
Saimir Kadiu/
“Nga shqiptarët mora kurajën, nga rumunët fuqinë për të duruar.” – Cezar Ivanescu (6 gusht 1941-24 prill 2008).
Një nga poetët më të rëndësishëm rumunë të gjysmës së dytë të shekullit XX, i njohur për stilin e tij ritual, dramatik dhe të ngarkuar me mitologji.
Ai ishte gjithashtu dramaturg, përkthyes dhe eseist.
Veprat e tij kryesore jane: “Rod”, “Rosarium”, “Doina” dhe “Jeu d’Amour” / “Lojë Dashurie” (antologji e përkthyer në shqip nga Luan Topçiu, botuar në Tiranë më 2007)
Poezia e tij është e ngarkuar me elemente mitologjike, rituale dhe mistike, duke e parë artin si një akt magjik që bashkon muzikën dhe fjalën.
Kritiku i njohur rumun Nicolae Manolescu e ka cilësuar debutimin e tij me vëllimin Rod (1968) si një “revolucion letrar”.
Te tjere kritike vendas e kanë quajtur si “poeti më i madh i shfaqur në testamentin e gjuhës letrare të Eminescu”-t.
Eshte nderuar ne Rumani me “Mare Premiu” i Festivalit Kombëtar të Poezisë “Mihai Eminescu” (1968) dhe me Ordinul Național “Steaua României”, një nga dekoratat më të larta shtetërore.
Cezar Ivănescu u propozua nga Shqipëria për Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 2008. Ky propozim erdhi pas vizitave të tij në Korçë dhe Tiranë, ku u nderua si poet me origjinë shqiptare nga nëna e tij, Ksanthipi Naumi.
Në Tiranë u prezantua edhe antologjia e tij “Jeu d’Amour / Lojë Dashurie”, e përkthyer në shqip.
Ivănescu e theksonte shpesh trashëgiminë e tij arumune dhe shqiptare.
Erdhi dy here ne Shqiperi… ne vitin 1973 dhe 2008
Heren e dyte vizitoi Korçën dhe Tiranën, duke u pritur me respekt nga komuniteti letrar.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë e paraqiti kandidaturën e tij në vitin 2008, duke e konsideruar si një figurë që bashkonte kulturën rumune dhe shqiptare.
Vdiq 18 vjet me pare me 24 prill 2008, vetem disa dite pasi ishte kthyer nga Shqiperia.
Per koincidence edhe rumuni i madh i letrave me origjine shqiptare Viktor Eftimiu vdiq me 27 nentor 1972 ne Bukuresht vetem disa dite pas kthimit nga Shqiperia.
Në shtratin e tij, libri i fundit që lexoi ishte një dorëshkrim i përkthimit të romanit “Funerali i pafundmë” te shkrimtarit tone te njohur Visar Zhiti, përkthyer prej Luan Topçiut.
Ai gjithashtu ishte nje promovues i letërsisë shqipe. Si drejtor i shtëpisë botuese “Junimea”, një nga shtëpitë botuese më të vjetra dhe më të njohura të Rumanisë, donte të hapte një kolanë me letërsi shqipe. Gjatë viteve të fundit kishte botuar “Pallati i ëndrrave” të Kadaresë dhe “Verë pa kthim” nga Besnik Mustafaj.
Dy rumunet e medhenj me origjine shqiptare Eftimiu dhe Ivanescu kane edhe nje lidhje tjeter te perbashket…
Në verën e vitit 2019 ne Rumani u iniciua procedura për klasifikimin e shtëpisë ku shkrimtari Cezar Ivănescu jetoi në periudhën e fundit të jetës së tij (1986-2008) si monument historik, në një regjim emergjence (vendim i Ministrisë së Kulturës dhe Identitetit Kombëtar, kërkesë e paraqitur në mars 2018).
Ndërtesa, që daton nga viti 1894 ishte shtëpia prindërore e shkrimtarit rumun me origjinë shqiptare Viktor Eftimiu (në bodrumin e së cilës Eftimiu, si fëmijë, vuri në skenë shfaqjet e tij të para).
Duke pasur një vlerë të lartë përkujtimore-simbolike, shteti rumun kishte menduar ruajtjen dhe transformimin në një muze kushtuar dy shkrimtarëve të mëdhenj me origjinë shqiptare: Eftimiu dhe Ivanesku.
Fatkeqësisht, per shkak te ndertimeve te reja prane kesaj shtepie ende nuk eshte bere efektive.
Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Rumune, “shtëpia njëfamiljare e ndërtuar në fund të shekullit të 19-të (1894) në një mënyrë të karakterizuar nga shija specifike e epokës, potenciali i saj arkitektonik dhe artistik dyfishohet nga një rëndësi e veçantë përkujtimore-simbolike, nga fakti se dy personalitete të shquara të kulturës rumune jetuan dhe krijuan këtu radhazi, Viktor Eftimiu, akademik dhe dramaturg (1889-1972), dhe Cezar Ivănescu, poet dhe përkthyes (1941-2008), të dy rumunë me origjinë shqiptare”.