• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“KUJTESA E UJIT”

August 17, 2023 by s p

Prof.Shemsi Krasniqi/

“Kujtesa e ujit” është titull shumë atraktiv për ekspozitë artistike, por edhe një koncept artistik shumë i veçantë i Halil Matoshit. Pikturat e tij, përveçse të bukura e domethënëse, me mesazhin e tyre prekin shqisën, mendjen dhe imagjinatën, e sidomos prekin kujtesën – kujtesën sociale për ujin, për çeshmet bri udhëve, krojet e katundeve, shadërvanat dhe fontanat e qyteteve, lumejt, urat, mullinjtë, ujëvarat dhe gajzerët, shiun dhe rrebeshet e tij, lotin dhe rrebeshet e kohës…

Halil Matoshi, n’këtë rast si piktor, përmes ekspozitës personale na i përkujton të mirat e ujit, bukurinë, por edhe fuqinë e tij, madje edhe të currilave të tij, te cilët gërryejnë, shpojnë dhe lënë gjurmë të pashlyeshme aty ku dalin, ku rrjedhin dhe kah shkojnë. Në secilin punim të tij, currilat e ujit shfaqen si një shenjë artistike dhe njëkohësisht semantike, si një kujtesë për kêtë burim jete, për këtë resurs planetar, i cili rrjedh kudo nëpër damarët e Tokës, por për të cilin përsëri ndihet mungesë. Uji pra prej vetë natyrës së tij, rrjedh, rrjedh teposhtë kudo e kahdo, derisa prehet diku në det a oqean; e pikturat e Halilit, përkohësisht e ndalin atë në kujtesën tonë. E ndalin aty, jo vetëm si nostalgji dhe estetike, por edhe si ekologji, si mjedis jetësor, si esencë dhe ekzistencë. E ndalin aty për të na përkujtuar që të kemi drojën përherë për të, për këtë kusht jetese, pasuri natyrore, përvojë, nevojë dhe punë njerëzore, e të mos harrojmë, edhe lojë fëminore. Uji është realiteti dhe identitet i vetë kësaj jete, kësaj bote dhe kësaj Toke.

Ekspozita e Halil Matoshit “Kujtesa e ujit”, veç tjerash, na thot se n’kujtesën tonë, si një reminishencë, rri uji, ose se paku, rrijne gjurmët e pashlyeshme të tij …

Faleminderit Halil për ekspozitën dhe për librin “The Lil’s poem”, t’cilin s’ke se si mos me e lexu! Pata kënaqësinë që bashkë me Sadikun ta vizitoja këtë ekspozitë dhe ta merrja librin si dhuratë!

Filed Under: Reportazh

Qyteti amerikan, PA, Jim Thorpe, që mban emrin e legjendarit të një atleti të famshëm botëror

August 15, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

When King Gustav Vof Sweden congratulated Thorpe, he said, “Sir, you are the greatest athlete in the world.” Që perkthehet: Zotëri, ju jeni atleti më i madh në botë”. 1912.

Qyteti me emrin e legjendës botërore Jim Thorpe na tërhoqi si me magnet edhe pse temperaturat e larta të digjnin lëkurën. E kemi filluar jetën në Amerikë me shtetin e Pennsilvanias dhe qindra herë në këto 27 vjet e kemi vozitur atë vend plot kulturë dhe histori me qytete të ndryshme ngase të dyja vajzat edukimin e lartë kanë pasur fatin ta realizonin aty. Këtë ëndërr amerikane si prindër e kemi të shenjtë dhe e çmojmë më së tepërmi.

Holandezët dhe gjermanët e Pensilvanisë janë pasardhës të emigrantëve të hershëm gjermanishtfolës që mbërritën në Pensilvani në vitet 1700 dhe 1800.

Udhetimi ynë këtë fundjavë gushti ishte ne qytetin që mban emrin e legjendës botërore Jim Thorpe. Lumi Lehigh qe ishte i rrëmbyeshëm rrethuar me pemë të gjelbërta të mëdha e freskonte ajrin dhe sillte fëshfërimën e pemëve dhe zhurmën e gjinkallave në këtë zheg të vapës. Parkingu me qindra turistë pranë lumit të rrëmbyeshëm ishte i mbushur tejet plot, ku pasionantët te hipur në varka “trape” të fryra lundronin gjithë kënaqësi dhe të egzaltuar në dallgët e lumit.

Natyrshem preferuam një udhëtim me autobus të vjetër historik dhe dëgjonim me vëmendje të posacme cicëronin plot kulturë dhe profesionalizëm. Per gati 30 minuta filloi të fliste pa lëvizur nga vendi autobusin rreth historisë së krijimit të qytetit. Ai e filloi se në një sondazh të kryer në vitin 2009 nga revista “Budget Travel”, Jim Thorpe u vlerësua në 10 vendet më të mira në qytetet e vogla më të bukura të Amerikës. E dhimbshme ishte kur ciceroni tha se kur erdhën irlandezët në New York ata u persekutuan dhe nuk i pranoi njeri brenda Nju Jorkut. Ata i sollën në minierë, ku dhe mjaft fëmijë qysh në moshën 7 vjec punonin brenda minierës.

Shumë gra irlandeze amerikane u bënë shërbyese ose punëtorë shtëpie, ndërsa shumë burra irlandezë-amerikanë punuan në miniera qymyri dhe ndërtuan hekurudha dhe kanale. Ndërtimi i hekurudhës ishte aq i rrezikshëm sa thuhej: një irlandez ishte i varrosur nën çdo lidhëse”.

Gati 2 milionë refugjatë nga viti 1845 nga Irlanda kaluan Atlantikun për në Shtetet e Bashkuara në vazhdën e trishtuar të urisë së madhe. Ndërsa fliste per minierën e qymyrit e pamundur mos të më sillej pranë Miniera e Memaliajt, Tepelenë ku kishte te punësuar pothuajse burra nga fshatrat përreth dhe që punonin aq rëndë duke mbijetuar dhe për të mbajtur familjet e tyre. Pothuajse çdo familje kishte të punësuar atje dhe dihet ng të gjithë se sa punë e rëndë dhe me “kokë ne torbe” ishte dhe që mund të mos ktheheshe gjallë. Ja këto historite irlandeze më kujtuan dhe Komediografin e famshëm shqiptar, aktorin më popullor Agron Llakaj i cili gjatë intervistës në New York për TV “Alba Life” tha se ka filluar punën në moshen 13 vjeç ndersa në minierë qysh në moshe e adoleshences 16 vjeç, pasi familja e tij ishte ne varferi dhe ishin shumë femije. Reparti ku ai ka punuar, është ai i mirëmbajtjes së Pusit Nr.2 ku shtynte vagonat brenda galerisë për 8 orë. Doemos kujtoj me dhimbje dhe kunatin tim Selametin i cili punoi për vite me radhë brenda tuneleve të minierës duke bërë punët më stropacitëse në atë regjim diktatorial.

