E FALENDEROJ Z-njën NEXHMIE HOXHA PËR INTERVISTEN HAXHIQAMILISTE
Shkruar nga Thanas L. GJIKA/
Në këto ditë të ftohta të shkurtit 2016, z-nja Nexhmie Hoxha, e veja e ish diktatorit tonë dha një intevistë, të cilën e quajti të fundit. Pas saj nuk duhet të presim më prej saj intervista e biseda, për të bërë ndonjë korrigjim a evoluim mendimesh. Kjo intervistë e saj duhet konsideruar si testamenti i saj. E pikërisht për faktin se ajo e la testamentin e saj duhet ta falenderojmë, mbasi ish pushtetarët që nuk lenë testament bëjnë një gabim fatal ndaj pasuesve puthadorë të tyre. I lenë këta në një gjendje të turbullt lidhur me qëndrimet që duhet të mbajnë ndaj dukurive të ndryshme politike e shoqërore në të ardhmen dhe kundërshtarëve nuk u japin material për t’i diskredituar.
Z-nja Nexhmie u tha pasuesve të PPSH-së, dhe simpatizantëve të saj, të cilët për fat të keq përbëjnë gjysmën e popullit shqiptar që jeton në atdhe, se Enver Hoxha si burrë shteti kreu vetëm trimërira e bëma të mira, duke jetuar me një rrogë me të cilën e mbyllte muajin me vështirësi. Se rroga e tij prej 16.000 lekësh, ishte në përputhje me porosinë e Leninit, vetëm dy herë e gjysëm më e lartë se ajo e punëtorit, etj. Ajo nuk tha asgjë lidhur me faktin se sistemi socialist dështoi me turp, sepse ishte i ngjizur që në embrion me kërkesa e porosi që ishin kundër natyrës njerëzore. Ajo nuk përmendi asnjë nga krimet e kohës së diktaturës komuniste, madje as nga ato të cilat i gatuante ajo me bashkëshortin e saj. Ajo bëri sikur nuk e dinte se fshatari që punonte në kooperativë merrte rreth 40 lekë për ditë pune, pra 16 herë më pak se diktatori, etj.
Demokratët duhet ta falenderojnë z-njën Nexhmie sepse ajo i la pasuesit e PPSH-së dhe besnikët e saj të çoroditur, mbasi mospranimi i asnjë kritike ndaj diktatorit e diktaturës, është përpjekje për ta kthyer Enver Hoxhën në një tabu të paprekshëm. Kurse sipas Katovicës, që ndiqte Ramiz Alia, diktatura e diktatori duheshin sharë, shaheshin e kritikoheshin gabime e krime të kryera. Pra autorja e testamentit bën hapa prapa në krahasim me rrugën që kishin ndjekur deri sot pasuesit e besnikët e PPSH-së. Me intervistën testament ajo, duke mos kërkuar të falur për krimet e kryera dhe duke mos u bërë thirrje pasuesve të saj për largim nga skena historike edhe mbas 25 vjet nga humbja e betejës, ajo po u le një trashëgim moral shumë të ulët pasuesve të hapur e të fshehur të PPSH-së, . Ajo po ngul këmbë në ruajtjen e mendësisë së vjetër tiranike dhe po kërkon ta maskojë të vërtetën me gënjeshtra, ashtu si kishte bërë në kohën e sundimit diktatorial.
Intervista e saj nuk është gjë tjetër veçse një kushtrim haxhiqamilist Dum Babën, Dum Babën! kur perandoria komuniste është përmbysur pa kthim dhe Enver Hoxha është mbuluar me një mal me krime tashmë të zbuluara e njohura botërisht. Kjo intervistë testament është një vulë turpi në ndërgjegjen e saj dhe të çdo shqiptari që do ta ndjekë atë…
TETË VJET PAVARËSI TË KOSOVËS
NGA HARRY BAJRAKTARI/
Tetë vjet më parë, më 17 Shkurt 2008, u shpall Pavarësia e Kosovës, që është ngjarja më e madhe historike e shqiptarëve pas Vlorës së vitit 1912. Me këtë mori fund robëria dhe shtypja e gjatë serbe mbi Kosovën dhe mbi shqiptarët. 17 Shkurti është kurorëzim i një ditë të madhe të historisë sonë, i përpjekjeve dhe luftërave të shumë brezave për liri e me vetësi në këtë pjesë të hapsirës shqiptare. Pavarësia, që u arrit me aq mund, gjak e sakrificë, i hapi rrugën Kosovës për krijimin e shtetit të së drejtës qytetare dhe demokracisë evropiane. Historia e shqiptarëve sot nuk është ajo që ka qenë, kjo ka ndryshuar shumë në këtë shekull dhe dita ditës po ndryshon në kuptimin e lëvizjes përpara. Në këtë periudhë kohore, përkundër problemeve të mëdha që ka pasur, Kosova ka arritur të bëjë një përparim të dukshëm në fusha të caktuar në ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë, por këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për një stabilitet më të qëndrueshëm të tij, e sidomos në zhvillimin ekonomik, ku problemet janë shfaqur në mënyrë shumë më të ashpër.
Pavarësia e Kosovës, për këto tetë vjet të shkuara, ka arritur të njihet nga më së 100 shtete të ndryshme të botës përballë pengesave të vazhdueshme të Beogradit dhe Moskës. Kjo ndoshta nuk ka plotësuar parashikimim tonë, por ne duhet të punojmë që nesër të kemi më shumë njohje dhe të bëhemi pjesë më e madhe e botës, anëtar të OKB. Tek ne egziston një vullnet i pa lëkundshëm për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me SHBA dhe me Bashkësinë Evropiane, që Kosovës, si shteti i ri t’ i mundësohet një ecje e drejtë dhe e sigurtë në integrimet e përgjithshme në komunitetin euro-atlantik.
Kosova mund të ecë përpara vetëm me një luftë të përbashkët, të ashpër e pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe në këtë kontekst të forcimit të gjyqësisë për ndëshkimin e këtyre krimeve. Kjo, pa dyshim është pika më e dobët e të gjitha qeveriveve për këto tetë vjet të shkuara të pavarësisë.
Kosova ka kapacitete shumë më të mëdha për hapjen e vendeve të reja të punës, dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, por këto mundësi kanë mbetur ende të pa shfrytëzuara.
Pavarësinë e Kosovës, përkatësisht shtetin tonë të ri, duhet ta çmojmë të gjithë së bashku, të kemi vullnet të ecim bashkë me të, ta duam se ky është atdheu ynë i përbashkët. Nëse këtë nuk e bëjmë, nëse këtë nuk e mbrojmë, nëse këtë nuk e ngrehem në vlera të njëmenda kombëtare , do të jemi përgjegjës para historisë dhe para gjithë botës shqiptare.
Në këtë përvjetor të tetë të pavarësisë, unë si shqiptaro-amerikan, dua t’ i falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për atë që bënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme që kemi për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit tonë të ri.
Urime të gjithëve përvejtorin e tetë të Pavarësisë së Kosovës!
Gëzuar!
Kongresisti amerikan Mike Turner vlerëson lartë progresin e Kosovës
-Mustafa: Populli i Kosovës i përcaktuar për vlerat demokratike perëndimore të përfaqësuara nga SHBA-të/
Prishtinë, 16 shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim kongresistin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner.
Kryeministri Mustafa, shprehu përcaktimin e palëkundshëm të popullit të Kosovës për vlerat demokratike perëndimore të përfaqësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e falënderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme të SHBA-ve, në të gjitha fazat.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa, e njoftoi për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe avancim të gjithanshëm të shtetndërtimit në Kosovë.
Kryeministri Mustafa foli edhe për avancimin e sektorit të sigurisë, me theks të posaçëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës si një forcë e konsoliduar dhe e gatshme për transformim në Forca të Armatosura të Kosovës.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa theksoi suksesin që po arrihet edhe në luftimin e radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke e njoftuar për masat konkrete të Qeverisë në këtë drejtim.
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë takimit, shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me SHBA-të, si përkrahësi më i madh i shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.
Kongresisti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner, e vlerësoi lartë progresin që është arritur në Kosovë gjatë viteve të fundit, duke e përgëzuar kryeministrin Mustafa për lidershipin e treguar nga Qeveria e Kosovës në proceset zhvillimore dhe demokratizuese në Kosovë./b.j/
SIGURIA DIGJITALE, INTELIGJENCA DHE POLITIKA E JASHTME
Nga Bahri Beqiri/
Zbulimet e informatorit të CIA-s, Edward Snowden kanë treguar se monitorimi i paarsyeshëm global dhe masiv i komunikimit digjital është shndërruar në biznes kryesor të shërbimeve inteligjente. Ky vëzhgim, i ashtuquajtur “strategjik”, i cili operon pothuajse në çdo vend, ka po ashtu edhe pasoja në politikën e jashtme dhe pjesërisht nuk është në përputhje me normat tradicionale dhe detyrimet ndërkombëtare të shteteve. Humbja e besueshmërisë ndaj politikës së jashtme mund të shmanget nëse ndaj shërbimeve inteligjente fuqizohet kontrolli parlamentar dhe misioni i tyre do të fokusohej prapë fuqishëm në mbledhjen e të dhënave dhe analizave të ngjarjeve që ndërlidhen. Përfundimisht, secili vend (shtet) duhet të shtrijë angazhimin e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut në hapësirën digjitale.
Më 18 dhjetor 2014, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, duke pasur parasysh vëzhgimin e paarsyeshëm masiv të komunikimit digjital në mbarë botën përmes shërbimeve te informimit, miratoi për herë të dytë një Rezolutë mbi të drejtat e mbrojtjes së privatësisë në epokën digjitale (Right to Privacy in the Digjital Age, A/RES/69/166; e paraprirë nga A/RES/69/167 e datës 18.12.2013). Përveç këtyre dy Rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme doli edhe një raport i Ekspertëve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut (Raport i Komisares së Lartë të Këshillit për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay, A/HRC/27/37, 30.6.2014).
Me rezolutat e saj të vitit 2013 dhe 2014, Bashkësia Ndërkombëtare ka konfirmuar unanimisht se të drejtat e njeriut duhet të zbatohen edhe në botën digjitale. Edhe nëse mungojnë dispozitat kombëtare për strategjinë e vëzhgimit të huaj, shërbimet informative janë të lidhura me të drejtën ndërkombëtare.
Shërbimet informative dhe Siguria Digjitale.
Sa i përket vëzhgimit masiv, përveç problematikës ligjore, në ndërkohë, është qartësuar edhe problematika e politikës së jashtme. Për këtë arsye shërbimet e informimit me kooperimin e tyre ndërkombëtar kanë ndërtuar një lloj diplomacie në hije: Ata tregtojnë me të dhënat inteligjente pjesërisht pa kontrollin operativ, parlamentar ose ligjor. Përgjimet e tyre të shënjestruara dhe peshkimi i të dhënave globale, i pengojnë për më tepër marrëdhëniet politike të shteteve dhe i dëmtojnë vlerat e politikës së jashtme. Është e padiskutueshme se shërbimet informative (inteligjente) në gjithë botën janë strukturë e rëndësisë së veçantë. Ata duhet të jenë seizmografë dhe në të njëjtën kohë paralajmërues të krizave të afërta dhe t’i sigurojnë njohuritë, të cilat, si rrjedhojë e mungesës së transparencës së akterëve të vëzhguar, janë të paarritshme nëpërmjet mjeteve të zakonshme. Në këtë kuptim shërbimet e informimit janë mekanizma që kanë për qëllim furnizimin me informacione të politikës së jashtme dhe ushtarake. Në këtë aspekt, ato i plotësojnë mjetet diplomatike, sidomos në sistemet e errëta politike, kushtet jostabile dhe të pasigurta shtetërore dhe në një jo-transparencë të akterëve jo-shtetërorë. Mbledhja e informacioneve të dëshiruara në mënyrë të zakonshme është e vështirë ose edhe fare e pamundshme. Përfaqësuesit e shërbimeve informative gjermane theksojnë në mënyrë të përsëritshme se sikurse shërbimet e tjera edhe ato veprojnë për interesa të qeverisë nga e cila edhe kontrollohen.
Pra, politika duhet të vlerësojë se sa larg mund të shkojnë realisht shtetet me veprimet e shërbimeve të tyre të fshehta jashtë vendit. Aty ku ligji i përgjithshëm ndërkombëtar nuk bën dallime në mes të banorëve vendas dhe të huaj diferencimin e bëjnë faktik shtetet në legjislacionin e tyre kombëtar në mes të banorëve të vet dhe atyre të vendeve të tjera. Madje, edhe atëherë kur kushtetutat e tyre anojnë kah normat universale mbi të drejtat ndërkombëtare, siç është Karta e OKB-së dhe konventat ndërkombëtare, ku të gjithë janë deklaruar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përfaqësuesit e Shërbimeve Federale Informative në Gjermani argumentojnë me termin “bartës i së drejtës themelore”. Sipas asaj, jo të gjithë shtetasit gjermanë që jetojnë jashtë shtetit janë nën mbrojtje të plotë të Kushtetutës. Nëse për shembull, punoni për një firmë të huaj dhe keni detyra interesante të shërbimit informativ ose mbani kontakte, ju mund të vëzhgoheni nga Shërbimi Federal Informativ si çdo qytetar tjetër jo-gjerman. Ky gjithsesi është interpretimi ligjor nga ana e qeverisë gjermane.
Detyra të reja, probleme të reja
Pas përfundimit të luftës së ftohtë janë shtuar konfliktet asimetrike dhe jo të zakonta siç janë: aktivitetet e kriminelëve të organizuar ndërkombëtarisht dhe aktet e grupeve globale terroriste. Kjo ka bërë që shërbimeve informative t’u shtohen fusha të reja vepruese dhe objektiva të reja zbuluese. Meqenëse shumë nga akterët e rinj janë të organizuar në mënyrë jo-shtetërore dhe e përdorin infrastrukturën e komunikimit civil, edhe shërbimet informative botërore janë përqendruar dukshëm në zbulimet teknike (signal and network intelligence). Përveç vëzhgimit të shënjestruar të personave dhe grupeve të rrezikshme ata fokusohen edhe në vëzhgimin, vlerësimin dhe ruajtjen për një periudhë të gjatë kohore të komunikimit digjital në atë zonë dhe në nivel global.
Këtë e kanë bërë të mundshme dy zbulime: së pari, zëvendësimi pothuajse i plotë i komunikimit analog me tela me komunikimin digjital të kyçur përmes kabllove të fibrave optikë, lidhjeve satelitore dhe internetit. Së dyti, fuqia procesuese dhe kapaciteti ruajtës i sistemeve kompjuterike janë rritur në atë masë sa të lejon në kohë reale kapjen e plotë të komunikimit dhe analizimin e gjerë të saj. Vëzhgimi gjithëpërfshirës global i komunikimit në mbarë botën, është përgjigja e aparatit të sigurisë ndaj kërcënimit të delokalizuar asimetrik, përmes terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar. Ky burim i rreziqeve përshkruhet zakonisht me imazhin e gjilpërës në kashtë. Ndryshe nga e kaluara tani edhe kashta është në interes të shërbimeve informative. Dhe kjo kashtë, në këtë rast, janë të dhënat private të të gjithë qytetarëve. Në praktikë lejon vetëm analizimin e të dhënave të tyre për ta përshkruar dhe identifikuar gjilpërën. Është e qartë se të dhënat e fituara në këtë mënyrë mund të përdoren edhe për qëllime të tjera. Implikimi i vëzhgimit te përgjithshëm gjeneron një sasi gjigante të ashtuquajtura të gjetura, të cilat edhe më tutje janë të paspecifikuara si më herët. Edhe për këtë arsye është rritur nxitja e shfrytëzimit dytësor.
Politika e Jashtme dhe Siguria Digjitale
Vëzhgimi i internetit dhe i komunikimit të mbështetur nga interneti në marrëdhëniet ndërkombëtare është shndërruar në një instrument bazik pushtues. Njohuritë e fituara promovojnë ruajtjen strategjike të bashkëpunimit ndërkombëtar të shërbimeve informative. Veprimet politike gjithnjë e më shumë definohen sipas asaj se sa suksesshëm arrihet të posedohen informacionet e tjetrit. Dhe si rrjedhojë e këtij posedimi zbatimi i disa qëllimeve të synuara politike mund të rezultojë përsëri me rezerva, p.sh.: përballë detyrimit për të informuar parlamentet kontrolluese. Normat dhe qëllimet e politikës së jashtme, të përfaqësuara ndërkombëtarisht përmes diplomacisë së shteteve, rrjedhimisht bien në kundërshtim me praktikat e shërbimeve informative.
Përderisa diplomacia është e vendosur në ndërtimin e besimit, shërbimet informative nuk tërhiqen nga përgjimi i aleatëve në bisedimet dhe negociatat ndërkombëtare. Kjo dëshmon jo vetëm mungesën e besimit në diplomacitë e tyre, por edhe i delegjitimon veprimet diplomatike nga brenda dhe jashtë. Këtu mund të përmendet si shembull përgjimi i Samitit G/20 në vitin 2009 nga ana e Shërbimit Informativ Anglez GCHQ. Shërbimet e informimit dhe autorizuesi politik i tyre, në raste të tilla, luajnë me një rrezik shumë të madh, sepse në rast të zbulimit dëmi që i shkaktohet politikës së jashtme është i konsiderueshëm.
Disponimi në marrëdhëniet gjermano-amerikane mbetet akoma i stagnuar edhe pse ka kaluar një kohë që nga zbulimi i faktit se celulari privat i Kancelares Merkel ishte përgjuar. Marrëdhëniet transatlantike, raportet personale në mes Merkelit dhe Obamas dhe roli i SHBA-së si partner nga ana e Gjermanisë kanë rënë në tjetër nivel.
Vëzhgimi global masiv i komunikimeve i dëmton jo vetëm veprimet e diplomacisë, por qëndron në raporte të tensionuara edhe me interesat tradicionale të politikës së jashtme, sa u përket të drejtave universale të njeriut dhe kohezionin e vlerave të komunitetit perëndimor. Se shteti mund të ndërhyjë në raste të caktuara justifikuese në të drejtat e qytetarëve kur ka të bëjë me ruajtjen e interesit mbrojtës, është konsensus ndërkombëtar.
Ndërhyrjet e tilla duhet të jenë në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare dhe në përputhje me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Njerëzit kanë të drejtë universale për mbrojtjen nga ndërhyrjet në privatësinë e tyre në formën e vëzhgimit masiv shtetëror jashtë-territorial. Megjithatë, konsensusi i vlerave të komunitetit perëndimor, i përmendur në fillim, duket i ndërprerë nëse i kemi parasysh negociatat dhe Rezolutën e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila doli nga këto negociata. Anëtarët e Aleancës së ashtuquajtur “5 sytë” (SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Australia dhe Zelanda e Re) nuk kanë qenë të gatshëm të respektojnë parimin e të drejtës ndërkombëtare të proporcionalitetit sa i përket ndërhyrjes në sferën private të qytetarëve dhe këtë jo vetëm në vëzhgimin e komunikimeve.
Në projekt-rezolutën e fundit vihet re se në çdo komunikim digjital mbledhja e të dhënave – Meta, nuk përmenden si te vlefshme për t’u mbrojtur. Këto të dhëna, të cilat nga ana e shërbimeve informative lejojnë shumë lehtë kapjen dhe analizimin e tyre në nivel mbarëkombëtar mundësojnë depërtime të thella në sferën private të njerëzve, duke përshirë p.sh. krijimin e profileve të personalitetit, marrëdhënieve dhe të lëvizjes. Edhe në raste të tjera, vlerat e politikës së jashtme gjermane janë të rrezikuara.
Liria e shprehjes dhe e medieve në një shoqëri të vëzhguar kolektivisht në mënyrë digjitale nuk mbrohet pothuajse fare. Kryeministri britanik, David Cameron, ka iniciuar një diskutim lidhur mbi ndalimin, respektivisht, shmangien e kodimit të komunikimit. Ky diskutim tregon se tek balancimi në mes të interesave shtetërore të sigurisë dhe të drejtave individuale të njerëzve teknologjia perëndimore vë në dyshim bujarinë. Me anë të kësaj, kërkesat liberale të drejtuara ndaj diktaturës dhe autokracisë e humbin besueshmërinë.
Primati politik dhe siguria digjitale
Sulmet e janarit dhe nëntorit të vitit 2015, në Paris, kanë bërë që roli i shërbimeve informative kundër terrorizmit të shndërrohet sërish në temë të diskutimit politik. Rasti i ndërlidhur me të drejtë nuk vë në dyshim bashkëpunimin ndërkombëtar. Edhe njoftimi nga ana e Ministrit të Brendshëm të Francës, mbi shtimin e autoriteteve për zbatimin e ligjit duket i kuptueshëm, vrasësit ishin të njohur për policinë por, për arsye të resurseve të kufizuara nuk janë vëzhguar intensivisht.
Mbetet e diskutueshme nëse vëzhgimi masiv global i komunikimit ka efekt parandalues. Nuk ka dëshmi të qarta sa i përket kësaj. Se vëzhgimi megjithatë ekziston është një dëshmi e mungesës së transparencës së aktiviteteve të shërbimeve informative. Krejt kjo flet për nevojën e të drejtuarit politikisht. Kjo ka të bëjë me lidhjen e sërishme të kontratës në mes të politikës së jashtme dhe të drejtave të njeriut me shërbimet informative dhe përmbushjen efikase të saj.
Si shembull, Republika Federale e Gjermanisë edhe më tutje njihet ndërkombëtarisht si mbështetëse e besueshme e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe në veçanti universalitetit të të drejtave të njeriut. Sqarimi i ngadalshëm i NSA – Komisionit hetimor, i cili ndriçon edhe bashkëpunimin e SHIGJ me Shërbimet Inteligjente të SHBA-ve, sa i përket vëzhgimit global, i ka shkaktuar gërvishtjet e para kësaj renomeje.
Politika që duhet ta rikthejë primatin mbi shërbimet
Për të arritur këtë janë të nevojshme disa masa:
a. Përmirësimi i bazave ligjore për punën dhe kontrollin parlamentar të Shërbimeve Inteligjente. Jo shërbimi, por Vëzhguesit e tyre kanë nevojë për pajisje të reja teknike dhe të personelit. Në kuptimin e të drejtave universale të njeriut duhet që vëzhgimi strategjik i trafikantëve të huaj të nxirret nga “vakumi ligjor” dhe të rregullohet konform bazave ligjore.
b. Largimi i Shërbimeve inteligjente nga vëzhgimet masive dhe një kthesë në analizimin dhe bashkëpunimin e rasteve të veçanta në bazë të një kontrate konkrete politike.
c. Vazhdimi i angazhimit të treguar nga ana e OKB-së për forcimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut në botën digjitale. Standardet teknike dhe politike për kodimin, mbrojtjen e të dhënave dhe sigurisë së të dhënave janë elemente të rëndësishme në implementimin e Rezolutës 69/166.
d. Bashkëpunim më të mirë dhe më përmbajtjesor me partnerë të rinj të mendimit të njëjtë, përveç kësaj një pozicionim edhe më i mirë dhe më i arsyeshëm kundrejt aleatëve si: SHBA-të dhe Britania e Madhe, për jetësimin e normave të së drejtës ndërkombëtare për shërbimet inteligjente.
- « Previous Page
- 1
- …
- 590
- 591
- 592
- 593
- 594
- …
- 859
- Next Page »