Të Martën në mbrëmje, me 22 Shtator, zonja Suzana Arbnori, bashkëshortja e të ndjerit Pjetër Arbnori, e shoqëruar nga djali Filip dhe vajza Justina, bënë një vizitë në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.
Mysfirët u pritën nga kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj me bashkëshorten Nikoleta, nënkryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati,sekretarja Nazo Veliu, anëtari i kryesisë dhe arkëtari i Vatrës Marjan Cubi, dhe Editori i Diellit Dalip Greca.
Kryetari i Vatrës u uroi mireseardhjen mysafirëve dhe shprehu respekt e nderim për Mandelën e burgjeve Shqiptare, ish kryeparlamentarin, si dhe mikun e Vatrës Pjetër Arbnori.
Konsiderata të larta dhe kujtime nga takimet dhe bashkëpunimi mes Vatrës dhe Pjetër Arbnorit, treguan zv/kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu, dhe Marjan Cubi.
Editori i Diellit u përshkroi mysafirëve rrugën 103 vjecare të Vatrës përmes fotografive dhe dokumenteve arkivore.
Familja i shkroi mbresat në librin e vizitorëve.
Për nder të mysafirëve Vatra shtroi një darkë ne restorantin Giovanni’s, pronë e bashkatdhetarit Gjergj Dedvukaj në Arthur Avenue.
Zonja Arbnori falenderoi për mikpritjen e ngrohtë .
Me pare zonaj Arbnori ishet prite edhe nga dega e Vatres ne Michigan me kryetar z. Alfons Grishaj.
100 FJALË TË ARTA NGA FAIK KONICA PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT
Fletore koniciane nr. 9/
Mblodhi e gatiti për botim Fotaq Andrea/
- E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).
- Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).
- Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).
- Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).
- Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).
- Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).
- Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
- Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).
- Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
- Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
- Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).
- Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).
- Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).
- Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).
- Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).
- Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).
- Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).
- Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).
- Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).
- Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).
- Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).
- Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
- Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
- Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
- 25 Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).
- Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).
- Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).
- Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).
- Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).
- Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
- Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).
- Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).
33.Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).
- Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).
- Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).
- Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).
- Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).
- Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).
- Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).
- Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).
- Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).
- Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).
- Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).
- Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).
- Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).
- Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).
- Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).
- Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).
- Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).
- Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151).
- 51-Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara. (Vepra 3, f. 181).
- Oborrësia e gegëve është për të vënë re: në ç’vend tjetër të botës mund të gjeni barbarë të rritur në kasolle me bukë e djathë, larg çdo qytetarie, po me një hije princash në mes të rreckave dhe të varfërisë pa emër që i ka mbuluar!… Kush mban mend plakun Dedë Gjon Lulin, mund të dëshmojë se ky ish, në varfëri e barbari të tij, një gentleman i përsosur. (Vepra 3, f. 212-213).
- Çakajtë e përgjakur e të urët, që kafshohen dhe ulërijnë për një kockë në Tiranë…, në pastë Shqipëria para, ata ua gjejnë lehtë vendin: dy njerëz të paguar ndezin një zjarr gjëkundi, – dhe përpara sergjerdetë me harxhet! … O-derra buçe, atdheu është në rrezik! (Vepra, 3, f. 181).
- T’i japim botës një provë urtësie, të bëjmë një çap të ri të madh në udhë të qeverimit të shtruar. (Vepra 3, f. 227).
- Një lëvizje popullore dihet ku dhe kur nis, po s’dihet ku dhe kur do të mbarojë. Në të gjitha këto, mbetet një shpresë dhe një ngushëllim: shpresa që populli, po nguli këmbë, më në fund do t’i fitojë të gjitha; ngushëllimi që kriminelët e guvernës sodomiste, shpejt a vonë (besoj më tepër shpejt se sa vonë), do të marrin shpërblimin që meritojnë. (Vepra 3, f. 239-240).
- Të vetëqeverisurit nga pleqtë e fshatit është karakteristika, shenja më e shquar e jetës sociale të kombit shqiptar. (Vepra 3, f. 243).
- Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara e shpëtoi Shqipërinë; shpëtuam nga tragjedia e copëtimit: dhe deklarata e haptë e Presidentit Wilson më 1920, që Shqipëria kish të drejtë të jetë indipendente dhe e lirë, i shtrëngoi Fuqitë e Mëdha të binden që t’i japin edhe një herë fund çështjes shqiptare. (Vepra 3, f. 260).
- Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë. Në mes të këtyre të rekrutuarve të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “juristë”. (Vepra 3, f. 269).
- Një popull që s’duron padrejtësi, që s’u jep besim sharlatanëve, që ngul këmbë për pastërti në hesapet [financat] dhe për prova zotësie në zyrtarët, ai popull qeveriset mirë, qoftë me mbret në krye, qoftë me president. (Vepra 3, f. 290).
- Skllavëria, si çdo pësim tjetër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në fund një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mbi zverk, e durojnë me gëzim. … Ata jo vetëm s’marrin vesh ç’do me thënë liri, po ndjejnë njëfarë urrejtje për mbrojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit e të zinxhirit. (Vepra 3, f. 293).
- Shtetet, sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet… Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët… Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. (Vepra 3, f. 333).
- Që shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime thelbësore, që shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim – ja dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve. (Vepra 3, f. 335).
- Kanunet [ligjet] e bëra me qëllimin që t’u lehtësohet faji njerëzve pak a shumë të fuqishëm dhe që shumica e barrës të rëndojë mbi kurriz të njerëzve të popullit, lënë ngaherë deriçka shpëtimi për ngrehësit e pusive. (Vepra 3, f. 342).
- Sa kohë të mbetet e pandryshuar mendësia e errët se vrasja është një mjet i ndershëm, Shqipëria do mbetet një njësi afrikane në mes të Evropës. (Vepra 3, f. 345).
- Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).
- Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 391).
- Shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti të vërtetë. Kjo frymë shfaqet në ngjyrat që ky popull ka zgjedhur për të veshurit e tij dhe për të zbukuruar shtëpitë ku rron. Këto ngjyra janë e zeza dhe e bardha. Oscar Wilde gjykon se bashkimi i ngjyrës së bardhë me të zezën është një shenjë shijeje fisnike. (Vepra 2, f. 68).
- Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat. (Vepra 2, f. 70).
- Levantinët janë një sëmundje, një koqe me qelb, që ka dalë në cipën e Shqipërisë. Mund të thuhet pa frikë gabimi se ideali që ata përpiqen të arrijnë është ideali i berberëve të Stambollit. (Vepra 2, f. 71).
- Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity”, shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës:. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë? Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët. (Vepra 2, f 78).
- Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë. (Vepra 2, f. 111).
- Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht. (Vepra 2, 237).
- Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare. (Vepra 2, f. 241).
- Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet. (Vepra 2, f. 279).
- Kemi këtu një fytyrë fare të jashtëzakonshme: Ahmed beu më duket i shënuar nga Fati që të lozë rolin më të madh në histori të Shqipërisë. Ai djalë i ri, në mes të zjarrit e të luftës, e të tradhtive, e të rreziqeve pa numër, arrin në pak vjet e sipër ta bashkojë Shqipërinë, ta vërë nën fuqinë rregullonjëse të Kanunit, të shtrëngojë tërë armët e të zërë parmendën, dhe sot i ri, rri në Fronin e Skënderbeut. (Vepra 2, f 40).
- E përbuz mbretin Zog për këto arsye: asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë, ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si komb me njëfarë dinjiteti tragjik; ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”. (Vepra 2, f 325).
- Ahmed Zogolli, malok analfabet, pa ndonjë frymë idealizme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes dhe të foljes. E imitonte veçan në punën e ryshfeteve. Dhe siç Esadi, në një kohë, merrte nga Italia, nga Serbia dhe nga Greqia, – ashtu dhe Ahmed Zogolli u përpoq të marrë nga tri ato mbretëri përnjëherësh. (Vepra 3, f. 312).
- Kur nis njeriu një punë, duhet të dijë se do t’u prishë interesin disave dhe prej këtyre nuk mund të presë përveç të shara e të shpifura… Letrat pa nënshkrim [anonime] e kanë vendin e tyre në hale, fjalët dhe të shpifurat shkojnë e harrohen – po puna mbetet. Jemi lindur në një dhé dhe të shtypur prej tiranisë; liridashuria, njësia e interesave të shkuara, njësia e interesave të sotme dhe njësia më e madhe e interesave të nesërme na thërret të bashkohemi e të punojmë. Do të gjejmë kundërshtime; po kundërshtimet i lodhin të dobëtit e i forcojnë burrat. Të jemi pra burra, dhe përpara! (Vepra 4, f. 115-116).
- Vendi më i ëmbël e më i pëlqyer i një shtëpie duhet të jetë vatra, se rreth e rrotull kësaj mblidhen vëllazëria që të rrinë e të kuvendojnë. Po ngandonjëherë, kur mbahet ligsht e nuk pastrohet me kujdes, vatra, në vend që t’i afrojë, i largon njerëzit e shtëpisë, se bie erë të qelbur. (Vepra 4, f. 227).
80.Këtu-këtje, në Shqipëri mund të jenë bërë gabime kundër bukurisë [natyrore] – po nga ana tjetër, sa gjë e pëlqyer të shohë njeriu një popull që zgjohet dhe i vihet punës. Shumë të huaj shkruajnë marrëzira për Shqipërinë, se nuk e kanë njohur vendin më parë dhe ashtu, s’kanë ku të mbështeten për të matur pikën e arritur në të sotmen. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 229).
81.Sa mirë i vjen njeriut kur, pas shumë vjet largimi, shkel përsëri baltën e mëmëdheut të tij; kur hyn në shtëpi a në kasolle, i duket sikur edhe gurët e mureve i thonë “mirëserdhe”! (Vepra 1, f. 93).
- Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të ecim me çap titani drejt bukurisë së mendimit. (Vepra 1, f. 94).
- Liria është të jetë njeriu zot i vetvetes, pa ndonjë urdhërues mbi kokë. (Vepra 1, f. 95).
- Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! (Vepra 1, f. 103).
- Flamuri përmbledh kujtimet e shkuar të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. ((Vepra 1, f. 105).
- Djem të Shqipërisë, shpresa e atdheut, ju që nuk e kini gjakun të ftohur nga pësimet, as trutë të thara nga interesi, ju duhet ta doni flamurin e racës suaj, ta doni me thellësi e me zjarr. U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kanë kurdoherë për të mësuar nga të rinjtë. Djelmuri shqiptare, mësoi Kombit shqiptar fenë e Flamurit. (Vepra 1, f. 107).
- E njihni të gjithë atë që “ka parë botë, që është i qytetëruar”… i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta”, mban një stap të lehtë në dorë e shikon sipër-poshtë gjithë botën… Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm?… Mos kërko aq larg… Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në Breg të Pulës. Është rritur mes bajgave të gomarit a të kakërdhisë së deles. (Vepra 1, f. 144).
- Kam shkuar jetën duke luftuar kundër asaj dinakërie të poshtër që quhet sharlatani, dhe për të rrëfyer të vërtetën, më ndizet gjaku kur shoh ca morra të ngordhur që, për ta mbajtur veten e tyre si të qytetëruar e të hollë, tallen me rrobat kombëtare të Shqipërisë. Dua të kem disa nga ata ngordhanikë e t’i shpie në Skotland të shohin zotërinjtë e mëdhenj si vishen, në dasma e në mbledhje, me petka kombëtare të tyre që u shëmbëllejnë shumë petkave tona. (Vepra 1, f. 149).
- Në Shqipëri, ashtu si gjithkund në botë, ka një prirje të pandalshme drejt uniformitetit. (Vepra 1, f. 270).
- Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur. (Albania 14, 15-30 qershor 1898).
- Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër, nuk ka pse të kërcej a të shfryj: duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua. Ashtu kritika bëhet edhe ajo vetë një vepër letrare. (Vepra 1, f. 244).
- Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent [letrar], a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën, pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje – ngaqë një vetë qenka atdhetar i mirë – që unë të kasnecojë se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur. Qëndrimi im përpara Naim bej Frashërit nuk u kuptua për këtë arsye.
- Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane. (Vepra 1, f. 262).
- Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. (Vepra 1, f. 194-195).
- Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (Vepra 1, f. 273).
- Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. (Vepra 1, f. 224).
- Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).
- Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).
- Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).
- Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë). (Vepra 1, f. 226).
Fan Noli për Faik Konicën…
… E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja nnjë mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.
Kristo KIRKA- Themelet e kishës shqiptare në Amerikë
Nga Uran BUTKA/*
Ne Foto: Kristo Kirka, ne krah te Imzot Nolit te sapo dorezuar prift me 1908/
…Përpjekjet njerëzore e kombëtare të emigrantëve shqiptarë pengoheshin me të gjitha mënyrat e mjetet nga propaganda e lobit grek dhe e kishës greke. Kulmi i kësaj intrige u shfaq më 25 gusht të vitit 1907, ditën që vdiq patrioti Kristaq Thimi Dishnica në qytetin e vogël industrial Hudson.
Hudson-i ishte një qytet i vogël, por atje banonte një koloni shqiptare relativisht e madhe dhe e rëndësishme. Jetonin dhe punonin kryesisht shqiptarë emigrantë nga Shqipëria Juglindore: korçarë, voskopojarë, kolonjarë dhe përmetarë, “të ndarë në dy fusha politike, që antagonizonin njëra-jatrën me tërbim: shqiptarët nacionalistë dhe grekomanët fanatikë”
Po vdekja e Kristaqit i bashkoi. Ata nuk kishin kishën dhe priftin e tyre shqiptar, që të kryente shërbimet mortore. Kisha greke nuk pranoi, sepse i ndjeri ishte atdhetar shqiptar. Atëherë, shqiptarët e Hudson-it iu drejtuan priftit të kishës ortodokse siriane, që ndodhej në qytetin Worcester. E lutën priftin sirian që t’i bënte të vdekurit shërbimet kishëtare. Fillimisht, ai pranoi dhe u bë marrëveshja. Siç shkruan Vangjo Miller në gazetën “Liria”, shqiptarët e Hudson-it, Natick-ut, Marlboro-s e të Boston-it shkuan me karroca në Worcester me kortezhin funeral.
Kristo Kirka , që në atë kohë jetonte në Natick, u ndodh në mes të bashkëkombasve, që shoqëronin kufomën e të ndjerit.
E ka përshkruar me dhimbje, por edhe me zemërim, këtë peligrinazh dhe këtë vuajtje kalvari:
“Në atë kohë, kisha ortodokse varej nga Patriarkana e Stambollit, që i shërbente sundimit osman, por edhe kishës greke dhe helenizmit. Ritet fetare zhvilloheshin në gjuhën greke. Ne, ortodoksët shqiptarë, konsideroheshim grekë dhe çdo përpjekje për shqiptarizimin e kishës, shtypej pa mëshirë, duke filluar nga mallkimi e duke mbaruar te helmi e thika. Ishte e pamundur, bile çmenduri, të luftonje për kombësinë shqiptare, për kishën shqiptare, për mëvehtësinë shqiptare. Po rrethanat e sollën që përmbysja e madhe të fillonte pikërisht atje ku kishim shkuar ne, në Amerikën e lirë! Ishim të rinj dhe, ndonëse puna ishte e lodhëshme, në kohën e lirë nuk rrinim kot, por e shfrytëzonim për veprimtari shoqërore, kulturore e patriotike. Askush nuk na pengonte, siç ndodhte në Shqipëri. Nisëm të organizonim shoqëri të ndryshme të shqiptarëve. Në krye këto shoqëri kishin fizionomi lokaliste, bie fjala, shoqëri e atyre shqiptarëve që kishin ardhur nga i njëjti fshat apo krahinë. Ata njiheshin me njëri-tjetrin dhe e ndjenin nevojën për të qenë të bashkuar, që të kishin ku të mbështeteshin në rast nevoje. Më pas, krijuam shoqëri kulturore, arsimore e atdhetare, që kishin një vizion dhe veprimtari më të gjerë shoqërore dhe politike. Kështu që, problemi i kishës nuk ishte kryesori, sepse shoqëritë na bashkonin të gjithëve, pa dallim krahine dhe feje: ortodoksë, myslimanë e katolikë. Për festat e mëdha fetare, si Pashkë e Krishtlindje, një pjesë e otodoksëve shkonin në kishën greke, sipas zakonit në vendin tonë, ndërsa ne që i kishim ndarë hesapet me intrigat greke dhe me grekomanët, venim në kishën ruse ose siriane. Por na ndodhi diçka që e ndryshoi krejt rrjedhën e ngjarjeve të zakonshme. Papritur, njëri nga shokët tanë, Kristaqi nga Dishnica e Korçës, u sëmur rëndë nga një plevit, që u shtri në të dy anët e mushkërive të ronitura dhe, me gjithë përpjekjen e mjekëve, ndërroi jetë në Hudson. U njoftuam dhe u mblodhëm, siç ishte zakoni. Dhimbja ishte e madhe, sepse ishte hera e parë që na vdiste në vend të huaj një shqiptar. Po më shumë na shqetësoi puna e varrimit, që duhej bërë sipas riteve fetare në kishë. Me që ishte rit vdekjeje, disa shokë të Hudson-it, njoftuan priftin e kishës greke, po ai nuk pranoi t’ia bënte shërbimet e fundit. Kjo gjë na brengosi, por edhe na zëmëroi. Iu drejtuam priftit të kishës ruse, ai u tregua i gatshëm, por na e ktheu fjalën, pas ndërhyrjes së grekëve dhe të grekomanëve fanatikë. Atëherë, Risto Koki, që banonte në Worcester, bisedoi me priftin sirian për t’i bërë shërbesat fetare të varrimit. Ai pranoi, por duhet ta çonim të vdekurin në Worcester. S’kishte kohë për të humbur. Një shoku ynë, që punonte në një shoqëri për shitjen e perimeve, na siguroi një karrocë, që mund të përdorej vetëm përgjatë natës, kur ata nuk punonin. Kështu që, në mbrëmje, nja pesë a gjashtë miq të të ndjerit, ngarkuan qivurin me të vdekurin në karrocë dhe u nisëm për rrugë.
Nuk e harroj deri sa të vdes atë udhëtim mortor nëpër natë.
Ishte ftohtë, thëllim i akullt. Bridhnim me karrocë, të mbledhur grusht me njëri-tjetrin dhe me arkivolin përpara. Në një qytet të largët të një kontinenti të madh, ndienim dhimbjen e ikjes së një shoku, lotët digjnin zemrën për vetminë edhe në vdekje. Mendonim jetën dhe pastaj atë, mortjen, që do të vinte një ditë. Kështu do të endeshin edhe trupat tanë? Ku do të na preheshin kockat? Nata ndillte pikëllim, ndërsa hëna bënte dritë. Zjenim së brendshmi me të vdekurin e pavarrosur mbi karrocë. Asnjë nuk fliste dhe mendimi na fluturonte larg, shumë larg, te vendi ynë, qyteti ynë, shtëpia jonë… Atë natë e ndjemë, më tepër se çdo herë tjetër, se ishim në vend të huaj. Sa të pafuqishëm, të pambrojtur e të vogël e ndjeva veten time! Provova thellë në shpirt një ngashërim e një përmallim aq të madh, sa mendova që në atë çast, të linja gjithçka e të vraponja drejt shtëpisë, si ai zogu që fluturon drejt folesë dhe atje të prehesha i qetë, bile edhe të vdisnja i qetë në vendin tim e midis njerëzve të mi. M’u përfytyrua nënë Athinaja, që ma bënte me dorë dhe më thërriste: “Eja, bir, eja!” Shkundnja kokën që të vinja në vete. Përpara arkivoli me trupin e pajetë të Kristaqit! Me hidhërim të thellë mendonja për nënën e gjorë të tij, dëshpërimin dhe kujën e saj, kur të merrte mandatën e zezë të të birit të pavarrosur. Mos vallë, një ditë edhe nënë Athinaja do të merrte nga larg mandatën time? Përse më shkon mendja te vdekja, kur jam kaq i ri? Ç’më bëri të ligështohem? Fati ynë i keq edhe këtu, edhe në Shqipëri. Dhe këtë fat tragjik duhet ta ndryshojmë ne që jemi këtu, por edhe ata që janë atje. Me përpjekje të përbashkëta, me dashuri për njëri-tjetrin dhe për mëmëdhenë, sepse pa mëmëdhe, ne s’jemi kërkush. Ky duhet të jetë ideali që duhet të mbushë jetën tonë…
Me këto mendime në kokë, arritëm më në fund, aty ndaj të gëdhiri, në Worcester dhe u drejtuam për tek kisha siriane. Por, për habinë dhe zëmërimin tonë të madh, prifti na e ktheu fjalën. Na tha se na lejonte ta varrosnim në një cep të varrezave, por nuk do t’i bënte ritet fetare. Për mendësinë tonë të besimit ortodoks, ishte mëkat i madh ta varrosnje të vdekurin pa prift dhe pa lutjet fetare. I vdekuri nderohet, kështu thotë ungjilli, ky është nom dhe detyrim i kishës. Kundërshtimeve tona ai nuk iu përgjigj, ngriti supet dhe u largua. E kuptuam që ishte sërish dora e kishës greke.
Kristoja e përshkruan me vërtetësi dhe dhimbje të madhe njerëzore këtë ngjarje të jashtëzakonshme antinjerëzore dhe antifetare. Por ai dhe shqiptarët e tjerë reflektuan dhe kërkuan një dalje, madje, menduan për një zgjidhje definitive dhe të dobishme për të gjithë.
Vangjo Miller, njëri nga shqiptarët ortodoksë të Hudson-it, shkruante i indinjuar te gazeta “Liria”: “Ishte ndërhyrja e grekëve të qytetit, që i bënë presion priftit të mos e bënte shërbesën. Intriga e tyre e ulët bëri efekt dhe kisha siriane nuk e bëri shërbesën. Trupi i të ndjerit mbeti jashtë kishës. Ishin grekët ata që intriguan kundrejt shqiptarëve”
U revoltuan shqiptarët, po ç’të bënin?
U mblodhën rreth arkivolit dhe e pleqëruan. Shqiptari Kozma Angello u dorëzua prift sa për momentin, i këndoi shërbesën, sepse dikur kishte shërbyer si psallt në kishën e fshatit dhe Kristaqi i ndjerë u varros pa ceremoni fetare në kishë.
Kjo ngjarje e dhimbshme u bë shkak që shqiptarët ortodoksë të mendonin edhe për vdekjen e tyre në vend të huaj. Si do t’i përballonin situata të tilla të ngjashme? Kishte pasur edhe raste të tjera të mospagëzimit apo të moskurorëzimit të shqiptarëve nga kisha greke, kur bëhej fjalë për ortodoksë atdhetarë. Por refuzim të varrimit të tyre s’kishte pasur gjer atëherë. Vdekja e hapte udhën vetë. Kisha greke kishte shkelur edhe mbi institucionin e patjetërsuar të vdekjes.
“Çdo gjë ka një fund, – thoshte Kirka. – Me lotë në sy e me dhimbje në shpirt, hodhëm nga një grusht dhe mbi varrin e bashkëkombasit tonë dhe u larguam ngadalë, me kokën ulur, me një peng të madh në zemër, por edhe me një indinjatë për atë sjellje çnjerëzore të atyre, që gjoja flisnin në emër të Krishtit e të njerëzimit, po bënin të kundërtën. Gjithashtu, edhe me një vendim të prerë për të ngritur kishën shqiptare. Në Amerikë kishte një komunitet në rritje shqiptarësh, që , sipas ligjeve demokratike të vendit, kishin të drejtë, si gjithë komunitetet e tjerë, të ndërtonin lirisht faltoret e tyre, sipas besimit. U mblodhëm menjëherë dhe, si e shoshitëm mirë e mirë, vendosëm që në fillim të shuguronim një prift shqiptar. U zgjodh një komision i posaçëm, ku bëja pjesë edhe unë dhe ia filluam punës. Caktuam nga një komunitet për secilin dhe u nisëm për të shkelur çdo qytet e fshat që kishte shqiptarë. Sigurisht, që disa nga ne e lanë punën dhe po harxhonin nga paratë që kishin kursyer. Natyrisht që na shtynte shumë edhe ngjarja e hidhur me të ndjerin Kristaq. Ai edhe me vdekjen e tij, po i shërbente çështjes shqiptare”
Miller shkruan se shqiptarët vendosën përfundimisht që të shkëputeshin nga tirania e kishës greke dhe të proklamonin indipendencën e kishës së tyre. Me nismën e disa patriotëve ortodoksë të Hudson-it, u formua një komision me në krye Vangjo Miller, që iu drejtua shqiptarëve të Marlboro-s, Natick-ut dhe Boston-it për të ngritur Shoqërinë Kishëtare. Të parët që iu përgjigjën kësaj nisme, ishin shqiptarët e krishterë të Natick-ut, ndër ta edhe Kristo Kirka.
“Të gjithë shqiptarët e kolonive të sipërpërmendura, veçanërisht ata të Natick-ut, iu përgjigjën thirrjes dhe pas disa javësh u mbajt mbledhja, e cila zgjodhi një komision që kërkoi kandidaturën e një shqiptari për prift. Dhe kandidatë ishin: Fan Noli nga Bostoni dhe Petro Luarasi nga Clintoni. Pasi ata u votuan prej delegatëve të Natick-ut, Marlboro-s dhe Hudson-it, fitoi Noli që të dorëzohej prift. Delegatë nga Natick-u ishin zotërinjtë Kristo Kirka, Nik Dishnica, Andrea Kristo, Dhori Bardhoja”.
Kristo Kirka ishte një nga nismëtarët dhe themeluesit e Kishës Shqiptare në Amerikë.
“E ndjejmë për detyrë të numërojmë anëtarët e parë të kishës, ndihmat morale dhe materiale të të cilëve bënë të mundur dorëzimin e Fan Nolit si prift dhe hodhën themelet e Kishës sonë kombëtare që kemi sot” – shkruante V.Miller.
Fan Noli pranoi të dorëzohej prift për motive kombëtare.
Por, edhe këtu kishte një problem, shugurimi i Nolit prift nga një dhespot i një kishe të huaj. Sigurisht, kishat në Amerikë nuk vareshin nga Patriarkana e Stambollit, por kishat ortodokse ruse, serbe e greke, kishin qëndrime të bashkërenduara ndaj çështjes shqiptare, natyrisht edhe ndaj ngritjes së kishës shqiptare.
“Na dolën pengesa të mëdha, – kujtonte Kristo Kirka. – Porsa e merrte vesh përpjekjen tonë, kisha greke ndërhynte dhe na e prishte. Më në fund, e rregulluam me dhespotin e kishës ruse në New York. I dhamë disa ndihma për kishën e tij dhe bëmë sikur nuk e kuptuam synimin që kishën tonë ta kishte nën kontrollin e tij. Po punën më të madhe e bëri vetë Noli. Theofani u dorëzua prift sipas të gjitha kanuneve të kishës. Ceremonia e shugurimit prift prej hirësisë së tij, peshkopit Platon, u bë në Mitropolinë ruse të New York-ut, më 8 mars 1908. Gëzimi ynë ishte i jashtëzakonshëm, sepse në qendër të lëvizjes sonë u vu shërbestari i devotshëm, Fan Noli, bashkëvuajtësi ynë, miku ynë dhe modeli ynë për shqiptarizëm e kulturë. E përqafuam uratën tonë, i puthëm dorën dhespotit rus dhe dolëm gjithë gaz e hare. Gëzimi na kishte dhënë krahë dhe na dukej sikur e gjithë bota ishte jona”.
Kristo Kirka bënte pjesë në komisionin përfaqësues të shugurimit të Fan Nolit prift.
“Komisioni që vajti në New York që të dëshmonte dorëzimin e Fan Nolit si prift, përbëhej prej këtyre zotërinjve: Vangjo Miller për koloninë Hudson, Kristo Kirka për koloninë Natick, Sotir Peci për koloninë Boston dhe Spiridon Ilo e Gaqo Dushi për New York-un” – shkruante gazeta “Liria” e Boston-it.
Kristoja do t’i përkushtohej seriozisht ngritjes së kishës shqiptare në Amerikë, sepse ai e shihte këtë si pjesë të çështjes sonë kombëtare. Por, për të arritur deri në fund të kësaj udhe të mundimshme, duheshin ende përpjekje.
Le t’ia lemë Kristos t’i rrëfejë vetë :
“U nisëm me tren për në Boston. Në stacionin e trenit kishte dalë një grumbull i madh shqiptarësh, që na priti me me brohoritje. Kish edhe myslimanë mes tyre. S’kishte ndodhur më parë kështu. Shkuam për te kafeneja e Dhorit, ku mblidheshim zakonisht. Ata që na shihnin rrugës, ndoshta na merrnin për të dehur në ndonjë orgji, sepse flisnim me zë të lartë, po prifti ç’donte me ne!? Nolit, veshur me rason e zezë të priftit dhe me kryqin varur në gjoks, i kishte rënë një nur i bukur shenjtori. Kjo ngjarje ndikoi thellësisht edhe në jetën e tij. Kur arritëm afër kafenesë, më shkuan sytë te disa shqiptarë, si nja dhjetë veta, që i mbanim për grekomanë. Rrinin të ndrojtur e të menduar matanë rrugës. U shkëputa nga grupi, kapërceva rrugën dhe u vajta pranë.
– Po ju, ç’më rrini si hunj! Pse nuk vini të festojmë bashkë?
– Po, ja…, – mërmëriti njëri.
– Ne vijmë, po a na pranoni? – pyeti një tjetër.
– Ejani, o burra, se të gjithë vëllezër të një gjaku jemi dhe një mëmëdhe kemi! – u thashë dhe u zgjata dorën. Akulli u shkri. Dy prej tyre u futa krahun dhe hymë së bashku brenda. Ata që ishin ulur, u ngritën dhe u bënë vend. Në krye të tavolinës së gjatë ishte ulur hirësia e tij, Noli, që rrinte i heshtur dhe i menduar. Ndoshta, s’e kishte menduar ndonjëherë se do të bëhej prift, sepse nuk besonte në dogmat dhe në mrekullitë fetare. Besonte në Zot dhe në thelbin human të krishterimit, besonte te forca e njeriut, që mund ta mirësonte botën, besonte tek vetja e tij, që nën petkun e priftit e të predikimeve të tij, mund t’u shërbente shqiptarëve të Amerikës, por edhe të Shqipërisë, për të hyrë në rrugën e përlindjes dhe të qytetërimit.
Dhori, që njihej si inatçi, m’u afrua dhe më tha mënjanë:
– Po këta grekomanë, ç’m’i solle këtu?
– Dhori, – i fola me qortim, – këta janë të mashtruar ose të paditur. Po janë shqiptarë, ama! Është detyra jonë t’i afrojmë, t’u hapim sytë dhe t’i bindim të ndërrojnë udhë. Tani që do të kemi kishën tonë, priftin tonë, të cilin e njohin dhe e respektojnë të gjithë, e kemi më të lehtë të merremi vesh dhe të bashkohemi. Shqipëria nuk është vetëm jona, është e të gjithë shqiptarëve. Ti dhe unë e ca të tjerë, edhe fuqi të mbinatyrshme të kemi, nuk e bëjmë dot vetëm Shqipërinë. Do ta bëjmë së bashku.
Dhori tundi kokën, po nuk u bind plotësisht.
– Atyre u kanë hedhur trutë e gomarit, – tha nëpër dhëmbë dhe u largua.
Natyrisht duhej punë bindëse me ta dhe me shumë të tjerë që i kishte verbuar propaganda greke. Po këtë punë ringjalljeje, më mirë se ne, do ta bënte kisha jonë dhe hirësia e tij Fan Noli, që shquhej për një gojëtari të rrallë dhe magjepsëse”.
Komisioni për themelimin e kishës shqiptare bëri një punë të madhe për të ngritur e kompletuar ndërtesën e kishës, e cila kërkonte mjaft shpenzime, për ta bërë të njohur e të frekuentuar për shqiptarët dhe për ta vënë atë në shërbim të tyre.
“Tani që kishim priftin, duhej edhe kisha, kështu që iu përveshëm punës për ta bërë. Ne që ishim nismëtarët, filluam të shkonim konak më konak për të mbledhur paratë e nevojshme. Në shumicën e rasteve, jepnin ndihmën që duhej, por kishte raste kur na shmangeshin. Të gjithë kishin vajtur në kurbet për të bërë prokopi dhe për të mbajtur familjet e tyre në Shqipëri, ndaj edhe kursenin shumë, deri tek ushqimi. Kështu që, me gjithë dëshirën e mirë për të ndihmuar, duhet të vinje disa herë deri sa t’ua shkëpusnje dollarët, që i nxirrnin me mund e djersë. Më në fund, ia arritëm qëllimit: të hollat i mblodhëm dhe kishën e bëmë. Biseduam disa herë sesi do ta quanim dhe të gjithë dhanë proponime të ndryshme. Noli shfaqi mejtimin që të quhej “Kisha e Shën Gjergjit”. Ky shenjt, paraqitet nëpër ikona si një kalorës i krishtërimit, i hipur sipër kalit të ngritur kas, që vret gjarprin gojëjëhapur, i cili zvarritej drejt njerëzve. Kjo ishte një alegori fort e goditur për Shqipërinë, shpëtimtarin e saj dhe armiqtë, që e kërcënonin. Po, proponimi i Emzot Nolit, lidhej më së shumti me emrin e Gjergj Kastriotit, kalorësin dhe mbrojtësin e qytetërimit evropian. Ndërkohë, ai kishte përkthyer nga greqishtja pjesë të Ungjillit që duheshin për shërbesat fetare, si edhe kishte kompozuar muzikë kishëtare, që do të shoqëronte ritet fetare.
Dhe ja, ajo ditë e bekuar, aq e shumëpritur, erdhi. Atë të diel, të datës 22 mars 1908, në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, u mblodhën me qindra shqiptarë. Erdhën nga çdo anë e Amerikës. Ishin të gëzuar, por edhe të tronditur, sepse po përjetonin një ngjarje të madhe. Tingujt e kambanës na ftonin t’i faleshim perëndisë në gjuhën tonë, por edhe të ndjeheshim shqiptarë, të bashkuar e të mbrojtur. Dalëngadalë, me qetësi e rregull, u futëm brenda. Ishim aq shumë, saqë, ndonëse të shtrënguar me njeri-tjetrin, mjaft besimtarë mbetën jashtë. Rrinim të heshtur, të tendosur dhe me dridhje në zemër. Nën dritën e qirinjve, doli prifti Theofan, i veshur me rroba të reja ceremoniale. Dukej si një Mesi, i dërguar nga Zoti. Me zërin e tij të dridhshëm e të qartë si drita e diellit, ai nisi të meshonte. Të gjithë ishim shtangur dhe po dëgjonim si të ngrirë, pothuajse pa marrë frymë. Për herë të parë po dëgjonim meshë në gjuhën tonë dhe po kuptonim fjalët e Ungjilit, ato fjalë plagëshëruese dhe ngushëlluese, që predikonin dashuri për njëri-tjetrin, paqe dhe mirësi, falje për të penduarit dhe mëshirë për mëkatarët. Deri atëherë faleshim dhe e bënim kryqin, pa kuptuar asgjë nga ato që thoshin priftërinjtë grekë. Ndërsa atë të diel, e përjetuam thellë atë meshë në gjuhën shqipe. Ishim të mallëngjyer e të përlotur, ishim më të mirë dhe më afër Perëndisë. Kur mbaroi mesha, njëri tha: “Ç’fjalë hyjnore, që të hyjnë drejt e në zemër!”. Një tjetër, që ishte grekoman, mërmëriste: “Tashi e ndjej veten shqiptar, siç kam lindur”. I vura dorën në sup. “Ashtu ndihemi të gjithë sot. Po duhet të ndihemi shqiptarë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë”- i thashë. “E ku e dinim ne të gjorët! Na thoshin që greqishtja ishte gjuha e Zotit dhe se kush punonte kundër Greqisë, vepronte kundër Perëndisë. Po tani e kuptuam të vërtetën”- m’u përgjigj. Më preku sinqeriteti i tij dhe ne u bëmë miq. Po puna nuk mbaroi këtu. Ne, të komisionit kishëtar, vendosëm që në çdo qytet, ku kishte një numër të mjaftueshëm shqiptarësh, të ngrinim kishën shqiptare. Kaluan vite plot lodhje e mundime dhe ne arritëm të ngrinim mjaft kisha të tilla, që t’u shërbenin komuniteteve shqiptare. Por nuk ishim të kënaqur, as të qetë, sepse na hante një merak i madh: kur do të arrinim që këtë gjë ta bënim edhe në Shqipëri? Në atë kohë atdheu ynë vuante nën një robëri të dyfishtë: sundimit osman dhe sundimit të kishës greke. Kur do ta hidhnin tutje shqiptarët këtë robëri?”
Hapi i parë u bë në Amerikë.
“Themelimi i Kishës Kombëtare Shqiptare në Amerikë më vitin 1908, ishte ngjarja më e madhe në historinë e emigracionit shqiptar para themelimit të “Vatrës”. Ajo ndihmoi shumë për zhvillimin në kah pozitiv të lëvizjes kombëtare dhe për krijimin e kushteve më të favorshme për themelimin e “Vatrës”.
Ndërkohë, kisha shqiptare dhe imzot Noli, ndihmuan mjaft në gjendjen shpirtërore të shqiptarëve, por edhe në lehtësimin e jetës së tyre në SHBA. Njëherësh, edhe në bashkimin, shkuarjen dhe veprimtarinë e shqiptarëve atje.
Por ajo çka ishte më e rëndësishme në rang kombëtar, Kisha e shqiptarëve të Amerikës u bë gur themeli dhe faktor kryesor në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri. Ja ç’mesazh kishte për shqiptarët Kristo Kirka në vitin 1909:
“Kisha kombëtare ortodokse “Shën Gjergji” vajti shumë përpara n’Amerikë dhe, pothuaj, s’mbeti qytet a fshat ku ndodhen shqiptarët, që të mos ketë dëgjuar meshë edhe predikim shqip. Që nga Saint Louis e gjer në New York, që nga Philadelphia e gjer në Lewistown, më prifti i shqiptarëve, Fan Noli, u prit me gas në zemër dhe, megjithëse moti ishte nga më të varfërit, ndihmat që iu dhanë nga shqiptarët e Amerikës, ishin fort të mëdha. Por ajo që na çudit më tepër nga të gjitha, është moslëvizja kishëtare brenda në Shqipëri. Shqipëtarët ortodoksë të Shqipërisë s’bënë gjë gjer më sot që të rrëfejnë se duan që gjuha e tyre të futet zyrtarisht në kishat ortodokse. Duhet të kuptohet që, vetëm duke thirrur nëpër kafenetë dhe duke shkruar artikuj të zjarrtë kundër Patriarkanës nëpër gazeta, nuku ndreqet gjë, por duhet veprim me methodë dhe organizim. Duhet të bëhet një kongres ortodoks shqiptar në Korçë a n’Elbasan, ku të ketë delegatë nga gjithë anët e Shqipërisë e të vendosë dhe s’andejmi të dërgohet një peticie në Patriarkanë për kërkimet tona. Për këtë, duhet të përpiqet komisioni kishëtar i këtushmë, i cili të merret vesh edhe me ortodoksët atdhetarë të brendshëm e të jashtëm. Kështu që Patriarkana të mos thotë , siç i tha një korespondenti të një gazete europiane se shqiptarët ortodoksë s’i kanë kërkuar gjë deri tani”.
Kristoja kishte të drejtë, sepse në vitet 1908-1909, kur u shpall konstitucioni xhonturk, u krijuan mundësitë edhe në Shqipëri për çeljen e shkollave shqipe e të klubeve kulturorë, të kongreseve kombëtarë e kulturorë, si ai i alfabetit në Manastir dhe ai i arsimit në Elbasan. Mund e duhej të krijohej edhe një lëvizje kombëtare për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare dhe predikimin e saj në gjuhën shqipe.
*Marre nga Libri i Uran Butkes” Kristo Kirka”
* Kristo Kirka ishte bashkethemelues i VATRES, vdiq i denuar nga Diktatura Komuniste ne Burgun e Burrelit.
Adrian Neritani do hetojë Assadin, si pjesë e misionit të OKB-së
Adrian Neritani, ish-ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitet 2006-2009, pjesë e Këshillit të Federatës Vatra, është përzgjedhur nga OKB dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW/ONAK), si një nga 3 anëtarët e grupit civil, që do të hetojnë nëse në Siri janë përdorur armë kimike kundër popullsisë civile dhe kush i ka përdorur ato. Këshilli i Sigurimit në OKB dha “dritën jeshile” për hetim të përbashkët nga Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike javën e kaluar, por ndërkaq si qeveria e Sirisë, ashtu dhe kryengritësit kanë mohuar përdorimin e armëve kimike. Adrian Neritani do të jetë pjesë e grupit, së bashku me argjentinasen Virginia Gamba, e cila do të jetë drejtuese, dhe me ekspertin gjerman, Eberhard Schanze. Qeveritë perëndimore shpresojnë se, hetimi nga OKB-ONAK do të përcaktojë fajtorët e përdorimit të gazit sarin, prova këto që mund të përdoren një ditë për të ndjekur penalisht anëtarët e qeverisë siriane për krime lufte. Zyra e shtypit të Kombeve të Bashkuara ka konfirmuar lajmin, se Neritani do të jetë pjesë e grupit të “Mekanizimit të Përbashkët të Hetimit” dhe se, për shkak të përgatitjes së tij si diplomat, por edhe jurist i njohur në të drejtën ndërkombëtare, ai do të jetë përgjegjës për pjesën politike të këtij mekanizmi investigativ. Fillimisht, grupi prej 3 anëtarësh do të shqyrtojë dokumentet e mbledhura deri më tani, e më pas, nëse do të jetë e nevojshme, ata do të udhëtojnë drejt Sirisë për të mbledhur prova të tjera, për të provuar nëse është përdorur gazi sarin dhe se cilët kanë qenë ata që e kanë përdorur. {Sh.K}
- « Previous Page
- 1
- …
- 97
- 98
- 99
- 100
- 101
- …
- 150
- Next Page »