të atin nga litari apo plumbi, kështu ata s’do t’i shihte fshati të lëkundeshin në litar apo t’i përcillte te Çezma e Kalifasë, ku armiqtë e klasës dërgoheshin me daulle e saze për t’i pushkatuar. Kështu ai vetë dhe i ati do të mbeteshin gjallë dhe fëmijët, nipat e mbesat nuk do të mbeteshin jetim dhe fisi nuk do të surdisej kampeve të internimit maleve e grykave të Tepelenës Gërhotit, Grabianit…

***
Rade Daka, arën e Sefi Beut që ia dha Agrarja, e mbolli misër farë vendi. Edhe pse ishte fare i ri, bujk pa përvojë, misri i Rade Dakës tërboi në gjelbërim. Misri kishte një ngjyrë kobalt si ngjyra që merr deti në kohë të vërejtur. Degët kishin të njëjtën lartësi, si në mes dhe në anë të arës. Gjë që tregonte se ara ishte ushqyer me pleh kudo njëlloj si ne mes dhe në anë të saj.
Rade Daka, shkonte dhe e shihte misrin vetëm në mëngjes herët. Kalonte buzë arës dhe e vështronte dhe kënaqej me ngjyrën e gjelbër në të thellë. Aty, ku disa degë ishin të verdha, si të veremosura, Radja shpejtonte hapin, nuk i shihte me sy ato degë të sëmura. Ara i dukej si të ishte një sanatorium dhe e kapte një trishtim i thellë, ndjente dhimbje në gjoks, por aty ku misri, tërbonte, harlisej dhe gjethet luanin me erën e blertë të mëngjesit ngjyrë pjepri. Atëherë bujku i ri Rade Daka që Sefi Dushi, i vuri nofkën Rade bolsheviku, ngaqë Radja linte kokën për Pushtetin e ri komunist, për të cilin nuk kursente as kokën e babait të vet; ulej në bisht në krye të arës dhe nuk ngopej se vështruari misrin që harbonte në një blerim, gati, serë të zi. Pasi ngopej me pamjen e tij çohej dhe i binte arës kryqe e tërthor. Nuk i rrihej pa u futur mes misrit për të parë një për një degë dhe niste e i përkëdhelte ato si të ishin vajzat e tij të veshura me fustane të gjelbra. Edhe pse ende në prag të lidhjes së kallirit, që tani ai shihte se çdo degë kishte ngjizur nga dy, tre, katër, mase dhe pesë kallinj. Pesë cepa kishte ylli partizan, pesë kallinj do të kishte edhe çdo degë e misri im, i thoshte kujto bujku që takonte Rade Daka.
***
Një mëngjes Radja u habit dhe, gati, ia dha ulërimës. Një vazhdë e tërë degësh tejembanë arës si një rrogoz i blertë, i gjatë, ishte përkulur e shtruar përtokë. Dikush kishte kaluar e i kishte thyer e bërë lesë degët e misrit. Kush të ishte vallë? Ndonjë derr i egër, i ndjekur nga gjahtarët? I pa dhe një herë i erdhi për të qarë. Ktheu kokën mënjanë. Nuk e shihte dot atë thyerje degësh rrogoz në gjatësinë e arës. I dukeshin si të ishin gjymtyrët e thyera të fëmijëve, nipërve, mbesave të tij, mbase edhe të gjithë fëmijëve, nipave dhe mbesave të fshatit. Zuri t’i ngrite, t’i drejtonte degët e rrëzuara përtokë, por vetëm ato që nuk ishin thyer.
Të nesërmen në mëngjes, Radja pa një vazhdë tjetër degësh të gjelbra të përkulura, por jo të rrëzuara rrafsh me tokën. Po kështu edhe mëngjesin e ditës se tretë e të katërt. Kush ia thyente, kush ia rrafshonte kështu misrin atij? Gati sa s’bërtiti, sa s’u ulëriti e nuk vuri kujën. Ndjente sikur dikush i kishte thyer brinjët duart, krahët, këmbët aq sa, vetja po i dukej si trung i rrëzuar gjatë e gjerë mes arës… Ç’të ishte kjo kështu? Dikush që s’e shihte me sy si njeri të përkrahur, të përkëdhelur nga Pushteti komunist që i dha tokën zhelanit. Po, po, një i tillë është ai që nuk ia mban bytha të rroket me mua dhe mbërthehet me degët e misrin tim që tërbon nga ngjyra e gjelbër e fortë, ngjyrë e cila në vend që t’ia qetësoi, ia vret, ia verbon sytë. Kështu më shikon mua djali i madh i Sefi Dushit që më quan bolshevik. Ai kujton se më shan duke më quajtur bolshevik. Unë e kuptoj se ai, gati, sa s’plas nga urrejtja e dyfishtë; ndaj meje dhe tërthoras edhe ndaj Pushtetit komunist që na dha tokë ne që punonim tokën, por nuk e kishim tonën.
Mos ndonjë lopë, ndërroj mendim befas, Rade Daka, mos ndonjë lopë kalon mes arës, kullot dhe thyen degët e misrit ? Por jo, jo, ndërroi mendje, ai, po të ishte lopë që hante dhe ecte nëpër misër, ai do të shihte dhe degët e ngrëna dhe degët e shkelura. Por Rade Daka, nuk po shihte degë të ngrëna, por vetëm të degë të thyera! Bolsheviku, siç e quante Rade Dakën Sefiu me djemtë, u la në lot. E kishte punuar tokën, i kishte thyer plisat me barre, i kishte shkërmoqur e bërë pluhur me grushte, që fara të mbinte pa pengesë, pa u shtrembëruar bifka e misrit nëpër plisa. Duart i kishte me kallo të tilla, si thundra kau. Sidomos, pjesa e poshtme e grushtit të majtë i ishte bërë vërtet si një thundër kau.
Vendosi ta ruante misrin. Gjersa thyerja ndodhte natën, diku në mes apo në buzë arës. Po sikur t’i kishin thënë Sefiut se, gjoja, ai bolsheviku, bën dashuri me vajzën e tij, Serveten e bukur, për të cilën çmendeshin gjithë djemtë e fshatit, kurse ajo nuk ua hidhte fare sytë dh tërbohej pas Rade Dakës…! Por jo, jo. Një gjë që nuk ndodh, kuptohet që është shpifje dhe nuk mund ta besojë njeri, sidomos babai. Kot që më vajti mendja te shpifja, tha me vete Rade Daka, ndërsa rrinte tulatur në hendekun me bar të arës. Nuk e kuptoj se si m’u çapërçik mendja…!
Natën e dytë nuk pa të kalonte ndonjë kafshë nëpër misër. Nuk pati fiksime të kota. Mos e kishte zënë gjumi duke parë yjet e shpërndarë nëpër qiell si kokrra të verdha misri e nuk kishte parë gjë? Jo. Në mëngjes ai nuk dalloi asnjë vazhdë degësh të thyera. Pra nuk kishte kaluar asnjë derr a kafshë tjetër mes përmes arës. Kështu natën e tretë e të katër…
Një mbrëmje ndërsa dielli po perëndonte i kuq mbi kodrat e Spolatës. Rade Daka vendosi që të mos rrinte më të ruante misrin gjatë netëve. Ç’kishte ndodhur kishte ndodhur, ç’ishte bërë ishte bërë. Me siguri ndonjë derr i egër duhej të kishte qenë meqë ara ndodhje afër Kënetës së Tërbufit. Por sapo perëndoi dielli dhe ra muzgu, një muzg i bukur gri dhe ara po mbulohej me një tis bryme që nisi të bjerë befas, u duk silueta e një kali të bardhë në gri, një kali çil si dhe silueta e një njeriu mbi kalë që duke u afruar drejt arës me misër, bëhej më i dukshëm dhe Rade Daka pa se ai po merrte tiparet e djalit të madh abrash të Sefi kulakut…
Radja nuk po iu besonte syve… Të ishte vërtet djali i madh abrash i Sefiut që vinte drejt meje me një urrejtje të dyfishtë prej katili dhe mizori se kisha misrin më të mirë, më të shëndetshëm, më të bukur, mes të cilit, gjoja unë bolsheviku, bëja dashuri me motrën e tij të bukur, Serveten? Po tani po e dallonte ende më qartë, më mirë. Ai po vjen tërbimshëm drejt meje, tha me vete Radja? Edhe pse tisi violë i brymës e bënte flu figurën e kalit dhe kalorësit, përsëri dallohej se ai që vinte së katrash drejt Rade Dakës ishte djali i madh i Sefi kulakut. Nuk kishte më asnjë dyshim.
Radja u tulat në hendekun e thellë, buzë arës, po aty ku ishte dhe më parë, kur ende nuk ishte varur dielli mbi kodrën e pyllit të Spolatës. Njeriu mbi kalë kapërceu hendekun e thellë e të gjerë të arës dhe u fut dhe çau përmes misrit duke e ngarë me shpejtësi skëterre kalin. Ai i ra mes përmes arës me kalë dhe Rade Daka me të dëgjuar krismën e degëve të misrit që thyheshin nën këmbët e kalit doli vringthi nga hendeku. Djali i madh abrash, i kulakut doli në krye të arës aty ku ai do të kthente prapë kalin që ta përshkonte edhe një herë tejembanë misrin, gjethet e të cilit luanin hareshëm me flladin e blertë të mbrëmjes, hare të cilën djali i kulakut nuk e duronte dot e fshikulloi kalin që të shtonte shpejtësinë me qëllim që të mos mbetej degë misri në këmbë, por të rrëzohej rrafsh me tokën si një rrogoz jeshil.
I biri i kishte thënë të atit se, misri në arën e Rade Dakës po harbonte si për inat të tyre dhe se gjoja ai aty do ta vriste qenin bolshevik. Atëherë i ati Sefi Dushi i shpallur kulak i dha leje të birit që para se ta vriste, t’i rrafshonte misrin bolshevikut, t’ia shtronte përtokë si një qefin të gjelbër ku ai do të shtrihej gjatë e gjërë, i mbytur në gjak të kuq bolshevik.
Dhe i biri, nuk ia bëri dysh fjalën të atit. Kur djali i kulakut, po dilte në krye të arës, ktheu kokën dhe pa vazhdën e degëve të misrit të shtrirë përtokë, u kënaq …. Atëherë, Rade Daka, nuk u përmbajt më, u ngrit lingthi në këmbë, duke i thirrur gjer në kupë të qiellit si Akili Hektorit… Ah kulaku i mutit, ti ma thyeke misrin mua. U turr përpara drejt tij, kapi kalin prej freri dhe e rrëzoi djalin e kulakut nga kali, e vuri poshtë duke e qëlluar me grushte në fytyrë, pikërisht me atë grusht thundër që kishte shtypur plisat e arës, ia përsheshi keq turinjtë. Djali i kulakut u la në gjak. Por duke qenë i fuqishëm, ai arriti të ngrihej dhe e vuri poshtë bolshevikun.
Ndërkaq unë së bashku me Zanin, vëllain e Rades pamë se ngjarja po merrte trajta tragjike, u afruam që t’i ndanim.
Kur vëllai i Rades, Zani që ishte si një dem i zi, i fuqishëm pa se, djali i kulakut e vuri poshtë të vëllanë dhe, po e qëllonte me grushte, po e mbyste në gjak, u lëshua egërsisht mbi të. u mat ta qëllonte me çomange pas kokës, por unë ia kapa që prapa çomangen sa një granatë dore dhe e pengova që ta qëllonte, goditje kjo që do të ishte më fatale se ajo e shpërthimit të një granate. Duke e penguar që ta qëllonte djalin e kulakut, Zani turfullonte si dem i zi i përrallës: lëmë o kusho, ulërinte, lëmë o kusho ta vras këlyshin e kulakut. Unë nuk e lëshova, por e shtrëngova edhe më fort. Djali i kulakut përfito nga rrëmuja, u çua menjëherë në këmbë, i hipi kalit dhe çau plumb mes fushës …
Qershor 2014

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bolsheviku Rade, Falli Haliti, Tregim

ANITA HOXHA, E FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

August 26, 2015 by dgreca

E ftuar ne Sofren Poetike te Diellit, Anita Hoxha vjen me nje tufe poezish. Libri i saj me titull metaforik”Te zgjohesh me yjet ne agim” del nga shtypinNe ditet e para te shatorit.Anita eshte nder poetet me te lexuara.Poezite jane zgjedhur nga redaksia jone. Urime Anita!

ANITA HOXHA/

Trishtimi i dallandysheve/

I kujtoj dallandyshet ne cdo pranvere
Ato migruar visesh larg nisur per ketu
Lumturohesha mes tyre une cdo here
Dhe ato gezonin qe dikush i pret diku

E ne ballkonin tim ato uleshin ngadal
E une i perkedhelja dhe emrat jua dija
Ato njeheresh gumezhinin mijra fjale
E une harruar endrrash mes tyre rrija

E shkonin e vinin dallandyshet rradhe
Foleja nen qiell mbushur cicerima plot
E deri sa mengjesi fillonte te zbardhe
Shtepia ime behej m’e bukura ne bote

Por vjeshta shpejt oh sa shpejte erdhi
Ato gati u bene te udhetonin vise larg
Ajo e vogla dallandyshe pika loti derdhi
Lote derdha une kur su kthye ne darke

Malli m’merrte per miket e mia te bukura
Ndaj folene ua rregulloja une si nje nene
Ditet me to n’ballkonin tim ishin te lumtura
Te mirave emrat une vete jua kisha vene

E dimri i acart erdhi mes shirave pafund
Ftohte e frike ndjen foleja n’ballkonin tim
Por nje dite stuhia e pabese jua shkund
Dhimbje o sa dhimbje qe ndjeu shpirti im

Ore te tera qava ne ballkon une ate dite
Miket e mia mendoja qe ngelen pa shtepi
Dimrin e urreva, urreva aq shume stuhite
Veten e urreva qe se mbrojta ate mrekulli

Dhe u kthyen dallandyshet me pranveren
Kengen e trishtimit kenduan nen ballkon
Dhe fluturuan larg sa larg bashk me eren
Sot prej mungeses se tyre syri im loton

Dhe perseri do te jete vjeshte

Ja edhe parku braktisur ne fund vjesht
E gjethet fjal kujtimesh shperdare kudo
Une e vetme ndjek hapat e mi dhe hesht
Syte harruar mbi gjethe me do s’me do

Nese sonte larg dhe ti mendon per mua
Drite yjesh shkruam e qiellit ler nje gjurm
Une do ta njoh ate drit lene duarve te tua
Qe s’shuhet e n’agim do t’ndrij me shume

Si ombrelle me yje qendisur sonte fle nata
Por une si dikur do t’pres si ne t’vonat ore
Ndjej si ky park vitesh ka ngrire tonat hapa
Dhe trupat tane qiellit shperndar si meteor.

Me drite hene po te shkruaj

Si dikur me drite hene ty po te shkruaj
Qiellit lart plot yje hena ndrin si nje meit
S’di si por ndjej t’mendoj per nje te huaj
Vjeshtes kur dhe hija jote humbi nje dite

E serish e shkruajta e hera heres e grisa
Takimet tona t’largeta kalonin nje nga nje
E malli n’etere shperndahej si vet harresa
Befas n’ajer kthehj e cdo gje ngrinte ne te

E si rrallehere deri ne agim po te shkruaj
E lodhur kujtimesh ti je harruar s’di se ku
Nje fjale magjike ne shpirt une do ta ruaj
E kur te therras vetmia ime ti te vish ketu

Natë e pa gjumë

Vals i harrimit e t’bukurën muzik
Kujtoj viteve në muzg ajo u shua
Si atëher dëgjova zërin tënd mik 
Vallëzo në perëndim the me mua
Unë vajzë shkolle nga larg ardhur
U skuqa e tëra s`kuptoja më asgjë
Mbrëmjes deri ditës në të zbardhur
Zemër zgjuar mendoja vec për të
Endrrat tona mbetën në atë shkollë
E vallëzimi në tingujt e asaj muzike
Ndërmend do sjellësh një bel hollë
E unë trishtimin tënd ditën kur ti ike
Valët e pagjumta shuhen syve t`mi
Oh, pistë vallëzimi pafund deti sonte
Po ajo hënë e plot si atë natë cudi
Dora ime dorën tënde po kërkonte
Nëse fati një ditë ne do t’na thërrasi
Ne plot mall do të vijm këtu patjetër
Gëzimi studentor një zjarr do ndezi
Puthjeve do zgjojm dashurinë e vjetër

***
Si ti ndal ditët

Me trokthin e një kali nxiton jeta
Stinët ndërrohen viti shkon shpejt
Dhimbjes së violinës peng mbeta 
Si detit zhurmshëm derdhen retë
Sa mall kjo violin ditëve të rinisë
Tingujt larg me erën ndizen zjarr
Notat premtim e himn dashurisë
Agimit herët dritën ndjej t’ja marr..

***
Ndjenje
Kur të kthehesh nga mërgimi o nënë
Ndalo mbi lulet te bacja përkarshi
Shumë fjalë per ty luleve i kam thënë 
Ato nuk celin po nuk i preke me dore ti
Trëndafili ndoshta te shpon me gjëmb
Dhe gishtit tënd të rrjedh një pik gjak
Eshtë malli im që shpirtit me dhëmb
Kur unë jam vetëm e ti nga unë larg
Kur te kthehesh nga mërgimi o nënë
dhe unë me mall të përqafoj të marr erë
Le të bashkohen bashkë qiell yje henë
Dimri zhduket magjishem vjen pranvere.
***
Liqeni kendon një kenge trishtimi
Ndarja noton bregut pa shpetim
Dikur dashuria pulbardhe gezimi
Zog i humbur muzgut ne perendim…
***
Po vjen rralle oh sa rralle me thuaj pse ?
Dritareve vizatova nje puthje mbi xham
Mos ndoshta ne mendjen time ti je
Mos ndoshta peng e jotja sot jam.
***
Zgjuar me poezin

C’doje t’më thoje agimit herët poezi
Në gjunjë u ula si fëmij para nënës
Sa të fshehta që vetëm une e ti i di 
Si motra ja treguam mbi det hënës
Dëgjoj poezin time kur ajo më flet
Jeta ime jetë jep brënda trupit t’saj
Muza ime herë sirenë thell në detë
Rrjeshtave me dënes e ndjej të qaj
Vargu bleroi, celi vjollca manushaqe
Mbi tastierë pluhur i ditëve të trishta
Fjolla bore përkëdhelje ftoht faqeve
Dritë vajzash mrekullisht trup brishta
Si femijë poezia ime ti fëmijë i prap
Mes vargjeve vdes e lind disa herë
Dashurin fshehurazi ti dërgon larg
Borën për mua shtron qilim ne verë
Agimet përkëdhelur me vargun tim
Ngjyra shpirti si lëndin e imja muzë
Puhizë deti, gjethe vjeshte e thëllim
Kristale diamanti të flen mbi buzë.
***
Mendime
Mos e mallko me ndarje ketë natë
Jo sot në këtë qiell me re arnuar
Kalendarit fshije symbyllur atë datë 
Eres mos ju qajë me fjalë trishtuar
Puthjet e tua mbetën plagë mbi buzë
Perendimi diellit rend qe ti përthaj
Me mbeshtjellte hena me argjend lus
Hijen tende kerrusur ndjek pastaj
Ndoshta kthehesh një ditë sërish
A`tëhere shpirtit tim është djegur cdo gjë
Këtë botë te madhe besova verbërisht
Dhimbshëm fshij hapat që hodha në të…
***
Kjo fjal e bukur motër
Në folen prindërore ktheve motër
E vetme këtu të prita si cdo herë
As prinderit s’jan si dikur në vatër
Mëngjes herët migruan si të tjerë
Ti dritë e mall te dera para meje
Me syt plot dhimbje, gezim e lotë
Ura shpirti ngritur mes meje e teje
Të shoh më sheh e s’besojm dot
Si mike ulur te shkallët e shtëpisë
Sa keq motër s’do qëndrosh gjatë
Rreth nesh kujtimet e femijerisë
Ne të dyja i mblodhëm ketë natë
E hapëm motër atë kutin e vjetër
Atje e jona kukull aq bukur veshur
Si piktore e skicuam me laps e letër
Ditën bashk kalonim duke qeshur
Kujtuam motër dritaren perkarshi
Djali qe fishkëllente është martuar
Sa herë qeshem me lot unë e ti
Me premtimet që ai na pat shkruar
Do shkosh motra ime ti do shkosh
Ti gjak që rrjedh gjakut tim në deje
Netëve do t’kërkoj e do m’kërkosh
Urës mallit ngritur mes meje e teje.

***
Muzg kujtimesh

Lot shiu dritareve s’gjen pushim
Mes refleksesh portreti yt vizatuar
Zgjuar kujtimesh i shuari shpirti im
Prej kohesh qiejt gri me ty larguar
Relike dashurie karfica nen jastek
Arom e duarve ne te ndihet tretur
Mesnate zeri im si det qe s’hesht
Cigaret radhe shuar si re mbetur
Pluhur harrese sandalet s’jane me
I kaltri fustan i ditlindjes ne dollap
Vetem kreheri pasqyres me asgje
Ditet muzg kujtimesh migruar larg.
***
Ndoshta nje dite

Merzia me vrau per fjalet qe me the
E une buze detit vrapova e braktisur
Sot gezohu afer trupit tend s’me ke
Nga sot per ty nje jete tjeter ka nisur
Nje jete tjeter ku une vertet nuk jam
Por pikturuar mbeta ne tenden zemer
Zhurma e valeve me ndjek nga cdo ane
Thjesht u larguam e s’ishte asgje tjeter
Ne nje te ardhme ne ndoshta shihemi
Do kemi ndryshuar valle as vete s’e di
Nga puthjet dhene njeri tjetrit do njihemi
Dhe nga ajo e quajtura dikur dashuri..

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: "Te zgjohesh me yjet ne agim", Anita Hoxha

SHTEGTIMI I KARVANIT

August 26, 2015 by dgreca

Ramadan Pasmaçiu.*/
Shkurt jeta dhe vepra./
U lind në Berat, më 26 shkurt 1938. Shtatëvjeçaren e kreu në vendlindje. Pas mbarimit të shkollës së mesme, më 1957 vijoi studimet për gjuhën e letërsinë shqipe në Fakultetin histori–filologji.
Pas diplomimit, u emërua drejtor i shkollës në Shëngjergj të malësisë së Tiranës. Me pas punoi gazetar dhe u shqua si shkrimtar me botimin e një seri librash për fëmijë dhe të romaneve për të vegjël e të rritur.
Eshtë vlerësuar me disa çmime të para. Për romanin në katër vëllime “Udhëve të fëmijërisë”, mori çmimin e madh “Migjeni.” Por, gjatë veprimtarisë së vet, si shumë shkrimtarë të tjerë, ai u bë pre e përndjekjeve të fshehta e pabesive, deri sa e larguan nga revista “Yllkat”, e krijuar prej tij, dhe kështu mbeti pa punë. Pastaj emrin e këtij shkrimtari të dashur të fëmijve, u orvatën ta hiqnin, edhe nga librat shkollore. Pas vendosjes së demokracisë, krijimtaria e tij mori një vrull të ri. Me një prozë të përkryer në këto vite, ka botuar disa libra të nivelit të lartë ideo – artistik, në trajtimin e temave shoqerore dhe atdhetare, siç janë vëllimi me tregime “Lira”, “Xhaxhi Sili”, “Dashuria e Nënës”, “Mësuesja” “Maratonomaku”, “Kush rron duke Shpresuar”; romane, si “Përtej kohes”, “Shtjellat e Bardha”, “Flaka e Shpresës” etj. Ky roman me 640 faqe, është vlerësuar nga lexuesi i gjerë, nga historianë e shkrimtarë, ndër ta, Luan Malltezi e Sadik Bejko.
Më 2012 me rastin 100 Vjetorit të Pavarësisë, për krijimtarinë e tij të çmuar, Ramadan Pasmaçiu, meritoi titullin “Nderi i Qarkut të Beratit” dhe dekoratën “Mirënjohje e Prizrenit.”
Nëse dëshironi të shijoni ëmbëlsinë e bukurinë e shprehive të rrjedhëshme shqipe në nëndialekte, me tërë thesaret e saj, mbi njëqint vjet përpara në jug të Shqipërisë, i gjeni në romanin “Flaka e Shpresës.” Japim vetëm tri pjesë të zgjedhura.
—————

SHTEGTIMI I KARVANIT

I
Karvani me nëntë kuaj gjithësej, shpinte e binte njerëz në rrugën Berat-Janinë. Edhe ata të dy, Sefe Lara e Sifi Garunja, tok me shtatë të tjerë, ndofta, po shkonin për atje.
Qiraxhiu, xha Lazëmi, një burrë i thyer, po kockëfortë, i thinjur, fytyrëvrarë, vetullfshesë e me sy të vecërr, të egër, ishte fjalëpakë. Nuk lidhej në muhabet me udhëtarët, veç e ngiste kalin me vështrimin përpara, duke thithur çibukun thellë e duke e nxjerrë tymin me shtëllunga.
Atë ditë ai nuk e drejtoi karvanin nga ana e Drobonikut, që të kalonte në Gllavë, Ballaban, Këlcyrë e Tepelenë, por sa la pas Urën e Goricës, mori djathtas, për në Sinjë, për të dalë në Mallakastër.
Qiraxhiu, edhe pse ca si nursëz, qenkej njeri shpirtmirë e nuk sillej keq me udhëtarët! E ndalonte karvanin në çdo çesmë, a burim, që gjenin udhës.
“Pini ujë, freskohuni, mbushni dhe paguret!”- u thoshte- sikur ata të ishin të vegjël dhe duheshin mësuar.
Në një kurriz kodre mbi Hekal, u shfaqën befas ca xhandarë. Kishin bërë një postobllok në mes të rrugës. Njëri prej tyre një skërfyell i gjatë si shufër arixheshke, u foli ashpër: _Ku shkoni! Zbrituni kuajve!
Të gjithë u hodhën në tokë. Xha Lazëmi, që udhëhiqte, u doli përpara e i tha:
-Eshte karvani im ky. Ketë punë bëjë unë. Bie e shpie njerëz tutje-tu! Qiraxhi hesapi!
-Nga vini?
-Nga Fieri!
-Ku shkoni!
-Në Janinë!
-A, jo xhanëm!- Ai iu kthye udhëtarëve: I keni korçanet e kokës?
-Po qysh s’i kemi!
-E mora vesh! Po ç’dreq ju shtyn të shkoni deri në filifistun?
-Unë kam një mik atje dhe dua ta pjek!- tha burri lëkurëhollë që bezdisej udhës nga mizat.
-Po ti?- pyeti xhandari Sefen.
-Unë bashkë me këtë- ia ktheu Sefja duke treguar Sifin do vemi të porosisim ca mall për një saraç tonin!
-Edhe këtë e mora vesh! Po ndonjë armë të fshehur keni me vehte?
-E ç’na hyjnë në punë armët neve?- folën udhëtarët përzjerë.
-Mbylleni! Mjaft folët!- Ai iu drejtua prapë qiraxhiut- Tani qysh t’ia bejmë, që të vinë me ju edhe dy nga ne deri në Tepelenë?
-Ç’të them! Zotrote e shikon që kuajt janë zënë!
-Qepe dhe dëgjomë! Ky i holli të hipë në vithet e këtij kalit, tek është ky me pak bark! Kështu na lirohet një kalë! Edhe këta të dy hollakë janë, le të bëhen bashkë! Ja, de, kuna dalin dy kuaj të zbrazët!
-Punë që s’bëhet ajo, xhandar efendi! Më lodhen e më ngordhin kuajt ashtu!
-E po, kur e paske atë merak, e anavasim ndryshe ne! Dy nga ju të ecin në këmbë dhe të ndërrohen me shokët aty- këtu, sa të arrini Tepelenën!
Sefe Lara nuk i la rradhë qiraxhiut të fliste.-Iu afrua xhandarit dhe i tha si në vesh:
-Unë s’e kam për gjë të eci mbi opinga gjer ku thua zotrote! Edhe ky shoku im, do të bëjë si do të bëjë tok me mua! Ja merreni kalin tim dhe të këtij! Veç kam një merak!
Ca burra, që u këmbyen në Qafën e Koshovicës dje pas dite, na thanë të hapim sytë, se qenkan dukur komitë këndej! E ja, na dolën edhe neve! Ku t’ju fsheim? Me kokën s’bëhet shaka!
Xhandari mblodhi buzët, u rrudh e ia nguli sytë Sefes:
-Ore, jezit, i ke sagllam këto që thua ti, apo të stisura?
Sefa tundi kokën.
-S’jam nga ata unë! Nuk torolisem me xhandarin e dovletit, se ia kam taksur ymrin Padishahut që dhjetë vjeç!
I qofsha falë!
-Mirë, mirë, po bëj be njëherë, të të dëgjojmë!
-Për Shën Pjetrin!
-Kaur qenke!?
-Kaur, por me besë!
Xhandari e shikoi ngultas Sefen, heshti dhe iu afrua xhandarëve të tjerë. Seç bisedoi me ta me zë të ulët. Pas pak, erdhi e u foli të gjithëve me inat:
-Ikni, ikni! Thyeni qafën!

II
Grykën e Tepelenës, përfund mureve të Kalasë së Ali Pashës, karvani e kaloi qetë.
Ishin ende orët e para të mëngjesit dhe jo, veç që dielli s’kishte filluar të nxehet, po edhe nga lugina vinte një puhizë e lehtë dhe sa më s’bëhej e ëmbël.
-Po na shkoi mbarë, drekën do ta hamë në Virua, nën Gjirokatër! Eshtë mirë atje!- u tha udhëtarëve qiraxhiu.
-Ty të kemi të parë këtu e ti e di ç’bën!- ia ktheu Peçi.
Xha Lazëmit nuk i pëlqente ta lëvdoje, ndaj nuk i dha përgjigje Peçit. U koll nja dy herë dhe priu përpara pa folur.
Sa e lanë Tepelenën pas dhe dolën te Uji i Ftohtë, ai u ndal, i zbriti kalit dhe e ngriti zërin:
-Do ta bëjmë një shplodhje të shkurtër këtu, si thoni?
-E bëjmë, ore, poqysh!- iu përgjigjën udhëtarët gati me një gojë.
-Mos harroni të mbushni paguret, se s’kemi më ujë si ky përpara! Bëjnë edhe kafe në atë ngrehinën e vogël më të mëngjër! Edhe çorbë kanë, edhe paça, edhe mish të pjekur! Dëgjuat? Shkoni në daçi! Hani ndonjë gjë, po shpejt ama!
Ishte një vend i bukur shumë. Me hije e me fresk që ç’të thoshje! Degët e gjera të rrepeve të moçëm frynin për lezet. Fresku të shtynte të merrje frymë pa u ngopur. Hija e madhe-e madhe, sa edhe një tabor të tërë ushtarësh e përfshinte. Në një anë- fëshfëritja e gjetheve, në anën tjetër- gurgullima e ujit të akullt e të kulluar qelq, që lëshohej vrundull nga sipër! Lëre-lëre, të qepej goja nga magjepsja!
Peçi u shmpi, hapi krahët dhe e thithi ajrin me gjithë gjoks.
“O Zot, kur të më vijë ora, te ky vend më bjer të më dalë shpirti!”- tha nëpër dhëmbë. E hodhi kasketën në një breg të vogël me bar jeshil, flaku dhe xhaketën përmbi të dhe s’u përmbajt. U turr me vrap si djalë i ri, dhe e futi zverkun te rrjedha e furrishme nën lugjet e drunjta.
Sefja e Sifi s’ia ndanin sytë dhe qeshnin. Edhe ata ndiheshin jo më pak të gëzuar, për më shumë se, siç kishte thënë xha Lazëmi në vakt dreke do të kishin në sy Gjirokastrën e Çerçiz Topullit.
-Ku e ke atë?
-Në gji, o Sefe, në gji e kam!
-Vëre prapë nën samar, se s’u dihet këtyre anëve!
Sefe Lara kalonte andej për së pari herë dhe kundronte me afsh gjithçka përreth, pyjet, malet, luginat… Pas një çasti, e pyeti Sifin -A nuk të duket edhe ty ajo gryka e lumit si e Gjorovenit?
-E, ngjan një çik vërtetë, por është më e mbledhur, më e thellë, më me shumë ujë dhe me pemë më të larta brigjeve.
-E marr vesh, e marr. Po për Kalanë e Aliut ç’thua?
-E madhe, e lartë! Ta merr mendja.
-Po jona?
-O lëre! Ç’e zë në gojë! Ajo ha bukë veç! Botën të bredhësh, s’e gjen.!
-Edhe unë ashtu kam dëgjuar…Po sikur të vemi ta provojmë atë çorbën te ai konaku?
-Kam hall se mos prishim urine e drekës!
-E po, shkojmë e pimë nga një kafe! Hajt, tymi t’i dalë!
…Sa vunë kafen në buzë, qiraxhiu thirri:
-Mblidhuni, ore, se do të ikim!
Sefja doli në prag me filxhanin në dorë.
-Ja, edhe një çikë, o xha Lazëm, se na dogji buzët kjo! Apo ta lëmë fare?
-Jo, jo, pijeni rehat, se s’përmbyset bota!
Sjellja dashamirëse e qiraxhiut i nxitoi edhe më ata të dy. U dukën sakaq, tek dolën, u lëshuan drejt kuajve e u kërcyen sipër.
Xha Lazëmi s’u bëri zë. U vu ne krye dhe e ngau kalin e tij përpara.
…Karvani zhvendosej pa zhurmë drejt Gjirokastrës, diku nëpër udhë të ngushta me zhurina, a me dhe të ngjeshur, e diku- në vede të hapura me gurë e me pellgje të cekët, prej ujërave që vinin nga rrjedhat e bregoreve.
Herë-herë dëgjoheshin rrahjet e patkonjëve, shkrofëtima e ndonjë kali të karvanit, cicërimat e zogjëve fluturakë e të mëllenjave në zabele dhe krakërimat e sorrave të egra.
Kuajt ecnin urtë njëri pas tjetrit. T’i shikoje së largu, të jepnin shëmbëllimin e një gjëje të gjallë e të gjatë me një shpirt, që dridhej e nxirrte bark, sa aty-këtu, duke përshkuar udhën e ngushtë, ku me kurrize e ku me tatëpjeta të buta.
Udhëtimi po shkonte pa u penguar e pa të papritura. Me ç’dukej do ta arrinin dosdo Viruan në vakt dreke.
Peçi tani kalëronte në mes të Sifit e të Sefes. Syrin e kishte pishë e jo të përgjumur. Qendronte si kalli mbi samar dhe, bëj e ç’bëj, e hidhte ndonjë fjalë, sa te Sifi e sa te Sefja. Ishte në qejf dhe e donte pak muhabet. S’i vije dot faj. Thoshje se ashtu ngulte këmbë t’i bindte ata që as i vinte mendja për gjumë. Ta hiqnin merakun se mos rrëzohej nga kali si të djeshmen.
…Tashti kishin në të djathtë dy kodra të gjelbëruara përballë njera-tjetrës. Rrëzës së tyre niste udha për Kardhiq. Çdo gjë po shkonte mirë e bukur. Udhëtarët ndiheshin ende të freskët, ndonëse kishin lënë prapa goxha rrugë. Siç thoshte qiraxhiu, pas ndonja dy-tre orësh, do t’ua kapte syri Gjirokastrën si në pllëmbë të dorës.
-Të kënaqka jeshili i këtyre kodrinave- i tha Sefja Peçit. Të ketë lepuj e dhelpra këtej?
-Ka, ore, poqysh! Sa të duash! Veç ujq të mos ketë, thuaj! Atyre kush ua bën hallin!
-Ç’punë kanë ujqërit në behar kaq afër rrugës!?
-Për ujqërit me dy këmbë them, jo për ata me katër!
-Të paska zënë frika, më duket, or Peçi!
-Jo, hiç! Gjersa jam me ju, as që trembem fare, por që ta dish, të thashë! Se i njoh mirë unë ç’vende janë këto!
I kam kaluar edhe herë tjetër
Fjalët e Peçit sikur zgjuan shejtanin që flinte! Befas, nga ca gëmusha, u degjua një gërthitje:
_ -Qendroni tek jeni, more! Ju kam vënë në si me kobure të gjithëve!
O t’jua krej trutë në shesh, po lëvizët!
Xha Lazëmi ia tërhoqi frerin kalit dhe bëri t’i zbriste, po s’arriti
Zëri i egër prapë sokëlliu.
-Mos xërmo nga kali ti, more, plaku stafidhe, se të ikën koka, dëgjove? Nuku qesh u’, po çë thom e bëjte!
-Si zë i njohur ky!- tha Sifi.
-Eshtë ai i mbrëmshmi, i mushkës qorre!-ia ktheu Sefja, teksa lunxhjoti thirri ashpër:
-Kreni nga xhepat ç’para kini, lëshojini në dhe, dhe thieni qafën, mos t’ju shoh më! Përndrishe, ju përlau vdekëla!
Qiraxhiu shikoi i ngrysur gëmushat dhe s’lëvizi. Po edhe udhëtarët heshtën e s’lëvizën.
Peçit i iku fytyra. Fryma sa s’iu pre. Ishte gati t’i lëshonte te këmbët e kalit nja tre-katër metelikë, po s’ia mbante të dilte përpara të tjerëve. I tha Sefes në vesh:
-Qenka i poshtër shumë! Ne e falëm, ai del e na zë pritë!
-Pritën e tij e përmjer unë! Se nuk është trim, po gjysmë bythe burrë! – iu përgjigj Sefja. S’bën nga ato që thotë! Por, na di si veten, prandaj kërkon të na shtjerë frikën! Ja shikomë mua tani!
Sefe Lara u hodh me vrull nga kali në tokë. Futi dorën në hejbenë e tagjisë, nxori revolverin me kurrizin kthyer gëmushave, e vuri në brez nën setër e filloi të ecte ballas, pa iu dridhur qerpiku, drejt lunxhjotit.
-Mos hidh asnjë çap nga u’, more, se ike si qeni në rrush!- uluriti lunxhjoti.
-Pa hë! Të shohim ç’burrë je!- ia ktheu Sefe Lara dhe nxitoi hapin.
Xha Lazëmi u shqetësua e i foli Sefes të kthehej, po ku e dëgjonte më ai!
Sifi nuk ndihej! Ishte i sigurt te Sefja. Kishte aq vjet komit. Nuk qe për t’u mësuar. Dinte ç’bënte.
-Ktheu pas, more, se o ta vërvis kokën në hava, të thaçë! Ktheu, more, mos më fut në gjinah!
Sefe Larës sikur nuk i vinin në veshë ato kërcënime.
-Ktheu, se o t’i thiej kokallat! A ke të vogjël në shtëpi, a nuku ke? S’të vjen keq t’i lënç udhëvet? O të t’i shqiejnë mishrat korbat e ulqërit, i nxiri ti!
Zëri i lunxhjotit tanimë sikur fërgëllinte! Sikur po fundosej. Tingëllonte si lutje e jo kërcënim!
Sefe Lara e hoqi revolverin nga brezi dhe e drejtoi nga gëmushat.
-Çohu e dil që aty, se s’të them dy herë!- dhe i hodhi edhe tre hapa përpara.
Lunxhjoti u ngrit dhe u duk i tëri në këmbë, duke u dridhur si purtekë. Varur në gishta mbante vërtetë një kobure.
-Aman, more, mos e përliej dorën me mua mavrinë, se nuku ka fishekë kjo imja. Shihe! E ndrishkur është!
Sefja nuk foli më. E vuri revolverin e vet nën setër, e kapi lunxhjotin nga zverku, e tërhoqi zvarrë dhe e çoi përpara karvanit.
-Ja, ky është trimi, që donte të na vriste! Ç’ti bëjmë?
-Ma bjer pak këtu!-ia ktheu qiraxhiu. E kur Sefe Lara ia çoi, ai ia nguli sytë e buzë-e-hundërrudhur lunxhjotit, ia mbështeti gishtin e madh në ballë, e shtyti tutje dhe shfryu. Këtë e ka vrarë Perëndia, duket!- tha- ia kanë çukitur trurin sorrat! Ikim, se u bëmë vonë!

III
Xha Lazëmi e priu karvanin në të djathtë e u ndal në ca hije. Kishin arritur në Virua. Ç’vend! Të linte gojëhapur! Me tërë ata drurë të gjelbëruar e sheshe me bar. Përpara- një si liqen i vogël, që vetëtinte nën diell. Ujëra të kulluara lëshoheshin nga bregoret e veshura me shkurre, mare e dafina dhe gurgullonin lehtë. Gjethet e pemëve fëshfërinin dhe flladi i ëmbël ta shtonte jetën.
-Një orë, do të rrimë këtu!- tha qiraxhiu- Ç’lodhuni dhe hani drekën! Në atë dyqanin atje keni plot gjëra! Tek po u jepte kuajve të pinin, atij ju qas një djalë nën të tridhjetat dhe i foli i ndrojtu:
-E mo, qiraxhi, ç’vete, mirë?
-Qysh do Zoti!
-Mos keshe gjë nja di vende për Janinë?
-Të shoh, pa të them! Prit një herë!
-Pres, mo, po çë, si nuku pres!
Si kaloi ndonja gjysmë ore, Xha Lazëmit iu afruan Sefja e Sifi.
-Hë, po shkoni? – i pyeti ai buzagaz, sa i vuri re. -Pas katër ditësh do të më keni prapë këtu! Por, në mbaruat punë më parë dhe gjeni me se ktheheni, mos më prisni!
-Mirë, xha Lazëm! Hajt, faleminderit shumë prej teje e pjekshim shëndoshë!
Ata, i dhanë dorën, e zunë në qafë, dhe filluan të përshendeteshin me të tjerët. Megjithëse kur ishin nisur, s’njiheshin fare, rruga e gjatë i kishte miqësuar. Po u vinte keq që ndaheshin. Prekëse ishte, sidomos, ndarja me Peçin. Ai i përqafoi të dy njëherësh dhe s’po shkulej dot prej tyre. Kur i lëshoi, sytë i qenë lagur.
-Nuk do t’ju harroj!- u tha- Ju më shpëtuat jetën! Po të isha rokullisur në atë rrëpirën, do ta kisha lënë kullotën përgjysmë! Ta dini se dua shumë t’ju pjek prapë, që të rrimë bashkë më nge! Te dyqani i kripës, nën Mangalem, pyesni për mua! Po erdhët, do të ma bëni zemrën mal!
-Do të vimë, or Peçi, se na përpoqi ylli me ty!- ia kthyen ata të qeshur dhe iu vunë në këmbë asaj cope rruge, që u kishte mbetur gjer atje lart, te sheshi i Gjirokastrës.
Ec e ec. Shpejt në sytë e tyre dha ballë kalaja.
Si një trup i rëndë përrallor, i gurtë, i lartë, e i stërmadh, me gjoksin e gjerë si një shpat gjigand i gdhendur me dorën e Zotit, e me kryet në tisin e reve të hirta.
Dhe kodrave-shtëpitë e mëdha strehëdala, me mure guri të bardhë, të skalitur, ngjeshur e ngjeshur në brinjë të njera-tjetrës, që nga majat e gjer poshtë, në rrafsh.
Me dritaret të plota e me kafaze si ato të Beratit.
Me çardakët gjithë lule e dritë e me çatitë e pjerrëta mbuluar me pllaka nga të malit.
Së sipërmi- e hirtë dhe e paqme Gjirokastra!
* Fragment nga romani, “Flaka e Shpresës.” i shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu,Nderi i Qarkut të Beratit./
DRIER
Tiranë 2012
*Pergatiti:Agim Xh. Dëshnica

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, Ramdan Pasmaciu, Shtegtimi i Karvanit

PËR ATË QË DUA(M)…

August 25, 2015 by dgreca

– Doli nga shtypi libri i “19 vjeçarit të përhershëm” Atjon Zhiti – “PËR ATË QË DUA(M)”/
Doli në qarkullim këto ditë në të gjitha libraritë libri i Atjonit Zhitit, me një titull të veçantë, të bukur dhe rinor ashtu si dhe vetë autori, “PËR ATË QË DUA(M)”, pra, për atë që ai do, por dhe gjithsecili nga ne dhe të gjithë së bashku.
Libri botohet nga “EUETPRESS” i Universitetit Europian të Tiranës dhe shpalos në mënyrën më origjinale ide dhe mendime dhe një realitetet i ninëzuar nga një 19 vjeçar plot me freski dhe endër dhe përkushtim të bukur. Janë 229 faqe me ese dhe statuse në fb, recensa, poezi e përkthime, etj, një pjesë të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporës deri matanë oqeanit në SHBA, por ka dhe shkrime që dalin për herë të parë, të gjitha të ruajtura nga e ëma e Atjonit, Eda, ndëkaq libri shoqërohet me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari, por dhe me një album fotografim, një si udhëtim me imazhe dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, së pari nga shoqet dhe shokët e tij, studentë e qytetarë, të njohur e të të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar, etj, etj, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi e Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja, etj, që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria, këtë rradhë të përndezuar nga Atjoni ynë…
Libri, i redaktuar kujdesshëm nga gazetarët e njohur Alfred Lela dhe Valbona Nathanaili, lexohet me ëndje, ka shqetësimet e Atjonit, mënçurinë studentore, ëndrrën për një të ardhme më të mirë, duke e pritur nga vetja, nga askush tjetër, madje me porosinë që jo të presësh, por të veprosh, gjithsecili me përkushtimin e tij, me aftësitë e veta, me mirësinë e bashkarisht, me përvojën kolektive dhe vegimet, sa kombëtare, po aq dhe europiane, për një Shqipëri normale, të bukur sa dhe ata që e duan, lashtësia e së cilës është rrënjë e sigurtë e së ardhmes…
Nga këtej duket i frymëzuar autori, që tani na frymëzon ne me librin e tij të parë. Libri i ngjan një bisede me Atjonin tonë, ka zërin e Tij, ka pasionin e Tij, ka rrugën e tij dhe dritën e Tij si një brerore qiellore…
Ka arkitekturën e duhur estetike, të tërheqe nga njëri kapitull në tjetrin, për sinqeritetin mahnitës, nga intimitetet fëminore deri në angazhimet sociale të një të riu, të tërheq po kaq për lëndën dhe frazën tekstuale, për kulturën që përçon dhe mesazhet e hapura e me rendësi. “Është testamenti i Atjonit për Shqipërinë, Ungjilli për të rinjtë, fari ndriçues i brezit të tij”, – thotë studiuesi dhe eseisti Eugjen Merlika.
Rrugën e Atjonit e ndërpreu qysh në nisje fati i zi. Ai u nda nga jeta 8 muaj më parë nga shkaku i një aksidenti rrugor. Motori, që e ngiste një moshatari i tij me shpejtësi te çmendur, u përplas tragjikisht me blloqet e betonit që bënin ndarjen e autostradës, në kohën kur ajo riparohej. Dhe ende drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj, nuk ka nxjerrë pergjegjësitë e duhura, teksa shkaktari i tragjedisë i shmanget përballjes, me justifikimin se “nuk mban mend asgjë”, kur ai tashmë ka hyrë në normalitet dhe e ka detyrë, të paktën njerëzore, jo vetëm ligjore, të rrëfejë nga e vërteta fatale. Të harrosh nuk do të thotë se e ke zhbërë atë që ka ndodhur, na i lë të nënkuptuar dhe parathënia e librit, ku kërkohet dhe ndërgjegje e lartë shoqërore.
Por realiteti ynë ngjan shpesh anormal, mizor, i prekur me dhëmbje dhe në esetë e veprës së Atjon Zhitit “Për atë që dua(m)…”, që ngajnë sikur gishtat dridhës prekin plagë me gjakimin e shërimit të tyre sa më parë e sa më mirë.
Libri i Atjon Zhitit na trondit jo vetëm për atë që është, për aq sa arriti të thoshte autori, por dhe sepse na jep boshin humneror të asaj që ai do të mund të ngrinte, vegimin e asaj që do të donte të shkrunate e të bënte ky autor i ri e i talentuar, i ndëprerë tragjikisht, kur sapo nisi.
Libri për koinçidencë del tani, ku autori do të mbushte 20 vjeç. Buzëqeshja e tij, thotë në libër njëri nga shokët e Atjonit, ishte mjeti me të cilin donte të ndryshonte botën.

Përgatitësi

Filed Under: LETERSI Tagged With: “PËR ATË QË DUA(M)”/, libri i “19 vjeçarit të përhershëm” Atjon Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 275
  • 276
  • 277
  • 278
  • 279
  • …
  • 294
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT