• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

140 VJET-LIDHJA E PRIZRENIT-Shqiptarët në pozicionin më të mirë historik

June 8, 2018 by dgreca

-Në Kosovë nisin veprimtaritë e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/1 shtepia

-Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi: Në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët në pozicionin më të mirë historik/2 Lidhja

 -Në vitin 1999 lufta e Kosovës për liri, vizioni properëndimor, gjeti mbështetje te bota demokratike, tek SHBA-të, shtetet e BE-së dhe NATO/1 Thaci LidhPRISHTINË, 8 Qershor 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë nisin veprimtaritë e shënimin të jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me një konferencë shkencore ndërkombëtare sot në Akademinë e Shkenacave dhe Arteve, ku mori pjesë e foli edhe Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.

Ai theksoi se në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, shoqëria shqiptare është në pozicionin më të mirë historik.“Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, në rrugë drejt anëtarësimit në BE, kurse shteti i Kosovës është konsoliduar si shtet, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar dhe tani në fokus ka objektivin e tretë, atë të integrimeve euroatlantike”, theksoi Presidenti Thaçi.Ai është shprehur i nderuar që ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të konferences, 140 vjet pas Lidhjes Shqiptare e Prizrenit, të organizuar nga dy akademitë e shkencave, të Kosovës dhe të Shqipërisë.“Është koha që shkencëtarët ta studiojnë dhe vlerësojnë jo vetëm rilindjen tonë kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, por të gjitha periudhat e historisë shqiptare me objektivitet shkencor të dijes bashkëkohore. Historia, e vërteta është një, e pakorrigjueshme, ndërsa historiografia duhet të shkruhet në përputhje me të vërtetën dhe të korrigjohet nga ndikimi ideologjik, censura dhe format e tjera”, u shpreh presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se dy akademitë tona, 140 vjet pas Lidhjes së Prizrenit, mund të veprojnë në kushte shumë më të volitshme se në të gjitha kohët deri më tash, sepse më nuk ka as diktaturë, as robëri.“Lidhja e Prizrenit ishte veprim dhe rezultat i situatës së re gjeopolitike që solli kriza lindore. Me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani, shumica e trojeve shqiptare, edhe ashtu të ndara në disa vilajete, u jepeshin shteteve fqinje. Ndërsa, në Kongresin e Berlinit, ku Fuqitë e Mëdha vendosnin pa e përfillur vullnetin e popullit shqiptar, ishte thelluar padrejtësia historike, me marrjen e vendimeve për implementimin e këtij copëtimi. Kështu, shqiptarët kërcënoheshin nga tri rreziqe: shpërbërja territoriale, asimilimi dhe zhdukja fizike”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se në këtë situatë të re, shqiptarët nuk ndenjën duarkryq.Ai theksoi se më 10 qershor 1878, përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare në Prizren krijuan organizatën me karakter politik, ushtarak dhe ekzekutiv, që do t’i kundërvihej synimit të copëtimit të tokave shqiptare me të gjitha mjetet.“Lidhja e Prizrenit është organizata më e rëndësishme politike dhe ushtarake e popullit shqiptar, e krijuar katër shekuj pas qëndresës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kryengritjet e shumta, memorandumet drejtuar kancelarive të Fuqive të Mëdha, protestat dhe forma tjera të qëndresës e karakterizuan periudhën e Lidhjes së Prizrenit”, ka thënë presidenti Thaçi.Lidhja Shqiptare e Prizrenit, sipas presidentit Thaçi, në rrafshin e brendshëm është produkt i lëvizjes kulturore, i Rilindjes Kombëtare.Derisa në Jug të Shqipërisë po krijohej ndërgjegjja kulturore, pra nacionalizmi kulturor, presidenti Thaçi thesoi se në viset e veriut, ballafaqimi i përditshëm me aspiratat aneksuese të fqinjëve po krijonte vetëdijen shtetërore, nacionalizmin politik.

“Rilindësit shqiptarë ishin personalitete që me idealizëm të rrallë, në kushtet kur në tokat shqiptare nuk kishte asnjë institucion kulturor dhe arsimor, vunë themelet e ndërgjegjes kombëtare, duke tejkaluar ndarjet krahinore dhe fetare”, u shpreh presidenti Thaçi.Ai shtoi se Rilindja Kombëtare krijoi vetëdijen për identitetin e kombëtar shqiptar, të bazuar mbi vlerat e përbashkëta të gjuhës, kulturës, traditave dhe të njësisë territoriale.“Për këtë kontribut iluminist dhe intelektual, si gjithmonë, edhe sot i jemi mirënjohës asaj plejade mendjendritur që punoi me aq përkushtim patriotik. I jemi mirënjohës shumë e shumë penave tjera që kultivuan letërsinë, hartuan traktatet politike, zhvilluan gjuhën shqipe, themeluan klube e revista kulturore, përqafuan alfabetin latin dhe vlerat e qytetërimit evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.

Krahas figurave kulturore, ai theksoi se nuk ka si të mos i vlerësojmë lart personalitetet qendrore të Lidhjes së Prizrenit, ideologun e saj, Abdyl Frashërin, Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Ymer Prizrenin, Komandantin e Ushtrisë së Lidhjes së Prizrenit, Sulejman Vokshin dhe shumë e shumë patriotë të tjerë, që me mençuri dhe vizion reaguan përballë rreziqeve që cenonin ekzistencën fizike të popullit tonë.“Me veprimet e veta, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tërhoqi vëmendjen e diplomatëve dhe konsujve të huaj, duke dëshmuar se shqiptarët po mobilizonin forca dhe nuk lejonin implementimin e marrëveshjeve të pa drejta ndërkombëtare që copëtonin hapësirat e tyre etnike. Rilindja Kombëtare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit e shekullit 19, rrumbullakoi vetëm pjesërisht idealet e shqiptarëve në fillim të shekullit 20, me krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, më 28 nëntor 1912”, ka thënë presidenti Thaçi.Në zhvillimet dramatike gjatë Luftës së Parë Ballkanike, presidenti Thaçi ka thënë se ndodhi paradoksi historik dhe territori shqiptar që më së shumti kishte kontribuar për bërjen e Shqipërisë, Kosova, por edhe viset e tjera shqiptare, mbetën padrejtësisht jashtë Shqipërisë.“Me gjithë fatin tragjik, Kosova e ruajti esencën dhe bërthamën e saj kombëtare. Gratë dhe burrat që u angazhuan në procesin e pavarësisë së Shqipërisë, vazhduan me të njëjtin idealizëm rezistencën për çlirimin e Kosovës, duke dhënë jetën për ëndrrën dhe idealin e lirisë si Hasan Prishtina, Shotë Galica, Azem Bejta dhe të tjerë”, u shpreh presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se pas një shekull sundimi nga të gjitha regjimet dhe administrimet e Beogradit, Kosova më në fund arriti ta krijojë organizatën më të rëndësishme politike dhe ushtarake në historinë e kombit shqiptar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.“Vizioni i saj properëndimor bëri që të gjejë mbështetje te bota demokratike, tek SHBA-të, shtetet e BE-së dhe NATO. Për herë të parë në histori shqiptarët qenë pjesëmarrës, folën dhe vendosën në interesin e tyre në Konferencën Ndërkombëtare në Rambuje dhe Paris më 1999”, shtoi presidenti Thaçi…

Konferenca shkencore ndërkombëtare “Lidhja shqiptare e Prizrenit”  në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në Prishtinë, po vijon punimet dhe do i vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.Në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne të dielën, në 10 Qershor 2018, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilin sot e vizitojnë 12 prefektët e Shqipërisë, të pritur nga kryetari i komunës, Mytaher Haskuka.

Në përgatitjet për festën tradicionale të gjithë shqiptarëve, në 24 prill është mbajtur në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, takimi i Komisionit qeveritar për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të kulturës të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

“Nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë po punohet jashtëzakonisht shumë që organizimi për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit të jetë sa më madhështor dhe në mënyrën sa më të mirë të mundëshme”, u theksua me këtë rast.

Edhe në takime në vijim theks i veçantë iu kushtua edhe koordinimit të përbashkët në aktivitetet që do të realizohen në Vitin Mbarëkombëtar të Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu si dhe në jubileun e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare, derisa janë paralajmëruar veprimtaritë në qytetin e Prizrenit.

Filed Under: Politike Tagged With: 140 vjet, Behlul Jashari, Lidhja e Prizrenit, Presidenti Thaçi

Franca, Holanda dhe Danimarka kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë

June 7, 2018 by dgreca

Franca, Holanda dhe Danimarka që po e frenojnë aktualisht hapjen e negociatave të anëtarësimit. Gjermania është më shumë pro hapjes së tyre.

Sipas informacioneve të agjencisë Reuters për Gjermaninë janë tri vende momentalisht që e bëjnë të pasigurtë hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ato janë Franca, Holanda dhe Danimarka. Prandaj është e paqartë, nëse Komisioni Europian do të japë dritën e gjelbër në samitin e BE në fund të qershorit, thuhet jo vetëm nga qarqe të KE, por edhe të qeverisë gjermane.

Brenda Berlinit ka zëra kritikë për qëndrimin e Macron se nuk po e dallon rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin e Europës, vëren Reuters. Për Macron nuk ka interes aq zgjerimi, se sa forcimi i bashkëpunimit brenda BE dhe vendeve të eurozonës. Ndërsa në Bruksel thuhet se “Macron ka ndjesinë, se do t’u hapte krahun djathtistëve në politikë, sepse për Shqipërinë mendohet menjëherë për kriminalitetin e organizuar”, shkruan Reuters. Edhe qeveria holandeze e argumenton qëndrimin e saj kundër menjëherë me frikërat e brendshme.

Komisioni Europian kërkon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, sepse dy vendet i kanë përmbushur formalisht kriteret dhe BE duhet t’i qëndrojë fjalës së saj.

Verleihung Internationaler Karlspreis an Macron (picture-alliance/dpa/I. Fassbender)Presidenti Francez kërkon forcimin e Europës para zgjerimit të saj

Edhe në Gjermani ka dyshime

Por edhe në Gjermani ka dyshime lidhur me hapjen e negociatave brenda Unionit konservator. Reuters shkruan se kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm, Heiko Mass, socialdemokrat janë megjithatë për hapjen e negociatave. Nga qarqet qeveritare thuhet se bëhet fjalë për fillimin dhe jo përmbylljen e negociatave që zgjasin me vite.

Filed Under: Politike Tagged With: 3 vende, kínder negociava, Shqiperi-BE

Prishtina kryeqytet libri, bashkon 100 botues shqiptarë

June 6, 2018 by dgreca

-Hapet Panairi i 20-të jubilar i librit në Prishtinë me 100 botues shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora, me rreth 1500 tituj të rinj e 5000 të tjerë, të viteve të fundit, ndërsa organizatorët presin mëse 40.000 vizitorë/

1 panairi 1 Bel1 edhe ramushi lexon1 ramushi ekspozonCameria1 ramushi fjalim1 ramushi lib

-Kryeministri Haradinaj: Ta vazhdojmë lidhjen me librin, sepse kështu do të jemi më të zot në atë çfarë bëjmë në jetë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 6 Qershor 2018/ Në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë, u hap mbrëmjen  djeshme Panairi i Librit e vijon sot edicioni i 20-të, jubilar, në të cilin deri në 10 qershor prezantohen mëse 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare me rreth 1500 tituj të rinj e 5000 të tjerë, të viteve të fundit, ndërsa organizatorët presin mëse 40.000 vizitorë.

Në ceremoninë e hapjes së panairit, qe e bën Prishtinën edhe kryeqytet libri,  organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se, “qeveria është e vendosur që të përkrahë botimin, shpërndarjen e librit, duke bërë lehtësira në taksa, me TVSH zero, por edhe me zbatimin ligjit, i cili do ta garantojë këtë, e që do të jetë funksional në muajin shtator”.

Kryeministri e cilësoi këtë vit jubilar, duke thënë se panairi i 20-të i librit meriton porosi të çmuar nga qeveria.“Porosia ime për ju sot, për ata që shkruajnë është: ‘shkruani se dilni në dritë’”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Më tej, ai tha se si brez i lirisë ka lexuar, është frymëzuar, ka marrë nga rilindësit, nga heronjtë, patriotët, burrat e zonjat e mëdha që ka dhënë kombi ynë për qëllimin më të madh, qëllimin e lirisë.
“Mendoj se njeriu që lexon është i lirë, ka liri. Ai që lexon është vetvetja, është sovran, sepse merr vendime dhe si i tillë lexuesi është fitues çdoherë. U bëjë thirrje qytetarëve të të gjitha moshave që ta vazhdojnë lidhjen me librin, sepse kështu do të jemi më të zotë në atë çfarë bëjmë në jetë”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Qeveria  udhëhequr nga ai, me të marrë mandatin ka vendosur që të zbresë taksën e TVSH-së në zero për botuesit e librit, si nismë për të përkrahur shkrimtarët, botuesit dhe për të nxitur lexuesit për blerjen e librit.

Në hapje të panairit të librit, ku morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, tha se kjo është ngjarja më e madhe kulturore e organizuar në Kosovë, ngjarja dhe organizimi më stabil për 20 vjet rresht. Duke kujtuar vitet e vështira kur është organizuar edicioni i parë i Panairit të Librit, ai porositi të gjithë që ta mbrojnë pastërtinë e gjuhës shqipe.

Duke qenë tashmë me traditë të konsoliduar, në 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, panairi i librit në Prishtinë ketë vit do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me jubile të mëdhenj të personaliteteve të historisë e letërsisë shqiptare:550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Vitin e Skënderbeut; 300 vjetorin e lindjes së Teodor Kavaliotit; 200 vjetorin e lindjes së Zef Jubanit; 100 vjetorin e lindjes së Tajar Hatipit, Vorea Ujkos, Spiro Çomorës dhe Pashko Gjeçit.Me aktivitete gjatë panairit të librit shënohen edhe jubile të personaliteteve  letrare  botërore: 200 vjetori i lindjes së Turgenjevit dhe 100 vjetori i lindjes së Moris Dryonit dhe i Solzhenicinit.Para 19 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.

SHËNIM DUKE VIZITUAR SHTËPITË BOTUESE NË PANAIR

Derisa vizitojmë shtëpitë botuese pjesëmarrëse në Panairin e Librit Prishtina 2018 takojmë shumë të njohur e miq. Ndalem ca më gjatë edhe te “Çamëria”, ku botuesi e shkrimtari, Arben Kondi, nga Shqipëria, ishte bashkë me shkrimtarin e gazetarin nga Kosova, Rrustem Geci, i cili më dhuron  librin ku është bashkëautor me Festim Lato, me titull “Republika e Çamërisë”.  Tek bisedojmë, flasim edhe për një reportazh timin futuristik shkruar e botuar para më shumë se 20 viteve me titull “Kufiri i ëndrrës”, që do ishte nga Çamëria te Molla e Kuqe, të ribotuar këto ditë te Gazeta DIELLI, organ i VATRËS në SHBA…

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kryeministri Haradinaj, panairi i librit, Prishtine

Kompromisi Kosovë-Serbi për marrëveshjen finale?

June 6, 2018 by dgreca

Sa është i mundur kompromisi Kosovë-Serbi për marrëveshjen finale?/1 Thaci VucicQeveria e Kosovës kërkon mbështetje nga Kuvendi për një platformë finale në bisedimet me Serbinë. Partitë opozitare e kundërshtojnë këtë platformë dhe nuk duan që bisedimet ti udhëheqë Presidenti Thaçi…

Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përcaktuar si pikë të rendit të ditës platformën e qeverisë së Kosovës, e cila e parasheh fundin e dialogut me Serbinë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

E përmes një marrëveshje finale me Serbinë, që është normalizimi i plotë i raporteve, Kosova synon të sigurojë heqjen e pengesave të krijuara për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe strukturat e organizatat tjera ndërkombëtare. Për të hyrë në këtë fazë finale të dialogut dhe për ta arritur këtë marrëveshje me Serbinë, në Kosovë po kërkohet një “Grup Uniteti”, ku do të përfshihej edhe opozita. Grupi do të kryesohej nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Mirëpo akoma pa u diskutuar në Kuvend, kjo platformë u kundërshtua nga partitë politike opozitare. Është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) partia më e madhe opozitare që nëpërmjet një deklarate për medie, tha se “Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz, me pretendime jokushtetuese dhe si të tillë nuk do ta votojë”.

“LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës. LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Edhe partia tjetër opozitare Lëvizja Vetëvendosja është shprehur kundër platformës së qeverisë për bisedime me Serbinë, ku fazën finale do ta udhëhiqte Presidenti Hashim Thaçi. E ky i fundit, po ashtu edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, janë pajtuar që duhet hyrë në fazën finale të dialogut me gjasë me një “kompromis” me Serbinë, por nuk jepen detaje se për çfarë “kompromisi” është fjala.

Kryeministri i Ramush Haradinaj, tha se Kosova do të pranojë pajtimin me shtetin e Serbisë në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, por sipas tij, Kosova nuk i harron krimet e bëra nga Serbia.

“Njohja e Kosovës nga Serbia, por, çka mund të japë Kosova që të arrihet kjo marrëveshje, një pajtim, Kosova nuk ka çka jep tjetër. Pajtimi nuk është pak, do të thotë të kalohet mbi dhimbjen tonë, mbi të zhdukurit, mbi të vrarët, mbi dëmet, mbi dhunimet seksuale, me ekonomi të shkatërruar e të plaçkitur, e kur ne të pajtohemi, po japim shumë, më shumë se që dikush mund të jap. Nuk po themi me harru, nuk e bëjmë kurrë, por ne mund të pajtohemi ndonjëherë, për njohje të Kosovës nga Serbia. A është ky viti për këtë, nuk mund të ngutem të them se po, por për këtë ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-së”, tha kryeministri Ramush Haradinaj në një tubim të partisë së tij. Haradinaj nuk ishte në gjendje të thotë nëse gjatë këtij viti do të ndodhë një marrëveshje pajtimi me Serbinë.

Kosovo 10 Jahre Unabhängigkeit (Getty Images/AFP/A. Nimani)

Ndërkohë, mediet në Serbi shkruajnë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tashmë e ka “refuzuar” një plan amerikan për Kosovën, duke e cilësuar atë si të padinjitetshëm. Mirëpo ky plan nuk është konfirmuar nga Vuçiçi ndonëse vet Presidenti i Serbisë disa herë ka deklaruar se “propozimin e bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës tashmë e ka në tavolinë”.

Kosovës dhe Serbisë, në katër shtylla u është paraqitur marrëveshja historike:

1. Asociacioni i Komunave serbe bëhet me kompetenca të gjëra dhe me kompetenca të shtuara në fushën e shëndetësisë, arsimit e kulturës.

2. AKS do të jetë i lidhur ngushtë me nënkryetarin e Qeverisë së Kosovës që do të vinte nga radhët e komunitetit serb.

3. Beogradi pritet t’i mundësojë Kosovës hyrjen në organizatat ndërkombëtare, para së gjitha në OKB.

4. Nëse pala serbe pranon këtë pako, Serbisë do t’i mundësohej hyrja në BE, e SHBA-ja do t’i garantonte asaj përkrahje ekonomike e diplomatike në arenën ndërkombëtare”, shkruan e përditshmja serbe Vecernje Novosti.

Sa është i mundur kompromisi?

Por sa është i mundshëm në këto rrethana kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të arritur në një marrëveshje finale pajtimi? Blerim Burjani, analist politik i tha DW-së, se synimet e palëve tashmë dihen, Kosova synon vend në OKB dhe në fund njohje nga Serbia, ndërsa, kjo e fundit përmes Asociacionit të Komunave Serbe kërkon hise brenda territorit të Kosovës.

“Tash kompromisi është problematik për të dy palët. Kosova nuk mund të copëzohet dhe të jetë shtet jo funksional, edhe pse Serbia pretendon që asociacioni të jetë plotësisht i pavarur nga institucionet e Kosovës”, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, Serbia ka për qëllim që ta copëzojë teritorialisht Kosovën nëpërmjet Asociacionit dhe kjo ndodh më vonë nëse pala kosovar e pranon me këto kushte “marrëveshjen historike me Serbinë”.

“Serbia e dëshiron një ndarje të butë, si një variant, ku serbët do të kenë trajtim si entitet juridik i veçantë, siç është përcaktuar edhe nga grupi i punës për hartimin e statutit të komunave me shumicë serbe. Në të vetë serbet caktojnë në mënyrë të pavarur vullnetin e tyre statusor pa ndikim nga Prishtina. Nga ana tjetër, Kosova ka kërkuar që këtë statut ta kontrollojë dhe mbikqyrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, edhe ashtu Serbia ka avantazh në këtë temë si propozuese, pastaj i mbetet Kosovës të deklarohet për këtë e që politikanët e Kosovës kësaj teme i ikin politikisht duke ia dërguar Gjykatës Kushtetuese për ta hequr qafe debatin për “tradhti” dhe gjëra tjera. Pra, kompromisi me Serbinë në këto rrethana duket i pamundshëm”, thotë Blerim Burjani.

Një analist tjetër nga Beogradi, Kryetari i Këshillit drejtues i Forumit për Marrëdhënie etnike Dushan Janjiq, ka vlerësuar se komunikimi i deritashëm i drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk duket se po jep rezultate.

“Vendet e QUINT-it, që janë (SHBA-së, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia) qartë nuk janë për lojën e gjatë politike. Ato qartazi kanë mendim dhe po i afrohen qëndrimit se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet, pa marrë parasysh nëse Serbia dhe Kosova shkojnë ose jo drejt Bashkimit Evropian”, citojnë mediet në Serbi, Dushan Janjiqin.

Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nënshkruan një marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve. Nga ajo kohë u nënshkruan një sërë marrëveshjesh, por disa nga to akoma nuk kanë gjetur zbatim në praktikë. Për fundin e këtij muaji është thënë se do të vazhdojë dialogu i nivelit të lartë politik, por akoma nuk është caktuar një datë. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin Ruis de Gordehuela, tha sot se “BE është në kontakt të përhershëm me të dyja palët dhe do të vazhdojmë me bisedimet në Bruksel sa më parë që të jetë e mundur”. Por Gordehuela nuk saktësoi ndonjë datë.(Kortezi:Bekim Shehu DW)

Filed Under: Politike Tagged With: eshte i mundur, Kompromisi Kosove-Serbi

KUFIRI I ËNDRRËS

June 4, 2018 by dgreca

1 rugova_diogardilidhja-prizrenit125-logo11 Lidhja P1 Kuvendi1 Rilindja

Speciale e Gazetës DIELLI: KUFIRI I ËNDRRËS/

-Në reportazhin futuristik me titull “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në kohë të rënda okupimi para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998, paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”/

1 akademi1 Leka rug1 rugova med1 reportazhi

-“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Këtë vit, në 2018-tën në Kosovë po bëhen të gjitha përgatitjet për shënimin e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, festojnë tradicionalisht të gjithë shqiptarët e trojeve etnike e në botë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 4 Qershor 2018/ “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”.

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.

Në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershor, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, Presidenti Rugova njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova dhe vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.

Këtë vit, në 2018-tën në Kosovë po bëhen të gjitha përgatitjet për shënimin e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, festojnë tradicionalisht të gjithë shqiptarët e trojeve etnike e në botë. Fillimisht është mbajtur në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, takimi i Komisionit Qeveritar për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të kulturës të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

“Nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë po punohet jashtëzakonisht shumë që organizimi për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit të jetë sa më madhështor dhe në mënyrën sa më të mirë të mundëshme”, u tha me këtë rast.

Dhe edhe në takime në vijim theks i veçantë iu kushtua edhe koordinimit të përbashkët në aktivitetet që do të realizohen në Vitin Mbarëkombëtar të Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu si dhe në jubileun e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Qyteti  i Prizrenit do të jetë qendra kryesore e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve që do të mbahen me rastin e shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, u  paralajmërua në takime përgatitore organizative.

Në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne në fund të kësaj jave, të dielën – në 10 Qershor 2018 në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare i kam raportuar nga Prizreni vit pas viti për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky ishte reportazh i para më shumë se 2 dekadave:

KUFIRI I ËNDËRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Behlul JASHARI

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6-Rishtypur per Diellin)

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, KUFIRI I ËNDRRËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 478
  • 479
  • 480
  • 481
  • 482
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT