• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mesdheu – Gramatika e qytetërimeve dhe territoret shqiptare

July 14, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nuk është se konstatoj ndonjë gjë të re apo bëj ndonjë zbulim nëse theksoj faktin se qendra e qytetërimeve dhe gramatika e tyre është bota mesdhetare. Qytetërimet e Egjiptit të Lashtë, Helenik , Romak, Ilirik dhe Trak kanë formësuar themelet e qytërimeve tona të mëvonshme duke krijuar në këtë mënyrë dhe një lidhje organike midis së shkuarës dhe së sotmes aq sa dhe në teoritë e konsolidimit të Bashkimit Evropian përmenden rrënjët dhe vlerat të qytetërimit antik greko-romak si vlera të përbashkëta në themel të Evropës së bashkuar.

Në këtë kontekst ka nevojë që të ketë dhe një rishtjellim të së shkuarës sonë të largët pasi popullsia dhe territoret iliro-arbërore nuk kanë qenë thjesht spektatorë të kësaj trashëgimie kulturore të admirueshme por shpesh herë edhe aktorë dhe faktorë përcaktues në të. Mendohet gjithnjë në mënyrë të gabuar se territoret mesdhetare shqiptare janë të vlefshme vetëm për historinë antike të rajonit si shesh betejash të luftërave civile romake apo dhe si një zgjatim i kulturës romake në anën tjetër të Adriatikut, ndërsa për vëzhguesit e dhe studiuesit është mëse e qartë që territoret mesdhetare shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol të madh edhe në mesjetën e hershme që krijon bazat e qytetërimit evropian.

Le ta ilustrojmë përmes një shembulli që është i njohur prej kohësh për qarqet e ngushta akademike dhe studiuesve por që ka nevojë të ritheksohet e të trajtohet për tu bërë pjesë e vetdijes së opinionit publik.Territoret shqiptare me Durrësin si një kryeqendër e botës mesdhetare, kaq i famshëm deri në mesjetën e vonshme ku bie në duart e osmanëve është vendi ku zhvillohen ngjarjet e një romani kalorsiak të shekullit të XII, të shkruar në frëngjisht e të quajtur “Romani i Florimontit”. Është paksa enigmatik fakti se përse Turoldus ( autori i romanit) që nga Franca e largët zgjodhi Durrësin si objekt kryesor të rrëfimit të tij, por besoj se më i rëndësishëm është fakti që e planetizon rëndësinë e qytetit pasi e vë në kryeqëndër të veprimit të heroit kryesor, Florimontit.1 Në roman Florimonti lëviz në të gjitha kryeqendrat e qytërimit mesdhetar dhe Durrësi shfaqet gjithandej si qyteti i tij, i cili mesa duket është pjesë e rëndësishme e materies dhe shpirtit të qytetërimit evropian.

Historiani Aleks Buda kur i ben kritikë mendimit historik romantik evropian të rrënjosur thellë për shqiptarët që i konsiderojné si popull barinjsh” thotë se dokumentat flasin për një shoqëri të diferencuar feudale me origjinë shqiptare, siç janë arhondët e Arbërit që mbajnë titujt e lartë të hierarkisë feudale bizantine si panhypersevastë, ata “nobli viri”, kontë, baronë, prelatë, burgencë, ato bashkësi fshatare të cilat sundimtarët bizantinë, anzhuinë etj, i cilësojnë si “burra fisnikë shqiptarë” me emrat e tyre etnikë karekteristikë.

Në këtë mënyrë nuk është e rastësishme që Durrësi dhe territoret mesdhetare shqiptare shfaqen gjithandej nëpër letërsinë, historinë e gjeografinë shpirtërore të Evropës, ndaj Shqipëria pasaportën europiane e ka që në gjenezë të saj

1-Moikom Zeqo. Florimonti, Dukë i Durrësit dhe historitë e tij për mbrojtjen e vendlindjes.

2-Aleks Buda. J.F.Falmerajer dhe historia mesjetare e shqiptarëve.Prishtinë: Akadamia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës . 2006.

Filed Under: Reportazh

Peisazh…

July 10, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Tokë shqiponjash, kreshta të famshme, ku shpatet e gjelbërta me pyje të dendur vështrojnë detin e kripur, ku shtëpia e balozit të urryer hap gojën; një shkëmb afër çahet, një humnerë e madhe pa fund shtrin nofullat e saj të gjera dhe hap një shteg të gjerë.

Jo në errësirë të plotë fillon rruga e parë; vezullim i hollë i dritës së lë pas shkëlqim të dyshimtë si i diellit në eklips bie atje dhe mashtron vizionin. Një dritë e rrallë që është dita e përzier me natën shfaqet në agim herët ose në muzg të vonë prej nga shpërndahet e bollshme në rajone të zbrazëta, ku njerëzit kthehen e të tjerë nxitojnë të largohen. Nuk është puna të shkosh; vetë rruga i tërheq poshtë. Ashtu si dallgët rrëshqasin mbi anijet e padëshiruara, edhe flladi në rënie në zbrazëtirën e pangopur, dhe asnjëherë hijet shtrënguese nuk lejojnë një hap prapa. Brenda humnerës, lumi i pamasë, rrëshqet pa probleme me rrjedhën e qetë heq shqetësimet; dhe, që të mos ketë fuqi për të ndjekur shtegun, me dredha të shumëfishta merr rrugën e ngadaltë, edhe pse endacak, me ujërat e paqëndrueshme herë tërhiqet në vetveten, herë shtyn përpara me dyshim nëse duhet të kërkojë bregun e detit ose burimi i tij.

Pellgu i përroit të ngadaltë qëndron këtu; shkaba shuan etjen, atje kukuvajka sjell ulërimë nxjerr britmën e saj dhe tingëllon oguri i trishtuar i bufit të tmerrshëm.

Gjethet dridhen, të zeza nga nata e zymtë ku gjumi i plogësht ngjitet pas qerpikut të varur, uria e trishtuar shtrihet me nofullat e tretura dhe turpi, shumë vonë, fsheh fytyrën e rënduar nga faji. Kërcell i tmerrshëm atje, frikë e zymtë dhe dhimbje kërcëllimë. Sëmundje dhe luftë e hekurt. Fiton më i madhi a më i gjati. Pa gonxhe livadhesh të gëzueshme me pamje të gjelbëruar, pa valë misri të pjekur në erën e butë; asnjë korije nuk ka degë frutash; shkretëtira shterpë e fushave të rrëmujshme shtrihet e gjitha e zhveshur dhe toka e rrëmbyer në përtacinë e pafund – fundi i trishtuar i gjërave, pasuria e fundit e botës.

Ajri varet i palëvizshëm dhe natën e zezë pjellë mbi një botë të plogësht. Të gjitha gjërat janë me pikëllim të çoroditur dhe më keq se vetë vdekja është vendbanimi.

Ç’të them për atë që sundon mbi mbretërinë e errët? Ku ulet ai, duke qeverisur me mesazhe dhe shetitje nëpër rrugë, i rrethuar me njerëz të heshtur nga frika, e kohëve te rrëfyera, që nuk u ndahet.

Foto: ATSH

Filed Under: Reportazh Tagged With: Astrit Lulushi

Bill Clinton, një President në zemrën e gjithë shqiptarëve

July 4, 2023 by s p

Clinton: “Dua t’ju falënderoj për një moment që do ta ruaj si thesar për gjithë jetën time. Faleminderit Shqipëri”.

Kosova/ Clinton: T’i jepet fund kësaj marrëzie, zgjedhjet s’duhet të ishin zhvilluar.

Clinton:” Kontaktet e mia me Shqipërinë që në moshën 18 vjecare. Shqipëria ishte mister, kurrë se kisha menduar që do vija këtu si President”.

Nga i dërguari i Diellit në Tiranë Albano Kolonjari

Bill Clinton, Presidenti i 42-i SHBA- është padyshim Presidenti Amerikan që Shqiptarët e duan më shumë. Njeriu që i dha vendimin historik për çlirimin e Kosovës, krijimin e Shtetit Kosovar dhe përcaktoi të ardhmen e Ballkanit ndodhet në Shqiperi në një vizite 2 ditore. Në shenjë respekti dhe për të përjetësuar emërin e tij por edhe te bashkshortes së tij, pas luftës shumë kosovarë u vendosën emrat Bill, Clinton dhe Hillary fëmijëve të tyre. Predidenti Clinton mbeti pa fjalë nga një suprizë që iu bë para Kryeministrisë, me disa fëmijë qe vinin nga Kosova dhe të cilët mbanin mbiemrin e tij si emër por edhe te bashkshortes, në shenjë vlerësim për atë cfarë ai bëri duke mbrojtur jetë të pafajshme gjatë terrorit dhe gjenocidit Serb në Kosovë. “Sot më dhatë një dhuratë të madhe. Më të madhe edhe sesa nderi. Më latë të shoh çfarë bëhet për të ardhmen, në një kohë që e shkuara mund ta kishte vrarë. Vazhdoni kështu. Zoti ju bekofte. Faleminderit jam pa fjalë. Po të kisha një gjykim të shëndoshë nuk do të thoja asgjë. Jam vërtetë pa fjalë. Dua t’ju falënderoj për një moment që do ta ruaj si thesar për gjithë jetën time. Ka më shumë se dhjetë vite që kur bashkëshortja ime erdhi këtu si sekretare e shtetit dhe gjithmonë e pyesja se si po ndihej si po shkon dhe ndjej se edhe pse jam një qytetar privat pa asnjë pushtet publik mund të flas për këtë çështje në emër të popullit amerikan. Unë dhe Hilary jetojmë 30 milje nga New York që është vendi me përqendrimin më të madh të shqiptarëve në Amerikë. Eshtë për të qeshur se një javë më parë kalova afër tre restoranteve shqiptare atje dhe njerëzit filluan të më tregonin për agjendën time këtu e dinin më mirë ata se unë” Gjithashtu Presidenti Clinton zbuloi edhe nje histori te bukur:” Kur isha në një restorant në Nju Jork një kamerier erdhi të merrte porosinë. Uli tabakanë që kishte ujin dhe u ul në gjunjë dhe më tha falë teje familja ime është gjallë. Dhe njerëzit e tjerë me të cilat isha nuk e kishin idenë se çfarë kishte ndodhur dhe u shpjegova se ishte shqiptar nga Kosova. Ai u çua foli pak për jetën familjare dhe tha vazhdoni kështu. Mos i hidhni njerëzit poshtë . Ju keni ndërtuar këtu diçka të lavdishme dhe bëni që njerzit që të vijnë këtu që vendi i tyre te jetë më shumë si i juaji”. “Jam shumë mirënjohës që dhëndri im është këtu dhe para se të vinim fola me tre nipërit e mi në celular. Kur e pashë të ndodhte në Kosovë e në Bosnjë ajo gjë gjithë ato vite më parë e pashë të ndodhë një djalë i ri në vendlindjen time. Sa herë e kam parë këtë gjë në jetën time, kurrë nuk ka pasur lidhje me të vërtetën në zemër të vet por është vërë për të fituar pushtet pa asnjë llogaridhënie nga ata njerëz që shtyjnë kufijtë e mendojnë se janë krijuar të epërm nga zoti. Për ata që shërbejnë në qeveri e atyre që i shërbehet dhe praninë e grave në këtë qeveri. Për të rinjtë mbresëlënës që folën, disa prej të cilëve mbajnë emrin tim e të tjerët të familjarëve të mi ju kërkoj të mos shkurajoheni sepse këto probleme i kanë rrënjët tek një impuls që është më i vjetër se shtetet kombe dhe besimet tona fetare. Ka pasur gjithmonë një frikë se në momentin që do të shkojmë përtej llojit tonë diçka e keqe mund të ndodhë. Shihini këta fëmijë, gëzimi më i madh në jetë ndodh kur ne hapemi ndaj mundësisë që çdo person mudn të marrë. Edhe njëherë, e kam të vështirë të them diçka për atë që është bërë e thënë sot, mësimet e jetës time në politikë nuk janë ato që mësova në universitet apo në zgjedhje e sallën të diskutimeve në qeveri. I kam mësuar kur isha një djalë i vogël që rritesha duke parë njerëzit ët jetonin jetën e tyre dhe jam ndjerë përherë se fjala dhe nderi kishin një vlerë konstante për çdokënd dhe e mendoj se është e rëndësishme të pranojmë që dallimet ton kanë rëndësi dhe duhet të jemi të lirë e në gjendje të dëgjojmë njëri tjetri por nuk duhet të harrojmë se e vetmja mënyrë me të cilën do të lejohen të gjithë te kenë zërin e tyre është se të qënurit njerëz dhe humanzimi i përbashkët vlen më shumë”.

Presidenti i 42-të i SHBA Bill Clinton, tregoi se e njihte Shqipërinë në moshën 18-vjeçare kur ishte student në shkollë dhe studionin Luftën e Ftohtë” Kur isha i ri dhe studioja luftën e ftoftë, botën komuniste, e shihja Shqipërinë në hartë dhe paraqitej si një mister i pamatë, e mbyllur ndaj botës. Më kujtohet kur isha 18-vjeç dhe i thoja vetes a do shkojë ndonjëherë aty, pyes veten si do jetë dhe kurrë nuk ma merrte mendja se do vija si president. Isha një njeri që vija nga një rrugë e gjatë, doja të shihja historinë e këtij vendi. Mendoj që më keni dhënë një dhuratë mjaft të madhe thjesht duke iu thënë përshëndetje, duke më lënë t’iu shoh”. Bill Clinton, presidenti i 42 i SHBA-së u ndal edhe tek situate ne Kosovë. “Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im. Kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve për tu dhënë katër kryebashkiakë më tepër. Kështu që mendoj se kanë bërë një gabim që të votohej. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tani në shumicë që të përpiqen që të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të krijohet duke pasur këtë tension, qytetarët ka nevojë që tu thuhet u duhet të votojnë. Nëse mendoni për këto 4 qyteza, shumë larg nga çdo laborator modern shkencor, ku modelohet sjellje që po e nxit botën sot, pasi drejtohet nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit. Shpresoj që Shqipëria të jetë në gjendje ti tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithë përfshirëse”. Dikur ishit një derë e zymtë e mbyllur, ndërsa sot jeni një derë e hapur. Ju falënderoj që morët gratë e OJQ-ve në Afganistan dhe i larguat nga rreziku. Më lini t’iu them se në moshën time pyet veten se pse njerëzit harxhojnë energji për shkatërrim. Gjithçka mbaron dhe ato vlejnë nëse e ardhmja është më e ndritur dhe ka bashkim në vend të ndarjes. Vazhdoni kështu. Zoti ju bekoftë!”, deklaroi ish-Presidenti amerikan Bill Clinton. Kryeministri Edi Rama dekoroi me “Yllin e Mirënjohjes” Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Çmimin e nderit ia dha kryeministri Edi Rama, sebashku me femijet e ardhur nga Kosova. Ramatha se Bill Clinton është njeriu që i dha shpresën e shqiptarëve. “Njeriu nga shpresa, keni qenë me ne gjatë kohës, sot jeni mes nesh për të na kujtuar mësimet nga një histori jo fort e largët për të konfirmuar riangazhimin e Amerikës ndaj paqes sonë dhe njëherë të na thërrasë në shpresë. S’ka fjalë që mund të shprehin atë që ndjej tashmë duke iu kërkuar me përulje të pranoni yllin e mirënjohjes për arritjen publike, që është çmimi më i lartë që jepet nga zyra e kryeministrit dikujt që e meriton këtë mirënjohje.

Filed Under: Reportazh Tagged With: albano kolonjari

“After the Alien Encounter”

June 30, 2023 by s p

Nga Ledio Xhoxhi, punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë/

Libri “Pas takimit me alienin” i prof.dr. Arian Kadiut, është një është një roman për fëmijët nga mosha 8 – 13 vjeç. Përpara lexuesit shfaqen personazhe origjinalë dhe interesantë, përshkruhen episode dhe ngjarje që ngacmojnë fantazinë, të vënë në mendime dhe të bëjnë të ndjesh dhe të përjetosh thellë bukurinë e një vepre të vërtetë letrare. Libri të zhyt në venturat e Albit, ku ripërcaktohen kufijtë e imagjinatës. Krijesat magjike, luginat e magjepsura dhe e pamundura janë vetëm disa nga ato që zbulohen në këtë libër. Romani i cili na vjen nga autori dhe shkrimtari i dashur shqiptar Arian Kadiu, tani mund të lexohet edhe në gjuhën angleze, botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur lexon romanin për fëmijë “Pas takimit me alienin” qëndron i menduar një copë herë. Libri të vë në mendime, ai të nxit imagjinatën, duke ngacmuar ato mendime, deri atëherë të fjetura; duke i vënë ato në lëvizje, dhe, kësisoj, lexuesi i vogël kërkon të ketë jetën dhe aventurat e Albit, të shoqëruar me episode dhe ngjarje interesante. Ashtu si dhe personazhi kryesor i librit Albi, edhe lexuesi ëndërron dhe përfytyron, nxitet dhe dëshiron, teksa librin e mban shtrënguar në duart e tij. Është kjo mjeshtëria e shkrimtarit Arian Kadiu, i cili ndodhet në çdo shkronjë dhe faqe të librit, me fantazinë dhe krijimtarinë e tij, ndërkohë që e nxit vazhdimisht lexuesin, duke u ndaluar dhe duke menduar herë për njërin tregim dhe herë për tjetrin. Fantazia dhe imagjinata fëmijërore bëjnë hapat e tyre të mëdhenj drejt realizimit të ëndrrave dhe dëshirave për jetën, për shkollën, për lodrat, për aventurat, për dashurinë për familjen, për njerëzit dhe atdheun.

Autori Arian Kadiu është diplomur në Universitetin Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Ka fituar grada dhe tituj shkencorë si “Profesor Doktor” (2007), “Mjeshtër i Madh” (2017), “Nder i qytetit të Peshkopisë” (2012). Ka punuar gazetar dhe redaktor në gazetën “Mësuesi”, specialist në kabinetin pedagogjik të Peshkopisë, specialist kombëtar në Institutin e Studimeve Pedagogjike, kryeredaktor i revistës shkencore “Univers”, pedagog i jashtëm në Universitet, autor i mjaft tekstesh para dhe pasuniversitar etj., me disa specializime ndërkombëtare për psikologjinë e moshave të reja.

Përvojën e tij në fushën e pedagogjisë, sociologjisë dhe psikologjisë, por edhe personalitetin e tij si pedagog dhe shkrimtar, prof. Kadiu e ka shprehur në kolanën e madhe të librave dhe botimeve të tij, që janë mirëpritur dhe mbeten gjithnjë në dispozicion të lexuesve, studiuesve dhe veçanërisht të mësuesve. Gjithashtu ai është autor i mbi 450 artikujve problemore të botuara në shtypin e përditshëm, periodikë e në gazeta dhe revista të ndryshme.

Dëshiroj të sjell në kujtesën e lexuesit një sërë titujsh librash të së njëjtës zhanër nga Arian Kadiu, si: “Aventurat e pabesueshme të Batos” (novelë-përrallë, 2002), fitues i çmimit të parë në konkursin shpallur nga shoqata e shkrimtarëve për fëmijë, “Pendimi i arushit pa bisht” (pjesë për kukulla,1975), fitues i çmimit të dytë në konkursin e 30-vjetorit të çlirimit të atdheut, “Një ndodhi në det” (tregime, 1997), “Pse dridhet harku i violinës” (tregime, 1974), “Trishtimi i blertë” (novela për adoleshentë, 2003), “Qyteti prej rëre dhe pallati i vërtetë” (tregime, 1978) etj.

Tek libri “Pas takimit me alienin”, tashmë për të gjithë fëmijët edhe në gjuhën angleze, shkrimtari e vendos personazhin e tij në situata të magjishme, interesante dhe të pëlqyeshme për fëmijët, por edhe që nxisin kureshtjen e tyre për të mësuar vazhdimin. Albi shfaqet përpara lexuesit si një djalë me zemër të gjerë, me botë të madhe shpirtërore, me merak që të mos shohë vetëm veten e tij, por të ndihmojë edhe njerëz të tjerët që kanë halle dhe, në këtë veprim-ndihmë, ai gjen kënaqësi.

Romani “Pas takimit me alienin” rrëfen historitë që na kanë formuar dhe frymëzuar, histori që na ndriçojnë mendjen në realitetin e përditshëm. Ashtu si një objekt të përditshmërisë tonë, këtë roman duhet ta ndajmë me njëri-tjetrin, ashtu siç bëjmë kur dëgjojmë një muzikë të bukur.

Pa lexuesin, libri nuk ka asnjë vlerë, leximi është në fakt qëllimi final i kulturës së librit. Libri “After the Alien Encounter” (“Pas takimit me alienin”) duhet marrë, prekur, blerë, huazuar, dhuruar, për të pasuruar bibliotekën e çdo fëmije, për ta kujtuar, për t’ia kthyer cepin e fletës që t’i rikthehemi sërish, për t’i nënvizuar rreshtat, për t’i shkëputur fletën e pjesës së parapëlqyer, për ta fotografuar mbase, për të kujtuar dikë, për të nxitur fantazinë, për të kopjuar një fjali, për t’u izoluar në një jetë paralele mes fletëve, në jetën që nuk e ka por që na e jep ky roman…

Recensë mbi librin me titull

“After the Alien Encounter” (“Pas takimit me alienin”)

Nga Ledio Xhoxhi, punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë

Filed Under: Reportazh

Trashëgimtar

June 26, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Kur vdiq, Aleksandri i Madh kishte vetëm një djalë, por nuk e la trashëgimtar. Pse? Në kohët e lashta, mosha e zakonshme për një burrë për t’u martuar ishte 30 vjeç. Sigurisht që një mbret mund të martohej edhe më herët nëse i duhej të nënshkruante një aleancë politikisht të rëndësishme. Aleksandri u martua me Roksanën në vitin 327 pes, kur ishte 29 vjeç, paksa nën moshën e zakonshme të martesës. Kjo sepse në atë moment ai ishte i përshtatshëm të martohej me një vajzë të një sundimtari lokal që do t’i siguronte kontrollin e tij mbi një vend të padisiplinuar. Aleksandri ishte gjithmonë në lëvizje, duke bërë fushatë, kështu që nuk kishte shumë kohë për të jetuar një jetë familjare. Megjithatë u martua me 2 zonja të tjera, kur ishte 32 vjeç. Ai i la 2 gratë e tij shtatzënë dhe pati 2 fëmijë. Njëri prej tyre, i Roksanës ishte djalë, kështu që Aleksandri do të kishte trashëgimtarin e tij. Tjetri, dyshohet se u vra nga Roksana, kështu që Aleksandri përfundoi me vetëm 1 fëmijë, kur vdiq në moshën 33 vjeçare.

Mendohet se në atë kohë, mosha mesatare e jetesës ishte 40 vjeç – mund të duket e ulët, por kjo ndodhte për shkak se shumë foshnja vdisnin në lindje, burra vriteshin në luftë etj. Deri në moshën 30 vjeçare njerëzit, të paktën shtresat e larta, ende arsimoheshin dhe përgatiteshin për jetën dhe biznesin e tyre publik. Platoni, rreth të 20-ve, ishte student i Sokratit në moshën 71-vjeçare.

Aleksandri nuk i tha askujt në mënyrë specifike që t’i jepte fronin djalit të tij. Ai ishte duke u përgatitur të nisej në ekspeditë kundër Arabisë, një ditë para vdekjes së tij. Babai i Aleksandrit, Filipi II, ishte bërë me gra në mesin e të 40-ve dhe kishte fëmijë. Filipi nuk e konsideronte veten të moshuar. Aleksandri do të bënte të njëjtën gjë, po të kishte jetuar më gjatë. Në moshën 32 vjeç, ai kishte 3 gra dhe 2 prej tyre ishin shtatzënë. Filipi nuk kishte përparësi për të nxjerrë një trashëgimtar. Ai e përdorte Aleksandrin sepse ishte djalë shumë i talentuar, ndërsa e shtyu mënjanë djalin tjetër, Arrideus, sepse nuk ishte i përshtatshëm për fron.. Siç shkruan Plutarku në kapitullin “Jeta e Aleksandrit”:

Grindja më e hapur u shkaktua nga Attalus në martesën e Kleopatrës, një vajzë të cilën Filipi po e merrte për grua, pasi kishte rënë në dashuri. Attalus, tani, ishte xhaxhai i vajzës, dhe mes të pirave u bëri thirrje maqedonasve të kërkonin nga perënditë që nga Filipi dhe Kleopatra të mund të lindte një pasardhës legjitim i mbretërisë. Në këtë rast Aleksandri u zemërua dhe tha: “Por unë ç’jam?”

Vetë Filipi II mori fronin nga nipi i tij, Amyntas IV. Pra, marrja e fronit të Maqedonisë nuk ndiqte saktësisht një rregull të rreptë që një djalë të trashëgonte fronin e të atit. Ai duhej ta meritonte. Ishte një lojë fronesh. Fëmijët do të vriteshin gjithsesi. Prandaj, vetë Aleksandri me fjalët e tij të fundit i dha unazën e tij mbretërore “më të fortit”, duke parashikuar se do të kishte një luftë midis lojtarëve që do të luftonin për fronin. Djali i tij i vetëm, Aleksandri IV, u vra para se të arrinte moshën madhore – edhe nëse Aleksandri do t’ia kishte lënë fronin, princi do të ishte shumë i ri për të mbijetuar mes gjeneralëve ambicioz dhe të fuqishëm, siç e tregoi koha.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 192
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York fillon vitin shkollor 2026-2027 më 19 shtator
  • Vatikani i Tiranës
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË VENDET NORDIKE
  • PROCESI I KAFKËS – KUR DREJTËSIA HUMB FYTYRËN
  • Kosova, kufijtë shqiptarë dhe beteja që vazhdon mbi vijat e hartës
  • Analizë e hartës «Shqipnija e Vërtetë» e Ahmet Gashit
  • Kur Amerika i tha Greqisë më 1949: Mos hyni në Shqipëri
  • Arsimi shqip në Mal të Zi, fillimi i vitit të ri shkollor në Komunën e Tuzit –Malësisë
  • KONTRIBUTI SHKENCOR I PROF. DR. HASAN KALESHIT NË HISTORINË KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Masakra e Koplikut
  • “The true history of mankind will be written only when Albanians participate in its writing.” – Maximilian Lambertz, Austrian Albanologist
  • SHQIPTARËT DHE IDEOLOGJITË
  • VATRA JU FTON MË 13 SHTATOR NË PROMOVIMIN E VEPRËS KUSHTUAR SKULPTORIT VASIL RAKAJ
  • VATRA THIRRJE DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS VOTONI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
  • SAVE THE DATE!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT