ME RASTIN E 80-VJETORIT TË LINDJES/
Njëzet vjet pas lufte, i shoqëruar nga prifti, një gjeneral erdhi në malet e nëmura dhe tragjike të Shqipërisë për të kërkuar eshtra. Në misionin e tij kishte diçka nga madhështia e grekëve dhe trojanëve, diçka nga funeralet homerike. Duke kërkuar kocka nëpër grykat plot baltë, i huaji u mposht nga ideja e neveritshme e kotësisë së misionit të tij. Sakaq, kritikët e huaj panë te Kadareja, absurdin e ekzistencialistëve francezë – Sartrit dhe Kamysë. Ndërkaq, në zemërimin e brendshëm të një plake të marrosur vërejtën përroin xhojsian të ndërgjegjes. Romani i parë i tij i cilësua si manifest kundër luftës.
Lëvrues i tregimit, i novelës dhe i romanit, i zhytur në natën e legjendës ballkanike, disidenti kryesor letrar – Kadareja, e krijoi veprën e vet në rrethana të një sistemi tiranik dhe të një ideologjie totalitare.
Për induktimin e të njëjtës ironi ndër lexues me anë të këndvështrimit magjik të jetës, kritikja amerikane Leonie Caldecott thotë se proza e Kadaresë vezullon me realizmin magjik të Gabriel Garsia Markezit. Derisa qëndresa në Kështjellën e rrethuar të kujton Shkretëtirën e Tatarëve të shkrimtarit italian Dino Buxatit, paraqitja artistike e një atmosfere plot intriga mesjetare, si ato te Doruntina, të ngjallë skenat e trishta te Emri i trëndafilit të Umberto Ekos. Labirintet e Tabir Sarajit kritikët i kanë krahasuar me botën e Franc Kafkës dhe me skenat plot ankth të Xhorxh Oruelit në “1984”. Por, sipas kritikut amerikan Richard Eder, Kadare shkruan në një përmasë krejt të ndryshme nga realizmi profetik i Xhorxh Oruellit dhe i shkrimtarit hungarez-britanik, me prejardhje çifute Arthur Coestller-it dhe ndoshta më errët se fantazia profetike e Franc Kafkës. Ai ka dhuntinë e të shkruarit me parabola të një peshe të madhe. Gjeniu i letrave shqipe, thotë studiuesi Robin Smyth, metaforën e tij për ingranazhet e makinerisë totalitare e hedh me shkëlqim dhe saktësi të madhe. Atmosfera shumë e largët në tregime, e pakufizuar në kohë, të përkujton krijimet e shkrimtares daneze Isak Dinesensit (emri i vërtetë Baroness Karen von Blixen), ndërsa “burgu” i pritjes përpara vdekjes së mirëpritur dhe të pashmangshme te Prilli, sipas shkrimtarit Andrew Sinclair, paraqet fatalizëm dhe është kod nderi. Përshkrimet e gjalla të një bote të përshkuar nga makthi, të shpijnë te romanet e kategorisë së parë të shkrimtarit të shprehjes gjuhësore gjermane, me origjinë çifute, të lindur në Ruse të Bullgarisë – nobelistit Elias Canetti.
Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet dhe fenomenet, faktet historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Në Peshën e kryqit, e cila bashkë me Ftesë në studio dhe Nga një dhjetor në tjetrin përbën një lloj trilogjie politiko-letrare, autori zbulon ankthin dhe vuajtjet vetjake gjatë viteve të skëterrës për intelektualët. Është autobiografi e romancierit nën regjimin stalinist, që ia del të botojë veprat e tij, por që asnjëherë nuk është i sigurt për reagimin e gjysmëperëndive të Byrosë Politike.
Preokupim i vazhdueshëm i shkrimtarit, që i ktheu mitet dhe legjendat në realitet, ka qenë edhe fati tragjik i Kosovës. Vepra Krushqit janë të ngrirë (1986) u bën jehonë ngjarjeve shpërthyese të kryengritjes shqiptare në Kosovë, në mars dhe prill të vitit 1981. Vepra është dëshmi artistike sesi autoritetet e Beogradit, kërkesave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, u përgjigjen me përndjekje të ashpra dhe vendosjen e shtetrrethimit.
Romancieri më i shquar i kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët, siç e quan shkrimtari dhe kritiku amerikan Bruce Bawer autorin e Spiritusit, i ka dhënë njerëzimit disa kryevepra, si: Gjenerali, Kronikë në gur, Pallati i ëndrrave, Kamarja e turpit, Doruntina, Prilli i thyer, Kështjella, Piramida, Ura me tri harqe, Qorrfermani etj., në disa prej të cilave, stigmatizon me mjeshtri artistike ideologjitë totalitare dhe regjimet diktatoriale, që nga Perandoria e Lindjes, të shtrirë në tre kontinente, deri në Lindjen e Largët. Në shënjestër të veprës kadareane është nacional-socializmi, për të cilin ishte krim të ishe çifut si dhe postulati E drejta është gjithmonë në anën e prijësit. Vepra e tij demaskon përndjekjet, burgosjet, izolimet, torturat në vende e kohë të ndryshme; makartizmin, krimet staliniste të viteve ‘20-‘30 të shekullit XX, Revolucionin kulturor në Kinë, kolonelët e zinj, pinoçetët në Kili, pol potët në Kampuçia, millosheviqët. Demaskimi i njëmendësisë politike dhe ideologjike te Koncerti në fund të dimrit është sulm i drejtpërdrejt ndaj regjimit diktatorial të Shqipërisë komuniste. Mesazhi i veprës së tij tregon se i vetmi demiurg i jetës shoqërore është njeriu dhe shoqëria.
I rrahur në të gjitha dallgët e artit modern, Kadareja bëri histori prej prehistorisë, pa rënë në kundërthënie me gjykimin modern. Vepra e tij, sa ç‘është ushqim shpirtëror, po aq është edhe art sublim.
Me krijimtarinë e shkrimtarit më të shumanshëm të kohës sonë, siç e vlerëson Kadarenë shkrimtari dhe dramaturgu francez, i lindur në Odesë – Alain Bosquet, janë marrë, si kritikët letrarë shqiptarë, ashtu edhe të huajt. Me veprën e tij janë marrë Jorgo Bulo, Dalan Shapllo, Razi Brahimi, Dilaver Dilaveri, Klara Kodra, Xhevat Lloshi, Perikli Jorgoni, Adriatik Kallulli, Alfred Uçi, Pipi Mitrogjorgji, Floresha Dado, Muzafer Xhaxhiu, Abdurahim Myftiu, Moikom Zeqo, Shaip Beqiri, Tefik Çaushi, Injac Zamputi, Shaban Sinani, Emin Kabashi, Bashkim Kuçuku etj. Me veprën e Kadaresë janë marrë edhe kritikët dhe studiuesit nga Kosova. Për shumë kritikë të huaj, fëmija që lindi në qytetin e gurtë, është kalibër i jashtëzakonshëm i artit letrar. Kritikja letrare Shusha Guppy thotë se Kadarenë e kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Oruellin, por zëri i tij është origjinal, universal, e prap me rrënjët thellë në tokën e vet.
Më 2008-2009, kundër Kadaresë u ndërmor një fushatë. Ata të cilët para tridhjetë apo dyzet viteve, në shkrimet dhe në studimet letrare të tyre e ngritën lartë veprën e Kadaresë, tani thonë se ka qenë shkrimtar oborri dhe se i takon realizmit socialist. Krijimtaria letrare e Eskilit shqiptar e dëshmon të kundërtën. Vepra e Kadaresë, këtij tragjediani më të madh të shekullit XX, është sulm mbi diktaturën, tiraninë, despotizmin, qeverisjen autoritare dhe autokratike, ideologjinë totalitariste dhe kultin e prijësit. As edhe si njeri, nuk i ka shërbyer regjimit komunist të pasluftës. Përkundrazi, ai ka qenë më i syrvejuari i pushtetit. Por edhe pushtetarët ia kanë pasur frikën. Aurën e tij ndërkaq dhe veprën me vlera universale, kanë tentuar ta shfrytëzojnë dhe ta prezantojnë në arenën ndërkombëtare si letërsi të shtetit komunist.
Recensione për veprat e Kadaresë janë botuar në revistat letrare më prestigjioze të metropoleve të botës, sikundër që edhe intervistave të tij u është dhënë dritë në gzetat dhe në revistat më me renome të rruzullit.
Vepra kadareane zbulon para Perëndimit dhe mbarë njerëzimit, një botë të re, atë të Ballkanit, mitet dhe legjendat e gadishullit, si vazhdimësi e miteve dhe e legjendave të kohës homerike, nxjerr në shesh fjalën mitike që ngre të vdekurin nga varri, kokat e prera që Tunxh Hatai i dërgon në kryeqytetin e Perandorisë së Lindjes për t’u vendosur në Ibret-Tash, ëndrrat e grumbulluara në Tabir Sarajin misterioz, që t’i përkujtojnë plakat e Dodonës apo orakujt e Delfit në Greqinë e Vjetër, ëndërshpjeguesit romakë, asirë, perësë, mongolë për të parë se nga u vjen rreziku zotave, përpjekjet prometeane të shqiptarëve për të mbijetuar përballë stuhive të historisë,
Që në fillim të krijimtarisë së tij, e quajtën ambasador të kulturës shqiptare në botë. Princi i kombit në letërsi ka botuar rreth pesëdhjetë vepra letrare dhe është përkthyer në dyzet e pesë gjuhë të botës, përfshi dhe gjuhën baske, ndërsa ka 1000 botime në botë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe laureat i shumë çmimeve kombëtare. Më 1996 u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me çmime prestigjioze për letërsi, si: më 1992 Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 Man Booker Internacional Prize, në Britani; më 2009 Premio Principe de Asturias de las Letras, Spanjë; më 2015 Jerusalem Prize, Izrael që do t’i dorëzohet në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jerusalem në shkurt 2016. Më 1 janar 2016 presidenti i Francës ia dha urdhrin Komandant i “Legjionit të Nderit”. Ka qenë kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, sikundër është dhe sivjet, i propozuar nga ASHSH.
Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq, vepra e më të madhit shkrimtar të gjallë të kohës, siç e quan Kadarenë kritiku francez Guillaume Allary, është një shpresë, një ogur i bardhë për të.(E dergoi per Diellin: Xhelal Zejneli)
Kryeparlamentari Veseli për Trepçën: Asnjë gur i Kosovës nuk do të privatizohet
-Kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli, takim me drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit/
-Në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI
PRISHTINË, 29 Janar 2016/ Asnjë gur i Kosovës nuk do të privatizohet, tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli, duke folur për gjigantin ekonomik Trepça, në takim me drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me të cilët bisedoi për sfidat me të cilat po përballet kjo agjenci dhe veprimet që do të ndërmerren në të ardhmen.
Kryeparlamentari Veseli theksoi se Trepça, si aset shumë i rëndësishëm ekonomik i Kosovës, do të ketë perspektivë dhe nuk do të mbetet vetëm krenari historike e vendit.
“Kuvendi, në bashkëpunim me komisionin ndërqeveritar, ka filluar projektin për të ardhmen e Trepçës dhe në një të ardhme të afërt priten propozimet konkrete. Së shpejti do të kemi Ligjin për Trepçën. Asnjë gur i Kosovës nuk do të privatizohet. Veprimtaria ekonomike do t’u nënshtrohet rregullave të ekonomisë së lirë të tregut, por asetet të cilat kanë të bëjnë me miniera, nuk do të privatizohen”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Temë qendrore e diskutimeve në takimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ishte çështja e pronave të uzurpuara, një problem ky mjaft shqetësues, i cili ka përcjell në vazhdimësi punën e kësaj agjencie. Ishte dakordim i përbashkët që shumë shpejt të bëhet publike lista e uzurpatorëve, në mënyrë që të dihen emrat e atyre që vazhdojnë të mbajnë të uzurpuara pronat publike dhe shoqërore në Kosovë.
Duke kërkuar që këtë proces ta përcjellë transparencë e plotë, kryeparlamentari Veseli tha se askush nuk duhet të gabohet dhe të besojë se mund të përfitojë nga prona e huaj. “Prona është e shenjtë dhe është e patolerueshme që sot të ketë ende prona të uzurpuara”, u shpreh ai.
Në takim, u diskutua edhe për mundësitë e shtimin e prodhimit vendor, duke rritur të punësuarit në veprimtari prodhuese. U vlerësua se një mundësi e mirë për këtë është rritja e investimeve të huaja, si dhe nga diaspora. Në funksion të kësaj, kryetari Veseli theksoi nevojën e krijimit të zonave të reja ekonomike, të cilat do t’u krijonin mundësi të reja investitorëve të huaj dhe atyre vendorë.
“Në zonat e lira ekonomike, investitorët potencialë të joshen me dhënien e tokave në koncesion, për një periudhë të gjatë, si kundërvlerë për investime dhe vende të punës. Gjithashtu, edhe asetet e tjera për të cilat ka interes nga investitorët kredibilë, duhet dhënë për 1 euro, në mënyrë që të gjenerohen vende pune dhe investime”, theksoi Veseli.
Kryetari Veseli bëri të ditur se punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara, do të vazhdojnë të marrin 20 përqindëshin, si një e drejtë e patjetërsuar e tyre.
Kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi, nga ana e tij, u ndal në një sërë çështjesh me të cilat përballet bordi i ri dhe komplet kjo agjenci, duke shprehur përkushtimin që t’u dilet mbanë të gjitha sfidave që ajo ka para vetes, si në procesin e privatizimit, ashtu edhe të largimit të uzurpatorëve nga pronat dhe shpërndarjen e 20 përqindëshit për punëtorët.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka nisur vitin 2016 me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-tën. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit ishte një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, në 17 dhjetor, pasi miratoi, me procedurë të përshpejtuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këtë agjenci.
“Gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve”, ka theksuar në konferencën vjetore për shtyp Avni Jashari, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues të kësaj Agjencie, e cila në mungesë Bordi kishte mbetur pa drejtor menaxhues.
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në ditën e fundit të vitit 2015 – në 31 dhjetor, ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, të udhëhequr nga Petrit Gashi, kryesues i Bordit, ku u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të Agjencisë. Mes tjerash, Bordi diskutoi lidhur me zhvillimet e fundit në Ndërmarrjen Shoqërore Trepça nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit përbëhet nga tetë anëtarë: Petrit Gashi, kryesues dhe drejtorët Bajram Zejnullahu, Hamdi Jaha, Hasime Mazreku-Krasniqi, Haxhi Arifi, Ismail Januzi, Ranko Djokic dhe Skender Komoni.
Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ende nuk i ka shitur rreth 1500 asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe se janë 29,373 raste në instanca të ndryshme gjyqësore.
Që prej themelimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vitin 2008 (më parë emërtohej Agjenci Kosovare e Mirëbesimit), qeveria nuk e ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore. Deri në 10 shtator 2015 janë marrë gjithësej 555 vendime për shpronësime të pronave shoqërore. Gjatë vitit 2016 parashihet që Agjencia të dërgojë letrat formale me kërkesë për pagesë të këtyre shpronësimeve.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
1946 – 2016-NJË URIM PREJ “GROPAVE PA EMEN” !..
Nga Fritz RADOVANI/
TEK PENDA E ZALLIT TË KIRIT 1992/
■1946 VIT I ZI SI FUTAT… /
Përveç Nanës sime të vishun me të zeza, si fëmijë kujtoj atë vit edhe dy Nana po me të njajtin emen të vishuna me të zeza, Katrinë Prelen, Nanen e Kolë Prelës së Dukagjinit, dhe Katrinë Tomen, Nanen e Vllazenve Pal e Mark Thani të pushkatuem ndersa, Dedë Thani i burgosun në Jugosllavi… Katrinë Tomja gati kishte “harrue” vrasjet nga tmeri i burgosjes së dy mbesave, vajzat e reja Terezina e Liza Pali… Nga dy Nanat Katrina, unë si fëmijë mësova emnat e futave të zeza që Ata të shkretat i kishin kokat e mbulueme….
Nga lidhjet e vjetra të familjeve tona, Katrinë Tomja vinte ma shpesh në shtëpinë tonë, dhe mirpritej me dashuni per natyren e Saj bujare, inteligjente dhe një humor që nuk mund të kuptohej nga dilte prej Asaj Nane të vishun zi nga koka deri tek kambët…
Kurr nuk i kam pa lot nder sy… As sot nuk dij me e shpjegue!
■Unë vazhdojshe me luejtë me lojnat e mija, po veshi më kapte shpesh fjalë nga bisedat e Nanës sime me Katrinën. Kujtoj një thanje të saj: “Këta dalshin fare!..”, sigurisht, unë atëherë as nuk dijshe me kuptue shka domethanë ajo shprehje!
***
■Me rasën e 25 Janarit 2016, kur Presidenti Nishani shkoi në Koplik dhe dekoroi atje Ata Burra të Maleve që dhane jeten per Liri, mu kujtuen nga fëminia ngjarjet perqethëse të atyne viteve, kur si Nana Katrinë Tomja u mbuluen me futa qindra Nana të tjera…
■Fjala e Presidentit duhet të zgjojë jo vetem Veriun po gjithë Shqiptarët nga gjumi…
Rishfaqja e surratit diktatorit po sjellë ato pasoja që sjellin tiranët, per të cilët Profesor Petro Fundo ka thanë: “Diktatorë si Enver Hoxha sundojnë edhe per së vdekuri!”…
Presidenti kerkoi hapjen e dosjeve të krimeve të Sigurimit të Shtetit, mbasi ato nuk i perkasin asnjëherë retorikës. Hetimet e krimeve të komunizmit dhe dënimi i krimeve të Sigurimit të Shtetit është pazgjidhshmërisht i lidhur me çështjet e interesit të sigurisë kombëtare të shqiptarëve. Presidenti shtoi: “E quaj të papranueshme hartimin dhe tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ‘ekspertë të reformës në drejtësi’ për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit.
Nga kjo trevë dhe tokë Martirësh u bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë ta refuzojnë mbështetjen dhe miratimin e një neni të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë! Ata u kanë bërë një provokim të rëndë vuajtjeve dhe sakrificave, por edhe kujtesës historike, kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.”
***
■Shteti i sotem i korruptuem nga qeveritarë tradhëtarë dhe kriminelë vllavrasës, asht shtet i trashiguem nga terroristët ma të mëdhej të Shekullit XX në Europë!
Sot mbas 70 vjetësh ma shumë se kurrë, dëgjohet nga “gropat pa Emna” Urimi:
■“Këta dalshin fare!”: Po kush janë këta bisha:
Anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare.
Anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (të Punës) dhe Kandidatët e sajë.
(Këtu duhet të përfshihen edhe dezhurët bashkë me pastruesit e zyreve të këtyne institucioneve).
Anëtarët e të gjitha Qeverive të Shtetit Shqiptar mbas vitit 1944.
Anëtarët e Agjensisë Telegrafike Shqiptare dhe korespondentët e gazetave kryesore.
Anëtarët e Byrove të Partisë, në Komitetët e Rretheve, Institucione kulturore e arsimore, ndërmarrje, Kooperativa Bujqësore, etj.
Anëtaret e Byrove të Organizatave të Rinisë dhe Sekretariateve të BRPSH.
Anëtarët e Gjykatës së Naltë të RPSH.
Anëtarët e Gjykatës së Naltë Ushtarake – Tiranë.
Anëtarët e Trupit Gjykues të Gjykatës, së Qarkut, të Rrethit etj.,
Anëtarët e Partisë Komuniste Shqiptare (Partia e Punës dhe Partia Socialiste Shqiptare),
Anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Anëtarët e Kryesisë së Organizatave të Frontit Demokratik (ku, mbulohej Partia
Komuniste Shqiptare), në Kryeqytet dhe qytete të Shqipnisë.
Anëtarët e Kryesisë së Komiteteve Ekzekutive dhe Këshillave Popullore të qarqeve,
rretheve, qyteteve, lokaliteteve, fshatrave, koperativave bujqësore etj.
Anëtarët e Komisarjateve të Ushtrisë dhe të Zyrave të Kuadrit.
Anëtarët e Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Anëtarët e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Anëtarët e Kryesisë së Kolektivave të Avoketënve të Shqipërisë.
Anëtarët e Partisë që kanë krye Shkollat e Larta: “V.I.Lenin”, Juridik, Financë etj.
■Urimi duhet të fillojë nga terroristët që mendohen me u mbrojtë me ligj!
Alia Ramiz, Agolli Neki, Alibali Jusuf, Alizoti Përtef, Ameti Selajdin, Andoni Dhimitër.
Baci Gita, Bajraktari Shkëlzen, Bakalli Alush, Baku Nedime, Ballata Pjetër.
Balluku Beqir, Bala Vehbi, Banushi Gjon, Banushi Tano, Beçolli, Bejtja Xhemal, Bekteshi Sadik, Beltoja Loro, Bello(?), Beqari E, Beqiri Bastri, Beqja Hamit,
Beqja Rakip, Biba Bardhok, Bitaku (?) Injac. Bllaci Misto, Borduni Mihajl,
Brahimi Shaban, Bregu Bilo, Bushati (Qorri) Ali, Bylbyli Mehdi,
Cakaj Edmond, Cakrani Namik, Cani Zenel, Celi Qeverin, Ceta (Çeta) Niko.
Çami Foto, Çanga Vehbi, Çarçani Adil, Çarçani Siri, Çaushi Ismail, Çeliku Hajredin,
Çifligari Dhimitër, Çirako Gjule, Çitaku Ramadan, Çollaku Lin, Çela Aranit, Çoba Idriz,
Çoku Shyqyri, Çomo Jani.
Daragjati Pjetër, Dautaj Shaban Q., Deda Ndoc, Dedja Rasim, Dede Spiro, Dedej Sybi, Demiraj Shaban, Demiri Marko, Demiri Sulë, Dibra Faik, Dibra Shefqet, Dibra Ylvi, Dibra Zija, Dilo Koço, Dini Jonuz, Dini Xhemal, Dino Ago, Dodona Sotir, Drini Skënder, Dume Petrit, Dushi Bardhyl, Dymylja Xhemal, Dhora Dhimitër, Dhroso Jorgo, Fishta Adem, Fishta Iljaz, Fishta Vehbi, Floqi Gaqo,
Gavoçi, Qamil, Goga Lefter, Gora Hysen, Grabocka Myftar, Gramshi Xhemal,
Gjerga Sllobodan, Gjylbegu Ilir, Gjyli Arif, Gjata Rustem.
Hoxha Enver, Hafizi Dr.Ramiz, Hafizi Shuajp, Haka Rexhep, Hakani Petrit,
Hakiu Abdyl, Hako Hulusi, Halluni Ferit, Harito Qiriako, Hasi Pjetër, Haviari Nesti, Haxhi Iljaz, Haxhiu Rexhep, Hazbiu Kadri, Haznedari Nëvzat, Hebovija Hilmi,
Hoxha Fadil, Hoxha Nexhmije, Hysejni Nexhat, Hysi Skënder,
Ilia Kolec, Iljazi Mustafa, Isufi Beqir, Isufi Halit.
Jaho Taqo, Jakobini Andrea, Jakova Kolë, Jakova Tuk, Jaku Gjon, Janjiqin Dragutin, Jashari Qemal, Jegeni Llambi, Josifi Koço, Jubani Bep, Jubani Satber, Jubani Lec.
Kabashi Çesk, Kafeja Vasil, Kanani Petro, Kapisuzi Fadil, Kapisyzi Qazim, Kapo Hysni,
Karamelo Thoma, Kastrati Jup, Kavaja Vasil, Kçira Pjerin, Keçi Hamid, Klosi Bilbil,
Kijariq Branisllav, Koçov Sllobodan, Koka Viron, Koleci Vaskë, Koleka Spiro, Kraja Fahri
Kolli Rexhep, Konomi Manol, Kopali Nesti, Korita Neki, Koroveshi Anastas, Kraja Haki, Kraja Musa, Kristo Pandi, Kuçi Shaban, Kuçi Zef, Kumbaro Sadush, Kumrija Angjelin, Kursani Nazmi.
Lakrori Lefter, Lame Hysni, Laro Thoma, Lazri Sofokli, Leci Gaspër, Lekiq Dulaq, Libohova Qamile, Lici Asllan, Lipivani Argjir, Lisi pseudonim, Lohja Cuf, Lohja Fehmi, Llazani Haki, Llazani Nuri, Lleshi Haxhi,
Major Ruli, Malëshova Sejfullah, Mandija Feço, Mandija Ferit, Markoja Marko,
Marku Gjen. Gjin, Marleci L., Mazi Gac, Mazrreku Gjovalin, Mborja Emil, Mesi Elez, Mersini Jonuz, Mëlyshi Pal, Mihali Arqile, Miloti Isa, Miloti Tonin, Mina Rapi,
Miloti Xheudet, Minarolli Faik, Misja Vladimir, Muja Rifat, Mula Ismet, Mushi Kristo,
Mushani Xhyhere, Myftaraj Skënder, Myftiu Manush.
Nallbani Ndrekë, Nano Fatos, Ndoja Hysni, Ndoka Pëllumb, Ndreu Dali, Ndreu Esat,
Nimani Mazllom, Nishani Omer, Nosi Frederik, Nuti Faik.
Paçrami Ali, Paçrami Fadil, Panariti Shuajp, Panduku Illo, Pano Spiro, Prifti Foto,
Papadhimitri Orest, Parllaku Rahman, Peçi Sheuqet, Pela Haxhi, Pema Filip, Papa Ilo,
Pira Nazif, Pistoli Çiril, Podgorica Prof. Fadil, Polona Lako, Popoviq Miladin,
Popoviq Misho, Prendushi Gjon, Prokopi Qako.
Qemali Namik, Qilimi Mustafa, Qiriaqi Sotir,
Rama Sadik, Rama Selim, Ramadani Irfan, Ramohiti Halil, Resmia Nuri, Rino Ndreko,
Rino Thoma, Rugia Muharrem, Rrjolli Dul.
Sadiku Dilaver, Saliu Muço, Samsuri Dhori, Seiti Gjen. Hilmi, Selimi Rexhep,
Selimi Xhemal, Sokoli Prenkë, Spahiu Bedri, Spiru Nako, Stalin, Josif V., Stepani Ali, Suji Ahmet, Sykja Rustem,
Shala Luigj, Shandro Kostaq, Shehu Feqorr, Shehu Fiqrete, Shehu Gjylhani, Shehu Hajri,
Shehu Mehmet, Shehu Zurdi (Zyhdi?), Shima Sabri, Shkodrani Dhimitër, Shkurti Zoji,
Shukriu Ali, Shoshi Çesk, Shuteriqi Dhimitër,
Taçi Çapajev, Tare Myftar, Tefiku Jake, Temja Basri, Tepeleni hetues, Tito Josif Broz, Tirana Mynir, Toger Baba, Troshani Kasem, Tuli Jonuz, Tyli Muhamet.
Thanasi Enver, Themeli Zoi.
Ujaniku Nestan, Uli Angjelina, Uli Mark, Ulqinaku Hamdi.
Vasili Ndoc, Vata Pjerin, Villa Skënder, Veleshnja Teki, Vujoshi Jovan.
Xhemali Mentor, Xhika El-ham, Xoxe Koçi, Xhunga Ali.
Ymeri Fadil.
Zaja Hys, Zaja Mustafa, Zjarri Njazi, Zejneli Veladin, Zeneli Faik, Zeneli Lilo, Zykaj A,
Zhagari Marian.
Shenim: Emnat e policëve i gjeni nder librat e të persekutuemëve politik.
■Vertetë këta emna i pershiftë “Urimi i gropave pa Emen”, po mos harroni me vazhdue këte listë me emnat e “atyne që po kerkojnë rishfaqjen e simboleve t’egra të diktaturës”!
E të gjithë bashkë: “Ata dalshin fare!”
Melbourne, 29 Janar 2016.
Ambasadori Delawie: Opozita po krijon precedent nëse vendi shkon në zgjedhje
-Diplomati amerikan shpreson shumë se Serbia do ta njohë Kosovën, duke theksuar se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është që Kosova, si çdo vend tjetër në Evropë, të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara-/
Prishtinë, 28 Janar 2016/ Kosova duhet t’i përdorë institucionet e saj për ta zgjidhur ngërçin e tanishëm politik, ka dhënë referencën e tij i deleguari i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.
Diplomati amerikan, në një intervistë për Rubikonin në KTV sonte, ka thirrur udhëheqësit politikë që t’i lënë anash interesat e tyre personale dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje për hir të qytetarëve të Kosovës, e të cilët sipas tij, janë punëdhënësit e politikanëve.
Ambasadori amerikan ka tërhequr vërejtjen se Kosova mund të krijojë precedent nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve, pasi sipas tij, kjo kërkesë po vjen nga një pakicë njerëzish që përpiqen ta përdorin dhunën politike, kaosin politik për të arritur diçka që nuk kanë mundur ta arrijnë gjatë zgjedhjeve para dy vjetëve.
Sa i përket Asociacionit, diplomati amerikan thotë se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë udhëzimet për të siguruar se ky Asociacion do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sepse askush e as amerikanët nuk e dëshirojnë një Republikë Serbe në Kosovë.
Delawie e quan të sajuar çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe sipas tij, kjo po bëhet për poena politikë nga ata që po e bllokojnë punën e Kuvendit.
Ambasadori Delawie ka vënë shpresat se funksionalizimi i Gjykatës Speciale do të zgjidhë pretendimet e lëna pezull prej periudhës së luftës, duke theksuar se kjo gjykatë do t’i gjykojë “kapadainjtë”, të cilët nuk mund t’i gjykojnë kosovarët.
Diplomati amerikan shpreson shumë se Serbia do ta njohë Kosovën, duke theksuar se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është që Kosova, si çdo vend tjetër në Evropë, të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Kosovë-Serbi, me dallime e pa afat kohor për Asociacionin e komunave serbe
“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë kryeministrat kosovar Isa Mustafa pas takimit në Bruksel me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç/
-Gjatë takimit Mustafa-Mogherini është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen/
AAK: Mustafa nuk ka më legjitimitet të bisedojë me Serbinë/
PRISHTINË, 28 Janar 2016-B.Jashari/ Në Bruksel, mbrëmë, ka përfunduar raundi i 30-të i dialogut në nivel të lartë Kosovë-Serbi, me takimin e përbashkët trilateral të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, pasi i takoi veçmas duke nisur pasdite.
Në këtë raund bisedimesh për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe rrugën përpara në dialog, sipas raportimeve nga Brukseli, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Në njoftimin e dërguar nga Brukseli nga delegacioni kosovar bëhet e ditur se, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Gjatë takimit është diskutuar për aspektet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe perspektivat e dialogut për të ardhmen.
Ishte vlerësim i të gjithëve që dialogu në Bruksel dhe thellimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian është interes madhor i Republikës së Kosovës në rrugën e saj përpara në integrimet euroatlantike”, theksonte njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit bilateral të shefes së diplomacisë evropiane, Mogherini me kreun e qeverisë kosovare Mustafa, që u pasua me takimin me kryeministrin serb Vuçiç.
Ndërsa, pas takimit të përbashkët trilateral Mustafa-Mohgerini-Vuçiç, ndërmjetësuesja e BE-së, përmes një deklarate për media, ka falënderuar kryeminsitrat për, siç ka thënë, përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të normalizuar më tej marrëdhëniet e tyre në kuadër të dialogut.
“Takimet e sotme kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara me një qasje shumë konstruktive. Ne të gjithë e kemi parasysh nevojën për të sjellë përfitime të drejtpërdrejta dhe konkrete për të gjithë njerëzit në Serbi dhe në Kosovë, të cilët dëshirojnë të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Mogherini, duke shtuar se të dyja palët janë pajtuar për të nisur bisedimet për lidhje direkte ajrore dhe hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa ka deklaruar për median se bisedimet kanë qenë të mira dhe konstruktive. Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të zbatohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrëveshjes së parë (të nënshkruar në Bruksel në raundin e 10-të në 19 prill 2013) dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë (të miratuar nga Kuvendi i Kosovës)”.
“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se nuk është rënë dakord për asnjë afat kohor për formimin e Asoaciacionit.
Ndërsa, kryeministri i Serbisë, Vuçiç, ka insistuar se nuk pranon asnjë vendim të, siç ka thënë, të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.
“Bisedimet nuk janë të lehta dhe po kërkojmë mënyra se si të zhbllokohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohet nga opozita kosovare me bllokim të seancave të Kuvendit të Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës e me protesta, prej më shumë se katër muajsh dhe me paralajmërime edhe në vazhdimësi.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët edhe tash janë pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme. Raundi djeshëm ishte i shtati i takimeve në Bruksel të kryeministrave Mustafa e Vuçiç, i pari në vitin 2016.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.
Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.
***
AAK: Mustafa nuk ka më legjitimitet të bisedojë me Serbinë
PRISHTINË, 28 Janar 2016/ Partia opozitare e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, reagon pas raundit të 30-të të dialogut Kosovë-Serbi, të zhvilluar dje në Bruksel.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, deklaroi sot se, “konsideron se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku konstatohet se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është në kundërshtim me Kushtetutën, kryministri i Kosovës e ka humbur legjitimitetin që ta përfaqësojë Kosovën në çfarëdo bisedimesh”.
“Aq më tëpër ai nuk mund të ketë mandat që të diskutojë të njejtat çështje, të cilat i ka negociuar një herë dhe i ka nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën”, shtohet në deklaratë.
“Krejt çka mund të bëjë ai, është që të kthehet në Kosovë dhe ta hapë rrugën që vendi të dalë nga kriza politike, duke shkuar në zgjedhje të parakohshme”, përfundon AAK.
- « Previous Page
- 1
- …
- 596
- 597
- 598
- 599
- 600
- …
- 859
- Next Page »