Ndihesha shume e prekur që Amerika di të vlerësojë Yjet, të frymëzohet prej tyre dhe t’i vendosë në piedestal. Shpresoj shumë që dhe vendi im t’i çmojë yjet e vërtetë, jo të ndezë kandilët e fikur që s’kanë kurrë kontribute, por kane kontribuar vetëm në korrupsion dhe mafia.

Pse qyteti ndryshoi emrin dhe e vendosi Jim Thorpe në nderim të atletit amerikan vendas?

Qarku nuk kishte emrin e Jim Thorpe, u krijua në 1843 dhe u emërua për depozitat e shumta të qymyrit. Në vitin 1954 Mauch Chunk u bashkua me East Mauch Chunk për të formuar Jim Thorpe, selinë e qarkut, në përkujtim të atletit indian, vendas amerikan.

Jim Thorpe është një bashki dhe selia e qarkut, qyteti i qymyrit në shtetin amerikan të Pensilvanisë. Është pjesë e Pensilvanisë Verilindore. Historikisht njihet si vendvarrimi i legjendës së sportit vendas amerikan Jim Thorpe.

Çdo vit, qyteti ka një ngjarje dy-ditore për të nderuar legjendën që shkëlqeu në atletikë futboll dhe bejsboll. Megjithëse ai nuk ishte kurrë në qytet, por ai ka një lidhje me zonën duke filluar karrierën e tij atletike në Shkollën Industriale Indiane Carlisle rreth 100 milje larg.

Jim Thorpe ndodhet në malet Pocono të Pensilvanisë verilindore.

Jim Thorpe u themelua në 1818 si Mauch Chunk një emër që rrjedh nga termi Mawsch Unk (vend i ariut) në gjuhën e popujve vendas Munsee-Lenape Delaware: ndoshta një referencë për malin e Ariut, një zgjerim i Mauch Chunk Ridge që i ngjante një ariu të fjetur, ose ndoshta profili origjinal i kreshtës, i cili që atëherë është ndryshuar shumë nga 220 vjet minierë. Qyteti i kompanisë u themelua nga Josiah White dhe dy partnerët e tij, themeluesit e Lehigh Coal & Navigation Company (LC&N). Transporti në kanal u zëvendësua përfundimisht nga transporti hekurudhor. Qyteti u rrit ngadalë në dekadën e tij të parë, më pas me shpejtësi rreth vitit 1818 u bë më i madh pasi u bë një qendër e transportit të qymyrit antracit. Ajo erdhi në rritje më të madhe kur Hekurudha Lehigh Valley në 1885 shtyu luginën në bregun lindor të lumit për të kundërshtuar monopolin efektiv të transportit të LC&N mbi rajonin, i cili shtrihej në veriperëndim të Wilkes-Barre në Pittston në lumin Susquehanna / Kanalin e Pensilvanisë.

Thorpe u rrit në Sac and Fox Nation në Territorin Indian (ai që tani është shteti amerikan i Oklahomas). Si i ri, ai ndoqi Shkollën Indiane Industriale Carlisle në Carlisle, Pennsylvania, ku ai ishte dy herë All-Amerikan për ekipin e futbollit të shkollës nën trajnerin Pop Warner. Pas suksesit të tij olimpik në 1912, i cili përfshinte një rezultat rekord në dhjetëatlon, ai shtoi një fitore në Kampionatin Gjithëpërfshirës të Unionit Atletik Amator. Në 1913, ai luajti për Pine Village Pros në Indiana, më vonë në 1913, Thorpe nënshkroi me New York Giants dhe ai luajti gjashtë sezone në Major League Baseball midis 1913 dhe 1919. Thorpe iu bashkua ekipit të futbollit amerikan Canton Bulldogs në 1915, duke i ndihmuar ata të fitonin tre kampionate profesionale. Më vonë ai luajti për gjashtë ekipe në Ligën Kombëtare të Futbollit (NFL). Ai luajti si pjesë e disa skuadrave indiane gjithë-amerikane gjatë karrierës së tij dhe sulmoi si basketbollist profesionist me një ekip të përbërë tërësisht nga indianët e Amerikës.

Varri i Jim Thorpe

Pas vdekjes së atletit të njohur dhe fituesit të medaljeve olimpike në vitin 1953, Jim Thorpe, e veja dhe gruaja e tretë e Thorpe, Patricia, ishte e paduruar, kur pas pesë muajsh, memoriali i planifikuar në Shawnee, Oklahoma nuk kishte mbledhur ende 100,000 dollarë për ta nderuar atë. Qytetarët e qytetit kishin paguar që ajo, djali i Thorpe dhe trupi i Jim-it të dërgoheshin nga Kalifornia, kishin paguar dhe rregulluar shërbimin funeral në Kishën Katolike të Shën Benediktit dhe kishin paguar shpenzimet e Mauzoleut në Varrezat Fairview.

Më pas guvernatori Johnston Murray vuri veton ndaj një projektligji që do të kontribuonte me fonde për ngritjen e memorialit në Athletic Park. Më 1 shtator, zonja Thorpe, duke thënë se kishte frikë se Xhimi do të varrosej në një fushë poçari, e dërgoi trupin në Tulsa, ku tha se Dhoma e Tregtisë do të ndërtonte një memorial të duhur, gjë që nuk ishte e vërtetë. Kur dëgjoi se lagjet e Mauch Chunk dhe East Mauch Chunk po kërkonin dëshpërimisht të tërhiqnin biznesin, ajo bëri një marrëveshje me zyrtarët civilë. Sipas djalit të Jim Thorpe, Jack, Patricia ishte e motivuar nga paratë për të kërkuar marrëveshjen.

Vendi i monumentit përmban varrin e tij, dy statuja të tij në poza atletike dhe shënues historikë që përshkruajnë historinë e jetës së tij. Varri mbështetet në tufa dheu nga vendlindja e Thorpe, Oklahoma dhe nga Stadiumi Olimpik i Stokholmit në të cilin ai fitoi medaljet e tij olimpike. Në varr sipas traditës së vendasve amerikanë nuk hidhen lule, por vendosen gurë nga vendet e ndryshme.

Më 24 qershor 2010, një nga djemtë e Jim Thorpe, Jack Thorpe, paditi qytetin për eshtrat e babait të tij, duke përmendur Aktin e Mbrojtjes së Varreve dhe Riatdhesimit të Vendasve Amerikanë, i cili është krijuar për të kthyer artefaktet indiane amerikane në atdheun e tyre fisnor. Më 11 shkurt 2011, gjyqtari Richard Caputo vendosi që Jack Thorpe nuk mund të fitonte asnjë shpërblim monetar, as ndonjë shumë për tarifat e avokatit në padi dhe se për vazhdimin e padisë anëtarët e tjerë të familjes Thorpe dhe Sac and Fox Nation do të kishin për t’u bashkuar me të si paditës. Para se Jack Thorpe të mund t’i përgjigjej vendimit, ai vdiq në moshën 73-vjeçare, më 22 shkurt 2011. Për shkak të vdekjes së tij përfaqësuesve të tij iu dha më shumë kohë për t’iu përgjigjur vendimit. Më 2 maj 2011, William dhe Richard Thorpe, djemtë e mbetur të Jim Thorpe dhe Sac & Fox Nation nga Oklahoma iu bashkuan padisë, duke e lejuar atë të vazhdonte. Më 19 prill 2013, Caputo vendosi në favor të William dhe Richard Thorpe, duke vendosur që bashkia përbën një muze sipas ligjit. Ky vendim u anulua nga Gjykata e Apelit e Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Tretë më 23 tetor 2014. Gjykata e Lartë e SHBA-së refuzoi të dëgjonte apelimin e tyre më 5 tetor 2015, duke siguruar që eshtrat e Jim Thorpe do të qëndrojnë në Karbon County.

Humbja e çmimeve olimpike dhe rikthimi i tyre

Jim Thorpes humbi titujt e tij olimpik pasi u zbulua se ishte paguar për të luajtur dy sezone të bejsbollit gjysmë-profesionist përpara se të garonte në Lojërat Olimpike, duke shkelur kështu rregullat bashkëkohore të amatorizmit. Në vitin 1983, 30 vjet pas vdekjes së tij, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) rivendosi medaljet e tij olimpike me kopje, pasi gjykoi se vendimi për t’i hequr medaljet e tij ishte jashtë 30 ditëve të kërkuara. Të dhënat zyrtare të IOC e renditën ende Thorpe si bashkë-kampion në dhjetëatlon dhe pesëatlon deri në vitin 2022, kur u vendos që të rikthehej si kampioni i vetëm në të dyja garat.

Vjedhja e njerës këpucë e tij në garat olimpike dhe zëvendësimi i saj me këpucë plehrash

Akoma më e habitshme, për shkak se dikush i kishte vjedhur këpucët pak para se të garonte, ai gjeti një palë zëvendësimesh të papërputhshme, duke përfshirë një nga një kosh plehrash, dhe fitoi medaljen e artë duke i veshur ato. Në përgjithësi, Thorpe fitoi tetë nga 15 garat individuale që përfshinin pesëatlonin dhe dekatlonin.

Thorpe hapi ngjarjen duke spërkatur pistën në vrapimin e 100 metrave në 11.2 sekonda – një kohë e pabarabartë në Lojërat Olimpike deri në vitin 1948.

Një shembull i përsosur për të mos hequr dorë kurrë dhe për të mbajtur një qëndrim pozitiv edhe përballë vështirësive si me rastin e vjedhjes së njërës këpucë.

Ai vazhdoi të fitonte dy medalje të arta – duke fituar çdo garë në të cilën garoi, përveç njërit, shtizën. Shtiza ishte e vetmja garë që nuk e fitoi, ndoshta sepse nuk kishte konkurruar kurrë më parë në atë garë.

Është interesante të theksohet se Thorpe ishte përpjekur të hidhte shtizën një herë më parë në provat olimpike. Në atë kohë, ai nuk e dinte se mund ta hidhte me një fillim vrapimi. Ai e hodhi atë në këmbë pa lëvizur dhe u rendit i dyti.

Në Lojërat Olimpike, ai gjithashtu mori pjesë në dekathlon. Ai përfundoi i pari në dy gara, i treti në katër gara dhe i katërti në dy të tjera. Thorpe përfundoi i treti në botë. Ai ishte padyshim një forcë dominuese që nuk mund të ndalohej dhe thjesht vazhdoi përpara.

Ai gjeti rrugën e tij në ekipin e futbollit dhe ishte monumental në mposhtjen e ekipeve më të mira në vend, si Army, Harvard, Pittsburgh, Syracuse, Penn dhe Nebraska.

Viktimë e racizmit

Thorpe, prindërit e të cilit ishin të dy me raca të përziera, u rrit si një amerikan vendas. Ai i realizoi bëmat e tij atletike pavarësisht pabarazisë së rëndë racore të Shteteve të Bashkuara. Shpesh është sugjeruar se medaljet e tij olimpike iu hoqën nga zyrtarët atletikë për shkak të përkatësisë së tij etnike. Ndonëse është e vështirë të vërtetohet kjo, komenti i publikut në atë kohë pasqyronte në masë të madhe këtë pikëpamje. Në kohën kur Thorpe fitoi medaljet e tij të arta, jo të gjithë amerikanët vendas njiheshin si qytetarë amerikanë (qeveria e SHBA-së kishte kërkuar shpesh që ata të bënin lëshime për të adoptuar mënyra evropiano-amerikane për të marrë një njohje të tillë). Shtetësia nuk iu dha të gjithë indianëve amerikanë deri në vitin 1924.

Kur Thorpe mori pjesë në Carlisle, përkatësia etnike e studentëve u përdor për qëllime marketingu. Skuadra e futbollit u quajt Indianët. Për të krijuar tituj, shkolla dhe gazetarët shpesh i portretizonin garat sportive si konflikte të indianëve kundër të bardhëve. Njoftimi i parë i Thorpe në New York Times ishte titulluar “Thorpe indian në Olimpiadë; Redskin nga Carlisle do të përpiqet për një vend në ekipin amerikan.” Gjatë gjithë jetës së tij, arritjet e Thorpe u përshkruan në një kontekst të ngjashëm racor nga gazeta të tjera dhe sportistë, që pasqyronin epokën.

Vdiq në varfëri

Nga viti 1920 deri në vitin 1921, Thorpe ishte nominalisht presidenti i parë i Shoqatës Amerikane të Futbollit Profesional, i cili u bë NFL në 1922. Ai luajti sporte profesionale deri në moshën 41-vjeçare, fundi i karrierës së tij sportive që përkoi me fillimin e Depresionit të Madh. Ai luftoi për të fituar jetesën pas kësaj, duke punuar disa punë të çuditshme. Ai vuajti nga alkoolizmi dhe jetoi vitet e fundit në shëndet të dobët dhe varfëri. Ai ishte i martuar tri herë dhe kishte tetë fëmijë, duke përfshirë Grace Thorpe, një ambientaliste dhe aktiviste për të drejtat vendase, përpara se të vuante nga dobësimi i zemrës dhe të vdiste, më 1953.

Gjyqi i bujshëm historik dhe ekezekutimet me varje për shoqërinë sekrete irlandeze Molly Maguires në këtë qytet historik

Mauch Chunk ishte vendi i një prej gjyqeve të Molly Maguires në 1876, i cili rezultoi në varjen e katër burrave të shpallur fajtorë për vrasje. Popullsia e bashkisë në vitin 1900 ishte 4,020, në vitin 1910 ishte 3,952. Ne vizituam ndërtesën dhe u ndodhëm përballë burgut ku u varën katër burra.

Molly Maguires ishin një shoqëri sekrete irlandeze e shekullit të 19-të, aktive në Irlandë, Liverpool dhe pjesë të Shteteve të Bashkuara Lindore, më të njohura për aktivizmin e tyre midis minatorëve të qymyrit irlandez-amerikanë dhe emigrantë irlandezë në Pensilvani. Pas një sërë konfliktesh shpesh të dhunshme, njëzet anëtarë të dyshuar të Molly Maguires u dënuan për vrasje dhe krime të tjera dhe u ekzekutuan me varje në 1877 dhe 1878. Kjo histori mbetet pjesë e dijes lokale të Pensilvanisë dhe faktet aktuale janë shumë të debatuara mes historianëve.

Molly Maguires e kanë origjinën në Irlandë, ku shoqëritë sekrete me emra të tillë si Whiteboys dhe Peep o’ Day Boys ishin të zakonshme duke filluar në shekullin e 18-të dhe në pjesën më të madhe të shekullit të 19-të. Dallimi kryesor midis të dy grupeve duhet të jetë se konsideroheshin si “laikë, kozmopolitanë dhe proto-nacionalistë”, me Molly Maguires të konsideruar “rurale, locale. Paniku i vitit 1873-79 u shënua si një nga depresionet më të këqija në historinë e kombit, i shkaktuar nga mbizgjerimi ekonomik, një rrëzim i tregut të aksioneve dhe një rënie në ofertën e parasë. Deri në vitin 1877, vlerësohet se një e pesta e punëtorëve të vendit ishin plotësisht të papunë. Organizatorët e punës shihnin me zemërim drejtorët e hekurudhave që udhëtonin rreth vendit me makina private luksoze, ndërsa shpallnin paaftësinë e tyre për të paguar pagat e jetesës për punëtorët e uritur.

Kur Gowen punësoi për herë të parë agjencinë Pinkerton, ai kishte pretenduar se Molly Maguires ishin aq të fuqishëm sa kishin krijuar burime të fuqishme financiare dhe kishin organizuar punën “kukullat e tyre. Kur u hapën gjyqet e gjoja mjeshtrit të kukullave, Gowen e kishte caktuar veten si prokuror special.

Franklin Benjamin Gowen shërbeu si president i hekurudhës i cili uli pagat e minierave në 54% të nivelit të tyre të vitit 1869, minatorët filluan “Grevën e gjatë” të vitit 1875. Ajo filloi në janar 1875 dhe zgjati 170 ditë.

Gjyqet e para ishin për vrasjen e John P. Jones. Tre të pandehurit, Michael J. Doyle, Jimmy Kerrigan dhe Edward Kelly, kishin zgjedhur të merrnin gjyqe të ndara. Doyle shkoi i pari, me gjyqin e tij që filloi më 18 janar 1876 dhe një dënim për vrasje të shkallës së parë u kthye më 1 shkurt. Para se të përfundonte gjyqi, Kerrigan kishte vendosur të bëhej dëshmitar i një shteti dhe dha detaje për vrasjet e Jones dhe Yost. Gjyqi i Kelly filloi më 27 mars dhe përfundoi me dënim më 6 prill 1876.

Gjyqi i parë i të pandehurve McGeehan, Carroll, Duffy, James Boyle dhe James Roarity për vrasjen e Yost filloi në maj 1876. Yost nuk i kishte njohur burrat që e sulmuan atë. Edhe pse Kerrigan është përshkruar që atëherë, së bashku me Duffy-n, se e urrente rojën e natës aq sa për të komplotuar vrasjen e tij. Kerrigan u bë dëshmitar i një shteti dhe dëshmoi kundër udhëheqësve të sindikatave dhe minatorëve të tjerë.

Ekzekutimi me varje

Më 21 qershor 1877, gjashtë burra u varën në burgun në Pottsville dhe katër në Mauch Chunk, Qarku i Karbonit. Një skelë ishte ngritur në burgun e Qarkut të Karbonit. Milicia shtetërore me bajoneta të fiksuara rrethoi burgjet dhe skelat. Minatorët mbërritën me gratë dhe fëmijët e tyre nga zonat përreth, duke ecur gjatë natës për të nderuar të akuzuarit dhe deri në orën nëntë “turma në Pottsville u shtri aq sa mund të shihej”. Familjet heshtën, gjë që ishte “mënyra e popullit për të paguar haraç” për ata që do të vdisnin. Babai i moshuar i Thomas Munley kishte ecur më shumë se 16 km nga Gilberton për të siguruar të birin se ai besonte në pafajësinë e tij. Gruaja e

Munley-t mbërriti pak minuta pasi ata mbyllën portën dhe ata nuk pranuan ta hapnin atë edhe për të afërmit e afërt për t’i thënë lamtumirën e fundit. Ajo bërtiti te porta nga pikëllimi, duke u hedhur kundër saj derisa u rrëzua, por nuk u lejua të kalonte. Katër (Alexander Campbell, John “Yellow Jack” Donahue, Michael J. Doyle dhe Edward J. Kelly) u varën më 21 qershor 1877, në një burg të qarkut Carbon në Mauch Chunk (i riemërtuar Jim Thorpe në 1953), për vrasjet e John P. Jones dhe Morgan Powell, të dy shefat e minierës, pas një gjyqi të përshkruar më vonë nga një gjykatës i Qarkut të Karbonit, John P. Lavelle, si më poshtë:

Gjyqet e Molly Maguire ishin një dorëzim i sovranitetit të shtetit. Një korporatë private nisi hetimin nëpërmjet një agjencie private detektivësh. Një forcë policore private arrestoi mbrojtësit e dyshuar dhe avokatët privatë të kompanive të qymyrit i ndoqën penalisht ata. Shteti siguroi vetëm sallën e gjyqit dhe trekëmbëshin.

Campbell, pak para ekzekutimit të tij, dyshohet se goditi një gjurmë dore me baltë në murin e tij të qelisë duke thënë “Ka prova të fjalëve të mia. Kjo shenjë ime nuk do të fshihet kurrë. Do të mbetet përgjithmonë për të turpëruar qarkun për varjen e një njeriu të pafajshëm”. Doyle dhe Hugh McGeehan u çuan në skelë. Ata u pasuan nga Thomas Munley, James Carroll, James Roarity, James Boyle, Thomas Duffy, Kelly, Campbell dhe “Yellow Jack” Donahue. Gjyqtari Dreher kryesoi gjykimet. Dhjetë të tjerë të dënuar, Thomas Fisher, John “Black Jack” Kehoe, Patrick Hester, Peter McHugh, Patrick Tully, Peter McManus, Dennis Donnelly, Martin Bergan, James McDonnell dhe Charles Sharpe, u varën në Mauch Chunk, Pottsville, Bloomsburg dhe Sunbury. Ne dy vitet e ardhshme ishte Molly Maguire i fundit që u gjykua dhe u dënua për vrasje në Gjykatën e Qarkut Northumberland në 1878.

Në vitin 1979, Guvernatori i Pensilvanisë Milton Shapp i dha një falje pas vdekjes John “Black Jack” Kehoe pas një hetimi nga Bordi i Faljeve të Pensilvanisë. Kërkesa për falje u bë nga një prej pasardhësve të Kehoe. John Kehoe kishte shpallur pafajësinë e tij deri në vdekjen e tij. Bordi rekomandoi faljen pasi hetoi gjyqin e Kehoe dhe rrethanat rreth tij. Shapp lavdëroi Kehoe, duke thënë se burrat e quajtur “Molly Maguires” ishin “martirë të punës” dhe heronj në luftën për të krijuar një sindikatë dhe trajtim të drejtë për punëtorët. Është e pamundur për ne të imagjinojmë gjendjen e vështirë të minatorëve të shekullit të 19-të në rajonin antracit të Pensilvanisë” dhe se ishte popullariteti i Kehoe midis minatorëve që e bëri Gowen “të frikësohej, përbuzte dhe përfundimisht ta shkatërronte atë.

Fama e Molly Maguires në kulturën botërore

Romani i Sherlock Holmes i autorit Arthur Conan Doyle, Lugina e frikës, bazohet pjesërisht në infiltrimin e James McParland në Mollis. Popullaritet i Molly Maguires frymëzoi mjaft aktorë, regjisorë filmash, episode të ndryshme etj.

Molly Maguires referohen nga Dr Donald “Ducky” Mallard në një episod të serialit televiziv amerikan NCIS. Referenca u bë në episodin e titulluar “Karriget muzikore”, i cili u shfaq në episodin e 8-të të sezonit të 17-të të serialit.

Kënga e Irish Rovers, “Lament for the Molly Maguires”, është në albumin e tyre dhe te rrenqethin vargjet si:

Duke thithur pluhurin e qymyrit në mushkëri/ Nën kodrat ku nuk ka diell/ Përpjekja për të siguruar jetesën me një dollar në ditë/ patjetër më vdes gërmimi i qymyrit në Pensilvani.

Ne lamë Irlandën e vjetër, lamë shtëpitë tona/ Përtej oqeanit, ne duhej të endeshim/ Me pesë djem dhe një grua të dobët/ Përpjekja për të bërë një lloj jete/. Por terrori përfundon siç kishte filluar/ James McParland, i dha fund ecurisë së tyre/ Ai u largua si një Molly, ai solli fatin e tyre/

Pas shumë vitesh i dha fund urrejtjes.

Interesant është fakti se McParland vdiq, më 18 maj 1919 në Spitalin Mercy në Denver. Ai la një të ve, Marinë, por pa fëmijë. Mediet shkruan si: MaryJoy Martin, Denver Post, Rocky Mountain News dhe Denver Catholic Register mbushën kolonat në perkujtim, duke rrëfyer përrallat e tij të Molly Maguire dhe triumfin e Harry Orchard, duke u futur në trillime dhe gënjeshtra të shumta gjatë rrugës. Pak rëndësi kishte, pasi Jim Thorpes ishte bërë legjendë.

13 Gusht, 2023

Jim Thorpes, Pansylvannia

Filed Under: Reportazh Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Gjuha shqipe në diasporë, sukseset dhe sfidat e së ardhmes

August 14, 2023 by s p

Monda Mara/

Mbajtja gjallë e gjuhës shqipe në diasporë dhe se bashku me të e kulturës sonë, çdo ditë e më shumë po bëhet e vështirë. Në vendet e ndryshme ku janë vendosur shqiptarët, rreziku i asimilimit është tepër i madh. Madje disa e kanë përfunduar tashmë këtë proces. Këtu më vjen ndërmend rasti i një studenteje shqiptare, lindur dhe rritur në Itali, të cilën gjatë rrugëtimit të saj të shkollimit për mjekësi në një prej universiteteve italiane, fati e përball me një pedagog që i kërkoi të fliste diçka në gjuhën shqipe, pasi ishte kurioz se si do të tingëllonte ajo. Vajza, e turpëruar, i përgjigjet se nuk dinte shqip. Atëherë, ndoshta për të parën herë, kuptoi se kishte gabuar duke mos ndjekur kurset e gjuhës shqipe në vendin ku jetonte. Dhe për çudi, mbase edhe jo shumë, bëri fajtorë prindërit pse nuk kishin qenë më shumë këmbëngulës në mësimin e gjuhës amtare. Ky është vetëm një rast, dhe për fat të keq si ky ka me qindra të tjerë.

Por përballë një realiteti të tillë, të hidhur dhe të papranueshëm, qëndron një armatë e tërë mësuesish (tashmë pjesë e tyre edhe unë, pas vitesh përvojë pune, si mësimdhënëse në Shqipëri), të cilët i janë përkushtuar mësimit të gjuhës shqipe për brezat e rinj. Tradita, kultura, identiteti, lipsen që t’u përcillen pikërisht këtyre fëmijëve që po rriten në mërgim, për të zgjuar tek ata ndjenjën e atdhedashurisë dhe njohjen e rrënjëve të tyre.

Në datat 30 korrik deri 2 gusht 2023, në Vlorë u mbajt Seminari XVI Mbarëkombëtar i gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, në mjediset e universitetin “Ismail Qemali” të këtij qyteti. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të paraqesë rëndësinë e tij, pasi kuptohet se veprimtari të tilla janë kurdoherë frytdhënëse. Kjo përsa i përket aspekteve si : zbatimit të teknikave të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në mërgim, shkëmbimin e përvojave të ndryshme, vendosjen e urave të lidhjes midis mësuesve me njëri -tjetrin, por edhe me institucionet përgjegjëse, përditësimin me risitë (këtë vit në shtator do të nisë shkolla verore për fëmijet shqiptarë në emigrim, projekt pilot që fillimisht do të përfshijë fëmijët shqiptarë në Greqi), e shumë të tjera si këto.

Do të doja ta përqendroj vëmendjen time pikërisht te ata, misionarët e dijes dhe kulturës sonë në mërgim apo “përhapësit e dritës” siç i quan Luigj Gurakuqi. Pata rastin të takoj mësues kolegë nga Suedia, Gjermania, Danimarka, Turqia, Greqia, Italia, Kosova, Zvicra, Anglia, të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në këto shtete. E pra dëshira, përkushtimi, gadishmëria nga ana jonë, nuk mungon kurrsesi dhe këtë gjë e treguam me pjesëmarrjen në këtë seminar. Me gjithë mbështetjen e institucioneve përkatëse të vendit tonë, që për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk ka munguar, sidomos nga Qendra e Botimeve për Diasporën, mendoj se nuk duhet të mbetemi më te vullnetarizmi dhe dëshira e mirë jona. Në vende të tilla si Gjermania apo Suedia (në dijeninë time këto të dyja), mësimi i gjuhës shqipe është pjesë e kurrikulës shkollore të tyre. Detyrimisht edhe profesioni i mësuesit të gjuhës shqipe, është i rregulluar në përputhje me sistemin arsimor të vendit përkatës. Për fat të keq kjo gjë nuk ndodh me vendet e tjera. Në optikën time, nëse gradualisht do të heqim dorë nga vullnetarizmi dhe lënien në dorë të rastësisë apo dëshirës së mirë, kjo do çonte në 2 arritje të rëndësishme.

1. Rritje të profesionalizmit.

2. Siguri në vazhdimësinë e këtij misioni, të ardhmen e tij.

Vetë mbajtja e këtij seminari të radhës (i 16-të siç edhe e theksova më lart), është një ogur i mirë në këtë drejtim dhe unë jam e prirur ta besoj këtë gjë.

Në mbyllje thënia e Eqerem Çabejt, njërit prej studiuesve, gjuhëtarëve më të shquar të historisë së shqipes, etnologjisë, kulturës shqiptare, them se do ishte më e denja për këtë rast. “Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e kësaj kombësie dhe kulturës së saj”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Monda Mara

URIM PËR DOM NDUE GJERGJIN, PËR DOM ALEKSANDËR KOLËN DHE DOM LUSH GJERGJIN – NË 50-VJETORIN E MESHTARISË 

August 12, 2023 by s p

–150 vjetë në shërbim të Zotit dhe të Kombit —

Urim nga Frank Shkreli – Nju Jork

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Të nderuar Dom Lush, Dom Ndue dhe Dom Aleksandër  – ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në meshën Shejte të Falënderimit me rastin e 50-vjetorit tuaj të madh jubilar, në shërbim të Madhit Zot, grigjës tuaj, dhe Kombit shqiptar. Për fat të keq, nuk do të kam mundësi të jem i pranishëm në këtë ceremoni të rëndësishme për ju personalisht, për Dom Ndoun dhe për Dom Alekandër Kolën – por edhe për Kishën Katolike Shqiptare në Kosovë dhe për mbarë Kombin shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta shekullore, por edhe të përhapur anë e mbanë botës. 

50-vjetë – një gjysëm shekulli në shërbim të Zotit e të Kombit, me fjalë e me vepra. Me shkrime, publistikë e me botime. Me ndërtime kishash e katedralesh në diasporë përfshir këtu në Amerikë, por sidomos në Dardaninë e vjetër, atje ku ishin hedhur themelet e para të Kishës katolike – me moton për “Për Fe, Atdhe e Përparim! U lumtë për veprimtarinë tuaj gjysëm shekullore – secilit prej jush — në shërbim të popullit tonë të vuajtur shqiptar në trojet e Dardanisë së vjetër, në Kosovën e re. Me urimin tonë nga Malësia e Madhe u them: Zoti ua rritët Pushteden të tre juve, përfaqësues të denjë të Kishës, të Kosovës e të Kombit mbarë, pa dallim feje a krahine. Qoftë me punën tuaj të pazëvendësueshme gjysëm shekullore në Kosovë, qoftë në diasporë, përfshirë komunitetin tonë të dashur shqiptaro-amerikan këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Gjithmonë veprimtaria juaj fetare këtu në Amerikë, në Kosovë dhe kudo tjetër, është, ka qenë dhe mbetet në dobinë shpirtërore të katolikëve shqiptarë, por jo vetëm.  Sepse as veprimtaria juaj për Atdhe, traditë e vlerë e pandarë e punës së klerikëve shqiptarë gjatë shekujsh, nuk ka munguar kurrë gjatë rrugëtimit tuaj prej 50-vitesh në shërbim të Zotit dhe Kombit.

Përkundrazi, përballë goditjeve të rënda me të cilat përballen bashkatdhetarët tanë kudo në diasporë, ju përfaqësuesit e Kishës Katolike Shqiptare, me zell të flakët e pa pritesë, kini punuar në vendet e huaja kudo ku ka shqiptarë, përveç fesë — edhe për ruajtjen e pasurisë tonë etnike, identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës, që  kanë lenë trashëgimi të parët tanë – një pasuri kjo që falë punës tuaj na mundëson ta quajmë veten shqiptarë në këtë oqean të madh kombësh – siç e quajmë Amerikën tonë të dashur, që na ka dhënë lirinë dhe mundësitë për një jetë më të mirë dhe më të denjë, si shqiptaro-amerikanë.

Nga Amerika e largët, ju uroj të nderuar meshtarët tanë,  këtë 50-vjetor të meshtarisë! Që Zoti i Madh t’u fali jetë e shëndet që të vazhdoni edhe ma gjatë në traditën shekullore të meshtarëve shqiptarë në mbrotje të vlerave Fetare dhe Kombëtare – duke predikuar fisnnikërinë e fesë dhe dashurinë për Atdhe.  Vlera këto për të cilat shumë klerikë shqiptarë, për fatin e keq të tyre dhe të Kombit – u detyruan të jepnin edhe jetën në mbrojtje të këtyre vlerave – nga një regjim barbar komunist sllavo-aziatik, i cili ishte përbetuar të zhdukte fenë dhe të shpallte edhe Zotin jasht ligjit, por edhe nga ndjekjet barbare sllavo-serbe kundër klerikëve katolikë shqiptarë në Dardani dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Puna juaj këto 50-vite – së bashku 150-vjeçare – tregoi se sa mizorisht dështoi ai regjim anti-njerzor e anti-fetar i frymëzuar nga ideologjia komuniste sllavo-aziatike.  Si një ish-seminarist, unë jam i vetdijshëm i sakrificave dhe mundimeve që kini hasur në rrugën e gjatë të veprimtarisë tuaj fetare e kombëtare, sidomos gjatë komunizmit, por edhe sot. Për këtë, kini falënderimet dhe mirënjohjen e të gjithëve.

Por me ndihmën e Zotit dhe me vullnetin e çelikt tuajin, ju ia dolët. Veprimtaria juaj këto 150-vjetë së bashku, kremtimi 50-vjeçar i meshtarisë për secilin prej jush – nuk mund të kishte ardhur në një moment më të bukur dhe më të rendësishëm historik për Kishën Katolike shqiptare në Kosovë. Por edhe për të gjithë popullin e Republikës së Kosovës dhe për mbarë Kombin shqiptar, pa dallim feje a krahine – e që është lajmi i ditëve të fundit shqiptuar nga goja e vet Papa Françeskut në intervistën me një revistë spanjolle pas vizitës së tij në Portogali javën që kaloi, se me ndihmë të Zotit ai po përgatitet të bëjë një vizitë në Kosovë – një vizitë historike.  Kurorzim më të madh e më të bukur të veprimtarisë tuaj — së bashku, prej 150-vjetësh meshtari — nuk do të kishte për ju në këtë 50-vjetor të Meshtarisë, për secilin prej jush që festoni sot më 12 Gusht, 2023 në Kishën e Shën Jozefit në Stubëll të Kosovës!

Falënderoj Zotin që u kam njohur gjatë viteve. Personalisht, u jam mirënjohës për miqësinë dhe për lutjet tuaja duke ju falënderuar edhe njiherë për ftesën për të festuar me ju këtë moment të rëndësishëm për të gjithë ju, pore dhe për besimtarët katolikë dhe mbarë Kosovën.

Njëkohësisht, duke ju paraqitur edhe njëherë urimet e mia më të përzemërta — ashtuqë veprimtaria juaj e shenjtë të vazhdojë — me jetë e shnet — duke frymëzuar si gjithmonë grigjen tuaj në traditën shekullore më të mirë të klerikëve katolikë shqiptarë me binomim: Fe, Atdhe e Përparim!

Bekimet e Zotit dhe lutjet e Shën Nënë Terezës për të gjithë ju dhe për mbarë Kombin shqiptar në trojet e veta shekullore dhe të përhapur anë e mbanë botës! Ad multos Annos!

Përzemërsisht,

Frank Shkreli, Nju Jork

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frank shkreli

“Bibliotekat e intelektualëve” e Injac Zamputtit dhe…intelektualët pa biblioteka

August 4, 2023 by s p

Frano Kulli/



1) – Injac Zamputti, në librin e tij “Kujtime – njerëz, fakte, ngjarje”, në një syth të rrëfimeve, andej nga faqet e fundit të librit të titulluar “Bibliotekat e intelektualëve” shkruan: Qysh në muejt e parë të mbasluftës (duhet të ketë qenë qershori 1945), Qarkori i Partisë komuniste[në Tiranë] shpërndau nëpër shtëpitë tonë një fletushkë me një listë autorësh dhe me titujt e librave që nuk duhej të mbaheshin në bibliotekat tona shtëpiake. Domosdo, të parat ishin veprat e Fishtës, Koliqit dhe të klerikëve katolikë. Por ajo që më çuditi dhe që më bani të mendohesha qe fakti se, në këtë listë ishte vu edhe emni i im…Kjo listë librash të ndaluem ishte në gjurmët e Kundër-reformës të shekullit XVI kur, në Koncilin e Trentit [Trentos] , u krijue “Indeksi”.
Dhe Zamputti, si rrallë kush tjetër e njihte dhe e dinte mirë se ç’kish qenë ai “Indeksi” i Koncilit të atëherëshm i katër shekujve më parë dhe çka kishte me qenë ky që sapo u shfaq, referuar kohës për të cilën ai flet. Ai edhe e dallon mirë fort nuancën e grihtë në të zezë që e bënte të ndryshëm”indeksin” e ri nga ai i herëshmi. “Indeksi” komunist po krijohej vetëm duke u nisë nga pozita klasore e autorëve…Dhe, natyrisht, që njëri syresh, që do të futej në orbitën e “indeksit” do të ishte me patjetër edhe vetë ai, Zamputti. Me origjinë italiane, nga babai, me shkollim e kulturë të atjeshme, përftuar atje në vitet ’30, dishepull i At Giuseppe (Zef) Valentinit e mësues në Seminarin Papnuer, koleg me Dom Ndre Mjedjen, s’kish si të lihej jashtë rrethit të “indeksit” komunist. Dhe ky veçim për të do t’i mbetet gozhdë në kujtesë për kaq dekada sa ishte numri i shekujve të kaluar, një aso gozhde, në të cilën dikush godet pa u ndalur dhe ajo ngulej pa prâ (ndalur)në gjithë qenien e tij. Një shqetësim në formën e ankthit, që pasi shfaqet në një moment e gjendje të caktuar, të ndjek si sëmundje kronike për gjithë jetën. Çdo ndodhí e gjithçka që ngjet e ka një fillesë. Zanafilla e kësaj të keqeje është “atëhere kur kanë hy këta”, kur rregjimi i ri i mbasluftës, hapte shtigjet e reja të parakalimit të dhunës e shtypjes. Mbi të diturit më së pari…Më mbas, sikurse për ata e për vetë Zamputtin mbikqyrja e vrojtimi sistemik e i pandalshëm i mbylli për të gjatë kohë në korracën e autocensurës së frikëshme. Megjithatë ai dhe nja pak, fare pak të tjerë si Çabej, Gjeçi, Shllaku, Ashta, Leka të cilët, dalldia që erdhi i zuri këtu dhe qëndruan, mbas kalvarit të mundimshëm si të Jezukrishtit ia dolën ta nxjerrin në breg vepren e vet të dobishme sa vetë ashti i kombit e me njetin e shpirtin kulturdashës tua trashëgojnë brezave. Qëndresa e tyre përballë rrebesheve absurde që sillte për ta sistemi i dhunës është fondamenti i artë i trashëgimisë sonë në fushën e dijes.
2)
Libërdashja, si kategori publike e mardhënies së ndërsjelltë të njeriut me dijen, gjithëherë tek ne ka ecë nëpërmjet lëkundjeve e ulje ngritjeve të përsëritura. Në varësi e sipas kurbës e trajtesës së kultivuar që asaj i ka bërë shoqëria, elita e saj… Pak më shumë se një muaj më parë uli qepenat njëra prej librarive të rëndësishme në Tiranë. Një tjetër, që shërbente edhe si agjensi shpërndarje për brenda vendit, ka filluar të paketojë nëpër kuti librat qëndrimgjatë aty, që simbas gjasave është preludi i melodisë krrakrra-itëse të qepen-uljes.Kurse mardhëniet e enteve publike me librin e me leximin, gjithherë kanë lënë për të dëshiruar. Edhe atëhere kur në krye të tyre, Ministrisë së Kulturës kanë qenë shkrimtarë. Dhe s’është kaq paradoksale sa duket, nëse gërmon pak, fare pak më thellë në njohjen e politikave qeverisëse për librin. Sot, sistemi i qarkullimit libror në Shqipëri është me cilësinë më të ulët krahasuar me vendet fqinje me ne. Sikundërse përkujdesja shtetrore për të e pakrahasueshme me asgjë dhe me askënd , kërkund përreth nesh. E le më të të vijë në mendje ndonjë qasje me Europën, për ku gërthasim se duam të shkojmë. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sot ekziston më shumë si një ent ku rrogëtohen disa njerëz. E shfytyruar padrejtësisht deri në dhimbje. E denjë për të lidhur aty Gomarin Viskë Babatasi, që Fishta e sjell te Komedia e vet Satirë “Gomari i Babatasit”, në pjesën e dytë të saj “Visku i Babatasit”. Visk Babatasi është një nga të rrallët personazhe me emër të vërtetë në vepër, është person real i jetës sociale dhe politike shqiptare. Asokohe (1922-1928) qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ishte sekretar i revistës “Albania” të Konicës,po i përgojuar dendur edhe nga ai. Ishte korçar, antikatolik i shpallur por edhe antigegë, gjithashtu. Kishte shumë humor dhe Fishtës i pëlqente humori i tij. Babatasi e kishte bërë zakon të shkonte në punë me gomar, sjellje kjo që i shkonte fort përshtat humorit të tij. Dhe e lidhte gomarin te dritarja e kryeministrisë, që ishte njëherësh edhe ministri e jashtme. Një ditë, ndërsa po lidhte gomarin në hekurat e dritares, i afrohet roja e i thotë: “Ka urdhnue zoti ministër mos me e lidhë ma gomarin këtu”. Atëherë Babatasi i kthehet e i thotë: “Ka të drejtë, zotëria, dy gomarë në një ministri nuk bën të lidhen”…
Edhe statuquosë së rrënuar të Bibliotekës së sotme Kombëtare i parapriu njëherë djegja e një tjetër herë përmbytja. Ndoshta për ta bërë më të pranuar atë që do të vinte më pas. Ndërsa sipër ambjenteve të saj të stërngushta sa të marrin frymën, aty në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë bëjnë karshillek ca zyra të një Instituti Italian. Me një kontratë, nënshkruar para gati tridhjetë vjetësh, me shtetin shqiptar. Sfiduese deri ku s’shkon, që përposë të tjerash është përmbytëse nga fyerja e poshtnimi që i bën librit, puntorëve të librit, përdoruesve të tij, intelektualëve, krejt kulturës sonë kombëtare dhe dijes sonë.
3)
Librat e vjetër hallakatur nëpër trotuare, buzë Lanës kanë ardhë duke u shtuar; vendpushimet e shpeshtuara të tyre janë gjithnjë e më plot. Në bisedat e prejkohëshme ndërmjet dashamirëve të librit ka zënë vend nevoja e lirimit të bibliotekave familjare… Tani, “indeksi komunist” ka pushuar së qeni, se nuk duhet më. Duhet diçka tjetër, po kaq e trishtë si duket, cytja e njerëzisë drej padijes sistemike, pra. Ndoshta. Fundja a nuk mund të sundohen mjaft ma kollaj njerëzit e paditur ?

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frano Kulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 192
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York fillon vitin shkollor 2026-2027 më 19 shtator
  • Vatikani i Tiranës
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË VENDET NORDIKE
  • PROCESI I KAFKËS – KUR DREJTËSIA HUMB FYTYRËN
  • Kosova, kufijtë shqiptarë dhe beteja që vazhdon mbi vijat e hartës
  • Analizë e hartës «Shqipnija e Vërtetë» e Ahmet Gashit
  • Kur Amerika i tha Greqisë më 1949: Mos hyni në Shqipëri
  • Arsimi shqip në Mal të Zi, fillimi i vitit të ri shkollor në Komunën e Tuzit –Malësisë
  • KONTRIBUTI SHKENCOR I PROF. DR. HASAN KALESHIT NË HISTORINË KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Masakra e Koplikut
  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT