• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nacionalist?! Kostum që nuk i ka shkuar asnjëherë për shtat…

March 17, 2014 by dgreca

SHKRUAN: KRISTAQ TURTULLI/

  Apologji për vete dhe për të tjerët/

‘Çfarë është shënuar në monedhë? pyeti Jezu Krishti. Koka e Cezarit, i thanë. Atëherë jepini Cezarit çfarë i takon Cezarit dhe jepini Zotit çfarë i përket Zotit, u tha Jezui.

E pra siç ka thënë Jezu Krishti, këtu e dymijë vjet më parë. Le tu japim secilit atë që u takon, pa mëdyshje, pa pasione, pa komplekse. Atyre personave që kanë luajtur dhe luajnë role të rëndësishme, për fatet e kombit shqiptar, përgjatë shekujve dhe dekadave, për mirë ose për keq. Ne që e kemi jetuar dhe parë kthjelltas me sytë tanë e dimë mirë, dhe tu themi atyre që vijnë pas ashtu siç ishte në të vërtetë.

Një moment me sinqeritet mendojmë se, kanë rrjedhur gjithë kjo ujë nën urë dhe nuk do të rikthejmë më kryet nga e shkuara. Do të ecim përpara pa u ndalur. S’janë pak por 24 vjet, qysh atëherë, kur u mendua se ndodhi përmbysja. Dëshira për një vështrim përpara për një jetë të re demokratike. Me mendësi të reja progresiste.

Mes nesh, e kësaj periudhe është rritur burrëruan në të tjera kushte dhe mendësi një tjetër brez, qe nuk e njeh të vërtetën ashtu siç është. Me indiferentizëm e merr ashtu si ja thonë. Shpesh thuhet se nuk duan të dëgjojnë asgjë për sa ka ndodhur përpara 24 vjetëve. Ndërsa për brezin tonë e ca më tej, pëshpëritet mes vedi, me thënë të drejtën jemi lodhur. Sepse qysh në fëmijëri na detyruan të mësonim, parulla standarde, steriotipe; për partinë, për Enverin, për diktaturën dhe internacionalizmin proletar. Për dhunën e pamëshirshme ndaj klasës së përmbysur. Nacionalizmin, deri në asgjësimin e plotë të saj. I lexonim këto kudo të afishuara nëpër mure. I përsëritnim këto çdo në mëngjes, çdo në drekë dhe çdo mbrëmje. Shpesh herë na ngrinin në mes të natës dhe na urdhëronin të përsëritnim, ti thoshim me zë të lartë. Na trembej gjumi. Na regëtinte zemra, na këputej syri. Ne sy mbyllur, si somnambulë përsëritnim atë nuk donin kurrë ta mendonin dhe jo më ta thoshim. Na i shurdhuan veshët për dyzetepesë vjet të dëgjojmë, si i binin fyellit në një vrimë. Fatmirësisht edhe pse pak me vonesë, u kuptua prej të gjithëve se fyelli i vjetër nuk paska vetëm një vrimë, por shumë vrima, ku mund të vendosësh gishtërinjtë dhe të lëshosh të tjerë tinguj.

Por ka nga ata që nuk lodhen dhe nuk mërziten. Ata, të djeshmit e pushtetshëm, që tashmë janë të nginjur me para, duke e lënë popullin fukara dhe i kthehen dhe i rikthehen me djallëzi, duke gjetur të tjera shtigje të verbëta, si rastësisht, gjoja të paditura, si fjala vjen:‘ Nacionalizmit’.Ti ngrenë më pas në skenën shqiptare. Ti bëjnë të vërteta të padiskutueshme, dhe dalë ngadalë rivendoset ëndrra e tyre, me xhepat e mbushura me para. Instituti marksist leninist është përmbysur, por ekziston akoma në ata që e krijuar dhe në ata qe u mësuan…

Sot Shqipëri, me ndryshimin e kahut politik, ardhjes në pushtet të një partie tjetër. U zgjuan nostalgjitë e patologjitë e strukura. Ato gjithnjë ngrihen e ulen, dallgëzohen, vazhdojnë të përplasen në memorie dhe sot e kësaj dite. Ndoshta  dhe më tepër, paçka e kemi 24 vjet demokraci… Tani kanë filluar të zgjohen e të dëgjohen të tjera zëra të paqena rreth ‘nacionalizmit’ të E. Hoxhës. Sakaq u hap tjetër vrimë në fyell, paçka se fyelli është të vjetër, i krimbur prej kohës. Por ata kanë filluar ti bien kësaj vrime. Çfarë paradoksi! Ndoshta nuk është paradoks, por kalë Troje. Kur vetë ai po të qe gjallë, të dëgjonte një gjë të tillë, do të zemërohej dhe do të gjëmonte: ‘Kush guxon të më quajë mua nacionalit?’Ndoshta nuk dihet, sepse ai gjithnjë e dridhte.

Sigurisht që nuk i kishte shkuar kurrë në mendje se mund ta bënin të tillë. Ishte ai, që me bindje dhe ndërgjegje të plotë, shfarosi me zjarr dhe me hekur klasën fisnike dhe nacionalizmin shqiptar, punoi e bashkëpunoi kundër popullit kosovar. Ishte ai që mbolli tek ne internacionalizmin proletar dhe diktaturën e proletariatit, eksperiment alaenverist. Nacionalizmi për të ka qene si fantazma e përgjakur e Bankos që e ka përndjekur dhe munduar mbretin vrasës Makbeth.

Filozofi empirik Tomas Reid është shprehur: Supozoni një oficer që është fshikulluar kur ishte një djalë në shkollë për vjedhje në një kopsht, të ketë marrë një standard prej armikut në fushatën e tij të parë, dhe që është bërë një gjeneral në moshë të përparuar, mendoj, gjithashtu, e cila duhet të pranohet që të jetë e mundur, që, kur ai mori standardin, ai ishte i vetëdijshëm që ka qenë i fshikulluar në shkollë, dhe që kur ai u bë një gjeneral, ai ishte i vetëdijshëm për marrjen standardeve, por kishte humbur absolutisht vetëdijen e rrahurës së tij. Reid vazhdon të argumentojë se në kriterin e identitetit personal që fliste Jon Locke, gjenerali është i njëjti person si oficeri, dhe oficeri është i njëjti person si ai djali, por meqenëse nuk ka asnjë lidhje psikologjike ndërmjet djalit dhe gjeneralit, del që gjenerali dhe djali nuk janë i njëjti person.

Fuqia e argumentit nuk është vetëm që ne mendojmë intuitivisht që djali dhe gjenerali janë i njëjti person. Një mbrojtës i Locke-ut mund thotë se në një kuptim shumë të vërtetë gjenerali është person shumë ndryshe nga fëmija. Në të vërtetë  argumenti i oficerit trim qëndron duke treguar se pozicioni i Locke-ut rezulton në një kundërshtim, që shkakton, si Reid e vë atë, se “gjenerali është , dhe në të njëjtën kohë nuk është, i njëjti person me atë që fshikullohej në shkollë .” Ky rezultat ndodh për shkak të një parimi logjik i njohur si transitivitet i identitetit. Shkurt, transitiviteti i identitetit është principi që është A = B dhe B = C , atëherë A = C. Argumenti “oficerit” i Reid-it tregon se kriteri i Locke-ut i identitetit personal është në kundërshtim me këtë rregull. Si rezultat e kësaj kontradikte, ajo hedh poshtë kriterit e Locke-ut  si një kusht i nevojshëm ose i mjaftueshëm të identitetit.

Mu kujtua një kushëri i babait, Aleko Turtulli. Atëherë isha  i vogël. Ai kishte qenë bashkë student në liceun e Korçës, të cilën ia dhuroi qytetit familja jonë. Aleko ishte gjithashtu bashkë student në Monpelje me E. Hoxhën. Njëkohësisht ne si familje i kemi përkrahur studentët e huaj prej trevave të ndryshme të Shqipërisë dhe me rezultate të mira në mësime. Me ndihmë materiale, po ashtu dhe me drekë tradicionale në familje.

Por më shumë prej të tjerëve familja jonë përkrahu djaloshin delikat E. Hoxhën, meqenëse Alekos iu duk një djalë i dobët, i brishtë, i sinqertë. I cili qëndronte i mënjanuar, i ndrojtur, disi i trembur në cep të murit, të liceut. Aleko e mori pranë, e inkurajoi dhe u miqësua me të. Në momente të vështira e mbështeti moralisht dhe materialisht. Më të shumtën e herës për nevoja të ndryshme i jepte  të holla borxh, por që kurrë nuk iu kthyen.

Me vendosjen e diktaturës në Shqipëri, Aleko dënua dy herë me burg. Dhe kur doli prej burgimeve të gjatë, në burgjet famëkeq, burri shtatlartë, shëndetshëm, i pashëm ishte krejtësisht i shpërfytyruar, një kufomë e gjallë. Ai vinte gjithnjë për vizitë në shtëpinë tonë dhe ishte jashtëzakonisht korrekt. Çdo të shtunë fiks në orën tre pas dite. I kërrusur, mbështetur pas një ombrelle të zezë, të cilën nuk e hiqte nga dora dimër dhe verë. Ngjiste shkallët me vështirësi, duke marrë frymë me zor dhe trokiste lehtë në derë me gishtin tregues te përthyer. Hyrja e tij në dhomë, ishte krejt ndryshe nga të gjithë ardhësit në shtëpinë tonë, dhe njerëzit që kam njohur në jetën time. Ai zgjaste kryet, më pas gjysmën e trupit, pastaj hynte gjithi në dhomë. Trupi i Aleko Turtulli nuk ishte si gjithë të tjerët por qe i sakatuar. Ai qe i përthyer më dysh shkaktuar prej qelive të lagështa dhe prej torturave të pandërprera.

Babai dhe Aleko tërhiqeshin në cep të dhomës larg dritareve, sepse gjithnjë poshtë dritareve do kish ndonjë që përgjonte. Ata rrufitnin kafen e nxehtë dhe flisnin zë ulët me njëri tjetrin. Çfarë thuhej tek zëri i Amerikës dhe pastaj fjala shkonte atje ku dhembte shpirti: ‘Si e ndihmoje o Leko, i thoshte babai, kur e shihje se çfarë njeriu ishte.  Shiko çfarë na bëri, na shkuli me kuç e maçkë dhe tani na ndjek hap pas hapi dhe po na shfarosen të gjithëve. Aq me keq kur ai e di shumë mirë, si dreqi se çfarë ka bërë familja jonë për Korçën dhe Shqipërinë. Aleko rënkonte, rrufiste kafen e zezë dhe mërmëriste: Po ai është aktor bre Petro, aktor dhe shkuar aktorit. Ta dredh, ta bën të pabërën të bërë, të lë dozoi gjashtën në dorë. Natën të vret, ditën të qan dhe pas shpine të kërren…Shiko mua, shokun e tij të rinisë e të studimeve si më katandisi. Të kujtohet kur erdhi për vizitë tek ne në Korçë. Unë kisha disa muaj që kisha dalë prej burgut dhe punoja bojaxhi. Atë e shoqëronte Myftar Grabocka, kryetar i Komitetit të rrethit të Korçës, si dhe shumë pushtetarë të tjerë. Me sa më kujtohet unë po suvatoja murin e në godine të re. Myftari ndaloi këmbët dhe tregoi me gisht andej nga punoja unë, hipur mbi shkallë. ‘Një prej klasës së deklasuar e kemi vënë të lyejë muret,’ i tha. ‘Shumë mirë ia keni bërë, kështu e meriton klasa e përmbysur,’ i tha E. Hoxha. ‘Po kush është ai?’ e pyeti. ‘Aleko Turtulli, ju e njihni mirë atë,’ iu përgjigj Myftari. Korçarët e njihnin miqësinë që kishte pasur ai me mua.‘Ashtu, ah po, dhe lyen muret, ia bëri E,Hoxha, dhe hodhi një vështrim të turbullt mbi ndjekësit e shumtë përreth tij, pastaj shtoi: Hiqeni prej aty dhe vëreni në një vend më të mirë.

Pas disa ditësh çuditërisht më caktuan të punoja ekonomist në ndërmarrje. Fluturoja,  filloi të më vinte shëndeti dhe me vete thosha qe shyqyr zotit paska dhe shpresë, paçka se vazhdonim të jetonim te kulla e hirit. Por puna ime si ekonomist nuk e pati jetën e gjatë, zgjati vetëm disa muaj. Në mesnatë bie zilja në zyrën e Myftarit. Ishte ai. Me të tjerave e pyeti dhe për mua. E kemi vënë të punoje ekonomist në një ndërmarrje, sipas porosisë suaj shoku…’ ‘ Porosia ime,’ ia bëri me habi ai. ‘Si urdhëron.’ ‘Ç’më thua more! Mos ma tarnanisni, gjejini një shkak dhe rraseni brenda, kjo është porosia ime.’ Ti e di mirë për të na dënuar ne gjendet shumë lehtë shkaku. Të nesërmen u gjenda në pranga. Dënimi dhe burgimi i dytë ishte më i egër se i pari. Më katandisi në këtë gjendje. Ç’ pret prej tij që urdhëroi të vritet dhe i kunati, Bahri Omari, një nacionalit i kulluar. E mbaj mend fort mirë se si dridhej kur fliste e rënkonte dhe si zverdhonin rrudhat e munduara të Aleko Turtullit.

Vit pas viti i shkreti Aleko Turtulli u kërrus, u mblodh, deri sa u tret. Por si mundimi dhe torturimi i njeriut tonë, ndodhi me qindra dhe mijëra nacionalistë të prej shtresës fisnike shqiptare. Mund të përmend, shpirtkulluarin, mendimtarin, fisnikun, nacionalistin e flaktë Xhevdet Kapshtica. Ai rridhte nga një familje e shquar shqiptare, që jetën e tyre e lidhën me interesat e kombit. Xhevdeti u përndoq egërsisht, u burgos, familisht si rrallë të tjerë.

Madhështorin, komitin sypatrembur, patriotin  papërkulur Koli Rodhe, kryengritës i shquar, i cili përshkroi më këmbë natë e ditë male dhe ngrehina, kaloi mes përmes hafije turke, mbajti të fshehur në gjoks flamurin e shenjtë kuq e zi, për ta ngritur në ditën e madhe të pavarësisë në Vlorë. Koli Rodhja u përndoq si asnjë tjetër me ‘mëkatin’ e vetëm që ishte shqiptar i dhe nacionalist i kulluar. Për këtë ‘mëkat’, se ishte nacionalit u arrestua, u dënua dhe u burgos në burgun famëkeq të Spaçit. Por ai besonte me sinqeritet, se një ditë do të vërtetohej pafajësia e tij, ndaj mbante kostumin e zbardhëllyer poshtë jastëkut dhe fshehtas e shtrinte të mos zhubrosej. Me shpresë që kur të dilte prej burgut të takonte gruan, fëmijët dhe miqtë të paraqitej i veshur dhe i mbajtur mirë. Po ëndrra e tij e lirimit u varros në qershizë pa nam e nishan. Në atë burg famëkeq komunist shumë hynin po fare pak dilnin. Familja, gruaja, fëmijët e tij vuajtën dhe u përndoqën, gjithë jetën. Dhëndri i tij Genc Leka, ishte njëri prej martirëve, poetëve të Librazhdit. Thoma Orogollain, personalitet klasi, fjala e tij në prag të pushtimit prej fashizmit është madhështore, prej një patrioti dhe nacionalisti të vërtetë. Llazar Fundo, shkurt Zai, i cili ishte ëndërrimtar, idealist dhe një intelektual i shquar, njohës i shkëlqyer i nëntë gjuhëve të huaja. Kur ishte në Moskë pa me sytë e tij varfërinë dhe hipokrizinë e sistemit komunist. U trondit dhe u zhgënjye. Protestoi për këtë gjendje. Stalini kur pa mendimet dhe problematikën që përbënte ky person, dha urdhër të arrestohej. Një prej miqve të vet të ngushtë e lajmëroi Zain për rrezikun që i kanosej. Zai braktisi Moskën duke kaluar natën, përmes ujërave të zeza të qytetit. Më vonë për bindjet e tij u dënua nga fashistët në Ventotone, ishull i largët, vend internimi i Italisë. Zai Fundo u bind më në fund se çlirimi i vërtetë dhe bashkimi i Shqipërisë me të gjitha trojet shqiptare ishin nacionalistët dhe forcat e djathta, u lidh me familjen e madhe të Kryezinjve. E Hoxha duke parë rrezikun dhe reputacionin që kishte Zai Fundo dha urdhër të arrestohej me çdo kusht. Zai u kap tradhtisht dhe u dënua duke u tërhequr zvarrë, i lidhur pas bishtit të kalit në shkrepat dhe gërxhet e Kolesjanit të Kukësit, ku dhe dha shpirt.

Kujtojmë këtu kompleksiteti i verbër çoi që eshtrat e të madhit Gjegj Fishta të hidheshin  në Bunë. Poeti i madh, nderi i kombit, i këndoi atdheut me aq madhështi dhe dashuri në ‘Lahutën e malsis’. Mund të përmend patriotin e dalluar Kristo Kirkën, vuajtjet dhe persekutimin e tij. Studentin ëndërrimtar Sami Repishti, i cili vuajti burgun se donte në Shqipëri të vërtetë, etnike, ai është një histori e gjallë. Samiu e pas daljes nga burgu, arratisjes, mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punoi për atdheun dhe kombin me mish e me shpirt. Sami Repishti dhe sot e kësaj dite edhe pse i moshuar nuk reshtën, bën një aktivitet të dalluar për kombin. E të tjerë, e shumë të tjerë patriotë dhe nacionalistë, të vrarë, të persekutuar. të gjymtuar. Lista e nacionalistëve mëdhenj nuk ka fund.

E. Hoxha nuk ka menduar, nuk i ka pëlqyer dhe nuk ka mbajtur asnjëherë kostumin e shenjtë të nacionalistit, mbasi nuk i shkonte për shtat. Po të ishte i tillë, nuk mund të jetonte aq gjatë në majë të Olimpit, në pushtet. Ai krijoi çka desh. Ai ishte i pakundërshtueshëm. Ai ishte absolut. Vrau, burgosi, internoi e mbretëroi për më shumë se dyzetë vjet në një Shqipëri të varfër. Me parullën e tmerrshme; sikur bar të hamë parimet nuk i shkelim. Për çfarë parimesh bëhej fjalë? Për të mbajtur pushtetin e tij, sepse populli në kushtet e një diktature ekstreme, është jashtëzakonisht i bindur. Sepse përpara i është servisur kulaçi  dhe kërbaçi, çfarë ti thuash bën populli. Populli nën trusni, kur i fshihet truri, do të ketë vetëm një kafshatë bukë, dhe një dritë të vakët dhe beson verbëri nën demagogji, si ai nuk ka të tjerë në botë. Sepse vetëm ai është fanar ndriçues në botë. E plot marrëzi të kësaj natyre. Se populli është popull. Brohorit se dua unë dhe me barkun bosh. Por varfëria e popullit ishte e tejskajshme, me triska dhe tallona, thika po shkonte gjithnjë e më tepër me palcë. Më kujtohet se nuk gjeja në kokër limoni për të njomur buzët e zhuritura të tim ati kur u sëmur dhe u operua.

Prandaj ndodhi shkërmoqja dhe përmbysja e sistemit në Shqipëri, paçka se ishte me vonesë. Çelja e disa luleve të para të pranverës demokratike…

Kuptohet se, as nuk mund të mohohet, ai në një mënyrë ose në tjetrën është ngulur në histori, siç janë ngulur: Ali Pashë Tepelena, Princ Vidi, Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani. Avni Rustemi. Mbreti Zog, Fan Noli, Qemal Stafa e të tjerë. Mund ta përmendim për të tjera gjëra, por kurrë për nacionalist. Pra, ky kostum i kushtueshëm nuk mundej dhe nuk i ka shkuar asnjëherë për shtat…

U tha se E. Hoxha na paska menduar dhe është përpjekur me mish e me shpirt për vëllezërit kosovarë dhe Kosovën. Tashmë dihet fort mirë që ideatorët për krijimin e partisë komuniste shqiptare u bën të dërguarit e jugosllavëve, Miladin Popoviçi me të tjerë. Ishin ata që nxitën luftën vëllavrasëse në Shqipëri. Sepse dihej po të fitonin forcat e djathta të cilat e kishin në program, në Dekalog, pikë të parë; Do të luftonin pa kompromis për një Shqipëri etnike, ku në të futeshin të gjitha trojet shqiptare, etnike, të marrë padrejtësisht me përdhunë. Serbet e dinin fort mirë, kështu do tu ikte Kosova prej duart. Kujtojmë këtu Rezolutën e Bunjajt (1943/44). Kjo rezolutë ka pasur për qëllim krijimin e Kosovës si njësi të Federatës Jugosllave. Por në fakt në Bunjaj është aprovuar Rezoluta në të cilën është thënë: “… arriti momenti i fundit për bashkimin e popullit shqiptar të Kosovës  më Shqipërinë….” Kjo rezolutë është e shkruar në gjuhen shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate. Kjo rezolutë është dëshmi se lufta nacional-çlirimtare e Kosovës ka qenë luftë për bashkim  me Shqipërinë. Kjo Rezolutë ishte e ngjashme me idenë e forcave të djathta shqiptare si Balli Kombëtarë, NDSH-eja etj, për bërjen e një Shqipërie etnike dhe demokratike. Një muaj pas mbledhjes së Bunjajt politbyroja e PKJ-së i ka shpallur të pavlefshme këto vendime. A mund të ngrihej E. Hoxha me komunistet e shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë për masakrat që i benë serbo-malazezet vëllezërve tanë të një gjaku, kosovarëve? Demagogjitë dhe hipokrizitë janë ngritur dhe ulur në bazë të situatave, po asnjë masakër nuk është guxuar të dënohet, e sidomos ajo e Tivarit. Masakër kjo e pa parë ndonjëherë në historinë njerëzore. Për këtë masakër si dhe shumë masakra të tjera E Hoxha heshti. Gjenocidi  i mijëra shqiptarëve të mobilizuar dhe të dërguar në armatën e Katërt të Ushtrisë Jugosllave.

Persekutimi ndaj vëllezërve kosovarë ka qenë i tejskajshëm prej serbëve dhe mekanizmave të tyre. Kosovarët e vuajtur, patriotë, me gjithë familje arratiseshin, kapërcenin kufirin me shpresë së do të gjenin mbështetje në Shqipëri në atdheun amë. Shumë prej tyre arrestoheshin dhe dënoheshin, familjet e tyre vuanin përndjekjen. Sigurimi nuk mjaftonte me kaq, por u vinte pas këtyre familjeve, punonjës sigurimi, djelmosha ashikë për tu a shkatërruar, jetën, bërë dhe më të zezë. Aso kohe vetë shteti shqiptar e kishte krijuar gjendjen, të endej si një hije e zezë, e të pëshpëritej; se në përgjithësi kosovarët që vijnë në Shqipëri janë spiunë të UDB Jugosllave, prandaj porositej tu qëndrohej larg dhe të kihej kujdes. Kosova dhe vëllezërit tanë kosovarë me gjak dhe sakrifica dhe me ndihmën e pakursyer të Shteteve të bashkuara të Amerikës e morën më në fund mëvetësinë. Kjo është një ngjarje e shkëlqyer në historinë e kombit shqiptar. Ëndrra e qindra e mijërave patriotëve, martirëve u bë realitet.

Në Shqipëri e njëjta gjendje rrodhi nga viti në vit. Shqipëria ishte ajo që ishte, dhe është ajo që është…

Prandaj nuk mund të flitet për këtë kostum të kushtueshëm, sepse asnjëherë nuk i ka shkuar për shtat…

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Hoxha Nacionalist, kostum qe nuk i shkon, Kristaq Turtulli

Kryeministri serb shpreh racizëm të stërvjetruar ndaj shqiptarëve !

March 17, 2014 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/ Hegjemonizmi  i tyre  ndaj çështjes shqiptare    ka perënduar  nga e cila  një politikë e tillë  u pa , analizuar dhe   mësuar nga e  tërë bota   duke e hedhur propagandën e tyre në koshin e plehrave  duke gëlacitur edhe shpezët mbi kokat e tyre të mykura nga  një verbëri   raciste dhe  shoviniste .

E pafalshme nëse Shqipëria integrohet para Serbisë! Besoj se edhe ne kemi interes që të bëjmë një gjë të tillë, ata nuk janë më të mençur se ne”, ka thënë Daçic duke shtuar  se ,”Do të trishtohesha shumë nëse fëmijët tuaj, të shohin Shqipërinë në BE përpara Serbisë”, përfundoi ai, duke theksuar se Serbia duhet të ishte integruar në BE.

Kështu    u deklaruar   ministri serb   duke   u prononcuar  me racizmin   dhe mllef të stërvjetruar  ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Hegjemonizmi  i tyre  ndaj çështjes shqiptare    ka perënduar  nga e cila  një politikë e tillë  u pa , analizuar dhe   mësuar  nga e tërë duke e hedhur propagandën e tyre në koshin e plehrave  dhe duke  i gëlacitur edhe shpezët mbi kokat e tyre të mykura nga  një verbëri   raciste dhe  shoviniste .Ata nuk mund ta imagjinojnë dhe ta pranojnë  që shqiptarët të jenë një komb i përparuar  dhe    properëndimor. Ata  përpiqen që akoma ta shohin Shqipërinë   nën sundimin e egër të tyre dhe të tjerëve   si  shpelluarë  të nëpërkëmbur dhe shërbëtor të tyre .Ata    me sjelljet e tyre     kanë mbetur     dëshmitar ma të mirë të kohës si  shtet dhe popull  barbar  i pa civilizuar dhe i prapambetur qe ndjell , vuajtje, rrenim, shkatërrim, nënçmim, diskriminim,dhe gjakderdhje. Ata  nuk mund të dalin nga  krimet qe i kanë kryer ndaj  popujve fqinje, po edhe ndaj shqiptarëve!

Kryeministri serb, Ivica Daçic shfrytëzoi ditën e zgjedhjeve për të “sulmuar” shqiptarët në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian duke shfryrë  mllef ndaj nesh,  duke  i pa se  në trojet shqiptare  po ka lëvizje pozitive nga vet   pozicioni    i saj   gjeografik  me  resurse  të shumta   natyrore dhe    gjenetike.  Vlen të përmendim  se Shqipëria, jo vetëm se është Perëndimi për Serbinë , por edhe ka dalje me 350 kilometër në Detin Adriatik qe ndërlidhet me detin e  Mesdheut, anëtare e NATOSdhe shume  privilegjeve tjera   me theks te vecant  aleatja    ma  e mirë e Amerikës. Është  trashëgimtare e qytetërimit të lashtë ilir,pasardhës të Pellazgëve   me vlera  të mëdha   për ndërtimin  dhe formimin e gjuhëve dhe popujve  tjerë  në  Evropë.   Serbia nuk  i posedon  këto    vlera  as në gjuhë, as në histori as në   strategji me çka    është një popull   cergashësh   i ardhur ne  Ballkan    shumë  vonë fillimisht si rrogëtar  të bejlerëve  shqiptar. Shqipëria ka shënuar një përparim të dukshëm ekonomik, shoqëror e kulturor pas shekujsh prapambetje nën Perandorinë Osmane dhe nën regjimet  e ndryshme  po edhe  diktatoriale me sundimin komunist. Shqipëria është zgjedhur një nga vendet më të mira për të bukurive natyrore  në fushën e turizmit  nga e cila   ka një  bazë themelore  për zhvillimin  dhe  përhapjen  e  vlerave te veta   dhe  duke krijuar një simpati  nga  Evropa perëndimore, ka  një bazë të shëndosh që të  jetë  në trendin e   rreshtimit ne integrimin Evropian sa ma shpejt . Shqipëria  ka një epërsi    edhe në  skemën politike në krahasim me Serbinë   pasi që Shqipëria nuk është treguar kurrë  një herë agresore dhe    nuk ka bërë terror ndaj të tjerëve sikur  ka vepruar Serbia. Shqipëria  duhet të jetë edhe ma  syçelë    në   veprimet e saj  politike    që mos të lënë një imazh të keq   në Evropë pasi qe  vet pretendon të   jetë pjesë e saj , por  ajo duhet ta dëshmoj veten   me    një politike    të mençur duke krijuar një unitet   me synim qe ta luftojnë   korrupsionin  ,   krimin  dhe  të metat e saj   me qëllim  qe të jetë pjesë   e përbashkët  në familjen  dhe e Bashkësisë  evropiane.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan dibrani, Kryeminstri serb, racizmi

“MOSINFORMIMI” IM DHE …MIRËSJELLJA E GANI MEHMETAJ…

March 16, 2014 by dgreca

 NGA KRISTO  ZHARKALLIU/Para disa ditësh postova  shkrimin tim “Ç’po ngjet në Kosovën…rugoviane?” duke marrë shkas nga disa dukuri të çuditëshme që po botohen në shtypin e ditës dhe atij elektronik prej disa intelektualë kosovarë, të cilat po bëhen më të dëndura  nga dita në ditë. Në këtë shkrim prekja mjaft nga këto dukuri negative, por edhe sulmet që po bëhen ndaj Akademikut Rexhep Qosja nga një klan politik që ka uzurpuar dhe AASHK i cili e ka shndërruar këtë intstuticion të rëndësishëm si përfaqësues i një partie politike, ndërsa duhej të ishte në shërbim të kultures dhe të shkencës mbarëkombëtare dhe jo në shërbim të një politike lokaliste, thua se Kosova nuk përbën një pjesë e pandarë e Kombit shqiptar. Ajo që brengos më shumë është veprimtaria përçarëse në mes të kombit dhe jo qëndrimi negative ndaj një antarit të kësaj Akademie si është Rexhepn Qosja i cili, tekefundit mund të mbrohet vetë, ashtu si nuk mund të shuhet as të përjashtohet nga krijimtari letrare historike e Kombit. Sigurisht ai nuk ka nevojë për mbrojtje, di të mbrohet vetë, prandaj sot nuk do të mirremi me sulmet e pashëmbëllta ofenduese kundër tij nga ata që nuk kanë krijuar asgjë ose shumë pak që të mund të maten me të, edhe se pse kanë mbështetjen e një ose dy parti shqiptare nga të dy anët e  dy shteteve (o zot, dy shtete shqiptare! A mund të imagjinohet?!!!) por me një “përgjigje” që më dha (duke ma mbyllur gojën!) zoti Gani Mehmetaj, krejt i panjohur e i padëgjuar prej meje. Shkrimi i tij u botua në faqet elektronike të gazettes “Dielli”, ku unë dikur shkruaja në faqet e saj prej letre. E pranoj se shkrimi i zotit Gani ishte plot mirësjellje dhe nuk kishte sharje brutale, nga ato që i drejtohen Rexhep Qosjes zakonisht, por, me mirësjellje gjithnjë më “informonte” se unë qënkam “i keqinformuar”, sidomos përsa i përket mosmarrëveshjet ose sharjet ndërmjet akademikëve kosovarë. Ndoshta të besojë se, meqënëse unë jetoj  gati 53 vjet në Athinë, të mos kem informacion të mjaftueshëm për ato që ngjasin në Kosovë akoma dhe në Shqipëri (Ndryshe a nuk duhej ta dija se Xhunga na qënkej mbesë e…Josif Stalin (Xhungëshvili?!) por për ato që shkruaj jam plotësisht i vetëdijëshëm. Prandaj dua t’i them  Ganiut (bashkëkombësit tone) se me shkrimin e tij  kreu një akt  të papranueshëm dhe i pamoralëshëm dhe më vjen keq se edhe njëherë Dielli vepron në mënyrë…agjenturore. Ai i u përgjigj një shkrimit të pabotuar akoma, gjë që nuk është dëgjuar ndonjëherë! Dielli (nuk e di në se ka lidhje me Diellin e vjetër të Bostonin ku unë bashkëpunoja normalisht para shëmbjes së diktaturës), para se të botonte shkrimin tim ja dha zotit Mehmetaj që ta “kontrollonte” “çensuronte” apo ta “kritikonte” para se ta botonte?  Ai nuk thotë burimin e gjetjes së shkrimit tim (u botua në Kritika dhe Fjalaelire) dhe duket qartë se redaksia i besoi shkrimin para se ta botonte, ndoshta për të marrë pëlqimin e tij. Sigurisht Dielli u detyrua ta botonte më vonë si shtojcë ose si koment me shkronja të vogla pas komentit të Abdurahim Ashikut, por kjo nuk e zvogëlon fajin e zotit Gani ose dhe të redaksisë.

Por le të kuvendojmë qetë dhe gjakftohtë. Për Rugovën unë kam mendimin tim  dhe nuk e ndryshoj se kam pasur fatin “e keq” të ndjek veprimtarinë e tij që në fillim deri në fund. Madje-që ta dijë zoti Gani, kreva dhe detyrën e përkthyesit të tij në një intervistë televizive në Athinë, që mjerisht në fund nuk u transmetua. (për arsye të njohura me Sërbinë….) Por  le të flasim pak për trajtimin e figurave historike, sidomos të Rilindjes dhe të shtetit të pare shqiptar ndaj të cilave vitet e fundit është bërë një shtrrëmbërim antikombëtar. Ganiu e pranon se sulmi kundër poetit të madh Çajupit është bërë nga një jo intelektual, por ndërkohë sulmon gazetat dhe televizionin shqiptar (Xhunga!) se publikon mendimet e këtyre “turkoshakëve”. Unë nuk do ta ndaja kurrë Tiranën nga Prishtina, se ato duhet të jenë një dhe së bashku,por le ta zëmë se mendimet antikombëtare gjejnë tribune vetëm në Tiranë (ku nuk është më në pushtet Berisha…) por pse këto kërpudha të helmuara mbijnë në tokën e përgjakur të Kosovës? Ndërsa na thotë se “partia rugoviane “ është garanci kombëtare, dhe unë dua ta besoj me gjithë zëmër, ai, Ganiu ynë, pohon se disa deputetë të kësaj partie janë anadollakë, turkoshakë dhe të shitur me lira nga Stambolli. Si bëhet pra që kjo parti  atdhetare, mban në gjirin e saj tradhëtarë të tillë? Kush mund të më  bindë mua se këta “turkoshakë” nuk do të marrin nesër në duart e tyre udhëheqjen e partisë dhe, pse jo, pushtetin në Kosovë, duke e larguar nga trungu kombëtar, duke shojtur ëndrrën shekullore për bashkim kombëtar? Për këtë , ma merr mëndja nuk e ka fajin televizioi shqiptar as ato paçavurat e Shkupit si i quan ai, por vetë partia rugoviane që i mban në gji, u jep imunitet dhe të drejtën të ngrejnë gurin kundër çdo vlerë kombëtare, akoma dhe kundër Gjergj Kastriotit! Mos edhe për këtë unë qënkam I keqinformuar?

Por le të hidhemi pak nga Tirana dhe  Berishën, të cilin adhuruesit e Rugovës e kanë tepër për zëmër. Këtu do t’i kap unë të painformuar. Politika berishianë njizet e ca vitet e fundit ka qënë thellësisht antikombëtare, antishqipatare. Këtu nuk do të flasim për marrëveshjet me fqinjët- Sërbinë e furnizonte me karburant, ndërkohë kur burgoste Adem Jasharin, kur sekuestronte armët që duhej të dërgoheshin për UÇK-në, vrapont të bënte Shqipërinë antare e botës ismlamike,çka dëmtoi shumë çështjen e Kosovës  dhe, shkatërroi fuqinë mbrojtëse të vendit por kryesorja përdhunoi një nga figurat më të  shquara shqiptare, atë të Fan Nolit. Kur u nderua nga Sali Berisha demokrati i shquar Fan Noli? Jo, nuk i leverdiste. Përderisa kisha ortodokse shqiptare duhej të dorëzohej tek të huajt, a mund të nderohej dhe të kujtohej arkitekti i kishës autoqefate shqiptare? Fan Noli,megjithse jetoi shumë pak kohë në  Atdhe,ishte nga intelektualët më të pastër shqiptarë, ai përdorte gjuhën  shqipe më të kulluar në shkrimet e poezitë e mrekullueshme të tij; ai përktheu ose shqipëroi kryeveprat e letërsisë botërore dhe librat e shënjta të krishtërimit që klerikët shqiptarë të predikonin fenë në gjuhën amtare,ashtu si përktheu margaritarët  e Omer Khajamit ; ai  ishte demokrati i pare shqiptar që ëndërroi një dempokraci të tipit amerikan, gjë që askush në Ballkan nuk mund ta imagjinointe për atë kohë. Dhe ndoshta do t’ja kishte arritur në se nuk do t’i kundërvihej përfaqësuesi i feudalëve shqiptarë dhe të interesave sërbomadhe, Ahmet Zogu. Por Berisha, si njeri thellësisht antidemokrat, nuk mund të nderonte Nolin por Zogun! Të gjithë e dime se si rrëmbeu pushtetin e Ahmet Zogu- me armët e sërbëve dhe të bjellorusëve duke i falur Sërbisë Shën Naumin dhe Vermoshin…Megjithatë unë nuk do të isha kundër rishikimit të historisë ndaj Zogut i cili, megjithë të këqiat e tij, mundi të bënte dhe të konsulidonte shtetin e pare shqiptar, por ngritja e tij në qiell nga politika berishiane dhe shuarja e Nolit nga kujtesa e shqiptarëve-kështu besojnë të gjithë diktatorët- ishte dhe mbetet një krim antikombëtar. Çfarë bënë partiakët rugovianë për mbrojtjen e Nolit? Mos dhe për këtë e kanë fajin…talibanët që janë futur në këtë parti? A janë rastësi të gjitha këto i dashur bashkëkombës Gani? Dhe ç’bëtë ju në Prishtinë për të mbrojtur figurat e Rilindjes dhe të historisë? Berisha nderon Zogun dhe…thotë dhe disa fjalë për Hasan Prishtinën të cilin e vrau dora gjakatare e Zogut si do të vriste dhe Luigj Gurakuqin, Avni Rustemin e shumë të tjerë. Çfarë bëri partia kombëtare e Rugovës për këto? Më sa di unë as Adem Jasharin nuk nderoi ndonjëherë! Dhe ti më thua se qënkam i painformuar? Apo qënkam i painformuar për qëndrimin e Ibrahim Rugovës ndai UÇK-së? Por thamë, nuk do të mirremi me  presidentin e parë kosovar, madje disa  theksojnë si pretekst se  ai tashmë është i vdekur. Edhe Zogu ka vdekur shumë më herët, akoma dhe diktatori Enver Hoxha ka vdekur tridhjet vjet më pare, por kjo nuk i pengon kalemxhinjtë, analistët dhe opinionistët shqiptarë të mbushin çdo ditë faqet e gazetave he hostorira, shumë here të imagjinuara që të mos harrojë populli diktaturën. Është më se  normale dhe e domosdoshme që populli të mos harrojë se një komb pa kujtesë nuk mund të mbijetojë. Por dikur historia më e re shqiptare duhet të shkruhet dhe të paraqitet me objektivitet dhe është më se e vërtetë se gazetarët dhe pseudoanalistët asnjëherë nuk mund të shkruajnë histori objektive….

Por, bashkëkombësi im Gani Mehmetaj, duket mjaft i ri dhe duket se nuk ka dëgjuar asnjëherë emrin tim dhe kjo jo për fajin e tij. Prandaj e ndiej të nevojëshme t’i them disa gjëra rreth personit tim të…keqinformuar. Gjatë gjithë kohës si mërgimtar, i arratisur dhe si armik i popullit, si isha shpallur nga diktatura, i isha kushtuar çështjes kosovare (po të kishte lexuar shkrimin tim për Shkëlzen Raçën, diçka do të kishte kuptuar). Shkrimet e mia kishin ngahera në plan të pare luftën e vëllezërve kosovarë kundër shovinistëve sërbomëdhenj. Vitet e fundit u bë një përpjekje e vogël që të botoheshin disa nga këto shkrime me titullin “Motive nga Kosova” të krijuar nga viti 1981 deri në vitin 1991, por pa sukses. Ma merr mëndja se gjënden në arkivin e Shkëlzenit. Nuk do të flasim këtu për shkrimet e pabotuara (një romanin tim me titullin “Bombardoni Beogradin” u bë gati për botim se ishte pëlqyer, por në çastin e fundit shtëpia botuese në Tiranë ndërroi mëndje duke u justifikuar se….libra për Kosovën nuk shiten…! Romani i dytë që u refuzua për çështjen e Kosovës ishte “Simboli” dhe unë besova se ndalimi I botimit të shkrimeve të mia e kishin burimin tek ndalimi nga diktatura)…Por kjo nuk më brengos as do të bëj here tjetër përpjekje për botimin e tyre, ose të ndonjë shkrimi tjetër të së kaluarës. Mosha ime nuk më lejon më të mirrem me përjetimin e emrit tim në letrat shqiptare. Por, sigurisht, do të më pëlqente të kisha do miq në Prishtinë ose në Tiranë…Ka mundësi që, një nga këta të jetë bashkëkombësi i porsa njohur nëpërmjet shkrimeve, zoti Gani Mehmetaj! Pse jo? Shumë miqësi kanë filluar pas një grindje…Veçse unë nuk kam shumë kohë. Megjithatë, përsa vite do të kem mundësi mendore dhe fizike të shkruaj dhe të shpreh mendimin tim-qoftë dhe i gabuar për disa bashkëkombës- do ta bëj pa kompromis. Nuk është aspak mire që të gjithë të kemi të njëjtin këndvështrim për ato që na rrethojnë.  Demokracia e vërtetë këtë  të mire ka: të ketë mendime të ndryshme dhe të bashkëjetojnë. Si thoshte një mendimtari i madh ftancez kur një kundërshtar i tij e  sulmonte në mënyrë arbitrare: “E DI SE NUK KE TË DREJTË ME ATO QË THUA, POR DO TË JIPJA DHE PIKËN E  FUNDIT TË GJAKUT QË TI TË KESH TË DREJTË TË THUASH MENDIMIN TËND…”(K.Zharkalli) 16-3-2014.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: KRISTO ZHARKALLIU, miresjellja e gani mehmetaj, Mosinformimi

Situata ne Siri, test per Presidentin Obama

March 16, 2014 by dgreca

Nga Gjergj Lacuku/
Me mbarimin e luftes se ftohte, Amerika vendosi hegjemonine e saj ne bote si e vetmja superfuqi. Duke qene e tille, te duket sikur syte e botes drejtohen kah ajo kur bahet fjale per te mbrojtur pikerisht ato vlera qe ajo perfaqeson siç jane liria e demokracia dhe e drejta e popujve per vetevendosje. Ajo çka e  ban mjaft interesante politiken e jashtme Amerikane asht padyshim gjendja aktuale dhe tejet e trishtueshme e Sirise. Administrata e Obames ndodhet ne dileme; Te largojme Asadin nga pushteti si pergjegjes kryesor per katastrofen humane apo te perkrahim forcat e opozites qe tashme jane te infiltruara nga elemente xhihadiste qe urrejne çdo gjë Perendimore? Duke u gjendur perballe nji sfide te  tille , deri  diku mund te flitet per nji” deshtim” politik te Amerikes ne perballje me situaten ne Siri, apo siç quhet ndryshe nje “dead end”. Para pak muajsh , ketu ku  vazhdoj studimet per Marredhanje Nderkombtare dhe Shkenca Politike, shkrova nje ese mbi Al-Asad, dhe ne per fundim te saj u shpreha se Asad do te arrije te mbijetoje ne saje te ” luftes se tij kunder terroristave ” e me duket se kjo e vertete ndonese e hidhur asht e vetmja karte identiteti me te cilen Asadi  po identifikon veprimet e tij gjakderdhese.
Ish-Keshilltarja e Sigurise Kombtare Amerikane gjate kohes se Clinton  dhe ish Ambasadore ne OKB, Nancy Soderberg,qe tashme asht Profesorja ime ,  na shtroj nji pyetje nese Asadi do te mbijetoje. Ju pergjigja se ajo mvaret nga Amerika per arsye se nuk ka ndonji alternative ma te mire pasi opozita po tregon se ka probleme me xhihadistet .

Situatat me te cilat jane ndeshur Presidentet e pas luftes se ftohte , ka pase nji lloj justifikimi per nderhyrje ushtarake te SHBA-se.
P.sh., le te marrim çlirimin e Kuvajtit nga Iraku. Bushi i Madh arriti qe gjente aprovimin e OKB-se dhe pati nji suskes te shpejte . Me vone , kemi luften civile ne ish-Yugosllavi, ku nderhyrja e Amerikes gjate presidentces se Clintonit, çoj ne perfundimin e luftes ne Bosnje, ndonese fillimisht mungonte vullneti politik si nga e Europianve po ashtu edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit
Kercenimet dhe ethet nacionaliste si dhe urrejtja ndaj perendimit, kishin fillu te shfaqnin shejat e para qysh mbas ramjes se komunizmit.
Rreziku ma i madh qe i kanosej Amerikes dhe demokracise botnore ishte tashme terrorizmi qe nuk ka as komb , as shtet e as Zot.
Analisti i madh Amerikan,Profesor ne Harvard,  Samuel Huntington , mbas mbarimit te luftes se ftohte ,pra me 1993 , ne nji artikull te tij parashikonte se rreziku me i madh do vinte nga globalizmi qe do sillte ate qe ai e quante” Perplasja e civilizimeve” , fatekeqesisht kjo u vertetua me 11 Shtator 2001, qe çoi ne perfshirjen e NATO’ s ne lufte ne baze te nenit numer pese , ku shprehet kjarte se nji sulm kunder nji anatari te NATOs asht nji sulm kunder gjthe NATOs. Siç dihet tashme , Amerika dhe aleatet e saj pushtuan Afganistanin dhe Irakun, pavaresisht kritikave qe mori administrata e Bushit.
Me ardhjen e Obames ne pushtet, tonet e Anerikes disi u zbuten , kjo edhe per arsyen se Obama donte terregullonte imazhin disi te mjegulluar te Amerikes ne syte e botes.
Megjithate , Amerika i ndoqi me vemendje te vecante te gjitha ngjarjet e ” Pranveres Arabe” duke ofruar ndihme morale dhe logjistike ushtarake kur paraqitej nevoja.”Pranvera Arabe” vertetoj deri diku se nuk ishte pranvere por ma teper nje luhatje mes vjeshtes  e dimrit.
Sido qe te jete konkluzioni i bisedimeve ndermjet opozites dhe Qeverise se Asadit qe po bahet me ndermjetesine Amerkano-Ruse, per nji gja jam i bindun se Bashar al- Assad do te mbijetoje edhe per disa vite ne vazhdim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjergj Lacuku, Situata ne Siri

Muja ka “të drejtë”

March 15, 2014 by dgreca

Nga Gani Qarri/Nuk është traditë e njerëzve të këtij vendi kjo, askush nuk jep dorëheqje kaq lehtë në këtë shtet…edhe ata që mbajnë mbi supe nga disa dënime,nuk dorëzojnë pushtetin me të parën as vullnetarisht deri në vendimin përfundmitar dhe burgosje. Pse pra u dashka vetëm Ramadan Muja të jap dorëheqje, çfarë bëri ai më tepër se të tjerët që ta dorëzoj qysh në goditjen e parë,postin e fituar me votën e lirë të qytetarëve. Cili funksionar shtetëror apo komunal, veproj deri më tani në këtë mënyrë. Se mos dha dorëheqje Bujar Bukoshi nga pozitat e tij ministrore… Edhe Muja i bjeshkëve tona, si shumë të fuqishëm të tjerë deri më tani, ndoshta edhe për shumë kohë mbetet vetëm i dyshuar, pas parashtrimit të ankesës që planifikon mbrojtja e tij….Kjo tanimë është bërë traditë gjyqësore për shumë raste në Kosovë…

Madje, si ka mundësi që të gjithë bashkëpartiakët e Mujës të ngarkuar me nga dy e tri vepra penale, të dënohen poashtu me vetëm nga dy-tre vjet burgim, apo kohëzgjatje pothuajse të njëjtë sa edhe ajo e Ramadan Mujës me vetëm një precedencë të supozuar. Sikur nuk e di njerëzimi se homologët e tij, bënë vepra shumë më të rënda. Bajrush Xhemajli me kolegët e dehur i mori jetën në lulen e rinisë një djalosh 19 vjeçar, dhe me gjithë dënimin tragji-komik, prej vetëm dy vjet e gjysmë,ai për më tepër se dy vjet pas vendimit të parë, jo vetëm që nuk shkoi asnjëherë në burg por tanimë i erdhi edhe “bakshishi” i radhës nga gjykata, duke zbritur dënimin “kapital” nga 2 vjet e gjysmë në vetëm dy vjet.Kjo është forca ,ky është pushteti,ndaj me sa mend në kokë duhet të jenë ata “misionar” të vetmuar që mund të dorëzojnë aq lehtë pozitën dhe funksionin me të cilin shalojnë ligjin e pjerrin edhe mbi shtetin duke shpëtuar veten nga gjithçka…

Njerëzit pyesin me habi,çfarë nënkupton vendimi i fundit. Asgjë, apo ndoshta edhe një udhëtim më tepër jashtë, i njëjtë me atë të homologut Zharku.
Edhe Bajrushit tashmë mund ti jetë prerë bileta dhe përgatitur valixhet për ikje nga vendi, në mënyrë që të mos e vuaj as dënimin e zbritur.
Xhabir Zharku, tash e sa kohë,kalon vitet i lirë dhe i pa cenuar në Suedi?!
Madje ai, jo për një, por për disa vepra penale ishte dënuar me vetëm dy-tre vjet burgim, të cilat as ato nuk i mbajti kurrë. Përkundrazi, i veshur me kostum të shtrenjtë dhe kravatë të zgjedhur si njeriu “më i pafaj” i pikur nga qielli i paqësor në tokën tonë të varfër, kaloi i lirë përmes dyerve të hapura të Aeroportit “turko-kosovar” me lejen e Hashimit dhe bekimin e Erdoganit, pa therrë në këmbë për në Suedi ku sot bën kokrrën e sefasë.

Ndoshta edhe nga atje ai tani ndjen sesi vendlindjen e thërret që të vij e ta vuaj dënimin,  ndaj edhe heq mërzitë restoranteve të huaja,për lehtësimin e dhembjeve të atdheut me “serenata” patriotike mbrëmjeve të veçanta muzikore,organizuar enkas për te dhe sponsorizuar nga buxheti i Kosovës,me pagën që sigurisht ende merr, njëjtë si ish ambasadori ynë në Shqipëri.

“Mirë” të gjithë, po Sylejman Selimit, ç`ju desh të vinte në Kosovë, apo nuk e dinte ai se çfarë e priste këtu?!
Të paktën,luftëtari i orëve të para, duhej të mësonte nga veprimet e varësit të tij, Xhabirit i cili edhe me grada ishte më i vogël se Komandanti, apo ndoshta Gjeneralin e “lidhën” shokët me tradhti.

Sidoqoftë, para se të vazhdojmë me “arsyetimin” e Ramadan Mujës,kujtojmë se edhe për Sami Lushtakun sikur është kërkuar ndalimi i ushtrimit të “funksionit”.

Megjithatë, sipas shtypit vendor, ai jo vetëm se nuk e la pozitën e “fituar” me ” aq djers e mund” dhe 96 % të votave të “merituara”, por së pari atij i`u mundësua që edhe nga “azili” ku ishte dërguar për precedencë penale të kthehej për pak kohë në objektet e komunës dhe “betohej me tërë qenien, për korrektësi para ligjit”, mënyrë  e “drejtë” kjo të cilën më vonë kërkoi ta shfrytëzonte edhe Oliver Ivanoviqi të cilin tanimë EULEX-i, e ktheu në Mitrovicë ti vazhdoj atje pushimet me flladitje kondicionale nëse nuk është liruar krejt.

 

Sidoqoftë,ajo që është më kryesore, “heroi i popullit” vazhdoi të mbetet kryetar i “nderuar” komune- në Skënderaj, lartmadhëria e të cilit përveç benificioneve tjera, sa herë i ng…. ups nevojitet atij, shfrytëzon edhe “dramafilin” e kryetarit, për të shkuar “urgjent” në Spital.
E po pse u dashka tani të jap dorëheqje vetëm Ramadan Muja pra, i cili për krahasim me të tjerët u dënua vetëm me kusht, padrejtësisht dhe për asgjë, madje po aq “rëndë” sa edhe homologët nga partia, me shumë precedenca penale.

Për aq më keq,kryetari i Prizrenit, gati se u dënua kot dhe siç thotë populli vetëm për një “kerr kashtë” të cilën siç dëshmohet edhe nga gjykimi, nuk e hëngri të gjithën vet, por më tepër i`a hëngrën shokët e këqij e të pa hajr, ata që e morën në qafë edhe Mujën plak.

Dorën në Zemër, ai si kryetar i Prizrenit mjaft ka punuar, bile më tepër se shumë udhëheqës tjerë komunal anë e mbanë Kosovës. Me këto që po them mund të bindet secili, sidomos banorët e trevës sonë, për çka do të bëjë vetëm një krahasim të thjeshtë.

Për shembull, jo vetëm vendlindja ime Demjani që kufizohet me fshatrat e komunës së Prizrenit, por edhe në të gjitha fshatrat hasjane që shtrihen në hartën komunale të Gjakovës, prapambetja në infrastrukturë vërehet kudo, bile që nga paslufta, përveç asfaltimi të rrugës kryesore, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë.

Për dallim nga fshati parë fqinj (pjesë e komunës së Prizrenit) Kushnini, i cili njëjtë si të gjitha fshatrat tjera të kësaj komune, vetëm gjatë udhëheqjes së Ramadan Mujës, ka të rregulluar të gjithë infrastrukturën rrugore, kanalizimet përfshi edhe shtrimin e rrugicave me pllaka deri para dyerve të çdo institucioni dhe shtëpie banimi.

Pra, edhe nëse kryetari  i dënuar detyrohet në këtë hap të vështirë dhe mëse të padëshiruar për te, ai para se të jap dorëheqje duhet që së pari të kërkoj me këmbëngulje shkarkimin e plotë ose të paktën ndalim kandidimin e batakgjiut Eqrem Kryeziu nga LDK, për postin e kryetarit,i cili poashtu pritet të dal para gjyqit për keqpërdorime.

 

Muja këtë duhet ta vej si kushtin kryesor për dorëheqje, ngase po ndodhi rastësisht,që mu meselexhiu Eqrem të vij si kryetar, mund ta degradoj gjithë punën dhe arritjet e deritashme në komunën e Prizrenit.

Pa u zgjatur shumë në fjalë, duhet theksuar fort dhe me zë, se shumica e fshatrave hasjane nën administrimin komunal të Gjakovës, përveç ekonomive private, kanë ngelur si mos më keq, derisa në pjesën e administruar nga Komuna fqinje e Prizrenit që nga fshati Gjonaj, Zymi, Krajku, Romaja, Lugishtë e Hasit, Kushnin e deri në pjesët më të thella malore mbi Pashtrik si Mazrekë e Planejë, e tërë infrastruktura rrugore, ujërat e zeza, përrenj e kanalizime, janë rregulluar që të gjitha në mënyrën më bashkëkohore të mundshme për kushtet tona.

Duke u nisur nga këto sa u thanë më lartë, në Kosovë puna me kryetar e funksionar të dënuar tanimë është bërë modë, ai nuk është i vetëm,ka shumë të tillë këtu, njerëzit sikur i kërkojnë vet ata,  bile ekziston rreziku që me kohë të infektohen edhe komunat tjera të cilat deri më tani nuk patën fatin ti kenë kryetarët e dënuar, dhe tash e tutje të rebelohen edhe ato dhe vejnë si kusht të parë, vendosjen e kryetarëve me vendime dënimi nga njëra prej gjykatave të vendit, kurse  gjithë kandidatët pa precedencë ligjore, të shpallen të padëshirueshëm për poste udhëheqëse dhe funksione komunale apo shtetërore.

Kjo është moda më e re,këto janë prodhimet vendore me të cilat ne duhet të “krenohemi”,ndaj hiq animet partiake,me vet faktin se pozita as opozita, nuk kanë ndonjë kandidat serioz dhe më premtues për mbarëvajtjen e komunës me rrethinë,nuk do të preferoja që Ramadan Muja të dorëhiqej as shkarkohej nga posti i udhëheqësit të cilin,shikuar nga perspektiva momentale dhe rezervat e përgjithshme fraxhile të kuadrove partiake, me gjithë fajësinë e “dëshmuar”,tani për tani edhe nga kandidatët sot për sot-të padënuar,në Prizren ende nuk ka kush ta bëjë si duhet, punën e të parit të komunës….

Cyrih, 15 Mars 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Muja ka te drejte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 764
  • 765
  • 766
  • 767
  • 768
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT