• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Liridoniada”

February 6, 2016 by dgreca

NGA Ukshin MORINA*/
… 14 Shtator, 2010/
Udhën nga Prishtina deri në Gjakovë e bëri me autobuzin e linjës, ndërsa pjesën tjetër me një furgon, që e la disa kilometra larg vendlindjes. Ai vazhdonte i vetmuar rrugën po ashtu si dikur nën mbretërinë e heshtjes duke u ngjitur thikshëm grykave të malit, prej nga vinte jehona dhe uturima e erës, që frynte pa ndalim. Ishte pikërisht ai, Gjenerali. Po kthehej me një valixhe të vogël në dorë, brenda së cilës kishte kursimet e tij. Ishte pikërisht ai, po ajo siluetë.Fytyra dukej sikur i përshkohej nga një dhembje e kahershme.Mënyra se si ecte të bënte të mendoje për një shtegtar të humbur.Në shpirtin e tij përshkonte ndjenja dhe keqardhja e pamatë, që mund t’i sillnin situata të papritura.Buzëqeshi i pikëlluar duke shkundur pantallonat nga pluhuri i shtegut.
“A thua Besarta… Eh, budalla! Po sikur…? Nuk e di, ka kaluar shumë kohë, por gjithsesi ajo më do, – pohoi vetmevete duke ndaluar hapin, ndërsa kapërcente majën e një mali. “Ajo për mua ishte gjithçka, – vazhdoi ai i përhumbur si kurrë më parë. – Ajo për mua ishte gëzimi, ama nga ai më i papërmbajtshmi. Ishte gëzim për shpirtin tim, çlodhje për zemrën, ngaqë mendimi për të më mbush me mall dhe fle mbi trupin tim pa pushim. Të falenderoj, moj e shtrenjta ime, për gjithë dashurinë që më ke dhuruar.Ndihem i lumtur, kur përfytyroj gëzimin e saj pranë meje.Asgjë s’më ka shpëtuar, asgjë s’më ka humbur nga kujtesa, çdo gjë kujtoj, edhe pse të tjerët më lanë në harrim. Oh, moj Besarta, kërkoj ndjesë për gabimet dhe t’i puth sytë, që i lash të përlotur për kaq vite. Rrugët e mia në Gjermani ishin të mbushura me kujtimet e tua, që si lak në fyt më mbanin shtrënguar, të palëvizur.Atje prej së largu mbytesha nga dashuria e malli.Në zemrën time të dërrmuar flinte e vërteta.Sa herë që u shkoja rrotull ëndrrave të mia, shpirti më ndalonte pikërisht aty si unë mbi ty. Fuqishëm shkrehesha mbi to si shtegtari i lodhur në lëndinë, poshtë një rrapi ndanë udhës.Mendimi për ty mbetej i pavdekshëm, ndërsa veprimi më kishte paralizuar trupin në një mekanizëm të palëvizshëm.Gjithfarë mendimesh më vinin në mendje.Ato nuk rronin më shumë se një lule e çelur herët në mëngjes, që vyshkej me të rënë dielli.Sa herë që ndodhesha pranë pasqyrës, mallkoja fytyrën. Kjo shpërfillje nxirosëse ishte burimi i çdo shqetësimi, që më vinte prej saj. Tragjizmi që shfaqej aty, më mbyste dëshirën për të ëndërruar kthimin tim. Si ta them unë i mjeri, kisha humbur gjithçka në jetën time dhe mendimi se dikush me shpirt kishte mbetur pranë meje, më mbytej në çast. Për sa e njoha Gjermaninë, s’ndiej ndonjë dëshirë për të qëndruar atje, ndaj vendosa të kthehem në folezën time, edhe sikur shpirti të më dergjet aty. E tash kur jeta ime s’po njeh as fillim e as fund, me kujtohen ditët e tua më të lumtura.Mbrëmjet e tua të mbushura me përkujdesjen e fëmijëve, kur shtriheshe e brengosur dhe e lodhur nga meraku i tyre, ecejaket dhe fëshfërima e këmbëve në dysheme. Të gjitha këto ma ndezin shpirtin, sa diçka nis e vajton brenda meje. Zemra ime, e dashur, nuk është prej guri, ajo nuk do të harrojë se unazën e parë e kam prej teje. Nuk e di si do të jetë bota e saj tani.”
Kështu mendonte Gjenerali, teksa vazhdonte rrugën, e cila zgjatej përmes një pylli të dendur.Në dalje të rrugës, atje ku shtegu pritej në kryqëzim rrëzë kodrës, shquhej një grumbull dheu i kuq, në fundin e të cilit dukej qartë një gur i madh, në faqen e të cilit reflektonin rrezet e purpurta të diellit në prarim.Dikush kishte vdekur dhe ishte varrosur aty.“Kush mund të jetë vallë? Sa mirë të vdesësh në një vend të tillë, pa fjalime pompoze e pa përmendore, krejt paqësisht, veç një qivur të gurtë të ngulur mbi kokën e të vdekurit dhe ngushëllimet e një vetmitari të humbur.”
Përjetoi një topitje të thellë, rrjedha e së cilës sa mund e tërhiqte pas. Në mendje iu ngjallën kujtimet e së shkuarës, pikërisht atëhere kur s’ishte më në gjendje t’i frenonte gëzimet e dhembjet e tij. Kujtime të fshehta, të mbushura, që flisnin për një jetë të egër e të hidhur, për atë dhembje që e ndoqi në moshën më të mirë. Një pështjellim i pashpjegueshëm vegimesh dyzoheshin në mendjen e tij dhe mezi kuptoi se ishte pikërisht vetë që po hartonte një histori. Për disa minuta ndaloi aty duke menduar se fare lehtë edhe mund të ishte varri tij. Gjenerali vështroi i trembur hijen, e cila zgjatej më shumë se zakonisht në shteg.Zgjati kokën dhe pa rrugën që të çonte tutje horizontit, shumë larg prej aty ku ishte. I binte të ecte edhe dy orë në këmbë. Rruga mori tashmë ngjyrën e murrme, ndërsa shpatinat ende e ruanin hijen ngjyrë vjollcë. Majat e zhveshura, të mbushura me bar të ngjeshur, ndriçonin ende nga reflektimi i diellit.
Ndërsa vazhdonte të ndiqte rrugën, përpara iu shfaq një ngrehinë e çrregullt, e cila dukej krejt e rrënuar dhe e shkretë. Gjenerali provoi të rrahurat e forta në zemër, ngaqë ajo shkreti përfaqësonte fshatin e tij fisnik.U ndal dhe mori frymë thellë. Po digjej nga dëshira kur pa që ndodhej në fund të fshatit të tij. Ndjeu aromën e vendit të vet dhe sikur shpirti i tij u mbush me fatkeqësi. Dielli që digjte rrugët, ia kishte pjekur lëkurën; trishtimi i thellë që ishte pasqyruar në tipare, lëshonte hije në ballin e tij. Një pamje e tillë tregonte për aq vuajtje, sa, kur e shihje atë fytyrë, ku mjerimi dhe fatkeqësia kishte pllakosur gjurmët, të ngjallte një ndjenjë mëshire. Gjenerali ishte nga ata njerëz shpirtmëdhenj, të cilët mund ta mbanin të fshehur vuajtjen.U ndal dhe ndjeu t’i merrej fryma.
“Ndoshta Besarta s’jeton.Ndoshta fati e ka shpëtuar dhe mendon për një mijë mjerimet e jetës. Kush e di se çfarë fsheh enigma në shtejllën e kësaj nate të frikshme. Ndoshta perëndia ka mëshirë për njerëzit e thjeshtë dhe shpresa e tyre ndriçohet gjithnjë nga zemrat e fuqishme që mbahen në kulm të dëshpërimit.Sa qetësi! Sa kohë e bukur! As erë nuk fryn. Me sa duket, për shpirtin tim vetëm nata është mëshiruese. Si unë, ashtu dhe ajo pashitemi me t’u errur.Atentati kundër mendimit është një krim kundër shpirtit.Vdekja e Sokratit rëndon ende në ndërgjegjen e njerëzimit dhe mallkimi i çifutëve ndoshta s’ka tjetër domethënie. Ata kryqëzuan njeriun-fjalë, deshën të vrisnin zotin, – kujtoi Gjenerali një thënie të Gustave Flaubert-it duke u ngritur. – Nuk mund ta besoj se ti jeton, moj Besarta, por këto mendime nuk mund t’i çrrënjos nga korja e mendjes sime. Gjithmonë ky mendim ndjellakeq më mbante shtrënguar pas vetes e prej gjithë kësaj më buron vuajtja e dhembja, e cila sa mund ushqehen prej kujtimit.”
Pamja e atij vendi ia shpoi si me thikë zemrën. Gjenerali sosi aty nga ora një pas mesnate në fshatin e tij, veshur me një kostum të zi, zbardhur nga pluhuri. Këpucët e shtrembëruara tregonin qartë udhën e tij të lodhshme.E ndjeu trishtimin dhe vetminë e tij.Dhembjet ngritën kokë dhe u bënë më të fuqishme se ndonjëherë më parë.Shikoi rreth e rrotull.Vazhdoi të ecte dhe u fut në mes të fshatit.Zhurmat e hapave të tij përziheshin me lehjet e qenve pas avllive, që kërkonin t’i suleshin në zverk.Sa më shumë afrohej, aq më tepër ankthi vazhdonte ta gërryente. “O zot! Më duket sikur trupi im ka vdekur dhe shpirti më është kthyer në një zog pa streh.Kaq i pafuqishëm e i mjerë ndihet shpirti im. O zot! Kam mbetur krejt vetëm.”Ndaloi pranë dyerve të veta. Qëndroi për disa kohë duke vështruar lulet dhe sythat e panumërta midis qiellit dhe tokës. E mahnitshme kjo panoramë e heshtur nën dritën e magjishme të hënës.Ndaloi sërish për pak çaste prapa derës dhe u mundua të kapte ndonjë zhurmë në mesin e asaj qetësie natyre. Këmbët iu këputën dhe trupi iu derdh përdhe. U përpoq t’i thërriste dikujt, po kujt? “A s’më kanë vdekur të gjithë? Mos Besarta është … O zot!”
Si një shtegtar i rrahur nga lodhja, u përpoq të mblidhte fuqitë e veta, por sërish s’mundi të ngrihej dot.Qëndroi ashtu për disa minuta, derisa më në fund kuptoi se kjo ishte rruga, pas së cilës nuk duhej të shqitej.U ngrit duke u mbështetur mbi gjunjët që i dridheshin si puterka dhe vështroi përmallshëm me sytë e tij lotues vendin ku ishte ndarë për herë të fundit nga Besarta.
Ashtu me shpirt të vdekur shtyu derën e drunjtë dhe u fut në oborr.Muret e shtëpisë së djegur dukeshin ende të nxira. Ishte një shtëpi e vogël me mure shtufi, me strehëza, që zgjateshin duke i dhënë pamjen e një stani bjeshke. “Thua kanë kaluar vërtet gjithë ato vite apo e gjitha kjo është një iluzion i këtij çasti të trembur.”Gjenerali psherëtiu thellë dhe fërkoi kokën me duar duke kujtuar vitet e humbura.U afrua dhe u mbështet mbi trungun e manit të vjetër.Rrënjët e tij dukeshin më të dala dhe më të nxira nga myshku nën reflektimin e hënës. Gjithçka si më parë: përroi mërmërues, livadhi që shtrihej nën syprinën e hënës ku luante Liridoni, Bleta e Vesa, ishte si më parë. Mendoi për një çast t’i thërriste Liridonit, edhe pse ishte i sigurt që kishte vdekur, por ndaloi këputshëm i mbytur në lot.Gjithçka që shihte syri i tij, dukej e shkretë. Vazhdoi ecjen sa mund e lejonte nata, që kishte pushtuar vendin. Iu bë sikur koha u kthye pas. Hidhërimi dhe ndarja me familjen po ia merrnin shpirtin. Malli për shtëpinë e vendlindjen, ndrojtja se jeta mund t’i sillte çdo të papritur, mallëngjimi tek përshëndeste në natën me shi Besartën, ia mbushnin vërtet zbrazësirën plot me jetë, edhe pse mbi të gjitha këto flinte ndjesia e një shqetësimi ndjellakeq për diçka mizore. Por, ja që fatmirësisht s’ishte e thënë të ndodhte ashtu. Koha ecën, jeta po ashtu gëlon në udhën e gjatë, regëtima e saj përpëlitet dhe rreket përherë e më shpejt, saqë furinë e saj s’mund ta frenosh, qoftë edhe vetëm për një çast.Më kot mundohesh të hedhësh vështrimin pas. Çdo gjë lind, nis, vazhdon nën ndriçimin e diellit dhe perëndon në terrin e natës për të rilindur ndryshe nesër; gjithçka lëviz me ritmin e kohës, në ingranazhet e së cilës kronometrohet jeta e çdo njeriu në planet. Pa dashur, veten e shikon shumë shpejt të tërhequr pas kësaj makinerie të kurdisur, pa ditur që pak ditë më parë ke qënë dikush.
Fytyra e Gjeneralit ishte bërë dyll e verdhë, flokët të zbardhura, hapi i tij i plumbtë. Dukej sikur shtegu i tij kishte mbaruar e ishte këputur tani, edhe pse ende nuk kishte mbushur 55 vjeç. Ngriti kokën dhe pa Besartën me Liridonin që qanin mbi të.Kjo situatë e bëri Gjeneralin të qante me ngashërim si një fëmijë.Kur shpirti dhe trupi janë dërrmuar nga një luftë e gjatë dhe e përgjakshme, vjen vdekja ose sëmundja e pashërueshme, mirëpo fuqia e zemrës së madhe merr në çast forca të reja.
Besarta, kur mori vesh të keqen e madhe, që kishte ndodhur, u tret në fytyrë dhe briti:
– Oh, more Gjeneral! – dhe më pas u shemb aty krejt e vdekur. Fatkeqësia dhe morti që e përfshiu shpirtin e saj, e bëri më të kobshme dhe tepër fatkeqe.Rrokullisja e shpresave, që i kishte varur tek Gjenerali, ndryshuan kryekëput jetën e saj.Të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur këto dymbëdhjetë vjetët e fundit, e kishin dergjur e plakur aq shumë shpirtin e saj.Ajo ishte prej një dere fisnike dhe për rrjedhojë, edhe shpirtin e kishte të tillë.

* Pjesë nga romani “Liridoniada”- Kapitulli XIX

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Liridoniada”, Ukshin Morina

Katër poetë nga Ishujt Britanikë

February 4, 2016 by dgreca

Nga Iva Cipuri/
Lord Byron (George Gordon Byron), një nga poetët më të mëdhenj britanikë, lindi më 22 janar 1788 në Londër.
Gjatë udhëtimeve të tij të shumta, vizitoi edhe Shqipërinë (1809) dhe për këtë shkroi edhe në poemën e gjatë rrëfimtare, “Childe Harold’s Pilgrimage”, (“Shtegtimi i Çajld Haroldit”).
Vdiq më 19 prill 1824, (36 vjeç), në Missolonghi të Greqisë, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në Luftën e Pavarësisë së Greqisë nga Turqia.
Vargjet e mëposhtme i shkroi kur u largua nga Anglia për të mos u kthyer më kurrë.
Robert Browning (1812, Londër, Angli – 1889 Venecia, Itali), poet dhe dramaturg anglez, radhitet mes poetëve më të mëdhenj të periudhës Viktoriane.
Poezia e mëposhtme, “Takim natën”, është një nga poezitë e tij më të mirënjohura, shkruar gjatë kohës kur u dashurua me poeten e shquar angleze, 6 vjet më e madhe se ai, Elizabeth Barrett Browning, me të cilën u martua në vitin 1846.
Martesa dhe historia e tyre e dashurisë është një ndër romancat më të famshme në historinë e letërsisë botërore.
Thomas Moore (1779, Dublin, Irlandë – 1852, Bromham, Angli) ishte poet, këngëtar, kompozitor i shquar irlandez. Shpesh konsiderohet si Poeti Kombëtar i Irlandës.
Shumë kompozitorë të njohur, ndërmjet tyre edhe Robert Schumann dhe Hector Berlioz, kanë shkruar muzikë për poezitë e Thomas Moore.
John Keats (31 tetor 1795, Londër, Angli – 23 shkurt 1821, Romë, Itali) ishte një nga figurat kryesore të brezit të dytë të poetëve Romantikë anglezë, bashkë me Lord Byron dhe P.B. Shelley.
Megjithëse poezitë e tij nuk u pritën mirë nga kritikët sa ishte gjallë, (Keats vdiq kur ishte ende 25 vjeç), reputacioni i tij u rrit pas vdekjes dhe sot poezitë dhe letrat e tij janë nga më të njohurat dhe më të analizuarat në letërsinë angleze.

Lord Byron
( Një lamtumirë )
Ja një psherëtimë për ata që më duan,
Dhe një buzëqeshje për ata që m’ urrejnë;
E çfarëdo qielli të hapet mbi mua,
Ja një zemër për çdo fat në jetë.

Robert Browning
Takim natën
Deti i hirtë dhe toka e ftohtë;
Dhe hëna e verdhë, e brejtur;
Dhe valët e vogla që zgjohen
Në harqe drite e thërrmohen,
Tek çaj me varkë drejt gjirit të fjetur,
Dhe bashi puth rërën e ngrohtë.

Pastaj një milje plazh i freskët;
Tri fusha për tek fshat i fshehur;
Një gur mbi xham, fërkim i shpejtë
I fijes hollake të shkrepëses,
Dhe një zë i zjarrtë – i mekur,
Tek zemrat prekin njëra-tjetrën!

Thomas Moore
Jehona
Jehona i bën aq të dlira
Tingujt e muzikës,
Kur, trazuar nga fyelli a lira,
Zgjohet, dhe larg mbi rrëpira
I përgjigjet dritës.

Po Dashuria më t’hyjshme
Jehonat i rrit
Dhe më t’ëmbla nën drit’ yjesh,
Kur me tinguj lirash, fyejsh,
Këngët përsërit.

Kur zemr’ e djalit psherëtin
Me afsh të çiltër
Për miken, e zemr’e saj regëtin
Dhe psherëtimn’ e tij përtërin
Me afsh të rritur.

John Keats
Kënga e luledeles
Dielli me syrin e madh, të verdhë,
Aq shumë sa shoh unë, dot nuk sheh;
Dhe e argjendta, krenarja hënë,
Pas ndonjë reje mund t’ jetë zënë.

Dhe, ah, pranverë – pranverë,
Jetoj si një mbret përherë!
Shtrirë mbi barin e trazuar,
Përgjoj çdo vashëzë syshkruar.

Unë shoh ku askush s’guxon
Dhe vështroj ku askush s’vështron;
E kur nata mbi tokë përkulet,
Qengjat më këndojnë ninullën.

( Përkthyer në shqip nga Iva Cipuri )

Filed Under: LETERSI Tagged With: IVA CIPURI, KATËR POETË, nga Ishujt Britanikë

Mbresa nga vepra: “Françeskanët e mëdhaj”e autorit Át Zef Pllumi

February 3, 2016 by dgreca

“Françeskanët e Shqiperisë e kanë prej vetes pregjudicialen e atdhetarizmit dhe kundërshtarët e tyre nuk mund ta mohojnë veprën e dobishme që këta kanë zhvilluar per liri e unjisi të kombit”.
Faik Konica/
Nga KOLEC ÇEFA/
Jeta e njerëzve të mëdhaj e vepra e tyne të terheqin në rrugën e idealeve; jeta e virtytshme dhe pastërtia shpirtnore të tërheqin në rrugën e moralit; forca e karakterit e vuejtja per ta mbajtë të paperlyem atë, të terheqin në rrugën e së drejtes. Këtê hov shpirtnor shijon lexuesi, tue lexue veprën e Át Zef Pllumit “Françeskanët e mëdhaj”.
Nostalgji kujtimesh, episode bashkëjetese, copa jete e jetë idealistësh, ide e projekte martirësh personazhe, ndiesi vlerësimi e stime ia ngrohën zemrën fratit të persekutuem; ia ndezën mendjen e lodhun nga ndeshtrashat; ia forcuen dorën e pafuqishme e Pader Zefi shkruen per Imzot Vinçencin e ndiejshëm e të dashun që u shue në burgun e vuejtjeve e të dhimbjeve tue kërkue “Mehr Licht”; per Át Antonin që thonte: “Sulmet ma të mëdha popullit nuk ia bajnë anmiqtë, por veset”, e vetë hyni në Regjencë me sandale e kambëzbathë e doli nga Regjenca po me sandale e kambëzbathë; per Át Ambrozin per të cilin Justini në një autobiografi “ad simplicem usum” shkruente: “Mësuesi em, kolegu em, frati per zemër teme, ma i miri e ma i meçmi i Provincës… Kam shkue me pa aulën (ku ka dhanë mësim në Romë, K.Ç) e e kam puthë me nderim ku kishte mësue Dogmatikë…”; Át Justinin e paralizuem, por sistematik e me vullnet pune të palodhshëm që punoi me piskërr gjuhëtari per të zbulue visaret e gjuhës sonë; Át Marinin e butë e të dhimbshëm ndaj vuejtjeve njerëzore, por të fortë e të paperkulshëm ndaj dhunës komuniste; Pader Bernardinin e Pader Donatin, falë zellit të të cilëve sot shijojmë ajkën e folklorit tonë; Pader Palin, nyjë e pastër historike që na fali ditarin e vet objektiv e plot vertetësi ngjarjesh historike; Pader Benediktin, të palodhunin enciklopedist e Pader Gjon Shllakun e shkëndijave të gjenialitetit e mbi të gjitha: kolosët shpirtnorë e kulturorë të popullit tonë: Fishtën e Gjeçovin.
Këta françeskanë me zemër të madhe, mendje të ndritun e emën të paharrueshëm, jetuen në atë Kuvend shndërrue në burg ku dhuna u mundue të shuente shpirtin e dashunisë, ku mediokriteti vulgar desh të zhdukte ajkën e intelektualizmit shqiptar, ku antivlera desh të errësonte e të perlyente vlerën e njëmendtë e të shkatërronte atë vend ku idealet e verteta të binomit “Fe e Atdhe” lulëzuen perherë plot gjallní, freskí, fisnikërí.
Pader Zefi, i rritun ndër ta, na tregon, se ata françeskanë të thjeshtë e të vuejtun qenë etën të mëdhaj, etën të fesë, të kombit, të kulturës e të karakterit tonë; etën që ruejtën virtytet tradicionale; e ata etën nuk mund të vdesin, nuk mund të perlyhen, nuk mund të harrohen! Ata qenë “drita e krypa” e shoqnisë sonë shqiptare!
Kush i njohu, i deshi; kush i studioi, perfitoi; kush i shkoi mbrapa, u ba i dobishëm, sepse ata qenë idealet “Fe e Atdhe” me fjalë, me shembull, me jetë. Ata harxhuen tanë energjitë e veta njerëzore: forcën e virtyteve të tyne shpirtnore, forcën e dijeve të tyne, fitue me mund në universitetet ma të mira europiane, forcën e karakterit të tyne të pathyeshëm, të paperkulshëm, farkue gjatë një jete të vështirë, plot vuejtje e ndeshtrasha.
Autori i këtyne mbresave ka pasë fatin e bardhë të njohë mirë e të rrijë me: Pader Justinin, letrat e reliket e të cilit i ruen me dashuni e i shikon sa herë “kur vjen ma i thershëm malli me më trazue”; Pader Vitorin i cili i shkruente, në atë kohë, letër Justinit: “Çka të keshë, thueja Kolecit se ai di ku me më gjetë”; Pader Marin Sirdanin të cilit i fsheha librat në arkën e pajës së nanës; Pader Donatin që më fali dorëshkrime; Pader Franon që na thonte me nervozitet: “Shkolla juej (shtetnore) ka qitë nxanësit me flamur me pritë fashistat, shkolla jeme (ka qenë drejtor i shkollës së fretenve) nuk ka pranue me i nxjerrë”; Pader Benediktin, vepra e të cilit u muer në raftet e Degës së Punëve të Brendshme e u botue në emen të tjerakuj; Pader Agustinin e heshtun që vuente në shpirt martirizimin françeskan e Pader…, Pader…
Sa herë kaloi kah ai Kuvend, mendoj per ata virtyte që nuk u perlyen; per ata penda të papagueme që nuk rrëshqiten; per ata karaktere që nuk u thyen, e tham me vete:
Këtu kanë jetue françeskanët e mëdhaj!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kolec Cefa, Mbresa nga një veper e re: “Françeskanët e mëdhaj, t Át Zef Pllumi

DALAN LUZAJ DHE POEZIA E NXJERR NGA DHIMBJA NJERËZORE

February 3, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.Nëse lexon poezinë e autorit Dalan Luzaj nuk ke nevojë të vërtitesh rreth qëllimit për të cilën autori shkruan në vëllimin e fundit poetik:”’Vargje që udhëtojnë”.Poezia e nxjerr prej dhimbjes njerëzore është si mushti,produkti që del nga shtrydhja e rrushit që prodhon dhe të ëmblën verë. Poezia e autorit D.Luzajt dhe e krijuesve e të tjerë ,që kanë dalë të traumatizuar prej diktaturës së një shteti është dhimbje,pasqyrë e saj dhe nëse ajo nuk shfaq ndenja prej të cilës rrodhi nuk është në të vërtetë poezi. Unë e di se mjaftë prej strofave të poezisë së Dalan Luzaj janë ndjenjat e tij të lënduara, kur askush nuk ka mundur dot ta ndihmojë në kohët e trazuara .Shqipëria pas luftës së dytë botërore ishte protagoniste e një regjimi të ashpër klasor ku dhimbja njerëzore mori mjaftë nga jetët. Horizonti ishte një sistem i frikshëm i luftës së brendshëm dhe të jashtme. Dalan Luzi shprehet se pas këtij rrënimi,pra rrëzimi i mureve të diktaturës ,shpërthyen ndenjat emocionet, që u pasqyruan në veprime dhe dëshira të shprehuara gjithandej. Mes mijëra librash,krijimesh të zhanreve të ndryshme,si një pikë uji,rinisa të shkruaj edhe unë poezinë time të cilën pata nisur herët,por që u struk në thellësi të ndërgjegjes sime prej dukurisë më barbare,të ashtuquajturës:Lufta e klasave’,që çuditi botën.
Këto janë ndjenja, që ne të gjithë i kemi në jetë tonë diku ose në një tjetër çast . Në shumicën e herëve ne fshehin këto ndjenja dhe përpiqemi të bëjnë të dukemi sikur ne jemi të lumtur. Unë gjykoj se ne të gjithë mund të shohim këto se jetët tona janë bërë nga veprimet në jetën tonë. Mirë apo e keqe do të ndodhë. Pra si dhe qysh shqyrtohet që ju nuk hapët zemrat tuaja për të sëmurët dhe të varfrit dhe tu tregojmë se ne i kuptojmë problemet e tyre në këtë jetë. Dhimbje në jetën time në kohë është aq e thellë kjo më bën të ndihem sikur nuk mund të lëviz. Diktatura ishte në të vërtet një makinë e çmendur. Dhe emocionet, që sjell një poezi nuk është vetëm në lidhje me autorin,por kjo është një pjesë e të gjithë njerëzimit. Një koleksion e poezive origjinale që kanë të bëjnë me temën e dhimbjes është shkruar me aq pasion, në çdo fjalë dhe rimë. Dhimbshëm poezia nga poeti- që i cili kanë derdhur përvojën e tyre dhe formulohen çdo ndjenjë me një ndjenjë të thellë të mallit. Poezi për dhimbje ndodh kur zemra mund të konsumojnë më shumë dhimbjen, dhe poezi të tilla të dhimbshme bëhen kryevepra. Poezi për dhimbjen. Ajo ishte vetëm një plumb. Një plumb që ndryshoi gjithçka që e bëri tokën me lot në një mijë, milion lotët që rëshkasin menjëherë në mijëra zemrat të mbushur me pikëllimin të palodhshme. Duke përjetuar poezitë e ndjera të nxjerra nga vëllimi ’Vargje që udhëtojnë” të poetit shqiptaro-amerikan Dalan Luzajt po hedh disa fjalë poetike :Në detin e heshtjes, është një mbeturinë e së vërtetës se thelbi, mbretëron zemrën. Një luftë në heshtje të qëndrueshme, e një kujtim i vetëm, me një ndjenjë intensive. Qielli ka u kthye ngjyra ishte e kuqe; Megjithatë ndjenjat në zemrën time nuk janë të vdekura. Dielli është gati të rritet. Unë nuk mund të harroj ato sy të bukur,ngase edhe unë njeri isha dhe sytë kullosnin lehtë përmbi atë bukuri femërore. Unë kam qenë i fortë, siç kam menduar se kjo do të jetë. E vërteta nuk mund të çlirohet.E vërteta është lider i vetëm për të përkulesh para. Dhe lutu:I nderuar Zoti më ke mbajtur nga rreziku. Më ruante nga e keqja. Më mbaj nga mëkati i nderuar Zoti im,më vunë zjarrin në zemrën time. I nderuar Zoti im, kaloje frymën tënde në fytyrën time, më ruaj nga djalli,kështu që unë mund të bërtas në paqe.
2. Dalan Luzaj u formua si poet ,vetëm kur muret e herëta ranë në dhjetorin e rinisë. Poetët janë rebelë për një arsye kryesore, e cila është absolutisht thelbësore: është gjuha e tyre , më e rëndë se shpata dhe që vret më tepër se pushka.letrësia që kishte lexuar D.Luzaj dhe të tjerë ishin një farë soji me atë cfarë shkruante Vid,(Universiteti i Mariborit,Slloveni) se:Pas revolucionit të tetorit në Rusi, qeveria sovjetike ka filluar zbatimin e një ideologjie të re të quajtur “realizëm socialist” si standard zyrtar për artin dhe letërsinë. Sipas propagandës së re ideologjike, vepra letrare duhej të lartësoj përmirësimin e jetesës për shoqërinë komuniste në Bashkimin Sovjetik, për të rritur punëtorin e përbashkët duke paraqitur jetën e tij, të punës, dhe rekreacion si të admirueshme, si dhe për të paraqitur një pamje negative të mjerueshme nga jeta e punëtorëve dhe fshatarëve në vendet kapitaliste. Me fjalë të tjera, qëllimi i saj ishte për të edukuar njerëzit në qëllimet dhe kuptimin e komunizmit. Art i prodhuar sipas realizmit socialist është dashur të jetë realist, optimist, dhe heroik. Praktika e saj është shënuar me respektimin rigoroz ndaj doktrinës partiake dhe të teknikave konvencionale të realizmit. Nën udhëheqjen e Stalinit, shkrimtarët shërbyen si “inxhinierë të shpirtrave njerëzore” dhe romanet e prodhuara, tregime, artikuj, editorialeve, kritikat, dhe satirat brenda një kornize të kufizuar në të cilën ata u përpoqën ta lavdërojnë shoqërinë Sovjetik dhe socializmin. Kështu ngjau edhe te ne gjithsesi kjo ishte formulë për gjithë vendet që kishin aspiruar socializmin. Dalan Luzaj edhe por të kishte kërkuar të bëhej poet në atë kohë askush nuk do ta merrte parasysh ngase ai mund të shkruante të hiqte mënjan kohë të vyera dhe nga produkti i shpirtit të tij të prodhoheshin vlera të vërteta, që do të zhvillonin këtë impuls personal dhe emocional ,mirëpo ky produkt shpirtëror ,mund të merrej pothuajse në drejtim të kundërt ajo e një përdorimi krijues që të vuajnë vetë,nga produkti i tij si instrument i luftë së klasave,nga biografia e të atit ,një filozof me përmasa botërore dhe i vlerësuar nga president të disa shteteve. Ndonjëherë jeta vë njerëzit në situata ku zgjedhja është e qartë: ose për të jetuar në paqe me veten e tij, ose për të negociuar një jetë më të mirë kompromentuar me ndërgjegjen e tyre shkruan, Héctor R. Romero për Raúl Riveron. Edhe rasti i Dalan Luzaj ngjet duke zgjedhur si alternativë,do të flas koha edhe pse koha priti dhimbshëm më gjatë se kurrë për tu shfaqur si poet në moshën e tij të tretë një kohëzgjatje të tillë ka është gdhendur shkrimet në lëkurën e shpirtit, duke pritur shuarjen e diellit të Atlantidës në akujt e jugut. Vet autori për këtë periudhë shkruan:Kur komunizmi dha shpirt i sëmurë ne shtratin rus, ishte rrjedhoje edhe për lindjen e mbarë, që kanceri i kuq s gjeti me gjak te ushqehej gjer te ne. Pas këtij rrënimi, shpërthyen ndjenja e emocione që u pasqyruan ne veprime dhe ne dëshira te shprehura gjithandej.Mes mijëra librash, krijimesh te zhanreve te ndryshme, si një pike ujë, rinisa te shkruaj edhe unë poezinë time, të cilën e pata nisur herët, por qe u struk në thellësi të ndërgjegjes sime prej dukurisë me barbare, të ashtuquajturës “lufta e klasave”që çuditi boten.E fillova herët me shprese se do thosha fjalën me zjarrin e shpirtit, me bukurinë dhe sinqeritetin e çdo te riu, por koha tha diçka tjetër, qe shqiptaret s’do ta besojnë ne breza. Ëndërroja për qiell e drite, për fjalën e ndjenjës se kulluar, por zhgënjimi fshiu te gjithë të ardhmen time dhe bashke me jetën dhe atë grimce talenti qe priste te rritej. Pra edhe unë u shfaqa mes turmës se shkrimtareve për të thënë atë, që mund të thotë një zë i ndrydhur, mes kësaj stuhie dhe s “dihet se cili do te ketë forcën për ti qëndruar erozionit kohor, që është konkurrenca më e ashpër mes krijuesve. S ‘jane shprehjet e miqve dhe shokëve vlerat e një libri apo poezie, ato janë me tepër pengesa, qe te ndalin, vlera e vërtetë e një krijuesi do te duket vone, edhe kur te mos jemi ne.
Autori D.Luzaj shprehet se poetet e vërtetë janë shume pak, të privilegjuarit e Zotit, që koha është e pafuqishme për t i’ hedhur në harresën e saj. Dëshira është ndryshe, e vërteta është më e besueshmja, të tjerët do ti lexojnë poetët e vërtetë, kur stuhia do ti nxjerrë në anë dhe ata do të kenë te drejtën e jetës, pa mundur që tua heqë askush privilegjin që u dha Zoti.
Lidhur me kohë,frymëzimin e tij autori D.Luzaj thotë:Në qëndresa të veçanta, shpesh te çuditshme dhe tq pa besueshme, më ka gjetur muza dhe i kam marre mjaltin dehjes se saj, kam shkruar ndonjë varg i dashur lexues se erdhi dhe … nuk te vjen me!Jam i gëzuar dhe i privilegjuar kur më lexon lexuesi i çdo moshe, se pas leximit lind gjykimi dhe pas gjykimit bëhet vendimi në sallat më të bukura dhe të ndritshme, të shpirtit atje ku zemra dhe truri në njësinë hyjnore bëhet një dhe poeti qëndron apo flaket jashtë.
Bënë një ndarje të saktë autori kur shprehet rreth krijuesve të poezisë
Poetet janë dy grupe, te zemrës dhe te mendjes! Çdo grup ka vlerat e tij dhe simpatizantët e tij. Çdo gjë e thënë nga shpirti e ka te hapur rrugën për ne shpirt
te lexuesit, është e besueshme sepse është e vërtetë. Kam shkruar poezinë e ardhur, kurrë s ‘e kam kërkuar, se ajo as gjendet, as kapet. Kam shkruar poezinë e zemrës, jo të trurit që shpesh behet prozë poetike dhe e mërzitshme.
Është i vërtetë postulati se poezia është bija e parë bukurisë hyjnore dhe për të ngjitur do shkallë për atje duhet të gjesh të gjitha udhët por ato udhët e zemrës janë edhe ato udhë mistike.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dalan Luzaj, DHE POEZIA E NXJERR NGA, DHIMBJA NJERËZORE, Gezim Llojdia

Nëse poezia është një akt hyjnor…

February 2, 2016 by dgreca

Rreth antologjisë poetike të porsabotuar të Skënder Rusit/
Nga Shpend Sollaku Noé/
Pse duhet blerë antologjia e çmuar «Me vete kam gjithnjë një Evë»? Pse duhet patur në bibliotekën personale? Pse duhet lexuar vazhdimisht? Çfarë mund të bëjë ky poet për ju?
Shumë, shumë. Mundet edhe tʼju ndryshojë jetën.
Nëse poezia është një akt hyjnor, keni lexuar librin e një shenjtori: Shën Skënderi i Korçës. Në altarin e perëndive të artit për dashurinë Ai është patjetër përçori, shenjti kryesor, ikonës së të cilit i janë drejtuar e do tʼi drejtohen të dashuruarit dhe gjithë ata që banojnë në trevën e ndjenjave.
Gjeni gjithçka në këto fletë, që nga tiparet fillestare të një vegimi të brishtë në rrëzë të Moravës, deri tek shkrirja e plotë me të përhershmen, ku vetëm disa vargje vlejnë sa dhjetë «atynë»!
Vargu i tij është serum për shpirtra në agoni, ku edhe ai vetë është kryq dhe i kryqëzuar, ku ti si lexues je pjesë e asaj lëngate, ku të duket se ato fjalë i ke shkruar ti, ku je edhe qielli, edhe toka, edhe loti, edhe e qeshura e shpërthyer prej syve të këtij fëmije të marrëzisë.
Brenda të nëjtës poezi Shën Rusi është edhe klithmë e mprehtë dhe përqafim i heshtur. Tek ai dashuria është totale, mbitokësore dhe e nëndheshme: ajo eshtë dashuri për jetën dhe vdekjen; është hingëlllima e një kali që krijon ylberët, është fjetja në një shtrat me motrën e diellit, atje ku tradhëtonin si të ishin Eseninë, ku të vdekurit shkojnë me natën për të fjetur, duke e lënë jashtë porte, si për tʼi thënë që u duhet si uji të gjallëve. Për tʼu kthyer sa më shpejt atje, në botën-Korçë të lindur nga puthjet.
Pse duhet lexuar patjetër ky libër? Sepse pa të, të gjithë ju do të jeni më të varfër në ndjenja, më të paaftë për të dashuruar.
Sepse këto janë vargje të shkruara edhe për ata që nuk kanë studjuar kurrë teknika e truke të artit të fjalës. Sepse janë të kapshme, me dukje të thjeshta; por është një thjeshtësi e kërkuar, e studjuar dhe njëkohësisht spontane; një thjeshtësi që i jep peshë magjike edhe fjalës më të rëndomtë, asnjëherë banale dhe e përsëritur, që kthehet në shkollë të artit të poetrimit. Sepse tek ky shenjt i poezisë dashurore e rëndësishme është jo vetëm ajo që do të thotë, por edhe si do ta shprehë, që të mos e lodhë lexuesin, të mos e detyrojë tʼi flakë vargjet në një qoshe. Aq e punuar e peshuar dhe e ekuilibruar është kjo kapshmëri e poezisë, saqë çdo fjalë duket sikur ekziston vetëm brenda vargut të tij. Një varg i kristaltë, ku, nëse heq edhe një rrokje të vetme, gjithçka copëtohet në mijëra thërmija.
Është e tepërt tʼju bëj një listë banale të botimeve të këtij poeti: Ai është ngjizur në shtratin e Muzave, në ditën e festës së tyre madhore. Është e kotë tʼu theksoj se ku ka lindur, atdheu i tij është zjarri i të puthurës. Veç është e domosdoshme tʼju kujtoj se, kur shumëkujt mund edhe tʼi jetë zbehur boja e emrit në gjendjen civile, kur tʼi jetë sheshuar varri prej errozionit të harresës, Ai – Shën Skënder Rusi i Korçës – do të jetë në limfën e jetëve të ardhshme, si një dehje e këndshme, soundtrack i dashurive të përditshme.

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Nëse poezia është një akt hyjnor, Shpend Sollaku Noe', Skender Rusi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 275
  • 276
  • 277
  • 278
  • 279
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT