
Prof. Asoc. Dr. Rovena Vata Mikeli/
Zgjedhja e kësaj teme lidhet me një veçori të rëndësishme të poezisë së Agollit: aftësinë e tij për ta kthyer poezinë në një hapësirë komunikimi me lexuesin, ku kënaqësia estetike ndërthuret natyrshëm me reflektimin, edukimin dhe përcjelljen e vlerave. Në poezinë për fëmijë, komunikimi i poetit me lexuesin mbështetet në thjeshtësinë dhe natyrshmërinë e gjuhës, në ritmin, humorin, lojën poetike dhe figuracionin e kuptueshëm. Fëmija nuk vendoset përballë një “mësimi” të drejtpërdrejtë; ai e përjeton mesazhin, përmes botës poetike, përmes personazheve, situatave dhe humorit. Kështu, funksioni edukativ bëhet pjesë e vetë përvojës estetike. Në poezinë për fëmijë të Dritëro Agollit kemi marrë në shqyrtim disa krijime përfaqësuese, ndër të cilat: “Mësimet e Ujkut”, “Kali dhe Gomari”, “Dy vëllezër dhe ujku” dhe “Dhia dhe Maçoku”.
Përmes këtyre teksteve, mund të vërehet qartë mënyra se si autori e ndërton komunikimin didaktik me lexuesit e vegjël, duke e ndërthurur mesazhin edukativ me humorin, alegorinë, ritmin dhe lojën poetike. Një rast veçanërisht domethënës është fabula “Mësimet e Ujkut”, një titull që në vetvete mbart një ngarkesë të fortë ironike dhe paradoksale. Ujku, në traditën e fabulës dhe të imagjinatës popullore, perceptohet zakonisht si simbol i egërsisë, instinktit, dhunës dhe rrezikut. Agolli e përmbys këtë stereotip dhe e vendos ujkun në një rol krejt tjetër, atë të një qenieje që kërkon të mësojë, të kuptojë dhe të ndryshojë. Pikërisht kjo përmbysje krijon hapësirën e parë të komunikimit didaktik. Ironia është një nga mjetet kryesore përmes të cilave realizohet ky komunikim. Ajo nuk funksionon thjesht për të shkaktuar të qeshurën, por për ta vendosur lexuesin në një pozitë reflektimi. Pikërisht këtu qëndron një nga veçoritë e didaktikës agolliane: poeti nuk ia jep lexuesit të gatshëm përfundimin, por e vendos atë përballë një situate nga e cila ai duhet të nxjerrë vetë kuptimin.
Në qendër të fabulës vendoset metafora e “qethjes” dhe e “qimes që ndërrohet”. Në planin e parë, bëhet fjalë për një ndryshim të jashtëm, fizik; por në planin simbolik, qethja shndërrohet në metaforë të ndryshimit të zakoneve, të mendësive dhe të mënyrave të të menduarit. Në këtë mënyrë, fabula “Mësimet e Ujkut” dëshmon se raporti didaktik i Agollit me lexuesit e vegjël ndërtohet, përmes një ekuilibri të kujdesshëm ndërmjet argëtimit, estetikës dhe reflektimit. Një tjetër fabul me rëndësi për të kuptuar mënyrën se si Dritëro Agolli ndërton raportin didaktik me lexuesin është “Kali dhe Gomari”. Nëpërmjet një situate të thjeshtë, të ndërtuar mbi marrëdhënien ndërmjet kafshëve dhe fshatarit, poeti trajton një problem me përmasa më të gjera, si: padrejtësinë në ndarjen e punëve, pabarazinë në përgjegjësi dhe absurditetin e një hierarkie, ku ndëshkimi nuk i drejtohet domosdoshmërisht atij që ka shkaktuar problemin.
Një tjetër fabul që dëshmon qartë mënyrën se si Dritëro Agolli ndërton raportin didaktik me lexuesin është “Breshka dhe Pula”. Fabula nis si një bisedë e thjeshtë ndërmjet dy kafshëve të zakonshme, por që, në planin alegorik, përfaqësojnë dy mënyra të ndryshme të sjelljes, të punës dhe të marrëdhënies me shoqërinë. Breshka lidhet me ngadalësinë, qëndrueshmërinë, punën e heshtur dhe përpjekjen e vazhdueshme, ndërsa pula përfaqëson një veprim, që shoqërohet me zhurmë dhe me jehonë të menjëhershme. Pikërisht kjo kundërvënie i jep fabulës forcën e saj satirike dhe reflektuese. Pra Dritëro Agolli në poezinë e ndërton raportin didaktik me lexuesin kryesisht përmes fabulës, personifikimit, humorit dhe alegorisë.