• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FASLLI HALITI”HAP” DOSJEN NE SOFREN E DIELLIT

February 20, 2016 by dgreca

NGA FASLLI  HALITI/

 F.Haliti, viz. S.Kamberi, Piktor i Popullit/

 DOSJA IME*/

Së pari preva bisedat intime me të,/

Pastaj pirjen e kafesë,

Pastaj këmbimin e cigareve,

Pastaj dhënien e dorës,

Pastaj fillova ta përshëndes ftohtë,

Më vonë ta përshëndes vetëm me kokë.

Tani,

S’i flas më.

Jo,  jo, unë s’e dija

Ai paska mbajtur shtëpinë

Paska rritur fëmijët me lakrat e mia.

Dosja ime në Degën e Brendshme

Poezitë e mia kokëqethura Brenda në të,

Si në një qeli

Me dritare

Verbuese,

Ovale,

Me çimento të akullt, gri,

Dosja ime e veshur

Me astarin kob

Të fatit tim,

Të zi…

Dosja ime paska qenë librezë kursimi

Për spiunët,

Për fuksat

E mi

Librezë e artë kursimi,

Me denoncime si dollarë, flori, …

1994

 *Kjo poezi ëështë marrë nga antologjia e klasës VIII, 1994.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Hap Dosjen, ne sofren e Diellit

Faslli Haliti Sjell në Sofrën Poetike të Diellit “POEZI DIMRI”…

February 18, 2016 by dgreca

POEZI DIMRI/

Foto- GABRIELE D’ANUNCIO  1863 –1938/

Gabriele D’Anuncio, d’Anuncio, (Peskara, 12 mars 1863 – Gardone Riviera, 1 mars 1938), ishte shkrimtar, poet, dramaturg, gazetar italian.

Është quajtur si “interpret i veçantë dhe i fundit i traditës më të qëndrueshme të poezisë italiane.

 BORA

Zbrit e qetë

o borë: dhe mbro

rrënjët dhe mugujt

që do të japin akoma

shumë bar për grigjat,

dhe bukë për njeriun.

Zbrit qetësisht, që lumenjtë

të ushqyer nga ti,në motin e ri

të rendin nëpër fushat e gjallëruara

si grigja të bindur.

JACQUES PREVERT – 1900 -1977

Jacques Prévert (Neuilly-sur-Seine, 4 shkurt, 1900 – Omonville-la-Petite, 11 Prill, 1977) ishte një poet francez dhe skenarist.

 NJERIU PREJ BORE

 Natës dimrore,

trokon njeriu i madh, i bardhë.

Është njeriu prej dëbore

me një çibuk prej druri,

njeriu i madh prej bore,

mardhur së ftohti.

Futet në kolibe

Pa trokitur,

për t’u ngrohur

ulet pranë sobës së skuqur

dhe zhduket sa hap e mbyll sytë

duke lënë vetëm çibukun

dhe kapelen e vjetër

mes një pellgu me ujë.

 ADA NEGRI POEZI

     1870 – 1945

Ada Negri (Lodi, 3 shkurt 1870 –Milano, 11 janar 1945) ishte një poeteshë e shkrimtare italiane. Ajo kujtohet edhe sepse ka qenë gruaja e parë dhe e vetme që do të pranohej në Akademinë e Italisë. 

BIE BORË

Mbi fusha dhe mbi rrugë;

e qetë e lehtë, ngadalë,

thekon bora gjer në muzg.

Vallëzojnë cuflat, laskrat e saj

në qiellin e gjërë e gazmor

qetohet mbi tokë e lodhur pastaj

në mijëra forma të palëvizshme, atje

mbi çatira dhe oxhakë,

mbi gurë varresh dhe kopshte, fle.

Gjithçka rrotull është e qetë;

mbyllur në një harresë të thellë

bota indiferente e heshtur nuk flet.

 Përktheu : Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti perkthime, Poezi Dimri

BOTA SHPIRTËRORE E POEZISË

February 18, 2016 by dgreca

Mbi vëllimin poetik “ Vallëzimi i Frymës” të Violeta Allmuçës/

Shkruan: Natasha LAKO/Ashtu si “Një degë e këputur” dhe “Jashtë kohës pa kujtesë”, poezia e Violeta Allmuçës dhe libri i saj “Vallëzimi i Frymës”, i sapo paraqitur para lexuesit ndjek një rrugë pa takim me poetë të tjerë.Kur jeton dhe ku jeton poezia e Allmuçës? Më vjen përnjëmend si një pyetje e madhe. Është një pyetje që i bëhet çdo krijuesi. Mund të gjendesh në poezi vetëm, si përpara një stacioni autobusi, ose treni, ose duke pritur si Godoja. Mundet. Mundet…

Përpjekja e njeriut për të mbetur i vetëm dhe për të rikrijuar botën sipas përjetimeve të tij vetjake, është një histori e gjatë, që në gadishullin e Ballkanit përpiqet të zbresë drejt kohëve pellazgjike, në kohën kur gjuha shqipe mbase zgjohej prej një ndërgjegjeje të lindur.

Por nuk është vetëm kjo gjuhë e bukur, që e zbret edhe poezinë e kësaj shkrimtareje atje ku, siç thotë ajo vetë, çdo njeri, ose vetëm një njeri i vetëm ”afër zemrës mban pikëmbështetjen e jetës brenda rrënjëve tërheqëse.”

Këto rrënjë mund të jenë gjuha e bekuar shqipe, të parët tanë, por edhe vetë vdekja. Pra, tipari i parë i poezisë së Allmuçës mbetet shtrirja e frymës në një hapësirë të pafundme. Kjo frymë prej poezisë shqipe më çon deri te Serembe dhe De Rada, ku më së miri bota kthehet në një të kaluar të shprishur, vigane dhe të përjetshme. Është kjo frymë që shtrihet gjithkund, madje që e tejkalon çastin, vrullin e kapërcimit në një trotuar tjetër, nga frika se të shtypin makinat, dhe alarmin e një ambulance. Në këtë poezi nuk ka kaq gjëra të befta, por gjuhë njerëzore si të shkruar një herë e mirë. Duhet të vijë poeti që t’i lexojë.

Kështu, poezia e Allmuçës, si poezia e sotme në përgjithësi, merr trajtat e një stalaktiti ose fosili, kësaj here jo të florës dhe të faunës së dikurshme, të dinozaurëve të zhdukur, por të shpirtit ose të frymës njerëzore, po aq qarkulluese si era, po aq të pasigurtë për të gjetur vendin për t’u ndalur. Ky shpirt, pavarësisht se tërhiqet edhe nga amshimi rrezëllitës, e kapërcen atë, gjithnjë pa asnjë mbështetje.

Pyetjet vijnë njëra pas tjetrës me radhë. Ne po i afrohemi shkencës së vrojtimit të më se padukshmes sonë dhe krijimi i ngjan këmbënguljes së ftohtë. A kemi nevojë për emocione dhe a mund të lindin emocionet nga këto udhëtime pa fund rreth e rreth asaj që kërkon të na shfaqë poezia?

Sigurisht që jemi në botën e qetësisë, pothuajse të heshtjes edhe në poezinë e kësaj autoreje.

Njeriu i saj ka mbetur i vetmuar, i shkëputur, qenie as vigane, as e vogël, thjesht vetëm qenie, në një botë ku “gjethja e dritës lind e verbër”. Por ja që lëvizja ka lindur vetiu, brenda kësaj hapësire të madhe, ku s’reshtemi të themi të paktën në mënyrën e hipotezave shkencore, se bota ka pasur në fillimet e veta ndoshta dhjetë dimensione.

Poetët kanë lindur t’i shprehin këso dimensionesh të fantazisë dhe jo të shkencës, të cilat sot nuk u duhen as konstruktorëve të banesave, as varrmihësve dhe as shefave të ministrive të territoreve, të cilët kanë për detyrë të hapin rrugët.

Violeta Allmuça, me poezinë dhe në qëndrimin e saj statik, nuk e di as vetë se si e ka krijuar lëvizjen dhe dimensionet. Por drita e saj lind e verbër, pikërisht ajo dritë që na bën të shohim. Kontrasti, e papritura vjen si një rrokullimë që rrëzon atë çfarë është ngritur deri në këtë çast, duke krijuar lëvizjen e madhe poetike.

Poeti ndoshta ka lindur që të transmetojë këtë stafetë të frymës që s’do të shihet dot dhe vargjet ndoshta janë thjesht vetëm ca gjurmë.

Shpesh thuhet se leximi i poezisë është zbehur dhe se këto përsiatje s’para u shkojnë përshtat vrulleve ose mullirit ku ke zënë radhën për të bluar jetën, që nga dyqani ku blen bukën deri te tregtia e bananeve ose e naftës. Njerëzve u pëlqen shurdhëria dhe vetmia.

Por ligjet tona shoqërore dhe natyrale, pavarësisht nga zbulimet e reja të ekzistencës materiale, uljeve ose ngritjeve të prodhimit, krizave ose nën krizave, nuk para e pranojnë shterpësinë. Sikur të mendohet për një çast se një komb i tërë nuk do të ketë më aftësinë e riprodhimit (të njeriut dhe të mallrave), do të stepej. Secili e përjashton veten nga shterpësia e plotë.

Atëherë lind një pyetje tjetër, e cila në fakt shpërfill muret e përkohshmërisë.

Çfarë do të ishte pa poezinë dhe rikrijimin e vazhdueshëm të fjalës, përpos koha e dinozaurëve të zhdukur, çfarë do të shihte bota nëpërmjet shterpësisë së krijimit? Me sa duket, një përgjigje vjen edhe me poezinë e Violeta Allmuçës, madje e gjithë poezia e saj është një përpjekje për t’i gjetur vetes një përgjigje. Kështu, në këtë vetmi të plotë, kur gjendet ende vetëm një njeri i vetëm në të gjithë botën, gjithçka, qoftë edhe kjo vetmi është po aq madhështore. Në botën e autores, “trupi digjet si tym”, por “fijet e barit bëjnë dashuri me tokën, nën velin hënor”.

Jo rastësisht tingëllon gjithnjë ndryshe poezia e saj nga një varg në tjetrin. Për hir të kësaj vetmie të përgjithshme, një emër, i nxjerrë nga bota femërore, kërkon rreth vetes pjesën e lirisë. Në këtë hapësirë pothuajse të zbrazët të njeriut të vetëm, shfaqet herë pas here njeriu i dytë, herë skelet dhe herë i gjallë, në një botë ku është shumë e vështirë të gjesh dhe të kuptosh lidhjet. Poetja, në poezinë “Pikëtakimi”, thotë:

Unë dhe ti

Në një pikëtakimi

Përse nuk i takojmë

Zemrat në atë pikë

Unë dhe ti

Rreth pemës tokësore

Lidhim këpucët

Nëpër udhët e kësaj bote

 Unë dhe ti

Rendim në prapahije

Ende nuk e dimë

Se çfarë kemi për të gjetur

Por, në këtë botë të ftohtë, në poezinë e saj digjen herë pas here edhe fijet e barit. Në këtë vetmi sublime dhe përpjekje për t’u shkrirë në pafundësi me tjetrin, ngrihet në një piedestal më vete, njësoj si emri i nënë Terezës, figura e nënës së paemër.

Ajo ndjek në largësi

Shpirttrazuar anijen

Vegimeve të harruara

Fluturave blu e yjeve

Me copëzat e shpresës

Dhe valët në breg qan

Batica e zbatica klith

Kur derdh lot të kripur

Më poshtë: Atje tej murit të dritës i shfaqet Ave Maria, dhe më tej: Fjala e ngjyrosur me liri shemb muret e botës / Eh, të gjallët njerëz i çliron vetëm dashuria.Autorja ka zbuluar klithmën e shkruar në historinë e botës duke e kthyer njësoj si fosilet e tjera. Domosdo pas këtij rishikimi kaq vetjak, lind edhe pyetja tjetër, e vetmisë, pasi poeti nuk është pothuaj askund pjesëmarrës, madje nuk i nevojitet edhe aq të thotë me të madhe se domosdoshmërisht i takon farës femërore. Kjo shkrimtare ka aftësinë ta kthejë edhe farën femërore në një forcë neutrale.Ne si shqiptarë nuk jemi mësuar edhe aq me çdo lloj neutraliteti, megjithëse kemi jetuar gjithmonë në një kryqëzim të kulturave të mrekullueshme dhe të ndryshme të botës. Ky lloj neutraliteti e bën poezinë e Allmuçës të mos i diferencojë edhe poezitë nga njëra-tjetra. Të gjitha poezitë qëndrojnë bashkë për të krijuar të tërën. Nuk mund të thuash se secila prej tyre mund të marrë me vete një jetë të plotë dhe të jetë mbështjellë me membranën e saj. Ka poetë që me çdo poezi krijojnë një botë më vete, ka poetë që një botë më vete e krijojnë të ndarë dhe të thyer në copë-copë reflektimesh, për të thënë se bota dhe njerëzimi është vetëm një. Jeta e secilit njësoj si e peshkut rrotullohet nga akuariumet në oqean.Poetja e mbyll vëllimin e saj më të ri “Vallëzimi i Frymës“ me poezinë “Trup dhe shpirt”, ku nuk i kujtohet asnjë dashuri pa dashuri.  Ende, siç thotë vetë në këtë pafundësi, dritat nuk janë ndezur të plota. Ajo shpreh njeriun e etur dhe të pashtershëm që frymon duke u endur pafund.Libri është një copëz, ku ndoshta çlodhet kjo frymë e një shkrimtareje të veçantë shqiptare me emrin Violeta Allmuça, e cila pas disa romaneve të sukseshëm i kthehet farës së saj poetike.

BIOGRAFIA

Violeta Allmuça, poete, romanciere, publiciste, kritike letrare u lind në Dibër. Studimet e larta për Gjuhë-Letërsi shqipe i përfundoi në Tiranë në vitin 1991. Pasioni i saj për letërsinë iu shfaq qysh herët. Vite me radhë shkruajti e botoi, poezi, tregime, ese dhe publicistikë. Librin e parë me poezi “Sytë e Natës” e publikoi në vitin 1994. Sipas kritikës letrare poezia e saj është e prekshme, vizionare në kuptimësinë e fjalës. Njihet si një profil i veçantë që afirmohet me vargun e shprehimësisë së nëntekstit e mendimit të thellë, i cili konvergon nga realja drejt tokësores. Poezitë e autores janë botuar në gjuhët, italisht, anglisht dhe spanjisht. Po ashtu është përfshirë në disa antologji ndëkombëtare me poezi.Modeli i saj më i mirë në publicistikë është realiteti në terren, ku ka spikatur me shkrime në gazetat e pavarura, sidomos gjatë luftës në Kosovë.

Aktualisht punon e jeton në Tiranë

Titujt e veprave të autores

“Sytë e Natës”, Poezi 1994

“Era e Pasionit”, roman 1995, Bestseller, ribotuar 1996, 1999, 2001, 2005

“Zonjusha në Mjegull”, roman, 1998

“Jetoj me Zjarrin”, Poezi, 2000

“Zë Gruaje”, publicistikë, 2002

“Julia”, roman, 2004

“Dashuria vjen nga Jugu”, roman, 2010, ribotuar 2012

“Vallëzimi i Frymës”, poezi, 2015

Libra në gjuhë të tjera

“Zë gruaje”, publicistikë, 2002, italisht, anglisht

“Vallëzimi i Frymës”, 2014, anglisht, SHBA

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: BOTA SHPIRTËRORE E POEZISË, Natasha Lako, Violeta Allmuca

SITJE LSASGUSHIANE

February 15, 2016 by dgreca

NGA FASLLI HALITI/

Breshëri shpon Liqenin,/
E bën shoshë atë./
Me shoshën gri/
Liqenore/
Unë shoshis/
Retë e zeza qiellore./

Nje vesë shiu i imët,/
Si niseshte/
Bie /
Nga/
Qielli/
Mbi të…/
Shiu i imët, i mët,
Si miliona gjilpëra të holla
Të sermëta, si fije mëndafshi,
Shpon sipërfaqen e kaltër të liqenit,
E bën liqenin një sit të imët, të imët, të imët…
Me sitën e imët, të liqenit Lasgushi sit mjegullat Mjegullat,
sit ai:
Sit e sit,
sit e sit,
sit e sit…
Tëhollë petët kaltërore të poezisë së tij çdo ditë,

Përjetësisht, përjetësisht, përjetësisht….

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Halti, SITJE LSASGUSHIANE

Dashuritë e njeriut-Cikël poetik nga Ilir LEVONJA

February 14, 2016 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

JEMI LARG/
e di që je larg/
që jam larg/
ma thotë tingulli në vesh/
që mezi e arrin borën e maleve të tu/
dhe zbrazëtia e këtij qyteti/
ku në këtë orë të mesditës/
endet e përditshmja me reshje shiu si kurora pemësh/
endem edhe unë nga njëra kabinë telefonike në tjetrën/
fryn shi e ftohtë/
ndërsa përpara shikoj pufet e së të bardhës në çatinë tënde/
duke të dëshiruar duke të shikuar se si kullohesh/
në një dritare sa shtegu ku kaluam dikur të dy/
dhe ndofta atje në qytetin tonë/
era e mesditës u rrëfen dy të dashurarve të tjerë
rriskun e ndarjes që mbahet pezull tek ca gjethe gështenjash
të kuqërremta si duar foshnjash kur luajnë me dritën
të mundin largësitë
të mos çapiten nëpër shtigje me kokën mënjanë
të ecin dorë për dore
në katër stinët
që janë edhe jeta e tyre

Mos ke frikë të thuash të dua/

Mos ke frikë të thuash të dua,
Nuk ka asgjë të gabuar, asgjë, asnjëherë.
Sikur edhe një minutë të jesh i dashuruar,
I thuaj të dua sot, nesër dhe përgjithnjë.
Mos ke frikë ta thuash se nuk gënjen,
Nuk mund të gënjesh kur dikush të pëlqen.
Edhe pse bajate mund të duken fjalët që thua,
Thuaje marrëzinë e bukur që ndodh një herë.
Mos ke frikë edhe pse mund të të thonë jo,
Të paktën asgjë nuk ka për të rënduar brenda teje.
Më mirë i refuzuar, nga një bukuri si ajo,
Se sa i refuzuar prej vetes tënde.
Mos ke frikë të duash, ndaj duaj
Atë që syri kap, atë që vështrimi ndjek.
Dhe asnjëherë mos ki frikë të thuash të dua,
Dhe mos u tremb të duash me gjithë mend.

Balancë /

Vjen një orë afër mbrëmjes
Kur ty të duket vetja si ai zogthi i vetmuar,
Mbështjellur sa një grusht frike,
Në një degë të hollë prej kërcelli
I bërë nga uji gjysmë i ngrirë;
I cili çast-më-çast mund edhe të thyhet.
Ndaj flakërojnë përtej dritares tënde
Horizontet e rrufeve si shtrigat e natës.
Dhe gjymi yt i ngjan fëmijës së trëmbur
Që luan nga sikleti lojën me tu fshehur.
Hej, dashuri, mos e nëm veten,
Duke ia kujtuar fatin sikur të jetë një portë
E cila për dikë hapet dhe për ty nuk hapet.
Duke menduar se mes njerëzve
Asnjëherë nuk ka balancim;
Për fate të njëllojta, për qetësi, siguri, etj.
Më kot torturohesh,
Më kot frigohesh.
Sy qeshur me një çarçaf të pastër,
Ashtu siç bënte e mira nënë,
Që për t’i ndjerë butësinë e
Afronte tek faqja,
Ndjeje edhe ti kurmin e trupit tim.
Avitju shtratit të mbrëmjes
Për të parë ëndrrën plotësuese,
Që në anën tjetër ma prishi mua mbarimi i natës.
Kështu do t’i themi njëri-tjetrit mirëmëngjes,
Kështu do t’i themi njëri-tjetrit natën e mirë.
Kështu edhe pse larg
Kapur dorë për dorë jemi. Se, a e di?
Nëse nuk pushon pylli,
Nuk ka se si të kulloj kurmin toka.
Sado skajesh,
Sado horizontesh,
Pa këto duar kapur,
Nuk ka natyrë të qetë.
Nuk ka as botë të balancuar,
As kthjelltësi planeti.

Kam diçka

Gjithmonë kam diçka për të thënë
Diçka – sapo ti ikën dhe unë ndihem kaq keq
Sikur ti kurr nuk ke për të ardhur;
Dal tek dera, por e zbrazët avullon rruga
Që nganjëherë më duket sikur do çahet
Dhe ti nuk do kesh mundësi për të ardhur;
Gjithmonë kam diçka për të thënë,
Qoftë darkë apo mesnatë e vonë,
Nxitoj të kthehem të të shoh fjetur;
Pa mundur të të them diçkanë,
Thjesht për qejfin e mëngjesit.
Po diçka tjetër mbetet prapë
Në fundin e filxhanit,
Dhe unë që dal turravrap
Tek dera, sikur ti kurrë s’ke për të ardhur.

U rritën pemët/

Atëhere ishin të vogla
Dhe rrugët dukeshin
Sikur do i shkonin botës
Deri në fund;
Dhe unë
Më për kollaj
E kisha.
Të të shihja
Që nga larg,
Sapo dilje
Tek porta nën pjergull,
Ishin motake pemët.
Sot janë bërë bulërimë,
Kaba,
Pyll,
Errësirë.
Ka humbur porta nën pjergull
Jeton një fërshëllimë.

Dashuritë e njeriut/
pak gjëra i duhen njeriut

një bibliotekë ku fle një libër i pashkruar akoma 

i patërhequr asnjëherë 

i palexuar po asnjëherë 

ai është edhe më i bukuri

pak gjëra na duhen

fare fare pak 

një qytet ku dikush ruan fshehtas ca letra dashurie 

kur dikush tjetër tërheq perden dhe pikohet në rrugë 

aty ku një i panjohur pret si statujë poshtë një peme 

atë që fle akoma dhe nuk zgjohet qëllimisht

dhe një tjetër 

një i pagjumë i radhës 

nga nata që vijon dërgon çmendurisht sms të zjarrta 

në kohën kur dikush tjetër 

e afron në jastëk një fytyrë 

dhe flenë bashkë 

bash atë çast jete kur dikush tjetër mori arratinë 

ashtu ngacalicur mbledhur nën jakën e palltos 

me zhurmë hapash të herta

të shpejta

ky qytet na duhet

ky që të bën të kthehesh hera herës 

edhe pse për dikë tjetër 

arsyeja e kthimit ka vlerën e qindarkës

por është një univers ndjenjash për ty 

pra qyteti yt

pak gjëra i duhen njëriut

aty midis memories 

emra me kohë rrugësh

dhe një dashuri e tillë si ajo

ajo që nuk ka ndodhur

ajo që është edhe e pamundur për tu rrëfyer

ajo e jotja

ajo është edhe më e bukura

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, Dashuritë e njeriut, nga Ilir LEVONJA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 273
  • 274
  • 275
  • 276
  • 277
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”
  • Heshtja e elitës intelektuale shqiptare: krizë e guximit, e institucioneve apo e besimit?
  • Dialogu Strategjik me SHBA-në dhe bllokada institucionale, Kosova nuk guxon ta humbë momentin strategjik
  • Tezat e kryeministrit…
  • Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut
  • 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐣𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐥𝐞𝐣𝐞̈ 𝐚𝐦𝐛𝐢𝐠𝐮𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈
  • Kandidate për Këshillin Bashkiak në Oshawa, Ontario, Kanada, Danjeza Danglli: ” Shqiptarët janë të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore”
  • Teoria Hegemonike e stabilitetit shoqëror dhe iluzioni i diversitetit social
  • Jeta e Shumëfishtë e Odisesë
  • DARDANUS ULPIANUS VËSHTRON ME KEQARDHJE NË BRUKSEL
  • Ultimatumi austro-hungarez dhe tërheqja serbe nga territoret e shtetit shqiptar në vitin 1913
  • Dëshmitë e Agimit Gjeografik: Iliria dhe Hapësira Shqiptare në hartografinë mitike të Antikitetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT