• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gati skaneri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve

January 21, 2017 by dgreca

Skaneri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve përgatitet të fillojë punën/

Gjermania angazhohet në procesin për spastrimin e drejtësisë shqiptare nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe të inkriminuar.

Flash-Galerie Justitia als Symbol der Rechtsprechung (picture-alliance/dpa)

Skaneri për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve po përgatitet me kujdes të fillojë punën. Fatmir Xhafaj, kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe një ndër  protagonistët e rrugëtimit të vështirë të miratimit verën e kaluar në Parlament të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, deklaroi se “përfundoi procesi i shprehjes së interesit nga gjyqtarë dhe prokurorë të vendeve të BE-së  dhe nga SHBA për të qënë anëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, (ONM), strukturës ndërkombëtare që do të mbikqyrë zbatimin e vettingut.

Symbolbild Winkeladvokat (Fotolia)

Ndërkombëtarët – garanci për zbatimin rigoroz të ligjit të vettingut.

Në fillim të javës së ardhshme, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit mbërrin në Tiranë për të filluar aktivitetin e tij. Kjo do të thotë që do të fillojë procesi për përzgjidhjen e kandidatëve për 25 anëtarët e dy institucioneve të vettingut: Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit, proces që do të monitorohet hap pas hapi nga ndërkombëtarët. Ata janë garancia dhe shpresa e madhe e qytetarëve të Shqipërisë që ligjet do të zbatohen në mënyrë rigoroze dhe për pasojë korrupsioni në drejtësi do të fillojë të ҫmontohet. Përvoja e më shumë se dy dekadave ka treguar që ligjet në Shqipëri, në rastin më të mirë, janë zbatuar ose në mënyrë të pjesëshme ose gabim, në rastin më të keq nuk janë zbatuar fare. Realitetin me të cilin përballet qytetari i thjeshtë e ilustron  më së miri shprehja popullore: “Në Shqipëri ka ligj, por ka edhe Maliq”, duke nënkuptuar me emrin “Maliq” individin e pushtetshëm mbi ligjin dhe pandëshkueshmërinë e betonuar deri tani të politikanëve të përfolur për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm. Po a do të zbatohen ligjet që parashikon vettingu njëlloj për të gjithë? Shqetësimi për këtë nuk mungon.

Shqetësimet nuk mungojnë

“Shohim me shqetësim disa përpjekje në sistemin aktual të drejtësisë në prokurori dhe gjykata për ta deformuar frymën e detyrimit që parashikon kushtetuta dhe ligjet e reja në këtë fazë të procesit të vettingut. Jemi të angazhuar të mbështesim çdo përpjekje pozitive në këtë proces, por edhe të përgatitur që të ndëshkojmë sot dhe nesër çdo përpjekje për zbatimin e keq të ligjit” – paralajmëron kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Symbolbild Gesetz Recht (Fotolia/drizzd)

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që do të monitorojë zbatimin e ligjit të vettingut drejtohet nga Komisioni Europian dhe përfshin vendet anëtare të BE-së dhe ato partnere në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të bashkëpunimit euro-atlantik. Ai do të drejtohet nga Genoveva Ruiz-Calavera, drejtore në Komisionin Europian (KE)  për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit, me përvoja  më se 25-vjeçare ne KE dhe në rajon, ku ndër të tjera ka marrë pjesë në Task Force të KE për rindërtimin e Kosovës. Sipas kompetencave që i jep ligji Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të jetë i pranishëm në çdo hap të hetimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve pasi gëzon të drejtën të “hetojë dhe vlerësojë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëvë”.

100 ditë për fillimin e revolucionit në drejtësi.

Sipas afateve ligjore, brenda 30 ditëve, që nga 20 janari 2017,   Presidenti i Republikës do të hartojë  listën e aplikantëve që plotësojnë kriteret formale për të marrë pjesë në organet e vettingut dhe listën e atyre që nuk plotësojnë kriteret formale. Ai do të mbikëqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Më pas ONM-ja  do të hartojë listën e vet me ata që plotësojnë ose jo kriteret , e cila mund të jetë e ndryshme nga ajo e Presidentit. Në ditët e para të pranverës së sivjetme do të jetë Parlamenti që do të votojë zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve me përbërje të barabartë maxhorancë – opozitë, komisione që kanë për detyrë të verifikojnë dhe të përzgjedhin me një sistem elektronik anëtarët e organeve të vettingut, që do të votohen “si grup” në Parlament. Gjithë procesi parashikohet të zgjasë 100 ditë, afat që mund të respektohet, nëse shmangen bojkote të opozitës apo angazhime të  fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi është kushti themelor nga BE-ja që të hapë me Shqipërinë  negociatat e anëtarësimit. Ajo që pritet me padurim dhe shpresë është një revolucion në sistemin e korruptuar deri në palcë të drejtësisë aktuale, një revolucion nga ku duhet të dalë një gjyqësor i pavarur që të bëjë drejtësi në një vend si Shqipëria ku politikanë të lartë kanë mbyllur ndjekjen e tyre penale për aferra korruptive për procedurë apo çështje teknike duke korruptuar gjykatës dhe prokurorë dhe duke mos u shpallur as fajtorë, as të pafajshëm.

Filed Under: Politike

Kosova kujton Presidentin Historik Rugova në 11 vjetorin e shuarjes

January 20, 2017 by dgreca

femija-LAJM I VITIT 2006:  GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE -Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës/flamuri populli-GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA, MËSE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS…berisha rugovarama rugova-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator/popullSPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/Presidenti-Ibrahim-Rugova-e-Behlul-Jashari-Interviste-Rilindja-dhjetor-2002

PRISHTINË, 20 Janar 2017/ Kosova kujton Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, arkitektin e pavarësisë, i cili u shua para 11 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.Një akademi përkujtimore mbahet nesër, në 21 janar 2017, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ndërkohë gjatë ditës do zhvillohen homazhe dhe veprimtari tjera.

Ibrahim-Rugova-Shtatore-Prishtine-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-11Para 11 viteve, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në kryeqytet. “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 11 viteve, në 21 janar 2006, në mesditë.

Presidenti-Ibrahim-Rugova-e-Behlul-Jashari-Interviste-Rilindja-dhjetor-2002

“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.Janar2006-Prishtine-

Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, në 23 dhjetor 2005, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.
Pak ditë para shuarjes, në 16 janar 2006, Presidenti Ibrahim Rugova priti kardinalin e Venedikut, Anxhelo Skola dhe shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg. Këto ishin takimet e fundit që Presidenti Rugova ka zhvilluar  me diplomatë të huaj para se të ndërronte jetë.

“Presidenti Rugova pret në takime të veçanta Kardinalin Scola, shefin e Misionit Amerikan në Kosovë”, bënte të ditur komunikata nga ato takime të fundit, e dërguar nga Presidenca e Kosovës, në të cilën thuhej:

“Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka pritur sot (e hënë) në një takim Kardinalin Angelo Scola (Anxhelo Skola), Patriark i Venedikut, i cili ka ardhur në Kosovë për ceremonitë mortore të imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovë, i cili ndërroi jetë javën e kaluar.

Kardinali Scola çmoi filozofinë politike dhe vlerat që përfaqëson Presidenti Rugova, duke uruar që Presidenti të përballojë tani edhe sfidën e shëndetit dhe të arritjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Presidenti Rugova vlerësoi kontributin e Imzot Mark Sopit për Kosovën.

Presidenti i Kosovës theksoi se tani që jemi në prag të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, pavarësia dhe sovraniteti i plotë janë zgjidhje që siguron paqe e stabilitet në vendin tonë dhe në këtë pjesë të Evropës.

Po sot, Presidenti Ibrahim Rugova ka pritur në një takim të veçantë edhe shefin e Misionit Amerikan në Kosovë, Philip Goldberg, me të cilin zhvilloi një bisedë për çështjet aktuale në vendin tonë”.

Dr. Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për Kosovën Republikë-shtet, që para afër tre dekadave dhe viteve në vijim, edhe drejt negociatave për staustin.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin – pavarësinë e Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova i parashikonte e kërkonte edhe në intervisten ekskluzive, të parën të Presidentit të parë të Kosovës dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), të cilën e zhvillova në shtator 1994.

Presidenti Rugova theksonte se, “ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithsesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova. Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991 e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”…

Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën që zhvillova atëherë, në vitin 1994.

Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të shndërruar në seli të institucioneve të Republikës së shpallur.

“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte ai në një intervistë poashtu ekskluzive që zhvillova në fundvitin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë të vendosur përjetshëm në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

E teksti i i këngës “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, e cila nga Predidenti historik i Kosovës Rugova është propozuar Himn i Kosovës është ky:

KUR KA RA KUSHTRIMI N’KOSOVË

Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Kur ka ra ushtrimi n’Kosovë

Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë

Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë

Mirë luftoi Prizreni, Prishtina e Llapi me Rugovë
Mirë luftoi Prizreni, Drenica e Llapi me Rugovë

Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë

Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë

I lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, Ibrahim Rugova, më 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Më 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Si gjithmonë, edhe më 4 mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Dr. Rugova theksonte: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.

Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovë kujtojnë me vlerësimet më ta larta Presidentin historik Rugova.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Në vitin 1998, Tony Blair, atëherë Kryeministër i Britanisë së Madhe, ia kishte dhënë “besën” Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës, se do të ndihmonte.

Këtë e tregoi vetë Blair në Prishtinë në 9 korrik 2010, në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës:

“Më kujtohet fundi i vitit 1998, vizita në Downing Street e Ibrahim Rugovës. Ai ishte një burrë i qetë dhe modest. Ai më dha një dhuratë të vogël të kristalit të purpurtë dhe të bardhë. E mbajta gjatë tërë qëndrimit tim në Doëning Street mbi tavolinën time. Tash ajo ndodhet në shtëpinë time mbi kaminë.

Ai (Rugova) më tregoi të vërtetën për Kosovën. Orvatjet e popullit të saj, nevojën që bota të dëgjojë, detyrën e botës për të vepruar. Ai nuk bërtiste, nuk e shfaqte gjendjen me slogane ose gjeste ekstravagante. Ai fliste butë por me një sinqeritet mbresëlënës. Përderisa largohej, më tha: ‘Ju lutem, po ju kërkoj vetëm një gjë: mos lejoni që populli im të vuajë më. Ndjeni për të siç ndjeni për popullin tuaj. Dhe ndihmoni’.
I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë ‘besën’ time. Detyrimin tim. Dhe e mbajta. Sot kujtoj Ibrahim Rugovën dhe shpreh respektin tim për lidershipin, vendosmërinë dhe urtësinë e tij”.

Duartrokitjet frenetike në Kuvend pas këtij tregimi shprehën edhe një herë fuqishëm falënderimin dhe mirënjohjen e përjtëshme për Kryeministrin e Britanisë së Madhe në kohën e luftës në Kosovë, Tony Blair, njeriun që bashkë me Presidentin amerikan Bill Clinton kishin vendosur të lëviznin NATO-n për Kosovën.

Në 24 mars 1999 ishte mbrëmja e ditës që i hapi shteg lirisë së Kosovës, ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit. Ishte një ndërhyrje që pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në  6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

 

LAJM I VITIT 2006:  GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-
PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George W. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare.
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

 

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

Para 11 vitesh,  në  27 janar 2006, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËNNDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHENDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokracidhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).

  1. DR.IBRAHIMRUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

Në mëngjesin e 27 janarit 2006 kam raportuar kështu për atë se çka shkruante shtypi i Kosovës për ngjarjen e një dite më parë:

 

SHTYPI I PRISHTINËS: MBI 500.000 NJERËZ NDERUAN RUGOVËN

 

Gazetat e Prishtinës sot (27 janar 2006) shkruajnë gjerësisht për nderimet e larta kombëtare e ndërkombëtare  dhe për praninëmë të madhe diplomatike në historinë e vendit në varrimin e djeshëm të Presidentit Rugova.

“Mbi 500. 000 njerëz kanë marrë pjesë në nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare në ceremoninë e varimimit tëPresidentit Rugova”, sipas gazetës tradicionale të Kosovës “Rilinda”, që sot në një numër special ka kryetitullin “Bota nderoi”.

Eksluzive te “Rilindja” tri intervista të Presidentit Rugova në periudha të ndryshme, e para para 12 vjetëve dhënë ATSH-së: “Presidenti Rugova parashikoi dhe ndërtoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve”.

“Koha ime po vjen”, është kryetitulli i shoqruar me një foto të madhe të Presidentit Rugova në gazetën më të re të Kosovës “Iliria Post” në numrin e saj të parë sot. “Kur flet loti s’ka vend fjala” është një nga titujt e tjerë të kësaj gazete, që boton deklarata të përsonaliteteve kombëtare e ndërkombëtare që vlerësojnë Presidentin Rugova.

“Kosova dhe bota i dhanë lamtumirën e fundit Presidentit të Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan në ballinë gazeta “Zëri”. Një titull tjetër është nga një deklaratë e Havier Solanës: “Jam i mahnitur me dinjitetin e popullit të Kosovës në  këto ditë të zisë dhe të pikëllimit”. “Perëndimi kërkon nga kosovarët që të bashkohen për të përmbushur boshllëkun pas vekjes së Rugovas”, është titulli nga deklarata e nënsekretarit amerian Nikollas Berns.

“Lamtumirë President, Rugova përcillet me Flamurin e Himnin e tij”, është titulli kryesor n gazetën “Kosova sot”.

“Kosova u nda nga Presidenti i parë i saj Ibrahim Rugova. Lamtumirë”, është kryetitulli në gazetën “Lajm ekskluzive”. Gazeta njofton se në varrimin e Rugovës ishin 36 delegacione shtetrërore me rreth 200 anëtarë.

“Lamtumirë President”, është kryeartikulli i gazetës “Koha ditore”. Kjo gazetë paralajmëron: “Ahtisari sot në Bruksel, tëmarten takohen ministrant e Grupit të Kontaktit”. “SHBA fton shqiptarët që t’i refuzojnë ata që i rreken dhunës”, është një titull tjetër në “Koha ditore”.

“Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Dradanisë antike, President Rugova”, është titulli kryesor në gazetën “Bota sot”. “Presidenti i Kosovës i tregoi botës, që nganjëherë diti të jetë indiferente, për vuajtjet e Kosovës”, është një titull tjetër i gazetës, që citon fjalën e Kryeadministratorit Petersen në ceremoninë mortore.

“Presidentit Rugova iu dha lamtumira e fundit”, është kryeartikulli i gazetës “Epoka e re” nga ceremonia e varrimit, e cila gazetë thekson edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesëve nga shumë vende të botës.

“Pacifisti nderohet nga ushtarët”, është titulli qëndror i gazetës “Express”. “Kosovarët i dhanë nderimet e fundit presidentit tëndjerë Ibrahim Rugova, një ceremoni tejet e organizuar dhe me praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit”, shkruan gazeta “Express”.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, kosova kujton, Presidentin Ibrahim Rugova

Russia May Recognise Kosovo, UK Expert Says

January 19, 2017 by dgreca

1 russia2Photo: Mary Dejevsky, a former Moscow and Washington correspondent and now Guardian writer and member of the UK’s Chatham House think tank/Leading expert on Russia in UK says Moscow might recognise Kosovo as part of a grand re-set of America-Russia relations.

One of Britain’s most respected experts and commentators on Russia has floated the prospect of Russia recognising Kosovo’s independence as part of a wider agreement between Washington and Moscow, once Donald Trump takes the reins as US President.Mary Dejevsky, a former Moscow and Washington correspondent and now Guardian writer and member of the UK’s Chatham House think tank, raised the idea in Britain’s Catholic Tablet magazine in its January 21 edition, reflecting on the possible consequences of a successful Trump-Putin meeting in the near future.Trump has repeatedly stated his desire to meet Russian President Vladimir Putin soon after his inauguration and put US-Russian ties on a new footing.

Dejevsky, who regularly meets Kremlin leaders through the Valdai Group, which meets Russian officials each autumn, suggested Moscow could recognise Kosovo as part of a package aimed at closing down various post-Cold War diplomatic issues that have dogged relations between the powers.In the article, Dejevsky described Trump as a deal maker who would soon size up whether the Russian leader was serious about an agreement, and would walk away and make other arrangements if he felt misled.However, Dejevsky said Putin was investing heavily in making a deal with the new US Administration work, and was unlikely to let the opportunity slip, as it would damage his domestic standing.

Russia has staunchly opposed recognition of Kosovo, a former province of its close ally Serbia that broke away with Western military help in 1999 and declared full independence in 2008.Most Western countries, starting with the US, long ago recognised its statehood, but Serbia, Russia, China, five EU member states and many other countries have not. Non-recognisers include most countries in Central and Latin America and Asia and about half of the states in Africa.

The pace of recognitions has also slowed in recent years; last year saw only two, Surinam and Singapore. Altogether, about 110 of the 193 member states of the UN have granted recognition.While Russian recognition would be hailed as a great breakthrough in Kosovo, it would come as a great shock to Russia’s historic ally, Serbia. Belgrade has vowed never to accept Kosovo’s statehood and continues to claim Kosovo as an integral part of its national territory, although it has agreed to “normalise” relations with Kosovo under EU auspices.

 

Filed Under: Politike Tagged With: May Recognise Kosovo, Russia, UK Expert Says

PARALAJMËRIMI I AT GJERGJ FISHTËS: KUJDES NGA RREZIKU I PËBRENDSHËM

January 18, 2017 by dgreca

1 fishta okFishta konsideronte se “rreziku i mbrendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e mbrendshëm” siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë.  Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i mbrendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”./

1-Frank-shkreli-2-300x183Nga Frank Shkreli/Paralajmërimin për rrezikun e mbrendshëm, At Gjergj Fishta e ka bërë me shkrimin e titulluar, “Rreziku i Përbrëndshëm” në revisten e famshme françeskane të fillim shekullit të kaluar, Hylli i Dritës, numër 1 e vitit 1921. Megjithse artikulli është shkruar para 95 vjetëve, aktualiteti i fjalëve dhe paralajmrimi i At Gjergj Fishtës drejtuar klasës së atëhershme politike, mbi rrezikun e mbrëndshëm që i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëve, aktualisht dhe fatkeqsisht tingëllon aktuale si një kambanë kushtrimi që bie edhe sot për shqiptarët dhe autoritetet politike të dy shteteve — Shqipëri e Kosovë — pothuaj një shekull më vonë.  At Gjergj Fishta e njihte mirë fizioniminë e shqiptarit. Ai nuk i kursente fjalët dhe nuk shkruante për të siguruar mbështetje politike nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të rastit ose të kohës, as për interesa personale ose politike dhe as nuk kishte për qëllim që me shkrimet e tija të argëtonte, “Damat e kalorësit e oborreve princore”, siç është shprehur dikur në një shënim, At Viktor Volaj, një mësim ky edhe për median e sotëme shqiptare.  Fishta konsideronte se “rreziku i mbrendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e mbrendshëm” siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë.  Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i mbrendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”.

Mbi të gjitha, me këtë paralajmërim si edhe me të gjitha shkrimet e tija – pa marrë parasyshë se ç’mendojnë për të dhe për veprën e tij pseudo-historianët shqiptarë dhe nostalgjikët e sotëm të Enverit – At Gjergj Fishta synonte gjithmonë mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar dhe të avancimit të imazhit dhe të shpirtit të tij heroik e fisnik, në botë.   Frati i maleve paralajmëronte shqiptarët për ato që ai i konsideronte si rreziqe që i kanoseshin kombit shqiptar nga armiqët e mbrendshëm dhe të jashtëm.

Megjithëse për shqiptarët “modern” dhe për klasën e sotme politike, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, At Gjergj Fishta mund të konsiderohet shumë i largët dhe i pa konsekuenca për historinë dhe aktualitetin e sotëm shqiptar, unë u them se e kini gabim.  Në sytë e vrejtësve të pa-anshëm, mendimet dhe paralajmërimi i Fishtes janë aq aktuale sot sa ishin pothuaj edhe një shekull më parë, pasi duket sikurë fatkeqsisht, një shekull më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pikëpamje. Sidomos kur të merret parasyshë gjëndja aktuale në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë grindjet politike dhe luftën për pushtet, korrupsionin, drogën, trafiqet e lloj-llojshme, mbrojtjen e interesave personale dhe familjare në punët e shtetit dhe të bizneseve nga ana e pushtetarëve, e të tjera — gjë që, historikisht, nuk e paraqet klasën e sotëme politike shqiptare në dritën më të mirë që mund të jetë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.   Fatkeqsisht shqiptarët nuk kanë mësuar aspak nga gabimet e së kaluares, përfshirë periudhën historike dhe hallet për të cilat ka shkruar Gjergj Fishta, pothuaj një shekull më parë.  Interesat personale dhe partiake sot po shkatërrojnë harmoninë e mbrendshme shoqërore të botës shqiptare dhe po nxisin armiqët e kombit që të peshkojnë në ujrat e turbullta shqiptare kurdo që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave shqiptare.  Gjëndja politike aktuale në Shqipëri, sidomos në prak të zgjedhjeve të qershorit dhe situata e brishtë e mbrendshme dhe e jashtme e Kosovës, kërkon prej atyre që ia duan të mirën kombit shqiptar, e sdimos nga ta që sot kanë në dorë fatin e kombit, që t’i vihet vesh paralajmërimit shekullor të At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i mbrendshëm!

Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët — sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare — përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm mbrenda trojeve shqiptare, por edhe në marrëdhënie me të tjerët.  Por, me një harmoni të mbrendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e mbrendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare që duhet të qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera politike dhe ekonomike.

Në paralajmërimin për rrezikun e mbrendshëm nga At Gjergj Fishta në revistën e famshme françeskane, Hylli i Dritës, të vitit 1921, Poeti i Kombit, me një përspektivë historike të tijën, shkruan në  se para fitimit të pavarsisë, shqiptarët ishin, “Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë, kur u thamë se kishte Shqypni.  Por, qe, sot koha na dha arsye.  Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, a ma tepër ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë, e se ashtë e lirë dhe e pamvarun”. 

Fishta shkruante se, “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së kombit shqyptar u realizue”, duke shtuar se “Shteti shqyptar leu”, por njëkohsisht shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet? kombi shqiptar.  Ai shprehet se, aty për aty, nuk dukej të kishte ndonjë kërcnim të menjëhershëm nga jashtë ndaj Shqipërisë së re të pavarur, por paralajmëron se për të shuar jetën e re të pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, nuk ishte e nevojshme që rreziku të vijë, patjetër, nga jashtë.  “Shumë herë ai rrezik vjen tue u pjekë e tue u nugë shi përbrenda tejzave mbi të cilat bulon jeta. Njato mikrobe të helmatosuna, qi vërvisin përbrenda gjakut të nji limfatiku, janë nji për nji të rrezikshëm për jetë të njeriut sa nji zhigjetë a nji plumb që të përshkohet nëpër trup të tij…”  Prandaj, Fishta bën thirrje se, “Duhet pra që na, si edhe të gjithë njata që kanë për zemër Shqypninë edhe dijnë çka asht liria e vërtetë, çka asht atdheu, t’i mbledhin mendtë tok mbi nji çashtje kaq me randësi e mos të përkundena në nji optimizëm të pa arsyeshëm, tue mahitë vendin e popullin me fjalë entuziazmi.  Kombi s’do rrejtë; asht mëkat me e rrejtë kombin! Kombit i duhen çilë sytë e i duhen çilë sytë me kohë, kur të shifet se jeta e tij ashtë në rrezik, kështu që me kohë të mund të marrë ato masa që vendi e mendoret t’ia këshillojnë me i përdorue për të shpëtue jetën e vet.”  Fishta paralajmëron, siç shprehet, me fjalën e të moçmit se, “lëngatës i do ba ballë që në fillim, pse vonë e vonë mandej ka për t’iu gjetë bari”.

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar Fishta dhe vazhdon se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund ti kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhe përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…”Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë nji.”   Si rrjedhim, ai paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se,  “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnji të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”“Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, paralajmëron Gjergj Fishta dhe pohon se, “ Elementi ma i rrezikshëm a, ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, a m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni…”

“…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat.  Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar.  Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira?  E po ku jemi na, o Zot?  A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqyptar…?“Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë”, përfundon porosinë dhe paralajmërimin At Gjergj Fishta në vitin 1921.  Fatkeqsisht, paralajmërimi i Fishtës nuk u mor parasyshë në kohën e tij, as më vonë.  Por ia vlenë që sot, pothuaj 100-vjetë më vonë, kjo kambanë kushtrimi të dëgjohet nga “sundimtarët” e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare që është një thirrje për bashkim me qëllim për të mënjanuar përsëritjen e historisë së 100-viteve të kaluara të shqiptarëve, ashtu që siç ka thënë At Gjergj Fishta, “lëngatës” të rrezikut të mbrendshëm, t’i bëhet ball që në fillim, para se të jetë tepër vonë.

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, rreziku i perbrendshem

Betimit i zotit Donald Trump, vazhdim i traditës 200-vjeçare

January 18, 2017 by dgreca

Z.Obama dhe z.TrumpTë premten, më 20 janar, Donald Trump dhe Mike Pence, do të marrin pjesë në një traditë më shumë se 200-vjeçare tashmë: atë të betimit të Presidentit dhe zv/Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një gjë është e sigurtë, thotë zoti Trump, kur vjen fjala te dita e tij e madhe, do të jemi shumë, shumë, elegantë. Ajo ceremoni ka për të qenë diçka vërtet speciale dhe tepër e bukur. Kremtimet, megjithatë, do të nisin që përpara. Në 19 janar, ata që të dy, do të vendosin kurora me lule mbi varrin e ushtarit të panjohur, në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit. Më vonë, do të ketë performanca bandash muzikore që do të pasohen nga një koncert në memorialin Lincoln. Si Presidenti i zgjedhur, ashtu edhe zëvendësi i tij, do të risjellin në kujtesën e publikut, me nga një fjalim të shkurtër, moton e fushatës “Ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri”, e cila është edhe tema e koncertit të mirëseardhjes. Në skenë do të ngjiten edhe këngëtari Tobey Keith, i cili ka shoqëruar marinsat amerikanë në cdo betejë,{Mjaft ushtarakë shqiptarë dëgjojnë muzikën e tij}, si dhe grupi “Three Doors Down”, ku do të përshëndesë edhe aktori John Voight. Në fund, pjesmarrësit do të shijojnë edhe një spektakël fishekzjarresh, ndërsa mëngjesin e së premtes, përpara betimit, zoterinjtëTrump, Pence dhe familjarët e tyre, do të marrin pjesë në shërbesën fetare në katedralen e Shën Gjonit, pranë Shtëpisë së Bardhë. Dy presidentët dorëzues dhe marës, zoti Barack Obama dhe z.Donald Trump, do të pinë së bashku një kafe apo çaj në shtëpinë më të famshme të botës, përpara se manjati të përgatitet për momentin e tij të shumëpritur.

Filed Under: Politike Tagged With: Betimit i zotit, Donald Trump, i traditës 200-vjeçare, vazhdim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 586
  • 587
  • 588
  • 589
  • 590
  • …
  • 671
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!
  • Lideri i opozitës në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha u takua me shqiptarët e Amerikës
  • Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
  • Një udhëtim në kohë me Rita Orën
  • Labor Day në shekullin XXI: Punëtori amerikan përballë frikës nga AI
  • SHKOLLA SHQIPE NË WUPPERTAL, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI
  • E mira dhe e keqja…
  • Legacy of Light: Commemorating Mother Teresa’s Spirit of Humanity
  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT