• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BEN BLUSHI NË ATHINË

March 18, 2016 by dgreca

Në vend të një letre të hapur deputetit Ben Blushi…/

…I thashë se në hapësirën kohore nga 7 marsi i vitit 2001 (kohë kur ai ishte ministër) e deri sot asnjë pushtetar shqiptar (president, kryeministër, ministër, deputet, nëpunës i ministrisë së jashtme apo ministrisë së arsimit) nuk ka qenë i pranishëm në asnjë klasë të shkollimit shqip të fëmijëve në Greqi.
…Prita që më 7 mars deputeti Ben Blushi të ngjitet në podiumin e Kuvendit dhe të flasë për rilindësit e rinj të gjuhës shqipe në Greqi, rilindës në një vend ku gjuha shqipe ka qenë në majën e thikës dhe mbi prushin e këndellur të qarqeve të njohura dashakeqëse të saj.
Ben Blushi të dielën e fundit të shkurtit ishte në Athinë. Erdhi më se një orë me vonesë çka u dha një ngjyrë mavi fytyrave që e prisnin në një nga sallat e leksioneve të Akademisë së Greqisë. E justifikuar sepse nuk është i vetmi. Ka ndodhur edhe me Edi Ramën dhe me të tjerë që harrojnë orën në Tiranë, harrojnë që Greqia është një “orë përpara” (jo vetëm në kohë astronomike).
Erdhi me “Kandidati-n” në diku te dhjetë duzina kopjesh që u shitën me “çmim Greqie”, pa faturë.
Këto po i lë mënjanë. Gjë e zakonshme që nuk hyn në sy sepse “syri është mbushur plot”.
Ben Blushi erdhi, siç tha, si autor i librit dhe deklaroi se nuk do të fliste për politikë megjithëse recitimet e disa pjesëmarrësve (ndonjëri i tha se je “Kadare i Dytë”) e sollën politikën në rrung e trung çka kronistët televizivë në lajme “flash” asaj do t’i mëshonin.
Edhe këto po i lë anash…
Atë që nuk mund ta lë dhe më shqetëson është se pushtetarët tanë, që nga rang presidenti, kryeministri, ministri e thjesht deputeti, tash një çerek shekulli vijnë në mërgatë vetëm me njërën zgavër të kokës, vetëm me gojë. Vetëm flasin. Nuk dëgjojnë, nuk shikojnë, nuk nuhasin. Flasin e flasin pa u lodhur. Premtojnë e premtojnë sa kapin qiellin. Kritikojnë e kritikojnë sa zhveshin edhe dushkun në zabel.
Kjo do të ndodhte edhe me Ben Blushin. Ai do të fliste për Basenin, Kadim Sedinin e vdekur…heronj të romanit të tij që me ndonjë ndryshim vendi të germave janë… të gjallë.
Folën edhe disa lexues. Nga ata që e kishin lexuar romanin dhe nga ata që sapo e kishin marrë në dorë dhe në hapësirën boshe të pritjes dhe të recitimeve kapën diçka.
Folën edhe për problemet e mërgatës shqiptare, probleme që lidhen me kontributin maksimal financiar në adresë të vendlindjes (para disa vitesh flitej për rreth një miliard euro postime-remitanca) dhe për kontributin zero të shtetit shqiptar në vlerë të mbështetjes së emigrantëve për qendër kulturore në Athinë…për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve në Greqi e të tjera.
Mu dha rasti që të flas edhe unë.
Iu drejtova zotit Blushi si gazetar i “Koha jonë”, kohë kur firma e tij nga Tirana dhe imja nga Dibra, qëllonin të ishin në të njëjtën faqe.
Iu drejtova si ish ministër i Ministrisë së Arsimit  dhe Shkencës në vitet 2001-2002.
Iu drejtova edhe si deputet i shumicës kuvendare të Shqipërisë.
Nuk fola si bashkë gazetar për faktin se “Koha jonë” u dogj dhe zjarrvënësit vazhdojnë të djegin pa u shqetësuar.
U ndala paksa gjatë me Ben Blushin, ministër i arsimit kohë që përkon me një ngjarje të madhe për mërgatën shqiptare në Greqi dhe për arsimin shqiptar në gjerësi.
I thashë se pas një jave (atë ditë kalendari shënonte 28 shkurt) do të festohet 15 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe në emigracion, Shkollës Shqipe të Selanikut, më 7 mars 2001, kohë kur ai ka qenë ministër.
I thashë se në librin “Shkolla Shqipe e Selanikut” përshkruhen në gjinitë e ndryshme të publicistikës 21 mësues që në këto 15 vjet u kanë mësuar më se njëmijë fëmijëve të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e bukur shqipe.
E vazhdova gjeografinë e shkollimit shqip të fëmijëve që nga Kavalla e deri në Arta, që nga stereja e deri në ishujt e Egjeut, dokumentuar në librat “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës”.
I thashë se bashkërisht, në 1100 faqe  janë përcjellë portretet e 67 mësuesve shoqëruar me 410 fotografi e dokumente të cilat flasin për një punë rilindëse (jo të asaj partiake) të një brezi mësuesish atdhetarë në Greqi që sakrifikojnë fundjavën për tu mësuar pa asnjë shpërblim fëmijëve gjuhën e Nënës Shqipëri.
I thashë se në hapësirën kohore nga 7 marsi i vitit 2001 (kohë kur ai ishte ministër) e deri sot asnjë pushtetar shqiptar (president, kryeministër, ministër, deputet, nëpunës i ministrisë së jashtme apo ministrisë së arsimit) nuk ka qenë i pranishëm në asnjë klasë të shkollimit shqip të fëmijëve në Greqi.
E ftova që atë ditë të shkonim në Shkollën Shqiptare të Athinës (ishte ditë mësimi), të shikonte klasat, të takonte nxënësit dhe prindërit për tu bërë i pari deputet i Kuvendit të Shqipërisë i fotografuar midis tyre.
I dorëzova me përkushtim librat “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut”.
I kërkova ndjesë se nuk më ndodhej me vete CD-ja me filmin dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve” bashkautorësi me gazetarin televiziv Arian Melonashi, film i cili kishte në qendër të vet mësuesen Vera Shkurti e cila pasi mblodhi 72 fëmijë në ishullin e Tinosit kapërceu detin për më se një orë e gjysmë dhe bëri të njëjtën gjë në ishullin e Sirosit. U mësoi dhe u mëson fëmijëve si ta shkruajnë, lexojnë dhe këndojnë gjuhën shqipe.
I thashë se këtyre mësueseve që Dritëro Agolli i ka quajtur “Rilindës të kohës sonë”, deri atë ditë nuk u është dhënë qoftë edhe një fletë nderi e thjeshtë le pastaj ndonjë dekoratë apo shpërblim monetar për punën e bërë. Mësuesit nuk janë edhe thjesht emra të përveçëm në amzën e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë.
Duke ia dorëzuar ato i kërkova që si deputet, si ish ministër, të ngrihej më 7 mars 2016 në podiumin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në bazë të nenit 81 të Kushtetutës së Shqipërisë, në emër të mësuesve të hidhëte për diskutim një projekt ligj të përgatitur nga ne për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë, me këshillën që paraprakisht të shikonte ligjin e miratuar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë nga Kuvendi i Kosovës dhe udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës….
…Kur mora nënshkrimin për librin e tij “Kandidati” e pyeta në se dëshironte të shkonim në Shkollën Shqiptare të Athinës apo në se donte të takohej me disa mësues që atë ditë kishin ardhur në atë takim.
Më tha se kishte axhendë tjetër…
Dhe axhenda ishte një drekë para nisjes, çka më kujtoi një mesele të vjetër dibrane “Shkova, pashë, hëngra”…

*                *                *

Prita që më 7 mars deputeti Ben Blushi të ngjitet në podiumin e Kuvendit dhe të flasë për rilindësit e rinj të gjuhës shqipe në Greqi, rilindës në një vend ku gjuha shqipe ka qenë në majën e thikës dhe mbi prushin e këndellur të qarqeve të njohura dashakeqëse të saj.
E kam parë gjithë këto ditë të dalë ekraneve të vegjël të të gjithë kanaleve televizivë kombëtarë e jo kombëtarë, faqeve të para të të gjitha gazetave dhe portaleve në kërkim të postit të kryetarit të Partisë Socialiste.
Punë e tij…
Mësova se Ben Blushi ka bërë një libër të ri…”Letër një socialisti”.
Them se Ben Blushi kishte kohë të mjaftueshme (për 12 ditë ka bërë “Kandidati-n”) të bënte një libër me titull “Mësuesit e harruar të gjuhës shqipe në Greqi”.
Në qoftë se i ka ngelë diçka në vesh nga ai takim më 28 shkurt 2016 në Athinë ka kohë ta bëjë. Ka hapësirë që me të në dorë të ngjitet në podiumin e Kuvendit dhe në karriget e mediave televizive të flasë. Pse jo edhe të bërtasë.
Të bërtasë fort duke qenë i pari ligjvënës në Shqipëri që kur vjen midis mërgimtarëve, vjen jo vetëm me gojë por edhe me veshë, edhe me sy, edhe me kokë…
Ben Blushi kërkon të bëhet kryetar i Partisë Socialiste. Kryetar pa votën shpirtërore të emigrantëve shqiptarë në mbarë botën është gjysmë kryetar, “gjysmagjel”.

Abdurahim Ashiku

Gazetar
Athinë, 18 mars 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, BEN BLUSHI NË ATHINË

Jahjaga: Korpusi Amerikan i Paqes forcon miqësinë

March 17, 2016 by dgreca

-Presidentja Jahjaga vizitoi vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes në Kosovë: Angazhimi i tyre është shumë domethënës jo vetëm për nxënësit që janë përfituesit e drejtpërdrejt, por për gjithë shoqërinë  dhe institucionet e  Kosovës/ PRISHTINË, 17 Mars 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga së bashku me drejtoreshën e Korpusit Amerikan të Paqes në Kosovë Darlene Grant, vizitoi vullnetarët e këtij korpusi të cilët janë të angazhuar si arsimtar të gjuhës angleze në  shkollën   e fshatit Fortesë të Komunës së Rahovecit, në shkollën e fshatit Dobërdolan dhe në gjimnazin e qytetit në Suharekë.

Presidentja Jahjaga pasi pa nga afër punën e tyre i përgëzoi vullnetarët për kontributin e çmuar që ata po e japin për  qytetarët e Kosovës. Ajo tha se angazhimi i tyre është shumë domethënës jo vetëm për nxënësit që janë përfituesit e drejtpërdrejt, por për gjithë shoqërinë  dhe institucionet e  Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se vullnetarët janë ura lidhëse që forcojnë miqësinë midis popullit të Kosovës dhe popullit amerikan, bën të ditur njoftimi dërguar nga Presidenca.

Në Kosovë, në gusht 2015 filluan shërbimin për dy vitet e ardhshme  36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët kanë përfunduar trajnimin parapërgatitor në  komunitete kosovare.

Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët patën dhanë betimin solemn në gusht 2014, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.

Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013, kur edhe ështe nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës.

Korpusi i Paqes pret një marrëdhenie të gjatë dhe të frytshme me popullin dhe qeverinë e Kosovës, grupi i tretë i përbërë nga 40 vullnetarë është paraparë të mbërrij në vitin 2016. 

Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim.

Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet e saja fillestare mbeten të njëjta: T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: forcon miqësinë, Jahjaga: Korpusi Amerikan i Paqes

Identiteti i një parku

March 17, 2016 by dgreca

Ilir Levonja-Florida/

Në vitet 50-të shqiptarët projektuan një park natyral. Ndofta me kujdesin e atyre që kishin ca ëndrra. Por kjo nuk ka më asnjë rëndësi për kohën. Megjithatë çfarë u krijua, qe një magji lirike të cilën e ëndërronin të dashuruarit. Atëhere as nuk çohej nëpër mend lisharsi i fëmijëve. Ai i sojit të cirqeve të vegjël publike në kthina qytetesh. Ndofta edhe përbri disa lulishteve të vogla etj. As ujvarat plastike ku kalamajtë të grisin pantallonat dhe prindërit të fjalosen. Këndet e lojrave e kishin vendin e tyre. Madje edhe ato cirqet me dryn, kishin një pesëlekësh faturë. Por kishin edhe shkollat fusha aktivitesh me shumicë. Dhe lulishtet frymosnin.

Kurse atje, në ato kodra, qe gjithçka e natyrshme. E mjergullës dhe e dashurisë. Gjithçka e gjelbërt, e luleve dhe e kitarave. E ecjes kalaqafë. E flirteve. Dhe asaj jete sportive të vrapimeve në natyrë. Pra qe i gjithi natyrë. Një heshtje shiu. Dhe vërtet, nuk kishte paqje më të bukur se në ato rrugica, qoftë në dimër, qoftë në pranverë, verë apo vjeshtë. Jo rastësisht prej aty kanë buruar aq e aq lirika. Aq e aq këngë. Aq e aq dashuri …, sa altari apo show-t që bëjnë shtetarët në celebrimin e çifteve. Eshtë asgjë më shumë, veçse një akt mjeran përballë bekimit të atij parku natyral. Me afsh të njelmët bari, korin e zogjve … Dhe mbi të gjitha, përsonalizimin e dashurisë.
Mirëpo kohët rrjedhin.
Dhe shpesh njerëzit më keq se kohët. Mbase edhe të dashuruarit e atij parku. Matufepsen. U hyn vetja në qejf. Flasin për parqet e botës. Për kryeqytetet e shteteve ku kanë bredhur. Se si të gjitha parqet kanë apo nuk kanë kënde lojrash. Se si kudo në botë, kudo ku ka park, ka edhe kënd lojrash.
Tek ne emërtimi është shpesh produkt negativ. Për arsyen më të parë. I sheshon identitetin vendit. Kjo po ndodh edhe me ne, sot, aty me debatin mbi parkun e Tiranës. Identiteti i një vendi krijohet nga tradita. Dhe jo nga emërtimet. Sespei bie që sot atyre kodrave të bredhin njëherësh, gjyshër, nipojë e mbesa. Dhe të dashuruar, flirtonjës. Edhe të dehur sigurisht. I bie që kur të mëdhenjtë të zihen për Edi Ramën dhe Sali Berishën, të vegjlit të argëtohen nën korin e pështymave. I bie që sipas ati ideatorit të së ardhmes, ky të jetë parku i orgjive dhe i zhurmës.
Sot ka shumë njerëz që e mahniten me kumbullat pa kumbulla midis smokut dhe betonit. Por harrojnë se kanë vrarë identitetin e tyre. Kanë vrarë vetveten. Tirana ka shumë identitete të harruara. Përshembull vjeshta e rrugës së Elbasanit, e Liceut, etj. Eshtë fare e kollajshme t’i vrasësh. Fare e lehtë. Por janë identitete që nuk vijnë më. Dhe ne kemi për të mbetur përjetësisht në kërkim të vetvetes.
Ka bota vërtet parqe me kënde lojrash. Por janë krijuar të atillë. Janë projektuar. Dhe njerëzit shkojnë me fëmijët. Pasi argëtohen edhe vet në aktivitete.
Ka bota vërtet parqe. Ka edhe të natyrës të transportueshme. Që ngrihen me data të caktuara. Në sezone. Montohen për kaq e aq ditë. Dhe çmontohen pa dëmtuar qoftë dhe një degëz peme.
Ka bota vërtet parqe aktivitetesh. Ka edhe nëpër lagje. Edhe pranë banesave. Por ato nuk bëhen në kohë fushatash. Dhe nuk vdesin në të përditshmen. Janë aty dhe të mirëmbajtur. Jo rrënoja të një kohe na ishte një herë.
Por tek ne i duan këndet aty tek parku i të dashuruarve, pikërisht pasi aktivitetet e të rriturve tanë, janë politika dhe grindja. Ndenja më këmbë dhe tifozllëku. Dhe të bëjnë sehir. Janë aktivete paradoksi. Të atyre që shpallin moratoriume kundër prerjes së pyjeve. Ndërsa nga ana tjetër presin vet me qejfin më të madh. Të atyre që akuzojnë gjithë ditën tjetrin. Dhe që bëjnë me qejf ato që ka bërë i akuzuari.
Pra nëse përmendi botën, veproni si bota. Ndërtoni parqe me kënde lojrash. Ka fusha, ka kodra plot.
Mjaft e vratë identitetin e gjërave. Sado të thjeshta qofshin janë ekzistenca jonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Identiteti i një parku, Ilir Levonja

Meditim me veten time

March 17, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

Para disa ditëve takova një mikun tim të vjetër me të cilin isha njohur qysh kur ishim mbyllur në qelitë e Sigurimit të Shtetit në rininë tonë të herëshme. U ulëm të pinim një kafe. Biseduam për të shkuarën dhe të tashmen e vendit. Shkëmbyem mendime për to. Çuditërisht ato përputheshin me njera-tjetrën. Së fundi kur u ndamë më dha një copë letër. E hapa. Ishte një poezi. Lexova:

Strukull thellë në qoshen time,

Zog i mbyllur në kafaz,

Para meje shumë kujtime,

Zemra gati sa s’më plas

Çuditërisht në ato çaste nuk jetoja më në këtë botë. Duke lexuar këto vargje meditoja me veten time. Kisha fluturuar në të kaluarën time, në fëmininë time, kur nëpër muret e qytetit shkruanim: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”! Për këtë na hodhën në ferrin komunist ku duhej të kalonim nëpër nëntë rrathët e tij. Por pata fat. Atje njojta shumë personalitete të larta që zor se mund t’i vijnë këtij kombi. Ata më mësuan atë që nuk e kishte bërë shkolla në të cilën kisha mësuar. Më mësuan se si duhej të luftoja për një Shqipëri të lirë dhe demokratike të vërtetë dhe kjo u bë ëndrra e jetës time. Por duhej shumë kohë që të prisja deri sa kjo të realizohej.

Më së fundi ajo erdhi. Përbindëshi që kishte sunduar për gati një gjysmë shekulli ishte përmbysur. Por konstatoja një gjë. Mentaliteti i sitemit të shembur, që ishte rrënjosur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve, vazhdonte ende. Kërkohej që po me atë mentalitet me të cilin kishin ndërtuar sistemin socialist, të ndërtonin tani sistemin kapitalist që sundonte në të gjithë botën perëndimore. U futën në një thes si persekutorët ashtu edhe të persekutuarit. Madje persekutorët dolën ne krye të rradhës. Shumë shpejt e kaluara u harrua, sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe ndodhi ajo që nuk duhej të kishte ndodhur dhe që e ktheu vendin, kur shpresonte të afrohej më shumë me vendet e tjera si motra të perëndimit, në vendin e shpresave të humbura. Edhe ajo pak demokraci që kishte filluar të lulëzonte mori goditjen përfundimtare. Ishte viti 1997.

Tashmë vendin e demokracisë së vërtetë e kishin zënë pazaret politike ndërmjet partive dhe individëve të ndryshëm. Njësoj si në të kaluarën hymnizimi i drejtuesve idhuj mori përmasa të jashtëzakonshme. Atyre iu atribuohej gjithçka. Ndryshimi ndërmjet dy sistemeve ishte se ndërsa në të kaluarën hymnizohej vetën një idhull, tani ata ishin të shumtë. Ndaheshin sipas bindjeve politike. Me përjashtim të një pakice të papërfillshme, gati të gjithë, të djathtë dhe të majtë, çirreshin dhe përgjëroheshin për një Shqipëri të re. Secili krah kishte përfaqësuesit e vetë. Këta “shakaxhinj të përparimit”, siç do ti quante Noli, kishin zaptuar të gjitha ekranet e televizioneve dhe faqeve te shtypit të shkruar duke dhënë leksione për demokracinë. Shumë prej tyre u përkisnin atyre që e kishin shkelur me të dy këmbët atë në kohën e diktaturës.

Këto gjëra më dolën para sysh kur lexova vargjet e mikut tim. Përsërisja me veten time fjalët që më tha kur u ndamë:

  • Tashmë i kemi kaluar të tetëdhjetat. Jemi në fund të rrugës. Padyshim që ndryshimet

janë të mëdha, në krahasim me të kaluarën, por më vjen keq se ne do të ikim me zemër të plasur nga kjo botë, pasi nuk e pamë Shqipërinë ashtu siç e kishim ëndërruar. Kam frikë se edhe fëmijtë tanë nuk do ta shohim. Besoj se atë do ta gëzojnë nipërit dhe mbesat tona që kanë lindur pas ndryshimit të sistemit. Që të ndodhë kjo duhet të kalojnë mbi pesëdhjetë vjet të tjera.

Përsëris fjalët e mikut tim dhe më duket sikur mbi shpatullat e shtresës sonë rëndojnë ende prangat e persekutimit. Të gjitha partitë politike thërrasin se ne qenkemi shtylla kurrizore e tyre dhe mua kjo më duket demagogji. Me duket e tillë, pasi shoh se, megjithëse miratohen disa ligje per këtë shtresë, ato mbeten në letër duke kaluar në kalendat greke. Shembull për këtë mund të sjellë Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”, ligjin mbi dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ligjin mbi hapjen e dosjeve e te tjera. Por kjo bie në sy më tepër në përballjen që ndodh disa herë ndërmjet të përndjekurve politikë dhe titullarve të qeverisë dhe partive politike. Do të sjell si shembull grevën e urisë së zhvilluar nga të përndjekurit në vitin 1994. Unë e deklaroj se kam qenë kundër asaj greve, pasi ishte përgatitur nga elementë ekstremistë të së djathtës, kur sapo kishte filluar të zbatohej sistemi demokratik por isha edhe kundër përdorimit të forcës brutale të përdorur nga qeveria e atëhershme e shtyrë po nga elementë ekstremistë të së majtës. Kjo bie në sy edhe në ditët e sotme. Bie në sy në skandalin e përplasjes së një anëtari të kryesisë së shoqatës tonë, një gazetari të njohur me një titullar të një partie të djathtë ku ky i fundit e fyeu gazetarin me shprehje të nxjerra nga fjalori i urryer komunist. Një drejtues i vërtetë demokratik, në këtë rast, nëse mendonte se kjo ishte vetëm një gjë e çastit, do t’i kërkonte ndjesë të hapur gazetarit ose në të kundërt partia e tij duhej të merrte masat e nevojshme. Deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Le të presim.

Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se idealet dhe problemet e të përndjekurve politikë drejtuesit e shtetit shqiptar kërkojnë t’i kalojnë në heshtje, sikur nuk ekzistojnë dhe sikur nuk kanë ndodhur fare. Kjo bie në sy, sidomos, në nderimin që duhet t’u bëhet figurave të shquara të kësaj shtrese dhe që, në të vërtetë, mungon. Më lejoni, përsëri, t’ju sjell disa shembuj: Ka disa vite që shoqata jonë madje edhe Ministria e Kulturës, kur kjo drejtohej nga një i përndjekur, i nderuari Visar Zhiti, u ka kërkuar presidentëve të republikës dekorimin me urdhërin “Nderi i Kombit” të figurave të poshte shënuara:

  1. Ago Agaj – Në janar të vitit 1920 merr pjesë në delegacionin e rrethit të Vlorës në Kongresin e Lushnjes, ndërsa në qershor të atij viti bëhet pjesëmarrës aktiv i Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë për të cilën ka shkruar librin epope “Lufta e Vlorës”. Pas vendosjes së mbretërisë shqiptare punoi si Drejtor i Shkollës Bujqësore Lushnje dhe si agronom kudo ku ishte nevoja e atdheut. Në vitin 1929 ishte anëtar i Komitetit për Reformën Agrare. Në vitin 1932 arrestohet si pjesëmarrës në lëvizjen kundër Zogut, por lirohet përsëri. Nga viti 1932-1941 punon si ekspert i agrikulturës në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare.

Në kohën e Luftës së dytë botërore, kur më 17 prill 1941 mbretëria jugosllave u dorëzua dhe viset shqiptare të Kosovës dhe Metohisë iu bashkuan Shqipërisë, shumë patriotë shqiptarë u drejtuan për atje, për të ngritur administratat shqiptare në vend të atyre serbe. Ndër të parët që shkoi atje ishte edhe Ago Agaj, i cili u emërua prefekt në Prefekturën e Mitrovicës Në qershor 1943 merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes se Dytë të Prizrenit së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë patriotë. Për këtë kosovarët e quajtën “Kosovari nga Vlora”. Kosovës i kushtoi librin “Milloshi, heroi i Kosovës”. Në fundin e vitit 1944, kur forcat komuniste po hynin në qytetet shqiptare detyrohet të lerë atdheun dhe të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndërroi jetë më 24 dhjetor 1994.

  1. Kudret Kokoshi – Më 1934 ushtroi detyrën e avokatit në Vlorë, Më 1936 emërohet ndihmës gjyqëtar në Bilisht dhe Pogradec. Më 1939 u emërua gjykatës në Korçë, më pas në Shkodër dhe Tiranë. Më 1941, u emërua Kryeprokuror në Prizren, në atë kohë kur bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ishte bërë një realitet. Më 28 nëntor 1942, e gjejmë në udhëheqie të demostratës antifashiste në Prizren ku u përlesh me forcat fashiste dhe u plagos në kokë. Sapo filloi Lëvizja Antifashiste, ai u angazhua që në fillimet e saj dhe në vitin 1943, është një nga eksponentët e Ballit Kombëtar në Vlorë. Në Gusht 1943, është pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, ku u vendos bashkimi i shqiptarëve në luftë kundër nazi-fashizmit. Më 7 mars të vitit 1944, u zgjodh kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Kosovës, ku anëtar ishte edhe patrioti Selman Riza. Komiteti ishte forum i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit me kryetar Bedri Pejanin, formuar në shtator 1943. Për këtë aktivitet antifashist, në maj të vitit 1944, ndërsa ishte duke ushtruar veprimtarinë për forcimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe luftën kundër bishës nazifashiste, u arrestua nga Gestapua gjermane dhe u internua fillimit në Prishtinë dhe më pas në kampim shfarosës Mathauzen. Nga kampet e përqëndrimit nazist u lirua në dhjetor 1944. U kurua në Grac të Austrisë dhe megjithëse iu propozua të bënte karrierë në perëndim, ai ashtu si në vitin 1934, preferoi të kthehej në atdhe dhe t`i shërbente atdheut të tij. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje si udhëheqës i Ballit Kombëtar, më pas me vendimin e datës 1 tetor 1945 dënimi ju kthye në 25 vjet. Vuajti dënimin në burgun e Burrelit dhe u lirua më 25 dhjetor 1964, pas plot 19 vjetëve. Ndërroi jetë më 26 prill 1991
  2. Dr. Isuf Hysenbegasi – 7 prilli i vitit 1939 e gjen në Tiranë. Është njëri nga tetë anëtarët e komisionit të të rinjve që shkuan për të kërkuar armë në pallatin mbretëror, por mbreti tashmë kishte ikur. Në janar 1940, ndërsa kryente stazhin në spitalin eTiranës, drejtori i këtij spitali, doktor Lozzi, e prezanton me një mjek italian të veshur civil:

– Il nostro giovane! (I riu ynë!)

Civili i zgjati dorën të cilën doktori bëri sikur nuk e vuri re,

– Io sono Albaneze! (Unë jam shqiptar!) – ishte përgjigja e tij krenare.

Në vitin 1941 shkon për specializim në Itali. Dikush i propozon që të vishesh mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori përsëri refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Capraia, në derdhjen e lumit Arno në Firence.

Viti 1945 e gjen në klinikën e tij në Tiranë. Por komunizmi, që kishte vendosur të bëhej varrmihësi i inteligjencës nacionaliste shqiptare, e degdisi në Gjirokastër, ku në fund të dhjetorit 1946 arrestohet. Pas dy vjet torturash të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllaj Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit Popullor, vendimi t’i kthehej në burgim të përjetshëm. Gjatë periudhës së burgimit ka ndihmuar me qindra të burgosur duke i shpëtuar nga vdekja e sigurtë që i kërcënonte si pasojë e torturave të tmershme. Lirohet pas nëntë vjet burg, në vitin 1955

Dërgohet në qytetin e Vlorës me detyrën mjek otorino-laringolog. Shquhet për profesionalizmin e tij të lartë dhe fisnikërinë që e karakterizonte. Shumë shpejt u bë një nga figurat më të njohura dhe më të dashura të qytetit. I mbylli sytë në tetor të vitit 1988.

  1. Zalo Xhomaqi – Më 23 dhjetor 1946 arrestohet dhe dërgohet në qelitë e errëta të sigurimit. Pas shtatë muaj torturash nga më të tmerrshmet nxirret para trupit gjykues. Akuzat ishin:

Ka qenë i inkuadruar në rradhët e Ballit Kombëtar dhe ka vepruar në dëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.                                                                                                                       

Ka dhunuar veprime ligjore të Gjykatës Ushtarake.                                                

Ka afishuar një trakt ku flet kundra drejtësisë së gjyqeve të popullit.

Martiri qëndroi si hero përballë gjykatësve mizorë. Së fundi vendimi: Vdekje me pushkatim. 18 korrik 1947. 0ra 3.30. Para togës së pushkatimit qëndron një   titan i pamposhtur. Përballë tij prokurori i zi, Petrit Hakani.

– Fjalën e fundit, i pandehur! – flet ai.

– Kjo qeveri që e quan veten të fortë, me ekzekutimin tim, jep të kuptojë se, edhe vetëm për një sharje, derdh gjak njeriu. Unë e them këtë se nuk kam bërë faj. – përgjigjet Zalua me krenari dhe vazhdon: – Unë veprën time kështu e quaj. Rroftë Shqipëria dhe Demokracia!

5. Hysni Alimerko – Kryen shkollen Teknike Amerikane të Harry Fultz deri me 1935, pastaj shkollen normale të Elbasanit deri më 1939. Ndjek dhe përfundon shkëlqyeshëm studimet e larta Universitare në Firenze të Italise deri më 1943, ku titullohet Profesor në Letërsi-Histori. Merr pjesë si dëgjues në Konferencën e Mukjes, 1-2 Gusht 1943. Nga Shtatori 1943 zgjidhet si Sekretar i Komitetit Qarkor të Ballit Kombetar deri në fund të vitit 1944. Në dhjetor të 1944 arrestohet por pas një muaji lirohet përsëri për mungesë provash. Në Nëntor 1946 transferohet në gjimnazin e Peshkopisë ku më 16 maj 1947 arrestohet në shkollë, si pjesëmarrës dhe anëtar i grupit të ashtuquajtur të “intelektualëve dhe deputetëve”. Në 21.11.1947 me Vendim të Gjykatës Ushtarake Elbasan dënohet me vdekje që i kthehet me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lartë më 05.01.1948. Më vone dënimi i kthehet me 20 vjet burgim. E vuan të gjithë dënimin e tij në burgun e Burrelit deri më 1964. Pas përfundimit të dënimit lirohet dhe punon si punëtor i thjeshte për 16 vjet në Fabrikën e Tullave Vlore deri sa del në pension.

Në vitet 90-të përfshihet dhe jep një kontribut të madh në lëvizjen antikomuniste. Zgjidhet Kryetar i Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Vlorës dhe njëkohësisht Nënkryetar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare. Më 28 nëntor 1991 ka qenë një nga nismëtarët e lëvizjes për ngritjen e flamurit pa yllin e kuq të komunizmit në qytetin e Vlorës Kjo ndodhte në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ende nuk e kishte vendosur heqjen yllit nga flamuri.

Në zgjedhjet e para demokratike për administrimin lokal të vitit 1992 zgjidhet anëtar i Këshillit të Bashkisë Vlorë.   Ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare në Mars 2002.

Megjithatë nga Presidenca nuk ka ardhur asnjë përgjigje kurse kur bëhet fjalë për figura të tjera me prejardhje komuniste, ato janë të panumërta, madje edhe kur mbi ata rëndojnë akuza për masakra nga më të tmerrshmet si ato të Tivarit, Malsisë së Madhe dhe të tjera si këto. Duke kujtuar këto, unë ndjej një dhimbje të madhe. E ndjej këtë dhimbje pasi kur shoh veten time të dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Naim Frashëri” mendoj se nuk e meritoja këtë dekoratë para atyre burrave të shquar që përmenda më sipër.

Le të bëhet ky një mësim për politikën shqiptare.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Meditim me veten time, reshat kripa

POLITIKANË MOS E BËNI PIS SHQUP-in

March 17, 2016 by dgreca

Opinion Nga Asllan Bushati/

Shtëpitë e ushtarakëve (ose shtëpitë e oficerave), kanë ekzistuar në kohën e shtetit totalitar dhe në vitet e para të pluralizmit, si nocion dhe si realitet aty ku kishte njësi ushtarake (gati ne te gjitha rrethet). Ata ishin hotele e restorante për ushtarakët dhe familjet e tyre, por edhe institucione kulturoro-artistike dhe ambiente argëtimi.E drejta e hyrjes në to ishte edhe për civilët kur ishin të shoqëruar me ushtarakët ose kishin “Fletë-Hyrje “ të posacme . Kurse ne Tirane ka ekzistuar Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore që shkurtimisht quhej SHQUP-i.

Në fillim të viteve 60-të SHQUP-i ka qenë në nje godinë të vogël në rrugën e Kavajës, shumë afër Sheshit “Skenderbej” në qendrër të Tiranës .Ajo ishte(ndoshta një shtëpi private) e përshtatur për këtë qëllim, por ishte e vogël për t’ju përgjigjur kërkesave në rritje të një institucioni qëndror per aktivitetet e ushtrisë. Nisur nga sa më lart ,më vonë, prapa ish Hotel “Dajtit”, u ndërtu godina e re e SHQUP-it, që sot është selia qëndrore e Partisë Demokratike.

Në SHQUP, ushtarakët e brezit tim (por jo vetëm),kanë kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës dhe aktivitetit të tyre. Atje ruajmë kujtime të pashlyeshme sepse vec drekave e darkave të zakonëshme, kemi festuar ditlindjet tona , të familjarëve, miqëve e shokëve. Kemi bërë darka e dreka fejesash e martesash , mbrëmjet e vitit të ri, mbrëmje të përvjetorëve të ushtrisë e të atdheut. Kemi bërë mbledhje, takime, analiza dhe diskutime që janë të shënuara në jetën e Ushtrisë Shqiptare.Kemi parë koncerte artistike të ansamblit ushtrisë, estradës ushtari, orkestrës frymore të ushtrisë (banda) dhe formacioneve të tjera kulturoro-artistike civile.Nga biblioteka e SHQUP-it kemi marrë libra për edukimin tonë e të fëmijëve tanë. Kemi bërë shkollë për mësimin e gjuhëve të huaja, kemi parë filma artistik e dokumentar, ekspozita pikture e fotogrfike etj.

Kemi pritur e diskutuar me personalitete dhe artistë të mirnjohur shqiptar (përfshi dhe Kadaren), miq të ushtrisë shqiptare dhe personalitete politike e ushtarake të vendeve të tjera. Prej asaj godine të SHQUP-it, nëpërmet ceremonive të lamtumirës, kemi përciellë për në banesën e fundit (me e pa shtrat topi), shumë personalitete ushtarake (por jo vetëm) që me punën dhe luftën e tyre i kanë bërë nder atëdheut. SHQUP-i dhe shtëpitë e ushtarakëve ne rrethe ishin pronë e ushtrise.

Në kohën e sistemit totalitar, në cdo rreth godinat më të mira ishin ato të komiteteve të Partisë së Punës . Pas shembjes së këtij sistemi, këto godina mbetën përsëri pronë e Partisë Punës (në vazhdim socialiste).Partitë e tjera morën godina të dorës dytë e të tretë. Në verën e 2013-ës SHQUP-i me vendim qeverie bëhet seli qëndrore e PD-së. Fillimisht edhe unë si shumë ushtarakë e ish ushtarakë, nuk e pëlqeva aspak një gjë të tillë,madje isha shumë zemërthyer, sepse kisha në zemër e mendje ato ndiesi që përshkrova më lart. Por më pas duke menduar me qetësi se sa godina të nivelit të lartë kishte marrë PS-ja, thashë me vete edhe PD-ja është pjesë e pasurisë politike kombëtare dhe e meriton të ketë një seli qëndrore serioze, kur SHQUP-i tashmë e ka humbur misionin që kryente më parë.

Me ardhjen në pushtet të PS-së në vitin 2013, nga shumë zyrtarë të saj, por vecanërisht nga Kryetari saj Rama dhe Nënkryetari Balla, gati në cdo fjalim kam dëgjuar, konotacionet më negative për SHQUP-in si: ” I ashtuquajturi kryetari i SHQUP-it; zëdhënësi i Berishës në SHQUP; stafi i SHQUP-it; gënjeshtarët e SHQUP-it; mediokrat e SHQUP-it; banditët e SHQUP-it; lehësit e SHQUP-it; llafazanët e SHQUP-it” etj etj.Mua si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, më vjen zor nga vetja kur dëgjoj se si ata të PS-së shajnë ato të PD-së dhe e kundërta. Por më duket tepër vulgare dhe absurde deri në nivel foshnjarak, se mirë që shanjë kundërshtarët ,por pse shajnë, përgojojnë e baltosin një ndërtes symbol të ushtrisë sic ishte SHQUP-i, për të cilën ushtarakët kanë ndiesi madje dhe dhimbje për të. Ajo nuk i ka bërë sakujt asnjë të keqe . Pse merren me themelet e muret e një godine vetëm e vetëm se ajo më parë është quajtur SHQUP. Në fund të fundit pse shajnë në përgjirhësi politikanët tanë? A ka pak fjalë ,fjali, sinonome negative (por jo fyese dhe të pa pranueshme për publikun) që të shfryjnë mëllefin e tyre? Si mundet që fyerja me fjalor të pa pranueshëm për askand të bëhet pjesë e cdo séance plenare dhe të shkojë aq larg sa të mbjellë urrejtje deputetësh, grupesh parlamentare ,partiake e deri në urrejtje komëtare.Cfarë përfaqësojnë këto politikanë që me fjalët më të ulta të komunikimit njerëzor, flasin për kundërshtarët e tyre politik (dhe më turpshëm për gratë deputete) , sikur disa prej tyre i përkasin një rrace të lartë të shoqërisë dhe pala tjetër i përket llumit të shoqërisë. Kjo “ elitë”, që s’ka asgjë të përbashkët me këtë nocion, pse solli kriminelët në parlament? Parlamenti ynë është arenë opsionesh, programesh , strategjish e vendim marrjesh, apo arenë ku mund të provohen jo vetëm grushtat por edhe armët.

Mendimi im është ky: Ata që nuk kanë një strategji të qartë vepruese për të sotmen dhe të ardhmen. Ata që s’kanë programe të balancuara dhe të argumentuara me mundësitë. Ata që s’kanë dijet e duhura për konceptet e lidershipit në një shoqëri demokratike. Ata që s’kanë vullnetin e duhur për të punuar për programet që ofrojnë, janë sharlatanë që merren me llafe pazari, sharje pakufi të kundërshtarëve, duke u këthyer në qesharakë para botës dhe në huliganë, despotistë, arrogant e tiranë të popullit që i ka votuar . Më falni për shprehej, por edhe ky shkërdhatë tranzicion , që po zgjat pa mbarim, paska qenë fatlum për horrat e banditët deri në sferat e larta të politikës dhe tmerrësisht i poshtër për njerëzit e varfër të cilët po lëshojnë vendin nga varfëria, papunësia korrupsioni dhe keq qeverisja.

Së fundi, unë nuk ftoj askënd për tu ngritur në këmbë e në revovucion demokratik. Cdo njeri e ka mendjen, zemren, fuqinë dhe vullnetin për të vepruar në funksion të interesave të veta. Në se jeni të kënaqur me këtë qeverisje, hallall e paci. Përsa i përket fyerjeve që bëhen në adresë të institucioneve të ushtrisë sic është SHQUP-i, ju them : politikan e keni bërë boll pis veten dhe politikën, mos e bëni më shumë pis SHQUP-in. Ju opozitarë që keni “kënaqësinë’ të dëgjoni cdo ditë fjalën “shqupistët”, keni mirësinë të përdorni edhe ju etiketimet: punistët, pësëistët, ose më mirë pisistët.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 589
  • 590
  • 591
  • 592
  • 593
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT