• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Montreali që lëviz …

March 28, 2013 by dgreca

Nuk kam ndërmend të flas për Montrealin në përgjithësi sepse dihet që Montreali është një qytet i gjallë por dua të flas për ngjarje që kanë të bëjnë me shqiptarët…

NGA AJET NURO/Tribuna Shqiptare/ Montreal/

NE FOTO: Nga konkursi i verës 2013/

 Festa e verës dhe e verërave…./

 Ndoshta duke ndryshuar numrin mund të kuptohjet që bëhet fjalë për dy gjëra të ndryshme që në shqip janë homofonime, pra dy fjalë që kanë të njërjtën formë tingullore por kuptime të ndryshme. Njëra është stina e verës dhe, kur duket se dimrin e kemi lënë pas, ka një ditë që i kushtohet pikërisht kësaj stine. Por, ka gjithashtu një pije që mund të bëhet edhe nga rrushi që ka të njëjtën formë tingullore dhe që po të pish shumë prej saj edhe në mes të dimrit duket sikur je në verë….

Është viti i dytë që ftohem në një aktivitet si ai i konkursit të verës ku prodhuesit shqiptar të verës mblidhen dhe vlerësojnë prodhimet më të mira të vitit. Po të m’a thoshin një gjë të tillë pa marr pjesë në të, nuk do t’a besoja që këtu në Montreal ka prodhues shqiptarë vere. Sigurisht, ata janë « qejflli » dhe kanë prodhime modeste por edhe me prodhime modeste quhesh … prodhues.

Vitin e kaluar, konkursi i verës u organizua në një restorant shqiptar dhe këtë vit ndonëse organizmimi dhe pjesmarrja ishin në nivel dhe në cilësi të paharrueshme, nostalgjia për festat e organizuara në një restorant shqiptar, zurën vend në biseda por edhe në faktin që në një restorant si « Casa Grecque » në Laval, aty ku u organizua sivjet, nuk kishim ekskluzivitetin dhe n’a duhet të ndanim këtë ngjarje edhe me të tjerë. Kështu, kënga shqipe duhet të ishte e kufizuar në tone …

Festa e verës apo « dégustation du vin » siç e quajmë në frëngjisht ndoshta edhe pse fjala frënge ka më shumë ngjyrë se sa të provuarit, sivjet u zhvillua të nesërmen e ditës tradicionale shqiptare të verës dhe miqtë tanë elbasanas nuk kishin harruar të na sillnin ballokume.

Festa e verës kaloi në një atmosferë që rrallë mund t’a gjesh, pasi aty përzihej humori, shkëmbimi i të rejave, kënga dhe … vera … që le t’a themi, ishte edhe sebepi ….

Dhe konkursi … Në të morën pjesë gjashtë pjesmarrës dhe në përfundim në vendin e tretë doli Arjan Xhoxhaj, në vendin e dytë Zamir Selimaj dhe në vendin e parë dhe kampion për këtë vit u shpall z. Namik Shehaj. Ky ishte një konkurs për të pasionuarit e kësaj pije që ndonëse nuk ka statusin e pijes kombëtare, si rakia, ajo prodhohet me po atë pasion edhe këtu larg atdheut tonë.

Pjesmarrësit patën edhe ide për tä bërë edhe më tërheqës aktivitetin për vitin tjetër.

/Një « Ela Tase » në Montreal/

 Të djelën e kaluar, më 24 mars 2013, me gjithë familjen shkuam të shihnim një ndeshje volejbolli pasi Emi, vajza e miqve tanë Asimit dhe Mirës luante në finale në mbyllje të vitit sportiv. Ne nuk ishim shqiptarët e vetëm. Emi kishte shumë tifoz nga komuniteti i saj shqiptar. Dhe ata nuk u zhgënjyen përkundrazi, ata kaluan emocione të tilla që të sjellin në mendje volejbollistet e Dinamos të viteve ’80.

Në setin e parë kur dukej se ekipi i ST-EX të Emit po mundej pasi rezultati ishte 24 me 21 për ekipin kundërshtar, ishte pikërisht Emi Rizvanolli që mori shërbimin për ekipin e vetë. Dhe falë pikëve të saj direkt nga shërbimi dhe këmbnguljes si ekip për pikët e tjera, rezultati u përmbys për t’a fituar setin 26 me 24 dhe ndoshta kjo ndikoi edhe për dy setet e tjera. Emi Rizvanolli ndoshta nuk e njeh por për ne që e njohim ajo ishte një Ela Tase e vërtetë pra.

Në dy stetet e tjerë pra, ekipi i Emit kryesoi gjatë gjithë kohës dhe kështu fitoi takimin 3 me 0 duke fituar edhe medaljen e artë. Urime Emi dhe faleminderit për emocionet e bukura që n’a dhuruat.

Pothuajse të gjithë fëmijët e shqiptarëve këtu nëMontreal marrin pjesë në aktivitete sportive dhe n’a nderojnë me rezultatet por kuptohet krenaria e prindërve dhe të afërmve kur ata dalin kampionë.

/Një artist shqiptar i shtohet peisazhit artistik të Kebekut/

Edi Hysi është në garë për të fituar konkursin për këngëtar « La voix » dhe javën e fundit mundi të radhitet mes 16 më të mirëve. Besojmë se ai veç mbështetjes së publikut kebekas të ket patur edhe mbështetjen e bashkëkombasve të tij të vendosur në Kebek.

Edi, është me origjinë nga Shkodra dhe është vendosur me familjen e vetë në Montreal në vitin 2003. Tani ai i ka kushtuar muzikës gjithë kohën. Kështu ka krijuar kushtet në shtëpi për të regjistruar muzikë dhe ka regjistruar një disk që do t’i shërbej si demo për shtëpitë që prodhojnë disqe.

Urojmë që Edi të fitoj « La voix » dhe ftoj gjithë shqiptarët e Montrealit dhe rrethinave të votojnë për të.(Kortezi Tribuna Shqiptare)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ajet Nuro, Montreali, qe leviz

DEGA E VATRËS NË JACKSONVILLE BASHKOI SHQIPTARET NE FESTËN E NËNAVE

March 25, 2013 by dgreca

Urim shpirtëror nga Florida: Nëna e motra; gëzuar festën e 8 Marsit! Gëzimin festës ia shtoi edhe pjesmarrja e kryetarit të Vatrës dr. Gjon Bucaj me bashkëshorten/

 Nga Lek Gjoka/

Me mërgimin përdore mbi njëqind vjet shqiptarët si gjithë kombet e tjera morën rrugët e kurbetit. Sigurisht që stacioni i fundit i çdo mërgimtari të botës është ëndrra Amerikane. Që ndienja e shqiptarisë të mos shuhet, që kurbeti të mos na shpërlajë gjakun duhet të jemi të bashkur, duhet që Amerika të jetë një Atdhe i dytë për neve. Njëqind e një vite më parë, në prill të 1912ës mërgimtarët shqiptarë me Nolin, Konicën etj, u mblodhën dhe formuan të parën dhe më jetëgjatën shoqatë shqiptare që në fushën e jetës e pagëzuan me emrin “Vatra”. Kjo Vatër e ngrohtë që së bashku me gazetën e saj “Dielli” vazhdon e do të vazhdojë të ngrohë çdo vatër shqiptare të Amerikës.

Në një fund jave me 9 mars vatranët dhe miqtë e saj për tu drejtuar një urim special grave, motrave, u mblodhën së bashku në një restoran shqiptar me pronar shkodranin Edi Ruka, në Mediterrania Restorant në Jacksonville, Florida. Sigurisht që ky ishte një takim i veçantë sepse të veçantë ishin edhe miqtë, edhe të ftuarit. Kishte ardhur nga New York-u kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra, Dr.Gjon Buçaj dhe nga Fort Lauderdale kryetari i degës së Vatrës në Jug të Floridës zoti Kolec Ndoja. Ardhja zotit Gjon Buçaj në Jacksonville ishte një suprizë për shqiptarët e Jacksonville-it, ishte një dritë më tepër për degën e Vatrës dhe për shqiptarët këtu, sepse kudo që shqiptarët jetojnë në 50 shtetet e Amerikës, Vatra do të mundohet të jetë pranë tyre, t’i bashkojë, t’iu shuajë sadopak mallin dhe t’iu afrojë mundësinë e bashkëpumimit ndërmjet tyre, në të mirë të familjeve, të femijeve…(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Adriatik Spahiu, Dega e Vatres, dr. Gjon Bucaj, Kolec Ndoja, Lek Gjoka, ne Jacksonville

Pse nuk duhet të heshtë Donika Bardha?

March 23, 2013 by dgreca

nga Pjetër Jaku/

Ne Foto: Nga e majta:Eliot Engel,motra e Senatorit John Kerry,Wesley Clark,Ekrem Bardha, Cameron Kerry,Donika Bardha,Richard Holbrook, Harry  Bajraktari,aktori Sam Waterston/

 /DHE VJEN NJË KOHË… /

E vërteta është e vetmja  meritë që i jep dinjitet dhe  vlerë historisë.”/

Lord Ekton/

 Është shtatori i vitit 90- kur Donika Bardha me një grup shqiptarësh merr vizën për të vizituar Atdheun e ëndërruar. Pas konsultimeve me të atin, Ekrem Bardha, aktivist i njohur i çeshtjes shqiptare, ajo merr “ vizën”, edhe pse mund të rrezikohej, siç ndodhi në të vërtetë. Pas zbritjes në Rinas, Donika detyrohet nga autoritet komuniste të asaj kohe të kthehet nga kishte ardhur; nga Rinasi në Zyrih. Katër ditë në Zvicër dhe, më në fund, merr “ok” për t’u kthyer përsëri në Shqipëri.

Ç’pau në Shqipëri Donika në vitin e fundit te regjimit komunist ( sistemit politik një partiak?)

Më tregoi që bashkë me kënaqësinë që ajo ndjeu, mbasi shkeli në token e prindërve dhe u bashkua me kusherinjtë për herë të parë, gjithashtu u gershetua dhe trishtimi i madh për varfërinë që ajo pa. Ajo pa një treg shqiptar bosh, njerëz jo të shëndetshëm,  dhe me fytyra të lodhura nga regjimi në fuqi.

Për vetëm pak ditë që qëndroi në Shqipëri, pasi katër ditë “i humbi”, Donika preku realitetin shqiptar dhe u kthye në Amerikë me besimin se do bënte diçka për ata njerëz, sidomos për spitalet, pasi më keq se spitalet nuk ishte asgjë tjetër.

Kishte dëgjuar dhe lexuar më parë disa shkrime të BBC, ku merrnin në analizë gjendjen në Evropen Lindore e, veçanërisht në Shqipëri. Fotot me fëmijë të sëmurë, ishin publikuar edhe në The New York Times nga gazetari i njohur Bill Hamilton.Poashtu, gazetari Stephen Kinzer, duke shkruar për konfliktin Kosovë-Jugosllavi, përshkruante edhe pamundësinë e Shqipërisë dhe gjendjen e saj për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës. Për gjendjen e spitaleve do të shkruhej, në po këtë gazetë, edhe nga Brenda Fowler.

Donika donte të bënte diçka për situaten e rëndë që ajo pa, dhe falë njohjeve e veprimtarisë patriotike të Ekrem Bardhës,  filloi të mendonte se,  ç’mund të bënte për ata njerëz, që t’u lehtësonte sadopak vuajtjet?

Në atë kohë Donika punonte në zyren e babait te saj, Ekrem Bardha dhe ia shpjegoi me pak fjalë  atë situatë që ajo pa në viziten e saj të parë në Shqipëri. Ekremi ndërhyri me anë të kontakteve të tij dhe, mbas pak kohe ai i thotë Donikes: “ Qeveria amerikane na ka vene ne dispozicion nga zyrat humanitare te Pentagonit transportimin e mallrave mjekesore falas.” Donika Bardha filloi menjëherë kontaktet me faks me Ministrinë e Shëndetsisë, me spitalet dhe mjekë të ndryshëm, duke kërkuar listat e nevojave me emërgjente.

 /INTENSITETI I NJË PROJEKTI/

 “Disa cilësi janë tepër të mira për t’ua prishur shijen me levdata.”/

Ralf Valdo Emerson/

            Donika Bardha nuk kishte asnjë mundësi për të kontribuar në problemin shqiptar më parë se në vitin 1991, kohë kur filloi komunikimi me qeverinë shqiptare, për nismën e aksionit të madh në ndihmë të shëndetit të atij populli të vuajtur. Së pari duhej ndihmuar Spitali Kirurgjikal, pra Spitali Nr.2 siç njihej në Shqipëri. Në kokën e Donikes ishin saktësuar ide, të cilat duheshin vënë në funksion të aksionit në një kohë sa më të shpejtë. Tashmë Shqipëria ishte hapur e faktet ishin të mjaftueshme për të trokitur, aty ku duhej, por më parë duhej  sistemuar projekti. Letërkëmbimet me spitalet intensifikohen. Donika, edhe sot e ruan posten e kësaj nisme, firmosur nga mjekët e njohur që e drejtonin; Kastriot Dauti, Panajot Boga dhe Mustafa Xhani. Komunikimet e para mbajnë datën 17 Janar 1992, ku disa klinika të këtij spitali dërgojnë kërkesat, jo vetëm për ilaçe, por edhe për mjete,  nga më të thjeshtat: tavolina operacionesh, mikroskopë, matës tensioni, pjesë ashensoresh dhe disa materiale  e aparatura elektrike. Gjithashtu, edhe Spitali Nr. 4, (ose Spitali Infektiv siç njihet në Shqipëri), dërgon një listë kërkesash, që në numër e kalojnë shifren e 50-të pjesëve, disa prej të cilave duheshin  në mijëra copë, firmosur nga Kozma Tavanxhi. Për të gjithë përsonat me të cilët Donika punonte, nga Institucionet Amerikane të Ndihmës, i kërkoheshin dokumentat e shkollimit të tyre dhe gradat që mbanin, për të qënë sa më të besueshëm.

Me Klubin Shqiptaro-Amerikan të Partisë Republikane, kryetar i të cilit ishte Ekrem Bardha, i kërkohet bashkëpunim për të garantuar mbështetjen dhe ndihmën e tyre. Problemi me i madh dhe, pothuajse i pamundur, ishte transporti i këtyre ndihmave. Ndihma e Ekrem Bardhës për sigurimin e transportit ishte vendimtare. Me njohjet e tij i siguron së bijës një takim në Pentagon, ku një avion ushtarak i tonazhit  të rëndë do të vihej në dispozion të transportit të këtyre ilaqeve nga Amerika në Itali. Mjetet e grumbulluara mund të dërgoheshin edhe direkt në Shqipëri, por aeroporti i Rinasit nuk ishte i mundshëm për zbritjen e avionve të tillë. Ndaj, nga Italia në Rinas u përdoren aeroplanë të tonazhit të lehtë, duke bërë tre fluturime. Korespodenca e Donikës me Bill Barta, Ralph Plumb, John Garvin, Dave Farguhar, David Janey, Paul Baumguart etj. ruhet e sistemuar edhe sot në arshiven personale të saj, nje dossier mbi 50 faqe nga kjo pune.

 /DONIKA BARDHA DHE SHOQATA E NDIHMAVE”THE ALBANIAN AIDS SOCIETY”/

”Historia e gjërave që nuk kanë ndodhur, nuk është shkruar kurrë.”/

Henri Kisinger/

           Në fund të fundit çdo aksion në të mirë të një çeshtje madhore mbetet në histori. Çdo veprim i yni që i shërben një kauze, mbetet e i shënuar diku, që dikush nesër  t’i referohet. Faktet asnjëherë nuk mungojnë dhe nuk pushojnë së ekzistuari, edhe nëse dikush mundohet t’i injorojë. Jetojmë në kohën e kronikave të ruajtura dhe arshivave përsonale, të cilat sa më vonë të shkoi, marrin më tepër rëndësi. Sipas dokumentave, puna e Donikës fillon në vjeshtën e vitit 1991 dhe përfundon në Mars 1993. Thuhet, por jo e shkruar deri më sot, se Donika ishte koordinatore për sigurimin e nevojave, të mjeteve, medikamenteve  dhe të transportit, kurse Donikës në të gjitha korespodencat i duhej të nënshkruante si Drejtore Programi.  Këtë e kërkonin rregullat e punës në Amerikë.

Dërgimi i  më shumë se dy milion dollarëve, ( vlerë medikamentesh dhe mjetesh spitalore ), është një shumë që kërkon menaxhim dhe angazhim të gjatë. Donika Bardha u desh të angazhohej për sigurimin e mjeteve dhe ilaçeve, duke levizur për një kohë të gjatë. Donika Bardhës iu desh të shkonte disa herë në Washington, konkretisht në Pentagon me ndërmjetësimin e të atit për të kontaktuar Greg Touma, përsonin që ndihmoi në sigurimin e transportit, i cili edhe i shoqëroi ndihmat në Shqipëri. Edhe me Ambasadorët Amerikan në Londër e Shqipëri iu desh Donika Bardhës të mbante korespodencë të rregullt, lidhur me aksionin e ndihmave, ( R.Saitz dhe W.Rajerson ), korespondencë e cila do t’i kalonte caqet e ndihmës për Shqipërinë, duke u futur në problemet e Kosovës, sidomos Ambasadori Amerikan në London G.H. Saitz. Bash për këtë, Donika ruan letërkëmbimet me Profesor Ali Aliun dhe Dr. Bashkim Xhafen, deri te Ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu, lidhur me pjesën që do të dërgoheshin në Kosovë, duke u shpjeguar hollësi të paketimeve dhe të etiketave të veçanta që mbanin. Firmën e Donika Bardhës mban edhe falenderimi që bëhët në emër të The Albanian Aid Society, kompanisë së njohur amerikane, “ Northwest Medical Teams International, INC.” Nga kjo Kompani merr pergjigjen me 3 shtator 1992, prej Zv/Presidentit Carl Britton Leëis; “It is a privilege to have you as part of our team”.

Donika thotë: “… një ndihmë të madhe kanë dhënë të gjithë ata që u angazhuan me këtë projekt. U krijua një bashkepunim me Albanian Aid Society me coordinator Gjevalin Gegaj dhe të gjitha qendrat fetare në Komunitetin Shqiptar të Detroit-it, me personat si Kasem Myftari, Tony Juncaj, Julian Cefa, Niazi Bardha, Shaban Shemsedini, etj. Por, një meritë të veçantë ka dhe mjeku shqiptar Ramazan Hajdini, që u kontaktua nga Gjevalin Gegaj, i cili nga Chicago siguroi disa medikamente mjeksore me rëndësi për spitalet shqiptare. Albanian Aid Society u muar me grumbullimin e të hollave për të paguar shpenzimet e ndryshme gjatë këtij aksioni.”

Gjithashtu, Donika ruan dhe është në gjendje të shpjegoi gjithë dokumentacionin përcjellës të mjeteve, deri në dorëzimin e tyre në destinacionin e duhur ( biletat e udhëtimit dhe shpenzimet e hoteleve që kanë pasur në Shqipëri), ku Tony Junçaj dhe Kasem Myftari punuan disa ditë për shkarkimin dhe sistemin e tyre.

                            / ME NE FUND…/

Nga kureshtja për të ditur më shumë rreth këtij projekti e pyes Donikën se, pse ajo ka heshtur kaq kohë, pa vënë në pah punën e saj?

Si gjithnjë modeste, Donika përgjigjet: “Flasim per nje histori qe ka ndodhur 20 vite me pare, ne nje kohe, kur une pashe nga afer gjendjen emergjente qe po kalonte populli shqiptar. Atëhere i vetmi preokupim i imi, ishte që të vija veten time në dispozicion të kësaj ndihme dhe fatmirësisht, babai im, më siguroi ndërmjet ndihmes së Departamentit të Mbrojtjes, aviona ushtarakë për transportimin e mallrave, që unë dhe të tjerët kishim grumbulluar.

Komuniteti i Shqiptareve në Micigan ishte dhe është edhe sot, nje grup i veçantë, plot aktivistë, njerëz me zemër të madhe, dhe me dashuri për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Sadisfaksioni im dhe i grupit nga Detroiti,  ishte që të arrinim të përfundonim me sukses dergimin e mallrave (përfshi medikamente etj) në destinacion. Për të gjithë stafin, njerëzit që ne punuam, unë edhe sot ruaj një respekt për ta dhe bashkëpunim tonë.

Mbasi përfundoi kjo ndihmë modeste, se çfarë u tha, apo se si u komentuan ngjarjet, kjo nuk ishte shumë e rëndësishme.”

15 Shkurt 2013

Filed Under: Reportazh Tagged With: Donika Bardha, Pjeter Jaku

PRELUD PER FSHATIN TIM

February 26, 2013 by dgreca

Dashuria eshte pragu ku dobesia qiellore dhe njerzore ndjekin njera-tjetren/

John O’Donohue/

Shkruar nga Ahmet Collaku/

1

Rruga Thompson eshte e ftohte. Ne kete paramengjes, kjo memece nuk flete dhe as degjon. Ka harruar ato vajzat e reja, aspak fodulle qe pa teklif mbreme brodhen deri vone. Xhamat e dritareve ketu ne dhomen time kane djersitur. Pranevera ka ngrire ne ate pikture bere vite me pare nga nje piktore vlonjat. Pranevera rri e burgosur ne ate kornize druri varur ne kete palo mur pa gure dhe pa gerqele. Ketu balta dhe guri I fshatit tim kushton shume. Kurse lulet e fshatit tim kushtojne sa qimet e kokes.

2

Edhe ne fshatin tim tani duhet te jete ftohte. Bisedoj se largu me shkembinjte, me majat e larta, me arat ne fushe ku ne stinet e ngrohta vajzat lozin deri vone, bisedoj me Qafe Thanen e ftohte si frigorifer qe mbane ate barcoleten e Nastradinit, bisedoj me Krasten plote gure dhe istikame me bomba, ku nje e tille vite me pare me plasi ne dore. Qe ketej sodis Gjaslisin e serte, Kuqimjetin si njeri I zgjuar, Damjanin, Arbllokun pertej si mik I mire qe me ka ftuar per nje kafe, shoh Geshtenjat e Bogdaneve afer Struges.Te gjitha keto jane te Rrajces, regjistruara ne kadaster shume vite para turqise dhe te regjura prej te ftohtit qe nga kohet parahistorike, para gjeologjike. Te gjitha keto kane rene ne mendime, po me thelle ne mendime ka rene Likopatherra atje ne veri. Ketu poshte Qafe Thana u kerkon viza gjithe kalimtareve qe kalojne prane Rrajces, kurse Likopatherra atje lart aprovuar dhe vulos.

3

Likopatherra ka sy te kalter, qe andej shikon ca ishuj ne Japoni qe lekunden nga termetet, shikon ca fusha me oriz ne kine te permbytura nga uji, shikon kafshe te egera ne ca male te Zelandes e Re, shikon ca plantacione me kallam sheqeri ne Brazil, shikon muzeun e princit te Skocise, Ksamilin dhe detin tone aty afer qe do ti marre greku. Likopatherra e Rrajce ulur ne front afer Perndise shikon marrezite e qeveritareve tane qe si vjemet ngjiten ne njesh kollone, qe vine dhe ikin, ata qe ndertuan kepurdhat e betonit dhe keta qe nuk lane lule dhe peme, gjoja komuniste.

4

A keni pare si gajaset nga gezimi era e dashuruar me lulet atje ne fushen magjepese te Likopatherres ku rriten dhe vallezojne FIJE BARI te Wolt Witmanit? Malet ketu me buze I puth qielli, kendon Driteroi. Mos harroni te lexoni Driteron na thote era dhe lisat aty prane. Likopatherra per te shkruar nuk ka kalem dhe radhore, ajo ka memerje te virgjer, miliarda GB, ajo ka dy krahe te forte sa, kur shriqet apo kur merr inat permbys karakolla, karaxhica, karabisha, kara berisha, gjithe Boten. Likopatherra ka miqesi me te gjitha stinet, ererat, lulet, me te gjitha kafshet dhe gjithe rete. Ajo nuk pranon tatuazhe partish, qe shkruhen dhe pikturohen ne lekure, nga koka, deri ne seks, deri poshte tek thonjte e gishtave te kembeve lyer me manikyre.

5

Likopatherra ka nje fqinje te mire, ka Dardhen. Kjo eshte Dardha e Rrajces. Ju e dini fjalen e urte qe thot, para se te shikosh Diellin, shiko fqinjen. Aty pran zbrete me kenge lumi per te cilin poeti thote se ai naten merr fryme si gjeja e gjalle. Kush tjeter vec poetit ka veshe te tille? Dardha ka per rreth nje pyll te dendur, nuse dhe djeme veshur me rroba te gjelbera, qe kendojne nate dite, kenge grash dhe kenge burrash, ka nje orkester qe ekzekuton simfoni te Bethovenit, Mozartit, Hajdenit. Orkestra ka mijra istrumente, me fyeje, me daulle, me violina, me kembore, ka kengetare qe kendojne solo, ka tenore, soprano, ka qe kendojne dyete, trio, ka nje kore qe mban iso, fshataret e mi. Ju e keni degjuar vallen e Rrajces, ne cdo rrahje daulle, eshte dhembja dhe dashuria e fshateve te mi.

6

Qe nga Qafa Thane dhe dogana e Rrajces fshati im matet me sy por jo me mendje. Te paret me kane thene se Rrajca fillon ketu, vazhdon majtas ne Shebenik,Likopatherre, Struge. Nuk e di cu be libri kadastres ai para Turqise, ku ishin regjisrtuar te gjitha pishat, bredhat, ahet, lisat, lajthite, panjat, frasherit, qershite, mollet, kumbullat, ftonjte, dardhat, kajkushkat, bushet, guret, dellinjat ku loznin zogjte, lepujte, mullanjat. Pemet kane emera si njezit, dhe I ruan zoti. Caji I malit fshatit tim u shkul me rrenje, por era vazhdon te shperndahet neper bote dhe te gjithe pyesin nga vjen ky parfum e sa kushton. Zonjat marrin ere dhe lekunden, kurse burrat dehen si te kene pire nje fuci me raki. Caji I fshatit tim nuk ka kimikate, nuk eshte vaditur me shi acid. Fshataret e mi ujin nuk e pine me gota po me bucela, uji I fshatit tim trete gure, dhe con ne xero kolesterolen.

7

Rrajcen se pari e bekoi Skenderbeu. A keni kaluar nen Harkun e Triumfit te Rrajces?

Pak shtete kane harke triumfi. Nese e doni Rajcen shkoni vizitoni muzeun natyror te saj, Harkun e Triumfit te Rrajces qe eshte atje larte ne Skenderbe, ajo quhet Shkallen e Skenderbeut. Ajo eshte nje lagje e Rrajces. Provoni te kaloni mes atyre dy pllakave te lemuara qe shikojne njera tjetren, me ate shkelqim te erret mistike. Ato pllaka I ka lemuar vete Skenderbeu kur kaloi ketu dhe beri ate betejen e madhe qe dihet nga historianet, kumbaret e historive dhe betejave. Provoni ti perkedhelni me dore ato faqe pllakash te lemuara, do te ringjalleni, do rinoheni, do beheni te forte. Do degjoni trokun e kuajeve te Skenderbeut dhe me pas ate himnin, o Rrajce e bekuar, prit me lule Skenderbeun. Si nuk po na lind nje Skenderbe, ne kete kohe qe kemi aq shume nevoje per te?! Le te kalojme te gjithë nen ate Hark dhe te betohemi per Shqiperine tone.

8

Me pas Rrajcen e bekoje edhe Nene Tereza, shenjetorja e shekullit njezete. Ajo u freskua me ujinj e Rrajces, dhe pasi veshtroje andej nga Likopatherra, tha fjalen UJE. Tani Rrajca eshte dyfish e bekuar, ajo do te ndertoje dy permendore te larta, prane te cileve do te perulen udhetaret e ardhur nga gjithe bota dhe me pas do te pijne ate uje te bekuar te Rrajces, se ju e dini se uji eshte si shpirti, kete e thote I madhi Bethoven.

9

Socializmi ne fushen e Rrajces germoje germen S, po kjo S u be SOS, u mori fshatareve te mi arat e bukes dhe tani I ngre nga sofera tu bejne roje nderi te gjithe atyre udhetareve qe vine nga nje planert tjeter, per te ikur ne nje planet me tutje. Fshatarete e mi nuk e kane zakon te bejne roje, buka e misrit dhe rakia e kumbulles I ka bere teptil dhe te serte. Po nuk ta mbajti per raki mos u ul prane tyre. Fshataret e mi me nje cekane te vogel ndertuan Stambollin, Egjyptin.

10

Bije ne mendime te thella. Fshatarete e mi me cekane, me qysqira, me sharra, paskan lindur te bejne te lumtur te tjeret, jo veten e tyre. Ne maje te Qafe Thanes ndricon nje reklame me drita neon, ndersa makinat e te gjithe markave zbresin neper ato kthesa te forta, dhe pushojne tek uji tunelit. Nga nje makine zbrete nje rrajcar I larget ne kurbet vite me pare dhe pa shuar etjen, shikon fshatin I habitur si nje turist I huaj.

Kurse era e ftohte nuk ndalet, nuk ka me peme, nuk ka as ferra, vetem gure dhe bunkieret-perbindesha, si ti kete nxjerre ne ane nje zbatice gjeologjike. Likopatherra atje larte po u fryne reve, po behet gati te hap krahet, te fluturoje me gjemime, te beje gjyq se atje poshte Dardhes I kane krasitur ca panja dhe lisa.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ahmet Collaku, prelud per fshatin, Rajce

Nga dita e shpalljes se pavaresise se Kosoves në Prishtinë

February 16, 2013 by dgreca

Reportazh nga Kozeta Zavalani/

Mëngjesi i shkurtit ishte i ftohtë, me qiell të pastër, si mendimet dhe shpirti i cdo shqiptari, që priste shpalljen e pavarësisë së Kosovës. E kishim pritur aq shumë sa na dukej si ëndërr. Ishim një grup grash intelektuale e artiste, perfaqësuese të Fondacionit Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaski”që udhëtuam drejt Kosovës. Furgonin na e solli nga Vlora kryetare e Fondacionit, gazetarja Zenepe Luka, sikur të donte që të kishte vazhdimësinë e 1912 edhe pavarësia e Kosovës. Ishte shofer Nesti, me të cilin kishim udhëtuar në Ulqin, ku zhvilluam Kuvendin e V-të Mbarëkombëtar të Gruas se Shquar Shqiptare. Në krye u vendosën Artistet e Merituara kryesuar nga më e moshuara Besa Imami dhe më pas Esma Agolli e Roza Anagnosti, që vijuan me Artistet e Popullit Tinka Kurti e Margatita Xhepa, pasuar nga ish zëvëndës kyetare e Kuvendit Makbule Ceco, Doktore e Shkencave Afërdita Stefani, Mjeshtre e Madhe Edit Mihali dhe në fund unë, që vëzhgoja gjithcka. Gëzimi ndriste në fytyrat tona pasuar me vargjet nga kënga që dilte nga kasetofoni i makines:”Vallja kosovare më morri me vete/ Si një fluturim mbi fusha male e dete/ Shaminë e qëndisim me ëndërra të bardha/ Të lodrojë Prishtina, Vlora e Tirana…”Jane pikërisht këto qytete ku më tepër se kudo ndihej festimi i Pavarësisë, që simbolizon fundin e një torture të gjatë e të përgjakshme për Kosovën.

 

                     Rruga e gjatë drejt mbrritjes

 

Rruga është e gjatë dhe e vështirë, por ne jemi optimiste se së shpejti do të përfundojë rruga e re dhe më shpësh do ta bëjmë këtë rrugë. Ndërsa lemë në të djathtë malin e Gjallicës të mbuluar nga bora hyjmë në Kukës dhe ndalojmë në Restorantin me të njëjtin emër të malit“Gjallica” me pronar Avni e Milka Palushi, ku takojmë gazetarin e vjetër Zylfi Tola. Ai ka qënë shefi i Zenepes, kur filloji detyrën e parë si gazetare në këtë zonë, 35 vjet përpara, ndaj edhe nuk e refuzuam të trokisnim gotat me të, duke u ngrohur me rakinë e kumbullës, që zona e quan “shlivovicë”

-Zenepja ishte e re dhe e bukur, por shpatën e kritikës e kishte të fortë, nuk pyeste për askënd, së bashku më sekretaren e komitetit Nazmije Pogën, duke shkuar në Shishtavec, Golaj e në të gjithë zonën…..Po provoni pak rraki nga e jona- thotë ai, duke treguar historinë e një miku nga Kosova, që kur mbërriti në Kukës i tmerruar nga përndjekja e Serbeve, pasi piu një gotë nga kjo rraki tha:”Tani nuk ia kam me friken shkjaut sërb”…..Ne i dhamë të drejtë sepse në vazhdim rruga nuk na u duk aq e vështirë dhe e ftohtë sa në fillim, ndoshta edhe sepse ishim drejt mbrritjes…

Në“Kodrën e Diellit” në shtëpinë e deputetes Flora Brovina

Në mbrëmje mbrritëm në Prishtinë e cila na priti me fjolla bore. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse Kosova ka dasmën e saj, ndaj duhej të vishtë fustanin e bardhë nusëror të borës. Kudo ndihej atmosfera festive; të gjitha lokalet e banesat janë stolisur me flamuj e simbole kombëtare, po kështu edhe veturat, që shëtisin nëpër rrugët e ngarkuara më brohoritje e muzikë. Vecanërisht kjo atmosferë festive ndihej në shtëpinë e heroines Flora Brovina, simbolit të qëndresës së gruas shqiptare.Ajo banon tek“Kodra e Diellit”ndaj edhe vetë rrëzaton si diëll, fjalëmbël e fytyrë qeshur, rrezaton mirësi, ndihmë e dashuri.

-Mirëse erdhët!Do të qëndroni këtu tek unë, të gjitha, sepse dua t’ju kem sa më pranë në këtë festë të madhe. Festa është kur e ndjen vetë dhe unë sot e ndjeva këtë, qysh me ardhjen tuaj.- thotë Flora, qe kishte dale të na priste buzëgaz së toku me bashkëshortin Hajri Begu, një burrë fisnik, që ka kontribuar për këtë ditë. Pasi na gostiti Flora u ul përballë nesh dhe filloi të na pyeste e të na tregonte për momente të vështira e të gëzushme të jetës së saj. Kujtoi ditën kur e arestuan pa asnjë arsye, qëndresën në burgjet e Sërbisë, deri në momentin kur u takuam së bashku, pasi doli nga burgu. Edhe atë natë e kemi gdhirë në shtëpinë e saj duke biseduar, derisa zbardhi mëngjesi. Takohemi edhe me djemtë; Uranikun dhe Yllin, madje edhe me vogëlushin Orik, që e ka bërë Florën gjyshe të lumtur. Pastaj me buzëqeshjen karakteristike qëndrim serioz e të lumtur, ajo flet si deputete e Kuvendit të Kosovës:

-Pavarësia na gjen në një moment të mirë të pajtimit kombëtar dhe partive me njëra tjetrën, gjë që ndikon mjaft mirë tek masat e gjera të popullit, që me padurim e kanë pritur këtë ditë. Mbi të gjitha ne gratë që përfaqesohemi prej 36 vetash në Kuvend, kemi relacione mjaft të mira me njëra tjetrën, pavarësisht nga spektri i partive që përfaqësojmë. Shpallja e pavarësisë shënon fundin e shpërbërjes së ish jugosllavisë dhe ne na duhet shumë punë për hartimin e kushtetutës së qeverisë se rë të Kosovës. Për këtë dua të bashkëpunojmë edhe me gratë e Shqipërisë, për ruajtjen e gjuhes së pastër shqipe dhe vlerave të traditës shqiptare. Më pëlqen shumë etnografia, ndaj duhet të ripërtërijmë vlerat e veshjeve popullore, p.sh.Kosova ka 22 lloje veshjesh të grave që u përkasin krahinave të ndryshme, për të cilat duhet punuar bashkarisht, sepse përbejnë artin popullor, që ka vlera të pavdekshme…Pastaj diskutuam deri vonë për mundësitë konkrete të ndihmës ndaj qendres së fëmijve që ajo drejton, grave të traumatizuara nga lufta, atyra të papuna, etj…Ndërkohë në cel ular i vinin urime të shumta nga gratë në vende të ndryshme të botës, madje e dhe nga Sërbia.

Me miq muslimanë nga Mitrovica që kanë miqësi me priftin e Belgjikës

Në mëngjes kishin ardhur për të festuar me ne në Prishtinë edhe miqtë nga Mitrovica; Esmaja e Fatmiri, të cilët janë strehuar në shtëpinë e Zenepes në Vlorë. Dhe jo pak por plot 21 vetë, që nga babai i Fatmirit, që është nipi i Isa Boletinit, vëllezërve e motrës së bashku me fëmijët e tyre deri tek Arberesha e porsalindur. Unë kisha dëshirë që të shkonim edhe në Mitrovicë, por nuk shkuam për shkak të protestave të sebëve që jetojnë aty, ndaj dëgjoja me vëmendje gjithcka prej gojës së tyre.

-Jetojmë matanë urës Ibër, në kufi me sërbët, ndaj edhe nuk festuam sic duhej, për të mos provokuar sërbët, por ata gjithsesi nuk mbetën pa bërë protesta. Le të bëjnë por pavarësisë nuk kanë cfarë ti bëjnë. Ajo u kye tani. – thonë ata me një krenari të ligjshme që u ndit në fytyra.-Të shpresojmë që qeveria e re do të punojë më tepër për të ndihmuar banorët në nevojë, sepse qeveria sërbe investon shumë për të blerë shtëpitë e djegura të shqiptarëve me cmime shumë të shtrenjta, me qëllim që të kenë zotërim sa më të madh të trojeve në Mitrovice. E kjo nuk është e mira dhe ka përmbysur gjendjen e banorëve tanë. Ka familje që para lufte bukë nuk kanë pasur e tani kanë vila me gjithë të mirat deri edhe pishina në katin e peste dhe shumë të tjerë që kanë pasur gjithcka, sot nuk kanë as bukë të hanë, ndaj duhen ndihmuar…

Me sjellejen e tyre ata kanë bërë miq të shumtë nëpër botë si priftin Herman De Wulf në Lokerer të Belgjikës, që i ka ndihmuar shumë gjatë emigrimit 15 mujor. Madje ai dhe familja e tij i ka uruar edhe per festen e pavarësisë së Kosovës.Ndaaj të gjitha së bashku ia marrim këngës:” Erdhi dita e pavarësisë”.-O tokë e mbjellë me plumba, o burra shekujve rënë për liri, zgjohuni e gëzoni bashke me ne, Atdheu i shqipeve gëzon… Sot ka festë Kosova, gëzim i madh në zemrat tona-

 

 Në Prishtina Media Center

 

Hoteli “Grand” në zemër të Prishtinës ishte kthyer në qendrën ndërkombëtarë të medias, ku ishin akomoduar qindra gazetarë nga vendi dhe bota. Me vështirësi, duke carë turmën e njerëzve u ngjita në katin e dytë, bëra akreditimin me median e ndoqa konferencat e shtypit. Zëdhënësi Veton Elshani njoftoi se nuk ka pasur asnjë incident nga festimet e banorëve të ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës në Prishtinë…Një polifoni labe ndihet jashtë nga një grup, që kanë ardhur enkas për të përshëndetur, të ndjekur nga turma njerëzish, që brohorasin pa pyetur për acarin e ftohtë…

Në sallën e medias u njohëm me vizionin e ri të flamurit të shtetit të ri të Kosovës, dhe firmosjen e dekraratës së pavarësisë, ndoqem edhe konferencën për shtyp të presidentit Fatmir Sejdiu, Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi e kryeministrit Hashim Thaci, i cili theksoi:”Është një përgjegjësi, e cila iu është garantuar qeverive që nga momenti kur njerzit filluan të marrin frymë lirshëm. Është përgjegjësia jonë që pas pavarësisë ta bëjmë jetën ë qytetarëve tanë shumë më të mirë se më parë.”

U takova me mjaft kolegë të mediave shqiptare, thuajse të gjithë janë këtu në qendren e medias në Prishtinë. Rudina Xhunga, gazetarja që perfaqëson femrën model në median profesioniste, ka ardhur shumë herë në Kosovë, por si ndihet në këtë ditë të vecantë? – e pyes dhe ajo më përgjigjet:.

-Eshtë një ditë dhe një gëzim i vecantë, sa nuk po arrij ta besoj akoma. Jam si e tulatur dhe të gjithë festojnë. E kam dashur pa e njohur Kosovën, pastaj e njoha dhe kam qënë pjesë modeste për të ardhur tëk kjo ëndërr. Tani që erdhi e kjo ëndërr u bë realitet nuk po mendoj më, mos bashkohem me grupin e cinikëve skeptikë, por te gëzoj me gjithë të gëzuarit dhe kaq mjafton.

 

Emocione nga grate artiste e intelektuale

 

Persëri me gratë e shquara nga Shqipëria për të marrë përshtypjet e tyre nga ky moment i vecantë. Ato ishin vërtet të emocionuara. Disa prej tyre kishin provuar edhe tortën e pavarësisë me shijen më të ëmbël në botë.

Roza Anagnosti-Artiste e merituar-Porsa shijova tortën madhështore dhe jam jashtëzakonisht e emocionuar dhe e gëzuar që jam në Prishtinë në këtë ditë të madhërishme.Kujtoj sot ato gra të mrekullushme që krijuan shkollën e parë shqipe dhe unë jam e lumtur qe kam marrë pjesë në filmin “Mësonjtorja” ku kam interpretuar rolin e mësuese Dafinës. Vetëm gëzim kam sot e urime të gjithëve.

Margarita Xhepa-Artiste e Popullit-Fjalët e mia janë shumë pak për të treguar gëzimin e madh të mirëpritur, që vjen nga thellësia e viteve dhe e zemrës sime.Një ëndër e bukur që i ka udhëhequr vazhdimisht shqiptarët, që i kanë dhënë shumë botës dhe ajo na ka shumë borxhe ne dhe ky është një borxh i vogël që po u japin shqiptarëve. Jam shumë e lumtur që këtë gëzim po e mar këtu në Prishtinë mes shqiptarëve të një gjuhe të një gjaku e të një flamuri e të një bese.

Tinka Kurti-Artiste e Popullit, mbështjellë më një flamur-Është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe unë nuk e kam menduar, se do të jetoj për të parë këtë ditë të mbarë e të mrekullueshme. Dua të përshëndes shqiptarët kudo ku janë ne të gjithë botën,në këtë ditë me borë të bardhë, që është simbol i bardhësisë e mirësisë.

-Esma Agolli- Artiste e Merituar-Jam jashtëzakonisht e lumtur që kam ardhur sot në Prishtinë për të festuar pavarësinë ë shumëpritur të Kosovës. Kemi derdhur shumë gjak për këtë ditë dhe shumë trimëri e lotë për këtë tokë martire.Sot është vërtet një mot i ftohtë, por dielli i lirisë e pavarësisë që ka shperthyer në zemrat e gjithë shqiptarëve, do të shkrijnë njëherë e përgjithmonë dimrin e gjatë.

Besa Imami-Artiste e Merituar- Unë jam nga Gjakova, dhe kam gëzim të dyfishtë. Me thënë të drejtën po më mbysim lotët nga gezimi që kam në zemër, sepse kur u nisa nga Tirana për të ardhur këtu, të afërmit e mi më thanë:”Shko tek vorret e prindërve dhe u thuaj-Cohuni o të dashur, që keni vdekur prej dorës gjakatare të Sërbit, të shihni shpalljen e pavarësisë së Kosovës së bukur.” Megjithëse e sëmurë u cova dhe erdha ngritur prej zërit të brendshmëm të shpirtit tim dhe prej varreve të të parëve të mi në Gjakovë e në Shqipëri. Dhe jam e lumtur qe këtu është me punë si gazetar edhe djali im, Artur Zheji, që shpalos mendimet, idetë e zërin e tij, sepse janë qindra vite luftë e përpjekje për këtë ditë dhe bota duhet ta mësojë. E gëzofshim të gjithë.

Për Prof. Dr. Afërdita Stefani është hera e parë që ka shkelur në Prishtinë dhe ka ardhur me këmbë të mbarë, si ndiheni?

-Ashtu si çdo shqiptar që jeton momentin historic të pavarësisë. Një epokë e re për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, që do të sjellë mbarësi. Jam me fat sepse po e shijoj me gjithë shpirt pavarësinë e Kosovës, e cila do të lerë mbrapa historinë e përgjakur dhe do të sjellë mbarësi.

Mjeshtre e madhe Edit Mihali-Dua të them se unë në Kosovë kam qënë për herë të parë menjëherë pas clirimit të saj, me një koncert në kinoteatrin e Prishtinës. Me që vija për herë të parë emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme, sepse për herë të parë vija përballë një spektatori artdashës dhe të dëshiruar, për të dëgjuar atmosfërën që vinte nga Shqipëria. Sot kam fatin të jem në ditën e pavarësisë dhe më mungon aftësia e të shprehurit të asaj që unë ndjej në këtë ditë të madhe. Akoma më duket si ëndër. Ajo sakrificë e familjes Jashari apo Haradinaj nuk shkoi kot, sepse ishte shpresa për gëzimin që provojmë sot.

Makbule Ceco-ish deputete – Ishte një ëndërr e kahershme, pasi unë në Kosovë kam ardhur që në 1999-tën dhe kemi bërë takimin e parë me autoritet shqiptare të ngritura pas clirimit të Kosovës. Situata e sotme është pak e ngjajshme me përjashtim të vecorisë që ëndrra e 1912-tës u realizua më 2008. Ky eveniment është pika kulminante e realizimit të ëmdrrës së popullit shqiptar dhe të nënave e gruas shqiptare, që në parlamentin kosovar përfaqësohet me 36 gra intelektuale qe do ti japin zhvillim Kosovës, prej të cilave dihet të marrim shëmbull edhe ne. Jemi krenare që ne kemi bujtur në shtëpinë e simbolit të gruas shqiptare Flora Brovina, që tashmë edhe me të tjera politikane, pas pavarësisë do të rezatojnë edhe më tepër, për të mirën e kombit.

 

Intervista të ndryshme

 

Pranë meje afrohen edhe plot të tjerë, që i bashkohen gëzimit të madh si Isa Koka nga Istogu i Pejës, që është mbështjellë me flamurin kombëtar. Teksa më vendos shallin e kuq me shqiponjën dykrenore me mbishkrimin Kosova, thotë:

–Jam ish i burgosur politik, sot qytetar i lirë me bashkëshorten nga mbishkodra, nga Kemlendi. i kam kaluar të gjithë kalvarin e vuajtjeve në burgje e internime, por sot jam i lirë e i fal të gjithë, sepse kështu më ka mësuar At Zef Pëllumbi, që e kam pas bashkëvuajtës. Jam shumë i emocionuar sepse këtu sot është Vlora e 1912 dhe unë e dua Shqipërinë e dua Kosovën. Kisha frikë se ndoshta nuk e mbrrija këtë ditë, por ja ku jam sot e flas edhe në emër të familjes sime, bashkëshortes Katerina, vajzave Merita, Helena e Blerina, e djalit të vetëm, që Zoti ma dhuroi pas burgut, Fatriun. Populli thotë:”Kush është i zoti e vret frikën me pushkën e vet!” E une e vrava frikën me ndihmën e shokut të gjimnazit Ibrahim Rugova, që me luftën paqësore sensibilizoi gjithë opinionin botëror për njohjen e Kosovës, ashtu si edhe Sali Berisha kur ishte president, që i dha e po i jep shumë Kosovës. Sepse pushteti lind nga vota e lirë dhe mbrohet me votën e lirë…Ta gëzojmë të gjithe këtë ditë.

-Unë jam Sadri Hadërgjonaj gazetar e themelues i emosioneve të RT Sarajeve. Kam filmuar e kam shkruar për ata që kanë manifestuar në këtë shesh, për të sjellë këtë ditë dhe ua kam përcjellë botës, për ta mësuar se kush jemi ne. Jemi mirënjohës për të gjithë ata që na mbështetën nëpër botë dhe dashtë Zoti të hyjmë edhe në familjen e madhe evropiane se e meritojmë.

Prof.Dr. Skënder Kodra, kryetar i Akademisë shqiptaro-amerikane, i ardhur nga New Jorku thotë: -Jam i sigurt në përkrahjen botërore, ndaj më vjen keq për Koshtunicën e popullin e mencur sërb, që nuk e kuptojnë politikën homogjene sërbe. Duhej që ata të na uronin për shtetin e ri të Kosovës. Jam i gëzuar për urimet e kryeministrit të Shqipërisë, sepse e kam mik personal, që kur kam punuar në spitalet e Tiranës dhe e përshëndës. Dua të theksoj se bota nuk duhet të ketë frikë nga shqiptarët, por ti përkrahë ata.

Në Prizren me një prej firmëtarëve të pergamenit të Pavarësisë

Një flamur kombëtar i përmasave të mëdha, i quajtur “Flamuri i Pavarësisë”, në gjatësi prej 3 kilometrash shpalosej me rastin e festës së madhe në Prizren. që është simbolikë e luftës heroike të trimit legjendar Adem Jashari.Ky flamur mbahej nga 1878 marshues, që simbolizojnë vitin e mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit ku na priti përgjegjësi Parim Kosova, u takuam me njerin prej firmëtarëve të Dokumentit të Pavarësisë, deputetin e Kuvendit te Kosovës Zafir Berisha, që thotë:-Jam i gëzuar që përfaqësoj njërin prej nënëshkruesve të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Sipas alfabetit jam nga fundi në renditje dhe me qe nuk kishte vend ne fletë kam firmosur në një vend të vecantë në krye.Kam qenë me zemër në Prizren, pasi i përkas gjeneratës që u sakrifikua për Kosovën e lirë e të pavarur.I përkas familjes me tre vëllezër në burg e unë i përjashtuar nga shkolla e Kosova. Jam kthyer nga Frankfurti me thirrjen e Adem JasharitIdhe jam mobilizuar me forcat e UCK-së, duke kontribuar për shpëtimin e Prizrenit.Si kryengritës rebel tre vjet ka vzhduar protestat për vendosjen e bustit të komandantit Xhevat Berisha në qendër të Prizrenit, i cili u realizua vetëm me ndërhyrjen e UNMIK-ut. Edhe ne vendosëm lule para bustit të tij madje dikush na fotografoi…Aty erdhi e me takoi edhe miku nga Krusha Sahit Osmani, i cili donte që të qëndronim atë natë mysafirë tek ai, por ne këmbëngulëm për tu kthyer.Pastaj Kryetari Berisha na shoqëroi 5 km në dalje të Prizrenit, deri në Vlashnjë, që është toponimi i tretë më i vjetër në botë. Ai na gostiti me specialitete të zonës në lokalin“Kështjella”pronë e tij.Megjithëse nuk është arkitekt gjithcka e ka projektuar vetë. –Nga shpirti jam tradicional- thotë ai- dhe mendova se para se të bësh politikë duhet të kesh garanci ekonomike, ndaj fillimisht iu fura biznesit privat e pastaj politikës. Mendoj se me djem të tillë energjikë të guximshëm dhe të pasur financiarisht e shpirtërisht, do të ecë përpara Kosova, jo si disa nga deputetet tanë që i hyjne politikes për tu pasuruar…

Kalimi i kufirit pa viza dhe kthimi në Tiranë

Moti ishte i ngrohtë, ashtu si zemrat e bizëqeshjet tona.Me pikën kufitare të Morinës, na pritën dy policë që shtrënguan duart me ne duke na uruar. Nuk kishte asnje kerkesë për vizë në pasaportë. Për herë të parë kaluam kufirin pa asnjë vonesë. Rrugës nuk kemi parë kurë kaq shume flamuj të kuq, që valaviteshin krenarë nga ndertesa e rruge te ndryshme. Ne po ktheheshim fitimtare, pasi Kosova ishte shpallur shteti me i ri në botë i pavarur dhe demokratik dhe ishte njohur nga mjaft shtete ne botë, kryesuar nga miku më i madh SHBA. Të Tiranë ndahemi me njera tjetren, duke përsëritur parrullat që ishin vendosur gjithandej në Prishtinë:”Bacë, U kry!”Na takojne dhe na urojnë, shumë na kanë zili, pasi jo kushdo ishte prezent me ne aty në Prishtinë, në ato ditë historike, që nuk do te harrohen kurrë, sepse u bë realitet ëndërra 100 vjeçare e shqiptarëve që sakrifikuan shumë për të, ndaj këto momentë le të mbeten të gdhëndura edhe në shkrimin tim.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • …
  • 192
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BRIKEN CALJA TRIUMFON NË TARANTO, KAMPION I MESDHEUT DHE KATËR REKORDE TË REJA
  • ORALITETI SI INTERTEKST NË ROMANIN “KËNGA SHQIPTARE” TË KASËM TREBESHINËS
  • GJKKO Regulation Under Fire for Restricting Media Access: “This Will Be Reversed”
  • MIRËNJOHJE PËRJETË PËR SENATORIN BOB DOLE, MIKUN E MADH TË KOSOVËS E KOMBIT SHQIPTAR
  • “Dijetari i fshehtësive”, një film befasues për Hasan Tahsinin
  • VEPRA E AKADEMIKUT MARK TIRTA DO MBETET GJATË NË KUJTESËN E ATYRE QË E DUAN KULTURËN SHQIPTARE
  • Dr. Riza Sadiku dhe kontributi në dokumentimin e historisë kombëtare
  • Kur pushteti humb besimin e qytetarëve
  • Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes
  • NUMRI QË ASKUSH NUK E KA NUMËRUAR…
  • KUJTIM BUZA – NJERIU QË MA RRËFENTE SHKUPIN
  • Letter of Support for Prof. Dr. Bekim Sejdiu’s Nomination for President of the Republic of Kosovo
  • BEKIM SEJDIU PËR PRESIDENT – A PO I KTHEHET KOSOVA PROFILIT INSTITUCIONAL?
  • ANTON ÇEFA – NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS SHQIPE DHE KUJTESËS KOMBËTARE
  • Kur dija hesht, konformizmi flet…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT