• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSHTRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

January 17, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

See the source image Me 15 Janar, 1975 ndërroi jetë në Romë,  shkrimtari, poeti, profesori dhe përkthyesi,  Ernest Koliqi. Ndërsa me 17 Janar, 1468 shkoi në amshim në moshën 62-vjeçare, Heroi historik kombëtar, i përgjithëmonshmi i Shqiptarëve, Zot i Arbërisë, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Njëri i shpatës e tjetri i penës.

Frank Shkreli: Me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Amaneti i Koliqit për Shkollën Shqipe | Gazeta Telegraf

Në këtë ditë të 17 Janarit që shënon kalimin në amshim të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, sjellim një vjershë – në përvjetorin e ndarjes prej nesh edhe të Poetit e shkrimtarit, Ernest Koliqit, (1903–15 Janar, 1975), që ai i ka kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, poemë e cila thuhet se ishte e para vepër letërare e Ernest Koliqit, botuar në vitin 1924.

ERNEST KOLIQI: Kushtrimi i Skanderbeut

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924

A child standing next to a statue

Description automatically generated with medium confidence

            Fotoja e marrë nga facebook , “Gjergj Kastrioti -Skenderbeu”

Me rastin e “kremtimeve kastrotjane”, (1968 në Romë) në 500-vjetorin e kalimit në amshim të Kryeheroit të Shqiptarëve, poeti i shekullit të kaluar, Ernest Koliqi do shkruante, ndër të tjera se, “Skënderbeu derdhi mund e gjak. Me mijëra Shqiptarë u bënë flije në luftime të udhëhequra prej Tij. Megjithëkëtë Shqipëria ra në një robëri shekullore. (Por) Ai la të mbjellur në zemër të popullit, dëshirën e lirisë dhe në mendje vegimin e një Shqipërie të bashkuar…”.  Por, Koliqi shpreh shqetësim dhe paralajmëron se, “Ne nuk i njohim forcat e fshehta brenda gjakut arbënuer”, ndërsa shton se megjithëkëtë, “duhet të bindemi se kur ndiesitë vëllazërore çlirohen nga fundi i shpirtit tonë, ato davarisin tymnajën e ndeshtrashave të zeza, duke ndezur në natën e mjerimit, hyjtë xixëlluesa të shpresës”.   

Kam drojë se duke marrë parasysh se si trajtohet sot Gjergj Kastrioti -Skenderbeu nga vet shqiptarët, por dhe nga të ashtuquajturit “miqtë e tyre strategjikë”, (kujt i duhen armiqët, me miq të tillë strategjik!?) — Koliqi mund të ketë qenë tepër optimist në entuziazmin e tij, “për hyjtë xixëlluesa të shpresës”.  Uroj në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit– Skenderbe se Perendia nuk e ka harruar Kombin shqiptar, se më në fund, me një “marrëveshje vëllazore”, do të mund të plotësohej porosia që ka lenë Skënderbeu.  Sot me 17 Janar, 2022, në këtë përvjetor të vdekjes së Kryetrimit, më ka mbuluar “duhma e qelbur e kënetës së dyshimeve”, se shqiptarët mbrenda dhe jashtë trojeve të veta do të ruajnë, besnikërisht, porositë e Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Atij Skenderbeu, i cili shqiptarëve u dha “Atdhe, Arbërin dhe shqiponjën, si simbol fluturimesh të lira dhe la nji trashëgiumi të çmueshme nderi e fisnikërie”.

Edhe në këtë përvjetor të 17 Janarit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeu — normalisht, tragjeditë që ka pësuar Kombi shqiptar gjatë historisë, do duhej të ishin një shkak bashkimi dhe fuqizimi mbarëkombëtar — dhe jo shkak përçarjeje për shqiptarët në rrënjët e tyre të identitetit arbëror mija-vjeçar.  Në një përvjetor si ky, duhej të kishte dhe një mësim, që as sot të mos humbet as të mos harrohet drejtimi as rruga që njerzit e mëdhej të Kombit shqiptar – si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, i kanë përcaktuar Kombit. 

Sot, në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga kjo botë, shekuj më parë, Skënderbeu i Madh jep kushtrimin duke bërë thirrje për rrugën që duhet të ndjekin sot Shqiptarët, para se të jetë tepër vonë!

Frank Shkreli

See the source image

                                    Besëlidhja e Lezhës, Mars, 1444

A picture containing wall, indoor

Description automatically generated

                   Në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Filed Under: Politike

LIRIA NUK VJEN NGA RILINDJA E FERRIT, POR NGA LINDJA E DIELLIT

January 13, 2022 by s p

NGA  ALFONS GRISHAJ/

Kombet e qytetëruara kanë sakrifikuar miliona martirë për liri. Sakrifica për liri ka koston e vet, sepse është vlera më e lartë për jetën dhe integritetin e njeriut. Liria është luftë, përpjekje dhe djersë, frymë dhe shpirt, lëvizje dhe jetë, rregull dhe disiplinë, platformë e hyut për  qenësinë njerëzore. Herbert Hoover thotë “ Liria është një dritare  e hapur ku hyn drita e diellit dhe shpirti e dinjiteti njerëzor”. Hoover nuk thotë se liria është sinonim i  dritareve të mbyllura  me dyer të blinduara! 

          Imazhet e fundit në Selinë e PD-së (Selia e lirisë ) kanë trishtuar  botën shqiptare dhe ”civilizimin fondamental”. Tragji-komedi e hidhur që e bën ushtarin mbret dhe mbretin eremit. Kolazh depresiv të një  lidershipi të dështuar. 

Bunkerizimi i “ndërtesës së demokratëve” nuk quhet liri, dhe aq më pak dajaku mbi kurrizin e ndërtuesve dhe poseduesve të pronës së përbashkët. Lufta ndaj njëri-tjetrit (brenda llojit) tregon nivelin e karakterit më të ulët egocentrist.

           Vënia dorë mbi shoqi-shojin (vellezër të një ideali) është dhe kulmi i marrëzisë. Tregues depresiv, paburrëri dhe zero logjikë! Tradicionalisht, shqiptari nuk mund të rrahet, se errësira e rinkarnimit hap sirtarin e çdo nënqenie, duke zgjuar një inat mesjetar deri në sakrifikim. Atëherë kujt i shërben krijimi i  një armiqësie të stisur ? Këtu zë vend proverbi latin : “ Njeriu është ujk për njeriun .” = “Homo Homini lupus est”. Proverb që u përdor nga Plautus, dhe më vonë nga filozofi Tommas Hobes .

Kam shkrojtur dhe më parë: Lufta brenda llojit është simptomë e inteligjencës negative. Dhe kjo u vërtetua në “betejën” e PD-së  kundër vetvetes , “betejë” që  pati vetëm humbës  ! 

        Imagjinoni dy vëllezër që rrahen në dritën e diellit për hijet e tyre se cila zë më tepër hapësirë … dhe kur perëndon dielli… shohin se imazhet e rreme janë vanitas (bosh) dhe dashuria ndaj hijeve është vetëm ide fikse.

Ky është instikti egoist arkaik që prodhon gjithnjë nonsens dhe kthim prapa, ku habia  shpërndahet si një vello mjegulle e dendur në mëngjezet e ftohta duke kufizuar hapësirat e shikimit. Prehë e kësaj mjegulle bëhet elektorati demokrat që sillet si çifuti në shkretëtirë. 

        Disa “analistë” thonë se nga  ky nonsens  ka fituar  kreu i PS-së dhe PS… dhe  fatkeqësisht, Rama e pohon këtë me “dhimbje”. Unë mendoj, askush nuk ka fituar!  Të gjithë shqiptarët duhet të ndihen të turpëruar dhe të humbur … socialistë , republikanë, demokristianë  etj…mbasi kjo nuk ka të bëjë vetëm me PD-në, por me të gjithë kulturën pseudodemokratike shqiptare që  përçon  imazhin vetvrasës në kancelaritë perëndimore. 

Kjo ngjarje, pas të keqes ka dhe një të mirë se, do zgjojë Europën dhe Amerikën për të mbrojtur investimet e veta që kanë bërë në ngritjen e PD-së. Ata e kuptojnë mirë se pa një PD të fortë nuk do të ketë një demokraci të vërtetë dhe Shqipëri stabile. Një Shqipëri e destabilizuar mbetet një gozhdë në zemër të Europës dhe një bombë  me sahat në portat e perëndimit.

Politikanët perëndimorë nuk janë leshko që të mos e kuptojnë  se shkatërrimi i PD-së ka një prapavijë konspirative. 

Herët a vonë, komplotuesve do u ngrihet buzëqeshja në buzë. Fillimi do të nisë me kreun e PS-së dhe klanit të vet…

           Politikanët  klasike dhe moderne  perëndimore e dinë fort mirë se liria  nuk vjen nga rilindja e ferrit, por nga lindja e diellit. 

Imagjinoni për një çast çfarë do ndodhte me tokën sikur fuqia e Demiurgut t’a ndalonte rrotullimin e saj rreth diellit …dhe  nëse , Giordano Bruno të ishte gjallë dhe të thoshte : “ Eppur si muove” !! 

Filed Under: Politike

Qeveria e Kosovës, shumë përkushtim modernizimit të Ushtrisë

January 12, 2022 by s p


-Kryeministri Kurti dhe ministri Mehaj vizituan Regjimentin e parë të Forcave Tokësore të FSK-së në Kazermën “NewBorn”/


PRISHTINË, 11 Janar 2022-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministri Shemsi Syla dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, në përvjetorin e 38-të të rënies së heronjve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, vizituan sot Regjimentin e parë të Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën “NewBorn”, në Gjilan.
Në fjalimin para pjesëtarëve të Regjimentit, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar dhe krenar për vizitën dhe shtoi se nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri.
Kryeministri Kurti theksoi se ngritja e ushtrisë është detyrë e përbashkët dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e ushtrisë si me pajisje dhe me armatim, ashtu edhe kushtet e shërbimit, si dhe me ofrimin e mundësive ku ushtarët mund t’i tregojnë shkathtësitë e tyre.
Më tej, ai tha se këmbësoria, si degë më e vjetër e ushtrisë, dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake, sado të sofistikuara dhe precize, nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zot.
“Në vitin që lamë pas, FSK-ja tregoi profesionalizëm të lartë, përkushtim në shërbim të paqes e sigurisë, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe jashtë, si dhe, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe të gjithë ata që kanë nevojë”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi si një ndër sukseset më të larta të vitit 2021, pjesëmarrjen në “Defender Europe ‘21”, ku u tregua gatishmëria, profesionalizmi dhe ndërveprimi me ushtarakët e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Pjesëmarrja në ushtrimin ndërkombëtar dhe validimi i suksesshëm i kompanisë tuaj, është testament i arritjeve, të cilët na bëni çdo ditë krenarë të gjithë neve”, tha kryeministri Kurti. Ai shprehu bindjen se sfida e radhës, “Defender Europe ‘23”, do t’i gjejë edhe më mirë, edhe më të përgatitur.
Në të njëjtën ditë, me rastin e 38 vjetorit të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ministri Mehaj, në shoqërim të zëvendësministrit Syla dhe stafit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, vizituan familjet e tyre në Gjilan.
Ata gjithashtu bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të komunës së Gjilanit.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ALBIN KURTI:
I nderuar ministër i Mbrojtjes, z.Armend Mehaj, I nderuar zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Major, Enver Cikaqi, I nderuar Komandant i Regjimentit të Parë të Komandës së Forcave Tokësore, Nënkolonel Albert Kuçi,
Është kënaqësi të jem këtu në kazermën tuaj, në mesin e juve ushtarakëve të përkushtuar për t’ju takuar dhe për të parë për së afërmi punën tuaj,
Ju, Ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra edhe amaneti i brezave ndër vite, që sakrifikuan të vlefshmen për të shtrenjtën, dhanë jetën për lirinë.
Ju, me shërbimin tuaj fisnik, përgatiteni çdo ditë ta mbroni atdheun. S’kam sesi mos të ndihem i nderuar dhe krenar dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri. Këmbësoria, si degë më e vjetër e ushtrisë, dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake, sado të sofistikuara dhe precize, nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zot. Kjo e shton përgjegjësinë e udhëheqësve tuaj dhe secilit prej juve, që me moral të lartë dhe me përkushtim intensiv, si dhe me punë ekipore dhe stërvitje të rregullt, të veproni bashkë, shumë bashkë, aq bashkë, sa që sikur një. Forca e Sigurisë së Kosovës çdo ditë rritet me kapacitetet e saj, duke dëshmuar, që është gati për përgjegjësitë e reja dhe për detyra edhe më të mëdha. Në vitin që lamë pas, FSK-ja sërish ka treguar profesionalizëm të lartë, përkushtim në shërbim të paqes e sigurisë, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe jashtë, si dhe, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe të gjithë ata që kanë nevojë. Një ndër sukseset më të larta të vitit 2021, është pjesëmarrja në “Defender Europe ‘21”, ku ju treguat gatishmërinë, profesionalizmin dhe ndërveprueshmërinë me ushtarakët e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesëmarrja në ushtrimin ndërkombëtar dhe validimi i suksesshëm i kompanisë tuaj, është testament i arritjeve, të cilët na bëni çdo ditë krenarë të gjithë neve.
Sfida e radhës, “Defender Europe ‘23”, do t’ju gjejë edhe më mirë, edhe më të përgatitur.
Unë jam i sigurt në suksesin tuaj edhe në këtë ushtrim. Prapë do të tregoni që Ushtria e Kosovës, është ushtria e disiplinuar, e trajnuar mirë dhe ushtri e sukseseve.
Këtë do ta arrini me punë të përbashkët ekipore, duke mësuar nga njëri-tjetri dhe nga udhëheqësit tuaj ushtarakë.
Mbi të gjitha, këtë do ta arrini me zell dhe me motiv, për ta lartësuar vendin, shtetin dhe popullin tonë.
Ngritja e Ushtrisë është detyrë e jona e përbashkët. Qeveria e Republikës së Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e Ushtrisë, si në pajisje dhe armatim, ashtu dhe kushtet e shërbimit, si dhe në ofrimin e mundësive, ku ju mund të tregoni shkathtësitë e juaja ushtarake.
Arritja e qëllimeve tona shtetërore dhe kombëtare, kërkon shumë punë, disiplinë dhe bashkëveprim. Ushtria këtë e kultivon më së shumti. Ju këtë e tregoni më së miri.
Ju faleminderit dhe urime e gëzuar viti 2022!

Filed Under: Politike

FISHTA NDËRMJET STUDIMEVE NË BOSNJE DHE SKRIVANISË SË TIJ NË SHQIPËRI

January 11, 2022 by s p

Dr. Dom Nikë Ukgjini*


Situata problematike në vitet e Rilindjes Kombëtare, mesi i shek. të XIX, në Ballkan, si pasoje kishte pushtimet e egra shumë shekullore të trojeve arbërore nga osmanet. Jeta shoqërore, arsimimi e kultura në qytete kishin pësuar rrënime totale, nga furia anadollake të cilët edhe me ligj e kishin ndaluar frymarrjën shpirtërore dhe mendore, të arbërorëve në trojet e tyre stërgjyshore. Kishat dhe manastiret katolike të vetmet institucione, ku behej edukimi dhe arsimimi i kufizuar i brezave të rijnë.Mësuesit klerik organizonin mësime fshehurazi nëpër shtëpi private. Mësimit shqip në këto shkolla i ndihmonte mjaft, puna e klerikëve arsimdashës për përgatitjen e teksteve dhe të materialëve të tjera mësimore në gjuhen shqipe. Këtë lloj misioni, e kanë kryer, klerikët shqiptar, nga Buzuku, e deri të Atë Gjergj Fishta.
Fishta talent i shkëlqyer
Përçapja e rikthimit të identiteti tonë kombëtar, nuk kishte si të mos e shqetësonte shpirtin, që në moshë të re klerikut poetit, shkrimtarit, mendimtari, veprimtarit, të shquar atë Gjergj Fishta, i cili gjate rrugëtimit të gjatë e të mundimshme të tij, ka sjell horizonte të reja për rimëkëmbjen e historisë, kulturores, arsimit e gjuhës shqipe.Shtyrja vendimtare që përgatiti ta ripërtërinte Provincën Françeskane Shqiptare që pa dyshim, hapja e Kolegjit të parë në Troshan në vitin 1880, ku mund të rriteshin e të mësonin të rinjtë vendas për misionin, fetar e kulturor në trojet shqiptare. Në libri i të pagëzuarve të famullisë së Troshnit, mësojmë së Zefi u lind në Fishtë të Zadrimës më 22 tetor viti 1871 dhe u pagëzua me 24, dhjetor të ati viti, nga Atë Leonardo De Martino (1830-1823). Biografi i tij më i skrupullt, Atë Daniel Gjeçaj, jo rastësisht do e cilësonte Zefin e vogël qe në moshën 6 vjeçare, si fëmije plotë jetë e gjallëri, i mbrehet i zgjuat, e i kuptueshëm, ndër dy vëllezërit të mëdhenj dhe motrën e tij.Zefi, pra Gjergji i mëvonshëm, po kështu dallohej si talent i rrallë dhe sjellje shembullore nder të pesë rishtaret e vet, të cilët pas mësimeve gjashtëvjeçare në Kolegjinë e Troshanit, nga viti 1886, kishin vazhduar mësimet e larta filozofike e teologjike s bashku me Fishten, në Kraljevo Sutjeska, Gorica Livno, Kreshevo, në Bosnjë. Meqenëse Bosnja e Hercegovina, pas qëndrimit të gjatë nën pushtimin osman, me Kongresi i Berlinit të vitit1878, ishte vendosur nen administrimin e Austro-Hungarez, ky vend i lashte Ilir edhe pse tani me shumicë të popullatës të islamizuar, do e mos do, kishte marr orientimin politike e kulturore perëndimor. Dërgimi i studentëve tanë për studime po atje, që një mundësi e artë që edhe matej ta zhvillonin gamen e diturisë, intelektuale e shpirtërore, për tu bërë meshtarë shqiptar të urdhrit Françeskan, për të kryer misionin e tyre në Shqipëri. Zefi, pra Gjergji si djali i vogël i Ndokes, i cili shpesh herë si në gaz do shprehej: me ka ba nana me te mendueme, përgjatë studimeve të larta të viteve 1868-1893, në Provincën Minorite të Bosnjës, talentin e femërisë edhe matej do e zgjeronte e thellonte më njohje të reja në fushën, biblike, teologjike, juridike e letrare e gjuhësore. Në arkivat e etereve françeskan në Bosnje, nga një mori emrash të studenteve kroatësh, të bie në sy, emri Joanes- Gjon (Ivo në gjuhen kroate) Fishta, i cili edhe pse vinte nga një vend i prapambetur për shkak te pushtimeve shume shekullor turke dhe ku shkollimi ishte molle e ndaluar, e mbante në vete, do të thosha, disa cilësi të veçanta në krahasim në studente shqiptar dhe ata vendas. Kjo gjë kuptohet fort mirë nga shfletimi i dokumentacionit shkollor, ku Fishta, rezulton nxënësi me i dalluar, i shkëlqyeshëm (Eminens), gjatë studimeve filozofike, në Kraljevo Sutjeska, në vitet 1888-1889, si dhe atyre teologjike, në Gorica-Livno, në vitet, 1889-1893. Si përmbledhje të gjitha mësimeve shkollor gjejmë dhe diplomën shkollore të Fishtës, lëshuar më dt. 6 shkurt vitit 1893 nga Komisioni përkatës, e gjejmë Fishtën si student të shkëlqyer. Puna studimore e Fishtës, është vlerësuar lart edhe nga eprori i provincës të etereve françeskan në Bosnjës, Atë Andria Buzuk, i cili do shprehej se, kishte një konsideratë të madhe për te, duke e vlerësuar si një talent të madhe më një inteligjencë të jashtëzakonshëm. Fishta, gjatë kohës studentore në Bosnjë, në vitet 1886-1893, nuk kishte si të mos e shprehte para studentëve boshnjakë dhe eprorëve të tij, krenarinë dhe njëherazi dhimbjen për atë çfarë po ndodhte me popullin e tij, i cili akoma dergjej nën pushtimin e perandorisë e osmane. Në shenje te mishnimit të heronjve të luftërave dhe të kulturës kombëtare, në kushtet e Përmotshme, në vitin 1891, ai, nga Jozef e më vonë Johannes (Gjon) kishte marr emrin, Enea-Silvio-Giorgio Fiscta, përkatësisht, Georgius Fiscta.Fishta, fal Zotit, ishte një talent i lindur. Fara e këtij lloj gjeniu, mori zhvillimit e veta, duke u gjetur një tokë të pëlleshme e të begatshme, siç ishin ambientit studimore në Kolegjet e etereve françeskan ne Bosnje, ku ia pati rasti të njihej më autoret e letërsisë se vjetër, latine, greke dhe italiane si: Dante, Goldoni, Manzoni, Pascoli. Në këto ambiente ku rritej dhe zhvillohej, patin dhe fatin e mirë, qe të këtë për mësues, rilindësit e spikatur të botës kroate si: Grga Martiq, Andria Kaçiq Mioçiq, etj. të cilët la gjurmë të thela jetësore, në shpirtin e shqiptarit, teologut, poeti, prozatorit, diplomatit, Atë Gjergj Fishta.
Fishta dhe skrivanija e tij në Atdhe
Rikthimi i tij në atdhe në vitin 1893, nga një vend si Bosnja nën Austro-Hungarinë dhe ballafaqimi drejtpërsëdrejti i Fishtës me pushtuesit osmanë dhe më vonë, serbët e malazezët, qenë faktorë përcaktues për te, që në programin e tij jetësor, krahas detyrave shpirtërore, ta ketë dhe çështjen rimëkëmbjes kombëtare.Ngjarjet politike nëpër të cilat merrte shtat Shqipëria jetime, e shtynin Fishtën të rrinte përherë i zgjuar me pendë në dorë, e cila njëherazi shndërrohej në shigjetë të ngrehur, si ajo makabejane, “pro aris et focis”, për altar dhe vatër, e cila në gjuhën e Fishtës përkthehej: “për fe e atdhe”, moto e cila gjithë jetën e ka shoqëruar poetin tonë kombëtar.Me shkrimet e tij të botuara në të përkohshmen ‘Albania’ (1900-1905), si: “Shcypja e burrit”; “Ma i madhi kob i shcyptaris”, “Mali i Zi” etj., “Hylli i Dritës” nga viti i themelimit të saj 1913 e në vazhdim, “Posta e Shqypnis” (1917-1918) “Grueja Shqyptare” (1920), dhe revistën Jezuite “Leka”, (1929-1944) të paraqitura në formë proze, poezie, lirike, satire dhe dramaturgjike, Fishta, arrinte t’i shtrinte idetë e veta gjithmonë dhe gjithkund, në funksion të mbrojtjes dhe përparimit të atdheut.Duke bërë letërsi, publicistikë, apologji, kritikë dhe mbi të gjitha polemikë, ka ndezur shkënditë e zjarrit në zemrat e shumë shqiptarëve, për ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit njerëzor në tokën arbërore, të mbështetur në parimet biblike: “Ku është shpirti i Zotit, aty është liria”.Me pendën e tij të artë dhe të zjarrtë, të mbështetur në drejtësi e liri, kulturë dhe përparim, arrinte t’i ndërgjegjësonte shqiptarët nga indiferentizmi i kohës, dhe njëherazi të vërë në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare për zgjidhjen sa më objektive të çështjes së shqiptarëve në Ballkan.Fishta u shua më 30 dhjetor 1940 në moshën 69-vjeçare. Ai, guxoi dhe beri një punë fort të admirueshme, akt që mundi të jetë dhe me mbeti si dëshmi e një talenti dhe dhuntie të pashoqe edhe si; diplomat, etnograf, arkeolog, hulumtues, muzikan, piktor, arkitekt, përkthyes, etj… Gjithkund ku ai vuri dorë, ngulmëu me zemër, shndriti me mendje, e shkreptiu me fjalë, ishte dhe mbeti një prej testamenteve ma të çmuar të identitetit tonë kombëtar.
*Konferencë shkencore me rastin 150 vjetorit të lindjes të Atë Gjergj Fishtës.

Filed Under: Politike

SPECIALE/ Në Kosovë mbërriti Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier

January 11, 2022 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu pranoi letrat kredenciale nga Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier/

-Ambasadori i ri i emëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha/

-Në 5 Qershor 2022 bëhen 26 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta, të parit nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë dhe që shtetin kosovar e ka njohur që në ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë para 14 viteve në 17 Shkurtin historik 2008/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË,  10 Janar 2022/ Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier ka mbërritur në kryeqytetin Prishtinë dhe sot mori zyrtarisht detyrën. Hovenier është nominuar për Ambasador në Kosovë në muajin Korrik 2021 nga Presidenti Amerikan, Joe Biden. Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar më 28 Dhjetor 2021 se Hovenier është betuar si Ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë para Nënsekretares Amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland. Ambasadori i ri i emëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në Dhjetor 2021 është pritur në takim në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA nga Kryetari Elmi Berisha.

Sot në Prishtinë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka pranuar letrat kredenciale nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier.

Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje Ambasadorit Hovnier, i cili sipas saj është shumë i afërt me Republikën e Kosovës, sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë.

“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier, sepse ka ecur përpara, mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani. 

Ajo ka thënë se roli i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor, për të garantuar që marrëdhënia jonë do të vazhdojë të lulëzojë. “Kam kënaqësinë e veçantë të hap këtë kapitull të ri të bashkëpunimit dhe Partneritetit me Ambasadorin Hovenier. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe të shtyjmë përpara në rajon e në rrafshin ndërkombëtar idealet dhe vlerat demokratike në të cilat ne besojmë bashkërisht”, ka theksuar Presidentja. 

Sipas Presidentes Osmani pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet, të gjithë mund të japin kontribut të rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë.

“Vendi ynë, Republika e Kosovës beson dhe i promovon vlerat të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë meqenëse i kemi fituar me shumë mund e sakrificë. Kam besim të plotë se duke punuar ngushtë me ju zotëri Ambasador ne mund të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Dua t’ju siguroj se nuk do të gjeni asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Pas takimit dhe konferencës së përbashkët, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier, kanë vendosur kurorë lulesh te Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Presidentja Osmani ka thënë se si themeltar i shtetit të Kosovës Presidenti historik Rugova diti të ndërtojë jo vetëm hapat drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran, por të ndërtojë miqësi të sinqerta, miqësi të forta të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten dhe të lulëzojnë edhe më tej nga ana e gjithsecilit prej nesh. 

“Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane, dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot si simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ambasadori Amerikan në Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, vizitën te Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova e paralajmëroi pasi dorëzoi letrat kredenciale te Presidentja Vjosa Osmani, duke u shprehur se “e kam ndier se ky është veprim që si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet ta bëjë për këtë personalitet në historinë e Kosovës”.

 “Kam nderin të jem këtu për ta njohur kontributin dhe historinë e Presidentit Rugova. Desha ta bëj këtë në ditën time të parë si Ambasador i SHBA në Kosovë. Për shkak të respektit për Presidentin Rugova, atë çfarë ai ka përfaqësuar. Pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambujesë”, citohet Ambasadori i SHBA, Hovenier.

Në 5 Qershor 2022 bëhen 26 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta, të parit nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë dhe që shtetin kosovar e ka njohur që në ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë para 14 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Më parë,  në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra në Kosovë.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë  në 5 Qershor 1996 u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova bashkë me familjen.

Gazeta e rezistencës “Bujku” e ditës së enjte të 6 Qershorit 1996 në ballinë  shkruante:

Dje në Prishtinë u hap Zyra e Agjencisë Informative Amerikane

“Jemi zotuar për të ardhem dhe lirinë tuaj”

-tha ambasadori Xhon Kornbllum, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, i cili zyrtarisht e hapi zyrën, duke shtuar se kjo është një provë e interesimit të vazhdueshëm amerikan e një kontribut për nxitjen e dialogut. – Dr. Ibrahim  Rugova: “Kjo është ditë historike për Kosovën”.

Raportimi vijonte në faqen 2, ku botohej e plotë deklarata që e kisha marrë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova:

“Deklaratë e Presidentit Rugova

Ditë historike për Kosovën

Në deklaratën e tij me rastin e hapjes së Zyrës së USIS në Prishtinë, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, tha se kjo është një ditë historike për Kosovën, për çështjen madhore të Kosovës, për popullin e Kosovës, për një zgjidhje paqësore dhe politike të çështjes së Kosovës në bazë të vullnetit politik të popullit. Falënderoj SHBA-të, presidentin Klinton, nënpresidentin Al Gor, sekretarin e Shtetit Kristofer, Kongresin Amerikan dhe të gjithë miqtë tanë në SHBA për këtë dhuratë të madhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.”

Në faqen e parë botohej edhe raportimi  me mbititull “Kryetari i Republikës së Kosovës  Dr. Ibrahim Rugova priti Xhon Kornbllumin” dhe me titull e nëntitull: “SHBA-të do të angazhohen për të drejtat e popullit të Kosovës – tha Kornbllum duke ia përcjellë kryetarit Rugova zotimin e presidentit amerikan Bill Klinton.

E në faqen 3 të gazetës së rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, me titullin dhe nëntitullin

“Flamur i shpresës për Kosovën

(Kronikë e viteve që i paraprinë hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë)”, shkruaja mes tjerash:

“Amerika në Kosovë, nga kjo e mërkurë, është e pranishme edhe me Zyrën e USIA-s.

Kjo për Kosovën ka shumë rëndësi e domethënie, prandaj shpesh quhet përfaqësi e mision diplomatik. Kështu, prezenca amerikane në Kosovë mori një formë institucionale dhe vlerësohet se kjo është shumë e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin edhe më të madh të çëshjtes së Kosovës.

Flamuri amerikan, i shtetit më të fuqishëm në botë, vendit mik, dashamirës e përkrahës të shqiptarëve, prej dje valon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, i ngritur lart e solemnisht në selinë e Zyrës së USIA-s, në një godinë të bukur të lagjes së Dragodanit, duke sjellë mesazhet më të mira të aspiratave të zgjidhjes e të paqes për Kosovën e rajonin.

Zyra e USIA-s në Prishtinë shënon edhe një hap përpara në konkretizimin e interesimit të vazhdueshëm amerikan për Kosovën dhe të pranisë së SHBA-ve në këtë zonë të rrezikshme të konflikteve politike dhe jo vetëm politike në Evropën Jugore….

Flamuri amerikan në Prishtinë, që valon prej dje, është flamur i shpresës për Kosovën. Deri tash të gjithë flamujt e vendeve të huaja janë ngritur si flamuj të okupatorëve.”

Në ceremoninë festive të hapjes së Zyrës Amerikane në Kosovë, në 5 Qershor 1996,  isha edhe për të raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, korrespondent i cilës isha që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë. Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë…

Pas 24 vjetëve – në 4 Korrik 2020, raportoja për Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, se Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

E në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën Amerikane në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 13 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanoë është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanoë solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë, ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe 23 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në 17 Maj 2021 është prezantar projekti për sheshin dhe shtatoren e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden në fshatin Sojevë të Ferizajt, pranë Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” në Kosovë.

Tradicionalisht në Kosovë festohet 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

Në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës janë ngritur tre shtatore të personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë.

Në 1 Nëntor 2009 është përuruar  Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij.

Në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj.

Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole është përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht  2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 252
  • 253
  • 254
  • 255
  • 256
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT